29.5 C
Tirana
E diel, 17 Gusht, 2025

Dyshohet se ishte bashkëpunëtor i shërbimit sekret të Mossad-it, Policia e Stambollit arreston të riun shqiptar në Turqi! Paratë i transferonte nga Kosova përmes…

Liridon Rexhepi, i identifikuar si kreu i rrjetit financiar të Mossad-it në Turqi nga Organizata Kombëtare e Inteligjencës (MIT), u arrestua nga Departamenti i Antiterrorit i Policisë së Istanbulit, raporton Anadolu.

 

Sipas informacionit të marrë nga burimet e sigurisë, Rexhepi ka menaxhuar rrjetin financiar të Mossad-it në Turqi.

Rexhepi, për të cilin është përcaktuar se ka kryer incizime me dron dhe aktivitete operative psikologjike kundër politikanëve palestinezë me udhëzimet e Shërbimit izraelit të inteligjencës, mësohet se ka transferuar para për personelin e terrenit në Turqi që përpilonin informacione lidhur me Sirinë.

MIT ka përcaktuar se të gjitha lëvizjet e Rexhepit, veçanërisht lëvizjet e dyshimta në llogaritë e tij, janë monitoruar dhe ai ka bërë transferta të shumta parash për personelin në terren në Turqi nëpërmjet Western Unionit. Aktivitet e tij janë monitoruar nga 25 gushti kur ai ka hyrë në Turqi.

Si rezultat i punës së koordinuar midis MIT-it dhe Departamentit të Antiterrorit të Policisë së Istanbulit, Rexhepi është ndaluar më 30 gusht. Rexhepi në deklaratën e tij në polici pranoi se ka transferuar para, ndërsa me urdhër të gjykatës u arrestua.

– Deshifrohet rrjeti financiar i Mossad-it

Si rezultat i operacioneve të MIT-it, është përcaktuar se Mossad-i, për personelin e tij në terren në Türkiye ka transferuar para nga vendet e Evropës Lindore, veçanërisht nga Kosova.

Si rezultat i monitorimit të parave, u mësua se personeli në terren në Turqi i transferonte paratë që vinin nga Kosova në nënburime në Siri përmes Western Unionit dhe kriptomonedhës.

BËMAT E DREJTORËVE HAJDUTË/ 915 mijë euro fitim në 5 tendera! SPAK: Dyshime se tenderat e Bashkisë Tiranë u fituan nga “5D”-ja

Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion vijon hetimet e thelluara për kompaninë 5 D konstrukson. Mësohet se në sitën e SPAK kanë kaluar 12 tendera të fituara nga kjo shoqëri  nga UKT dhe Bashkia Tiranë. Vetëm në 5 kontrata të firmosura me këtë të fundit, kompania që sipas akuzës është bnë pronësi të 2-ish drejtorëve të Bashkisë Tiranë ka arkëtuar si fitim mbi 915 mijë euro.

Prokuroria e Posaçme po heton 12 tendera të fituara nga shoqëria “5D konstruksion”, fondet e të cilave janë lëvruar nga UKT dhe bashkia Tiranë.

Vetëm në 5 tendera të realizuar nga Bashkia Tiranë, “5D konstruksion”, pronarët faktikë të së cilës, sipas SPAK-ut, janë dy ish-drejtorët e bashkisë së Kryeqyteti, Redi Molla dhe Mariglen Qato, kanë dalë fitim rreth 915 mijë euro.

Në kontratën e parë më objekt rrethrrotullimi i Mulletit deri te ura në fshatin Qeha rezulton se projekti ka qenë në vlerën e afro 189 milionë lekëve.

Kjo kontratë është lidhur mes “VAS konstruksion” me shoqërinë “Sterkaj”, por pas lidhjes së kontratës punimet janë realizuar nga shoqëria “VAS” që e ka ndryshuar emrin në “5D”. Rezulton se kjo shoqëria ka faturuar situacionet e punimeve tek autoriteti kontraktor.

Në këtë mënyrë “5D”-ja ka realizuar fitim nga kontrata publike me vlerën e rreth 65 milionë lekëve.

Kontrata e dytë ka të bëjë me ndërtimin e pedonales dhe korsi biçikletash tek Liqeni i Thatë. Kjo kontratë ka qenë ne vlerën e mbi 58 milionë lekëve.

Pasi shoqëria “5D” e ka fituar këtë kontratë publike nga bashkia Trianë ka bërë punimet dhe më pas i ka faturuar tek autoriteti kontraktor. Fitimi i “5D|-së nga kjo kontratë publike kap vlerën e 8 milionë e 776 mijë lekëve.

Një tjetër kontratë e fituar nga “5D”-ja me autoritet kontraktor Bashkia Tiranë është “Rehabilitimi i Qendrës Kinostudio”, kontratë kjo që kapte vlerën e  345 milionë lekëve.

“5D”-ja ka lidhur marrëveshje me shoqërinë “Bami shpk”, e cila ka realizuar një pjesë të punimeve. Fitimi nga kjo kontratë publike është 16 milionë lekë.

Një tjetër projekt i fituar nga “5D”-ja me autoritet kontraktor “Tirana Parking” është rikonstruksioni i sheshit të parkimit te stadiumi “Selman Stërmasi”. Vlera e përcaktuar ishte 18 milionë lekë.

Kontrata është lidhur nga “Tirana Parking” mes bashkimit të “VAS konstruksion” dhe “Sterkaj shpk”. E fitimi për “5D”-në konstruksion e kalon shifrën e 6 milionë lekëve.

Një tjetër tender i fituar nga “5D”-ja është e rikonstruksioni i  palestrës së mundjes me autoritet kontraktor “Klubi Sportiv Tirana”. Ky projekt kapte vlerën e 3.993.680 lekëve.

Nga raportimet e dorëzuara tek autoritet kontraktore, në këto procedura që dyshohet se janë klienteliste, “5 D Konstruksion” ka fituar në total 91 milionë e 150 mijë lekë./Ora News

Holanda ndalon përdorimin e celularëve në shkolla! Përmirëson raportet sociale, ja efektet pozitive tek nxënësit

Gjatë orës së mësimit telefonat celularë në Holandë janë tashmë tabu. Ndalesa në fillim të vitit 2024 hyri në fuqi në shkollat e nivelit të mesëm dhe të lartë, por tani celularët ndalohen edhe në shkollat fillore.

