Një shqetësim në “Tendinën e Akilit” gjatë testeve mjekësore ka bërë që transferimi i Armando Brojës nga Çelsi drejt Ipsuiçit të mbetet pezull dhe ndoshta ka mundësi që të dështojë nëse “Blutë” nuk pranojnë që të ulin kërkesat e tyre.
Konsumimi i ushqimeve të përpunuara, ja sëmundjet që mund të shfaqen dhe kujdesi që duhet të tregoni
Të konsumosh ushqime të shëndetshme është shumë e rëndësishme për të mbajtur larg lloje të ndryshme sëmundjesh.
Me përparimin e shkencës është arritur që shumë ushqime të përpunohen me qëllim që të jetojnë dhe të përdoren për një kohë më të gjatë.
Këto lloj ushqimesh janë të thjeshta për t’u përdorur, pasi shumë prej tyre duan pak kohë për t’u përgatitur.
Për më tepër, shumë fëmijë por edhe të rritur, janë të dhënë pas ushqimeve të përpunuara, të cilat ngadalë po dëmtojnë shëndetin e tyre.
Prandaj është e rëndësishme të dini të bëni dallimin midis ushqimeve të shëndetshme dhe atyre të pashëndetshme. Për shembull, një zgjedhje e shëndetshme janë ushqimet organike si frutat dhe perimet.
Arsyeja është se ndryshe nga ushqimet e përpunuara, ato nuk përmbajnë konservues dhe janë të pasura me vlera ushqyese.
Ushqimet e përpunuara janë një nga shkaqet kryesore të zhvillimit të sëmundjeve të ndryshme që lidhen me obezitetin.
Kjo është arsyeja se pse kohët e fundit, shumë njerëz u janë drejtuar ushqimeve që nuk përmbajë sheqer ose që kanë 0 kalori.
Megjithatë në të shumtën e rasteve këto produkte përmbajnë sheqerna të cilët fshihen pas emërtimeve të ndryshme si: mjaltë, shurup, glukozë ose saharozë.
Gjithashtu ushqimet që nuk përmbajnë kripë ndihmojnë në ruajtjen e një regjimi ushqimor të shëndetshëm, i cili rrallë është i mundur përmes marrjes së ushqimeve të përpunuara.
Cilat janë sëmundjet më të përhapura që lidhen me konsumin e ushqimeve të përpunuara?
Një nga sëmundjet më të përhapura në botë në ditët e sotme është diabeti i tipit dy. Kjo sëmundje lidhet kryesisht me mbipeshën dhe mënyrën e të ushqyerit.
Prandaj këshillat e përhershme të ekspertëve, janë që të ushqeheni me ushqime të freskëta në vend të ushqimeve të përpunuara. Në këtë mënyrë do të ruani rezistencën natyrale të insulinës.
Sëmundjet kardiovaskulare lidhen po ashtu me mbipeshën, diabetin ose kolesterolin e lartë në gjak.
Arresti kardiak ose rrahjet e shpejta të zemrës shpesh ndodhin si rezultat i ngrënies së ushqimeve jo të shëndetshme.
Sipas të dhënave, njerëzit që punojnë ulur për një kohë të gjatë, që nuk kryejnë aktivitet fizik dhe konsumojnë më shumë ushqime të përpunuara, janë më të rrezikuarit.
Një tjetër problem shëndetësor është depresioni dhe ankthi. Ky problem është vënë re veçanërisht tek të rinjtë të cilët konsumojnë sasi të mëdha ushqimesh të përpunuara.
Si përfundim, konsumi i ushqimeve organike është mjaft i dobishëm për të pasur trup dhe mendje të shëndoshë.
Mjekët theksojnë shpesh se konsumi i ushqimit të freskët në sasi të vogël është shumë më i mirë se sa konsumi në masë i ushqimeve me shtesa kimike./AgroWeb.org
Programi për rendin dhe sigurinë kombëtare, Basha: Disa nga zotimet tona janë krijimi i Xhandarmërisë Kombëtare, reformimi i Policisë, rritja e shpenzimeve për mbrojtjen
Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka shpërndarë në facebook pikat e programit të prezantuar në 1 qershor për rendin dhe sigurinë kombëtare.
Në funksion të sigurisë, mbrojtjes së jetës, pronës dhe shëndetit të qytetarëve, Basha shprehet se angazhimet kryesore do jenë krijimi i Xhandarmërisë Kombëtare e cila do ketë në fokus luftën kundër krimit dhe disa funksione të tjera.
Ai më tej shprehet se do të bëhet një reformim të strukturave të Policisë së Shtetit, pastrimin e saj nga personat me lidhje kriminale dhe trajtim financiar më të mirë me rritje page në masën 50%.
Si firmëtar i integrimit në NATO, një tjetër zotim i kreut të Demokratëve Euroatlantikë është edhe mbështetja e politikave të aleancës duke rritur shpenzimet reale për mbrojtjen.
Postimi i plotë i Lulzim Bashës:
Përkushtimi ynë është një Shqipëri e fortë, që garanton rend dhe siguri brenda kufijve të vet dhe projekton forcë dhe gatishmëri për të mbrojtur vlerat e demokracisë dhe interesit tonë kombëtar në rajon e kudo ku NATO të ketë nevojë.
Në funksion të rendit, sigurisë, mbrojtjes së jetës, pronës dhe shëndetit të qytetarëve do të mundësojmë:
1. Krijimin e Xhandarmërisë Kombëtare, si një forcë elitë e specializuar, e përbërë prej 1000 efektivë, e cila do të këtë në fokus të saj:
• luftën kundër krimit;
• ruajtjen e rendit dhe sigurinë publike;
• ndërhyrjen në operacionet kundër Akteve Terroriste;
• angazhimin në rastet e Emergjencave Natyrore;
• mbështetjen e Forcave të Armatosura në raste të operacioneve ushtarake.
