30.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Goditje “in-extremis”, Armando Broja huazohet tek Evertoni

Goditje “in-extremis” në merkato! Armando Broja do të vijojë karrierën te skuadra e Evertonit.

Mediat britanike raportojnë se bëhet fjalë për një huazim me të drejtë blerje për 30 milionë euro.

Pas dështimit të marrëveshjes me Ipsuiçin, skuadrën me të cilën u negociua për gati 2 javë, në momentet e fundit u vendos që Broja të huazohet te Evertoni.

Në orët në vijim pritet të vijë edhe zyrtarizimi i bashkëpunimit.

Vegjetarianizmi, dieta e shëndetshme që megjithatë fsheh gracka. Ja çfarë duhet të dini

Vegjetarianizmi zvogëlon rrezikun e sëmundjeve të ndryshme, por mund të kërcënojë edhe shëndetin tonë.

Sipas hulumtimeve të Universitetit George Washington të SHBA, njerëzit mesatarë që ndryshuan dietën e tyre në vegjetarian në studim dhe nën mbikëqyrje humbën rreth 5 kg në 44 javë.

Në anën negative, përmendet ndjenja e përkohshme e fryrjes që ndjejnë shumë vegjetarianë të rinj, për shkak të rritjes së bishtajoreve dhe fibrave në përgjithësi.

Lëkurë e bukur

Vitaminat në fruta dhe perime (përfshirë A, C dhe E) luftojnë radikalet e lira, të cilat janë fajtorët e zakonshëm të acarimeve të lëkurës, akneve, skuqjes, etj. Disa prej tyre, në fakt, shfaqin nivele të larta të aktivitetit antioksidues, si manaferrat, qershitë, agrumet, ullinjtë, kumbullat.

Mburoja mbrojtëse

Hulumtimet kanë treguar se vegjetarianizmi ul rrezikun e sëmundjeve kronike, si sëmundjet kardiovaskulare, hipertensioni, diabeti i tipit 2, ndërsa ndihmon në rregullimin më të mirë të peshës trupore. Përveç kësaj, ka prova që mund të zvogëlojë rrezikun e disa llojeve të kancerit.

Por ka edhe negative…

Një problem i zakonshëm me të cilin përballen ata që nuk hanë mish është mungesa e zinkut, e cila mund të shkaktojë imunitet të dobët, kujtesë të dëmtuar, shikim dhe shije, diarre, reaksione alergjike, rënie të flokëve dhe skuqje.

Gjithashtu vegjetarianët mund të përballen me problemin e mungesës së vitaminës B12, kalciumit dhe hekurit.

Këtu duhet theksuar se kjo vitaminë, e cila gjendet kryesisht në produktet shtazore, si mishi dhe bulmeti, është e rëndësishme për shëndetin e sistemit nervor.

Nutricionistët paralajmërojnë se kalimi në një dietë rreptësishtë vegjetariane mund t’ju shkaktojë të ndiheni të lodhur ose të keni akne.

Abstenimi nga produktet shtazore gjithashtu mund të shkaktojë mungesë të vitaminave të rëndësishme si B12, si dhe proteinave.

Sidomos mungesa e B12, e cila gjendet në qumësht dhe vezë, mund të shkaktojë lodhje fizike dhe mendore dhe të ndikojë negativisht në shëndetin tuaj mendor.

Vitamina D është një tjetër lëndë ushqyese që gjendet kryesisht në ushqimet me bazë shtazore, të tilla si peshku i yndyrshëm, dhe ato që ndjekin dieta vegane ka të ngjarë të kenë mangësi.

Mungesa e vitaminës D shkakton probleme që lidhen me rritjen e kockave dhe dhimbjen. Mungesa e proteinave, që marrim nga produktet e qumështit, peshku, vezët dhe mishi, mund të pengojë rritjen e fëmijëve dhe të çojë në shfaqjen e akneve.

Udhëtimet e Guliverit, parashikimi i rrënimit nga banaliteti

Nga Agim Baçi

Në udhëtimin e tretë mes katër udhëtimesh të përshkruara, Lemuel Guliver, personazhi i famshëm i Jonathan Swift-it, arrin në ishullin Balibarbi dhe viziton akademinë e kryeqytetit të ishullit Logadon, ku njihet me përpjekjen e akademikëve të ishullit për ta bërë gjuhën më efikase, duke mbajtur me vete objektet, për të cilat ata flasin. Libri “Udhëtimet e Guliverit” është botuar më 1726, por nëse Swift do të kishte jetuar në kohën e sotme, do ta kishte identifikuar lehtësisht objektin që duhet të mbanin me vete banorët e Lagadonit me celularin dhe internetin, me anë të të cilit, për të bashkëbiseduar dhe për t’i dhënë tjetrit mesazhin që duan të përçojnë, klikojnë diku dhe përfitojnë menjëherë shënime apo referenca. Mënyra e sotme e të menduarit është kthyer në një fast-food, duke servirur gjithçka të gatshme, pa menduar më parë nëse gjendemi në të njëjtat rrethana, në të njëjtat kushte me të atyre që e kanë shkruar, që e kanë dhënë apo thënë nëpër televizione.
Në fakt, si për të plotësuar këtë “komunikim me objekte”, Guliveri bën një udhëtim të shkurtër anësor edhe në ishullin Glubbdubdrib, në jugperëndim të Balnibarbit, atje ku viziton banesën e një magjistari, me të cilin diskuton historinë me fantazmat e figurave historike, fantazma që vijnë me portretet e Jul Çezarit, Homerit, Aristotelit, Rëne Dekartit dhe Pierre Gassendit. Ardhja e këtyre personazheve si fantazma mund të shënohet si parathënia e dëbimit të dijetarëve dhe burrështetarëve nga përditshmëria dhe zëvendësimi i debateve të duhura rreth jetës dhe vlerës njerëzore me spektaklin dhe gënjeshtrën. Pra, Swift i ka paraprirë kohës kur dija do të jetë thjesht një gjë që i përket më tepër së pamundurës, madje një rruge të lodhshme për të jetuar. Duket sikur kjo frikë ndaj diturisë tashmë është kthyer në realitet. A nuk i kemi çuar ne sot në hiçasgjë dijet që na vijnë nga librat? A nuk janë sot akademitë institucionet me një ndikim pothuajse të papërfillshëm në jetën e përditshme? A nuk janë prej kohësh personazhet e spektakleve televizive, e emisioneve tallava, që japin mendim për gjithçka, duke banalizuar çdo debat e mendim të mundshëm, duke i zhdukur profesionistët nga podiumet e dhënies së mendimit?
Ky banalitet që ka mundur çdo debat mbi dijen, moralin dhe të drejtën, duke vënë në vështirësi thuajse çdo prind përballë fëmijëve, që t’u kërkojnë të mbështeten te shkollimi sa më i mirë dhe te ruajta e dinjitetit.
E gjitha kjo ka thelluar idenë e shkrimtarit dhe gazetarit italian, Corrado Alvaro, i cili kohë më parë shkruante se: “Dëshpërimi i madh i një shoqërie është kur krijohet ideja se të jetosh në mënyrë të ndershme është krejtësisht e kotë”
Për pasojë, imitimi ka marrë vendin e origjinalit, prezantimi ndryshe nga ai që je në të vërtetë është në modë dhe mund të kthehet në një variant fitimprurës. Përballë një situate të tillë, prindërit e kanë të vështirë të evidentojnë përpara fëmijëve të tyre ata që e shkaktojnë këtë dekurajim, duke sjellë kështu një situatë ku rrezikojmë që të admirohen ata që krenohen me vjedhjen, me të keqen apo me aftësinë për të dëmtuar dikë tjetër.
Paralajmërimi i fundit dëshpërues, ndoshta nga më të vështirat për t’u kuptuar edhe nga sociologë e psikologë, është raporti i kuptimit të jetës dhe vdekjes. Një shoqëri që ka flakur nga përditshmëria këndvështrimin e një gjykimi moral mbi fuqinë e vdekjes, mund të na vërë përballë asaj situate që Guliveri has në ishullin e Luggnagg, Stuldbrugët, ku janë njerëz të pavdekshëm. Ata nuk kanë dhuratën e rinisë së përjetshme, por vuajnë nga sëmundjet e pleqërisë dhe konsiderohen ligjërisht të vdekur në moshën tetëdhjetëvjeçare, edhe pse janë gjallë. Një ironi e madhe kjo e moskuptimit të jetës dhe ndaj të gjithë atyre që, edhe pse ende në jetë, në shoqërinë e sotme shihen si Stuldbrugë, pasi nuk i pyet askush, sepse edhe kur i merret prona, edhe kur i mohohet shërbimi, ata mbeten qenie pa asnjë autoritet, pa asnjë fuqi. Njerëz të tillë i dorëzohen bindjes, u dorëzohen shpresave të rreme dhe jetojnë në dëshpërim dhe urrejtje të papërcaktuar.
Ka një ironi të madhe të së sotmes te romani klasik i Swift, ku komplotet politike zbulohen duke ekzaminuar jashtëqitjen e personave të dyshimtë. A mundet, pra, që duke kontrolluar në jashtëqitje, të gjesh një gjë që do të vlejë, që do të jetë e vërtetë dhe e drejtë? Ndoshta, ai parashikoi aty ku do të rrëmohet në betejën politike, nga ku më pas gjithçka bëhet e vështirë për të sjellë sa më pranë dhënies së ideve apo vendimmarrjes ata që duan të jetojnë ndershmërisht jetët e tyre, jashtë çdo përbaltjeje apo banalizimi në gjirize.

Mediat dhe tifozët e sportit

Ndryshimi i biznesit mediatik po riformaton tifozët e sportit. Besnikëria ndaj ekipit po zëvendësohet nga “tifozëria elastike”, shkruan The Economist

 

Transmetimi i parë televiziv i Lojërave Olimpike ishte në vitin 1936, kur u ndoq nga rreth 160,000 njerëz që ndodheshin brenda rrezes së transmetimit të stadiumit të Berlinit.