Në të gjitha shkollat në Holandë nga e hëna (2.09.2024) ndalohet përdorimi i i celularëve gjatë orës së mësimit. Ministria e Kulturës në Hagë vendimin e argumenton, se telefonat mobile u shkëpusin vëmendjen nxënëseve dhe nxënësve, ulin aftësinë e tyre të përqendrimit dhe kanë efekt negativ ndaj rezultateve në mësime.

Telefonat celularë do të lejohen të përdoren në klasë vetëm për qëllime mësimore, si p.sh. për aftësimin e kompetencës mediatike, ose kur nxënësit e kanë të nevojshme përdorimin e celularit për arsye shëndetësore ose për shkak të aftësive të kufizuara. Për zbatimin në praktikë të ndalesës janë përgjegjëse shkollat.

Shkëputja nga celulari përmirëson raportet sociale

Edhe ndalimi i përdorimit të celularit gjatë pushimit mes orëve të mësimit ka efekt pozitiv.

Në shkollat, ku celularët ndalohet të përdoren edhe gjatë kohës së pushimit, është përmirësuar atmosfera, njoftoi radioja holandeze NOS.

“Koha e pushimit në këto shkolla ka nxitur frymën shoqërore, sepse nxënësit bisedojnë më shumë me njeri-tjetrin”, thotë studiuesi Loes Pouwels nga Universiteti Radboud në Nijmegen.

Edhe vende të tjera europiane ndalojnë celularin në klasë

Lidhur me ndalimin e celularëve në shkolla në Holandë është diskutuar ashpër. Disa ministra kulture fillimisht nuk e merrnin në konsideratë ndalimin e celularit në nivel kombëtar dhe po ashtu drejtoritë e shkollave kërkonin që të vendoseshin rregulla lokale, njofton radioja NOS. Fillimisht shumë prindër u angazhuan, që fëmijët e tyre të mos përdornin celularë në shkollat fillore, pikërisht sepse rrjetet sociale krijojnë varësite fëmijët.

Si Holanda edhe Greqia e Italia i kanë ndaluar celularët në klasë, ndersa në Gjermani prej kohësh po diskutohet për një hap të tillë. Organizata OECD bazuar në një studim së fundi këshilloi, që celularët të përdoren me përgjegjshmëri në orët e mësimit./DW

“Më digjet zemra kur shoh armiqtë të punojnë kundër Shqipërisë”- Intervista e fundit e “babait” të Pavarësisë! Ç’deklaroi Ismail Bej Vlora për gazetën spanjolle

EVARIST BEQIRI/ “Nuk mundem t’u them se si më digjet zemra kur shoh gjithë armiqtë tanë të punojnë kundër Shqipërisë, e cila po rri me gojë mbyllur, është e tepër t’u them se si jam gati të jap edhe shpirtin që më ka mbetur për Shqipërinë”.

– Ismail Qemal bej Vlora

 

Gazeta spanjolle “El Dia” në Madrid, më 9 tetor 1918, ka botuar një intervistë me Ismail Qemal Vlorën. Ajo është realizuar nga gazetari spanjoll me pseudonimin “Hispanus” dhe është intervista e fundit e Ismail Qemalit për mediat ndërkombëtare. Intervista është zhvilluar përgjatë periudhës kur ai jetoi në Spanjë dhe publikohet për herë të parë në Shqipëri. Vetëm pak muaj më pas Ismail Qemali do të mbyllte sytë në Peruxhia.

Gazetari e përshkruan Ismail Qemalin si njeriun që e shpëtoi Shqipërinë nga katastrofa e përgjithshme në nëntor të vitit 1912, në Vlorë. Ai konsiderohet si një mik i shquar, me sy të vegjël, inteligjent dhe plot shkëlqim. Në këtë intervistë të dhënë gjatë qëndrimit të tij në Spanjë, kur ai po bashkëpunonte më së shumti me shqiptarët e Amerikës, Ismail Qemali flet për vendin e tij legjendar dhe piktoresk. Aty ai përmend vështirësitë me të cilat po përballej vendi, pas copëtimit të padrejtë nga Konferenca e Londrës në vitin 1913. Ismail Qemali shpjegon se shqiptarët janë populli më i vjetër, të cilët shtriheshin në gjithë Ballkanin. Dhe të cilët më vonë për shkak të epidemive dhe luftërave e braktisën pjesën lindore të gadishullit dhe u vendosën në bregdetin Adriatik mes maleve.

Sipas tij, Shqipëria që do të rilindë pas Luftës së Parë Botërore, duhet të jetë më e madhe se ajo e vitit 1913. Ajo duhet të ketë brenda saj Pejën, Gjakovën, Prizrenin dhe Ohrin. Kosova, Dibra dhe Epiri duhet t’i përkasin Shqipërisë. Të ardhmen e Shqipërisë, ai e shikon sërish të organizuar nën mbretërimin e një princi evropian.

Kryesore për Ismail Qemalin ishte pasja e një qeveri kombëtare dhe liberale, që t’i përshtatej zakoneve dhe karakterit të popullit shqiptar. Qeveria duhet që të jetë e aftë për të garantuar integritetit territorial dhe lirinë e plotë të vendit. Kërkojmë para së gjithash rilindjen e vendit dhe rikthimin e tij në gjirin e popujve të qytetëruar, – thekson ndër të tjera Ismail Qemali.

Gazetari nënvizon në fund të intervistës se, në sytë e liderit shqiptar shquhet flaka e patriotizmit më të kulluar…

Sensibilizimi i faktorit ndërkombëtar mbi çështjen kombëtare shqiptare, në një moment tejet delikat sikurse ishte zhvillimi i Konferencës së Paqes në Paris, pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, ishte një ndër shtylla kryesore të bashkëpunimit midis Ismail Qemal Vlorës dhe Partisë Politike Kombëtare të shqiptarëve të Amerikës. Ismail Qemal Vlora i shfrytëzoi të gjitha kontaktet diplomatike për mbrojtjen e interesit kombëtar. Deri në ditët e fundit të jetës së tij të jashtëzakonshme, Ismail Qemali punoi me të gjithë forcën e shpirtit të tij fisnik për çështjen shqiptare…

Pas qëndrimit për disa vite në Francë, në maj 1918, Ismail Qemali u nis nga Parisi për në Barcelonë. Në këtë periudhë, qeveria italiane nuk e lejonte që të kthehej në Itali ose të shkonte në Zvicër, sepse i ruheshin influencës së tij në komunitetin shqiptar. Kështu që ai u lejua nga francezët që të shkonte në një vend neutral si Spanja. Qëndrimin në Spanjë, Ismail Qemali e shfrytëzoi për të komunikuar më me lehtësi me shqiptarët e Amerikës, nëpërmjet ambasadës së SHBA-ve në Madrid. Kolonia e shqiptarëve të Amerikës e kishte caktuar ndërkohë si përfaqësues në Konferencën e Paqes që pritej të mblidhej në Paris.

