21.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Forumi për Tiranën me akademikë e qytetarë

Tezat iniciuese për një qytet të lirë, demokratik e të jetueshëm dhe për angazhimin aktiv qytetar në funksion të saj. Në ditët në vijim do të publikohen reflektime të këtij procesi që sapo ka nisur dje do të zgjerohet më tej!
1. Bashkia Tiranë ka nisur hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor (PPV). Për hartimin e këtij plani është kontraktuar një ekip me arkitektë e konsulentë kryesisht nga Italia. Titullari i këtij grupimi konsulence ka dhënë së fundi një intervistë në media duke shprehur idetë dhe konceptet e tij kryesore për “Tiranën e Nesërme” bazuar tek: i) gjelbërimi, ii) shkatërrimi-rizhvillimi, iii) dhe policentrizmi … ide dhe zhargon urbanistik tashmë i konsumuar prej kohësh në debatin lokal të zhvillimit.
Duke respektuar maksimalisht karrierën dhe përvojën e konsulentëve të huaj në vendet e tyre, jemi të shqetësuar për lehtësinë me të cilën ata konsumojnë në publikun shqiptar ide të tilla, të cilat dëshmojnë në rastin më të mirë ose njohje të kufizuar të realitetit lokal ose akoma më keq mungesë respekti për kontekstin vendor dhe një axhendë të parapërgatitur, ku interesi publik mbetet i paqartë. Kjo situatë mund ta ekspozojë qytetin ndaj rrezikut të “eksperimenteve sociale dhe urbanistike” që nuk përfaqësojnë interesa dhe vullnet vendor.
2. Tirana ndërkohë ka pësuar mjaft deformime dhe ndodhet përballë sfidave gjithnjë e më të komplikuara, të cilat kanë marrë deri më tani vetëm përgjigje të pjesshme ose sipërfaqësore. Në këtë moment, qyteti ka hyrë në një fazë edhe më kritike zhvillimi pasi mbi të është imponuar një reformë administrativo-territoriale, e cila nuk ka patur konsensus politik dhe social dhe në këtë mënyrë sfidat janë rritur edhe më shumë pasi territori i bashkisë është 10-fishuar, ndërsa kompetencat dhe burimet janë zvogëluar dhe centralizuar. Për të korrigjuar këtë deformim po imponohet mbi qytetarët një barrë financiare e pajustifikuar, e cila po jep impakt negativ social dhe ekonomik dhe iniciativën e lirë. Ndërkohë që konstatojmë se pas Reformës së Territorit autoriteti i bashkive sot është ulur në nivelin e komiteteve ekzekutive të dikurshme që ishin vetëm krah i qeverisë qendrore në nivel lokal, duke vrarë çdo shpresë për autonomi lokale dhe depolitizim të administrimit publik vendor që do ta sillte qeverisjen më afër interesave të qytetarëve. Kjo ka çuar në një situatë gati pa sens, ku qeverisja vendore përfaqëson më shumë interesat e politikës kombëtare dhe shërben si trampolinë kryesisht për promovim politik në nivel kombëtar të individëve të caktuar.
Qytetarët kanë mbetur të braktisur në hallet e tyre të përditshme, ndërsa qeverisja si model është kthyer më shumë në një “koncert” mediatik. Në vend që ajo të jetë në mbrojtje e shërbim të komuniteteve dhe nevojave të tyre, ajo çuditërisht përplaset dhe konfliktohet me përfaqësitë komunitare, grupet e interesave dhe me gjithë zërat kritikë edhe kur ata janë konstruktivë.
3. Duhet nënvizuar se që pas fundit të viteve ‘80-të autoritetet nuk kanë qenë më në gjendje të hartojnë një vizion zhvillimi për atë se çfarë do të jetë Tirana sot dhe në të ardhmen. Kjo gjendje duket se ka qenë produkt i qëllimshëm i klasës politike, për të patur “fushë veprimi” maksimale mbi zgjedhjet teknike dhe operacionet ekonomike që janë bërë në qytet, shpesh në mënyrë konfliktuale dhe aspak të qëndrueshme, pa patur më parë një dokument publik që do të ishte një instrument rregullator dhe ballafaques i ligjshmërisë, që garanton me transparencë një “pakt social” midis politikëbërjes dhe interesave komunitare. Mungesa e “planit kushtetutë zhvillimi” dhe indikatorëve të tij tekniko-ligjore, si dhe keqpërdorimi i ligjit, i konkurseve ndërkombëtare dhe i studiove të arkitekturës e konsulencës të importuara nga jashtë, po përdoren më shumë si alibi për abuzimet në zhvillimin e qytetit në kurriz të interesit publik. Instrumenti i pseudopërfshirjes publike (nënkupto – militantët) i ka shërbyer më shumë simulimit të një “elite-aliazh” me natyrë oligarkike, që bashkon interesa të caktuara të natyrës së sipërmarrjes, medias e politikës, duke monopolizuar zhvillimin dhe cilësinë e jetesës. Ky zhvillim ka dëmtuar kryesisht interesin publik, hapësirën publike e të gjelbër, kondicionet e tjera mjedisore e sociale, ka krijuar një treg të deformuar dhe çmime të pasurive
të patundshme në disavantazh të shumicës së popullsisë.
4. Në këto kushte, kur është iniciuar nga bashkia një proces planifikimi dhe vizionimi i qytetit, ndërkohë po ecet paralelisht e me nxitim me disa projekte strategjike kryesisht në qendrën e qytetit, vendimmarrja e të cilave sot mund të bjerë ndesh me procesin e planifikimit dhe zhvillimit ligjor të qytetit, nëse ky proces nuk është falso, i paracaktuar dhe i paragjykuar. Nxitimi për të zhvilluar projekte me natyrë strategjike si: parkimet nëntokësore në lulishtet e pakta të qytetit, betonizimi i Parkut të Liqenit, ndërhyrjet në Rrugën e Durrësit, projekti i besimeve në bulevardin kryesor, rindërhyrja në qendrën dhe sheshin kryesor të qytetit, etj.; e bëjnë vetë këtë proces planifikimi të pabesueshëm. Ai në këtë mënyrë bëhet më shumë një alibi për vendimet që po merren sot në mënyrë arbitrare dhe të nxituar. Akoma më keq, përqendrimi i gjithçkaje vetëm në qendër të qytetit në një kohë që territori i bashkisë sot e tejkalon konceptin tradicional të Tiranës historike, dëshmon në rastin më të mirë për politika që do të stimulojnë përfundimisht urbanizimin final edhe të frymës më të fundit të popullsisë që ka mbetur në zonat rurale e bujqësore, atje ku në fakt ndodhen edhe burimet kryesore natyrore dhe shanset reale për rritje ekonomike. Edhe idetë e hedhura nga ekspertët e huaj për rizhvillimin e banesave të vjetra, mbartin akoma më shumë rreziqe për konflikte të ashpra sociale dhe deformime serioze të tregut e të sistemit ende të pastabilizuar të pronësisë, në një qytet ku gjysmë e popullsisë është nën- ose në nivelin e varfërisë.
5. Kjo situatë bëhet edhe më shqetësuese në kushtet kur konsultimet e ashtuquajtura publike – që janë detyrim ligjor – mbeten të njëanshme, formale dhe mbi baza të pjesëmarrjes militante. Ato nuk kanë përfshirë as Këshillin Bashkiak dhe veçanërisht opozitën në këtë këshill, pa folur për përfaqësuesit e spikatur komunitarë e profesionalë, grupet reale të interesit, grupimet me natyrë kritike, mjedisorët dhe sidomos ekspertët e qytetit e shoqërisë – ata të vërtetët që e duan qytetin nuk i servilosen politikës për interesa të vogla e banale. Dhe ekspertë të tilla Tirana dhe Shqipëria i ka! Nuk është se nuk i ka! Është ofenduese që në dy takimet e para publike të ekipit hartues të planit nuk është bërë publike asnjë dokument analize apo vizioni ashtu siç rregullohen ato me ligjin shqiptar.
Edhe ato materiale që janë ekspozuar kanë një karakter më shumë ilustrativ, mbeten të paqarta e sipërfaqësore dhe tepër të përgjithshme, madje mënyra si serviren dhe arroganca i bën ato tepër fyese për publikun shqiptar. Nuk denjohet as të komunikohet në gjuhën amtare nga një institucion publik që financohet nga taksapaguesit shqiptarë! Mosrepektimi i parimeve të etikës elementare të komunikimit dhe të demokracisë lokale është shqetësues jo vetëm për hartimin e këtij plani, por tashmë për vetë natyrën e qeverisjes vendore në Tiranë, e cila duket se për arsye ekstraligjore po vetëpozicionohet si një agjenci ekzekutive e interesave politike të partisë mëmë dhe qeverisë qendrore, se sa e komuniteteve që ajo përfaqëson ligjërisht. Ne duam një Tiranë sa më të jetueshme, dhe një qeverisje të ndjeshme ndaj qytetit dhe shoqërisë, e lidhur me terrenin jo përmes filtrave të militantëve dhe mediave, por direkt përmes njerëzve dhe problematikave të tyre të përditshme. Nuk kemi nevojë për ekspertë të huaj alibi, edhe pse jemi të hapur për kontributet e tyre të sinqerta që do të luftonin bashkë me ne kundër një zhvillimi të deformuar e që e shikon qytetarin nga lart dhe me përbuzje!
Në këto kushte ju ftoj të ndajmë ide dhe përmes këtij takimi të hapur intelektual e profesional të ftojmë gjithë qytetarët e Tiranës që të dëshmojnë vigjilencë, interesim dhe mbështetje për situatën e krijuar, e cila mund të krijojë efekte jo të mira për jetën e gjithkujt. Zgjimi i shoqërisë nga apatia dhe rreshtimi i ngurtë partiak, si dhe pozicionimi përmes zërave më të spikatur të jetës publike dhe komunitare, për t’iu bashkuar pa paragjykim një aleance qyetare për Tiranën dhe qytetin në tërësi në Shqipëri, në trajtën e një forumi të pavarur, aktiv, të lirë dhe të pakufizuar, e që synon mbrojtjen e interesit publik – do të garantonte me shumë gjasa edhe një qeverisje më demokratike dhe më gjithpërfshirëse.

