23.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

BILANCI TRAGJIK/ 19,000 fëmijë kanë mbetur jetimë në Gaza

Sulmet izraelite në Gaza kanë vrarë dhjetëra mijëra njerëz: shumë prej tyre fëmijë, shumë prindër. Kaq shumë fëmijë kanë mbetur jetimë gjatë luftës së Izraelit kundër Hamasit, saqë asnjë agjenci apo grup ndihmash nuk mund t’i numërojë.

“Babai dhe mamaja do të na presin atje,” i thonë një grup fëmijësh tezes së tyre Samar, e cila po kujdeset për të katër ata, Mohammed, Mahmoud, Ahmed dhe Abdullah Akeila. Ata e thonë këtë, edhe pse iu është thënë se prindërit e tyre kanë vdekur prej muajsh, që nga sulmi ajror që goditi pranë vendit ku strehohej familja.

Përveç Ahmedit, i dyti më i ri në moshën 13-vjeçare, asnjëri prej tyre nuk i pa kufomat. Vëllezërit kalojnë çdo moment me lot, pothuajse të paaftë për të folur – Dita e Nënës ishte e vështirë; kështu ishte edhe festa e Bajramit – megjithatë ata ende mbajnë shpresë. Çdo mbrëmje kur falet namazi i perëndimit të diellit, 9-vjeçari Abdullah thotë se dëgjon zërin e nënës së tij.

Lufta në Rripin e Gazës po merr fëmijët nga prindërit dhe prindërit nga fëmijët, duke prishur rendin natyror të gjërave, duke prishur njësinë bazë të jetës së zonës. Konflikti po krijon kaq shumë jetimë në një kaos të tillë sa asnjë agjenci apo grup ndihmash nuk mund t’i numërojë.

Stafi mjekësor thotë se fëmijët lihen të lëvizin nëpër korridoret e spitalit dhe të kujdesen për veten e tyre pasi dërgohen atje të gjakosur dhe të vetëm.

Në Khan Younis, një kamp i drejtuar nga vullnetarët është krijuar për të strehuar më shumë se 1000 fëmijë që kanë humbur njërin ose të dy prindërit, duke përfshirë Akeilas.

Mes bombardimeve, evakuimeve të vazhdueshme nga çadra në tendë dhe apartament në spital në strehë, askush nuk mund të thotë se sa fëmijë kanë humbur gjurmët e prindërve të tyre dhe sa i kanë humbur ata përgjithmonë.

Të paktën 19,000 fëmijë mbeten jetimë

Duke përdorur një metodë statistikore të nxjerrë nga analizimi i luftërave të tjera, ekspertët e Kombeve të Bashkuara vlerësojnë se të paktën 19,000 fëmijë tani po mbijetojnë pa prindërit e tyre, qofshin me të afërmit, me kujdestarët e tjerë apo vetëm.

Por shifra e vërtetë është ndoshta më e lartë. Luftëra të tjera nuk përfshinin kaq shumë bombardime dhe kaq shumë zhvendosje në një vend kaq të vogël dhe të mbushur me njerëz, me një popullsi që përfshin një përqindje kaq të lartë fëmijësh, tha Jonathan Crickx, një zëdhënës i agjencisë së OKB-së për fëmijë.

Ushtria izraelite thotë se po merr masa paraprake për të kufizuar dëmtimin e civilëve në fushatën e saj shkatërruese në Gaza për të çrrënjosur Hamasin lidhur me sulmin e grupit të 7 tetorit ndaj Izraelit, i cili la rreth 1200 njerëz të vdekur dhe afërsisht 250 të marrë peng. Më shumë se 100 robër mbeten ende në Gaza, të paktën 30 prej të cilëve besohet të jenë të vdekur.

Izraeli akuzon Hamasin se po rrezikon banorët e Gazës duke vepruar në mesin e tyre. Hamasi mbron përdorimin e rrobave civile dhe shtëpive civile, duke thënë se anëtarët e tij nuk kanë alternativë.

Dhjetëra mijëra njerëz janë vrarë: shumë prej tyre fëmijë por edhe shumë prindër. Në prill, 41% e familjeve të anketuara nga agjencia Crickx në Gaza po kujdeseshin për fëmijët jo të tyre.

Disa fëmijë kanë lindur jetimë, pasi nënat e tyre të plagosura vdiqën gjatë lindjes, tha Dr. Deborah Harrington, një mjeke obstetër britanike që pa dy foshnja të lindura në atë mënyrë teksa ishte vullnetare në Gaza në dhjetor.

Shumë më shpesh, fëmijët dhe prindërit ndahen kur forcat izraelite arrestojnë prindërit, ose pas një sulmi ajror, fëmijët dërgohen në spital të vetëm.

Mjekët thonë se kanë trajtuar shumë fëmijë të sapolindur jetimë, shumë prej tyre të gjymtuar.

Tri alfabetet më të hershme origjinale të shqipes

Janë dy forma burimesh të kohës për dokumentimin e alfabete origjinale të shqipes. Njëra, e para, është përmes vetë dokumenteve origjinale të këtyre alfabeteve që janë të ruajtura nëpër arkiva e koleksione. Të kësaj natyre janë qindra faqe. Dhe tjetra, e dyta, është përmes dëshmive përshkruese të shkruara, si kronika, katalogime e të ngjashme. Të tilla janë dy konkrete

Për alfabetet e gjuhës shqipe është shkruar relativisht shumë. Por alfabetet me shkronja të veçanta të shqipes, të paktën deri tash, kanë zënë më pak hapësirë në sferën e studimeve albanistike dhe në atë të opinionit publik. Ky fenomen karakteristik i zhvillimit të krijimtarisë letrare shqiptare, përfaqëson një dimension partikular në evolucionin kulturor shqiptar. Në këtë tekst trajtojmë këto alfabete në kohën më të hershme të paraqitjes së tyre, duke prekur me aq sa është e mundshme rrethanat që i kanë bërë realitet ato. Fokusi ynë do të jetë te shekulli XVII dhe XVIII, kurse vëmendje e veçantë do t’u kushtohet burimeve të kohës, përfshirë një burimi të ri të zbuluar rishtazi që ndihmon në ndriçimin e origjinës së tyre.

Alfabetet origjinale sipas dokumentimit

Të para vitit 1800, që përbën edhe periudhën që trajtohet këtu, janë këto tre alfabete të posaçme që kanë mbijetuar përmes materialeve dokumentare origjinale nga shekullit XVII dhe XVIII: 1) Alfabeti i Elbasanit, mbase nga shek. XVII, deri tash i mbijetuar vetëm në një dorëshkrim 60 faqesh që ruhet në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave në Tiranë; 2) Alfabeti i Beratit, më së hershmi nga viti 1731, që ruhet në tre fragmente të vogla prej disa vendeve të Shqipërisë së mesme, në trekëndëshin Fier–Voskopojë–Elbasan; dhe, 3) Alfabeti i Todhrit, më së hershmi nga viti 1780, dokumentuar në rreth 800 faqe materialesh nga fundi i shekullit XVIII deri në fillim të shekullit XX. Deri tash i dëshmuar vetëm në Elbasan.

