23.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Gusht, 2025

Dështon marrëveshja mes palëve, Armando Broja nuk do të huazohet tek Ipsuiç

Është përfolur shumë për të ardhmen e Armando Brojës dhe asgjë s është ende zyrtare.

Por një gjë ështyë e sigurt, sulmuesi i Kombëtares kuqezi nuk do të transferohet te Ipsuiç. Lajmi është bërë i ditur nga eksperti i merkatos, Fabricio Romano.

Ai shkruan se pavarësisht se futbollisti bëri vizita mjekësore, marrëveshja mes palëve ka dështuar.

Mediat e huaja shkruajnë se për Brojën ka interes edhe Evertoni. Gjithsesi Çelsi duhet të gjejë një zgjidhje brenda javës deri në ditën e fundit të merkatos.

app-facebookapp-facebook

Rrugët me pagesë penalizojnë rajonet e varfra të Veriut

Rajoni i Veriut, më i varfri për nga të ardhurat për frymë në raport me Rajonin e Qendrës dhe të Jugut, po penalizohet edhe më shumë nga barra e pagesave në rrugë.

Familjet e Veriut, që jetojnë në Tiranë, për t’iu ardhur në ndihmë të afërmeve që jetojnë në qytetet e Kukësit dhe Tropojës, duhet të paguajnë 15 euro vajtje-ardhje për në vendet e origjinës.

Qyteti i Kukësit u penalizua edhe më shumë pasi me ndërtimin e urës së re mbi Drin nga kompania koncesionare, hyrja e qytetit e humbi tërësisht lidhjen me aksin kombëtar.

Kukësi është qarku më i varfër i vendit dhe nga më të varfrit në Europë. Në vitin 2022, standardet e jetesës në Kukës janë sa 19% e mesatares së BE-së, duke e krahasuar PBB për frymë sipas barazisë së fuqisë blerëse.

Në të njëjtin vit, mundësitë ekonomike të qytetarëve më të varfër të vendit nuk janë as sa gjysma e kryeqytetasve.

Kur u matën të dhënat e varfërisë për herë të fundit në vitin 2012, Kukësi është rajoni më i varfër në vend. Niveli i varfërisë në rang kombëtar ishte 12,3%, ndërsa në Qarkun e Kukësit, 22.5%, ose dy herë më shumë se mesatarja kombëtare.

Pas vitit 2014, Qarku i Kukësit ka pësuar rënie të ekonomisë, gati si me pasojat fatale që shfaq një forcë madhore, të tilla si fatkeqësitë natyrore.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se, nga viti 2014-2020, ekonomia e qarkut më të varfër të vendit shënoi rënie kumulative, me rreth 11%, ndërkohë që në të njëjtën periudhë, ekonomia kombëtare u zgjerua me 13.7%.

Siç shihet nga të dhënat, rënia ishte më e fortë në vitet 2014-2015, me përkatësisht 6.8% dhe 6.7%.

Shpenzimet e transportit janë pjesë e rëndësishme e shportës së shpenzimeve familjare.

Rritja e shpenzimeve të transportit do të thellojë më tej pabarazinë ndërmjet Veriut dhe pjesës tjetër të vendit dhe do të ndikojë negativisht në lëvizjen e shqiptarëve të Kosovës drejt plazheve të Jugut.

Në anën tjetër të vendit, në Kosovë, çmimi i naftës është së paku 30% më i lirë se në Shqipëri, ndërsa kostot e ndërtimit të rrugëve janë nga më të ulëtat në Europë. /Monitor

Testimet e para në botë të vaksinës kundër kancerit të mushkërive, ja rezultatet

Doktorët po e testojnë te pacientët vaksinën e parë mRNA kundër kancerit të mushkërive ndërkohë që ekspertët vlerësojnë lart potencialin e saj për të shpëtuar jetë. Kanceri i mushkërive është një ndër kanceret më vdekjeprurës në botë. Vlerësohet se brenda një viti 1.8 milionë persona vdesin nga kanceri i mushkërive, ndërkohë që numri i atyre që i mbijetojnë është i vogël, shkruan BBC.

Tani ekspertët po testojnë vaksinën e re, e cila e shtynë trupin të gjurmojë e t’i vrasë qelizat kancerogjene, pastaj ta parandalojë kthimin e tyre.