Syzet e ferrit

Frrok ÇUPI

Në këtë rast ferri i vërtetë është indiferentizmi.
Ai që e elaboroi i pari konceptin e indiferentizmit, Papa Gregori XVI, më në fund arriti në përfundimin se “burimi i shëmtuar” i indiferentizmit shpesh herë fshihet pas lirisë së ndërgjegjes. Por më në fund “vdekja e shpirtit është më e keqe se liria për të gabuar”, sipas Papa Gregorit XVI.
Më afër nesh…
Këtu mes nesh, jo në botën papnore të enciklikave, ngjallen e vdesin përditë faktet e këqija dhe pastaj syzet e ferrit me të cilat njerëzit zënë sytë. Kishin këto ditë, thuajse gjithë mediat, një lajm për një palë syze dielli të një djaloshi (edhe ky me emrin Gregor, si Papa i idesë së indiferentizmit), syze dielli që kushtojnë gjashtëdhjetë mijë euro. Ky është djali i kryeministrit të Republikës. Qëllimi pse mediat e botuan lajmin dhe foton, me sa kuptova, ishte për t’i treguar publikut se në çfarë luksi dhe shpërdorimesh financiare jetojnë njerëzit e kastës qeverisëse.
Po pas kësaj?…
Disa thanë pse u morën me të birin. Disa të tjerë thanë “lërë atë punë”, se para këtij djaloshi ishin kapur të tjerë, o biznesmenë o deputetë të Kuvendit, që mbanin të tillë syze dielli me vlerë gjashtëdhjetë mijë euro.
U tha me njëfarë dhimbjeje njerëzore se ky djalë e meriton më në fund një gjë; gjithë jetën është poshtëruar nga babai i tij, sipas dëshmive të mediave dhe politikanëve.
Mëkati vërtitet në rreth, si në Ferrin e Dantes.
Duket si një rreth i burimit të shëmtuar të indiferntizmit. Një jetë njeriu rri strukur diku në pamundësi për të reaguar derisa vjen një ditë “Iks”, dhe pastaj ngjall mëshirë. Njeriu i mëshiruar, kur reagon, reagon në mënyrë të gabuar, bën karshillëk me abuzimin e të atit me pushtetin. Njerëzit rrotull nuk duan të kuptojnë thelbin e të keqes që i rrethon, që në fakt nuk janë një palë syze dielli. Por e keqja është shumë e madhe, shumë e thellë. Ajo përfaqësohet me “syzet e ferrit” të indiferentizmit të të gjithëve…
Të të gjithëve?… Vallë në një fatkeqësi të tillë ndodhemi? Vallë kaq keq kemi rënë, saqë të gjithë mund të quhemi indiferentë? Ndoshta edhe jo, ndoshta nuk duhet thënë “të gjithë”.
Pse, vallë, nuk duhet thënë?
Sepse një pjesë e madhe njerëzish kthehen në shtëpi apo ulen nëpër kafe dhe shfryjnë plot duf.  “Uf, po këta hajdutë, nuk na lanë gjë pa vjedhur. Na thanë “shëndetësi falas”, po tani po na vjedhin edhe paratë e ilaçeve…. Po këta që burgosin njerëzit pa bukë e për vete vjedhin xhepat tanë… Po ç’paska qenë kjo rracë!”. Vetëm kaq. Jashtë shtëpisë dhe jashtë kafesë, asnjë gjethe peme nuk lëviz… Vallë këta nuk u dashkan quajtur indiferentë? Këta janë indiferentët klasikë që i japin “liri ndërgjegjes së tyre”, por që ndërgjegjja nuk e kapërcen indiferentizmin.
… Ndoshta vërtet jo të gjithë duhen quajtur indiferentë.
Po pse, vallë? Pse jetojmë në kohë rreziqesh, në kohë mafie dhe vrasjesh?… Ja, le të justifikoj një njeri që këto ditë u burgos për krimin e “indiferentizmit”. Këto ditë një roje i një pike karburanti në Elbasan është vënë në pranga “për indiferentizëm”. Të paktën në fjalorin e përditshëm kështu mund të quhet. Sipas akuzës së policisë që ka kryer burgosjen, roja i karburantit ka parë një vrasës tek ka vrarë një njeri dhe nuk e ka kallëzuar krimin… Mund të ketë ndodhur, por edhe mund të mos ketë ndodhur. Sepse çfarë ka parë njeriu, e dinë veç sytë e tij, askush tjetër. Domethënë e di ndërgjegjja e tij, që mund të jetë si ndërgjegjja e të tjerëve për të pasur të drejtën që të gabojë. Por edhe mund të ketë parë vrasësin e të mos e ketë treguar. Në këtë rast a quhet fajtor? Shteti në këtë vend nuk siguron as lirinë për të treguar krimin, as hapësirën për reagim. Ka ndodhur disa herë që sy njerëzish kanë parë krime, kanë takuar kriminelë, por nuk janë arrestuar. Muaj të kaluar vetë ministri i Brendshëm kishte pritur në zyrë një njeri të skeduar si autor në vepra penale. Por nuk ndodhi gjë. Ndërsa në këtë rast, shteti burgos viktimën e tij. E detyroi të ishte indiferent dhe e burgosi si indiferent…
A janë të gjithë indiferentë?
Po ta thuash këtë, bëhesh i pabesueshëm. Me të drejtë i pabesueshëm, sepse rrugët e reagimit tani janë të shumta. Teknikat e reja të komunikimit i kanë dhënë mundësi njeriut që t’i fshihet në njëfarë mënyre dhunës shtetërore dhe kamxhikut të policisë. Askush nuk do të donte që të shikonte në rrugë njerëz të gjakosur nga dhuna policore, sigurisht… Por kush e di sa po zhvillohet “nën gju”, dmth, në rrjetet dhe mediat sociale, reagimi kundër padrejtësisë, kundër korrupsionit, kundër vjedhjeve qeveritare dhe krimit?…
Sa herë e kam bërë këtë pyetje me vete. Deri tani janë dhënë shifra zyrtare që të trullosin; shifra se si nën kujdesin e qeverisë kanë “humbur”: Një herë 500 milionë euro në CEZ, një herë 920 milionë euro për një aferë tjetër, disa herë qindra milionë për shëndetësinë, për udhëtime dhe luks qeveritar, për të paguar media të huaja që t’i bëjnë reklamë qeverisë, për t’i mbyllur gojën medias në vend, për të mbledhur para që të blihen zgjedhjet e ardhshme… Të gjitha këto ndodhin në sytë tanë. Ndërsa në sytë tanë nuk shfaqet reagimi. Mos vallë po zhvillohet ky reagim nën gju, në mediat dhe rrjetet sociale?
Sa herë e kam pyetur veten… Por aq herë, mëngjes për mëngjes, më është shfaqur Parku i Madh i Tiranës që po rrënohet në një aferë korruptive të qeverisë. Mëngjes për mëngjes, aty në Park shikoj mbi njëqind policë që ruajnë krimin, dhe vetëm një djalë që fle natën në roje të Parkut. Djali është një aktivist i Shoqërisë Civile, që është betuar të mbajë gjallë tharmin e reagimit qytetar. Aty  ngryset e zgjohet mbi një platformë betoni ku bën hije edhe një statujë me një grua me bucelë. Ai dhe gruaja janë civilë e në shërbim të Parkut.
Edhe një njeri tjetër civil u shtua këto ditë. Presidenti i Republikës vizitoi Parkun tek po vdes dhe djaloshin që mëngjes për mëngjes ringjallet nga gjumi, ngre batanijet e i hedh në këmbë të policëve. Presidenti e quajti vandal aktin e shkatërrimit të Parkut. Por vetëm kaq civilë ka këtu: Një djalosh aktivist, një grua në bronz dhe Presidenti i Republikës.
Nuk e di a mund të themi se “të gjithë janë indiferentë”. Ndoshta jo. Se atëherë do të ndodheshim në ferr. Zonja e parë e Shteteve të Bashkuara, Nancy Reagan, e cila “passed away” pak kohë më parë, pat thënë se “indiferentizmi është armiku dhe vdekja e njeriut”.
Vallë veç kaq pak njerëz jetojnë apo jetuan “pa syze”?!

