40.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Plakja, 33% e familjeve kanë një anëtar mbi 65 vjeç

Përqindja e familjeve në Shqipëri me të moshuar (65+) i kalon ato me fëmijë të vegjël (0-6 vjeç), që tregon një prevalencë më të madhe të përgjegjësive të kujdesit për të moshuarit.

Konkretisht, 32.9 për qind e popullsisë banon me një të moshuar të rritur të moshës 65 vjeç e lart, krahasuar me 11 për qind që jetojnë me fëmijë të vegjël të moshës 0-6 vjeç, vë në dukje Banka Botërore në një raport të fundit për barazinë gjinore në vendin tonë.

Prania e të moshuarve në familje mund të rrisë përkujdesjen për anëtarët e tjerë të familjes, sidomos me kujdesin ndaj fëmijëve, por ndërkohë do të shtojë nevojat për kujdes ndaj moshës së tretë.

Sipas Anketës Jeta në Tranzicion (LITS) 10 për qind e familjeve shqiptare kërkojnë kujdes për fëmijët dhe një përqindje e ngjashme kërkon kujdes për të moshuarit.

Në Shqipëri anëtarët e familjes janë burimi kryesor i ofrimit të kujdesit. Nevojat për kujdes plotësohen më së shumti nga anëtarët e tjerë të familjes dhe jo nga institucionet apo burime të kujdesit (të tilla si dado, të afërm ose miq). Edhe pse kujdesi institucional është më i zakonshëm për fëmijët e moshës 4-6 vjeç (82 për qind), përdorimi i tij zvogëlohet për fëmijët më të vegjël (0-3 vjeç) dhe për të moshuarit (përkatësisht 46 për qind dhe 22 %).

Ndër arsyet më të zakonshme të mospërdorimit të ambienteve të kujdesit për fëmijët është mbështetja tek anëtarët e familjes dhe shqetësimet për cilësinë e shërbimit. Në Shqipëri ende dominon modeli që gjyshërit të kujdesen për nipërit. Cilësia e shërbimeve të kujdesit ndaj fëmijëve të ofruara në Shqipëri është (vlerësuar me 6.2) relativisht e ngjashme me atë të BE-së (vlerësuar në 6.7).

Nga ana tjetër aksesi në kujdesin afatgjatë për të moshuarit në Shqipëri është i kufizuar, pavarësisht nga një rritje kërkesës për këtë shërbim. Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), 91 për qind e të moshuarve shqiptarë kërkojnë kujdes afatgjatë, por më pak se 2 për qind marrin kujdes formal. Pandemia e COVID-19 e ka intensifikuar më tej këtë problematikë, duke vendosur një barrë shtesë për gratë për sa i përket aktiviteteve të kujdesit të papaguar dhe punës shtëpiake.

Mbyllja e shkollave dhe çerdheve, së bashku me praninë e anëtarëve të moshuar në shtëpi gjatë pandemisë, kontribuuan në një rritje të pjesëmarrjes së grave në aktivitetet e kujdesit të papaguar dhe në punët shtëpiake. Për rrjedhojë, 76 për qind e femrave raportuan rritje të kohës së shpenzuar për punë të papaguar në shtëpi, krahasuar me 66 për qind e meshkujve.

Në mënyrë të ngjashme, 72 për qind e grave raportuan rritje të kohës së shpenzuar për të papaguar aktivitetet e kujdesit, në dallim nga 62 për qind e meshkujve.

Gjatë gjithë pandemisë COVID-19, gratë mbetën kontribuuesit kryesorë për punët e shtëpisë. Një përqindje më e vogël e grave raportuan se kishin marrë mbështetje nga partnerët e tyre për punët e shtëpisë sesa nga meshkujt. Konkretisht, vetëm 46 për qind e gratë morën mbështetje, krahasuar me shifrën më të lartë prej 67 për qind të burrave.

Ndarja në bazë gjinore e përgjegjësive të kujdesit ndikon ndjeshëm pjesëmarrjen ekonomike e grave në Shqipëri. Normat shoqërore shpesh diktojnë që gratë të mbajnë një barrë jo-proporcionale të kujdesit, duke kufizuar aftësinë e tyre për t’u përfshirë në punë me pagesë ose punë me orë më të gjata. Puna e madhe e kujdesit të papaguar e grave i lë ato të varfra, duke penguar arritjet e tyre arsimore, mundësitë e punësimit etj./Monitor.al

I dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor mbërrin në Kosovë, nis takimet me figura politike

Perëndimor, Manuel Sarrazin, e ka nisur të enjten vizitën në Kosovë me një takim në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

 

Kryetari i kësaj partie opozitare në Kosovë, Memli Krasniqi, ka thënë se me zyrtarin gjerman kanë disktuuar për zhvillimin e fundit politike në Kosovë dhe më gjerë.

“Emisarin Sarrazin e njoftova se Partia Demokratike e Kosovës është angazhuar çdo ditë, në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, të jap kontributin e saj të parezervë për ruajtjen e interesit të shtetit tone”, ka thënë Krasniqi përmes një postimi në Facebook.

Sarrazin do të zhvillojë takime edhe me figura tjera politike të Kosovës, para se të mbajë një konferencë për media në orën 18:00.

Ai është emëruar në postin e të dërguarit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor në shkurt të vitit 2022. Që atëherë, ai ka zhvilluar një sërë vizitash në Kosovë dhe në vende të tjera të rajonit.

Sarrazin ka qenë për herë të fundit në Kosovë, në majin e këtij viti.

Në qershor ka qenë ne Serbi, ku është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, me të cilin ka biseduar për dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian./rel

Bashkia e Himarës i jep 2 hektarë tokë projektit strategjik në një ‘mbledhje të jashtëzakonshme’

Vetëm tetë ditë pas zgjedhjeve për kryebashkiakun e ri, këshilli bashkiak i Himarës u mblodh në një takim jashtë radhe më 12 gusht për t’i hapur rrugë transferimit të mbi 21 mijë metrave kullotë në Gjilekë për llogari të projektit strategjik “White Roads Hotel” nën administrimin e Florenc Gjikurisë.

Vendimi i Këshillit Bashkiak, i propozuar nga kryetari në detyrë, Arqilea Bollano, e kalon sipërfaqen nga pronësia e bashkisë në pronësi të Fondit të Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike, FPPMIS, që më pas e jep atë me qira simbolike 1 euro te investitori i shpallur strategjik.

