34.5 C
Tirana
E premte, 4 Korrik, 2025

Marçel Hila: Napoleoni u tregua revolucionar pa dashjen e tij

Nga Marçel Hila

(Shkrimi i fundit para zgjedhjeve)
1.
Fjalët e këtij titulli, lexuesi, nëse është pak në moshë, por edhe ai që është i pasionuar pas letërsisë, do t’i gjejë tek libri i Viktori Hygoi “Të mjerët”. Gjeniu i letërsisë franceze i thotë për gjeniun bashkëkombës të tij, Bonapartin, që nuk ishte aspak revolucionar, por një makut i pangopur për toka e pushtet, me ide gjeniale e me sjellje prej tirani. Siç thotë sot një mendimtar modern, vetëm Dostojevskij mund të paralajmëronte ardhjen e Putinit e t’ia shpjegonte botës natyrën e tij, kështu edhe Hygoi diti ta analizonte gjeneralin korsikan sypatrembur, që nuk e merrte gjumi derisa ta bënte krejt Evropën të vetën. E kishte fjalën për topat dhe shpatat e ushtarëve të tij. Meqë ishte tamahqar i madh, donte të kishte nën sundim të gjithë kontinentin, nga Spanja në Urale, e meqë nuk duronte asnjë pushtet rival, i hyri në hy e në shkop krejt oborreve mbretërore e ua lehtësoi punën ndryshimeve që po përgatiteshin në atë kohë. Këtë e thotë Hygoi. Nëse ato pushtete mbretërore e perandorake do të kishin mbetur të paprekura, vala goditëse e re që po përgatitej ngadalë, nga ndryshimet në mendimin dhe revolucionin industrial, nuk do t’i bënte asgjë atyre. Ata do të rezistonin edhe për një kohë tjetër të gjatë. I pamëshirshmi Napoleon i shembi e i rrënoi ato mbretëritë e kalbura, plot imoralitete e shthurje, me padrejtësi e shtypje. Pa dashjen e tij, sepse qe i yshtur vetëm nga lakmia e nga babëzia, e jo nga dëshira për drejtësi, hodhi për tokë atë strukturë gjigande shtetërore multiforme që e kishte ngritur ngadalë e për shekuj koha në Kontinentin Evropë dhe përgatiti terrenin për demokratizim.
Ja tani tek kuptimi i krahasimit. Nuk e kam fjalën tek Lul brava! Se mos mendon kush se dua ta krahasoj me Napoleonin!? Jo, jo, mos kini frikë, se nuk shkoj deri aty. Prite Zot! Nëse unë do ta përmendja atë për ta krahasuar me Napoleonin, do të më vinin teneqen! Do të damkosesha si skizofren, i lënë nga mendtë e çfarë të donin ata. E meritoj. Do të vërshonin nga të gjitha anët tallje e përqeshje për mua e për Lul besëprerin. Por jo, forca goditëse nuk është gjuajta e Lulit, por makutëria, si e Napoleonit, e disa servilëve dashakëqij, e interesaxhinjve të paskrupullt, që ikën dhe e shitën Lul tradhtarin. Në fillim i iku krejt grupi parlamentar. Dëgjuan joshjet dhe thirrjet e Tunduesit të madh. Ai u premtoi atyre se do t’i fuste në listat. “Ikni, ejani këndej, tek unë, jam shumica, jam i fuqishmi. Ju garantoj mandatin. Ai është i dobët, nuk e ndjek askush, i kanë ikur shumë, nuk ka fuqi”. Filluan edhe talljet, përçmimet. Shumë i besuan tunduesit, edhe të mirë, edhe zotërinj. Versucher gjermanisht, ai që nuk epet kurrë, ka gjithmonë një forcë të veten, karizëm joshëse, tundues. Libri i Zbulesës tek kapitulli 12, thotë: “Atëherë u duk një shenjë në qiell: një dragua i madh, i kuq, me shtatë koka e dhjetë brirë e në kokë kishte shtatë diadema. Bishti i dragoit mori me vete një të tretën e yjeve të qiellit e i rrëzoi për tokë!”. Ranë të tjerë, i besuan premtimit se do të përfitonin. Forca joshëse ua hoqi tepelekun. Pastaj u tunduan edhe ca peshq të vegjël, në orët e fundit. Jo për ideal, jooo, por vetëm me shpresën në fitoren e madhe, madhështore, gjigande: se mos do të marrin ndonjë kockë. “Puna është që legjenda ta marrë vesh këtë ardhje tonën e ta mbajë shënim kontributin në rrënimin e Lul besëprerit!”. Ata, plot hare të shpifur, shkuan të jepnin shfaqjen e besnikërisë, si Tango e fundit në Paris, personazhet e tipit të Agron Gjekmarkajt e Gaz B. E dinë se sapo të arrihet triumfi, strategu i madh, dragoi, do t’i emërojë drejtorë, shefa, administratorë, ambasadorë, e kështu me radhë. Në vartësi të kontributeve: sa dhanë në rrënimin e Lul tradhtarit. Do të analizohen të gjithë, një e për nga një, siç u bë me Joridën, që ia mati hezitimin e ia vështirësoi vendosjen në listat. Kështu edhe këta. Do të ketë edhe prej atyre që do t’i caktojë në detyrën shumë fisnike për momentin: likuidatorë të SKAPIT. Punë të mira, me rroga të majme. Garantojnë të ardhura për familjet e tyre. Këto ëndrra janë si fantazmat e ciklit të gravurave të piktorit të famshëm spanjoll Francisko Gojës. Këto shpirtra të këqij i kanë sulmuar. Janë demonët e tundimit, të shoqëruar