28.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Gusht, 2025

Vlerat e mëdha të lëkurës së patates për diabetin, zemrën dhe rënien në peshë

Pataja është ndër perimet më të pasura me vlera ushqyese. Kjo perime fantastike, e cila përgatitet në qindra receta gatimi, krahas shijes së saj ka dhe shumë vlera shëndetësore për organizmin.

Por vlera edhe më të mëdha dhe mirëbërëse për organizmin ka lëkura e patates, e cila gabimisht përfundon në koshin e plehrave.

Në lajmin më poshtë do të mësoni përfitimet e mëdha që mbart lëkura e patates, mënyrat e përdorimit të saj si dhe përse nuk duhet ta hidhni kurrë.

Për personat që vuajnë nga diabeti, problemet me zemrën, niveli i lartë i kolesterolit në gjak rekomandohen gatime apo ushqime të përgatitura me lëngun e lëkurave të patates.

Ndihmon për Rënien në Peshë

Lëkura e patates përmban sasi shumë të vogla yndyrnash, vitaminash dhe mineralesh të cilat ndikojnë në mbajtjen e trupit në formë.

Lëkura e patates është jashtëzakonisht e pasur me vitaminë C dhe vepron si një antioksiduese e fortë.

Krahas kësaj, lëkura e patates përmban vitaminën B kompleks ashtu si edhe kalçium, të cilët luajnë një rol të rëndësishëm në përmirësimin e aktivitetit të sistemit imuntar.

Ul nivelin e kolesterolit në gjak

Përmbajtja e lartë me fibër e kombinuar me antioksidantët dhe polifenolet ndikon në reduktimin e sasisë së kolesterolit në gjak.

Sipas të dhënave për personat që vuajnë nga niveli i lartë i kolesterolit në gjak, këshillohet të konsumojnë patate të gatuara me gjithë lëkurë.

Ul rreziqet e problemeve me zemrën

Lëkura e patates është gjithashtu e pasur me kalium, një mineral esencial dhe i rëndësishëm për shëndetin e zemrës.

Ato ndihmojnë në minimizimin e prekjes së zemrës nga sëmundje të ndryshme dhe përmirësojnë aktivitetin e saj.

Sëmundjet e frymëmarrjes: Të gjitha arsyet pse pacientët nuk respektojnë udhëzimet e mjekut

Për nivelin e sheqerit në gjak

Një nga vetitë e mira të lëkurës së patateve është ruajtja e nivelit të sheqerit në gjak. Konsumimi i lëkurës së patateve ndikon pozitivisht edhe në parandalimin e diabetit të tipit 2.

Kundër djegieve në Lëkurë

Sipas të dhënave lëkura e patates mund të përdoret edhe si kura natyrale kundër djegieve të vogla të lëkurës.

Mjafton të vendosni copëza të lëkurës së patates nga ana e tulit mbi zonën e djegur dhe ajo të qetësohet menjëherë.

Para se të nisni përdorimin e lëkurës së patateve AgroWeb.org ju këshillon që të kujdeseni më parë që kokrrat e patateve t’i pastroni mirë me ujë me sodë dhe më pas t’i lani me ujë të rrjedhshëm.

Uji me sodë është mënyra më praktike për të larguar të gjitha papastërtitë e lëkurës së patates duke e pastruar atë rrënjësisht.

Përgatitja dhe përdorimet

Lëngu i lëkurave të patateve përgatitet krejt lehtë. Mjafton t’i vendosni lëkurat e 5-6 patateve mesatare me 1.5 kg ujë në një tenxhere dhe lërini të ziejnë përreth 20 minuta.

Mënyra më e mire për të përfituar vlerat e lëngut të lëkurave të patates është ta përfshini atë në gatime të ndryshme, siç është përgatitja e supave dhe gjellrave të ndryshme, përgatitja e bukës së shtëpisë apo edhe ëmbëlsirave.

Në rastin e brumit të bukës, lëngu i patateve zëvendëson ujin dhe e bën bukën edhe më të shëndetshme por edhe ndikon që buka të fryhet dhe të jetë më e butë. Në rastin e përgatitjes së ëmbëlsirave, lëngu i patatesh zëvendëson qumështin.