Videoja e mbledhjes, e postuar në faqen e Facebook-ut të Këshillit Bashkiak tregon se 14 pjesëmarrësit në mbledhje votuan pa shumë debate, ndërsa anëtarët e opozitës në këtë këshill nuk ishin të pranishëm.

Afrovita Dhimojani, kryetare e Partisë Demokratike në Himarë dhe drejtuese e grupit të këshilltarëve të opozitës, pretendoi në një bisedë telefonike me BIRN se mbledhja jashtë radhe ishte bërë në shkelje të ligjit.

Dhimojani tha se kalimi i pronës nuk kishte qenë në rendin e ditës dhe se ajo nuk e kuptonte se si ishte përfshirë.

“Ky projektvendim erdhi edhe në korrik dhe unë kundërshtova kalimin në rend dite, pasi nuk kishte informacion të mjaftueshëm,” tha Dhimojani. Ajo tha se ka paqartësi nëse toka ka apo jo konflikt gjyqësor dhe shtoi se nuk kishte dijeni që për të të ishin zhvilluar dëgjesa publike.

I pyetur në lidhje me kundërshtimet për këtë transferim, biznesmeni Florenc Gjikuria që administron “White Roads Hotel” e konsideroi vendimin një procedurë rutinë.

Ai tha se kundërshtimet dhe bojkoti nga opozita vinin për shkak të situatës së tensionuar paszgjedhore. Gjikuria pretendoi se për këtë kalim pronësie ishin bërë edhe dëgjesat publike.

“Shumica e sipërfaqes që përdor projekti është private,” tha Gjikuria.

Megjithatë, dokumentet bashkangjitur vendimit të Këshillit Bashkiak tregojnë se sipërfaqja e pronës publike është gjashtë herë më e madhe sesa prona private e investitorit prej 3297 metrash.

Shtesa 2 hektarë

Projekti “White Roads Hotel” u miratua si investim strategjik në vitin 2022, duke përfituar si masë mbështetëse edhe 9100 metra katrorë tokë shtet me qira 1 euro, pasi kjo pronë u hoq më herët nga fondi kullosor i zonës.

Por një vit më pas “White Roads Hotel” i kërkoi Komitetit të Investimeve Strategjike, KIS, një sipërfaqe shtesë prej 21 mijë e 900 metrash tokë shtet, duke e arsyetuar këtë me një kontratë me brandin ndërkombëtar Hyatt International LLC.

Në këtë vendimin, KIS miratoi edhe sipërfaqen shtesë dhe arsyetoi se ajo jepej “për të përmirësuar hapësirat dhe funksionalitetin e këtij projekti, në përputhje me standardet më të mira të brand-it”.

Në vendim bëhet me dije se projekti synonte një resort turistik multidimensional.

“Projekti parashikon ndërtimin e një hoteli me 190 dhoma, njësi për biznes & evente, sera me lule, ambiente sportive, hapësira për fëmijë, SPA, beach bar, kazino dhe njësi të tjera shërbimi”, thuhet në vendimin e KIS. Sipas vendimit, aty parashikohet një investim prej më shumë se 21 milionë eurosh.

Pas këtij vendimi dhe shtesës së dhënë, një sërë institucionesh u vunë në lëvizje për të realizuar kalimin e tokës shtesë te investitori.

Realacioni i Bashkisë Himarë, bashkëlidhur vendimit për transferimin e sipërfaqes shtesë prej mbi 2 hektarësh, detajon një sërë shkresash të shkëmbyera mes institucioneve që prej fillimit të vitit 2024, përfshi Kadastrën, Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), Ministrinë e Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit dhe Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit.

Megjithatë, këshilltarja demokrate Afrovita Dhimojani thotë se megjithë këtë angazhim, kur ky projekt- vendim iu paraqit këshillit në korrik, ajo pa se kishte mungesë të informacionit.

Dhimojani tha se kishte paqartësi për sipërfaqen, ndaj e kishte refuzuar kalimin në seancë për t’i kërkuar informacion Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Vlorë për të verifikuar nëse mbi pronë kishte pretendime të tjera dhe nëse kishte apo jo procese gjyqësore.

Dhimojani tha se ky ishte një nga problemet më të mëdha të Himarës dhe se bashkia nuk duhej të bënte kalimin pa sqaruar këtë pjesë, pasi ishte arsye për konflikte.

Anëtarët e shumicës në Këshillin Bashkiak, janë po ashtu të ndërgjegjshëm për problemet e pronësisë. Gjatë diskutimeve në mbledhje, një këshilltare ngre pyetje nëse për pronën kishte apo jo konflikte gjyqësore dhe nëse kishte qytetarë që e pretendonin atë.

“A ka mbivendosje?”, dëgjohet të pyesë dikush nga diskutuesit.

Por diskutimet këtu u prenë shkurt. Një prej këshilltarëve të shumicës, i ulur në fund të tavolinës ku zhvillohej mbledhja, këmbëngul disa herë që projekt vendimi të hidhej për votim. “O Dhimo, ne nuk jemi gjykatë. Kaloje”, thotë një nga anëtarët e këshillit që është me shpinë nga kamera, pasi bën disa herë gjeste të ngritjes së dorës në shenjë aprovimi dhe nxitimi.

Dhimojani i tha BIRN se mbledhja e Këshillit Bashkiak për këtë çështje ishte e paligjshme, pasi nuk ndiqte procedurën e përcaktuar për mbledhje të jashtëzakonshme. Po ashtu, sipas saj kalimi i pronësisë nuk ka qenë i parashikuar në rendin e ditës.

“Unë jam anëtare e kryesisë dhe unë e pashë rendin e ditës, kishte dy pika: Ndryshimet në buxhet dhe të ndryshme”, thotë ajo. Kryetarja e PD-së për Himarën shpjegoi se te pika të ndryshme futen zakonisht shqetësime që vijnë nga banorët, por projekt vendimi i miratuar nga shumica është propozuar nga kryetari i bashkisë. Ajo tha se ata do të informoheshin për vendimin në mbledhjen e rradhës në këshill.

Të ashtuquajturit investitorë strategjikë janë ndër përfituesit më të mëdhej të pronave publike në vend. Vendimet e miratuara nga Komiteti i Investimeve Strategjike, që drejtohet nga kryeministri Edi Rama, i kanë ofruar ‘investitorëve strategjikë’ qindra hektarë tokë publike përmes kontratave të qirasë 1 euro, infrastrukturës ndihmëse; si furnizim dhe përshtatje të rrjetit elektrik, furnizim me ujë të pijshëm dhe përfitime të tjera.

