32.5 C
Tirana
E mërkurë, 13 Gusht, 2025

Pazar i ri në horizont, Berisha i kërkon Ramës të bëhen bashkë për të zhbërë reformën në drejtësi!

Sali Berisha i ka shtrirë Edi Ramës dorën për një tjetër pazar në kurriz të reformës në drejtësi. Pas paktit për të amnistuar të korruptuarit, nëpërmjet votimit të Amnistisë Penale, dhe atij për Reformën Zgjedhore, çka praktikisht zhbëhu mundësinë e listave të hapura, Berisha duket se tani ka dalë te qëllimi i vërtetë.

Edi Rama krijoi komisionin e famshëm “Xhafaj” me qëllim ndryshimin e ligjeve të reformës dhe organizmin e organeve kushtetuese. Mirëpo si duket Berisha nuk i zë besë këtij komisioni dhe ka hedhur teorinë e një komisioni të ri, me qëllim rishikimin total të reformës në drejtësi. Madje, duket se kjo do të jetë dhe pjesë e premtimeve para zgjedhjeve të 2025.

Deklarata u bë dje nga ballkoni, ku duket se është dhe një lloj ftese për mazhorancën. Berisha e di se asnjë parti nuk e ndryshon dot reformën, pasi kërkohen 84 vota. Dhe deklarata e tij duket se vjen erë e keqe, pasi nuk është çudi që të negociohet për tjetërsimin e reformës, në një kohë kur ambasadori amerikan nuk ka mbërritur ende.

“Krijimi i komisionit të së vërtetës është rruga e vetme për të bërë radiografi, në mënyrë që Dumanër, Gjoka, gjykatës, prokurorë kriminelë të mos mund t’i fshehin qytetarëve shqiptarë krime të shëmtuara të deputetëve të tyre, ministrave të tyre, kryeministrit të tyre. Vetëm krijimi i një komisioni të së vërtetës që do të jetë pjesë integrale e programit të PD do mund të ndajë në mënyrë përfundimtare Shqipërinë nga bota e krimit shtetëror-qeveritar të sotëm”, tha Berisha.

Mbetet të shihet se cila do të jetë lëvizja e demokratëve të Berishës, do kemi bashkim te komisioni Xhafaj, apo do kërkohet një komision i ri. Deri tani opozita e ka bojkotuar komisionin, por nga e hëna politika rikthehet në normalitet dhe duket se njerëzit e oborrit të Berishës do vijnë me ide të reja për të zhbërë SPAK dhe GJKKO-në, gjë që i intereson njëkohësisht edhe Berishës, edhe Ramës.

Gjurmë drite mbi terr

Nga dr. Yzedin Hima

Libri i Drita Çomos “Dritë që vjen nga humnera” është ndër librat më të trishtë që kam lexuar. Nëse Ditarin e Drita Çomos do ta pranvëmë me librin e famshëm “Ditari i Ana Frankut”, libër që ka trishtuar botën, do vëmë re se të dy tekstet kanë disa përqasje: janë dy vajza të ndjeshme, të brishta në situata tejet absurde, ku dhuna që vjen nga rrethimi i dy diktaturave, asaj naziste dhe asaj komuniste, shenjon e godet shpirtrat e tyre të brishtë në një terr pa asnjë dritë shprese.

Ana Franku, me Ditarin e saj ia tregoi botës plagët e tmerrshme, genocidin që shkaktoi nazizmi mbi krijesat e pafajshme njerëzore. Ditari dhe poezia e Drita Çomos po u tregon qytetarëve shqiptarë dhe më gjerë për dhunën, burgjet, privimet, varfërinë, mjerimin fizik dhe shpirtëror që pësuan banorët e këtij trualli gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX. Dy diktaturat ngjajnë me njera – tjetrën për fatin e keq të njerëzimit që i përjetoi. Të dy vajzat kanë një fund të trishtë.

Ndryshe nga Ana Frank që jetoi ferrin nazist, Drita Çomo jetoi ferrin e dyfishtë, komunizmin dhe kancerin. Duke lexuar ditarin e saj të bën përshtypje se shpesh sëmundja tërhiqej për pak kohë, për t’i lënë vajzës disa çaste gëzimi, kur analizat e saj shëndetsore dilnin në parametra normalë dhe vajza i gëzohet qetësisë dhe mungesës së dhimbjeve trupore. Ndërsa diktatura qe një ferr pa mbarim, me dhunën, fyerjen, varfërinë dhe mjerimin, poshtërimin, burgosjet e internimet e prindërve dhe njerëzve të afërm të saj. Nëse kanceri i shkatonte dhimbje të tmerrshme fizike, diktatura i drejtohej posaçërisht shpirtit dhe mendjes, duke shkaktuar dhimbje të tmerrshme shpirtërore dhe tronditje të thella psikologjike. Në ditarin e saj Drita Çomo shkruan: “O Zot më shpëto nga dhimbjet fizike, se nga ato shpirtërore shpëtoj vetë.”

Pikërisht, kjo vajzë e ndjeshme, me interesa dhe kureshtje për shkencën, letërsinë, u gjend në situatën më absurde: e rrethuar nga dy diktatura, ajo e vdekjes dhe ajo staliniste. Në ditarin e saj gjen refleksone të tilla si: “Tragjedia në jetën e njeriut fillon atëherë kur ai e kupton se nuk i nevojitet askujt”. Marrdhëniet e Dritës me diktaturën në ditar shënohen si mjaft absurde. Kur ajo kërkon të dijë se ku e kanë flakur babain e saj pa asnjë adresë, zyrtari i shtetit i kumton: “ Përgjigjia është: nuk përgjigjemi!”.