Siç thamë, të kësaj periudhe, pra para vitit 1800, janë edhe dy dëshmi përshkruese, të cilat nuk e dimë me siguri nëse flasin për alfabetet e mësipërme apo për të tjera, që nuk janë zbuluar deri më sot. Përshkrimet janë me rëndësi, veçanërisht sepse flasin për emra autorësh. Dëshmitë janë: 1) Dëshmia nga Anastas Mëhilli (c. 1675–1725), i cili flet për Kozmain e Durrësit, që para vdekjes, pra para vitit 1702, kishte dhënë kontributin e tij për shkrimin e gjuhës shqipe me shkronja të veçanta, si një Kadmë i shqiptarëve; 2) Dëshmia nga Georgios Zaviras (1744–1804), i cili në shënimet e tij bibliografike, në një regjistrim të vitit 1761 flet për Gregorin e Durrësit si shpikës të një alfabeti origjinal të gjuhës shqipe, me të cilin e ka përkthyer Dhiatën e Re dhe të Vjetrën. Është paragraf shumë i njohur, e i shumë cituar nga ky autor.

Këtë dëshminë e parë prej Mëhillit, duke qenë më e vjetra, do të tentojmë ta përdorim si çelës në një përqasje tërësore e të tërësishme të fenomenit të paraqitjes së këtyre alfabeteve pikërisht në këtë periudhë, e çka edhe përbën bërthamën e kësaj e këtij teksti. E panjohur për publikun para vitit 2014, dëshmia e Mëhillit, na hap shteg për t’u lëshuar më pas në një trajtim kronologjik të të gjitha burimeve të përmendura më sipër.

Dëshmia e parë përshkruese: Kozmai i Durrësit

Fragmenti i Mëhillit është kumtuar për rrokullinë shqiptare në vitin 2022, dhe ende s’është shoshitur në tërësi. Kjo dromcë informate që do ta paraqesim të plotë, vjen nga një libër i shtypur rreth vitit 1710, por që kishte mbetur i pa botuar (apo pa shpërndarë) në kohën e përpilimit. Vepra (ose të paktën pjesa për Kozmain) mund të jetë vënë në letër dhe para kësaj date. Autori i saj Anastas Mëhilli Maqedonasi (c. 1675–1725) është helenist i shquar i kohës së tij, anëtar i Akademisë së Brandemburgut, të themeluar nga Lajbnici. Ksombla e librit që neve na intereson nuk ka ballinë dhe njihet zakonisht me emrin Udhëpërshkrime, megjithëse për nga përmbajtja duket se është një lloj traktati mbi helenizmin. Mbahet në një kopje të mikrofilmuar në Akademinë e Athinës, ndërkohë që ksombla e vetme origjinale duket se ka humbur. Studiuesi grek, Charalampos Minaoglou, në vitin 2014 i ka botuar të plota në transliterim faqet e mikrofilmuara nga ky libër, ku përfshihet dhe fragmenti për Kozmain. Sakaq, jo të gjitha faqet e librit kanë mbijetuar në mikrofilm; mungojnë pjesët pas faqes 216 dhe ballina, e fleta e titullit. Kjo është arsyeja pse edhe datimi i saktë dhe emri i vëllimit mbeten çështje të hapura.

Pas një kontakti përmes postës elektronike, Minaoglou zemërgjerësisht ka ndarë dy faqet të skanuara që flasin për gjuhën shqipe dhe alfabetin shqip të Kozmait. Në vitin 2022 kemi bërë një përpjekje të parë të përkthimit të paragrafit mbi Kozmain nga ky tekst. Këtu po e japim të plotë dhe më të zgjeruar. Për këtë përkthim falënderojmë përzemërsisht edhe profesorët Dhori Qirjazi, dhe Aristotel Spiro. Fragmenti është si në vijim:

“Populli i shqiptarëve që mjaftohet me përdorimin e shkronjave greke, ende nuk e ka një gjuhë të veten [të shkruar] deri më sot. Megjithatë, janë të aftë për arsim dhe nuk janë plotësisht të privuar prej saj. Ata vetë, kur pyeten me të qeshur ku dreqin janë strukur letrat dhe shkrimet e tyre, përgjigjen njësoj siç përshkruan Lugerio Buzbeu në librin e tij të katërt, ku tregon për turqit në lidhje me skitët në Kostandinopojë: “Si për të thënë që urtësinë, që të gjitha kombet e tjera e kanë të shkruar në libra, ata e kanë përvetësuar brenda vetes, sikur të kenë ngrënë librat e tyre. Prandaj, kur është e nevojshme, ata e nxjerrin atë si në tripod dhe e flasin sikur të ishte nga një burim i lindur.” Ky është një tipar i këndshëm edhe i shqiptarëve tanë. Megjithatë, për të ndrequr këtë mangësi të tyre të fatit, një burrë i ditur, Kosma Qiprioti, i cili gjithashtu njihej si një kujdestar i shenjtë i Dioqezës së Durrësit, është përthelluar shumë. Dhe nëse natyra nuk do të kishte vendosur kufijtë e pleqërisë së gjatë tek ai, ndoshta asgjë nuk do ta kishte penguar që të shfaqej si një Kadmë i shqiptarëve, duke stolisur gjuhën e tyre me shkronjat e zërit harmonik njerëzor. Gjuha e tyre ka një karakter (shkronjash?) shumë të veçantë dhe krejtësisht të ndryshëm nga gjuhët e popujve fqinjë. Ata (që të japim pak shembuj sa për lezet) e quajnë Zotin “zot”. Kështu që edhe “për Zotin” është në gjuhën e tyre “p[ë]r a[t] Zot”. Vuk / Buk është “buka”, uj është “uji”. Një përshëndetje e zakonshme mes tyre është “mirë se [e]rdhe”, që do të thotë “ditë e mbarë”, që ata ia urojnë njëri-tjetrit kur takohen”.