Ata po ashtu marrin një sërë lehtësirash fiskale bazuar në një ligj i cili u miratua si një masë e përkohshme ligjore në vitin 2015, afatet e të cilit janë shtyrë herë pas here. Sipas ekspertëve të ekonomisë, ligji ka favorizuar një grup oligarkësh si dhe ka cenuar pronën private, duke nxitur konflikte sociale.

Reporter.al

Skandali i mbetjeve, keqqeverisje, korrupsion apo të dyja?

ZEF PREÇI

Sipas një dokumenti të publikuar këto ditë në masmedia (shkresa nr. Protokolli 3732, datë 20.04.2022), ministrja e Turizmit dhe Mjedisit i ka lëshuar një subjekti privat Aktmiratimin e Licencës së kategorisë III2.B me objekt të aktivitetit të saj: “Transportin e mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme”. Për sa kohë që dokumenti në fjalë nuk është hedhur poshtë nga ministria përgjegjëse, në opinionin publik merret e mirëqene vlefshmëria e tij dhe nisur nga aktet ligjore në fuqi të referuara në të, po i jap lirshmërinë vetes të komentojë duke ngritur edhe disa pyetje e pikëpyetje, me qëllimin e mirë që t’i kontribuojë debatit publik rreth çështjes nëse kemi të bëjmë me një skandal që rrjedh nga aktiviteti i paligjshëm (madje në nivel ndërkombëtar) apo është thjesht një problematikë marrëdhëniesh midis operatorëve privatë, siç u rrekën ta trajtonin publikisht dy anëtarë të kabinetit “Rama” këtë histori.

Në aspektin metodik, në vijim kam analizuar aktet ligjore, duke nxjerrë edhe referencat që kanë të bëjnë me rolin e operatorëve ekonomikë, që prodhojnë mbetje të rrezikshme dhe të parrezikshme, si dhe të palëve të tjera të përfshira. Në mënyrë të përgjithshme, nga analiza e kuadrit ligjor në fuqi mund të arrihet edhe në disa përfundime paraprake. Sipas ligjit Nr. 10448, date “Për lejet e mjedisit”, ky institucion (Ministria e Mjedisit) duhej të kishte publikuar një raport vjetor për zbatimin e këtij ligji në vitin 2014 dhe prej asaj kohe çdo 3 vjet, dmth., të paktën edhe tri raporte të tjera.

Kjo çështje mbetet për t’u verifikuar, ndonëse duhet thënë se psh., në raportin e gjendjes së mjedisit të vitit 2021 flitet për mbetjet pa i ndarë ato në “të rrezikshme” dhe “të parrezikshme”, por nuk thuhet asnjë fjalë për mbetjet industriale si ato që krijon kompania turke “Kurum” dhe ndotës të tjerë në këtë sektor. Sipas të njëjtit ligj, aktiviteti i magazinimit të mbetjeve duke përfshirë zonën portuale dhe stacionet e transferimit të mbetjeve të rrezikshme, janë subjekt i licencimit nga organet shtetërore, dmth., nuk janë subjekt i veprimtarisë së zakonshme të çdo sipërmarrjeje në vend. Në këtë kuptim licencimi mendoj se duhej të ishin nënshtruar edhe subjektet prodhuese e depozituese të mbetjeve (si “Kurum” etj.,) ndërsa për transportin, tingëllon disi paradoksale që licencën se ka lëshuar Ministria e Mjedisit, ndërkohë që në Ligjin Nr. 10463, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, në kapitullin për transportuesit e mbetjeve përcaktohet se “Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit të Mjedisit, të ministrit përgjegjës për ekonominë dhe të ministrit përgjegjës për transportin, miraton rregullat për zbatimin e këtij neni (pika 3).

Mbi këtë bazë, unë mendoj se ministrja përgjegjëse për Turizmin dhe Mjedisin ka tejkaluar autoritetin e saj kushtetues, duke lëshuar e vetme aktmiratimin në fjalë. Dmth., ka marrë ato atribute ligjore që ligji i përcakton për Këshillin e Ministrave, ose të paktën duhej të kishte siguruar dakordësinë e dy anëtarëve të tjerë të kabinetit qeveritar. Kjo për sa kohë që licenca është lëshuar me objekt: “Transportin e mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme”, siç shkruhet shprehimisht në të. Në aktet juridike të përdorura si referenca për lëshimin e licencës në fjalë nga ministrja e Mjedisit janë dhënë edhe disa parashikime ligjore për detyrat që ligjvënësi i ngarkon Këshillit të Ministrave. Të tilla janë:

1. Miratimi, me propozimin e ministrit të katalogut të mbetjeve, duke përfshirë ato të rrezikshme. Nga një vështrim përciptë në kuadrin ligjor në uebsite të ndryshme rezulton se kjo detyrë është realizuar.

2. Për kontrollin e mbetjeve të rrezikshme, dmth., për krijimin, grumbullimin, transportin, magazinimin dhe trajtimin e tyre, kryhen vetëm në kushte që sigurojnë mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të njeriut, në përputhje me këtë ligj. Këto kushte përfshijnë masat që sigurojnë gjurmueshmërinë e mbetjeve që nga krijimi deri në destinacionin përfundimtar të tyre. Edhe kjo detyrë është parashikuar në ligj shprehimisht për Këshillin e Ministrave, i cili me propozimin e ministrit, miraton masa përkatëse, duke përfshirë sigurimin e gjurmueshmërisë nga krijimi i mbetjeve deri në destinacionin përfundimtar të tyre.

3. Duke njohur rëndësinë e gjurmueshmërisë, ligjvënësi ka parashikuar një numër kushtesh që lidhen me transportin e mbetjeve të rrezikshme, kushte që lidhen me mjetet që përdoren, me plotësimin e kërkesave të akteve ndërkombëtare përkatëse në të cilat vendi ynë është palë, apo që i ka transpozuar në legjislacionin e brendshëm, me detyrimin për regjistrimin paraprakisht për këtë qëllim në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit etj..