Në faqet e ditarit dallohet rrjedhshmëria e tekstit, pasuria e fjalorit dhe teksti herë – herë merr nuancat e prozës poetike: “Dukej sikur qielli i kish rrëzuar yjet në tokë. Ai ishte i errët, gati i zi dhe vetëm tek – tuk dridheshin siluetat e zbehta të yjeve, si një reflektim i dobët i gjithçkaje që shndriste në tokë. Diku, midis dritave, mbi një oxhak të përskuqur digjej një flakë e blertë, e qetë dhe e pastër, që të kujtonte tempujt e lashtë me kurbanet dhe flakëritjen e tyre të ftohtë, kushtuar qiellit.”

Kjo gjuhë mjaft e latuar vjen si rrjedhojë e leximeve të shumta të letërsisë artistike nga Drita Çomo. Në përgjigje të pyetjes, që i drejtoi dikush se cila ishte më e fortë dashuria apo urrejtja, Ajo i përgjigjet me një thënie të Gollsuorthit: “Vetëm neveria është e përjetshme”. Drita Çomo shkruan në ditarin e saj se ajo shkonte në bibliotekë dhe lexonte literaturë mjeksore dhe me një kurajo të pazakontë shkruan se po lexonte e njihej me vdekjen e saj. Përballja e saj me vdekjen është tejet kurajoze, ndërsa përballja me diktaturën më tepër është një shpërfillje elegante nga ana e saj.

Një nga mungesat lemeritëse në diktaturë ka qënë mungesa e humanizmit. Kjo vajzë e dashuruar me librat, me njerëzit e thjeshtë që vuanin, natyrën, kalonte midis rrugës e shigjetuar nga sy plot urrejtje. Lufta e klasave, e predikuar nga diktatura, i shkretoi shpirtrat njerëzorë, ndaj vajza e bukur me emrin Drita Çomo ndihet më e qetë në pavionet e kancerozëve, se sa në mjediset publike të qyteteve. Herë – herë ajo të trondit me fjalët e ditarit të saj: “ Dhe një njeri i vetëm s’ka se ç’bën – i duhet t’i nënshtrohet fatit dhe ndoshta vetëm të përpiqet që të paktën imagjinata e tij të ecë krahas botës së madhe.” Ditari është ndërtuar me mjaft pyetje retorika e dilema që ia brejnë shpirtin e pafajshëm autores: “Po kur nuk ka kurrfarë ritme dhe gjithçka është rrokullisje pa fund?

Në tekstet poetikë të Drita Çomos trishtimi, dhimbja, brenga janë shenja kuptimore. Poezia e saj është një klithmë e bukur ekzistenciale. Ndonëse ajo ishte në pranverën e moshës, në tekstet e poezisë së saj takojmë vjeshtën, shiun dhe dimrin. Në poezinë me titull “ Vjeshtë” autorja i drejtohet vjeshtës: Dhe po më mbyt ky qiell i errët…/Dua ta pyes përse më mban mëri/ Dua t’i lutem të mos jetë kaq e egër-/Edhe pa të në shpirt kam kaq mërzi./ Në poezinë me titull “K…” Drita Çomo, pasi vizaton me fjalë plot ngjyra portretin e vogëlushes Kledia, bijë e dy prindërve të internuar si armiq të diktaturës, bën pyetjen: Çdo të ndodhë me të? Dhuna mbi të bukurën është dy herë dhunë: Ajo kish fëshfërimën e barit në sy/ Pafundësinë e detit në diell/ Në misterin e qenies së saj e bukura,/ Si pluhur yjesh dridhej. Dhuna mbi të bukurën, mbi femrën është dyfish dhunë.

Leximet e kishin bërë të lirë shpirtërisht dhe mendërisht Drita Çomon. Ajo e shikon botën me vështrim hamletian, kur thotë se tragjeditë e Shekspirit nuk luhen vetëm në skenat e teatrove të botës, por edhe në realitetin e njëmëndët të vendeve të ndryshëm. A nuk i takon kohës së diktaturës thënia e mrekullueshme e Hamletit se ardhka një kohë, kur virtyti i kërkon ndjesë vesit?!

Në poezinë “Gjyshes” autorja e portretizon gjyshen e saj fatkeqe me figurën mitike të Niobes, nënës që u shndërrua në gur nga dhimbja për bijtë e vrarë në mitologjinë greke. Gjyshes së Drita Çomos iu dënuan bijtë me 140 vjet burg e internime. Edhe ajo nga dhimbja e thellë qe shndërruar në gur: Niobe fatkeqe ngurosur nga dhimbja,/ Ç’zemërim perëndish mbi supe të ra, Ç’hyjneshë ke fyer me lumturinë tënde/ Që pa dritën e syve të la./ Më tej ligjërimi shndërohet në një klithmë ekzistenciale: Shtegtim i pafund nga një tmerr në tjetrin/ Tragjedi niobiane e shndërrimit në gur/ ulërin drejt tokës, ulërin drejt qiellit/ Deri kur? Deri kur?/

Drita Çomo shfaqet në ditarin e saj si një vajzë e re e bukur, e zgjuar, plot dinjitet. Ajo, ndonëse jetoi ferrin e dyfishtë, kultivoi te vetja shije të holla estetike, dhembshurinë, humanizmin dhe qëndresën. Ndonëse jetoi në një kohë kur hipokrizia, dhuna, spiunimi, urrejtja kishin mbërthyer shoqërinë, ajo eci në drejtim të kundërt duke kërkuar, krijuar e përjetuar të bukurën në një kohë të shëmtuar.Në tekstin e poezisë “Ca lule”ajo e sfidon dhunën me dhimbjen dhe dashurinë njerëzore: Ca lule të bardha këputa në kopsht,/ Si pikëllim i bardhë kanë ulur kokën/ E duket se më thonë, po përse,/ Ç’faj kishim ne, ç’faj kishim ne…/ Ç’bëra, them me vete, veten shaj,/ Po ja dhe unë vuaj dhe pa faj…/Petalet e bardha nis i shkund,/ Si dhembje të vogla në dhembjen e pafund./ Po unë e dija, them me vete, veten shaj,/ Se çdo të thotë të vuash, kur s’ke faj.