edhe nga djajtë e interesave që u gumëzhijnë në veshët, i lanë pa gjumë orëve të vona të netëve ëndërrimtare. I sulmojnë në klube, në rrugë, në makinat, në diskutimet. Ah sa forcë kanë këto ide që u bubullojnë në kokat e tyret, të amplifikuara nga premtimet e që i përforcon joshja e dragoit. Forcë tronditëse, si tërmeti. E ata ikën, shkuan, u larguan, si ai djali Plëngprishës që iku vetë, si ai i pasuri që u largua vullnetarisht. Askush nuk i përzuri. Ikën me shpresën që të shtyjnë ditët e jetës në mirëqenie e luks, duke shpresuar për një rrogë të mirë, në një zyrë me pak pushtet. Ikën. Tundimi që vinte nga të mirat e kësaj bote, përzier me dëshirat për rëndësi personale, në sintoni, prodhojnë jone tingujsh e fjalësh në zemër. E ata, si personazhi i librit të Xhek Londnit “Kushtrimi i të parëve”, luftuan disi me veten, bënë hesapet, përjetuan një farë krize, por thirrjeve premtuese të Legjendës e llogarive se ku mund të përfitonin e sa mund të shtinin në dorë, iu përgjigjën pozitivisht. Shkurt, Lul brava, Luli i shitur, Lul besëpreri nuk kishte asgjë t’u ofronte. Elektorati i kishte ikur i gjithi. I ka mbetur vetëm një për qind. “Pasi i ikën kokrrat e mëdha të deputetëve, nuk ia vlen të shpresojmë tek ai!”. U burra, yxhym, i shkuan peshqesh në dorë Bablokut, që po i priste për së largu. Nuk u ka bërë diskutime të holla filozofie e kulture, por premtime llokmash e pushteti. Ai e di se sa vlejnë e ua di dobësitë. Ua këndoi këngën që ai di më mirë ta këndojë e që e di se veshi e tyre e pëlqen shumë. U premtoi shumë. E si çifutëve në shkretëtirë që po vuanin e që Zoti u premtoi një tokë ku rrjedh qumësht e mjaltë, edhe këta, tani, vite pa pushtet, pa rroga, pa përfitime, kanë nevojë për këto. Ai ua di hallet. Ja pra thirrja: “ejani tek unë!”. U nisën turravrap aty ku rrjedh ky qumësht e kjo mjaltë. E mbërritën në vendin e mrekullive, si Alice në Ëonderland. Filluan të lëpijnë deklaratat e tyre të mëparshme. Të mohojnë atë që kishin thënë e të bënin llogaritë në realitetin e ri që do të shpërfaqej pas pak. Disa i kishin bërë gabim hesapet. Të tjerët u treguan më të shkathët. Zunë vendet e para. Çfarë peshe do të ketë i mbërrituri i orëve të parafundit Kreshnik Çollaku, më besniku? “Erdhe vonë, duhej të kishe mbërritur më herët. Ik në listë të hapur, rropatu aty!” Po Jorida, që po na shurdhojnë në telefon vajzat delikat e feminile me pyetjet e sondazhit se a do ta votonim? “Gocë Tirone, pse të mos e votoni?” – gjuante ëmbël fjalët folësja e edukuar që shpresonte të merrte një aprovim nga unë. Interesi, ja forca goditëse, që kreu pastrimin e madh të partisë Koalicioni Euroatlantik. Nëse Napoleoni shembi oborret mbretërore, këtu tek ne, lakmitë e makutëritë e pastruan deri në fund anëtarësinë e partisë sonë. Të shihnit mbrëmë atë pak elektorat që mori pjesë në mitingun përmbyllës! Një arenë e mbushur deri ku nuk shkon më, me po kaq njerëz jashtë, që po festonin. Fitoren???? Jooo!!!! Fitore feston vetëm Aleanca për Shqipërinë Madhështore. Ne po festonim gëzimin se ishim të pastruar, pas shumë kohësh dhune, fyerjesh, ironie, poshtërimesh, sulmesh për marrje të selisë, pazarlleqesh, ndarjesh, akuzash, intrigash, helmesh e përçarjesh, ishin të lirë. Pazarxhinjtë kishin ikur të gjithë. Aty ishin vetëm ata që e dinë se nuk marrin asgjë, se nuk janë aty për poste deputetësh, ministrash, vende pune. Ishim të gëzuar se fusha është e çliruar, pa besprerë e pa të shitur. Një lajm i pashprehur ishte ky: jemi këta që jemi, jemi pak, por jemi pa ata që na shesin e na blejnë, pa ata që bëjnë pazarllëk, pa ata që na vënë në peshore, pa ata që na shtrydhin, na matin, që me syrin kontrollues zhbirojnë se çfarë mund të marrin e sa mund të përfitojnë. Ishin pa ata që bënin be e rrufe se kurrë nuk do të bëheshin deputetet e Sali Berishës, por i shkuan në prehër, t’i shiteshin. Pornografia, fjalë që vjen nga greqishtja e vjetër por-neam = shitem, jam në treg. Ishim pa këta, pa atë që si Karrocieri i madh tek Libri i Pinokut, blinte fëmijët e këqij e i përdorte për synimet e tija. Shkurt fare, ishim të paktë, por me shumë dinjitet. Me të vërtetë, një fitore e madhe. Ajo bërthame vogël është e fortë dhe e shëndoshë. Ky është kumti. Kjo ishte arsyeja e festës dhe e gëzimit. Tani mund të fillojë pjesa e dytë e zhvillimit të ngjarjeve, fuqizimi i Partisë dhe përgatitja e saj si alternativë qeverisëse. Kjo pas pak.