2. Reformimin e strukturës së Policisë së Shtetit në përshtatje me situatën e kriminalitetit në vend;
3. Pastrimin e Policisë së Shtetit nga personat me lidhje kriminale, nëpërmjet një procesi ligjor, transparent dhe të besueshëm;
4. Do të përmirësojmë trajtimin financiar të punonjësve të rendit dhe sigurisë, duke rritur pagën në masën 50%;
Në funksion të Sigurisë Kombëtare:
1. Prioritet do të jetë zhvillimi i partneriteteve strategjike me vendet e aleancës në vlerësimin e përbashkët të rreziqeve dhe kërcënimeve të hapësirës Euro-Atlantike;
2. Themelimi i Komandës së Mbrojtjes Kibernetike, e cila ka përgjegjësi për të garantuar funksionimin e infrastrukturave kritike dhe sigurimin e hapësirës kibernetike të Forcave të Armatosura dhe të partnerëve tanë të NATO-s në Shqipëri;
3. Krijimi i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare brenda vitit 2029, e cila do të jetë një agjenci e koordinimit të Sigurisë dhe inteligjencës;
4. Si firmëtar i integrimit në NATO, do të mbështes politikat e NATO-s duke rritur shpenzimet reale për mbrojtjen, në interes të sigurisë kombëtare;
5. Fuqizimi i kapaciteteve të mbrojtjes do të realizohet në ndërveprim me Kosovën dhe do të jetë udhërrëfyesi i forcimit të kapaciteteve të mbrojtjes;
6. Do të mundësojmë përmes Reformës në Forcat e Armatosura shërbimin aktiv të të paktën 5000 djemve dhe vajzave për një periudhë kohore prej jo më pak se 4 vitesh. Gjatë kësaj kohe ata do të mund të studiojnë me shpenzimet e Forcave të Armatosura, të marrin profesion, si dhe të vazhdojnë të shërbejnë si rezervistë në Forcat e Armatosura deri në moshën 45 vjeçare.
#ShqipëriaMeritonMëShumë
Për t’i futur thikën pas shpine Lulzim Bashës!
Nga Ermal Peçi
E sigurt që kur Lulzim Basha ta lexojë këtë shkrim, do të buzëqeshë ose do të vendosë buzën në gaz. Jo për titullin që kam zgjedhur për shkrimin, por për vetë çfarë ai ka përjetuar në shpinën e tij edhe pse kundërshtarët e quanin të “përkëdhelurin”.
Një i përkëdhelur, i cili shpatullat e tij i ka plot me thika të ish-bashkëpunëtorëve, njerëzve të cilët ai i ka promovuar, kundërshtarëve politikë, deri edhe tek Sali Berisha.
Napoleon Bonoparte e përcaktonte mjaft mirë se: “një lider ka të drejtë të habitet, por kurrë të çuditet për sulmet ndaj tij”. Prandaj Basha në asnjë moment nuk ka kthyer asgjë personale, por ka qëndruar tek politika dhe idetë e tij për të sjellë një mendësi ndryshe në realitetin politik shqiptar, i cili është i ndotur nga gjuha e urrejtjes.
Një gjuhë urrejtje, e cila e ka ndarë Shqipërinë dhe e ka polarizuar shoqërinë në kahe të kundërta, gjuha berishiste, gjuha anti- berishiste dhe gjuha e Ramës që i bënte thirrje efektivëve të policisë të mblidhnin vota për PS-në.
Kjo narrativë ka sjellë edhe këtë situatë politike, e cila jo vetëm prej gjuhës së urrejtjes, interesave të përbashkëta, por edhe marrëveshjeve politike të bëra në këto 33 vite me aktorët kryesorë. Berisha-Rama-Meta po bëhen bashkë, për t’i futur thikën e radhës Bashës për ta vrarë atë politikisht, nga shtatori e në vazhdim.
Një thikë, e cila ka vite që mprehet për të vrarë politikisht njeriun e vetëm që iu cënon pushtetin politik dhe shihet në sytë e shqiptarëve, por edhe ndërkombëtarëve si kryeministri i ardhshëm.
Realiteti i ri politik nuk ka asnjë figurë të re apo të vjetër, e cila të ketë stofin, eksperiencën, por edhe të ketë bërë akte politike.
Pavarësisht “Pushtetit të Thashethemeve” dhe 50 milionë mesazheve të paguara për të njollosur imazhin edhe për ta bërë qesharak në opinionin publik, Basha mesa duket po i lë pa gjumë kundërshtarët politikë të cilët nga mëngjesi në darkë e kanë kryefjalë.
Strategjia që ka ndjekur Lulzim Basha, i ka dhënë efektet e veta në shoqërinë shqiptare, ashtu edhe në politikë.
Përjashtimi i Sali Berishës nga PD-ja solli edhe procesin e njohur në botë që është “shkatërrimi kreativ” që ndodh brenda një partie, brenda një vendi dhe që është procesi më i shëndetshëm që mund të ndodhë.
Falë strategjisë së tij sot ajo çfarë luhej nëntokë jashtë syve të opinionit publik, u shfaq në publik ku Rama-Berisha dhe Meta po veprojnë si një parti e vetme dhe jo si kundërshtarë politikë.
Marrëveshjet për Amnistinë Penale, marrëveshjet për Kodin Zgjedhor dhe marrëveshjet për të goditur SPAK-un, po nxjerrin në pah bashkëpunimin dhe lidhjet e vjetra të klasës politike shqiptare.
Lidhje të vjetra, të cilat sot e kanë ndarë shoqërinë në njërëz, të cilët mbështesin SPAK-un dhe GJKKO-në. Si dhe nga ana tjetër një klasë e vjetër politike që e sulmon drejtësinë nga mëngjesi deri në darkë, secili me formën e vet helmuese, edhe duke i shantazhuar.
Prandaj edhe shtatori dhe në vazhdim do të jetë një luftë politike, e cila do të ketë për qëllim vrasjen politike të Lulzim Bashës.
Në realitetin e ri politik me figurat e reja apo edhe lëvizje që priten të bëhen publike askush nuk e ka stofin për të cënuar pushtetin politik të klasës së vjetër sepse është ndryshe të shesësh shpresë në një vend të varfër dhe ndryshe të bësh politikë!
E prandaj Rama-Berisha-Meta dhe biznesmenë, të cilët financojnë pranë tyre po bëhen gati për të nisur një thikë tjetër mbi supet e Bashës, për ta vrarë politikisht sepse është i vetmi njeri, i cili ka prodhuar akte politike.
Në politike edhe në luftë ka shumë vlerë shprehja e Epictetus:
“Një njeri nuk ka mbaruar kur është i mundur. Ai mbaron kur jep dorëheqjen”. E pavarësisht humbjes së vulës në Apel si pasojë e makinaciove politike ata e dinë mjaft mirë që Basha nuk po dorëzohet e kjo i tremb. I tremb fakti me të pa njohurat që do të ju vijnë nga tetori e në vazhdim.
William Burns dhe vizita surprisë në Ballkan!
Nga Azgan Haklaj
Për këdo vizita e kryeshefit të agjensisë më të madhe të inteligjencës në botë CIA, nuk ishte as vizitë kortezie dhe as vizitë rutinë pune.