4. Një grup më vete detyrash për Këshillimin e Ministrave janë edhe ato që lidhen me etiketimin e mbetjeve të rrezikshme. Kështu, ligji parashikon që edhe grumbullimi, transportimi dhe magazinimi në mënyrë të përkohshme të bëhej vetëm kur të ishte mundësuar etiketimi dhe ambalazhimi sipas ligjit. Për më tepër përcaktohej detyrimi Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, miraton rregullat për ambalazhimin dhe etiketimin e tyre.

5. Po kështu, sipas ligjit përkatës, Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, miraton rregullat për dorëzimin e mbetjeve të rrezikshme, detyrimin për ruajtjen e dokumentacionit, depozitimin çdo tre muaj të informacionit mbi mbetjet e rrezikshme në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, etj..

6. Ndalimi i importeve dhe kalimeve tranzit të mbetjeve përbën një çështje tjetër të parashikuar në legjislacionin shqiptar (Neni 48 i ligjit Nr. 10463, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve) jo vetëm për qëllime asgjësimi në territorin e Republikës së Shqipërisë, por edhe për qëllime ruajtjeje.

7. Kalimi transit i mbetjeve jo të rrezikshme apo të mbetjeve inerte përmes territorit të Republikës se Shqipërisë, sipas legjislacionit në fuqi është i mundshëm vetëm me autorizim të ministrit. E njëjta gjë parashikohet në ligj edhe për eksportin e mbetjeve, dmth., lejohet vetëm me autorizim të lëshuar nga ministri përgjegjës për mjedisin. Është interesante të theksohet që sipas ligjit, ky autorizim (dokument i ndryshëm nga licenca që po analizojmë) është i vlefshëm për një periudhë kohe deri në një vit dhe duhet të përmbajë të dhëna si lloji dhe sasia e mbetjes për të cilën lëshohet; standardet që lidhen me ambalazhimin e etiketimin e mbetjeve dhe dokumentet shoqëruese gjatë transportit të tyre; kërkesat për monitorimin dhe raportimin e transfertave të mbetjeve. Edhe kjo detyrë parashikohet në ligj si detyrim i Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit.

8. Një grup tjetër parashikimesh ligjore lidhen me statistikat e mbetjeve, duke ngarkuar Agjencinë Kombëtare e Mjedisit për mbajtjen dhe përditësimin e statistikat për krijimin, rikuperimin dhe asgjësimin e mbetjeve; detyrimin që Ministria e Mjedisit të përgatitë dhe publikojë çdo 3 vjet një raport për statistikat e mbetjeve, si dhe detyrimin që Këshilli i Ministrave të përcaktojë rregullat për statistikat e mbetjeve në vend.

E tani të kthehemi te skandali ndërkombëtar i mbetjeve në Portin e Durrësit. Pa marrë përsipër një trajtim shterues e në detaje rreth shkallës së përmbushjes së detyrimeve ligjore të qeverisë dhe të ministrisë përgjegjëse për mjedisin, i listova detyrat kryesore të tyre më sipër për të ardhur në përfundimin se përpara se të jetë një çështje e kompanive private, korruptuese apo të korruptuara qofshin ato, ky skandal është një çështje e mirëfilltë e moszbatimit të kuadrit ligjor në fuqi me të gjitha pasojat juridike, shëndetësore, ambientale, financiare, ndoshta edhe politike, e mbi të gjitha në dëm të jetës që ka shkaktuar. Si e tillë, ajo është çështje e qeverisë dhe ministrisë përgjegjëse për mjedisin, të cilët duhet të marrin edhe përgjegjësitë përkatëse përballë Kushtetutës dhe ligjit. Ndërkaq, nisur nga deklarimet e këtyre ditëve të agjencive perëndimore që zotërojnë informacione të dorës së parë në lidhje me rolin e institucioneve shqiptare në kontrabandimin e mbetjeve të rrezikshme të vetat, nga rajoni apo edhe nga vende të Europës Perëndimore, mendoj se çështja duhet hetuar detyrimisht nga SPAK. Kurse përpjekjet për relativizimin e sforcuar të kësaj çështjeje duke e parë të lidhur thjesht me koncesionarin e huaj në Portin e Durrësit, vetëm me kompaninë turke “Kurum”, apo edhe me operatorë të tjerë ekonomikë e duke lënë jashtë hetimit vendimmarrjen dhe ligjzbatimin nga institucionet shtetërore, nuk i kontribuojnë zbardhjes së të vërtetës, sado e hidhur që të jetë për politikanë e biznesmenë të caktuar, e mbi të gjitha, mbrojtjes së shëndetit dhe të jetës së qytetarëve shqiptarë.

Jo vetëm zonat e mbrojtura sheshe ndërtimi, qeveria vendim edhe për kullotat rreth tyre!

Vendimi i qeverisë për të ndërtuar në Zonat e Mbrojtura ka marrë dhe një tjetër hap zyrtar.

Dje në fletoren zyrtare të Qeverisë, u zbardh vendimi për kullotat që do të përdoren rreth këtyre zonave.

Vendimit të fillimit të muajit Gusht nga Ministria e Turizmit, ku në këto zona mund të ndërtohej gjithfarëlloj, tashmë i shtohet dhe vendimi për të shfrytëzuar dhe zonat rreth tyre.

Çfarë ndodhi me Zonat e Mbrojtura?

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në nisje të këtij muaji, pasi hodhi për konsultim në qershor dhjetë projekt-vendime, hapi dritën jeshile për ndërtimeve të gjithfarëllojshme në Zonat e Mbrojtura nga jugu në veri.

Janë të paktën dhjetë projekt-vendime të ngjashme të nxjerra për konsultim nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, të cilat sipas organizatave mjedisore, nëse miratohen, rrezikojnë një dëm të pariparueshëm ndaj ekosistemit natyror në Shqipëri.

Sipas ekspertëve, projekt-vendimet prekin zona të mbrojtura ekzistuese – Bredhi i Drenovës, Rrushkull, Bunë Velipojë, Pishë-Poro-Nartë, Liqeni i Pogradecit, Kuturman-Qafë Bush, Kratsë, Guri i Nikës Valamarë, Bjeshkët e Oroshit – dhe një zonë të re të mbrojtur, Bisht Kamëz.

Ndryshimet në Ligjin 81/2017 për Zonat e Mbrojtura të miratuara në shkurt kundrejt kundërshtimeve të Bashkimit Evropian, heqin nga këto zona sistemin e zonimit të brendshëm, i cili më parë ofronte nivele të ndryshme mbrojtjeje sipas ligjit të vjetër dhe rregulloreve të Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), dhe u japin atyre vetëm shkallën e tretë të mbrojtjes.