Aksioni xhirohej nga tri kamera, vetëm njëra prej të cilave mund të kapte pamje të drejtpërdrejta, dhe vetëm gjatë ditëve me diell.

Në lojërat e ardhshme verore, në Londër në vitin 1948, stacioni britanik BBC u ofroi organizatorëve 1000 guinea (rreth 40,000 dollarë me çmimet e sotme) për të drejtën e transmetimit të ngjarjes sportive.

Komiteti Olimpik u përgjigj me mirësjellje se nuk kishte nevojë.

Sot, gjërat janë shumë më ndryshe. Lojërat Olimpike verore të 33-ta, që nisën në Paris më 26 korrik, transmetohen drejtpërdrejt nga kamera të cilësisë më të lartë, për një publik prej më shumë se 3 miliardë njerëzish, gati sa gjysma e popullsisë së botës.

Organizatorët kanë paguar kompanitë e medias rreth 3.3 miliardë dollarë për të drejtën e transmetimit të ngjarjes sportive.

Këto kontribuojnë në pjesën më të madhe të të ardhurave të Lojërave Olimpike, duke i kthyer në ngjarjen sportive më të madhe në histori.

 

 

Masmediat kanë ndryshuar biznesin e sportit dhe sporti, nga ana tjetër, e ka shndërruar median. Në mbarë botën, pronarët e pronësisë intelektuale sportive, duke filluar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, deri te ligat “e-sports” të videolojërave, vitin e kaluar fituan të ardhura me një vlerë prej 159 miliardë dollarësh, vlerëson firma këshillimore Two Circles (shih grafikun 1). Rreth 39% e tyre erdhi nga shitja e të drejtave të transmetimit.

Edhe mediat fitojnë shuma të mëdha nga sporti. Kompanitë më të mëdha mediatike të Amerikës, shpenzojnë më shumë se një të pestën e buxheteve për të drejtat sportive.

Vitin e kaluar, 93 nga 100 transmetimet më të ndjekura në Amerikë, ishin ndeshje të Ligës Kombëtare të Futbollit (NFL).

 

Sërish ndryshime

Tani masmedia po ndryshon në një mënyrë që do të shndërrojë sërish biznesin sportiv. Një e treta e shikuesve të lojërave në Paris, e ndoqën ngjarjen jo përmes transmetimit televiziv, por përmes internetit. Në disa shtete të pasura, transmetimi në internet do të jetë mënyra kryesore e ndjekjes.

Lojërat Olimpike kanë qenë prej kohësh një “inkubator dhe laborator risie” për transmetuesit, thotë Mark Lazarus, kreu i televizionit dhe transmetimit në NBC Universal, që ka përfshirë për lojërat olimpike të Parisit edhe zë komentues të krijuar me Inteligjencë Artificiale.

Ashtu siç televizioni i lejoi tifozët t’i shikojnë ngjarjet sportive nga dhomat e ndenjes, formatet e reja dixhitale po krijojnë një publik të ri sportiv.

Zhvendosja e sportit në kanalet dixhitale do të jetë gjithashtu pjesë e ndryshimit rrënjësor të industrisë së medias. Sporti është kategoria e fundit e madhe që mbështet shikueshmërinë e televizionit kabllor, që është ende burimi më i madh i fitimeve për kompanitë e mëdha mediatike.

Gati një dekadë më parë, John Malone, manjat i medias, e përshkroi sportin si “një ngjitës që mban së bashku paketën kabllore”. Ndërsa sporti po kalon në transmetim në internet, ky ngjitës po shpërbëhet.

 

Një garë e re

Biznesi televiziv është kthyer përmbys në pesë vitet e fundit nga migrimi i shikuesve nga transmetimi kabllor në internet.

Kjo u nis nga Netflix dhe u ndoq me ngut nga shumica e kompanive të tjera të mëdha mediatike, të cilat i kanë hequr shfaqjet e tyre më të mira nga televizioni kabllor dhe i kanë vendosur në internet, për të tërhequr abonentë.

Sot, versioni “streaming” përbën rreth 40% të shikimit televiziv në Amerikë. Për herë të parë në dekada, shumica e familjeve nuk kanë më kabllorë.

Arsyeja e fundit e konsumatorëve që të mbajnë transmetimin me kabllo, ka qenë pikërisht sporti.

Por edhe ky tani po zhvendoset në internet. ESPN, rrjeti më i madh kabllor sportiv, i cili është në pronësi të kompanisë Disney, vitin e ardhshëm do të nisë një platformë transmetimi “streaming”, që do të ketë të gjithë përmbajtjen që më parë ishte rezervuar për transmetim kabllor.

ESPN, në bashkëpunim me Warner Bros Discovery dhe Fox, do të krijojë gjithashtu një nismë për transmetimin e sporteve online, të quajtur Venu.

NBC Universal, në pronësi të perandorisë kabllore Comcast, do të transmetojë më shumë sport në shërbimin e tij “streaming”, të quajtur Peacock. “Po baraspeshohemi në një litar të ngushtë”, thotë zoti Lazarus.

Por drejtimi është i qartë: duke e vendosur sportin në internet, kompanitë mediatike po heqin nga biznesi transmetimin kabllor, konstaton Moffett Nathanson, një firmë kërkimore.

Amazon Prime Video, e cila filloi të shfaqte lojërat e futbollit amerikan (NFL) që në vitin 2021, ka një menu sportive në Amerikë që përfshin bejsbollin, hokejin mbi akull dhe së shpejti, edhe lojërat e basketbollit, nga Shoqata Kombëtare e Basketbollit (NBA).

YouTube, në pronësi të Google, ka blerë të drejtat e lojërave të bejsbollit dhe futbollit amerikan. Kompania Apple, në vitin 2022, fitoi të drejtat ekskluzive për Major League Soccer (MLS), ligën më të mirë të futbollit amerikan, për ta transmetuar atë në shërbimin Apple tv+.

Netflix, shërbimi më i madh i transmetimit “streaming” dhe dikur skeptik për blerjen e të drejtave sportive, ka ndryshuar mendje. Sporti i ndjekur drejtpërdrejt është mënyra më e shpejtë për të tërhequr më shumë publik në biznesin e tij të reklamave, të cilin e nisi në vitin 2022.

Në muajt e ardhshëm, Netflix do të organizojë ngjarje të reja, si një konkurs i ngrënies së hotdogut të quajtur Major League Eating dhe një ndeshje boksi midis Mike Tyson, një ish-kampion i peshave të rënda dhe një personaliteti në YouTube sa gjysma e moshës së tij.

Por së shpejti, Netflix do të marrë tone disi më serioze. Ditën e Krishtlindjes do të shfaqë për herë të parë drejtpërdrejt një lojë NFL, dhe vitin e ardhshëm do të transmetojë një sezon të plotë Wrestling. Këto marrëveshje sportive me shumë gjasa nuk do të jenë të fundit.

Hyrja e shërbimeve “streaming” ka kontribuar në një rritje të mprehtë të kostos së të drejtave të mediave sportive.

NBA po përfundon bisedimet për 11 vitet e ardhshme të të drejtave të transmetimit në Amerikë, në një marrëveshje që duket se do të grumbullojë gati tri herë më shumë para se më parë, duke i ndarë lojërat e saj midis shërbimeve të transmetimit Disney, NBC Universal dhe Amazon.

Ndërsa kostoja e të drejtave sportive po rritet, kompanitë mediatike po i përjashtojnë format e tjera të argëtimit nga buxhetet e tyre. Moffett Nathanson vlerëson se në vitin 2019, nëntë kompanitë më të mëdha amerikane të argëtimit, ua kushtuan 20% të shpenzimeve përmbajtjeve sportive.

Këtë vit, kjo shifër do të jetë 24%. Më shumë futboll mund të nënkuptojë më pak filma: Netflix thotë se blerja e të drejtave për një lojë NFL (futboll amerikan), kushton po aq sa të prodhosh një film me buxhet të mesëm.

Për ligat sportive, transmetimi “streaming” premton diçka më tërheqëse sesa paratë e gatshme: një shtrirje më të gjerë. Shifrat në dukje të shëndetshme të shikuesve për sportin në transmetim “streaming” dhe televizion kabllor, maskojnë një rënie të madhe të teleshikuesve të rinj.

Në Amerikë, fëmijët nën 18 vjeç po shpenzojnë një e katërta më pak kohë duke parë lojërat e NFL-së sesa tetë vite më parë.

Të rinjtë e kanë braktisur në përgjithësi, si versionin “streaming”, ashtu edhe atë kabllor (shikuesi mesatar i kanalit muzikor MTV, tani është 51 vjeç) dhe për sa kohë që sporti mbetet në këto platforma, do të jetë e vështirë të tërhiqen këta shikues.

Humbja e tifozëve të rinj është një shqetësim në rritje: për shembull, 40% e personave të moshës 35-64 vjeç thonë se janë të interesuar për Lojërat Olimpike, por këtë e thonë vetëm 26% e personave të moshës 18-34 vjeç, sipas firmës kërkimore Ampere Analysis.

 

Më e shpejtë, më e lartë, më ndërkombëtare

Transmetimi u ofron ligave një mënyrë për t’u zgjeruar edhe jashtë vendit. Krahasuar me format e tjera të argëtimit, sporti amerikan është i paglobalizuar.

Pjesa më e madhe e të ardhurave të Hollivudit këtë shekull është fituar nga jashtë shtetit dhe muzika e regjistruar në qytete si Nju Jork dhe Nashville kryeson listat në mbarë botën.

Por sportet amerikane nuk janë kaq popullore. Pavarësisht organizimit të ndeshjeve në Britani, Gjermani dhe tregje të tjera, NFL (federata e futbollit amerikan) i fiton 98% të të ardhurave vetëm nga tregu vendas.