2.

Për ata që kanë pak moshë, si puna e ime, jam 63, e mbajnë mend se në rininë tonë, të kohës së komunizmit, ishte ide sunduese ajo që familjet e mira, ato që u bënë viktima të komunizmit, ato që nxorën njerëz plot dinjitet e vlera, ato ishin pika referimi dhe modele qëndrese. Ato i dëshironim si miq shtëpie, si miq kur i takonim. Ata u kujdesën për formimin tonë, ata krijuan një atmosferë jete, shpirti, shprese, ata mësuan që kurrë të mos aderonim me komunistët, kurrë të mos u besonim atyre, kurrë të mos kishim as më të voglin iluzion në qëllimet e tyre. Edhe pinjojtë që nxorën këto familje, i pamë me nderim të madh. Ishte një inerci respekti, një zgjatim konsiderate, një vazhdimësi besimi.
Por nuk ka më tmerr kur merr vesh se këta, që e dinë se e kanë një farë reputacioni, jo nga vetja e tyre, por nga emri i mirë i dikurshëm i familjeve të tyre, këta, kur e dinë se kanë pak kapital opinioni, si dikush që ka kursime në bankë, këta po e shpërdorojnë këtë pasuri që ua kanë siguruar të tjerët, ata që ishin modeli i qëndresës gjatë kohës së komunizmit. Fatkeqësia më e madhe është se pikërisht këta – fatkeqësisht e çuditërisht – u bënë karikaturat e kësaj rezistencës së familjeve të tyre, e sot, të mbushur me mllefe e me inate, i hipën kalit të revoltës të rrëzonin në fillim Partinë Demokratike duke krijuar parti që ta copëtonin e pastaj duke anatemuar e sulmuar këdo që bën sot si ata. Ata dolën nga një anonimat i fortë dhe e vetmja cilësi që kanë, është se iu turrën asaj force politike që i bëri të njohur, ndërsa sot po i bën të turpëruar. Sa mirë që zgjodhën atë rrugë që u dha pushtet e pastaj të zgërlaqen në një pellg turpi. Ja se çfarë thotë përsëri Viktor Hugoi për aristokracinë angleze: le ta falënderojmë e le ta varrosim, ndërsa ne po i themi, po falënderojmë paraardhësit tuaj dhe ju po ju lëmë lamtumirën, juve, zgjatimi i atyre familjeve që abuzuat me emrin e tyre.

3

Këta makutët tanë, që kryen në partinë tonë rolin e Napoleonit, janë të gjithë personazhe si ata të librit të gjeniut të filozofisë ruse, Nikolaj Berdiajev, “Shpirtrat e revolucionit Rus”, askush prej tyre nuk bën një figurë të plotë, askush nuk ngrihet në stadin e një personaliteti bindës, por janë sa merhumë aq edhe agresivë, gjysmë figura, me tipare të deformuara, të pushtuar nga demonët e urrejtjes – thotë Bediajev – e të veseve. Ja pse në këtë rast, për interesat e vogla të tyret dhe nga shpiti tregtar që kanë në brendësi, ngritën krye, u rebeluan, ikën dhe fatmirësisht kryen atë funksion që asnjë udhëheqës nuk do të mund ta bënte: pastruan partinë, pa dashjen e tyre u treguan mirëbërës. Gjë që kurrë nuk do ta bënte Lul brava. Ikën e liruan fushën e betejës. Pamja e mbrëmshme nuk lë pikë dyshimi: interesaxhinjtë ia kanë mbathur. Kanë mbetur vetëm ta që e dinë se nuk fitojnë asgjë, por nuk shiten.
Tani po pritet fitorja e Aleancës për Shqipërinë Madhështore, ku Gaz Bardhi, që betohej për besnikëri e sakrificë deri në humbje të mandatit, shkon dhe i bën fresk Saliut, ku Agron Gjekmarkaj bën po këtë gjë, ku Gon Duka i krimit bën thirrje të votohet dhunuesi i tij, ku Ilir Metaj, kryeministri terrorist e hajdut, ai që në vitin 2000 i tha Saliut në Tropojë spurdhjak, ka mbetur në dorë të tij e pritet ta nxjerrë nga burgu. Kuku e medet. Jemi si te filmi “Përrallë nga e kaluara”, ku një grua e fshatit, duke marrë vesh për bëmat e familjes së dhëndrit katërmbëdhjetëvjeçar Gjinos, thotë: “oh sa u gajasëm!”.

4.

Jo më larg se sot, një mik i imi m‘u lut që të mos shkruaja më këso shkrimesh, sepse po dekurajoja demokratët që të mos votojnë madhështorët, domethënë Monikën e Ilirin, Belerin e Dulen, Gon Duken e Kujtim Gjuzin, e nuk po ju mërzis duke i vënë në rresht si ushtarët kur zgjohen në mëngjes në fjetore.
I thashë se këtë nuk mund ta bëj, por nëse shkrimi i im i trazon dhe i vë në krizë, e kanë një mundësi të artë: të votojnë Koalicionin Euroatlantik, si e vetmja forcë e djathtë, konservatore, evropiane.

