21.5 C
Tirana
E hënë, 18 Gusht, 2025

Drejtuesi i klubit konfirmon transferimin e sulmuesit të Kombëtares në Rusi: Na e kërkoi vetë

Transferimi i Marvin Çunit nga radhët e Frozinones te Rubin Kazan në Rusi me sa duket është një çështje e mbyllur. Sulmuesi i talentuar shqiptar, pas vetëm një viti në Itali ka vendosur që të shkojë në kampionatin rus dhe kërkesën e ka bërë ai, siç e tregoi vetë drejtuesi i klubit të Serisë B.

Guido Anxheloci, drejtori sportiv i Frozinones, ka zbuluar se Çuni i kishte kërkuar klubit të transferohej dhe se çështja ishte pranë finalizimit.

“Sot ose nesër Çuni do të largohet pasi ka kërkuar shitjen dhe do të shkojë në Rusi. Unë kërkova Okereken pasi e dija që Çuni do të largohej”, shpjegoi ai para gazetarëve.

Kësisoj, pritet vetëm zyrtarizimi i marrëveshjes mes palëve me Çunin i cili do t’i bashkohet Mirlind Dakut në radhët e klubit rus për të formuar me të dyshen e sulmit atje.

Stina e alergjive të forta, si të mbroheni nga sëmundjet e vjeshtës

Vonë ose jo, vjeshta erdhi duke shënjuar nisjen e një stine të mundimshme sëmundjesh dhe teshtimash.

Teshtima është një shpërthim i fortë i trupit që arrin të shpërndajë viruse dhe baktere në një largësi prej 2 metrash dhe me një shpejtësi të madhe.

Sidoqoftë, teshtimat janë vetëm një prej simptomave drobitëse të alergjive të vjeshtës.

Bllokimet dhe rrjedhjet e hundëve, skuqjet dhe kruarjet e syve janë simptoma të tjera po aq të vështira të këtyre alergjive.

Gjërat që nuk i dinit për alergjitë e vjeshtës

Vjeshta është një stinë shumë e vështirë për njerëzit që kanë ndjeshmëri të lartë ndaj mykut dhe polenit të bimëve.

Fëmijët ekspozohen ndaj pluhurit të shkumësit në shkollë.

Rënia e gjetheve të pemëve gjithashtu mund të shkaktojë alergji në vjeshtë.

Kjo ndodh sepse me rënien e tyre, ato nxisin qarkullimin e polenit dhe mykut në ajër duke shkaktuar alergji dhe azëm.

Për më tepër, shiu është gjithashtu një nxitës i alergjive sepse shpërndan më shumë polenin dhe mykun.

E keqja e alergjive të vjeshtës është se ato nisin shumë herët dhe zgjasin më gjatë.

Në këtë artikull do të mësoni për disa këshilla praktike se si të përballoni stinën e vjeshtës dhe alergjitë.

Kujdesuni për stomakun

Në përballjen me alergjitë është shumë e rëndësishme që njeriu të kujdeset për florën bakteriale në stomak.

Njerëzit që vuajnë nga alergjitë e vjeshtës duhet të marrin çdo ditë probiotikë që të garantojnë mbrojtjen e organizmit.

Kujdes me ushqimet

Ushqimet e përpunuara, të modifikuara gjenetikisht, sheqeri, bulmeti, gluteni, alkoli përmbajnë substanca irrituese për organizmin.

Këto substanca përkeqësojnë simptomat e alergjisë.

Në Tetor duhet të shmangni bananet, shalqinin, pjeprin, kastravecin, domatet dhe kungujt e njomë që mund të preken nga disa lloje barishtesh të cilat shkaktojnë alergji.

Gjithashtu kujdes duhet të tregoni me çajin kamomil dhe të rubinit të kuq për të njëjtat arsye si më lart.

Rekomandohet që nëse vëreni shenja alergjie pas konsumit të tyre, konsultohuni me një mjek.

Ushqehuni me perime ngjyra

Në këtë stinë duhet të merrni me shumë vitaminë A, C dhe antioksidantë që luftojnë inflamacionin.

Konsumoni më shumë brokoli, barishte të egra, karrota, selino, kungull të verdhë, qepë dhe hudhër.

Higjiena

Përpara se të bini për të fjetur, mirë është të bëni dush që të largoni sa më shumë elementë alergjikë nga trupi dhe flokët.

Ndërroni rrobat dhe çarçafët më shpesh dhe sidomos këllëfët e jastëkëve me të cilët goja dhe hunda janë më shumë në kontakt.

Nëse punoni në kopsht, mbani doreza dhe maskë.

Për frymëmarrjen

Përdorni solucione me kripë për pastrimin e hundëve.

