30.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

“SPAK ka mbështetjen e plotë të SHBA-ve”/ E ngarkuara me Punë e SHBA në Tiranë, takim me kreun e SPAK

E Ngarkuara me Punë e SHBA-ve, Nancy VanHorn, ka zhvilluar një takim ditën e sotme (28 gusht) me kreun e SPAK-ut, Altin Dumani, në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.

Pjesë e këtij takimi u bë dhe Drejtuesi i Seksionit Kundër Korrupsionit të SPAK-ut, Klodjan Braho.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ka ndarë pak nga takimi i tyre.

Sipas institucionit, VanHorn ka mbështetur punën e bërë nga Prokuroria e Posaçme përsa i përket luftës anti-korrupsion.

“Znj. VanHorn shprehu admirimin e Shteteve të Bashkuara për përpjekjet e palodhura të SPAK-ut dhe i nxiti ata të vazhdojnë punën e tyre të guximshme dhe të udhëhequr nga integriteti.”, shkruan ambasada amerikane në Shqipëri.

Po kështu, VanHorn është shprehur se SPAK dhe institucionet e tjera të pavarura kanë mbështetjen e plotë nga SHBA-të për të përmbushur misionin e tyre, si një alternativë që “shtron rrugën” e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.

“E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn u takua sot me Drejtuesin e SPAK-ut Altin Dumani dhe Drejtuesin e Seksionit Kundër Korrupsionit në SPAK, Klodjan Braho, të cilët janë të përkushtuar në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Znj. VanHorn shprehu admirimin e Shteteve të Bashkuara për përpjekjet e palodhura të SPAK-ut dhe i nxiti ata të vazhdojnë punën e tyre të guximshme dhe të udhëhequr nga integriteti. Ajo theksoi se SPAK dhe institucionet e pavarura të Shqipërisë kanë mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara në misionin e tyre për popullin shqiptar, duke shtruar rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”, shkroi ambasada e SHBA në Facebook

