30.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

ZËRI I AMERIKËS/ Çështja Xhaçka kthehet për herë të tretë në seancat plenare të Kuvendit

Në Tiranë, këshilli për legjislacionin vendosi sot të kërkojë kryetares së Kuvendit futjen në rendin e ditës të seancës plenare më të afërt të mocionit mbi papajtueshmërinë e mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka.

Vendimi u mor njëzëri nga shumica dhe opozita në mbledhjen, ku u shqyrtua vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili rrëzoi si të papajtueshëm me Kushtetutën vendimin e Kuvendit për mosdërgimin e këtij mocioni në Gjykatën Kushtetuese.

Vendimi i 10 korrikut e detyron shprehimisht Kuvendin, që të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese mocionin mbi papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Xhaçka, si organi i vetëm që ngarkon Kushtetuta, për të gjykuar mbi këtë çështje, dhe për të konstatuar papajtueshmërinë.

Mocioni mbi mandatin e zonjës Xhaçka pritet të kalojë sërish në seancë plenare të Kuvendit më 12 shtator, para se të mbërrijë në Gjykatën Kushtetuese për gjykim.

Kjo është hera e tretë që çështja e mandatit të zonjës Xhaçka kalon në seancë plenare, pasi dy herë të tjera Kuvendi me shumicë socialiste vendosi mosdërgimin e saj në Gjykatë Kushtetuese.

Me vendimin e 10 korrikut, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi dhe e shpalli si të papajtueshëm me Kushtetutën vendimin e 11 prillit të Kuvendit për mosdërgimin e mocionit mbi mandatin e zonjës Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese.

Deputetët socialistë miratuan kalimin e këtij mocioni në seancën plenare të radhës, “në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, siç u shprehën përfaqësues të tyre në këshillin e legjislacionit.

“Duke qenë se në vendimin e vet Gjykata Kushtetuese e ka urdhëruar Kuvendin, (seancën plenare, që merr vendime) të dërgojë mocionin prkatës në Gjykatën Kushtetuese, ky këshill legjislacioni duhet t’i propozojë kryetares së Kuvendit të përfshijë këtë projekt-vendim në rendin e ditës së seancës më të afërt”, tha mes të tjerash në mbledhje deputetja socialiste, Klotilda Bushka.

Nga 20 qershori i dy vjetëve më parë një grup deputetësh të opozitës i drejtuan Kuvendit një mocion për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka, me pretendimin se ajo në kundërshtim me Kushtetutën ka përfituar të drejta pasurore nga pasuri të shtetit përmes shoqërisë tregtare në pronësi të bashkëshortit të saj.

Pas pak ditësh një mocion të ngjashëm dorëzoi edhe një grup tjetër deputetësh opozitarë. Mocionet u bashkuan në një shqyrtim nga Këshilli i Mandateve dhe Kuvendi me shumicë socialiste rrëzoi raportin e opozitës dhe miratoi raportin e vet në nëntor 2022, sipas të cilit nuk plotësoheshin kriteret kushtetuese për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese dhe nuk e dërgoi çështjen në Gjykatë Kushtetuese.

Të nesërmen opozita iu drejtua kësaj gjykate për zgjidhje të mosmarrëveshjes dhe konfliktit të kompetencave mes saj dhe Kuvendit, dhe në vendimin e janarit 2023 Gjykata vlerësoi se Kuvendi duhet ta sillte çështjen për gjykim në Kushtetuese.

Por pas një shqyrtimi me ekspert dhe një seri mbledhjesh nga marsi 2023 deri në prill 2024, u vendos që çështja t’i kalonte seancës plenare, ku edhe u vendos përsëri me shumicë votash mosdërgimin në Gjykatë të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

Këtë vendim Gjykata Kushtetuese e shpalli të papajtueshëm me Kushtetutën dhe Detyrimin e Kuvendit të Shqipërisë për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

“Mua më bëhet shumë qejfi që keni ndryshuar qëndrim sot. Ju shpallët pavarësinë ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Madje edhe pas publikimit të vendimit të Gjykatës, qëndrimi i mëparshëm i grupit tuaj parlamentar ishte që ‘Gjykata Kushtetuese të thotë çfarë të dojë, ne do të bëjmë çfarë të duam’”, tha deputeti opozitar Gazment Bardhi, kryetar i grupit parlamentar të PD-së.

Opozita e kërkoi papajtueshmërinë dhe mbarimin e mandatit të deputetes Xhaçka dy vjet më parë, kur e quajti konflikt interesi faktin që kompania e bashkëshortit të saj, ish deputetit Artan Gaçi, mori statusin e investitorit strategjik për të ndërtuar një hotel turistik në jug të vendit.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vuri nën sekuestro mbi 10 mijë metra katrorë sipërfaqe mbi të cilën parashikohet të ngrihet hoteli.

Trualli i blerë nga zoti Gaçi prej personave privatë rezulton të jetë përfituar prej këtyre të fundit përmes falsifikimit të dokumentave, teksa sipërfaqja ka qenë në pronësi të shtetit.

Ish kryetari i bashkisë së Himarës Jorgo Goro u arrestua për dyshimet mbi pronësinë e kësaj sipërfaqeje toke. /VOA/

‘Kurum’ në fokusin e hetimeve ndërkombëtare/ BAN: Transporti i ‘hirit helmues’ nga Durrësi, maja e një skandali më të madh

Çështja e eksportit të një sasie mbetjesh industriale nga porti i Durrësit, që dyshohet se përmbajnë lëndë të dëmshme helmuese, është kthyer në një histori dyshimesh të shumta, me shumë të panjohura. Një hetim i dyfishtë është duke u kryer nga prokuroria e Durrësit në Shqipëri dhe nga zyra e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve, OLAF, në Bruksel, mbi 100 kontejnerë të bllokuar së fundmi në Singapor, me origjinë nga porti i Durrësit. Organizata jo qeveritare amerikane ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’ i tha Zërit të Amerikës, se ajo është e bindur se porti i Durrësit, jo vetëm në këtë rast, por edhe në raste të tjera më parë është shfrytëzuar për të nxjerrë nga Shqipëria, rajoni dhe me gjasë edhe nga vende të tjera evropiane, mbetje të rrezikshme helmuese drejt disa vendeve aziatike. Kolegu Artan Haraqija sjell kronikën në vijim.

Nga Porti i Durrësit, çdo tre apo katër muaj është eksportuar një material që dyshohet se është pluhur helmues i njohur si ‘EAF’, që del nga oxhaqet e fabrikave metalurgjike. Ky është pretendimi i Rrjeti i Aksionit të Bazelit (BAN), me seli në Seattle. Përfaqësuesi i tij, Jim Puckett i tha Zërit të Amerikës se të dhënat që BAN-i disponon janë marrë nga një sinjalizues nga Porti i Durrësit, i cili ka ofruar dëshmi për këtë.

“Para një muaji, ne krijuam një portal, ku individë nga e gjithë bota mund të raportojnë për mbetjet helmuese. Personi i parë që na sinjalizoi ishte një individ që vëzhgoi transportin e mbetjeve helmuese në portin e Durrësit. Ai kishte njohuri se ku shkonte pluhuri helmues dhe dokumentet që tregonin rrugëtimin e ngarkesave”.

Pas marrjes së të dhënave BAN-i thotë se ka kryer hulumtimin e veta dhe arrin në përfundimin se dërgesa të kësaj natyre bëhen rregullisht nga porti i Durrësit.

 

“Ne ishim në gjendje të konfirmojmë se kontejnerët që raportoi sinjalizuesi, numrat e tyre identifikues, i vërtetuam përmes aplikacionit ‘Google Earth’ , po ashtu përmes imazheve satelitore të Google Earth, lokalizuam vendndodhjen e tyre të saktë duke e krahasuar me dritat dhe rrugët e portit. Kemi tre burime të dhënash të marra në tre kohë të ndryshme. Ne dyshojmë se kjo ndodh çdo tre apo katër muaj.”

Hiri i eksportuar nga porti i Durrësit i takon firmës ‘Sokolaj’ e cila e ka blerë atë nga fabrika e kompanisë Kurum në Elbasan që prodhon çelik dhe hekur. E kontaktuar nga Zëri i Amerikës, firma Sokolaj deri në përgatitje e këtij materiali nuk ka kthyer përgjigje.

Firma turke Kurum, në një deklaratë të bërë më 21 gusht, ndonëse nuk jep sqarim të saktë nëse është ajo shitësja e kësaj lënde, thotë se

“Kurum International asnjëherë nuk ka eksportuar mbetje të rrezikshme ndaj edhe në këtë rast, kjo ngarkesë për të cilën bëhet fjalë nuk është eksportuar nga Kurum International”.

Zoti Puckett thotë se eksportimi i shpeshtë i këtij materiali nga Durrësi, ngre dyshime që ai n uk vjen vetëm nga fabrika e Kurimit, pasi kjo fabrikë nuk është aq e madhe sa të prodhojë sasi kaq të mëdha të pluhurit EAF.

