28.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Vala e revolucionit kulturor/ Ish-Sigurimi e zhvarrosi trupin e tij nga Kisha e Gjuhadolit më 1967, si u shpëtuan eshtrat e Fishtës

Punimet për hapësirën memoriale shumëfunksionale në Lezhë, ku ka lindur At Gjergj Fishta po vijojnë ndërkohë që projekti po zbatohet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

 

Ministri Blendi Gonxhja bëri të ditur se godina multifunksionale kulturore e rekreative në këtë vend sa historik, aq dhe tërheqës për peizazhin e mrekullueshëm natyror do të ketë hapësira të veçanta për rezidenca artistike, për sesione krijimtarie e ekspozime, për të mikpritur artistët vendas e të huaj, e për të zhvilluar aktivitete të ndryshme kulturore dhe edukative, e jo vetëm. Fishta u lind më 23 tetor 1871 në Fishtë të Zadrimës, me emrin e pagëzimit Zef, i biri Ndokë Simon Ndocit dhe Prendes së Lazër Kaçit nga Kotrri, më i vogli i tre vëllezërve dhe një motre. Famullitari i Troshanit që përkujdesej edhe për Fishtën, Marian Pizzochini nga Palmanova, ua kërkoi prindërve ta bënin frat dhe ata ia dhanë. Me shpenzimet e famullitarit, Zefi shkoi në shkollën françeskane në Shkodër deri më 1880, kur nisi veprimtarinë Kolegji i Troshanit. Në 1886, vetë i gjashti dhjak u nis për në Bosnjë nga Urdhri Françeskan. Vitin e parë të provës e kaloi në Guçjagorë afër Travnikut, ku sipas sharteve të urdhrit ndërroi emrin në Gjergj.

I rrethuar nga një mjedis ku kultivohej edhe nacionalizmi kroat, ku njihej edhe nacionalizmi serb e malazez, prej ku dhe mori shkas për të frymëtuar nacionalizmin në veriun shqiptar. Në kontakt me françeskanin boshnjak Grga Martiæ (1822-1905) dhe lirikun kroat Silvije Strahimir Kranjèeviæ (1865-1908), ai u ndikua nga vargjet e tyre dhe të Kaèiæ, Mažuraniæ dhe Njegoshit. Në vitin 1893 kreu me lavd këndimet në Bosnie dhe vetë i gjashti u kthye në vendlindje, ku u bë meshtar më 25 shkurt 1894 duke çuar meshën e parë në kishën e Troshanit. Pasi u kthye nga Bosnia, punoi për disa vite mësues në Kolegjin e Troshanit. Të dielave mbulonte me shërbim meshtarak kishën e Zojës Nunciatë në Lezhë, ku shërbeu si famullitar (1896- 1897). Në 1899 u caktua famullitar i përkohshëm në Gomsiqe, nën juridiksionin kishtar të Abatit. Në 1899 qe ndër anëtarët themelues të shoqërisë “Bashkimi”. Në 1902 u emërua sekretar i Komisariatit Gjeneral të Misionit Françeskan në Shkodër dhe po atë vit u bë i pari drejtor shqiptar i shkollës françeskane. Porsa mori drejtimin e shkollës, ndërroi gjuhën e mësimdhënies nga italishtja në gjuhën shqipe.

Me mbarështimin e tij, iu shtuan edhe klasët që atëkohë quheshin qytetnore. Duke qenë në periudhën osmane ndoshta e vetmja shkollë kombëtare në Shkodër, duke u nderuar më pas edhe nga Xhonturqit ngaqë ishte pa ndikime të huaja si shkollë. Më 15 shkurt 1907 me Gjeçovin themeloi të parën bibliotekë shkollore në viset shqiptare. Në nëntor 1908 Fishta si përfaqësues i shoqërisë Bashkimi mori pjesë në Kongresin e Manastirit, ku u ujdisën për alfabetin. Me kryengritjen e Mbishkodrës në 1911, Arqipeshkvi Serreqi i dërguar nga autoritetet osmane, mori me vete Fishtën dhe Bumçin në Podgoricë për të ndërmjetësuar për paqe mes autoriteteve dhe prijësve të maleve.

ANGAZHIMET

Me administrimin ndërkombëtar të Shkodrës, drejtoi të përkohshmen “Hylli i Dritës”, por u mbyll pas një viti prej autoriteteve prej artikujve thumbues të vetë Fishtës. Për shkak të qëndrimeve të tij, autoritetet lëshuan urdhrin që të syrgjynosej në Maltë, gjë për të cilën u strehua ndër famullitë e krahinës dhe kleri i lartë ndërhyri që t’i pezullohej urdhri i mërgimit. Me pushtimadministrimin austro-hungarez pas 1916, botoi fletoren “Posta e Shqypniës”. Po atë vit çoi shtypshkronjën në Shkodër, e cila do të marrë emnin “Shtypshkroja Françeskane”: françeskanët që deri atëherë botonin tek shtypshkronjën “Nikaj” tashmë nisën të botonin vetë. Më 6 qershor 1921 u zgjodh deputet i prefekturës së Shkodrës. Fishta në fillim u zgjodh anëtar e më vonë kryetar i komisionit të buxhetit, anëtar i komisionit të arsimit dhe në gusht të atij viti u zgjodh nënkryetar i Parlamentit. Kur iu desh ta linte, propozoi Marlaskajn si zëvendësues. Në tetor së bashku sivëllaun Dodajn, shkuan në Romë për të takuar Kryetarin e Urdhnit dhe u pritën nga Papa Benedikti XV, ku morën ndihma për hapjen e shkollës publike “Illyricum”.