Autoriteti kryesor përgjegjës për këto zona është vendosur Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), përgjegjës për sanksionimin e rregulloreve, strukturat e paligjshme, dhe investimet e supozuara strategjike dhe aktivitete të tjera të ndryshme.

Neni 5 i projekt-vendimeve të shpallura për konsultim, i cili rendit veprimet e lejuara në këto zona, përfshin ndër të tjera instalimin e projekteve të energjisë së rinovueshme, ngritjen e qendrave të mbarështimit të peshkut, si edhe aktivitete të tjera si ndërtimi, trajtimi i ujit në ferma, ndërtimi i kanaleve, autostradave, zonave urbane dhe aktiviteteve të ngjashme, me kusht që të kenë leje nga KKT.

Tashmë edhe kullota me qira brenda këtyre zonave

Dje u zbardh në Fletoren Zyrtare dhe vendimi për të përdorur kullotat rreth Zonave të Mbrojtura.

Sipas udhëzimit Agjencitë rajonale të Zonave të Mbrojtura dhe Zyra e Administrimit të Parqeve Kombëtare do të duhet që brenda datës 15 shkurt të çdo viti, të përcaktojnë parcelat kullosore publike dhe private që mund të jepen për përdorim për kullotje.

Ndërkohë që, ky proces duhet të kryhet në përputhje me legjislacionit në fuqi për kullotat dhe zonat e mbrojtura, që ka një sërë kufizimesh për shkak të ndikimit negativ që mund të sjellë mospërdorimi i duhur i këtyre territoreve.

Udhëzimi i ministrisë përcakton se për dhënien me qira të territoreve kullota, mbahet në konsideratë që veprimtaria e kullotjes të mos cenojë vlerat dhe funksionet natyrore e biologjike të territorit kullosor, si dhe të të jetë në harmoni me elementet e vlerave të biodiversitetit që ajo ka.

Subjektet e interesuar duhet të paraqesin kërkesën me shkrim pranë bashkisë përkatëse brenda datës 30 mars, për kullotat verore dhe brenda datës 10 korrik, për kullotat dimërore. Ndërkohë që, afati për dhënien në përdorim të kullotave është 5 vjet me të drejtë rinovimi.

Gjithsesi, këto rregulla nuk do të aplikohen për parcelat e ndodhura në kullotat që ndodhen në nënzonën qendrore të zonës së mbrojtur përjashtohen nga përdorimi sipas kërkesave të këtij udhëzimi.

Sa do të respektohet kjo? Flasim për Zonat e Mbrojtura që kanë hasur debate të shumta dhe u miratuan në fillim të këtij viti në një seancë Kuvendore mes rrëmujës dhe kaosit

Denoncimi i FRPD Belsh: Kryebashkiaku kthen dhomat e spitalit në zyra për bashkinë. Banorët e zonave në radhë për të marrë shërbim shëndetësor nga mungesa e kapaciteteve

Forumi Rinor i PD-Demokratët Euroatlantikë dega Belsh, ka denoncuar rastin e Qendrës Shëndetësore në këtë bashki, pasi kryetari i bashkisë ka përdorur dhomat e spitalit për zyra, duke reduktuar ndjeshëm kapacitetin spitalor.

Sipas FRPD Belsh, situata është përkeqësuar akoma pasi ka mungesa të kapaciteteve për të ofruar shërbimin e nevojshëm për banorët.

Në reagimin e tyre gjithashtu thuhet se aktualisht në spitalin e Belshit ekziston vetëm një dhomë e dedikuar për serume, ndërsa qendra shëndetësore shërben për pacientë nga e gjithë Dumrea, Shalësi, Pekishti dhe Sheza. Kjo ka bën që pacientët, përfshirë fëmijët e vegjël, janë të detyruar të presin në radhë të gjata për trajtim, për shkak se spitali disponon vetëm katër shtretër.


Postimi i plotë i FRPD-Demokratët Euroatlantikë, dega Belsh:

Skandalet e kësaj qeverie duket se nuk kanë fund.

Qendra Shëndetësore e Bashkisë Belsh po përballet me një mungesë serioze të kapaciteteve për të ofruar shërbimet e nevojshme për banorët e Dumresë dhe zonave përreth. Kjo situatë është përkeqësuar pasi kryetari i bashkisë ka përdorur dhomat e spitalit për zyra, duke reduktuar ndjeshëm kapacitetin spitalor. Aktualisht, në spitalin e Belshit ekziston vetëm një dhomë e dedikuar për serume, ndërkohë që ky institucion shërben për pacientë nga e gjithë Dumrea, Shalësi, Pekishti dhe Sheza. Si pasojë, pacientët, përfshirë fëmijët e vegjël, janë të detyruar të presin në radhë të gjata për trajtim, për shkak se spitali disponon vetëm katër shtretër.

Pavarësisht se ky problem është i pranishëm çdo vit, sidomos në periudhën gusht-dhjetor kur kthehen emigrantët, asnjë masë konkrete nuk është marrë për përmirësimin e situatës.

Një falënderim i veçantë i shkon mjekëve dhe infermierëve, të cilët, pavarësisht kushteve të vështira dhe mbingarkesës, vazhdojnë të kryejnë detyrën e tyre me qetësi dhe profesionalizëm të lartë.

“EURO Sllovaki 2025”/ Trajneri Bushi: Në futboll mund të ndodhë gjithçka, ndeshja me Zvicrën është si një finale për ne

Trajneri i Kombëtares shqiptare U-21, Alban Bushi doli këtë të enjte në një konferencë për mediat, në kuadër të ndeshjes kualifikuese të “EURO Sllovaki 2025”, ndaj Zvicrës (6 shtator, ora 19:30). Trajneri i kuqezinjve nën 21 vjeçarë komentoi listën e 23 lojtarëve të grumbulluar për këtë takim, dhe tha se është shumë i kënaqur pasi të gjithë lojtarët e ftuar gëzojnë formë të mirë fizike.

Alban Bushi u shpreh se ndeshja ndaj Zvicrës është si një finale, pasi është mundësia e fundit për të shpresuar te kualifikimi, ndërsa shtoi se është i kënaqur që lojtarët e rinj po aktivizohen në kampionatin shqiptar.