Ndryshon rregullorja e udhëtimeve brenda BE: Pasojat në bagazhe e kontrolle, ja çfarë duhet të dini

Nëse planifikoni të udhëtoni brenda Bashkimit Evropian, është e rëndësishme të jeni të vetëdijshëm për rregulloret e reja që hyjnë në fuqi në aeroportet e BE-së nga sot. Ndryshimet prekin kryesisht pasagjerët që mbajnë bagazhet e dorës dhe ata që mbajnë lëngje në udhëtime.

Komisioni Evropian ka vënë në pikëpyetje besueshmërinë e gjeneratës së re të skanerëve në aeroportet e BE-së dhe bëri thirrje për rivendosjen e përkohshme të modelit të mëparshëm. Kjo do të thotë se aeroportet që përdorin skanerët e rinj C3, të cilët lejojnë pasagjerët të lënë lëngje dhe pajisje elektronike në çantat e tyre gjatë kontrollit, do t’i rikthehen metodave më të vjetra të përpunimit të pasagjerëve përmes sigurisë.

Efektiviteti i skanerëve të rinj u vu në pikëpyetje nga një raport teknik që Komisioni dërgoi në Konferencën Evropiane të Aviacionit Civil majin e kaluar, duke vënë në dukje se ato nuk mund të garantojnë besueshmërinë e tyre për kontejnerët me një përmbajtje prej më shumë se 330 ml.

Nga 1 shtatori, aeroportet që përdorin skaner C3 do të duhet të kthehen në aparatet tradicionale me rreze X, të cilat mund të shkaktojnë vonesa në disa aeroporte.

Bashkimi Evropian po i jep fund lirisë së linjave ajrore për të kornizuar bagazhet e dorës së pasagjerëve, duke vendosur rregulla uniforme për dimensionet dhe peshën e bagazhit të lejuar në kabinën e një avioni.

Deri më tani, linjat ajrore kanë qenë të lira të vendosin rregulloret e tyre për bagazhet e dorës. Bashkimi Evropian po prezanton një grup të ri rregullash që synojnë ta bëjnë fluturimin më të thjeshtë dhe më pak të paparashikueshëm.

Rregulloret e reja të BE-së do të imponojnë uniformitet në të gjitha linjat ajrore evropiane, që do të thotë se pasagjerët tani mund të presin madhësi dhe pesha të standardizuara të bagazheve.

Kështu, pasagjerët do të mund të mbajnë me vete një bagazh të vogël, çantë dore ose shpine, që nuk i kalon 10 kg peshë.

Dimensionet maksimale (duke përfshirë dorezat dhe rrotat) janë vendosur në 55 x 40 x 20 cm, ndërsa sendi personal duhet të jetë 40 x 30 x 15 cm.

Sa kohë do të jenë në fuqi këto rregullore?

Komisioni e cilëson masën si “të përkohshme”, por pa dhënë një datë të caktuar përfundimi. Nga ana tjetër, Këshilli i Aeroporteve të Evropës (ACI Europe) i karakterizon këto ndryshime si një pengesë e rëndësishme si për pasagjerët ashtu edhe për aeroportet.

“Aeroportet që ishin adoptuesit e hershëm të kësaj teknologjie të re po penalizohen rëndë, si në aspektin operativ ashtu edhe financiar,” tha Olivier Jankovec, Drejtor i Përgjithshëm i ACI Europe. “Ata kishin marrë vendimin për të investuar dhe vendosur skaner C3 me mirëbesim, duke u mbështetur në miratimin e BE-së pa kufizime të kësaj pajisjeje. Vendimi për të vendosur tani kufizime të rëndësishme në përdorimin e tyre vë në pikëpyetje besimin që industria mund të ketë në sistemin aktual të certifikimit të BE-së për pajisjet e sigurisë së aviacionit. Ne duhet të nxjerrim mësime nga kjo situatë dhe të sigurojmë që sistemi i certifikimit të BE-së të ofrojë sigurinë ligjore dhe stabilitetin operacional të nevojshëm për të ardhmen.”

