35.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Dështimi i Rithemelimit përpara Bashkisë Tiranë, Enriketa Papa: Protesta ka kuptim kur nuk punon kundra qytetarëve dhe nuk amniston të korruptuarit

Lidhur me dështimin e protestave të Rithemelimit të Berishës përpara Bashkisë Tiranë, gjë që është pranuar edhe prej vetë atyre ditën e sotme, ka reaguar kryetarja e grupit të këshilltarëve të PD Euroatlantike, Enriketa Papa, e cila, nëpërmjet një postimi në facebook, shprehet se protesta ka kuptim vetëm kur nuk punon kundra qytetarëve dhe nuk amniston të korruptuarit së bashku me pushtetin.

Më poshtë postimi i plotë:

Protesta ka kuptim, kur nuk punon kundra qytetareve, nuk voton bashke mbylljen e listave te deputeteve, nuk amniston te korruptuarit, nuk kerkon heqjen e “shperdorimit te detyres”, nuk shan dhe punon kundra SPAK-ut.

Sabah Sheta, thirrje banorëve të zonave të Krujës dhe Fushë Krujës: Nesër protesta e radhës në rrugën Thumanë-Kashar. Mos u mashtroni nga thashethemet e qeverisë!

Kreu i degës së PD-Demokratët Euroatlantikë Krujë, Sabah Sheta, u ka bërë thirrje banorëve të zonave që janë izoluar nga rruga Thumanë-Kashar, t’i bashkohen protestës së radhës që do të mbahet ditën e nesërme datë 30 gusht.

Me anë të një postimi në Facebook, Sheta shprehet se në orën 18:00 të mblidhen sërish tek rreth rrotullimi i Thumanës në kërkim të drejtës të mohuar, e madje krijuar si problematikë nga qeveria dhe koncesionari.

Ai gjithashtu u bën thirrje qytetarëve që mos të mashtrohen nga thashethemet pasi rruga nuk hapet me fjalë, por me akte konkrete.

Postimi i plotë i Sabah Sheta:

Nesër të gjithë në protestë ora 18:00. Mos bini preh thashethemesh, vetëm të bashkuar çlirojmë Krujën nga izolimi
Të dashur vëllezër e motra të Krujës, Fushë -Krujës Niklës, Cudhisë, Bubqit dhe Thumanës që deri më sot i jeni përgjigjur thirrjes për të protestuar nga izolimi që na kë bërë rruga Thumanë-Kashar.
Po e nis këtë postim timin me falënderimin e përzemërt për pjesëmarrjen në protesta dhe iu ftoj sërish nesër të premten 30 gusht ora 18:00 sërish tek tubohemi masivisht tek ish rreth rrotullimi i Thumanës në kërkim të drejtës sonë të mohuar, e madje krijuar si problematikë nga qeveria dhe koncesionari !
Vetëm NE duhet t’i dalim Zot vetes, pasi askush nuk do t’i jap zgjidhje kësaj problematike madhore për ne, siç deri më tani ka rënë në vesh të shkurdhër. Të jemi bashkë, të lëmë pas çdo dallim politik dhe t’i dalim zot Krujës tonë.
Vëllezër dhe motra, nesër duhet të jemi më shumë se asnjëherë tjetër në protestë, të sfidojmë format e presionit të qeverisjes lokale dhe qendrore, por dhe thashethemet e përhapura se rruga do të hapet. Mos u mashtroni! Këto janë vetëm fjalë e shashka që duan të shkatërrojnë protestën e drejtë që kemi nisur ne dhe jemi të vendosur të kërkojmë të vihet në vend një gjë të mohuar, që e kishim dhe na e morën.
Vellëzër dhe motra! Mos bini preh thashethemesh sepse rruga nuk hapet më fjalë. Nevojiten akte konkrete duke nisur nga projekti, vendimi qeveria apo ministria si dhe zbatim të projektit në terren!|
Të protestojmë për veten, t’i dalim zot Krujës!

Disa ide të thjeshta dhe funksionale për shërbimin diplomatik!

Nga Alban Daci

Ambasador dhe konsuj nga vendet ku jetojnë! Realiteti i shqiptarëve në Botë ka ndryshuar shumë në 34 vitet e fundit! Nëse para viteve ’90, kishim komunitete sporadike të shqiptarëve në disa qytete europiane që ishin kryesisht për arsye politike. Pra, ishin ish nacionalist, legalist ose antikomunist që gjatë Luftës II dhe menjëherë pas saj dhe gjatë gjithë regjimit, ishin larguan, qoftë për të siguruar jetën, sepse nuk ishin në pajtim me Regjimin, ose ishin edhe me keq të konsideruar si “armiq” dhe jeta e tyre me qëndrimin e tyre në Atdhe ishte e pasigurt.

Me rënien e Regjimit, varfëria ekstreme, dëshira për një jetë më të mirë, nevoja fondamentale për liri si dhe për të eksploruar demokracitë perëndimore krijoi eksodet e viteve ’90, por edhe procesin e vazhdueshëm të emigracionit edhe në ditë e sotme të flasim. Sigurisht, shqiptarët e sotëm në Europë nuk janë më ata që ishin në fillim të viteve ’90, shumë prej tyre janë integruar plotësisht në shoqëritë ku kanë emigruar, kanë krijuar familjet e tyre e jo pak prej tyre tashmë kanë edhe shtetësi të dyfishtë.

Dy janë vendet me numrin më të madh të shqiptarëve që kanë emigruar, Italia dhe Greqi, nuk ka qytet apo fshat në këto vende që nuk ka shqiptar. Madje në disa qytete prania e tyre është aq shumë e madhe si komunitet që shpesh të jep përshtypjen e qyteteve shqiptaret të transferuar jashtë.
Pas viteve ’90 si pasojë e hapësirave të pakta të universiteteve shqiptare, kuotave të vogla për fakultet më të rëndësishme, sistemet shpesh herë jo meritokratike të hyrjes në universitetet shqiptare, por edhe falë marrëveshjesh që Shqipëria ka pasur me Italinë për studimet universitare, në 20 vitet e fundit kemi pasur edhe një rrjedhje të madhe, të fortë e të konsiderueshme të rinisë shqiptare që kanë zgjedhur universitetet italiane për të kryer studimet. Tashmë, pas më shumë se 20 vitesh, shumica e të rinjve që kanë ardhur me studime në Itali, i kanë kryer ato me suksese dhe janë bërë profesionistë të zotë dhe të rëndësishëm në realitetin e profesioneve italiane.

Tashmë në Itali kemi ekonomistë të zotë shqiptarë, komercialistë të zotë, inxhinierë, arkitektë, sociologë, juristë dhe avokatë, mjekë, fizioterapistë, infermierë. Edhe pse realiteti i shqiptarëve, të paktën në Itali ka ndryshuar, nuk ka ndryshuar qasja që ka shteti shqiptar ndaj këtyre të rinjve profesionistë në veçanti, por edhe të Diasporës në përgjithësi. Kjo ka ndodhur për shkak të optikës që ka pasur dhe ka politika shqiptare ndaj Shërbimit Diplomatik duke mos e konsideruar si nivelin më të lartë të burimeve njerëzore për përfaqësim dinjitoz, por vetëm si një fole dhe mundësi punësimi për të afërm, politikan dhe njerëz të lidhur ngushtë me pushtetin.