Ishte për syrin dhe mendjen e ç’do analisti e vezhguesi një inkursion i hapët presioni në vendet dhe drejtuesit problematikë të rajonit tonë, Dodik, Vuçiç, e në stilin e vet të kokëfortësisë edhe Albin Kurti, të cilët kanë demostruar veprime që bien ndesh me strategjinë dhe interesat amerikane në Ballkan.
E kur është fjala për Serbinë dhe Bosnjen nuk është aspak e fshehtë se Rusia ka shtrirë tentakulat e saj gjerësisht duke rrezikuar përshkallëzimim e transferimin e një konflikti ballkanik.
Pra pikërisht në këtë fazë delikate, parë dhe në kontekstin e avancimit ukrainas në territoret ruse dhe pritjen e një reaksioni të rezikshëm nga Putin, Shefi i CIA-s me porosi të veçantë nga Presidenti Biden dha ultimatumet e qarta verbalisht e sy me sy.
Efektet e këtyre mesazheve ranë mënjëherë në sy nga prononcimet krejt te zbutura e të qullta të Milorad Dodik e Aleksander Vuçiç të cilët kohët e fundit haptas po projektonin “botën e madhe të përbashkët serbe” duke ëndërruar një perandori hegjemoniste serbo -sllave në gadishull.
Kaq të forta kanë qënë mesazhet e paralajmërimet amerikane të z. Burns saqë liderët serb u bënë qesharakë me deklaratat e tyre nën hutim e nguti pas takimit duke thënë “se ishte biseduar për probleme e relacione ekonomike e infrastrukturore…!?”. Natyrshëm fakti që edhe pas takimit të shefit të CIA-s me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, Kryeministri Kurti u detyrua të braktisë Konventën e Demokratëve në Çikago dhe të udhëtojë urgjentisht për Prishtinë ka domethënien e vet.
Nga aleatët e amerikanëve në rajon Albin Kurti duket se është më i shenjuari për tu penalizuar.
Eshtë kohë e vështirë ndaj SHBA-të nuk lënë hapsira për shaka të hidhura dhe teka populiste nga aktor të vegjël por mitomanë.
Këtë shije ja dhanë ta provojë edhe Edi Ramës, i cili u poshtërua publikisht duke mos marrë asnjë ftesë prezencë në Konventën e Partisë Demokratike të SHBA-së.
Por ajo që bie ne sy dukshëm është situata e rëndë e me shumë konflikte aktuale e të tjera të pritshme ku SHBA-të kontrollojnë e afrojnë aleatët si dhe paralajmërojnë të lekundurit e kundërshtarët duke ju treguar vijën e kuqe.
E kohët kanë treguar që SHBA-të nuk tolerojnë aspak kur kanë dizenjuar vijën e kuqe.
Z.Burns natyrisht në këtë vizitë kuptimplote nuk harroi të vizitojë Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi ku ka shenja të qarta të influencës ruse.
Mirëpo duke qënë anëtare të NATO-s ato kalojnë përmes filtrash të tjerë ku natyrisht SHBA-të kanë rol parësor.
Por nuk janë aspak për tu neglizhuar qëndrimet e VMRO-DPNE-së e cila që në embrion paraqitet si faktor destabilizimi pro rus.
Akoma më e rëndë është situata në Malin e Zi ku kryetari i parlamentit është kthyer në zëdhënës i Kremlinit.
Edhe në Tiranë megjithë përbetimet propagandistike situata e marrdhënjeve me aleatin tonë strategjik nuk është në normalitet.
Një qeveri e korruptuar, me delikte të rënda deri ne Washington ka rinovuar aleancën me non gratën amerikane Sali Berisha për të penguar organet e drejtësisë së re të sponsorizuar nga aleatët euroatlantikë.
Pra Burns ku ishte dhe ku nuk ishte fizikisht në rajon la mesazhe që duhet të përkthehen saktë.
Një gjë vlen gjithmonë të kujtohet:
Partneri më i besueshëm i SHBA-ve jo vetëm në Ballkan është Kombi Shqiptar.
Ata politikanë dritëshkurtër që mendojnë ta keqpërdorin këtë fakt të njohur botërisht për interesa meskine e korruptive dhe ta privatizojnë gabojnë rëndë ata thjesht presin radhën për tu rreshtuar me non gratat e pakthyeshme.
Në një botë që zien nga ethet e konflikteve e luftës detyra parësore e një lidershipi të përgjegjshëm politik në rastin e një vendi pa peshë vendim marrje kontinentale si vendi ynë është jo vetëm të njësojnë politikat e praktikat e tyre me ato euroatlantike por të demostrojnë seriozitet e qëndrueshmëri dhe jo të bëjnë karshillëk autokratik e korruptiv nën shembujt Putin-Erdogan.
GJOBA NËSE NUK REGJISTROHESH/ Zgjedhjet në Kosovë, ASK thirrje qytetarëve: Mos refuzoni! Po vazhdon procesi për diasporën
Rreth dy mijë qytetarë të Kosovës mund të gjobiten nëse refuzojnë të regjistrohen si votues për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Menaxheri i regjistrimit të popullsisë në Agjencinë e Statistikave bëri me dije se situatë problematike haset në veri të vendit.
Ylli Shala, menaxher i regjistrimit të popullsisë në Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), ka thënë për Ekonomia Online se rreth dy mijë qytetarë mund të gjobiten si shkak i refuzimit për t’u regjistruar.
Ai ka bërë të ditur se gjobat, sipas ligjit, varijojnë nga 50 deri në 2 mijë euro për persona fizik, ndërsa për subjekte ato shkojnë deri në 20 mijë euro.
Shala ka thënë se ASK-ja është në procesin e verifikimit – personat jashtë vendit për arsye shëndetësore apo studimore nuk do të gjobiten.
Tutje, ai ka theksuar se procesin e regjistrimit, mbulueshmëria ka qenë deri në 98-99 për qind. Më sfidues e ka cilësuar veriun e vendit, ndërsa, për regjistrimin e diasporës, ai ka thënë se do të vazhdojë deri në fund të këtij muaji.
“Regjistrimi për diasporën është duke vazhduar. Afati i fundit është 31 gusht i këtij viti, për momentin e kemi shtyrë deri në këtë kohë sepse e kemi planifikuar që dikush nga mërgimtarët që nuk ka mundur të regjistrohet sa ka qenë atje, ta shfrytëzojë mundësinë dhe të regjistrohet këtu. Në disa prej qyteteve më të mëdha, apo në shtatë qendrat e Kosovës, kemi dërguar nga një person nëpër komuna, ku në momentin që ka shkuar dikush në komunë e ka parë edhe zyrtarin tonë edhe është regjistruar. Nuk është shumë numri i madh që janë paraqitur për t’u regjistruar tash sepse shumica këtë proces e kanë kryer në formatin online që ka qenë jashtëzakonisht i lehtë edhe për 5 minuta deri 10 e ka kryer një ekonomi familjare pa kurrfarë problemi. Për momentin numri i të regjistruarve është mbi 500 mijë. Si statistikë pasi që të përfundojë ky proces, do t’i marrim të dhënat dhe do t’i shikojmë”, ka thënë ai.
