30.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Ditë zie për trajnerin e Kombëtares Shqiptare, Silvinjo humb nënën

Ditë zie në familjen e trajnerit të kombëtares shqiptare, Silvinjo. Federata Shqiptare e Futbollit ka ndarë lajmin se nëna e teknikut brazilian ka humbur jetën.

 

Tekniku ka udhëtuar menjëherë drejt Brazilit për të qenë pranë familjes së tij në këtë moment të vështirë.

Federata Shqiptare e Futbollit i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes së trajnerit Silvinjo dhe të afërmve, për këtë humbje të madhe dhe të pazëvendësueshme.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale ka shprehur hidhërimin e tij për këtë humbje dhe i shpreh ngushëllimet më të thella trajnerit Silvinjo.

“Me hidhërim të thellë mësova lajmin e ndarjes nga jeta të nënës së trajnerit të Kombëtares sonë, Silvinjo. Në emrin tim, në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të çdo anëtari të komunitetit të futbollit i përcjell trajnerit Silvinjo ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të madhe. Në këtë moment të vështirë i gjendemi pranë Silvinjos dhe familjes së tij, që humbën një njeri shumë të dashur për ta. U prehtë në paqe!”, – shkruan Presidenti Duka.

Ja 15 pasuritë që SPAK i bllokoi Arben Lamçjajt, mes tyre ish-vila “Gjuta” dhe hoteli pas Piramidës në Tiranë, e bleu për 100 mijë lekë të vjetra

Një kompleks vilash në zonën e Lundrës, hotel, kompani ndërtimi dhe prona të ndryshme janë sekuestruar gjatë muajit Gusht 2024 nga SPAK, të cilat besohet se rrjedhin nga aktiviteti kriminal dhe që zotërohen nga Arben Lamçja dhe biznesmeni Arjan Ormenaj.

Bëhet fjalë për 15 pasuri që janë të regjistruara në emër të Arben Lamçjas, bashkëshortes së tij Manjola Hysenaj, Gentian Paruca, Eduard Petalli, Dile dhe Fatmir Petalli.

Pasuritë janë vënë në bllokim, pas një hetimi të kryer përmes bisedave në aplikacionin “Sky” që Arben Lamçja ka kryer me vëllezërit në Dubai, Franc dhe Hajdar Bako, të cilët një pjesë të fitimeve nga aktiviteti i trafikut të drogës, i kanë investuar në Tiranë.

Valës së sekuestrimit nuk i ka shpëtuar as ish-vila “Gjuta” që ndodhet në rrugën e “Elbasanit” në Tiranë, e cila është marrë me qira nga vëllezërit Çopja me qëllim ngritjen e një biznesi aty.

Sekuestrimit nuk i ka shpëtuar dhe një biznes në qendër të Tiranës, i quajtur Hotel “Domus”, i cili ndodhet pas Piramidës në kryeqytet.

Fillimisht, ky biznes ishte në pronësi të Xhino Kazazit dhe Dhimitër Galloshit.

Por këta të fundit në 30 janar 2020 vendosin t’ia shesin këtë biznes në qendër të Tiranës, Arben Lamçjajt, kundrejt një vlerë qesharake prej 100 mijë lekë të vjetra.

Pas pagimit të kësaj shume jashtë zyrës së noterit, Lamçja bëhet pronar i këtij biznesi me vlerë qindra mijëra euro.

Por 39 ditë nga blerja e kësaj pasurie për vetëm 100 mijë lekë të vjetra, pronari i ri Arben Lamçja vendos të heqë dorë nga ky biznes duke ia shitur aksionet në 11 mars 2020, Manjola Hysenajt, e cila rezulton të jetë bashkëshortja e tij.

Shitja e aksioneve është kryer me të njëjtin çmim që Albert Lamçja e kishte blerë 1 muaj e gjysëm më parë nga Xhino Kazazi dhe Dhimitër Galloshi.

Valës së sekuestrimeve nuk i kanë shpëtuar dhe bizneset apo pronat e biznesmenit Arjan Ormenaj. 18 pasuri të regjistruara në emër të “Elba Beton” dhe vetë kjo kompani janë sekuestruar, përfshirë këtu dhe disa llogari bankare.

Kujtojmë që disa prej këtyre pasurive në Elbasan dhe Tiranë, janë bllokuar dhe në 28 korrik 2016 nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

Por me vendimin e 5 Prillit 2017, Gjykata e Lartë ka cilësuar të paligjshme sekuestron e vendosur ndaj pronave dhe biznesit të “Elba Beton”, duke i liruar ato.