Bëni avull për të zhbllokuar rrugët e frymëmarrjes dhe përmirësuar imunitetin./AgroWeb.org

Sabah Sheta i PD Euroatlantike: Protesta e banorëve që preken nga aksi Thumanë-Kashar, do të vazhdojë! Na ktheni aksesin në rrugë

Kreu i PD Euroatlantike, dega Krujë, Sabah Sheta, i cili ka qenë një ndër organizatorët dhe mbështetësit kryesorë të banorëve që preken nga aksi Thumanë-Kashar, nëpërmjet një postimi në rrjetin social facebook shprehet se aksesi për të dalë nga kjo rrugë në shtëpitë e tyre, është një e drejtë e mohuar padrejtësisht nga qeveria.

Ai siguron banorët se protesta do të vijojë derisa të vihet në vend një e drejtë e mohuar.

“Apeli im është që t’i jepet zgjidhje sa më shpejt këtij problemi. Krutanët nuk do të tërhiqen derisa të fitojnë një të drejtë morale dhe legjitime. Kërkojmë nga ministrja e Transporteve Balluku dhe kryeministri Rama që të mos qëndrojnë indiferent ndaj një problemi që shkakton kosto sociale dhe ekonomike për një zonë turistike dhe historike si Kruja.” – shprehet Sheta.

Më poshtë reagimi i plotë:

Qytetarët krutanë edhe sot protestuan për të kërkuar një të drejtë të mohuar padrejtësisht nga qeveria, aksesi për të dal nga rruga Thumanë-Kashar për në shtëpitë dhe pronat e tyre.
Falenderim kam për secilin që po i reziston arrogancës së pashembullt të Rilindjes, e cila me paturpësinë më të madhe krijoi një problem që nuk ishte. Mbyllja e rreth rrotullimit të Thumanës izoloi mijëra biznese si dhe 85 mijë banorët e Krujës. Ekzekutivi i detyroi qytetarët e Krujës jo vetëm që të shkojnë deri në Kashar, por dhe të paguajnë për të shkuar në shtëpitë e tyre. Kjo është e patolerueshme.
Apeli im është që t’i jepet zgjidhje sa më shpejt këtij problemi. Krutanët nuk do të tërhiqen derisa të fitojnë një të drejtë morale dhe legjitime. Kërkojmë nga ministrja e Transporteve Balluku dhe kryeministri Rama që të mos qëndrojnë indiferent ndaj një problemi që shkakton kosto sociale dhe ekonomike për një zonë turistike dhe historike si Kruja.
Nuk do të bëjmë asnjë hap pas! Krujën askush nuk e ka nënshtruar, ndaj mos kujtoni se do të mund të fitoni në këtë histori të krijuar prej jush. Çdo vonesë vetëm do ta përkeqësojë situatën pasi krutanët nuk do të pajtohen më këtë maskardë!

Kush është “agjenti i shërbimeve jugosllave” që dëshmoi kundër Metës në SPAK?

Më 8 korrik 2024, në kulmin e akuzave që Ilir Meta i dërgonte SPAK-ut, përmes deklaratave nga selia apo daljeve në studio televizive, një deklaratë e bërë nga Jasmira Memelli, zëdhënësja e tij, nuk u arrit të zbërthehej se për çfarë po fliste ish-presidenti.

Meta foli përmes zëdhënëses e jo vetë, (një rast i rrallë ky për profilin që ish-presidenti ka zgjedhur të mbajë në publik që prej rikthimit aktiv në politikë), për një personazh të panjohur, por që qëndron në krye të skemës kundër tij.

“Të gjithë ata që merren me këtë çështje, siç presidenti Meta jua ka bërë të ditur ‘off-record’ bashkëpunëtorëve të Dum-Dumanit, e dinë shumë mirë se në krye të kësaj skeme është ish-bashkëpunëtori i Shërbimeve Jugosllave, A. SH., (emrin e të cilit nuk po e publikojmë për të mos dëmtuar hetimet e Dum-Dumanit), i arratisur nga Dibra në fund të viteve ’80 dhe i rekrutuar nga Shërbimet Jugosllave të kohës.

Ky person është riaktivizuar në vitet 2000 me qëllim kompromentimin e Ilir Metës dhe të personave të afërt me të duke përdorur lidhje gjoja farefisnore. Ai ka kryer një veprimtari të mirëfilltë agjenturore duke arritur të kompromentojë njerëz pranë Presidentit Meta, faktet për të cilat ata i dinë dhe i kanë në dispozicion, siç janë personat, E. B., J. M., dhe të tjerë”, deklaroi zëdhënësja.

Por kush është A.SH? ZËRI ka mundur të mësojë se A.SH është biznesmeni Adrian Shatku, që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shatku është thirrur nga SPAK disa javë më parë ku edhe është pyetur për njohjen me Metën dhe familjen e tij. Në verifikimin e Prokurorisë së Posaçme janë edhe komunikimet telefonike mes Shatkut dhe familjes Meta.

Është pikërisht edhe thirrja e këtij personazhi në dyert e SPAK arsyeja edhe pse Meta humbi qetësinë dhe akuzoi publikisht Shatkun si një bashkëpunëtor të shërbimeve jugosllave.

