19.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Kompania me 1 punonjës që mori miliarda nga shteti për votimin elektronik

Një javë pasi departamenti amerikan i Drejtësisë vuri zyrtarisht nën akuzë kompaninë Smartmatic për shkak se i pagoi 1 milionë dollarë rryshfet kryetarit të KQZ-së në Filipine, SPAK nxitoi të niste veprimet hetimore edhe në Shqipëri. Nuk dihet nëse dy ngjarjet janë të lidhura, por me shumë gjasa hetimi kriminal në SHBA i ka dhënë kurajo edhe SPAK të nis hetimet ndaj një kompanie me pronarë amerikanë.

Kompania Smartmatic u kontraktua për herë të parë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në vitin 2021. Tenderi u shpall fillimisht në dhjetor të vitit 2020. Pastaj përmes një procesi të mbyllur me negocim të drejtëpërdrejtë, KQZ përzgjodhi si fituese për të implementuar sistemin e identifikimit dhe votimit elektronik kompanine Smartmatic kundrejt shifrës 19 milionë euro.

Dyshime për brokerim në shkelje të kontratës

Për të zbatuar kontratën, kompania Smartmatic themeloi në Shqipëri shoqërinë Smartmatic Albania. Kjo kompani ka vetëm një punonjës, që është dhe administratori i saj, një person i quajtur Frans Harm Gunnik. Kjo ka ngritur dyshime për skemë brokerimi, për shkak të pamundësisë së ngritjes së sistemit elektronik të votimeve nga një kompani që kishte vetëm një punonjës. Por dyshimet shtohen edhe më shumë nga një tjetër faktor.

Ndonëse kontrata mes KQZ dhe Smartmatic mbahet sekrete, një kërkesë zyrtare për informacion nga KRIIK ndaj KQZ-së, ka zbuluar një detaj shumë interesant. Kjo kontratë nuk lejonte nënkontraktimin në palë të treta. Pra sipas saj, kompania Smartmatic ishte e detyruar që të ngrinte vetë të gjithë sistemin si dhe teknologjinë përkatëse që do të bënte të mundur identifikimin elektronik të votuesve.

Kapitali analizoi bilancet zyrtare të Smartmatic. Të dhënat në bilancet e depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit sinjalizojnë se Smartmatic ka nënkontraktuar pjesën dërrmuese të kontratës tek palë të treta.

Në vitin e parë të operimit, atë 2021, kompania arkëtoi 8.9 milionë euro nga KQZ. Por 7.9 milionë euro i klasifikoi në zënrin e shpenzimeve të tjera. Kompania raportoi 4.7 milionë euro si shpenzime teknike për implementimin e sistemit zgjedhore dhe 2.2 milionë euro të tjera si shpenzime për shërbim IT. Kapitali ka provuar se një pjesë e madhe e këtyre shpenzimeve janë kontraktuar nga kompani në Shqipëri dhe Kosovë në kundërshtim me parashikimet kontratës.

Brokerimi i punëve publike përmes kompanive të huaja është shndërruar një nga format më të shpeshta të korrupsionit në tenderat èpublikë. Tashmë SPAK është duke hetuar dy kontrata të kompanisë Smartmatic në Shqipëri pikërisht për shkak të dyshimeve për korrupsion./Kapitali.al

Aksidentet, në janar-korrik u rritën me 39.8%, shkak sjellja e drejtuesve të mjeteve

Korriku ka regjistruar sërish një numër më të lartë aksidentesh në raport me muajin e 7 të një viti më parë ku në total u regjistruan 146 raste me një rritje 16.8 për qind.

Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave që nënvizon se këto janë të dhëna paraprake dhe ende në përditësim tregojnë se pavarësisht numrit më të lartë të aksidenteve, fataliteti i tyre ka qenë më i ulët.

“Në muajin Korrik 2024 numërohen 146 aksidente rrugore, nga të cilët 191 janë të aksidentuar (të vrarë dhe të plagosur). * (Të dhënat e publikuara janë paraprake dhe subjekt përditësimi). Gjatë këtij shtatë mujori të 2024 vdekshmëria në aksidente rrugore është 9,2 për 100 aksidente, nga 16,8 që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë”, thuhet në publikim.