Kur dënohej “Bashkimi shqiptar” në Berat

Nga Namir Lapardhaja

Rezistenca antikomuniste në vitet e para të pushtimit komunist ka qenë e fortë. Në të u përfshinë njerëz të shkolluar brenda dhe jashtë vendit. Duke e njohur shijen e lirisë, këta njerëz qenë të parët që e kuptuan mashtrimin e madh komunist të parrullës së “Shqipërisë demokratike”. Shumë syresh e kishin ndeshur terrorin komunist edhe gjatë viteve të luftës, ndaj nuk kishin asnjë iluzion se ky terror do të thellohej në emër të zhdukjes së çdo lloj opozitarizmi me diktaturën gjakatare e primitive që po instalohej.
Sipas dokumentave të dosjes së gjyqit, Organizata “Bashkimi shqiptar”, u inicua nga Sami Ceribashi, i cili erdhi në Berat në muajin qershor 1945 dhe u takua me Hamit Myftiun, Ushtar Numanin, Hajri Kuçin, Tajfur Haznedarin, Ahmet Tozharin.
Komiteti Qarkor i “Bashkimit Shqiptar” për Qarkun e Beratit u krijua në mbledhjen e organizuar në shtëpinë e Hajri Kuçit, ku u zgjodhën: kryetar Hamit Myftiu, ish-deputet në parlamentin shqiptar të periudhës së Mbretit Zog, nënkryetar Sherif Sevrani, sekretar Pandi Kondi, arkëtar Tajfur Haznedari dhe antarë Ushtar Numani, Riza Kaceli, Ahmet Tozhari dhe Hajri Kuçi.
Më vonë (gjithmonë sipas dosjes së gjyqit komunist) në Bashkimin Shqiptar bashkohen edhe mjaft figura të tjera nga qyteti i Beratit, si Dituri Protopapa, profesore e diplomuar në Itali, përgjejgjëse e rinisë në formacionet partizane, Mexhit Daiu nga Elbasani, profesor muzike, i diplomuar në Rumani, Yzedin Haznedari, Xhevair Beshiri, Tako Baçi, ish-drejtues i lartë i formacioneve partizane etj.
Në komitetet krahinore, që u krijuan në Qarkun e Beratit bënin pjesë Ramadan e Hysen Velmishi, Xhezmi Risilija, Qemal e Behar Strumi, Irfan Vrioni, baba Bedri Cakrani i Teqesë së Gjerbësit, Kamber Hima, Mehdi Velçani, baba Bajrami i teqesë së Plashnikut, Veli Dollani, dervish Reiz Shehu i Çorrogjafit etj.
Kur nisën arrestimet dervish Reizi, siç ka treguar më pas, vendos të arratiset për t’i shpëtuar kasapanës komuniste. Bën debat me gruan e tij të re, me një djalë ende në djep. Gruaja e luste të mos arratisej. Kur e pa se nuk ia ndryshonte mendjen e mallkoi: “Mos t’i pafsha sytë sot e dyzetë vjet.” Ditën që u kthye nga ekzili Reiz Shehu, me përkthimin e tij interesant të poezive të Rumiut në çantë, ende pa u takuar me gruan, iu drejtua: “T’u thaftë goja, moj grua, se more më qafë një popull të tërë! Plot 40 vjet! Të më kishe mallkuar të paktën me 20!”
Si pjesë e “Bashkimin shqiptar” u dënuan mjaft intelektualë si Kostaq Stefa, Vexhi Buharaja, Selami Tepelena, Andon Ziu, etj, për të cilët është folur edhe gjetkë.
Në këtë shkrim do të ndalemi te një nga të dënuarit e gjyqit të “Bashkimit shqiptar”, Kamber Hima nga Rehova e Beratit, për të cilin nuk është folur dhe shkruar. Gjyqi kundër tij dhe një grupi të madh të “Bashkimit shqiptar” u zhvillua dy ditë pas gjyqit të grupit kryesues të kësaj organizate, ku Bexhet Mema, kryetar i trupit gjykues, dënoi me vdekje Hamit Myftiun, Tajfur Haznedarin, ndërsa dha dënime të ashpra për mjaft të tjerë.
Në dosjen e gjyqit të Kamber Himës shkruhet: “Sot më 2. 1. 1948, ditën e premte, ora 9 paradite u mblodh në sallën e gjykimeve për të filluar gjykimin kontra: Dituri Protopapa, Hysen Velmishi, Mexhit Daiu, Irfan Vrioni… Bedri Cakrani, Kamber Hima… etj. Të gjithë të pandehurit, të pakënaqur nga pushteti popullor janë aktivizuar nërmjet njëri – tjetrit dhe kanë qënë antarë të organizatës tradhëtare Balli Kombëtar dhe më vonë ia ndryshuan emrin “Bashkimi shqiptar”. Të pandehurit mbas aktivitetit të tyre kanë ngritur komitetet krahinorë.” etj. dhe konkretisht për Kamber Himën: “I pandehuri Kamber Hima ka marrë pjesë vullnetarisht në organizatën “Bashkimi shqiptar” me detyrë si antar i Komitetit krahinor të Plashnikut, në bashkëpunim me Mehdi Velçanin, Veli Dollanin, baba Bajram Plashnikun e të tjerë. I pandehuri ka qenë në lidhje direkte me antarin e Komitetit Qarkor të kësaj organizate në Berat, Ahmet Tozharin, që sipas udhëzimeve të këtij të fundit, kanë ngritur organizatën krahinore të Plashnikut dhe kanë sabotuar direkt dhe indirekt interesat e Pushtetit popullor n’interes t’imperialistëve Anglo-amerikanë.”
Se si i kanë sabotuar direkt dhe indirekt interesat e pushtetit popullor, nuk thuhet asgjëkundi në këtë dosje.
Kamber Hima në fjalën e tij në gjyq, sipas dosjes, u shpreh se e pranonte pjesërisht akuzën. Se kishte biseduar me miqtë e tij për mundësinë e një ndërhyrjeje nga jashtë të anglo-amerikanëve dhe se shpresa qe te Abas Ermenji me organizimin që do të kishte bërë me anglo-amerikanët. Gjithashtu më poshtë ai shprehet: “Si organizatë, nuk di të ketë pasur… për Tiranë nuk di gjë se me kë kishin lidhje.”
Prokurori Aranit Çela, gjatë pretencës shprehet: “Të pandehurit mbas aktivitetit të tyre kanë ngritur komitetin krahinor si dhe grupet ndër fshatra dhe kanë mbajtur lidhje të rregullta me Komitetin Qarkor të Beratit dhe kjo e fundit, me anë të korrierëve të ndryshëm, ka mbajtur lidhje me Komitetin Qarkor të Tiranës, ku ka raportuar punën e sejcilit të gjithanshme që kanë bërë në sektorët e tyre. Kanë propaganduar me çdo mënyrë kundër reformave të pushtetit si dhe kanë nxitur për një luftë botnore të re dhe me punën që bënin kanë dashur që vendi ynë të okupohesh nga Anglo-amerikanët.”
Asnjë veprim konkret, asnjë fakt konkret, vetëm propagandë tipike staliniste, propagandë që do ta zvetënonte dhe do ta çonte në mjerim ekonomik e shoqëror këtë vend. Ndërsa fraza “si dhe kanë nxitur për një luftë botnore të re dhe me punën që bënin kanë dashur që vendi ynë të okupohesh nga Anglo-amerikanët.”, kalon çdo fantazi edhe të një njeriu anormal. Si si do të shkaktonin luftën e re botërore disa qytetarë shqiptarë, këtë vetëm mendja diabolike kriminale e prokurorëve komunistë mund ta artikulonte. Kjo akuzë të kujton akuzën e të njëjtëve kundër priftërinjve katolikë për djegjen e Xhordano Brunos që u artikulua në gjyqin e at Zef Pllumit.
Mjaft cinik është raporti që i dërgon kryetari i “kasapanës” gjyqësore Bexhet Mema gjykatës së lartë: “I dënuari Kamber Hima është antar i Komiteti krahinor të Plashnikut. Ka qenë me Ballin para shlirimit dhe tash në bashkëpunim me Ahmet Tozharin, baba Bajramin, Veli Dollanin e të tjerë kanë bërë çmos për të përmbysur pushtetin e sotshëm.” Më poshtë i kërkon asaj gjykate të miratojë vendimet e gjykatës së Elbasanit.
Dënimin më të rëndë në këtë gjyq e mori baba Bedri Cakrani, 32 vjeç, i cili u dënua me vdekje. 31-vjeçari Kamber Hima u dënua me 15 vjet burg, por nuk arriti të dilte i gjallë. Pas dy vjetësh ai ndërroi jetë, në moshën 33-vjeçare në kampin e tmerrshëm të Bedenit në Kavajë, të cilin me mjaft mjeshtëri e përshkruan at Zef Pllumi, kur thotë se ai shpëtoi nga ky kamp i vdekjes falë breshkave, të cilat i kapte dhe i gatuante.

Përbuzje për marrëveshjet e fshehta që i dhanë Ramës mandatin e katërt dhe Berishës monopolin e opozitës!

Nga Ardi Stefa

Përpara disa javësh në SHBA, kush merr pak erë nga politika u bë dëshmitar një një “rilindjeje të jashtëzakonshme politike”!

Ndërsa Partia Demokratike përçartej, çalonte, lëkundej dhe gjendej përballë një humbjeje të madhe, mori një vendim që e bëri të ishte më e fortë, më e bashkuar dhe me koordinata të qarta se çfarë drejtimi do të merrte.

Kjo ndodhi, jo vetëm se zgjodhi një kandidat të ri për president në zgjedhjet e ardhshme, por edhe sepse nga kongresi demokratët u rilidhën me elektoratin dhe me shoqërinë amerikane.

Po në Shqipëri?

Qeveria dhe opozita në vendin tonë gjenden përballë në hendeku të tillë. Luftëra të vogla e të mëdha të brendshme, marrëveshje në hije në errësirë, thika që bëhen gati dhe përplasje të hapura- konsumojnë pothuajse të gjithë energjinë e sistemit politik, duke u ofruar një show qytetarëve, të cilët ose jnë zhgënjyer, ose janë krejtësisht indiferentë.

Në realitet, sfida për qeverinë nuk është nëse do të shkojë më majtas, më djathtas, të zhvendoset më ne qendër, të bëhet më populiste apo më e përgjegjshme. Sfida është tjetër! Nëse do të largohet nga hija e skandaleve dhe do të merret seriozisht me problemet reale, që shqetësojnë qytetarët. Nëse do të dëshmojë aftësi administruese të pushtetit.