Është ndër poezitë e arrira, e cila mund të qendrojë me dinjitet artistik në çdo antologji poetike. Dhimbja e ka bërë të bukur fjalën e Drita Çomos. Në vargun Si pikëllim i bardhë kanë ulur kokën kemi një krahasim befasues, një epitet metaforik dhe një metaforë, ku figurat nuk errësojnë njera – tjetrën, por shkëmbejnë dritën midis tyre.

Tekstet e Drita Çomos janë gjurmë dritë në pëlhurën e terrtë të kohës që ajo jetoi.

Urat mbartin kujtimet e komuniteteve lokale në Shqipëri

Nga Erjola Azizolli

Elvira Bollobani veçon Urën e Bovës në fshatin Roshnik të qarkut të Beratit, ku dominojnë urat mesjetare dhe ato të ndërtuara dekadat e fundit. Për të nuk ka rëndësi vjetërsia e urës, por kujtimet të cilat ato mbartin për komunitetin që kalon çdo ditë mbi to për të lehtësuar proceset e ndryshme jetësore.

“Është ndërtuar kur u bë rruga e Roshnikut para ’90-ës. Në vitin 2013-2014 u ndërtua përsëri se u shtrua rruga,” shpjegoi gruaja për historinë e urës, duke shtuar se struktura e saj ishte prej betoni dhe se ruhej në gjendje të mirë.

Anekënd Shqipërisë gjenden me qindra ura dhe rrënoja të tyre, por një pjesë e vogël janë të shpallura si monumente të trashëgimisë kulturore. Komunitetet lokale kanë një lidhje të fortë me urat, jo vetëm për faktin se u mundësojnë atyre lëvizjen dhe komunikimin, por edhe për kujtimet e ndërtuara rreth tyre.

Përmes një pyetësori të publikuar në platformën ECR dhe komunikimit në rrjetet sociale, media Amfora mblodhi përshtypjet e dhjetra banorëve për urat e vendlindjes së tyre, si edhe të dhëna për gjendjen aktuale.

Qytetarët që morën pjesë në anketim veçuan Urën e Tabakëve në Tiranë, Urën e Vashës në Mat, urat e Bovës, Goricës dhe atë të fshatit Lugas në Berat, Urën e Dragotit në Gjirokastër, Urën e Bunës dhe të Mesit në Shkodër, si edhe Urën e Sulë Golemit në Shijak, pjesa më e madhe e të cilave janë monumente kulture.

Pavarësisht nëse shërbejnë për kalimin e mjeteve motorike apo të këmbësorëve, në shumë qytete dhe në zonat rurale ato janë thelbësore kalimin e lumenjve, duke u bërë pjesë e rutinës së përditshme.

Shumica e atyre që raportuan i ndanin kujtimet e tyre me urat të lidhura kryesisht me fëmijërinë, ndërsa u përgjysmuan kur u pyetën nëse e njihnin historinë e tyre. E vjetër apo e re, një urë shërben si mjet komunikimi duke lehtësuar jo vetëm kalimin, por edhe zhvillimin e tregtisë, arsimimin dhe vetë zhvillimin e jetës urbane apo rurale.

Ura e Beçishtit ose Ura e Ali Pashës, në Tepelenë. Foto: Media Amfora

Në faqen e Amforës në “Facebook” komentuan 21 persona të tjerë, duke renditur gjithashtu urën e Mbostartit, të Mifolit, të Zogut mbi Lumin Mat, Urën e Bunës, Velabishtit, Rodenjit, Ura e Beçishtit ose Ura e Ali Pashës në Tepelenë, urat përgjatë Rrugës së Arbërit, deri në Çamëri, ku gjendet ura e Artës.

“Ura në Bushtricë u ndërtua dhe përdorej kur kishte hekurudhë Elbasan-Prrenjas, ura më e lartë në vendin tonë. Ura e Pishkashit, po në këtë hekurudhë që sot nuk përdoren,” komentoi një tjetër qytetare.

Interesi i shqiptarëve për urat nuk lidhet vetëm me ato monument kulture apo hekurudhore, por edhe me ndërtimet inxhinierike që janë kthyer në toponimi, siç raportuan për “Urën e Dajlanit” në Durrës dhe për “Urën e Shijakut”, pranë hyrjes së qytetit mbi Lumin Erzen.

Por ka qytetarë që shprehen të keqardhur për urat e kthyera në rrënjoja, të tilla si Ura e Hasan Beut në Dimal, e cila është zëvendësuar me një urë të re.

Në vendin tonë shumë prej urave trashëgohen që nga periudha e mesjetës dhe kanë mbërritur në ditët e sotme të ruajtura në gjendje të mirë në pjesën më të madhe të tyre, ndërsa të tjera kanë nevojë për restaurim.

Një automjet duke kaluar mbi Urën e Leklit, që lidh rrugën Tepelenë-Përmet. Foto: Media Amfora

Nga 10 persona që raportuan për urat në faqen e Amforës, 4 e përcaktuan gjendjen si “të mirë”, 3 si “shumë të mirë”, 2 e përcaktuan si “të pranueshme” dhe në 1 rast u raportua “gjendje e keqe”.

Megjithatë një pjesë e tyre po përballen me vështirësi të shumta përballë ndikimit të kushteve atmosferike. Ura e Bahçallëkut në Shkodër humbi një pjesë të saj në nëntor të vitit 2022 pas vërshimit të lumenjve dhe rrezikon ekzistencën e saj pasi humbi 60 metra nga struktura. Por 2 vite nga ngjarja nuk ka më asnjë shpresë për shpëtimin e saj, në mungesë të projekteve dhe masave parandaluese.