Emërimet në Shërbimin Diplomatik kanë ekskluzivisht nepotike dhe thuajse asnjëherë meritokratik. Kjo ka bërë që thuajse të gjithë ambasadorët dhe konsujt të vijnë nga Tirana dhe të jenë përfaqësues në vende si Italia ku potencialet e Diasporës janë serioze dhe mjaft të mira. Emërimi dhe dërgimi i diplomatëve nga Tirana ka pasur dhe vazhdon të ketë një kosto të panevojshme për Shtetin si dhe shpesh efikasiteti i tyre, le për të dëshiruar duke pasur parasysh faktin se ata e konsiderojnë angazhim të përkohshëm, qëndrim të përkohshëm dhe nuk kanë interes, dëshirë apo mundësi për të krijuar lidhje të fortë me komunitetet shqiptare të vendeve ku akreditohen.

Kam qenë dhe mbetem i idesë që meritokracia duhet të jetë kriteri kryesor për përbërjen Shërbimit Diplomatik. Megjithatë, mënyrë sesi funksionon politika dhe pushteti në Shqipëri e shikoj si një mision të pamundur dhe larg realiteti. Megjithatë, përtej meritokracisë, duhet të jetë edhe kriteri i territorit dhe lidhja e natyrshme me komunitetet e shqiptarëve sidomos në Itali dhe Greqi. Prandaj, në vend që të dërgohen diplomat nga Tirana që shpesh nuk kanë lidhje as me diplomacinë e as me komunitetet dhe kriter të vetëm kanë lidhje me pushtetin e politikën, të bëhet përzgjedhje serioze nga profesionistët/et e shqiptarëve që janë shkolluar, rritur e jetojnë në vendet apo në qytete të ndryshme të Italisë dhe Greqisë dhe jo vetëm. Kostoja për këta diplomat do të ishte më e vogël për Shtetin shqiptar, por edhe efikasiteti i tyre dhe përfaqësimi i tyre si urë lidhëse mes shtetit ku jetojnë, komunitetit që bëjnë pjesë dhe po ashtu të Republikës së Shqipërisë.

Për sa kohë optika ndaj Shërbimit Diplomatik do të jetë mundësi punësimi për familjarët e pushtetit, majtas e djathtas, mundësi privilegjesh dhe jo me qëllim për një përfaqësim dinjitoz dhe shërbim profesional, ne do të vazhdojmë të flasim për standarde të largëta për të cilat kanë nevojë sot sfidat e Shqipërisë, qoftë në rrafshin e marrëdhënieve bilaterale, por edhe për në proceset e rëndësishme siç është ai i anëtarësimit të plotë në BE!
Emërimet me delegime nga Tirana, të personave që shpesh janë lindur e rritur në Tiranë dhe nuk kanë asnjë eksperiencë jetese jashtë vendit, dëshmon një qasje të pa sinqertë ndaj Diasporës si dhe mund të themi edhe një far mosmirënjohje për rolin e saj të vërtetë që ka pasur dhe vazhdon të ketë edhe aktualisht

A do ta lëshojë Rama, Vullnet Sinajn? Pangopësia e deputetit milioner dhe precedentët Beqaj-Kokëdhima

Edhe pse ka të ardhura miliona euro, deputeti i PS ka shkuar deri aty sa të marrë 30 milionë lekë të vjetra nga buxheti i shtetit…

Kuvendi ka vendosur të thërrasë më 4 shtator mbledhjen e Këshillit për Rregulloren Mandatet dhe Imunitetin, për të vendosur mbi fatin e deputetit socialist Vullnet Sinaj. Ky i fundit akuzohet nga opozita se përmes kompanive të tij, ka përfituar para nga buxheti i shtetit. Një gjë e tillë është e ndalur dhe jemi në kushte e konfliktit të interesit. Për këtë arsye PD, ka kërkuar që atij t’i hiqet mandati i deputetit.

Por për çfarë bëhet fjalë realisht? Në mocionin e firmosur nga 14 deputetë të opozitarë, evidentohet përmes 30 provave shoqëruese, se deputeti Sinaj ushtron mandatin në kundërshtim me pikën 3, të nenit 70 të Kushtetutës, që i ndalojnë deputetit që të përfitojë fonde nga Buxheti i Shtetit apo pasuri të shtetit.

Nga verifikimi i të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit dhe Qendrës Kombëtare të Biznesit rezulton se deputeti në fjalë, nëpërmjet kompanive në pronësi të tij, ka përfituar të ardhura nga Buxheti i Shtetit. Shoqëritë ‘BIGALB GROUP’ sh.p.k., ‘BIG LISUS’ sh.p.k., ‘BIG DURRËSI’ sh.p.k., ‘BIG PESHKOPIA’ sh.p.k., ‘BIG ROI’ sh.p.k., ‘BIG LEO’ sh.p.k., ‘BIG LEZHA’ sh.p.k., ‘BIG DRINI’ sh.p.k., ‘BASHKIMI’ sh.p.k., ‘TIRANA CASH & CARRY’ sh.p.k., që janë në pronësi apo bashkëpronësi të deputetit Vullnet Sinaj, përmes vetëm 9 transaksioneve të verifikuara, kanë përfituar të ardhura nga Buxheti i Shtetit në shumën totale 3.689.814 lekë.

Shoqëritë e mësipërme kanë vazhduar të jenë në pronësi të deputetit Vullnet Sinaj edhe pas fitimit prej tij të mandatit të deputetit dhe gjithashtu edhe pas emërimit prej tij të dy personave zj. Elona Koshi dhe z. Eduart Koshi si ‘person i besuar i ortakut të vetëm z. Vullnet Sinaj’, përmes akt-marrëveshjeve të datave 20.07.2017, 29.03.2018 dhe 31.10.2018. Përmes këtyre marrëveshje rezulton se është bërë vetëm transferimi i kuotave dhe jo tjetërsimi i tyre, duke kaluar nga ‘zotërues aktiv i aksioneve’ në ‘zotërues pasiv i aksioneve’ për shkak të caktimit të ‘një personi të besuar’”, thekson PD.

Sipas PD, ‘Personi i besuar’, siç qartësisht përcaktohet edhe në Akt-marrëveshjet e sipërcituara i ka kaluar vetëm e drejta e vendimmarrjes mbi 100% të kuotave të zotëruara nga deputeti Vullnet Sinaj, me qëllim menaxhimin e përgjithshëm të aktivitetit të shoqërive. Por në asnjë rast, deputeti Vullnet Sinaj nuk humb të drejtën për të marrë fitimet nga shoqëria.

Z. Vullnet Sinaj, pavarësisht kalimit në zotërues pasiv të kuotave të tij, gëzon në mënyrë individuale të drejtën e përfitimit të fryteve civile të pronësisë që gëzon mbi kuotat e saj në shoqëri, përfitime të cilat do të jenë të pasqyruara hollësisht në Pasqyrat Financiare të shoqërisë, por në çdo rast, nuk mund të ushtrojë asnjë veprim tjetër civil mbi këtë pasuri”, thuhet më tej.

Në Mocion evidentohet edhe fakti se fillimisht në Akt-Marrëveshjen e datës 20.07.2017, deputeti Sinaj parashikonte shprehimisht në pikën 8, të nenit 3, se: ‘Shoqëria nuk do të kryejë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojë pasuri të këtyre, me qëllim zbatimin me korrektësi të pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë’.