Sipas Gjykatës së Lartë, këto pasuri kanë qenë fillimisht të hapura nga Arben Lamçja dhe më pas përmes kontratave të rregullta noteriale, ai ja ka shitur kundrejt 170 milion lekëve, dy biznesmenëve nga Elbasani Arjan Ormenaj dhe Besnik Rami./OraNews

Analiza/ India, Katari, Turqia? Kush mund të ndërmjetësojë në Ukrainë

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi në vizitën e tij të fundit në Kiev u pozicionua si ndërmjetësues. Po cilat janë vendet që një ditë mund të ndikojnë në përfundimin e luftës në Ukrainë.

Të krijosh shanse negociimi – ky përmendet gjithnjë si qëllim i mundshëm i Ukrainës, prandaj edhe ushtria ukrainase më 6 gusht depërtoi në territorin rus. Sipas të dhënave të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenski pas pushtimeve në rajonin Kursk qëndron objektivi i krijimit të një zone të ndërmjetme në territorin e agresorit. Ekspertët ushtarakë kanë dyshime, nëse Ukraina mund t’i mbajë për një kohë të gjatë këto territore. Por në Kiev duket të jetë e qartë – nëse një ditë fillojnë negociatat, Rusia nuk ka për t’u tërhequr nga Donbasi, Zaporishja apo Krimeja pa kërkuar një çmim për këtë. Negociatat janë ende larg, por për rastin, kur ato herët a vonë do të fillojnë, ka disa vende që vijnë në konsideratë si ndërmjetësues.

India

“India është e bindur, se asnjë problem nuk zgjidhet në fushën e betejës”, këtë ide e hodhi kryeministri Narendra Modi në Varshavë, para se të nisej me tren në Kiev, ku u takua javën që po mbaron me presidentin Zelenski. Sipas Modit ai po shikon për “perspektivat e një zgjidhjeje paqësore të konfliktit aktual të Ukrainës”. India nuk e ka dënuar asnjëherë hapur invazionin rus dhe ruan një bashkëpunim të ngushtë ekonomik me Rusinë, duke blerë në mënyrë masive armë prej saj. Nga fillimi i luftës, India blen madje më shumë naftë nga Rusia duke ndihmuar kështu industrinë e luftës. Pamjet e përqafimit të Modit me presidentin rus në Moskë nuk e bëjnë më të lehtë synimin për ndërmjetësim të Indisë. Mbetet të shihet, se sa ndërmjetësues i përshtatshëm do të jetë Modi pas përqafimit edhe me presidentin Zelenski në Kiev. Vetë Modi tha se ai vetë personalisht është i gatshëm.

Kina

Edhe Kina prej kohësh nga ana ekonomike faktikisht është në anë të Rusisë, duke e përdorur si treg shitjeje por Rusia është edhe një furnizuese me lëndë të parë me rëndësi për Kinën. Pekini ka abstenuar gjithmonë në votimet në Këshillin e Sigurimit. Në vend të kritikojë Rusinë për luftën, presidenti Jinping e priti në maj Putinin me nderime ushtarake. Kina megjithatë e ka ofruar veten si ndërmjetësuese. Më 24 shkurt 2023, përvjetorin e parë të luftës në Ukrainë, ky vend prezantoi një plan me 12 pika që paraqiste pozicionin kinez. Si pika kryesore ishin integriteti territorial, respektimi i së drejtës ndërkombëtare dhe mbrojtja e popullsisë civile, por edhe refuzimi i sanksioneve të njëanshme.

Kina dërgoi të dërguar të saj të posaçëm në disa nga vendet neutrale të jugut global. Ajo nuk mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Paqes në Zvicër në qershor 2024 – Ukraina akuzoi Pekinin atëherë se po e hedh poshtë këtë format.

Brazili

Pas vizitës së të dërguarit kinez në Brazil, ky vend së bashku me Kinën paraqiti një plan gjashtë pikësh. Nga palët kërkohet që të mos e zgjerojnë më tej zonën e konfliktit dhe se Rusia e Ukraina duhet të hyjnë në dialog të drejtpërdrejtë. Kërkohet përjashtimi i mundësisë së përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë, mbrojtja e civilëve dhe shkëmbimi i të burgosurve.

Presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva nuk ka pasur ndonjë sukses si ndërmjetuses. Në vitin 2023 takimet si me Putinin dhe me Zelenskin dështuan dhe ai u shpreh, se asnjë nga palët nuk është e interesuar për paqen. Në konferencën e Zvicrës da Silva nuk e nënshkroi një dokument përfundimtar, duke thënë, se asnjë konflikt nuk mund të zgjidhet, nëse flitet vetëm me njërën palë. Por Brazili për të dy vendet është një partner i rëndësishëm në skenën diplomatike, kur të vijë koha që të ketë negociata. Këtu mendohet, se Lula mund të arrijë diçka.

Katari

Katari e ka ofruar veten si ndërmjetës jo vetëm në konfliktin e Lindjes së Mesme, por edhe në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës. Madje në Doha u zhvilluan deri në fillim të gushtit bisedime sekrete premtuese, raportoi disa ditë më parë Washington Post. Këto dështuan nga ofensiva ukrainase në Kursk. Vitet e fundit, Katari ka fituar një pozicion të rëndësishëm si vend ndërmjetësues në konflikte të shumta.

Shteti i vogël por i pasur i Gjirit duket të ketë mësuar nga konflikti diplomatik dhe bojkoti nga vendet e tjera arabe dhe afrikano-veriore në vitet 2017-2021 se është gjithashtu e dobishme për sigurinë e tij të ndërtojë marrëdhënie të qëndrueshme me shumë partnerë të ndryshëm.

Turqia

Në pranverën e vitit 2022, Rusia dhe Ukraina pothuajse ranë dakord për një armëpushim pas negociatave në tokën turke – por masakra e trupave ruse në Butsha, Ukrainë i shkatërroi shpresat për përfundimin e luftimeve. Për shkak të vendndodhjes së saj në të dy anët e Bosforit, Turqia kontrollon hyrjen në Detin e Zi dhe për këtë arsye mund të ushtrojë presion në të dyja anët.

Nga korriku 2022 deri në korrik 2023, Presidenti Rexhep Tajip Erdogan përdori kapitalin e tij diplomatik dhe e arriti marrëveshjen me të dyja palët që lejuan transportin e sigurt të grurit ukrainas nga deti. Rusia nuk e deshi më zgjatjen e mekanizmit të transportit. Ajo që mbetet është dëshmia, se Turqia mund të ndërmjetësojë me sukses ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.

Afrika e Jugut, Senegali, Zambia, Unioni Afrikan

Ndoshta ndërmjetësuesit e nënvlerësuar në këtë konflikt vijnë nga Afrika – një kontinent që është i rëndësishëm për të dyja palët ndërluftuese: Rusia po zgjeron sistematikisht ndikimin e saj, veçanërisht në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore. Ukraina po vepron kundër kësaj në pika të caktuara dhe po kërkon aleatë të mundshëm – Ministri i Jashtëm ukrainas, Kuleba ishte në Zambia, Malavi dhe Mauritius në fillim të gushtit.

Presidenti i Zambias, Hakainde Hichilema ka vepruar tanimë personalisht si ndërmjetësues: në qershor 2023, ai udhëtoi së bashku me homologët e tij Cyril Ramaphosa nga Afrika e Jugut, Macky Sall nga Senegali dhe Azali Assoumani nga Komoret (vend kryesues i Unionit Afrikan në atë kohë) me përfaqësues nga shtete të tjera në Kiev dhe Shën Petersburg. Por udhëtimi nuk solli ndonjë rezultat të prekshëm. Megjithatë, disa shtete afrikane kanë vazhduar të angazhohen, si për shembull në Zvicër ose në raundin vijues të bisedimeve në Zhidah në fillim të gushtit. Mjaft vende në Afrikë kanë interes që të marrë fund lufta mes Rusisë dhe Ukrainës./DW

Do vriste Nuredin Dumanin për llogari të vëllezërve Çopja, GJKKO lë në burg Arben Lamçen

Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka lënë në fuqi masën e “arrestit në burg” për Arben Lamçja, i ekstraduar nga Kosova me 23 gusht.

Lamçja, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe sipas SPAK është vrasës me pagesë i hetuar në dosjen “Plumbi i artë”, i njohur si një nga ushtarët e besuar të vëllezërve Franc e Hajdar Çopja në Elbasan.

Sipas pas SPAK gjatë periudhës tetor-nëntor të vitit 2020, 50-vjeçari ka siguruar kushtet për të kryer vrasjen e Nuredin Dumanit për llogari te vellezerve Çopja.