Ndërkohë që për partitë e opozitës sfida është edhe më e madhe. Sfida kryesore është të ketë përgjegjshmëri politike, qytetare e vlerash; komunikim me elektoratin në përgjithësi dhe shoqërinë shqiptare në veçanti.

Opozita sot është në gjendjen më mjerane në 34 vite tranzicion. Jo vetëm e paaftë të vijë në pushtet; jo vetëm e përçarë, por në shoqërinë shqiptare është krijuar bindja se pozita e opozita janë bashkë për të ruajtur establishmentin, pra për të ruajtur status quo-në aktuale politike.

Pavarësisht se nga shtatori i 2021 opozita nisi riorganizimin, d.m.th rithemelimin ose rilindjen (sinonime kontekstuale janë këto dy fjalë) asgjë e tillë nuk ndodhi. Të njëjtët njerëz, të njëjtat fytyra, të njëjtët deputetë e zyrtarë që shkonin sa nga prehri i njërit kryetar në prehrin e tjetrit, thjesht për një vend të sigurtë në listat për deputetë duke shkelur me të dyja këmbët parimet dhe çdo ideal demokratik.

Dhe, meqenëse kjo quhej politikë, impakti në shoqëri dhe në elektorat ishte negativ: përbuzje dhe braktisje për këtë klasë politikanësh, të cilët nuk janë të zotët t’u mbushin mendjen dhe të ofrojnë zgjidhje.

Përbuzje për përmbysjen që ka 1000 ditë që “o do ndodhë sot, ose kurrë!”, për revolucionin që s’u ndez kurrë, por edhe kur vendos të ndizet, ndizet me leje për dy orë nga policia, për revolucionarët që votojnë njëlloj me kundërshtarin dhe akuzojnë për tradhti ata që votojnë ndryshe kundërshtarit.

Përbuzje për marrëveshjet e fshehta që i dhanë Ramës mandatin e katërt dhe Berishës monopolin e opozitës!

Përbuzje për teatrin politik në Kuvend dhe krijimi i perceptimit në popull që marrëveshja PD- PS nuk ishte prishur asnjëherë dhe se “lideri i opozitës”, pavarësisht se ka 240 ditë “i burgosur” në fakt është i lirë të mbajë fjalime të përnatshme, të akuzojë dhe sa më shumë të ngrerë zërin, aq më i madh pazari! (Këto janë perceptime në popull, jo të miat!)

Dhe opozita mjerane shqiptare vjen vërdallë në një qerthull duke i folur vetëm vetes dhe të bllokuara në një cikël të përhershëm introversioni. Dhe opozita drejtohet edhe matematikisht në një tkurrje të tmerrshme, e cila pritet të vërtetohet në zgjedhjet e ardhshme!

Vjeshta duhet të sjellë dhe të përbëjë një shans për restart të ri.

Opozita duhet të bindë!

Dhe nuk e bind dot popullin e as elektoratin me një “armëpushim” me të rithemeluarve, euroatlantikëve dhe të pakënaqurve nga dy të parët dhe as me daljen e një formacioni të unifikuar përballë kësaj mazhorance.

Populli dhe elektorati nuk binden kur shohin të njëjtat fytyra përnatë në TV, çdo të hënë apo të enjte në Kuvend, e çdo katër vite në lista.

JO!

Shqiptarët janë të lodhur nga partitë vetëm për kryetarët, familjet e kryetarëve dhe enturazhin e kryetarëve!

Vizita e Macron në Serbi, Aleksandër Vuçiç pret marrëveshje për blerjen e avionëve luftarakë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se pret që të nënshkruajë marrëveshje për blerjen e avionëve luftarakë gjatë vizitës së presidentit të Francës, Emmanuel Macron, në Beograd gjatë kësaj jave.

 

“Është një kontratë e madhe për vendin tonë dhe nuk është kontratë e vogël as për Francën”, tha Vuçiç gjatë një interviste për agjencinë AFP.

Marrëveshja për blerjen e avionëve francezë, Rafale, pritet të jetë multimiliardëshe.

Macron do të qëndrojë në vizitë zyrtare në Serbi më 29 dhe 30 gusht.

Kjo do të jetë vizita e dytë e presidentit francez në Serbi në pesë vjetët e fundit, teksa dy shtetet po forcojnë raportet e tyre, veçmas në fushën e ekonomisë.

Në shkurt të vitit 2023, Vuçiç u tha gazetarëve se blerja e avionëve Rafale do të jetë blerja më e madhe nga buxheti i ushtrisë serbe, “në një vlerë prej 3 miliardë eurosh”.

Çështjet ushtarake do të jenë pjesë e bisedimeve gjatë vizitës në Serbi, kishte konfirmuar Macron në një konferencë për media më 18 korrik gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian, që u mbajt në Mbretërinë e Bashkuar.

I pyetur për statusin e kontratës për shitjen e avionëve francezë te Serbia, Macron deklaroi se ai do ta vizitojë Serbinë në javët apo muajt në vijim “për të finalizuar negociatat që janë subjekt i negociatave teknike, financiare dhe politike mes dy shteteve”.

Një tjetër çështje tjetër për të cilën Macron dhe Vuçiç do të bisedojnë do të jetë edhe Kosova. Gjatë një bisede telefonike të realizuar në mesin e qershorit, Vuçiq i tha Macronit se është e rëndësishme që çështja e zgjidhjes të mosmarrëveshjeve me Kosovën të mbetet lartë në agjendën e Bashkimit Evropian, teksa i kërkoi mbështetje udhëheqësit francez për këtë çështje./REL

Paga minimale/ Shqipëria më e varfër, renditet e parafundit, lë pas vetëm Kosovën! Ja shteti që paguan qytetarët e vet me mbi 2500 euro në muaj

Në vendet e Bashkimit Evropian, Shqipëria renditet e parafundit për pagën minimale, duke lënë pas vetëm Kosovën.

 

Sipas të dhënave të bëra publike nga Eurostat dhe që janë përpunuar nga Radio Evropa e Lirë, vendi ynë e ka pagën minimale 399 euro, ndërsa Kosova 350 euro.

