26.5 C
Tirana
E mërkurë, 20 Gusht, 2025

“Asnjë funksionar i PPSH-së nuk ka pasur njëkohësisht kaq shumë funksione”/ Analisti: Për të qartësuar meritokracinë e Berishës, shihni se si njerëzit besnik të tij mbajnë nga 9 funksione në PD

Në një reagim në profilin e tij në rrjetin social facebook, analisti i njohur Namir Lapardhaja shprehet se rasti i deputetes Albana Vokshi tregon më së miri konceptin që ka Berisha dhe njerëzit e tij për meritokracinë partiake.

Lapardhaja shprehet se Vokshi mban plot 9 funksione në PD dhe asnjë anëtar i Komitetit Qendror të PPSH nuk ka mbajtur kurrë kaq shumë funksione njëkohësisht.

Ky është mesazh për të gjithë rishtarët që i janë bashkuar Berishës së fundmi apo për ndonjë që ndihet xheloz pse nuk i është bashkuar, në mënyrë që ta kenë të qartë se çfarë i pret te vatha e PD që drejtohet nga një i shpallur Non Grata për korrupsion dhe minim demokracie, shprehet më tej ai.

Më poshtë postimi i plotë:

Për të qartësuar konceptin që ka Berisha për partinë, mjafton të shohësh centralizimin e tejskajshëm të pushtetit brenda PD te të besuarit e tij.

Rasti i deputetes A. Vokshi është më tipiku.

Ajo mban plot 9 funksione në partinë “e hapur” të Doktorit.

Zonja është njëkohësisht:

1. Deputete
2. Kryetare LDG
3. Kryetare Komisioni Hetimor
4. Nenkryetare Grupi
5. Zv.presidente PPE Women
6. Anetare e Asamblese se KiE
7. Kryetare e KOKOE
8. Anetare e Kom.Shendetesise
9. Anetare e Kryesise.

Asnjë funksionar i lartë i Komitetit Qendror të PPSH-së apo i Byrosë Politike në kohën e regjimit Hoxha, nuk ka pasur asnjëherë kaq shumë funksione njëkohësisht. Vetë Enver Hoxha nuk ka pasur kaq shumë pozicione partiake në të njëjtën kohë.

Të merremi vesh, ky nuk është sulm ndaj deputetes Vokshi, por është një tregues i konceptit që ka për hapjen dhe për prurjet e reja organizata politike PD që ka për drejtues një të sanksionuar “Non grata” nga SHBA-të për korrupsion dhe minim demokracie.

Njëkohësisht, ky është edhe një mesazh i qartë për zonjat e nderuara rishtare që i janë bashkuar vathës, qoftë më vonë apo më herët, të mos harrojnë se atje i mirëpret Albana me nja dy që ua kam harruar emrat (Më duket se njëra është nga Elbasani dhe ajo tjetra nga Vlora). 🙂 🙂

FOTO/ Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkon nga detyra Prokuroren e Tiranës, Ornela Rrumbullaku shpërthen në lot

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ka shkarkuar nga detyra Prokuroren e Tiranës, Ornela Rrumbullaku.

 

Siç shihet edhe nga fotot e siguruara nga LSA, Rrumbullaku ka shpërthyer në lot pasi KPK ka dhënë vendimin për shkarkimin e saj nga detyra.

Ornela Rrumbullaku (3)

Rrumbullaku u përball të hënën më 2 shtator me KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për bilancet negative në vlera të mëdha, të konstatuara në burimin e krijimit të aksioneve të bashkëshortit në disa shoqëri private.

Ajo i kundërshtoi gjetjet e KPK-së, duke pretenduar se bashkëshorti nuk i kishte investuar ato para, por ishte dakordësuar me bashkëortakët që të kontribuonte me konsulencë juridike.

Ornela Rrumbullaku (2)

Ornela Rrumbullaku përfundoi studimet e Magjistraturës në vitin 2006 dhe pas një periudhe stazhi në Prokurorinë e Tiranës, u emërua në Prokurorinë e Rrethit Kavajë.

Në vitin 2019, Rrumbullaku u komandua si këshilltare pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ajo ushtronte detyrën aktualisht në Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë.

Bilancet negative të bashkëshortit

Komisioni nuk ka gjetur probleme për blerjen e një automjeti në vitin 2007 për çmimin 500 mijë lekë, ku si burime krijimi janë deklaruar kursimet dhe një kredi konsumatore.

Për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 85 m2 në vitin 2011 në Tiranë kundrejt çmimit 77 mijë e 350 euro, janë deklaruar si burime të ardhurat e bashkëshortit A.M., në atë kohë në cilësinë e bashkëjetuesit, nga aktiviteti i tij privat dhe kredi në masën 46 mijë euro.

Relatorja Faskaj vërejti se bashkëjetuesi i subjektit e ka deklaruar për herë të parë këtë pasuri në vitin 2014. Nga analiza financiare për pagesën e këstit të parë në vitin 2011 më të ardhurat e bashkëjetuesit, ka rezultuar pamundësi financiare në shumën 618 mijë lekë.