“Ura e Zogut” konsiderohet kryevepër e inxhinierisë civile e fillimit të shekullit 20 në Ballkan dhe u ndërtua në vitin 1927 në veri të Shqipërisë, për lidhur dy anët e Lumit Mat përmes arkitekturës fine me harqe çeliku. Ajo u përball me degradimin e gjendjes së saj dhe vetëm kohët e fundit pas një advokimi të gjatë të aktivistëve, nisi puna për restaurimin e saj./Amorfa.al

Politika jonë dhe guri i Sizifit

Nga Fitim Zekthi

Duket se ne si komb kthehemi gjithnjë në pikën ku nisemi. Nuk kemi fuqi ta ngjisim, ngreme lart diçka pa u kthyer përsëri pas. Ky është fati jonë, ndëshkimi jonë.
Sizifi ishte mbreti i Efirës dhe u dënua nga perënditë të mbante një gur mbi shpinë duke u ngjitur në majë të malit. Kur arrinre atjei ai rrokullisej poshtë. Ngjitja dhe rrokullisja vazhdonin në përjetësi. Nje denim i tmerrshem ky. Ai u dënua për shkak se ftonte në pallatin e tij njerëz dhe i vriste. Ai kërkoi të vrasë vëllanë dhe joshi të bijën e tij. Nuk njihte me kufi. Ai lidhi Thanatosin pasi arriti ta gënjejë duke bërë që të mos kishte më vdekje dhe duke tërbuar Aresin.
Shkurt u dënua për megalomaninë, dhunen, epshin per pushtet, arrogancen dhe mashtrimet. Për këtë mit ka dhjetra interpretime.
Lukreci thotë se ai personifikon politikanët që aspirojnë për detyra politike, dështojnë gjithnjë, humbin gjithnjë, kerkojne gjithnje, nuk ndalen se kerkuari me cdo mjet. Pushteti i cili kërkohet me ngulm dhe forcë, me intriga dhe lloj lloj veprimesh te pamoralshme, pikërisht ky pushtet në thelb është “një gjë bosh” është në fakt ky gur që mbahet shpinë thotë Lukreci, gur qe kthehet perseri poshte, atje ku u nis.

Edhe ne si komb, të shikuarit e pushtetit në këtë mënyrë na bën gjithnjë të kthehemi aty ku ishim. Politikanëve tanë u është kthyer pushteti bash si ky guri që mban Sizifi. Ky gur në fund rri në shpinë të popullit.

Pakti për avionët, “Le Monde” shpërthen ndaj Macron: Po armatos një autokrat dhe filorus që nxit trazira në Kosovë!

Media e njohur franceze, “Le Monde” i ka kushtuar një artikull të gjatë pazarit mes Macron dhe Vuçiç për blerjen e 12 avionëve ‘Rafale’. Sipas saj, Parisi po dorëzon teknologjinë te një filorus dhe autokrat si Vuçiç, i cili nxit trazira në Kosovë…

Avioni luftarak me shumë funksione Rafale, i ndërtuar nga Dassault Aviation, më në fund po merr suksesin që priste jashtë vendit. Ai peshon shumë në eksportet franceze të armëve, të cilat e kanë ngritur Francën në vendin e dytë në mbarë botën për nga vlera e eksportit, sipas raportit të fundit nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimit të Paqes në Stokholm, të botuar në mars.

Libri i porosive të Dassault Aviation është aq i mbushur sa prodhuesi po lufton fort për të përmbushur  kërkesat. Kontrata e fundit u njoftua me bujë të madhe të enjten më 29 gusht në Beograd, ku kishte udhëtuar presidenti Emmanuel Macron. Ai braktisi kërkimin e tij për një kryeministër për 24 orë për të marrë pjesë në nënshkrimin e shitjes në Serbi të 12 Rafales, për një shumë që i afrohet 3 miliardë eurove.

Përderisa suksesi tregtar i këtij operacioni – i cili ka qenë në zhvillim e sipër që nga shitja e 12 modeleve të tjera tre vjet më parë në Kroaci, fqinji dhe rivali rajonal i Serbisë – është i pamohueshëm, dimensioni i tij diplomatik është shumë më i diskutueshëm. Që në fillim, projekti është konsideruar i ndjeshëm, dhe me të drejtë, për shkak të lidhjeve të Serbisë me Rusinë e Vladimir Putinit.

Serbia, kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), nuk i zbaton sanksionet e vendosura nga evropianët ndaj Moskës pas pushtimit të Ukrainës. Ndryshe nga linjat ajrore të BE-së, Air Serbia vazhdon të fluturojë drejt Moskës. Beogradi ka porositur gjithashtu helikopterë luftarakë dhe bateri të mbrojtjes ajrore nga Rusia dhe Kina.

Masat paraprake të nevojshme

Elysee po mbron pikërisht argumentin e kundërt për të justifikuar shitjen e Rafale, të cilën e sheh si një mjet për të “ankoruar Serbinë në Evropë”, në vend që ta lërë atë të kalojë në një zonë gri që Moska dhe Pekini po përdorin për të ushtruar ndikimin e tyre. Blerja e Rafales për të zëvendësuar flotën serbe të avionëve të lodhur rusë MiG-29 shënon një “ndryshim strategjik”, “historik dhe të rëndësishëm”, u lut presidenti francez. Ai është i bindur se “klubi Rafale”, në të cilin Serbia bashkohet me Greqinë dhe Kroacinë, përkundrazi mund të “kontribuojë në paqen në Evropë” dhe të nxisë integrimin rajonal.

