22.5 C
Tirana
E diel, 17 Gusht, 2025

Zëri i Amerikës: Akti normativ mbi dypunësimin e mjekëve në Shqipëri ngre diskutime

Në Shqipëri disa ndryshime në “Ligjin për urdhrin e mjekëve”, kanë nxitur një debat të gjerë në radhët e personelit shëndetësor në vend. Ato u ndërmorën nga autoritetet zyrtare, pas hetimeve të prokurorisë, mbi një skemë abuzimi me pacientët, ku ishin përfshirë dhe disa mjekë të spitalit onkologjik në Tiranë, që mendohet se orientonin pacientët drejt klinikave private. Akti normativ i qeverisë synon të krijojë disa balanca të reja, që lidhen kryesisht me dypunësimin e mjekëve në sistemin publik dhe jo publik, duke iu kufizuar atyre orët e punës në strukturat private. Përfaqësues të komunitetit të mjekëve, si dhe të Urdhrit të Mjekëve, kanë rezerva, dhe thonë për Zërin e Amerikës se këto ndryshime nuk janë konsultuar me ta.

Akti normativ i qeverisë për disa ndryshime në “Ligjin për urdhrin e mjekëve”, synon sipas autoriteteve të minimizojë konflikin e interesit në radhët mjekëve. Personelit shëndetësor që punon njëkohësisht në sistemin publik dhe në atë privat, ky akt i kufizon orët e punës deri në 12 orë në javë, në sistemin privat. Pas autonomisë financiare të strukturave shëndetësore publike, mjekëve do t’u ndalohet plotësisht dypunësimi. Mjeku Arben Ivanaj, shef i shërbimit të hematologjisë në QSUNT, i cili ka zgjedhur të punojë vetëm në sistemin publik, është skeptik mbi mënyrën se si janë kryer këto ndryshime, pa marrë më parë mendimin e komunitetit të mjekëve, sic shprehet ai për Zërin e Amerikës.

“Personalisht nuk kam qenë dakort që njerëzit të punojnë në dy sistemet. Por Urdhri i Mjekut është ndër më të mirët. Mendoj se çdo ndërhyrje në këtë proces duhet kuptuar se nuk është një urdhër i ardhur nga hiçi. Ne duhet të diskutojmë para se të merren vendimet. Ndërkohë vendimi është marrë, është vendim politik. Nuk kam çfarë të diskutoj”- u shpreh Arben Ivanaj, shefi i shërbimit të hematologjisë në QSUNT.

Fatmir Brahimaj President i Urdhrit të Mjekëve, një institucion i pavarur, që vendos standarde etike dhe deontologjike, të detyrueshme për çdo mjek si dhe monitoron zbatimin e tyre gjatë ushtrimit të profesionit, shprehet për Zërin e Amerikës, se ndryshimet e fundit në Ligjin për Urdhrin e Mjekëve, e cënojnë pavarësinë e këtij institucioni. Z. Brahimaj kur thotë këtë ka parasysh disa elementë.

“Nga një organizëm edukues kthehet në ndëshkues, nga i pavarur kthehet në një shtojcë të Ministrisë së Shëndetësisë. Kodi i etikës dhe i deontologjisë mjekësore vetëm do të hartohet nga ne, sepse merr ekskluzivitet miratimi nga e Ministria e Shëndetësisë. Po ashtu gjykimi profesional që është një element tjetër i rëndësishëm i cili bazohet në rregulloren e hartuar dhe që ka funksionuar gjithë këto vite, tani struktura e këtij komisioni gjykimi dhe kriteret e tij përcaktohen nga Këshilli i Ministrave. Pra vetëm me këto dy shembuj del qartë që nuk mbetet asnjë element i vetërregullimit dhe i vetëqeverisjes të këtij organizimi profesional”- shprehet Fatmir Brahimaj, President i Urdhrit të Mjekëve.

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, nuk bënë komente të hollësishme për Zërin e Amerikës, rreth pretendimeve të Urdhërit të Mjekëve, por u mjaftuan duke thënë se po kujdesen për qytetarin, pa lënë mënjanë të drejtat e mjekëve.

“Si Urdhri i Mjekëve ashtu dhe Minstria e Shëndetësisë kanë pikërisht atë qëllim të përbashkët, që këto ndryshime ligjore të krijojnë një balancim shumë të mirë midis interesit të mjekut dhe interesit të qytetarit, për ta marrë këtë shërbim në institucionet tona shëndetësore publike”- thotë Entela Ramosaçaj, Zv/Ministre e Shëndetësisë.

Disa prej mjekëve i mbështesin në parim nismat ligjore, që synojnë të vendosin rregulla për dypunësimin e mjekëve, siç është mjeku endokrinolog, në QSUNT, Prof. Florian Toti.

“ Ishte një hap i cili pritej, sepse është krijuar një situatë e përgjithshme që mjekët nuk dije ku t’i kërkoje në shtet apo privat. Personalisht e mbështes nismën e qeverisë për ta ndarë mundësisht plotësisht punën në shtet nga privati.”- pohon për Zërin e Amerikës Florian Toti, Pedagog i endokrinologjisë në Fakultetin e Mjeksisë në UMT.

Por përtej këtij gjykimi të përgjithshëm, Z. Toti, duke analizuar aktin normativ, që limiton orët e punës së mjekëve në sistemin privat, kur ata janë të punësuar dhe në atë publik, vëren disa pika të errëta, siç shprehet ai.