Shala ka thënë se qytetarët i janë përgjigjur pozitivisht procesit të regjistrimit dhe se konsiderojnë se mbulueshmëria ka qenë sipas rekomandimeve ndërkombëtare.
“Popullsia gjatë këtij procesi të regjistrimit ju ka përgjigjur pozitivisht, ne e konsiderojmë se mbulueshmërinë e kemi sipas rekomandimeve ndërkombëtare, ku në bazë të rekomandimeve është se nëse mbulueshmëria është mbi 95 për qind atëherë konsiderohet regjistrimi i suksesshëm. Ne e mendojmë se jemi diku rreth 98-99 për qind mbëlueshmëri të regjistrimit, që e konsiderojmë regjistrim mjaftë të suksesshëm edhe në kohë”, ka thënë ai.
Menaxheri i regjistrimit të popullsisë ka thënë se gjatë këtij procesi ka pasur rreth dy mijë qytetarë që kanë refuzuar regjistrimin dhe se ASK është në proces të verifikimit për arsyet e refuzimit nga ta dhe pas këtij procesi do të filloj faza e gjobitjes.
“Gjatë këtij procesi kemi pasur edhe persona të cilët kanë refuzuar pjesëmarrjen e tyre ne regjistrim, e cila me ligj ka qenë e ndaluar, por sigurisht që ASK-ja do të ndërmarrë masa ndaj atyre personave. Janë diku rreth 2 mijë persona, por ne duhet ta shqyrtojmë arsyen pse nuk është regjistruar, në rastet kur një person e ka vizituar regjistruesin tri herë që e ka pasur obligim me shku tri herë dhe prapë e ka refuzuar edhe në të tretën herë, nuk është regjistruar dhe sigurisht që ai person edhe e meriton të gjobitet. Në rastet e tjera, ku te një person ka shkuar regjistruesi tri herë edhe nuk ka mundur ta regjistrojë atë person, ka qenë jashtë për çështje shëndetësore ose për çështje studentore jashtë vendit, apo diçka tjetër, atëherë ai është rast tjetër që nuk trajtohet si rast për gjobitje. Shifrat janë të parapara edhe me ligj, fillon prej 50 euro deri në 2 mijë euro për persona fizik, ndërsa për subjekte është deri në 20 mijë euro”, ka thënë ai.
Shala ka thënë se pjesëmarrja e komuniteteve ne pjesën jugore të Kosovës në këtë proces ka qenë jashtëzakonisht e mirë, por që janë sfiduar në komunat veriore pasi një numër i qytetarëve në atë pjesë nuk është regjistruar.
Ai ka thënë se të dhënat finale në të cilat janë duke punuar pritet që të bëhen publike nga mesi i dhjetorit të këtij viti me një raport me mbi 100 faqe.
“Ne si statistikë, ju kemi kushtuar kujdes shumë të veçantë të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Pjesëmarrja e tyre ka qenë jashtëzakonisht e mirë, sidomos në pjesën jugore të Kosovës, të gjitha komunitetet që jetojnë ju kanë përgjigjur pozitivisht thirrjes për regjistrimin e popullsisë. Kemi pasur disa sfida, probleme të vogla në komunat e veriut, për të cilat fillimisht kanë qenë problem regjistruesit deri sa i kemi siguruar disa herë regjistruesit. Por, edhe atje e kemi regjistruar një numër të mjaftueshëm të komuniteteve. Zakonisht të gjitha komunitet e tjera janë regjistruar përpos komunitetit serb që ka hezituar. Por, atje mund të them që ai është më shumë problem politik edhe ka qenë një frikë te qytetarët që mos t’i përgjigjen pozitivisht regjistrimit. Edhe pse disa prej tyre e kanë bërë dhe ne si staistikë do t’i bëjmë vlerësimet që janë me rekomandime ndërkombëtare. lejohet që të bëhet për një pjesë vlerësimi. Përafërsisht, numrin e popullsisë që jetojnë në atë pjesë ne veç e dimë në bazë të azhurnimeve që i bëjmë të rregullta, të zonave regjistruese. Në publikimin e të dhënave finale sigurisht se do të përfshihet edhe numri i asaj pjese”, ka thënë ai për EO.
Roli i vitaminës D për rënien në peshë, ushqimet ku mund ta gjeni
Njerëzit mbipeshë, që kanë një akumulim të përqendruar të dhjamit në zonën përreth belit, janë më të rrezikuar nga mungesa e vitaminës D.
Gjetjet e një studimi, të cilit i referohet AgroWeb.org, nënvizuan rolin e dëmshëm të mbipeshës në shëndetin e njeriut.
Mungesa e vitaminës D reflektohet në dendësinë kockore, por edhe rrit rrezikun për sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes, imunitetit dhe zemrës.
Ekspertët thonë se ka një lidhje shumë të fortë mes akumulimit të yndyrave në zonën abdominale me nivelet e ulëta të vitaminës D.
Mbipesha dhe vitamina D
Sipas të dhënave të studimit, burrat obezë kanë më pak vitaminë D në organizëm.
Nga ana tjetër, tek femrat mbipeshë, dhjamosja e mëlçisë është ajo që luan rol të fortë në uljen e nivelit të vitaminës D në organizëm.
Burimet e vitaminës D
Njeriu e merr pjesën më të madhe të vitaminës D nëpërmjet rrezeve të diellit. Kur këto rreze, sidomos ato të mesditës, bien në kontakt me lëkurën, nxisin prodhimin e vitaminës D.
Njerëzit që jetojnë në vende me klimë të ngrohtë, përfitojnë më shumë vitaminë D.
Vitaminën D mund ta gjeni në këto ushqime siç janë:
Qumështi
Drithërat
Salmoni
Peshku ton
Skumbria
Vaji i papërpunuar i peshkut
Vaji i mëlçisë së merlucit
Ngrënia e këtyre ushqimeve, shkakton një sërë reagimesh pozitive në mëlçi dhe veshka. Këto organe e transformojnë vitaminën D në formën e përshtatshme për organizmin.
Sa vitaminë D duhet të marrë një i rritur?
Sipas informacioneve të AgroWeb.org, në përgjithësi, të rriturit duhet të konsumojnë 600 njësi të vitaminës D në ditë, pra rreth 15 mikrogramë.