Në një analizë më të detajuar për shkaktarët e aksidenteve, publikimi nënvizon se kryesisht dominon sjellja e drejtuesve të mjeteve në timon dhe në një numër më të ulët sjellja e këmbësorëve.

“Aksidentet rrugore, në 91,1% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve, në këtë periudhë, është kryer nga grup-mosha 25-34 vjeç, duke zënë 23,3% të numrit të aksidenteve gjithsej. Në muajin Korrik 2024, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur përgjatë ditës së Mërkurë me 19,2%, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur përgjatë ditës së Enjte, me 8,9%” thuhet në publikimin e INSTAT.

I njëjti vlerëson se numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur përgjatë harkut kohor 08:00-12:00, duke zënë 19,2 % të numrit të aksidenteve rrugore gjithsej.

Çfarë do të ndodhë me shëndetin tuaj nëse pini ujë kokosi çdo ditë? Njerëzit që vuajnë nga kjo sëmundje nuk duhet ta përdorin

Uji i kokosit, i cili është lëngu i pastër brenda arrës së kokosit, është i ndryshëm nga qumështi i kokosit, i cili kombinon ujin e kokosit me kokosin e grirë. Uji i kokosit ka një aromë pak të ëmbël arrat dhe është i ulët në sheqer dhe kalori.

 

Ai gjithashtu ka elektrolite si kaliumi, natriumi dhe magnezi, të cilët ndihmojnë në rimbushjen e lëndëve ushqyese të humbura. Kjo do të thotë se është mirë ta pini pas stërvitjes ose gjatë një sëmundjeje të lehtë. Ekzistojnë gjithashtu prova në studimet e fundit, megjithëse jo përfundimtare, se kur aplikohet drejtpërdrejt në lëkurën tuaj, uji i kokosit mund të ndihmojë në luftimin e akneve.

Ndihmon në uljen e presionit të gjakut

Shumica e njerëzve nuk marrin mjaftueshëm kalium nga dieta e tyre. Ky mineral ndihmon në largimin e natriumit të tepërt nga trupi juaj nëpërmjet urinës. Uji i kokosit mund të ndihmojë gjithashtu në uljen e presionit të gjakut.

Hulumtimet paraprake sugjerojnë se uji i kokosit mund të ulë presionin e gjakut tek njerëzit me presion të lartë të gjakut. Megjithatë, nëse jeni duke marrë ilaçe për presionin e gjakut, mund të jetë më mirë të shmangni ujin e kokosit pasi mund ta ulë atë shumë.

Gjithashtu këshillohet që të mos pini ujë kokosi dy javë para çdo operacioni pasi mund të ndikojë në presionin e gjakut për shkak të niveleve të larta të kaliumit që përmban.

Parandalimi i gurëve në veshka

Në SHBA, 11% e meshkujve dhe 6% e femrave kanë gurë në veshka të paktën një herë në jetën e tyre, sipas Institutit Kombëtar të Diabetit dhe Sëmundjeve Digjestive dhe Veshkave. Një studim i vitit 2018 tregoi se uji i kokosit rrit ekskretimin urinar të kaliumit, klorurit dhe citratit.

Ka shumë lloje të ndryshme gurësh. Por nëse mjeku juaj rekomandon që të merrni më shumë kalium në dietën tuaj, uji i kokosit mund të jetë i dobishëm.

Lëkurë më e shëndetshme

Uji i kokosit gjithashtu mund të ndihmojë në luftimin e akneve për shkak të vetive të tij antimikrobike. Hulumtimet tregojnë gjithashtu se pirja e ujit të kokosit mund të ndihmojë sistemin tuaj antioksidues duke neutralizuar efektet e radikalëve të lirë.

Ndihmon tretjen

Uji i kokosit zvogëlon rrezikun e refluksit të acidit dhe parandalon dispepsi. Pra, mund të pini ujë kokosi nëse shpesh përballeni me vështirësi në procesin e tretjes.

Trajton dhimbjet e kokës

Uji i kokosit është një ilaç i mrekullueshëm për dhimbjet e kokës të shkaktuara nga dehidratimi. Hidraton trupin tuaj dhe plotëson elektrolitet. Uji i kokosit përmban gjithashtu magnez, i cili është treguar se zvogëlon shpeshtësinë e sulmeve të migrenës.