Për jetën kozmopolite të Kozmait të Durrësit, që përmendet këtu si Kadmë i shqiptarëve, që ka zbukuruar gjuhën e tyre me karaktere të veçanta, janë të njohura relativisht shumë të dhëna. Pra, është një figurë e mirënjohur. Ka lindur më 15 qershor 1643 në Tunis me emrin Kostandin Mavrudi. Babanë, Dhimitrin e kishte nga Selaniku, e nënën Elizabetën nga Qipro. Ishte regjistruar në Kolegjin e Shën Thanasit, që administrohej nga Propaganda Fide, në Romë më 11 nëntor 1660, megjithëse e kish kaluar moshën e rregullt të studimeve aty. Pas emërimit si dhjak, më 9 maj 1663, për shkaqe shëndetësore ka ndërprerë studimet në gushtin e vitit vijues më datë 26. Pas një jete dinamike e në lëvizje, duke shërbyer e punuar mes orientit dhe oksidentit — Romë, Qipro, Paris e Tunis — më 25 maj 1682, në moshë 39 vjeçare, është vendosur në Elbasan, ku edhe ka vepruar deri në fund të jetës së tij. Për një kohë të gjatë ka shërbyer si mbikëqyrës (igumen) i manastirit të Shën Gjon Vladimirit, pak kilometra larg qytetit të Elbasanit. E më pas, më 24 janar 1694 ishte emëruar kryepeshkrop i Mitropolisë së Durrësit. Nuk e dimë pse Kozmai kish vendosur të shkonte në Elbasan; duket se afërsia historike e Patriarkanës së Ohrit me kurinë e Romës të ketë qenë faktor. Kozmai pas emërimit si mitropolit i Durrësit, ka vazhduar shërbimin në manastirin e Shën Gjon Vladimirit, deri në vdekjen e tij me 15 janar 1702. Ka vdekur në Durrës në shtëpinë e një banori lokal, dhe është varrosur në kishën e Shën Gjergjit po në Durrës. Pra cilido qoftë alfabeti që e ka shpikur Kozmai për shqiptarët, duhet të ketë qenë para vitit 1702, kur natyra “kishte vendosur kufijtë e pleqërisë së gjatë tek ai.” Kjo e bën këtë alfabet, pra alfabetin origjinal të Kozmait, më të hershmin që njohim për shqipen deri sot. Cili është ky alfabet?

Alfabeti i Elbasanit dhe Anonimi i Elbasanit

Studiuesi Minaoglu, pra studiuesi që e ka zbuluar fragmentin e Mëhillit, bazuar në faktin se kemi të bëjmë me prezencë në aktivitet në Manastirin e Gjon Vladimirit pranë Elbasanit, mëton se vepra e Kozmait që po përmendet këtu duhet të jetë alfabeti që është përdorur tek Anonimi i Elbasanit. Çka përbën një hipotezë të re për këtë abece. Ky alfabet, që vjen nga lista e atyre tri alfabeteve të ruajtura nga burimet e përmendura, njihet edhe si alfabeti i Elbasanit, dhe është i përdorur në tekstin shqip të kodikut që njihet si Anonimi i Elbasanit. Kjo është një fletore krejt e vogël me gjashtëdhjetë faqe gjithsej, prej të cilave 58 janë me këtë alfabet. Është zbuluar në janar të vitit 1949 mes shënimesh dhe materialesh të mbledhura nga manastiri i Shën Gjon Vladimirit në Elbasan. Si përmbajtje përbëhet nga copëza të ungjillit të përkthyera shqip me këtë alfabet origjinal prej dyzet shkronjash, duke përfshirë dhe ligaturat. Studimet e para mbi të janë bërë nga Dhimitër Shuteriqi (1949) e Injac Zamputi (1951), të cilët (me ndihmën e kolegëve) edhe e kanë deshifruar tekstin dhe i kanë zbuluar vlerat fonetike të shenjave të alfabetit. Duke qenë dokument i pa datuar e pa nënshkrim autori, i kanë vënë emrin Anonimi i Elbasanit. Në vitet e dekadat në vazhdim janë bërë edhe përpjekjet e para serioze për datimin e dokumentit dhe për gjetjen e autorit, prej të cilave dy hipoteza janë kryesore: ajo e Dhimitër Shuteriqit që përcakton si datë fundin e shekullit XVII dhe si autor një prift elbasanas me emrin Papa Totasi (më vonë Theodhor Bogomili) (më vonë Theodhor Bogumilin), e ku për datimin, por jo edhe për autorin ka pasur pajtim edhe nga Injac Zamputi; dhe e dyta ajo e Mahir Domit që si datë të Anonimit e nxjerr vitin 1761 dhe për autor tipografin voskopojar Grigorin e Durrësit. Pra, këtu kemi përpjekjen e parë të ndërlidhjes së një dëshmie arkivore me dëshminë përshkruese.

Dëshmia e dytë përshkruese: Grigori i Durrësit

Le të ndalemi pak më gjerësisht rreth Grigorit të Durrësit, përkatësisht rreth dëshmisë së dytë përshkruese të një alfabeti të veçantë shqip. Shënimi nga koleksionuesi i hershëm grek Georgios Zaviras (1744–1804), që përmendëm shkurtimisht më lart, në mesin e përmbledhjeve të tij bibliografike, te data 1761 vë Grigorin e Durrësit, si botues të veprave në Voskopojë dhe “përkthyes në shqip të Dhjatës së re dhe të Vjetër me një alfabet që ka shpikur vetë.” Kjo copë informate, e njohur mirë nga studiuesit të paktën nga fillimi i shekullit XX, në tërësi thotë kështu:

“Grigori i Durrësit, nxënës i Joan H., shkroi shërbesën e të Shtatë Shenjtorëve, d.m.th. Kirilit, Klementit, Metodit, dhe Naumit… e cila u botua në Voskopojë; [një traktat] mbi ditët, muajt, dhe vitet; një kanon uratash për Shën Naumin, shkrime të ndryshme; dhe përktheu Dhiatën e Vjetër dhe Dhiatën e Re dhe i shkroi në shkronja shqipe që i shpiku vetë”.

Përderisa të veprat e Grigorit të përmendura këtu nga Zavira janë mirë të dokumentuara dhe ruhen prej secilës nga disa ksombla nëpër biblioteka, arkiva e koleksione (shumica të shtypura në Voskopojë); kjo e fundit për përkthimin e Dhiatave shqip, deri tash mbetet e humbur. Është kjo arsyeja, pse në vitin 1968, Mahir Domi ka propozuar që pikërisht Anonimi i Elbasanit duhet të jetë një fragment i veprës në fjalë — duke qenë se përmbajtja e Anonimit është me copa përkthimesh të lira nga dhjatatkë. Natyrisht Domi s’e ka njohur atëherë dëshminë e Mëhillit, por vetëm këtë të Zavirës. Po ky Grigor, që ishte tipografi kryesor i shtypshkronjës së Voskopojës të paktën nga viti 1731 kur edhe dëshmohet libri më i vjetër i shtypur aty. Grigori, që në vepra nënshkruhej si Grigor Konstandini, e nganjëherë Grigor Voskopojari, nga viti 1748 – të paktën për disa vjet – ka shërbyer si metropolit i Durrësit (njësoj si Kozmai) dhe mëtohet se kishte qëndruar te manastiri i famshëm i Gjon Vladimirit. Megjithatë, nuk duhet zvogëluar faktin se gjurmët e tij në këtë manastir nuk janë gjetur asnjëherë. Një jetëshkrim më të thelluar për të, por që asnjëherë nuk është çëmtuar në aspekt kritik, e ka botuar Dhimitër Shuteriqi në vitin 1987.