Udhëtarët duhet të përgatiten për këto ndryshime, pasi vonesat dhe radhët e gjata në kontrollet e sigurisë mund të krijojnë konfuzion dhe të rrisin kohën e pritjes.

Tim Hensel, CEO dhe bashkëthemelues i HotelPlanner.com, këshillon udhëtarët të qëndrojnë të përditësuar me rregulloret më të fundit dhe të arrijnë në aeroport me shumë kohë përpara nisjes. Ai sugjeron të merret parasysh mundësia e vonesave dhe të merret parasysh arritja në aeroport më herët se zakonisht tre orë para fluturimit.

Tubimet për aksin Thumanë-Kashar, qytetarët paralajmërojnë protestë para Parlamentit

Banorët e Thumanës kanë paralajmëruar protestë për ditën e nesërme më 2 Shtator, në orën 17:00 para Parlamentit për të kërkuar akses në autostradën SH1 që kalon përmes zonës së tyre.

Në një njoftim, ata theksojnë se problemi i aksesit në këtë segment të rëndësishëm rrugor ka pasoja të mëdha për banorët e Thumanës dhe më gjerë.

“Grabitja që i bëhet këtij segmenti nuk është vetëm humbje për ne, por për të gjithë”, thuhet në njoftimin e tyre.

Banorët kërkojnë që të sigurohet hyrja dhe dalja në autostradën SH1, e cila është një arterie kryesore për transportin dhe zhvillimin e zonës.

Banorët ftojnë të gjithë ata që mbështesin kauzën e tyre të bashkohen në protestën që do të mbahet përpara Parlamentit për të shprehur shqetësimet e tyre dhe për të kërkuar zgjidhje nga autoritetet kompetente.

Ata kundërshtojnë zbatimin e projektit për Thumanë Kashar, pasi nuk parashikon sipas tyre asnjë hyrje apo dalje për zonat ku banojnë, duke iu bllokuar qarkullimin e lirë dhe duke izoluar veprimtaritë e tyre ekonomike.

Që nga hapja e autostradës banorët kanë organizuar 8 protesta, gjatë të cilave kanë tentuar që të bllokojnë qarkullimin e automjeteve, por janë shpërndarë me dhunë nga ana e policisë duke përdorur gaz lotsjellës dhe bote uji.

Më herët, ata janë shprehur se këtë çështje do ta çojnë në SPAK dhe se po ashtu do të kallëzojnë ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar.

“Do ta çojmë në SPAK çështjen e mungesës së aksesit në autostradë. Të hënën në orën 16:45 do të protestojmë para parlamentit. Të martën në orën 18:00 do të protestojmë në aksin Thumanë – Kashar. Do të kallëzojmë në SPAK, Belinda Ballukun dhe ARSH”, u shprehën banorët në protestën e fundit.

Ndonëse një nga më të shtrenjtat në histori, 22 milionë euro për kilometër, 435 milionë euro për 21 km, autostrada e ashtuquajtur Thumanë-Kashar është jashtë standardeve dhe po kthehet me shpejtësi në një rrezik të rëndë për aksidente, për shkak të rënies të shtresës së asfaltit dhe krijimit të disniveleve në karrexhatë.

Përbërja dhe ngjeshja e shtresave duket se nuk është bërë sipas specifikimeve teknike. Mbetet për t’u parë nëse abuzimi me ngritësit e nivelit të rrugës është nxitur nga presioni për të përfunduar shpejt segmentin, paaftësia, për fitim, apo kombinimi i të treve.

Një tjetër problem mjaft serioz i konstatuar në autostradën 21 km Thumanë-Kashar të ndërtuar nga Bashkim Ulaj, është mungesa e lidhjes sipas standardit mes urave dhe pjesës vijuese të rrugës.