Në fillim të vitit 1922 u nis në Mbretërinë e Bashkuar, në shkurt, 1922 nga Liverpuli, pas 12 ditëve mbërrin në Amerikë. Takoi senatorë katolikë, të cilët ndikuan tek Henry Cabot Lodge i Partisë Republikane, për njohjen diplomatike Shqipërisë së pavarur. Fishta mbështeti Lëvizjen e qershorit, por me rikthimin e legjitimitetit nga forcat e Ahmet Zogut, shkoi dhe qëndroi në arrati deri në vitin 1926, kur pati një dekret të veçantë për amnistim. Gjatë gjysmës së parë të viteve ’30 ka qenë përfaqësues diplomatik i shtetit shqiptar nëpër konferencat parapërgatitore të Kuvendit Ballkanik më 1934 (Athinë, 1930; Sofia, 1931; Bukuresht, 1932). Prej 1935 deri më 1938 shërbeu ministër provincial i Françeskanëve në Shqipëri. Më 1937 u tërhoq nga jeta publike, duke iu përkushtuar jetës rregulltare dhe krijimtarisë së vet që e lëvronte në kuvendin e urdhrit përbri Kishës së Gjuhadolit. Pas pushtimit italian, më 3 qershor 1939 u zgjodh anëtar i Akademisë së Italisë. Më 1940, Papa Piu XII e priti atë në një audiencë të gjatë në Vatikan.

Nga fundi i vitit 1940 shkoi në Troshan, ku kishte nisë së pari jetën rregulltare dhe atë letrare. Sëmuret më 10 dhjetor ku iu gjendën pranë miku i vet Doda dhe sekretari Volaj. Më 14 dhjetor e sollën në Shkodër, ku u shtrua në spital për një sëmundje zemre dhe pneumoni. Më 22 dhjetor ra një borë e madhe dhe Fishta mori një polmonit që e rëndoi shëndetin e tij. Më 27 dhjetor, mjekët humbasin shpresat dhe Fishta ra në kllapi. Më 30 dhjetor 1940 ndërroi jetë në spitalin e Shkodrës. Në valën e Revolucionit Kulturor, më 20 mars 1967 eshtrat e Fishtës me urdhër të strukturave të shtetit komunist u zhvarrosën nga Kisha e Gjuhadolit. Sipas një dëshmie, eshtrat e tij me të sivëllezërve të tjerë u hodhën pas tri ditëve në lumin Drin. Por dëshmi të tjera përcjellin se eshtrat u shpëtuan, u ruajtën dhe u varrosën tinëz sërishmi në varrezat e Rrmajit në Shkodër. U rivarros më 1996.

VEPRA

Në fushën e letrave Fishta lëvroi gjini të ndryshme si poezinë epike ashtu edhe atë lirike e satirike, dramën, publicistikën dhe përkthimin. Si ndër më përfaqësuesit të poetëve romantikë, shkroi vepra që zhvillojnë tema të poezisë gojore dhe të traditës, duke u mbështetur shumë mbi modelet stilistikore folklorike dhe duke përfshirë metrikën folklorike. Fillimisht u shqua në anonimat në sajë të dy këngëve të “Lahutën e Malcis” (Zarë, 1905 dhe 1907), i ndikuar nga poezia epike e sllavëve të jugut, si dhe nga vargjet e Grga Martiæ dhe poeti kombëtar malazez Njegoš. Me ritmin e poezive popullore, herë-herë i përngjasonin kumteve homerike, duke evokuar përplasjet e deriatëhershme osmano-malazeze ku aktorët shqiptarë nëpër vargjet e tij ishin malësorët (Marash Uci, 1905) dhe shkodranët (Oso Kuka, 1907) përpunohej ideja e armiqësisë kundër sllavëve. Sentimentet antiturke në veprën e tij do t’i shkruante vetëm në këngët që botoi pas pavarësisë së vendit. I financuar nga qeveria austro-hungareze, më 1907 botoi në Sarajevë në mënyrë anonime përmbledhjen me poezi satirike Anxat e Parnasit (rib. Anzat e Parnasit), duke hedhur kështu themelet e zhanrit të satirës në letërsinë shqipe. Ka dëshmi shkrimore që ka lënë pas piktura dhe po ashtu qe arkitekti i njërës prej kishave të Shkodrës. Ka botuar 9 tekste dramatike.

Përshtati veprën Le Furberier Escarpet të Molierit në pjesëzën Dredhitë e Patukut, e pabotuar, dorëshkrimi i së cilës gjendet në Bibliotekën Françeskane në Shkodër. Si me Skiroin, Konicën me autorë të tjerë të rinj, me ardhjen në pushtet të regjimit komunist, Fishta u shpall “armik i popullit” dhe si autor u ndalua, sepse kryevepra e tij “Lahuta e Malcís” është antisllave. Ndër akuzat e tjera që i bëheshin postum qenë edhe pranimi i medaljes së dhënë nga sulltani, të qenët agjent i austro-hungarezëve kur botonte Posta e Shqypnís si dhe për mosrefuziminin e titullit akademik i Akademisë së Shkencave të Italisë fashiste pasi kjo pushtoi Shqipërinë. Për Arshi Pipën, arsyeja e vërtetë me të cilën mund të shpjegohej fishtofobia e partisë, është sepse ishte gegë dhe prift katolik.

Pas propozimit të valiut Hasan Riza Pasha, sulltani i kishte akorduar Fishtës dekoratën e klasit II “Maarif Nishani” për merita të veçanta në fushën e arsimit. Më 28 janar 1912, Klubi “Gjuha Shqype” në pallatin ipeshkvnor në praninë e Imzot Serreqit, përmes kryetarit të saj Ndoc Çobës, i cili më këtë rast mbajti edhe një ligjëratë mbi veprimtarinë e tij, i dhuroi Fishtës një kurorë argjendi për merita në krijimtarinë letrare dhe po këtë vit ai dekorohet dhe nga Mbretëria AustroHungareze me medaljen “Ritterkreuz” (1912), për kontributin kulturor në Shqipëri, qyteti i Beratit i dërgoi një pupël ari (1913), Piu XI “Medaglia di Benemerenza” (1925), Urdhri françeskan e dekoroi “Lector Jubilatus” (1929), Greqia me dekoratën “Phoenix” (1931); qeveria italiane e bëri anëtar të akademisë së saj më 1939. Me rastin e 130-vjetorit të ditëlindjes së tij, Këshilli i Bashkisë së Lezhës e bëri “Qytetar Nderi”. Në këtë mbledhje përkujtimore, një grup intelektualësh kërkuan nga Kryetari i Qarkut dhe Prefekti që t’i bëhet një propozim Presidencës që t’i akordojë poetit të madh titullin e lartë “Nderi i Kombit” për merita të shquara në shërbim të Kombit Shqiptar. Kjo dëshirë u realizua nga presidenti Alfred Moisiu më 28 nëntor 2002.

