21.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Andia Ulliri: Të realizohen nyjet e shkëmbimit si në projekt, na kanë fshirë nga harta e Shqipërisë

Deputetja Andia Ulliri u shpreh se vetëm në pak kohë që është hapur rruga është parë një rënie të madhe në të gjithë xhirot e të gjithë bizneseve të zonës, dhe është vënë re që kjo rrugë jo vetëm që është antiligjore si vendim për tu mbyllur, pra rruga nacionale Milot- Fushkruje, por dhe dëmet janë të mëdha në një afat shumë të shkurtër.

Nga protesta, deputetja demokrate thotë se ajo dhe qytetarët thirrje të gjithë institucioneve duke filluar nga minisitria dhe drejtoria e ARRSH-së, të regagojnë një orë e më parë, dhe i bëjnë thirrje policisë të mos ushtrojnë dhunë dhe presion ndaj protestuesve sepse ata janë në protestë në legjishmërinë e tyre.

‘Duhet ta bëjmë të qartë që ne banorët e bashkisë Krujë nga fushkruja, Kruja , Nikla dhe të gjithë fshatrat, jemi këtu sot dhe duam të na dëgjohen kërkesat, nuk kemi kërkuar asgje që është luks, kemi kërkuar vetëm atë që është e drejta jonë kushtetuese, për cdo kënd që e dëgjon , për të gjithë qytetarët shqiptarë, ata na kanë mohuar neve hyrje –daljet. Protesta jonë është legjitive, duhet të realizohen nyjet e shkëmbimit sic ishin në në projekt.

Duhet të meret në konsideratë kërkesa e gjithë banorëve të bashkisë Krujë sepse sot neve na është hequr e drejta për tu zhvilluar, jemi izoluar dhe na kanë fshirë nga harta e Shqipërisë.

Vetëm në pak kohë që është hapur rruga kemi parë një rënie të madhe në të gjithë xhirot e të gjithë bizneseve të zonës, kemi vërejtur që kjo rrugë jo vetëm që është antiligjore si vendim për tu mbyllur, rruga nacionale Milot- Fushkruje, por kemi parë dhe dëmet në një afat shumë të shkurtër.

I bëjmë thirrje të gjithë institucioneve duke filluar nga misitria, drejtoria e ARRSH-së, të regagojnë një orë e më parë, dhe i bëjmë thirrje policisë të mos ushtrojnë dhunë dhe presion ndaj banorëve sepse këtu jemi në legjishmërinë tonë.- u shpreh Ulliri.

Me “Si Saranda”, në Sarandë

Nga Lutfi Dervishi

Një ditë sa një javë

Me “Si Saranda”, në Sarandë

Nëse dëshiron që të jetosh një ditë sa një jave, duhet bërë diçka krejt ndryshe. Aq më tepër nëse bëhet fjalë per ditën e fundit të muajit gusht në Sarandë. Dita e fundit e “pushimeve”

Një udhëtim me anije dhe banjo dielli në plazhet e Jonit që nuk mund t’ arrish dot veçse përmes udhëve detare është një mundësi për të thyer rutinën e punës/pushimeve

Udhëtimi nis në orën 10:00 me anijen “Si Saranda”. Nuk është thjesht një lundrim përgjatë vijës bregdetare më të bukur te vendit.

Kapercimi “urës” në mol dhe hipja në anije është një ftesë për të hyrë në një botë tjetër, ku koha nuk matet me akrepat e orës, por me momente që të mbeten në mendje gjatë.

Personi i parë që të uron mireseardhjen sapo vë kemben mbi “urë” është Aristoteli, i cili është rritur në det. Nëse ke fat ta shohësh një moment pa levizur të duket 50 vjeç, por kur e sheh duke bërë “paralele” ose duke kercyer thua se është 30 vjeç. Me krenari labi thotë se është 72 vjec! Ai nuk ia përton të flasë për të shkuarën dhe për të ardhmen, pa harruar të vendosë pikat mbi i për gjërat që, sipas tij, nuk shkojnë sot.

Ekstremi tjetër këtu është kapiteni i anijes, 26 vjeç për të cilin, një anëtar tjetër i ekuipazhi, Todi, që ka mbi 40 vjet përvojë me anijet, thote: është i jashtëzakonshëm. Kapiteni është i heshtur. Për të flet puna.
Në fakti i gjithë ekuipazhi përbëhet nga njerëz që rralle i ndesh në jetë, për nga profesionalizmi, përkushtimi, kujdesi dhe mikpritja. Që nga momenti i parë i kontaktit me to nuk e ndjen veten se je pasagjer, por një mik i tyre. Dhe tek ekuipazhi nuk përjashtoj as sektorin e kuzhinës.

Si Saranda

Pjesa e brendshme e anijes “Si Saranda” të paralajmëron për një udhëtim të qetë.

Stolat dhe tavolinat prej druri, mbizotërojnë zonën e ndenjes, në të dyja anët e një korridori qendror, që lidh pjesën e banakut. Tavani është prej druri, që e shton më shumë ngrohtesine, ndërsa perdet e bardha, që lëkunden butësisht nga era, kornizojnë dritaret dhe zbusin dritën e fortë të mengjesit.

Ngjyra portokalli e ndritshme e jelekeve të shpetimit, ofron kontrast të kendshem me ambientin. Siguria, që ofrojne jeleket, përforcohet edhe nga kamerat e sigurisë që i sheh në disa pika strategjike të anijes.

Organizimi i brendshëm jo vetëm që premton një udhëtim të rehatshëm, por gjithashtu nxit një ndjenjë të komunitetit midis grupeve të ndryshme të udhëtarëve në bord. Jemi me fat se është një ditë “e qetë”. Vetëm 70 udhëtarë. Gjeografia e tyre përmbledh gjithë kontinentet. Kosova, Italia, Polonia, Franca, Tunizia, SHBA, Argjentina, Suedia eti. Vendasit janë pakice.
Dizajni dhe organizmi i anijes duket se i nxit pasagjerët të njihen me njëri tjetrin, të ndajnë histori, të shijojnë vaktet së bashku dhe ndoshta edhe të krijojnë miqësi të reja. Etnia e turisteve sugjeron se udhëtimi nuk do të jetë thjesht një shplodhje në brigjet e Jonit, por edhe një përvoje, multikulturore.

Pjesa e siperme

Kuverta e sipërme e anijes SiSaranda ofron një pamje që të lë pa frymë, duke inkuadruar në mënyrë perfekte blunë e detit Jon me rrezet e shndritshme të fundgushtit. Kjo pjesë e kuvertës është projektuar për relaksim të trupit dhe mendjes. Aty krahas stolave dhe tavolinave ka edhe ndenjëse prej pellushi, të bardhë me jastëk në të dy anët. Këto zona komode që gjendjen edhe në pjesën e përparme të anijes në “të dy katet” ofrojnë një vend ideal për t’u ndenjur, për të marrë rrezet e diellit dhe për të shijuar mjedisin piktoresk gjatë udhëtimit.

Dy vendkalime të ngushta përmes se cileve lëviz nga kreu në fund të japin mundësinë të jesh më pranë valeve, duke ndjerë erën dhe spërkalat e Jonit.

Tavolinat dhe stolat prej druri në pjesën e siperme ne Kuverte janë me ngjyre të bardhë dhe shërbejnë edhe si vende të përshtatshme për vendosjen e pijeve, ushqimeve ose sendeve personale.

Kuverta e sipërme është vendi i preferuar si për biseda, si për të shijuar moment vetmie, por edhe si një hapësirë ideale për banjo dielli, për valle apo edhe kënde të qeta për te lexuar. .

Plazhi Gremines

Pas 40 minutash lundrim, ndalesa e parë (në det) e “Si Saranda”, është vetëm për foto. Gjiri i Gremines.
Pamja është magjepse: formacione të lashta prej guri, sa vetë jeta ne toke, përthyhen me kaltërsinë e detit. Shkëmbinjtë ngrihen me një madhështi të habitshme, shtresat e tyre të gdhendura, duken si faqet e një libri, ku çdo shtresë mban sekretet e epokave.

Deti, reflekton dritën e diellit me një qartësi të shkëlqyeshme, duke krijuar një kanavacë të gjallë që nxjerr në pah edhe më shumë bukurinë e ashper të shkëmbinjve. Shtresat e shkëmbinjve zbuten nga kthesat e buta të dallgëve, të cilat, me çdo ngritje e rënie, duket se i përkëdhelin ato.

Heshtja këtu prishet vetëm nga zhurma e butë e valëve dhe thirrja e herëpashershme e një zogu deti.