Mes urave dhe rrugës ka një shkëputje, e cila bëhet gjithnjë e më e dukshme sa vjen. Paraprakisht mendohet se skandali konsiston në pamundësinë e inxhinierëve për të lidhur urat me seksionin rrugor sipas standardeve, për shkak të ngjeshjes jo sipas standardeve në të dy anët e urave.

Ka dyshime të forta se kostoja reale e rrugës është sa 20% e vlerës së deklaruar prej 435 milionë eurosh.

Sezoni turistik në Shqipëri, Zëri i Amerikës: Probleme me mjetet e paligjshme të lundrimit, shkelen standardet e sigurisë

Policia shqiptare po njofton çdo javë gjatë sezonit turistik të këtij viti bllokimin e disa dhjetëra mjeteve të paligjshme të lundrimit në hapësirën detare nga brigjet e Ksamilit në jug, deri në ujrat e Liqenit të Komanit, në veri të vendit.

Sipas të dhënave policore vetëm gjatë muajit korrik në hapësirën detare dhe liqenore të Shqipërisë u bllokuan 137 mjete të paligjshme lundrimi, për cenim të perimetrit të sigurisë të caktuar për lundrim dhe për mungesë dokumentesh.

Po sipas policisë gjatë muajit gusht numri i mjeteve të paligjshme të lundrimit të bllokuara u rrit në 168, ndërsa drejtuesit e këtyre mjeteve janë ndëshkuar me masa administrative nga 100 dollarë deri në 1100 dollarë.

Policia thotë se “në shumicën e rasteve të ndërhyrjeve, turistëve ju rrezikohej seriozisht jeta për shkak të prishjes së mjeteve lundruese apo pamundësisë për t’u kthyer në breg për shkak të dallgëve.”

Mjetet e lundrimit të tipeve si “jet ski, skafë, gomone por edhe varka të përshtatura me motor” shërbejnë kryesisht për shëtitje turistike apo për transport të pushuesve drejt plazheve, por sipas operatorëve turistikë jo të gjitha janë të pajisura me dokumentacion për këto shërbime dhe në shumë raste shkelen standardet e sigurisë të vendosura nga policia kufitare dhe bashkitë e qyteteve bregdetare.

Sipas vetë policisë arsyet e bllokimit të mjeteve të lundrimit dhe ndëshkimit të pronarëve me gjoba financiare lidhen me mungesë të masave të sigurisë, mungesë të dokumentacionit dhe lejeve që duhen për transportin e pushuesve.

Në mjaft raste policia ka evidentuar se mjetet e lundrimit nuk kanë që të pajisura me mjetet e shpëtimit, dhe nuk kanë respektuar zonat e përcaktuara për lundrim duke rrezikuar jetën e pushuesve.

Vetëm gjatë muajve korrik dhe gusht policia shqiptare u ka dhënë ndihmën në hapësirën detare mbi 100 turistëve të cilëve u është rrezikuar jeta dhe kanë kërkuar ndërhyrje për shpëtimin e tyre, të ndodhur në mjete të lundrimit në det apo në zona të bregdetit të bollokuar nga dallgët.

Sipas të dhënave policore shumica e rasteve të ndihmës por edhe mjeteve të lundirmti të bllokuara i përket hapësirës detare nga Vlora në Sarandë.

Ndërkohë edhe këtë vit në Shqipëri nuk kanë munguar vitkimat e incidenteve me mjetet e lundrimit gjate sezonit turistik.

Alban Kukaviqi, 56-vjeçari i plagosur në korrik nga helika e një gomoneje në gjirin e Shën Janit, në Karaburun, ndërroi jetë pak ditë më parë në një spital jashtë vendit./VOA

Miqësoret me Turqinë, trajneri Ahmataj publikon listën e Shqipërisë U-19

Shqipëria U-19 do të luajë dy takime miqësore ndaj Turqisë në datat 6 dhe 8 shtator. Të dy ndeshjet do të zhvillohen në Izmit të Turqisë, teksa trajneri Julian Ahmataj ka bërë publike listën me emrat e 20 lojtarëve të ftuar.