Si po persekutohen bashkitë e fituara nga PD

Fatmir GUDA

Qëllon që Edi Rama të jetë edhe “llaf mbajtur”, duke mos i hedhur pas krahëve të gjitha premtimet që u dha shqiptarëve. Në më pak se një vit, ashtu siç tha, AI u provoi diskriminim financiar atyre shqiptarëve, që nuk e votuan në vendoret e 2015-ës. Shefi i “rilindjes” e mbajti vëth në vesh votën që 15 bashki në vend konfirmuan fituese Partinë Demokratike, dhe pa e bërë dysh, i “qerasi” ato me buxhete qesharake, pa ç’ka se banues të tyre janë qytetarë të lirë në bindje, të djathtë, të majtë apo paparti. Varfërisë së ekonomive familjare në këto 15 bashki edhe pse përfaqësojnë komunitete masive banorësh si Shkodra, Kukësi, Lezha, Kamza, Vora, Pogradeci, Bilishti, Mallakastra e Përmeti, zotri kryeministri u bëri peshqesh edhe një pushtet vendor të rënuar, i cili gjithashtu për shkak të rikonfigurimit së territorit, nuk është në gjendje të përballojë as shpenzimet e veta, e jo më t’u shërbejë cilësisht qytetarëve. Kështu, ai zgjodhi t’u japë atyre një leksion “shembullor” për rebelimin e shfaqur, duke mos ju nënshtruar oreksit të pangopur të pushtetit, që njësoj si në motet e “nënës parti”, fitorja i shijonte vetëm në shifrat 99.99%.
Në fakt, për hir të së vërtetës, nuk është se në bashkitë e PS dhe aleatëve të saj ka plasur bollëku e paraja e madhe, por gjithsesi atyre u duhet që të ngelen të kënaqura krahasuar me njësitë ku qeverisin demokratët, pasi trajtimi i shpërndarjes së grandit transfertë e pa kushtëzuar dhe transfertë e kushtëzuar me anë të Fondit të Zhvillimit të Rajonit, u bë si të ishte plaçkë lufte dhe jo sipas formulës mbi numër popullsie apo në bazë studimesh fizibiliteti të projekteve. Për më tepër që shumica e këtyre fondeve tek bashkitë e majta janë koncentruar kryesisht me dedikim paracaktim në përmbushje të “merakut” të kahershëm dhe afeksionit të kryeministrit ish-kryebashkiak, për maskim fasadash e llustraboje nëpër qendra të kufizuara qytetesh dhe asfare nuk po u jepet vëmendje problematikave reale që shqetëson komunitetet e tyre, siç është fjala vjen uji i pijshëm apo uji për vaditjen si dhe nevoja imediate për kullimin e tokave bujqësore, të cilat dhe kanë ndikim direkt, jo vetëm në ekonomitë familjare, por edhe ekonominë kombëtare.
E ndërsa ende nuk janë larguar nga memoria të bërtiturat dhe të ulëriturat e zotit Rama në fushatën e vendoreve, shesh më shesh të çdo qyteti për fitore “publiçitare” dhe mosvotim të kandidatëve për kryebashkiakë të PD, të cilët siç justifikonte kryetari i qeverisë, nuk do i trokisnin në zyrë për projekte dhe probleme të tjera komunitare. Megjithqë realiteti paszgjedhor u pasua nga sjellja maksimalisht aktive e kryebashkiakëve të djathtë, duke ju përgjigjur pozitivisht çdo thirrje dhe eventi qeveritar, të gatshëm edhe me një mori projektesh vendore të paraqitura për financim, me shpresën për një reflektim të mundshëm ndaj qëndrimit të vjetër që pat mbajtur me zë dhe figurë kreu i qeverisë. Por ja që as lepe-peqja, as shpresa nuk kryhen punë as kësaj here, pasi Edi Rama e ka ndarë mendjen që papërjashtim tek të gjitha bashkitë e fituara nga PD në një mënyrë rreptësisht konsekuente të aplikohet me ashpërsi dhe urrejtje patologjike një embargo financiare që do t’i vendoste në situata kritike të zgjedhurit në krye të tyre, me synimin final për t’i dështuar ata në lidhje me angazhimet politike që kanë ndërmarë përballë qytetarëve që i votuan. Ky është modeli i huazuar prej vehtes, të cilin kreu i ekzekutivit e aplikoi jo pa rezultat tek Bashkia e Tiranës, në kohën që ajo qeverisej nga Lulzim Basha, ku vetëm me barriera dhe bllokim, fabrikoi për konsum elektoral fabulën se PD nuk di të qeverisë.
Fakti i klimës armiqësore ndaj bashkive që drejtohen nga opozita e djathtë, solli reagimin e pritshëm të të zgjedhurve të tyre. Më herët dhe qartazi, me anë të një letre publike drejtuar kryeministrit nga kryebashkiakja e Shkodrës, njëkohësisht kryetarja e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë apo dhe deklaratat e kryetarëve të Kamzës, Lezhës etj, të cilët nuk kanë hezituar të kërkojnë mbështetjen e qeverisë, kanë pohuar që edhe pse kanë depozituar një numër të konsiderueshëm projektesh të miratuar sipas prioriteteve  prej këshillave  bashkiakë respektivë, kanë hasur në veshin e shurdhët të qeverisë, e cila më shumë kujdeset t’i turpërojë kryebashkiakët e PD, në vend që t’u zgjasë atyre dorën e bashkëpunimit.
Dënimi kolektiv për shkak të “fajit” të vetëm se nuk i dhanë votat partisë së Edi Ramës është edhe një “premtim i mbajtur” i kryeministrit; edhe një marrifet për ta treguar opozitën si shkaktare të keqqeverisjes në gati 30% të territorit. Por, që në ditën e gjykimit elektoral të 2017-ës, të mund t’i pijë ujë teoria e drejtimit të gishtit të fajit tek kundërshtari, do t’i duhet së pari të gjejë një mënyrë për ta mbuluar diellin me shoshë, nën dritën e të cilit i duket lakuriq edhe Shqipëria tjetër, Shqipëria e bashkive socialiste, të cilat edhe pse nuk shihen me syrin e njerkës, reflektojnë dukshëm efektet negative të trashëguara prej keqqeverisjes qëndrore.
Në fakt, pushteti vendor përveçse po vuan me shumë zorr proçesin e implementimit të një reforme territoriale të njëanshme dhe me mjaft probleme serioze, kurrsesi nuk mund të mendohej që do të katandisej në ditë të hallit pikërisht prej kryeministrit ish-kryebashkiak 3 herë mandatuar, i cili larg mllefit dhe urrejtjes që duhej ta karakterizonte për kundërshtarin politik, i takonte të krijonte rregulla të drejta për të mos lejuar politizim të qeverisë lokale dhe të krijonte kushte për t’u gjendur më afër njësive të pamundura dhe jo vetëm pranë atyre të fituara prej partisë së vet. Duhej ta bënte këtë hap z.Rama, qoftë edhe për të reflektuar pendesë për qëndrimin refraktar dhe intimidues që shfaqi në zgjedhjet lokale 2015 ndaj qytetarëve, ku duke dashur të ndikonte tek vullneti i tyre i kërcënoi ata, se nga paratë e taksave që paguajnë nuk do përfitonin asgjë, nqs do votonin Partinë Demokratike.