Askush nuk do të kundërshtojë përfitimet për Francën dhe Evropën nga pajisja e forcave ajrore serbe me avionë francezë dhe jo rusë – apo edhe amerikanë. Një shitje e tillë nënkupton një lidhje të zgjatur me vendin prodhues, në drejtim të trajnimit, mirëmbajtjes dhe furnizimit me pjesë këmbimi. Por ne duhet të shpresojmë që të gjitha masat paraprake janë marrë për të garantuar mbrojtjen e teknologjisë dhe njohurive të përfshira në Rafale, në një vend ku shtetasit rusë janë të lirë dhe ku prodhuesit kinezë dhe rusë të mbrojtjes kundërajrore do të jenë në gjendje të studiojnë nga afër avionët.

Së fundi, forca shtytëse më e fuqishme për integrimin e Serbisë në tufën evropiane nuk gjendet nën kabinën e Rafales, sado të aftë që të jenë. Pengesat kryesore për këtë afrim janë nacionalizmi dhe drejtimi autokratik i vendit të tij nga presidenti Aleksandar Vuçiç, i cili ka kapur prej fyti shtypin, keqtrajton kundërshtarët dhe nxit trazirat në Kosovë, pavarësinë e së cilës ai e refuzon. Fatkeqësisht, presidenti Macron nuk kishte asgjë për të thënë për të gjitha këto të enjten në Beograd. /Përshtatur, “Le Monde”

Enigma e kanionit të Holtës

Nga Gëzim Kabashi 

Në Gramsh mbërrijmë kur vapa e mesditës ia ka lënë vendit freskisë së maleve përreth dhe fëshfërimës së gjetheve të gështenjave, që u japin hije trotuareve të gjera të qytetit.

Një orë më parë dështuam të vizitojmë kanionin  e Holtës, pasi harxhuam shumë kohë për të gjetur daljen nga rruga kryesore drejt fshatit, ku ndodhet monumenti natyror.

Një mesoburrë që ndaloi veturën për të na ndihmuar, na këshilloi më pas se moti mund të prishet dhe nëse bie shi vizita, në kanion nuk është e këshillueshme.

I gëzohemi të rinjve të shumtë që mbushin rrugët e Gramshit, megjithëse e kuptojmë shpejt se veç ajrit të pastër, lulishteve të mbushura me fëmijë të shëndetshëm dhe njerëzve mikpritës, qyteti në qendër të vendit ende nuk ka mësuar ti shfrytëzojë resurset e veta.

Muzeu historik i ka dyert e mbyllura zyrtarisht të shtunën dhe të dielën, ndërsa gjatë javës mbetet i hapur deri në orën 16.00.

Tabelat me të dhëna për Ujëvarën e Sotirës, liqenin e Lenies, apo edhe për Kërpicën, që furnizon qytetin 24 orë në ditë me ujë të pijshëm, mungojnë.

Edhe njoftimi për rezultatet e censit 2023, sipas të cilit Gramshi ka vetëm 16.533  banorë nuk është pasqyruar ende.

Njëlloj është harruar edhe Uzina e Armëve të Këmbësorisë në Çekinë, 4 kilometra larg qytetit.

Filloreta, që administron një bar-restorant pranë shëtitores-pedonale na sjell më shumë informacion për Gramshin dhe burimet e tij.

“Unë kam ardhur nuse nga Skrapari në Gramsh para 20 vitesh,” tha Filloreta Dërmishi për BIRN, duke folur më tej për banorët e zonave fshatare që po i drejtohen qyteteve të mëdha.

“Gramshi është qytet fundor,” vijon Filloreta, ndërsa thekson se dhe autobuzët e linjave të gjata nuk e vazhdojnë më tej udhëtimin drejt Moglicës, qytezë e njohur prej hidrocentralit që u ngrit kohët e fundit.

Pasi u mbush liqeni i ri, i cili përmbyti edhe rrugën e vjetër drejt Korçës, gjithçka u zëvendësua me kalimin automobilistik nga mali, gati 1000 metra lartësi.

“Kështu, për ata që nuk duan të kthehen deri në Elbasan për të udhëtuar drejt Pogradecit e Korçës, rruga e re të shpie nga mali drejt Lozhanit e Maliqit, e më pas në Korçës,” tha Filloreta, teksa na pyet edhe ne se çfarë mendojmë për Gramshin.

Në verandën e bar-restorantit pamja është shumë e bukur. Lumi i Devollit ka krijuar një territor me zhurë, ndërsa përballë formacionet argjilore duken si një perde e pafund kinemaje.

Në fushën që ka krijua lumi bashkë me pyjet me lartësi mesatare, një grup fshatarësh kanë mbjellë ngastra me perimet e stinës.

I themi Filloretës së na bën përshtypje që në faqen e internetit të bashkisë, gjen ende të dhënat e vitit 2004, kur Gramshi ishte rreth më vehte dhe pyesim si është e mundur të gjitha këto bukuri natyrore të mos pasqyrohen dhe të mos promovohen nga bashkia.

“Njëlloj edhe pedonalen e bënë shumë të vogël,” shtron një tjetër ankesë zonja e lokalit.

Nga Italia në përkujtim të ushtarëve alpinë

Një grup me turistë italianë flasin me zë të lartë dhe duken tepër të kënaqur me qytetin.

Sapo kanë vizituar në qendër të qytetit bustin e politikanit antifashist italian Antonio Gramshi, i cili sipas studiuesve rrjedh nga një familje me origjinë nga zona, ndoshta që nga eksodi i madh i shqiptarëve në kohën e Skënderbeut.