“Ky material mund ta ketë origjinën nga vende të tjera të Evropës. Kudo ku ka fabrika për shkrirjen e çelikut, krijohet ky lloj hiri. Kompanitë duan ta heqin atë qafe, sepse kostoja është më e lartë për ta menaxhuar siç duhet. Po ashtu edhe zinku që nxirret prej tij nuk është aq i vlefshëm”, thotë zoti Puckett.

Sipas të dhënave që sinjalizuesi i dha Rrjetit të Aksionit të Bazelit, rasti i fundit ishte në muajin korrik, kur material i dyshimtë fillimisht u ngarkua në kontejnerë në Portin e Durrësit. Pasi largohet nga porti i Durrësit, kontejnerët udhëtojnë drejt portit të Triestes, në Itali. Aty kontejnerët ngarkohen në dy anije të tjera transportuese, që i përkasin firmës daneze ‘Maersk’. Prej portit italian, përmes Detit Mesdhe dhe bregdetit të Afrikës malli u nis fillimisht për në Singapor, prej nga do të vazhdonte rrugën për në destinacionin e tij përfundimtar, Tajlandën. Ndërsa malli lundronte në mes të ujërave të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Jugut, një nga dy anijet që e transportonin atë u zhduk nga radarët. BAN-i thotë se kjo ndodhi pikërisht në kohën kur ata ngritën shqetësimin se një ngarkesë me pluhur helmues po transportohej nga Shqipëria për në Azi.

Firma daneze Maersk e konfirmoi për Zërin e Amerikës se sinjali nga një prej anijeve të saj me të vërtetë u ndal, por thotë se kjo nuk u bë për arsyen që ngre si dyshim BAN-i.

“Një organizatë jo qeveritare ka spekuluar se pse gjurmuesi i anijes tonë Campton ishte fikur. Ndërsa situata e sigurisë në ujërat rreth rajonit të Lindjes së Mesme është e ndjeshme, nuk është e pazakontë që disa pronarë anijesh të çaktivizojnë gjurmuesin e tyre”.

Kjo lë të kuptojë se mund të jetë bërë për të shmangur një sulm nga grupi militant jemenas, Houthi që prej nisjes së luftës në mes të Izraelit dhe Hamasit ka kryer një mori sulmesh mbi anijet transportuese që kanë lundruar afër Jemenit.

Maersk gjithashtu i tha Zërit të Amerikës se ata vendosën ta transportonin mallin pasi dokumentacioni shoqërues thoshte se ishte i pa rrezikshëm.

“Nëse do të ishte deklaruar se përmban mbetje të rrezikshme, Maersk do të kishte refuzuar ta transportonte. Për shkak të spekulimeve në lidhje me përmbajtjen e tij, Maersk ka bashkëpunuar me autoritetet e Singaporit… Anija jonë Campton ka shkarkuar kontejnerët në Singapor dhe tani ato po riatdhesohen për në Shqipëri nga një kompani tjetër”.

Një tjetër argument që përmend “Rrjeti i Aksionit të Bazelit” për dyshimet e transportimit të këtij materiali nga porti i Durrësit është dërgesa e parafundit që shkoi nga Durrësi për në Kinë. Nga muaji prill, sipas drejtorit ekzekutiv Jim Puckett, kjo dërgesë është bllokuar në një port kinez, afër Hong Kongut.

“Kjo dërgesë u nis nga i njëjtë port. Sipas sinjalizuesit tonë, kinezët e kanë refuzuar atë. Janë 115 kontejnerë nga Shqipëria që ende janë të bllokuar në Kinë. Kinezët e kanë analizuar materialin dhe kanë gjetur nivele të larta të metaleve, përfshirë mbi 8% plumb”, thotë zoti Puckett.

Dy ministri të qeverisë shqiptare në fundjavë thanë në një deklaratë të përbashkët se “Shqipëria nuk mundet të pranojë apriori rikthimin e ngarkesave të tilla vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekulimeve, pa realizimin e analizave shteruese …”

Nëse konfirmohet se fjala është për hirin që del nga oxhaku i fabrikave metalurgjike, atëherë pasojat, sipas BAN-it janë të rënda, për shëndetin e njerëzve dhe mjedisin, por mund të ketë edhe pasoja politike.

Pluhuri EAF përmban përqindje të lartë metalesh si plumbi dhe kromi dhe mbetje të tjera kimike që shkaktojnë kancer.

Në fotografitë e sinjalizuesit të BAN-it për rastin e muajit korrik, sipas zotit Puckett, shihen grumbuj të hirit që ishin lënë në mjedis të hapur në portin e Durrësit. Fotografi të ngjashme shihen edhe në aplikacionin ‘Google Earth’. Një e tillë, e bërë më 11 tetor të vitit të kaluar, tregon grumbuj të hirit brenda hapësirës së portit të Durrësit.

“Fjala është për një mbetje të rrezikshme nëse nuk trajtohet si duhet. Ju nuk do të donit ta mbani këtë afër fëmijëve apo personave me sëmundje kronike”, tha zoti Puckett.

Prokuroria e Durrësit njoftoi të mërkurën se ka nisur hetimet, në bashkëpunim me Zyrën Evropiane kundër Mashtrimit Ekonomik (OLAF).

Kjo zyrë nuk pranoi të komentojë.

“Ne nuk jemi në gjendje të japim detaje në lidhje me rastet që OLAF mund të trajtojë pasi duhen mbrojtur të dhënat e çdo hetimi të mundshëm dhe të proceseve të mundshme gjyqësore që do të pasojnë…”, tha për Zërin e Amerikës zyra për informim e OLAF-it.

Dogana shqiptare megjithatë e konfirmoi për Zërin e Amerikës se ishte OLAF-i ai i cili e njoftoi Strukturën Antitrafik të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për rastin. Kjo zyrë gjithashtu nuk pranoi të komentojë, pasi rasti tani është nën hetim. As kompania gjermane ‘EMS Shipping’ që menaxhon një pjesë të portit të Durrësit, pikërisht pjesën ku bëhet ngarkimi i këtij materiali në kontejnerë, nuk pranoi të bëjë komente.

“Duke qenë se rasti është nën hetim nga autoritetet me të cilat po bashkëpunojmë plotësisht, nuk mund të komentojmë detajet e rastit derisa të përmbyllet”.

Rrjeti i Aksionit të Bazelit thotë se ishin ata që e njoftuan OLAF-in për rastin.

“Ne i jemi shumë mirënjohës OLAF-it dhe prokurorisë në Shqipëri që po merren me këtë rast, pasi unë kam përshtypjen që kjo është maja e një skandali shumë më të madh”, thotë Drejtori Ekzekutiv i BAN-it, Jim Puckett.

Pasojat politike, nëse konfirmohet pretendimi i organizatës amerikane, mund të jetë shkelja e Konventës së Bazelit, Traktatit të Kombeve të Bashkuara, që rregullon tregtinë e mbetjeve të rrezikshme. Vendet nënshkruese të konventës, një prej të cilave është edhe Shqipëria, nuk lejohen të dërgojnë mbetje helmuese tek një vend tjetër, nëse nuk marrin paraprakisht miratimin nga vendi mikpritës.

Qeveria shqiptare i hodhi poshtë gjatë fundjavës akuzat se ajo nuk ka vepruar në lidhje me rastet e dyshuara.

Në deklaratën e përbashkët të dy ministrive të qeverisë shqiptare thuhet se Shqipëria është klasifikuar si një vend i sigurt, pasi është verifikuar dhe çertifikuar në disa inspektime ndërkombëtare përgjatë viteve të fundit.

“Unë do të këshilloja që Shqipëria të marrë përgjegjësinë për atë që po ndodh në portin e Durrësit. Dikush duhet të analizojë ato grumbuj që gjenden në port dhe mallin që po kthehet nga Singapori. Por unë e them me 95% siguri se fjala është për hirin EAF, të cilin të gjithë në industrinë metalurgjike e njohin si mbetje helmuese”, thotë për Zërin e Amerikës, Jim Puckett, Drejtor Ekzekutiv i Rrjetit të Aksionit të Baselit.

Zoti Puckett thotë se e kupton që Doganat mund të jenë mashtruar nga eksportuesit, të cilët mund ta kenë deklaruar atë si material të parrezikshëm, por:

“Është shumë e dyshimtë se si mund ndodhë kjo gjë para syve të tyre. Unë jam i sigurt se kjo është një histori më e madhe që përfshin shumë eksporte që nuk janë vërejtur më parë dhe që ndoshta e kanë burimin diku në Evropë, apo edhe në vende të tjera. Unë nuk besoj që kjo histori ka marrë fund”.

Odiseja e këtyre mbetjeve është vetëm në hapat e parë, ndërsa pritet përfundimi i analizave laboratorike se çfarë përmban në të vërtetë malli në kontenierët që po udhëtojnë për t’u rikthyer në Shqipëri./ VOA

Si do të ishte sot Europa pa Shqipërinë?

Nga Lutfi Dervishi

Në një kontinent që është në buzë të katastrofës demografike, Shqipëria, që jo rrallë po mban peshë më shumë se ç’i mbajnë gjunjët, peshë që duhet ta mbanin fuqitë e mëdha, po shfaqet si një një superfuqi humanitare.