Parlamenti Europian: Të dënohen zyrtarët e lartë për korrupsion

Parlamenti Europian ka publikuar dje rezolutën për Shqipërinë, ku bën thirrje për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa kërkon dënimin e zyrtarëve të përfshirë në korrupsion. Rezoluta për Shqipërinë thotë se, nëse vendi ynë dëshiron të nisë negociatat për në Bashkimin Europian, duhet të intensifikojë përpjekjet për reforma në fushat kyçe, si drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe në administratën publike dhe të drejtat themelore. “Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian mbetet i shqetësuar për zgjerimin e korrupsionit në arsim, shëndetësi, drejtësi dhe disa fusha të tjera. Shqetësim përbën edhe përhapja e vetëcensurës mes gazetarëve, të cilët ka raste që edhe pengohen fizikisht për ndjekjen e ngjarjeve specifike, sulmohen ose kërcënohen për shkak të punës së tyre”, lexohet në faqen zyrtare të Parlamentit Europian. Procesi i dekriminalizimit, abuzimet me koncesionet dhe korrupsioni kanë qenë shqetësimet e ngritura nga Parlamenti Europian në lidhje me situatën në Shqipëri, ndërsa bëhet thirrje për miratimin e Reformës në Drejtësi në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit të Venecias. PE kërkon zbatimin tërësor në frymë dhe në germë i ligjit të dekriminalizimit, ndërsa shprehet shqetësimi për infiltrimin e krimit në makinerinë politike, nivelin e lartë të korrupsionit në drejtësi, shëndetësi, arsim, prokurimet publike dhe qeverisjes lokale, trafikun e drogës, kultivimin e bimëve narkotike dhe mungesën e kontrollit në nivelin e duhur të trafikut të armëve. PE kërkon nga Komisioni i BE që të monitorojë me kujdes progresin e bërë në këtë reformë nga Shqipëria. Gjithashtu në këtë raport, theksohet se një rol të rëndësishëm në hapjen e negociatave do të luajë progresi, i cili do të regjistrohet në 5 prioritetet kyçe. Komisionit i kërkohet të krijojë një strukturë monitorimi për të parë në praktikë ecurinë në realizimin e reformave dhe në mënyrë të veçantë kërkohet që theksi të vendoset tek ndëshkueshmëria dhe dekriminalizimi. Në rast vonese të konsensusit kjo vendimmarrje do të realizohet pas zgjedhjeve parlamentare. PE i bën thirrje të gjitha partive politike për të bërë përpjekje të mëtejshme për t’u angazhuar në një dialog politik më konstruktiv dhe të vërtetë që do të lejojë miratimin dhe zbatimin e reformave kyçe; fuqimisht beson se, bashkëpunimi i qëndrueshëm në mes të qeverisë dhe opozitës në Parlament është thelbësor për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, si dhe për plotësimin e kritereve të pranimit; fuqimisht thekson rëndësinë e mbajtjes së angazhimit të tyre për ndërtimin e një kulture politike demokratike që përfshin hapjen ndaj dialogut, negociatave dhe kompromisit dhe përjashtimin e plotë të bojkotit dhe radikalizmit; mirëpret themelimin dhe punën e Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian. Rezoluta citon se, media duhet të jetë profesionale, e pavarur dhe në shërbim të qytetarëve, ndërsa bën thirrje se nuk duhet ushtruar presion politik dhe pengimi fizik për të mbuluar ngjarje specifike. Duhet më shumë transparencë lidhur me reklamat qeveritare në media. Nga ana tjetër, qeveria këshillohet të ndalojë ndërtimin e hidrocentraleve në zonat e mbrojtura mjedisore dhe të ruajë integritetin e parqeve kombëtare. PE kërkon përmirësimin e cilësisë së vlerësimeve të ndikimit në mjedis për të arritur në standardet e Bashkimit Europian. Gjithashtu PE citon se duhet rritur transparenca dhe pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje përmes konsultimeve publike për projektet. “Duhen marrë masa për të përforcuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut, veçanërisht të pakicave si romët apo egjiptianëve që jetojnë ende në kushte të vështira e përballen me diskriminim e përjashtim social. Duhen ngritur mekanizmat e duhura shtetërore për trajtimin e pabarazisë gjinore, diskriminimit gjinor dhe dhunës ndaj grave e fëmijëve”, thuhet në pikat e Rezolutës së PE ndër të tjera.

Korrupsioni i kudogjendur

1.    Korrupsioni i kudogjendur është shqetësues, veçanërisht në shëndetësi, drejtësi, prokurim publik, koncesione e partneritete publike private, planifikim urban, arsim dhe qeverisje lokale.
2.    Duhen ndëshkuar zyrtarët e lartë të denoncuar për korrupsion.
3.    Duhet siguruar dhe zbatuar e drejta e pronës. Problematike është situata me kthimin dhe kompensimin e pronave të marra gjatë regjimit komunist.
4.    Reforma në Drejtësi është një nga pikat kyçe për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ajo duhet të sigurojë pavarësinë e plotë dhe paanshmërinë e gjykatave, në veçanti të Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
5.    Reforma duhet të rregullojë problemet aktuale të drejtësisë: ndërhyrjet politike, korrupsioni i lartë, mungesa e kritereve të qarta profesionale për emërimin dhe promovimin e gjyqtarëve e prokurorëve, zgjatjen dhe zvarritjen e proceseve gjyqësore.
6.    Duhet zbatuar sa më shpejt ligji i dekriminalizimit.
7.    Duhen marrë masa për zgjedhje sa më të lira e demokratike në të ardhmen, pasi politizimi i procesit, mungesa e transparencës financiare të partive, keqpërdorimi i burimeve shtetërore dhe blerja e votës janë ende të pranishme.
8.    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të mbikëqyrë më mirë financat e partive dhe të bëjë kontrolle më të detajuara të deklaratave financiare të partive e të mos ndalet thjesht tek një kontroll formal.
9.    Media duhet të jetë profesionale, e pavarur dhe në shërbim të qytetarëve. Nuk duhet ushtruar presion politik dhe pengimi fizik për të mbuluar ngjarje specifike. Duhet më shumë transparencë lidhur me reklamat qeveritare në media.
10.    Qeveria këshillohet të ndalojë ndërtimin e hidrocentraleve në zonat e mbrojtura mjedisore dhe të ruajë integritetin e parqeve kombëtare. Duhet përmirësuar cilësia e vlerësimeve të ndikimit në mjedis për të arritur në standardet e Bashkimit Europian. Duhet rritur transparenca dhe pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje përmes konsultimeve publike për projektet.
11.    Duhen marrë masa për të përforcuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut, veçanërisht të pakicave si romët apo egjiptianëve që jetojnë ende në kushte të vështira e përballen me diskriminim e përjashtim social.
12.    Duhen ngritur mekanizmat e duhura shtetërore për trajtimin e pabarazisë gjinore, diskriminimit gjinor dhe dhunës ndaj grave e fëmijëve.