Lamçja është personi që administronte edhe një pjesë të shumave monetare që vëllezërit Çopja siguronin nga aktiviteti kriminal dhe më pas këto para i investonte.

50-vjeçari u arrestua më 4 gusht në Kosovë për llogari të një vendimi të Gjykatës së Posaçme, që caktoi ndaj tij masën e sigurisë arrest në burg ne mungesë.

Ndërron jetë në QSUT Fotaq Zaharia, “i forti i Vlorës” ishte dënuar me 25 vite burgim për vrasje

Ka ndërruar jetë në ambientet e Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë i dënuari Fotaq Zaharia, i njohur edhe si “i forti i Vlorës”.

 

Drejtoria e Burgjeve ka njoftuar lajmin, duke sqaruar se 64-vjeçari ka humbur jetën në orën 01:10 të mëngjesit të sotëm (26 Gusht), në Reanimacionin  e QSUT.

“I dënuari Fotaq Zaharia, i lindur më 29 Maj 1960 në Vlorë, ka ndërruar jetë në orën 01:10 të datës 26 Gusht 2024 në Reanimacionin  e QSUT. Zaharia ishte shtruar në spital me isuficencë respiratore dhe po trajtohej që prej datës 16 Gusht 2024“, thuhet në njoftim.

Zaharia  po vuante një dënim prej 25 vitesh për vrasje dhe ishte shtruar fillimisht në Spitalin e Burgjeve më 22 Korrik 2024.

“Përkeqësimi i gjendjes së tij shëndetësore kërkoi transferimin e tij në QSUT për kujdes të specializuar. Drejtuesit e Institucionit, Komisariati i Policisë Nr. 4 dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve (SHKBB) janë njoftuar për hapat e mëtejshëm procedural. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i shpreh ngushëllimet familjes”

fotiraq zaharia

Kush është Fotaq Zaharia?

Fotaq Zaharia, i cilësuar gjatë viteve 1997-2007 si i forti i Vlorës, për shkak të grabitjeve dhe pengmarrjeve me armë që kryente, kaloi në sitën e verifikimit financiar. Ai bëri edhe betejë të gjatë gjyqësore për shkak të kërkesës për mjekim të detyrueshëm spitalor, si pasojë e gjendjes së vështirë shëndetësore.

Më datë 17 qershor 2001, Fotaq Zaharia, së bashku me Ermir Habili dhe Armando Bega e Haxhi Hoxha, janë arratisur nga dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë së Vlorë, ku ndodheshim me masë sigurimi “arrest në burg” të dyshuar se kishin kryer disa vepra penale, si “vjedhje” dhe “rrëmbim personash me qëllim përfitimi”.

Zaharia, në kohën kur ka qenë i lirë, ishte kthyer edhe në tmerrin e Vlorës, por prokuroria arriti t’i provonte akuzën e grabitjes me armë, pengmarrjen e gruas së një biznesmeni në Vlorë dhe “vrasjes me paramendim”, mbetur në tentativë ndaj shefit të krimeve në Vlorë, Gentian Musabelliut.

BE kërkon zbatim urgjent të marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit

Bashkimi Evropian ka bërë të qartë se kërkon nga Kosova dhe Serbia që urgjentisht të fillojnë zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit. Liderët e shtetit të Kosovës para pak ditësh thanë që Serbia është ajo që ka hequr dorë nga kjo marrëveshje, ndërkaq njohësit e zhvillimeve politike në vend thotë se mos respektimi i kësaj marrëveshje bllokon rrugën integruese të Kosovës.

 

“Serbia duhet të kthehet te marrëveshja, ta respektoj atë në mënyrë që ta zbatojmë,” tha kryeministri Albin Kurti për Zërin e Amerikës.

Thuajse njëjtë sikur kjo kërkesë e kryeministrit kosovar, Albin Kurti por edhe atë të ditëve më parë të presidents Vjosa Osmani, edhe Bashkimi Evropian ka kërkuar zbatim të marrëveshjeve të arritura si në Bruksel ashtu edhe atë në Ohër.

Veçse BE-ja nuk përjashton asnjërën palë. Sipas Brukselit zyrtar si Kosova edhe Serbia duhet urgjentisht të nisin zbatimin e aneksit të arritur në Ohër të Maqedonisë dhe ato të arritura në Bruksel.