ZËRI mundi të mësojë se në sitën e SPAK janë edhe disa kontrata që Shatku ka përfituar nga institucionet shqiptare, përfshirë këtu AKEP, përmes kompanisë së tij, UNIFI HOLDING Dega Shqipëri. Degë e UNIFI HOLDING, pronë e Shatkut, kjo kompani erdhi në Shqipëri në vitin 2009 ku prezantoi një sërë projektesh ambicioze.

Kjo kompani, me administratorë dy të afërmit e Adrian Shatku, Florian dhe Enkeleda Shatku u largua në gusht të vitit 2018, kur socialistët kishin larguar nga AKEP Pirro Xhixhën e ish-LSI dhe drejtuesi i ri kishte urdhëruar inspektim.

Inspektimi i AKEP zbuloi në vjeshtën e vitit 2018 se UNIFI kishte abuzuar me konsumatorin shqiptar përmes lidhjes me Vodafone Albania. Në Nëntor 2018, AKEP e gjobiti me gjysëm milionë dollarë kompaninë “Unifi Holding inc-dega Shqipëri”, pasi kjo kompani në vitin 2014, mori përsipër shërbimin e tranzitimit të thirrjeve ndërkombëtare, hyrëse e dalëse, për sipërmarrësin “Vodafone”. Kjo marrëveshje ka qenë funksionale deri në Gusht të vitit 2018, kohë kur inspektorët e AKEP thelluan kontrollin mbi veprimtarinë e “Unifi-dega Shqipëri”, të cilin e kishin nisur në janar të vitit të kaluar.

AKEP ka konstatuar se, për të paktën 6 muajt e parë, marrëveshja e interkonjeksionit ka qenë e paligjshme, për shkak se Unifi nuk ishte pajisur me licensën përkatëse. Në vijim të kontrollit, AKEP ka zbuluar gjithashtu se Unifi-Dega Shqipëri nuk ka deklaruar në bilancet e saj faturat e paguara për llogari të “Vodafone”, si edhe ato të shitjes tek klientët përdorues të shërbimit telefonik ndërkombëtar, për thuajse 3 vjet (2014-2016), duke hedhur dyshime për veprimtarinë e pastrimit të parave.

Në përfundim të hetimit administrativ, AKEP gjobit “Unifi-dega Shqipëri” me 50 milionë lekë.

Ishin pikërisht lidhjet e forta të Shatkut ato që kishin bërë të mundur që aktiviteti i tij në Shqipëri të zgjerohej me sukses. Në vitin 2010, një vit pas ardhjes në vend, qeveria Berisha miratoi vendosjen e kabllit nëndetar ndërkombëtare me fibër optike Bari-Durrës, ku studimi iu dha UNIFI-t. Që nga viti 2017, pasi projekti u shty disa herë, nuk ka më asnjë njoftim zyrtar se çfarë u bë me këtë studim që do të duhet të realizonte UNIFI dega Shqipëri.

Por kush e mbrojti Shatkun në AKEP? Në vendimin për gjobitjen, AKEP deklaron se “kontrolli mbi këtë kompani nisi për shkak se ajo nuk ishte kontrolluar për më shumë se tre vjet”. Kjo fjali i drejtohet ish-kreut të AKEP, Pirro Xhixha, babai i deputetes Erisa Xhixho i cili e kishte nën kontroll aktivitetin e UNIFI.

Tashmë i gjithë aktiviteti ekonomik i Shatkut në Shqipëri është në sitën e SPAK, ku ai dyshohet se është pjesë e rrethit të afërt të familjes Meta, edhe pse kreu i PL, deklaron se ai është një agjent që ka përdorur “gjasme lidhje farefisnore”.

Kush e solli dhe si e zgjeroi biznesin në Shqipëri, pa licensat përkatesë dhe me bekimin e kujt, janë pyetjet e radhës që presin përgjigje!/ZËRI

Berisha e “shkarkoi” Bashën si Raporter për sekuestrimin e aseteve ruse për “hesap” të Kremlinit, apo si hakmarrje ndaj Perëndimit?!

NGA POLI HOXHA

Gjatë gjithë muajit gusht, paralelisht me ofensivën ukrainase brenda territorit të Rusisë, e gjithë diplomacia perëndimore, mediet më të mëdha në glob, analistët gjeopolitik më të njohur dhe shërbimet inteligjente të vendeve të NATO, fokusin kryesorë (Sëbashku me konfliktin Izrael-Hamas&Irak), e kishin te Ballkani Perëndimorë.

Rajoni ynë po konsiderohet hapur si “peri i hollë”, të cilin Rusia e Putin synon që ta këpusë në funksion të luftës në Ukraninë, duke shkaktuar destabilitete ndërkufitare, politike dhe të demokracisë.Vizita e shefit të CIA në Bosnje-Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë, dëshmoi pikërisht shqetësimin e madh të SHBA, se Kremlini po aktivizon për “betejën finale” në rajonin tonë, të gjitha asetet e veta të hapura, por veçanërisht ato të fjetura deri më tani.