LETËRKËMBIMET

Njihen dy letra që Fishta i ka drejtuar Benito Musolinit. Letra e parë i takon vitit 1934 dhe është e postuar në Livorno, Itali. Është e shkruar italisht, herë-herë me fjalë jo të italishtes së sotme. Duke ndier se nuk i mbetej shumë për të jetuar, Fishta i kërkon Musolinit që vepra e tij të botohet e plotë dhe “e paraqitshme”, gjë që nuk mund ta bëjë as Urdhri Françeskan dhe as Provinca e Fishtës. Dhe, të ardhurat nga shitja e veprës t’i kalojnë kësaj province. Deri në atë kohë dijetari shqiptar thuajse e kishte mbyllur ciklin e gjithë veprimtarisë së tij, pavarësisht rishikimeve të mëvonshme. Lutja qëndron në botimin e të shtatë vëllimeve të veprës ku përfshihen poezia ajo epike me “Lahutën e Malcís”, lirika, drama, satira politike dhe sociale, proza, përkthimet nga “Iliada” e Homerit, Molieri etj. Letra e dytë e Fishtës drejtuar Musolinit është shkruar në Romë, më datë 27 prill 1940, dhe po ashtu si letra e parë mban edhe vitin përkatës fashist, viti XVIII, i drejtohet tashmë udhëheqësit, Duçe.

Në këtë letër të shkurtër i shkruan për prof. Gino Bottiglioni i Universitetit të Bolonjës që në atë kohë ishte thirrur nga Akademia Italiane, anëtar i së cilës u bë edhe Gjergj Fishta në 1939, i ngarkuar me misionin për të promovuar studime në të gjitha fushat e dijes dhe për të drejtuar të rinjtë studentë. “Qendra jonë e Studimeve Shqiptare do donte një impuls të dukshëm nga profesori i Universitetit të Bolonjës ku me nismën e tij, po organizohet një grup të rinjsh veçanërisht i përkushtuar ndaj albanologjisë”. Për këtë Fishta “guxon” t’i drejtohet Duçes dhe “gjykimit të tij të ndritur” për t’u gjetur një mënyrë që ta shtyjë më tej këtë nismë. Letra drejtuar Jakomonit, mëkëmbësit të mbretit Viktor Emanueli III është një lutje për të ndihmuar albanologun Norbert Jokl./

Prokuroria kërkon rikthimin e çështjes që akuzon ish-Presidentin Trump për dokumentet e klasifikuara

Prokurori i posaçëm Jack Smith i kërkoi të hënën një gjykate federale të apelit të rikthejë çështjen penale që akuzon ish-Presidentin Donald Trump për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara, pasi një gjykatë më e ulët e rrëzoi këtë padi në korrik.

 

Në kërkesën e paraqitur në gjykatë, prokurori Smith dhe ekipi i tij i kërkojnë Gjykatës së Apelit të Shteteve të Bashkuara me seli në Atlanta, që ka juridiksionin për Qarkun e 11-të, të anulojë vendimin e 15 korrikut të dhënë nga gjyqtarja Aileen Cannon, ku ajo arriti në përfundimin se prokurori Smith ishte emëruar në mënyrë të paligjshme dhe se nuk kishte autoritetin ligjor për ngritjen e padisë.

“Kongresi i ka dhënë Prokurorit të Përgjithshëm, ashtu si drejtuesve të shumë departamenteve të ekzekutivit, autoritet të gjerë për të strukturuar agjencinë që ai drejton për të ushtruar përgjegjësitë e vendosura mbi të me ligj”, shkruhet në kërkesën e prokurorisë.

“Pikëpamja e kundërt e gjykatës së rrethit bie ndesh me një kurs ndryshe të pandërprerë vendimesh, përfshirë nga Gjykata e Lartë, se Prokurori i Përgjithshëm e ka një autoritet të tillë dhe është në kundërshtim me praktikat e gjera dhe të hershme të emërimeve në Departamentin e Drejtësisë dhe në të gjithë qeverinë”.

Departamenti i Drejtësisë ishte shprehur më parë se kishte në plan ta apelonte vendimin e gjykatëses.

Në kërkesën e së hënës, zyra e prokurorit Smith i kërkoi gjithashtu gjykatës së apelit të caktojë një datë për paraqitjen e argumenteve verbale.

Gjykatësja Cannon, e emëruar në këtë detyrë nga ish-Presidenti Trump, ishte shprehur se vendimi i Prokurorit të Përgjithshëm Merrick Garland për të emëruar prokurorin e posaçëm Smith në vitin 2022 shkelte Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara. Ajo gjithashtu vendosi se buxheti i zyrës së tij, që financohet nga një fond i pacaktuar, ishte i paligjshëm.

Avokatët e ish-Presidentit Trump patën kundërshtuar më parë autoritetin ligjor për emërimin e prokurorit Smith, duke argumentuar se zyra e prokurorit Smith nuk ishte krijuar nga Kongresi dhe ai nuk ishte konfirmuar nga Senati si prokuror i posaçëm.

Ekipi elektoral i ish-Presidentit Trump tha të hënën se gjykata duhet ta refuzojë kërkesën e prokurorit Smith dhe se duhet të pushohen çështjet e tjera me të cilat përballet ish-presidenti.

Vendimi i gjykatëses Cannon është përballur me kritika të ashpra, ndërsa shumë juristë thonë se bie ndesh me vendimet e mëparshme gjyqësore, që mbështesin ligjshmërinë e rregullave tek të cilat Departamenti i Drejtësisë është mbështetur prej vitesh për emërimin e prokurorëve të posaçëm.

“Prokurori i Përgjithshëm emëroi në mënyrë të vlefshme Prokurorin e Posaçëm, i cili gjithashtu financohet siç duhet”, shkruajti zyra e prokurorit Smith, duke shtuar se gjykatësja Cannon “kishte devijuar nga precedenti detyrues i Gjykatës së Lartë” dhe se gjithashtu kishte “keqinterpretuar statutet që autorizonin emërimin e Prokurorit të Posaçëm”.