“Në aktin normativ thuhet që një mjek që ka ndjekur një pacient në strukturat publike nuk ka të drejtë ta ndjekë në strukturat private. Por ne deri më sot kemi thënë gjithmonë që është pacienti që zgjedh mjekun, dhe jo e kundërta. A mos duhet të ndryshojmë dhe rregulloren e Urdhrit të Mjekëve në lidhje me këtë çështje? Ndryshimet nuk janë konsultuar me grupet e interesit. Dhe për të mos u ndodhur si në rastin e Ligjit të Arsimit të Lartë, ku aktet nënligjore u miratuan pas disa vitesh, do të dëshiroja që të mos mjaftoheshin vetëm me këtë akt normativ.”- vijoi Prof. Florian Toti mjek endokrinolog, në QSUNT.

Zyrtarët konfirmojnë se mjaft detaje do të qartësohen në vijim me akte nënligjore. Por përfaqësues të komunitetit të mjekëve të shërbimit parësor, ofrojnë qasje tjetër, kur bëhet fjalë për cilësinë e jetës për këtë kategori mjekësh që kanë të ardhura më të ulëta, se ata në strukturat spitalore.

“E dini se çfarë mund të bëjë një mjek me pagën 100 mijë lekë në muaj? Nuk frekuenton dot asnjë konferencë jashtë vendit në vit pasi vetëm kostoja e regjistrimit në një konferencë të tillë për t’u azhornuar me të rejat e fundit të specialitetit të vet është 3 mijë euro. Ky implementim i ri me kufizim orari do devijojë tregun e shërbimit shëndetësor privat. Nuk do deklarohen të gjitha, ndoshta do nxisë dhe evazionin fiskal. Me pak të ardhura për mjekët krijon

terren për korrupsion në strukturat shëndetësore publike”- argumenton Alkerta Ibranji, mjeke alergologe-imunologe Klinike, Poliklinika e specialiteteve Nr.2 Tiranë.

Ekspertët ngrenë shqetësim dhe mbi mënyrën se si do të monitorohen mjekët në strukturat private shëndetësore, nëse punojnë 12 apo më shumë orë në javë, dhe cili do të jetë mekanizmi që e provon këtë. Përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë argumentojnë se për të shmangur praktika të paligjshme është forcuar roli i Inspektoriatit Përgjegjës për Shëndetësinë.

“ Do të ketë patjetër një komision disiplinor dhe një komision apelimi, që do të pranojë kërkesa brenda 10 ditëve. Por nga ana tjetër nëse konstatohen shkelje të etikës dhe deontologjisë mjekësore patjetër që masat do të variojnë nga pezullime të përkohshme të licensave, vërejtja si masa më e lehtë deri në heqje të licensës së mjekut, por dhe gjoba”- vijon Entela Ramosaçaj, Zv/Ministre e Shëndetësisë.

Gjatë dekadës së fundit sistemi privat shëndetësor është zgjeruar e forcuar ndjeshëm. Çdo nisëm ligjore duhet parë me kujdes sugjerojnë njohës të fushës së shëndetësisë, pasi në thelb goditjen e merr i gjithë sistemi shëndetësor.

Ata i rekomandojnë qeverisë të vlerësojë me kujdes një realitet të krijuar më shumë mund nga mjekë që kanë investuar kursimet e jetës së tyre në klinika të vogla dhe të mesme.

“Akti normativ për disa ndryshime në “Ligjin për Urdhrin e Mjekëve” mund të rrezikojë një element tjetër, që mund të sjellë daljen nga skema e ofrimit të shërbimit kujdesit shëndetësor të këtyre klinikave të mesme dhe të vogla dhe fuqizimi më tej i institucioneve të rëndësishme shëndetësore të vendit, që janë të konsoliduara gjatë këtyre 20 viteve dhe deri diku janë dhe në kushte monopoli”- shprehet për Zërin e Amerikës Qamil Dika- Pedagog në Fakultetin e Mjekësisë në UMT.

Përfaqësues të komunitetit të mjekëve kanë vërejtje dhe për parashikimin ligjor që përcakton se leja për një mjek që kërkon të punojë edhe në sektorin privat, jepet nga titullari i institucionit ku ai ushtron profesionin. Ata argumentojnë se kjo mund të nxisë klientelizëm dhe konkurencë të pandershme.

Por një nga shqetësimet më të mëdha të mjekëve dhe të qytetarëve në vend lidhet me cilësinë dhe sasinë e shërbimeve shëndetësore në strukturat publike. Në mjaft raste mangësitë në to, kanë detyruar pacientët t’i drejtohen sistemit privat, kundrejt pagesave të larta, dhe kanë krijuar një klimë armiqësore mes mjekëve dhe pacientëve, siç pranojnë vetë mjekët.

“Mjekët në asnjë mënyrë nuk janë fajtorë. Ata janë viktima dhe pasoja të këtij sistemi të keqpërdorur në 30 vite të tranzicionit të zgjatur shqiptar, por ama nuk mund ta pranoj kurrë që në shtet të mungojnë medikamentet më të rëndësishme dhe jetësore, siç janë ato në rastin e onkologjikut dhe të onkopediatrisë sidomos, ose të mos funksionojnë për vite të tëra pajisje të cilat te privati çuditërisht funksionojnë normalisht. Asnjë strukturë private sado fonde të ketë nuk mund të jetë konkuruese me një spital publik të mirëmenaxhuar”-vijon Prof. Florian Toti, pedagog në UMT.