Në fund të javës së kaluar, BE më në fund lëvroi këstin e parë prej 1.5 miliard dollarësh për Ukrainën nga pasuritë që i ka ngrirë Rusisë. I menjëhershëm ishte reagimi i Moskës, e cila e quajti “vjedhje” këtë akt të BE dhe premtoi kundërpërgjigje. Bashkimi Europian në koordinim të ngushtë me SHBA, po realizon një aksion gjigant për konfiskimin e të gjitha pasurive të Rusisë jashtë territorit të saj, të cilat do të përdoren për të kompesuar Ukraninën për pasojat e pushtimit brutal.

Ky projekt u paraqit në formën e një rezolute në shtator 2023 në Asamblenë e Këshillit të Europës, nga Lulzim Basha. Më datë 4 mars 2024, “Rezoluta Basha”, u miratua nga Komiteti për Çështjet Ligjore i cili zgjodhi po Lulzim Bashën si Raporter për këtë operacion delikat dhe madhorë ndërkombëtarë. Rezoluta e deputetit shqiptar, mori konfirmimin më 16 prill 2024, kur u votua në unanimitet në Asamblenë e Parlamentit Europian në Strasburg. Më pas ajo u certifikua edhe nga Senati amerikanë.

Në këtë kontekst gjeopolitik, kur perëndimi po mobilizohet që të presë duart e zgjatura të Rusisë në rajonin tonë, pikërisht në Tiranë, në parlamentin e Shqipërisë, Kremlini arrin një fitore.

Sali Berisha pasi mori vulën e PD në një proces gjyqësorë në Apel i cili kutërboi nga era e keqe e paktit me Edi Ramën dhe pasi u çertifikua në parlament, (Po prej ortakut në pushtet), si “opozita parlamentare”, ditën e parë të sesionit të ri në Kuvend, (2 shtator 2024), ka goditur pikërisht autorin e rezolutës për konfiskimin e aseteve ruse dhe Raporterin e Këshillit të Europës për mbarëvajtjen e operacionit politik-financiar antirus, Lulzim Bashën.

Nëpërmjet Gazment Bardhit, Sali Berisha, ka “shkarkuar” Lulzim Bashën nga delegacioni i përhershëm në Këshillin e Europës dhe e ka zëvendësuar atë pikërisht me deputeten Albana Vokshi.

Në pamje të parë kjo duket si një hakmarrje inatçore e Berishës ndaj Lulzim Bashës personalisht. Si një shfryrje revanshiste për faktin se ai po qëndron më i vendosur dhe i fortë se kurrë, në krye të një grupi të madh dhe të konsoliduar demokratësh, të cilët edhe pas goditjes së fortë me “Vulën”, jo vetëm që nuk ju bashkuan “nongratës” të amnistuar nga Rama në parlament, por po bëjnë edhe kontrastin e fortë me pazarxhinjtë “opozitarë” dhe bashkëpunëtorët “De Fakto” dhe së fundmi edhe “De Jure” të Edi Ramës.

Mund të jetë edhe thjesht hakmarrja, e cila është tipar politik i zakonshëm i Berishës, por duket se mesazhi dhe goditja shkon shumë përtej emrit të Lulzim Bashës.

Sali Berisha i cili e quan SHBA-BE-Britani e Madhe, “mafie ndërkombëtare”, edhe pasi Apeli dhe Rama e emëruan kryetar zyrtarë të PD dhe “opozitës”, jo vetëm që nuk e çau sadopak për veten e tij izolimin 3 vjeçar, (gati karantinor), të ndërkombëtarëve, por ka bërë që SHBA, BE dhe Britania e Madhe, të nisin distancimin “higjenik” edhe ndaj gjithë “PD zyrtare”, duke paralajmëruar se po vazhduan kështu, e gjithë partia do të futet në rrugën e izolimit. Dhe këtë më mirë se kushdo, e dinë kohët e fundit “proamerikanët” në shërbim të të shpallurit nongrata, Gazment Bardhi, Jorida Tabaku, Belind Këlliçi, etj.

Këtu dalim te hakmarrja e Berishës ndaj ndërkombëtarëve. Ai po e sheh veten që; Pas 3 viteve, me shpenzime marramendëse, me merkato mediatike dhe deputetësh të denja si ato të sheikëve për yjet e futbollit, me një grup të madh parlamentarë, i njohur më në fund si i vetmi pol politik nga mazhoranca, faktor deciziv parlamentarë për ligje të cilësuara dhe duke e lëshuar veten që të keqpërdoret deri në gjynahllëk nga Edi Rama, sërish SHBA dhe BE e trajtojnë thjesht si një “lebroz” të tranzicionit shqiptar.

