31.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Rekord i donacioneve për Kamala Harris, mblodhi 540 milionë dollarë në një muaj

Kamala Harris arriti një rekord mbresëlënës, vetëm pak 24 orë pas zyrtarizimit që mori nga Partia Demokratike për zgjedhjet presidenciale amerikane në nëntor.

 

Në veçanti, siç raporton Reuters, nënpresidentja e SHBA dhe kundërshtarja e Donald Trump ka mbledhur 540 milionë dollarë në pak më shumë se një muaj, që kur ajo filloi fushatën e saj për presidencën e SHBA.

Një memo e lëshuar nga menaxherja e fushatës së Harris, Jen O’Malley Dillon, tha se 540 milionë dollarët e mbledhura përfshijnë 82 milionë dollarë që erdhën gjatë javës së konventës dhe janë një shenjë e entuziazmit demokrat për kandidaturën e saj.

“Kjo është shuma më e madhe e mbledhur ndonjëherë nga ndonjë fushatë presidenciale në atë periudhë kohore,” tha ai.

Konfirmohen dy raste me ethet e Nilit në Elbasan, ja si është gjendja shëndetësore e pacientëve

Janë konfirmuar dy raste me ethet e Nilit në dy fshatra të Elbasanit.

Përkatësisht në fshatin Bujqes dhe Jagodinë dy persona kanë rezultuar të prekur nga virusi.

Tashmë të dy të shëruar dhe në gjendje të mirë shëndetësore.

Njeri nga te prekurit është i moshuar 74 vjeç dhe tjetri 45 vjeç.

Nga strukturat e kontraktuara për këtë çështje është bere dezinfektimi i të dy fshatrave.

Gjyqtari Lazër Sallaku dështoi të bindë KPA-në për burimet e ligjshme të pasurisë

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA i ka rrëzuar si të pabazuara thuajse të gjitha shkaqet e ngritura nga gjyqtari i Tiranës, Lazër Sallaku ndaj vendimarrjes së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK që e shkarkoi atë nga detyra më 26 maj 2023 për mungesë të burimeve të ligjshme në krijimin e pasurive.

Në vendimin e arsyetuar Kolegji shprehet se nuk ka gjetur as probleme procedurale në hetimin administrativ të kryer nga Komisioni, ashtu si ka pretenduar në ankim subjekti.

Po ashtu, janë gjetur të drejta edhe konkluzionet e KPK në kriterin e pasurive. Si burime krijimi për një apartament me sipërfaqe 86.3 m2 dhe të një garazh në kryeqytet, subjekti ka deklaruar të ardhurat nga pagat e tij, të ardhurat nga pagat e ish-bashkëshortes; dhurata e bërë ish-bashkëshortes nga nëna e saj; si dhe pjesa e trashëgimisë së ish-bashkëshortes nga babai i saj. Në deklaratën veting ai ka shënuar se vlera e kësaj pasurie është 46 mijë e 332 euro dhe se zotëron 50% të pjesës takuese.

Pas dorëzimit të deklaratës veting, kjo pasuri është regjistruar në emër të subjektit. Po ashtu, ka rezultuar se ai ka marrë një kredi në nëntor të 2017-ës në shumën 36 mijë euro, me qëllim kompensim për pjesëtim pasurie bashkëshortore, blerje e pjesës takuese të ish-bashkëshortes në këtë apartament, pasuri që është vendosur si garanci hipotekore.

Komisioni në vendimin përfundimtar ka konkluduar se, në kushtet që nga ana e subjektit nuk është paraqitur ndonjë dokument ligjor për të provuar ligjshmërinë e burimit të krijimit të këtyre pasurive, shuma e dhuruar nuk duhet të merret në konsideratë dhe për rrjedhojë ka rezultuar pamundësi financiare.

KPA vëren se subjekti në ankimin e tij, në pjesën më të madhe ka paraqitur argumente kundër konkluzionit të Komisionit për moskonsiderimin si burim krijimi të ligjshëm të shumës prej 40 mijë eurosh, dhuruar ish-bashkëshortes nga nëna e saj. Ai ka kundërshtuar detyrimin e tij për justifikimin e shumës së dhuruar duke pretenduar se nëna e ish-bashkëshortes nuk mund të konsiderohet si person i lidhur me të. Po ashtu, ka parashtruar se nuk ka pasur kontribut në blerjen e kësaj pasurie, pasi gjithë pagesat janë kryer nga ish-bashkëshortja me paratë e saj të përfituara si pasuri personale me dhurim dhe trashëgimi, ndërsa kontributi i tij ka qenë vetëm në blerjen e garazhit.