Vendimi i gjykatëses Cannon për ta pushuar çështjen shënoi një fitore ligjore për ish-Presidentin Trump dhe erdhi jo shumë kohë pasi Gjykata e Lartë vendosi se ai kishte imunitet të gjerë nga ndjekja penale për veprimet zyrtare të ndërmarra gjatë kohës që ishte në detyrë.

Ky vendim i Gjykatës së Lartë ka çuar në vonesa të mëdha në çështjen e dytë penale të prokurorit Smith ndaj ish-Presidentit Trump, në të cilën ish-presidenti po përballet me akuza për përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Prokurori Smith përballet me një afat deri të premten për t’i paraqitur gjykatës se si dëshiron të vazhdojë, në dritën e vendimit të Gjykatës së Lartë.

Ish-Presidenti Trump, i cili kandidon në zgjedhjet presidenciale përballë Nënpresidentes Kamala Harris, u gjend fajtor në maj për akuzat e ngritura nga shteti i Nju Jorkut, që përfshinin pagesat për të fituar heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë, për të shmangur një skandal seksual përpara zgjedhjeve të vitit 2016.

Dhënia e dënimit është shtyrë pas vendimit të Gjykatës së Lartë për imunitetin presidencial.

Në çështjen e dokumenteve të klasifikuara, ish-Presidenti Trump u padit me akuzat se mbante me dashje dokumente të sigurisë kombëtare në pronën e tij Mar-a-Lago në Florida, pas largimit nga detyra në vitin 2021 dhe se pengoi përpjekjet e qeverisë për t’i marrë këto materiale./VOA

Rikthehet hakmarrja e mafias italiane dhe shqiptare në Viterbo

Pas mafias viterbeze – zbulimi i lidhjes mes kriminelëve italianë dhe shqiptarë që për dy vjet terrorizuan qytetarët, sipërmarrësit dhe politikanët, me akte të shumta frikësuese e deri në zjarrvënie që daton 7 vite më parë – spektri i kërcënimeve dhe hakmarrjeve po e përndjek sërish provincës e Viterbos.

Duhet hedhur dritë e plotë mbi ngjarjet e rënda në Capranica, shkruan sot shtypi italian.

Faktet e errëta të Capranica-s, ku u prenë natën me sharrë elektrike pastër, qindra bimë gështenjash dhe lajthie në tokat e kryetarit dhe nënkryetarit të provincës Pietro Nocchi, të këshilltarit Massimo Pietrini, të ish-kryebashkiakut Angelo Cappelli dhe të sipërmarrësi Francesco Tanci – na kthen në atë periudhë. Një fakt shumë i rëndë, pra, që nuk mund të nënvlerësohet dhe të cilin organet e drejtësisë janë të thirrur ta zbardhin sa më parë.

Vazhdojnë hetimet për atë që ka ndodhur realisht, ku hetuesit kërkojnë motivin dhe padyshim autorët, ndërkohë që viktimat struken në heshtje.

Taste: “Është një situatë delikate”

Hesht edhe sekretariati i Partisë Demokratike, së cilës i përkasin Nocchi, Cappelli dhe Pietrini. E vetmja që flet është Katia Taste, nënkryetare e Bashkisë së Capranica: “Është një situatë delikate, është një episod i pakëndshëm që shpresojmë të mos ndodhë më.”

Por banorët e Capraniche nuk mjaftohen me disa fjalë rrethanore: duan të dinë nëse ka apo jo një bandë pas asaj që duket si hakmarrje apo, edhe më keq, krim i organizuar.

Capranica – Sulm në fushat e lajthisë dhe gështenjës, qindra bimë të prera

Nga fundi i korrikut deri në fillim të gushtit, persona të panjohur kanë hyrë gjatë natës në të mbjellat në pronësi të katër familjeve të njohura nga Capranica, të paktën në dy raste të lidhur me përfaqësues të administratës komunale. Ndërhyrësit prenë afërsisht shtatë deri në tetëqind pemë gështenja dhe lajthi, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe duke krijuar një atmosferë shqetësimi në rritje në komunitetin lokal.

Informacioni i parë që doli, i konfirmuar si nga disa qytetarë, ashtu edhe nga Corriere di Viterbo, tregon se autorët e aktit (ose autori) vepruan me kujdes ekstrem për të mos ngjallur dyshime. Ata zgjodhën të vepronin në zonat periferike të tokës, vende të pakta të frekuentuara dhe të vizituara kryesisht gjatë përpunimit apo korrjes bujqësore, aq sa pronarët e vunë re dëmin vetëm pas disa ditësh.

Vendi është tronditur dhe hipoteza shqetësuese po hapin rrugën e tyre. Edhe pse ende nuk ka një konfirmim zyrtar, dyshimi më i përhapur është se mund të jetë një akt frikësimi, ndoshta një hakmarrje për një gabim të supozuar të pësuar nga ata që vendosën të ndërmarrin një veprim kaq drastik.

Të tjerë anojnë drejt hipotezës edhe më të çuditshme të ambientalistëve të ngopur me shkatërrimin e territorit.

Episodi ka ngjallur shqetësim të madh jo vetëm për shkallën e dëmit ekonomik të pësuar nga familjet e përfshira, por edhe për implikimet e mundshme të një akti të tillë, i cili mund të pasqyrojë tensionet themelore brenda komunitetit. Autoritetet lokale po hetojnë për zbardhjen e ngjarjes dhe garantimin e sigurisë dhe qetësisë së banorëve.

Protesta për Thumanë-Kashar është e drejtë, por padrejtësia ndaj tyre buron nga marrëveshja Rama-Berisha e 2008-es dhe mungesa e përfaqësimit politik

NGA GENTIAN GABA

Protesta për Thumanë-Kashar është e drejtë, por

Prej muajsh banorët e Krujës, Fushë-Krujës dhe zonave përreth po protestojnë prej izolimit që kanë pësuar nga segmenti Thumanë-Kashar.

80 mijë banorë janë ndëshkuar prej mungesës së aksesit, pasi në planin fillestar ishin parashikuar 4 nyje shkëmbimi, ndërkohë që në përfundim të punimeve mungojnë nyjet lidhëse në Fushë-Krujë dhe Thumanë.