Ndaj e vetmja gjë që i ka mbetur është të përdor fuqinë parlamentare që i ka dhënë Edi Rama për të nxjerrë keq ndërkombëtarët, për ta vënë në siklet përball Rusisë, Këshillin e Europës, i cili vendosi Lulzim Bashën Raporter për asetet ruse dhe bashkë me atë, edhe gjithë Asamblenë e Parlamentit Europianë në Strasburg që votoi në unanimitet rezolutën e tij. Pra me një urdhër për Gazment Bardhin nga shtëpia-burg ku gjendet i mbyllur nga SPAK dhe GJKKO si i hetuar për korrupsion dhe me një të lexuar të urdhërit të “nongratës” nga Elisa Spiropali, Sali Berisha, synon ti imponohet BE, se kë duhet duhet të ketë Raporter për një nga çështjet e saj më madhore ndërkohë që është në luftë, (Edhe pse ende e pashpallur zyrtarisht), me Rusinë e Putin.

Por lëvizja e Berishës është edhe më malinje se kaq. Nga arresti shtëpiak ai e “zëvendëson” Raporterin e Këshillit të Europës, Lulzim Bashën, (Për të cilin u kryen për muaj të tërë verifikime të thella nga agjencitë perëndimore dhe e miratoi Komiteti për Çështjet Ligjore në KE), pikërisht me një nga ndjekëset e tij pa kushte, Albana Vokshin, e cila ndiqet nga “hije ruse”, edhe pse jo për faj të vet. Janë shumë shkrime, investigime serioze dhe dëshmi, (Mund të gjenden lirisht në Google), të cilat flasin për lidhje të ngushta të bashkëjetuesit të saj, biznesmeni i hidrokarburanteve Arian Tartari, me histori koncesionesh për fushat naftëmbajtëse me biznesmenë rusë të cilët janë indentifikuar nga Perëndimi si bashkëpunëtorë dhe të lidhur ngushtë me pushtetin e Putin.

Edhe në pikën 20 të “akuzës” në dosjen McGonigal, del kjo çështje. Në rastin më të mirë “emërimi” i Vokshit si Raportere për konfiskimin e aseteve ruse, (Të ortakëve të burrit), është tallje me BE&SHBA. Nëse Spiropali e përcjell urdhërin e Berishës në KE, atëherë kemi të bëjmë me provokim të rëndë.

Por edhe sikur urdhëri për “shkarkimin” e Bashës si Raporter për asetet ruse dhe “emërimin” e Vokshit në vend të tij, i firmosur si kryetar grupi nga Bardhi dhe i lexuar në parlament nga Spiropali, arrin që të dërgohet në Strasburg dhe në Bruksel, edhe Berisha vetë e di se heqja e Bashës si Raporter, nuk mund të ndodhë. Kjo si për arsye teknike, po aq edhe për arsye politike. Por koha do ta tregojë.

Gjithsesi synimi, nuk është thjesht Basha. Mjafton që një shkrim i vetëm të botohet te “Pravda” në Rusi me titull, “Sali Berisha shkarkon nga Tirana Raporterin e KE për asetet ruse”, nuk është pak si grusht hakmarrës ndaj Perëndimit që nuk ka ndërmend ta fal dhe është shumë si “shërbim” ndaj Kremlinit të Putin, i cili së fundmi ka nxjerrë një dekret, sipas të cilit Rusia mirëpret këdo që po persekutohet nga qeveritë perëndimore./Alfapress.al

Protesta Thumanë-Kashar/ Banorët vrapojnë në autostradë, policia i ndjek nga pas

Siç ishte paralajmëruar edhe ditën e sotme, banorët e Thumanës kanë dalë sërish në protestë, ku kërkojnë hyrje-dalje në autostradën Thumanë-Kashar.

Ata po protestojnë në autostradë, ndërsa janë përplasur me forcat e policisë, pas kanë tentuar të bllokojnë qarkullimin rrugor. Ata kërkojë hyrje-dalje në këtë aks, pasi janë izoluar dhe i druhen frikës se bizneset e tyre do të falimentojnë. Banorët kanë kallëzuar në SPAK, zv/kryeministren njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës Belinda Balluku.

Kujtojmë se dhe ditën e hënë (2 shtator) banorët protestuan në mënyrë paqësore para Kuvendit, duke parashtruar kërkesën e tyre dhe duke kërkuar një zgjidhje.

Ashtu si në tre protestat e shkuara ka patur përplasje mes policisë dhe banorëve, pasi këta të fundit kanë bllokuar qarkullimin e mjeteve në autostradë. Banorët e zonës përreth aksit të ri Thumanë-Kashar kanë ripërsëritur kërkesën e tyre për të pasur akses në autostradën e re. Ata kërkojnë nga institucionet që të marrin masa dhe t’u krijohet aksesi, pasi autostrada e re ka kthyer në një aks të “vdekur” rrugën e vjetër dhe si pasojë po ju falimentojnë edhe bizneset Por deri më tani qytetarët nuk kanë marrë asnjë zgjidhje.