5

Dhe pak pa e mbyllur. Pat thënë dikush: “bijtë e territ janë më të shkathët se bijtë e dritës!”. Të majtët, ish-komunistët, kriminelët ateistë e të pashpirt, e kuptuan se kur erdhi era e ndryshimeve nuk do të kishin shpëtim në komunizmin e tyre dogmatik ku kaluan gjithë jetën dhe vendosën ta ndryshojnë kursin. Përqafuan menjëherë idetë e pluralizmit politik, fryt të përpjekjeve të politikës moderne evropiane. Sot ata janë tërhequr plotësisht nga qëndrimet e etërve të tyre që luftuan për ateizmin shtetëror, për pengimin e lirisë së lëvizjes duke vënë klon e duke vrarë njerëz në kufi, për mos lejimin e pluralizmit politik me burgosje poltike, për ndalimin e besimit dhe të pronës private, për kontrollin e ideve dhe të kulturës, për … një botë me krime e çmenduri. Janë tërhequr plotësisht. I kanë mohuar të gjitha pikat e dikurshme të programit të tyre revolucionar. Ata erdhën tek ne, nuk shkuam ne tek ata. Bijtë e territ, pragmatistë dhe oportunistë, u treguan shumë të shkathët. U treguan finokë. Ne duam t’ua marrim pushtetin atyre me votë të lirë. Por a jemi gati? Aleanca Për Shqipërinë Madhështore do ta kryejë këtë patjetër me votim të lirë, por me një ekip super të vjetruar, me një amalgamë të neveritshme, me një konglomerat partish pa forcë e pa karizëm, me një kakofoni konceptimesh. Ndërsa bijtë e territ po shkojnë bashkë, të pandarë e shumë të konsoliduar. Duhej zgjedhur tjetër strategji. Kjo nuk është beteja e të djathtëve kundër të majtëve, se nuk ka më programe të majta e të djathta, por beteja e bijve të dritës më bijtë e territ. Por a është e djathta e jonë në tërësi e përbërë nga bijtë e dritës? Në fillim të pluralizmit tonë modern politik patjetër që ishte, për sa kohë ishin shtyllat e vlerave të thirrur në drejtim, por kur puna ka përfunduar tek Beleri, Elvis Roshi, Dule e Kujtim Gjuzi, është për të qarë e për qeshur. Ja pra se bijtë e territ janë të shkathët. E kapën kohën dhe e interpretuan shumë mirë. I ka rënë vetëm halli se u duhet t’i nxjerrin jashtë radhëve të tyre ata që u rrezikojnë votat, se janë kapur në hajni e këtë kanë hall ta zgjidhin, por për tjetër nuk e kanë problem. Ne e dimë se u treguan më finokë dhe duam t’ia marrim, jo ne të djathtët, sepse ata në program janë po kaq të djathtë sa ne, por ata, vazhduesit biologjikë të komunizmit shqiptar, ditën t’i hyjnë në zemër Perëndimit, t’i ulen në gjunjë Melonit e t’ia puthin asaj publikisht faqen pa ndrojtje para gjithë botës, t’i puthin dorën Makronit. Thjesht për t’i bërë hyzmet karriges së tyre. Ndërsa ne, bijtë e dritës, mbajmë për karshillëk ndaj Perëndimit në lojë Nongratën dhe mashtrojmë veten se me të do të fitojmë shumë, do të fitojmë thellë, do të fitojmë në mënyrë të tillë që nuk është parë ndonjëherë. Nuk i puthim faqen askujt dhe nuk i ulemi në gjunjë askujt, por marrim selinë tonë me dhunë, dhe nevojës jetike për ndryshim, i përgjigjemi me po të njëjtat figura të konsumuara e që ndryshken çdo ditë, me Tritan Shehun dhe Ed Palokën, që nuk premtojnë asgjë e nuk garantojnë asgjë, por që demotivojnë e krijojnë neveri. O ju bijtë e dritës, me këta njerëz pretendoni fitoren kundër bijve të territ, që janë zgjuar shumë kohë para jush nga gjumi?

4

Ja tani te argumenti që më pëlqen aq shumë: 1 për qindshi. Ai do të jetë baza, bërthama e një të djathte të re, premtuese, shpresëdhënëse, sapo të mbarojnë këto zgjedhje.
Ka mundësi që Aleanca e Madhështorëve të fitojë. Ka gjithçka në dorë, edhe situatën e brendshme edhe atë ndërkombëtare. Por nëse kjo fitore nuk vjen, nëse nuk do të rezultojë, nuk i kemi ne të Lul Bravës asnjë faj, ne të Lul besëprerit e tradhtarit. Nuk na rendon në ndërgjegje asgjë. Vetëm një shërbim u bëjmë atyre që mund t’i kenë mbetur pak mend në kokë: një mësim që ta shohin realitetin ashtu si është dhe jo me sytë e dëshirave të tyre. Një filozof modern thotë se politikani i vërtetë e sheh situatën me sy të kthjellët e jo me syzet e dëshirave të tij. Ai që përdor këta, është i destinuar të dështojë.
5
Ja pra përgjigja për mikun që kërkon që të mos shkruaj: nëse është kështu, nëse ju mbushet mendja se jeni gabim, votoni Koalicionin Euroatlantik dhe votat nuk shkojnë dëm. Vijnë në drejtimin dhe në thesin e duhur.
Rruga e Madhështorëve është si rruga e lodhshëm dhe e mundimshme e dikurshme, që Magelani e bëri të braktisej e të ndryshonte. Ai i dha njerëzimit një rrugë tjetër, atë të perëndimit, të Amerikës, rrugën e drejtimit nga Oqeani Atlantik. Edhe këtë radhë ne kemi zgjedhur këtë rrugë: Euro Atlantikën që të mbërrijmë qëllimet më të mira për vendin tonë.
I ftoj të gjithë sa më lexojnë të votojnë për Koalicionin tonë Euroatlantik dhe ta bëjnë sa më shumë share këtë shkrim.

UNICEF kritikon planet për marrjen nën kontroll të shpërndarjes së ndihmave humanitare në Gazë!

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) ka kritikuar të premten planet për marrjen nën kontroll të shpërndarjes së ndihmave humanitare në Gazë – të cilat u propozuan të enjten nga Izraeli dhe nga Shtetet e Bashkuara – duke thënë se këto plane do t’i shtojnë vuajtjet e fëmijëve dhe familjeve.

Screenshot_22

Departamenti amerikan i Shtetit më herët propozoi një zgjidhje që do të lejonte dërgimin e ndihmave ushqimore në Gazë.

Një propozim po qarkullon në mesin e organizatave humanitare për krijimin e një Fondacioni Humanitar për Gazën, i cili do të shpërndante ushqime nga katër “Pika të Sigurta të Shpërndarjes”.

Ky u ngjan planeve të shpallura nga Izraeli më herët gjatë javës, për të cilat u tha se do ta përkeqësonin zhvendosjen e popullsisë në Gazë.

“Duket se plani i paraqitur nga Izraeli për komunitetin humanitar do t’i rrisë vuajtjet e vazhdueshme të fëmijëve dhe familjeve në Rripin e Gazës”, tha zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder.