Të moshuarit mbi moshën 70 vjeç duhet të konsumojnë 800 njësi të kësaj vitamine në ditë, pra rreth 20 mikrogramë.
Pasojat e tjera të mungesës së vitaminës D
Mungesa e zgjatur e vitaminës D shkakton çrregullime të masës minerale të kockave dhe fraktura tek fëmijët dhe të rriturit.
Mungesa e kësaj vitamine, nxit problemet me kockat, muskujt dhe shkakton dhimbje të gjymtyrëve.
Pamjaftueshmëria e vitaminës D mund të kontribuojë edhe në shfaqjen e osteoporozës.
Studime të shumta e kanë lidhur mungesën e vitaminës D me depresionin, sëmundjet e zemrës, çrregullimet imunitare, infeksionet dhe shtimin e qelizave të dëmshme.
Ballkani Perëndimor, 3 milionë njerëz më pak më 2050. Ja cilat janë vendet që pritet të kenë tkurrjen më të madhe?
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka parashikuar se popullsia e përgjithshme e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor më 2050 do të jetë për tre milionë banorë më e vogël se tani. Serbia pritet të pësojë tkurrjen më të madhe të popullsisë, ndërsa Kosova më të voglën.
Vetëm në 12 vitet e fundit, sipas Censit Shqipëria humbi rreth 400 mijë banorë. Popullsia e vendit tonë ka zbritur aktualisht në 2.4 milionë banorë. Rreth 40 mijë i largohen Shqipërisë çdo vit në emigracion, kryesisht të rinj aktivë për punë. Sipas projeksionit të OKB-së ose pritet të frenohen largimet ose ato do të zëvendësohen me të tjerë, pasi Shqipëria qëndron aktualisht vetëm 200 mijë banorë larg projeksionit të 2050-ës.
Sipas një raporti të kaluar nga OKB, Shqipëria pritet që të jetë ndër vendet me rritjen e popullsisë urbane më të madhe, pas Turqisë, deri në vitin 2050.
Projeksioni i OKB tregonze se popullsia urbane shqiptare do të arrijë 86.5%. Në të dhënat specifike për vendin tonë, vihej re rënie e numrit të popullsisë prej 6.6%.
Projeksionet e OKB-së tregojnë se deri në vitin 2050, popullsia e përgjithshme e rajonit të Europës dhe Azisë Qendrore (ECA) do të rritet me 9.7 milionë njerëz.
Profesionet e vështira mbeten pa sigurime shtesë

Në vitin 2019, u miratua ligji për pensionet suplementare të individëve që punojnë në një grup profesionesh të vështira, si industria minerare, ajo e nxjerrjes së naftës dhe metalurgjia. Por, megjithëse kanë kaluar pesë vjet, ligji po zbatohet pak ose aspak dhe kontributet për përfitimin e pensioneve shtesë nga këto kategori nuk po derdhen. Problemi duket të jetë mungesa e një strukture që duhet ta bëjë të zbatueshëm detyrimin për derdhjen e këtyre kontributeve.
Ersuin Shehu
Në vitin 2019, Kuvendi miratoi ligjin për përfitimet në formën e pensionit shtesë për punonjësit e një grupi të profesioneve të vështira.
Qëllimi i këtij ligji ishte trajtimi me pension shtesë i punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji.
Këtyre kategorive u sigurohen përfitime suplementare, pension për shkak të profesionit, si dhe shtesë mbi pensionin e pleqërisë dhe shtesë mbi pensionin e invaliditetit.
Për të financuar këto përfitime, ligji parashikon derdhjen e kontributeve shtesë për punonjësit e këtyre profesioneve. Por, deri tani, ky ligj po gjen zbatim pak ose aspak.
Shumica e kompanive që kanë detyrimin ligjor të paguajnë kontribute shtesë, nuk e bëjnë një gjë të tillë.
Sipas sindikatave dhe fondeve private të pensionit, problemi është se deri tani nuk është gjetur një mënyrë për ta bërë ligjin të zbatueshëm, ose më thjesht, askush nuk merr përsipër të kërkojë llogari për zbatimin e këtij detyrimi.
Organet tatimore kufizohen vetëm në kërkesën për derdhjen e detyrimeve të sigurimeve në skemën e detyrueshme, ndërsa nuk kërkojnë nga kompanitë e sektorëve të mësipërm derdhjen e detyrimeve edhe për përfitimet suplementare, të përcaktuara nga ligji 29/2019.
Ligji kërkon kontribut shtesë në masën 10%
Sipas ligjit 29/2019, “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”, masa e përfitimit të shtesës mbi pensionin e pleqërisë për punonjësit e nëntokës parashikohet në masën 1% të pensionit të pleqërisë; për punonjësit e industrinë së naftës e të gazit dhe punonjësit e metalurgjisë, 0,6% të masës së pensionit të pleqërisë.
Shtesën e përfitojnë të gjithë personat që kanë jo më pak se 6 vite në profesionet dhe punët e përcaktuara. Masa e përfitimit të shtesës mbi pensionin e invaliditetit është 1% për çdo vit vjetërsie pune në miniera, në nëntokë, në industrinë e naftës dhe në metalurgji.
Ligji përcakton se përfitimet do të financohen nga kontributet dhe nga buxheti i shtetit.
Personat e punësuar në industrinë minerare, në industrinë e naftës e të gazit dhe në metalurgji, dhe punëdhënësit e tyre janë të detyruar të paguajnë kontribut për pension, për shkak të profesionit dhe përfitimet shtesë mbi pensionin e pleqërisë.
Kontributi, që paguhet për mbulimin e përfitimeve të pensioneve për shkak të profesionit, përcaktohet në masën 5% të pagës bruto dhe ndahet në 3% nga punëdhënësi dhe 2% nga punëmarrësi. Kontributi që paguhet për mbulimin e përfitimeve shtesë mbi pensionin e pleqërisë
përcaktohet në masën 5% të pagës bruto dhe ndahet në 2,5% nga punëdhënësi dhe 2,5% nga punëmarrësi. Kontributet për të punësuarit mbi moshën 48 vjeç, mblidhen dhe derdhen në fondin e sigurimeve
shoqërore. Diferenca ndërmjet efektit financiar të dy llojeve të përfitimeve, sipas këtij ligji, me kontributet shtesë, do të përballohet nga fondet e buxhetit të shtetit.
Mosderdhja e kontributeve të parashikuara me ligj për punonjësit mbi moshën 48 vjeç ka si rezultat direkt shtimin e barrës që duhet të përballohet nga buxheti i shtetit.