Sportet e tjera kryesore të Amerikës gjithashtu nuk janë popullore. Edhe sporte si kriketi indian dhe futbolli europian, po ashtu shikohen më tepër nga vendasit. Premier League, liga më e mirë e futbollit anglez, rrallëherë e fiton shumicën e të ardhurave jashtë shtetit (shih grafikun 2).

 

 

Platformat globale të transmetimit mund ta ndryshojnë këtë gjë. Transmetimi i lojërave NFL që do të mundësojë Netflix gjatë Kritshlindjeve për 270 milionë anëtarët e tij në më shumë se 190 shtete do të shënojë ndoshta transmetimin më të gjerë të një ngjarjeje të madhe sportive. Ky ishte interesi kryesor i ligës në marrëveshje.

“Ideja kryesore që e shtyu ligën ishte mënyra se si Netflix e shpërndan dhe e shfaq përmbajtjen televizive”, thotë Brian Rolapp i NFL-së. “Dhe kjo për ne është shumë, shumë interesante”.

Netflix ka një aftësi të jashtëzakonshme për t’i paraqitur publikut përmbajtje dhe personazhe të reja. Kohët e fundit, kompania reklamoi për abonentët e saj komedinë “Roast” nga Tom Brady, një yll i NFL-së.

Aftësia e Netflix për të ndikuar mbi shijet lokale, u shpalos në prill në Zelandën e Re, kur kompania testoi programin e saj WWE (që transmeton ndeshje Wrestling). Edhe pse Wrestling ka pak ndjekës në Zelandën e Re, thuhet se ndeshja ishte shfaqja më e ndjekur e Netflix në vend.

MLS, një ligë më e re që kërkon të zgjerojë shtrirjen e saj, ka investuar shumë në transmetimin “streaming”. Sezonin e kaluar, ajo nënshkroi një sërë marrëveshjesh për të drejtat televizive, në një ortakëri globale me kompaninë Apple.

Marrëveshja i ka mundësuar ligës përhapje në më shumë se 100 shtete, thotë Camilo Durana, kreu i të drejtave të medias në MLS. Komenti i ndeshjeve mundësohet në anglisht, spanjisht, dhe për lojërat kanadeze, në frëngjisht.

Zoti Durana thotë se marrëveshja me Apple gjithashtu krijon një përvojë më miqësore për tifozët në shtëpi: në vend që të abonohen në shërbime të ndryshme, shikuesit mund të shohin çdo ndeshje në një vend.

Dhe ndërsa më parë ndeshjet zhvilloheshin në kohën që u përshtatej shpërndarësve të ndryshëm, tani ato zhvillohen rregullisht të shtunën në orën 19:30, me zonën kohore të Amerikës Lindore. Koha mesatare e shikimit është 56 minuta, më shumë se dyfishi i asaj që ishte më parë.

Shpërndarja globale po lejon që sportet të gjejnë publik nëpër vende të papritura.

Garat e Formula 1 u bënë popullore mes amerikanëve, pjesërisht falë një dokumentari nga Netflix, me seri, i quajtur “Drive to Survive”, i cili u shfaq për herë të parë në vitin 2019 dhe që atëherë ka shfaqur gjashtë sezone.

Pronari i ri amerikan i F1, Liberty Media, që e bleu kampionatin në vitin 2017, donte të arrinte te shikuesit që nuk ishin tashmë tifozë, kështu që nisi të shfaqte ngjarjet që ndodhnin jashtë pistës.

“Sporti ynë përbëhet nga shoferë me doreza dhe helmetë, ndërsa brenda makinës. ju nuk dini asgjë se çfarë ndodh”. Kështu filluan të tregohen prapaskenat e garave, thotë Stefano Domenicali, shefi ekzekutiv i F1.

Kjo ka dhënë rezultat. Shfaqja u bë një hit, dhe jo vetëm me të moshuarit që zakonisht shikojnë F1. Tre të katërtat e publikut janë nën 55 vjeç dhe 40% janë gra, sipas një sondazhi nga YouGov.

Më e rëndësishmja për F1, ishte se shfaqja u bë një hit në Amerikë, gjë që e ka lejuar organizatën të vendosë një çmim më të lartë transmetimi për të drejtat për garat e saj.

Përpara shfaqjes, ESPN i paguante F1 rreth 5 milionë dollarë në vit për të drejtat e transmetimit në Amerikë. Që nga dalja e shfaqjes “Drive to Survive”, thuhet se ky çmim është dhjetëfishuar.

Kompanitë e tjera kanë nxituar të kopjojnë këtë ide. Amazon, Apple dhe ESPN po shfaqin prapaskenat për lojëra si hokej mbi akull, futboll dhe basketboll për femra.

Netflix prodhoi më shumë shfaqje të tilla. Pas shfaqjes “‘Drive to Survive’, kemi dëgjuar pothuajse nga çdo ligë”, thotë Brandon Riegg, i cili punon në Netflix.

Shfaqjet e prapaskenave përfshijnë “Unchained” (për çiklizmin), “Quarterback” (për futbollin amerikan) dhe shfaqje për vrapin dhe gjimnastikën përpara fillimit të Lojërave Olimpike.

Netflix ka mësuar se karakteristikat e një drame të suksesshme dokumentare nuk janë të njëjta me ato të një sporti të suksesshëm.

Turnetë me “knock-out”, që shpesh pëlqehen nga fansat, janë më të vështirë për t’u kthyer në rrëfime: “Break Point”, dokumentari për prapaskenat e tenisit nga Netflix, e pati të vështirë të ruante interesin e shikuesve, ndërsa protagonistët eliminoheshin.

“Nën trysni”, një shfaqje që ndoqi ekipin e futbollit të femrave të Amerikës në Kupën e Botës, e humbi popullaritetin kur ekipi amerikan u eliminua herët.

Më tepër sukses kanë ngjarjet sportive ku të gjithë konkurrentët e përfundojnë garën, të tilla si F1, Tour de France, golf, etj, thotë zoti Riegg.

 

 

Prapaskenat e kompeticiove sportive reflektojnë edhe mënyrën e re sesi tifozët po shikojnë sport.

Megjithëse tifozët e rinj kanë më pak gjasa se shikuesit më të vjetër për të parë lojëra të plota, ata kanë më shumë gjasa të ndjekin forma të tjera emisionesh që lidhen me sportin.

Tifozët e rinj shikojnë sport drejtpërdrejt gjysmë ore në javë më pak sesa të moshuarit, por shpenzojnë më shumë kohë nëpër podkaste sportive, media sociale që diskutojnë sportin, etj., (shih grafikun 3).

“Është krijuar tashmë përshtypja se brezi i ri nuk do t’ia dijë për sportin aq sa brezat e mëparshëm”, thotë Kahlen Macaulay, kreu i sektorit sportive në Snapchat. “Ne në fakt mendojmë se e kundërta është e vërtetë”.

Ka kaluar besnikëria nga ekipet, tek atletët individualë. Rrjetet sociale u mundësuan tifozëve një lidhje të drejtpërdrejtë me yjet e të gjitha llojeve, përfshirë ato sportive (llogaritë më të ndjekura në Facebook dhe Instagram janë të futbollistit Cristiano Ronaldo).

Rrjetet sociale i lejojnë atletët që të “tregojnë se kush janë poshtë helmetës sportive”, siç shprehet zoti Rolapp i NFL-së.

Për rrjedhojë, po zhvlerësohet thënia e vjetër se emri në pjesën e përparme të fanellës, ai i skuadrës, ka më shumë rëndësi se emri në anën e pasme, ai i lojtarit.

Një analizë nga Amper zbulon se 41% e 25-34-vjeçarëve, janë më të interesuar për atletët individualë sesa për ekipet, dyfishi i përqindjes së 55-64-vjeçarëve. Zoti Macaulay e quan këtë, “tifozllëk elastik”: pra, entuziastët e rinj të sportit kanë pak besnikëri ndaj ekipit dhe ndjekin idhujt e tyre kudo që shkojnë.

Kjo fuqi tërheqëse u ka dhënë atletëve yje një ndikim të madh. Lionel Messi u përfshi në një marrëveshje me MLS dhe Apple, e cila thuhet se i jep atij një pjesë të të ardhurave nga abonimet në paketën e transmetimit të futbollit të Apple.

(Në këmbim ai do ta reklamojë atë në llogarinë e tij në Instagram, e cila është e dyta pas asaj të Ronaldos për nga numri i ndjekësve.)

Los Angeles Lakers kohët e fundit tërhoqi në ekip Bronny James, një basketbollist të jashtëzakonshëm, babai i të cilit është LeBron, lojtari më i famshëm i ekipit Lakers. Disa fansa u ankuan për këtë, por sponsori Nike, ka krijuar një fushatë reklamash rreth bashkëpunimit babë e bir.

Kalimi i tifozerisë nga ekipet tek individët gjithashtu e bën më të lehtë tërheqjen e tifozëve të rinj. Popullariteti i basketbollistes së njohur Caitlin Clark, çoi në rritjen e shikueshmërisë së finales së basketbollit të kolegjit të femrave në Amerikë në prill, e cila për herë të parë kishte shikueshmëri më të lartë se ajo e meshkujve.

Marrëveshja e re e të drejtave të ESPN për sportet e kolegjit, e vlerëson basketbollin e grave me shifrën 65 milionë dollarë në vit, dhjetë herë më shumë se vlera e mëparshme.

Fuqia e yjeve nuk funksionon gjithmonë: Liga e futbollit të Arabisë Saudite, ende nuk e ka joshur botën, pavarësisht se ka nënshkruar kontratë me Ronaldon.

Por, në zgjedhjen mes një lojtari dhe një ekipi, tifozët po ndjekin gjithnjë e më shumë ndeshje për shkak të një lojtari.