Në një artikull të gazetës “Koha”, që botohej në SHBA, më 13 shtator 1917, Ismail Qemali përshkruhej si “plaku dhe burri më i madh i Shqipërisë”. Ai konsiderohej si “më i njohuri në qarqet diplomatike të Europës, më i dëgjuari në Shqipëri dhe më i zoti i gjithë politikanëve shqiptarë.”

“Sot, – vazhdonte artikulli, – Ismail Qemali numërohet një nga më të mëdhenjtë diplomatë të Europës dhe nderohet kudo.”

Ismail Qemali ishte i shqetësuar për fatin e Shqipërisë pas përfundimit të luftës dhe u bënte thirrje shqiptarëve për bashkim. Ai hartoi edhe një program të gjerë politik për t’i bërë jehonë problemit kryesor që lidhej me sigurimin e tërë bërë jehonë problemit kryesor që lidhej me sigurimin e tërësisë territoriale dhe të pavarësisë kombëtare shqiptare.

Në korrespondencën e pasur që ai ka me atdhetarët shqiptarë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara, Ismail Qemali flet për rrezikun e copëtimit që i kanoset Shqipërisë. Si një lider përbashkues, ai flet për punën që duhet bërë me qëllim bashkimin e faktorit shqiptar dhe mbrojtjen e të drejtave kombëtare pranë Konferencës së Paqes në Paris.

Nga Parisi në një letër të 10 marsit 1918, Ismail Qemali kërkonte që ata të linin mënjanë zemërimin dhe mosmarrëveshjet: “Mjerisht neve që kemi atë më të madhen detyrë e dëftejmë atë më të madhe lidhje, përkundrazi jemi të përçarë dhe të kundërshtuar njeri me tjetrin për zemërime vetiake, të cilët as në kohët e shtruara s’lipsej t’i kishim se nuk do të na nderonin aspak. Kjo më bën të helmohem, po me gjithë, ka shpresë se rreziku i madh në të cilin ndodhet atdheu, rrezik i cili na bën të dridhemi, do të japi fuqi në patriotët e vërtetë, kështu që gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke pasur ndër mend shpëtimin e Shqipërisë, do të dëgjojnë këtë porosi.”

Nga Madridi, ku ai ishte duke punuar për çështjen shqiptare në qarqet diplomatike spanjolle, Ismail Qemali, i shkruan Mihal Gramenos. Në letër ai kërkonte sërish bashkimin e gjithë shqiptarëve kudo që ata gjendeshin, me qëllim rimëkëmbjen e Shqipërisë. Ismail Qemali e shikonte veten e tij si një shërbëtor të kombit shqiptar, dhe i tillë ai mbeti deri në ditët e fundit të jetës së tij. Ai i shkruante në frëngjisht dhe e sqaronte se letrën po e dërgonte nëpërmjet korrierit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Spanjë, për të qenë më i sigurt dhe më i shpejtë. Dhe i thoshte se edhe ata mund të vepronin po ashtu, duke ia dërguar letrat ambasadës amerikane në Madrid.

Në një tjetër letër dërguar patriotes Sevasti Qirazi nga Madridi, më 17 nëntor të vitit 1918, Ismail Qemali thotë se: “Sot është dita e fundit për Shqipërinë do të ngjallmë a do të vdesmë.”. Ai kërkonte që shqiptarët të gjendeshin të përgatitur për ta mbrojtur me këmbëngulje dhe argumente bindëse çështjen shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris.

Ismail Qemali është i gatshëm për të kryesuar shqiptarët edhe në këtë sfidë vendimtare për fatin e kombit”. “Po e dini, – thotë Ismail Qemali, – që mungimi për të mbrojtur të drejtat tona do të jetë vdekje për gjithmonë. Lipset të fitojmë me ça do mënyre Kosovën, Manastirin, Janinën me gjithë Çamërinë. U lutem gjithë atdhetarëve të mos flenë, të mos kursejnë as gjësendi për shpëtimin e Shqipërisë nga duart e armikut.”

Më 20 dhjetor 1918, Ismail Qemali vjen nga Barcelona në Xhenova dhe niset drejt Peruxhias, për të koordinuar me qeverinë italiane strategjinë e mbrojtjes së çështjes shqiptare në Konferencën e Parisit. Në Peruxhia, ai do të gjendej i izoluar dhe aty do të mbyllte sytë me brengën e madhe për të ardhmen e Shqipërisë… Por fjalët e tij të shkruara në një letër të 10 marsit 1918, tingëllojnë profetike: “Pa tërësinë tokësore të Shqipërisë, Gadishulli i Ballkanit nuk do të jetë kurrë i qetë…”

Interesant është fakti që edhe “Kujtimet” e Ismail Qemalit, u botuan pas vdekjes së tij në vitin 1920, në Londër, me këmbënguljen e dy gazetarëve të njohur amerikanë Somerville Story dhe William Morton Fullerton. Madje ky i fundit shkroi edhe parathënien.

Publicisti amerikan William Morton Fullerton, shkruan se Ismail Qemali “ishte politikan mendjemprehtë dhe kurrë nuk qe cinik. Ai kishte syrin kureshtar për të parë larg, nga ku ‘kthehej’ me fare pak iluzione.”.

Fullerton dëshmon edhe admirimin që Ismail Qemali kishte për Amerikën: “Mbaj mend kënaqësinë e Ismail Qemalit, kur në shkurt të vitit 1918 më tregoi një pergamenë të hollë, të dërguar nga një asamble e ‘Partisë Kombëtare të Shqipërisë’, që ishte bërë dy muaj më parë në Uorçester të Masaçusets”.

Me anë të saj atij i jepeshin kredencialet për të përfaqësuar koloninë shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me mandatin për ‘të siguruar dhe garantuar pavarësinë politike dhe ekonomike të Shqipërisë’. Ismail Qemali ngarkohej për të realizuar ndryshimet e nevojshme të kufijve shqiptarë, me qëllim që të futeshin brenda kufijve ato toka dhe krahina të banuara krejtësisht nga shqiptarët dhe që Konferenca e Ambasadorëve të Londrës i kishte shkëputur më 1912 dhe 1913, në mospërfillje dhe padrejtësisht, duke ia dorëzuar Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi.