Si është gjendja e lojtarëve të grumbulluar? – Jemi munduar të marrim lojtarët që janë më në formë për momentin. Mendoj që kanë bërë shumë mirë në klubet e tyre dhe kanë shumë minuta, sepse ka pasur momente jo shumë të mira për disa nga lojtarët që tani kanë më shumë minuta. Ndeshja me Zvicrën është një finale për ne, sepse matematika na e lejon që të jemi brenda objektivave dhe do të shkojmë për të fituar. Ekipi është në gjendje shumë të mirë fizike, kemi marrë disa lojtarë të rinj që t’i kemi edhe për sezonin tjetër. Do të doja t’i falënderoja disa lojtarë si Kurtulan, Nikaj, Frroku, Lilo që nuk janë më pjesë e këtij grupi për këtë datëlindje 2002-2003 sepse muajin tjetër kemi edhe një ndeshje të fundit dhe do të fillojmë me datëlindjet e tjera.

Ndeshja me Zvicrën, a synon ende Shqipëria kualifikimin? – Ne e njohim shumë mirë skuadrën e Zvicrës, është një kundërshtarë shumë i fortë dhe ka nivel shumë të lartë. Ka potencial në ekip, por ne kemi një pamje shumë të qartë sepse kemi luajtur ndeshjen e parë në stadiumin “Air Albania”, na kanë mundur 3-1 me tre goditje standarte. Kishin më shumë zotërim topi se ne në pjesën e parë, ndërsa në pjesën e dytë ne ishim më mirë se ata, edhe në qarkullimin e topin edhe në rastet për të bërë gol. Patëm disa mundësi për ta barazuar rezultatin, si në pjesën e parë po ashtu edhe në të dytën. Une mëndoj që ne i kemi të gjitha shanset për të marrë rezultat pozitiv në Zvicër, nuk kemi asnjë lloj presioni. Matematikisht jemi brenda objektivave, kemi edhe dy ndeshje, ndërsa Zvicra katër. Të shpresojmë deri në fund pasi asnjëherë nuk i dihet në futboll. I kemi të gjitha shanset për ta mundur Zvicrën, ata kanë presion sepse kërkojnë vendin e parë dhe kanë Rumaninë afër tyre. Presioni është te ata dhe jo te ne.

Kohët e fundit po ftohen shumë lojtarë nga kampionati shqiptar, ka pasur ndonjë futbollist që ka refuzuar Shqipërinë U-21? – Jo nuk kemi pasur asnjë lojtar që na ka refuzuar për të veshur fanellën e Kombëtares, çdo lojtar duhet të jetë krenarë. Ne jemi munduar të marrim lojtarët më të mirë, nga kampionati shqiptar nuk jam shumë i kënaqur përsa i përket aktivizimit të të rinjve. Por këtë sezon sikur ka filluar dhe po shohim pak të rinj që po luajnë. Ekipi i Vllaznisë ka aktivizuar Dodajn datëlindja 2005, lojtar shumë i mirë dhe i perspektivës. Shpresoj të vazhdojë kështu si e ka nisur. Ka disa lojtarë të rinj që po aktivizohen në kampionatin shqiptar dhe klubet duhet t’i aktivizojnë sepse mund të përfitojnë nga këta në të ardhmen.

Nga të gjitha ndeshjet e kaluara, a ke ndonjë peng, sidomos nga dy ndeshjet e fundit? -Po, po diskutoja dhe pak më parë me drejtorin, sepse ne sot duhet të kishim 15 pikë. Pengu është që nuk fituam me Finlandën, duhet ta fitonim atë ndeshje edhe me Malin e Zi para dy muajsh, që nuk e fituam. Ishim gjatë gjithë 90 minutave favoritë. Pra, sot do të kishim 15 pikë. Këto dy ndeshje na kanë penalizuar shumë, nuk po flas për ndeshjet e tjera, sepse kemi luajtur keq dhe nuk e kemi merituar fitoren, siç ka qenë ajo në Finlandë dhe Rumani. Por këto dy ndeshje duhet t’i kishim fituar dhe sot nëse do të kishim 15 pikë do flisnim ndryshe. E kuptojnë edhe lojtarët që nëse do të kishim këto 5 pikë, do të ishim shumë afër kualifikimit, ndaj s’duhet ta ulim kokën ndaj këtyre kundërshtarëve kaq të mëdhenj, pasi diferencat janë kaq të vogla. Sot mund të kishim 15 pikë, jemi me 10 pikë, por mund t’i kemi pas kësaj jave, mund të shkojmë në 13 pikë pas kësaj ndeshje dhe pastaj kemi ndeshjen me Armeninë këtu dhe shpresojmë të gabojë Zvicra. Mendoj se jemi mirë deri tani, sepse kemi luajtur mirë, u kemi dhënë tifozëve emocion, sidomos në ndeshjen me Rumaninë. Kanë qenë ndeshje interesante, por ka pasur vend për korrigjime, për përmirësime. Une them gjithmonë që këta janë lojtarë të rinj, të vegjël, çdo minutë e tyre e luajtur është eskperiencë për të shkuar të ekipi A. Jo më kot Medon Berisha, një lojtar me shumë potencial tashmë është te ekipi A, por shumë shpejt edhe disa prej këtyre që janë me ne sot, do të jenë pjesë e Kombëtares A në sezonet e ardhshme.

A e ka Federata Shqiptare e Futbollit një strategji apo nëse nuk e ka, a mendon se duhet të ngrejë një strategji për këta lojtarë që shkëlqejnë në kampionatin shqiptar, që klubet t’i aktivizojnë rregullisht? -Do ishte mirë që të kishim lojtarë, si dikur që një 17-18 vjeçar luante në klube. Këto janë strategjitë e federatës, unë mendoj se ka bërë strategji të mira. Përshembull shumë shpejt lojtarët e datëlindjes 2012-2013 në kuadër të një projekti të ri do të grumbullohen për një vit, do të trajnohen në federatë dhe do të luajnë në fundjavë me klubet e tyre, kjo është diçka shumë e mirë. Ndërsa, përsa i përket asaj që të rinjtë të luajnë në ekipet e tyre, nuk e ka në dorë federate, sepse klubet janë private dhe nuk i ndërhyn dot klubit që të luajë lojtari i ri. Federata e Maqedonisë së Veriut e ka që duhet të luajë një nga U-19, të jetë në formacion patjetër. Do ishte diçka e mirë, mbase në të ardhmen bëhet.