“Ne kemi ardhur me mision përkujtimor nga Val Camonica pranë Brescias drejt e në Gramsh. Vitin e kaluar ishim në vendin e quajtur Guri i Topit, ku humbën jetën në luftën italo-greke të vitit 1940 tre oficerë nga vendbanimi ynë,” tha për BIRN Giaccomo Cappellini, që përfaqëson degën e Shoqatës Kombëtare të Alpinëve.

Grupi i organizuar nga drejtuesja e muzeut historik të Val Camonicas këtë vit ka vizituar vendin që quhet Varri i Lamit, dhe ku krejt reparti i Alpinëve me ushtarakë të ardhur nga Valcamonica u shua në luftime për të shpëtuar një repart tjetër italian që po tërhiqej, shpjegoi Giaccomo Cappellini.

“Jemi të prekur nga mikpritja e banorëve të zonës dhe nga respekti për misionin tonë,” tha për BIRN Giorgio Ceni, i cili 85 vjet më parë ka humbur xhaxhain e tij, ne luftën pranë Gurit të Topit.

“Misioni  ynë do të ishte i pamundur pa ndihmën e Ilirit, komandantit të shërbimit zjarrfikës të Gramshit,” rikthehet në bisedë Giaccomo.

“Iliri ka punuar 14 vjet në zonën e Val Camonica, në Itali, dhe respekti mes nesh ka mbetur i pandryshuar,” shtoi Giaccomo, duke kujtuar se edhe emir Ilir na kujton një raport lidhjeje mijëvjeçar mes dy popujve tanë.

Enigma e Kanionit të Holtës

E panjohura e kanionit të Holtës, lidhet kryesisht me mungesën e plotë të informacionit që të çon drejt tij.

Por edhe për prejardhjen e emrit të bukur të kanionit dhe të lumit në mes, askush nuk na ndihmon.

Tabelat e pakta janë zbardhur plotësisht nga koha e janë të palexueshme, dhe për të zbritur përfundimisht nga automjeti duhen pyetur rrugës të paktën katër apo pesë vetë.

Vendasit, njëlloj si pushteti vendor duken të painteresuar për pasurinë natyrore pranë tyre.

Në listën e fshatrave shohim të fundit tabelën e fshatit Kotorr, ndërsa emri Holta është shkruar vetëm si emri i restorantit mbi lumë.

Drejt grykës me lartësi mbi 50 metra, që çan në formë gjarpërushe në një distancë prej gati 3 kilometra, njerëz të të gjitha moshave, fëmijë, vendas dhe të huaj, kujdesen për ti vënë këmbët mbi gurët e zhurit, që herë duken e herë jo nën ujë.

Disa të moshuar pasionantë kalojnë nga njeri krah i përroit të rrëmbyer, duke u mbajtur për dore.

Disa të tjerë i kanë mbajtur të veshura këpucët sportive edhe në ujë, ndërsa disa të tjerë i kanë besuar pantoflave të plastikës.

Asnjë informacion për këto këshilla të rëndësishme, dhe aq më tepër për stacionet e mundshme të kanionit me distancat nga hyrja kryesore; dhe ku nuk kuptohen formacionet shkëmbore apo monumentet që dallohen gjatë rrugës.

Kthehemi atëhere kur më të guximshmit na këshillojnë se nuk ka asgjë tjetër për tu parë.

Në dalje një grup i madh me të huaj, kanë ngjeshur mbi kokë kaskat e domosdoshme në shpella, e që askush nuk i ka këshilluar deri tani.

Tabelën me fletushkën e Administratës së Zonave të Mbrojtura Elbasan – që në një format A3 tregon se Monumenti natyror ndodhet pranë fshatrave Kabash dhe Tërvol, e gjejmë atëhere kur përgatitemi për tu kthyer në shtëpi.

Ganiu, i cili kullot dhitë dhe kecat në një korije pranë lumit, thotë se “vetëm të shtunën e të dielën në kanion kanë ardhur mbi 200 vetë”.

“Por shumë rrallë ndonjëri prej tyre ble ndonjë keç, përfundoi Ganiu, teksa kujdeset për dhitë e shpërndara në faqe të kodrës./ Birn

Nuk pritet një recesion global

Ky është një lehtësim për investitorët kudo në botë, shkruan The Economist

 

Pasi u raportua një rënie e punësimit në Amerikë, është rritur frika se ekonomia më e madhe në botë po shkon drejt recesionit. Tregjet amerikane të aksioneve kanë rënë, dhe kjo frikë është përhapur në vende të tjera.

Indeksi Topix i Japonisë është ulur me 15% që nga niveli i fundit. Indeksi kryesor i Gjermanisë është ulur me 7%. Kur Amerika teshtin, bota ftohet.

Por po të vërejmë më nga afër të dhënat e fundit, do të kuptojmë se ekonomia globale nuk është në rrezik dhe se paniku i tregjeve mund të jetë i gabuar. Marrim së pari tregun e punës.

Shkalla e papunësisë në Amerikë është rritur që nga niveli më i ulët prej 3.4% në prill 2023, duke arritur në 4.3% në korrik.

Historia tregon se një rritje e kësaj madhësie, zakonisht shoqërohet me një rënie të prodhimit ekonomik, duke çuar nga ana tjetër, edhe në një rritje të mëtejshme të papunësisë, falimentimeve dhe rënies së të ardhurave.

Sidoqoftë, ky cikël mund të jetë ndryshe, siç tregojnë tregjet e punës në pjesë të tjera të botës. Për muaj të tërë, papunësia është rritur ngadalë pothuajse kudo.

Shkalla e papunësisë në Gjermani është rritur nga niveli më i ulët prej 2.9%, në 3.4% sot. Në Britani është rritur nga 3.6% në 4.4%, ndërsa në Australi ka shkuar nga 3.5% në 4.1%.

Një pjesë e kësaj rritjeje ka një shkak të përbashkët: lirimin e tregut jashtëzakonisht të shtrënguar të punës, pas pandemisë Covid-19.