Më lart se Shqipëria renditen fqinjët e tjerë, si Serbia me pagë minimale 544 euro, Mali i Zi 533 apo Maqedonia e Veriut 542 euro.

Shteti që kryeson Evropën me pagën më të lartë është Luksemburgu me 2571 euro, i ndjekur nga Holanda me 2134 euro, Belgjika 2070 euro, Gjermania me 2044 euro dhe 1767 euro.

“Kryetari i Këshillit urdhëroi të mbyllej dera e së vdekurës me çelës”- Dëshmia e ish-të burgosurit politik: Ildishane Kalo na tha se…

Para një shekulli në familjen e juristit shqiptar Reshat Kokalari, që banonte atëherë në qytetin Adana të Turqisë, lindi mbas tre djemve, mes një gëzimi të madh, një vajzë, që ia vunë emrin Musine. Katër vite më vonë atdhetari Reshat Kokalari, u shpërngul nga Turqia dhe familjarisht u drejtua për në Atdhe, në qytetin e Gjirokastrës. Në qytetin e gurtë kjo vajzë e vogël kaloi fëmijërinë dhe përfundoi shkollën fillore. Më vonë kjo familje u shpërngul për në kryeqytet, ku vajza Musine, filloi dhe mbaroi shkollën e mesme “Nana Mbretneshë“.

Kur ishte nxënëse, emri i kësaj vajze me emrin Musine, u përmend si shkrimtare, pastaj si politikane, si atdhetare, si themeluese e Partisë Social-demokrate, më vonë si antikomuniste, si e burgosur dhe, së fundi, si e internuar. Gjatë diktaturës, veprimtaria e saj u dënua dhe emrit të saj iu hodh baltë. Mbas shkërmoqjes së komunizmit, veprimtaria e saj u hymnizua dhe emri i saj u përmend me nderim dhe respekt.

Me rastin e 100 vjetorit të lindjes së saj bota intelektuale shqiptare, kudo që ndodhet, e kujtoi me respekt dhe nderim të madh emrin e saj duke e quajtur heroinë, se vetëm heroinat mendojnë, veprojnë, luftojnë, qëndrojnë, torturohen dhe vdesin si kjo vajzë, me emrin Musine Kokalari.

P O R T R E T I

Musine Kokalari ka një jetë të shkurtër, por me një veprimtari të madhe atdhetare, të larmishme dhe të guximshme. Ajo është një lule në fushën e letrave shqipe, një flamur i përgjakur në luftën kundër komunizmit, një lapidar madhështor i demokracisë. Tek kjo vajzë u bashkua talenti dhe guximi. Talentin e përdori për të shkruar veprat që na la, guximi i saj, u duk në përleshjen e egër me diktaturën. Ajo kishte një etje të madhe për dije dhe kulturë. U rrit me libra të ndryshëm ndër duar dhe vdiq me ato në gjoks. Ato qenë shokët e saj të pandarë.

Shkroi libra për popullin, se e deshi atë të mësuar dhe pjesë për fëmijë, që ata të rriteshin të kulturuar. Ajo mblodhi shumë këngë të popullit, por vetë nuk këndoi asnjë herë. Mblodhi zakonet e dasmës, por vetë nuk u bë kurrë nuse. Në mendjet dhe zemrat e popullit ajo mbeti nuse e pa nusëruar. Hyri në botën kulturore të vendit me dinjitet, duke u respektua nga personalitetet e kulturës shqiptare si Koliqi, Xhuvani, Kolea, Poradeci, etj.

E urreu fashizmin e nazizmin dhe komunizmin. Formoi tok me me shokët e saj Partinë Social-demokrate të Shqipërisë, si alternative për çlirimin e Shqipërisë. Bëri pjesë në grupimin e parë opozitar antikomunist, që u themelua për t’i prerë rrugën diktaturës sllavo-komuniste, që kishte lëshuar kthetrat e saj gjakatare drejt truallit arbëror.

Diktatura e luftoi egërsisht, i pushkatoi dy vëllezërit e saj pa gjyq, e arrestoi dy herë, e torturoi llahtarshëm, e mbajti nëpër burgje për afër dy dekada, e internoi gjithë jetën, por ajo qëndroi me stoicizëm kundrejt asaj dhe mbeti lapidar. Musine Kokalari ishte një femër e madhe në Shqipërinë tonë. Lëshoi dritë në një vend pa dije. Punoi për bashkimin e popullit, kur ai ishte i përçarë.

Sakrifikoi jetën e saj në luftë kundër komunizmit për lirinë dhe demokracinë e popullit. Diktatura e vdiq dhe u mundua ta zhduki. Populli e vuajti në zemrën e tij dhe sot ajo na mëson nga piedestali, ku e vendosi kombi shqiptar, si të luftojmë për bashkimin e popullit, për mbarësinë e truallit arbëror dhe për për demokracinë tonë.

KRONIKË NGA JETA E SAJ

10 shkurt 1917: lindi në qytetin Adana të Turqisë.

1921: Familja e saj kthehet në Shqipëri dhe vendoset në Gjirokastër, ku kreu shkollën fillore.

1930: Familja e saj vendoset në Tiranë.

1937: Mbaron shkollën e mesme: “Nana Mbretneshë” në Tiranë.

1939: Boton librin e saj të parë; “Siç më thotë nënua plakë”.

1941: Përfundoi shkëlqyeshëm studimet universitare në Romë, në Fakultetin e Letërsisë dhe të Arteve të Bukura dhe u laurua; Doktoreshë në letërsi, me temën; “Litteratura albanese, Naim Frashëri“

1943: Së bashku me Skënder Muçon, Isuf Luzajn dhe Abaz Omarin themeloi Partinë Social-demokrate të Shqipërisë.

1944: Boton gazetën “Zëri i Lirisë”, organ i Partisë Social-demokrate.

1944: Boton librin e saj të dytë; “Rreth vatrës”.

12.1.1944: U pushkatuan pa gjyq, dy vëllezërit e saj, Mumtaz e Vesim Kokalari.

16.11.1944: Arrestohet e mbahet në burg 17 ditë dhe lirohet.

Janar 1945: Boton librin e saj të tretë; “Sa u tund jeta”!

23 janar 1946: Arrestohet për së dyti nga Forcat e Mbrojtjes së Popullit.