Ndërsa BE po përballet prej dekadash me plakjen e popullsisë dhe mungesën e fuqisë punëtore, Shqipëria ka marrë përsipër detyrën herkuliane për të shpëtuar e vetme unionin.

Gjermania, vendi që është quajtur motorri ekonomik i Europës po përballet me deficit të fuqisë punëtore dhe me tepricë të pensionistësh. Por ndërhyrja e Shqipërisë duke dërguar bujarisht më të mirët dhe më të ndriturit e saj për të menaxhuar linjat e prodhimit, spitalet dhe shtëpitë e pleqve të Evropës Perëndimore, po ringjall shpresën e humbur.

Ky akt vetëflijues nuk mund të nënvlerësohet; duke zbrazur spitalet, shkollat, fshatrat dhe qytetet e saj, Shqipëria po bën të mundur që të moshuarit në Frankfurt të marrin dozën e tyre të përditshme të kujdesit. Në fund të fundit, çfarë vlere kanë disa fshatra e qytete të braktisura në Shqipëri përballë nevojës që ka aleatja strategjike dhe mikja e madhe Gjermania, për ndërtues, shoferë, infermirë, mjekët etj etj?

Dhe të mos harrojmë Italinë, vendin e picës, pastave, serisë A dhe, kohët e fundit, të krizave të papunësisë dhe migrimit. Shqipëria, që ka lindur borxhlie ndaj fuqive të mëdha, dhe veçanërisht Italisë, ka vendosur t’i heqë gjitonit në hall dhimbjet e kokës së emigracionit.

Në vend që Italia, e braktisur, nga vendet e tjera të Unionit, të përballet e vetme me azilkërkuesit Shqipëria i ka vënë gjoksin punës duke hapur bujarisht dyert e Shëngjinit qytetit bregdetaro-turistik, duke e shndërruar atë në një kamp emigrantësh me pesë yje.

Është një zgjidhje e vetëofruar ku të gjithë dalin të fituar—Italia e ruan reputacionin e saj si parajsë turistike e paprekur, BE mëson si zgjidhet problemi i emigrantëve dhe Shqipëria fiton hijen ekzotike të multikulturalizmit, për të cilin ka aq shumë nevojë.

Por kontributet e Tiranës nuk përfundojnë këtu. Ndërsa bota bëhet gjithnjë e më e ndërlidhur dhe globalizimi është në zenitin e tij, Shqipëria ka kthyer vështrimin e saj drejt Lindjes.

Dikur udhëheqësi i fundit komunist thoshte se ne nuk jemi as Lindje as Perëndimi, sot jemi urë, madje ë shumë se urë mes Lindjes dhe Perëndimit.

Konferenca vjetore e ambasadorëve që po zhvillohet këto ditë në Tiranë, e ka kapur demin për brirësh. E informuar shumë mirë që Indonezia, Tailanda dhe Filipinet po përballen me papunësinë e lartë mes të rinjve, diplomacia shqiptare ka ndërhyrë për të ofruar tregun e saj të punës si një varkë shpëtimi.

Është një koncept revolucionar: shkëmbejmë kokë për kokë të rinjtë e ikur të Shqipërisë me energjinë e pashfrytëzuar të Azisë Juglindore. Tek e fundit kush ka nevojë për talente vendase kur gjithçka (si shumëçka në vendin e shqiponjave) mund të importohet? Ndërsa të rinjtë shqiptarë ikin në Mbretërinë e Bashkuar për të shërbyer kafe dhe për të pastruar dhoma hoteli, të rinjtë e Xhakartës dhe Manilës vijnë në Tiranë për të bërë të njëjtën gjë.

Quid pro quo. Kokë për kokë!

Eshtë për të ardhur keq që altruizmi i Shqipërisë, keqlexohet dhe keqkuptohet. Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) sapo publikoi një raport tronditës: Shqipëria dhe Moldavia janë vendet më të prirura për emigrim në Evropë.

Me 40% të fuqisë punëtore të Shqipërisë që tani punon në vende të tjera, shumëkush mund të mendojë se vendi është në prag të kolapsit. Por ky pesimizëm nuk e kap thelbin. Rasti klasik i gjësë që ti sheh, por ajo nuk është ashtu si ti e sheh. Shqipëria nuk po vuan; ajo po vetësakrifikohet për të mirën e kontinentit dhe globit.

Le të imagjinojmë, për një moment, një botë pa bujarinë e Shqipërisë. Pubet e Mbretërisë së Bashkuar do të ishin bosh, të moshuarit në Gjermani do të mbeteshin pa kujdes dhe kantieret e ndërtimit të Milanos do të qëndronin të shkreta.

Të rinjtë e Azisë Juglindore do të mbeteshin në vendet e tyre, duke ëndërruar për një jetë më të mirë që vetëm Shqipëria mund ta ofronte. Kampet e emigrantëve të Shëngjinit do të qëndronin të shkretuar. Ja pra si do të ishte BE dhe Bota nëse një komb si Shqipëria do të tërhiqej nga përgjegjësitë globale.

Udhëheqësi i Shqipërisë, natyrisht, e di mirë çfarë do të thotë përgjegjësi globale. Ai e kupton se për të shpëtuar Evropën, për të shpëtuar botën, duhet të bëjmë sakrifica. Dhe kështu, me vendosmëri, ne vijojmë të zbrazin spitalet, shkollat, shtëpitë, fshatrat, qytetet duke dërguar qindra mijëra shqiptarë për të luftuar krizën ekonomike dhe rënien demografike të BE-së.

Ne në anën tjetër ftojmë të papunët e Azisë, duke u ofruar atyre mundësi që më parë as në ëndërr nuk i shihnin.

Në këtë mision fisnik, Shqipëria është bërë shtylla kryesore e stabilitetit global, në një kohë që bota dhe veçanërisht fuqitë e mëdha e kanë humbur fillin duke u marrë me luftën në Ukrainë dhe Gaza.

Kështu që, herën tjetër kur të lexoni artikuj si ai bazuar mbi informacionet e IOM, për emigracionin e lartë të Shqipërisë apo statistika të INSTAT për tkurrjen e popullisë mos bëni gabim të përmendi ose mendoni fjalën krizë. Nuk është krizë është kontribut. Dhe pak rëndësi ka nëse na e njeh bota këtë kontribut.

E rëndësishme është që dje sakrifikonim për revolucionin proletar boteror, sot për fitoret e kapitalizmit rajonal, kontinental e global!

Kurum, kompania me fitime marramendëse që thotë se është në vështirësi financiare

Në vitin 2022 Kurum International, kompania që shfrytëzon ish Metalurgjikun Elbasanit, regjistroi një fitim neto pas taksave prej 78 milionë eurosh. Vitin e kaluar fitimet shënuan rënie, por sërish ato ishin 8 shifrore në euro.

Sipas bilancit zyrtar të dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Kurum regjistroi për vitin 2023 një fitim pas taksave në masën 44.6 milionë euro.

Për shkak të bumit të ndërtimeve, por edhe rritjes së çmimit të hekurit si pasojë e krizës inflacioniste, vitet e fundit Kurum ka qenë një nga kompanitë më fitimprurëse në Shqipëri. Fitimet e majme i kanë mundësuar asaj që të reduktojë me shpejtësi borxhet e marra në banka, për të cilat në vitin 2016 pati shpallur falimentimin.

Sipas librave të kompanisë, vitin e kaluyar ekspozimi total i Kurum u reduktua në 35 milionë euro kredi nga 127 milionë euro që ishin në fund të vitit 2022. Pra vetëm gjatë vitit të kaluar kompania turke ka shlyer rreth 92 milionë euro kredi nga fitimet e majme që ka realizuar. Këto ishin borxhe të riskeduluara nga viti 2016, kur Kurum shpalli falimentin dhe u vu nën administrimin e gjykatës. Këto borxhe tashmë po shkojnë drejt zerimit.

Mbyllje e aktivitetit
Tre ditë më parë Kurum njoftoi se do të mbyllë aktivitetin në dy departamente të saj duke nxjerrë të papunë rreth 500 punonjës. Njoftimi, i cili erdhi menjëherë pas shpërthimit të skandalit të mbetjeve toksike u pa si një kërcënim i kompanisë ndaj shtetit. Megjithatë një ditë më parë Kurum deklaroi se mbyllja e aktivitetit në këto dy uzina nuk ka lidhje me çështjen e mbetjeve toksike, por është rezultat i vështirësive financiare.

Por edhe ky duket një justifkim i sforcuar. Numrat e bilancit të Kurum nuk tregojnë një kompani në vështirësi financiare. Përkundrazi, ato tregojnë një sipërmarrje që qëndron në majën e bizneseve më fitiprurëse të Shqipërisë. Ndoshta në tre kompanitë me fitimet më të larta të vendit.

Kurum fiton para nga të gjtha anët. Fiton para nga shitja e hekurit, por fiton po ashtu shumë dhe nga nga shitja e energjisë që prodhon nga hidrocentralet e privatizuara thuajse falas nga shtetit. Vetëm nga energjia e prodhuar në Ulzë-Bistricë, vitin e kaluar Kurum fitoi neto 21 milionë euro, kur çmimi i blerjes së tyre nga shtetit ishte rreth 30 milionë euro.