“ Për mungesat në institucione nuk e kanë fajin mjekët. Për orët e gjata të shërbimit, ku ke sëmundshmëri të rritur nuk e kanë fajin mjekët. Për mungesat në medikamente nuk e kanë fajin mjekët. Kur thua një sistem universal ku mjekësia është falas dhe pacientët vijnë dhe e kuptojnë që nuk është falas, mjekët janë ata që shahen nga pacientët, kur fajin nuk e kanë mjekët. Nëse ka një reformë që duhet të nisë nga diku është “Blindo sistemin publik me të gjitha të dhënat” dhe pastaj kupton nëse ke dhe probleme edhe në punësimin privat, para se të marrësh masat”- vijon Alkerta Ibranji, mjeke alergologe.

Autoritetet zyrtare synojnë që përmes autonomisë menaxheriale të cilën e kanë përfituar, 5 spitale në vend si dhe QSUT, të rrisin performancën e shërbimit shëndetësor publik. Autonomia financiare do të jetë hapi i radhës sipas tyre, në funksion të këtij qëllimi. Por njohës të fushës së shëndetësisë edhe pse e vlerësojnë rritjen me 60-70% të pagave të personelit shëndetësor dhe përmirësimin e shërbimeve për pacientët mendojnë se kjo rrugë do jetë e gjatë dhe me sfida të shumta./ VOA

Fitorja historike e AfD-së në Gjermani, analiza e Politico: Çfarë do të thotë ngritja e së djathtës ekstreme dhe pse Scholz s’mund ta ndalojë?

Partia Alternativa për Gjermaninë (AfD) ka shënuar një fitore mbresëlënëse në zgjedhjet lokale në Turingi, duke marrë gati 33% të votave, mes pakënaqësisë së votuesve me qeverinë e qendrës së majtë të kancelarit Olaf Scholz.

Kjo fitore, e kombinuar me vendin e dytë të AfD-së në Saksoni, ka ngritur shqetësime në Berlin ndërsa Gjermania po shkon drejt zgjedhjeve kombëtare të vitit të ardhshëm, të cilat mund të shënojnë një zhvendosje djathtas. Tronditja në vend është edhe më e madhe, pasi është fitorja e parë e një partie të ekstremit të djathtë që nga viti 1945.

Kancelari Olaf Soltz, teksa ka komentuar rezultatet, tha se “vendi ynë nuk mund dhe nuk duhet të mësohet me këtë. AfD po dëmton Gjermaninë, dobëson ekonominë, ndan shoqërinë dhe shkatërron reputacionin e vendit tonë”.

Politico në analizën e saj rendit pesë pika kyçe se çfarë po ndodh saktësisht në Gjermani, çfarë do të ndodhë më pas dhe çfarë duhet të dimë për zhvillimet.

Rritja e AfD-së vazhdon pavarësisht përpjekjeve për ta ndaluar atë.
Udhëheqësit e partisë centriste të Gjermanisë kanë bërë përpjekje të konsiderueshme për të frenuar ngritjen e AfD-së , duke paralajmëruar votuesit për ekstremizmin e partisë, duke shkuar deri aty sa e cilësojnë atë naziste.

Autoritetet lokale të sigurisë i kanë quajtur degët e partisë në Saksoni dhe Turingi si organizata ekstremiste që synojnë të minojnë demokracinë gjermane. Pavarësisht paralajmërimeve nga politikanët, institucionet dhe gjykatat, AfD vazhdon të fitojë terren, veçanërisht në Gjermaninë lindore, duke nënvizuar mosbesimin në rritje të votuesve ndaj partive dhe institucioneve të qendrës së vendit. Ky fenomen sugjeron se paralajmërimet nga udhëheqësit e qendrës mund të rezultojnë të kundërta, duke i larguar më tej votuesit e AfD.

Partia e re BSË po bëhet një lojtar kyç politik
Një nga fituesit më të mëdhenj të natës ishte partia e majtë populiste BSË (Aleanca Sahra Ëagenknecht), e cila zuri vendin e tretë në të dy shtetet. Partia, e formuar vetëm pak muaj më parë, kombinon qëndrimet tradicionale të krahut të djathtë për emigracionin dhe çështje të tjera sociale me pozicionet kundër luftës, duke bërë thirrje për një fund të menjëhershëm të ndihmës ushtarake gjermane për Ukrainën dhe negociatave me Putinin.

Suksesi i BSË është kryesisht për shkak të faktit se formacionet politike të mbetura janë zotuar të mos krijojnë koalicione me AfD, duke e bërë BSË thelbësore për formimin e qeverive në nivel shtetëror.

Si në Saksoni ashtu edhe në Turingi, BSË me siguri do të luajë një rol të madh në qeveritë e ardhshme.

Votuesit ndëshkojnë sërish koalicionin qeverisës në Berlin
Tre partitë në koalicionin qeverisës – SPD e Solz, të Gjelbrit dhe FDP liberale – pësuan humbje të konsiderueshme në zgjedhjet e së dielës. Në Turingi, të Gjelbrit dhe FDP nuk arritën të kalojnë pragun e 5% dhe humbën përfaqësimin e tyre në parlamentin lokal. SPD, megjithëse pësoi më pak humbje, vazhdoi prirjen e saj rënëse, duke reflektuar zhgënjimin e votuesve me performancën e qeverisë.