Elder shtoi se komentet e tij vlejnë edhe për fondacionin e ri, të cilin e kupton si pjesë të së njëjtës strategji të gjerë.
Komuniteti humanitar tashmë ka refuzuar çdo plan që i jep pushtetit okupues, Izraelit, rol në shpërndarjen e ndihmave në Gazë.

Megjithatë, dokumenti i Fondacionit thotë se pikat e shpërndarjes do të jenë “neutrale” dhe ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, tha të premten se Izraeli nuk do të përfshihet në dorëzimin e ndihmës.

Sidoqoftë, Elder tha se përdorimi i këtyre pikave, të cilat parashikohet të shërbejnë fillimisht për 300.000 persona secila, do të krijonte rreziqe për fëmijët dhe familjet që shkojnë të marrin ndihma, dhe do të nxisnin zhvendosje të mëtejshme.

“Përdorimi i ndihmës humanitare si një ‘kurth’ për të detyruar zhvendosjen, veçanërisht nga veriu drejt jugut, do të krijojë këtë zgjedhje të pamundur: një zgjedhje mes zhvendosjes dhe vdekjes”, tha Elder, i cili ka marrë pjesë në disa misione në Gazë që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit, 19 muaj më parë.

Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE.

Ai bëri thirrje që Izraeli të heqë bllokadën tashmë dymujore ndaj hyrjes së ndihmave në enklavë, e cila po shkakton uri të përhapur dhe shqetësime për një rritje të vdekjeve nga kequshqyerja.

“Ka një alternativë të thjeshtë – hiqni bllokadën, lejoni ndihmën humanitare të hyjë për të shpëtuar jetë”, tha ai./REL/

Kandidati i KEA, Prel Dedaj: Një thirrje po ju bëj nga zemra: MË VOTONI!

Nga Prel Dedaj/Kanditat i Koalicionit Euroatlantik Qarku Lezhe


Një thirrje po ju bëj nga zemra:
MË VOTONI !
Vendosni me fuqinë që mbart gjykimi juaj, fuqinë e sovranit.

Nuk ka gjë më të fuqishme se vullneti juaj, e kur ai nuk ushtrohet, është njëlloj sikur ai vullnet të mos ekzistojë…

Sot shoqëria jonë përballet me probleme të shumta, të cilat janë krijuar nga keqqeverisja e atyre që ju keni punësuar për të administruar ekonominë dhe jetën e shoqërisë shqiptare.

Ku kemi arritur?

-Ju të gjithë thoni se pensionet janë të vogla. Skema se si funksionon sistemi ndan lëmoshë dhe jo pension, qëllimisht, dhe thjesht zgjat varfërinë.

Ju doni ta ndryshoni atë skemë por ata që kemi mbi krye, nuk e ndryshojnë. Atëherë ju duhet të ndryshoni ATA.

-Ju nuk e besoni kujdesin shëndetësor.

Ju kujtohet pandemia e COVID19.

Personi që kishte marrë buxhetin për shëndetësinë, dhjetra milion euro, Vilma Nushi e CHECK UP-it, kur u sëmur, mori avion çarter -ambulancë dhe u kurua jashtë vendit.

Ju doni ta shëmbni këtë skemë vjedhjeje të hapur, por ata që e kanë ngritur, nuk pranojnë ta zhbëjnë.

Atëherë ju duhet të rrëzoni ata që e mbajnë në këmbë këtë sistem.

-Ju nuk e besoni drejtësinë, e cila nuk është e drejtë.

Por ata nuk pranojnë ta ndryshojnë! Atëherë,

Ju duhet të ndryshoni ata!

-Ju nuk jeni dakort me arsimin që bëjnë sot fëmijët tuaj, madje ka që nuk janë dakort as me emrin e shkollës ku mësojnë fëmijët juaj, por ATA nuk e ndryshojnë gjendjen që vetë kanë krijuar.

Atëherë, ju duhet t’i ndryshoni ata!

-Ju doni ujë, drita dhe infrastrukturë por ATA i çojnë lekët tek konçensionet korruptive, më të shtrenjta të botës.

Kur ju nuk arrini t’i keni këto të drejta, lufta bëhet me atë që i pamundëson ato, ndaj pamëshirshëm duhet t’i luftoni ata!

-Ju të dashur bashkëvuajtës nga persekutimi komunist, e kërkoni Statusin e të Përndjekurit Politik, si një instrumet ligjor që ju garanton rehabilitim dhe dinjitet, por ATA nuk ua japin atë.

Atëherë hiqini JU ATA!

-Ju prindër që nuk e keni ndjerë aromëm e mbesës e të nipit, pasi fëmijët tuaj jetojnë pa dokumenta në Perendim, ju doni ta shijoni këtë pjesë të jetës pranë tyre. Por ata që e kanë në dorë, ta bëjnë këtë vend të jetueshëm, janë pikërisht ata që i kanë detyruar fëmijët tuaj të ikin. Atëherë bëjini ju të ikin shkaktarët, të ikin ATA.

-Juve nuk u shërben pushteti lokal. Është thjesht shtojcë e pushtetit qëndror që nuk i shërben popullit, por pushtetit. ATA nuk pranojnë të shërbejnë!

Ndryshojini ju ATA!

Po si t’i ndryshojmë ?-mund të pyesë ndonjëri.

Po i përgjigjem me një thënie të Abraham Lincoln, njërit nga baballarët e kombit, ku zgjedhja dhe fati im, më bënë të jem pjesë: “Kur qeveria vepron kundër popullit, lufta e popullit për ta rrëzuar ME ÇDO MJET, kthehet një detyrë e shenjtë!!!”

Ne nuk po themi akoma fjalën “me çdo mjet”.

VOTA, të dashur vëllezër e motra, është mjeti më magjik që mundëson të pamundurën.

Nëse ju doni të dëgjoheni, duhet të votoni ata që kanë zërin tuaj.

Nëse doni që vetë ju të vendosni, jepuni mundësinë me votën tuaj, atyre që mbrojnë besnikërisht interesat tuaja.