Kërkesa për hekur vijon të mbetet e fortë në tregun e brendshëm teksa dy hidrocentralet në një makineri fitimesh. Përtej kësaj, Kurum ka një fond qesharak pagash. Për këtë mjafton vetëm një tregues. Vjet pronarët e kompanisë fituan 44.6 milionë euro neto, ndërsa gjithë fondi i pagave të grupit ishte më pak se 9 milionë euro. Por ky është një problem që lidhet me pafuqinë e sindikatave, ose më keq akoma korruptimin e tyre dhe institucioneve.

Kurum ka para, por jo për rroga. Madje vitin e kaluar Hatixhe Kurum, pronarja e kompanisë, i shpërndau dhe 1.1 milionë euro divident vetes.

Kushtetuta, demokracia dhe roli i intelektualëve!

Nga Alban Daci

Demokracia shqiptare është padyshim rezultat i partive politike që e kanë dominuar atë. Në fakt mund të themi se është diçka më shumë se kaq, sepse partitë shqiptare, ose me saktë ato kryesorët që e kanë qeverisur vendin thuajse me marrëveshje kompromisi janë forca e liderëve që i kanë dominuar për një kohë të gjatë duke i sjellë shpesh si “padron” ose pronarë absolutë.

Kushtetuta shqiptare edhe pse në fakt është ndër më të rejat në rajon dhe në Europë, e bërë përmes një refundimi në vitin 1998 në fillimet e saj mund të themi se ishte një ndër kushtetutat më moderne të kohës. Në thelb ngjan si një imitim i asaj italiane, por rrethanat historike dhe kulturat politike apo sociale të dy vendeve mbeteshin me standarde të largëta.

Kushtetuta e Shqipërisë duke themeluar republikën parlamentare mbetet një kushtetutë thellësisht patriotike sidomos duke ju referuar Preambulës së saj që jo vetëm është dinjitoze, por edhe e guximshme, sidomos në pjesën ku flet për shqiptarët që jetojnë jashtë republikës. Madje, Preambula e saj nuk është vetëm dinjitoze, por është patriotike dhe e guximshme, nëse analizojmë përmbajtën e saj dhe faktin dhe rrethanat në të cilën ajo u bë. Një ndër frazat më të guximshme të Preambulës dhe ndoshta më e rëndësishmja dhe e guximshmja është padyshim kjo: “me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar”. Sigurisht që nuk ka qenë e lehtë që aspirata e Bashkimit kombëtar të ishte pjesë e kushtetutës dhe e Preambulës.

Në dallim me atë të Italisë, Kushtetuta shqiptare ka një mangësi, sepse nuk i referohet të kaluarës dhe nuk insiston në ndalimin e formave totalitare apo autoritare siç ishte eksperienca e dhimbshme e ideologjisë enversiste. Pra, mund t’i ishte kushtuar më shumë vëmendje dënimit të ideologjive.

Gjithashtu, edhe pse parashikuar në Kushtetutë, në nenin 50 të saj për referendumit, këto të fundit mbeten forma e mohuar e ushtrimit të drejtpërdrejtë të demokracisë nga qytetarët. Që nga momenti kur Kushtetuta hyri në fuqi, shqiptarët nuk kanë pasur mundësi të japin konsensusin e tyre për çështje madhore përmes referendumeve. Madje, nuk kanë mundur të kenë një referendum edhe për ndryshime e Kushtetutës të 1998.

Rritja e çështjeve të shqyrtuara nga Gjykata Kushtetuese dëshmon:
– Kjo Gjykatë mbetet garantuesja më e madhe e rendit kushtetues
– Konflikti i partive dhe pushtetit me rendin Kushtetutës dëshmon qartë se mungon një kulturë e mirëfilltë demokratike në vend e cila vazhdon të jetë larg standardeve klasike perëndimore.

Duket qartë se ka një tendencë nga pushtetit, politike ose partitë politike që e përbëjnë atë për të sfiduar shpesh edhe në mënyrë antikushtetuese Shtetin e së Drejtës për të forcuar pozitat e tyre.
Demokracia shqiptare duke qenë një donimin eksluziv i sistemit politik dhe e partive ose më sakt të liderve ka krijuar shpesh situata konflikti duke provokuar shpesh vetë themelet e demokracisë dhe po ashtu në raport të drejtë edhe Shtetin e së Drejtës.

Në fakt demokraci nuk është vetëm pasojë apo rezultat i partive politike apo e pushtetit politik, por është ose më mirë duhet të jetë prodhimi i raporteve mes burrave, grave, mes sferës ekonomike, sociale, fetare dhe kulturore (në të cilën përfshihet të gjitha proceset e komunimikimit politik). Demokracia nga njëra anë ndryshon me kohën dhe me sfidat; nga ana tjetër, ka nevojë konstante dhe të vetëdijshme për mirambajtje.

Partitë politike shqiptare, ose nëse analizojmë dy kryesorët që duket sikur e kanë qeverisur vendin me rotacion si pasojë e marrëveshjeve e kompromiseve duke ruajtur dominimin kanë sjellë si rezultat një demokraci tranzicioni në formë e funksion të pafundshëm duke krijuar shpesh konflikte mes insticioneve, duke e goditur shpesh Shtetin e së Drejtës ose edhe me keq duke i kthyer institucionet e Shtetit në shërbimin e tyre apo të interesave të tyre. Ajo që mbetet pa shpjegim dhe si nevojë ulëritëse është fakti se mungon përfshirja e intelektualëve qoftë në debatet e rëndësishme për çështje jetike të demokracisë e Shtetit të së Drejtës, por edhe përfshirja e tyre e drejtpërdrejtë në jetën aktive politike në vend.

Demokracia është forma që karakterizohet nga ekzistenca dhe nga respektimi i rregullave që bëjnë të mundur zgjidhjen e konflikteve pa pasur nevojë për të përdorur dhunën. Edhe në këtë këndvështrim, kaq të rëndësishëm, mund të themi se kjo lloj forme ka dështuar në Shqipëri nëse analizojmë vetëm disa nga ngjarjet më të rëndësishëm para dhe pas Kushtetutës si janë:
– Ngjarjet e 1997
– Ngjarjet e shtatorit 1998
– Ngjarjet e 21 janarit 2011
Mjaftojmë të kemi parasysh këto ngjarje dhe situatën aktuale për të kuptuar sesa e domosdoshme është përfshirja e intelektualëve dhe profesionistëve në debatet e rëndësishme të opinionit publik, por edhe në mundësinë reale të përfshirjes në jetën aktive politike në vend. Demokracia aktuale shqiptare, zor se mund të konsiderohet një “Republikë Parlamentare”, por mund të konsiderohet “Demokracia e Partive” ose më saktë “Dominimi i Partitokracisë” që dominon të gjitha sferat politike në vend, burimi i vetëm i marrjes apo mbajtjes së pushtetit dhe po ashtu simboli kryesor dhe i vetëm i konfigurimit dhe funksionimit të institucioneve shtetërore.

Shteti shqiptar edhe pse parimisht në Kushtetutë sovraniteti i përket Popullit (Neni 2, paragrafi 1), në fakt është thuajse pronë private e partive politike që prodhojnë pushtet dhe të liderëve që janë pronarët e vetëm e kryesor të subjekteve që drejtojnë, thuajse krejtësisht larg standardeve dhe parimeve demokratike. Madje, kokëfortësive e liderëve politik dhe e partive kryesore politike kundër hapjes së listave dëshmon qartë, se ata janë të vetëdijshëm që kanë marrë peng sovranitetin e qytetarëve për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur, por në të njëjtën kohë dëshmojnë se kjo status quo ju leverdis, ju duhet dhe nuk duan ta lëshojnë, sepse ndryshe humbin sferën e dominimit antidemokratik.

Intelektualët apo profesionistët duhet të jetë zëri dhe mendja e një shoqërie që vazhdon të jetë në një stanjacion demokratik dhe në një tunel thuajse pa dritë për të dalë njëherë e mirë nga tranzicioni i stërzgjatur dhe me pasoja të rënda qoftë për funksionimin e Shtetit të së Drejtës, por edhe për stabilitetin dhe paqen sociale.

Thuhet se demokracia është një formë e bezdisshme dhe jo shumë tërheqëse dhe shpesh krijon iluzionin se gjithçka është mirë dhe gjerat funksionojnë, sepse edhe në format e mosfunksionimit korrekt ose të dobësisë së saj, ajo vepron si forma më e mirë e krijimit të lirive dhe mbrojtjes së tyre. Në fakt, demokracia më shumë se çdo formë tjetër, duke qenë se në thelb mbetet më shumë anarkike se statike, ka nevojë të vazhdueshme për përmise. Një rol të rëndësishëm për përmisimin e saj, por edhe për mbrojtjen e saj nëse nevoja e thërret është pjesëmarrja e intelektualëve në jetën politike si dhe në debatin publik.