Në vijim u relatuan gjetjet për pasuritë e bashkëshortit të prokurores Rrumbullaku. Komisionin nuk konstaton probleme për një ngastër toke në Bubullimë të Lushnjës, të përfituar nga familja e bashkëshortit të subjektit nga ligji për tokën, si dhe për një automjet të blerë në 2010-ën.

Bashkëshorti subjektit rezulton që të ketë regjistruar subjekt si person fizik në vitin 2010, që e ka çregjistruar në 2018-ën.

Në vitet në vijim rezulton të ketë investuar në disa shoqëri. Konkretisht, ka zotëruar aksione në një institut privat në vlerën 10 milionë lekë; në një shoqëri tjetër aksione me vlerë afro 49.9 milionë lekë; si dhe kuota në vlera të vogla në tre shoqëri të tjera. Ai ka deklaruar se nuk janë paguar vlerat e kapitalit që zotëron.

A.M., ka deklaruar sigurimin e të ardhurave nga subjekti i regjistruar si person fizik, si dhe nga shitja e aksioneve nga një shoqëri në vitin 2016, pasi ishte konstatuar se kishte fituar tendera publikë, shkruan Reporter.al.

Faskaj tha se duket se subjekti gjendet në kushtet e konfliktit të interesit për arsye se bashkëshorti ka qenë aksioner në një shoqëri që ka përfituar tendera publikë.

Të ardhura janë deklruar dhe nga honorare në cilësinë e anëtarit të bordeve apo komisioneve, si dhe ofrimi konsulencës.

Prokurorja Rrumbullaku pretendoi në seancë, se dhe ajo vetë ka rënë në dijeni të disa veprimeve juridike të bashkëshortit, vetëm një muaj më parë. Ajo tha se i vinte pak inat për situatën e konstatuar, pasi të dy janë jurist. Rrumbullaku pohoi se deklaratat e saj kanë qenë gjithmonë të thjeshta, ndërsa të bashkëshortit të komplikuara, për shkak dhe të veprimtarisë së tij.

Sipas subjektit, duket se në vitet 2013-2015, bashkëshortit i ka lindur ambicia për të qenë i sukseshëm. Ajo pohoi se bashkëshorti ka bërë konsulenca pafund të personave të sukesshëm dhe tha, “pse të mos bëhem dhe unë…?!”.

Rrumbullaku shpjegoi se në vitin 2009 ishte njohur me bashkëshortin dhe kishin filluar bashkëjetesën. Sipas subjektit, ai kishte propozuar të blinin një apartament që të mos paguanin qira. Ajo sqaroi se bashkëshorti kishte pasur të kursime e të ardhura në vitin 2011 dhe ajo kishte marrë kredinë, për të qenë e barabartë.

Për pamundësinë e konstatuar lidhur me pagesën e kryer për apartamentin me të ardhurat e bashkëshortit, subjekti tha se kishte gabim në përllogaritjen e analizës finaniciare, pasi nuk ishin konsideruar të ardhura nga dy institcione, vlera për të cilat tha se e mbulojnë pamundësinë e konstatuar në shumën 618 mijë lekë.

Ajo shtoi se bashkëshorti ka përfituar të ardhura në masën 1.3 milion lekë nga një shoqëri, në të cilën ka qenë kryetar dhe anëtar i këshillit mbikqyrës. Rrumbullaku tha se janë paguar detyrimet tatimore dhe shtoi se e njëjta situatë paraqitet dhe për të ardhurat nga një tjetër shoqëri për të cilën ka dhënë konsulencë ligjore dhe ka pasur dalje publike në gazetën e kësaj kompanie.

Sipas saj, bashkëshorti ka fituar të ardhura dhe si kryetar i Komisionit të Disiplinës në federatën Shqiptare të Futbollit, si dhe nga toka bujqësore.

Lidhur me shoqëritë, ku bashkëshorti rezulton se ka zotëruar kapital me vlera të mëdha, Rombullaku tha se ai nuk ka investuar shuma monetare. Sipas saj, bashkëshorti ka ofruar konsulencën ligjore për shoqëritë ku ishte ortak, ndërsa ortakët e tjerë kanë kryer derdhjet e vlerave monetare.

Rrumbullaku tha se bashkëshorti në vitin 2015 mendonte se do të miratohej ligji për lojërat e fatit dhe prandaj ishte bërë ortak në shoqëri të tilla. Ajo shtoi se ligji nuk u miratua dhe për rrjedhojë, ortakët e huaj tërhoqën vlerat monetare që kishin depozituar në llogaritë e shoqërive.

Subjekti kërkoi që të zerohen vlerat e konsideruara si të investuara në dy shoqëritë, pasi nuk kishte kryer derdhje.