Kurrësesi atyre që janë provuar e sprovuar.

“Të priturit e rezultateve të ndryshme, duke bërë të njëjtën gjë, është element i rrezikshëm.

Gjithë sa thashë ka një arësye:

Sovrani, nuk është vetëm ai që ankohet, Sovrani është Ai që vendos!

Nëse doni që Shqipëria të jetë shtëpia jone dhe jo vendi nga i cili ikim, atëherë duhet të sillemi si pronarë të saj.

Ju lutem vlerësoni peshën e votës suaj.

Votoni me bindjen tuaj të brendshme.

Votoni ndryshimin.

Votoni, që ata që zgjidhni të mos jenë kurrë më ATA, por të jenë vetë JU

Krimet zgjedhore në Shqipëri! Prokuroria e Përgjithshme: Deri më tani janë regjistruar 54 kallëzime penale!

Prokuroria e Përgjithshme ka publikuar bilancin e kallëzimeve penale lidhur me krimet zgjedhore.

 

Përmes një njoftimi zyrtar Prokuroria e Përgjithshme bën me dije se deri në datën 09.05.2025, në lidhje me veprat penale në fushën e zgjedhjeve janë regjistruar gjithsej 54 kallëzime penale.

Burim i njoftimit të veprave penale për kallëzimet e mësipërme kanë qënë, Policia e Shtetit në 27 raste, SPAK në 9 raste, subjekte politike në 7 raste, kryesisht në 9 raste dhe shtetas në 2 raste.

Kallëzimet e mësipërme janë regjistruar 5 në Prokurorinë Fier, 3 në Prokurorinë Sarandë, 3 në Prokurorinë Durrës, 14 në Prokurorinë Tiranë, 2 në Prokurorinë Gjirokastër, 3 në Prokurorinë Kukës, 5 në Prokurorinë Lezhë, 9 në Prokurorinë Dibër, 2 në Prokurorinë Vlorë, 1 në Prokurorinë Korçë, 2 në Prokurorinë Shkodër dhe 5 në Prokurorinë Elbasan.

Njoftimi i plotë

Informacion i përditësuar mbi numrin e kallëzimeve dhe procedimeve penale të regjistruara në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm në lidhje me veprat penale në fushën e zgjedhjeve.

Prokuroritë pranë gjykatës së shkallës së parë me juridiksion të përgjithshëm, deri në datën 09.05.2025, në lidhje me veprat penale në fushën e zgjedhjeve, kanë raportuar si me poshtë:

• Janë regjistruar gjithësej 54 kallëzime penale për veprat penale të parashikuara nga nenet 325, 326/a, 327, 328, 328/a, 328/b, 329, 329/a, 331/a dhe 332/a të Kodit Penal.

• Burim i njoftimit të veprave penale për kallëzimet e mësipërme kanë qënë, Policia e Shtetit në 27 raste, SPAK në 9 raste, subjekte politike në 7 raste, kryesisht në 9 raste dhe shtetas në 2 raste.

• Kallëzimet e mësipërme janë regjistruar 5 në Prokurorinë Fier, 3 në Prokurorinë Sarandë, 3 në Prokurorinë Durrës, 14 në Prokurorinë Tiranë, 2 në Prokurorinë Gjirokastër, 3 në Prokurorinë Kukës, 5 në Prokurorinë Lezhë, 9 në Prokurorinë Dibër, 2 në Prokurorinë Vlorë, 1 në Prokurorinë Korçë, 2 në Prokurorinë Shkodër dhe 5 në Prokurorinë Elbasan.

• Nga kallëzimet e mësipërme janë regjistruar gjithësej 23 procedime penale për veprat penale të parashikuara nga nenet 325, 326/a, 327, 328/a, 328/b, 329, 329/a, 331/a dhe 332/a të Kodit Penal.

• Procedimet penale janë regjistruar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier gjithesej 5 procedime, 2 procedime për veprën penale të parashikuar nga neni 325 i Kodit Penal, 1 procedim për nenin 328/a të Kodit Penal, 1 procedim për nenin 328/a, paragrafi 4 i Kodit Penal dhe 1 procedim për veprën penale të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.

Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër gjithësej 2 procedime për veprat penale të prashikuara nga nenet 326/1 dhe 329/1 të Kodit Penal.

Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan gjithësej 4 procedime për veprat penale të prashikuara nga nenet 328/a, 248, 332/a, 134/1 dhe 287/b të Kodit Penal. Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës gjithësej 1 procedim për veprat penale të prashikuara nga nenet 328/a dhe 248 të Kodit Penal.

Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, gjithësej 2 procedim për veprat penale të prashikuara nga nenet 237/5 dhe 328/a, paragrafi 4 të Kodit Penal. Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër gjithësej 2 procedime për veprat penale të prashikuara nga nenet 328/a dhe 328/b të Kodit Penal. Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë gjithësej 2 procedime për veprat penale të prashikuara nga nenet 325 dhe 326/a të Kodit Penal.

Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës gjithësej 1 procedim për veprën penale të prashikuara nga neni 328/a i Kodit Penal. Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë gjithësej 1 procedim për veprën penale të prashikuar nga nenet 328/a i Kodit Penal.

Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë gjithësej 1 procedim për veprën penale të prashikuar nga nenet 328/a i Kodit Penal. Në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë gjithësej 2 procedime për veprat penale të prashikuara nga nenet 327 dhe 329 dhe 278 të Kodit Penal.

• I janë dërguar për kompetencë SPAK 2 kallëzime nga Prokuroria Durrës dhe Lezhë dhe dy procedime penal nga Prokuroria Fier dhe Shkodër.

• Nga kallëzimet penale të regjistruara, është vendosur mosfillimi për 10 prej tyre. 5 nga Prokuroria Tiranë, 2 nga Prokuroria Kukës, 2 nga Prokuroria Dibër dhe 1 nga Prokuroria Sarandë.