Para këtyre shkëmbinjve monumentalë, mendon për kohën që është dashur për të formuar këtë vijë bregdetare të jashtëzakonshme.
“Duhet të perfitojme me shume nga ekonomia e ujit, thotë Todi. “Me ka bërë përshtypje fakti se peshkataret tanë kur ishte kohë e keqe rrinin në klub, ndërsa të huajt (peshkataret) futeshin në det per peshkim.
Ndalesa e parë e “Si Saranda” nuk është thjesht një pauzë në lundrim, por një hap në një botë ku koha ka ritem tjetër dhe bukuria e egër zones sfidon modernitetin, civilizimin dhe zhvilllimin.

Sapo lëmë pas Gjirin e Gremines befas shfaqet një delfin.
Aristoteli me thotë se delfini po paralajmëron “prishje të kohës”. Ora 11:30. Ngre kokën lart dhe nuk i besoj parashikimit tëtij.

Gjiri i Krorezit

Ndalesa e parë është në gjirin e izoluar dhe befasues të Krorezës. Një perlë e fshehur ku mund të shkosh vetëm me varka ose anije. Ky gji i pacenuar është një oaz, kuashpërsia e natyrës zbutet nga valet e Jonit. Disa shkëmbinj me madhësi të ndryshme në breg jane vende ideale per Instagram.
Edhe ne këtë “vend të humbur” e të vetmuar kanë mbërritur shezlonget. Madje ka edhe një bar-restorant. Koha e qëndrimit këtu është 2 orë. Çmimi për një çadër është 1000 lekë. Por mund të bësh fare mirë edhe pa çadër e shezlong. Mund të gjesh strehë në hijet e pemëve, zgavrat në shkëmb, apo mes gureve të mëdhenj. Natyra ketu të ofron edhe qoshe më private me diell.
Perplasja mijëra vjeçare mes shkembijve dhe valeve të detit e ka mbushur bregun me guriçka të madhesive dhe ngjyrave të ndryshme.

Ujërat e Krorëzës janë kristal dhe të qeta, perfekte për not dhe banja dielli. Qetesia është si në një manastir. Përplasja e butë e valëve me shkëmbinjtë dhe shushurima e butë e gjetheve janë të vetmit tinguj që thyejnë heshtjen.
Ndalesa dy-orëshe këtu deri në orën 14:00 i jep mundësi gjithkujt (me përjashtim të ekupipazhit) të zhytet plotësisht në mjedisin idilik.

Shumica zgjedh të eksplorojnë ujin, të hidhen nga shkallët e anijes apo nga deku, një pjesë preferojne rrezet e diellit dhe disa janë mrekulluar nga shkëmbinjtë mahnitës që qëndrojnë si roje bregdet are në këtë këtë parajsë të fshehur.

Skenderi, që duket se ka moshën e një studenti, ka ardhur nga Tunizia. Ai preferon shkembijte. Në fakt nuk është turist. “Do të qëndroj edhe pak ditë, thotë me një buzeqeshje të ndrojtur dhe do të kthehem. Po punoj në Sarande prej tre muajsh në një hostel!

Gjiri i Krorëzës, me bukurinë e tij të egër dhe ambientin e qetë, ofron një përvojë vërtet unike dhe të paharrueshme, duke e bërë atë “gjellën kryesore ” të menyse së udhëtimit me “Si Saranda”.

Kakome, drekë në det

Pas gjirit e Krorëzës, anija niset drejt Kakomesë. Ndonëse e arritshme si nga deti ashtu edhe nga makina, Kakome ende mbetet një strehë e qetë, shumë larg zhurmës së zonave të (mbi)populluara.

Aristoteli më tregon këtu fotot e peshqeve që ka kapur. “Ky është peshk Shtizë, është dy metra. Ky është peshk kameleon që ndërron ngjyrë si politkikanët, ky është peshk gushtak sepse hedh vezët në gusht… Gjyshi im ka qenë peshkatar në këtë zonë në vitet 40- thotë Aristoteli, që pastaj shfryn për politikanët e ditës…

Ndalesa në Kakome ofron më shumë se thjesht një plazh të virgjër (këtu mungojnë shezllonët)! Është koha për një drekë në det. Opsionet e vakteve plotësojnë një shumëllojshmëri shijesh; peshk të freskët të gatuar në anije, fileto pule të shijshme ose një sanduiç. Atmosfera në bord është e relaksuar dhe pijet e pakufizuara nxisin pasagjerët të çlodhen plotësisht.

Ujërat e kthjellëta dhe tërheqëse të Gjirit të Kakome ofrojnë për të gjithë një mundësi të dytë për të notuar dhe eksploruar mjedisin e pacenuar. 50 metra larg bregit të detit shfaqen disa kuaj që duken se kanë kohë që i kanë shkeputur marrëdhëniet me njerëzit. Një fik i madh i egër gënjen ndokënd me “frutat e tij” që duken të pjekura.

Aristoteli gjen rastin të më thotë se çfarë nuk shkon mirë në Shqipëri.
“Nëse unë grabis 10 mijë lekë, bëj 10 vjet burg, ndërsa këta që kanë grabitur sa për 10 breza nuk i gjen gjë”. “I kam thënë djalit thotë që në punën që është të ketë kujdes se mos firmos tenders dhe prokurime”

Lundrimi nuk ka të bëjë vetëm me lëvizjen nga një vend në tjetrin; ka të bëjë me zhytjen në bukurinë natyrore dhe atmosferën e qetë që ofrojnë xhevahiret e pa arritshme nga toka të bregdetit shqiptar.
Çdo ndalesë i shton një kapitull të ri ditës në det duke e bërë atë vërtet “një ditë shumë ndryshe” nga ditët në tokë.

Roidhe

Ndalesa e fundit e udhëtimit të SiSaranda është në Roidhe, një vend i aksesueshëm vetëm nga deti. Ndërsa anija afrohet, dallon një formacion natyror të mrekullueshëm që i ngjan një amfiteatri të lashtë. Këtu, peizazhi është skalitur nga duart e vetë kohës, me dy rreshta shkallësh të gjata prej gurësh të lëmuar që duket se janë ngritur nga deti, për t’i bërë vend njeriut.

Këto “shkallë” nuk janë vepër e duarve të njeriut, por janë gdhendur dhe gërryer gjatë shekujve nga uji i Jonit. Gurët e mëdhenj të lëmuar duken sikur janë vendosur qëllimisht, për t’i dhënë formë një amfiteatri madhështor, që për audiencë ka detin dhe anijet që shkojnë aty për vizitë

Celulari tregon orën 17:00. Një pjesëtar i ekuipazhit thotë se duhet të nxitojmë se po prishet koha. Pesë orë më parë mendova se “paralajmërimi i delfinit” për të cilin foli Aristoteli ishte thjesht një trill/shaka.
Roidhe ofroi mundësinë e fundit për t’u zhytur në ujërat kristal të Jonit përpara kthimit për në Sarandë. Atmosfera “kishtare” e Roidhe-s e bën atë një vend të përsosur për të bërë një zhytje të fundit. Uji këtu, është i pastër, i ngrohtë dhe freskues në të njëtën kohë.

Roidhe më shumë se një vend noti; është një dëshmi e artit të natyrës, një vend ku nuk e shpjegon dot se si është krijuar diçka kaq jashtëzakonshme.
Gjatë kthimit ka muzikë. Aristoteli ka harruar “politikanët” dhe i është kthyer valles…

Nendetësja

Ndërsa anija kthehet në mol afër perëndimit të diellit, ka një mundësi edhe për një orë tjetër emocionuese në det. “Si Saranda” ofron një surprizë të fundit – një udhëtim 60 minuta me “nëndetëse” jo shumë larg qytetit.

Ky udhëtim nënujor me tre stacione fillimisht ndalet te rrënojat e një anijeje italiane që u mbyt nga gjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërore, një pamje e jashtëzakonshme që na rikthen të kaluaren në një mënyrë që pak përvoja mund ta bëjnë. Audio shpjeguese këtu është në tre gjuhë (shqip, anglisht, italisht). Ndalesa e dytë dhe e tretë është te disa shkëmbinj koralor, ku nënujë sheh një botë të mbushur me jetë – peshqit e llojeve dhe madhësive të ndryshme që “vrapojnë” mes koraleve, me ngjyrat e tyre verbuese në dritën e filtruar të diellit.