Grabit, rrotullohu, tradhëto dhe riciklohu, “motoja e deputetëve”

Nga Bujar Vreto

Demokracia do triumfojë edhe pse sahanlëpirësit që dje lëpinin Bashën e sot thithin Berishën po bëjnë gjithcka për ta penguar. Përfituesit, ofiqarët, shaktërruesit e vlerave dhe parimeve kanë flirtuar dhe po vazhdojnë të aktrojnë duke përfituar financa me oligarkët dhe kapital politik me qeverinë e korruptuar të Ramës. Këta tutorë të demokracisë po shkatërrojnë ekonomikisht, psikoligjikisht dhe moralisht popullin e shumë vuajtur Shqipëtar, madje po i detyrojnë të ikin nga sytë këmbët çdo ditë e më shumë prej vendit të tyre me çantat në kraha rrugëve të Europës pa menduar asnjë moment kthimin.

Nuk dua të ironizoj, të qesh apo të dramatizoj daljet në çdo darkë të Sali Berishës në atë dritare duke bërë thirrje për revolucion në njërën anë dhe duke përgëzuar marrëveshjen për komisionin Xhafa në anën tjetër për të monitoruar SPAK, as të anatemoj përgatitjen që po ju bën militantëve se mafia ndërkombëtare po blen zgjedhjet. E vërteta tani dihet me listat e mbyllura Berisha siguron monopolin e opozitës me deputetë pa dinjitet dhe Rama të qeverisjese me një mandat tjetër katër vjeçar. Unë jam i keqardhur se si po rrokulliset demokracia nga po të njëjtët aktorë që kishin çelsat e pushtetit 1991-1992, 1992-1997, 1997-2005, 2005-2013 dhe 2013-2024 dhe këta të fundit pretendojnë edhe për një mandat tjetër pse jo dhe më shumë. Ku është morali zhozefinave, i ylberistëvë, i disa deputetëve injorantë, servilë dhe pa dinjitet që betoheshin e stërbetoheshin se do jenë në krahë të qytetarëve por në fakt janë më krahë të xhepit të tyre. Ku është morali i fytyrave engjëllore me shejtanin në në bark e mendje që rrethonin Bashën (zëdhënëse, shef kabineti, nënkryetarë e sekretarë, sekretari përgjithshëm një … që mori fatet tona në dorë, që poshtëroj punën tonë, deputetë e turli palacoje që morën ofiqe nga bodrumet e Tiranës) këta të pa turp e udhëzonin Bashën, e mashtronin, shpifnin e sajonin për njerzit e punës, madje dhe viktimizoheshin se kryetarët e degëve nuk na presin por për këto do flasim gjër e gjatë. Si turfullon establishmenti i vjetër, largon nga vetja fajet dhe gjenë fajtorët, largon nga vetja humbjet dhe gjejnë shkaktarë që as kanë pas mundësi të jenë të tillë. Si bashkohen, me sa pathos flasin për PD-në, ndërkohë e kanë traumatizuar, e kanë shkatërruar vetëm për interesat e veta këtë forcë politike. Unë nuk kuptoj si kan guxim e shikojnë në sy demokratët e ndershëm dhe nuk kthejnë kokën pas për pafytyrësitë e tyre, nuk shikojnë të tashmen që çfar s’kanë punuar dhe vazhdojnë të mendojnë se janë ata shpëtimtarët. Sa të paturpshëm me retorikën nihiliste që duan të mohojnë gjithçka të punës tonë në këto 11 vite dhe të ngrenë në piedestal domozdoshmërinë e tyre, se pa ta sbëhet asgjë . Po të njëjtët aktorë dolën e shanë me libër shtëpie rithemelimit, Sali Berishën dhe tani viktimizohen, kush të dalë më i persekutuar nga Basha dhe vrap e shtrihu poshtë ballkonit. Çfar ka ndryshuar për ta, apo po përdorin viktimizimin për kamuflazh që të riciklohen, të rrethrrotullohen tek rrugica dhe si përfundim asgjë për antarësinë, militantët, intelektualët e shumë qytetarë që votuan djathtas.

Të gjithë bashkë të ndalojmë të keqen me idenë e qartë se nuk pritet pema por pastrohen boçet dhe vemjet që janë ngulitur në trung. Askush nga ju shërbëtorët e Edver,Sali,Metës nuk do mundeni të zeroni kontributin e demokratëve në këto 11 vite opozitë dhe 34 vite punë se do përballen me zemërimin e gjithësecilit prej nesh. Edhe tani që po shkruaj po dëgjoj një langaraq që thotë se Basha ka 11 vjet dhe nuk na solli në pushtet por nuk thotë se ai dhe 47 si ai që janë sot në parlament kanë qënë lëpirësit dhe shpifësit më të mëdhenj tek zyra e bashës dhe analogia zyra e berishës. Ptuu farë e keqe…

Do e marrim fatin në duart tona dhe boll me besim të verbër për dogmatikët e degëzimeve të Ramiz Alisë.