“Qëndrimi i BE-së për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit është shumë i qartë, i është komunikuar të gjithë të përfshirëve në disa raste dhe nuk ka ndryshuar: duhet urgjentisht të fillohet me zbatimin e kësaj Marrëveshjeje dhe aneksit të saj. Progresi në këtë drejtim është i lidhur ngushtë me progresin në rrugën e anëtarësimit në BE të Kosovës dhe Serbisë,” deklaroi për RTV Dukagjinin, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Ndërkaq, analisti politik Afrim Kasolli thotë mos zbatimi i kësaj marrëveshje, mbanë peng Kosovën.

“Që nga dështimi për të u anëtarësuar në Këshillin e Europës, është e qartë se Kosova mbetet peng i agjendës euro integruese, pa zbatuar detyrimet dhe obligimet që dalin nga marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i zbatimit në Ohër,” tha Kasolli.

Ndërkaq, sipas ish-diplomati Blerim Canaj presioni për implementimin e kësaj marrëveshje do të rritet, për të dyja vendet.

“Normalisht, presion do të ketë sepse tek e fundit marrëveshja është më shume me BE-në sesa ne me Serbinë, sepse në marrëveshjen e bëmë dhe implemetimi bëhet duhet nga ta,” tha Canaj.

Dokumenti i njohur si Marrëveshja Bazë, u kërkon palëve të zhvillojnë marrëdhënie normale të fqinjësisë së mire, dy palëve u kërkohet ta respektojnë integritetin dhe sovranitetin territorial të njëra-tjetrës, palëve u kërkohet që t’ia njohin njëra-tjetrës dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore që për  autoritetet në Kosovë, kjo pikë nënkupton që Serbia e njeh de facto shtetësinë e Kosovës.

Koha që shqiptarët të kenë politikanë të pakorruptuar dhe të pakapur nga e shkuara e zezë komuniste

NGA NERITAN VLADI

 

Shqipëria është sot në një udhëkryq. Vendi është braktisur nga qytetarët ku edhe statistikat e fundit zyrtare të vet qeverisë, të pabesueshme për faktin sepse dolën shumë vonë të dhënat, konfirmuan që gati 500 mijë shqiptarë kishin ikur dekadën e fundit.

Të braktisësh familjen, vendlindjen dhe atdheun duhet një arsye e fortë, por për bashkatdhetarët tanë arsyet janë 1 mijë.

Ndaj, përballë një pushteti të korruptuar deri në qelizë, një opozite në pjesën më të madhe me elementë të përfolur për korrupsion dhe njerëz që nuk lëshojnë karriget nga 1992, nuk ke se çfarë të zgjedhësh dhe kujt t’i besosh.

Xhaketat e vjetra të komunizmit, veç PS, të shpërndarë dhe në partitë opozitare gjasme të djathta në këto 3 dekada e gjysëm kanë koordinuar për të mbajtur nën kontroll çdo gjë që mes tyre të mos hyj askush në parcelat e tyre dhe minimizojnë hapësirat për alternativa të reja politike apo lëvizje të pavarura prej tyre.

E vërteta është që dy-utri figura të politikës shqiptare të njohur si trekëndëshi i Bermundës, kanë zbatuar më së miri atë që thuhej nga analistë të ndryshëm, qytetarë të shumë artikuluar dhe së fundmi qartë nga politikani, deputeti dhe kreu i Demokratëve Euroatlantikë Lulzim Basha si; Katovica.

Kjo treshe politikanësh bashkë me mbushjet e tyre figura të degraduara dhe me dosje nga komunizmi, si dhe më vonë të zhytur në korrupsion, me devizën e qartë, “bëjmë ça mundim, por nuk do të prekim njëri-tjetrin”, kanë mundur të marrin peng të ardhmen e qytetarëve shqiptarë.

Pas 34 vitesh rrëzim të regjimit komunist vendi ka bërë pak progres, përballet me një sërë problemesh dhe është shumë larg standardeve të kërkuara dhe ëndrrës së shqiptarëve për të iu bashkuar perëndimit.

“E duam Shqipërinë si gjithë Europa” ishte thirrje e studentëve dhe dëshira e tyre, por Katovica nuk e ka realizuar dhe as ka vullnetin për ta bërë një gjë të tillë. Vetëm fjalë në emër të korrupsionit, ndërsa ky fenomen ka qenë dhe është prezent në çdo qelizë të shoqërisë nga administrata shtetërore, drejtësia, mjekësia dhe për fatin e keq deri tek arsimi!