Për pasojë të këtij izolimi bizneset po mbyllen, çmimet po rriten dhe kostot për familjet po bëhen të papërballueshme.

Protesta e drejtë e banorëve po has në injorimin e zakontë të qeverisë arrogante të Edi Ramës.

Strategjia për menaxhimin e protestës nga ana e pushtetit ngjason me manualin e zakontë. Nëpërmjet injorimit të kërkesave të protestuesve, kërkohet së pari që aksionet e qytetarëve të rutinizohen, duke lodhur qëndresën e tyre dhe zbehur vëmendjen e opinionit publik.

Së dyti, përmes mosveprimit të saj, që është edhe shkaku i bllokimit të rrugës nga banorët, qeveria hilacake kërkon të krijojë perceptimin e bezdisjes ndaj protestës te qytetarët që aksesojnë rrugën dhe bllokohen gjatë zhvillimit të saj.

Në qasjen klasike të autokratëve, përça dhe sundo, qeveria kërkon që fajin e saj ndaj Krujës dhe Fushë-Krujës ta fshijë përmes nxitjes së emocioneve negative mes banorëve që protestojnë për një të drejtë kushtetuese dhe qytetarëve të tjerë.

Një manual që është zbatuar me përpikmëri në protestat e ndryshme përgjatë këtyre viteve, natyrisht i ndihmuar edhe nga mediat, që janë përherë gati në shërbimet e tyre ndaj qeverisë dhe në censurimin e problemeve.

Por ngadhënjimi i qeverisë, herë me hile, herë me forcë e herë përmes korruptimit, nuk e ka origjinën te dobësia e protestave, as te forca e klientelës së saj, që në këtë rast është e bashkëndarë me një pjesë të opozitës, të dyja të afërta me kompaninë koncesionare.

Problemi i vërtetë është se qytetarëve u është hequr çdo mjet institucional dhe demokratik, si referendumet lokale, e mbi të gjitha sepse problemet e qytetarëve janë të shkëputura nga ato të përfaqësuesve të tyre në parlament, të cilët nuk bëhen përçues të zërit të votuesve, por të interesave të kryetarëve të tyre.

Një protestë si kjo e banorëve të Thumanë-Kashar ka parë përkrahjen e vazhdueshme të deputeteve opozitare si Merita Bakiu dhe Andia Ulliri, ndërkohë që asnjë përfaqësues i PS-së, që në këtë qark ka marrë gati 77 mijë vota, nuk është shprehur për padrejtësinë që po pësojnë mbi 80 mijë banorë.

A të jenë të kënaqur vallë votuesit e PS-së për izolimin që po pësojnë? Për bizneset që po mbyllen? Për çmimet që po rriten për familjet e zonës?

Afërmendsh jo, por përfaqësuesit e PS-së në nivel vendor dhe qendor nuk duken gjëkundi, sepse ata nuk zgjidhen më nga qytetarët por nga nënshkruesit e listave që dorëzohen në KQZ, krerët e partive.

Dhe këtu vijmë te thelbi, ndryshimet kushtetuese të 2008-ës, që i dhanë jetë sistemit ku fituesi merr gjithçka, me një kryeministër të pathyeshëm dhe të gjithëpushtetshëm; një parlament që nuk përfaqëson asgjë, me deputetë të pafuqishëm dhe noterizues të vullnetit të kryeministrit; një President honorifik, zgjedhja e të cilit kërkon më pak vota se ajo për Avokatin e Popullit.

Një republikë kryeministrore, pa ndarje pushtetesh, që ka dobësuar demokracinë dhe përfaqësimin politik, me pasoja të rënda për zhvillimet politike, ekonomike dhe shoqërore.

Për shumë gjatë, marrëveshja mes Berishës dhe Ramës e prillit të 2008-ës, e cila prodhoi një sistem politik të deformuar, është shënjestruar si momenti në të cilin mori fund vrapi i gomarit i demokracisë të brishtë shqiptare.

Ndonëse mund të komentojmë bollshëm mbi arsyet që i çuan palët drejt atyre ndryshimeve (konsensusi i gjerë sugjeron se Berisha u shty nga kriza e prodhuar nga tragjedia e Gërdecit, ndërsa Rama u shty nga kriza e lidershipit të tij të dobët mbi PS-në), pa dashur t’i epitetojmë vendimet politike të së shkuarës me sytë e të tashmes, 16 vite janë mëse të mjaftueshme për të pranuar se rezultati i asaj marrëveshje u provua si jo pozitiv për proceset demokratike të Shqipërisë.

Por, siç do thoshte Rama duke cituar gjyshen e tij, që në fakt është një aforizëm që i atribuohet Shën Augustinit, të gabosh është njerëzore, të këmbëngulësh në gabim është djallëzore.

Siç ishte djallëzore këmbëngulja në gabim 16 vite më pas, me riciklimin e marrëveshje Rama-Berisha, përmes të cilës kryeministri dhe ish-kryeministri ekzekutuan Komisionin për Reformën Zgjedhore, duke mbajtur të paprekur sistemin e dëmshëm që kanë prodhuar interesat e tyre.

Përmes teatrit të flakadanëve dhe karrigeve të përmbysura të muajve të shkuar, ku Berisha kërkonte komisionet hetimore, ndërsa Rama i refuzonte ato me pretekstin tashmë të gënjeshtërt se nuk komunikon me non gratat (ka tre aleatë të ngushtë nga kampi i tij, Doshin, Dakon dhe Rakipin).

Një krizë artificiale që kishte për qëllim faktorizimin në parlament të Berishës, që sapo kishte humbur në mënyrën më dramatike zgjedhjet vendore, sepse votat e tij i duheshin Ramës për të mbajtur listat e mbyllura e për të mos adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR.

Nëpërmjet shamatës fallco, Rama dhe Berisha bllokuan jetën politike të vendit, për të mbajtur njëri-tjetrin në lojë, duke arritur të mos fusin në axhendën parlamentare propozimet e PD të përfaqësuar nga Basha, të cilat reflektonin realisht kërkesën e shoqërisë për ndryshim, nga listat e hapura, te barazia e votës etj, që sillnin në sinoret e normalitetit parlamentarizmin dhe përfaqësimin politik.