Tekniku shqiptar do të ketë në dispozicion elementët më të spikatur të kësaj grup-moshe, teksa 7 lojtarë vijnë nga klubet shqiptare si Skënderbeu, Tirana, Bylis, Teuta, AF Elbasani dhe 13-të prej tyre aktivizohen në klube të huaja si Udinese, Olympiacos, Empoli, US Cremonese, Parma, Lazio, Cesena, Sassuolo, ADO Den Haag, Genoa dhe Lecce.

Kombëtarja U-19 do të nisë grumbullimin direkt në Turqi më 2 shtator. Ndeshja e parë e kuqezinjve është programuar të luhet më 6 shtator në orën 16:00, ndërsa takimi i dytë është planifikuar të luhet dy ditë më vonë, më 8 shtator po në orën 16:00.

Dy testet miqësore ndaj Turqisë janë një mundësi e mirë për të kolauduar skuadrën në kuadër të impenjimeve në kualifikueset e Europianit “Rumani 2025” për këtë grupmoshë që do të luhen në vendin tonë në muajin nëntor. Shqipëria është pjesë e Grupit 11, së bashku me Izraelin, Danimarkën dhe Irlandën e Veriut dhe ka si objektiv kalimin në fazën “Elite Round”.

Më poshtë, edhe lista me emrat e lojtarëve të ftuar nga stafi teknik i Kombëtares U-19:LISTA-U-19_POST-01-1PANORAMASPORT.AL

Partitë pro-serbe në qeveri kërkojnë ndryshimin e Kushtetutës së Mal të Zi! Përfaqësuesit e partisë së Gjukanoviç: Kërkesat kanë për qëllim konfrontimin me shtetet në rajon

Partitë pro-serbe dhe pro-ruse kanë shtuar kërkesat për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Malit të Zi, posaçërisht tek nenet që kanë të bëjnë me identitetin, siç janë gjuha dhe simbolet shtetërore. Në anën tjetër përfaqësuesit e opozitës malazeze vlerësojnë se këto kërkesa janë në vazhdën e ideologjisë së “botës serbe” dhe në shërbim të politikës nacionaliste të Beogradit.

 

Partitë politike pro-ruse dhe pro-serbe, të cilat në korrik u përfshinë në qeverinë e riorganizuar malazeze, këto ditë po përsërisin kërkesën për ndryshimin dhe plotësimin e Kushtetutës së Malit të Zi.

Ky ndryshim, sipas tyre, duhet të bëhet me plotësimin e dispozitave që ndryshojnë statusin e gjuhës serbe dhe të disa simboleve shtetërore në Malin e Zi.

Kryetari i parlamentit. Andrija Mandiç tha se “pas daljes së rezultateve të regjistrimit të popullësisë do të këmbëngulim që të ketë një ndryshim në Kushtetutë ku gjuha serbe të barazohet me gjuhën malazeze”.

Partitë pro-ruse dhe pro-serbe besojnë se rezultati i regjistrimit do të tregojë se gjuha serbe përfaqësohet nga shumica e popullsisë në Malin e Zi, ku sipas tyre, “gjuha serbe duhet të jetë gjuhë zyrtare dhe jo si më parë gjuhë në përdorim zyrtar”.

Megjithatë, në dhjetor të vitit të kaluar në Mal të Zi është bërë regjistrimi i popullsisë, rezultatet e të cilit ende nuk janë shpallur.

Në këtë kuadër opozita malazeze kundërshton ashpër propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e kushtetutës, posaçërisht në pjesët që ka të bëjnë me çështjet identitare.

Përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Socialistëve të ish-presidentit Milo Gjukanoviç pretendojnë se “kërkesat e partive pro-serbe në Mal të Zi janë në vazhdën e ideologjisë së ‘botës serbe’ që ka për qëllim konfrontimin me shtetet fqinje në rajon”.

Kryetari i kësaj partie Danijel Zhivkoviç tha se “është tejet e ulët dhe antishtetërore veprimet e partive pro-serbe, të cilat vazhdojnë ti përshtaten politikës nacionaliste dhe shoviniste të Beogradit”.