Ironike është fakti që politikanët e korruptuar të tranzicionit të zgjatur, madje dhe të inkriminuar, flasin për luftë ndaj krimit dhe korrupsionit. Kanë ndërmarrë nisma antikorrupsion duke e bërë të pabesueshme luftën ndaj këtij fenomeni në sytë e qytetarëve shqiptarë.

Kjo vlen si për mazhorancën, por dhe ata që kanë qeverisur para 2013 që shqiptarët si të korruptuar i larguan me 1 milionë vota!

Ta pafuqishëm shqiptarët ia kanë futur vrapit për në emigracion me apo pa gomone në kërkim të një jetë më të mirë, me shpresën që do të ia dalin.

Kur ende sot pas rrëzimit të Ramiz Alisë udhëheqësit të fundit komunist ke në drejtim pas 34 vitesh Edi Ramën nga 1997 në ekzekutiv, Sali Berishën nga 1992, dhe Ilir Metën dhe për çudi të shiten ende si alternativa e duhur qeverisëse dhe integruese, e vendi është në ditët më të këqija, pesimizmi të kaplon dhe gjendur në një ngërç zgjedhje nuk ke rrugë tjetër veçse të ikë nga vendi. Për fat të keq kjo ka ndodhur.

Opozitarët sot janë në ekzil, nuk munden dhe nuk duan më të harxhojnë nga ditët e tyre për të njëjtët fytyra që i kanë mashtruar me dhjetra herë.

Demokratët kur shohin që drejtuesit e tyre marrin kulla, janë në pazare hapur me Ramën, i falin pushtetin në tavolinë siç ndodhi me Kodin Zgjedhor ku Berisha iu gjunjëzua Ramës, nuk kanë çfarë të presin më, ndaj zgjedhin të shohin hallet e tyre dhe mbeten me shpresë që goditja nga matanë Atlantikut me mbështetjen e fuqishme që do t’i jepet SPAK e më në fund ky vend të marr frymë lirshëm dhe Shqipëria të jetë e begatë dhe e lulëzuar.

Është koha për veting në politikë, është ky momenti që të inkriminuarit dhe të korruptuarit në politikë të hapin krahun ose mbi ta duhet medoemos të veprojë ligji.

Sa kohë që treshja e xhaketave të vjetra kanë uzurpuar çdo hapësirë në politikë, janë ata numëruesit e votave të qytetarëve në kuti sipas oreksit te tyre, ndryshimi që presin shqiptarët është shumë larg.

Duhet shumë mirë çfarë ndodh me zgjedhjet në këtë vend. Shqiptarët votojnë. Rama-Berisha-Meta numërojnë. Gjithnjë ka patur zgjedhje të pandershme, ndaj nëse në këtë vend nuk do të veprojë ligji dhe drejtësia, e ardhmja e shqiptare do jetë peng e politikanëve të korruptuar dhe me dosje nga e shkuara komuniste si mjet shantazhi ndaj njëri-tjetrin.

Është koha për politikanë të ndershëm, të pakorruptuar që janë gati të përballen me vetingun, të pakapur prej dosjeve të diktaturës së zezë, të shkolluar në perëndim dhe me vizion të qartë integrues. Njëri prej tyre është Lulzim Basha. Të tjerë le ti bashkohen vizionit të tij!

Pagoi 30 mijë euro për vrasjen e gruas/ Gjykata Themelore e Prishtinës merr vendim për Naim Murselin dhe dy personat e tjerë

Naim Murseli, bashkëshorti i Liridona Ademajt dhe dy persona të tjerë, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava do të vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim edhe për dy muaj të tjerë.

 

Gjykata Themelore e Prishtinës ka marrë vendimin që tre autorët e dyshuar të vrasjes së Liridona Ademajt të qëndrojnë në qeli deri në datën 25 tetor.

“Ju informoj se të pandehurve N.M, G.P dhe K.K iu është vazhduar masa e paraburgimit për dy muaj me Aktvendimin e datës 23.08.2024, e cila masë do t’iu llogaritet nga data 26.08.2024 deri me datë 25.10.2024, nën kushtet ligjore të parapara në KPPK”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.

Fillimisht, tre të dyshuarve, Gjykata Themelore në Prishtinë më 3 dhjetor 2023, u kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, të cilin vendim e kishte lënë në fuqi edhe Gjykata e Apelit.

Të dyshuarit të katërt në këtë rast, T.D., më 11 dhjetor 2023 i është caktuar masa e paraburgimit. Ai u arrestua më  9 dhjetor, nën dyshimin se ia shiti armën dorasit.