Firma kërkimore Nielsen raportoi vitin e kaluar se skuadra më e njohur e bejsbollit në Japoni nuk ishte më Yomiuri Giants, por Los Angeles Angels, pasi ata nënshkruan kontratë me yllin japonez Ohtani Shohei (i cili tani është transferuar tek ekipi Dodgers).

Lidhjet e tifozëve me ekipet janë dobësuar edhe më shumë nga marrëveshjet e reja të transmetimit. Transmetimi “streaming” dhe ai kabllor në Amerikë ndihmuan në forcimin e besnikërisë ndaj ekipeve lokale duke e bërë më të lehtë që tifozët të shikonin lojërat e ekipeve lokale sesa ato të largëta.

Kjo do të thotë se për një njujorkez ishte e shtrenjtë të bënte tifo për San Francisco Giants, për shembull. Marrëveshjet e qendërzuara, si ajo e MLS me Apple, po e bëjnë të lehtë shikimin e çdo loje, duke i çliruar fansat nga kufizimet gjeografike.

Ideja se tifozët shikojnë vetëm ekipin e tyre vendas po bie poshtë edhe nga popullariteti në rritje i “fantasy sports” dhe basteve, të cilat kërkojnë që lojtarët të ndjekin të gjithë ligën.

Pas një vendimi të Gjykatës së Lartë në vitin 2018, bastet për sportin janë bërë të ligjshme në 38 shtete amerikane.

Shoqata Amerikane e Lojërave zbuloi se një e katërta e të rriturve amerikanë kishin planifikuar të vinin bast për kampionatin Super Bowl të këtij viti.

Vlera e basteve arrinte në 23 miliardë dollarë, 44% më shumë se vitin e kaluar. Të rinjtë janë më të përkushtuar: një e katërta e tyre vënë rregullisht baste në sport, kundrejt 6% të atyre që janë më të moshuar, sipas firmës këshillimore Deloitte.

 

Lojë, bast, ndeshje

Firmat mediatike po grumbullohen në lojërat e fatit për të mbajtur të interesuar fansat e rinj.

Disney, që dikur mendonte se bastet do të njollosnin markën e kompanisë si miqësore për familjet, vitin e kaluar krijoi ESPN Bet, një sipërmarrje bixhozi, në bashkëpunim me Penn Entertainment, një operator kazinoje.

Me anë të këtij shërbimi, përdoruesit do ta kenë të lehtë të vënë një bast. Ligat sportive i pëlqejnë gjithashtu lojërat e fatit: NFL raporton se tifozët që vënë baste, shikojnë sport më gjatë se të tjerët.

F1, e cila dikur tërhiqte pak baste (pjesërisht për shkak se rezultatet e garave diktohen nga urdhrat e ekipit) shpreson se bastet afatshkurtra në garë mund të lejojnë më shumë hapësirë për lojërat e fatit.

Kompanitë mediatike dhe organizatat sportive shpresojnë se rritja e interesit për këto veprimtari plotësuese do të tërheqë tifozët e rinj. “Beteja që ne po luftojmë është se ka shumë njerëz që i ndjekin sported, por jo të gjithë i shikojnë sportet”, thotë zoti Lazarus.

Bastet po lulëzojnë, atletët janë yje më të mëdhenj se kurrë në mediat sociale dhe sporti mbetet një temë e përmendur kudo.

Sidoqoftë, ai shpjegon se “është më e vështirë t’i bësh njerëzit, veçanërisht të rinjtë, që të ulen dhe të shikojnë një ndeshje të plotë”. Nëse sporti do të ruajë vlerën e vet kolosale, ndjekësit e rinj duhet të shndërrohen në tifozë.

Përktheu: Lira Muça

Dilemat e investimit

Human hand stacking coins over black background with hexagonal golden shapes. Concept of angel investor and investing in startup companies. Composite image between a hand photography and a 3D backgrou
Frenojnë çmimet e pronave, normat e interesit “në pritje”
 
Cikli i rritjes së shpejtë të çmimeve të pasurive të paluajtshme ka frenuar, duke i bërë pronat një alternativë më pak tërheqëse investimi, të paktën në një afat të mesëm. Nga ana tjetër, Bankat Qendrore kanë nisur uljen e normave të interesit, megjithëse ka ende pasiguri nëse kjo ulje do të vazhdojë. Sidoqoftë, tregu ofron investime financiare me kthime të kënaqshme, sidomos për ata investitorë që kanë oreks më të madh për rrezik
 
Ersuin Shehu

“Flaka” inflacioniste, që u shfaq në ekonomi në vitin 2022, duket se për momentin po shuhet. Inflacioni në Shqipëri, prej muajsh, ndodhet poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë, aq sa, në mënyrë deri diku të papritur, Këshilli Mbikëqyrës vendosi më datë 3 korrik të ulë normën bazë të interesit nga 3.25% në 3%.

Kjo ishte ulja e parë e normës bazë të interesit që prej periudhës së pandemisë dhe njëkohësisht solli edhe pikën e kthesës në trajektoren e politikës monetare, pas një cikli shtrëngimi të shpejtë në vitin 2022 dhe një ecurie më të qëndrueshme, me një rritje të vetme, në 2023.

Në rastin e Shqipërisë, rritja e normave të interesit ishte më e kufizuar në raport me Eurozonën dhe ekonomitë e tjera. Kjo besohet se i detyrohet kryesisht një efekti amortizues që dha mbi inflacion mbajtja e çmimeve të subvencionuara të energjisë elektrike, por sidomos forcimi i Lekut në kursin e këmbimit valutor.

Rikthimi i lëvizjes së politikës monetare në kahun lehtësues natyrisht që krijon pritshmëri për ulje të normave të interesit në tregun e brendshëm financiar. Në teori, kjo mund t’i bëjë më pak tërheqëse produktet e investimit financiar dhe të mbajë tërheqëse investimet alternative, kryesisht në pasuri të paluajtshme.

Megjithatë, analistët financiarë ende janë të kujdesshëm rreth një uljeje të mëtejshme të normave të interesit këtë vit. Në parashikimin e fundit për Shqipërinë, Raiffeisen Research projekton një skenar bazë ku Banka e Shqipërisë do të mbajë normën bazë të pandryshuar në nivelin 3%, deri në fund të këtij viti.

“Ne besojmë se kjo qasje ‘prit dhe shih’ i lejon Bankës së Shqipërisë të monitorojë efektet e vazhdueshme të uljes së fundit të normës dhe të vlerësojë nëse nevojiten rregullime shtesë për të mbajtur një mjedis të ekuilibruar dhe të qëndrueshëm ekonomik.

Megjithatë, sipas mendimit tonë, fokusi në vitin e ardhshëm do të jetë në kostot e punës për njësi për të përcaktuar, nëse ndonjë përkeqësim mund t’i detyrojë bizneset të rrisin çmimet dhe të detyrojë Bankën Qendrore të ndryshojë kurs dhe të lëvizë sërish drejt nivelit të normës neutrale”, – thuhet në parashikimin e Raiffeisen Research.

Duket se cikli i rritjes së çmimeve të pasurive të paluajtshme mund të ketë arritur tashmë pikun. Sipas vrojtimeve të Bankës së Shqipërisë dhe raportimeve të agjentëve imobiliarë, rritja e çmimeve tashmë është frenuar.

Në këto kushte, pritshmëritë për fitime nga investimi në prona për momentin duken të jenë në rënie.

 

Tregu i pronave, çmimet drejt normalizimit

Tregu i pasurive të paluajtshme përjetoi rritje të fortë të çmimeve në periudhën pas pandemisë, e nxitur nga kushtet e favorshme të financimit, kërkesa më e lartë nga jorezidentët dhe rritja e sektorit të turizmit.

Rritja e çmimeve, gjithashtu, mund të shpjegohet në një masë të caktuar edhe me faktorë të ofertës, si shtrenjtimi i materialeve të ndërtimit, si dhe me forcimin e Lekut në kursin e këmbimit valutor, që u tentua të balancohej nga shitësit, duke rritur çmimet e shitjes në Euro.

Pritej që cikli rritës i normave të interesit, që filloi në vitin 2022, ta frenonte rritjen e sektorit. Kjo pjesërisht ka ndodhur dhe duket se rritja e çmimeve të pasurive të paluajtshme po stopohet.

Sipas Indeksit Fischer të llogaritur me frekuencë 6-mujore nga Banka e Shqipërisë, çmimet e banesave në 6-mujorin e dytë të vitit të kaluar pësuan rënie me 7.6%, krahasuar me gjysmën e parë të vitit, me bazë vjetore, çmimet rezultuan ende në rritje, por shkalla e rritjes vjetore u ngadalësua në 3.2%, nga 16.6% që kishte qenë në fund të vitit 2022.

Indeksi i çmimeve për pronat e shitura në Tiranë regjistroi rënie prej 10.1% ndaj 6-mujorit të parë të vitit, ndërsa ishte vetëm pak më i lartë në krahasim me vlerën e një viti më parë.

Të dhënat nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) treguan gjithashtu se numri i transaksioneve të shitblerjeve së pasurive të paluajtshme pësoi rënie vitin e kaluar.

Mbështetur në të dhënat e ASHK, vitin e kaluar u regjistruan gjithsej 35690 transaksione të shitblerjes së pasurive të paluajtshme, në rënie me 5.8% krahasuar me një vit më parë. Një shifër e tillë dëshmon se tregu i pronave ka pësuar frenim vitin e kaluar.

Shifrat e ASHK dëshmojnë se tregu i pronave arriti rritjen maksimale në vitin 2021, me rritje vjetore të transaksioneve prej 44%. Rritja shumë e lartë mund të jetë ndikuar edhe nga efekti i bazës krahasuese, për shkak se viti i parë i pandemisë dhe kufizimet e vendosura sollën disa kufizime edhe në këtë treg.