Për punonjësit nën moshën 48 vjeç, në momentin e miratimit të ligjit, kontributet shtesë duhet të derdhen në një nga fondet e licencuara të pensionit privat.
Për këtë segment të punonjësve, natyrisht që problemi është më i madh, sepse pagesa e pensionit shtesë të tyre në të ardhmen nuk mund të subvencionohet as nga shteti.
Sindikatat: Nuk ka vullnet për ta zbatuar këtë ligj
Kol Nikolla, President i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, shprehet se nga institucionet mungon vullneti për ta zbatuar këtë ligj.
“Ne vërejmë se ka mungesë totale të dëshirës për ta zbatuar këtë ligj. Nëse ky ligj nuk zbatohet, shumë shpejt do të ballafaqohemi me të njëjtat situata që po shohim sot tek ish-naftëtarët apo ish-gjeologët, etj.
Nga informacionet jozyrtare që kemi, nga 10-12 mijë minatorë që punojnë në miniera, kontributi derdhet për më pak se 2 mijë prej tyre.
Në industrinë e naftës, gjendja është pak më e mirë, duke qenë se në përgjithësi, aty veprojnë kompani të mëdha huaja, që janë më serioze në zbatimin e detyrimeve ligjore.
Në sektorin e kromit dhe të bakrit, me sa dimë ne, përkatësisht vetëm një kompani i paguan kontributet shtesë, ndërsa të tjerat nuk i paguajnë. Kjo do të ketë pasoja për ta në të ardhmen”, thotë ai.
Sipas tij, arsyeja kryesore pse kjo ndodh është që në Shqipëri, kultura e zbatimit të ligjit vazhdon të jetë e dobët.
“Strukturat ligjzbatuese në kontrollet e tyre mjaftohen me pagesën e normës së detyrueshme ligjore të kontributeve për pensionin bazë, por vërejmë se nuk ka shumë kontrolle për zbatimin e legjislacionit të posaçëm, siç është ligji në fjalë.
Ana tjetër e medaljes është se vetë punëdhënësit janë pak të ndërgjegjshëm se ligji duhet zbatuar dhe se të drejtat e punonjësve duhen respektuar.
Vetëm në vitet e fundit, në disa sektorë po e kuptojnë rëndësinë e burimeve njerëzore dhe forcës së punës”, – shprehet z. Nikolla.
Lidhur me numrin e punonjësve që duhet të përfitojnë nga ky ligj, ai vëren se shifrat zyrtare këtu te ne nuk janë shumë të sakta.
Megjithatë, nga të dhënat dytësore të KSHS, vlerësohet se në momentin e miratimit të ligjit mund të kenë qenë rreth 17 mijë punonjës që ishin objekt i këtij ligji, ndërsa aktualisht, ky numër është ulur, mund të jetë në rreth 14 mijë punonjës.
Pjesë e problemit, sipas z. Nikolla, është edhe mungesa e kontratave kolektive të punës dhe mungesa e një roli efikas të sindikatave. Në mungesë të sindikatave të forta, presioni mbi punëdhënësit për të zbatuar detyrimet ligjore natyrisht që është më i vogël.
“Nëse nuk bëhet një ligj i mirëfilltë për sindikatat dhe kontratat kolektive, në mënyrë që të ekzistojë një kontratë kolektive për të gjithë punonjësit e një sektori, për shembull të minierave.
Në këtë kontratë kolektive, përcaktohen edhe kriteret që duhen respektuar. Qeveria qëllimisht nuk i bën të detyrueshme kontratat profesionale, duke i anashkaluar sindikatat dhe duke dobësuar mundësitë e tyre për të ushtruar rol efektiv në mbrojtje të punonjësve. Mund të jemi i vetmi shtet që nuk kemi rregulla loje.
Një sindikatë mund ta bësh me 20 vetë, ose me 100 mijë vetë. Kemi mbi 200 sindikata të regjistruara, por realisht asnjëra nuk ka mjetet ligjore për të mbrojtur të drejtat e punonjësve.
Në vitet e fundit, shumë kompani po krijojnë sindikata duke i lënë në duar të punonjësve të besuar dhe natyrisht që këto sindikata u shërbejnë më shumë punëdhënësve, sesa punëmarrësve”, – thotë ai.
Legjislacioni
“Strukturat ligjzbatuese në kontrollet e tyre mjaftohen me pagesën e normës së detyrueshme ligjore të kontributeve për pensionin bazë, por vërejmë se nuk ka shumë kontrolle për zbatimin e legjislacionit të posaçëm, siç është ligji në fjalë. Ana tjetër e medaljes është se vetë punëdhënësit janë pak të ndërgjegjshëm se ligji duhet zbatuar dhe se të drejtat e punonjësve duhen respektuar. Vetëm në vitet e fundit, në disa sektorë po e kuptojnë rëndësinë e burimeve njerëzore dhe forcës së punës”
Fondet private, dy zgjidhje për ta bërë ligjin të zbatueshëm
Elton Korbi, president i Shoqatës së Siguruesve të Jetës, Pensioneve dhe Fondeve të Investimeve (SHSJPFI), shprehet se deri tani, ligji 29/2019 nuk po gjen zbatim dhe ndërmarrjet që janë objekt i këtij ligji nuk po derdhin kontribute, as për pjesën që i takon Institutit të Sigurimeve Shoqërore, as për atë që prek fondet private të pensionit.
Sipas tij, problemi është se ligji nuk përcakton një strukturë që duhet ta ndjekë zbatimin e detyrimeve që rrjedhin prej tij.
SHSJPFI sugjeron dy zgjidhje, për ta bërë ligjin të zbatueshëm. Alternativa e parë do të ishte angazhimi i organeve tatimore, siç ndodh edhe me mbledhjen e sigurimeve të skemës bazë së detyrueshme.
“Njëra zgjidhje, që sugjerojmë, është që agjent për mbledhjen e këtij fondi të jetë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Kjo do të kërkojë disa ndryshime në legjislacionin përkatës, si në atë për sigurimet e detyrueshme, ashtu edhe në ligjin që po flasim, 29/2019. Nga komunikimi që kemi pasur me Ministrinë e Financave, ata po e konsiderojnë një zgjidhje të tillë.
Në këtë rast, fondet e pensionit do të duhet të lidhin kontratë me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, për mbledhjen e këtyre detyrimeve”, thotë z. Korbi.
Një zgjidhje tjetër, sipas tij, mund të jetë angazhimi në këtë proces i strukturave që administrojnë dhënien e lejeve për kompanitë e sektorit minerar, duke e përcaktuar pagesën e kontributeve shtesë të përcaktuar nga ligji 29/2019, si kusht për rinovimin e lejeve.