Për të Gjykata Supreme kishte marrë vendim që t’i ndërpritet masa e paraburgimit dhe të mbrohet në liri pasi ai kishte paraqitur ankesë kundër vendimeve të dy gjykatave më të ulëta të cilat e linin në paraburgim.

Ende nuk dihen motivet se pse ka ndodhur vrasja e Ademajt, e cila kishte nënshtetësi suedeze bashkë me burrin e saj dhe dy djemtë.

VRASJA

Granit Plava, ka dëshmuar më herët për policinë se mori 15 mijë euro nga Naimi për t’i vrarë bashkëshorten, ndërsa pjesën tjetër do e merrte pas krimit. Në deklaratën e bërë nga gjykata, thuhet se Naim Murseli i ka dhënë armën Granti Pllavës dhe e kishte inskenuar grabitjen. Ai u ka dalë para makinës me të cilën po udhëtonte Naim Murseli me Liridonën dhe dy fëmijët. Bashkëshorti është larguar më fëmijët, ndërsa Granti Plava ka qëlluar Liridonën në këmbim të 30 mijë eurove.

Popullsia Cens 2023, Shkodra me humbjet më të mëdha, zhgënjen Tirana

Bashkitë e Shkodrës, Elbasanit, Durrësit, Vlorës dhe Fierit kanë pësuar rënien më të madhe të popullsisë në numër me të dhënat e cens 2011 dhe 2023, në anën tjetër rritjen më të madhe të popullsisë në numër e ka Bashkia e Tiranës, Dropullit, Himarës dhe Sarandës (shiko grafikun e mëposhtëm).

Në përqindje, bashkitë me tkurrjen më të madhe të popullsisë ndërmjet dy censeve janë Bashkia e Selenicës me 48%, e Pustecit me 43%, Pukës me 44% dhe Rrogozhinës me 43%, në anën tjetër, popullsia e Bashkisë Dropull rezulton të jetë rritur me 135%, ajo e Himarës me 45% dhe e Sarandës me 11% dhe Tiranës me 7.3%.

Popullsia sipas bashkive tregon se Shkodra ka pësuar rënien më të madhe në numër. Në Bashkinë e Shkodrës, në tetor 2023 u numëruan 102,434 banorë nga 135,612 banorë në vitin 2011. Shkodra është kryeqendra e Veriut dhe një nga qytetet më të mëdha shqiptare me rëndësi sa i përket kulturës historisë dhe pozitës gjeografike.

Gjithashtu Bashkia e Shkodrës është nga më të pasurat me burime natyrore dhe me potencial të lartë zhvillimi. Por të gjitha këto përparësi nuk kanë mjaftuar për largimin e banorëve.

Pas Shkodrës, rënien më të madhe të popullsisë në numër e kishte Elbasani me tkurrje 26,613 persona ndërmjet dy censeve. Në vitin 2023, në këtë qytet u numëruan 115,101 banorë nga 141,714 të tillë që ishin në cens 2011.

Bashkia e Durrësit u pakësua me mbi 21 mijë banorë. Elbasani dhe Durrësi janë pjesë e zonës metropolitane. Banorët e këtyre dy qyteteve kanë më shumë mundësi punësimi se në rajonet e tjera më periferike.

Bashkia e Tiranës, më e madhja në vend, e cila është një qendër graviteti në krahasim me të tjerat për emigracionin e brendshëm, është shtuar vetëm me 40 mijë e 754 banorë nga 2011 në 2023.

Rritja e popullsisë së kryeqytetit nuk është një lajm i mirë për ndërtuesit në kryeqytet të cilët kanë ndërtuar për projeksione të gabuara deri më tani me të dhëna që Tirana rritet me 20-25 mijë banorë në vit.

Të dhënat e cens 2023 tregojnë se ka rritje të ndjeshme të popullsisë në bashkitë ku dominon minoriteti grek.

P.sh. në Bashkinë e Dropullit në vitin 2023 u numëruan 8259 banore, ndërsa në vitin 2011 vetëm 3503 banorë. Teksa popullsia e gjithë vendit është pakësuar me të paktën 14.8% nga 2011 në 2023, në Bashkinë e Dropullit popullsia ka shënuar rritje me 135%.

Gjithashtu popullsia në Bashkinë e Himarës në vitin 2023 rezultoi 45% më e lartë se në vitin 2021. Në këtë bashki nga të dhënat e cens 2023 rezultuan 8328 banorë nga 5738 banorë që ishin në vitin 2011.