Intelektualët nuk mund dhe nuk duhet ta konsiderojnë demokracinë si një formë të huaj përsa i përket formës së qeverisjes ose pjesëmarrjes në qeverisje dhe ta konsiderojnë si pjesë të tjerë vetëm në këndvështrimin e lirive për të shprehur lirshëm idetë dhe mendimet e tyre. Demokracia nuk është vetëm laborator idesh apo opinionesh të lira publike, por është edhe formë pushteti dhe mbi të gjitha cilësi qeverisje. Intelektualët duhet ta konsiderojnë të plotë angazhimin e tyre në funksion të përfaqësimit të shoqërisë dhe të demokracisë nëse:
– Marrin pjesë me intensivitet të lartë në elaborimin e ideve dhe të opinionit publik
– Duhet të jenë pjesë e pushtetit duke u angazhuar drejtpërdrejtë politikë
– Të synojnë qeverisjen me cilësi

Shqipëria ka nevojë për rrugë të reja të përbërjes dhe të ushtrimit të demokracisë të ndryshme nga ata që ka pasur deri më sot dhe kjo mund e duhet të ndodh edhe me një angazhim me serioz të intelektualëve në sferën e ideve, opinioneve publike dhe të përfshirjes së tyre në jetën aktive politike në vend qoftë edhe duke sfiduar me kurajë status quon aktuale e cila duket qartë që nuk ju përgjigjet aspiratave të shqiptarëve në një përpjekje të vazhdueshme mes demokracisë dhe hijes së Regjimit.

Kuvendi do shqyrtojë vendimin e GJK për Xhaçkën/ Gazetari Agim Baçi: E rëndë shpërfillja e qeverisë ndaj Kushtetueses, duhet të ishte marrë një vendim prej kohësh

Kuvendi do të shqyrtojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për deputeten Olta Xhaçka.

Në lidhje me këtë lajm, analisti Agim Baçi në rubrikën Opinion në News 24 tha se është e rëndë shpërfillja e qeverisë ndaj Kushtetueses. Ai tha se për rastin konkret duhet të ishte marrë vendim prej kohësh e të kishte edhe hetim.

Agim Baçi: Është e rëndë shpërfillja e qeverisë ndaj Gjykatës Kushtetuese. Rama asnjërin nuk e ka lëshuar lehtësisht. Edi Rama ka bërë shpërthime të kontrolluara. Duhet të ishte marrë një vendim prej kohësh dhe duhet të kishte edhe hetim, për investitorët strategjikë.

Xhaçka ka kohë që është pjesë e qeverisë dhe duke qenë prej kaq shumë kohësh aty, ka dhe ajo fuqinë e saj. Rama ka thënë se nuk do mbrojë askënd, por ka mbrojtur shumë persona. Rama thotë se nuk mbrojmë askënd përpara SPAK, por SPAK ka thënë se Policia e institucione të tjera nuk dërgojnë në SPAK asgjë.

Mes Dubait dhe Tiranës/ Kush është “biznesmeni” Tur Koçeku që dhunua në Palasë, lidhja me Shtufin dhe investimi te kulla ‘Mali i Tiranës’

Turi Koçeku që zyrtarisht ka zgjedhur të vetëquhet Luçiano Koçeku është bërë protagonist në një sherr masiv të ndodhur në një lokal nate në Palasë, “Sin”.

Ajo që duhet të ishte një natë argëtimi për grupin e të rinjve këtë fund gushti, u kthye në një pikëpyetje të madhe për jetën e Koçekut, i cili ndodhet në gjendje të rëndë për jetën në spital pasi ka pësuar dëme të mëdha në kokë.

Por rrugëtimi i Koçekut me dy emra, i njohur si në fushën e krimit ashtu edhe në të biznesit, ka pasur bashkëpunëtorë të ngushtë të tjerë personazhe që jo pak herë janë lakuar si ndërtimin e kullave në kryeqytet, ashtu edhe për të tjera ‘bëma’.

Bëhet fjalë për vëllezërit Shtufi, Ilir dhe Kujtim, kunetërit e një tjetër biznesmenit të njohur, Mark Luli.

Dy vëllezërit Shtufi zotërojnë ndër të tjera kompaninë ‘Nova Construction 2012’ që do të ndërtojë kullën “Mali i Tiranës”.

I lindur në Bulqizë, Turi Koçeku ka zgjeruar aktivitetet e tij që datojnë nga viti 2014

Më datë 13.09.2014 është themeluar shoqëria “LTD Co” shpk që ka si ortakë: Ilir Shtufin në masën 10%, Lucjano Koceku në masën 40% dhe Kujtim Shtufi në masën 50%.

Më datë 13.08.2019 është themeluar shoqëria “KORÇA PHOTOVOLTAIC PARK” sh.p.k. Ortak i vetëm themelues i shoqërisë ka qenë Ilir Shtufi, por përmes kontratës së shitjes të kuotave me nr. 2391 rep., nr. 911 kol., datë 22.05.2021, ky i fundit vendosi të transferojë 40 për qind të kuotave të kapitalit tek Luçiano Koçeku.

I vetëm Koçeku zotëron tre shoqëri të tjera: S G D Energjime subjekt prodhim, tregtim dhe furnizim të energjisë elektrike me administrator Myfit Duriçin; BALLENJA-KOMPANI me të njëjtin subjekt, por me një ndryshim jo dhe aq të vogël.

Ballenja Kompani ka marrë dhe një koncension për ndërtimin e Hidrocentralit “Ballenjë” duke shfrytëzuar ujërat e pellgut ujëmbledhës së Ballenjës në Bulqizë me fuqi 1.000 kË dhe energjia mesatare vjetore 4.197.824 kËh/vit.

G.A.V Invest është një tjetër kompani nën emrin e Koçekut që operon në fushën e ndërtimit dhe ka për administrator Ledio Tushën.

Tur Koçeku e ka ndarë jetën mes Tiranës ku ka biznese të tjera dhe në Dubai ku ishte vendosur prej kohësh.

Tashmë Koçeku po merr ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa në kërkim janë shpallur dy personat e identifikuar si Xhoni Spaho nga Tirana dhe Genti Baleci nga Durrësi.

ZËRI raportoi se pjesëmarrës në sherr ka qenë dhe Fatmir B., një person i shpallur në kërkim më herët për një plagosje që ka kryer në Komunën e Parisit, ngjarje ku mbeti i lënduar Mirel Ishka tek lokal “De Capo”./ ZËRI

Silvinjo e la jashtë Europianit, FSHF kujtohet për Cikalleshin pas tre muajsh

Sulmuesi kuqezi, Sokol Cikalleshi vendosi pak kohë më parë të tërhiqet nga Kombëtarja shqiptare pas një karriere të gjatë me Shqipërinë dhe një kontribut të madh për fanellën kuqezi ndër vite.

 

 

Cikalleshi është një nga futbollistët me më shumë prezenca në Kombëtare teksa numëron 60 ndeshje me fanellën kuqezi si edhe 13 gola të shënuar.

Gjithashtu, sulmuesi ka qenë pjesë e Shqipërisë edhe në Europianin historik “Francë 2016”, pjesëmarrja e parë e kuqezinjve në finalet e një turneu madhor. Ai debutoi me fanellën kuqezi në miqësoren Shqipëri-Rumani, të luajtur më 31 maj 2014, ndërsa paraqitja e tij e fundit me Kombëtaren ishte në miqësoren Suedi-Shqipëri të 25 marsit 2024 të luajtur në Stokholm.

Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të falënderojë dhe t’i shprehë mirënjohjen për kontributin e dhënë dhe djersën e derdhur në fushën e lojës me fanellën kuqezi. Një kontribut i madh dhe i jashtëzakonshëm i Sokol Cikalleshit, i cili ka qenë pjesë e rezultateve dhe arritjeve historike të Kombëtares shqiptare.

Sakaq, FSHF i uron suksese në karrierën e tij me klubin dhe sa më shumë mbarësi në të ardhmen.

“Ti në ushtri ke mbajtur oficerë me gra ruse”- Dëshmia e rrallë e ish-ushtarakut të lartë: Kur një oficer me origjinë hebre e akuzoi Hito Çakon se…

Ish-ushtaraku i lartë, Hetem Halili, lindi në Senican të Përmetit, me 15.07.1934. Që i mitur mbeti jetim. Shkollën 7-vjeçare, e kreu në Elbasan. Pastaj vazhdoi shkollën “Skënderbej” dhe në vitin 1954, përfundoi Shkollën e Bashkuar të Oficerëve. Fillimisht shërbeu si oficer në Kavajë, kurse në vitet 1955-1960, ishte oficer në ishullin e Sazan. Në vitet 1960-1968, ishte në funksionin e përgjegjësit të Rinisë në Bazën Ushtarake Detare Vlorë. Në vitet 1968-1969, shërbeu në Fier dhe Lushnje, në funksionet e zëvendës komisarit të Brigadës.