Deri vonë, dëshmia e Zaviras, ka qenë e vetmja përshkruese për një alfabet të hershëm origjinal shqip. Bazuar në hipotezën e Domit edhe studiuesi Robert Elsie, në vitin 1995 ka botuar një artikull të detajuar mbi këtë çështje, e ku dëshmia e Zaviras përbën argumentin kryesor të datimit dhe gjetjes së autorit të Anonimit. Viti 1761, është dhënë si një datë reference jo vetëm për alfabetin por edhe për vetë dorëshkrimin e Anonimit të Elbasanit. Por në fakt, po të shohim nga afër fragmentin e Zaviras, shohim se kjo datë është pak e çuditshme në atë vend, ngase asnjëri prej librave që përmenden, e që janë mirë të njohur, nuk e mbajnë këtë datë. Librat e përmendur nga Zavira u takojnë kryesisht viteve 1744–1746: Kurse traktati mbi ditët, e njeh edhe një ribotim në një shtypshkronjë gjermane në vitin 1768. Duke qenë se Zavirasi nuk ka dhënë data të tjera, përveç vitit 1761, mbetet e pa qartë çka nënkuptonte ajo. Duket pak e mundur, ose praktikisht arbitrare që ajo datë të lidhet pikërisht me përkthimin shqip të Grigorit, që është shënuar e fundit në listën veprave të paraqitura. Edhe pse fragmenti i Zaviras, është mirë i njohur për publikun, është e qartë se prej pak studiuesëve është lexuar në mënyrë kritike domethënia e tij.

Në gjurmë të idesë për një alfabetet origjinale të shqipes

Ndërkohë, studimet për alfabetet origjinale të gjuhës shqipe janë të rralla, veçanërisht ato që i trajtojnë që të gjitha brenda një kornize të përbashkët teorike, të cilën kushtimisht mund ta shohim edhe si përqasje tërësore rreth prejardhjes së alfabeteve të veçanta. Duhet dalluar këtu punën e dy autorëve: Dhimitër Shuteriqi dhe Robert Elsie, që mbase janë të vetmit që në një masë janë përthelluar në problematikën e këtij fenomeni në këtë mënyrë në këtë mënyrë. Shpërfaqja e përpjekjeve për krijimin e alfabeteve të veçanta në fund të shekullit XVII dhe veçanërisht përgjatë shekullit XVIII, nuk është përcjellë me ndonjë tekst shpjegues të kohës. Sidoqoftë, një kontekst i përgjithshëm mund të nxirret edhe prej teksteve të tjera, prej anekdotave, e rrëfimeve të kohës që flasin aty–këtu edhe për alfabetin e shqipes. Më indikative është një anekdotë e regjistruar në fund të shekullit XIX në një mes grek, në një fshat afër Janinës, e cila origjinën duhet ta ketë pasur qysh nga shekujt paraprakë për të cilët po flasim. E ka botuar më parë Qirjazi, po e riprodhojmë një pjesë për shkak të temës që trajton: “Kur Zoti filloi të shpërndante shkronjat e alfabetit, letra ende nuk ishte shpikur dhe ata që shkuan për t’i marrë ato shkronja i mbartën në gjethe të gjera lakre dhe u larguan. Të gjithë njerëzit i çuan shkronjat në shtëpi me përkushtim; ndërkohëndërsa, i shkreti shqiptar nuk arriti ta mbartte pakon deri në shtëpi sepse, gjatë rrugës, i erdhi etja dhe duke u përkulur për të pirë ujë, e la gjethe lakrën mënjanë. Një lopë që po kulloste aty afër e nuhati lakrën dhe e hëngri. Shqiptari u kthye në Pallatin e Zotit dhe kërkoi më shumë shkronja. Megjithatë, Zotit i kishin mbetur vetëm shkronja rome. «Nuk do t’i marr ato shkronja, Zot. As po t’i kthesh në ar», tha shqiptari. «Desha të t’i jepja më të mira, por nuk kam të tjera», iu përgjigj Zoti burrit. «Nëse punët janë kështu, atëherë le të jetë. Më mirë të mbetem pa asnjë shkronjë», u përgjigj shqiptari. «Dhe si do të ia dilni ju dhe fisi juaj pa një alfabet?», pyeti Zoti. «Ne do të përdorim të huazuara» vendosi shqiptari dhe u largua. Që atëherë, shqiptarët përdorin dhe jetojnë me shkrimin tonë grek”.

Se kjo anekdotë nuk kishte qenë e izoluar te vetëm ky rrëfimtar, tregon fakti se për të flet edhe Sami Frashëri te Shqipëria ç’ka qenë… në vitin 1899, e më vonë edhe Mitrush Kuteli në një shkrim të tij. Gjurmë të anekdotës mund të vërehen edhe nga mesi i shekullit XVII, në zonën e Zadrimës, në veri të trekëndëshit të alfabeteve që po trajtohet këtu. Misionari katolik Pietro-Antonio di Venezia në një kronikë të botuar në vitin 1688 e sjell një memorie të dekadave më parë (viti 1638) në të cilën një udhëheqës turk, në Blinisht të Zadrimes, thoshte për shqiptarët se të shkretëve “gomari u ka ngrënë shkronjat” (Venezia 1688, 353). Duket se është vegim i së njëjtës anekdotë. Megjithëse këtu bëhet fjalë për një gomar dhe jo një lopë, do besuar së bëhet fjalë për një variacion të të njëjtit tregim. Ideja me kafshën që u ka ngrënë alfabetin shqiptarëve duket se ka qenë e përhapur që nga kjo kohë. Një botim enciklopedik francez nga viti 1697, që kishte për temë orientin, e përmban edhe një shprehjen e përhapur ndër osmanët: ‘Arnaut defteri’ që shpjegohet si ‘libër i shqiptarëve’ apo një mënyrë e mësimit përmendësh për ata që nuk dinë as shkrim as lexim. Megjithëse, nuk flet konkretisht për anekdotën, në këtë vijë mendimi, por në një nivel diskursi më akademik, mund të shihet edhe teksti i Mëhillit për shqiptarët dhe mungesën e alfabetit të tyre.

Një ndërlidhje e gjuhëve me alfabetet dhe popujt duhet të ketë qenë veçanërisht e theksuar në Ballkan, ku gati secili popull, dhe secila gjuhë e kishte alfabetin e vet. Osmanët, kishin alfabetin arab; Grekët, alfabetin grek; Serbet dhe bullgarët alfabetin cirilik e glagolitik; kurse katolikët alfabetin latin. Sidoqoftë, projekti për krijimin e alfabeteve origjinale nuk kishte kapërcyer atë që njihet si milieu ortodoks shqiptar brenda Ballkanit. Në vitin 1783, pasi kishte kaluar kohë në Kalabri, udhëpërshkruesi britanik Henry Swinburne duke shkruar për gjuhën e shqiptarëve që e kishte dëgjuar në ato anë thekson se megjithëse është e veçantë si gjuhë, “mbetet pa një alfabet të vetin, dhe që shumë prej tingujve të saj nuk paraqiten saktësisht prej shkronjave të alfabetit latin ose grek.”