E njohur si BNT116 dhe e krijuar nga kompania gjermane, “BioNTech”, vaksina është e krijuar të trajtojë kancerin e mushkërive, i cili nuk ka qeliza të vogla, NSCLS, dhe është forma më e shpeshtë e kancerit të mushkërive.

Faza e parë e testimit, studimi i parë në njerëz i BNT116-ës, ka nisur në 34 zona kërkimore në 7 vende, përfshirë Kolegjin Universitar të Londrës në Britanisë dhe do të rekrutojnë 130 pacientë për ta provuar vaksinën.

Vende të tjera në të cilat po bëhet tesitmi janë: SHBA-ja, Gjermania, Hungaria, Polonia, Spanja e Turqia.

Vaksina përdor teknologjinë e njëjtë mRNA, si ajo kundër Covidit, t’i japë instruksione sistemit imunitar.

Vaksinat kundër kancerit e ndihmojnë imunitetin e trupit që t’i njohë e pastaj t’i sulmojë qelizat kancerogjene.

Trajtimi specifikisht targeton qelizat kancerogjene dhe i shkatërron, ndërkohë që nuk i prek qelizat e shëndetshme, siç bën kimioterapia, gjë që ngjall shpresë për më pak efekte anësore.

Aktualisht ka disa vaksina të tjera që përdoren kundër disa llojeve të kancerit.

Ndërkohë që vaksinat e tjera mbrojnë organizmin nga sëmundjet infektive, vaksina kundër kancerit të mushkërive është për njerëzit që tashmë e kanë sëmundjen.

Shefja ekzekutive e Cancer Research Uk, Michelle MItchell, ka thënë se gëzohet që po ndodh në Britani edhe një tjetër testim i vaksinës kundër kancerit, duke u mundësuar pacientëve të kenë qasje në terapitë më të reja.

“Shkenca që na ndihmoi kundër pandemisë Covid-19 po vazhdon të jetë premtuese si trajtim potencial për pacientët. Ndërkohë që kjo është fazë shumë fillestare, mezi po presim të shohim si po ecën”, ka thënë Mitchell.

Profesori Siow Ming Lee, i cili është drejtues klinik i pjesës së testimit që bëhet në Britani, i ka thënë BBC-së se shpreson që kjo të jetë epoka e re e trajtimit të kancerit të mushkërive me mRNA.

“Shpresojmë se në kombinim me terapitë standarde, imunoterapinë e kimioterapinë, ne të ofrojmë një shtesë për rritjen e imunitetit”, ka thënë ai.

Prioritetet e gabuara të rrugëve

Aerial photo of multilevel elevated highway junction highway passing through modern city in multiple directions
Investimet e dekadave të fundit në transportin rrugor shmangën prioritetet që ishin vendosur në strategjitë e zhvillimit. Përdorimi për politikë i fondit të investimeve la qendrën e vendit në Rajonin Fushë-Krujë-Tiranë-Durrës-Rinas me mungesa të thella infrastrukturore, teksa investimet vijojnë të përqendrohen në skaje si në Rrugën e Arbrit, Tunelin e Llogorasë, Qukës, Qafë-Thanë, Korçë -Ersekë etj. Shmangia për dy dekada e projekteve në Korridorin 8 dhe në Korridorin 10 dhe lënia pa zgjidhje e infrastrukturës në zonën e qendrës ka zbehur përfitimet e vendit, ka vështirësuar lëvizjen dhe ka rritur kostot për popullsinë e qendrës dhe të Veriut

 

Në vitin 2004, kompania austriake Strabag AG, nga më të mëdhatë në Europë, i propozoi qeverisë shqiptare ndërtimin me koncesion të Autostradës Thumanë-Rrogozhinë, kundrejt pagesës, për të cilën kishte gati edhe një studim fizibiliteti.

Katër vite më vonë, e njëjta kompani i propozoi qeverisë shqiptare ndërtimin e Autostradës Durrës-Tiranë-Elbasan, rreth 80 kilometër, me kosto 468 milionë euro.

Kompania mori përsipër ndërtimin e akseve për një periudhe dyvjeçare nga data e fillimit. Pasi kishte studiuar nevojat e Shqipërisë për transportin rrugor, kompania austriake vlerësoi se Shqipëria duhet të investonte në infrastrukturën e autostradave të kategorisë A fillimisht në qendrën e vendit, përkatësisht nga Thumana në Rrogozhinë dhe nga Durrësi në Elbasan, duke vlerësuar projeksionet për rritje të madhe të popullsisë dhe aktiviteteve ekonomike në qendrën e vendit.