Por, viti 2021 solli rritje të shpejtë të tregut. Rritja vijoi me ritme dyshifrore edhe në vitin 2022, me 14%. Ky vit shënoi edhe pikun në numrin e transaksioneve, me 37,900 të tilla.

Viti 2023 solli një lloj frenimi, por sidoqoftë numri i transaksioneve ngelet i lartë dhe dukshëm mbi nivelet e periudhës 2020-2021.

Megjithatë, duhet pasur parasysh se një pjesë e konsiderueshme transaksioneve në tregun e pasurive të paluajtshme kryhen edhe nëpërmjet kontratave të porosisë.

Kjo ndodh në rastet kur pronat blihen përpara përfundimit ose përpara regjistrimit të tyre në Kadastër, ndërsa kontrata e shitblerjes lidhet në një moment të dytë, pas regjistrimit të pronës.

Duke pasur parasysh volumin e konsiderueshëm të ndërtimeve të reja në vitet e fundit, mund të arrihet në përfundimin se edhe shitjet me kontratë porosie zënë një pjesë të rëndësishme.

Megjithatë, ecuria e shitblerjeve padyshim jep në vija të përgjithshme tendencat e tregut. Këto tendenca tregojnë se, ndonëse tregu i pasurive të paluajtshme ngelet dinamik, frenimi nisi të shfaqej vitin e kaluar.

 

Banka e Shqipërisë synon të ngadalësojë kredinë

Financimi nëpërmjet kredisë bankare ka vijuar të figurojë në një pjesë të mirë të shitjeve të pronave. Sipas agjentëve të anketuar nga Banka e Shqipërisë, ashtu si periudhën e kaluar, rreth 60% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare.

Nga këto, në 60% të rasteve, kredia ka mbuluar deri në 60% të vlerës.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, kredia për blerje të pasurive të paluajtshme për individët vijoi të rritet dhe në mesin e këtij viti, teprica e saj shënoi vlerën 196.2 miliardë lekë, duke u rritur me 13.7% kundrejt një viti më parë.

Pjesa më e madhe e kredisë së marrë nga individët për të financuar blerjen e pasurive të paluajtshme përfaqësohet nga kredia në monedhën Lek dhe pesha relative e këtij portofoli gjatë 5 vjetëve të fundit është rritur nga 50% në 62%.

Një pjesë e konsiderueshme e kërkesës në tregun e pasurive të paluajtshme vjen nga sektori i biznesit, ku rritja madje ka ritme shumë më të larta. Në mesin e këtij viti, portofoli i kredisë për pasuri të paluajtshme i bizneseve arriti në afërsisht 173 miliardë lekë, me rritje vjetore prej 56%.

Rritja e shpejtë e kredisë në përgjithësi dhe e asaj për blerjen e pasurive të paluajtshme në veçanti duket se ka arritur pikën kur ajo vlerësohet se mund të përfaqësojë rrezik të shtuar për sektorin financiar.

Në fillim të këtij viti, ishte Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) që i sugjeroi Bankës së Shqipërisë vendosjen e një shtese kundërciklike kapitali për sektorin bankar.

Në deklaratën e Bordit Ekzekutiv të FMN për Shqipërinë, thuhet se vendosja e një shtese kundërciklike në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit për bankat tregtare mund të merret në konsideratë në afatin e mesëm, për të forcuar më tej stabilitetin financiar.

Sugjerimet për aplikimin e një norme kundërciklike lidheshin kryesisht te zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme dhe të kredisë së dhënë nga bankat për financimin e blerjes së tyre.

Banka e Shqipërisë reagoi ndaj këtyre shqetësimeve në fund të tremujorit të dytë 2024, duke aplikuar për herë të parë një shtesë kundërciklike në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar.

Sipas vendimit të Guvernatorit, Gent Sejko, norma e shtesës kundërciklike të kapitalit (KUNC) për Shqipërinë do të jetë 0.25 pikë për qind, nga zero që parashikohej në vendimin e mëparshëm. Të gjitha bankat tregtare në Shqipëri duhet ta plotësojnë këtë shtesë pas një viti, duke filluar nga data 30 qershor 2025.

Aplikimi i një shtese kundërciklike të kapitalit është i parashikuar në rregulloren e vitit 2018 “Për shtesat makroprudenciale të kapitalit”. Një shtesë e tillë ka si qëllim ngadalësimin e kreditimit, në rast se Banka Qendrore vlerëson se ai po rritet me ritme tepër të shpejta.

Prej disa tremujorësh, ekonomia shqiptare po përjeton një cikël financiar pozitiv, të mbështetur mbi rritjen e përshpejtuar të kredisë bankare.

“Nëse analizohet ecuria e kredisë që jepet për bizneset, për zhvillim dhe investime në pasuritë e paluajtshme (rezidenciale dhe tregtare), e korrigjuar për efektin e kursit të këmbimit, normat vjetore të rritjes deri në mars 2024, kanë qenë mbi 30% në secilin rast.

Më tej, nëse agregohen kreditë e dhëna për individët dhe për bizneset, për pasuritë e paluajtshme (rezidenciale dhe tregtare), norma e rritjes vjetore e këtij portofoli shënon 25% (nga 21% sipas raportimit në vlerë nominale).

Kjo normë rritjeje është dukshëm më e lartë se norma e rritjes vjetore për të gjithë portofolin e kredisë prej 10% (7% sipas raportimit në vlerë nominale), duke evidentuar përshpejtimin e kreditimit”, – thuhet në argumentimin e vendimit të Guvernatorit Sejko.

Sipas Bankës së Shqipërisë, këto periudha shoqërohen edhe me fillimin e rreziqeve të caktuara, që mund të lidhen me rënie të standardeve të kreditimit, rritjen e niveleve të përqendrimit të saj në sektorë apo tregje të caktuara, rritjen e niveleve të borxhit për agjentët e ekonomisë reale përtej niveleve të shëndetshme etj.

“Këto situata, nëse lejohet të zhvillohen, mund ta bëjnë ekonominë dhe sistemin financiar më të ndjeshëm ndaj goditjeve të ndryshme, duke cenuar kështu stabilitetin financiar. Për këto arsye, në këto raste sugjerohet përdorimi i instrumenteve makroprudenciale që zbusin ecurinë e ciklit financiar (veprojnë në mënyrë kundërciklike) dhe parandalojnë zhvillimin e pakontrolluar të këtyre rreziqeve.

Në rastin tonë, zhvillimet pozitive në ciklin financiar reflektohen më mirë nga ecuria e vlerave të Treguesit të Paralajmërimit të Hershëm Plotësues (TPHP).

Mbështetur në vlerat e këtij indeksi gjatë disa tremujorëve, përdorimi i shtesës kundërciklike sugjerohet nga metodologjia ‘Për përcaktimin e shtesës kundërciklike të kapitalit’” thuhet në argumentin e vendimit të Bankës së Shqipërisë.

Më tej, Banka Qendrore shton se, nëse ritmet e kreditimit do të mbeten të larta, mund të priten rritje të tjera të normës së shtesës kundërciklike në periudhat e ardhshme.

Masat prudenciale të Bankës së Shqipërisë, që synojnë të frenojnë kreditimin për blerjen e pasurive të paluajtshme, pritet të ndikojnë në uljen e kërkesës për blerje pronash, një tjetër faktor që i ul gjasat për një rritje të fortë të çmimeve të pasurive të paluajtshme gjatë viteve në vijim.

 

Investimet nga jorezidentët ngelen të larta

Megjithatë, tregu i pronave në Shqipëri ndikohet edhe nga faktorë të tjerë, si kërkesa e lartë nga blerësit jorezidentë apo kanalizimi në këtë treg i shumave të mëdha që burojnë prej aktiviteteve të jashtëligjshme.

Kontrolli real mbi burimin e të ardhurve që financojnë ndërtimin dhe blerjen e pronave në Shqipëri është i dobët dhe ky sektor perceptohet si një nga mënyrat më të efektshme për të pastruar para.

Rritja e çmimeve e ka bërë edhe më tërheqës këtë sektor për të investuar para me origjinë të dyshimtë; por, ngadalësimi i rritjes së çmimeve, nga ana tjetër, mund të krijojë efektin e kundërt, duke ulur interesin për të pastruar para në këtë sektor.

Mbështetur në të dhënat paraprake të publikuara nga INSTAT, sektori i pasurive të paluajtshme vijoi rritjen edhe vitin e kaluar. Sipas INSTAT, PBB me çmime korrente i këtij sektori arriti në pothuajse 137 miliardë lekë. Rritja nominale e sektorit ishte 14.4%, ndërsa rritja reale, afërsisht 11.3%.

Shifrat e INSTAT tregojnë në fakt një ecuri ndjeshëm më të mirë krahasuar me ecurinë e transaksioneve të shitblerjes.

Ky mund të jetë një konfirmim i faktit se numri i shitblerjeve nuk jep një tablo të plotë të zhvillimeve në treg. Kjo mund të jetë e lidhur me pjesën e konsiderueshme që zënë shitjet me kontratë porosie.

Një shpjegim tjetër mund të jetë rritja e mëtejshme e çmimeve, që ka sjellë rritje të volumit të sektorit, pavarësisht se janë raportuar më pak kontrata shitjeje.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vitin e kaluar, investimet e të huajve në pasuri të paluajtshme në Shqipëri arritën vlerën e 325 milionë eurove, në rritje me 12% më shumë krahasuar me vitin 2022.

Kjo shifër përbën afërsisht një të katërtën e PBB-së së sektorit të pasurive të paluajtshme në Shqipëri për vitin 2023.

Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë mbi tregun e pasurive të paluajtshme, gjatë 6-mujorit të dytë të vitit 2023, rreth 26% e banesave të shitura janë raportuar të blera nga shtetas jorezidentë. Nga këta, rreth 2/3 rezultojnë shtetas të vendeve të Bashkimit Europian.