Alfabetet e dëshmuara dhe një përqasje e re

Le t’i eksplorojmë shkurtimisht edhe dy alfabetet e tjera të kësaj periudhe që janë dëshmuar deri tash.

Alfabeti i Beratit: Megjithëse i dëshmuar në vetëm pak fjalë dhe në pak dokumente, është me rëndësi sepse është më i hershmi i datuar (theksi te datuar) deri më tash. Nëse pranohen argumentet e paraqitura së fundmi, data 1731 është më e vonshmja kur ka mundur të sajohet ky alfabet. Ndërkohë, rëndësia e tij rritet edhe nga shtrirja gjeografike në gjithë trekëndëshin FierFier, Elbasan dhe Voskopojë. Ky alfabet, sipas argumenteve që kemi paraqitur në këtë seminar vitin e kaluar, është përdorur në ndonjë formë të tij në: Kodikun e Beratit nga shekulli XVIII; në dy gravura të voskopojarit Nektar Tërpo; dhe në faqen e parë apo ‘shkurtshkresën’ te Anonimi i Elbasanit. Kjo fletore e veçantë, pra, nuk e ka një alfabet, por dy. Alfabeti i Beratit aty është vetëm në ca rreshta emrash në faqen e parë. Si shtrirje kohore kap afërsisht vitet 1731–1798. Shpikësi i këtij alfabeti nuk dihet.

Alfabeti i Todhrit: Më i përhapur në Elbasan ka qenë alfabeti i Theodhor Haxhifilipit, i njohur edhe si alfabeti i Todhrit. Rreth 800 faqe me këtë alfabet janë të dokumentuara në ndonjë formë nëpër arkiva dhe fonde private. Një pjesë e madhe e tyre janë të ruajtura deri në ditët tona. Dokumenti më i vjetër me këtë alfabet mban datën 1 qershor 1780, në një kodik të familjes Popa. Ndërkohë, përdorimi i alfabetit të Todhrit është dëshmuar deri në vitet 30 të shekullit XX. Alfabeti kryesisht ka qenë në shërbim të komuniteti ortodoks brenda kalasë së Elbasanit; që sipas burimeve të kohës nuk ishte më i madh se 80 familje. Autor i këtij alfabeti pandehet Theodhor Haxhifilipi (v. 1801) i cili ka shërbyer si mësues në shkollën e Elbasanit, dhe ishte predikues fetar. Përveç prej tij alfabeti është përdorur edhe nga Familja Popa, Simon Kazanxhiu, Haxhi Josif Anastasi, Tupe Balla, Petro Shuteriqi, Mimë Stano, Kostë Andoni, Papa Partheni e të tjerë. Mbetet alfabeti origjinal i gjuhës shqipe me përdorimin më të gjerë në popullatë, dhe më të gjatë në hark kohor.

Çka bie në sy menjëherë, është se në rastin e të gjithë këtyre alfabeteve dhe këtyre shpikësve alfabetesh, gjeografikisht, kemi të bëjmë me një mes të njëjtë, e ndoshta edhe me komunitetin e njëjtë të shqiptarëve të krishterë ortodoksë në trekëndëshin Elbasan–Voskopojë–Fier. Një karakteristikë e dytë që bie në sy, është se si duket kemi të bëjmë me tre periudha të ndryshme, por në raport kronologjik me njëra tjetrën. E para: 1678–1702 koha e veprimit të Kozmait; E dyta: 1731–1798 koha e dokumentimit të alfabetit të Beratit, përfshi këtu vitin 1761 nga dëshmia e Zavirës; E treta: 1780 dhe tutje, shumësia e dokumenteve nga Theodhor Haxhifilipi dhe të tjerët që kanë shkruar me alfabetin e tij. Ndërkohë, krahasimi i tri alfabeteve pranë njëri tjetrit, siç shihet nga shembujt, kryesisht nuk tregon për ndonjë përafrim të madh mes tyre, përveç në disa instanca mes alfabetit të Beratit me atë të Todhrit. Ngjashmëria më e madhe vërehet te përdorimi i germës ‘d’ e ‘dh’ te Berati në formë identike për të dhënë ‘g’ e ‘gj’ te Todhri. Pastaj ‘c’ te Berati jep ‘sh’ te Todhri. Në anën tjetër germa ‘ë’ mund të jetë e njëjtë te të dy. Në përgjithësi, logjika e alfabetit të Beratit dhe të Todhrit kanë përafrime. Përderisa alfabeti i Elbasanit është krejt i ndryshëm nga të dy.

Bazuar në dëshmitë e paraqitura, veçanërisht bazuar në renditjen kronologjike të paraqitjes së tyre, Theodhor Haxhifilipit mund të quhet shpikës i alfabetit të mban emrin e tij. Alfabeti i Elbasanit mund të jetë i Kozmait të Durrësit, duke qenë se ky është i dëshmuar më mirë në manastirin e Gjon Vladimirit në Shijon pranë Elbasanit. Kurse i ashtuquajturi alfabet i Beratit, mbetet hipotetikisht e mundur të ketë qenë shpikje e Grigorit të Durrësit.

Drejtimi i koordinatave të reja gjeografike e kohore

Ky është veç një skicim tepër hipotetik në bazë të disa të dhënave dhe burimeve të dy natyrave të ndryshme që u paraqitën këtu. Kjo temë vazhdon të mbetet ende larg prej të qenit e mbyllur, përderisa burimet përshkruese mbesin krejt të pakta — sado që dëshmia e Mëhillit e ka përmirësuar sado pak këtë gjendje. Në anën tjetër, Kozmai, megjithëse përmendet vetëm në instancën e Mëhillit, prej saj na del shpikësi më i hershëm i njohur i një alfabeti origjinal për gjuhën shqipe, me vitin 1702 si terminus ante quem. Përtej vështirësive që shfaqen nga mungesa e dëshmive të qarta, provat kontekstuale skicojnë një skemë që ndërlidh alfabetet origjinale të dëshmuara, me autorët e përmendur nëpër shënimet e kohës. Ravijëzim, sado hipotetik, që gjithsesi teston koordinata të reja kohore dhe gjeografike të historisë së alfabeteve origjinale të gjuhës shqipe. Këto alfabete janë një fenomen karakteristik i historisë së kulturës shqiptare, ngase përfaqësojnë sado me vonesë nevojën për shprehje të veçantisë gjuhësore përmes alfabetit. Në një mes ku popujt identifikoheshin me alfabete, shqiptarët duket se e kanë parë atë si çelës me rëndësi të formësimit të tyre identitar, madje edhe në kohën para zhvillimit modern të identiteteve kombëtare.