Lidhur me konstatimin e konfliktit të interesit, Rrumbullaku tha se bashkëshorti në atë shoqëri kishte qenë vetëm aksioner dhe jo administrator, e për rrjedhojë nuk kishte pasur dijeni të hollësishme për kontratat. Sipas saj, bashkëshorti i kishte shpjeguar se kishte pasur pak informacion se kontratat ishin lidhur me kompaninë ÇEZ-DIA, që ishte private.

Rrumbullaku deklaroi se menjëherë pasi ILDKPKI kishte konstatuar në vitin 2016 gjendjen e konfliktit të interesit, bashkëshorti i kishte shitur aksionet. Subjekti nënvizoi se ajo nuk kishte pasur informacion dhe se bashkëshorti kishte pasur të dhëna sipërfaqësore dhe për rrjedhojë nuk ishin në kushtet e konfliktit të interesit.

Lidhur me një institut privat, Rrumbullaku tha se bashkëshorti kishte dëgjuar se do të miratohej një ligj për të mundësuar një gjë të tillë dhe prandaj e kishte krijuar këtë shoqëri.

Në vijim u konstatua se ai ka blerë një apartament me çmim me të ulët se ai i referencës dhe kontratat e tjera në të njëjtin objekt.

Rrumbullaku shpjegoi se kishte qenë shitësi që kishte ofruar një çmim të mirë pasi i nevojiteshin likujditete dhe kishte sygjeruar që të shisnin apartamentin që zotëronin. Sipas subjektit, ata ishin detyruar që në vijim të qëndronin me qira për rreth tre vjet e gjysmë, pasi ortakët e firmës ndërtuese kishin pasur konflikte dhe për rrjedhojë, kishin shpenzuar më shumë, duke mos pasur trajtim preferencial. “Ai çmimi na doli nga hundët se investitorët patën konflikte”, tha subjekti dhe vërejti se kishte depozituar edhe kontrata të tjera, ku rezultonte që kompania ndërtuese kishte ofruar çmime të ulëta.

Po ashtu, është evidentuar se bashkëshorti Rrumbullakut ka porositur dhe një tjetër apartament, pasuri për të cilën rezulton të ketë pasur shkëmbime vlerash monetare. Kontrata rezulton të jetë revokuar brenda vitit. Megjithëse shoqëria ndërtuese ka shpjeguar për Komisionin se nuk ka pasur asnjë pagesë nga ana e bashkëshortit të subjektit, por është rënë dakord për ofrimin e konsulencës juridike, Faskaj tha se nuk është arritur të provohet një gjë e tillë.

Subjekti tha se bashkëshorti e kishte porositur këtë apartament për të vëllanë që jetonte në Greqi, por pasi ku i fundit nuk kishte shfaqur më interes, e kishte revokuar kontratën. Ajo pranoi se ishte e vërtetë se në kontrata ishte shënuar se kishte pasur pagesa, por se në të vërtetë nuk ishte shlyer asnjë lek.

Nga analiza financiare e përgjithshme, është konstatuar një bilanc negativ total në vlerën rreth 53 milionë lekë, që sipas KPK ka rezultuar kryesisht gjatë periudhës 2013-2015, për investimet e kryera nga bashkëshorti subjektit.

Prokuorja Ornela Rrumbullaku kërkoi që të moskonsideroheshin shpenzime për investimet e bashkëshortit, duke pretenduar se nuk kishte pasur kapital të tijin, si dhe të përfshiheshin të ardhurat e përfituara prej tij. Në përfundim ajo kërkoi konfirmimin në detyrë. Komisioni njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 4 shtator, në orën 09:45.

Tensionet Kosovë-Serbi/ Analiza e REL: Edhe nëse ka dialog, s’priten rezultate

Këmbëngulja e Bashkimit Evropian mund të çojë në një rund të ri të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por analistët e çështjeve politike, Arton Demhasaj dhe Dushan Janjiç, dyshojnë se ai do të sillte ndonjë rezultat pozitiv.

 

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, la të kuptohet se këtë javë mund të vizitojë Prishtinën për, siç tha, përgatitjen e rundit të ri të bisedimeve në nivel kryenegociatorësh.

Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës rreth këtij paralajmërimi dhe marrjes së ndonjë ftese nga BE-ja për ndonjë takim eventual, por, deri në publikimin e këtij artikulli, ajo nuk u përgjigj.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, u takuan për herë të fundit në fillim të korrikut, por pa ndonjë rezultat.

Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu” në Prishtinë, thotë se insistimi i BE-së për një rund të ri të dialogut Kosovë-Serbi do të jetë i pafrytshëm, derisa palët ta shmangin zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve.

E njohur si Marrëveshja e Ohrit, ajo është arritur para më shumë se një viti, por asnjë pikë e saj nuk është zbatuar dhe për këtë palët fajësojnë vazhdimisht njëra-tjetrën.

Për më tepër, shton Demhasaj, Kosova ka caktuar 9 shkurtin e vitit të ardhshëm si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare dhe, sipas tij, vendi është tashmë në para-fushatë zgjedhore.