Kompania austriake Strabag AG, pas studimeve, vlerësoi këto dy segmente me fizibilitet të lartë për t’u ndërtuar, kundrejt pagesës (maksimumi 0.06 cent për kilometër) për shkak të fluksit të lartë të lëvizjes. Këto akse duhet të ndërtoheshin të parat, sipas propozimeve të ekspertizave vendase dhe të huaja, sugjeron inxhinieri i njohur i infrastrukturës rrugore, Faruk Kaba.

Më tej, projektet e rrugëve duhet të zhvilloheshin në drejtim të periferive me përparësi lidhjen me infrastrukturën rajonale dhe atë europiane nëpërmjet Korridorit 8 dhe atij Adriatiko-Jonian.

Mirëpo ajo që qeveritë shqiptare kanë bërë pas studimeve dhe propozimeve të ekspertëve ka qenë krejt e kundërta.

Qeveria Berisha shpalli përparësi investimet në Rrugën e Kombit, duke përqendruar burimet financiare të buxhetit në këtë projekt gjatë një dekade.

Qeveritë e drejtuara nga Rama, pas vitit 2014, i kanë përqendruar investimet në Jug, në akse që u shërbejnë zhvillimeve të turizmit, teksa qendra e vendit ka mbetur me deficite të mëdha në infrastrukturë, kurse Tirana përballet me mbingarkesë për shkak të zgjidhjeve të munguara në portat dalëse, sidomos drejt Veriut.

Eksperti Kaba thotë se tani, 34 vite pas fillimit të tranzicionit, Shqipëria duhet të kishte përfunduar infrastrukturën rrugore dhe duhet të zhvillonte linjat e shpejta të transportit hekurudhor.

 

Burimi: Https://Www.Tolls.Eu/; Të dhëna kombëtare të vendeve, përpunime të Monitor

 

Investimet në skaje, qendra pa infrastrukturë

Ministria e Financave ka publikuar një listë me rreth 10,800 projekte shumëvjeçare investimesh, me kosto totale 834 miliardë lekë, ose mbi 8 miliardë euro.

Disa prej projekteve kanë përfunduar dhe të tjera janë në vazhdim. Të përzgjedhura sipas vlerës, në krye të projekteve më të shtrenjta qëndron Rruga e Arbrit, me financim buxhetor total 33,8 miliardë lekë, nga të cilat janë disbursuar deri në fund të marsit të këtij viti 15,2 miliardë lekë.

Në vend të dytë për nga shuma e financimit buxhetor është rindërtimi i banesave individuale, me një vlerë prej 27 miliardë lekësh dhe më pas në renditje vijnë segmentet e Rrugës së Kombit nga Rrëshen-Kalimash me 21 miliardë lekë, Tuneli i Llogorasë me 20 miliardë lekë.

Projektet me financimet më të mëdha të viteve të fundit janë kontrata e koncesionit të Rrugës së Kombit, investimet në Unazën e Madhe të Tiranës, investimet në Qukës-Qafë-Plloçë, Kardhiq-Delvinë dhe Korçë-Ersekë, në infrastrukturën e Jugut dhe sidomos në Qarkun e Vlorës.

Inxhinieri Faruk Kaba thotë se këto projekte investimesh duhej të ishin zhvilluar pasi të kishte përfunduar infrastruktura e qendrës nga Thumana në Rrogozhinë dhe nga Durrësi në Tiranë dhe Elbasan me bypass.

Për më tepër, ekspertët pohojnë se moskontraktimi i njëhershëm i këtyre akseve vetëm sa e rëndon situatën, në vend që japë zgjidhje.

Hapja së fundmi e autostradës Thumanë-Kashar, që u ndërtua me koncesion, në vend që të lehtësojë lëvizjen, e vështirësoi më shumë. I gjithë trafiku i Veriut shkarkohet në Autostradën Tiranë-Durrës, duke vështirësuar lëvizjen në këtë aks, duke rritur kostot dhe duke mos kursyer kohë.

Nisja mbrapsht e investimeve në rrugë për të ardhur nga periferia drejt qendrës e ka ndërlikuar qarkullimin, ka rritur kostot për qytetarët dhe i ka bërë më të vështira zgjidhjet.