Në vitet, 1969-1974, ishte Inspektor i Përgjithshëm në Drejtorinë Politike të Ushtrisë pranë Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, kurse në vitet, 1974-1976, shërbeu në detyrën e komisarit të  Brigadës së Parë Sulmuese në Tiranë. Në periudhën, 1976-1978, kreu Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu” në Tiranë, kurse në vitet 1978-1983, ishte me detyrë zv/sekretar dhe komisar i Korpusit të Burrelit. Në vitet 1983-1989, shërbeu si komisar i Divizionit të Librazhdit. Ai gjithashtu ka kryer dhe Universitetin e Tiranës, duke u diplomuar për Histori-Gjeografi, si dhe kursin e lartë të Filozofisë pranë Shkollës së Lartë ka qenë Anëtar i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Ai u nda nga jeta në Tiranë, më 21 korrik të vitit 2021, në moshën 87 vjeçare.

Zoti Halili, ju jeni ndër dëshmitarët e paktë të gjallë që keni dëshmuar në gjyqin kundër Beqir Ballukut, Petrit Dumes e Hito Çakos, të akuzuar e pushkatuar si tradhtarë?

-Po. Unë kam dëshmuar në këtë gjyq, duke dhënë e dëshmitë të asaj kohe. Unë në atë kohë (viti 1974), kam qenë inspektor në Drejtorinë Politike të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore. Ajo ishte një drejtori e Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, si të gjitha drejtoritë e tjera. Varej nga Komiteti Qendror dhe ministri, nga të cilët merrte porosi dhe jepte llogari para tyre.

Koha, funksioni dhe detyra juaj në Drejtorinë Politike të Ushtrisë?

-Jam emëruar në këtë institucion, në prill të vitit 1970 dhe jam larguar, në dhjetor të vitit 1974…! Drejtor ishte Hito Çako, zëvendës ishin; Ziqiri Mero, për Sektorin e Përgjithshëm dhe Ilo Prifti, për edukimin. Unë kryeja detyrën si instruktor i Përgjithshëm në Drejtorinë Politike të Ushtrisë. Për informacionet që shkonin lart në Komitetin Qendror, ishte një porosi e posaçme: Të mos ishin më shumë se tre faqe…! Kujdesi ishte që mos e lodhnim shokun Enver. Porosinë e dha Hito Çako, por ishte e drejtuesve të lartë të Komitetit Qendror, pra e udhëheqësve të kohës…!

Keni punuar 4-5 vjet me Hito Çakon. Ç’mendim keni për atë, si eprori juaj?

-Mendimi im është pozitiv. Ishte njeri punëtor, i përgatitur nga ana ushtarake, ishte i zgjuar, tregonte kujdes për njerëzit, por ishte harbut nga goja…! Nuk ishte për punëtor partie…! Ishte ushtarak i aftë…! Duke qenë i tillë, ai pak a shumë, futi një frymë komandimi në parti, gjë e cila binte në sy…!

Hito Çako, ishte një nga drejtuesit e ushtrisë, i akuzuar si pjesëtar i “Grupit armiqësor”, e si i tillë, gjykimi partiak u bë tek ju. Kur u dënua ai, çfarë thatë ju?

-Diçka, filloi më parë…! Që në vitin 1971, u dënua një organizatë partie, si “antiparti”. Ishte në sektorin e Autotraktorëve. Erdhi ekip nga Komisioni Qendror i Partisë…! Merreshin me thashetheme, u përpoqën të fusnin në konflikt, ministrin e Mbrojtjes Beqir Ballukum me Shefin e Shtabit të përgjithshëm, Petrit Dumen.

Pra, ku fillon lufta ndaj “Gjeneralëve” dhe nga mori shkas ky sulm?

-Fillon në Plenumin e 12 të Komitetit Qendror të PPSh-së, në periudhën kohore 1971-1972, pas fjalimit të Enver Hoxhës; “Atdheu është i të gjithëve e, duhet të mbrohet nga të gjithë”.

Kishte informacion Enver Hoxha nga ju, pra nga Drejtoria Politike?

-Po kishte. Dhe vuri detyra konkrete…!

Pra, që këtej nis sherri në krerët e Ministrisë së Mbrojtjes?

-Sigurisht që po. Në zbatim të detyrave të Plenumit, ministri Beqir Balluku, u ngarkua të bënte materialin…! Ai ngarkoi Spiro Shalësin, Ernest Jakovën, etj. Punoi për gati dy vjet, por nuk po nxirrnin gjë në dritë…!

Është thënë që; gjithçka që priu goditjen e gjeneralëve, nisi në Drejtorinë Politike të Ushtrisë në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore?

-Në mars të vitit 1973, Drejtoria Politike, i bëri një raport Komitetit Qendror, ku ngrinte probleme të mos funksionimit të drejtorive e, sektorëve të ndryshëm në ushtri, që sipas saj, ishin të shumtë e, ishte vështirë të koordinohej puna…! Dhe bënte propozime përkatëse, për masa e ndryshime…! Materialin e bënë Halim Ramohito dhe Hito Çako, por e mbajtën tepër sekret…! Ja çuan Enverit dhe ai e ktheu, bashkë me shënimet e detyrat përkatëse…!

Çfarë përmbanin shënimet e Enver Hoxhës për këtë material?

-Esencialen. Ai, pra Enveri, thoshte: “Nuk janë çështje organizative, por më thellë”. Dhe i vë detyrë Mehmet Shehut dhe Hysni Kapos: “Thërrisni të tre, Beqirin, Hiton dhe Petritin, shikoni situatën dhe zgjidheni…”! U diskutua, u mendua se u arrit në konkluzionin e nevojshëm, dhe në fund, kur ishin gati duke dale nga takimi, Petrit Dume thotë: “Ne kemi mosmarrëveshje parimore me Ministrin…”! Materiali u kthye përsëri. Alarm. Morën materialin, që më pas u quajtën; “Materialet e Zeza”.

Diçka më konkrete, për konfliktin mes gjeneralëve?

-Këtu, të gjithë punën, e drejtuan Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo. Kur u diskutua ky problem, për Beqir Ballukun, në organizatën e Partisë të Drejtorisë Politike të Ushtrisë, erdhi i deleguar Ramiz Alia. Unë isha prezent. Duhet thënë se grupi që bëri materialin, u quajtën; “kalemxhinj”, nga udhëheqja…! Përkatësisht, kalemxhinj u quajtën Spiro Shalësi dhe Ernest Jakova…!

Ku ishte Hito Çako në këtë kohë?

-Ishte bërë zëvendësministër i Mbrojtjes, në vend të tij kishte ardhur Dilaver Poçi. Hito u kritikua. Ramiz Alia, bëri një vërejtje esenciale. Mori revistën “10 korriku” e tha; “Ja si e bëni propagandën”. Intervistoheshin vetëm gjeneralët…! Fotografitë e tyre të mëdha, një faqe, e para, një, e dyta, një e treta…! Fotografitë e tjera, ishin mikroskopike…! Ramizi tha: “Kjo nuk është propagandë! Më të mëdhenj se Enver Hoxha e Mehmet Shehu, jeni ju gjeneralët e ushtrisë”!? Këtu mori kthesë analiza, ri-analizat, që çuan në përcaktimin e “Grupit armiqësor në ushtri”…!

Çfarë problemesh të tjera ngritën në këto analiza?

-Për librat e përkthyer nga rusishtja. Ishin përkthyer tre libra. I pari ishte libri; “Psikologjia dhe Ushtari”, i kolonelit anglez Coople. I dyti ishte një libër për shqiptarët, por në vend të heronjve të Bashkimit Sovjetik, ishin vënë emrat e shqiptarëve, kopje…! Dhe një përkthim për rininë, për Komsomolin, i cili vetëm u përkthye, por nuk u shpërnda…! Këto libra, i botoi Hito Çtako. E vërteta është se këto libra që po anatemoheshin, Hito ua dërgoi Enverit, Mehmetit, Hysni Kapos dhe Ramiz Alisë…! Por ata, si në heshtje, thanë që; “ne i kemi lexuar, por nuk e dinim që janë të përkthyer”.

Çfarë tha tjetër për librat Ramiz Alia?

-Po. Të ngrihet një grup pune, t’i studiojë, t’i analizojë, të informohet Komiteti Qendror dhe të merren masa…! Kjo e thelloi dhe solli përçarjen e gjeneralëve…! Në shtator, në fjalimin që mbajti Enver Hoxha, e quajti Hito Çakon; “Revizionist i gjallë dhe recitivist”…! U bënë diskutime në gjithë ushtrinë…!

Cila ishte karakteristikë në këto analiza që çuan në dënimin e pushkatimin e gjeneralëve?

-Është fakt i dhimbshëm. Ushtarakët sulmuan njëri-tjetrin, me shpresën për të mbajtur vetë, sa më pak përgjegjësi…! Por dihet, kjo nuk funksionoi…! Pas analizave që u bënë për Beqir Ballukun e grupin e tij të vogël, ku dolën një sërë problemesh, Enver Hoxha, mbajti një fjalim. Kështu, Për Petrit Dumen, Enveri tha: “Ti, Petrit Dume e ke dashur ushtrinë, por e ke dashur siç e doje ti, jo siç e donte partia”, Për Hito Çakon tha: “Ti je revizionist i gjallë dhe recidivist”! …Në fakt, pak kush e mendonte përshpejtimin e ngjarjeve në këtë mënyrë…! U shkua në analiza shumë larg në kohë, Hito Çakon e akuzuan, se më 1947-ën dhe 1948-ën, ka qenë në krahun e Koçi Xoxes…!