Përplasi me motor të moshuarën dhe u largua nga vendngjarja, ndalohet adoleshenti! 82-vjeçarja ndërron jetë

Policia ka ndaluar një 16-vjeçar, i cili në Bulqizë ka përplasur një të moshuar me motor.

 

Pas ngjarjes, i mituri është larguar, ndërsa mësohet se 82-vjeçarja ka ndërruar jetë për shkak të plagëve të marra.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, në orën 23.40, datë 28.08.2024, kanë marrë informacion se në fshatin Ostren, kishte humbur jetën shtetasja S.M., 82 vjeçe.

Nga veprimet hetimore të kryera, dyshohet se 82-vjeçarja, ishte aksidentuar nga një motomjet.

Si rezultat i veprimeve të shpejta Policia identifikoi, kapi dhe shoqëroi në Komisariat për veprime të mëtejshme një 16-vjeçar, që duke drejtuar një motomjet dyshohet se ka aksidentuar me pasojë vdekjen shtetasen S.M.

Policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale motomjetin që dyshohet se drejtonte 16-vjeçari”, njofton policia.

Analiza e DW: Personat civilë në Ukrainë, shënjestër e sulmeve me dronë rus

Qyteti i vogël ukrainas, Berislav është goditur për muaj me radhë nga një valë sulmesh të paprecedentë me dronë rusë. Sipas hulumtimeve të DW, këto sulme kanë pasur në shënjestër shumë shpesh persona civilë.

Volodymyr Kindrat dhe e shoqja e tij, Ljubova, nuk do ta harrojnë kurrë atë gumëzhimën kërcënuese të dronëve më 7 shkurt të këtij viti. Sapo kishin nisur të mësoheshin me të, kur dy dronë të mbushur me lëndë shpërthyese papritmas goditën shtëpinë e tyre.

“Pashë se si dronët goditën garazhin,” tregon Volodymyr Kindrat. Porta e garazhit dhe makina e familjes u dëmtuan rëndë nga sulmi. “Ishte sikur ushtarët po luanin ndonjë lojë kompjuterike,” përshkruan Ljubova sulmin tronditës. “Por në jetën reale,” ndërhyn Volodymyri. “Dhe mbi njerëz të gjallë,” shton e shoqja.

Sulmet me dronë ndaj civilëve

Pas kësaj tronditjeje, familja Kindrat, së bashku me vajzën e tyre të rritur, u larguan nga Berislavi, vendlindja e tyre në jug të Ukrainës.

Prej shtatorit 2023 e deri në korrik 2024, Berislavi është sulmuar nga mbi 120 sulme me dronë rusë. Në këto sulme janë vrarë 16 persona dhe janë plagosur mbi 130 të tjerë – të gjithë civilë, sipas raportimeve.

Ekipi hulumtues i DW-së ka analizuar prej disa muajsh një sërë raportimesh dhe të dhënash nga burime të hapura mbi sulmet me dronë. Atij i erdhën në ndihmë edhe dy organizata joqeveritare: projekti “Eyes on Russia” i “Centre for Information Resilience” dhe arkivi ukrainas “Mnemonic”.

Në qytet, ekipi nuk mundi të kryente hulumtime. Për shkak të kërcënimit të vazhdueshëm, policia ukrainase e ka bllokuar hyrjen në qytet. Megjithatë, nga analiza e të dhënave dhe intervistat me dëshmitarë dhe ekspertë përforcohet dyshimi se ushtarët rusë i kanë përdorur sistematikisht dronët kundër civilëve.

Berislavi ndodhet në bregun verior të lumit Dnjepër, afër qytetit Kherson. Menjëherë pas pushtimit të madh të Ukrainës në shkurt 2022, trupat ruse pushtuan qytetin Kherson dhe rrethinat. Në vjeshtën e vitit 2022, ushtria ukrainase e rimori kontrollin e kësaj zone. Trupat ruse u tërhoqën në anën tjetër të lumit.

Që atëherë, forcat ruse të vendosura në anën tjetër të lumit bombardojnë intensivisht Berislavin me artileri, bomba të telekomanduara dhe dronë. Pjesa më e madhe e qytetit është shkatërruar dhe nga 11 000 banorët e dikurshëm, tani kanë mbetur thuajse vetëm të moshuarit.

Dronët më të përdorur janë të tipit FPV (First Person View) të ngarkuar me lëndë shpërthyese. Ky lloj droni fillimisht është përdorur vetëm nga pilotë amatorë dhe është i pajisur me një kamerë.

Në vitin 2023 është rritur ndjeshëm numri i dronëve të tillë të përdorur në front. “Mendohet të ketë mbi dhjetëra mijëra dronë të tipit FPV që veprojnë në qiellin e Ukrainës,” shpjegon Samuel Bendett, anëtar i programit të studimeve mbi Rusinë në Center for Naval Analyses, një institut kërkimor amerikan.

Piloti i dronit ose mund ta hedhë eksplozivin, ose ta drejtojë dronin me gjithë ngarkesën e tij drejt një caku, ku ai shpërthen.

Ndjekur nga dronët

Edhe Jevheni ka qenë në shënjestër të një droni rus. Ai nuk dëshiron ta publikojë mbiemrin e tij. Ndodhi në janar, kur punonjësi i organizatës humanitare World Central Kitchen solli ushqime në Berislav. Gjatë kthimit nga qyteti, makina e tij u ndoq nga një dron. “Nuk e di sa gjatë më ndoqi droni,” tregon ai për DW, shumë i lehtësuar që arriti të shpëtojë. “Kisha shumë frikë.”

Një aksion tjetër i ngjashëm përfundoi me viktima. Edhe ata “u ndoqën nga dronët,” siç raportoi më vonë njëri nga të mbijetuarit. Automjetet e tyre, të cilat ishin të shënuara si konvojë ndihmash, u sulmuan. Disa dëshmitarë i thanë DW se bëheshin goditje të dyfishta, të ashtuquajtura “double taps”, ku pas goditjeve të para, viheshin në shënjestër personat që përpiqeshin të shpëtonin viktimat.

Sulmet nga bregu tjetër i Dnjeprit

Nuk është e mundur të përcaktohet me siguri se kush është përgjegjës për sulmet me dronë. Megjithatë, bazuar në distancën mesatare të fluturimit dhe trajektoren e mundshme të dronëve, DW arriti të lokalizojë zonat e mundshme nga ku janë nisur sulmet: Ato janë zonat përreth qyteteve Kakhovka dhe Nova Kakhovka, të cilat ndodhen përballë Berislavit në anën tjetër të Dnjeprit.