Në tërësi, sipas Bankës së Shqipërisë, pesha e blerësve jorezidentë është rikthyer në rritje, pas një ecurie në rënie që prej vitit 2020.

Sipas agjentëve, këtu përfshihen kategori të ndryshme blerësish. Ndoshta më e rëndësishme është ajo e atyre që kanë investuar për prona në bregdet, duke pasur parasysh edhe faktin se përgjithësisht, në zonat bregdetare, Shqipëria ka ofruar çmime më konkurruese, qoftë edhe me vendet fqinje.

Një kategori tjetër janë të huajt që vendosen për banim të përhershëm në Shqipëri, për shkak të klimës dhe kostos më të ulët të jetesës.

 

Depozitat dominojnë investimin e parave

Kur flitet për investime financiare, depozitat bankare vazhdojnë të jenë produkti mbizotërues ku mbahen kursimet e individëve në Shqipëri.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), depozitat përbëjnë rreth 85% të vlerës totale të investimeve financiare të individëve shqiptarë, me vlerë totale prej 1.2 trilionë lekësh.

Rritja vjetore e depozitave të individëve këtë vit është e dobët. Në mesin e këtij viti, ato u rritën me më pak se 1% me bazë vjetore.

Megjithatë, këtu duhet llogaritur edhe efekti negativ statistikor i kursit të këmbimit mbi depozitat në valutë të huaj.

Shumica dërrmuese e investitorëve të vegjël shqiptarë vazhdojnë t’iu besojnë produkteve financiare më të sigurta. Depozitat bankare janë të siguruara me ligj deri në shumën e 2.5 milionë lekëve dhe deri në këtë shumë, vendosja e parave në bankë është një investim me rrezik 0.

Produkti i dytë më i preferuar janë bonot dhe obligacionet e qeverisë shqiptare, që përbëjnë rreth 10% të investimeve financiare të individëve, për një shumë totale prej afërsisht 150 miliardë lekësh.

Vijojnë kuotat në fondet e investimit, me rreth 46 miliardë lekë ose 3% të totalit dhe obligacionet me ofertë private, me një total prej 20 miliardë lekësh, ose afërsisht 1% të totalit të investimeve të individëve.

 

Burimi: Banka e Shqipërisë; AMF

 

Interesat e depozitave në Lek në rritje, pavarësisht frenimit të BSH

Ngadalësimi i ndjeshëm i rritjes së normave të interesit të Bankës Qendrore vitin e kaluar u përcoll edhe te normat e interesit të depozitave në Lek. Megjithatë, zhvendosja në rritje e interesave të depozitave ka vazhduar dhe duket se është theksuar në muajt e parë të këtij viti.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit të depozitave të reja në Lek që prej muajt shkurt e në vazhdim ka qëndruar sipër nivelit të 2%. Në maj, depozitat e reja në Lek u pranuan me një normë mesatare interesi prej 2.09%.

Interesi mesatar i depozitave është rritur me rreth gjysmë pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Në maj 2023, norma mesatare e interesit për depozitat e reja kishte qenë 1.56%.

Rritja e normës së interesit për depozitat e reja në muajt e fundit ka shkaktuar edhe frenimin e rritjes së normës mesatare të interesit për depozitat gjendje.

Norma mesatare e interesit për depozitat me afat në Lek të individëve në maj arriti në 2.36%, nga 1.84% në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja e normave të interesit të depozitave, pavarësisht mosrritjes së normës bazë të interesit, mund të shpjegohet kryesisht me një kërkesë në rritje për monedhën vendase nga sektori bankar. Në pjesën e parë të këtij viti po vërehet një rritje me ritme shumë të shpejta e kredisë në monedhën vendase.

Për 6-mujorin 2024, kredia e re në Lek u rrit me 52% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Normat më të ulëta të interesit po bëjnë që kredia në Lek të jetë gjithnjë e më e preferuar nga huamarrësit.

Nga ana tjetër, rritja e depozitave në Lek në përgjithësi vitet e fundit ka qenë e ngadaltë, duke reflektuar edhe një efekt të fortë shtrëngues të politikës fiskale. Kjo ka shtuar nevojën e sektorit bankar për fonde në monedhën vendase dhe ka rritur normat e interesit të depozitave në Lek.

Normat e interesit për depozitat në monedhën Euro ngelen ndjeshëm më të ulëta, por edhe ato me një tendencë në rritje. Për muajin maj, norma mesatare e interesit për depozitat e reja në Euro ishte 1.12%, nga 0.82% që ishte një vit më parë.

Normat e interesit të depozitave në Euro kanë ndjekur vetëm pjesërisht kursin agresiv të rritjes së interesave nga Banka Qendrore Europiane në dy vitet e fundit, ndërsa ulja e normave të interesit në qershor i ka zbehur edhe më tej gjasat për rritje të mëtejshme të përfitimit nga depozitat në Euro.

Në rastin e Euros, konkurrenca e produkteve të tjera financiare është më e dobët, sepse individët nuk kanë shumë alternativa investimi financiar me rrezik të ulët, siç ndodh me Lekun.

Gjithashtu, ndërmjetësimi në Euro për bankat ka kosto më të lartë, sepse Banka e Shqipërisë aplikon normë remunerimi zero për rezervat e detyrueshme në valutë, përveçse kërkon edhe nivele më të larta të këtyre rezervave.

Për këto arsye, normat e interesit për depozitat në Euro ngelen më të ulëta krahasuar me ato në Lek.

Për sa u takon normave maksimale të interesit të ofruara nga tregu për depozitat, mbështetur në normat e raportuara nga bankat tregtare në Bankën e Shqipërisë, depozitat 5-vjeçare në Lek kanë norma interesi që arrijnë deri në 4%, ndërsa ato në Euro, deri në 2.7%.

 

Burimi: Banka e Shqipërisë

 

Për herë të parë po tregtohen tituj në bursë

Vitin e kaluar, institucioni financiar NOA u bë i pari subjekt privat që realizoi një ofertë publike të titujve dhe i listoi ato në një treg të letrave me vlerë.

Të dhënat statistikore të publikuara nga Bursa Shqiptare e Titujve, ALSE, tregojnë se gjatë vitit të kaluar, tregtimi dytësor i obligacionit korporativ të NOA ka regjistruar vlera të konsiderueshme, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për instrumentin e parë të këtij lloji.

Që nga muaji gusht deri në fund të vitit 2023, në Bursën ALSE u tregtuan gjithsej 60 obligacione të NOA, për një shumë totale prej 30.8 milionë lekësh. Shuma e tregtuar përbën pak më shumë se 6% të vlerës totale të emetimit të obligacioneve nga NOA.

Çmimi i tregtimit u luhat në intervalin midis 101.95% dhe 103.4% të vlerës nominale të obligacionit. Kjo tregon se investitorët e kanë shitur titullin me fitim, duke marrë një çmim më të lartë se ai që kishin paguar për të.

Oferta e parë publike e titujve nga një subjekt privat në Shqipëri u hap më datë 24 maj 2023 dhe u mbyll më 21 qershor 2028. Shuma totale e nënshkruar e obligacionit ishte 500 milionë lekë.

Obligacioni i NOA ka një afat maturimi 5-vjeçar dhe kupon fiks prej 8%.

Tregtimi i deritanishëm është realizuar me një çmim sipër vlerës nominale, që nënkupton një yield më të ulët se kuponi fiks prej 8% që paguan emetuesi. Ulja e yield-it është një zhvillim pozitiv për subjektin emetues, sepse, në një këndvështrim të përgjithshëm, tregon besim nga investitorët.

Nga ana tjetër, rënia e yield-it mund të jetë ndikuar edhe nga zhvillimet në tregun financiar vendas gjatë vitit të kaluar. Në përgjithësi, yield-et e instrumenteve alternative, obligacioneve qeveritare, pësuan rënie të ndjeshme nga nivelet e gjysmës së dytë të vitit 2022.

Në një mjedis të tillë, një titull me kupon prej 8%, është bërë më tërheqës për investitorët. Për krahasim, në ankandin e dhjetorit 2023, obligacionet 5-vjeçare të qeverisë shqiptare u emetuan me një yield prej 5.65, që ishte njëkohësisht yield-i më i lartë që prej muajit janar 2023.

Ndërkohë, yield-i më i ulët me të cilin u tregtua obligacioni i NOA vitin e kaluar ishte mbi 7.7%.

Megjithëse bëhet fjalë për një instrument me rrezik më të lartë krahasuar me obligacionet qeveritare, një yield i tillë është padyshim konkurrues për investitorët që synojnë kthime më të larta nga investimi.

Të dhënat e deritanishme të tregtimit të obligacionit të parë në Bursë mund të jenë inkurajuese për të tërhequr edhe kompani të tjera private në të njëjtën rrugë.

 

Bankat po kthejnë sytë nga produktet e investimit

Bankat tregtare në Shqipëri historikisht janë mbështetur te produktet tradicionale. Objektivi i tyre ka qenë mbledhja e depozitave, për të financuar dhënien e kredive ose investimin me letra me vlerë të borxhit.

Natyrisht që depozitat ngelen objektivi kryesor, por në vitet e fundit, ka sinjale se bankat po fillojnë të kthejnë vështrimin drejt ofrimit edhe të produkteve të investimit që u ofrojnë klientëve të tyre.

Shembulli më tipik janë obligacionet e emetuara prej tyre, për nevojat e rritjes së kapitalit rregullator të njohur nga Banka e Shqipërisë. Këto instrumente ofrojnë kthime ndjeshëm më të larta se depozitat, megjithëse teknikisht janë të shoqëruara me rreziqe më të larta.

Këtë vit, për herë të parë, një bankë tregtare ka kryer funksionin e nënshkruesit (underwriter) të plotë të një titulli borxhi të emetuar nga një shoqëri tregtare.