Në një kohë që Shqipëria po shndërrohet në një destinacion të preferuar turistik në Mesdhe, mungesa e rrugëve dhe transportit publik të denjë po ndikon për keq edhe në turizëm.

 
Pasojat
Nisja mbrapsht e investimeve në rrugë për të ardhur nga periferia drejt qendrës e ka ndërlikuar qarkullimin, ka rritur kostot për qytetarët dhe i ka bërë më të vështira zgjidhjet. Në një kohë që Shqipëria po shndërrohet në një destinacion të preferuar turistik në Mesdhe, mungesa e rrugëve dhe transportit publik të denjë po ndikon për keq edhe në turizëm.

 

Projektet në zhvillim, gabimet që po bëhen

Një nga ekspertët e njohur të rrugëve, që kërkoi të ruajë anonimatin, lëshoi kritika të rënda mbi gabimet teknike me kosto të larta në projektet e mëdha të infrastrukturës.

Inxhinieri tha se Tuneli i Llogorasë mund të kishte përgjysmuar kostot e larta nëse do të ndërtohej mbi Dukat. Gjatësia e tunelit ulej nga 6 km në 3.7 kilometra, duke dhënë të njëjtin rezultat në lëvizje me gjysmën e kohës aktuale.

Ai renditi si një zhvillim të gabuar këputjen në mes të Bulevardit të Ri të Tiranës. Ky aks u nis si një projekt që do të zgjatej më tej përmes Paskuqanit për t’u lidhur me akset kombëtare të Veriut.

Vazhdimi i bulevardit është zgjidhja e vetme për të liruar trafikun në kryeqytet, tha eksperti. Herët a vonë, ky aks do të vijojë më tej edhe pse kostot e shpronësimit do të jenë më të larta, pasi Tirana nuk ka asnjë zgjidhje tjetër për të shmangur trafikun në pjesën veriore të saj.

Eksperti tha se qeveria është duke zhvilluar bypass-in e Elbasanit me tunel, kur ndërtimi i tij është tërësisht i shmangshëm dhe mund të zhvillohet me kosto shumë më të ulëta.

Sipas tij, shmangia e Korridorit 8 nga Ura e Bushtricës për të kaluar në Maqedoninë e Veriut, në një pikë të panjohur me tunel, është një projekt krejt i gabuar dhe me kosto.

Shqiptarët që duan të vijnë në Pogradec, duhet të kalojnë një herë në Maqedoninë e Veriut e pastaj të kthehen në Shqipëri, nëpërmjet një rruge shumë më të gjatë se ekzistuesja Elbasan-Qafë-Thanë.

Eksperti vlerësoi pa fizibilitet dhe me kosto të lartë, akset rrugore Qukës-Qafë-Thanë dhe Korçë-Ersekë, ku zgjidhjet inxhinierike do të shtrijnë efektet negative në dekada.

 

Burimi: Https://Www.Tolls.Eu/; Të dhëna kombëtare të vendeve, përpunime të Monitor

 

Kostot e shumëfishta të rrugëve

Në datën 8 të këtij muaji, Shqipëria u rendit e 15-ta nga 163 vende të botës për çmimin e lartë të naftës në vlerë sipas të dhënave nga portali Global Petrol Price.

Më datën 8 korrik, çmimi i naftës u llogarit afërisht 1.81 euro. Shqipëria lë pas për çmimin e lartë të naftës vendet super të pasura të botë, të tilla si Hong-Kong, Monako, Holandë, Izrael, Singapor, Zvicër, Finlandë, Itali, teksa edhe Greqia renditet me çmim më të lartë.

E llogaritur me fuqinë blerëse, Shqipëria pa dyshim renditet e para për çmimin e lartë të naftës, pasi të ardhurat për frymë në vitin 2023 nuk ishin më shumë se 34% e mesatares së BE-së me të dhënat e Eurostat.

Vitin e kaluar, buxheti i shtetit ka arkëtuar nga taksa e qarkullimit që vilet te shitja e naftës rreth 19,5 miliardë lekë, ose 190 milionë euro, me rritje vjetore 7%.

Taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe naftën është 27 lekë për litër. Së paku deri vitin e kaluar, fondet e gjeneruara nga taksa e qarkullimit kanë qenë shumë më të larta se fondet e brendshme që akordon buxheti për rrugët.