Jo shumë kohë më parë, punëdhënësit, që po vuanin nga mungesa e fuqisë punëtore dhe kërkesa e lartë, ishin të gatshëm të punësonin pothuajse këdo.

Tani, ata mund të jenë bërë disi më përzgjedhës.

Për më tepër, papunësia po rritet pjesërisht edhe për shkak të ndryshimeve në fuqinë punëtore të shteteve të pasura.

Shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore në shtetet anëtare të OECD-së për personat në moshë pune, ka arritur së fundmi nivelin më të lartë të të gjitha kohërave. Ata që dikur nuk po kërkonin punë, tani po kërkojnë në mënyrë aktive.

Kjo mund të rrisë shkallën e papunësisë në një periudhë afatshkurtër. Këta njerëz kanë arsye të mendojnë se së shpejti do të gjejnë një vend pune, sepse rritja e vendeve të punës mbetet mjaft e fortë.

Gjatë tremujorit të fundit, punësimi është rritur me 0.8% në Australi dhe 0.6% në Kanada. Edhe pse punësimi në Japoni ra me 0.03%, ky është një përjashtim për vendet e pasura.

Është gjithashtu e vështirë të baraspeshohet dobësia e tregut të punës me rritjen e pagave, që në ekonomitë e zhvilluara, e tejkalon lehtësisht normën e inflacionit.

Të dhënat e prodhimit janë edhe më të qarta se ato të punësimit. Duke vërejtur një sërë të dhënash, duket qartë se nuk ka shumë prova të ndonjë ngadalësimi.

Në një recesion tipik, fitimet e kompanive bien, por tani për tani, firmat në vendet e pasura kanë pasur një ecuri mjaft të mirë.

Sipas një studimi nga Deutsche Bank, në tremujorin e parë të këtij viti, rritja globale e fitimeve të korporatave arriti nivelin më të lartë në shtatë tremujorë. Ecuria e fortë duket se ka vazhduar edhe në tremujorin e dytë.

Fitimet e kompanive amerikane duket se janë rritur me më shumë se 10% nga viti në vit. Më 6 gusht, kompania Uber raportoi rezultate të mira.

Një pjesë e mirë e kompanive europiane po mposhtin pritshmëritë e analistëve për fitime. Në Korenë e Jugut, fitimet e tremujorit të dytë ishin më të mira se sa pritej.

Ekonomia në përgjithësi ka një histori të ngjashme. Një gjurmues javor i veprimtarisë ekonomike amerikane, i përpiluar nga Banka e Rezervës Federale të Dallasit, tregon pak shenja dobësie.

Një “tregues i menaxherëve të blerjeve” që gjurmon kushtet ekonomike globale, mbetet po ashtu i fortë. Edhe pse ritmi i zgjerimit ekonomik u ngadalësua në korrik, ai mbeti ndër më të mirët e regjistruar gjatë vitit të kaluar.

Një “tregues i veprimtarisë së tanishme” i krijuar nga banka Goldman Sachs, na jep një arsye tjetër për optimizëm.

Ky tregues me një frekuencë të lartë dhe i përpiluar nga një sërë burimesh, parashikon përparimin e PBB-së në vendet e pasura. Treguesi është pak më i fortë se në pjesën më të madhe të vitit të kaluar.

Disa ekonomi përballen me një rritje të dobët ekonomike, duke përfshirë Austrinë dhe Francën. Por ato kanë pasur vështirësi të tilla prej një viti, dhe gjendja është shumë më e mirë tani se disa muaj më parë.

Po ashtu, pasqyra e inflacionit po përmirësohet. Pasi arriti kulmin në 10% në fund të vitit 2022, inflacioni mesatar në vendet anëtare të OECD–së, ka rënë në mënyrë të vazhdueshme.

Në qershor, çmimet mesatare në të gjithë bllokun, u rritën me 2.6% në bazë vjetore, afër objektivave të bankave qendrore prej 2%.

Rreth një e katërta e vendeve të OECD-së, e kanë ulur inflacionin në atë nivel ose më poshtë. Inflacioni vjetor në Itali është më pak se 1%, ndërkohë që rritja e çmimeve të konsumit në Francë dhe Gjermani, është pothuajse brenda objektivit.

Është ironike që shqetësimet rreth recesionit janë përhapur pikërisht tani kur vendet e pasura duket se po arrijnë një “ulje të butë”, që nënkupton se bankat e tyre qendrore do të arrijnë të ulin inflacionin brenda objektivit, pa shkaktuar shumë dëme ekonomike.

Shqetësimet për ekonominë, me kalimin e kohës, ndoshta mund të bëhen realitet. Ndërsa tregjet e aksioneve bien, familjet mund të fillojnë të shqetësohen për të ardhmen ose të ndjehen më të varfra, duke ulur shpenzimet.

Disa kompani mund të anulojnë planet e investimeve. Inflacioni nuk është mposhtur ende, edhe pse ka rënë. Për shkak të çmimeve të paqëndrueshme të mallrave, ai mund të rritet përsëri.

Normat e larta të interesit vazhdojnë të bien. Sidoqoftë, tani për tani, ekonomia globale mbetet në një gjendje të mirë shëndetësore.

Kompleksi i kishave mesjetare në Orikum, më e hershmja daton në shek.VII

Në akropolin e qytetit antik të Orikumit ndodhet kompleksi i kishave mesjetare, të nxjerra në dritë nga gërmimet arkeologjike në një kishë në vitin 2018 nga ekipi i arkeologëve shqiptaro-zviceranë.

Rrënojat ishin përshkruar që në shek. XIX nga arkeologu francez Leon Heuzey, ndërsa arkeologu austriak Carl Patsch në vitin 1904, thotë se aty gjendej kisha e Shën Gjergjit.