Së bashku të shpëtojmë Shqipërinë!

“PD është copëtuar mizorisht”/ Pampuri: Shqiptarët nuk votojnë figura të ricikluara, Basha s’është braktisur nga ndërkombëtarët

Deputetja demokrate Oriola Pampuri, e ftuar në rubrikën Opionin në News 24 tha se PD sot është copëtuar në mënyrë mizore. Pampuri theksoi se shqiptarët nuk mund të votojnë më figura të ricikluara. Ajo shtoi se Lulzim Basha nuk është braktisur nga ndërkombëtarët.

“Shqiptarët nuk duhet të votojnë për të njëjtat figura. Ka ardhur koha që shqiptarët të kuptojnë rëndësinë e votës. Unë nuk kam marrë vendim të jem në grupin e z Basha, por në një grup, që mbështet aleatët tanë strategjikë. Unë nuk mund ta mendoj që të mbështesë individë, që nuk mbështesin SHBA, Britaninë e Madhe. Unë kam dhe karrierë akademike e nuk mund të mbahem mend si person që luajti rol destruktiv. Unë jam dakord që votat e shqiptarëve kanë rëndësi, por jemi vend i vogël, që nuk ia dalim dot pa aleatët tanë të mëdhenj. Basha nuk është braktisur nga ndërkombëtarët, ai ka takuar ambasadorët. Unë iu qëndroj parimeve të mia nga fillimi në fund.

Nuk mund të anatemohet SPAK e SHBA, siç bën pala tjetër. PD është copëtuar në mënyrën më mizore të mundshme, e copëtuar në aq pjesë, sa ç’e do Edi Rama. Kjo punë nuk është çështje numrash. Do isha naive të thosha që do fitojmë. Ne nuk duam të mbijetojmë, por ne duam të fitojmë ndaj Ramës. Për të mbijetuar e duan ata që duan të zgjidhin çështjet personale. Ne vazhdojmë që të luftojmë në gjykatë për të marrë vulën dhe kemi nisur punën në terren për zgjedhjet. Ne duam të kandidojmë figura të pastra, që nuk janë korruptuar”, tha Pampuri.

 

Testi i thjeshtë që zbulon nëse jeni duke pirë mjaftueshëm ujë apo jeni të dehidratuar

Është e vërtetë që është e rëndësishme të bëni shpesh aktivitet fizik dhe të konsumoni një dietë të shëndetshme për t’u plakur në mënyrë optimale.

 

Megjithatë, ka një detaj që shumë njerëz priren ta lënë mënjanë, është konsumi i ujit, diçka sa themelore aq edhe e rëndësishme për të shmangur dehidratimin.

Duke u hidratuar, një person plotëson lëngjet e trupit të humbura përmes djersës, nxjerrjes së ajrit dhe madje duke eliminuar mbeturinat.

Është vlerësuar se, mesatarisht, trupi humbet midis 2 dhe 3 litra në ditë, megjithatë, ka një numër të madh ushqimesh si perimet me gjethe, frutat dhe perimet që, përveç ujit, mund të ndihmojnë në mbajtjen e trupit të hidratuar.

Si mund ta di nëse kam pirë mjaftueshëm ujë apo jam i dehidratuar?

Në përgjithësi, një i rritur mesatarisht duhet të pijë rreth një litër e gjysmë ujë në ditë, si dhe fruta dhe perime, pa lënë pas dore rekomandimet mjekësore të dhëna nga mjeku në raste të caktuara dhe faktorët përcaktues si mosha dhe lloji i aktiviteteve kryhet çdo ditë.

Huffington Post kujton se një nga të dhënat më të dukshme se nuk po pini mjaftueshëm ujë është se urina juaj duket e errët dhe ka një erë të fortë. Por, ekziston një truk tjetër që mund t’ju lejojë të dini nëse jeni të dehidratuar.

Përfshin shtrëngimin e pjesës së pasme të dorës dhe kushtimin e vëmendjes për të parë nëse rrudha që ka ndodhur në lëkurë pas shtrëngimit zhduket menjëherë (nëse kjo ndodh, niveli i hidratimit është i mirë).

Përkundrazi, nëse ajo rrudhë bëhet e dukshme dhe mbetet për më gjatë, mund të merret si një tregues se ndoshta është më mirë të shkoni dhe të pini një gotë ujë.

Pretendojnë se ka lejuar të kryhen rite fetare gjatë një mbledhjeje komisioni, deputetët maqedonas thërrasin kryeparlamentarin në interpelancë

Në agjendën e seancës parlamentare në Maqedoni të Veriut është interpelanca ndaj kryetarit të Parlamentit, Afrim Gashi. Kërkesa për interpelancë u bë nga grupi parlamentar E Majta, dhe sipas njoftimeve, partia opozitare Lidhja Social Demokrate (LSDM) e mbështet atë.