Shumë domethënës është edhe një artikull me titullin “Ismail Qemali N’Amerikë” i shkruar një vit para Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Shkrimi mban datën 9 nëntor 1911, dhe është publikuar në Boston, nga gazeta më e vjetër shqiptare “Dielli”, e cila botohej nga diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas shkrimit Ismail Qemali pritej të bënte një vizitë në Amerikë. Artikulli përshkruan personalitetin dhe autoritetin e Ismail Qemalit, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ai bën një përmbledhje të aktivitetit patriotik dhe karrierës së tij, duke nxjerrë në pah karizmën dhe aftësitë e veçanta komunikuese të Ismail Qemalit. Po sjellim këtu vetëm një pjesë të artikullit, i cili është një nga shkrimet më të bukura për figurën e tij:

“Ardhja e Ismail Qemalit këtu është një gjë mjaft për të vënë re. Është një politikan nga më të mbëdhenjtë edhe një diplomat nga të paktit që ka Turqia, po edhe i vetëmi Shqipëtar që e di dhe e njeh thellësisht çështjen shqiptare, s’ka fjalë. Shqiptarët mund të gjejnë në Ismail Qemalin të vetëmin shtyllë dhe udhëheqës të Kombit, porsa që ka vërtet qëllim edhe dëshirë të përpiqet kthiellësisht e të bënjë çeç për kombin t’onë.

Në kohë të Sulltan Hamidit u ndoth i vetëmi politikan që s’e shtiu dot në dorë Sulltani ta dërgonte atje ku dërgoj të tjerët, po i shpëtoj nga duartë ditë më drekë, dyke u mbrojtur nga ambasadori i Englisë në Stamboll.

Në Vlorë quhet Perëndi, në Berat Spriha Politikane, [shpirti i politikës], në Shqipëri i vetëmi diplomat, në Greqi o ijetis ton Alvanon qe opadhos tis Ellino-Alvaniqis simprakseos. [i vetmi udhëheqës shqiptar, kundërshtar i marrëveshjes shqiptaro-greke] në Europë, The Albania leader Qemal Bey, [Udhëheqësi shqiptar Qemal Beu] në Stamboll, dilqi [dhelpër], etj…

Mase s’është pritur kurrë Shqiptarë në Shqipëri si u prit Ismail Qemali në Vlorë. Vlonjakët zbërthenin kuajtë e qeres tij dyke mbërthyer këta vetë në vënt të kuajve, edhe dyke hequr t’adhuruarin e tyre në Vlorë me dandana e bujë që edhe Sulltan Selimi III po të kish ardhur nukë do t’i bëheshin këto! Për të parën herë pamë në Vlorë njeriun logjik e mëndarak të vinjë në shkallë të kafshës që të nderonjë një njeri të shënuar. Po tham edhe të kishin të drejtë Vlonjakët, se për ata s’ish njeri i shënuar, por Perëndi.”.

Ismail Qemali ushqente shpresa të mëdha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta përkrahnin çështjen shqiptare. Deklarata e presidentit amerikan Uilson se nuk do të njihte traktatet e fshehta, si ai i Londrës, më 26 prill 1915, i cili e zhdukte Shqipërinë nga harta e Evropës, ishte shpresëdhënëse. Njëkohësisht Shpallja e Programit të Paqes nga Presidenti Uilson, më 8 janar 1918, e mbushi me shpresë Ismail Qemalin se qeveria amerikane do t’i shihte “me mirëdashje kërkimet e shqiptarëve, të cilat hynin në kufirin e programit të paqes së zotit Uilson”. Veçanërisht, Ismail Qemali kërkonte t’i tërhiqte vëmendjen qeverisë amerikane duke kundërshtuar pikën 11 të këtij programi, në të cilën kërkohej rivendosja e të drejtave të vendeve të Ballkanit, por nuk përmendej shprehimisht Shqipëria, të drejtat e së cilës ishin dhunuar brutalisht nga dy blloqet ndërluftuese.

Ismail Qemali në raportin që i dërgoi “Partisë Politike”, shprehej se fusha më e pëlqyer për zgjidhjen e çështjes shqiptare do të ishin Shtetet e Bashkuara. Deklarata e Presidentit Uilson “për pavarësinë politike, e tërësinë tokësore njëlloj, si për shtetet e mëdha ashtu edhe për shtetet e vogla”, si dhe mospasja e synimeve territoriale të drejtpërdrejta të Shteteve të Bashkuara ndaj Shqipërisë ishin dy nga faktorët kryesorë që i mbushnin me shpresë shqiptarët. Dhe këto shpresa do të ktheheshin në realitet në mbrojtjen që presidenti Uilson i bëri çështjes shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris.

Me intuitën e tij të mprehtë politike, Ismail Qemal Vlora ishte ndër të parët që e kuptoi se në skenën botërore kishte hyrë tashmë një fuqi e re, tek e cila shqiptarët mund të gjenin mbështetjen e munguar dhe të shumëdëshiruar. Vizioni i tij do të bëhej realitet pas afro njëqind vitesh, në lidhjen e partneritetit strategjik më të madh që kombi shqiptar ka njohur ndonjëherë dhe në themelimin e shtetit të dytë shqiptar mu në zemër të Evropës…

Përkeqësohet cilësia e ujit në plazhe, nga Jugu në Veri, ja pikat me ndotjen më të lartë

Monitorimi i ujërave të detit në plazhet e vendit ka nxjerrë në pah përkeqësimin e gjendjes në shumicën e tyre.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit, në raportin vjetor të publikuar pak ditë më parë, ka renditur më shumë plazhe që janë përkeqësuar në cilësi të ujit sesa plazhe që janë përmirësuar. Nga Jugu në Veri, numri i plazheve me cilësi të shkëlqyer të ujërave ka ardhur në ulje.

Sipas të dhënave, numri i stacioneve të kategorisë A – Cilësisë shumë të mirë, për plazhet e monitoruara për vitin 2023 është më i ulët në krahasim me vitet 2016, 2017, 2018, 2019, 2020, 2021 dhe 2022.

“Numri i stacioneve të kategorisë B – Cilësisë së mirë – për vitin 2023 është më i lartë në krahasim me vitet 2016, 2017, 2018, 2019, 2020, 2021 dhe 2022.

Numri i stacioneve të kategorisë C – Cilësisë së mjaftueshme për vitin 2023 është më i lartë në krahasim me vitet 2016, 2017, 2018, 2019, 2020, 2021 dhe 2022.