• Një procedim penal i regjistruar nga Prokuroria Dibër për veprën penale të parashikuar nga neni 237/5, 328/a, paragrafi 4, është kërkuar dërgimi për gjykim me një person të pandehur, pa masë sigurimi personal dhe një procedim penal i regjistruar nga Prokuroria Gjirokastër për veprën penale të parashikuar nga neni 326/1 i Kodit Penal, është dërguar në gjykatë me kërkesë për pushim.

• Kallëzimet e tjera janë në fazë verifikimi.

Mirela Karabina: Incerenatori i Elbasanit është fytyra reale e korrupsionit

Nga Mirela Karabina

Fytyra e një qeverie që braktis qytetarët, duke i lënë në mëshirë të tymit kancerogjen.

Ky incenerator nuk punon dhe nuk do të punojë.
Ndërkohë që deputetë apo kandidarë të Elbasanit, kërkojnë votën pa transparencë e llogaridhënie.

Kam qenë në pritje të kërkesës drejtuar Bashkisë Elbasan.
Afati ligjor ka kaluar, por asnjë përgjigje nuk është kthyer.
Kjo është heshtja e pushtetit të kapur nga korrupsioni.

Elbasani qytet i varfër, papunësi e lartë, braktisje masive, por ka dhe një mjedis nga më të ndoturit që ka ndikuar në shëndetin e qytetarëve.
Kjo është qeveria e Edi Ramës që premton Europën me qytete rë ndotura që rrezikojnë jetën e qytetarëve.

Ndaj në 11 maj, voto Koalicionin Euroarlantik
Elbasani meriton, punë, dinjitet dhe jetë të shëndetshme.
#Voto4
#KoalicioniEuroatlantik
#shqiperianeritonmeshume

Pëllumb Seferi me mesazh reflektues në Ditën e Xhuma: “Të besojmë se do mundemi të bëjmë atë që kemi amanet”

Kandidati për deputet në Qarkun e Tiranës, Pëllumb Seferi, nga Koalicioni Euroatlantik, ka ndarë një mesazh të ndjerë dhe reflektues në Ditën e Xhuma, duke iu drejtuar qytetarëve me fjalë besimi dhe shprese. Duke cituar Profetin Muhamed a.s., Seferi kujton rëndësinë e kësaj dite për besimtarët myslimanë dhe fton për reflektim dhe bashkim shpirtëror.

“Dita më e mirë në të cilën lind dielli është dita e Xhuma,” – shkruan ai, duke shtuar:
“Në këtë ditë dhe orë të bekuar, lutem që Zoti të pranojë lutjet dhe adhurimet e çdo besimtari që i përgjigjet ftesës së Zotit për në namazin e së Premtes.”

Seferi thekson se reflektimi dhe falja janë rrugë të rëndësishme për përmirësimin e jetës personale dhe shoqërore, duke i lidhur ato me angazhimin për vendin.

“Me lutjet tek i Madhi Zot le të besojmë se do mundemi të bëjmë atë që kemi amanet, duke shpresuar për ditë më të mira e të begata për të gjithë ne dhe atdheun tonë të dashur,” përfundon ai.

Ky mesazh vjen si një thirrje për bashkim shpirtëror dhe përgjegjshmëri, në një kohë kur vendi ka nevojë për qetësi, unitet dhe vizion të përbashkët

“Qytetarët janë të mbushur me shpresë për ndryshim”, Basha: Vota për numrin 4 është garanci për luftë kundër korrupsionit dhe paratë të shkojnë tek qytetarët

Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, bashkë me kandidaten për deputete, Oriola Pampuri, kanë vijuar takimet me qytetarë dhe biznese në ditën e fundit të fushatës.

Ai u ndal sot në Njësinë 1 në Tiranë, ku tha se qytetarët janë të mbushur me shpresë dhe kjo ndihet në çdo takim.

Basha tha se vota për numrin 4 është garanci për luftën kundër korrupsionit, që paratë mos të shkojnë tek shokët e 7×7=313 por tek qytetarët.

“Dy ditë para zgjedhjeve qytetarët janë të mbushur me shpresë. Ajo që mungonte sot e ndjejmë në çdo takim, sepse vota për numrin 4 Koalicionin Euroatlantik është garanci. Garanci për luftë kundër korrupsionit, garanci që paratë mos të përfundojnë më në xhepat e shokëve tek 7×7=313, por të kthehen tek ekonomia shqiptare, tek xhepat e shqiptarëve. Ndaj mos harroni, dilni dhe votoni numrin 4, Koalicionin Euroatlantik” – tha ai.

Basha gjithashtu foli për pikat e programit të Koalicionit Euroatlantik, që do u vij në ndihmë sipërmarrësve, familjeve shqiptare dhe të rinjve.

Për sipërmarrësit:
• Vendosja e taksës së sheshtë në masën 9%
• Heqja e TVSH për biznesin e vogël
• Lehtësira reale për hapjen dhe formalizimin e çdo iniciative të ndershme

Për familjet shqiptare:
• Subvencione për strehimin e çifteve të reja
• Dyfishim i ndihmës për nënat kryefamiljare
• Deri në 20 mijë euro bonus për fëmijën e tretë

Për të rinjtë:
• 100 milionë euro investime për programin NextGen në 4 vite
• Praktika të paguara, mbështetje për start-up-et dhe bursa për vajzat
• Shkolla me orar të zgjatur, drekë të garantuar dhe kushte që i japin vlerë arsimit publik

Në përfundim të takimeve, Basha theksoi se Shqipëria ndodhet përballë një zgjedhjeje të qartë:
Ose Shqipëria e 313-s dhe korrupsionit të pandëshkuar, ose Shqipëria e ndershme që zhvillohet dhe garanton një të ardhme më të mirë për çdo familje.