Më tej, një ndalim i tillë është hequr nga përmbajtja e Akt-Marrëveshjeve të datave 29.03.2018 dhe 31.10.2018, duke i lejuar në këtë mënyrë, në kundërshtim me Kushtetutën, që shoqëritë në pronësi të tij, të përfitojnë duke filluar nga viti 2019, të ardhura nga Buxheti i Shtetit dhe deputeti Sinaj të marrë të ardhura të tjera, përveç pagës, nga fitimi i kompanive të tij nga të ardhurat e shtetit.

Pronësia mbi këto shoqëri dhe fakti që fitimet kanë shkuar si divident për vetë deputetin Vullnet Sinaj rezulton i provuar edhe nga Deklaratat Vjetore të deklarimit të pasurisë për subjektin Vullnet Sinaj. PD njofton se janë marrë në analizë deklaratat e viteve 2017 (fillimi i detyrës), 2017, 2018, 2019, 2020 dhe 2022, të cilat janë publike, nga ku deputeti deklaron pronësinë mbi këto shoqëri dhe deklaron si të ardhura fitimet e këtyre shoqërive, përmes marrjes së dividentit në përputhje me kuotat që zotëron në secilën kompani.

Pra edhe pse ka të ardhura miliona euro, deputeti i PS ka shkuar deri aty sa të marrë 30 milionë lekë të vjetra nga buxheti i shtetit.

Precedentët Beqaj-Kokëdhima

Deri më sot kemi dy precedentë që janë humbur mandate. Precedenti i parë është ai i Ilir Beqajt. Në vitin 2011 atij ju hoq mandati i deputetit, pasi një kompani e drejtuar prej tij kishte përfituar tendera për pajisjen me kompjutera institucionet në Durrës.

Ndërsa në vitin 2016, ju hoq mandati i deputetit Koço Kokëdhimës. Ky i fundit kishte përfituar fonde publike përmes kompanisë së tij Abissnet gjatë kohës që ishte deputet.

Kemi dhe rastin e fundit të Olta Xhaçkës, ku prej dy vitesh Rama nuk ka lejuar që të shkojë në Kushtetuese. Në sesionin e ri pritet që me shumë gjasë dhe ajo ta humbasë mandatin./Pamfleti

“Me vdekje, në litar…”- Dëshmitë e rralla të ish-të burgosurit politik: ‘E akuzuar, e dëgjon, se ç’thotë populli’! Çfarë i tha kryetari i gjyqit Musine Kokalarit

Para një shekulli në familjen e juristit shqiptar Reshat Kokalari, që banonte atëherë në qytetin Adana të Turqisë, lindi mbas tre djemve, mes një gëzimi të madh, një vajzë, që ia vunë emrin Musine. Katër vite më vonë atdhetari Reshat Kokalari, u shpërngul nga Turqia dhe familjarisht u drejtua për në Atdhe, në qytetin e Gjirokastrës. Në qytetin e gurtë kjo vajzë e vogël kaloi fëmijërinë dhe përfundoi shkollën fillore. Më vonë kjo familje u shpërngul për në kryeqytet, ku vajza Musine, filloi dhe mbaroi shkollën e mesme “Nana Mbretneshë“.

 

Sikurse kuptohet programi i Partisë Social-demokrate, ishte për një Shqipëri demokratike, ku të kishte çdo nënshtetas drejtësi shoqërore liri politike, barazi shoqërore dhe jetë pa vuajtje, në qendër duke qenë bujku dhe proletari. Programi i kësaj partie, hartuar në vitin 1943, tre çerek shekull më parë, le mbrapa programet e shumë partive politike të vendit tonë të formuara tani, në këtë tranzicion të tej-zgjatur. Në një letër që më ka dërguar më ka dërguar Isuf Luzaj në vitin 1997, Musineja ishte caktuar të drejtonte punën e partisë në Tiranë, Vlorë, Korçë, Berat dhe Shkodër.

Politikania Musine Kokalari, pas formimit të Partisë, së bashku me Skënder Muçon dhe me nacionalistin Osman Kazazi, i cili gjatë gjithë kohës së diktaturës ka qenë burgosur dhe internuar, nxori organin e Partisë Demokrate, që titullohej “Zëri i Lirisë“.Numri i parë doli ditën e shtunë, më 1 kallnuer 1944. Gjithsej kjo gazetë doli gjashtë numra. Në bibliotekën kombëtare ruhet vetëm numri i parë. Mbas themelimit të partisë, Musineja mendoi që për të forcuar luftën kundër pushtuesit, të hynte në Frontin Nacional-Çlirimtar, por mbas një takimi të pa dobishëm me ata, ajo u tërhoq.

Ja se si shprehet shkrimtari Eden Babani, për këtë njoftim:“Njëherazi u përpoq të integronte social-demokracinë e porsaformuar  në Frontin Nacionalçlirimtar, por pa sukses, për shkak të qëndrimeve të udhëheqësve komunistë, të cilët pretendonin drejtimin e kësaj organizate të shpallur pluraliste, por të katandisur në vegël të P.K.Sh.-së, tashmë të njohur mirë. Propozimit për të marrë pjesë individualisht në Front, iu përgjigj negativisht, duke mos pranuar të jetë në udhëheqje të tij”. Më vonë, si deklaroi në gjyq, ajo bëri pjesë, po për këtë qëllim me ‘Ballin Kombëtar’: “Mbas mbledhjes së Mukjes, kam marrë pjesë në ‘Ballin Kombëtar’, si social-demokrate”, – është shprehur ajo.

Nga fundi i luftës, Musineja mbeti e vetme në udhëheqjen e Partisë Social-demokrate, sepse Skënder Muçon e vranë gjermanët e Abaz Omarin e vranë partizanët dhe Isuf Luzaj, u largua nga Shqipëria, se e ndiqnin forcat partizane, për ta eliminuar fizikisht si anti-komunist. Megjithatë ajo e vazhdoi punën në emër të Partisë Social-demokrate edhe pse ishte e vetme në drejtimin e asaj partie.

FAMILJA KOKALARI

Familja Kokalari ishte një familje atdhetare, e kulturuar dhe bamirëse. Qysh nga mbarimi i Luftës ajo u vu në shënjestër të udhëheqjes së Partisë Komuniste dhe veçanërisht të udhëheqësit kryesor të saj, Enver Hoxha. Kur familja Kokalari shkoi nga Gjirokastra në Tiranë, vëllezërit e Musinesë u muarrën me tregti, hapën një librari në kryeqytet, ku qëndronte Musineja dhe në vitin 1942 krijuan të parën shtëpi botuese, ku shërbenin vëllezërit e saj.

Libraria quhej “Venus“ dhe shpejt u bë vendi, ku intelektualë të ndryshëm, jo vetëm që njiheshin me botimet e reja në gjuhën shqipe edhe në gjuhë të huaja dhe blinin nga ato vepra, por edhe diskutonin mes tyre mbi ato botime dhe për probleme të ndryshme të kohës. Në vitin 1942, vëllezërit Kokalari krijuan të parën shtëpi botuese në vendin tonë dhe botuan në gjuhën shqipe, kryeveprat e letërsisë botërore.

Duhet përmendur, se në atë kohë, zoti Hamit Kokalari, vëllai i Musinesë, botoi veprën madhore “Kosova, djepi i shqiptarizmit”, një vepër historike, më e mira midis veprave të tjera të asaj natyre, që u botuan në atë kohë, si; “Raca shqiptare”, me autor Dr. Jakov Milaj, “Shqipnia e vërtetë”, me autor Dr. Besim Qorri dhe “Lidhja e Prizrenit”, me autor Xhaferr Belegun. Kjo vepër nuk u pëlqeu sllavo-komunistëve, që donin ta mbanin edhe mbas lufte nën robërinë e tyre, Kosovën tonë martire.