Ujdia mes tyre u damkos gjerësisht në opinionin publik si një Pazar mes Ramës dhe Berishës, madje edhe nga komentatorë të afërt me ta, që nuk mund të fshihnin përmes artit të propagandës shëmtinë e marrëveshjes që nxori në sipërfaqe interesat konvergjente të kryeministrit dhe ish-kryeministrit.

E nëse nga maja e pushtetit Rama ka fuqinë ta metabolizojë helmin e pazarit të dalë në sipërfaqe, nga pozitat e Berishës është më e vështirë të mbrohet mbajtja e status quo-së, pasi nëse Rama çon policinë për të ndalur protestuesit të autostrada Thumanë-Kashar, Berisha shfaqet hipokritë me retorikën e tij.

Pasi jo vetëm lidhet me një fill të hollë me kompaninë koncesionare, por përmes bashkimit me Ramën u hoqi qytetarëve mundësinë për ndryshimin politik, që është i domosdoshëm për t’i dhënë zë kauzës së tyre të drejtë.

Pra, aty ku Rama me të drejtë shihet si orkestruesi i një regjimi oligarkik, Berisha, përmes marrëveshjes me të, nuk e shet dot veten si opozitar, aq më pak si kreu i opozitës i përndjekur nga regjimi me të cilin ka bashkuar 2 herë votat në më pak se gjashtë muaj, por si ortaku i sistemit që ai ka ndërtuar dhe mirëmbajtur me atë që cilëson si kreun e meduzës, e ndërsa vetë ka përfunduar si një nga gjarpërinjtë në kokën e krijesës mitologjike.

Moti i keq, bllokohet rruga Lozhan-Moglicë-Gramsh pas rëshqitjes së dherave

Pas stuhisë së një nate më parë, për shumë orë, rruga nacionale Lozhan- Moglicë -Gramsh ka mbetur e bllokuar.

Shkak është bërë rrëshqitja e dherave dhe inerteve duke bërë kështu të pakalueshëm për mjetet aksin nacional pasi situata ka qenë e rëndë në segmente të shumta të kësaj rruge.

Është dashur ndërhyrja e mjeteve të shumta të firmës kontraktore por dhe të Bashkisë së Maliqit për të normalizuar situatën e krijuar.

Burime zyrtare thanë së vetëm mëngjesin e sotëm rruga nacionale nga Lozhani në Gramsh është bërë e kalueshme për të gjitha mjetet.

Kjo rrugë sa herë ka reshje të shumta shiu bëhet problematike për drejtuesit e mjeteve, gjithnjë për të njëjtën arsye, rrëshqitjen e dherave dhe inerteve.

“Zaptojnë” administratën, ja ku i kanë “sistemuar” bashkëshortët dhe fëmijët ministrat e deputetët

Kryeministri Edi Rama, në Kongresin e 28 korrikut kritikoi ashpër të vetët, teksa vendosi që asnjë drejtor të mos ishte pjesë e delegatëve. Po ashtu është folur shpesh për një frymë të re në administratë. Por edhe pse kryeministri premton sikur lufton nepotizmin dhe u hap derën të rinjve, në fakt realiteti është krejt ndryshe.

Gratë, bashkëshortët, fëmijët dhe të afërmit e politikanëve gjithmonë janë më të privilegjuarit. Janë ata që marrin postet më të mira në administratë. Mjafton të shohim deklarimet pasurore të politikës dhe kuptojmë se ministrat dhe deputetët, gratë, burrat apo fëmijët i kanë të punësuar nëpër pozicione fitimprurëse.

Lista e mëposhtëme tregon vetëm një pjesë se ku i kanë të punësuar politikanët familjarët e tyre.

Të dhënat janë marrë në deklarimin që kanë bërë ata në ILDKP për vitin 2022 dhe janë 23 emra që kanë treguar se të afërmit i kanë në institucionet publike. Shumë të tjerë kanë deklaruar se i kanë në shtet, por kanë fshehur emrat e institucioneve.

Shumë të afërm ministrash e deputetësh punojnë te Doganat, Tatimet, në ministri, bashki dhe institucione të tjera. Por ka dhe nga ata që kanë prekur institucionet ndërkombëtare, siç janë NATO dhe OKB.

Disa të tjerë i kanë të punësuar në bashki, ISSH, OST, Fondi Shqiptar i Zhvillimit apo Agjencia e Kadastrës. Më poshtë është lista që tregon se ku i kanë sistemuar politikanët familjarët e tyre.

Ja ku janë punësuar familjarët e politikanëve:

1.       Albana Koçiu, bashkëshorti te Drejtoria e Përgjithshme e Doganave;

2.       Arbjan Mazniku, bashkëshortja e punësuar te Këshilli i Ministrave

3.       Ogerta Manastirliu, bashkëshorti tek Ambasada e Çekisë

4.       Antoneta Dhima, bashkëshorti i punësuar tek Albpetrol, djali te Banka e Shqipërisë

5.       Bardhyl Kollçaku, bashkëshortja te Ministria e Mbrojtjes, djali në NATO

6.       Bujar Çela, bashkëshortja e punësuar te Bashkia e Lushnjes

7.       Denis Deliu, bashkëshortja tek Institucioni i Komisionerëve Publikë

8.       Eduart Ndreca, bashkëshortja te Zyra Arsimore Lezhë

9.       Evis Kushi, bashkëshorti tek OST

10.   Fadil Nasufi, vajza te Fondi Shqiptar i Zhvillimit

11.   Florenc Spaho, bashkëshortja te Bashkia Elbasan

12.   Gertjan Deda, bashkëshortja tek Agjencia e Kadastrës

13.    Ilir Ndraxhi, vajza te Hekurudha Shqiptare

14.   Ilir Topi, bashkëshortja te Zyra Arsimore Tiranë

15.   Milva Ekonomi, vajza tek United Nations Development Programme (OKB)

16.   Nasip Naço, vajza tek Agjencia e Sigurimit të Depozitave

17.   Samir Hasalla, bashkëshortja tek ISSH Elbasan

28.   Etilda Gjonaj, bashkëshorti te Drejtoria e Tatimeve

Shqipëria, me normat më të larta të emigrimit në Europë, IOM: Shkak, pagat e ulëta dhe korrupsioni

Shqipëria dhe Moldavia janë vendet më të goditura në Europë nga niveli i lartë i emigracionit në raport me popullsinë, vuri në dukje Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin (IOM) në raportin global për vitin 2024.