Numri stacioneve të kategorisë D – Cilësisë së keqe për vitin 2023 është më i lartë në krahasim me vitet 2016, 2017, 2018, 2019, 2020, 2021 dhe 2022”, thuhet në raport.

I njëjti raport nënvizon se Faktori kryesor i ndotjes së ujërave bregdetarë të larjes mbeten shkarkimet e ujërave urbane të patrajtuara në ujërat pritëse bregdetare në mënyrë direkte dhe indirekte, të cilat shkaktojnë ndotje të këtyre ujërave.

Por cilat janë plazhet dhe gjetjet e raportit të AKM për to nga Veriu në Jug?

Velipoja

Në plazhin e Velipojës për vitin 2023, numri i stacioneve që i përkasin Kategorisë A- Cilësi e shkëlqyer e ujërave është më i ulët se vitet e mëparshme.

Numri i stacioneve të kategorisë B- Cilësi e mirë e ujërave dhe i kategorisë C- Cilësi e mjaftueshme për vitin 2023 është më i lartë se vitet e kaluara. Pra kemi një tendencë në ulje të cilësisë të ujërave duke kaluar nga cilësi e shkëlqyer në cilësi të mirë.

Shëngjini dhe Tale

Për vitin 2023, rezulton se nuk kemi stacione që i përkasin Kategorisë A- Cilësi e shkëlqyer e ujërave, krahasuar me vitet e mëparshme. Numri stacioneve të kategorisë D- Cilësisë së keqe të ujërave, për vitin 2023 është i lartë.

Për Plazhin Tale në vitin 2023, është rritur numri i stacioneve të Kategorisë B- cilësi e mirë dhe Cilësi e mjaftueshme. Nuk kemi stacione të kategorisë A- cilësi e shkëlqyer. Vlerësohet tendencë në ulje e cilësisë të ujërave krahasuar me vitet e mëparshme, duke kaluar nga cilësi e shkëlqyer në cilësi të mjaftueshme.

Plazhet e Durrësit dhe Gjirit të Lalëzit

Plazhet e Durrësit për vitin 2023, sipas rezultateve bakteriologjike vlerësohen: të kategorisë B Cilësisë së mirë për 7 pika monitorimi, të Kategorisë C- Cilësisë së mjaftueshme për 3 pika monitorimi, dhe të kategorisë D- Cilësisë së keqe për 11 pika monitorimi.

Numri stacioneve të kategorisë B – Cilësia e mirë e ujërave për vitin 2023 është më i lartë në krahasim me 2016, 2017, 2018, 2019, 2020 dhe më i ulët se vitet 2021, 2022.

Numri stacioneve të kategorisë C – Cilësia e mjaftueshme e ujërave, për vitin 2023 është më i ulët se në vitet 2016, 2017, 2019, dhe është më i lartë në krahasim me 2018, 2020, 2021, 2022. Numri stacioneve të kategorisë D- Cilësia keqe/ Masa të menjëhershme, për vitin 2023 është më i lartë në krahasim me vitet e kaluara.

Për plazhin e Lalzit në periudhën 2020-2022, të gjitha stacionet i përkasin Kategorisë A- Cilësi e shkëlqyer e ujërave, pa ngarkesa mikrobike. Kurse për vitin 2023 kemi uljen e numrit të stacioneve të kategorisë A- Cilësi e shkëlqyer dhe rritjen e stacioneve të kategorisë B- Cilësi e mirë.

Plazhi i Kavajës (Golem)

Numri stacioneve të kategorisë D- Cilësia keqe/ Masa të menjëhershme, për vitin 2023 është më i lartë në krahasim me vitet e mëparshme. Vihet re tendencë në ulje e cilësisë të ujërave duke kaluar nga cilësi e shkëlqyer dhe e mirë (2022) në cilësi të mirë dhe të keqe (2023).

Plazhi i Qerretit

Shihet një përkeqësim i cilësisë të ujërave krahasuar me vitet e mëparshme, duke kaluar nga cilësi e shkëlqyer në cilësi të keqe.

Plazhi i Spillesë

Gjatë vitit 2023 vihet re një ulje e cilësisë. Ujërat janë të kategorisë D- Cilësi e keqe/ Masa të menjëhershme në krahasim me vitin 2022, ku plazhet ishin të kategorisë A- Cilësi e shkëlqyer e ujërave.

Plazhet e Semanit dhe i Divjakës

Për vitin 2023 ka një ulje të kategorisë A-cilësi e shkëlqyer të ujërave, në krahasim me tre vitet 2020, 2021, 2022 ku të gjitha pikat e monitorimit të analizuara, vlerësohen të Kategorisë A Cilësi e shkëlqyer e ujërave.

Plazhet e Divjakës gjatë vitit 2023 rezultojnë të kenë ulje e cilësisë së ujërave në krahasim me vitet e mëparshme, të cilat i përkisnin kategorisë A Cilësi e shkëlqyer në të gjitha stacionet e monitorimit.

Plazhet e Zvërnecit, Vlorës dhe Orikumi

Në Zvërnec kemi një përmirësim të dukshëm të cilësisë gjatë viteve 2022-2023, ku të gjitha stacionet janë të kategorisë A- Cilësi e shkëlqyer e ujërave krahasuar me vitin 2021.

Për vitin 2023, kemi tendencë në ulje të stacioneve që i përkasin kategorisë A – Cilësi e shkëlqyer. Numri i stacioneve të kategorisë C- Cilësisë së mjaftueshme të ujërave dhe i kategorisë D Cilësisë së keqe të ujërave, ka tendencë në rritje krahasuar me vitin 2022. Kjo tregon përkeqësim të cilësisë të ujërave.

Plazhet e Palasës, Drimadhes, Dhërmiut, Jalit, Livadhes,

Plazhi i Palasës për periudhën 2020-2023 ka cilësi të shkëlqyer të ujërave. Të gjitha stacionet i përkasin kategorisë ACilësi e shkëlqyer e ujërave.

Për plazhin e Dhërmiut për vitin 2023, numri i stacioneve që i përket kategorisë A- Cilësi e shkëlqyer e ujërave është më të ulët se në vitet e kaluara. Numri i stacioneve të kategorisë B- Cilësi e mirë, (33.3%) është më të lartë se vitet e kaluara.

Plazhet e Jalit, gjatë periudhës 2020 – 2023, i përkasin kategorisë A Cilësi e shkëlqyer e ujërave.

Plazhet e Livadhes përgjatë periudhës së monitorimit 2021-2023, i përkasin Kategorisë A- Cilësi e shkëlqyer. Ujërat janë pa ngarkesa mikrobiale.