Teksti është një formë më e përmbledhur e ligjëratës së mbajtur në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare më datë 21 gusht 2024

 Ilustrim i Alfabetit të Beratit, Namik Ressuli (1938) Leka, Shkodër

Dy faqe nga kodiku i familjes Popa nga Elbasani, DPA

Kreu i Bashkimit Demokristian Shqiptar, Ndocaj, takon Bashën: Mora garanci për votën e emigrantëve dhe listat e hapura

Kryetari i Bashkimit Demokristian Shqiptar, ish-deputeti Eduart Ndocaj, ka zhvilluar një takim me kreun e PD- Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha.

Gjatë një postimi në facebook, Ndocaj shkruan se biseduam për të drejtën e emigrantëve për të votuar dhe për listat e hapura, që janë kërkesa të domdosdoshme.

Ndocaj shprehet se ka marrë garancinë e kreut të PD Euroatlantike për dërgimin në Gjykatë Kushtetuese të miratimit të Kodit Zgjedhor që nuk garanton listat e hapura dhe votën e drejtë të diasporës.

Më poshtë postimi i plotë i Ndocajt:

Gjate takimit me liderin e opozites ,Kryetarin e partise Demokrarike EuroAtlantike z.Lulzim Basha!

Biseduam me rigorozitet te madh dhe prekem shume pika per sa i perket kodit zgjedhor ku me patjeter e drejta per te votuar e emigranteve dhe listat e hapura do te kerkohen me cdo kusht!

Z.Basha me siguroj qe do dergohen ne Gjykaten Kushtetuese te gjitha te drejtat e mohuara te votueseve Shqiptare!

Zgjedhjet 2025 po afrojne dhe ne si opozite do luftojme per te hyre te barabarte ne betejen elektorale!

Uroj te behet me e mira dhe te gjithe qytetaret Shqiptare te zgjedhin te lire dhe te pavarur e te ndikuar nga klanet mafioze !

#Per voten e lire!

Protesta e banorëve të Krujës dhe Fushë Krujë/ Bllokuan sërish rrugën Thumanë-Kashar, u bashkohen edhe shoferët e automjeteve

Banorët e Krujës dhe Fushë Krujës kanë dalë sërish në protestë për të nëntën herë, ku kërkojnë të drejtën e tyre për të pasur hyrje-dalje në autostradën Thumanë-Kashar.

Edhe ditën e sotme banorët thyen kordonin e policisë dhe kanë bllokuar rrugën. Kësaj radhe në mbështetje të tyre u përfshinë edhe shoferët e automjeteve të cilët ishin bllokuar nga kjo protestë.

Kjo është protesta e nëntë e mijëra banorëve, ndërsa janë të vendosur në kërkesën e tyre për të pasur akses në këtë aks rrugor.

Rruga Thumanë – Kashar është ndërtuar tërësisht me fondet e kompanisë private Gener 2. Edhe pse i kanë dalë disa herë në krah protestës se banorëve, asnjë nga drejtuesit apo deputetët e PD nuk e përmend emrin e kësaj kompanie me pronar Bashkim Ulaj.

Pagesa për këtë rrugë është 270 lek të reja. Edhe pse pretendohet se është totalisht investim privat, kompania Gener 2 kompensohet nga shteti shqiptar nëse në rrugën Thumanë – Kashar nuk kalojnë 28 mijë mjete në ditë. Kompensimi kap shifrën e 8 milionë eurove.

Qeveria amerikane vë nën akuzë për korrupsion Smartmatic, pagoi 1 mln dollarë rryshfet për kryetarin e KQZ-së së Filipinës

Kompania Smartmatic International është vënë nën akuzë nga departamenti amerikan i drejtësisë për shkak se dyshohet të ketë paguar 1 milionë dollarë rryshfet për kryetarin e Komisionit Qendror në Filipine. Dy themeluesit e kompanisë që ka fituar dhjetra milionë euro në Shqipëri për të ngritur sistemin elektronik të votimeve rrezikojnë deri në 20 vjet burg, teksa akuza ndaj tyre është publikuar në faqen e departamentit të drejtësisë së Shteteve të Bashkuara.

Sipas prokurorëve, rryshfeti është paguar për të marrë kontratën e blerjes së pajisjeve dhe makinerive për zgjedhjet.

“Mes viteve 2015 dhe 2018, Roger Alejandro Pinate Martinez, 49 vjeç, një shtetas venezuelian me banim në Boca Raton, Florida, dhe Jorge Miguel Vasquez, 62 vjeç, një shtetas amerikan me banim në Davie, Florida, së bashku me të tjerë dyshohet se shkaktuan pagesën e të paktën 1 milion dollarë ryshfet për Juan Andres Donato Bautista, 60 vjeç, ish-president i COMELEC,” thuhet në akuzën e ngritur nga prokurorët amerikanë.

Dy themeluesit e Smartmatic dyshohet se financuan ryshfetet përmes një fondi të zi të krijuar duke mbifaturuar koston e çdo makinerie votimi për zgjedhjet e 2016-ës në Filipine.

Për të fshehur dhe maskuar natyrën dhe qëllimin e pagesave korruptive, të akuzuarit kanë përdorur gjuhë të koduar për t’iu referuar fondit të zi.

“Martinez dhe Vasques kanë shaktua krijimin e kontratave mashtruese dhe marrëveshjeve false të kredisë për të justifikuar transferimet. Komplotistët më pas dyshohet se kanë pastruar fondet në lidhje me skemën e ryshfetit përmes llogarive bankare të vendosura në Azi, Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë Distriktin Jugor të Floridës,” thuhet në dokumentin e akuzës.

Nëse dënohen, Pinate dhe Vasquez përballen secili me një dënim maksimal prej pesë vjet burg për akuzat e shkeljes së ligjit për praktikat e huaja të korrupsionit. Po kështu, Bautista, Pinate, Vasquez dhe Moreno përballen secili me një dënim maksimal prej 20 vjetësh për çdo akuzë për pastrim parash ndërkombëtare dhe komplot për të kryer pastrim parash.

Njoftimi u bë nga Zëvendës Ndihmës Prokurorja e Përgjithshme Nicole M. Argentieri, kreu i Divizionit Penal të Departamentit të Drejtësisë; nga Prokurori i Shteteve të Bashkuara Markenzy Lapointe për Distriktin Jugor të Floridës; nga agjenti special i ngarkuar Anthony Salisbury i Hetimeve të Sigurisë Kombëtare (HSI) Miami; dhe Agjenti Special i ngarkuar Mattheë D. Line e IRS Criminal Investigation (IRS CI) Miami.

Nën hetim nga SPAK
Në vitin 2021 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i dha kompanisë Smartmatic një kontratë 20 milionë euro për blejen e sistemeve dhe pajisjeve të teknologjisë së informacionit për identifikimin elektronik të votuesve dhe verifikimin e tyre paszgjedhor.