“Një alternativë e dytë, që nuk e kemi propozuar ende zyrtarisht, por që mund të jetë si alternativë, është që pagesa e këtyre kontributeve të vendoset si kusht për rinovimin e licencave të sektorit energjetik dhe minerar.
Të tria aktivitetet që rregullohen nga ligji për përfitimet shtesë të profesioneve të vështira kërkojnë lëshimin e licencave nga institucionet në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Momenti kur duhet rinovuar licenca mund të jetë koha e përshtatshme për të bërë të detyrueshëm edhe pagesën e kontributeve që përcaktohen nga ligji në fjalë”, shprehet ai.
Kontributet shtesë, alternativë edhe për profesione të tjera
Ligji për përfitimet shtesë të pensionit për profesionet e vështira përfaqësoi, në njëfarë mënyre, hapin e parë drejt testimit të një kolone të dytë brenda sistemit shqiptar të pensioneve.
Deri tani, kjo provë ka dështuar, sepse, siç ndodh jo edhe aq rrallë në Shqipëri, nuk është gjetur një mekanizëm që ligji të bëhet i zbatueshëm.
Megjithatë, prej vitit të kaluar, përfaqësues të qeverisë kanë artikuluar, për herë të parë, mundësinë për të ndërmarrë një reformë pensionesh, që të përfshijë edhe një kolonë të dytë, në formën e anëtarësimit të detyrueshëm në një fond të pensioneve private.
Ndërkohë që priten zhvillime në këtë drejtim, përfaqësuesit e tregut të fondeve private mendojnë se ekzistojnë edhe profesione të tjera për të cilat është e domosdoshme përfshirja ligjore në skema të pensioneve suplementare.
“Shumë profesione kanë jetëgjatësi profesioni të shkurtër. Për shembull, arsimtarët, sportistët, artistët, kanë një periudhë pune më të shkurtër, krahasuar me profesionet e tjera.
Për shembull, një futbollist apo një peshëngritës nuk mund të vazhdojë të punojë dhe të derdhë kontribute deri në moshën 65-vjeçare. Legjislacioni aktual nuk ju jep zgjidhje të mirëfilltë këtyre profesioneve, me përjashtim të përfitimit të një pensioni të pjesshëm.
Njëkohësisht, kjo krijon një barrë për shtetin dhe shoqërinë.
Për profesione të tilla mendojmë se do të ishte e domosdoshme të vendoseshin detyrime të posaçme ligjore për kontribute suplementare, të ngjashme me ato të ligjit për profesionet e vështira”, – shotë z. Korbi.
Alternativa
“Shumë profesione kanë jetëgjatësi profesioni të shkurtër. Për shembull, arsimtarët, sportistët, artistët, kanë një periudhë pune më të shkurtër, krahasuar me profesionet e tjera. Për shembull, një futbollist apo një peshëngritës nuk mund të vazhdojë të punojë dhe të derdhë kontribute deri në moshën 65-vjeçare. Për profesione të tilla do të ishte e domosdoshme të vendoseshin detyrime të posaçme ligjore për kontribute suplementare, të ngjashme me ato të ligjit për profesionet e vështira”
Kontributet e pensioneve, nevojitet ndryshim në formularin e DIVA
Derdhja e kontributeve të pensioneve private në përgjithësi, duke përfshirë edhe pjesën që lidhet me kontributet për punonjësit e profesioneve të vështira, vazhdon të ketë edhe disa probleme teknike të lidhura me deklarimin dhe llogaritjen e lehtësive fiskale që parashikon ligji.
Sipas ligjit, kontributi i bërë nga çdo anëtar i një fondi pensioni privat zbritet nga të ardhurat personale të tij për efekt tatimi.
Por, përfitimi i këtij përjashtimi nga tatimet në praktikë nuk është kaq i lehtë, sidomos në rastin kur derdhja e kontributeve në një fond pensioni privat bëhet direkt nga individi dhe jo nga punëmarrësi.
Në teori, njohja dhe zbritja e kontributeve që derdhen në mënyrë individuale duhet të bëhet nëpërmjet deklaratës vjetore të të ardhurave (DIVA).
Por, deri tani, formulari i DIVA-s nuk përmban një hapësirë ku të mund të deklarohen dhe zbriten kontributet në fondet private të pensioneve.
Sipas burimeve nga tregu, Ministria e Financave po punon që kontributet për pensione private të përfshihen si shpenzime të zbritshme nga tatimi në formularin e ri të DIVA-s, mundësisht duke filluar nga viti 2025.
Deri më sot, për personat e anëtarësuar në mënyrë individuale në fondet e pensionit privat, e vetmja mënyrë për të përfituar nga lehtësitë tatimore ka qenë paraqitja e një kërkese pranë punëmarrësit, me qëllim transferimin automatikisht të një shume të caktuar të pagës mujore pranë fondit.
Megjithatë, në praktikë, kjo nuk rezulton gjithmonë e thjeshtë, sepse kërkon bashkëpunimin e punonjësve të financës së punëdhënësit, që ose nuk kanë informacionin e duhur, ose e konsiderojnë këtë si një punë që nuk janë të detyruar ta bëjnë.
Edhe nga pikëpamja teknike, kjo paraqet disa vështirësi. Deri më sot, lehtësitë fiskale që parashikon ky ligj, janë zbatuar në mënyrë manuale nga financierët dhe kontabilistët e kompanive.
Më konkretisht, ekspertët shpjegojnë se kjo bëhet duke vendosur në qelizën (15) Paga Totale Bruto, për çdo punonjës, manualisht vlerën mbi të cilët do të llogaritet Tatimi mbi të Ardhurat Personale.
Formulari aktual i listë-pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore nuk parashikon një hapësirë/qelizë të posaçme për paraqitjen e kontributeve në fondet privatë. Megjithatë, të paktën ky problem do të zgjidhet duke filluar nga 1 janari 2025.
Ministria e Financave bën të ditur se Udhëzimi i Përgjithshëm i Ministrit, nr. 26, datë 8.9.2023, “Për tatimin mbi të ardhurat” është miratuar në bazë dhe për zbatim të ligjit nr. 29/2023, datë 30.3.2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”. Në zbatim të këtij Udhëzimi, janë miratuar edhe formularët e deklaratave për efekte tatimore.
Sipas Ministrisë së Financave, në formularin e ri të listë-pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe tatimit mbi të ardhurat nga punësimi është shtuar kategoria (26) shuma që zbritet nga paga dhe derdhet nga punëdhënësi në fondet e pensionit vullnetar si kontribut i punëmarrësit, e cila i jep zgjidhje këtij problemi.