Në Bashkinë e Sarandës, popullsia ndërmjet dy censeve u rrit me 11.8% ose me 2386 banorë më shumë.

Nga 61 bashki vetëm në 6 bashki popullsia shënoi rritje ndërmjet censeve ndërsa në 55 prej tyre ishte në rënie.

Përveç bashkimeve me popullsi minoritare dhe Tiranës, rritje ka shënuar edhe popullsia e Bashkisë së Beratit (+2201 banorë) dhe Dimalit (840 banorë)./B.Hoxha/Monitor.al

Turpi historik i bastardëve që dhunuan me pabesi kombëtare djersën e shqiptarëve të përvuajtur

Nga Spartak Ngjela

Historia e fshehur e një kombi, është armiqësi kombëtare…
Historinë e një shteti të pavarur kombëtar, e fshehin vetëm antikombëtarët.

Pse, në krye te shqiptarëve, në 90 përqind të rasteve kanë drejtuar antishqiptarët?

Zotërinj!

Nuk është koha që na drejton ne, jemi ne që duhet te drejtojmë kohën tonë.

Koha jonë është jeta jonë. Por, diktatorët nuk e shohin kurrë shoqërinë që sundojnë që ajo ështe në kohën e saj, dhe, brenda saj, gjithsecili individ ka kohën e tij.

Koha e një periudhe historike të një shoqërie të caktuar kombëtare, krijohet nga vetë koha e individëve që jetojnë dhe e formojnë atë shoqëri.

Po kryeministri aktual, a e di që kjo është dhe duhet të jetë maksima kombëtare e shqiptarëve, që askush nuk mund ta shkelë.

E di kryeministri aktual që të gjithë kryeministrat në Shqipëri kanë vepruar sikur ata drejtojnë, dhe koha është e tyre?

E di kryeministri aktual që shqiptarët kanë dekada që kanë pritur e po presin zhvillimin e jetës së tyre normale në atdheun e tyre?

E di kryeministri aktual në Shqipëri sot se, gjendja e rëndë e krijuar nga kryeministrat e korruptuar që kanë kaluarnë këta 30 vite në Shqipëri, ka detyruar mbi 1.000.000 shqiptarë ta lënë Shqipërinë se nuk kanë pasur mjete të mjaftueshme jetese për vete dhe familjet e tyre?

Dhe kjo ka ndodhur, sepse kryeministrat tanë nuk kanë pasur fare lidhje me jetën e shqiptarëve, por vetëm me pushtetin e tyre, dhe me qarqet antishqiptare rrotull nesh.

Dhe, na duhet të theksojmë se:

Është instinkti i sundimit, që e kanë politikanët mediokër, të cilët e konceptojnë kryeministrin si një post-çlirimi të dëshirave të tyre për sundim.
Kryeministrat shqiptare, me përjashtim të Ismail Qemalit, kush më shumë e kush më pak, kane qenë sundues.
Dhe nuk kanë bërë Asgjë për historinë e zhvillimit në Shqipëri.
Duhet përjashtuar këtu diktatura komuniste që, me dhunë, me shkelje brutale të të drejtave jetësore të shqiptarëve, të paktën i ndërtoi 500 fabrika e uzina ne Shqipëri.
Po ku janë sot?
Janë shkatërruar të gjitha, në katër-vjetshin 1992 – 1996.

Turp për ata bastardë që drejtuan këtë shkatërrim!
Se ja, para pak muajsh, u ngritën në parlamentin e Serbisë, dhe hordhitë serbe u mburën që, me 40 milionë dollarë, ata kishin shkatërruar 500 uzina e fabrika në Shqipëri.

Ky është një turp historik, dhe krim antikombëtar.
Këta bastardë dhunuan me pabesi kombëtare djersën e shqiptarëve të përvuajtur në 40 vite rresht.

Zotërinj, kjo ështe një nga aspektet e rënda të historisë sonë antikombëtare që ende nuk është ndëshkuar.
Sepse ende nuk është goditur nga asnjë kryeministër masakra antikombëtare në ekonominë shqiptare në vitet 1992-1996.

Po SPAK -u, e di këtë tragjedi antikombëtare?

Gjithsesi, këtë tragjedi makabër antikombëtare, edhe shtypi ka pasur frikë ta denoncojë në Shqipëri.
Por, shqiptarët duan shpagim nga maskarenjtë që shkelën me dhunë djersën, lodhjen ekstreme, me drobitjen më rropatëse, që kishin kaluar prindërit e tyre në dyzet vite rresht.