Ndërsa dielli zbret nën horizont dhe nëndetësja kthehet në bazë, një pasagjer nga Franca bën bilancin e ditës: “Nuk jam i sigurt nëse kaluam një ditë apo një javë në det. ” “Kujtimet e kësaj dite do të mbeten të pa harruara” shton një turiste nga Suedia.

***
Në pedonalen e Sarandës ka rënë muzgu. Kioska e shumta që ofrojnë ‘boat trip”, “Udhëtim me anije” janë shtuar. Po ashtu edhe skafet dhe anijet ne breg.
Një ditë në det, nuk është e njëjtë me një ditë në tokë.
Koha për t’i thënë mirupafshim ekuipazhit te “Si Saranda”- ndofta energjinë dhe pozitivitetin atyre ua jep fakti se pjesën me të madhe të kohës e kalojnë në det. Larg zhurmes se modernitetit që të ofron “toka” dhe politika.
Aristoteli (jo personazhi ekuipazhit, por filozofi grek) studio shekuj me parë jo larg prej Sarande se si njerëzit duhet të jetojnë më së miri së bashku në komunitet. Kishte parasysh njerëzit që kalojnë kohën bashkë në qytet dhe jo në det.

Rama mbledh qeverinë me 1 shtator, Zekthi: Po “humbet” dhe Xhaçkën, i vetmi avantazh i kryeministrit është…

Analisti Fitim Zekthi, i ftuar në një program televiziv komentoi mbajtjen e mbledhjes së qeverisë Rama në Dajt më 1 shtator.

Zekthi tha se Rama po përpiqet të mbrojë njerëzit e tij nga SPAK, por se shumë herë e ka humbur këtë betejë. Ai tha se Rama duket se po humb edhe Xhaçkën. Sipas Zekthit, kryeministri Rama ka një avantazh e ai është se ka përballë një opozitë të dobët, me të cilën fiton zgjedhjet.

“Ka presion nga SPAK në drejtim të qeverisë. Rama po lufton ndaj SPAK që të mos i dëmtohen njerëz të rëndësishëm. Rama ka lënë dhe po lë njerëz gjatë rrugës. Rama po e humbet dhe Xhaçkën. Ekuilibri brenda qeverisë Rama është shkatërruar plotësisht. Rama ka avantazh gjigand gjendjen e rëndë të opozitës.

Por kjo e kalbëzon aq keq qeverisjen, sa e bën Shqipërinë një vend të zhytur në korrupsion e varfëri.

Jemi në gjendje më të dëshpëruar edhe se në vitin 1991, 1997, sepse atëherë kishte shpresë, tani po humb dhe shpresa. Opozita është e pamundur të vijë në pushtet dhe Rama nuk e rregullon dot veten.

E vetmja mënyrë për presion ndaj qeverisë është SPAK ose faktori ndërkombëtar, nuk e dimë deri ku shkon presioni. Të dyja palët nuk japin llogari. Mbajtja e mbledhjeve në vende të ndryshme është çmenduri. Rama po menaxhon kaosin, sepse SPAK ka goditur qeverinë. Kjo është shkolla politike e spektaklit”, deklaroi Zekthi.

Protesta Thumanë-Kashar, banorët përplasen me policinë dhe bllokojnë autostradën

Ka nisur me përplasje të shumta protesta e banorëve të Thumanës, Krujës dhe zonave për rreth të cilët kërkojnë që të kenë akses në autostradën Thumanë-Kasharë.

Banorët sërish kanë të njëjtën kërkesë dhe janë shprehur se nuk do të ndalin protestat deri në një zgjidhje. Ata theksojnë se u janë rritur kostot dhe akuzojnë kryeministrin Edi Rama se është një racist dhe nuk i do veriorët.

Protesta është shoqëruar nga një numër i madh policësh.

“Ekziston rreziku për destabilizim të Ballkanit Perëndimor”- Lajçak: Shoqëritë në Kosovë dhe në Serbi nuk janë gati për normalizim

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka thënë se ekziston rreziku për destabilizim të Ballkanit Perëndimor, nëse palët nuk angazhohen në dialog dhe vazhdojnë të bëjnë veprime të pakoordinuara e të ngutshme.

 

Në intervistën për Radion Evropa e Lirë, në margjina të forumit Globsec, që po mbahet në Pragë, Lajçak e ka pranuar se nuk është bërë mjaftueshëm për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, të arritur mes palëve vitin e kaluar, por marrëveshje më e mirë nuk mund të arrihet dhe se palët duhet ta kuptojnë që përparimi në dialog është thellësisht i lidhur me rrugën e tyre drejt BE-së.

“Nëse më pyesni mua, problemi është se dy shoqëritë [në Kosovë dhe në Serbi] nuk janë gati për normalizim”, ka theksuar ai.

I pyetur se si duhet të përfundojë dialogu, edhe nëse duhet të përfshihet njohja reciproke, ai ka thënë se u takon palëve të vendosin në atë aspekt. Ai ka folur edhe për sulmin në Banjskë dhe akuzat që i janë bërë nga zyrtarë të Kosovës për qasje të padrejtë ndaj vendit.

Radio Evropa e Lirë: Z. Lajçak, ju jeni afër fundit të mandatit si i dërguar i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Shumica, përfshirë edhe vetë BE-në, thonë se është bërë pak dhe disa thonë edhe se dialogu ka dështuar, ka vdekur. Çfarë shkoi keq?

Mirosllav Lajçak: Dialogu është vendimtar për Kosovën dhe Serbinë, nëse e kanë seriozisht për aspiratat e tyre evropiane, sepse Bashkimi Evropian e ka bërë shumë të qartë që para se të shqyrtohen seriozisht për pranim [në BE], ata duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet. Kështu që nuk ka asnjë rrugë përreth kësaj. Kjo është një gjë.

Së dyti, Bashkimi Evropian është ndërmjetësues i këtij procesi, por procesi është nën pronësi të dy palëve, Kosovës dhe Serbisë. Ne po e bëjmë më të mirën tonë për t’i ndihmuar ato në normalizimin e marrëdhënieve, por duhet të them që shpejtësia e procesit dhe rezultati i procesit nuk varen nga Bashkimi Evropian, por nga palët.

Kur shikoj prapa te mandati im, ka pasur rezultate konkrete, si: njohja e dokumenteve të identifikimit, njohja e targave, marrëveshja shumë e rëndësishme multimilionëshe për energji. Që nga fillimi i këtij viti, ne e kemi një situatë standarde ku njerëzit janë të regjistruar dhe ata paguajnë për energjinë, energjinë elektrike që konsumojnë.

Por, natyrisht, arritja më e rëndësishme është marrëveshja për rrugën drejt normalizimit, që u arrit dhe për të cilën u arrit pajtim vitin e kaluar në Ohër. Me këtë marrëveshje, nuk ka më nevojë për negociata, por për zbatim.

Dhe, po, fatkeqësisht, zbatimi nuk ka nisur seriozisht. Janë bërë disa gjëra, por natyrisht që marsin e vitit të kaluar në Ohër unë prisja që do të kishim më shumë sukses. Pse nuk po ndodh kjo? Mos e pyesni ndërmjetësuesin, pyetini palët.

Por, natyrisht, ata duhet ta bëjnë pjesën e tyre. Dhe, nëse nuk dëshiron ta bësh pjesën tënde, atëherë kërkon justifikime. Por, asgjë nuk i pengon as Kosovën e as Serbinë që ta bëjnë atë për të cilën janë zotuar në Ohër. Dhe, është e shkruar qartësisht… ky dokument është publik.

Përsëri, nëse më pyesni mua, problemi është se të dyja shoqëritë nuk janë gati për normalizim. Nuk shoh ndonjë shtyrje nga brenda, nga partitë politike, nga akademia, nga shoqëria civile, që të kërkojnë që udhëheqësit të bëjnë përparim drejt normalizimit. Përkundrazi, sa herë që ka një marrëveshje, ka më shumë kritika se janë bërë lëshime. Udhëheqësit nuk inkurajohen të bëjnë përparim drejt normalizimit.

Pra, duhet të punojmë për ta ndryshuar mendësinë. Njerëzit duhet ta kuptojnë se normalizimi nënkupton kompromis. Normalizimi nënkupton fitim të ndërsjellë. Normalizimi nënkupton që marrëveshja të mund t’i prezantohet publikut dhe parlamenteve, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi.

Për aq kohë sa jetoni në iluzione se kjo është një fitore për njërën dhe një humbje për tjetrën, nuk do të ketë përparim. Por, nëse nuk do të ketë përparim drejt normalizimit, nuk do të ketë përparim drejt integrimit evropian. Gjithçka tjetër është një iluzion dhe lajthitje.