Menaxhon diabetin

Sipas hulumtimeve, uji i kokosit mund të ndihmojë në kontrollin e niveleve të sheqerit në gjak. Mangani, i cili është i pranishëm në sasi të mira, mund të përmirësojë ndjeshmërinë ndaj insulinës dhe të ulë nivelet e sheqerit në gjak.

Ana negative e ujit të kokosit

Personat që vuajnë nga insuficienca renale (veshkave) nuk duhet të pinë ujë kokosi pasi është i pasur me kalium. Në dështimin e veshkave, veshka juaj mund të mos largojë kaliumin shtesë, gjë që çon në stagnim të kaliumit në trup. Prandaj, kini kujdes në lidhje me pirjen e ujit të kokosit te pacientët me dështim të veshkave. Nëse jeni shtatzënë ose ushqeni me gji, mund të jetë e këshillueshme që të konsultoheni me mjekun tuaj përpara se të konsumoni ujin e kokosit, pasi nuk ka shumë studime për efektin ftohës të ujit të kokosit në raste të tilla.

Edhe në rastet kur dikush mund t’i nënshtrohet operacionit, këshillohet që dy javë para operacionit të mos pihet ujë kokosi, pasi mund të ndikojë në rregullimin e presionit të gjakut të trupit të pacientit.

Statistikat/ Rritja e punësimit në Shqipëri është ngadalësuar në gjysmën e parë të vitit!

INSTAT ka vonuar publikimin e treguesve të punësimit për tremujorin e parë dhe të dytë 2024 që dalin nga anketa e Forcës së Punës për ti përputhur ato me rezultate reja të Censit 2023, por Banka e Shqipërisë vlerësoi se punësimi ka pësuar një rritje me ngadaltë në gjysmën e parë të vitit 2024.

 

Statistikat më të fundit të disponueshme për tremujorin e katërt të vitit 2023, dëshmojnë për një punësim të rritur me 0.6% dhe normë papunësie në nivelin 10.7%.

Në mungesë të statistikave nga Anketa e Forcave të Punës (AFP) Banka e Shqipërisë përdori të dhëna alternative për të përafruar ecurinë në tregun e punës përgjatë pjesës së parë të vitit 2024.

Sipas Bankës statistikat afatshkurtra dhe treguesit administrativë të tregut të punës flasin për rritje më të ngadaltë të punësimit, në vijim të prirjes së evidentuar edhe përgjatë vitit 2023.

Në linjë me këto trende, treguesit e vrojtimeve tregojnë se pritjet e bizneseve për punësimin janë zvogëluar gjatë tremujorit të parë, ndërkohë që situata vlerësohet e përmirësuar gjatë tremujorit të dytë të vitit aktual. Nga ana e konsumatorit, pritjet janë për norma më të ulëta të papunësisë përgjatë gjysmës së parë të vitit 2024.

Kostot e punës për njësi në tremujorin e dytë janë zgjeruar në 4.4%, nga 5.4% një tremujor më parë. Ngadalësimi i normave të rritjes është shkaktuar nga një rritje e përshpejtuar e produktivitetit të punës, e cila ka kompensuar një zgjerim më të shpejtë të pagës reale në sektorin privat, vlerësoi BSH.

Treguesi i punësimit ndoshta do të pësojë ndryshimin me të fortë nga të dhënat e reja të Cens 2023.

Popullsia në moshë pune 15-64 vjeç është reduktuar në mënyrë të ndjeshme në periudhën ndërmjet dy censeve 2011-2023 sipas të dhënave të INSTAT.

Të dhënat paraprake nga rezultatet e cens 2023 tregojnë se popullsia në moshë pune ishte 1,555,080 persona, nga 1,903,987 me rënie 18.3% në krahasim me të dhënat e cens 2011.

Rënien më të madhe të popullsisë në moshë pune e kishin grup-moshat 15 deri në 19 vjeç, të cilat pësuan tkurrje me 46.8% dhe grup-mosha 20-24 vjeç që u reduktuan me 41%.

Grup-moshat me rënie të fortë në popullsinë në moshë pune ishin 25-29 vjeç me rreth 25%, 40-44 vjeç me 25.6% dhe 45-49 vjeç me 25.4%.