Sallaku ka këmbëngulur se pasuria e fituar me dhurim nga ish-bashkëshortja është pasuri vetjake e saj dhe se nuk bënë pjesë në bashkësi.

Por, sipas KPA, sa kohë që rezulton se dhurimi midis bashkëshortes së subjektit dhe nënës së saj është bërë pas lidhjes së martesës ligjore dhe në funksion të saj, fakti se Sallaku në atë kohë ka qenë në ushtrim të detyrës si gjyqtar, si dhe për arsye se kjo shumë ka shërbyer si burimi kryesor për blerjen e apartamentit tek i cili ai banon, ish-vjehrra duhet të konsiderohet si person tjetër i lidhur.

“Në kushtet kur pasuritë objekt shqyrtimi dhe njëri prej burimeve të krijimit të tyre (dhurimi i shumës prej 40.000 eurosh) janë deklaruar në deklaratën e pasurisë vetting, subjekti ka detyrimin ligjor të shpjegojë bindshëm burimin e krijimit të saj”, vlerëson Kolegji.

Sipas KPA, edhe nëse do të pranohej pretendimi i subjektit lidhur me kualifikimin e marrëdhënies që nëna e ish-bashkëshortes nuk është person tjetër i lidhur me të, kjo nuk e përjashton nga detyrimi për të provuar ligjshmërinë e burimit të shumës së dhuruar, që çmohet se prevalon në raport me kualifikimin e marrëdhënies.

Kolegji rrëzon dhe pretendimin tjetër të Sallakut se, për përcaktimin e pasurisë dhe regjimit pasuror duhet referuar në dispozitat e Kodit të Familjes, sipas së cilit dhurimi në favor të ish-bashkëshortes së tij është pasuri vetjake e saj dhe si e tillë, nuk bën pjesë në bashkësi. Trupi gjykues çmon se vlera 40 mijë euro që i është dhuruar ish-bashkëshortes nuk mund të konsiderohet pasuri vetjake e saj në kuptim të dispozitave të Kodit të Familjes, duke u vlerësuar në harmoni dhe me dokumentacionin e administruar dhe faktet e konstatuara gjatë procesit të vetingut të subjektit.

“[…]Edhe në versionin që kjo pasuri do t’i takonte bashkëshortes së subjektit, përsëri ai ka detyrimin ligjor për të provuar burimet e ligjshme të krijimit të saj”, çmon KPA.

I pabazuar është gjetur dhe pretendimi se nuk ka pasur kontribut në blerjen e kësaj pasurie, pasi të gjithë pagesat janë kryer nga ish-bashkëshortja me paratë e saj të përfituara si pasuri personale me dhurim dhe me trashëgimi, ndërsa kontributi i tij ka qenë vetëm në blerjen e garazhit.

Kolegji konstaton se deklarimet e subjektit lidhur me burimin e krijimit të kësaj pasurie janë kontradiktore, pasi në vtin 2014 ka shënuar si burim krijimi gjendjen cash për pagesat e kryera, ndërsa në vitimn 2016 dhe në deklaratën e pasurisë veting ka deklaruar të ardhurat nga paga e tij, të ardhurat nga paga e ish-bashkëshortes bashkëjetuese, dhuratën e bërë në favor të kësaj të fundit nga nëna e saj, si dhe pjesën e trashëgimisë nga babai i saj.

Në përgjigje të pyetësorit nr.5, ai ka shpjeguar se për blerjen e shtëpisë dhe garazhit kanë kontribuar ish-bashkëshortja që ka paguar për apartamentin 45 mijë euro dhe pjesën tjetër prej 1323 eurosh është paguar nga ana e tij me me të ardhurat nga paga, ndërsa garazhin e kanë shlyer së bashku.

“[…]Pra, edhe referuar përgjigjeve të vetë subjektit, rezulton se ai ka kontribuuar për apartamentin dhe për garazhin minimalisht në vlerat e deklaruara prej tij”, evidenton KPA.