Kontrata e akorduar me negocim të drejtëpërdrejtë dhe pa shpallje tashmë është në hëtim nga SPAK pasi dyshohet për korrupsion. Kapitali ka mësuar se edhe pse kontrata ndalonte nënkontraktimin Smartmatic ka bërë miliona euro pagesa tek kompani dhe persona në Shqipëri, por edhe Kosovë.

Hetimet për kontratën e pajisjeve elektronike të votimit kanë nisur pa asnjë kallëzim nga jashtë, por me vetë iniciativën e SPAK. Një burim konfidencial tha se këto hetime kanë nisur pasi indiciet për korrupsion në këtë çështje kanë dalë në dosjet e tjera që SPAK ka nën hetim.

Programi për politikën e jashtme/ Basha: Konsolidimi i marëdhënieve të ngushta me SHBA, BE, Britaninë e Madhe. Integrimi në BE prioritet Kombëtar si dhe mbështetjen e interesave shqiptare në rajon

Konsolidimi i mëtejshëm dhe zgjerimi në të gjitha fushat i marrëdhënieve të ngushta me aleatin më të madh të shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është pika e parë e Programit të PD-Demokratët Euroatlantikë për politikën e jashtmë. Në një postim në facebook, kreu i kësaj force politike, Lulzim Basha, ka përsëritur zotimin e tij për heqjen e vizave me SHBA brenda mandatit të parë qeverisës.

Ai më tej shprehet se programi për politikën e jashtmë parashikon edhe anëtarësimi në BE do jetë prioritet Kombëtar, ndërsa marrëdhëniet me Britaninë e Madhe dhe me BE do të njohin një dimension të ri në funksion të zhvillimit ekonomik.

Sipas tij, si çështje prioritare në politikën e jashtme do jenë edhe interesat shqiptare në rajon si mbrojtja e integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës, mbështetjen e faktorëve politikë shqiptarë si dhe ruajtjen e gjuhës, kulturës e identitetit shqiptar përmes ngritjes së Institutit të Gjuhës e Kulturës Shqiptare.

Postimi i plotë i Lulzim Bashës:

Ne i konsiderojmë marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si thelbësore.
Konsolidimi i mëtejshëm dhe zgjerimi në të gjitha fushat i marrëdhënieve të ngushta me aleatin më të madh të shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të vijojë të përbëjë një përparësi kryesore të politikës sonë të jashtme.

1. Ashtu siç hoqëm vizat në zonën Shengen, angazhohemi për Heqjen e Vizave me SHBA brenda mandatit të parë qeverisës;

2. Marrëdhëniet me Britaninë e Madhe dhe vendet anëtare të BE do të njohin një dimension të ri në funksion të zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve tanë;

3. Ashtu si antarësimi në NATO, ne vlerësojmë se Integrimi Europian është një prioritet kombëtar. Integrimi Europian sot është jo vetëm një çështje standartesh modernizuese të shtetit, por dhe një çështje sigurie në mbrojtje të hapësirës së vlerave të botës demokratike ku duam të bëjmë pjesë;

4. Ne do të mbështesim të gjitha nismat rajonale që synojne integrimin euroatlantik të rajonit, si dhe do të mbështesim totalisht e pa rezerva nisma si Procesi i Berlinit, duke dekurajuar çdo format tjetër me destinacion të paqartë dhe që rrezikon të devijojë nga parimet e integrimit në BE;

5. Partia Demokratike ka si çështje prioritare në politikën e saj të jashtme interesat shqiptare në rajon;

6. Mbrojtja e integritetit territorial dhe sovranitetit, si dhe konsolidimi i shtetit demokratik në Kosovë është një prioritet përcaktues në politikën tonë të jashtme, në marrëdhëniet dypalëshe dhe shumëpalëshe në rajon e më gjerë;

7. Ne do të mbështesim konsolidimin e faktorëve politikë shqiptar dhe do të nxisim fuqizimin e përfaqësimit institucional të këtyre faktorëve në vendet fqinje;

8. Do të bëjmë gjithçka në mbështetje të ruajtjes së gjuhës, kulturës e identitetit shqiptar përmes ngritjes së Institutit të Gjuhës e Kulturës Shqiptare, me një rrjet filialesh në vendet ku jetojnë e punojnë shqiptarët në botë.

Lubonja kritikon Berishën dhe Metën: Opozita e tyre mund të jetë në grahmat e fundit. Kam dyshime se kanë “shitur” zgjedhjet e Himarës…

Analisti Fatos Lubonja, në një intervistë në News 24 tha se kryeministri Edi Rama është kthyer në një Maduro të Shqipërisë.

Sipas tij, Rama ka kapur shtetin dhe fikson rezultatin e zgjedhjeve siç dëshiron. Për Lubonjën, Rama veproi kështu edhe në zgjedhjet e Himarës. Një kritikë analisti e kishte edhe për opozitën, duke thënë se mund të jetë në grahmat e fundit të saj dhe se mund të ketë ‘shitur’ zgjedhjet në Himarë, për shkak të ndonjë interesi.

“PS del 1500 vota përpara në Himarë, kur shumë nga funksionarët e PS dalin të përfshirë në grabitje tokash. Kjo nuk ka moral. Por, duke kapur të gjitha institucionet, rezultatet dalin ashtu si do Rama. Janë fenomene që duhen hetuar, të tillat si rritja e popullatës në një bashki të caktuar në kohë zgjedhjesh. Dyshoj se opozita ka shitur zgjedhjet, për ndonjë interes në Himarë. Kam dyshime se ka pasur pazar dhe me Greqinë për zgjedhjet në Himarë, e madje ndoshta ka pasur marrëveshje në heshtje dhe me Belerin vetë.

Ka shumë persona që ‘nuk iu ha shumë meraku i demokracisë’, por i interesave personale. Më vjen keq ta them, por këto duken si grahmat e fundit të opozitës në Shqipëri. Kur ndodh që biznesmenët kapen nga shteti, kur qeveria kap shtetin, kjo do ndodhë. Opozita ndoshta do të mbijetojë duke bërë fasadën”, tha Lubonja.

Sulmet ruse në Ukrainë, Polonia raporton shkelje të hapësirës së saj ajrore: Është konfirmuar një objekt nga stacionet e gjurmimit. Ja për çfarë dyshohet

Ushtria e Polonisë tha më 26 gusht se hapësira ajrore e këtij shteti të NATO-s është shkelur, me gjasë nga një dron, pas sulmeve vdekjeprurëse ajrore të kryera nga Rusia ndaj Ukrainës.

 

Më shumë se 100 raketa dhe rreth 100 dronë u lëshuan nga Rusia kundër Ukrainës, përfshirë në rajonet perëndimore ukrainase, duke vrarë të paktën katër persona dhe duke shënjestruar sistemin e energjisë.

Gjatë sulmeve, hapësira ajrore e Polonisë u shkel nga një objekt që hyri nga Ukraina, tha gjenerali i ushtrisë polake.