Radio Evropa e Lirë: Por, ju thatë se të dyja palët nuk janë gati dhe nuk janë të gatshme për ta arritur normalizimin. Pra, duket se e dimë problemin. Atëherë, çfarë duhet të bëjë udhëheqësia e re e BE-së? A duhet t’i ndryshojnë taktikat, prioritetet, pasi që ju jeni ndërmjetësuesi? A mund të bëni më shumë për t’i bindur ata?

Mirosllav Lajçak: Shiko, parametrat bazë nuk do të ndryshojnë. Parametrat bazë të këtij procesi janë të njohura mirë. Dhe natyrisht, këtu përfshihet fakti që komuniteti serb në Kosovë duhet të jetë në gjendje ta ruajë identitetin e vet, të ndihet i sigurt dhe i mbrojtur, të ketë marrëdhënie institucionale me Serbinë në përputhje me standardet evropiane dhe brenda kornizës ligjore të Kosovës. Le të jemi shumë të qartë për këtë. Dhe, në këmbim, Serbia duhet t’i përmbushë të gjitha elementet e normalizimit të marrëdhënieve.

Kështu që, kjo nuk mund të ndryshojë. Dhe përsëri, nuk mendoj që do të ketë një marrëveshje të re. Sepse nëse do të kishte një marrëveshje më të mirë, dikush do ta kishte propozuar. Janë mendjet më të ndritura që kanë punuar për këtë marrëveshje. Kjo marrëveshje mbështetet plotësisht nga Shtetet e Bashkuara, nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe në veçanti nga Gjermania, Franca dhe Italia.

Pra, është përsëri një iluzion të besosh se me përfaqësuesin e ri të Lartë [të BE-së], papritur do të ketë një proces të ri. Parametrat kryesorë nuk do të ndryshojnë. Dhe për këtë arsye, pacta sunt servanda – ajo që është rënë dakord duhet të zbatohet – është parimi bazë. Dhe sa më shpejt ta kuptojmë këtë, aq më mirë.

Radio Evropa e Lirë: Ju përmendët se për sa u përket serbëve të Kosovës, të drejtat e tyre duhet të respektohen. Çfarë prisni si prioritet nga ana tjetër? Gjithashtu përmendët kompromise. Cilat janë dy kompromiset më të mëdha që secila palë duhet t’i bëjë?

Mirosllav Lajçak: Shiko, gjithçka është në marrëveshje. Kjo do të thotë se Serbia zotohet t’i njohë simbolet, dokumentet, institucionet e Kosovës. Ka një marrëveshje për shkëmbimin e misioneve. Ka një marrëveshje për të mos e penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Pra, lexoni marrëveshjen dhe gjithçka është aty.

Dhe, siç thashë, asgjë nuk i pengon palët ta bëjnë pjesën e tyre, përveç që ka shumë pak besim midis tyre. Fatkeqësisht, mandati im ka qenë ndoshta më shumë i përkushtuar ndaj menaxhimit të krizave sesa promovimit të normalizimit.

Por, një element i rëndësishëm që do ta theksoj, natyrisht, edhe për pasardhësin tim dhe për përfaqësuesin e ri të Lartë, është që ky proces duhet të jetë i lidhur dukshëm dhe drejtpërdrejt me integrimin evropian. Sepse në të kaluarën, kur palët e dinin se një përparim drejt normalizimit do të sillte gjithashtu përparim të dukshëm në rrugën drejt BE-së, ky ishte një motivim shumë i fortë.

“Palët vendosin vetë si duhet të përfundojë dialogu”

Radio Evropa e Lirë: A po punoni për një takim të ri të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Mirosllav Lajçak: Aktualisht, jemi duke përgatitur takimin e radhës në nivel kryenegociatorësh. Dhe, ne jemi gjithmonë të gatshëm për këtë. Duhet të ketë agjendë, duhet të ketë gatishmëri. Tani për tani, hapi i radhës është takimi i kryenegociatorëve.

Radio Evropa e Lirë: Si duhet të përfundojë dialogu? Cila duhet të jetë marrëveshja përfundimtare ndërmjet dy palëve?

Mirosllav Lajçak: Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, në rolin tim aktual, mundem vetëm të përdor gjuhën zyrtare të Bashkimit Evropian, që dialogu duhet të përfundojë me marrëveshjen ligjërisht obliguese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do t’i zgjidhte të gjitha çështjet e mbetura dhe do t’i hapte rrugë të ardhmes evropiane.

Radio Evropa e Lirë: Ju pyeta, sepse në fillim thuhej gjerësisht se dialogu duhet të përfundojë me njohje reciproke. Por, me kalimin e kohës, kjo disi u la në hije. A duhet të përfundojë dialogu me njohje reciproke?

Mirosllav Lajçak: Qëndrimi i Bashkimit Evropian nuk ka ndryshuar. Dhe, po ashtu, Bashkimi Evropian thotë se u takon dy palëve të vendosin se cili do të jetë fundi. Ne nuk po imponojmë, nuk po diktojmë. Por, sigurisht, i kemi pritjet tona. Dhe, kur unë përmend marrëveshjen ligjërisht obliguese, kjo flet shumë, po ashtu. Por, nuk jemi aty dhe sigurisht se do të ishte gabim diplomatik imi të thosha se si e shoh fundin e procesit. Jam këtu t’u ndihmoj palëve të arrijnë marrëveshje ligjërisht obliguese për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

“Sulmet personale nuk ndihmojnë”

Radio Evropa e Lirë: Z. Lajçak, Bashkimi Evropian dhe ju vetë jeni akuzuar nga udhëheqësit e Kosovës për qëndrim jo fer ndaj vendit. Si e komentoni këtë?

Mirosllav Lajçak: Unë jam mjaftueshëm gjatë në këtë punë për t’i ditur të gjitha këto lojëra. Pikë së pari, sulmet personale nuk janë mënyrë evropiane. Ne nuk e bëjmë këtë në Evropë. Duhet t’i shohësh çështjet.

E dyta, ajo që kërkohet nga Kosova, sipas Marrëveshjes së Ohrit, është diçka për të cilën Kosova tashmë është zotuar ta bëjë më 2013, dhe madje e ka ratifikuar në Parlament. Më tregoni, pra, se si një gjë e tillë është jo fer.

Nëse mendoni se mund të merrni gjithçka falas, atëherë sigurisht se kur ju kërkohet ta kryeni pjesën tuaj, mund t’ju duket e padrejtë. Por, në jetën reale, mes të rriturve, duhet të japësh që të marrësh. Të dyja palët. Kjo është e vetmja mënyrë se si mund të arrish marrëveshje. Dhe, sulmet personale nuk do të ndihmojnë, sepse ato, në fakt, diskreditojnë njerëzit që sulmojnë.

Radio Evropa e Lirë: A shihni ndonjë rrezik të destabilizimit në Ballkan, nëse dialogu vazhdon me ritmin aktual dhe të dyja palët vazhdojnë të bëjnë ata që ju i konsideroni hapa të njëanshëm?

Mirosllav Lajçak: Po. Sepse, ose do të kemi normalizim, që do të sillte stabilitet, do t’i hapte rrugën bashkëpunimit rajonal, i cili po ngec aktualisht, ose do të vazhdojmë me veprime të pakoordinuara, me veprime të ngutshme, të cilat prapë s’janë të koordinuara, dhe mund të bëhen armiqësore apo edhe të dhunshme. Dhe, mund të ngelemi të zënë për shumë vite me këtë përsëritje, do të thosha unë, të shpërthimeve [të situatave] destabilizuese.

Kjo, sigurisht, ia pamundëson rajonit të përparojë në rrugën evropiane. Prandaj, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk është vetëm çështje e tyre. Është çështje rajonale dhe evropiane, madje.

“Serbia nuk është tërhequr nga Marrëveshja e Ohrit”

Radio Evropa e Lirë: Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se konsideron se Serbia tashmë është tërhequr nga Marrëveshja Bazë. Prandaj, nëse Kosovës i kërkohet prapë ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ajo duhet të ulet dhe të flasë me aleatët e saj për të kërkuar garanci të sigurisë. Sa realiste është kjo?

Mirosllav Lajçak: Serbia nuk është tërhequr nga Marrëveshja. Ajo vazhdon të jetë ligjërisht obliguese dhe e vlefshme në tërësinë e saj. Bashkimi Evropian e ka thënë këtë shumë herë. Dhe, po ashtu, të gjitha obligimet e Serbisë sipas Marrëveshjes tashmë janë inkorporuar në Kapitullin 35 të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE. Pra, ato janë, po ashtu, ligjërisht obliguese ndërmjet Serbisë dhe Bashkimit Evropian.