Një fakt tjetër që sipas Kolegjit rrëzon pretendimin e subjektit janë dhe deklarimet e tij se, si burim krijimi për këtë pasuri kanë shërbyer dhe të ardhurat nga paga dhe nga pakësimi i gjendjes cash, që ka filluar të deklarohen që në vitin 2010 e 2011, para martesës me ish-bashkëshorten.

Në vijim konstatohet se në deklarimin e vitit 2012, Sallaku e ka shënuar shumën e dhuruar 40 mijë euro në përqëindje të barabrtë më ish-bashkëshorten.  Nisur dhe nga mosdeklarimi i dhurimit të kësaj shume nga bashkëshortja e tij në 2012, Kolegji vlerëson se vërtetohet fakti se për krijimin e kësaj pasurie kanë kontribut të të dy, si gjyqtari Sallaku, ashtu dhe ish-bashkëshortja.

Sallaku ka kundërshtuar dhe konstatimin e Komisionit se apartamenti është përfituar kur ai ka qenë në martesë dhe në detyrë nëpërmjet kontratës së shitblerjes në ttor të 2016-ës. Sipas tij, ëshë provuar me vendim gjyqësor se është divorcuar në qershor të vitit 2015. Subjekti ka shpjeguar se apartamenti ka kaluar në pronësinë e tij, pasi i ka paguar ish-bashkëshortes shumën prej 45 mijë eurosh në vitin 2016, duke ia blerë asaj këtë pasuri.

KPA vëren se është i vërtetë fakti se kontrata e shitblerjes është nënshkruar një vit pas divorcit, por kjo rrethanë nuk konsiderohet e veçantë, me argumentin se vetë ish-bashkëshortja e ka deklaruar pasurinë në deklaratën veting në cilësinë e personit të lidhur, për shkak të bashkëjetesës me subjektin e rivlerësimit.

Po ashtu, ka rezultuar se likuidimi i dy kësteve lidhur me këtë pasuri është kryer gjatë martesës, në vitin 2014.

Për rrjedhojë theksohet se, për sa kohë kjo pasuri është deklaruar dhe është në pronësi të subjektit, i cili dhe banon aktualisht, ai ka detyrimin të deklarojë dhe justifikojë burimin e ligjshëm të kësaj pasurie.

Trupi gjykues vlerëson se veprimet e kryera nga subjekti dhe ish-bashkëshortja e tij mbi pasuritë apartament dhe garazh tregojnë se janë krijuar gjatë martesës, pavarësisht se sa ka qenë kontributi i secilit bashkëshort.

Provat dhe shpjegimet e Sallakut për mundësinë e ish-vjehrrës për krijimin e vlerës së dhuruar vlerësohen jo bindëse dhe nga Kolegji. “Vetëm fakti se ish-vjehrra e tij në vitin 2004 ka tërhequr në bankë, 8 (tetë) vite para dhurimit të shumës, një sasi të konsiderueshme në monedhën euro, jo vetëm që nuk provon ekzistencën dhe ruajtjen/mbajtjen e kësaj shume për tetë vite në banesë, por nuk vërteton edhe burimin e ligjshëm të krijimit të saj”, argumenton KPA dhe cilëson të pabesueshëm pretendimin  e subjektit për dhurimin e shumës nga ish-vjehrra e tij me rastin e martesës, kur nga hetimi i Komisionit ka rezultuar se në vitin 2006, ish-bashkëshortja ka pasur një martesë tjetër deri në vitin 2010, kur dhe është divorcuar.

Kolegji konstaton se megjithëse Sallaku ka pasur gjithë kohën e mjaftueshme për të provuar burimin e ligjshëm të shumës së dhuruar prej 40 mijë eurosh në vitin 2012, nuk rezulton të ketë bërë përpjekje, duke mos u arritur të provohet ligjshmëria e kësaj vlere monetare të dhuruar nga nëna e ish-bashkëshortes së tij.

Po ashtu, kanë rezutuar dhe pamundësi të tjera financiare, që sipas Kolegjit e çojnë bilnacin negativ total në vlerën 6.1 milionë lekë.