Rrjedhimisht nga kultura dhe talenti i Musinesë dhe si njëra nga themeluesit e Partisë Social-demokrate e Shqipërisë, nga smira dhe urrejtja ndaj asaj, se ajo ishte mbi ata, nga botimi i librit “Kosova, djepi i shqiptarizmit”, i vëllait të saj, nga veprimtaria kulturore e librarisë “Venus“ dhe nga botimet e veprave letrare që botonin vëllezërit Kokalari, në shtëpinë e tyre botuese “Mezaxheritë Shqiptare”, familja Kokalari u bë e njohur në Tiranë dhe fitoi respekt. Por nga ana tjetër, njëkohësisht edhe udhëheqja e Partisë Komuniste e Shqipërisë, e shtoi qëndrimin e saj armiqësor ndaj asaj familje.

Si rrjedhim i këtij qëndrimi armiqësor, gjatë luftës në Tiranë, natën e datës 12 nëntor 1944, kur forcat partizane bënë disa arrestime në kryeqytet, shkuan edhe në shtëpinë e Kokalarëve, me urdhër që të arrestonin të tre vëllezërit e Musinesë: Vesimin, Mumtazin dhe Hamitin. Por njërin nga ata, Hamitin, nuk e arrestuan se, ishte i sëmurë, rënë në shtrat me një temperaturë të lartë. Ishte një urdhër i llahtarshëm ky, që të arrestonin të tre vëllezërit e një familje. Po atë natë, ata i çuan në bodrumin e hotelit “Bristol”, dhe tok me disa të tjerë, i pushkatuan pa i gjykuar.

Mbas katër ditësh arrestuan edhe motrën e atyre, Musinenë. Në familjen e Kokalarëve, ra hija e vdekjes. Për të mbyllur gojën e popullit, Musinenë, mbas 16 ditëve në arrest, e liruan nga burgu.

PROCESI GJYQËSOR

Dalë nga dalë diktatura e proletariatit, po vendosej në të gjithë Shqipërinë e varfër, me një terror të madh. Qeveria komuniste, po largohej gjithnjë e më shumë nga bota Perëndimore dhe Shqipëria po afrohej çdo ditë e më shumë, në atë sllavo-komuniste. Mareshalli Tito kishte hedhur kanxhat për ta bërë Shqipërinë republikë të shtatë të Jugosllavisë dhe Enver Hoxha, shprehej se: “Pa Jugosllavinë e marrshallit Tito, Shqipëria nuk rron dot asnjë ditë”.

Enver Hoxha filloi të përgatiste zgjedhjet për të legalizuar fronin e tij.”Njerëzit habiteshin, atdhetarët mendoheshin, ndërsa idealistët vendosën për të luftuar, – si është shprehur Musineja në gjyq, jo për qëllimin e përfitimit të disa klasave, por për demokratizimin e vendit”. Dhe u formua një koalicion për të shpëtuar Shqipërinë nga vendosja e një diktature.

Ishin tri forca që e përbënin këtë koalicion; Partia social-demokrate e përfaqësuar nga Musine Kokalari, “Fronti i Rezistencës” i përfaqësuar nga Sami Qeribashi dhe “Grupi monarkist”, i përfaqësuar nga Qenan Dibra. Ishte një veprim demokratik dhe ideal ky koalicion, si u mësua veprimtaria e atij grupimi, edhe pse veproi për një kohë të shkurtër.

Ky koalicion, nuk kishte për qëllim për të përmbys me forcë pushtetin.Ata i drejtuan një memorandum aleatëve, që të anuloheshin zgjedhjet e 2 Dhjetorit të vitit 1945, si antidemokratike. Për këtë problem Musine Kokalari takoi edhe kolonelin anglez, Palmer, për të ndihmuar koalicionin. Por, as koloneli Palmer dhe as një anëtar tjetër i misionit anglez, që ishte në Tiranë, nuk bëri ndonjë ndërhyrje, vetëm se çdo ditë mbas mbarimit të seancave gjyqësore, njoftonin Londrën mbi zhvillimin e gjyqit. Në hartimin dhe dorëzimin e këtij memorandum, ka punuar shumë Musineja.

Diktatura e mësoi formimin e këtij koalicioni dhe qëndrimin e misionit anglez dhe e quajti këtë veprim si tentative për përmbysjen e pushtetit me forcë dhe filloi arrestimet. Të parët u arrestuan kryetarët e koalicionit dhe pastaj simpatizuesit.U arrestua edhe Musineja. Ajo u arrestua në 23 janar 1946. U përdorën torturat më të llahtarshme që mund të krijojë mendja e një krimineli, jo vetëm ndaj asaj, por ndaj të gjithë të arrestuarve.

Po shënojmë një nga torturat që i përdorën Musinesë, për të kuptuar tmerrin e atyre torturave. Musinesë i veshën një palë çitjane, i futën brenda një mace dhe e qëllonin me një shkop. Duke u përpjekur për të dalë, macja e gërvishte dhe Musineja ndjente dhimbje të tmerrshme. Që torturuesit i kanë bërë Musinesë këtë torturë të tmerrshme, është më se sigurt, se ia ka thënë vetë Musineja, një kushërirës së saj.

Mbas afër pesë muajsh torturash, në 2 qershor të vitit 1946, filloi procesi gjyqësor kundër atyre “armiqve të popullit”, që kishin dashur të përmbysnin Pushtetin Popullor me forcë. Gjyqi u bë në kinema. Ajo u mbush me njerëz të zgjedhur: anëtarë e kandidatë partie, të rinj komunistë, nëpunës besnikë të diktaturës dhe familjarë të këtyre. Trupi gjykues, përbëhej nga persona të njohur, për dënime drastike.

Salla e gjyqit, plot me parulla të ndryshme, ushtonte nga thirrjet e asistuesve për gjak e varje në litar. Jashtë kinemasë, kishin vendosur dy altoparlantë të fuqishëm, që të mësonte populli jashtë “krimet e armiqve të popullit, që kishin tentuar të rrëzonin me gjak qeverinë”! Do të gjykoheshin mbi 30 vetë. Të gjithë akuzoheshin, kush e kush më rëndë se tjetri.

Musineja akuzohej, midis të tjerave, se: “Kishte bashkëpunuar me krerët e ‘Ballit Kombëtar’ e të Legalitetit, kishte sabotuar Pushtetin Popullor, kishte marrë pjesë në të gjitha mbledhjet e fshehta, që kishte bërë Grupi Social-demokrat, Grupi i Rezistencës dhe ai Monarkist, kishte pas lidhje me të arratisurit politikë, për të përmbysur Pushtetin Popullor dhe se kishte hartuar nota drejtuar aleatëve, për të kërkuar ndërhyrjen e tyre”.

Musineja në gjyq mbajti një qëndrim dinjitoz. Ajo e dinte se do të dënohej, madje edhe shumë rëndë, por megjithatë nuk e uli kokën, nuk shfaqi asnjë shenjë dëshpërimi e shqetësimi. Ajo u përplas me kryetarin e gjyqit, e kundërshtoi atë, tregoi me mburrje veprimtarinë e saj si shkrimtare dhe si politikane. Megjithëse gjatë debateve me kryetarin e gjyqit, njerëzit që ishin në sallë, ulërinin me të madhe kundër asaj, ajo nuk u shqetësua fare, por i përgjigjej atij me kurajo.