Plazhi i Qeparoit

Për vitin 2023 nuk kemi stacione që i përkasin kategorisë A Cilësi e shkëlqyer e ujërave. Kjo tregon një tendencë në ulje të cilësisë të ujërave duke kaluar nga cilësi e shkëlqyer (2020- 2022) në cilësi të mirë(2023).

Plazhi i Borshit

Për plazhin e Borshit për vitin 2022 dhe 2023, cilësia e ujërave i përket kategorisë A-Cilësi e shkëlqyer 100%, pa ngarkesa mikrobiale në krahasim me vitin 2021, ku 33% e stacioneve i përkisnin cilësisë të mirë.

Plazhi i Lukovës

Për periudhën 2020-2023, vlerësohet se Plazhi i Lukovës i përket kategorisë A- Cilësi e shkëlqyer e ujërave.

Plazhi i Sarandës

Për vitin 2023 kemi rritje të stacioneve që i përkasin kategorisë A -Cilësi e shkëlqyer krahasuar me 2022. Numri i stacioneve të kategorisë D – Cilësi e keqe/Masa të menjëhershme, për vitin 2023 janë më të ulëta krahasuar me vitin 2022.

Numri i stacioneve të kategorisë B- Cilësisë së mirë të ujerave janë më të larta krahasuar me periudhën 2016-2020 dhe më të ulëta krahasuar me vitet 2021 dhe 2022. Kemi një tendencë në ulje të cilësisë së ujërave për tre vitet e fundit (2021-2023) krahasuar me vitet e mëparshme.

Plazhi i Ksamilit

Për vitin 2023, ujërat e kategorisë A – Cilësi e shkëlqyer janë në ulje krahasuar me periudhën 2020 – 2022. Nuk kemi stacione të kategorisë D – Cilësi e keqe/Masa të menjëhershme, për vitin 2023.

Kjo tregon përmirësim të situatës krahasuar me 2022 ku 33% e stacioneve i përkisnin kësaj kategorie./N.Maho

 


Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor,

DETAJE/ Kastriot Elezaj ishte shënjestra e atentatit në Don Bosko, plumbat kapën dhe kamarierin e lokalit! Zbardhet e shkuara e errët e 45-vjeçarit

Kastriot Elezaj 45 vjeç mësohet se është shënjestra e atentatit në Don Bosko, ngjarje që ndodhi sot (3 gusht) në Tiranë. 

 

Mësohet se personi i dytë i plagosur, 22-vjeçarin Ronaldo Metushi e kanë kapur plumbat aksidentalisht, pasi ka qenë kamarier në lokalin ku ka ndodhur ngjarja.

Burime bëjnë me dije se 45-vjeçari është një emër i njohur për policinë. Ai ka qenë i dënuar për trafik narkotikësh në Itali. Vetëm pak muaj ka që ka ardhur në Shqipëri, pasi ka qenë ekstraduar në Itali. Pasi ka mbaruar dënimin është rikthyer në Shqipëri.

NGJARJA

Dy personat që mbetën të plagosur më armë zjarri pranë OSHEE në Don Bosko, u qëlluan nga një person, i cili u shfaq në lokalin ku shënjestra Kastriot Elezaj po pinte kafe. Ai ka nxjerrë armën, që dyshohet se ishte e pajisur me silenciator, dhe ka qëlluar në drejtim të tij. Plumbat kapën dhe kamarierin, 22-vjeçarin Ronaldo Metushi.

Pasi i ka qëlluar autori është larguar nga vendngjarja fillimisht me këmbë, pastaj me një motor. Policia ka gjetur një mjet tip Golf 4 të djegur në zonën e Kamzës, e cila dyshohet se i përket autorit.

Ndërkohë, hetimet për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje kanë nisur, ndërsa dy të plagosurit po marrin ndihëm mjekësore në spital.

Mësohet gjithashtu se policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

“Deputeti që duam”: Si po e “freskon” Edi Rama PS me njerëzit e të fortëve

Edi Rama deklaroi në Kongresin e Socialistëve se ka vendosur që të rinovojë grupin parlamentar, nëpërmjet njerëzve që kanë mbështetje në komunitet.

Një formulë e pakuptueshme për një parti si PS që është një armatë politike në kuptimin e vërtetë të fjalës, pasi i ka të gjitha mundësitë për të propozuar e shoshitur kandidatura.

Por Rama, i cili për socialistët e thjeshtë as nuk e ka ‘çarë kokën’ ndonjëherë, po aplikon një tjetër formulë. Për të sjellë në parlament, persona që arrijnë të marrin pëlqime në rrjetet sociale, por që nuk dalin nga komuniteti i anëtarëve dhe simpatizantëve.

Rama tha në kongres që do të afrohen ata kandidatë që gëzojnë përkrahje e mbështetje në rrjetet sociale, dhe të tillë do të jenë në primaret socialiste për kandidimin.

E në fakt kështu ka ndodhur. Jo shumë afër syrit të publikut, po në nëntotën e grupeve të interesit të mazhorancës. Të cilat nuk kanë lidhje direkt me organizatat socialiste. Përkundrazi janë pjesë rivale në politikën e përditshme.

Po të shikosh me kujdes, ka mjaft faqe pranë mazhorancës që kanë nisur një të ashtuquajtur sondazh dhe mendim nga poshtë se kush duhet të jenë krerët e qarqeve të PS-së. Duket si spontane po nuk është e tillë.

Kështu, disa faqe në qarkun Durrës, po sugjerojnë se njeriu më i pëlqyer nga votuesit e mazhorancës është Ergys Agasi. I cili sipas tyre ka fituar garën me pesha të mëdha në PS si zv.kryeministrja Belinda Balluku, kryebashkiakja Emriona Sako, apo edhe kreu i qarkut aktual, Adrian Çela.

“Deputeti që duam”: Si po e “freskon” Edi Rama PS

Agasi, djali i ish-kreut të PS-së së Durrësit, Bardhyl Agasi nuk është njeri i panjohur. Pasi ka punuar si kryeinspektor i Lefter Kokës në vitet e para të fitores së PS-së, ai mori poste të larta, ndërkohë që Arben Ahmetaj, zv.kryeministri i PS-së, e konsideroi atë si një negociator të ‘kokave të krimit’.

Po si ka mundësi që në këto “sondazhe” dalin njerëz që asnjëherë nuk kanë pasur një marrëdhënie direkte me elektoratin, por që janë njohur vetëm nga nëntoka?

Rastësi?