“Është naive të presësh – sidomos në rastin e Kosovës – që mund të ketë ndonjë lëvizje, në kohën kur Kosova është para zgjedhjeve të rregullta parlamentare. Bashkimi Evropian mund të insistojë që të ketë takim. Mbase edhe mund të ndodhë takimi, por rezultati i takimit ka për të qenë zero”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Demhasaj, një pjesë të përgjegjësisë e hedh edhe te Bashkimi Evropian si ndërmjetësues i dialogut. Sipas tij, BE-ja duhet ta ndryshojë qasjen në këtë proces.

“Derisa nuk e ndryshon – pra të caktojë afate kohore për palët që t’i kryejnë obligimet që i marrin nga marrëveshjet që i arrijnë, të marrë masa ndëshkuese ndaj palës që nuk i kryen obligimet – mendoj se kështu kemi për të vazhduar ndoshta edhe me vite”, thotë Demhasaj.

Qëndrim të ngjashëm ka edhe Janjiç nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd.

Ai thotë se BE-ja, në këtë fazë, mund t’ia dalë t’i ulë bashkë Bislimin e Petkoviçin, por jo udhëheqësit politikë – kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Dy të fundit janë takuar për herë të fundit në shtator të vitit 2023.

Një përpjekje e mëvonshme për takim ka dështuar, për shkak të, siç është thënë, disa kushteve që ka nxjerrë Kurti atëkohë, e që Vuçiç nuk i ka pranuar.

Por, Janjiç thotë se as në rastin e takimit të kryenegociatorëve, ai nuk pret ndonjë rezultat pozitiv.

“Nuk besoj. Çfarë mund të merren vesh ata? A mund ta thotë haptas [zëdhënësi i BE-së, Peter] Stano se dinë se institucionet paralele janë jolegale? Nuk mundet, sepse kanë marrë pjesë në atë turbullim të opinionit, por edhe të Vuçiçit, se do të ketë Asociacion të komunave me shumicë serbe. Pse nuk u bisedua për arsimin? Nuk është temë fare. Ata dëshirojnë tash të flasin për objektet e zaptuara dhe për atë se a do ta kalojë dikush urën?”, thotë Janjiç për Radion Evropa e Lirë.

Nga fundi i javës së kaluar, çështja e institucioneve paralele serbe në Kosovë është aktualizuar sërish, pasi autoritetet e Kosovës kanë mbyllur pesë të tilla në pjesën veriore të vendit.

Banorët serbë të zonës, prej vitesh, kanë marrë shërbime të ndryshme në to dhe mbyllja e tyre ka shkaktuar reagim të ashpër të bashkësisë ndërkombëtare kundër Kosovës.

Kjo, përkundër faktit se për shuarjen e këtyre strukturave ka një marrëveshje që është arritur në Bruksel qysh në vitin 2013, por zbatimi i saj ka ngecur.

Bashkësia ndërkombëtare, megjithatë, kërkon që të gjitha çështjet që lidhen me situatën në veri, të trajtohen në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Ngjashëm ka kërkuar të trajtohet edhe çështja e hapjes së urës së Ibrit për qarkullimin e makinave, gjë të cilën Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do ta bëjë.

Janjiç thotë, po ashtu, se qasja e Bashkimit Evropian në ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi është krejtësisht burokratike dhe pa “shkop ose karotë”, përkatësisht pa dënim e shpërblim.

Sipas tij, BE-ja, por edhe vendet e QUINT-it – SHBA-ja, Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe – duhet ta mbështesin esencën e dialogut, duke zgjidhur çështjet më të rëndësishme, të cilat do të çonin natyrshëm drejt normalizimit të qëndrueshëm të raporteve.

“E këto [çështje] janë: sukcesioni – pra, çfarë do të ndodhë me pronën, zgjidhja e statusit të serbëve si pjesë e statusit të Kosovës, si dhe pjesa e tretë që ka të bëjë me gjërat fundamentale, pra, ekonomia, përfitimet etj. Siguria duhet të vijë në mënyrë të natyrshme përmes komunikimit NATO-Kosovë dhe NATO-Serbi”, thotë Janjiç.

Bashkimi Evropian gjatë gjithë kohës këmbëngul se të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ka nisur qysh në vitin 2011, duhet të zbatohen.

Marrëveshje të tilla janë me dhjetëra, por shumë pak janë zbatuar.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha në një forum të sigurisë në fundjavë, se Kosova nuk ka trajtim të barabartë në dialogun me Serbinë.

REL-i kërkoi koment për këto pretendime nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, por nuk mori.

E, BE-ja thotë se rruga e Kosovës dhe Serbisë drejt integrimit evropian varet nga normalizimi i marrëdhënieve.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në fund të vitit 2022, por nuk ka marrë përgjigje.

Serbia i ka nisur negociatat për anëtarësim në bllok në fillim të vitit 2014, por grupin e fundit të kapitujve e ka hapur në dhjetor të vitit 2021.