Në të kundërt, popullsia në moshë pune në prag pensioni 60-64 vjeç ka shënuar rritje me 48.8% dhe grup-mosha 45-59 vjeç, rritje me 9.6%

Reduktimi i popullsisë në moshë pune do të ulë treguesit e shkallës së dembelizmit në Shqipëri dhe do të ndryshojë në mënyrë të konsiderueshme treguesit e punësimit.

Në fund të vitit 2023, ishin të punësuar zyrtarisht 1,243,085 persona në moshën 15-64 vjeç, të cilët përbëjnë 80% të popullsisë në moshë pune./Monitor

Meta dhe Maçoku Sasha, tregojnë arsyet e shpopullimit të Shqipërisë

Në një vend ku korrupsioni është bërë normë, shpopullimi i Shqipërisë nuk është më një e fshehtë.

Ndër faktorët kryesorë të këtij fenomeni është qeveria e Edi Ramës, e cila ka krijuar një sistem të kalbur, ku korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin janë në kulmin e tyre.

Ky sistem është forcuar nga vota e Ilir Metës, një figurë politike që ka luajtur një rol të madh në mbajtjen e Ramës në pushtet, qoftë në krye të LSI-së, por edhe më pas.

Pikërisht, Meta ka qenë ai që e ka mbështetur dhe forcuar qeverinë e Ramës, duke kontribuar në përkeqësimin e gjendjes ekonomike dhe sociale të vendit gjatë periudhës si kryetar Kuvendi dhe kreu i shtetit.

Në mënyrë ironike, duhet kujtuar se maçoku Sasha, sipas një interviste televizive të ish-bashkëshortes së Metës, ishte një ndër ‘bashkëpronarët’ e 12 WC-ve që ndodheshin në vilën luksoze të tyre në Gjirin e Lalëzit.

Ky detaj, megjithëse komik, tregon më së pari absurditetin dhe papërgjegjshmërinë e elitave politike në një vend ku varfëria dhe mjerimi kanë detyruar mijëra shqiptarë të largohen në kërkim të një jete më të mirë, ndërsa luksi i tyre i tejkalon limitet e imagjinatës.

Ndërkohë që populli vuan, ata që janë në pushtet vazhdojnë të përfitojnë në mënyrë të pamoralshme nga burimet e vendit, duke krijuar një ambient të pashpresë për shumicën e qytetarëve./NL

Fruta të freskëta, zarzavate të gjalla

Nga Ilir Ikonomi

Në vitet 1947-1948, kur jetonte në Boston, Fan Noli shkëmbeu disa letra me shkrimtarin e madh irlandez George Bernard Show, i cili e kishte pëlqyer mjaft studimin e tij me titull “Beethoveni dhe revolucioni francez”.

Show nuk ishte nga ata shkrimtarë që merrnin lehtë mundimin të shkruanin letra. Ai ishte fitues i Çmimit Nobel në letërsi dhe konsiderohej si dramaturgu i dytë më i madh pas Shekspirit. Ishte 92 vjeç.

Sigurisht, Noli e quante për nder të mbante korrespondencë me shkrimtarin e famshëm dhe letrat që i shkruante i fillonte me fjalët “My dear Patriarch” (Patriarku im i dashur).

Të paktën dy prej tyre kishin lidhje me ushqimin dhe dietën. Më 15 mars 1948, Noli i shkruante kështu dramaturgut:

“Ashtu si ju, unë jetoj kryesisht me fruta të freskëta dhe zarzavate të gjalla. Edhe besimtarëve u këshilloj të njëjtën gjë. E vetmja me të cilën nuk jam dakord me ju janë pijet me ngjyrë, që, për mendimin tim, bëjnë po aq dëm sa edhe ato alkoholike. Ne nuk e dimë se çfarë fusin në formulat e tyre kapitalistët e uruar për t’i bërë ato të shiten. Unë e kam hequr bukën fare dhe, në vend të saj, ha oriz të zier, grurë, misër ose patate të pjekura.

Çdo ditë ha tre vakte të lehta, por kjo nuk do të thotë që e kritikoj dietën tuaj me një vakt. Siç e thatë edhe vetë në ditëlindjen tuaj, ju jeni tani një i rritur, ndërsa unë, në krahasim me ju, nuk jam veçse një bebe 66-vjeçare.