Arben Shahini

PD kërkon ngritjen e menjëhershme të Byrosë

Partia Demokratike bën thirrje për nisjen pa humbur kohë të funksionimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Pas mbledhjes së Komisionit për Reformën në Drejtësi, përmes një deklarate për mediat, deputeti demokrat Eduard Halimi bëri të ditur se përfundoi faza e parë e diskutimeve mbi të dhjetë çështjet e dialogut politik dhe në këto dhjetë çështje përfshihen dy komponentët kryesorë të paketës së ndryshimeve kushtetuese. Ai tha se, një komponent është ai i luftës antikorrupsion në sistemin e drejtësisë, largimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar dhe luftën ndaj korrupsionit të zyrtarëve të nivelit të lartë dhe komponenti tjetër që ka të bëjë me arkitekturën e sistemit, që lidhet me ngritjen e  institucioneve të përhershme që do t’i shërbejnë Shqipërisë dhe Kushtetutës në vitet e mëvonshme, por ky komponent ka disa ndasi, pra mosdakortësi. Lidhur me komponentin e parë, tha deputeti demokrat, që ka të bëjë me luftën ndaj korrupsionit dhe për të cilën besoj se, edhe qytetarët kanë interes imediat dhe duhet të ketë efekte të menjëhershme, tri elementët e këtij komponenti ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit sipas modelit të propozuar nga Komisioni i Vencias, pra, ngritja e Prokurorisë Speciale në luftën ndaj korrupsionit në nivelet e larta dhe luftës ndaj korrupsionit në sistemin, gjyqësor dhe komponenti tjetër që është shumë i rëndësishëm që është Vetingu, kontrolli i gjyqtarëve, i pasurive dhe i njohurive të gjyqtarëve, performancës së tyre, sipas Venecias, ka një dakortësi pothuajse të plotë mes palëve. Iu ngarkua si detyrë ekspertëve të huaj që në bashkëpunim dhe me ekspertët e palëve politike përkatësisht të mazhorancës dhe opozitës, të hartojnë dhe të implementojnë sa më shpejt të gjithë rekomandimet e opinionit final në mënyrë që, këto tri elementë, komponenti antikorrupsion, ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, ngritja e Prokurorisë Speciale dhe Vetingu, të ecin dhe të procedohet sa më shpejt, madje të veprohet sa më shpejt që ta miratojmë si një paketë në mënyrë vertikale. Halimi bëri të ditur se ka një dakortësi pothuajse dhe për këtë çështje, pra që ligje të posaçme të merren dhe të hartohen bashkë në javët në vijim, duke marrë dhe mendimet e ekspertëve.
“Ky komponent pra, ai i antikorrupsiontit është shumë i rëndësishëm dhe për këtë ka dakortësi. Lidhur me komponentin e dytë ka jodakortësi mes palëve dhe sigurisht që diskutimet do të vazhdojnë edhe në vijim. Kjo ka të bëjë me pjesën e institucioneve të reja që do të ngrihen, pra me institucionet e përhershme që kanë të bëjnë jo me çështjet kundër korrupsionit në sistemin gjyqësor dhe në Prokurori, por kanë të bëjnë me pjesën e emërimit, promovimit dhe disiplinimit të gjyqtarëve. Këtij  komponenti i mungojnë kriteret e check and balance ndërmjet pushtetit gjyqësor dhe pushteteve të tjera, pasi mungojnë edhe pjesët e llogaridhënies së pushtetit gjyqësor, ka problem dhe me kapjen politike, të cilat ne i kemi diskutuar dhe më parë dhe Komisioni i Venecias ka dhënë rekomandime që duhet të implementohen. Ka problem dhe me korporatizimin. Të trija  këto çështje të këtij komponenti u diskutuan gjerë e gjatë edhe sot. Ka mosdakortësi mes palëve, ka dhe çështje që secila palë iu adresua ekspertëve, të cilët do të përpunojnë dhe besoj se kjo çështje do të jetë pjese e një zhvillimi të mëvonshëm, pra çështja e miratimit të këtij komponenti”, bëri të ditur deputeti demokrat.

Padakordësitë për Reformën në Drejtësi

Halimi deklaroi se ka dakortësi për të gjithë komponentin që ka të bëjë me pjesën e antikorrupsionit. “Nuk janë dy, por janë rreth 4-ose 5 çështje. Ndërsa çështjet që kanë të bëjnë me ndërtimin, ngritjen e institucioneve ka padokortësi mënyra si është menduar deri tani. Por ka dakortësi sesi do të zgjidhet në të ardhmen. Pra mendoj të zgjidhen duke i kërkuar vetë ekspertëve modele, modele sesi mundet ne, të eliminojmë probleme që ka sot sistemi i drejtësisë sot me korporatizmin. Të ndërtojmë një sistem të qëndrueshëm për të ardhmen, që të ketë komponentët e luftës ndaj korporatizmit, të ketë një sistem llogaridhënës, por që do të japë efekt në kohë të mëvonshme. Pjesa e komponentit antikorrupsion është shumë e rëndësishme, sepse ka efekte të menjëhershme”, tha ai. Halimi theksoi se, Vetingu i gjyqtarëve duke përfshirë të gjithë komponentët që jep Komisioni i Venecias ka efekte të menjëhershme, sepse që nesër sapo të fillojë komisioni, procesi i Vetingut, qytetarët do të kenë mundësi të shohin kush janë gjyqtarët e korruptuar, e paaftë, gjyqtarët e kapur, të cilët duhet të largohen nga sistemi. “Ashtu sikurse elementi tjetër, ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit në mënyrë të shpejtë dhe efikase, do të bëjë që hetimi penal të ketë një revolucion të menjëhershëm në dënimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar dhe të zyrtarëve të lartë. Ndërsa komponenti tjetër nuk i ka efektet e menjëhershme sot, ngritja e këtyre institucioneve do ta japë efektin në vijim. Pra në këto çështje ka një ndasi, sepse nuk janë komponentë të përkohshëm, por janë të përhershëm dhe për këtë dakortësia duhet të jetë më e plotë dhe më e qëndrueshme, dhe të shërbejë për një kohë të gjatë, pasi këto institucione do të shërbejnë për një kohë të gjatë. Komisioni i Vetingut përshembull do të shërbejë vetëm për një periudhë trevjeçare ndërsa institucionet e tjera do të jenë të përhershme. Ajo që ka interes më shumë për qytetarët mendoj se është komponenti i hetimit penal i gjyqtarëve,  prokurorëve, zyrtarëve të lartë, pra ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, dhe procesi i Vetingut që ka efekt të menjëhershëm”, u shpreh deputeti demokrat.