Megjithatë opozita vlerëson se metoda e ndryshimit të Kushtetutës së Malit të Zi është shumë komplekse dhe kërkon një nivel të lartë pëlqimi nga qytetarët dhe parlamenti.

Për të ndryshuar pjesën e Kushtetutës që i referohet gjuhës dhe simboleve shtetërore, si flamuri dhe himni kombëtar, është e nevojshme mbështetja e dy të tretave nga deputetët.

Sidoqoftë, kërkesat janë ritheksuar në 4 vjetorin e fitores së partive pro-serbe dhe aleatëve të tyre ndaj pushtetit më se 30 vjeçar të partisë së ish presidentit Milo Gjukanoviç.

Kjo shumicë solli krizës politike dhe institucionale dhe që nga dhjetori vitit 2021 Mali i Zi nuk ka pasur një përparim të dukshëm me BE-në, për shkak të ngecjeve në reformat e nevojshme për procesin e anëtarësimit.

Mali i Zi, një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, u bë pjesë e NATO-s në vitin 2017, mes kundërshtimit të Rusisë dhe pakënaqësisë së Beogradit./voa

Raundi i fundit i dialogut Kosovë-Serbi, Lajçak paralajmëron vizitë në Prishtinë

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, paralajmëroi një vizitë në Prishtinë për të përgatitur rundin e ri të dialogut në nivel kryenegociatorësh.

 

“Pas një ndalese të shkurtër në Bruksel, do të nisem për në Bled për të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit dhe në Prishtinë, për të përgatitur takimin e radhës të kryenegociatorëve”, tha Lajçak, duke mos dhënë detaje të tjera rreth vizitës në Prishtinë.

Ndërkaq, Forumi i Bledit, ku Lajçak tha se do të marrë pjesë, mbahet më 2 dhe 3 shtator.

Lajçak po ashtu foli për qëndrimin e tij në Pragë, ku mori pjesë në konferencën e sigurisë, Globsec.

Ai tha se në Pragë zhvilloi takime me të dërguarin e ri të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Alexender Kasanof, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksadar Vuçiq.

“Një prej momenteve më të rëndësishme ishte takimi me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimro, Alexender Kasanof, dhe rikonfirmimi i partneritetit të shkëlqyer mes BE-së dhe SHBA-së. Po aq i rëndësishëm ishte takimi im me presidentin Vuçiq lidhur me hapat e radhës në dialog dhe për pritjet për periudhën e ardhshme”, shkroi Lajçak në llogarinë e tij në Facebook.

Javë më parë, Bashkimi Evropian tha se dëshiron që të fusë në agjendën e dialogut çështjen e hapjes së urës së Ibrit për qarkullimin e automjeteve.

Autoritetet në Kosovë e kanë kundërshtuar një gjë të tillë, duke thënë se për çështjen e hapjes së urës mbi Ibër, palët veçse kanë arritur marrëveshje vite më parë.

Bashkësia ndërkombëtare po e kundërshton hapjen e urës tani, duke u thirrur në shkaqe sigurie./rel

Mbape, një “snajper”, të cilit i ka humbur shënjestra

Dukej se Kilië Mbape (25 vjeç) ishte ulur në këmbëkryq te Realit i Madridit. Debutimi i shumëpritur, në Superkupën e Europës, u festua me golin e parë dhe titullin e parë me fanellën që ëndërronte ta mbante që fëmijë.

 

 

Një fillim premtues, i cili sugjeroi se sulmuesi, i cili kishte mesatarisht më shumë se 40 gola në katër sezonet e tij të fundit, mbërriti në ekipin e Ançelotit me “pushkën” të mbushur. Madje, pas Atalantës ai nënvizoi se synonte 50 golat në këtë sezoni. Por tashmë që La Liga ka nisur, goli nuk duket shumë i lehtë edhe për një lojtar si Mbape. Nuk është për mungesë këmbënguljeje nga ana e tij. Madje as për punë qasjeje. As angazhimi në lojë. Ylli francez provon, përpiqet, kërkon topin…