Qeveria e Solz-it u përpoq të ndryshonte fatin e saj politik pak para zgjedhjeve duke shpallur masa më të ashpra për imigracionin, duke reflektuar ndikimin e AfD-së në skenën politike. Megjithatë, këto përpjekje duket se nuk e kanë ndihmuar SPD-në, e cila vazhdon të jetë në rënie.

AfD është kthyer në një “parti popullore” në Gjermaninë Lindore
Partitë e ekstremit të djathtë në Evropë shpesh fitojnë vota proteste, por në Gjermaninë Lindore votuesit duket se po përqafojnë AfD-në. Sipas sondazheve, çdo votues i dytë i AfD-së në Turingi dhe Saksoni voton për partinë sepse besojnë në mesazhin e saj. Votuesit besojnë se AfD është partia më e mirë për të përfaqësuar interesat e Gjermanisë Lindore, veçanërisht në politikën e azilit dhe imigracionit.

Kjo sugjeron se AfD është vendosur si një “parti popullore” (Volkspartei) në Gjermaninë Lindore, një titull që deri vonë i përkiste partive tradicionale si SPD dhe CDU.

Negociatat për formimin e qeverive mund të zgjasin
Formimi i qeverive në Gjermaninë Lindore po bëhet gjithnjë e më i vështirë, siç tregohet nga shembulli i Turingisë në 2019, kur shpërtheu një krizë e madhe politike pasi FDP zgjodhi Thomas Kemmerich si kryeministër me mbështetjen e AfD.

Ky bashkëpunim shkaktoi reagime të forta në nivel kombëtar, duke e detyruar Kemmerich të japë dorëheqjen. Pavarësisht performancës së fortë të AfD-së në Turingi dhe Saksoni, partia nuk ka gjasa të marrë pushtetin, pasi të gjitha partitë e tjera kanë thënë se nuk do të bëjnë koalicione me të.

Megjithatë, kompleksiteti i peizazhit politik bën që negociatat për formimin e qeverive të zgjasin me muaj, ndërsa AfD përpiqet të shfrytëzojë situatën dhe të forcojë pozicionin e saj.

Stërvitjet e Kombëtares nisin me probleme, Silvinjo mund të humbasë një nga emrat më të rëndësishëm të kuqezinjve për dëmtim

Probleme që në stërvitjen e parë të Kombëtares shqiptare të futbollit. Trajneri Silvinjo mund të humbasë një nga emrat më të rëndësishëm të grupit kuqezi të paktën për ndeshjen e parë ndaj Ukrainës që luhet të shtunën.

Në ndeshjen e sotme të kontrollit ndaj U21, kapiteni Gjimshiti ka pësuar një tërheqje muskulore, që ka shqetësuar jo pak stafin e Kombëtares. Lojtari është një nga shtyllat e kësaj skuadre dhe mungesa e tij në fushën e lojës do të ishte e rëndësishme, duke pasur parasysh jo vetëm aftësitë e tij sportive por edhe për atë që përfaqëson në grupin kuqezi ku është një prej liderëve.

Situata e futbollistit do të vlerësohet ditën e nesërme dhe vetëm atëherë do të kuptohet nëse do të jetë apo jo në gjendje që të luajë në ndeshjen e të shtunës kundër Ukrainës në Pragë, apo nëse Silvinjo do të duhet të mendojë për zgjidhje të tjera për prapavijën.

Cilat ushqime janë të sigurta për t’u ngrënë pas datës së skadencës?

Një gjë e rëndësishme që konsumatorët duhet të kenë parasysh është se datat e skadencës (me përjashtim të ushqimit për fëmijë) nuk ka të bëjë me sigurinë e produktit, por është kur prodhuesi vendos se produkti nuk është më i cilësisë së lartë.

Prodhuesit e ushqimit gjithashtu priren të jenë mjaft konservatorë me datat e skadencës së tyre. Kjo është për shkak se ne nuk e ruajmë gjithmonë ushqimin tonë në vende me hije dhe të freskëta dhe shpesh e lëmë derën e frigoriferit të hapur për më shumë seç duhet.

Për cilat ushqime nuk duhet të shqetësohemi?

Mjalti, uthulla, sheqeri dhe vanilja janë ushqime që ruhen për një kohë të gjatë me pak ndryshim në cilësi. Mielli i bardhë gjithashtu ka shije të shkëlqyeshme pa marrë parasysh sa kohë qëndron në qilar. E njëjta gjë vlen edhe për orizin, por ndryshe nga orizi kafe, ai është i papërpunuar dhe ka një afat kohor prej disa muajsh.

Buka e blerë në supermarkete qëndron e butë në frigorifer për javë të tëra sepse përmban konservues, por buka me thartirë jo.

Fasulet dhe thjerrëzat e thata mund të hahen në mënyrë të sigurt për vite pas blerjes, por ato bëhen të forta dhe kërkojnë më shumë kohë për t’u gatuar.

Erëzat qëndrojnë në qilar pas datës së skadencës, por nuk kanë shije aq të fortë.

Po kutitë dhe shishet?

Si rregull, metalet zgjasin më shumë se qelqi dhe më shumë se plastika.