Në vitin 2023, të ardhurat nga taksa e qarkullimit ishin 19,5 miliardë lekë, ndërsa financimi i brendshëm nga buxheti për programin e transportit rrugor ishte 15,2 miliardë lekë, sipas të dhënave nga buxheti 2023.

Taksa e qarkullimit ka për qëllim të grumbullojë të ardhura nga përdoruesit e transportit dhe taksa vilet gjatë blerjes së karburantit, për çdo litër të konsumuar dhe zakonisht ndihmon buxhetin të gjenerojë fonde, që më pas mund të rialokohen për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve.

Konsulentët e jashtëm kanë vënë në dukje se, Shqipëria mbledh një shumë të konsiderueshme taksash nga përdoruesit e rrugës, por nuk i kthen të gjitha tek rrugët.

Komisioni Europian, nëpërmjet programit IPA ka dhënë konsulencë teknike për planin e mirëmbajtjes së rrugëve që po zbaton qeveria, konstaton se shpenzimet buxhetore për mirëmbajtjen e rrjetit rrugor kombëtar janë më të ulëta se pagesat e përdoruesve të mbledhura (taksat e akcizës së karburantit, taksat e karburantit të qarkullimit).

Por kostove të shtrenjta të naftës po u shtohen edhe tarifat e larta të pagesës në autostradat që po ofrohen me pagesë, të cilat janë gjithashtu në nivelet më të larta europiane.

Autostrada Thumanë – Kashar, e cila u hap për trafikun së fundmi, do të jetë një nga katër autostradat më të shtrenjta në Europë sa i përket tarifës, ndërsa e krahasuar me fuqinë blerëse, ajo është më e shtrenjta në Europë.

“Monitor” ka përpunuar tarifat për kilometër të rreth 59 akseve me pagesë në të gjithë Europën, me të dhëna të marra nga portali i tarifave të pagesave sipas shteteve https://www.tolls.eu/european-countries.

Këto të dhëna u verifikuan me tarifat zyrtare të secilit nga shtetet.

Në krahasim janë përfshirë vetëm autostradat me pagesë, një pjesë e të cilave kanë edhe tunele (duke përjashtuar tarifat për veprat e rralla inxhinierike të tilla si Kanali i La Manshit, tunelet dhe urat në Belgjikë dhe Holandë etj., pasi nuk janë të krahasueshme me rrugën Thumanë-Kashar).

Autostrada Thumanë – Kashar në Shqipëri është e gjatë 21 kilometra, me tarifë 2.1 euro pa TVSH ose 2.53 euro me TVSH, ose 0.12 euro për kilometër.

Me këtë çmim për kilometër, Thumanë – Kashar është e katërta më e shtrenjta në mesin e 59 autostradave me pagesë në Europë.

Autostrada “Cannock – Kingsbury” në Britaninë e Madhe renditet e para me 0.2 euro për kilometër. Aksi është 35 kilometër i gjatë dhe kushton 8.2 euro (7 paund).

Autostrada e dytë më e shtrenjtë në Europë është “Navan North – Kells” në Irlandë me 0.136 euro për kilometër. Aksi është 11 kilometër dhe kushton 1,5 euro.

Aksi i tretë më i shtrenjtë është gjithashtu në Irlandë “Springhill – Slieverue” me 0,125 euro për kilometër. Kjo autostradë është 16 kilometra dhe kushton 2 euro.

Të dhënat nga tarifat në autostradat me pagesë janë më të lartat në Britani, Francë dhe Itali, ndërsa më të lirat janë në Turqi, në Europën Lindore përgjithësisht në Rajonin e Ballkanit.

Për më tepër, vendet e Europës që kanë çmime të larta të rrugëve me pagesë kanë më shumë se një alternativë të lirë për lëvizjen e njerëzve.