Gjasat janë që nuk ka rastësi këtu, por një vullnet i Edi Ramës për të bërë ndryshimet sipas idesë dhe lidhjeve të tij.

Në Durrës, gjasat janë që Ergys Agasi të marrë në dorë drejtimin e qarkut, pasi konsiderohet si në negociator i grupeve kriminale. Në Shkodër është Tom Doshi, në Elbasan Qifja e në Dibër Ymer Lala, i cili ka futur në sherr deputetët e PS-së, pasi kërkon njeriun e tij si kryetar qarku.

Sot, me dosjet e hapura në SPAK, personazhet e krimit nuk mund të kandidojnë direkt, ashtu edhe fëmijët e tyre siç kemi parë me vajzën e Ymerit apo djalin e Qifes.

Ndaj po orientohet vota tek njerëzit qe Babloku do dhe jo baza do. Nuk është rastësi që vjen si risi Bardhyl Agasi, që i thotë socialistëve që është djali i Bardhit dhe kriminelëve që është Gysi juaj. Është një sistem që po vjen natyrshëm, i cili pas një jave do të “ndryshojë” PS-në por që në realitet nuk ka sjellë asnjë ndryshim. Madje ka provokuar një zhvillim më regresiv, lidhjet me botën e krimit./Pamfleti

Politika e Mbreti Zog për krijimin e elitës kosovare : Panik në legatën jugosllave

Nga dr. Hasan Bello

Në arkiva gjendet një sasi e madhe dokumentacioni që konfirmon kujdesin e shtetit shqiptar dhe personalisht të Mbretit Zog lidhur me Kosovën.

Mbreti ishte i bindur se krahas aksionit politik dhe diplomatik për të penguar shpërnguljen e popullsisë shqiptare të Kosovës, ishte e rëndësishme që të formohej një elitë kosovare. Për këtë arsye, ai do të zbatojë një strategji perfekte, e cila synonte arsimimin e të rinjve kosovarë në shkollat dhe gjimnazet shqiptare, në kurset dy-tre vjeçare të xhandarmërisë dhe ushtrisë shqiptare. Por shumë prej këtyre studentëve, ai do t`i dërgoi me bursë shtetërore në universitetet e Italisë, Austrisë dhe Francës.

Për ta ilustruar po marim shembullin e albanologut dhe gjuhëtarit të njohur Prof.Selman Riza, i cili në vitin 1922 do vij në këmbë nga Gjakova në Tiranë për tu shkolluar. Pas mbarimit të shkollës plotore “Naim Frashëri” me rezultatet të shkëlqyera në vitin 1925, ai do të studioi si bursist në Liceun francez të Korçës. Në vitin 1932 ekselentit Selman Riza, Ministria e Arsimit do t`i akordoi një tjetër bursë, për të studiuar në Universitetin e Tuluzës në Francë. Në vitet 1932-1935 ai do të diplomohet në dy fakultete, për gjuhë-letërsi franceze dhe drejtësi. Kalvari dhe kontributi i tij pas vitit 1944 në gjuhësinë shqiptare është kapitull më vete.

Por ashtu si Selman Riza në shkollat e mbretërisë shqiptare do të studiojnë edhe Fadil Hoxha (në Gjimnazin e Shkodrës dhe Normalen e Elbasanit), Emrush Myftari (shkollën ushtarake mbretërore dhe Liceun francez) etj, etj., personalitete nga kosova që më vonë do të bëhen drejtues të rëndësishëm të lëvizjes komuniste dhe institucioneve të ish-Jugosllavisë.

Përpjekjet e Mbretit Zog për të krijuar një elitë intelektuale, ushtarake dhe politike për çështjen e Kosovës legata jugosllave në Tiranë e ndiqte me kujdes të posaçëm. Raportet e saj drejtuar Ministrisë së Jashtme në Beograd ishin të mbushura me informacione shqetësuese. Kështu, në vitin 1931, ajo i raportonte MPJ se “është brengosës kujdesi dhe angazhimi i qeverisë shqiptare ndaj kosovarëve”. Kjo legatë e konsideronte këtë strategji të Mbretit Zog si “hap i parë për krijimin e inteligjencës në radhët e shqiptarëve të Kosovës, të cilët më vonë do të dinë t`i mbrojnë dhe t`i kërkojnë të drejtat e tyre kombëtare”. Prandaj legata në fjalë do t`i propozojë Beogradit të merrte masa për “parandalimin e këtij aksioni të rrezikshëm”.

Për të përgatitur elitën kosovare, me urdhër të Mbretit Zog në qytetet kryesore të Kosovës si në Gjakovë, Prizren, etj u përzgjodhën disa fëmijë që vinin nga familje nacionaliste dhe u kaluan ilegalisht në Shqipëri, për t`iu nënshtruar shkollimit brenda dhe jasht vendit. Për këtë qëllim, në vitin 1935 vetëm nga Gjakova kishin hyrë në Shqipëri 14 fëmijë, të cilët ishin sistemuar në konviktet e shtetit. Sipas legatës jugosllave, deri në këtë moment gjendeshin 1000 nxënës kosovarë që studionin në shkollat e cikleve të ndryshme dhe ato ushtarake të shtetit shqiptar. Këta të fundit, sipas saj, indoktrinoheshin si luftëtarë të zjarrtë të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë dhe kundër Jugosllavisë. Përveç Mbretit Zog, legata jugosllave fajësonte edhe Italinë, e cila, sipas saj, nxiste nacionalizmin dhe irredentizmin shqiptar.

Një aspekt tjetër shqetësues për këtë legatë ishte fakti se Mbreti Zog kishte emëruar si oficerë për mbrojtjen e kufirit me Jugosllavinë elementë të ardhur nga Peja, Gjakova, Prishtina, Ferizaj, Kaçaniku etj. Kjo ishte një zgjidhje perfekte, duke njohur patriotizmin dhe besnikërinë e kosovarëve, për të mbrojtur Shqipërinë nga Jugosllavia.

Ajo i sugjeronte Beogradit të pengonte me çdo kusht politikën e Mbretit Zog për shkollimin e kosovarëve në universitet europiane. Ndërsa MPJ në Beograd akuzonte legatën dhe konsullatën shqiptare në Shkup për përhapjen e librit shqip në Kosovë.

Reshje shiu, breshër e stuhi në Bilisht, probleme në qarkullimin e mjeteve

Reshje të shumta shiu shoqëruar me stuhi dhe breshër kanë rënë në qytetin e Bilishtit.

Reshjet kanë qenë aq të dendura sa kanë shkaktuar probleme me qarkullimin e mjeteve në rrugët e këtij qyteti për shkak të mbushjes së pusetave të ujërave të zeza.