Ngecja e Serbisë në proces ka ndodhur kryesisht për shkak të mospërputhjes me politikën e jashtme të BE-së, e sidomos për shkak të mosvendosjes së sanksioneve kundër Rusisë pas pushtimit të Ukrainës./REL

Putin punëson ish-ministren e Jashtme austriake, do të kujdeset për rritjen e tigrave

Ish-ministrja e Jashtme austriake, e cila e kishte e ftuar në dasmën e saj presidentin rus, Vladimir Putin, është emëruar ambasadore e vullnetit të mirë për ruajtjen e tigrave.

 

Karin Kneissl, e cila jeton në Rusi, do të fokusohet veçanërisht në mbrojtjen e tigrit siberian, specie dikur e zakonshme në Azinë veriore, numri i të cilit ka rënë.

Sergej Aramilev, kreu i qendrës për tigrat siberianë në qytetin e largët rus të Vladivostok, tha se Kneissl do të ndihmojë institucionin në çështjet ndërkombëtare, shkruan derspiegel.

Kneissl ishte ministre e Jashtme e Austrisë midis 2017 dhe 2019. Ajo shërbeu në një qeveri të udhëhequr nga Partia e Lirisë së ekstremit të djathtë, megjithëse nuk ishte anëtare e partisë.

Rritja e kostove në sektorin e ndërtimit frenohet në tremujorin e dytë 2024

Kostot në sektorin e ndërtimit kanë frenuar ritmet e rritjes në tremujorin e dytë të vitit 2024.

Sipas të dhënave të INSTAT, indeksi i Kushtimit në Ndërtim, në tremujorin e dytë 2024 arriti 112,3, kundrejt tremujorit të katërt 2021 si periudha bazë. indeksit të Kushtimit në Ndërtim në tremujorin e dytë 2024 është 2,5%, një vit më parë ky ndryshim ishte 4,7%.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime energjie” me 5,9%, pasuar nga grupet “Shpenzime për paga” me 3,8%, “Shpenzime transporti” me 3,5%, “Kosto të tjera” me 2,1%, “Shpenzime makinerie” me 1,6% dhe “Shpenzime materiale” me 1,1%.

Brenda grupit “Shpenzime materiale”, indeksi i nëngrupit “Materiale hidro-sanitare dhe ventilimi” shënoi rritjen më të lartë prej 1,2%, pasuar nga grupet “Materiale ndërtimi” me 1,1% dhe “Materiale elektrike dhe komunikimi” me 0,8%.

INK shënoi rritje me 0,2%, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2024. Rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime transporti” me 0,8%, pasuar nga grupet “Shpenzime për paga” me 0,7%, “Shpenzime makinerie” dhe “Shpenzime energjie” me 0,6% secili. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Shpenzime materiale” shënuan ulje me 0,4%, pasuar nga grupi “Kosto të tjera” me 0,1%.

Indeksi i Kushtimit në Ndërtim (për Banesa) (IKN) duke filluar nga tremujori i parë 2024 llogaritet me bazën e re. Tremujori i katërt 2021 do të shërbejë si periudhë bazë për llogaritjen e indeksit (tremujori i katërt 2021 = 100).

IKN mat ecurinë e çmimeve të materialeve të ndërtimit, të fuqisë punëtore dhe të shpenzimeve të tjera kapitale që përdoren në ndërtimin e një banese tip (8 – 10 kate). iKN është një tregues i rëndësishëm ekonomik për sektorin e ndërtimit.

Peshat e shportës së materialeve janë llogaritur duke u bazuar në preventivat e shpenzimeve për ndërtimin e një banese shumëkatëshe marrë nga firmat e ndërtimit. Shporta e re përbehet nga 71 zëra nga të cilat 66 janë materiale ndërtimi.

Çmimet për materialet e ndërtimit mblidhen nga 237 distributorë dhe shitës me shumicë të materialeve të ndërtimit. Ndërsa, të dhënat për shpenzimet për pagat, makineritë dhe transportin merren nga 97 ndërmarrje të mëdha ndërtimi të përqendruara kryesisht në rrethin e Tiranës.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor

Gazeta britanike shkruan për ‘krahun e armatosur’ të Berishës: Jeta mes luksit e Fatjon Dautit dhe e vëllait të tij ndërsa drejtonin një bande të madhe të krimit dhe trafikut të drogës

Fatjon dhe Isuf Dauti erdhën në Mbretërinë e Bashkuar ilegalisht, por më vonë iu dha leja e pacaktuar për të qëndruar pasi ata martoheshin me gra nga vendet e BE.