Kësisoj, nuk ka nevojë për qasje alternative. Unë mendoj se presidenti [francez, Emmanuel] Macron e tha shumë qartë dje [në Beograd]. Rruga është e shtruar. Dhe, rruga është Marrëveshja e Ohrit. Ai tha se Serbia ka një vend në Evropë. Por, ai, po ashtu, kritikoi Kosovën për… Po i referohem pjesës që lidhet me dialogun. Ai e bëri shumë të qartë se e mbështet plotësisht Marrëveshjen e Ohrit. Franca ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm dhe aktiv. Dhe, e dyta, nuk ka alternativë ndaj zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Kjo ishte, mendoj unë, shumë e qartë nga ajo që tha ai. Dhe, pjesën tjetër po ua lë të tjerëve ta komentojnë.

“Nuk është bërë mjaftueshëm për gjykim të përgjegjësve për sulmin në Banjskë”

Radio Evropa e Lirë: I dërguari i ri amerikan për Ballkanin, Alexander “Sasha” Kasanof do të marrë pjesë në forumin Globsec. A do ta takoni? A e keni kontaktuar?

Mirosllav Lajçak: Natyrisht. E kemi kontaktuar nëpërmjet telefonit. Por, do të takohemi për herë të parë këtu personalisht në Pragë, në Globsec.

Radio Evropa e Lirë: Edhe disa liderë të Ballkanit Perëndimor pritet të vijnë këtu. A do të takoheni me ta? A keni diçka të planifikuar?

Mirosllav Lajçak: Unë gjithmonë takohem me ta. Për mua Globsec-u është konferenca e dytë prej tri të tillave që po organizohen në këtë kohë. Isha në Alpbach. Tani jam në Globsec. Do të jem në Bled javën tjetër. Në secilën prej këtyre konferencave kam shumë takime me liderë të Ballkanit, dhe këtë e kam bërë përgjatë viteve. Është gjithmonë mundësi e mirë për t’u takuar dhe të biseduar për çështjet aktuale.

Radio Evropa e Lirë: Do ta ndryshojmë pak temën. Kosova thotë vazhdimisht që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është prapa sulmit në Banjskë. Si e komentoni?

Mirosllav Lajçak: Agjencitë e sigurisë tashmë i kanë bërë deklaratat e tyre dhe unë vetëm mund të përsëris atë që kanë thënë. Natyrisht që ka qenë diçka shumë e tmerrshme dhe shumë e rrezikshme. Dhe, ka ndryshuar shumë gjëra në dinamikat rajonale. Pozicioni i Bashkimit Evropian është që gjithçka duhet të hetohet siç duhet dhe personat që janë përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi.

Radio Evropa e Lirë: A ka bërë mjaftueshëm Serbia për t’i gjykuar ata që kanë qenë përgjegjës për sulmin në Banjskë, përfshirë Millan Radoiçiqin, i cili është i lirë dhe besohet se është në Serbi?

Mirosllav Lajçak: Qartazi nuk mund të thuhet se është bërë mjaftueshëm kur njerëzit që janë përgjegjës, duke nisur me Millan Radoiçiçin, që e ka pranuar përgjegjësinë, nuk është përballur ende me drejtësinë. Natyrisht se askush nuk mund të thotë se është bërë mjaftueshëm. E përsërisim që ai duhet të mbahet përgjegjës për atë që ka bërë.

“Po bëhet më e vështirë heqja e masave”

Radio Evropa e Lirë: Pse BE-ja nuk i ka larguar ende masat ndaj Kosovës?

Mirosllav Lajçak: Kjo është në dorë të vendeve anëtare. Vendet anëtare e kanë marrë vendimin për t’i vendosur masat dhe vendet anëtare tani janë duke diskutuar çfarë të bëjnë me masat. Kjo nuk është çështje e dialogut. Dinamika e vendeve anëtare është që duhet pasur konsensus të 27 vendeve anëtare.

Radio Evropa e Lirë: E kuptoj, por ne kemi dëgjuar prej disa diplomatëve që disa vende janë duke hezituar. A keni mundur të bisedoni me këto vende? Cilat janë dilemat e tyre? Pse nuk po i tërheqin masat?

Mirosllav Lajçak: Pozicionin tim e kam bërë shumë të qartë publikisht. Menjëherë pas Banjskës kam bërë thirrje publike për heqje të masave kundër Kosovës, si gjest i mbështetjes dhe solidaritetit në këtë periudhë të vështirë. Mendoj që e kemi humbur një mundësi të mirë për t’i hequr. Më vonë, siç po e shohim, po bëhet më e komplikuar dhe më e vështirë. Por, është në agjendë të Këshillit dhe vendet anëtare po vazhdojnë të diskutojnë për to.

“Me të dërguarin e ri nuk do të ketë proces të ri dialogu”

Radio Evropa e Lirë: A do të ketë të dërguar të ri të BE-së për dialogun pasi ta përfundoni mandatin? Kemi dëgjuar prej disa diplomatëve që kjo pozitë nuk do të ekzistojë më dhe që përfaqësuesja e Lartë për Punë të Jashtme do të merret me dialogun, që do të thotë Kaja Kallas në legjislaturën e ardhshme.

Mirosllav Lajçak: Do të takohem me të dërguarin e ri të BE-së në ditët në vijim dhe do të diskutojmë, natyrisht, për të gjitha në hollësi. E kemi një takim të caktuar. Por, nuk dua të parashikoj rezultatin, porse mund të jem i sigurt që do të ketë të dërguar të BE-së dhe ekipi do të vazhdojë, sepse është vërtetuar se është i rëndësishëm, sidomos për përfaqësuesin e Lartë, sepse përfaqësuesi i Lartë ka shumë punë para vetes. Ballkani dhe procesi i normalizimit kanë nevojë për dikë që është i fokusuar në të dhe e vëzhgon 24/7. Kjo është saktësisht ajo që bëjmë. Puna nuk është kryer ende dhe prandaj duhet të vazhdojë. Unë besoj që duhet të ketë të dërguar të BE-së që e asiston përfaqësuesin e Lartë, derisa të zbatohet Marrëveshja e Ohrit. Kjo është pozitë shumë e qartë.

“Momentum i ri i BE-së për zgjerim”

Radio Evropa e Lirë: Në fund, zgjerimi i BE-së ka ngecur më 2013, dhe Kroacia është e fundit që është anëtarësuar. A do të ndryshojnë dinamikat, apo a duhet të ndryshojnë nën udhëheqësinë e re të BE-së?

Mirosllav Lajçak: Dinamikat kanë ndryshuar tashmë. Fakti që procesi i zgjerimit është ndaluar, është për keqardhje, dhe është gabim i madh që ka kontribuuar në shumë zhvillime negative në rajon.

Bashkimi Evropian e ka kuptuar që ka qenë gabim dhe duhet të jemi më seriozë sa i përket zgjerimit. Paradoksalisht, ky zgjim ndodhi si pasojë e agresionit të [presidentit rus, Vladimir] Putinit kundër Ukrainës, dhe kur BE-ja vendosi të ftojë Ukrainën dhe Moldavinë që t’i bashkohen BE-së. Kjo është mundësi e madhe për Ballkanin. Dera që ka qenë e mbyllur për 10 vjet dhe tani është e hapur. Derën e ka hapur gjeopolitika, por ajo nuk do të garantojë anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor.

Prandaj, i përket secilit shtet të Ballkanit Perëndimor që ta shfrytëzojë këtë mundësi, sa më gjatë që mundet, për ta mbajtur derën të hapur. Ekziston momentum i ri, mirëpo duhet kryer detyrat e shtëpisë, duhet bërë reforma. Është e rëndësishme, sepse në të kaluarën, mund të keni qenë të gatshëm, por dera ka qenë e mbyllur. Tani dera është e hapur. Kjo nënkupton se ata që janë gati dhe të përkushtuar, e kanë këtë mundësi historike./REL

Serbia nënshkroi marrëveshje me presidentin Macron për blerjen e avionëve ushtarakë, reagon Albin Kurti: Francën e konsiderojmë aleate dhe partnere shumë të rëndësishme

 

Serbia nënshkroi një ditë më parë (29 gusht) me Francën marrëveshje për blerjen e avionëve ushtarakë francez Rafale.

 

Marrëveshja me vlerë prej 2.7 miliardë eurosh, sipas zyrtarëve francez, është pjesë e strategjisë më të gjerë për ta afruar Serbinë me Bashkimin Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë homazheve në përmendoren dedikuar personave të zhdukur gjatë luftës, u pyet rreth kësaj marrëveshjeje.