“Ndoshta po përballemi me hyrjen e një objekti në territorin polak. Ky objekt është konfirmuar nga të paktën tri stacione për gjurmim përmes radiovalëve”, tha gjenerali i ushtrisë polake, Maciej Klisz.

“Është e qartë se karakteristikat e këtij objekti nënkuptojnë se nuk është raketë, as hipersonike, as balistike e as raketë lundruese”, shtoi Klisz.

Ushtria polake tha se po kryen kërkime për atë që “me gjasë është dron” rreth 30 kilometra larg nga kufiri ukrainas, brenda territorit të Polonisë.

“Ka pasur gatishmëri të lartë për neutralizimin e këtij objekti”, tha zëdhënësi i ushtrisë, Jacek Goryszewski.

Më herët gjatë së hënës presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje shteteve evropiane që ta ndihmojnë shtetin e tij për të rrëzuar dronët dhe raketat mbi Ukrainë.

Në mars, Polonia kishte raportuar për shkelje të hapësirës së saj ajrore nga një raketë lundruese ruse dhe kishte kërkuar shpjegim nga Moska për këtë rast.

Një incident i ngjashëm kishte ndodhur edhe më 29 dhjetor 2023, kur një raketë ruse hyri në hapësirën ajrore polake për disa minuta, para se të kthehej në Ukrainë.

Në nëntor të vitit 2022, dy persona u vranë kur një raketë kundërajrore ukrainase ra në një fshat polak, afër kufirit me Ukrainën./REL

Denoncimi i gazetarit/ Qeveria po vret të sëmurët me tumor, mungojnë barnat

Osman Stafa 

SI MUND TË JENI KAQ TË QETË?
PO I LINI NJERËZIT ME KANCER PA TRAJTIM.
A NUK JU VRET KJO?

AKTUALISHT,
2 medikamente kimio vazhdojnë mungojnë në ONKOLOGJIK.

1. IRINOTEKANI – medikament kimio i cili shërben për trajtimin e kancerit të zorrës së trashë. Medikament shumë i rëndësishëm.

2. CARBOPLATINE – Përdoret për trajtimin e kancerit të avancuar të vezoreve.

TË SËMURËT ME KANCER QË TRAJTOHEN ME KËTO ILAÇE NUK PO MARRIN TRAJTIMIN.

Mjekët e Onkologjikut, më thonë që situata është shumë e rëndë. Mjekët nuk janë përgjegjës për sigurimin e ilaçeve kimio, është Ministria e Shëndetësisë.

Kimiot janë ilaçe të cilat nuk gjendet në farmaci, por janë medikamente spitalore që sigurohen nga Ministria e Shëndetësisë.

Nëse pacienti se merr kimion siç duhet, dhe sipas protokollit, nuk i jep asnjë rezultat pozitiv.

Edhe Jodi Radioaktiv, vazhdon mungesë që prej janarit të këtij viti. Gati 9 muaj.
Pacientët me kancer të tiroides janë pa mjekim.

Ajo që po ndodh me kurimin e këtyre sëmundjeve është krim.

Zhdukja e MH370, studiuesi pretendon se ka zgjidhur misterin dhe gjen “pikën e përsosur të fshehjes” së avionit të Malaysia Airlines

Shkencëtari, Vincent Lyne, pretendon se ka zbuluar “vendin e përsosur të fshehjes” të avionit MH370 të Malaysia Airlines, i cili u zhduk më 8 mars 2014, ndërsa po udhëtonte nga Kuala Lumpur për në Pekin.

Sipas Vincent Lyne, studiues në Universitetin e Tasmanisë, avioni u zhyt qëllimisht nga piloti në një vrimë 6000 metra të thellë në Brezin e Thyer të Oqeanit Indian, duke e bërë atë një “zhdukje tepër të përsosur”.

Lyne e përshkruan Broken Ridge si një mjedis oqeanik shumë të thyer dhe të rrezikshëm me anë të ngushta dhe të pjerrëta, i rrethuar nga kreshta masive dhe vrima të thella”.

Ai pretendon se piloti, Zaharie Ahmad Shah, e rrëzoi qëllimisht avionin në këtë zonë, të cilën ai e quan “një vend i përsosur fshehjeje”, me 239 persona në bord, duke përfshirë 227 pasagjerë dhe 12 anëtarë të ekuipazhit.

Në një postim në LinkedIn, Lyne shkroi se studimi i tij ndryshon narrativën e zhdukjes së MH370, nga një aksident për shkak të shterjes së karburantit, në një veprim të qëllimshëm nga një pilot i shkëlqyer.

Ai vëren se dëmtimi i krahëve të avionit i ngjan atij të aeroplanit të ulur me sukses nga kapiteni Chesley Sullenberger në lumin Hudson në 2009.

Pretendimi i Lyne përputhet me teoritë e mëparshme se piloti ishte përgjegjës për rrëzimin e qëllimshëm të aeroplanit, duke e cilësuar një “vrasje-vetëvrasje të përmasave tronditëse” për shkak të çështjeve personale.

Thuhet se piloti ishte ndarë nga gruaja e tij dhe u tha se ishte i tërbuar pak para se të hipte në aeroplan për fluturimin për në Pekin, pasi një i afërm u dënua me pesë vjet burg për sodomi.

Megjithatë, gruaja dhe familjarët e tij i kanë mohuar me forcë këto pretendime, duke këmbëngulur se Zaharie ishte një familjar i përkushtuar që e donte punën e tij.

Lyne arrin në përfundimin se misteri i MH370 është “zgjidhur plotësisht nga shkenca” dhe nxit kërkimet e ardhshme të fokusohen në një pjesë specifike të Oqeanit Indian Jugor. Ai thekson se provat presin verifikimin dhe mund të nxjerrin të vërtetë për ata që humbën të dashurit në atë fluturim fatal.

Zhdukja e fluturimit MH370

Avioni u zhduk më 8 mars 2014, ndërsa fluturonte sipas rrugës së planifikuar, nga Aeroporti Ndërkombëtar i Kuala Lumpur në Malajzi për në Aeroportin Ndërkombëtar të Pekinit në Kinë. Avioni mbante 227 pasagjerë nga 15 vende, si dhe 12 anëtarë të ekuipazhit.

Kontakti i fundit i ekuipazhit me Kontrollin e Trafikut Ajror (ATC) ishte afërsisht 38 minuta pas ngritjes, kur avioni ishte mbi Detin e Kinës Jugore. Avioni u zhduk nga ekranet e radarëve EEK disa minuta më vonë, por u gjurmua nga radarët ushtarakë për një orë, ndërsa devijoi në perëndim nga rruga e planifikuar e fluturimit, duke kaluar Gadishullin Malajzian dhe Detin Andaman.

Ai doli jashtë rrezes së radarit 200 milje detare (370 km) në veriperëndim të ishullit Penang në Malajzinë veriperëndimore dhe u zhduk.