Ajo nuk pranoi asnjë nga akuzat. Por edhe nuk mohoi asnjë, nga veprimtaria e saj politike, për të ulur dënimin. Kështu ajo deklaroi se; kishte bashkëpunuar me ‘Ballin Kombëtar’ dhe se kishte drejtuar gazetën “Zëri i Lirisë” që ishte organ i Partisë social-demokrate: “Mbas mbledhjes së Mukjes, – deklaroi ajo, – kam marrë pjesë në ‘Ballin Kombëtar’ si social-demokrate dhe kam qenë përgjegjëse e gazetës ‘Zëri i Lirisë’, në të cilën kam botuar artikuj, ku flitet për çështjen e Kosovës, në bazë të Kartës së Atlantikut”.

Të flitej atëherë se kishe bashkëpunuar me ‘Ballin Kombëtar’ ose të përmendje se kishe shkruar artikuj për Kosovën martire, ishte një vetëvrasje. Por Musineja i tha ato, pa pikën e frikës. Vetëm nga kjo shprehje, kuptohet guximi dhe trimëria e asaj vajze në atë gjyq të llahtarshëm. Kur kryetari i gjyqit, Frederik Nosi, e akuzoi se ishte fajtore, ajo iu përgjigj: “Unë s’jam fajtore. S’jam komuniste dhe kjo s’mund të quhet faj. Unë jam nxënëse e Sami Frashërit. Me mua ju, doni të dënoni Rilindjen”.

Me një mbrojtje të tillë, ajo hodhi poshtë akuzat që i bënin asaj. Ajo gjatë procesit gjyqësor, shprehu edhe atdhedashurinë e saj: “Unë e dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua përparimin, edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua përparimin e tij. Ju mburreni, se e keni fituar luftën dhe tani ju jeni fituesi, që doni të shuani ata, që ju i quani kundërshtarë politikë. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju jeni duke më ndëshkuar mua për idealet e mia”. Me këto fjalë, ajo nga e akuzuar, kthehet në akuzuese dhe akuzon sistemin e atëhershëm që e kishte arrestuar dhe nxjerrë në gjyq, për ta dënuar.

Në vazhdim të gjykimit Musineja kundërshton:

“Unë në burg, s’duhet të jem. Unë s’jam fashiste. Unë kam kulturë demokrate”!Dhe me këtë qëndrim para trupit gjykues, ajo me krenari i tregoi gjykatësve të kuq, formimin e saj kulturor, për të cilën formim ata, edhe po e gjykonin e do ta dënonin. Por pika më kulminante e guximit të kësaj vajze gjatë procesit gjyqësor, është kur ajo me kurajo të pa imagjinueshme, i tregoi kryetarit të gjyqit fundin e karrierës së tyre, si shërbëtor i diktaturës, që ai po mbronte me aq zell:

Kur një një grua, ulurit me urrejtje nga përgjigjet e Musinesë; “Me vdekje! Në litar”, kryetari i gjyqit, iu drejtua Musinesë me mburrje “E akuzuar, e dëgjon, se ç’thotë populli”?! Ajo iu përgjigj qetë, qetë: “Nesër këtë do ta thonë edhe për ju”! Ishte një parashikim që më vonë do të bëhej realitet, kur do të pushkatoheshin shokët e gjykatësit, po nga ajo diktaturë, që ai po dënonte të pandehurën Musine Kokalari.

Kështu iu përgjigj “armikja e popullit”, atij që po e gjykonte për të vendosur vdekjen e saj. Kush i akuzuar i është përgjigjur kështu atëherë një gjykatësi?! Cili i akuzuar pati guximin të vepronte kështu, si veproi Musineja përpara gjykatësit, që do të vendoste për jetën e tij? Musineja nuk pranoi avokat, ajo e mbrojti vetë, veten e saj, si një politikane e aftë, si një demokrate e sprovuar e si antikomuniste e vendosur.

Dhe duhet të kujtojmë, se ajo atëherë, ishte 29 vjeçare. Kur kryetar i Gjykatës Ushtarake, deklaroi dënimin e Musinesë, u shpreh edhe se; “Kjo grua ka zhvilluar një aktivitet të gjerë kriminal e terrorist”. Kush është aktiviteti i gjerë kriminel dhe terrorist i asaj gruaje? Se kishte shkruar libra?! Se kishte studiuar në një universitet të Italisë dhe ishte një grua e kulturuar?! Se kishte formuar Partinë Social-demokrate? Se kishte botuar një gazetë politike? Se kishte bërë pjesë në grupimin e parë opozitar antikomunist “Bashkimi Demokrat Shqiptar”? Se kishte formuluar memorandumin kundër zgjedhjeve antidemokratike?

Se kishte biseduar me kolonelin anglez, për të ndërhyrë që të anuloheshin zgjedhjet e 2 Dhjetorit 1946? Se kishte zhvilluar një veprimtari antikomuniste, për ta shpëtuar popullin shqiptar nga vendosja e një diktature të egër? Këto i quante kryetari i gjykatës ushtarake, aktivitet të gjerë kriminel e terrorist.

Në fund të procesit gjyqësor,kryetari i Gjykatës Ushtarake, njoftoi dënimet për të akuzuarit: tre përfaqësuesit politik që kishin formuar grupimin opozitar, u dënuan me vdekje dhe më vonë u pushkatuan, ndërsa Musineja, përfaqësuese e social-demokrates, u dënua me 20 vjet burg. Pse ky ndryshim?!

U erdhi keq për këtë vajzë që ta pushkatonin?! Apo që ajo të vuante gjithë ato vite, duke punuar si punëtore në ndërtim dhe në bujqësi deri sa t’i dilte shpirti? Diktaturat nuk e njohin mëshirën. Ato e skuqin vendin me gjakun e kundërshtarëve të saj, për të zgjatur jetën e diktatorëve.

NË BURG

Për Musinenë filloi jeta e burgut, në burgun e grave. Nga një jetë e lirë, në një jetë pa liri mes grave të burgosura, sepse kishin dashur liri. Se lirinë ia vodhën njerëzit, që nuk e njihnin lirinë, ia grabitën ata njerëz, që nuk e dinin ç’ishte liria, Ia rrëmbyen njerëzit, që nuk e dinin, se ç’mund të bënte liria.

Ata lirinë e kishin zëvendësuar me robërinë. Dhe mburreshin që e kishin bërë këtë zëvendësim. Se ata nuk ishin edukuar me dashurinë. Ata ishin edukuar me urrejtjen, vetëm me urrejtjen. Ata nuk e njihnin fare dashurinë, këtë ndjenjë të bukur, që e zbukuron njeriun. Ata njihnin vetëm urrejtjen, këtë ndjenjë të egër, dhe, pse ishin transformuar në njerëz të tillë, ata njerëz i torturonin ato të burgosura, i mërzitnin, i dëshpëronin, i bënin që të vuanin, i ofendonin, i provokonin dhe mburreshin me urrejtjen e tyre dhe krenoheshin me torturat e tyre shtazarake, që u bënin atyre grave?!

Në atë vend ku ndodhnin gjithë ato krime me emrin burg, e futën Musinenë. Ajo pa ndërtesën e madhe të burgut, me roje të armatosura lart në kabinat, por nuk u drodh, se e dinte që në atë ndërtesë diktatura masakronte lirinë. E futën në një kaushë të qelbur, të errët e të frikshëm, ku iu zu fryma, pa atë ambient të tmerrshëm, që të llahtariste, por nuk u trondit, se e dinte se çfarë do ta priste.