Kështu shkruan gazeta britanike “Express” për dy vëllezërit shqiptarë, njëri prej të cilëve, Fatjon Dauti u bë i njohur më 8 janarit 2021 kur Sali Berisha dhe Rithemelimi me të vetët tentoi të merrte me dhunë selinë e PD-së. Dauti ishte ‘krahu i armatosur’ i Sali Berishës që atë ditë u filmua teksa shkelmonte dhe theu derën e PD kur Berisha kërkonte t’i merrte zyrën Bashës.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA), thuhet se ata udhëhoqën një bandë të madhe të krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës në Londër. Fatjon Dauti, 39 vjeç, dhe Isuf Dauti 32 vjeç tani nuk mund të kthehen në Mbretërinë e Bashkuar pas dështimit të ankesave të tyre kundër urdhrave të ndalimit të Home Office.
BE-ja kritikon Serbinë për takimin e paralajmëruar të Vulinit me Putinin
LEXO EDHE:
BE-ja kritikon Serbinë për takimin e paralajmëruar të Vulinit me Putinin

Të dy vëllezërit, erdhën në Britani ilegalisht, morën leje të pacaktuar për të qëndruar përmes martesave me shtetase nga Letonia dhe Bullgaria. Megjithatë, ata ishin në gjendje të bënin jetë luksoze, duke shpenzuar për makina sportive dhe blerje në dyqane të shtrenjta si Harrods, pavarësisht se kishin të ardhura të pamjaftueshme.

Më 28 gusht, Komisioni Special i Apelimit të Emigracionit (SIAC) hodhi poshtë ankesën e Isuf Dautit kundër refuzimit të Home Office. Po ashtu, Fatjon Dauti kishte humbur më parë një apel për revokimin e lejes së qëndrimit, pas kthimit të tij në Shqipëri në vitin 2021, për shkak të një dosjeje provash që e identifikonte si rrezik për sigurinë kombëtare.

Fatjon Dauti, gjithashtu i njohur si Fatjon Dautaj, kishte mbërritur në Britani në moshën 14-vjeçare dhe kishte marrë leje të përkohshme qëndrimi në vitin 2012, për shkak të martesës me një shtetase letoneze. Ai mori leje të përhershme në gusht 2017, por ajo u revokua në shtator 2019, bazuar në informacionet e NCA, e cila po hetonte rrjetin e tij pa mundur ta akuzonte për ndonjë vepër konkrete.

Gjatë një kontrolli kufitar në Dover, u gjetën foto të Fation Dautit me armë të ndryshme në telefonin e tij, duke përfshirë një kallashnikov dhe një pistoletë izraelite. Fatjon Dauti mohon përfshirjen në krime dhe argumentoi gjatë apelit se ai thjesht ka shoqëri ose ka pasur lidhje me disa anëtarë të tjerë të bandës të përmendur në vendim. Këto përfshinin kushëririn Alket Dauti, 33 vjeç, i cili u arrestua nga oficerët e NCA në qershor 2018 në Penge, në jug të Londrës, dy muaj pas takimit me Fatjonin, përpara se ai të ekstradohej në Belgjikë në janar 2019 për të vuajtur një dënim 10-vjeçar për kontrabandë njerëzish.

Në mars 2021, gjyqtarët e SIAC pranuan kërkesat e Home Office dhe NCA se Fatjon Dauti ishte përfshirë në krime dhe se përbënte një “kërcënim serioz për sigurinë publike”, nëse lejohej të qëndronte. Fatjon Dauti thuhet se kishte vetëm një llogari bankare në Mbretërinë e Bashkuar, të financuar nga pagesa me para në dorë dhe të ardhura të kufizuara nga një kompani papafingo, por ndërkohë gëzonte klube nate, mallra dizajni dhe automjete të nivelit të lartë, duke përfshirë një Bentley, Range Rover dhe Jaguar të marrë me qira nga një tregtar droge.

Sipas Fatjonit ndalimi i shkaktoi atij dhe gruas “shqetësime” pasi ai dëshironte të rifillonte jetën e tij me të në Mbretërinë e Bashkuar teksa ishte në Tiranë, ku kishte një Piano Bar.

Martin Mattheës, Menaxher i Operacioneve të NCA, tha në seancën dëgjimore në 2017 se vëllai i madh Dauti u vlerësua si “udhëheqësi” i rrjetit shqiptar. Më tej ai shtoi se gjatë hetimeve në rrjet u kryen disa arrestime, u sekuestruan kilogramë kokainë dhe u ndaluan emigrantë të paligjshëm, por kishte prova të kufizuara për arrestimin e Fatjonit.

Fationi kishte jetuar në Britani të Madhe që kur kishte mbërritur ilegalisht në vitin 2012. Gjatë apelit të SIAC për Isuf Dautin në maj të këtij viti, Home Office pretendoi se ai kishte marrë përsipër në Mbretërinë e Bashkuar anën e rrjetit të krimit të organizuar pasi vëllai i tij Fation u ndalua. Isufi pretendoi se ai nuk kishte asnjë përfshirje në krimin e organizuar dhe nuk përbënte kërcënim për sigurinë, kështu që po kërkonte të kthehej tij në Mbretërinë e Bashkuar.