Arben Shahini

KiE: Verifikoni konfliktet e interesit dhe pasuritë e deputetëve

Njësia e antikorrupsionit në Këshillin e Europës GRECO ka publikuar raportin e radhës për parandalimin e korrupsionit në radhët e deputetëve dhe gjyqtarëve. Në dokument nënvizohet se, vetëm një nga 10 rekomandimet e raportit të mëparshëm është plotësuar në mënyrë të kënaqshme, ndërsa 9 të tjerët janë plotësuar vetëm pjesërisht. GRECO vëren se sa u përket deputetëve janë ndërmarrë disa hapa pozitive, por kërkon miratimin sa më shpejt të Kodit të Sjelljes për ligjvënësit dhe përmirësimin e kontakteve të tyre me palët e treta që kërkojnë të kenë ndikim në procesin legjislativ. Raporti nënvizon se verifikimi i konfliktit të interesit për deputetët duhet të shndërrohet në një praktikë të rregullt ashtu, si edhe verifikimi i deklaratave të pasurive të tyre. Sa u përket gjyqtarëve dhe prokurorëve, raporti vëren se Shqipëria ka ndërmarrë një reformë në sistemin kushtetues dhe të drejtësisë që nëse miratohet do të përmirësojë sistemin. Sipas GRECO-s reforma do të sjellë efekte pozitive edhe në vlerësimin periodik të performancës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. GRECO nënvizon se Shqipëria duhet të përmbushë të gjitha rekomandimet brenda 18 muajve të ardhshëm. Gjithashtu, Këshilli i Europës kërkon shtimin e kontrolleve për asetet e deklaruara në deklaratat e pasurisë. Raporti vëren se përsa u përket gjyqtarëve dhe prokurorëve, Shqipëria ka ndërmarrë disa reforma ku ka progres të dukshëm, por mbetet larg adresimit të shqetësimeve të evidentuara nga GRECO. “Jemi të zhgënjyer nga mospasja e një sistemi adekuat të vlerësimit të performancës, përfshirë integritetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Mungojnë rregullat e etikës, në mënyrë të veçantë për gjyqtarët”, thuhet në raport.

SHBA-BE: Të finalizohet sa më shpejt reforma

Në Shqipëri, Komisioni i Posaçëm parlamentar për Reformën në Drejtësi u mblodh dje pas më shumë se dy javë ndërprerjeje. Në Komision morën pjesë edhe përfaqësuesit e opozitës. Në një deklaratë të përbashkët, Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe ambasada e Shteteve të Bashkuara u shprehën se “mirëpresin rifillimin e dialogut në Komisionin parlamentar për Reformën në Drejtësi”, duke kërkuar që procesi të ecë drejt përfundimit me sukses pa vonesa apo pengesa. Të gjitha partitë politike kanë një rol në këtë proces dhe kanë përgjegjësinë madhore për të arritur një marrëveshje”, nënvizon deklarata.
Dy ditë më parë kryetari i këtij komisioni Fatmir Xhafaj, ndërsa njoftonte thirrjen e mbledhjes theksoi se, “ne sot kemi arritur në një moment shumë delikat. Reforma është në hapat e saj të fundit dhe kërkon padyshim një përgjigje në përputhje me interesat e vendit dhe të qytetarëve shqiptarë. Kjo është arsyeja që nuk ka nevojë për shumë negociata, por ka nevojë për më shumë vendimmarrje”. Komisioni i Posaçëm parlamentar, nisi dy javë më parë diskutimet me dyer të mbyllura rreth 10 çështjeve që opozita ka ngritur mbi projektndryshimet kushtetuese, pas publikimit dhe të opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias. Në mbledhjen e parë palët arritën të gjenin gjuhën e përbashkët për katër çështje.
Puna e komisionit u ndërpre më pas, si pasojë e tensioneve në Parlament dhe votës kundër të shumicës ndaj kërkesës së opozitës për t’ju drejtuar Gjykatës Kushtetuese për vlefshmërinë e mandateve të dy deputetëve socialistë, Valentina Leskaj dhe Rakip Suli. Sipas opozitës, ata janë në konflikt interesi, duke qenë se fëmijët e tyre kanë përfituar tendera publikë dhe se për raste të tilla Gjykata është shprehur qartë. Refuzimin e shumicës, e djathta e konsideroi një “atentat kushtetues”, duke argumentuar se “nuk ka kuptim të diskutohen ndryshimet kushtetuese, kur shumica nuk zbaton vendimet e Gjykatës Kushtetuese”. Javën e shkuar të dy deputetët, iu drejtuan Parlamentit që pavarësisht vendimit të marrë, të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese vlerësim nëse janë apo jo në kushtet e konfliktit të interesit.
Dy ditë më parë, Parlamenti votoi në favor të dërgimit të rastit të tyre për shqyrtim nga Kushtetuesja. Vendimi i hapi kështu rrugë rikthimit të përfaqësuesve të opozitës në Komision, i cili po zhvillon punimet me dyer të mbyllura, në prani të ekspertëve të misionit amerikan të asistencës për institucionet e drejtësisë shqiptare, OPDAT dhe atij europian EURALIUS.
Pak ditë më parë, një sondazh i kryer nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi (IDRA) në periudhën janar-shkurt të këtij viti, me 1000 intervista të drejtpërdrejta me grupe të ndryshme, tregoi se 91 për qind e të intervistuarve ose e mbështesin “plotësisht” (67 për qind) ose “deri diku” (27 për qind) nevojën për një reformë të tillë. Sipas sondazhit, të intervistuarit besojnë se, komuniteti ndërkombëtar është më shumë i interesuar për reformën krahasuar me secilin prej aktorëve vendas (më shumë se 3 në 4 qytetarë besojnë se BE-ja dhe ambasada amerikane janë “shumë të interesuar” për reformën, ndërkohë që maksimumi vetëm 1 në 2 qytetarë besojnë se ndonjë nga aktorët vendas, qoftë qeveria apo partitë politike, janë “shumë të interesuar” për këtë reformë). Referuar këtyre rezultateve në deklaratën e tyre të përbashkët, Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe ambasada e Shteteve të Bashkuara i bëjnë “thirrje të gjitha partive politike që të dëgjojnë 91% të shqiptarëve që e mbështesin këtë reformë të rëndësishme”.

Rama, 410 milionë të tjera në xhepat e Vilmës

410 milionë lekë është tenderi i radhës që Beqja i ka dhuruar ortakes dhe mikeshës së Edi Ramës. Partia Demokratike denoncoi dje një tjetër tender të majmë që kompania farmaceutike e Vilma Nushit ka fituar për një shërbim tre mujor, duke futur në xhep plot 410 milionë lekë. Përmes një deklarate për shtyp, zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa publikoi dje, dokumentat që faktojnë se si Rama-Beqja-Nushi vijojnë të zhvasin paratë publike.
“Për 3 muaj, nga janari e deri në fund të marsit, Vilma e Edi Ramës ka marrë 410 milionë lekë nga qeveria për të siguruar ilaçet në spitale.
Vilma, mikja dhe donatorja e Edi Ramës, paratë i merr menjëherë, me negociim pa shpallje, pa garë. Në 59 raste, me 59 kontrata. Nga QSUT e në çdo spital të Shqipërisë.
Ja ku janë dokumentat që tregojnë se si TRIMED e Vilma Nushit e ka emrin në çdo rast, në çdo blerje.
Problemi është se ilaçe nuk ka. Shëndetësia është rrënuar në çdo drejtim, ka mungesa të çdo lloji, por shqetësimi më i madh i qytetarëve, i pacientëve dhe familjarëve të tyre është se në spitale nuk ka ilaçe. Dhe ilaçet ata i blejnë vetë”, u shpreh Zhupa.
“Nga ana tjetër, ku shkojnë paratë që mikja, që donatorja e Edi Ramës i merr për të siguruar medikamentet, por medikamente nuk ka? Ky sigurisht nuk është shqetësimi i qeverisë, i Edi Ramës dhe Ilir Beqës.
Ata kanë tjetër prioritet.
Prioriteti i tyre është për të siguruar paratë për Vilmën. Në çdo drejtim. I dhanë 120 milionë euro me check-up-in, dhe ushtrojnë presion ndaj mjekëve që kontrolli të bëhet, letrat të mbushen, që Vilma të marrë paratë. Cilësia e analizave është skandaloze e provuar tashmë publikisht. Përfituesit janë Rama-Beqja-Vilma me qindra milionë eurot që kanë ndarë, qytetarët nuk përfitojnë asgjë.
410 milionë lekë merr sërish Vilma për ilaçet në vetëm tre muaj. Përfitues sërish Rama-Beqja-Vilma, se ilaçe nuk ka, qytetarët nuk përfitojnë asgjë.
Kjo është shëndetësia falas e Edi Ramës. Qytetarët pa ilaçe e pa shërbim, Rama-Beqja-Vilma, ndajnë miliona euro.
Ky është korrupsioni që po e provojnë në lëkurë çdo ditë shqiptarët, që përmendet tashmë në çdo raport ndërkombëtar, nga Berlini në Uashington”, tha ndër të tjera zëdhënësja e PD.
Prej dy vitesh, Ilir Beqja shpall fituese kompaninë TRIMED. Nëse shfletoni këto faqe tenderash, ju do shihni këtë emër. TRIMED, TRIMED fituese. TRIMED, firma e shoqes Nushi, ka fituar pafundësisht tendera, në ministri, në spitale, në Tiranë në rrethe. Shuma e përfituar është mbi 2 milionë e 100 mijë euro. Një pjesë e mirë, e këtyre milionave është marrë pa tender.
Paratë janë marrë me negocim. Donatorja e Partisë Socialiste, mikja e Edi Ramës ka grabitur fonde që mund të shpëtonin jetë njerëzish. Edhe pse kjo zonjë ka dorë kudo, në dogana, në mobilime zyrash, edhe pse mori koncesionin e chek-up prej 120 milionësh, mikes së kryeministrit i duheshin dhënë edhe ca miliona të tjera me ilaçet.