2 korrik 1946: U dënua me 20 vjet burg, me punë të detyrueshme dhe me konfiskimin e pasurisë.

1961: U internua në Rrëshen.

1973: Del në pension me gjysëm page.

1981: Sëmuret nga kanceri, por mjeku komunist, anëtar i një familje e diktaturës, që e kuronte, e zvarriti qëllimisht, mjekimin e saj.

1983: Gusht: vdes në Rrëshen.

28.4.1993: Presidenti i Republikës së Shqipërisë Prof. Dr. Sali Berisha, e dekoron me medaljen; “Martir i Demokracisë“

11.2.1997: U mbajt në Tiranë një përkujtimore nga Shoqata e ish-të Përndjekurve Politikë Demokratë, ku u fol mbi veprimtarinë politike dhe atë letrare të asaj, u botua një album titulluar; “Mesazh” dhe shkolla 9 vjeçare në lagjen “Kombinat”, u emërtua me emrin e saj.

11.2.2017: 100 vjetori i lindjes së saj, u përkujtua në Shqipëri, në Kosovë dhe në SH.B.A.-ës

                                                             S H K R I M T A R J A

Musine Kokalari, së pari është përmendur si shkrimtare. Ajo ka filluar të shkruaj që në rininë e saj. Ishin vitet 1935 – 1937, kur në shtypin e saj kohe, filluan të duken skicat e asaj të nënshkruara me pseudonimin “Muza”, disa nga të cilat janë të vendosur me titullin; “Këngë varfërie” me nëntitujt: “Rrugëve”, “Zjarri”, “Vallja e jetës”, “Këpucët”, dhe me titullin;

“Vatra e shkatërruar”, me nëntitujt: “Largesa”, “Me jetën” dhe “Nënë e bir”. Përveç skicave të botuara, na ka lënë edhe disa të pa botuara.

Ajo vajzë e edukuar në një familje përparimtare, me baba atdhetar dhe me vëllezër demokratë, duke u rritur, i bëri përshtypje të madhe gjendja e mjeruar e popullit tonë atëherë dhe në skicat e saj e përshkroi atë gjendje me përshkrime tronditës dhe me mendimin që duhej ndryshuar ajo gjendje e popullit tonë. Duhet të përmendim se në atë kohë te kjo vajzë, po formoheshin idetë përparimtare.

Atëherë në shtypin shqiptar po shiheshin edhe firma të tjera vajzash letrare, por këto dalë nga dalë më vonë u shuan dhe në fushën e letërsisë shqiptare, mbeti e vazhdoi të ndriçojë gjatë gjithë jetës vetëm emri i kësaj vajze.

Sikurse jemi shprehur, shkrimtarja Musine Kokalari na ka lënë të botuara tri vepra të plota, të cilat i kemi përmendur më lart. Këto vepra bënë bujë, jo vetëm se ishin shkruar nga një vajzë e re, por për vlerën e tyre letrare. Ato janë shkruar me një stil të rrjedhshëm, me përshkrime me ndjenjë, me një gjuhë të pastër të të folmes së Gjirokastrës, me figura letrare të bukura, duke pasë për bazë përshkrimin e zakoneve të qytetit të asaj dhe folklorin e atyre anëve.

Në ato përshkruhet ajo botë shqiptare që kishte filluar të venitej dhe malli i autores për atë botë. Vlen të përmendim se me një mall të madh shkrimtarja ka përshkruar edhe qytetin e Gjirokastrës, mbas një largimi të gjatë. Për konkretizim, për të vërtetuar çfarë shprehëm më lart, po shënojmë një fragment nga vepra: “Sa u tund jeta”, “Vendi ku ke lerë e je rritur është dashuria e parë që hedh rrënjë në Zemrat tona. E shkuara, ëndërr e bukur. Qyteti i vogël, botë e madhe që s’ka shoqe për të miturin që hedh këmbët e para në jetë. Kujtime të paharruara të moshës së parë, që kalojnë përpara syve si ujët e kulluar të lumit që rrjedh gjithnjë, rrjedh e rrjedh e, s’kthehet më”.

Ndërsa për Gjirokastrën e saj, ajo është shprehur me një mall të madh: “Gjirokastra, bota e madhe, pa fund që s’kish shoqe për moshën time të parë. Gjirokastra trime, anë e mbanë me shkëmbinj e udhët plot gurë. Gjirokastra e të përpjetave dhe e tatëpjetave. Gjirokastra plakë, e regjur në mjerime dhe varfëri. Gjirokastra e kuajve dhe e këngëve”! A nuk e kemi kujtuar edhe ne, mbas një kohe që jemi larguar, vendin ku kemi lerë dhe qytetin ku kemi kaluar rininë, atë pjesë të artë të jetës?

Shkrimtarja Musine Kokalari, në artikullin e saj; “Letërsia dhe shkrimtari”, është shprehur se; “Letërsia është mjeshtëria e të shkruarit në mënyrë artistike, duke pasqyruar jetën shoqërore në mënyrë objektive. Shkrimtari është ai mjeshtër, që ushtron letërsinë në dobi të njerëzimit, në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare, me anën e pendës. Ai bën përgjithësime mbi botën, mbi njerëzit dhe mbi gjithçka, që është lidhur me njerëzit dhe gjithë popujt, për zgjimin e tyre, për lumturinë e tyre. Shkrimtari riprodhon jetën më anën e përgjithësimeve artistike, që quhen figura artistike”.

Ato që thotë shkrimtarja Musine Kokalari në këtë artikull, i lexojmë në veprat e saj. Nga këto vepra kjo shkrimtare është quajtur edhe themeluese e letërsisë për fëmijë, është vendosur denjësisht në sofrën e lavdishme të shkrimtarëve tanë, emri i saj është përmendur edhe në një enciklopedi italiane dhe është vlerësuar nga personalitete të kulturës shqiptare.

Po rendisim disa nga ato vlerësime:

Dr. Sabile Kecmezi:

“Kritikët letrarë vlerësojnë se ajo, pa dyshim, është shkrimtarja femër më e talentuar shqiptare”.