Ky formular do të aplikohet duke filluar nga periudha tatimore janar 2025./ Monitor.al
Si do të jetë Shqipëria e së ardhmes? Prej 2011-ës largohen rreth 42 mijë persona në vit, 70 përqind e tyre të rinj
Fenomeni i emigrimit, kryesisht i të rinjve, vazhdon të jetë shqetësues jo vetëm për shkak të largimit të fuqisë punëtore aktive, por edhe nivelit të demokracisë në vend. Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 2011 e në vazhdim, nga Shqipëria janë larguar mesatarisht çdo vit rreth 42 mijë persona, 70 përqind e të cilëve të rinj. Zëri i Amerikës bisedoi me një grup të rinjsh, të cilët shprehen se, për shkak të mundësive të lëvizjes dhe komunikimit, po ndryshon edhe perceptimi i një pjesë të të rinjve përsa i përket emigrimit.
Si shumë të rinj shqiptarë edhe Robert Bisha emigroi drejt brigjeve të Italisë kur ishte në moshën 15-vjeçare me dëshirën për të studiuar për pianoforte. Por ai thotë se, pas përfundimit të studimeve, u përball me mëdyshjen; të qëndronte në vendin e emigrimit apo të kthehej në Shqipëri.
“Në njëfarë mënyre, emigracioni tek unë ishte patjetër shkëputje, një shenjë e fortë ku unë vendos pikëpyetjen: a do të kthehem përfundimisht apo kjo mbetet një çështje e hapur? Distancat tashmë janë të shkurta. Unë ika, por edhe u ktheva. Dhe jam vazhdimisht në lëvizje”, tregon ai.
Vitet e fundit, thotë Roberti, është zvogëluar ndjeshem distanca mes Shqipërisë dhe Italisë, gjë që nuk ndodhte në vitet e para të emigracionit. Kjo i krijoi atij mundësinë që të jetojë e punojë në mes dy vendeve.
“Në Itali luaj pjesë të mijat, bëj koncerte, kam një studio të vogël ku kompozoj, shkruaj. Kur jam në Shqipëri, në Shkodër kam një festival prej katër vitesh që unë e organizoj. Nuk luaj vetë, por luajnë muzikantë që unë thërras dhe që janë ndoshta niveli më i lartë pjanistik që kemi”, thotë ai.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe me të riun Gerti Palali, i cili emigroi në Torino të Italisë. Ai thotë se një pjesë e të rinjve të shkolluar gjithnjë e më shumë po e ndajnë jetën e tyre mes vendit ku kanë emigruar dhe vendlindjes.
“Jeta në emigracion është pak më ndryshe. Duhet të studiosh, duhet edhe të punosh në një profesion tjetër për të mbuluar shpenzimet e emigracionit, qera e të gjitha këto. Ndërsa këtu kthehem shumë shpesh sepse e brendshmja nuk më len. Vij për të punuar në profesionin tim. Më mungojnë duartrokitjet, emocionet e një sheshi xhirimi dhe të gjtiha këto. Kthehem shumë shpesh gjatë vitit me projekte”, tregon ai.
Sipas Institutit të Statistikave, për shkak të emigracionit, nga viti 2011 e në vazhdim, nga Shqipëria largohen rreth 42 mijë persona në vit, ku 70 përqind e tyre janë të rinj.
Ky largim i të rinjve është me pasoja jo vetëm në rënien e fuqisë punëtore, por edhe nivelin e demokracisë në vend. Shumica e të rinjve largohen kryesisht për mundësi më të mira pune, arsimimi dhe kujdesi shëndetësor, por Gerti thotë se, edhe në emigracion të rinjtë përballen me vështirësi dhe probleme.
“Të rinjtë e shikojnë më të lehtë çështjen ekonomike në një shtet tjetër, çështjen e sigurisë dhe shumë çështje të tjera. Por, është gjë shumë e lezetshme se, kur jemi këtu në Shqipëri themi “lum ju që jeni jashtë se keni lekë, bëni jetë më të qetë”, por kur jemi jashtë themi “ah lum ju që jeni në Shqipëri, sepse si Shqipëria nuk është askush”. Kështu që, besoj se kjo ka me na shoqëruar gjithmonë”, tregon ai.
Në vitin 2020, Sara Prençi shkoi në Turqi ku po studion rreth televizionit, kinemasë dhe aktrimit. Në krahasim me Turqinë, thotë ajo, Shqipëria është ende mbrapa përsa i përket televizionit dhe kinematografisë dhe kjo e bën pesimiste për mundësinë e rikthimit në Shqipëri.
“E shikoj veten si një aktore dhe kjo është lufta ime më e madhe me veten. Dhe e shikoj veten në Stamboll duke luajtur filma ose duke qëndruar pas kamerave duke xhiruar”, tregon ajo.
Megjithëse sipas sondazheve, një pjesë e madhe e të rinjve shqiptarë pëlqejnë të emigrojnë apo të shkollohen jashtë vendit, ka edhe shumë të tjerë që duan të vazhdojnë karierën në vendin e tyre.
Erisela Smaka ka mbaruar studimet për fizioterapi dhe tani po kryen praktikën profesionale mes gjyshërve në Shtëpinë e të Moshuarve në Shkodër.
“Kam vendosur për të qëndruar në Shqipëri për t’i shërbyer nënës dhe babit, familjes time dhe pse jo gjyshëve këtu në shtëpinë e të moshuarve. Këtu kemi moshën e tretë, kanë humbje të levizshmërisë, sensibilitetit, humbje të forcës dhe për këtë ka nevojë për ndërhyrjen e fizioterapistit”, thotë ajo.
Drejtuesi i Qendrës Rinore “Arka”, në Shkodër, Marjan Lukani, thotë se emigracioni ka ndryshuar gjatë tre dekadave të fundit, që nga hapja e Shqipërisë drejt Europës.
Ndërsa në fillimet e tij të rinjtë emigronin me synimin per tu rikthyer dhe ndërtuar një banesë apo biznes pranë familjes, me kalimin e viteve ata e ndërtuan jetën e tyre në vendet ku emigruan. Ndërsa tani, me lehtësitë e lëvizjes dhe komunikimin, një pjesë prej tyre, po e shikojnë veten mes vendit të emigrimit dhe Shqipërisë.
“Një pjesë prej tyre e kanë ende dëshirën që të kthehen tek vendi i tyre për të dhënë kontributin e tyre për vendin. Dhe, kam përshtypjen se është një detyrë e madhe e qeverisë, e jona si shoqëri, që të bëjmë të pamundurën që këto të rinj të kenë mundësi për tu rikthy në Shqipëri, tregon Marjan Lukani. /VOA/