Kjo nënkupton se banka nënshkruese i ka blerë vetë të gjitha obligacionet e emetuara nga subjekti, duke krijuar mundësinë që në vazhdim ato t’u ofrohen për shitje klientëve të bankës.

Ndërkohë, një bankë tjetër, Intesa Sanpaolo, vitin e kaluar u licencua si agjent për tregtimin në Shqipëri të fondeve të investimit të grupit bankar italian.

Disa banka të tjera kanë filluar të ofrojnë shërbime brokerimi (marrje, transmetimi dhe ekzekutimi i urdhrave të klientëve, në lidhje me një ose disa instrumente financiare) në tregun vendas dhe atë ndërkombëtar./ Monitor.al

Mbyllja e komunave paralele, reagon O’ Brien: SHBA të shqetësuara nga veprimet “e pabashkërenduara dhe provokuese” të qeverisë së Kosovës

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën, Jim O’Brien i quajti “të pakoordinuara dhe provokuese” veprimet e qeverisë së Kosovës, pas mbylljes së komunave paralele serbe në veri të vendit.

“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara nga veprimet e vazhdueshme të pabashkërenduara dhe provokuese të Qeverisë së Kosovës”, shprehet zoti O’Brien në një postim në platformën X, duke i bërë jehonë një deklarate të mëparshme të Ambasadës amerikane në Prishtinë.

Në postimin e tij, zoti O’Brien tha se Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje “Kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij që të konsultohen dhe të bashkërendohen me komunitetin ndërkombëtar dhe të ndërpresin veprimet e pabashkërenduara që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë”.

“Ne vlerësojmë punën e atyre, përfshirë EULEX-in dhe KFOR-in, që parandalojnë dhunën dhe bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje të vazhdueshme nga të gjitha palët”, shprehet zoti O’Brien.

Më herët të premten ambasada amerikane në Prishtinë tha se operacioni i autoriteteve të Kosovës për mbylljen e komunave paralele serbe në veri të vendit, “nuk ishte i bashkërenduar” dhe vazhdimi i veprimeve të tilla paraqet “përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit tonë”.

Autoritetet mbyllën të premten komunat paralele serbe në veri, në një veprim që ka të ngjarë të nxisë tensione të reja, me gjithë thirrjet e diplomacisë perëndimore për shmangien e “hapave të njëanshëm” në zonë.

Në një reagim të publikuar nga ambasada amerikane në Prishtinë, thuhet se “qeveria e Shteteve të Bashkuara përsërit shqetësimin dhe zhgënjimin e saj me veprimet e vazhdueshme të pabashkërenduara të qeverisë së Kosovës që vazhdojnë të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të komunitetit etnik serb dhe komuniteteve të tjera pakicë në Kosovë”.

Policia e Kosovës, tha se operacioni në katër komunat në veri të vendit u zhvillua për të ndërprerë veprimtaritë në “pesë objekte të cilat janë shfrytëzuar në cilësi të komunave ilegale, e të cilat janë në kundërshtim me rendin juridik kushtetues”.

Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se “janë mbyllur institucionet paralele ilegale të vetëqeverisjes Lokale, të cilat kanë funksionuar nën direktiva të Serbisë duke cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

Ministri Krasniqi tha se “komunat e mbyllura janë Qarku i Mitrovicës së Kosovë, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit”.

Më herët gjatë këtij viti, autoritetet mbyllën shtatë komuna të tjera paralele serbe në pjesë tjera të vendit.

Në reagimin e ambasadës amerikane thuhet mes tjerash se “çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohen përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Ky veprim nuk ishte i bashkërenduar me asnjë element të bashkësisë ndërkombëtare”.

Në reagim theksohet se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët ndërkombëtarë kanë kërkuar vazhdimisht nga qeveria e Kosovës që ta ketë përparësi bashkërendimin dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për çështjet që përfshihen në agjendën e bisedimeve.

“Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave, pasqyron një përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit tonë. Siç e kemi theksuar më parë, veprimet e pabashkërenduara të qeverisë së Kosovës i vënë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe dëmtojnë emrin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”.

Më tej në reagim thuhet se ndërsa “qeveria e Shteteve të Bashkuara është krenare që ka mbështetur themelimin dhe profesionalizimin e Policisë së Kosovës gjatë shumë viteve si pjesë e angazhimit tonë për të promovuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë, instrumentalizimi i vazhdueshëm i policisë së Kosovës nga qeveria për të kryer veprime të pabashkërenduara nuk është në përputhje me premtimin e Kosovës se do të “vazhdojë këshillimin dhe bashkërendimin me komunitetin ndërkombëtar. Veprimet e qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj”.

Kosova i cilëson institucionet komunale të emëruara nga Beogradi të paligjshme.

Shuarja e institucioneve paralele serbe është paraparë me marrëveshjen e vitit 2013, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por zbatimi i saj ka ngecur.

Zyrtarët e Serbisë reaguan me zemërim ndaj operacionit të sotëm. Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha se ky veprim “do të ketë pasoja afatgjata në procesin e normalizimit të marrëdhënieve” dhe sipas tij “ka për qëllim të nxisë konflikte në veri”.

Ai tha se me mbylljen e këtyre institucioneve (kryeministri Albin) Kurti “dëshiron të shuajë jetën e serbëve në veri të Kosovës dhe të realizojë spastrimin përfundimtar etnik”.

Në fillim të muajit gusht autoritetet mbyllën Postën e Serbisë në veri dhe shpalosën planet për të hapur urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë për trafikun e makinave.

Të enjten Presidenti francez Emmanuel Macron u shpreh i shqetësuar me ato që i quajti “veprime të njëanshme” të Kosovës, që sipas tij, nuk paraqesin shenja të mira drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Gjatë një vizite që e përmbylli të premten në Serbi, ai tha se Franca do të vëzhgojë “kushtet në të cilat jeton komuniteti serb në Kosovë”, duke nënvizuar se “në këtë aspekt, jemi veçanërisht të përkushtuar në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, që është pjesa më e vështirë e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të premten qeveria e tij është duke vendosur sundim të ligjit dhe rendit publik, si dhe duke siguruar paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim.

“Në këtë aspekt duam edhe bashkëpunimin e ngushtë, edhe mbështetjen ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Francën, që e konsiderojmë vend mik, aleat dhe partner shumë të rëndësishëm edhe në Bashkimin Evropian, edhe në NATO”, tha kryeministri Kurti.

Perëndimi kërkon nga Kosova që çështjet që lidhen me situatën në veri të Kosovës të trajtohen në kuadër të dialogut në Bruksel./VOA

VIDEO/ Krosimi magjik i Asllanit, por e pabesueshme çfarë shpërdoroi Arnautoviç shumë pranë vijës fatale

Kristjan Asllani nxori nga repertori i tij një krosim magjik në fundin e duelit ndaj Atalantës, për Marko Arnautoviç, i cili nga shumë pranë vijës fatale, bëri më të vështirën, duke e goditur topin me gju dhe duke e nxjerrë jashtë kuadratit.

Një mundësi ideale e shpërdoruar nga sulmuesi austriak, i cili i “dogji” në këtë mënyrë edhe asistin mesfushorit shqiptar, i cili bëri një paraqitje dinjitoze.

Edhe pse u fut në fushë në minutën e 61-të, Asllani u përshtat mjaft mirë me ritmin e ndeshjes, duke bërë diferencën në mesfushë.  

Në fund të sfidës, shqiptari u vlerësua me notën 6.9 nga faqja e specializuar e statistikafe “Sofa Score”, teksa gaboi vetëm 1 pasim nga 16.  

RASTI I SHPËRDORUAR NGA ARNAUTOVIÇ: VIDEO

Patatja e ëmbël, ja disa arsye thelbësore për ta përfshirë në regjimin tuaj ushqimor

Patatja e ëmbël përmban një përmbajtje të lartë të fibrave bimore që ndihmojnë sistemin tonë të zorrëve të funksionojë më mirë.

Patatja e ëmbël është e pasur me lëndë ushqyese të rëndësishme si fibra, vitaminë A dhe kalium. Dhe mund t’ju ndihmojë të ruani shëndetin e të gjithë trupit.

Është gjithashtu me pak kalori dhe ka një shije natyrale të ëmbël, kështu që mund ta hani rregullisht pa ndjenja faji.

Në fakt, një filxhan (200 g) patate e ëmbël e pjekur siguron më shumë se dyfishin e sasisë së beta-karotenit që i nevojitet mesatarisht i rrituri në ditë.

Beta karoteni shndërrohet në vitaminë A nga trupi me të gjitha përfitimet që kjo sjell për sytë dhe jo vetëm. Vitamina A është gjithashtu kritike për një sistem të shëndetshëm imunitar dhe nivelet e ulëta janë lidhur me imunitetin e reduktuar. Është gjithashtu thelbësore për mbajtjen e mukozave të shëndetshme brenda zorrëve.

Studimet kanë treguar se mungesa e vitaminës A rrit inflamacionin e zorrëve dhe zvogëlon aftësinë e sistemit tuaj imunitar për t’iu përgjigjur siç duhet kërcënimeve të mundshme.

Përfitimet shëndetësore të patates së ëmbël

Sa më e lartë të jetë vlera ushqyese e një ushqimi, aq më shumë përfitime mund të ketë për shëndetin tonë, kur përdoret në mënyrë të ekuilibruar në dietën tonë.

Ndihmon funksionimin e sistemit tonë gastrointestinal

Patatja e ëmbël përmban një përmbajtje të lartë të fibrave bimore që ndihmojnë sistemin tonë të zorrëve të funksionojë më mirë.

Në të njëjtën kohë, kur e kemi në vakt, ndihemi më të ngopur dhe më gjatë për shkak të fibrave.