Sotir Kolea:

“Nuk kam parë më mirë nga ç’pashë në ‘Rreth vatrës’, prandaj dhe e kam dhënë si shembull për të rinj, që rreken të mësojnë si duhet mbajtur pena”

Sotir Kolea:

“Pjesa që më çuat nga ‘Sa u tund jeta’, m’u rrëmbye duarsh që ditën që erdhi dhe mbeti arrakate nëpër duar të botës, për më se një muaj. M‘u kthye tashti vonë, të gjithë e prisnin si ujët e ftohtë; kush e këndoi dy herë, kush tri a katër herë, duke shtënë shkak se ua këndonte miqve e mikeshave”.

Lasgush Poradeci:

“Musine Kokalari hyn në thellësi drejtpërdrejt në thelbin psikologji dhe menjëherë ajo bashkëjeton me ato që na rrëfen”.

Ali Ndërvalla:

“Libri i parë; ‘Siç më thotë nënua plakë’ dhe libri i ri; ‘Rreth vatrës’ janë prova të një talenti të shëndoshë”.

Ali Ndërvalla:

“Musine Kokalari ka një talent që meriton të vihet në dukje. Libri ‘Siç më thotë nënua plakë’, është dëshmia e prodhimit letrar që ka me të vërtetë një vlerë folkloristike. Në këtë vepër Musine Kokalari ka edhe një vlerë artistike të një shkrimtareje, që fillon të prodhojë me dashuri e pasion diçka të mirë, të vleftëshme për letrat tona.

Ziaudin Kodra:

“Autorja e jonë me këtë vepër hap e para, në mënyrë origjinale, rrugën e asaj pjese të letërsisë, që do ta quajshim; ‘Letërsi për fëmijë’”.

Petraq Risto:

“Shkrimtarja e parë shqiptare, jargavan i freskët uji, nuse me vello qelqi. Gjuha jote kullon mjaltë e flori, ndjenjat e tua burojnë e ne pimë e s’ngopemi”.

Angelo Leotti (italian):

“Kam lexuar dhe rilexuar dhe vazhdoj të lexoj dhe të rilexoj librin tuaj të mrekullueshëm; ‘Si më thotë nënua plakë’. Është shkruar me të vërtetë mirë dhe ju paraqes përgëzimet e mija të gjalla.“

Carlo Taliavini (italian):

“Mund t‘ju them, se jeni bërë e njohur prej kohësh, si një zë krejt i veçantë në letërsinë shqipe”.

Duhet shtuar se Musineja, si na del nga shënimet e disa fragmenteve, që kemi lexuar, nga bisedat që janë realizuar me Musinenë dhe nga disa artikuj të botuar në shtypi e përditshëm, se përveç veprave e përditshëm që përmendëm më lart, ka shkruar edhe vepra të tjera e disa artikuj dhe ka mbledhur një material folklorik të madh, gjatë kohës në burg dhe sidomos në internim, si është shprehur zonja Ildishane Kalo:

“Kryetari i Këshillit Popullor kishte urdhëruar që të mbyllej dera dhomës së të vdekurës me çelës, deri sa të vinin të nesërmen njerëzit e Degës, të kontrollonin dhe të merrnin ç’kishte mbetur. Musineja kishte lënë të shkruara mbi 1000 faqe, punë e gjithë atyre viteve nga folklori i Mirditës dhe nga ajo ç’kishte mbledhur burgjeve. Kur e hapën derën të nesërmen që erdhëm ne, nuk u gjend asnjë dorëshkrim. Edhe të vdekur e kishin grabitur hienat”.

Ku përfundoi, vallë, gjithë ai material shkencor që e mblodhi ajo grua e madhe në kohën e errët të burgjeve, ose gjatë kohës të lodhshme të internimit, kur ajo punonte si punëtore ndërtimi? U gris? U doq? U kthye në letër? U vendos në ndonjë arshivë? Ndodhet në dosjen e asaj gruaje? Apo u vodh? U botua në ndonjë revistë?Apo e paraqiti ndonjë njeri dhe mori ndonjë titull shkencor?

Do të ishte mirë që me nxitjen e Ministres së Kulturës, Instituti i ish – të Përndjekurve Politikë dhe Shoqata “Musine Kokalari” të mblidhet i gjithë materiali i kësaj gruaje të madhe, dorëshkrimet, veprat e pa botuara, artikujt e botuar prej asaj, materialin folklorik prej 1000 faqesh, dorëshkrimet e ndryshëm letrar e folklorik që u dorëzoi të afërmve të saj, shkrimet e botuara nga persona të ndryshëm mbi këtë heroinë dhe tok me veprat e botuara nga ajo vetë dhe të botohen në një vepër të plotë. Kjo punë do të ndihmonte për ta paraqitur sa më mirë e sa më të plotë personalitetin e kësaj heroine.

UNIVERSITARJA

Mbas përfundimit të shkollës së mesme, ajo, si mbas traditës së familjes Kokalari, si mbas shembulli të gjyshit, të babait dhe të vëllezërve, shkoi në Itali, për të vazhduar studimet universitare dhe u vends në Romë.

U regjistrua në Fakultetin e Letërsisë dhe të Arteve të Bukura dhe studioi veprat e shkrimtarëve të botës Perëndimore e, mësoi jetën e tyre dhe përfundoi studimet universitare shkëlqyeshëm. Në vitin 1941 u laurua; Doktoreshë në Letërsi’ me temën; “Litterartura Albanese – Naim Frashëri“.

Me që arriti përfundime të shkëlqyera gjatë gjithë kohës mbas mbarimit të studimeve universitare, Musinesë i propozuan, që të qëndronte në universitet. Por ajo nuk pranoi. Ajo ishte nga një familje shqiptare, vetë ishte edukuar me dashuri për atdheun dhe mendoi që të punonte për Shqipërinë e, t’i shërbente popullit të vendit të saj.

Kështu menduan dhe vepruan të rinjtë e asaj kohe: studiuan gjatë gjithë kohës me kujdes, përfunduan shkëlqyeshëm, u propozuan të qëndronin në universitet ku studiuan, por nuk pranuan. U kthyen në atdheun e tyre për t’i shërbyer Shqipërisë së sapo rilindur. Dhe punuan për Shqipërinë pa ndonjë pretendim.