Aty janë të stacionuara disa njësi ruse që përdorin dronë. Ndër to janë Brigada e 10-të Speciale, Brigada e 205-të e Këmbësorisë dhe Batalioni Vullnetar BARS-33, i emërtuar sipas heroit sovjetik të Luftës së Dytë Botërore, Vasili Margelov.

Ka shumë pak të dhëna të hapura rreth operacioneve të Brigadës së 10-të Speciale, e cila i përket shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse, GRU. Por janë bërë të njohura disa detaje nga një sulm me dron: Prokuroria në Kherson nisi hetimet në qershorin e kaluar kundër një ushtari të kësaj brigade, pasi kishte regjistruar një bisedë me eprorin e tij. Ai akuzohet për sulm të qëllimshëm me dron ndaj dy civilëve në Berislav, në maj 2023.

Brigada e 205-të e Këmbësorisë operon prej kohësh në rajonin e Kakhovkës. Në Telegram, ajo ka pranuar hapur disa sulme me dron në Berislav, shumica e të cilave janë drejtuar ndaj automjeteve. Këto automjete “janë të gjitha të shkatërruara,” ka shkruar një pilot droni në kanalin e Telegramit. Ai pretendon se në zonë nuk ka civilë. Ky koment e dëmton vetë pilotin, thotë juristi Wayne Jordash. Ushtari nuk përpiqet të shmangë viktimat civile. De facto, “ai vendos që çdo individ është një objektiv legjitim ushtarak.”

Batalioni Vullnetar BARS-33 vepron në rajonin e Kakhovkës dhe Nova Kakhovkës që nga pranvera e vitit 2023. Njësia duket se është e fokusuar sidomos te luftimi me dronë. Në njoftimet për rekrutime, ajo kërkon kryesisht pilotë dronësh.

Batalioni u themelua me iniciativën e Vladimir Saldo, guvernatorit të autoriteteve ruse të okupimit në rajonin Kherson. Në tetor 2023, ai njoftoi se BARS-33 kishte testuar një dron të ri të quajtur “Weles”.

Në Telegram janë publikuar video që tregojnë sulme me dron të kryera nga BARS-33 në rajonin e Berislavit, përfshirë edhe me dronin e ri “Weles”.

Sanksione ndaj prodhuesit të dronit

Droni “Weles” prodhohet nga kompania Aero-Hit në qytetin Khabarovsk, në lindje të Rusisë. Kompania është e lidhur ngushtë me politikanin rus Konstantin Basjuk, një mbështetës i fuqishëm i Batalionit Vullnetar BARS-33. Basjuk përfaqëson rajonin Kherson, i aneksuar në mënyrë të paligjshme nga Ukraina, në Këshillin e Federatës Ruse në Moskë dhe promovon rregullisht Batalionin Vullnetar. Si Saldo ashtu edhe Basjuk janë nën sanksione perëndimore.

Në qershor, Departamenti i Thesarit të SHBA-së vendosi sanksione edhe ndaj kompanisë Aero-Hit, me arsyetimin se “dronët Weles janë përdorur nga forcat ruse të stacionuara në Kherson kundër objektivave ukrainase.”

Këto sanksione nuk do të ndikojnë në prodhimin, tha drejtori i kompanisë Viktor Yatsenko në një intervistë, duke u krenuar me “400 sulme të suksesshme luftarake” të dronit të ri. “Konsumatori kryesor” është Batalioni Vullnetar BARS-33. I ballafaquar me rezultatet e këtij hetimi, Aero-Hit deklaroi se është “një kompani jo-ushtarake dhe nuk bashkëpunon me Ministrinë e Mbrojtjes.”

Asnjë përgjigje

Nuk është e mundur të përcaktohet me siguri se kush ka urdhëruar dhe kryer sulmet me dron ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile në Berislav dhe zonat përreth. Por, sipas hulumtimeve tona, ka shumë gjasa që përgjegjëse për sulmet të jenë tre njësitë e përmendura.

DW ka kërkuar komente nga Ministria e Mbrojtjes së Rusisë, politikanët Vladimir Saldo dhe Konstantin Basjuk, Batalioni Vullnetar BARS-33 dhe administratorët e dy kanaleve të lidhura në Telegram për gjetjet e këtij hulumtimi. Asnjë prej tyre nuk ka kthyer përgjigje./DW

“Lista të hapura”, Dash Shehi padi në Kushtetuese: Janë momenti kyç që mund të sjellë ndryshim e demokratizim

Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehu, ka paditur në Gjykatën Kushtetuese ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të miratuara në Kuvend më 26 korrik.

Përfaqesuesi ligjor Rezart Kthupi teksa dilte nga Gjykata Kushtetuese tha para mediave se e ka dorëzuar padinë në emër të partisë së Shehit, pasi partitë e vogla opozitare kanë mendime të ndryshme juridike dhe vendosën që paditë t’i bëjnë të veçanta.

Dorëzova kërkesë-padinë që kishte për objekt shfuqizimin e asaj pjese të kodit zgjedhor që cenonte atë që ishte diskursi më i madh politik, ai i listave të hapura. I kemi kërkuar Gjykatës shfuqizimin e asaj pjese që mbyll përfundimisht listat në versionin më të keq në krahasim me vitin 2021 dhe të shqyrtojë çështjen proceduriale sesi është miratuar ky ligj. Në gjykimin tonë çështja e listave të hapura janë momenti kyç që mund të sjellë ndryshim e demokratizim të partive politike dhe interesi i qytetarëve,” tha Kthupi.

Partitë e vogla kundërshtojnë paktin “PS-PD” me Grupin e Dialogut Gjiknuri-Bylykbashi, për mbylljen e listave në 1/3 e tyre, dhe hapjen e 2/3-ve, duke kërkuar shfuqizimin e këtij neni.

Pas një seancë maratonë më 26 Korrik, Kuvendi miratoi me 106 vota pro, 2 kundër dhe asnjë absetim, ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor që parashikon që lista e deputetëve nuk do të jetë tërësisht e hapur. 1/3 do të jetë e mbyllur dhe ekskluzivitet i kryetarit të partisë dhe nuk i nënshtrohet votës preferenciale.