Kryesisht, për shkak të mungesës së perspektivës së punësimit me paga dinjitoze, shumë njerëz janë larguar nga disa nënrajone të BE për të punuar në Europën Perëndimore dhe Veriore.

“Vende të tilla si Shqipëria dhe Republika e Moldavisë janë disa nga më të goditurat; rreth 40% e fuqisë punëtore të Shqipërisë, për shembull, vlerësohet të jetë duke punuar jashtë vendit, duke kontribuar në ikjen e trurit, duke ushtruar presion mbi industritë dhe ekonomitë vendase që vazhdimisht humbasin punëtorë si në sektorët me kualifikim të ulët, ashtu edhe në atë të lartë”, vuri në dukje IOM.

Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin rendit si arsye normat e larta të varfërisë, diferencat e pagave midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit, korrupsionin dhe klientelizmin e konsiderueshëm që kanë ndikuar në vendimet e njerëzve për t’u larguar nga vendi ynë.

IOM vë në dukje se mijëra të rinj shqiptarë kanë bërë udhëtime të vështira për të arritur në Europën Veriore, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar, ku shumë prej tyre rrezikojnë jetën duke kaluar Kanalin Anglez me varka të vogla ose me gomone.

Një prirje e ngjashme mund të shihet në Republikën e Moldavisë, me rreth një e katërta e popullsisë së saj “ekonomikisht aktive” që punon jashtë vendit.

Pushtimi i plotë i Ukrainës nga Federata Ruse që ka rezultuar në një krizë të kostos së jetesës në të gjithë botën, duke përfshirë edhe vendet e nënrajonit, ka detyruar edhe më shumë moldavë të largohen nga vendi.

Vendet e tjera si Bullgaria dhe Serbia nuk bëjnë përjashtim dhe vazhdojnë të shohin shumë nga të rinjtë e tyre që largohen.

Ndërsa shumë që largohen janë punëtorë migrantë të rregullt që përfundojnë duke punuar në Federatën Ruse ose në vende të Perëndimit dhe në Europën Veriore, ka pasur gjithashtu një rritje të numrit të migrantëve të parregullt nga disa vende të nën-Rajonit.

Në dekadat e ardhshme, migrimi do të jetë nxitësi i vetëm i rritjes së popullsisë në vendet me të ardhura të larta vë në dukje IOM teksa do të jetë shkaktar kryesor i rënies së popullsisë në vendet e varfra dhe ato në zhvillim.

Emigracioni në Shqipëri vijon me ritme të larta në dekadën e tretë të tranzicionit. Ritmet e ikjes u forcuan edhe më tej në dekadën e fundit në vend që të pakësoheshin, duke vënë në vështirësi ekonominë shqiptare dhe perspektivën afatgjatë të vendit.

Të dhënat e fundit të censit të popullsisë që i përkasin 2023 treguan se, popullsia e vendit është pakësuar me 420 mijë persona ndërmjet 2011-2023 si rrjedhojë emigracionit të lartë, pasi shtesa natyrore, pavarësisht se ka pësuar rënie është ende pozitive.

Diaspora shqiptare jashtë vendit ka arritur në mbi 1.6 milionë persona dhe kjo është sa 66% e popullsisë që jeton në vend./Monitor.al

Scholz paralajmëron valë dëbimesh emigrantësh nga Gjermania

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka vizituar të hënën vendin e ngjarjes në Solingen për të nderuar viktimat e sulmit me thikë gjatë festivalit që shënonte 650-vjetorin e themelimit të qytetit. Atentatori kishte prerë enkas me thikë fytet e viktimave, të cilat, sipas policisë, i kishte zgjedhur rastësisht. Tre të vdekur dhe tetë të plagosur, ky ishte bilanci i këtij akti që ka tronditur Gjermaninë

“Ishte terrorizëm kundër nesh, kundër të gjithëve, një kërcënim për jetën dhe bashkëjetesën tonë. Ky është synimi i atyre që planifikojnë dhe kryejnë atentate të tilla, por ne nuk do ta pranojmë dhe as nuk do ta tolerojmë kurrë,” tha kancelari, i prekur nga rrëfimet e dëshmitarëve. Më parë Olaf Scholz ishte takuar edhe me përfaqësues të forcave të shpëtimit, të cilët i kishin rrëfyer përjetimet traumatike të tyre dhe të të pranishmëve të tjerë.

Thirrje për dëbimin e azilkërkuesve të refuzuar

Ndërsa qyteti i Solingenit ende është nën shokun e asaj që ndodhi të premten, në qeverinë e Berlinit dhe në kancelaritë e landeve të tjera gjermane ka shpërthyer një debat i ashpër se si mund të parandalohen ngjarje të tilla në të ardhmen. Olaf Scholz, i cili vetë ndodhet nën presionin e dy zgjedhjeve që zhvillohen në dy lande lindore, premtoi edhe para medieve në Solingen se do të merrte “një sërë masash”: Ai përmendi “ashpërsimin e ligjit të armëve”, “dëbime më konsekuente të azilkërkuesve të refuzuar” dhe “një luftë më të ashpër kundër islamizmit”.

I dyshuari për sulmin në Solingen ishte një 26-vjeçar nga Siria, i cili iu vetëdorëzua policisë gjermane të shtunën. Mendohet të ketë pasur lidhje me Shtetin Islamik, pasi kjo organizatë terroriste kishte marrë përsipër autorësinë e ngjarjes, të dielën, në një mesazh me video. Fakti që 26-vjeçari, megjithëse i ishte refuzuar e drejta e azilit, vazhdonte të jetonte në Gjermani, ka ndezur një debat të ashpër sidomos mes pozitës dhe opozitës.

Qeveria refuzon heqjen e të drejtës së azilit për sirianët dhe afganët

Kryetari i partisë opozitare CDU, Friedrich Merz, ka kërkuar madje që të mos pranohen më refugjatë nga Siria dhe Afganistani, dhe u shpreh për dëbime të shpejta të azilkërkuesve të refuzuar në këto vende. “Të gjelbrit edhe sot vijojnë ta kundërshtojnë këtë”, tha Merz për stacionin e parë televiziv ARD, the theksoi se “siguria e popullsisë duhet të ketë përparësi”.