POLITIKANIA

Kur u kthye në atdhe qëndroi në librarinë “Venus”, që kishin hapur vëllezërit e saj dhe për pak kohë punoi si mësuese në shkollën e mesme, ku kishte qenë dikur studente. Duke parë gjendjen e e Shqipërisë në atë kohë lufte, ajo analizoi dy forcat politike, që vepronin në Shqipëri dhe për të forcuar luftën kundër pushtuesit vendosi që, bashkë me shokët e saj; Skënder Muço, Abaz Omari dhe Isuf Luzaj, në nëntor të vitit 1943, të formonin një parti, të cilën e emërtuan Partia Social-demokrate e Shqipërisë.

Musine Kokalari është e vetmja vajzë shqiptare që themelon bashkë me shokët e saj një parti politike dhe të punojë me vet mohim në krye të saj për të mirën e Shqipërisë si atdhetare e vendosur.

Ja programi i kësaj partie:

  1. Partia Social-demokrate ka për qëllim kryesor të sigurojë drejtësi shoqërore dhe liri politike.
  2. Partia Socialdemokrate është evolucioniste për sa i përket kolektivizmës ekonomike dhe siguron të drejtat e njeriut.
  3. Partia ka për qëllim kryesor t’i sigurojë bujkut tokën e mjaftueshme për të punuar, të zhduki shfrytëzimin, spekulimin dhe parazitizmin. Gjithashtu, do t’i sigurojë proletarit bukën, besimin dhe të gjitha ndihmat e tjera, për t’ja bërë jetën të këndshme. Reforma agrare do të jetë etapa e parë e ndarjes së tokës. Partia do të përpiqet të vejë në zbatim një sistem sigurimi shoqëror, për mbrojtjen e të gjitha klasave shoqërore.
  4. Liria politike konsiston në sigurimin e të drejtës që jep çdo shtetasi të ketë lirinë e fjalës, të mendimit, të shtypit, të iniciativës private dhe të votës (opozita parlamentare). Partia do të mundohet, që të krijojë premisa të tilla që të kontribuojë në edukimin e të gjitha klasave të popullit shqiptar demokratisht dhe përgatitjen e tij për regjimin e ardhshëm, ku do të mbretërojë drejtësia shoqërore dhe liria politike. Liria politike në drejtësinë shoqërore, gjen shkakun e parë të kufizimit të saj.
  5. Për sa i përket ngadhënjeve me kombet e huaja, partia do të frymëzohet Jo prej një nacionalizme të ngushtë egoistike, po prej një patriotizme të thjeshtë, që pajtohet me ndjenjat e respektit e të simpatisë për atdhetarët e kombeve të huaj dhe do të përkrahë zhvillimin e idesë për realizimin sa më parë të një konfederate ballkanike.
  6. Partia ka për qëllim të luftojë kundër çdo okupatori për independencën e një Shqipërie të unjisuar brenda kufijve të saj etnikë. Memorie.al/Nga Makensen Bungo

Kancelari gjerman dhe kryeministri britanik do të nënshkruajnë traktat të ri për të “reformuar” marrëdhëniet e tyre dypalëshe

Kancelari gjerman  Olaf Scholz dhe kryeministri britanik Keir Starmer njoftuan sot në Berlin se do të nënshkruajnë një traktat të ri dypalësh që synon “riformimin” e marrëdhënieve midis Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar pas Brexit.

 

Traktati do të jetë “mundësia e një brezi” për të dy vendet që të forcojnë edhe një herë marrëdhëniet e tyre në një numër fushash, duke përfshirë tregtinë, shkencën dhe teknologjinë, tha Starmer, i cili bëri vizitën e tij të parë në Gjermani pas marrjes së detyrës në fillim të korrikut.

Ky rirregullim i marrëdhënieve me Gjermaninë dhe në përgjithësi me Bashkimin Evropian “nuk do të thotë se ne duhet ta kthejmë Brexit-in ose t’i bashkohemi tregut të vetëm ose bashkimit doganor, por do të thotë një marrëdhënie më e ngushtë,” theksoi ai.

Olaf Scholz e përshëndeti këtë iniciativë dhe deklaroi, gjatë një konference të përbashkët për shtyp, se dëshiron t’i përgjigjet “dorës së shtrirë” nga Londra.

VIDEOLAJM/ Si nisi sherri në Palasë në Clubin “Sin”/ Biznesmeni Luçiano (Artur) Koçeku dhe miku i tij, Fatbardh Aliaj u dhunuan nga disa persona me precedent penale!

Sherri me grushte në Palasë, në Clubin Sin është shoqëruar me shpalljen në kërkim të tre personave, të cilët sipas burimeve nga policia rezultojnë me precedentë të mëparshme kriminale.

 

Në mbrëmjen e 25 gushtit në Clubin Sin në Palasë, ku po këndonte këngëtari grek Kostandinos Argios, shtetasit Xhoni Spaho, Genti Baleci, Fatmir Bejo, dhe Klajdi Cerri janë konfliktuar fizikisht me shtetasin Luçiano Koçeku, i njohur si Tur Koçeku, i cili nga goditjet ka humbur ndjenjat.

Në pamjet e siguruara nga Panorama.al, gjatë konfliktit shihet shtetasi Fatbardh Aliaj, cili tenton të largojë agresorët, por dhunohet nga të rinjtë me grushte dhe shkelma. Ndërkohë që miku i tij,  Luçiano (Artur) Koçeku dergjet në tokë dhe ndihmohet nga disa persona duke i hedhur ujë. Në video shihen dhe dy të afërmit e biznesmenit Koçeku, Abedinin dhe Ervin Koçeku, të cilët tentojnë të ndalojnë konfliktin fizik.

Fatbardh Aliaj-dhuna-Sin-Artur-Koceku

Në pamjet e siguruara pas konfliktit të dhunshëm, biznesmeni shihet që dergjet në tokë, jashtë ambienteve të lokalit Sin në Palasë.

Mësohet se Luçiano (Artur) Koçeku është shtruar në spital ku dhe ka marrë ndihmë mjekësore.

 

Po kush janë personat e përfshirë në këtë konflikt, që fillimisht u raportua si një sherr banal, pasi u lagën nga hapja e një shisheje shampanje.

KUSH U PËRFSHI NË KONFLIKT

Luçiano (Artur) Koçeku rezulton të jetë i përfshirë në fushën e ndërtimit, ku emri i tij figuron si fitues apo ortak në disa leje ndërtimi të kullave dhe paneleve diellore. Po ashtu ai zotëron lokale dhe kompani ndërtimi.