Si reagoi Hito Çako, për këto akuza që u ngritën në plenum?

-Ai u vu në vështirësi. Ju kthyen të gjithë dhe i kërkuan: “Pse nuk i ke thënë këto, pse ja ke shprehur Partisë…”?! Ndërsa furtuna më e madhe, do të shpërthente në aktivet e Partisë që u mbajtën në Durrës…! Në të morën pjesë 7 anëtarë të Byrosë Politike, Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Adil Çarçani, Ramiz Alia, Kadri Hazbiu, etj…!

Ishit ju në aktivin e Durrësit dhe çfarë do veçoni nga ai aktiv?

-Po. Ushtarakët e lartë u turrën kundër njëri tjetrit. Bie fjala, Muhamet Prodani, i tha Petrit Dumes: “Unë edhe sot nuk e marr vesh, nëse ti Petrit, ke qenë me Tezat e Artit Ushtarak Popullor, apo me ‘Teorinë e rrëshqitje’”?!… Vetë Hito Çako, pasi bëri autokritikë, i thotë Hysni Kapos: “Për këtë çështje, unë kam biseduar me ju, ju e dini këtë problem”Hysni Kapo mori mikrofonin dhe tha: “Ti ke ardhur, ke paraqitur diçka, por nuk e kemi sqaruar”…! Këtu tensionohet situata…! Ndërhyn menjëherë dhe ashpër Mehmet Shehu…!

Cila ishte ndërhyrja e Mehmet Shehut?

-Mehmet Shehu rrëmbeu mikrofonin dhe tha: “Ti Hito Çako, mos u mundo të shmangesh, të përziesh dhe të tjerët në këtë veprimtari që mban erë të keqe kundër Partisë, Ushtrisë e interesave të vendit…”! Analiza vazhdoi me akuza e kundër-akuza të ndërsjellat. Madje, mua më bëri përshtypje se për Hito Çakon flisnin më shumë e më me pasion, ata njerëz që ai kishte pasur më afër, i kishte ndihmuar dhe njiheshin me njëri-tjetrin…! M’u krijua përshtypja se për të shpëtuar veten, këta po ja fusnin njëri-tjetrit…! Ndonëse materialet i kishin lexuar një pjesë e mirë e tyre….! Në këtë analizë, diskutoi dhe gjeneral Dilaver Poçi…! Bile disave, u ra të fikët…!

Përballë akuzave, kush reagoi më me dinjitet nga gjeneralët e akuzuar?

-Më mirë diskutoi Halim Ramohito, këtë diskutim të tij, e evidentoi dhe Mehmet Shehu. Pas Durrësit, analiza vazhdoi në gjithë korpuset e vendit…! Mbaj mend se një çështje e diskutuar, ishte ndasia në marrëdhëniet midis komiteteve të Partisë në Ushtri, me Komitetet e Partisë së rretheve…!

Cili ishte rezultati i këtyre analizave?

-Thashë më lart se Beqir Balluku, ishte arrestuar, por ende nuk ishte përcaktuar plotësisht “Grupi Puçist” në Ushtri. Në përfundim të analizave, u vendos nga Komiteti Qendror, që komisarët e Korpuseve, të ishin dhe anëtarët të Komitetit të Partisë të rretheve, si dhe një nga sekretarët e Komiteteve të Partisë së rrethit, të ishte anëtar i Komitetit të Partisë së Korpusit në ushtri…! Tjetër masë, ishte marrja masive e kuadrove nga rrethi, me, e pa arsim, në forumet e Partisë në Ushtri.

Ku shkuan konkluzionet e analizave në shkallë vendi?

-Dërgoheshin tek ne në Drejtorinë Politike të Ushtrisë. Aty përmblidheshin dhe u dërgoheshin Komitetit Qendror të PPSH…! Me këtë punë, merrej direkt Sektori Ushtarak që drejtohej nga Gafur Çuçi, e që varej nga Hysniu Kapo…!

Për çfarë e akuzuan kolegët dhe udhëheqja Hito Çakon?

-Hito Çako, u kritikua sikur donte të rrethonte e asgjësonte komitetet e Partisë, por në fakt, “rrethimi i Hitos”, kishte të bënte me atë që në rast agresioni, forcat e vendosura të siguronin jetën e komiteteve të partisë, deri dhe në zhvendosjen e tyre, në rast agresioni…! Dikush e kritikoi: “Ti Hito Çako, ke mbajtur në ushtri, oficerë që qenë martuar me gratë ruse”?

Cili ishte reagimi i Hito Çakos?

-Hito reagoi menjëherë. Ai tha: “Nuk ka pasur orientim që t’i hiqnim, nuk mund të ndërmerrnim veprime me kokën tonë, pa direktivë të Partisë”. Pasi reagoi Hito, kritikuesi Pepe Kantozi, hebre, oficer në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes, ngeli për një moment. Pastaj tha: “Unë kështu e mendoj”! Dhe Hito ia ktheu: “Po e mendon kështu ti o çifut, unë le ta ha dhe për këtë, se kam të tjera më të mëdha për ta ngrënë, e se kjo nuk ngre peshë…”!

Përse Enver Hoxha tha se; “Është krijuar një komitet Qendror i Partisë, në Ushtri”?

-Më parë pohova, se në Ushtri, ishin gjashtë anëtarë të Komitetit Qendror të PPSh-së. Kjo se problemet që kishte Ushtria, diskutoheshin një herë me këta gjashtë anëtarë, pastaj shkonin në Komitetin Qendror. Anëtarët e Komitetit Qendror në Ushtri, ishin Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, Sadik Begteshi, Halim Ramohito e Dilaver Poçi…! Memorie.alNga Kujtim BORIÇI

Rregullat e reja të hyrjes në BE, çfarë duhet të dinë qytetarët e Ballkanit Perëndimor

“Mirëdita! Pasaportat, ju lutem! Duhet t’ju marrim edhe gjurmë të së paku katër gishtërinjve. Edhe fotografi. Faleminderit dhe ju uroj qëndrim të këndshëm!”. Kështu do të duhej të dukej nga 10 nëntori i këtij viti hyrja në Bashkimin Evropian dhe në Zvicër, Norvegji, Islandë e Lihtenshtajn, vende anëtare të zonës së lëvizjes së lirë Schengen, për qytetarët e rreth 60 vendeve, përfshirë edhe ata të Ballkanit Perëndimor.

 

Në atë kohë do të fillojë të funksionojë sistemi i ri i hyrje-daljeve (Entry/Exit System – EES), i cili është krijuar në nëntor të vitit 2017, por se zbatimi i tij është shtyrë disa herë.

Për verën e ardhshme është paralajmëruar zbatimi edhe i Sistemit të dytë Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), i cili u kërkon udhëtarëve nga vendet që kanë regjim pa viza me BE-në, të aplikojnë online për lejen e hyrjes, duke paguar një tarifë prej shtatë eurosh me kartelë bankare.

Pasaportat në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë biometrike, çipat e tyre përmbajnë shenja gishtash dhe fotografi – çfarë i bën plotësisht në përputhje me kushtet që ka kërkuar BE-ja në mënyrë që vendet e Ballkanit Perëndimor të kenë regjim pa viza.

Kushtet e përgjithshme – që dokumentet e udhëtimit të mos skadojnë në më pak se tre muaj nga data kur personi planifikon të kthehet në vendin e tij ose që pasaporta të mos jetë më e vjetër se dhjetë vjet – do të vazhdojnë të mbeten në fuqi.

Cilat janë ndryshimet e reja nga mesi i vitit 2025?

ETIAS do t’u kërkojë qytetarëve të rreth 60 vendeve të plotësojnë një formular të veçantë nëpërmjet internetit ose aplikacionit celular, përpara se të udhëtojnë.

Me rastin e plotësimit të aplikacionit për herë të parë, pasagjeri fut të dhënat personale, emailin dhe numrin e telefonit, si dhe detajet e dokumentit të udhëtimit.

Udhëtari do të duhet, gjithashtu, të fusë detaje rreth arsimit dhe punësimit aktual, si dhe detaje rreth udhëtimit të planifikuar dhe qëndrimit në vendin e BE-së.

Do të kërkohen edhe detaje për çdo dënim penal, për udhëtime në të kaluarën në zona lufte ose zona konflikti, si dhe informacione nëse personi është dëbuar nga ndonjë vend.

Udhëtarët do të duhet të paguajnë edhe një tarifë shtesë prej shtatë eurosh, me kartelë bankare. Pagesa do të bëhet si për çdo blerje online.

Tarifa nuk do të paguhet nga personat nën 18 vjeç dhe mbi 70 vjeç, bashkëshortët/partnerët e regjistruar dhe fëmijët e shtetasve të BE-së dhe të vendeve të zonës Schengen, si dhe fëmijët e bashkëshortëve/partnerëve që vijnë prej jashtë BE-së.