Zhvatjet e parave publike nga Rama-Nushi-Beqja

Mikesha e Kryeministrit Edi Rama përmes kompanisë së saj “Marketing&Distribution” rezulton të jetë në krye të listës së fituesve të tenderave të çdo ministrie dhe institucioni tjetër publik, duke zhvatur nga paratë e buxhetit të shtetit qindra miliona para. Krahas denoncimeve të bëra këtë vit, mbi tenderin 120 milionë euro të check up, koncesionin e sporteleve të Hipotekës, kompania e saj ka fituar jo pak, por shuma marramendëse për shërbime kancelarie ndaj institucioneve publike. Janë plot 527 milionë lekë tendera për vitin 2014 që kompania e saj ka marrë për shërbimet e saj të kancelarisë, ndërsa këtë vit, “Marketing&Distribution” ka marrë rreth 110 milionë lekë tendera po për këtë shërbim nga disa institucione publike, ndërsa llokmën e madhe e ka marrë përmes një tenderi nga OSHEE, ku ka përfituar rreth 700 milionë lekë. Pra, nëse mbledh shumat e këtyre shifrave të nxjerra nga Open Data, rezulton se për këto dy vjet, Vilma Nushi ka përfituar mbi 1.3 miliardë lekë vetëm për shërbime kancelarie. Janë tendera të panumërta që përfshijnë një sërë institucionesh, duke nisur nga Këshilli i Ministrave, pa përjashtim të gjitha ministritë, Drejtoria e Policisë së Shtetit, INSTAT, laboratori i barnave, QSUT, reparti ushtarak, Garda e Republikës, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Bashkia Elbasan etj. Thuajse të gjitha ministritë kanë lidhur nga një kontratë shërbimi me kompaninë e mikeshës së Kryeministrit, ndërkohë që pas nuk mbeten as institucionet e tjera. Në shkurt të këtij viti, Nushi fitoi tenderin e Ministrisë së Shëndetësisë për ekzaminimet check up. Bëhet fjalë për fushatën e nisur në muajin shkurt të këtij viti prej Ministrisë së Shëndetësisë për check up-in (kontroll mjekësor), për të cilin ministria kishte shpallur një tender të posaçëm ku ftonte kompanitë e specializuara në fushën e shërbimeve shëndetësore që të bëheshin pjesë e tenderit për të paraqitur ofertat e tyre. Chek up-i do të kushtojë rreth 120 milionë euro për 10 vjet. Kompania fituese rezulton të jetë e Vilma Nushit, e njohur si sponsore e Partisë Socialiste. Sipas buletinit të Agjencisë së Prokurimit Publik rezulton se fituese është kompania “Marketing&Distribution” që jo vetëm nuk ka lidhje me fushën e shëndetësisë, por që ka paraqitur edhe ofertën më të lartë ndaj këtij shërbimi. Ndërkohë që ministria ka skualifikuar kompani të tjera të specializuara në fushën e shëndetësisë dhe që kanë paraqitur një vlerë shumë herë më të vogël se sa ajo e kompanisë fituese, me një diferencë prej 120 milionë lekësh. Së fundmi është publikuar fituesi i tenderit për pajisje kancelarie për OSHEE, me titull “Kancelari dhe të ndryshme”, e cila ka pasur një fond limit prej 69,766,227.4 lekësh. Mësohet se këtë tender e ka fituar shoqëria “Marketing&Distribution” e Vilma Nushit, e cila paraqiti një ofertë gati 500 mijë euro. Kjo është po e njëjta kompani, e cila pak muaj më parë fitoi edhe tenderin e check up-it në Ministrinë e Shëndetësisë. Kujtojmë që tenderi i check up-it pati shumë kontestime nga opozita dhe nga opinioni publik, duke hedhur akuza të forta ndaj Ministrisë së Shëndetësisë për afera klienteliste. Gjithashtu, një tjetër arsye e fortë kontestimi ishte se shoqëria “Marketing&Distribution” nuk kishte asnjë eksperiencë në fushën e shëndetësisë, pasi në thelb kompania e kontrolluar nga Vilma Nushi merret me shpërndarjen e cigareve dhe alkoolit. Të rikthehemi tek tenderi i OSHEE. Përsëri është oligarkja Vilma Nushi, e cila ka fituar tenderin, duke thelluar më tej dyshimet për afera klienteliste. Në këtë tender, Vilma Nushi dhe kompania “Marketing&Distribution” paraqiti ofertën më të lartë nga konkurrentët e tjerë, në një kohë kur ofertat e tjera ishin më të ulëta dhe mund t’i kursenin qeverisë afërsisht 200 mijë euro.