Në provat e saj të apelit, Home Office shkroi: “Ndër aktivitetet, në të cilat i padituri vlerëson se është përfshirë është importimi dhe shpërndarja e drogave të klasit A dhe lehtësimi i migrimit të paligjshëm. Ai paraqet rrezik dhune për të ndjekur qëllime kriminale dhe për të pastruar të ardhurat e sjelljes kriminale.” Zyra e Brendshme renditi 7 “kriminelë të organizuar”, disa të dënuar, me të cilët tha se ai ishte i lidhur, duke përfshirë vëllain e tij.

Home Office shtoi: “Pas përjashtimit të Fation Dautit, NCA (Agjencia Kombëtare e Krimit) vlerësoi se Isufi mori një pozicion përgjegjësie në grupin e krimit të organizuar. Ai është personalisht aktiv në tregtinë e drogës në MB si një anëtar kontrollues”. Zyra e Brendshme tha se hetuesit e NCA morën deklaratat bankare të Isufit dhe marrëveshjet e qirasë, të cilat u krahasuan me provat e HMRC.

Pavarësisht se kishte të ardhura të përbashkëta me gruan e tij tashmë të larguar prej 26 000 deri në 30 000 £ në vit, në 6 vitet midis 2015 dhe 2021 ata shpenzuan rreth 139 000 £ në qira, duke përfshirë 2 700 £ në muaj në një vit për të marrë me qira një apartament në Chelsea nga korrik 2019. Ka pasur shpenzime për artikuj nga Harrods, Gucci dhe Dolce & Gabbana. Zyra e Brendshme tha: “Ai kishte angazhime të konsiderueshme financiare për pronën që po merrte me qira, të cilat janë të vështira për t’u pajtuar me të ardhurat e tij.”

Isuf Dauti gjithashtu mohoi çdo përfshirje në krim, drogë apo trafik njerëzish dhe pretendon se është dëbuar gabimisht në bazë të veprimeve të njerëzve të tjerë që ai rastësisht i njeh dhe ai veçohet vetëm për “të qenit shqiptar”. Ai mohoi të ishte një rrezik sigurie dhe tha se dëbimi shkel ligjet e BE-së dhe ligjet e të drejtave të njeriut dhe se vendbanimi i tij kryesor është Mbretëria e Bashkuar.

Pjesa më e madhe e provave të NCA iu dha panelit të SIAC në seancat e fshehta “të mbyllura” për arsye të sigurisë kombëtare me një vendim të veçantë të mbyllur që nuk është publikuar. Paneli i SIAC arriti në përfundimin bazuar në inteligjencën sekrete se Isufi ishte një anëtar drejtues i krimit të organizuar dhe i përfshirë në importimin dhe shpërndarjen e drogave të klasës A, me një prirje për dhunë. Ai gjithashtu e gjeti atë të përfshirë në pastrim parash, por se nuk kishte prova për përfshirjen e tij në kontrabandën e njerëzve. Padia e tij u hodh poshtë. Express.uk

lajm ne perditesim…

Doriana Musai: Plehrat që Bashkia po na i bën peshqesh me “aksionet” e saj

Nga Doriana Musai

Bashkia ne aksion.

Per çdo leje ndertimi-kupto pallat te ri, ndertuesi paguan takse bashkiake, qe te kete nje kosh per pallatin qe po nderton.
Kjo ndodh vetem ne teori.
Praktikisht ndodh qe, ndertuesi shlyen taksen per te patur koshin, por nderkohe paguan edhe rryshfet qe bashkia te mos i sjelle kosh prane pallatit, por te perdore pikat ekzistuese.
Win-win per te dy
Ndertuesi rrit vleren e prones, pa kosh plehrash afer, bashkia mbush xhepat. Nenkontraktori i plehrave ka me pak kosha per te mbledhur, me pak rruge, me pak karburant me pak punetore

Ne te tjeret fitojme plehrat rrugeve dhe lagjeve te banimit

Ilir Meta u ka vjedhur shqiptarëve edhe të drejtën për t’u çmendur

Ilir Meta është ndoshta i vetmi hajdut në histori që ka arritur t’u vjedhë shqiptarëve jo vetëm pasuritë e tyre publike, por edhe të drejtën për t’u çmendur.

Me shpenzime marramendëse për dobësimin personal dhe banjot luksoze për macen e tij, Meta ka shfaqur një jetë të shfrenuar luksoze.

Por nuk mjaftohet vetëm me këtë.

Me sjelljet e tij të fundit, të cilat gjithnjë e më shumë duken si simptoma të një çmendurie personale, Meta duket se ka vendosur të monopolizojë edhe të drejtën për t’u çmendur.

Në një vend ku njerëzit kanë plot arsye për të humbur mendjen nga padrejtësitë dhe vështirësitë e përditshme, ai ka zgjedhur të zërë të gjithë hapësirën e çmendurisë për veten e tij, duke mos i lënë askujt tjetër mundësinë të çmendet.