Gjëja e parë që bëj kur ngrihem në mëngjes është të pi tre ose katër gota ujë dhe pastaj, gjatë ditës, ziej çaj me fiq të thatë ose me kajsi dhe kumbulla të thata. Meqenëse këmbët e mia janë ndoshta më të ngathta se tuajat, përpiqem t’i mbaj në formë me ushtrime çdo mëngjes, me masazh ose me ecje të përditshme. Meqenëse jemi ende të rinj, shpresoj t’ju forcohen këmbët, ndërkohë që të dy bëhemi gjithnjë e më më të pjekur në moshë”.

(Letra u gjet në Bibliotekën F. S. Noli, Boston, nën kujdesin e Znj. Neka Doko).

Rrëzohet një helikopter i ushtrisë së Bosnjës, një nga katër anëtarët e ekuipazhit pëson lëndime

Një helikopter i Forcave të Armatosura të Bosnje dhe Hercegovinës u rrëzua të mërkurën në zonën e liqenit Jabllanica, në jug të Bosnje dhe Hercegovinës, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Ministria e Punëve të Brendshme e Kantonit Hercegovinë-Neretva.

 

“Në helikopter ishin katër anëtarë të ekuipazhit. Sipas informacioneve fillestare, tre prej tyre nuk janë lënduar, ndërsa njëri ka kërkuar ndihmë mjekësore”, tha zëdhënësi Ludevit Mariq.

Sipas tij, shkaku i aksidentit nuk dihet ende, ndërsa hetimet në lidhje me të, do të rezultojnë me më shumë detaje.

Forcat e Armatosura të Bosnje dhe Hercegovinës kanë në dispozicion më shumë se 40 helikopterë, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Midis tyre janë 35 helikopterë Mi-8, që janë prodhuar më shumë se 40 vjet më parë në Bashkimin e atëhershëm Sovjetik.

Më herët është paralajmëruar se ata do të hiqen nga përdorimi, për shkak të vjetërisë dhe pamundësisë për t’i mirëmbajtur.

Në vitin 2021, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhuruan Bosnje dhe Hercegovinës katër helikopterë të rinj Bell, me vlerë rreth 35 milionë euro.

Njëri prej tyre u rrëzua dhe u dëmtua në prill të vitit 2022, gjatë një stërvitjeje./rel

Greqi, mijëra peshq të ngordhur mbulojnë sipërfaqen e detit! Ja shkaku i dyshuar

Mijëra peshq të ngordhur mbuluan sipërfaqen e detit në Volos të Greqisë. Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale mund të shihet se si mijëra peshq kanë mbuluar bregun e detit.

 

Ekspertët duke folur për mediat greke pohuan se peshqit e ngordhur ishin peshq të ujërave të ëmbla.

Sipas tyre, ngordhjet masive të peshqve që po ndodhin në rajon për rreth një javë ishin për shkak të pamundësisë së peshqve të ujërave të ëmbla të arrinin në det përmes lumenjve në rajon dhe kanë dështuar të përshtaten me ujin e kripur të detit.

Pas shpërndarjes së pamjeve në rrjetet sociale, prokuroria nisi hetim lidhur me incidentin për të përcaktuar ndotjen e ujit të detit në rajon dhe shkakun e ngordhjes së peshqve.

Shqipëria ka me mijëra individë më të aftë dhe të talentuar se sa Sali Berisha, Edi Rama dhe Ilir Meta, por…

Nga Erl Kodra

Duket se shqiptarët në përgjithësi kanë vlerësim shumë të ulët për veten e tyre, aq të ulët, sa për 32 vjet me rradhë mbajnë në shpinë të njëjtët individë. Dhe të mendosh se shumë prej tyre, nominalisht janë më të aftë dhe me cilësi më të mira intelektuale dhe njerëzore se çdonjëri prej politikanëve të lartë që kanë drejtuar vendin në demokraci.