Ai shprehu se Francën e konsiderojnë vend aleat dhe partner shumë të rëndësishëm edhe në BE edhe në NATO.

“Ne bëjmë sundim ligji, rend publik, njëkohësisht me paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim dhe në këtë aspekt duam edhe bashkëpunimin e ngushtë edhe mbështetjen ndërkombëtare përfshirë këtu edhe Francën që e konsiderojmë vend mik, aleat dhe partner shumë të rëndësishëm edhe në Bashkimin Evropian edhe në NATO”, tha Kurti.

Në një dekadë janë mbyllur 22% e shkollave 9-vjeçare publike në rang vendi

Rënia e shpejtë e numrit të nxënësve ka ndikuar në mbylljen e një së katërtës së shkollave 9-vjeçare në rang vendi, referojnë të dhënat zyrtare të Ministrisë së Arsimit.

Nga viti shkollor 2012-2013 në vitin shkollor 2021-2022 janë mbyllur 295 shkolla të arsimit 9-vjeçar në të gjithë vendin duke e çuar numrin total të tyre Në 1051 nga 1346 që ishte në vitin 2013.

Mbyllja e shkollave ka ardhur në raport të drejtë me rënien e nxënësve, pasi nga 2011 më 2023, INSTAT referon se numri i nxënësve në arsimin 9-vjeçar ka shënuar tkurrje me rreth 30%.

Zonat rurale kryesojnë me mbylljen e shkollave, pasi numri i fëmijëve është pakësuar ndjeshëm. Mirëpo mbyllja e shkollave në zonat rurale të vendit është bërë shkak për emigrimin e mëtejshëm e atyre pak familjeve me fëmijë të vegjël.

Që nga viti 2000 janë mbyllur 42% e shkollave 8-9-vjeçare në rang vendi. Arsimi bazë nga klasa e parë deri në të nëntën me kohë të plotë është i detyrueshëm për të gjithë fëmijët që janë nga mosha 6 vjeç deri në moshën 16 vjeç, me përjashtim të rasteve të parashikuara në ligj.

Arsimi Bazë përfshin: Arsimin Fillor (klasat 1-5) dhe Arsimin e Mesëm i Ulët (klasat 6 -9). Arsimi fillor përbëhet nga pesë klasa, nga klasa i deri në klasën V. Ndërsa arsimi i mesëm i ulët përbëhet nga katër klasa, nga klasa VI deri në klasën IX. Mosha e nxënësve është 12-15 vjeç.

Shqipëria financonte më shumë se 4-5% të PBB së saj para viteve 1990 për sektorin e arsimit, ky nivel ishte i krahasueshëm me financimet që edhe vendet e tjera të OECD-së jepnin në atë kohë.

Por gjatë viteve të tranzicionit, sektori është financuar më pak se 3% të PBB-së, nivel gati 40% më i ulët se financimet që vendet e zhvilluara ka dhënë në këtë periudhë dhe 20% më pak se financimet që japin vendet e rajonit.

Shqipëria hyri në periudhën e tranzicionit me 2200 shkolla të arsimit 8-vjeçar dhe të mesëm dhe tani po përballet me një tkurrje të fortë që nuk po ndikon në rritjen e cilësisë së nxënësve të mbetur. Vendi ynë shënoi rënien më të madhe globale në rezultatet e Testit global PISA 2022.

Mësuesit pohojnë se reformat e në arsim më vitet e fundit kanë rritur barrën rregullatore dhe ngarkesën e mësuesve që nuk ka lidhje në mënyrë të drepërdrejtë me mësimdhënien.

Ndryshimi i kurrikulës, përdorimi i gabuar i teknologjisë, mungesa e motivimit për mësuesit, rënia e nivelit profesional të mësuesve, notat fiktive anë disa nga shkaktarët e rezultateve të dobëta.

Teksa niveli i mësuesve të rinj është më i dobët. Financimet e ulëta për arsimin dhe sidomos pagat e ulëta të mësuesve po çojnë gjithnjë e më shumë nxënës, studentë të dobët, në degët e mësuesisë, duke vënë në diskutim cilësinë e arsimit në vijim./Monitor

Në një dekadë janë mbyllur 22% e shkollave 9-vjeçare

Erdhën si robër në anijet romake…Historitë e shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë, një vend dedikuar kujtesës

Historitë e shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë në vitet e errëta të Holokaustit do të kenë një vend të dedikuar kujtesës, që është Muzeu Hebraik Shqiptar, ngritja e të cilit mbështetet nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim me synimin për të ndërtuar një institucion bashkëkohor që do të dëshmojë një histori unike bashkëjetese, besimi dhe shprese mes shqiptarëve dhe hebrenjve, veçanërisht në vitet e Luftës së Dytë Botërore.

 

Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit (AADF) njoftoi se, hapi procedurat e tenderimit dhe ftoi kompanitë e kualifikuara të aplikojnë për ndërtimin e Muzeut Hebre Shqiptar në Vlorë. Sipas AADF-së, ky është një projekt bashkëkohor që do të vijë në harmoni me qendrën historike të qytetit. Muzeu Hebraik në Vlorë do të tregojë një histori unike, kushtuar bashkëjetesës së hebrenjve dhe shqiptarëve në kohë, i cili synohet të kthehet në një magnet kulturor për zonën historike në Vlorë. Me ndërtimin e këtij muzeu do të vendoset një standard i ri për muzetë në Shqipëri duke mbështetur krijimin e një muzeu bashkëkohor, të vetmin në llojin e tij në Shqipëri dhe rajon, për sa i përket misionit, konceptit, arkitekturës, menaxhimit, qeverisjes, modelit të ekspozimit dhe tregimit të historisë, partneriteteve dhe angazhimit të komunitetit. Vlera e ndërtimit të këtij projekti arrin në 3,000,000 USD.

HISTORIA

Hebrenjtë në Shqipëri dhe historia e tyre në vendin tonë daton që para 2000 vjetëve. Sipas historianit Apostol Kotani në librin e tij “Shqipëria dhe hebrenjtë”: “Hebrenjtë e nderuar mund të kenë ardhur për herë të parë në Shqipëri në fillim të viteve 70-të e.r. si robër në anijet romake që zbarkuan në brigjet jugore të vendit. Pasardhësit e këtyre robërve ndërtuan në shekullin e pestë edhe sinagogën e parë në portin jugor të Sarandës”. Pak dihet për hebrenjtë e viseve të sotme shqiptare deri nga shekulli 15. Hebrenjtë e Shqipërisë në ditët e sotme, kryesisht Sefarditë, të grishur dhe të ndihmuar nga Perandoria Osmane gjetën strehë edhe në viset shqiptare pjesë të perandorisë pasi u dëbuan nga Spanja nga Rekonkuista, trashëgimtarët e të cilëve përbëjnë vetëm një përqindje shumë të vogël të popullsisë shqiptare. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ishte një nga vendet e pakta në Europë në të cilën u pa një rritje në popullsinë hebreje në sajë të ndihmës që u dhanë shqiptarët dhe faktit se asnjë hebre nuk iu dorëzua gjermanëve. Gjatë diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë u ndaluan të gjitha fetë, duke përfshirë Judaizmin, në përputhje me aderimin ndaj doktrinës së ateizmit shtetëror. Në epokën paskomuniste, shumë hebrenj kanë emigruar në Izrael dhe numri i tyre në Shqipëri sot është shumë i vogël.

DËBIMET

Shekullin e 12, Benjamini i Tudelës i rrahu si vise dhe radhiti në udhëpërshkrimet e tij se kishte hebrenj të pranishëm. Në shekullin e 13 në Durrës kishte një bashkësi hebrenjsh që ishte përfshirë në tregtinë e kripës. Më 1426 në Vlorë u nxit nga Osmanët krijimi i një ngulimi hebre në Vlorë që të ishin të përfshirë në veprimtari tregtare. Bashkësia e hebrenjve vlonjatë u rrit më pas si pasojë e dëbimit të hebrenjve nga Korfuzi, zotërimet venedikase, Napoli si dhe gadishulli Iberik. Të dëbuar nga Spanja e pas Rekonkuistës, 150,000 hebrenj sefardikë u ndihmuan, transportuan dhe strehuan nga shteti osman. Mëhalla hebreje u themeluan në përpos Vlorës edhe në Berat; si dhe njoftohet prania e hebrenjve në Elbasan dhe Lezhë. Në vitin 1520 në Vlorë u raportuan 609 familje hebreje, ku dhe me sa dihej u ngrit edhe një sinagogë, e vetmja në viset shqiptare, cila u shkatërrua në Luftën e Parë Botërore.