Por mesa duket këto lëvizje të tij nuk mjaftojnë. Francezi provoi katër herë në Majorka, katër të tjera kundër Vajadolidit dhe i çoi në nëntë gjuajtjes drejt portës kundërshtare në Las Palmas. Tri ndeshje, 17 gjuajtje drejt portës, por Mbape nuk e ka dërguar ende topin pas krahëve të portierit në La Liga. Në total, 17 goditje që e bëjnë atë kryesuesin deri tani këtë sezon në ligat kryesore evropiane, sipas të dhënave të “Opta”. Në statistikat e avancuara, ai është gjithashtu me diferencën më të keqe për koeficientin e golave të pritur (xG) dhe golave të shënuar (-1,8 xG).

E thënë ndryshe: sezonin e kaluar në Ligue 1 atij i nevojiteshin mesatarisht 4.4 goditje në portë për të gjetur golin. Me atë ritëm, ai duhej të kishte shënuar deri më tani të paktën 4 gola. Megjithatë, në La Liga “dollapi” i tij është ende bosh… Një seri e përkohshme negative, por megjithatë për talentin francez, ky moment përfaqëson një fillim negativ historik të kampionatit: përveç vitit të debutimit të tij me Monakon (ishte ende 16 vjeç) ai kishte shënuar gjithmonë të paktën një gol në tre ndeshjet e tij të para të çdo sezoni në kampionatin francez.

La Stampa për kampet e emigrantëve në Gjadër dhe Shëngjin: Nuk kanë kanalizime, gjithçka do të derdhet në lumin Drin!

Gazeta italiane ‘La Stampa’ ka shkruar një artikull në lidhje me kampet në Shëngjin dhe Gjadër, që pritet të hapen këtë muaj për të pritur emigratët e kapur në Mesdhe nga autoritetet e Italisë.

 

Problem kryesor në lidhje me këto kampe, sipas gazetës, janë kanalizimit, kështu deri në rregullimin e problemit është parashikuar që gjithçka të derdhet në lumin Drin.

“Për momentin është vendosur që gjithçka të hidhet në lumin Drin, sipas informacioneve. Emigrantët e parë mund të mbërrijnë këtu nga data 10 shtator deri në fund të muajit. Autoritetet po nxitojnë për t’i çuar atje”, thuhet në artikull.

Për gazetën ka folur kryeplaku i Gjadrit, Aleksandër Preka ka thënë:  “Kemi qenë tre mijë banorë në kohën e komunizmit, kemi mbetur 600. Por tani po vijnë të gjithë këta njerëz të rinj”.

Ai ka treguar se për stafin italian, janë rritur dhe qiratë e banesave nga banorët e zonës.

“Këto shtëpi jepen me qira për një shumë prej 30-50 euro në muaj, stafi tuaj i kanë marrë 400 euro në muaj për dy vjet”, thotë Aleksandër Preka.

Sipas La Stampa, tashmë qendra e Gjadrit është gati.

Porti i Shëngjinit është ndalesa e parë për emigrantët që u nisën drejt Italisë dhe u deportuan në Shqipëri, pas marrëveshjes mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare.

Më pas, pas procedurave të identifikimit, ata do të ngarkohen në autobusë dhe do të dërgohen në Gjadër.

Gazeta rendit disa problematika përveç kanalizimeve që janë:

-Qendra e paraburgimit administrativ Gjadër është ndërtuar në ajër.

-Toka ishte e papërshtatshme. Nuk kishte themele.

-Nuk kishte asnjë sistem elektrik, nuk kishte ujë.

Sipas gazetës, kjo është edhe arsyeja e vonesave, teksa shton se ata po testonin lidhjen e internetit, e cila do të jetë thelbësore për të menaxhuar në distancë mijëra raste për mijëra jetë në pritje të gjykimit.

Kampi do të ketë 1150 vende për paraburgim dhe 24 për një burg të vogël të brendshëm.

Për ndërtimin e dy strukturave deri më tani janë shpenzuar 800 mijë euro. Të gjitha punimet janë të autorizuara me procedura të veçanta.