Pa gratë e burgosura, të venitura, të dobësuara, të heshtura dhe që iu dukën si fantazma e, i erdhi keq për vuajtjet e atyre grave, se e kishte mësuar nga veprat që kishte lexuar, se sa e egër është diktatura. Qëndroi e heshtur në mes të atij kaushi për disa çaste në një heshtje të hidhur.

Kur dëgjoi që roja mbylli derën e hekurt të kaushit, Musineja ktheu kokën me neveri nga njeriu i diktaturës, që iu mbylli atyre grave derën e kaushit të atij burgu. Ato gra të burgosura në atë burg pa dritë, pa ajër të pastër, pa liri. Po, përse, vallë i kishin burgosur ato gra? Ç’kishin bërë ato të shkreta, që i kishin futur në atë vend, ku përleshej jeta me vdekjen, mes psherëtimave e mallkimeve të heshtur?

Mbas pak Musinesë i buzëqeshi njëra nga ato gra dhe e ftoi me dorë, t’i afrohej. Musineja e shikoi me kujdes dhe e njohu. Kishin qenë të dyja në një klasë në shkollën “Nana Mbretneshë”. Shkoi te ajo e u ul pranë asaj. Nuk u përqafuan. As nuk u puthën. As nuk i folën njëra tjetrës. Por shikuan njëra tjetrën në heshtje. Ishte një heshtje që bënte shumë pyetje. Pastaj filluan të bisedojnë tok, ngadalë, por lirshëm. Ajo i tregoi se e kishin dënuar si agjente, sepse kishte biseduar anglisht një ditë në Tiranë, me një punonjës të misionit anglez. Edhe Musineja i foli mbi jetën e saj.

Pastaj heshtën. Folën pak, por shprehën shumë. Ishte një heshtje që zëvendësonte fjalët. Një heshtje tmerresh, vuajtjesh, mjerimesh. Një heshtje e frikshme. Mbas asaj dite Musineja, kaloi plot vite njëri mbas tjetrit, nëpër burgje të ndryshëm, njëri më i vështirë se tjetri, i dyti më i llahtarshëm se i pari, me trajtim antinjerëzor dhe me vuajtje të tmerrshme.

Por Musineja i përballoi vuajtjet e burgut, me idealin e saj, i përbuzi rojet e diktaturës, me qëndrimin heroik, i mëkoi gratë e burgosura me krenarinë e vet. Duke i mëshiruar në në heshtje ato gratë e burgosura, të rriturat, i quajti nëna dhe të rejat, motra. Dhe u shërbeu të gjithave, kur patën nevojë me kujdesin e një nëne dhe me dashurinë e një motre. Memorie.al/ Nga Makensen Bungo

“Britania pa duhan”/ Qeveria shtrëngon masat! Nga parqet tek ambientet e jashtme të lokaleve të natës dhe terrenet sportive! Ja vendet ku nuk do lejohet pirja e cigares

Qeveria e Britanisë së Madhe po merr masa të ashpra kundër përdorimit të duhanit edhe në ambientet e hapura.

 

Një burim qeveritar i tha The Sun se “pirja e duhanit merr 80,000 jetë në vit, ushtron presion të madh në NHS-në (Shërbimi Shëndetësor Kombëtar) dhe u kushton taksapaguesve miliarda”.

“Ne jemi të vendosur të mbrojmë fëmijët dhe jo-duhanpirësit nga dëmet e pirjes së duhanit. Ne po shqyrtojmë një sërë masash për ta bërë më në fund Britaninë pa duhan”, ka thënë zyrtari i qeverisë britanike.

Kështu sipas planit britanik, duhani do të ndalohen në restorantet në natyrë, parqet e vogla dhe madje edhe në trotuaret jashtë klubeve të natës. Po ashtu ndezja e cigares do të ndalohet edhe në terrenet sportive.

Edhe Rishi Sunak, në fillim të vitit kur ishte kryeministër parashtroi planet për të krijuar një “brez pa duhan” dhe për të zvogëluar numrin e vdekjeve nga duhani.

Nëse plani i tij  do të ishte bërë ligj, shitja e duhanit për këdo që ka lindur pas 1 janarit 2009 do të ishte bërë e paligjshme.

“Nga Bill Klinton te Shvarceneger, si garuam në SHBA”, rrëfehet Gëzim Llabani: Guga vendosi shtangën në tavolinën e arbitrave

Gëzim Llabani u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Special Shqiptar në vitin 1993. Në “Special Olimpics World Games” ka qenë dy herë, por të parën nuk e harron. “Janë vite kur në Shqipëri nuk kishte Komitet Paraolimpik dhe ne ishim të parët që krijuam Komitetin Special, duke marrë pjesë në Olimpiadën ‘SHBA 1995’”, kujton Llabani në intervistën për “Panorama Sport” 29 vite më pas.

WhatsApp-Image-2024-08-28-at-22.17.05-5

Zoti Llabami, si nisi ajo veprimtari?

Ka qenë muaji maj i vitit 1993. Një vit pasi ishte krijuar Komiteti Special, organizova olimpadën e parë shqiptare. Shkolla e fëmijëve me të meta mendore te “Rruga e Elbasanit”, me Dashamir Gëzdarin pedagog dhe drejtoreshën Edlira Cangonji, dhanë një kontribut të madh. Me ata fëmijë u bashkuan edhe të ardhur nga Berati, Pogradeci, Kruja etj. Flinin në Hotel “Arbana”, ku edhe trajtoheshin.

Një organizim, ku marrin pjesë nga e gjithë Shqipëria?

Veprimtaria u zhvillua në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, ku drejtori Met Kruja i hapi dyert pa asnjë pagesë. Stadiumi plot, u mblodh e gjithë Shqipëria, pasi ata fëmijë kanë prindër dhe të afërm. Një pjesëmarrje masive e paparë, me konkurime në disa sporte si mini-futboll, atletikë, gjimnastikë, kros, tërheqje litari, basketboll, si për vajza e djem.

Erdhi ministri dorëzoi medaljet dhe diplomat. Kujtoj edhe mësuesit e angazhuar, Albert dhe Xhina Hanxhari, Musfata Tukseferin, Shaban Lundrën etj. Në shtëpi vija në 2 pas mesnate nga meraku dhe përgjegjësia që kisha.

Pas olimpiadës së parë, pati një të dytë me të ftuar special. Si e kujtoni?

Në vijim, po në Tiranë, organizova të dytën. Gjërat ishin më ndryshe. Të pranishëm ishin edhe dy amerikanë, pas një ftese që i kishim bërë ne. U çuditën nga organizimi shumë i mirë. Më dorëzuan dhjetë kartona në gjuhën angleze, që autorizonin persona të angazhoheshin dhe ndihmonin njerëzit paraplegjikë. Një të tillë ja dhashë Arben Guraziut, asokohe sekretari federatës së atletikës, i cili u nis në SHBA, ku filloi punën në këtë fushë.

Si përballohej nga ana financiare aktiviteti?

Nga donatorë, dashamirës, beznesmenë u mblodh një shumë e madhe rreth 40 milion lekë, me të cilat u blenë materiale sportive, gjithçka në dispozicion të fëmijëve. Një kontribut të madh ka dhënë Koço Gaba, drejtor i Tatimeve të Tiranës, që kishte një fëmijë me të tilla probleme.