Vlora ishte një qendër e komunitetit hebre në Shqipëri, jo vetëm prej vendosjes së sinagogës, por dhe për shkak të rëndësisë së saj tregtare dhe lidhjes me qytete të tjera tregtare në rajon. Shumë nga hebrenjtë e vendosur në Vlorë, ishin familje të ardhura nga Janina nga komuniteti i njohur si hebrenjtë romaiotë, një komunitet shumë i vjetër hebre, që daton që nga periudha bizantine dhe të vendosur historikisht në pjesë të Greqisë si, Janina, Vollos, Arta dhe Kavalla. Në vitin 1673 i vetëquajturi profet Sabbatai Zevi u syrgjynos nga sulltani në portin shqiptar të Ulqinit, në Mal të Zi, ku ai vdiq disa vjet më vonë. Komuniteti hebre gjatë kësaj periudhe ishte kryesisht i përqendruar në Vlorë. Hebrenjtë e Vlorës ishin të ndarë në portugezë, kastilianë dhe katalanas. Gazeta L’Univers israélite ka botuar më 20 mars 1914 një shkrim në lidhje me hebrenjtë e Vlorës, ku përmendet përbërja e komunitetit si dhe fakti se shpeshherë kishte grindje mes tyre. Rabini dhe filozofi David Leon shërbeu si rabin atje dhe paguhej me 70 florinj, pak më pak se buxheti vjetor për Princ Vidin.

REGJISTRIMI

Regjistrimi i parë i hebrenjve në Shqipëri është bërë në vitet 1923 – 1930 dhe nga të dhënat e këtij regjistrimi del se bashkësia e hebrenjve me banim të përhershëm në Shqipëri arrinte deri në afro 200 veta. Në vitin 1934, Komisioneri i Lartë për Refugjatët pranë Lidhjes së Kombeve, z. James Mac Donald, i kërkoi Mbretërisë Shqiptare, nëse ekzistonte mundësia për vendosjen në Shqipëri të një numri jahudijnsh nga Gjermania dhe menjëherë mori përgjigjen pozitive.

Historianët e llogarisin numrin e familjeve që përfituan nga kjo ndihmë në rreth 500 familje hebreje. Po atë vit, Herman Bernstein, ambasador i SHBAsë në Tiranë gjatë asaj kohe, shkruante në gazetën “Jewish Daily Bulletin” se: “nuk ekziston asnjë diskriminim kundër hebrenjve në Shqipëri, sepse Shqipëria është një ndër vendet e rralla të Europës së sotme ku paragjykimet fetare nuk ekzistojnë”. Kryesisht, qëndrimi i Mbretit Zog ndaj hebrenjve ka qenë dashamirës, madje ai bëri thirrje edhe për pranimin në Shqipëri të hebrenjve të cilët do t’i pajiste edhe me toka, thirrje të cilën e përsëriti edhe gjatë luftës, kur ndodhej në Angli.

LUFTA

Shqipëria kishte rreth 200 hebrenj në fillim të Luftës së Dytë Botërore. Ajo më pas u bë një strehë e sigurt për disa qindra refugjatë hebrenj nga vende të tjera. Në Konferencën Wannsee në vitin 1942, Adolf Eichmann, projektuesi për vrasjen masive të hebrenjve nëpër Europë, vlerësoi numri i hebrenjve në Shqipëri që do të vriteshin si 200. Megjithatë, hebrenjtë në Shqipëri ishin të mbrojtur nga popullata vendase dhe kjo mbrojtje vazhdoi edhe pas pushtimit të Shqipërisë nga forcat naziste, pas kapitullimit të Italisë në shtator, 1943.

Në fund të luftës, Shqipëria kishte një popullsi prej 2.000 hebrenj. Më 7 prill 1939, Italia pushtoi dhe aneksoi Shqipërinë. Hebrenjtë u dëbuan nga qytetet e porteve bregdetare dhe u shpërngulën në brendësi të Shqipërisë. Disa familje austriake dhe gjermane u strehuan në Tiranë dhe Durrës në vitin 1939, me shpresën për t’u larguar përfundimisht në Shtetet e Bashkuara ose në Amerikën e Jugut. Shumë refugjatë hebrenj kaluan gjithashtu përmes Shqipërisë në rrugën e tyre për në Palestinë. Këta refugjatë u trajtuan mirë nga forcat italiane dhe nga popullata vendase. Familjet e refugjatëve hebrenj filluan të shpërndaheshin në të gjithë Shqipërinë dhe të asimiloheshin në shoqëri. Fëmijët hebrenj vazhdonin të ndiqnin shkollën, por me emra dhe fe të rreme. Italianët hodhën poshtë zgjidhjen përfundimtare dhe prandaj nuk zbatonin ligjet antihebreje. Megjithatë, shumë shqiptarë u bashkuan me divizionin SS “Skënderbeu”.

REFUGJATËT

Disa refugjatë hebrenj u vendosën përfundimisht në një kamp tranzit në Kavajë dhe prej aty dërgoheshin në Itali. Në një moment, gati 200 hebrenj u vendosën në kampin e Kavajës. Disa zyrtarë shqiptarë u përpoqën t’i shpëtonin këta hebrenj të Kavajës, duke lëshuar letra identiteti për t’i fshehur ata në kryeqytetin e Tiranës. Në pranverën e vitit 1941, me rënien e Jugosllavisë, provinca e Kosovës u aneksua në Shqipëri duke krijuar Shqipërinë e Madhe. Shumë familje hebreje në territoret e sapopushtuara të Shqipërisë së Madhe u vendosën në burgun e internimit në Prishtinë, Jugosllavi. Rreth 100 burra hebrenj dhe familjet e tyre nga burgu i Prishtinës u morën në Berat, pasi në Berat, shumë nga këta refugjatë hebrenj u mbrojtën nga shqiptarët vendës. Sipas kërkesës së Gjermanisë, refugjatët hebrenj që po mbaheshin në burgun e Prishtinës në territorin e aneksuar të Jugosllavisë u dorëzuan në forcat gjermane. Këta refugjatë u dërguan pastaj në Beograd dhe u vranë.

GJERMANIA

Gjermania rifitoi territorin nga Italia në shtator, 1943. Në fillim të vitit 1944, Gestapoja detyroi të gjithë hebrenjtë në Tiranë të regjistroheshin me zyrtarët gjermanë. Rrjedhimisht, shumë hebrenj u larguan drejt fshatrave shqiptare, jashtë qyteteve. Kur gjermanët kërkonin një listë të familjeve hebreje që jetonin në Shqipëri, zyrtarët refuzuan të zbulonin informacionin; në vend të kësaj, shqiptarët paralajmëruan hebrenjtë dhe premtuan t’i mbrojnë ata. Në prill të vitit 1944, 300 hebrenj u vendosën në burgun e Prishtinës, kryesisht refugjatë në Kosovë, pasuar nga disa qindra më shumë brenda muajve të ardhshëm. Në fund të fundit, 400 prej këtyre hebrenjve u transportuan në BergenBelsen në verën e vitit 1944, ku vetëm 100 vetë mbijetuan.

Mes viteve 1941 dhe 1944, gati 600 hebrenj nga Shqipëria e Madhe u dërguan në kampe të ndryshme përqendrimi në Evropë. Për këtë arsye shumë historianë nuk pajtohen me rolin e shqiptarëve në holokaust. Ndërsa shqiptarët mund të kenë tentuar t’i shpëtojnë hebrenjtë në Shqipëri, qeveria ishte e vetëdijshme për grumbullimin dhe dëbimin e hebrenjve nga rajoni i Kosovës. Pas vitit 1944, italianët dhe gjermanët ranë dakord të vendosnin pjesën më të madhe të territorit jugosllav nën autoritetin e Shqipërisë. Shumë hebrenj nga Serbia, Greqia dhe Kroacia ikën në këtë territor. Më 29 dhjetor 1944, Tirana u çlirua nga pushtimi gjerman. Deri në fund të luftës, Shqipëria ishte shtëpia e rreth 2.000 hebrenjve për shkak të guximit të qytetarëve shqiptarë në rrezikimin e jetës së tyre për të siguruar një strehë për hebrenjtë që iknin nga vendet fqinje. Shqipëria ishte i vetmi territor i pushtuar nga nazistët në të cilën pati një rritje të popullsisë hebraike gjatë holokaustit.