Deri sa të mbarojë punën e tij me SPAK-un dhe të japë llogari për gjithë sa ka bërë, duket se askush tjetër nuk do të ketë luksin të çmendet para Ilir Metës./NL

Deputetët e Ramës si Akademia e barinjve të Krifcës

Edi Rama nuk do deputetë, por statistika, hije që mbushin grafiqe…

Në workshopin e përvitshëm të Edi Ramës me qeverinë e tij për të ashtuquajturën analizë të ministrave e deputetëve, më shumë kanë pasur peshë ‘power -point’-et se objektivat reale të mazhorancës. Një qasje burokratike që kriteret për të matur punët e ministrave apo deputetëve, nuk ka objektivat, premtimet, apo edhe popullaritetin, por ca njësi matëse që nuk ekzistojnë në asnjë sistem metrik.

Është bërë tashmë meme fjalimi i ish-ministres nën hetim të Bujqësisë, Frida Krifca që sot është këshilltare e Edi Ramës. Frida foli për hapjen e Akademisë së Barinjve. Një gomarllëk i pastër që asnjë mendje normale e një nxënësi në klasë të gjashtë nuk do e rrokte në tru, përveçse një vartëse e mjedisit absurd të Bablokut.

Deputetët e Bablokut si Akademia e barinjve të Krifcës

Edhe në lidhje me deputetët, Edi Rama nuk do që parlamentarët e PS-së të jenë popullorë, të kenë përkrahje nga komuniteti. Pasi e di se nëse ndodh kjo ai do të jetë më i pavarur. E madje, ata deputetë që kanë pëlqyeshmëri në komunitet nuk pëlqehen nga fortgjatësia e tij.

Ai nuk do deputetë, por statistika, hije që mbushin grafiqe. Prej vitit 2013 kur PS është në pushtet, mazhoranca nuk ka pasur asnjë deputet me zërin e tij. I vetmi, Ben Blushi, u ndëshkua menjëherë nga Edi Rama, duke i treguar derën jashtë politikës. Sot nuk ka një deputet që të flasë për komunitetin që përfaqëson në Parlament, pasi nuk e lejon kush. Deputetët urdhërohen jo nga krerët e grupit parlamentar të PS-së, por nga sektori i propagandës që drejton Endri Fuga. Ai cakton njerëzit që do të dalin në emisionet televizive për të mbrojtur mazhorancën, duke i diktuar si do të paraqiten e çfarë do të thonë. Ka pasur raste që deputetë të ndryshëm e kanë prishur këtë skemë, por më pas ata nuk i kanë ftuar më televizionet.

Sepse edhe panelet e darkës, të ftuarit i marrin o nga Fuga o nga ai Lela i Saliut. Në çdo vend normal, një deputet gjykohet nga mbështetja popullore, këtu është e kundërta.

Në vendet normale të perëndimit kemi deputetë që në disa legjislatura përfaqësojnë një zonë zgjedhore apo një komunitet, pasi kështu parlamentari mban premtimet dhe fiton eksperiencë për të shërbyer më mirë.

Këtu tek ne, një deputet i Vlorës, pas dy vitesh kalon në Tropojë dhe një parlamentar i Pogradecit shkon në Divjakë, kurse dikush që ka përfaqësuar Skraparin e çojnë në Dibër.

Një sistem skandaloz që nuk është parë as në kohën e diktaturës. Pasi deputetët nuk janë individë por statistika. E duke risjellë gomarllëkun e Frida Krifcës për Akademinë e Barinjve, ashtu i konsideron Edi Rama deputetët e tij, pasi pjesa më e madhe e tyre thirren në workshope ose nga Fuga, ose nga degët periferike të partisë së Erdoganit në Anadoll. Ata thirren si numërorë topi për të mësuar sesi rrihet gjatë në pushtet./Pamfleti

Lufta Ukrainë-Rusi, Trump: Kam një plan për t’i dhënë fund konfliktit, por do ta zbuloj vetëm nëse bëhem president

Donald Trump tha të martën se ai ka plane që janë “të garantuara” për t’i dhënë fund luftës vdekjeprurëse në Ukrainë, por do t’i zbulojë ato vetëm nëse fiton zgjedhjet presidenciale në SHBA në nëntor.

Ish-presidenti i SHBA-së dhe kandidati aktual republikan është i përfshirë në një garë kokë e kokë me rivalen e tij demokrate, nënpresidenten Kamala Harris.

“Nëse fitoj, si president i zgjedhur, do të bëj një marrëveshje të garantuar. Kjo është një luftë që nuk duhej të ndodhte,” tha Trump në podkastin e Lex Fridman.

“Por unë nuk mund t’jua zbuloj këto plane, sepse nëse jua them, nuk do të jem në gjendje t’i përdor dhe do të dështojnë. E dini, një pjesë e kësaj është surprizë, apo jo?”, shtoi ai.

Trump ka deklaruar shumë herë se do t’i jepte fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës “brenda 24 orëve”, pa shpjeguar kurrë se si. Në muajt e fundit, megjithatë, ai ka kritikuar Uashingtonin për miliarda dollarët që shpenzon për të mbështetur Kievin dhe po i kërkon Evropës të luajë rolin e saj.