PËSHTYMAT

Nga Agron Tufa

Sallë kinemaje. E mbushur plot. Nuk shfaqet film. Flet sekretari i Partisë. Në sfondin butaforik skuq parrulla: “T’I SHTYPIM KOKËN ARMIKUT TË KLASËS!”.
Për të mos dëgjuar zërin piskatës të sekretarit, ia ngul sytë Irenës, një gjimnaziste e klasës paralele. Nuk ngopem duke e parë. Nuk di sa kohë më ka frymëzuar fytyra e saj për vizatime me laps, për
të shkruar ndonjë varg apo thjesht, pë të ëndërruar me sy hapur. Ia kam ngulur sytë në distancë.
“Armiku fshihet midis nesh”; “Hedh vezët e gjarprit”; “Do t’i diskreditojmë publikisht”…
Befas dëgjoj emrin tim, por unë sytë i kam ngulë te Irena.
– Lirim, ti, bir reaksionari! Dil këtu!
Ndërkohë dy oficerë sigurimi më ngrenë pezull dhe e shoh veten në skenë.
– Ky bir reaksionari i ka të arratisur dhe babain dhe gjyshin, – thotë sekretari, duke më shenjuar me gisht.
Pastaj, me duar në bel, si ata që të bëjnë qepaze, më përvishet:
– Fol, thuaja të vërtetën masave! I dënon ti, babanë e gjyshin tënd? I mohon?
Nuk flas. Ai bën “Ëëëë?” dhe me dorën si hinkë në vesh afrohet drejt meje.
Salla ka heshtur kur unë, me sy të fiksuar pas fytyrës së Irenës, hap gojën e them:
– Epo… nuk jam kopil… Si t’i mohoj!?
Në sallë pështjellohet gjithçka.
– Dilni e pështyjeni armikun! Pështyjeni! Dëgjoni more? Ta pështyni të gjithë këtë surratqen!
I shoh si nguten. Si ngjiten. Si më pështyjnë. Para meje ka qëndruar Irena. Vështrimet tona ndeshen. Nëse më flet, kjo do të jetë hera e parë… në këto rrethana… Befas ajo ngrihet në majë të gishtave,
barazohet me nivelin e syve të mi dhe… më pështyn fort në fytyrë. Madje është e vetmja, që shoqëron pështymën e saj me një fjalë të artikuluar kumbueshëm në rrethin e përsosur të dhëmbëve të saj të dëbortë:
– Re-ak-sio-nar!

Pështymat e tjera s’më bëjnë më përshtypje.

Ekonomia e “plehrave”

Nga Monitor.al

Në lajmet e fundit nga ekonomia në rajon apo Europën Juglindore ato që na tërhoqën vëmendjen këtë javë janë:

Kompania Stellantis hodhi në treg makinën e saj elektrike Fiat Grande Panda në qytetin serb Kragujevac, ku ka investuar pothuajse 200 milionë euro (përfshirë një subvencion prej 48 milionë eurosh nga qeveria serbe), në një fabrikë që pritet të nisë prodhimin e plotë në tetor, duke punësuar 1000 njerëz; Grupi francez Saint-Gobain ka nisur me sukses fabrikën e dytë të prodhimit të kartonit të gipsit në Turda, Rumaninë Qendrore.

Linja e re, e cila përfaqëson një investim prej mbi 50 milionë eurosh, shtrihet në 14,000 m2 dhe përfshin pajisje të përparuara për bluarjen, kalcinimin, formimin e pllakave, tharjen dhe grumbullimin e kartonave të gipsit;

Kompania italiane Ariston ka nisur ndërtimin e një fabrike të re në Nish të Serbisë, me një investim të planifikuar prej 75 milionë eurosh për prodhimin e pajisjeve elektrike shtëpiake; Sparkasse Bank do të japë një kredi deri në 2 milion euro për kompaninë Makprogres DOO Vinica.

Makprogres është një kompani lokale në pronësi familjare me 640 të punësuar, që prodhon dhe shet produkte ushqimore nën markat Vincinni, Donia, Sun Valley, Fantasia dhe Natura, në më shumë se 60 vende në mbarë botën.

Në Shqipëri, lajmet më kryesore të ditëve të fundit janë dy:

E para një projektligj i ri për menaxhimin e mbetjeve, ku qeveria risjell në vëmendje importin e mbetjeve që i konsideron jo të rrezikshme, ndërsa në vend është hapur debati për një anije me skorje të rrezikshme që nuk po i merret vesh origjina dhe i gjithë procesi i mëpasshëm i transportit, pa folur për paqartësinë se çfarë do të ndodhë kur të kthehen në portin e Durrësit.

Lajmi tjetër lidhet me ngritjen e kampit të refugjatëve- bazuar në një marrëveshje me qeverinë italiane- në Shëngjin, i cili ndryshe nga projektet e tjera që zvarriten me muaj, ka ecur me shumë shpejtësi dhe do të jetë gati për të pritur mysafirët e parë që në shtator.