Deri në janar të vitit 2011, muzeu memorial i holokaustit izraelit Yad Vashem kishte njohur 69 shqiptarë si paganë të drejtë, ose si ata që ndihmuan ose shpëtuan hebrenjtë nga nazistët gjatë Holokaustit.

KOMUNIZMI

Gjatë regjimit komunist të Shqipërisë nën diktaturën e Enver Hoxhës, komuniteti hebre ishte i izoluar nga bota hebreje. Që të krijohej unitet i qëndrueshëm kombëtar si dhe vendosja e socializmit të ri, Hoxha ndaloi ceremonitë në të gjithë spektrin fetar. Në këtë mënyrë, fati i komunitetit hebre ishte i lidhur pazgjidhshmërisht me fatet e shoqërisë shqiptare si një tërësi. Të gjitha fetë u ndaluan rreptësisht në vend. Popullsia hebreje numërohej me rreth 200 qytetarë. Pas rënies së komunizmit, në vitin 1991, pothuajse të gjithë hebrenjtë e Shqipërisë emigruan në Izrael dhe u vendosën kryesisht në Tel Aviv. Kishte pak histori të antisemitizmit në Shqipëri midis të krishterëve lokalë, myslimanëve dhe hebrenjve.

Pjesa më e madhe e popullsisë shqiptare nuk ishte armiqësore ndaj tyre. Ka shqiptarë të shumtë me origjinë hebreje që kanë dhënë kontributin e tyre në vendin tonë, edhe pse shumica e atyre që ishin strehuar në Shqipëri pas luftës, u shpërngulën në Izrael menjëherë pas rënies së komunizmit. Në ditët e sotme, mbi 160 hebrenj jetojnë në Shqipëri, shumica e tyre në kryeqytet, Tiranë. Një sinagogë e vjetër u zbulua në qytetin e Sarandës dhe një sinagogë e re e njohur si “Hekal Shlomo” filloi të ofrojë shërbime për komunitetin hebre në Tiranë, në dhjetor, 2010. Një sinagogë është në Vlorë, por nuk përdoret. Në dhjetor të 2010-ës, kryerabini Joel Kaplani u nderua si rabini kryesor i parë i Shqipërisë, nga ana e kryeministrit Sali Berisha dhe kryerabiti i Izraelit Shlomo Amar. Një qendër e komunitetit hebre e quajtur “Moshe Rabenu”, u përurua edhe në Tiranë.

Drama e arsimit, në 10 vjet u mbyllën 295 shkolla 9-vjeçare

Numri i shkollave të sistemit arsimor të detyrueshëm në vendin tonë ka pësuar një rrudhje drastike. Vetëm në 10 vitet e fundit, të dhënat e Ministrisë së Arsimit tregojnë se janë mbyllur 22% e shkollave 9 -vjeçare.

Më konkretisht prej vitit 2012 deri në 2022 iu vu çelësi 295 institucioneve të arsimit të detyrueshëm dhe numri i tyre zbriti në 1051 nga 1346 shkolla që ishte në vitin 2013.

Në dekadën e fundit Shqipëria është prekur nga rënia e shpejtë e numrit të nxënësve që ka shkaktuar një sërë efektesh zinxhir, si mbyllja e shkollave apo shtimi i klasave kolektive, duke ndikuar edhe në universitete që po përballen me mbylljen e disa degëve deri në boshatisje.

Mbyllja e shkollave është diktuar nga ulja e shpejtë e numrit të nxënësve, e cila ka prekur vendin tonë dekadën e fundit.

Sipas INSTAT, nga 2011 më 2023,numri i nxënësve në arsimin 9-vjeçar ka shënuar tkurrje me rreth 30%. Ndikimin më të madh e kanë pësuar zonat rurale.

Fenomeni i tkurrjes së nxënësve është i shtrirë në të gjitha nivelit e arsimit, bazë, parauniversitar dhe universitar.

Në vitin shkollor 2023-2024, u regjistruan në arsimin zyrtar 533.711 nxënës dhe studentë, me një ulje prej 3,7 %, krahasuar me një vit më parë.

Në arsimin parashkollor, gjatë këtij viti morën pjesë gjithsej 66.711 fëmijë ose 4,4 % më pak, krahasuar me vitin e kaluar shkollor.

Në arsimin 9-vjeçar, u regjistruan 258.072 nxënës, nga të cilët 54,7 % në arsimin fillor dhe 45,3 % në ciklin e lartë të arsimit bazë. Krahasuar me vitin shkollor 2022-2023 në këtë cikël arsimor u regjistruan 3,4 % më pak nxënës.

Edhe në arsimin e lartë vihet re e njëjta tendencë vit pas viti. Në vitin akademik 2023-2024 vazhdojnë studimet në të gjithë programet e arsimit të lartë 116.994 studentë, duke shënuar një ulje prej 3,6 % krahasuar me 2022-2023./citizens.al

Bujqësia me rënie, por qeveria shkurtoi më tej fondet 2,5 mln euro në ndryshimet e fundit buxhetore

Sektori i bujqësisë ka hyrë në një cikël rënie të qëndrueshme, teksa mangësitë në prodhim po plotësohen me import.

Në këtë situatë, qeveria rishikoi me ulje fondet për bujqësinë në aktin e dytë normativ për ndryshimin e buxhetit 2024.

Sipas tabelave të reja buxhetore, të botuara në Fletoren Zyrtare, fondi total për Ministrinë e Bujqësisë arrin në 13,9 miliardë lekë, nga 14.1 miliardë lekë që ishte në ndryshimet e aktit normativ numër 1.

Shkurtimin më të mëdha i ka marrë mbështetja ndaj fermerëve, me rreth 4,3 milionë euro. Fondet për programin e ‘Zhvillimin Rural duke mbështetur prodhuesit bujqësor” arrijnë në 6.8 miliardë lekë nga 7,2 miliardë në aktin normativ numër 1 me rënie 4,3 milionë euro.

Gjithashtu fondet për sigurinë ushqimore u shkurtuan me rreth 1,3 milionë euro dhe mbështetja për peshkimin ka 350 mijë euro më pak fonde. Në të kundërt, rritje ka shënuar vetëm zëri që ka të bëjë me infrastrukturën e kullimit dhe ujitjes, i cili u rrit me 400 milionë lekë, ose rreth 4 milionë euro.

Edhe në buxhetin fillestar 2024, sektori i bujqësisë mori të paktën 9% më pak financime se plani finalizuar në aktin normativ për ndryshimin e buxhetit 2023.

Të dhënat nga tabelat që shoqërojnë projektbuxhetin 2024 tregojnë se fondet totale për Ministrinë e Bujqësisë ishin 14,1 miliardë lekë më 2024, nga 15,6 miliardë lekë që ishin me 2023.

Shkurtime të mëdha ka në fondet akorduar fermerëve dhe zhvillimit rural. Masat mbështetëse të prodhimit bujqësor dhe zhvillimit rural do të jenë 7,1 miliardë lekë, nga 10 miliardë lekë këtë vit me ulje 28%, ose rreth 25 milionë euro. Këto fonde u shkurtuan më tej me ndryshimet e fundit duke arritur në nivelin e 6.8 miliardë lekëve.

Të dhënat zyrtare të INSTAT referuan se bujqësia shënoi rënie me 0.68% në vitin 2023, më e forta që nga viti 1997 (shiko grafikun bashkëngjitur).

Tendenca rënëse e ritmeve të rritjes filloi që nga viti 2013. Në 10 vitet e fundit, bujqësia është rritur mesatarisht 1%, teksa rezultati është dobësuar tre vitet e fundit për t’u kthyer negativ më 2023.

Nga ana tjetër sasitë e ushqimeve të importuara u rritën më tej në muajin korrik për shkak të nxitjes nga turizmi në njërën anë dhe kufizimeve nga prodhimi vendas në anën tjetër.

Sipas të dhënave të INSTAT importet në sasi të ushqimeve u rritën me 22 për qind në 7 mujor, në krahasim me të njëjtën periudhe të një viti më parë. Tendenca u forcua më tej në muajin korrik pasi në 6 -mujor rritja vjetore ishte 20 %.

Në vlerë importet e ushqimeve u rriten me 9.2 për qind si rrjedhojë e uljes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Të dhëna më të detajuara të INSTAT tregojnë se rritjen më të madhe në vlerë e kishin importet e zarzavateve dhe kafshëve të gjalla, të cilat kryesuan grupin e importeve të ushqimeve me përkatësisht 57 dhe 45.5% secila./Monitor.al