Ndërkohë, Kolegji gjen të drejtë pretendimin e subjektit se është i pavërtetë konstatimi i Komisionit se e ka poseduar apartamentin në mënyrë të vazhdueshme prej vitit 2012. Duke iu referuar dokumenteve të administruaram Kolegji vëren se duket se Sallaku nuk ka jetuar në këtë apartament gjatë periudhës 2012-2016. Megjithatë, KPA vlerëson se ky fakt i renditur në vendimin e Komisionit ka qenë një konstatim i përgjithshëm, pa peshë përcaktuese në analizën e pasurive. Për rrjedhojë çmohet se edhe pse pretendimi i subjektit është i drejtë, ai rezulton pa efekt për vendimmarrjen e Komisionit dhe të Kolegjit.

Në përfundim Kolegji konkludon se gjyqtari Lazër Sallaku ka mungesë të burimeve të ligjshme për të justifikuar pasuritë e krijuara dhe shpenzimet e kryera dhe se ka bërë deklarim të pamjaftueshëm. Për këto arsye, vendimarrja e Komisionit për shkarkimin e këtij subjekti rivlerësimi është gjetur e drejtë dhe është lënë në fuqi./BIRN

Nga rimodelimi i hundës te ngushtimi i stomakut, cilat janë operacionet plastike të preferuara të shqiptarëve

Në Shqipëri, kirurgjia plastike nuk po përdoret më vetëm nga të pasurit dhe të famshmit. Në vend të kësaj, më shumë se kurrë më parë, procedurat janë të arritshme për këdo.

Madje shumë prej tyre ndahen publikisht edhe në mediat sociale.

Drejtuesit e klinikave pohojnë se rinoplastika vijon të kryesojë ndërhyrjet kirurgjikale në Shqipëri, si te femrat dhe te meshkujt.

“Në vend të parë për nga operacionet plastike mbetet rimodelimi i hundës.

Më pas vijnë operacionet që kryhen për ndryshimet në trup, si ato të gjoksit, barkut, liposuksioni, pra heqja e dhjamit, ndërhyrje për rënien nga pesha, dhe për këtë i referohem vendosjes së ballonit apo operacionit të ngushtimit të stomakut, me qëllim realizimin e asaj që dëshirojnë të gjithë njerëzit obezë, humbja e peshës”, pohon Lida Hoxha, nga “Trita Hospital Albania” .

Edhe doktor Balloma thotë se 80% të ndërhyrjeve estetike që kryhen në klinikën e tyre janë për rimodelimin e hundës.

“Rinoplastika vijon të kryesojë te ndërhyrjet estetike. Ndër më të preferuarat mbetet edhe ndërhyrja për tërheqjen e veshëve.

Ndërhyrja kirurgjikale lifting, për tërheqjen e lëkurës së fytyrës apo qafës, tashmë është mjaft e preferuar nga moshat mbi 50 vjeç. Kjo ndërhyrje bëhet një herë në jetë dhe efektet e saj zgjasin deri në katër vjet”.

Edhe sipas klinikës KEIT, rinoplastika mbetet ndër ndërhyrjet me numrin më të lartë, duke përfshirë grupmoshën nga 25 deri në 35 vjeç.

Zmadhimi i gjoksit është një tjetër ndërhyrje që preferohet nga femrat shqiptare, ndërsa nga meshkujt, më tepër është trapianti apo mbjellja e flokëve. Një teknikë kirurgjikale që mund të kryhet pas moshës 25- vjeçare.

Ndërsa operacionet për humbjen e peshës, sipas mjekes Lida Hoxha, rezultojnë me rritjen më të lartë krahasuar me vjet. “Operacionet për zvogëlimin e stomakut apo vendosja e balonit gastrik këtë vit janë rritur 30% më shumë.

Vjet ka pasur hezitim për kryerjen e këtyre ndërhyrjeve që ndihmojnë në humbjen e peshës në mënyrë të shëndetshme.

Sivjet, falë rritjes së shpërndarjes së informacionit mjekësor për operacionet e obezitetit, është shtuar fluksi i kërkesës për këtë lloj ndërhyrje”.

Operacioni gastrik për humbjen e peshës mund të kryhet nga personat e moshës 18 deri në 65 vjeç.