Për sa kohë që nuk ka shenja të jashtme të prishjes (p.sh. ndryshk) ose dëmtime të dukshme kur produkti hapet (p.sh. myk ose erë e keqe), frutat, perimet dhe mishi i konservuar mund të mbeten po aq të shijshëm sa kur blihen para shumë vitesh.

Vaji i parafinuar në enë hermetike ka gjithashtu një jetëgjatësi më të gjatë nëse shishet nuk janë prej qelqi.

Në çdo rast, siç thekson artikulli i NYT, mënyra më e mirë për të treguar nëse ushqimi është i sigurt për t’u ngrënë është në fund të fundit… hunda jonë.

Për vemjet “antiberishiste” që sot i lëpihen Berishës për një vend në Listë!

NGA ERVIN GOXHAJ

Ju duhet të kishit bërë një autokritikë të thellë dhe të ndershme përse e sulmuat Berishën pa mëshirë, para se të guxonit të futeshit në selinë blu. Për vite me radhë, ju bëtë gjithçka për ta diskredituar atë, duke e kthyer në armikun numër një brenda opozitës. Ishit ju, jo Basha, që e udhëhoqët këtë luftë të turpshme kundër Berishës. Nuk i latë gjë pa thënë, duke e përbaltur dhe duke e akuzuar për çdo dështim të opozitës. Ju, që dikur përhapnit fjalë se Berisha do të përfundonte shumë shpejt në burg, tani bëni sikur e adhuroni dhe jeni gati t’i përkuleni pa pikë integriteti.

Kur Basha dha dorëheqjen, me të gjithë zellin e hipokritit, ju betoheshit se do ta pastronit partinë nga trashëgimia e Berishës dhe do ta rikthenit atë me një frymë të re. Sot, me bishtin nën shale, përuleni për një karrige të mjerë, duke lëpirë ata që dikur i përbuznit. Servilizmi juaj nuk njeh kufij, dhe kjo u pa qartë me kamikazlliqet që bëtë sot në parlament. Por kjo ka nisur që në korrik, kur nisët t’i dërgoni shkresa, duke u përpjekur të siguroni ndonjë favor personal në dëm të të gjithë demokratëve.

Ju që sot i përkuleni Berishës dhe partisë, bëni mirë që të shkoni në selinë blu, por jo si servilë dhe vemje. Nëse keni pak dinjitet, shkoni kokë lartë, por ju e keni humbur atë që prej kohësh. Shqiptarët dhe demokratët kanë nevojë për liderë të vërtetë, me integritet dhe parime, jo për njerëz të vegjël që janë të gatshëm të sakrifikojnë çdo vlerë për të mbajtur një karrige me çdo kusht. Kështu si po veproni, jo vetëm që karrigen tuaj s’do e mbani më gjatë, por po shkatërroni edhe shpresat e demokratëve, që prej 12 vitesh ju besuan për të sjellë ndryshim. Në vend të ndryshimit, ju keni sjellë vetëm tradhti, përçarje dhe keqadministrim. Turp dhe poshtërsi e pafund!

Kompania gjermane shet koncesionin e kalatës lindore në portin e Durrësit

Terminali i mineraleve nga u nisën mbetjet e dyshuara si toksike do të menaxhohet nga një kompani kroate, pas blerjes së aksioneve me një vlerë të paguar prej 13 milionë eurosh.

Kompania gjermane “EMS Shipping and Trading GMBH” u largua nga koncesioni i menaxhimit të kalatës lindore të portit të Durrësit më 31 korrik 2024, pasi ia shiti aksionet një kompanie kroate për një vlerë të paguar prej 13 milionë eurosh, sipas dokumenteve të depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Kontrata e shitjes në favor të kompanisë kroate “SCAPHA D.O.O” u nënshkrua në qershor dhe u finalizua në fund të korrikut, pas marrjes së miratimit nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku.

Kompania gjermane e menaxhonte kalatën lindore përmes kompanisë së themeluar në Shqipëri, EMS APO që prej vitit 2013,  kur fitoi një koncesion 35-vjeçar nga qeveria në largim e ish-kryeministrit Sali Berisha. Një dekadë më pas, vazhdimësia e koncesionit u vendos në pikëpyetje nga planet për zhvendosjen e portit dhe zëvendësimin e tij me “Durrës Port Yachts and Marina” i qeverisë shqiptare në bashkëpunim me investitorin nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Muhamed Alabbar.

Kompania blerëse rezulton një kompani me përgjegjësi të kufizuar e themeluar në Kroaci me adresë në Split, e cila merr përsipër sipas kontratës dy-palëshe të gjitha detyrimet që rrjedhin nga kontrata koncesionare.

“SCAPHA D.O.O” nuk ka depozituar në qendrën kombëtare të biznesit pronarët fundorë, por sipas të dhënave të siguruara nga burime të hapura drejtohet nga Filip Rogošić, një biznesmen i ri kroat dhe drejtues i portit të Splitit.

Kalata lindore e portit të Durrësit, e transformuar në një terminal mineralesh, u vendos në qendër të debatit publik gjatë muajit gusht për shkak të nisjes prej tij të kontenjerëve që dyshohet se përmbajnë mbetje toksike nga fabrikat e kompanisë “Kurum International”.