Arben Shahini

Peshkimi në prag falimenti kërkon shpëtim tek Basha

Ndonëse 300 familje jetojnë vetëm me peshkimin në Sarandë, ky sektor është drejt falimentimit. Mungesa e kushteve, taksat e larta, mungesa e kantierit për riparimin e varkave kanë qenë disa nga shqetësimet e shprehura nga peshkatarët në takimin me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Peshkatar: Sot jo nuk kemi port peshkimi, por të rrimë që të na zejë errësira andej ndriçon dhe është ditë duket edhe maja e gjilpërës, këtej i hoqën për inat të Zotit. Edhe çezmën e shkatërruan. Këtu mbi çdo lloj ligji tjetër ka dalë Policia Kufitare. Del një polic atje dhe të thotë që kam urdhër nga shefi s’do të dalësh në punë.
Peshkatar: Varkat rregullohen të gjitha në Greqi, këtu është primitive.
Peshkatar: Një pasaportë lundrimi që rinovohet një herë në vit, ne nuk e rinovojmë dot siç e ka ligji, por shkojmë në Durrës. Regjistri detar është trefishuar çmimi, nga 500 mijë lekë të vjetra ka shkruar 2 milionë e 170 mijë lekë për anije.
Basha: Për vit?
Peshkatar: Pa vënë këtu, jashtë…
Basha: Çdo vit apo një herë vetëm?
Peshkatar: Çdo vit, po kështu taksat vendore nga biznesi i vogël nga 26 mijë lekë, 260 mijë lekë të vjetra kanë shkuar diku tek 500 mijë lekëshi dhe biznesi i madh jo më pak se 1 milion lekë. Plus kësaj për çdo leje transporti që do të marrim të mjeteve duam 52 mijë lekë të vjetra taksë parkimi, të cilën ne i paguajmë kur bëjmë kolaudimin e mjeteve.
Peshkatar: Unë në muaj paguaj 600 mijë lekë se mjet i vogël, pak karburant marr.
Basha: 20% për karburantin e ke?
Peshkatari: Po, po për karburantin. Ku shkon gjithë ky lek? Të paktën të rregullohet, të pastrohet, të hiqet ai vinçi që u rrëzua, të bëhet një diçka e mirë. Shkojmë në kantier një herë në vit dhe ato lekë që kemi grumbulluar i ha kantieri, shkojmë në Korfuz.
Basha: Në Korfuz i bëni. Sa të merr riparimi?
Peshkatari: Sipas mjetit, sipas punës që do të hapësh.
Basha: Sa të shkoi herën e fundit?
Peshkatari: Herën e fundit shkoi 4 mijë euro.
Basha: 4 mijë euro?
Peshkatari: E kam mbyllur në QKR para tre vjetësh biznesin. Këtu sektori i peshkimit është i dështuar. Sa e kanë marrë këta pushtetin është i dështuar, po vemi poshtë e më poshtë. Anija është gati të mbytet dhe këta më sjellin çdo ditë, ditë për ditë në shtëpi fletë për të paguar tatimet. Unë kam tre vjet që ajo anije është e mbaruar, nuk del më.
Basha: Nuk del më?
Peshkatar: Si mund të dalë? Vemi për të kërkuar kredi, kreditë janë me interes të lartë. Jemi të mbaruar.
Zoti Basha ka shpalosur platformën e Partisë Demokratike. Buxheti i shtetit, tha zoti Basha, do të financojë industrinë e peshkimit, që nga infrastruktura, kalatat, kantieret e riparimit dhe do të subvencionojë peshkatarët.
Basha: “Shteti duhet të garantojë mënyra më të mira të financimit për flotën. Së dyti, të ndërtojë kapacitetet e kantiereve, se u shuajtën kantieret. Pse do të shkosh ta bësh me 4 mijë euro, 5 mijë euro në Korfuz? Kur duhet ta bësh këtu dhe shteti për këtë të të financojë. Siç financojnë për digën, siç financojnë për vaditjen apo duhet të financojnë. Po kështu duhet të financojnë për infrastrukturën e peshkut, për kalatat, për kantieret e riparimit.
Shikoje zotërinë është zgjuar në 4 të mëngjesit, ditë për ditë bashkë me djalin e vet. Po nuk subvencionuam këta njerëz të punës, kë do të subvencionojmë?
Për regjistrin detar e para e punës nuk do të paguhet më e nuk do të shkohet më në Durrës, këtë ta marrë përsipër shteti me vetëdeklarim nga ana e peshkatarit”.
Kryetari i Partisë Demokratike u takua më pas me të rinj të Sarandës. Tarifat e larta të arsimit, papunësia, mungesa e investimeve për turizmin si industria që mban sarandjotët, ishin disa nga shqetësimet e shprehura në këtë takim. Një nga të rinjtë i shprehu shqetësimin për sektorin e shëndetësisë, mungesën e ilaçeve, ilaçet e skaduara që nuk kanë asnjë efekt tek të sëmurët dhe për rezultatet e check up-it. Sipas tyre, analizat janë falso dhe rezultatet shpeshherë qesharake, nuk tregojnë gjendjen reale të atyre që e bëjnë. Basha ka theksuar se Edi Rama dhe Ilir Beqaj nuk e kanë mendjen te dhënia e shërbimit shëndetësor për qytetarët, por si të vjedhin me shëndetësinë.
Basha: 1.8 euro shitet bashkë me fitimin e tregtarët dhe me TVSH-në. E blenë Vilma 1.8 dhe e shet 20, me 18.2 euro për set, fitimi. Se sa blen dhe se sa konsumon këtë nuk e dimë. Po e dimë që mjekë dhe infermierë detyrohen të mbushin formularë falso dhe prandaj dalin edhe ato probleme që përmendi zonja, bëhen qesharakë, por në fakt janë tragjike. Në një vit bëhen gjithsej jo më shumë se 800 mijë analiza të kësaj natyre. Pra, kostoja totale e tyre duhej të ishte jo më shumë se 1.8 milionë euro. Merr 1 milion euro në muaj.

Bankat pësojnë ulje të fitimeve dy muajt e fundit

Fitimi i sistemit bankar ka shënuar një rënie të ndjeshme në dy muajt e parë të këtij viti. Sipas statistikave të Shoqatës së Bankave, për periudhën janar-shkurt 2016, ai ka zbritur në 2.2 miliardë lekë , nga 5.4 miliardë lekë që ishte për të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rënie prej rreth 60%. Gjatë vitit 2015, statistikat e Shoqatës së Bankave dhe ato të Bankës së Shqipërisë treguan një panoramë të kundër të fitimeve të sistemit bankar. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan një rritje të ndjeshme të fitimeve të sistemit bankar në vitin 2015, me 40% në 15.7 miliardë lekë. Banka e Shqipërisë i raporton të dhënat sipas standardeve lokale GAAP. Ndërsa të dhënat e Shoqatës së Bankave, të raportuara sipas standardeve ndërkombëtare IFRS, tregojnë një rënie të ndjeshme të fitimeve, nga 12.2 miliardë lekë në 2014-n, në 4.9 miliardë lekë në 2015-n (ky i fundit është dhe standardi sipas të cilit bankat raportojnë dhe te tatimet, e paguajnë taksat). Diferencat shpjegohen me mënyrën si bëhen provigjionimet e kredive me probleme sipas secilit standard. Për bankierët, sfida më e madhe mbetet se si do të veprojnë ata në mjedisin me interesa të ulëta. Në 9 muajt e parë të vitit të kaluar, pjesa më e madhe e fondeve të lira të bankave u investuan në institucione të tjera financiare jashtë vendit, ndërsa kredia për ekonominië (ku bankat mund të fitojnë më shumë), mbeti e vakët për shkak të riskut të lartë. Por, me vendosjen e parave jashtë që filloi të jepte interesa negative, në tremujorin e fundit 2015, bankat i depozituan paratë në Bankën Qendrore. Pas vërshimit të parave të lira në tremujorin e katërt tek Banka Qendrore, kjo e fundit vendosi të mbyllë edhe këtë rubinet të të ardhurave, duke e bërë normën negative të euros në -0.55%, si një mjet “presioni” që bankat të përqendrohen në kreditimin e ekonomisë. Në kahun tjetër, edhe kërkesa e qeverisë për bono (një tjetër mjet investimi i parave të lira të bankave) është e ulët, pas emetimit të eurobondit të ri në nëntor 2015. Të gjendur përballë kësaj situate dhe sinjaleve për një vazhdim të politikës lehtësuese monetare, bankierët kanë pohuar për “Monitor” se kjo nuk do t’i nxisë të japin kredi, për sa kohë që mjedisi mbështetës nuk do jetë pozitiv. “Kombinimi i rritjes së ulët ekonomike së bashku me normat shumë të ulëta të interesit mund të jetë një dhembje koke për sistemin shqiptar financiar dhe ekonominë, duke qenë se normat e ulëta të interesit nuk garantojnë domosdoshmërisht më shumë kreditim për ekonominë, siç po dëshmohet sot në Bashkimin Monetar Europian”, thotë z. Seyhan Pencapligil, drejtor i përgjithshëm i Bankës Kombëtare Tregtare (BKT). “Për sistemin bankar, ka një problem me uljen e normave të interesit, në këndvështrimin që ky është një kërcënim që biznesi të jetë i qëndrueshëm. Në rast se rënia e ndjeshme e të ardhurave nga reduktimi i normave të interesit nuk do të kompensohet nga një eficencë më e madhe për sa i përket menaxhimit të kostove dhe cilësisë së portofolit të huas, kjo mund të ketë ndikim negativ”, thotë Z.Silvio Pedrazzi, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Intesa Sanpaolo Bank. Po si do të reagojnë bankat. Disa janë alternativat e parashtruara. Së pari, ata do të vazhdojnë të dekurajojnë depozitat e reja, duke ofruar normë të ulët kthimi. Sidomos bankat e mëdha mund ta përballojnë një lëvizje të tillë. Së dyti, nuk është çudi, që në kërkim të normave të kthimit më të larta, bankat të tentojnë rritjen e normave të interesit të kredive (një zhvillim i tillë po ndodh aktualisht në Europë).