Në mënyrë që një person të jetë një kandidat i përshtatshëm për kirurgji të stomakut, vlerat e indeksit të masës trupore (BMI) të përcaktuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë duhet të jenë 35 vjeç e lart. Pas ndërhyrjes, individët zakonisht humbin rreth 70-80% të peshës së tepërt brenda 12-18 muajve.

Tendencat e operacioneve plastike, sipas grupmoshave

Për mjeken dermatologe dhe estetiste me përvojë profesionale mbi 20-vjeçare, zonjën Lida Hoxha, grupmosha 25 deri në 45 vjeç është ajo që kryen më tepër operacione plastike te popullsia shqiptare.

Te shtetasit e huaj, kufiri i moshës rritet nga 55 deri në 60 vjeç. “Të huajt kanë tjetër koncept për jetën. I kryejnë ndërhyrjet estetike, në atë moshë kur zonjat shqiptare heqin dorë prej tyre.”

Mjekët pohojnë se ka një tendencë në rritje të trajtimeve estetike me qëllim ruajtjen e natyralitetit dhe freskisë së pamjes.

“Ndërhyrjet e bëra në masë apo injeksionet filler dhe botox, gjithnjë e më shumë po i bëjnë gratë të duken sa më natyrale në pamjen e tyre. Trajtimet estetike kanë tendencë rritëse.

Kërkesa me rritje do të vijojë për shumë vite. Asnjëherë nuk do të zhduken këto trajtime, përveçse do të përsosen procedurat. Dëshira e njeriut për t’u dukur i bukur dhe i ri nuk zhduket asnjëherë. Këtë dëshirë e ka gjithkush”, nënvizon doktoreshë Lida Hoxha.

Procedurat e trajtimit estetik me botox dhe filler, sipas doktor Skerdilajd Faria janë mjaft të preferuara për t’u kryer në Shqipëri nga shtetasit italianë.

“Të avantazhuar edhe nga çmimet e lira të biletave të linjave ajrore, shumë shtetas italianë vijnë te ne vetëm për këto lloj trajtimesh estetike.

Mjaft të preferuara janë edhe shërbimet dentare nga shtetasit italianë, ku kompania jonë pritet të investojë së shpejti edhe për ofrimin e këtij shërbimi”.

Përveç ndërhyrjeve estetike, mjaft të kërkuara nga shtetasit e huaj, veçanërisht italianë mbeten edhe rregullimet dentare.

Edhe te ky shërbim, shkak i rritjes së kërkesës mbeten çmimet disa herë më të lira.

Nëse në Itali, për rregullimin e dhëmbëve me vendosje të implanteve dentare (pjesës së sipërme dhe të poshtme) kërkohen rreth 21 mijë euro, në Shqipëri ky shërbim ofrohet edhe me kosto deri në 5 mijë euro, gati 4 herë më e ulët.

Për mjekët e klinikave private të kirurgjisë estetike, rritja e kërkesës për turizmin dentar ka ndikuar pozitivisht edhe në tregun e operacioneve plastike, pasi shumë prej të huajve që vijnë për rregullimin e dhëmbëve, paralelisht dëshirojnë të kryejnë edhe ndërhyrje të tjera.

Si u mbulua arkivoli i një pashai katolik shqiptar Bib Dod Pashës me flamurin francez

Nga dr. Hasan Bello

Bib Dodë Pasha (1820-1868) ishte një ndër pinjollët më në zë të familjes së Kapedanëve në Mirditë. Ai ishte i biri i Preng Lleshit i cili e la të vogël, pasi vdes në Dubrovnik, si pasojë e një helmimi që kishte marrë që në Shkodër. Për meritat e tij, në vitin 1849 Bib Dodës iu dha titulli “Pasha” dhe iu njoh e drejta të komandonte një ushtri prej 10 mijë ushtarësh. Ai njihet si i pari pasha i krishter. Në vitin 1852, në përkrahje të forcave osmane të Omer Pashës, ai bllokoi ushtritë malazeze. Ndërsa në vitin 1854, Doda merr pjesë në luftën ruso-turke, ku tregoi trimëri e aftësi të rralla.