Qeveria federale e koalicionit tripartiak të qendrës së majtë e refuzon këtë kërkesë. Zëdhënësi i qeverisë, Steffen Hebestreit, deklaroi të hënën në konferencën e rregullt të shtypit në Berlin, se një veprim i tillë do të ishte shkelje e Kushtetutës dhe rregulloreve të BE-së për të drejtat e njeriut. Hebestreit shtoi se qeveritë duhet të respektojnë Kushtetutën dhe theksoi rëndësinë e të drejtës individuale për azil si një nga arritjet më të rëndësishme të Kushtetutës Gjermane.

Reformë në ligjin e armëmbajtjes

Gjermania është tronditur edhe më parë nga sulme të përgjakshme të kryera nga azilkërkues. Në fund të qershorit, një 26-vjeçar nga Afganistani, të cilit gjithashtu i ishte refuzuar e drejta e azilit, vrau një polic gjatë një atentati të ngjashëm me thikë. Edhe atëherë kancelari gjerman tha se do të merreshin masa për parandalimin e ngjarjeve të tilla.

Njëra syresh është ashpërsimi i ligjit të armëmbajtjes. Konkretisht, bëhet fjalë për ndalimin e përdorimit të thikave me tehe mbi 6 centimetra në vende publike të caktuara, siç bëhet e ditur nga raportimet në media. Deri tani këtë e kundërshtonte një nga partitë e koalicionit të qendrës së majtë, FDP, por pas ngjarjes në Solingen, ministri i drejtësisë, Marco Buschmann, i cili është nga kjo parti, ka njoftuar se do të ketë bisedime mbi këtë çështje.

Luftë kundër islamizmit

Por kolegë të partisë së ministrit liberal janë të mendimit se këto masa janë të pamjaftueshme dhe kërkojnë ndryshime të thella në politikën e migracionit si reagim ndaj sulmit në Solingen. Christoph Meyer, zëvendëskryetar i grupit parlamentar të kësaj partie, ka kritikuar masat simbolike si zonat e ndalimit të thikave, duke i cilësuar ato si “luftim i simptomave” që nuk adresojnë problemin në thelb.

Sipas tij, Gjermania përballet me “probleme të dukshme me të rinjtë e dhunshëm, islamizmin dhe migracionin e paligjshëm,” dhe u bëri thirrje partnerëve të koalicionit që të mos injorojnë këto çështje, duke e quajtur mohimin e tyre një “gënjeshtër të së majtës.”

Ministrja federale e Brendshme Nancy Faeser, u shpreh gjithashtu për të luftuar më shumë islamizmin. “Ne si shtet do të përgjigjemi ndaj këtij akti terrorist me të gjithë ashpërsinë e nevojshme dhe do të luftojmë në mënyrë konsekuente kërcënimin islamist,“ tha politikania e SPD-së për gazetat e grupit mediatik Funke (botimi i së hënës). /Marrë nga DW

“Nuk shënon kot gola”! Futbollisti rus “ngre në qiell” sulmuesin e Shqipërisë: Ai mund të bëjë gjithçka në fushë

Vlerësime të mëdha ka për Mirlind Dakun te Rubin Kazani. Sulmuesi i Shqipërisë është ngritur në qiell edhe nga shoku i skuadrës, mesfushori rus Dmirty Kabutov. Gazetarët rus e kanë pyetur mesfushorit se çfarë është “fenomeni Daku”, ndërsa Kabutov, u shpreh:

“Daku është një nga lojtarët më të rëndësishëm te Rubini, kjo është 100% e sigurt. Ka shënuar shumë gola, për një arsye, jo më kot.

Dedikohet për ekipin dhe mund të bëj gjithçka në fushë.

Nëse do të largohet do të shohim çdo të bëjmë për ta zëvendësuar, por uroj të qëndroj me ne”, tha Kabutov.

Roli i vitaminës D për rënien në peshë, zbuloni ushqimet ku mund ta gjeni

Njerëzit mbipeshë, që kanë një akumulim të përqendruar të dhjamit në zonën përreth belit, janë më të rrezikuar nga mungesa e vitaminës D. Gjetjet e një studimi nënvizuan rolin e dëmshëm të mbipeshës në shëndetin e njeriut.

Mungesa e vitaminës D reflektohet në dendësinë kockore, por edhe rrit rrezikun për sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes, imunitetit dhe zemrës.

Ekspertët thonë se ka një lidhje shumë të fortë mes akumulimit të yndyrave në zonën abdominale me nivelet e ulëta të vitaminës D.

Mbipesha dhe vitamina D

Sipas të dhënave të studimit, burrat obezë kanë më pak vitaminë D në organizëm. Nga ana tjetër, tek femrat mbipeshë, dhjamosja e mëlçisë është ajo që luan rol të fortë në uljen e nivelit të vitaminës D në organizëm.

Burimet e vitaminës D

Njeriu e merr pjesën më të madhe të vitaminës D nëpërmjet rrezeve të diellit. Kur këto rreze, sidomos ato të mesditës, bien në kontakt me lëkurën, nxisin prodhimin e vitaminës D.

Njerëzit që jetojnë në vende me klimë të ngrohtë, përfitojnë më shumë vitaminë D.

Vitaminën D mund ta gjeni në këto ushqime siç janë:

Qumështi
Drithërat
Salmoni
Peshku ton
Skumbria
Vaji i papërpunuar i peshkut
Vaji i mëlçisë së merlucit
Ngrënia e këtyre ushqimeve, shkakton një sërë reagimesh pozitive në mëlçi dhe veshka. Këto organe e transformojnë vitaminën D në formën e përshtatshme për organizmin.

Sa vitaminë D duhet të marrë një i rritur?

Të rriturit duhet të konsumojnë 600 njësi të vitaminës D në ditë, pra rreth 15 mikrogramë. Të moshuarit mbi moshën 70 vjeç duhet të konsumojnë 800 njësi të kësaj vitamine në ditë, pra rreth 20 mikrogramë.