Gërmimet nxorën në dritë një kompleks kishash, ku më e hershmja daton në shek. VII pas Krishtit.

Në përfundim të gërmimit, në vitin 2022 projekti shqiptaro-zviceran realizoi restaurimin e rrënojave të kompleksit të kishave.

Sot vizitorët e parkut arkeologjik të Orikumit, nëpërmjet këtij monumenti mund të kuptojnë më qartë vijimin e jetës në Orikum edhe përgjatë Mesjetës.

Neotitizmi!

Nga Ridvan Peshkopia

Përkufizim: Neotitizmi është një qasje ndaj politikës dhe shoqërisë i cili përdor kornizat gjeopolitike dhe socioekonomike titiste në shpegimin e problemeve gjeopolitike dhe socioekonomike bashkëkohore si dhe normativizimin e zgjidhjes së tyre. Në ndryshim nga titizmi, neotitizmi nuk mbështetet medoemos në komunizëm, socializëm apo neutralitet ndërkombëtar. Ngjashmërisht me titizmin, neotitizmi është snob, elitist, anti-nacionalist, antishqiptar dhe anti-fshat.

1. Neotitizmi urren Shqipërinë. Ai priret të mbitheksojë shtypjen enveriste dhe lodhjen e Shqipërisë postkomuniste dhe të nënvlerësojnë ndihmën që i dha Shqipëria luftës së UÇK-së për çlirim.

2. Neotitizmi urren UÇK-në, duke nënvlerësuar dhe mundësisht eliminuar krejt luftën dhe sidomos rolin parësor të UÇK-së në çlirimin e Kosovës dhe duke mbivlerësuar ndërhyrjen ndërkombëtare.

3. Neotitizmi mbivlerëson vlerën e fabrikave të trashëguara (të cilat nuk kishin më vlerë pasi ishin amortizuar) dhe vajton për mosfunksionimin e tyre si një kombinim mes një trashëgimie titiste të çmuar dhe një realiteti uçkist që i “shkatërroi” fabrikat.

4. Neotitizmi aprovon dhe madje brohoret për burgosjen e udhëheqësve të UÇK-së.

5. Sipas traditës titiste të ndarjes mes shiftarit dhe albanskit, neotitizmi mohon shqiptarizmin e kosovarëve dhe përpiqet të krijojë kombin kosovar.

6. Neotitizmi ofron një format të revizionuar të historisë së Kosovës sipas të cilit, i vetmi fajtor i vuajtjes së shqiptarëve në ish-Jugosllavi ishte EH që i shiti ata te Tito. Ky version i historisë synon ta përqëndrojë narrativën te EH dhe ta shmangë atë nga vetë Tito, i cili ishte shkaktari drejtpërdrejtë i vuajtjeve të shqiptarëve në ish-Jugosllavi.

7. Neotitizmi ofron një version të revizionuar të historisë së Kosovës kur datën e pushtimit serb të saj e sjell nga viti 1912 në 5 Korrik 1990. Neotitizmi mbivlerëson pozitën kushtetuese të Kosovës në Jugosllavinë e pas 1974 dhe nënvlerëson burgosjet, vrasjet, dëbimet nga puna dhe persekutimet që pësuan shqiptarët nga 1974 në 1990.

8. Neotitizmi priret të mbivlerësojë shtetësinë e Kosovë si destinacioni përfundimtar i shqiptarëve dhe kundërshton egërsisht Bashkimin Kombëtar. Kjo është krejtësisht e përputhshme me përkufizimin që dhashë më lart se zgjidhjet neotitiste qëndrojnë brenda kornizave gjeopolitike titiste (pra, nuk mundet një shtet i dalë nga ish-Jugosllavia titiste të bashkohet me një shtet tjetër jashtë atij entiteti politik).

9. Sipas një tradite titiste, neotitizmi mbithekson multietnicitetin e Kosovës dhe nënvlerëson dhe madje përbuz pronësinë shqiptare të shtetit të Kosovës. Neotitistët refuzojnë flamurin kombëtar shqiptar dhe mbivlerësojnë flamurin e Kosovës

10. Neotitizmi mbështet pushtimin amerikan të Kosovës jo si mbrotje nga Serbia por si “mbrojtje” nga Bashkimi Kosovë-Shqipëri.

FOTO/ Pas mbylljes së strukturave paralele në veri të Kosovës, forca të shumta të KFOR qëndrojnë mbi urën e lumit Ibër

Më shumë trupa e automjete të karabinierëve janë parë mëngjesin e së shtunës mbi urën e lumit Ibër.

Një ditë më parë, Policia e Kosovës mbylli pesë objekte të strukturave paralele serbe në komunat në veri – aksion ky që u dënua nga ndërkombëtarët.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se që nga e premtja më nuk do të operojnë komunat paralele të Qarkut të i Mitrovicës së Kosovës, komuna paralele e Mitrovicës, e Zveçanit, e Zubin-Potokut dhe e Leposaviqit.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se dyshimet janë që në këto objekte lëshoheshin dokumente të falsifikuara. Aksion ka pasur edhe në një spital, në pjesën e lavanderisë, pas raporteve se aty mund të ketë armatim.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, Britania e Madhe e aktorë të tjerë janë shprehur të shqetësuara e zhgënjyera nga ky aksion, duke e quajtur veprim të pakoordinuar të Qeverisë.

Ura e Ibrit ka qenë temë e nxehtë muajve të fundit që kur Qeveria ka shprehur insistimin për hapjen e saj, e bashkësia ndërkombëtare ka bërë të ditur se nuk e mbështet një gjë të tillë.

Forcat e KFOR-it, përkatësisht karabinierët italianë qëndrojnë në vazhdimësi mbi urë.