 

Në seancën e 3 shtatorit, interpelancën ndaj Gashit nuk do ta mbështesë VMRO-DPMNE-ja në pushtet dhe partnerët e tjerë të koalicionit qeverisës.

Kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi, tha gjatë një konference për media më 27 gusht se interpelanca ndaj tij nuk ka qëndrueshmëri politike. Ai tha se shpreson që të ketë paraqitje të argumenteve gjatë seancës dhe ai do të respektojë vendimin e deputetëve se si të veprohet për këtë çështje.

Në kërkesën për interpelancë thuhet se Gashi ka vepruar në mënyrë joprofesionale, jokushtetuese dhe ka dëmtuar sekularitetin e shtetit sepse ai ka lejuar që të kryhen rite fetare gjatë një mbledhjeje të një komisioni. Në kërkesë po ashtu përmendet edhe incidenti i 11 gushtit në Aeroportin e Shkupit, ku u përfshi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Gashi po ashtu akuzohet për shkeljen e ligjit për gjuhët, pasi betimin për kryeparlamentar e ka bërë fillimisht në gjuhën shqipe dhe jo maqedonase.

Sa i përket incidentit në Aeroportin e Shkupit, Gashi ka thënë se ai ka ndërhyrë vetëm për të shmangur ndonjë incident diplomatik.

Incidenti ndodhi pasi zyrtarët e Aeroportit të Shkupit, sipas Presidencës së Kosovës, tentuan t’i merrnin telefonin personal presidentes Osmani, gjatë kontrollit në aeroport. Ajo dhe pjesëtarët e sigurimit të saj më pas thirrën në telefon Gashin për ta informuar për incidentin, duke besuar se në këtë rast ishin shkelur praktikat ndërkombëtare. Gashi deklaroi më 27 gusht se ai reagoi pas kësaj telefonate, me qëllim që të shmangte një incident të madh.

Kryeparlamentari Gashi gjatë konferencës tha se pas telefonatës së Osmanit, ai dëshironte që së bashku me sigurimin e tij të shkonte në Aeroport, por nuk mundi për shkak të obligimeve të tjera. Sigurimi i tij shkoi në Aeroport dhe u informua më pas se incidenti ishte zgjidhur. Gashi shtoi se nuk i kishte kërkuar askujt të vepronte në mënyrë të paligjshme.

Çfarë tha Presidenca për incidentin në aeroport?

Presidenca e Kosovës ka akuzuar autoritetet e Maqedonisë së Veriut për shkelje të praktikave ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, duke thënë se, gjatë 1 gushtit, presidentes Vjosa Osmani është tentuar t’i merret telefoni personal nga një pjesëtar i sigurimit të Aeroportit të Shkupit (TAV).

Incidenti ka ndodhur para udhëtimit të planifikuar të Osmanit drejt Sllovenisë, ndërsa Presidenca e Kosovës nuk ka bërë të ditur nëse qëllimi i udhëtimit të saj ka qenë zyrtar apo i natyrës private.

Presidenca kosovare ka thënë se përkundër se i janë bërë të ditura rregullat diplomatike, sigurimi “ka tentuar fizikisht ta shtyjë presidenten, me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën”.

Ky institucion po ashtu ka thënë se ndodhitë e 1 gushtit nuk mund të vlerësohen ndryshe, veçse “një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident”.

Presidenca e Kosovës tha më 2 gusht se në vend se të kërkojë falje, MPB-ja maqedonase “ka arsyetuar në tërësi kërkesën e sigurimit të aeroportit për ta marrë dhe për ta vendosur në skaner telefonin personal të presidentes së Kosovës, i cili përdoret nga kreu i shtetit edhe për komunikime zyrtare për çështje të sigurisë nacionale”.

Pas incidentit, Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut tha se kreu i sigurimit të Gashit dhe dy anëtarë të tjerë të ekipit të tij, nën urdhrat e kryeparlamentarit, shkuan në zonën VIP të Aeroportit dhe u konfrontuan me policët e Aeroportit, pasi kishin insistuar që presidentja Osmani të kalonte pa iu nënshtruar kontrollit të sigurisë. Një departament brenda kësaj ministrie pezulloi nga puna shefin e sigurimit dhe hapi procedurë ndaj dy truprojave të tjerë.

Për shkak të incidentit në Aeroportin e Shkupit, Ministria e Jashtme e Kosovës i nisi një notë proteste Shkupit më 2 gusht, duke kërkuar sqarim të plotë të kësaj ngjarjeje.

Dy ditë më pas, më 5 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi Maqeodninë e Veriut dhe diskutoi me Mickoskin për këtë incident.

Të dy thanë se incidenti nuk ka prekur raportet mes dy shteteve, teksa Kurti tha se po priste raportin e hetimit të kryer nga autoritetet maqedonase./rel