Për këto arsye, sulltan Abdylmexhiti e gradoi Bib Dodën “gjeneral brigade”. Ndërsa Napoleoni III që luftonte krah osmanëve i dhuroi “Shpatën e Argjentë”, në shenjë miqësie. Kjo shpatë në vitin 1959 iu dhurua Hrushovit gjatë vizitës që ai bëri në Shqipëri. Përveç administratës osmane Bib Doda u vlerësua nga Papa me “Urdhrin e Shën Gregorit” dhe shtete të tjera të kohës.

Më 18 korrik 1868, kreu i Mirditës, vdiq në Shkodër ku kishte ardhur për t`u kuruar nga një sëmundje kronike e mëlçisë. Varrimi u bë më datë 19 me një ceromoni madhështore. Me bandën ushtarake në krye, kortezhi përbëhej nga një gjeneral, trupi konsullor, gjithë kleri dhe parësia e vendit. Këto nderime që iu bënë një kreu të krishterë, shtetas osman, shkaktuan përshtypjen më të mirë. Bib Doda kishte fituar emër ushtarak gjatë luftës së Krimesë në vitin 1854, ku ai u dërgua në krye të 3000 mirditasve. Për këtë ai mori gradën e gjeneralit të brigades me një pagë mujore prej 7000 piastrash. Ai la një vajzë 15 vjeçare dhe një djalë 10 vjeçar (Preng Bib Dodën).

Ajo që i bëri përshtypje diplomatëve të huaj dhe të pranishmëve që morën pjesë në ceremoninë mortore ishte se mbi arkivolin e Bib Dodës u vu re flamuri francez. Ndërsa qeveria franceze urdhëroi konsujt e saj që të mos lejonin që privilegjet e mirditasve të prekeshin sado pak nga qeveria osmane.

Bimët mjekësore që pastrojnë stomakun dhe pankreasin, si t’i përdorni

Cilësia e jetës varet nga funksioni tepër i përpiktë i trupit dhe organeve. Por kjo nuk është gjithmonë e lehtë.

 

Ndonjëherë një regjim i gabuar ushqimor mund të shkaktojë jo vetëm inflamacion por edhe të nxisë akumulimin e toksinave.

Sipas te dhënave, pankreasi është një prej organeve që vuan më shumë pasojat e toksinave.

Ky organ është përgjegjës për prodhimin e acideve të stomakut që mundësojnë tretjen e ushqimeve që hamë.

Pankreasi prodhon insulinë dhe ndihmon të rregullojë nivelin e sheqerit në gjak.

Falë tij, njeriu arrin të shmangë diabetin.

Bimët Mjekësore Për Shëndetin E Stomakut dhe Pankreasit

Çaji jeshil

Çaji jeshil është një antioksidant natyral.

Konsumi ditor i tij përmirëson shëndetin e stomakut dhe pankreasit.

Ky çaj përmban një substancë të njohur si EGCG që parandalon formimin dhe shumimin e qelizave tumoriale.

Çajin jeshil e gjeni në supermarkete dhe farmaci.

Gjysëm luge çaj jeshil pluhur ziejeni në një gotë ujë. Pini një gotë në ditë. Personat me tension të ulët duhet të kenë kujdes me sasinë.

Çaji i jamballit

Çaji i jamballit është i pasur me substanca që mbajnë nën kontroll glukozën në nivel qelizor.

Ato luftojnë inflamacionin dhe shërojnë pankreasin.

Sipas të dhënava, ky çaj rekomandohet edhe për rezistencën ndaj insulinës.

Çaj Rozmarine Dhe Sherebele

Çaji i kombinuar i të dy bimëve mjekësore përkujdeset për shëndetin e pankreasit.

Ai qetëson muskujt dhe nxit gjumin.

Rozmarina në veçanti lufton inflamacionin dhe pastron pankreasin.

Zieni një tufë rozmarinë me pesë gjethe sherebele, shtoni mjaltë dhe pijeni rregullisht çdo ditë për rreth një muaj.

Gjembgomari

Çaji i gjembgomarit përmba silimarinë, një substancë që ndihmon në shërimin dhe rimëkëmbien e mëlçisë dhe pankreasit.

Kjo substancë shërben si antioksidant dhe stimulon zhvillimin e qelizave të reja të mëlcisë dhe pankreasit.