‘Basel Action Network”, një organizatë mjedisore me qendër në Shtetet e Bashkuara, më 5 gusht ngriti alarmin se dy anije kontenjerësh të linjës Maersk kishin ngarkuar në portin e Durrësit në fillim të korrikut rreth 100 kontenjerë me mbetje të rrezikshme, e cila vjen nga hiri i oxhaqeve metalurgjike elektrike (EAFD) me destinacion Tajlandën.

Pas publikimit të skandalit, qeveria shqiptare është përpjekur të heqë fajin nga vetja duke fajësuar kompaninë koncensionare të portit dhe kompaninë Kurum si përgjegjës./BIRN/

Banorët e Krujës dhe Fushë Krujës protestojnë para Parlamentit, kërkojnë akses në autostradën Thumanë-Kashar

Banorët e Krujës dhe Fushë-Krujës kanë protestuar pasditen e sotme para Parlamentit, teksa paralelisht ka nisur edhe sesioni i ri parlamentar.

Ata bënë thirrje që kërkesa e tyre të merret parasysh që të kenë mundësi hyrje-dalje në aksin Thumanë-Kashar, e cila është bllokuar që me hapjen e autostradës pak javë më parë.

Banorët kanë disa javë që protestojnë duke bllokuar autostradën Thumanë – Kashar. Ata janë shprehur se këtë çështje do ta çojnë në SPAK dhe se po ashtu kanë nënshkruar edhe një kallëzim për ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar.

Rruga Thumanë – Kashar është ndërtuar tërësisht me fondet e kompanisë private Gener 2. Edhe pse i kanë dalë disa herë në krah protestës se banorëve, asnjë nga drejtuesit apo deputetët e PD nuk e përmend emrin e kësaj kompanie me pronar Bashkim Ulaj.

Pagesa për këtë rrugë është 270 lek të reja. Edhe pse pretendohet se është totalisht investim privat, kompania Gener 2 kompensohet nga shteti shqiptar nëse në rrugën Thumanë – Kashar nuk kalojnë 28 mijë mjete në ditë. Kompensimi kap shifrën e 8 milionë eurove.

‘Maldivet e Europës’ notojnë mes problemeve me pastrimin e plehrave

Të dhënat e mbledhura nga Citizens.al nëpërmjet një pyetësori online tregojnë një panoramë shqetësuese për disa nga destinacionet më të njohura turistike në vend si Saranda, Vlora, Durrësi apo Velipoja, ku raportohet për mungesë të koshave të mbeturinave, ndotje nga mbetjet dhe derdhje të ujërave të patrajtuara në det. 

Autore: Arbjona Çibuku

Besmir Brahimi, pronar i një lokali në qytetin bregdetar të Vlorës, është i bindur se biznesi i tij u dëmtua këtë sezon nga situata në përkeqësim e mbetjeve.

“I pyes turistët për kuriozitet se çfarë ju pëlqeu dhe çfarë jo. Dhe më besoni, mbetjet janë fjala që e thonë të gjithë,” tha Brahimi, teksa shton se edhe vetë si pushues ka mbetur i pakënaqur.

Ai tha se ka vizituar disa qytete këtë verë dhe ka dëshmuar një situatë të ngjashme me menaxhimin e plehrave.

“Për mos të folur për ujërat e zeza që derdhen në det, kështu do i mbajmë turistët ne? Përse flasim për turizëm kur institucionet nuk bëjnë minimumin, të shtojnë disa kazanë?”, tha Brahimi për Citizens.

Turizmi është një sektor strategjik i ekonomisë shqiptare dhe sipas Bankës së Shqipërisë, vendi përfitoi rreth 4.1 miliardë euro nga udhëtimet gjatë vitit 2023 me një rritje prej 45 për qind krahasuar me vitin paraardhës.

Qeveria e kryeministrit Edi Rama mburret gjithashtu me numrin e vizitorëve të huaj dhe raportimet e mediave ndërkombëtare, të cilat i vlerësojnë plazhet në Shqipëri si “Maldivet e Europës”.

Por suksesi i sezonit të këtij viti ishte i debatueshëm, ndërsa Instituti i Statistikave, INSTAT, raportoi një frenim të rritjes së turizmit në krahasim me vitin 2023. Ekspertët ia faturojnë këtë pjesërisht situatës së rënduar mjedisore me mbetjet.

Shqipërisë i duhet një revolucion në çështjen e menaxhimit të mbetjeve,” thotë Lavdosh Ferruni, ekspert mjedisor.

“Ujërat e zeza në pjesën më të madhe derdhen në det të patrajtuara, nuk mund ta zgjidhin vetëm bizneset me investime për impiante pastrimi,” shtoi ai, duke theksuar se numri i lartë i turistëve me të cilët mburret qeveria nuk ka shkuar në përpjestim të drejtë me investimet.

Turizëm me plehra 

Edhe pse qeveria e ka shpallur pastrimin e bregdetit një “prioritet kryesor”, të dhënat e mbledhura nga Citizens përmes aplikacionit ECR tregojnë se bregdeti shqiptar vazhdon të mbetet i pushtuar nga mbeturinat dhe derdhja e ujërave të patrajtuara në det.

Nga dhjetra qytetarë të zonave të ndryshme bregdetare që e plotësuan pyetësorin, rreth 50% raportojnë se pastrimi i mbeturinave urbane nuk bëhet shumë shpesh në bashkitë e Durrësit, Vlorës, Himarës dhe Kavajës.