Çështja e vet-vlerësimit në një shoqëri post-totalitare nuk është kaq e thjesht, ajo është e lidhur ngusht me të kaluarën e saj, me vuajtjet individuale dhe kolektive, me dhimbjen e përjetuar në rini nga secili individ i saj. Nervi i reagimit mpihet, duke zhvilluar shqisa të tjera që shërbejnë për mbijetesë; si sevilizmi, nënshtrimi dhe heshtja. Në shumicën e herëve këto simptoma mbërthejnë individët normal, duke qenë se ata nuk mund të përdorin forcën ose dhunën për të mbijetuar, ata e pranojnë realitetin ashtu siç është, duke iu përshtatur mjedisit. Kështu, edhe pse një individ mund të jetë i aftë dhe i talentuar, ai përsëri i nënshtrohet mjedisit – së pari ai nuk reagon, bën kompromis me të keqen, bëhet pjesë e së keqes, dhe në fund kthehet në ushtarë dhe mbështetës pa kushte i saj.

Nominalisht, në Shqipëri ka me qindra ose mijëra individë më të aftë dhe të talentuar se sa Sali Berisha, Edi Rama dhe Ilir Meta. Por fakti është se në të gjitha rastet sfiduesit e tyre nuk ia kanë dalë, ata janë tërhequr nga një mori arsyesh; por sipas meje, një ndër shkaqet kryesore ka qenë vet-vlerësimi i ulët. Është në kufinjtë e të pabesueshmes se si individë shumë të aftë, profesorë dhe doktorë shkencash, njerëz të ditur dhe përvojë të gjatë, heshtin si fija e barit, duke ia dorëzuar përjetësisht fatin e të ardhmes së tyre tre individëve. Po flas për fatin personal të tyre, për të mos shkuar më tej – për fatin e Shqipërisë.

A thua nuk ka ky vend burra më të zotët, më të mirë dhe më të zgjuar se Sali Berisha, Edi Rama dhe Ilir Meta? Çfarë gjëje speciale ka Edi Rama – një piktor i zakonshëm (për të mos thënë i dobët), Ilir Meta – një individ krejt mediokër, dhe Sali Berisha – një mjek që e ka braktisur profesionin prej 32 vitesh?! Pse duhet t’i pranojmë, dhe t’i riprovojmë akoma të njëjtët njerëz, që fjalori i tyre politik përmban jo më shumë se 100 fjalë? Çfarë mund t’i japin më shumë këtij vendi – përveç varfërisë ekstreme, hajdutërisë, krimit dhe korrupsionit? Për çfarë ishin aty ku janë – po ruanin delet, po vidhnin, apo duhej të drejtonin këtë vend me drejtësi dhe ndershmëri?

Çfarë kanë ata më shumë se sa ti – lexuesi i këtyre rradhëve – që të gëzojnë privilegje, të marrin rroga të majme, të vjedhin, të presin dhe të vrasin për 32 vite me rradhë, pa u hyrë gjemb në këmbë? Akoma duhet t’i durojmë?

Edhe sa? Edhe 30 vjet të tjera?!

Domethënë, të presim që këta tre individë (dhe të tjerë) të ikin nga kjo botë, njësoj siç pritëm të ikte Enveri? Kaq vlejmë ne? Domethënë, fati ynë të shkruhet nga këta të tre? Mirë fati ynë, por edhe i fëmijëve dhe nipërve tanë?

Kaq e kemi vet-vlerësimin.