Aplikimi “grupor” nuk do të jetë i mundur – pra në rast të udhëtimit familjar, çdo anëtar do të duhet të aplikojë veçmas për ETIAS-in.

Sistemi ETIAS do të jetë i disponueshëm në gjuhët e vendeve anëtare dhe sistemi do të pranojë vetëm shkronja latine.

Udhëtari do të mund të ndalojë plotësimin e aplikacionit, t’i ruajë ndryshimet dhe të vazhdojë të fusë të dhëna brenda 48 orësh.

Sa kohë duhet për t’u përpunuar një kërkesë?

Siç thuhet në faqen zyrtare të sistemit ETIAS, përpunimi duhet të zgjasë “disa minuta”.

Nëse zgjat më shumë, pasagjeri duhet ta marrë njoftimin brenda katër ditësh.

Pasagjerëve mund t’u kërkohen edhe informacione ose dokumente shtesë – si për shembull konfirmimi i rezervimit të hotelit dhe konfirmimi i punësimit – të cilat duhet të dorëzohen brenda dhjetë ditësh. Në atë rast, kërkesa duhet të shqyrtohet brenda dy javësh.

Udhëtari mund të ftohet për intervistë në ambasadën e vendit ku planifikon të udhëtojë dhe në atë rast kërkesa shqyrtohet brenda 30 ditësh.

Prandaj, udhëtarët këshillohen që ta plotësojnë formularin së paku një muaj përpara se ta blejnë biletën apo ta rezervojnë akomodimin.

Nëse udhëtarit i lejohet hyrja në BE, ai do ta marrë njoftimin me email.

Leja ETIAS do të jetë e vlefshme për tre vjet, ose derisa të zëvendësohet dokumenti i udhëtimit me të cilin udhëtari ka aplikuar.

Formulari është i lidhur me dokumentin e udhëtimit, që do të thotë se është i vlefshëm vetëm me pasaportën me të cilën ka aplikuar udhëtari.

Pasaporta e re nënkupton aplikim të ri.

Nëse ETIAS-i paguhet dhe miratohet për udhëtimin në një vend, ai është gjithashtu i vlefshëm edhe për një vend tjetër.

Leja ETIAS nuk do të thotë që një person mund të qëndrojë në BE për më shumë se 90 ditë në një periudhë gjashtëmujore, ose të punojë në BE.

Udhëtari do të mund të hyjë dhe të dalë nga BE-ja sa herë të dojë dhe të udhëtojë në çdo destinacion brenda zonës Schengen gjatë periudhës së vlefshmërisë së lejes dhe për aq kohë sa ai e respekton afatin e specifikuar kohor.

Çfarë nëse personi nuk ka internet, kartelë bankare, është analfabet dhe të ngjashme?

Prindërit e plotësojnë formularin për fëmijët e tyre të mitur, të cilët janë të përjashtuar nga pagesa e tarifës prej shtatë eurosh.

Gjithkush mund të autorizojë një palë të tretë – një person tjetër ose një ndërmjetës tregtar – që të aplikojë në emër të tij ose në emër të fëmijëve të tij të mitur.

Me një ndërmjetës – për shembull nga një agjenci udhëtimesh – deklarata e përfaqësimit duhet të nënshkruhet për çdo person individualisht dhe e njëjta gjë vlen në rast se një mik, fqinj, vajza ose djali aplikon për një person.

Personi ose kompania që është ndërmjetëse, do të duhet, gjithashtu, t’i fusë të dhënat e veta.

Ndërmjetësi ka të drejtë të kërkojë një “tarifë të arsyeshme” dhe BE-ja ka parashikuar mundësinë e raportimit anonim të atyre që kërkojnë pagesa të larta.

Ata që vendosin të aplikojnë përmes një ndërmjetësi, këshillohen të kontrollojnë veçanërisht nëse informacioni në aplikacion është i saktë, përpara se ta dërgojnë atë, sepse në rast të ndonjë gabimi, aplikacioni mund të refuzohet ose anulohet.

Në rast se udhëtari vëren ndonjë gabim, ai mund ta plotësojë një aplikacion të ri ose të kërkojë korrigjimin e gabimit në aplikacionin e vjetër. Procedura e përpunimit në atë rast zgjat deri në 30 ditë.

Si të shkoni në një funeral, të vizitoni prindin që është shtetas i BE-së dhe të ngjashme?

Formulari ETIAS nuk do të duhet të plotësohet nga personat që kanë vizë të vlefshme – studentore, pune ose të ngjashme – ose leje qëndrimi në një vend të BE-së.

Formulari nuk plotësohet as nga personat që jetojnë përgjatë kufirit dhe posedojnë kalime kufitare.

Anëtarët e ekuipazhit në anije dhe avionë për disa vende të BE-së do të kenë nevojë për formularin ETIAS.

Përjashtime bëhen në rast të rrezikimit të jetës së aplikuesit apo të të afërmit, vajtjes në varrim të një familjari, detyrimit për t’u paraqitur në gjykatë apo ndonjë “detyrimi të rëndësishëm”.

Në atë rast, udhëtari e plotëson aplikacionin ETIAS për të ashtuquajturën leje të kufizuar që e tregon arsyen.

Leja lëshohet nga shteti në të cilin personi udhëton dhe është e vlefshme për të udhëtuar vetëm në atë vend për maksimum 90 ditë.

Për shembull, nëse bëhet fjalë për të shkuar në një funeral, një vend i BE-së mund ta lejojë hyrjen vetëm për ditët e varrimit.

Nëse personi, ndërkohë, aplikon dhe merr një ETIAS të dytë për udhëtim në të gjitha vendet e Schengenit, leja e kufizuar automatikisht bëhet e pavlefshme.

Çfarë nëse BE-ja refuzon t’ju japë leje?

Personave pa autorizimin ETIAS do t’u refuzohet hyrja në kufi.

Edhe marrja e kësaj certifikate nuk nënkupton që udhëtarit do t’i lejohet automatikisht hyrja në vendin e BE-së.

Të gjithë udhëtarët do të kontrollohen dhe një oficer kufitar mund t’ia refuzojë hyrjen një personi që nuk i plotëson kërkesat.

Disa nga kushtet për hyrje janë: dokument i vlefshëm i udhëtimit për së paku tre muaj nga data e kthimit të planifikuar; pasaporta të mos jetë më e vjetër se dhjetë vjet; qëndrimi të jetë i justifikuar dhe personi të ketë para të mjaftueshme deri në kthimin e planifikuar.

Shuma e zakonshme është rreth 100 euro në ditë dhe varet nga shteti anëtar i BE-së.

Disa nga arsyet e refuzimit të hyrjes lidhen me kërcënimet për sigurinë ose shëndetin.

Nëse kërkesa për ETIAS refuzohet, revokohet ose anulohet, personi do ta marrë një email që i tregon arsyet e refuzimit dhe emrin e autoritetit që e ka marrë vendimin.

Ekziston mundësia e apelimit dhe emaili do të përmbajë informacione se në cilin vend ose shtet mund të apelohet. Ankesat trajtohen në përputhje me ligjet e atyre vendeve.

Një person, aplikimi i të cilit refuzohet, mund të aplikojë sërish për lejen ETIAS.

Nëse një person e revokon kërkesën e tij, ai nuk mund të ndryshojë mendje më pas, por duhet të plotësojë një formular të ri.

Tarifa nuk rimbursohet nëse aplikacioni refuzohet.

A do të ketë më shumë rrëmujë në kufij?

Me futjen e EES-it, mbetet skanimi i dokumenteve të udhëtimit, ndërsa vulosja e pasaportave në pikën kufitare ndalon.

Megjithatë, marrja e shenjave të gishtërinjve dhe fotografimi, që do të bëhen në çdo pikë kufitare, mund t’i zgjasin pritjet në radhë.

Në aeroporte, kontrollet do të kryhen pas aterrimit.

Shtetet anëtare i kanë ndryshuar disa ligje për t’i reduktuar tollovitë e mundshme në vendkalimet tokësore.

Pse është krijuar ky sistem?

Sistemi i ri EES është krijuar për t’i bërë bazat e vendeve anëtare të BE-së më të lidhura, për ta lehtësuar gjurmimin e kohës dhe vendit të qëndrimit dhe për të siguruar që udhëtarët nuk qëndrojnë më shumë se 90 ditë brenda një periudhe gjashtëmujore.

Një nga qëllimet e masave të reja është të vështirësohet hyrja e kriminelëve apo terroristëve në BE me pasaporta false, pasi kontrolli biometrik do të kryhet sa herë që kalohet kufiri.

Pasagjerët nuk do të paguajnë tarifë për ofrimin e të dhënave biometrike.

Të dhënat do të jenë të qasshme për shërbimet policore të vendeve anëtare të sistemit Schengen dhe agjencinë policore, EUROPOL, gjatë hetimeve penale, sidomos terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Kontrollet e të dhënave biometrike do të rriten në mes të vitit 2025, por data e saktë nuk është përcaktuar.

Sisteme të ngjashme kanë krijuar tashmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Australia./REL