Situata paraqitet problematike edhe në Sarandë, Lezhë dhe Rrogozhinë, ku qytetarët raportuan se pastrimi i mbetjeve bëhet rrallë ose asnjëherë.

Enkelejda Malaj jeton në Tiranë, por ka një shtëpi pushimi në bregdetin e Golemit. Ajo e konsideron situatën e mbetjeve si kritike. Malaj thotë se ndërsa numri i hoteleve dhe restoranteve është shtuar ndjeshëm, ka një mungesë të theksuar të koshave për hedhjen e mbeturinave.

“Këtë vit mendoj që është përkeqësuar, s’e di çfarë ka ndikuar po nga ajo që kam parë, këtë vit situata është edhe më keq”, tha Malaj.

Malaj beson se ndotjen më të madhe në bregdet e shkaktojnë bizneset, por edhe menaxhimi nga ana e bashkisë lë për të dëshiruar.

“Koshat janë sëmundje e gjallë, nuk janë larë asnjëherë. Mbajnë një aromë që nuk afrohesh dot, ky nuk është turizëm më vjen keq”, thotë e revoltuar ajo përmes një bisede telefonike.

Situata nuk është e mirë edhe në destinacione të tjera ku Malaj ka shkuar këtë verë.

“Isha në Zvërnec, zonë shumë e frekuentuar nga turistët, por e gjithë rruga ishte e mbushur me mbeturina. Nuk kishte asnjë kosh, kështu që nuk është vetëm problem kulture në mendimin tim,” tha ajo për Citizens.

Një tjetër qytetar, Gabriel Rrakaj zgjodhi këtë vit Velipojën për të kaluar pushimet, por situata me mbetjet nuk ishte më ndryshe.

Gabrieli i tha Citizens se “ka kazanë që mbushen shpejt, që ndikon te pastërtia dhe cilësia e pushimeve dhe ka nje tendencë që ndërtohet vend e pa vend pa pikë menaxhimi”.  Sipas Gabrielit, kjo situatë shkaktohet nga neglizhenca dhe korrupsioni.

Problemi me menaxhimin e mbetjeve urbane është i përhapur në të gjithë bregdetin shqiptar, që sipas një raporti të EcoAlbania për vitin 2022, është “një nga problematikat më të mprehta të degradimit mjedisor në bregdet”. 

Raporti vë në pah se edhe pse bashkitë kanë plane vendore për menaxhimin e mbetjeve, nuk kanë mundur të sigurojnë një strategji të mirëfilltë riciklimi dhe depozitimi të tyre.

“Është një problematikë e mbartur në të gjithë territorin, i cili reflektohet në grykëderdhjen e lumenjve dhe zonat bregdetare,” thotë Besjana Guri nga organizata mjedisore, EcoAlbania.

Kush e ka fajin? 

Menaxhimi i mbetjeve urbane është një ndër detyrimet kryesore të pushtetit vendor, por sipas një auditi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, shumë prej bashkive kanë dështuar ta përmirësojnë këtë shërbim, pavarësisht rritjes së fondeve.

Auditi i KLSH-së thekson gjithashtu se në bashkitë më të mëdha bregdetare të Durrësit dhe Vlorës, situata e menaxhimit të mbetjeve shfaqet më problematike.

Të dhënat e siguruara nga Citizens përmes kërkesave për të drejtë informimi tregojnë se disa bashki bregdetare arrijnë të vjelin të ardhura të pamjaftueshme nga taksa e pastrimit dhe i kompensojnë shpenzimet për pastrimin dhe evadimin e mbetjeve përmes tarifës së stacioneve të plazhit.

Bashkia e Sarandës tha në një përgjigje me shkrim se për periudhën Janar-Korrik 2024 ka arritur të mbledhë 8 milionë lekë nga taksa e pastrimit dhe ka shpenzuar 75.8 milionë lekë për pastrimin e qytetit.

Një pjesë e kostove të Bashkisë Sarandë për trajtimin e mbetjeve shkon për landfillin e Bajkajt, ku bashkia paguan një tarifë prej 22 eurosh për njësi.

Bashkitë e Durrësit dhe e Shkodrës nuk iu përgjigjën një kërkese për informacion për situatën e menaxhimit të mbetjeve.

Ndërsa Bashkia e Himarës, një nga bashkitë që është denoncuar më së shumti në rrjetet sociale për probleme me mbeturinat, tha se “Bashkia Himare arkëton afersisht 40.000.000,00 lekë në vit nga tarifa e pastrimit”.

Ndërsa tha se kishte planifikuar të shpenzonte 120 milionë lekë ose katër herë më shumë për pastrimin e territorit të saj.

Bashkia e Himarës tha gjithashtu se kishte arkëtuar 115 milionë lekë nga dhënia me qira e hapësirave publike gjatë viti 2024 nga Janari deri në Korrik.

“Pastrimi i bregdetit kryhet nga operatori privat çdo ditë nga ora 6:00 e mëngjesit deri në orën 18:00 e mbasdites në të gjithë territorin e bashkisë. Ka dhe një orar shtesë në 18:00 mbasditet dhe në oren 6:00 të mengjesit kryhet nga AKB – Agjesia Kombetare e Bregdetit,” tha Bashkia Himarë në një përgjigje me shkrim.