Ndihmon në menaxhimin e peshës

Fibrat janë një “aleat” kyç në ruajtjen e peshës trupore, pasi rrit ndjenjën e ngopjes. Pavarësisht nëse jeni në procesin e uljes së peshës trupore, ose dëshironi ta ruani atë, atëherë ia vlen të përfshini pataten e ëmbël në dietën tuaj.

Ndihmon në reduktimin e radikaleve të lira

Përmbajtja e tij e lartë e antioksidantëve ndihmon kundër radikaleve të lira të krijuara në trupin tonë nga stresi oksidativ. Në të njëjtën kohë, patatet e ëmbla janë të larta në koline, e cila ndihmon në reduktimin e inflamacionit.

Beta-karotina dhe antocianinat, si antioksidantë, që përmbahen gjithashtu kontribuojnë në parandalimin dhe reduktimin e inflamacionit kronik në trupin tonë.

Ndihmon në funksionimin e zemrës

Dihet se stresi oksidativ mund të shkaktojë disa komplikime në sistemin kardiovaskular, si ateroskleroza e cila mund të çojë në disa sëmundje kardiovaskulare.

Megjithatë, përmbajtja e patateve të ëmbla në polifenole dhe antioksidantë të tjerë duket se kontribuon pozitivisht në mbrojtjen e enëve të gjakut, duke neutralizuar radikalet e lira.

Ka një efekt mbrojtës ndaj diabetit

Patatja e ëmbël është një ushqim me një indeks glicemik relativisht të ulët, që do të thotë se ndihmon trupin të rrisë sheqerin në gjak më ngadalë sesa ushqimet me një indeks të lartë glicemik.

Për këtë arsye, është një zgjedhje ideale për njerëzit me diabet. Në të njëjtën kohë, studimet kanë treguar se patatja e ëmbël ndihmon në rritjen e niveleve të adiponektinës, e cila është e përfshirë në rregullimin e sheqerit në gjak, te njerëzit me diabet të tipit 2.

Patatja e ëmbël kontribuon në shëndetin e syve

Beta-karoteni është një molekulë pararendëse në krijimin e vitaminës A në trupin tonë. Patatja e ëmbël është jashtëzakonisht e pasur me beta-karotinë e cila shndërrohet në vitaminë A dhe përdoret nga sytë tanë për funksionimin më të mirë të tyre dhe formimin e neuroneve-receptorëve të veçantë që zbulojnë dritën.

Çfarë do të thotë kjo praktikisht? Na ndihmon të shohim më mirë në errësirë.

Përmirëson shëndetin e lëkurës

Përmbajtja e lartë e patates së ëmbël në vitaminë A ndihmon në përmirësimin e shëndetit të lëkurës. Studimet kanë treguar se vitamina A merr pjesë në riparimin e lëkurës nga dëmtimet që mund të shkaktohen nga rrezatimi diellor, dhe gjithashtu duket se zvogëlon shkallën e plakjes së qelizave të trupit tonë.

Nga ana tjetër, vitamina C, e cila gjendet edhe në pataten e ëmbël, njihet si një vitaminë antioksiduese që kontribuon në trajtimin e fotoplakjes dhe është e nevojshme për sintezën e kolagjenit të lëkurës.

Zotët e dhunshëm që kërkojnë strehë te viktimat e veta

Nga Sokol Pepushaj

Edi Rama ka vjedhur popullin e vet, ka pasuri të rrezikshme familjare, ka qeveri të korruptuar dhe administratë të pandershme, shkruhet prej shumë vitesh jo vetëm në kartelat e ndryshime stratosferike të pasurive dhe dosjeve të hetimit ndërkombëtar, por krenarisht pranohet edhe nga vetë Babloku.

Pra, qeverisja e hajdutëve, nuk ngarkon me asnjë përgjegjësi shefin e hajdutëve.

Hajdutëria vlerësohet edhe si aftësi e të madhit, atij që ka pushtet mbi këdo.

Kur korruptoi shefin e FBI-së, gjeneralin e Guardia Di Finanzas, vuri në rresht për shërbimet personale fondacionin Soros, shumë këshilltarë; që nga Tony Blair i britanikëve e deri tek Dorian Duçka i kinezëve, fiku radarët e NATO-s me 10 000 euro ora për transport droge me Italinë përmes Adriatikut e Jonit, patronazhistët e gdhënden në art aftësinë e Edi Ramës për të blerë këdo i duhet mafies socialiste.

Sa për shtet social, nuk besoj se mund të na flasë dikush një fjalë pozitive.

Shtresat e shoqërisë në nevojë, por edhe pensionistët, kanë të ardhura mjerane, larg standardeve të BE-së, kurse çdo zyrtar apo ish zyrtar, që këtyre kategorive u kanë grabitur edhe pronat, ka pasuri milionë dollarëshe.

Në këtë bibliotekë akuzash, kanë humbur logjikën prokurorët dhe hetuesit, jo vetëm tanët, por edhe ata të FBI-së.

Nuk ka si ngjet ndryshe, sa kohë katër hajdutët më të famshëm janë të paprekshëm, ministrat, deputetët dhe bashkëpunëtorët e afërt të kryemafiozit notojnë në një korsi me ata të sistemit të drejtësisë.

More, është larg Gjiri i Lalzit, Kodra e Diellit apo Jala, të vëndoset sekuestro preventive?!

Andej nuk ka nevojë fare për hetim, por për transparencë mbi paratë e atyre vilave luksoze që nuk i gjen as në lagjet më të pasura të New Yorkut.

Pastaj, a ju bën përshtypje, që pas lajmit “bombë” të para ca muajve për sekuestrimi i vilës së Sasha Kryemadhit, pra maces së Monikës në Gji të Lalzit, dje të tëra mediat që prodhojnë lajm nga drita e inceneratorëve, na mbushën me peisazhe paqeje mes Ilir Metës dhe SPAK-ut.

Ish presidenti demonstron siguri se nuk e rruan as për Amerikën, as për SPAK-un, por përkëdhel në vilën tjetër në Jalë, Sashën e Monikës.

Po në Jalë pse nuk sekuestrohet familja e njërit nga 4 Klanet Mafioze?!

Këto paradokse kështu mund të vazhdojnë deri në momentin që kërkesa e vetme e opozitës të jetë, Edi Rama duhet të japë shembullin për transparencë pasurie, dhe pas tij çdo figurë politike.

Ndoshta është koha të rrëzohen të tërë njëherësh, me Edi Ramë, Sali Berishë dhe Ilir Metë, ose më shqip të arrestohen 4 Klanet Mafioze.

Se kjo media çatalle, e shitur dhe e pasur si askund në historinë e letrave globale, ka harruar ish kryeministrin Nano.

More, e din ndokush si jeton në luks dhe pa punë prej 19 vitesh familja e ish kryeministrit?!

Ne i lexojmë me respekt lexuesit tanë, jo se na lexojnë ne, por edhe se u besojnë syve të vet se kush i ka vjedhur, dhe na kujtojnë me mesazhe ambasadorin Donald Lu dhe 4 Klanet Mafioze që ai i ka lënë në qitapët e diplomacisë si më të rrezikshmit e Amerikës.

Fshatarët tanë janë të mirë dhe kanë një huq, normalisht si gjithkush.

Sapo u rrëzohet nga pushteti Zoti i tyre, e kryqëzojnë.

Pra, Rama, Berisha dhe Meta, janë Zota të dhunshëm që Amerika i ka dëbuar nga Olimpi e kërkojnë strehë vetëm tek viktimat e veta, ende të pasigurta se Altin Dumani do i kalojë në sitë pasuritë e tyre, për t’i hapur hapësirë, pse jo edhe “mllefit” të fshatarëve që presin t’u kthehet gjëja e vjedhur.

Kjo ishte loja/ Komisioni “Xhafa” bashkon Berishën me Ramën kundër SPAK

Nga Enriketa Papa

PD ku une aderoja deri me 11 qershor, kishte paralajmeruar qe ne mars, kur u la pergjysem revolucioni ne parlament dhe bilbilat apo flakadanet pushuan ne kembim te kartonave jeshile te deputeteve revolucionare berishist.
Ne mars Rama & Berisha rane dakord, per te shbere komisonin e reformes elektorale, per t’u dakordesuar me njeri-tjetrin, per listat e mbyllura. Vetoja e Alibeaj e rrezikonte dakordesine e tyre. Ndaj e hodhen ne ere komisionin dhe bene gjoja nje reforme elektorale me keq, se ajo e 2021 ku mbyllen listat.
Me pas, vijoi gallata e luftes se korrupsionit duke bashkuar votat per amnestine dhe lirimin nga procedimi penal apo burgu i funksionareve te korruptuar.
Po ashtu pazari, marreveshja, vijoi me zhurmen per komisionin Xhafa dhe per disinformimin ku u fol se “nuk nuk do bashkoheshin”, pavaresisht se PD e atehershme nen Bashen paralajmeroi, se ne shtator, deputetet berishist do te shkonin ne komision.
Sot del patriarku revolucionar dhe pranon komisionin, gjoja kundra Gjiknurit e Rames, por qe do e bashkerendoj me Xhafen, pionierin e Enverit, per te goditur SPAK, dhe i hequr kopetencen, per t’u marre me shperdorimin e detyres se zyrtareve te larte.
Me pas priten bashkim votash per ndryshimet e Kodit Civil, ne kembim te amendimeve favorizuese per shperdoruesit e detyres dhe te korruptuarit.
Nderkohe, protesta e 24, do te zhvillohet kundra narkoshtetit te enjten te bashkia….
Kjo ishte loja!
Komisioni i perbashket Xhafa kundra SPAK. Lista te mbyllura. Mbijetese e te njejtes elite te korruptuar 33 vjeçare dhe mbajtje e monopolit te pushtetit nga Rama me ndihmen e Berishes ne hall, kundra partive te tjera.
Ama, thirrjet per njerezit qe t’u bashkohen dhe te hedhin poshke narkoshtetin poshtw Bashkise apo dritares, nuk pushojne!