Gjembgomari zakonisht bëhet pjesë e shumë terapive bimore pastruese për organet.

Zieni një lugë gjelle me gjethe të thara gjembgomari në një çajnik me ujë.

Pasi të ketë zier, lëreni mënjanë të ftohet dhe çajin mund ta pini pas vakteve.

Gjembgomarin mund ta konsumoni edhe si kapsulë në një sasi prej 450 mg, por vetëm nëse rekomandohet nga mjeku.

Gati për në SPAK/ Firma e Mirela Kumbaros për kompaninë që eksportoi mbetje të rrezikshme

Po përse nuk përballen këta tanët? Sepse siç ndodh gjithmonë, lejet apo licensat nuk jepen direkt, por me sekserë e me “tarifa të kripura”.

Pas zbulimit të skandalit me mbetjet e rrezikshme të kthyer nga Tajlanda, qeveria bën të pafajshmin dhe ja ka lënë ‘dobiçin’ Kurumit.

Madje njerëz e media pranë qeverisë, po tentojnë te nxjerrin dorëjashtë edhe ministrinë e Mirela Kumbaros, kur në të vërtetë ajo ka vulosur e firmosur gjithçka.

Në shkresën e prillit 2022, ekzaktësisht në datën 20, kompanisë ‘Sokolaj’ i është dhënë leja e transportit të mjeteve të rrezikshme dhe të parrezikshme.

Kjo shkresë që është dokument zyrtar i nivelit të klasifikuar, është firmosur nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.

Gati për në SPAK/ Firma e Mirela Kumbaros për kompaninë

Dokumenti i firmosur nga Mirela Kumbaro

Një firmë, e cila nuk është njësoj me lejet apo licensat e zakonshme të veprimit të kompanive private. Pasi kemi të bëjmë me një operacion apo aktivitet që shkakton probleme, madje drama për popullsinë.

Në vende normale evropiane, këtë aktivitet, pra transportin dhe trajtimin e mbetjeve e bëjnë ente shtetërore që kanë një rregullore të rreptë, e me supervizim disa fish. Megjithatë, ka vende, ku këtë aktivitet e kryejnë kompani apo korporata private. Bëhet fjalë për vende të mëdha e fuqishme si SHBA, apo Britania e Madhe, që kanë edhe një përvojë në kontrollin e supervizimin e industrive të tilla. Që do të thotë se privati është më i sigurt se shteti, pasi janë kthyer këto kompani gati si ndërmarrje.

Për shembull kompani të mëdha në SHBA si FORD apo General Motors, kujdesen më shumë se shteti për punonjësit e tyre; higjienën, strehimin, fëmijët etj etj. Madje shqiptarë që kanë punuar te FORD në fillimet e shekullit të shkuar tregojnë se inspektorët e kompanisë nuk i lejonin t’i mbanin mbathjet e palara më shumë se një 24 orë.

Por që kompani të tilla janë më mirë se edhe vetë shteti, duhet që leja për aktivitete të tilla t’u jepen specialistëve që e njohin e jo mashtruesve të radhës.

E në rastin aktual, Mirela Kumbaro, menjëherë sapo Tajlanda të kishte shpallur se mbetjet e zbuluara janë të rrezikshme, duhet të kishte thirrur kompaninë e licensuar, të informohej si është puna, e së paku ti kishte hequr licensen e vetë të kishte kërkuar ndjesë që ia ka thënë lejen.

Mirë do të ishte edhe të dorëhiqej, pasi nuk është fundi i botës, që ti thotë ministrit të radhës që lejet duhet tua japë njerëzve të përgjegjshëm e jo atyre që merrem me allishverishe. Është kaq e thjeshtë të dalësh nga një problem, duke u përballur me të. Po përse nuk përballen këta tanët?

Sepse siç ndodh gjithmonë, lejet apo licensat nuk jepen direkt, por me sekserë e me “tarifa të kripura”. E pas pagesës, askush nuk e çan më kokën.

Sot njeriu i parë që duhet të jepte llogari nuk është as ‘Kurumi’ dhe as ‘Sokolaj’, por Mirela Kumbaro. E për këtë, duhet të nisë menjëherë hetimi jo nga Prokuroria e Durrësit por nga SPAK./Pamfleti

ZYRTARE/ Kapitull i ri për Sokol Cikalleshin

Tashmë është zyrtare, Sokol Cikalleshi do të luajë sezonin e ri në kampionatin iranian me skuadrën e Traktorit, e cila ka këmbëngulur për të marrë shërbimet e sulmuesit edhe më parë.