Ekspertët e mjedisit e konsiderojnë situatën e rënduar me trajtimin e mbetjeve “një problem menaxhimi”, ndërsa paralajmërojnë se gjendja mund të përkeqësohet nëse nuk ndryshohet mënyra se si menaxhohen ato.

Lavdosh Ferruni, ambientalist dhe anëtar i Aleancës Kundër Importit të Plehrave thotë se vendi ka bërë hapa mbrapa si rrjedhojë e “politikës së mbrapshtë të inceneratorëve”, ndaj duhet të rikthehet te skema e qarkullimit me prioritet riciklimin e mbetjeve.

“Gjendja e pakënaqshme me mbetjet në bregdet është e lidhur me menaxhimin e dobët të mbetjeve në shkallë vendi,” tha Ferruni.

Për Besjana Gurin, eskperte pranë “Eco Albania”, problematika e mbetjeve është thelbësisht një problem menaxhimi.

“Është keqmenaxhim dhe mosmenaxhim, mungesë e veprimit të institucioneve lokale për ta pastruar dhe mbajtur të pastër të gjithë bregdetin,” përfundoi ajo./ Citizens.al

Taulanda Jupi: Kompromisi i disa deputetëve për karrige, dëmi më i madh që mund t’i bëhet opozitës dhe qytetarëve

Nëpërmjet një statusi në profilin e saj në rrjetin social facebook, anëtarja e PD – Demokratët Euroatlantikë, Taulanda Jupi, shprehet se shumë prej deputetëve të opozitës kanë vepruar duke mos i marrë parasysh nevojat e opozitës dhe të qytetarëve, por vetëm për të ruajtur karrigen e tyre, duke bërë kështu kompromise të dëmshme.

Një gjë e tillë, sipas Jupit, minon besimin e qytetarëve.

Më poshtë postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë,

Sa herë të dëgjoni nga sot deri në zgjedhjet e ardhshme deputetë që deklarojnë se “do të bëjnë betejë për zgjedhje të lira e të ndershme” mos harroni se janë të njëjtët deputetë që me votën e tyre, miratuan ndryshimet në kodin e ri zgjedhor reth një muaj më parë, në seancën e datës 26 Korrik.
Kodi i ri zgjedhor, në mungesë të një Reforme të plotë e të gjithpranuar zgjedhore në vend që të shërbente si një mjet për të garantuar zgjedhje të ndershme dhe të barabarta, duket se i hap rrugën Ramës për një mandat të katërt në qeverisje.

Shumë prej këtyre deputetëve kanë vepruar me synimin e sigurt për të ruajtur pozicionet e tyre personale dhe për të siguruar një vend në parlamentin e ardhshëm, duke tradhtuar kështu jo vetem besimin e qytetarëve, por mbi të gjitha duke u bërë pjesë e një marrëveshjeje që synon vendosjen nën kontroll dhe diktatin e parlamentin të organeve të drejtësisë së re. Këto akte dëmtojnë rëndë pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe themelin e shtetit të së drejtës.

Ky kompromis i dëmshëm jo vetëm që minon përpjekjet për të ndërtuar një opozitë të fortë dhe të qëndrueshme, por gjithashtu thellon krizën e besimit që qytetarët kanë ndaj klasës politike.

“Trekëndëshi i Bermudës duhet të zhduket”/ Naim Meta i PD Euroatlantike: Koha për t’i treguar shqiptarëve alternativën tonë!

Nga Naim Meta

Më pak se një vit na ndajnë nga zgjedhjet Parlamentare të cilat për ne janë të një rëndësie shumë të veçantë. Jo vetëm për tu përballur denjësisht me establishmentin e vjetër që po mbanë peng vendin prej 34-vitesh por duhet punë për të implementuar programin e shkëlqyer që PD (Euroatlantike) ka bër publike në dt 01 Qershor 2024, ku jepet zgjidhje për pronën, për ish të përndjekurit, për sistemin e taksave, për familjen dhe bonusin e bebeve, për administratën, policinë, subvensionet e bujqësisë e shumë kapituj të tjerë. Këto zgjedhje kanë përballë nesh, grupimit opozitarë që kërkon dryshim dhe mbështet fuqishëm SPAK, dy pjesë të kalbura të Partisë së Punës që drejtohen nga trekëndëshi bermudës. Arsyen që po bëj publik këtë shkrim dua të qartësoj publikun se përzgjedhjet tona do jenë bazuar në meritën e gjithësecilit që ka kontribuar në PD, ka spikatur në fushën e profesionit të tij/saj, në biznes apo fusha të tjera që kanë impakt në komunitet. Meritokracia dhe i të qënurit i lidhur me bazën janë dy shtyllat e përzgjedhjes së kandidaturave. Këto zgjedhje do vërtetojnë se sa të aftë do jemi të ndahemi nga burrokracitë, nga pazaret e bodrumeve dhe paratë e pista që i kanë shkatërruar thelbin e zgjedhjeve të ndreshme që nga viti 1991. Ky vend ka nevojë për pastërti, për çdo njërin që ka mbushur moshën të shkojë në qendrën e votimit, por me një qëllim të zgjedhë dhe jo të votojë me synimin e qartë se Shqipërinë e kemi të parën. Kështu, MJESHTRAT QE I KANË PARË HAJRIN TRANZICIONIT, që vazhdojnë e lëpihen pas trekëndëshit të bermudës duhet të japin llogari, dhe të zhduken nga skena politike nga koka tek këmbët️
Naim Meta