Me të edhe Ilir Fortuzi, shumë djalë korrekt. Tre ditë, aktivitete sportive, organizonim darka, mbrëmje festive, çdo qytet me autobusin e tij dhe Kryetarin Special si përgjegjës. Ishte koha pa kompjutera, me komunikim primitiv me botën, kur një burrë që shërbente në mjedisin ku ishin federatat, më thotë, se të ka ardhur një ftesë për Olimpiadën “SHBA 1995”.

Ishte në emrin tim, pasi amerikanët më quanin drejtor nacional, kështu më vinin edhe letrat. Ja tregova kryesisë, vendosëm të merrnim pjesë. Kërkonte një angazhim të madh, përgatitje, përgjegjësi. Problem në atë fillim ishin edhe vizat, por që ambasada amerikane nuk hezitoi për asnjë çast, teksa u tregua e gatshme në çdo moment për të dhënë ndihmën e saj.

Po me përzgjedhjen si u veprua?

Do konkurohej në atletikë, not, shtangë, tërhqeje litari, peshëngritje dhe pinpong. Nisur nga kriteret u përzgjodhën Vasil Guga në shtangë, në atletikë Gjergji Dëma, Ivi Gaba, Majlinda Thaçi dhe Artan Kodheli. Ndërsa si grup shoqërues isha unë dhe i ndjeri Dashamir Gëzdari, që shoqëronte dy fëmijë nga shkolla e tij.

Gjithashtu Sabri Bejleri, specialist i njohur në rolin e trainerit dhe disa prindër, mamaja e Gjergj Demës si pedagoge, por edhe Astrit Kondo e Koço Gabën, i cili është babai i Ivit. Nuk kishim mjek. Zhvilluam pak seanca me cikël të vogël stërvitor disa ditor në pistën e “Qemal Stafës”, ndërsa Vasili me shtangë te palestra.

Nga nisja te udhëtimi dhe sistemimi në SHBA. Çfarë kujtoni?

Kujtoj që për këtë pjesëmarrje një ndihmë dha edhe Komiteti Olimpik Shqiptar, me zotin Arben Jorgoni. U nisëm dhjete ditë përpara, me linjën TiranëMynih-Boston. Aktiviteti do të zhvillohej mes Bostonit dhe Nju Jorkut. Aty kishim edhe vendqëndrimin, na shpërndanë në disa familje, ndër to edhe shqiptare, të larguara prej kohësh. Kur filluan garat na futën në konviktin e një shkolle, ku shërbenin shumë instruktore, me personel dhe përkujdesje të madhe.

Nuk mungonin as personalitete, deri edhe tek aktorë të njohur?

Në ceremoninë hapëse erdhën Bill Klinton, Presidenti i SHBA-së, Peleja i Brazilit, aktori Arnold Shvarceneger etj. Pati një moment kur me dëshirën për t’i takuar, të githë u nisën drejt tyre. Na humbën nga vëmendje edhe tanët, ndonëse kishim mjet identifikimi. Por, ishte policia me kuaj e biçikleta, që kontrollonte dhe mbante rregull për gjithçka.

Olimpiadën e financonte vjehrra e Shvarcenegerit, në atë kohë me shumë famë si aktor i filmit Terminator. Parakaluam të parët me tabelën Albania që e mbante një vajzë amerikane, ndërsa flamurin tonë, Majlinda Thaçi, e shoqëruar nga Gëzdari dhe Kondo. Pas tyre vijonte grupi ynë.

Cilat ishin rezultatet e sportistëve shqiptarë?

U zhvillua një olimpiadë e rregullt. Vasil Guga, person i njohur në Tiranë, i fuqishëm, konkuroi në shtangë në peshën e rëndë, mbi 80 kg. Garimi kishte një stil të veçantë, kur shtanga ngrihej deri në bel. Në provën e parë gjyqtaria i dha faull dhe ai i revoltuar, morri shtangën ja çoi në tavolinë atyre. Ndërhyri Sabriu, e qetësoi dhe në provën tjetër e ngriti. Ja shtuan peshën dhe e ngriti përsëri. Me 45 kg siguroi medalje të artë. Po kështu edhe Ivi Gaba në 100 metra, medalje e artë. Të gjithë u përfaqësuan shumë mirë.

Dikush ka menduar për një dhuratë të veçantë edhe për ju apo jo…?

Në takimet që bënin personalitet e Amerikës, të pranishëm sistematikisht aty, na thanë që të gjithë kryetarve të Komitetit Olimpik Special të pranishëm aty do t’i japin një dhuratë simbolike personalisht nga presidenti Klinton. U shoqërua me duatrokitje kur na i dorëzuan. E ruaj edhe sot. Në mbyllje na rrështuan në stadium, na falenderuan për pjesëmarrje, ishin përsëri Pele, Shvarceneger, Çak Norris dhe Sergej Bubka. Sigurisht, edhe të gjithë organizatorët, presidentja Eunice Kenedi Shriver, ajo që edhe e ka themeluar këtë organizëm. Takonin çdo delegacion.

Më pas ka edhe një herë të dytë dhe të tretë, çfarë ndodhi?

Në Amerikë u riktheva më 1998, i ftuar në një seminar në Çikago. Pastaj në qershor të 1999, në Lojërat Olimpike Speciale të radhës, që u zhvilluan në Karolinën e Veriut. Një grup nga ministrja Arta Dade, komentatori Ismet Bellova dhe me të tjerë sportistë garues. Aty kam një detaj që nuk e harroj: Ndërsa përgatitej gara në not, në një pishinë 25 metra të mbuluar, për ne konkuronte një vajzë nga Shiroka, Juliana Daka.

Pranë saj u afruan disa organizatorë amerikanë, duke i dhënë tre-katër pako të mëdha. “Këto dhurata janë për ju, Juliana, pasi sot keni datëlindjen, mbushni 18 vjeç” i thanë dhe që u dëgjua nga altoparlantët e fuqishëm. U befasuan të të gjithë, ne sigurisht, pasi nuk dinim asgjë. Sa veprim human, shumë korrekt, emocion i madh.

Nga UVIL ZAJMI

Moti merr kthesën e papritur/ Shi dhe rrufe gjatë orëve në vijim, ja zonat që preken

Moti pritet të marrë një kthesë të fortë gjatë orëve në vijim, ku priten reshje shiu dhe rrufe në pjesën më të madhe të vendit.

Sipas të dhënave nga stacionet meteorologjike rajonale, shirat pritet të prekin pjesën më të madhe të vendit nga Veriu në Jug, përveç zonave bregdetare nga Lezha në Durrës, Golem dhe Fier.

Ndërkohë, bregdeti i Jugut po ashtu, pritet të përfshihet nga reshje të moderuara të shiut. Nga ana tjetër, reshjet më të dendura priten në zonat qendrore dhe jugore të vendit.

Gjithçka do të zgjasë deri në orët e mbrëmjes, ku më pas pritet kthjellimi i motit. Temperaturat do të jetë të freskëta gjatë orëve të mbrëmjes.

Moti do të vijojë i qëndrueshëm deri mesditën e nesërme, ku pritet rikthim i reshjeve kryesisht në zonat veri-lindore dhe jug-lindore.

Një britmë për atë që justifikohet  “aq munda, ashtu ishte koha!”