At Zef Pllumi, françeskani që rrëfeu ferrin komunist

At Zef Pllumi lindi më 28 gusht 1924, në Malin e Rencit (Lorencit), në Shëngjin, në një familje me origjinë nga Shkreli. U pagëzua me emrin Prenkë. Në vitin 1929, në moshën 5 vjeçare, u bë nxënës i misionarit gjerman Alfons Tracki, në Velipojë. Në vitin 1931 hyri në Kolegjin Françeskan të Shkodrës, ku ndoqi të gjithë ciklin e arsimimit, deri në vitin 1944. Në vitet 1943-1944 bashkëpunoi me revistën «Hylli i Dritës» dhe u zgjodh sekretar personal i Atë Anton Harapit, aso kohe Provincial i françeskanëve në Shqipëri. Gjatë kohës që ishte dhjak, Atë Antoni e vuri të ndihmote në Arkivin Françeskan. Ishte 22 vjeç, kur më 14 dhjetor 1946, u arrestua dhe dënua me tre vjet burg. Shkak për arrestimin e tij, sikundër thotë dhe vetë, ishte sepse duke qenë sekretari personal i Provincialit, komunistët mendonin se duhej të dinte shumë dhe se nga ai mund të nxirrnin informatat e duhura. Dënim e vuajti në «Burgun e Madh» të Shkodrës dhe në kampet e Bedenit në Myzeqe dhe të Orman-Pojanit në Maliq të Korçës. Pas lirimit nga burgu u kthye në Kuvendin Françeskan.
Në vitet 1949-1951 u mor me numizmatikë, si teknik i Muzeut të Shkodrës. Në vitin 1956 u shugurua meshtar dhe, për 12 vjet shërbeu si meshtar i Dukagjinit me qendër në Shosh, për ku u nis më 14 shtator 1958, bashkë me provincialin, Atë Augustin Ashikun. Në vitin 1967 u arrestua sërish dhe për 23 vjet vuajti dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme, si në Spaç, Reps, Skrofotinë të Vlorës, Ballsh, Zejmen-Shënkoll, Tiranë.
Nga burgu u lirua më 1989. Një vit më vonë, Natën e Kërshëndellave, filloi meshtarinë në Kishën e Shna Nout në Tiranë, deri në vitin 1997. Nga viti 1993 gjer më 1997 rinxorri revisten «Hylli i Dritës». Gjatë këtyre viteve shkroi dhe botoi trilogjinë «Rrno vetëm për me tregue», vëllimet «Françeskanët e mëdhenj», «Frati i pashallarëve Bushatli, Erazmo Balneo» e «Ut heri diçebamus-siç i thonim dje». Një ndër nismat e tij më me vlerë është dhe ribotimi i kolanës së plotë të veprave të etërve françeskanë. Në vitin 2006 Presidenti i Republikës e dekoroi me Urdhërin «Nderi i Kombit». Po këtë vit iu dha edhe çmimi letrar «Penda e Artë», e akorduar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë, për trilogjinë me kujtime «Rrno vetëm për me tregue». Vdiq më 25 shtator të vitit 2007 në spitalin Gemelli në Romë, dhe u varros më 30 shtator 2007 në Shkodër.

*Marrë nga Fjalori Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist, vëllimi VI (Tiranë: ISKK, 2016).
ROBNIA E GJATË- DHUNA NË HETUESINË E DIKTATURËS

Një prej hetuesve të periudhës së komunizmit, Shqyri Çoku, është përshkruar me mjeshtëri në librin “Rrno vetëm për me tregue” nga At Zef Pllumi, duke krijuar portretin e një hetuesi të diktaturës por edhe përshkruar mekanizmat si funksionin hetuesitë dhe gjykatat e regjimit komunist, dredhitë për të marrë deklaratat e të arrestuarve, por edhe kërcënimet dhe dhunën që ushtronin në dhomat e hetuesisë. Tre fragmentet e mëposhtme janë shkëputur nga libri III “Rrno vetëm për me tregue” i At Zef Pllumit.