Materialet u blenë nga qeveria italiane nga kompani në Trento, Colaziocorte dhe Carimate. Ato janë pjesë për ndërtimin e kontejnerëve të cilët përgjithësisht përdoren nga të zhvendosurit nga tërmetet ose ndonjë fatkeqësi tjetër.

“Desh goditi dhe fëmijët tanë”- Sulmi në një autobus në Gjermani, si tre gra shqiptare ndaluan agresoren: Ishte tmerr! I hoqëm thikën dhe e shtrimë në tokë

Ditën e premte, në afërsi të qytetit Siegen, një grua me origjinë gjermane, sipas të gjitha gjasave me probleme psikike, ka sulmuar njerëzit në autobus me thikë dhe ka plagosur gjashtë persona, dy prej tyre ende janë në rrezik për jetën.

 

Tragjedia, sipas fjalëve të kryebashkiakut Meus, mund të kishte qenë tragjedi edhe më e madhe.

“Por tri gra me sfond migrantësh e kanë ndalur sulmuesen dhe e kanë evituar një tragjedi me përmasa më të mëdha”,  thotë kryebashkiaku.

Gratë shqiptare shmangin një tragjedi me më shumë pasoja

Deutsche Welle merr vesh se këto gra që kanë evituar një tragjedi shumë më të madhe në autobus janë me origjinë shqiptare. Ato janë A. P, A.B, dhe B, R-P.  (Redaksia e Deutsche Welles në shqip i ka edhe emrat e plotë të tyre dhe fotografitë, por për shkak të gjendjes së tyre dhe shokut që kanë përjetuar, për momentin nuk do t’i publikojmë).

Ne kemi biseduar me B. R-P, e cila shpjegon se çfarë ka ndodhur. Ato kanë qenë së bashku me katër fëmijë duke shkuar në festë në qytetin Siegen.

“Kemi qenë në autobus duke u kënaqur, duke kaluar jashtëzakonisht mirë, duke qeshur e argëtuar me fëmijë… papritur është dëgjuar një piskamë. E kam parë që një grua po qëllonte të tjerët me thikë. Ka dashur të sulmojë edhe fëmijët tanë… A. P. ia ka kapur thikën me dorë dhe së bashku me A. B. e kanë kapur e kanë rrëzuar këtë grua. Unë kam kapur fëmijët dhe i kam nxerrë jashtë me shpejtësi… jam kthyer në autobus dhe ia kam marrë nga dora një çantë sulmueses… ia kemi nxjerrë thikën nga dora dhe e kemi shtrirë për toke.

Njëra e mbante për duar, tjetra për këmbë… dikur ajo gruaja bërtiti “ich erbege mich” (dorëzohem)… u ul me një karrikë në autobus dhe aty e kemi mbajtur duke pritur derisa sa të vinte policia… Autobusi ishte përplot me gjak në të gjitha anët,,, ishte tmerr”, rrëfen në një bisedë me telefon për DW B. R-P, e cila gjatë bisedës shpesh ndalonte dhe ofshante.

Vetëm pas daljes nga autobusi A.P. ka vërejtur se në dorë kishte një plagë të madhe nga thika. Ajo dhe të lënduarit tjerë janë dërguar menjëherë në spital. A.P. dalë ndërkohë nga spitali dhe tani është më mirë me shëndet. Por shoku i tyre është ende i madh.

Trajtimi nga autoritetet

B. R-P. shpjegon se ato i kanë vizituar edhe autoritetet e qytetit. Kryetari i bashkisë i ka falënderuar për guximin e treguar dhe për faktin që me siguri kanë shpëtuar edhe shumë të tjerë, që mund të kishin rënë viktimë.

Të premten gjatë natës janë trajtuar edhe nga psikologë, por për fat të mirë, ato kanë edhe familjet e tyre pranë vetes. Megjithatë frika dhe ankthi ende janë të mëdha. “Sa herë i mbyll sytë, më paraqiten ato pamje të tmerrshme”, thotë B. R-P./DW