Ende nuk është bërë e ditur se çfarë kontrate do të firmosë 34-vjeçari dhe sa do të përfitojë në sezon, por me siguri të ardhurat do të jenë më të larta sesa në Turqi, me sulmuesin që shkon si një përforcim në këtë skuadër, edhe për vetë faktin se kavajasi ka një eksperiencë të gjatë në karrierën e tij, si me klube apo me ekipin kombëtar.

Kujtojmë se para Europianit, ai deklaroi tërheqjen nga Kombëtarja pas 10 vitesh rrugëtim, kjo pasi Silvinjo nuk e grumbulloi në listën e lojtarëve.

Në të kaluarën fanellën e Traktorit e ka veshur edhe Ditmar Bicaj, i cili aktualisht është trajner i Burrelit në Kategorinë e Parë.

Skandali i mbetjeve toksike/ ‘Kurum’ mbyll uzinën e çelikut në Elbasan, 500 punonjës flaken në rrugë

Teksa ditët e fundit kompania turke ‘Kurrum; është vënë në epiqendër të skandalit të mbetjeve toksike, firma ka njoftuar punon jësit se ka mbyllur aktivitetin e saj me pretendimin se është në proces remonti.

Sipas raportimeve, 500 punonjësit e të uzinës së çelikut dhe të uzinës së përpunimit, janë njoftuar nga ‘Kurrum’ për ndërprerjen e njëanshme të kontratës pa arsye zyrtare për pezullimin.

Nga data 1 gusht, uzina e çelikut ka ndaluar punën, dhe nga data 20 gusht do të mbyllet edhe uzina e përpunimit, ndërsa ende nuk është bërë e ditur se cila është arsyeja e saktë për mbylljen, nëse ka të bëjë me probleme të mbetjeve toksike ose ndonjë arsye tjetër.

Pas mbylljes së uzinave, 500 familje në Elbasan do të mbeten pa të ardhura nga 20 gushti, dhe deri më tani, nuk ka pasur asnjë konfirmim nga drejtuesit e Kurum për vendimin e marrë, megjithëse zyrtarisht thuhet se mbyllja e aktivitetit është për shkak të remontit.

Kujtojmë se kompania “Kurum International” është origjina e qindra ton mbetjeve të dyshuara si të rrezikshme që janë eksportuar nga porti i Durrësit me destinacion Tajlandën, duke përhapur një alarm global.

Pse duhet të pini ujë gjatë vaktit? Studimet zbulojnë sesi ndikon ky zakon në zgjedhjet tona ushqimore

Hulumtimet kanë treguar se uji ndikon në zgjedhjet tona ushqimore dhe se ne zgjedhim të ushqehemi më shëndetshëm kur e kombinojmë me vaktin tonë.

 

Zakonisht problemi i madh është me fëmijët që janë adhurues të ushqimeve të shpejta, por nëse dëshironi të fitoni edhe zakone më të shëndetshme të të ushqyerit, është mirë të filloni të pini ujë gjatë vaktit tuaj.

Uji pastron qiellzën nga ushqimet dhe shijet, duke e bërë kështu më “të pranueshëm” ndaj ushqimeve të shëndetshme, por gjithashtu ndihmon në uljen e dehidrimit të trupit.

Hulumtimet e mëparshme kanë treguar se fëmijët, si dhe të rriturit, preferonin më shumë ushqime të majme, të kripura dhe të yndyrshme kur vakti i tyre shoqërohej me sodë ose pije të tjera të ëmbëlsuara. Në të kundërt, kur ushqimi i tyre shoqërohej me 1 gotë ujë, ata preferonin perimet.

Megjithëse zakonet tona të të ngrënit si fëmijë luajnë një rol shumë të rëndësishëm në zgjedhjet tona të mëvonshme ushqimore, duhet të mbani mend se nuk është kurrë vonë për të ndryshuar atë që keni mësuar dhe për të ndjekur një dietë të ekuilibruar.