E djathta qytetare që ofron Lulzim Basha

Nga Ermal Peçi

Në një Shqipëri të mbërthyer prej më shumë se një dekade nga polarizimi, përçarja dhe keqpërdorimi i pushtetit, fushata që po zhvillon Lulzim Basha është një risi e ndjeshme në peizazhin politik. Për herë të parë pas shumë vitesh, e djathta shqiptare po ofron një alternativë me fytyrë qytetare, të matur dhe të ndërtuar mbi vlera të qëndrueshme si prona, drejtësia, liria dhe besimi në Zot.

Në thelb, kjo nuk është një fushatë për pushtet. Është një përpjekje për të rikthyer shtetin te qytetari dhe ligjin mbi interesin. Basha ka qenë i vetmi lider që ka guxuar të artikulojë me qartësi se ligji 7501 është një nga plagët më të mëdha të tranzicionit. Zgjidhja e çështjes së pronës është jo vetëm akt drejtësie, por edhe çelës për zhvillimin ekonomik, sidomos në bujqësi dhe turizëm, sektorë ku prona është themel.

Diferenca me të shkuarën politike është e qartë. Ekipi që përfaqëson Bashën është ndërtuar mbi filtrin e integritetit dhe përfaqëson një brez të ri politik, të papërlyer dhe të fokusuar në ndërtimin e një shteti funksional. Asnjë nga anëtarët e tij nuk është subjekt hetimi nga SPAK – një fakt që flet më shumë se çdo slogan.

Kjo është një fushatë pa fyerje, pa premtime të pambajtura dhe pa gjuhë urrejtjeje. Ironia e matur ndaj qeverisë, siç është rasti me “7×7=313” apo pyetja retorike “Ku të metën shokët?”, është më tepër reflektim sesa sulm. Ajo që po ofrohet nuk është një betejë për revansh, por një model i ri komunikimi dhe përfaqësimi.

Në një kohë kur shumë shqiptarë kanë humbur besimin tek politika, një ofertë e tillë nuk është thjesht e mirëpritur – është e domosdoshme. Sepse e djathta nuk mund të jetë vetëm një shumicë numerike; duhet të jetë një forcë morale, që frymëzon, orienton dhe ndërton.

Lulzim Basha nuk ka zgjedhur rrugën më të lehtë, por ai po ecën në atë që mund të jetë rruga më e drejtë – ajo e qytetarisë.

Mesazhi i Papa Leo XIV në meshën e parë: Shpresoj që Kisha të sjellë dritë në netët e errëta të botës!

Papa Leo XIV kremtoi sot Meshën e tij të parë, vetëm një ditë pasi u zgjodh papë.

 

Gjatë meshës ai u tha kardinalëve në Kapelën Sistine se shpreson që zgjedhja e tij mund ta ndihmojë Kishën Katolike të sjellë dritë në “netët e errëta të kësaj bote”.

Papa Leo e filloi fjalimin e tij në gjuhën e tij amtare, anglisht, duke u bërë thirrje kardinalëve të “njihnin mrekullitë që Zoti ka bërë”.

Papa i ri, duke folur në italisht, shprehu shpresën se Kisha do të sillte dritë në “netët e errëta të botës”.

Në të njëjtën kohë, ai u zotua të jetë një “kujdestar besnik” i Kishës, duke shtuar se ajo duhet të gjykohet nga shenjtëria e anëtarëve të saj dhe jo nga madhështia e ndërtesave të saj.

I lindur në Çikago si Robert Prevost, ai është amerikano-veriori i parë që zgjidhet papë, me Donald Trump që e quajti këtë një “nder të madh”.

Papa Leo, 69 vjeç, shihet si reformator i kishës katolike. Ai punoi për shumë vite si misionar në Peru, të cilën e konsideron se “atdheun e tij të dytë”.

Franca kritikon praninë e kryeministrit sllovak në Rusi për Ditën e Fitores: Nuk është e përshtatshme që një udhëheqës evropian të jetë sot në Moskë!

Franca kritikoi sot praninë e kryeministrit sllovak Robert Fico në Moskë për të marrë pjesë në eventet festive që shënojnë 80-vjetorin e fitores ndaj Gjermanisë naziste.

 

“Nuk është e përshtatshme sot që një udhëheqës evropian të jetë në Moskë “, tha Benjamin Haddad, ministri francez përgjegjës për Evropën, për radion RTL.

Robert Fico është i vetmi udhëheqës i një shteti anëtar të BE-së që merr pjesë festimet në Moskë. Megjithatë, kur u pyet për mundësinë e vendosjes së sanksioneve ndaj udhëheqësit sllovak, ministri francez theksoi se “çdo shtet është sovran, veçanërisht në çështjet e politikës së jashtme dhe mbrojtjes”.

Ai vuri në dukje gjithashtu se në lidhje me Rusinë, e cila po lufton kundër Ukrainës , për sa i përket politikës së jashtme dhe çështjeve të mbrojtjes, vendet anëtare të BE-së kanë arritur “në tre vitet e fundit, madje së bashku me Sllovakinë ose Hungarinë” të “rinovojnë çdo gjashtë muaj sanksionet” që i vendosin Moskës.

Ne arritëm të “vazhdojmë mbështetjen tonë për Ukrainën dhe të mbajmë një dialog të vazhdueshëm me të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian”, komentoi ai gjithashtu.

Ministri francez shprehu gjithashtu kënaqësinë e tij për nënshkrimin më vonë sot në Nancy, në Francën lindore, të traktatit të miqësisë me Poloninë, “një partner që për një kohë të gjatë, për ta thënë troç, e kemi lënë pak pas dore”.

“Ky pakt përfaqëson një hap të madh përpara në marrëdhëniet midis Francës dhe Polonisë, i cili do të na lejojë të thellojmë lidhjet tona në nivel institucional dhe politik, në nivel ekonomik, në infrastrukturën mbrojtëse, me një vend që (…) është në ballë të kërcënimit rus (dhe) luan një rol të rëndësishëm në Evropë.