Nga Agim Baçi
Rrallherë mund të ndodhë që të trembesh nga një faqe libri. Më saktë nga një fjali e shkruar. Por ja që shkrimtarja Ayn Rand nuk të kursen nga kjo tronditje.
Çfarë mund ta shkaktojë një katastrofë tërësore për njerëzit: të kërkosh të unifikosh mendjen dhe pamjen e anëtarëve të një shoqërie, deri sa të besosh se ka edhe “dashuri me urdhër!”?.
Nëse arrin të shkosh te “një shoqëri që dashuron me urdhër!”, atëherë me shumë mundësi je në rrugë për në greminë. Sepse kur ta përcaktojnë dhe Dashurinë, nuk ka më asgjë të jetë e jotja, ose ka vetëm hiçasgjë. Në një shoqëri të tillë mungon tërësisht Njeriu.
Jeta në rrëfimin e Rand nuk nis me emër njeriu,  por me numër – pra veçse me kokëtundës, pa ndjenja. Në sfond, si për të plotësuar gjithë telajon ku shtrihet rrëzimi i Njeriut, qëndron “dhoma e çiftëzimit”. Jeta dhe puna s’të përkasin më ty. Janë pronë e të gjithëve. Mendimet duhet të jenë njëlloj. Dashuritë njëlloj. “Shkelja e nenit për Preferenca të Barabarta” është krim që ndëshkohet. Por a mundet që të duam njëlloj? A mund të kemi ndjesi të barabarta për këdo?
Nëse do besonim se ka dashuri njëlloj, përjetim njëlloj, atëherë je thjesht në një gënjeshtër të madhe, pavarëshsit nëse e she ti apo jo.
Dhe Ayn Rand, njohëse e shoqërisë totalitare, ka përshkruar ngjyrat e errëta që vijnë nga humbja e  përditshme e njerëzores në një shoqëri “ideologjike-diktatoriale”. Në fakt, duket sikur Rand na fton që në fillim përballë telajos së bardhë dhe sheh vetë se si pak e nga pak autorja plotëson pikturën me humbjen e çdo vetie njerëzore. Natyrisht është një pikturë e zezë, ku janë zënë hapësirat e së bardhës. Siç është dhe vetë kopertina e sugjeruar thuajse në të gjitha botimet e këtij libri, ku gjithçka është e zezë – madje më e errëta e së zezës. Ka humbur fjala “Unë”. “Barazia 72521” është thjesht një dallim, por nuk është person. Eshtë “një prej të tjerëve”. Eshtë rritur pa nënë, pa baba, në një turmë që e udhëheq drejt një bote ku humb gjithçka individuale.
Shqiptarët, për fat të keq, kanë fjetur për dekada në këtë shtrat absurd të humbjes së fytyrës së tyre. Dhe shenjat e atij gjumi i kemi mbartur edhe pas më shumë se tridhjetë vitesh nga ai zgjim, pasi nuk arritëm të dilnim nga ajo errësirë me njerëz që të besonin se mund të kishin mendimet e tyre, idetë e tyre. Shumica thjesht kishte krijuar bindjen se çdokush duhej të ishte ushtar i partisë.
Por çndodh me personazhin tonë “Barazia 72521”? Ai zbulon Elektricitetin dhe Librin. Nga ky kontakt ai nis të mendojë. Dhe autorja duket sikur na thotë: Eshtë një kapërcim i madh të lejosh veten të mendosh në atë botë absurdi! Elektriciteti dhe libri vijnë si një metaforë që ndez llampat tona të brendshme. Drita dhe Libri janë zbulimi i “Un”-it dhe “Ego”-s. Dhe njeriu nis të shohë dhe mendojë.
Cila është dëshira më e fortë e diktaturës ndaj njerëzve të republikës së saj: të mos mendojnë ndryshe nga ajo që sugjerojnë partia, të mos shohë më tutje se ç’i kërkohet nga partia. Pse? Sepse ashtu ata kontrollohen më mirë.
Sepse nëse nuk ka dashuri, nuk ka as mëshirë. Nuk ka as Njeri, ndaj dhe gjithçka ndaj kujtdo mund të justifikohet lehtësisht.
Dhe çfarë ka ndodhur në një shumicë dërrmuese te ata që kaluan vite jete nën diktaturë duke aprovuar apo vepruar vetëm me urdhër, edhe kur i merrnin tjetrit jetën, familjen, pronën? Ka ndodhur ë të triumfojë formula trishtuese: “Aq munda të bëja!”. E në emër të gënjeshtsës ndaj së shkuarës sonë, kemi vijuar të mos guxojmë t’i shkojmë në thelb analizës së njeriut të djeshëm, që humbi dhunshëm vetveten dhe të tjerët.
***
Nëse është thënë shpesh se Letërsia nuk është vetëm lexuese e së djeshmes por edhe pararendëse e rrugëtimit që do të bëjë, atëherë mund të themi me bindje se Ayn Rand ja ka arritur. I botuar në vitin 1937, fatkeqësisht ky libër arriti të vërtetohej mbi shumë popuj. Fatkeqësisht, në mënyrën më të dhushme pikërisht në Shqipëri…

Bie asfalti i Thumanë-Kashar, KLSH dhe SPAK marrin në dorë dosjen; rruga 435 mln euro jashtë standardeve

Pas ARMO-s dhe CEZ, rruga Thumanë-Kashar po konsolidohet si afera e tretë më e madhe korruptive në historinë e pluralizimit në Shqipëri, me përfitues oligarkun Bashkim Ulaj, bankomat i Familjes Berisha.

Edhe pse nga më të shtrenjtat në histori, 22 milionë euro për kilometër, 435 milionë euro për 21 km, e ashtuquajtura autostradë Thumanë-Kashar është jashtë standardeve dhe madje po kthehet me shpejtësi në rrezik serioz për aksidente, për shkak të rënies së shtresës së afaltit dhe krijimi i disniveleve në karrexhatë.

Një vlerësim më profesional do t’a bënin ekspertët dhe një hetim serioz, por duket se rënia e shtresës asfaltike është pasojë e materialit të dobët për ngritjen në nivel të rrugës.

Përbërja dhe ngjeshja e shtresave duket se nuk është bërë sipas specifikimeve teknike. Mbetet për t’u parë nëse abuzimi me shtresat e ngritjes në nivel të rrugës është bërë nga trysnia për t’a përfunduar shpejt segmentin, papaftësia, për qëllime fitime apo të tria bashkë.

Një tjetër problem tejet serioz që konstatohet në autostradën 21 km Thumanë-Kashar të ndërtuar nga Bashkim Ulaj, është mungesa e lidhjes sipas standardit mes urave dhe pjesës vijuese të rrugës.

Mes urave dhe rrugës ka një shkëputje, e cila sa vjen e bëhet edhe më e dukshme. Paraprakisht besohet se skandali konsiston në paaftësinë e inxhinierëve për lidhjen sipas standardeve të urave me pjesën e rrugës, për shkak të ngjeshjes jo sipas standardeve në dy anët e urave.

Ka dyshime të forta se kostoja reale e rrugës është sa 20 % e vlerës së deklaruar 435 milionë euro.

Me kërkesë të disa deputetëve të Partisë Demokratike, Kontrolli i Lartë i Shtetit do të nisë një auditim të të ashtuquajturës autostradë Thumanë-Kashar, për të cilën shqiptarët do t’i paguajnë 1.2 miliardë euro oligarkut Bashkim Ulaj, para të cilat sigurisht që nuk do t’i mbajë dhe nuk mund t’i mbajë të gjitha për vete.

Krahas auditimit nga ana e KLSH, një kallëzim penal po përgatitet për t’u referuar në SPAK për korrupsionin me rrugën Thumanë-Kashar, ndonëse SPAK mund të ketë nisur hetimet kryesisht./ Prapaskena