-fragment-

….Ditën e gjykimit më thirrën shpejt. Dola i veshun e i mathun me ato tesha të reja. Në dhomën e hetuesit ishte vetëm Shyqyri Çoku. Më foli pa u ulë në karrigë.
– Tash po del në gjyq dhe atje fol lirisht si të duesh e shka të duesh, por mendo se mbas gjyqyit prapë këtu në duert tona vjen. E kupton apo jo? A e ndigjove mbramë atë që lëshonte britma të tmerrshme? Ta bajmë ma zi se atij në rasë se i përmendë fjalimet e shokut Enver Hoxha. Na nuk durojmë ta shajsh publikisht.
– Un nuk e kam sha, por vetëm të kam tregue fjalimet e tij fjalë për fjalë. Pse i shkrueve ti në procesverbal?
– I shkrova se i the ti.
Gjatë përpilimit të procesverbalit Shyqi (Shyqyri Çoku) më kishte pyetë se si e konsiderojshem un mbylljen e kishave. Iu përgjigja se ishte veprimi ma i gabuem i Pushtetit Popullor, sepse lirinë e fesë e garantonte nji nen i veçantë i Kushtetutës, mbi të cilin ishte perpilue edhe ligji “Mbi komunitetet fetare”. Përveç kësaj në nji prej fjalimeve të Enver Hoxhës, i mbajtun në Rrëshen në vjetin 1954, thohet tekstualisht se “propaganda kapitaliste e revizioniste çirret me të madhe se në Shqipëri nuk ka liri feje, se janë mbyllur kisha e xhamija. Por kur kanë ndodhur këto në Shqipëri? – pyet Enveri. – Këto gjëra mund të ndodhin atje ndër vendet borgjeze, kapitaliste e revizioniste, por jo kurr në Republikën Popullore të Shqipërisë”.
– I kam thënë ato fjalë me të vërtetë, – iu drejtova Shyqit (Shyqyri Çokut), – por ti e ngarkove me to procesverbalin për me më ngarkue sa ma shumë.
– Me të ngarkue sa ma shumë? Ti pate fatin që të mora un, shkodranë. Ti e din fjalën e popullit që thotë: “Vllau yt mishin ta han, por kockën ta len”. E sikur t’ish kenë për ty nji hetues nga jugu? Ik, ban si të duesh e fol si të duesh, para gjykatet je i lirë, veçse përsëri ndër duer tona vjen.
Atëherë thirri me të madhe:
– Jonuz, e ke gadi tjetrin?
– Zoti hetues. Ju e keni në dorë punën; ata prokurorët e gjykatësit shkë i keni dhe mund i porositni që ta kalojnë atë faqe të procesverbalit e mos të më pyesin aty.
– Jo, more jo, na nuk i porosisim ata, por vetëm të themi ty se të duem të mirën.
Jonuzi pruni Dom Nikollë Mazrekun duerlidhun. Ja hoq prangat e me ta na lidhën bashkë të dyve.
**
Te dera pritshin hetuesat Shyqyri Çoku e Dhimitër Shkodrani. Na shoqnuen deri te “kafazi i të pandehurve”. Kisha ishte plot e përmajë me njerëz. Te vendi i elterit kishin ba nji podium për trupin gjykues. Mbrapa podiumit, nalt, ishte shkrue me shkronja tepër të mëdha: “Drejtësia në shërbim të popullit”. Ndërsa pritej trupi gjykues, Shyqi (Shyqyri Çoku) më tha:
– Bukur ka dalë ky sallon i rinisë.
Iu përgjigja se arkitekt i kësaj kishe ishte kenë Fishta.
– E vetmja gja që i mungon asht ngrofja.
– Ditë kaq të ftohta janë të rralla.
– Sot asht 7 gradë nën zero, – tha Shyqi (Shyqyri Çoku).
**
Ndërsa ishem ndër këto mendime, mes asaj zhurme popullore, më preku në sup Shyqyri Çoki dhe më tha:
– Zef, motra jote asht aty, në bankën e parë. Don ta shikojsh?
– Sigurisht që po!
Në bankën e parë ishte ulun nji grue zadrimore, nji nuse; përkrah kishte burrin e vet. Shyqi (Shyqyri Çoku) shkoi dhe foli me te. Ktheu dhe më tha:
– A asht motra jote ajo?
– Jo, nuk e njof.
– Nuk e njef?
Në ças u veprue: gruen dhe burrin e saj e nxuerën nga salla. Shifej mirë se publiku aty ishte me ftesa.
***
Shyqyri Çoku më tha: – Ti nuk ke punë me te as me të tjerët që do të flasin.
Ndërkaq të tjerët mbas tij, kund gjashtë persona, kërkuen dënimin tim me vdekje. Në të vërtetë, kur e kërkojshin ata, më dukej mjaft i largtë. Të gjithë flitshin me letra në dorë, sikur t’ishin shkrue dikund njeti. Dikur u paraqit nji grue që punonte në spital e kishte ardhë me bluzën e saj të bardhë. Tha se kishte ndigjue nga altoparlantat e radios lokale se këta priftën këtu thane se feja nuk asht kundra shkencës. Si asht e mundun që t’i thotë këto fjalë, mbasi këta vetë, kur janë të sëmundë, vijnë në spital te ne dhe kërkojnë ndihmën e ilaçeve dhe jo të fesë, tha ajo.

(Fragment nga vëllimi III)