Luçiano Koçeku dhe Fatbardh Aliaj janë sulmuar nga katër të rinjtë, e shpallur në kërkim, Genti Baleci, Xhon Spaho, Klajdi Cerri dhe Fatmir Bejo.

Genti Baleci, 49-vjeç, banues në Durrës, është një personazh me rekorde të mëparshme kriminale. Ai rezulton se është akuzuar për vrasjen e  Fatmir Deijajt në Belgjikë dhe për këtë vepër ai është dënuar me 25 vite burg.

Ndërkohë që  Xhoni Spaho rezulton të ketë qenë kandidat për deputet në zgjedhjet e vitit 2021 nga radhët e Partisë ‘Aleanca për Demokracinë e Re’.

Ndërkaq, Fatmir Bejo, 30 vjeç, rezulton i përfshirë në plagosjen me thikë të një personi, Mirel Ishka në shkurt të këtij viti në një lokal te “Komuna e Parisit”’ dhe në dhunimin e peng marrjen për disa orë në prill të 2023 të biznesmenit të ndërtimit, Gjergji Fela, për një borxh të pretenduar prej 25 mijë euro.

 

RAPORTIMI I  POLICISË

Ngjarja ndodhi më datë 25 gusht, ndërkohë që policia një ditë më parë ka shpallur në kërkim katër personat që u përfshinë në konfliktin fizik. Ndërkohë që në komunikatë theksohet se biznesmeni Luçiano Koçeku ka mbetur i dëmtuar për motive të dobëta.

“Në vijim të njoftimeve të dhëna më datë 26.08.2024 dhe 27.08.2024, për një konflikt fizik të ndodhur në ambientet e një kompleksi në fshatin Palasë, ju informojmë se:

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, ka vijuar veprimet hetimore për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në konfliktin e ndodhur rreth orës 02:20 të mëngjesit të datës 25.08.2024, në ambientet e një kompleksi, në fshatin Palasë.

Pas këqyrjes së kamerave dhe verifikimeve të kryera, është bërë i mundur identifikimi i 2 personave të tjerë dhe shpallja në kërkim e tyre, konkretisht e shtetasve:

Fatmir Bejo, 30 vjeç, banues në Durrës, dhe Klajdi Cerri, 32 vjeç, banues në Tiranë.

Më herët, policia ka shpallur në kërkim shtetasit Xhoni Spaho, 28 vjeç, banues në Tiranë, dhe Genti Baleci, 49 vjeç, banues në Durrës.

Gjithashtu, nga veprimet hetimore është bërë i mundur edhe identifikimi i një tjetër shtetasi, i cili ka mbetur i dëmtuar në këtë konflikt për motive të dobëta, konkretisht shtetasi, Luçiano Koçeku, që ka mbetur i plagosur dhe personi tjetër, Fatbardh Aliaj

Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, Xhoni Spaho, Genti Baleci, Fatmir Bejo, dhe Klajdi Cerri.

Përkeqësohet situata me zjarrin në Kallmet të Lezhës. Flakët po i afrohen qendrës së fshatit!

Është përkeqësuar situata me zjarrin në Kallmet në Lezhës.

 

Si pasojë e erës së fortë, flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe po i afrohen qendrës së fshatit, ndërsa ka nisur ndërhyrja nga ajri.

Zjarrfikësit kanë shkuar pranë banesave për t’i mbrojtur ato, ndërsa në ndihmë kanë ardhur edhe banorët.

Të paktën 24 vende të BE-së kanë probleme me mungesën e mësuesve – ja pse

Shumica e shteteve anëtare të BE shohin një pjesë të madhe të vendeve të lira të tyre të mësimdhënies të paplotësuara në fillim të çdo viti shkollor, shpesh për shkak të pagave të ulëta, ngarkesës së lartë të punës dhe moshës së plakur të mësuesve.

Ndërsa viti shkollor fillon në të gjithë BE-në, 24 shtete anëtare kanë probleme me mungesat e mësuesve, duke ndikuar në të nxënit e nxënësve dhe duke penguar qëllimin për të ofruar arsim cilësor për të gjithë. Suedia është raportuar si një nga vendet më të prekura, me 153,000 mësues të kualifikuar deri në vitin 2035.

Vetëm Kroacia dhe Qiproja nuk raportuan mungesë të stafit arsimor, sipas raportit të Komisionit Evropian të Edukimit dhe Trajnimit 202 , ndërsa të dhënat publike ekzistuese të Greqisë nuk e lejojnë atë të vlerësojë nëse mbulohen të gjitha nevojat ose nëse lëndë të veçanta mund të pësojnë mungesa.

Shumica e vendeve përballen me mungesë mësuesish veçanërisht në lëndët STEM dhe personel të kualifikuar në edukimin dhe kujdesin në fëmijërinë e hershme. Sindikata e Punëtorëve të Arsimit dhe Shkencës në Gjermani, GEU, ka paralajmëruar “kundër uljes së standardeve për kualifikimet pedagogjike për të kompensuar mungesën e stafit”.

Pra, pse ky problem është kaq i përhapur dhe si qëndron në të gjithë BE-në?

Profesioni i mësuesit vuan nga probleme të ndryshme jo tërheqëse, mes tyre paga e ulët, pasiguria në punë dhe ngarkesa e lartë. Gauthier Catteau ishte mësues i Gjeografisë në pjesën frëngjishtfolëse të Belgjikës. Ai filloi karrierën e tij të mësimdhënies kur ishte 22 vjeç. Kur mbushi 29 vjeç, Catteau la të qenit mësues dhe u transferua në inxhinieri. Para kësaj, ai dikur e gjeti veten duke dhënë mësim para 39 adoleshentëve.

“Unë udhëtoja tre orë për të shkuar në shkollë çdo ditë, sepse jetoj në fshat”, tha ai. “Dhe zgjodha të punoja në Bruksel sepse më dha njëfarë sigurie”. Distanca e udhëtimit, ngarkesa e madhe e punës dhe perspektivat e kufizuara të karrierës filluan të dukeshin të papajtueshme me dëshirën e tij për të krijuar një familje. Në vitin 2021, vetëm 8% e fuqisë punëtore të përgjithshme të mësimdhënies ishin më të rinj se 30 vjeç, sipas Eurostat./Euronews/