Reshjet janë shoqëruar me breshër në qytet, por edhe fshatrat e kësaj bashkie, ku pritet të ketë dëme kryesisht në mollë.

Shqiptarë, ne u kthyem! Teatri në Kuvend dhe pazari në hije do vazhdojë!

Nga Gjergji Nika

Parlamenti i ri nisi punimet në sesionin e shtatorit. Sipas Kushtetutës, Kuvendi i Shqipërisë kontrollon qeverinë, por faktikisht Kuvendi i sotëm kontrollohet nga qeveria. Dhe jo vetëm mazhoranca. Edhe opozita, e cila është në një gjendje mjerane, e copëtuar, e përçarë, pa vizion e perspektivë.

Kuvendi normalisht duhet të reflektonte pluralizëm konstruktiv dhe qasje alternative, por opozita ka tre vjet e do të bëhen katër që investon kundër vetes dhe ndjehet komode si shtojcë e mazhorancës, duke votuar haptazi projektligje që mbrojnë korrupsionin dhe sulmojnë Drejtësinë!

Kuvendi duhet të miratonte reforma dhe të përfaqësonte interesat qytetare, por u bë kohë që në agjendë nuk ka asnjë reformë dhe qytetarët ndjehen të papërfaqësuar. Në kohë krize ekonomike, emigrimi masiv të rinisë dhe zhgënjimeve në rritje; në kohë kur forcat politike përgatiten për zgjedhjet e ardhshme në prill apo në maj Kuvendi merret me vogëlsira, sidomos kur Kryetarja e re e Kuvendit miraton çdo hakmarrje të kryetarit të grupit të Rithemelimit ndaj kolegëve të tij të dikurshëm; zhvendosjen e vendeve në karriget e Kuvendit dhe largimin nga Komisionet.

Kjo i ngjan asaj shprehjes, të cilën e kam përdorur në titull: “Shqiptarë, ne u kthyem! Teatri në Kuvend dhe pazari në hije do vazhdojnë!”

Dhe shqiptarët do të shohin çdo ditë, çdo natë, në TV e çdo seancë në Kuvend, një mazhorancë pa program të mirëfilltë politik, por me ide e synime të qarta ekonomike dhe një opozitë “zyrtare” pa busull, pa kauza, pa program, në luftë me veten, që për hallin personal të Berishës i fal në tryezë mandatin e katërt Ramës; një opozitë, që bën sikur zihet në Kuvend, por që bën pazare për kulla me mazhorancën; një opozitë, që të vetmen kauzë ka “lirimin e kryetarit”; një opozitë, që për hir të emrave të disave në listat e sigurta në zgjedhjet e ardhshme, kanë shkelur çdo moral, çdo parim, tallen me shqiptarët dhe nëpërkëmbin votën e lirë, ruajnë establishmentin 34 vjeçar, pengojnë të ardhmen europiane të Shqipërisë e shqiptarëve dhe na mbajnë peng në qerthullin e tranzicionit të tejzgjatur, teksa karrige përmbysësit e flakadanëhedhësit i qeshin e i shkelin syrin njëri- tjetrit, kur s’ka kamera…

Dhe presin që shqiptarët t’i votojnë përsëri.
Të votojnë PS me gjysmën e zyrtarëve të lartë të saj në burg, nën hetim apo në arrati.

Të votojnë të rithemeluarit, të cilët janë peng i Njëshit, që paradite është me SPAK e pasdite poshtë ballkonit kundër SPAK, që në Kuvend mbron e kërkon drejtësi, por voton lirimin e të korruptuarve. Pra presin që shqiptarët të votojnë ata që kanë zgjedhur karrierën në shkëmbim të heshtjes, duke braktisur interesin publik dhe nevojën për politikë të pastër.

Të votojnë cilët nga opozita? Ata që akuzojnë kolegët e tyre si të shitur, por që haptazi e kanë shitur veten, votën, moralin, nderin? Të votojnë ata që “akuzojnë” Ramën se e la vendin pa opozitë, kur opozitën e vranë vetë ata?

Të votojnë cilët? Deputetët e PD-së, të cilët në 18 dhjetor 2021 i thanë demokratëve të “Zgjedhim të Ardhmen”, ndërsa sot e quajnë mandatin “personal” dhe bëjnë çfarë të duan me të, ta çojnë andej e këtej, që punë s’bëjnë hiç. Të votojnë këta që as duan t’ia dinë fare, as skuqen e as zverdhen por veç përdridhen…

Të votojnë ata që si kolegët e tyre berishistë, paralajmërojnë parti antiberishiste, duke e faktorizuar më shumë “të burgosurin politik”, që ka më shumë liri, se kushdo tjetër, të cilit i kanë dalë kundër dhe “kolegët e tyre”, që i heqin nga komisionet e vendet në Kuvend, se ashtu duan?

Të votojnë cilët? Të njëjtat fytyra që kanë 30 vjet deputetë?

Jo!
Shumë mirë do bëjnë qytetarët mos i votojnë më, në majë të hundës ua kanë sjellë me pallavrat e tyre dhe dëmin e madh.

Shumë mirë do të bëjnë të mos i votojnë më, sepse meritojnë më shumë. Shumë mirë do të bëjnë të mos i votojnë më, sepse po i votuan do të bëjmë hapa pas. Dhe shqiptarët do të paguajnë edhe për shumë vite vonesën historike; do të paguajnë edhe për shumë vite deficitin në kulturën politike dhe kostot e larta të dështimeve të elitës politike të tranzicionit, e cila vijon të mbaj peng pa ide dhe pa vizion, nevojat, prioritetet dhe sfidat thelbësore të shtetit dhe të shoqërisë.

Të mos votojnë më modelin e deformuar të deputetit që nuk prodhon politikë dhe nuk e kupton atë; të mos votojnë më deputetin militant e të nënshtruar ndaj kryetarit!

Të mos votojmë që deputetët nën hetim të marrin në pyetje hetuesin, SPAK-un? Të mos votojmë korrupsionin politik dhe llogaridhënien!

Të mos e votojnë më këtë klasë politike, që konsumon pushtet, nuk udhëheq e as përfaqëson; këtë sistem politik, që refuzon ndryshimin dhe ushqen oligarkët; këto parti politike, në të cilat nuk votohet, nuk diskutohet dhe as lejohet mendim ndryshe; me një elitë politike që vegjeton, riciklon veten dhe mban peng vendin pa ide e aftësi transformuese.