Kontrasti i lajmeve që prodhon Shqipëria dhe që nuk janë lajme propagande është i madh me lajmet ekonomike, që prodhojnë vendet e tjera.

Është po kaq i madh edhe kontrasti ndërmjet “detyrave” që pritet të kryejë një qeveri për të nxitur ekonominë e qëndrueshme, për të rritur mirëqenien e qytetarëve të saj dhe cilësinë e jetesës së tyre, me atë që po bën realisht.

Fokusi i saj kryesor për momentin duket në “përpunimin” e mbetjeve dhe të refugjatëve nga importi, në një kohë që vendi ka probleme të tjera shumë më madhore dhe emergjente.

Problemi i plehrave në fakt qëndron, por në një dimension krejt tjetër. Në kulmin e turizmit menaxhimi i tyre po lë shumë për të dëshiruar.

Në zonat bregdetare mbeturinat janë përhapur kudo, duke lënë një përshtypje negative tek turistët, që po ankohen si asnjëherë më parë në rrjetet sociale, duke i bërë reklamën më të keqe të mundshme Shqipërisë turistike.

Në Vlorë derdhen ujërat e zeza, teksa qeveria ia ka lënë punën bizneseve që të investojnë në ngritjen e përpunimit të impianteve të ujërave të zeza me një kosto deri në 100 mijë euro. Subjektet, edhe pse i paguajnë shtetit të gjitha taksat, po detyrohen që të bëjnë punën e qeverisë.

Kjo e fundit gjatë periudhës 2017-2023 ka paguar nga paratë e taksapaguesve rreth 13 miliardë lekë (130 milionë euro) për ngritjen e tre inceneratorëve, që sot praktikisht nuk ekzistojnë, jo më të bëhet fjalë të punojnë.

Kjo nuk e pengoi as Ministrinë e Financave të rrisë pagesat për koncesionet, ku një nga zwrat e shtuar ishte pikërisht inceneratori i Tiranws.

Edhe problemi i emigracionit qëndron, por në atë të ikjes së pandalshme të shtetasve shqiptarë, që ka arritur në përmasa të tilla që po ndikon gjithë treguesit ekonomikë nga tregu i punës, tek konsumi, për të mos folur pastaj për efektet afatgjata në produktivitetin e ekonomisë e skemës së pensioneve. Por këto probleme qeveria as që denjon t’i përmendë ndonjëherë, e jo më t’i pranojë.

Nuk po shohim që kjo qeveri të bëjë qoftë edhe përpjekje propagandistike për të ulur korrupsionin, që mbetet ndër më të lartët në Europë, sipas sondazheve të fundit, pavarësisht reformës për drejtësi, që më shumë u imponua nga institucionet ndërkombëtare.

Nuk ka as ndonjë lëvizje serioze për të zhbllokuar fondet e BE-së për bujqësinë apo për të hyrë në negociata me institucione të tjera ndërkombëtare që ofrojnë financim në bujqësi, gjë që kanë ndërprerë investime të rëndësishme (në ato raste kur janë dhënë pa mik), duke e bllokuar këtë sektor jetik në një moment kur konsumi po rritej për shkak të turizmit, duke i lënë hapësira të mëdha importeve.

Çfarë qëndrueshmërie ekonomike dhe cilësie jetese mund të premtohet me këto politika?! Në vend që Shqipëria të kishte hyrë në fazën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të investohej shumë për cilësinë e jetesës, qeveria po e kthen timonin në anën e kundërt.

Pse duhet të orientohet qeveria në këta sektorë të pranimit të mbetjeve e mbeturinave, ku përvoja botërore ka treguar se janë sektorët tipikë ku mafia i ka duart e gjata edhe në vende me institucione kontrolli e menaxhimi më të forta.

Ndërkohë që të gjithë jemi të vetëdijshëm për dobësinë e theksuar institucionale në vend, ku deri edhe trupa policore është akuzuar nga kreu i SPAK për kriminalizim.

Apo që të rrezikojmë të bëhemi si modeli meksikan me ishuj të lumtur resortesh, siç po reklamohet investimi në Ishullin e Sazanit, vetëm për pak turistë dhe jashtë kufijve të restorteve të sundojë varfëria, krimi dhe korrupsioni!

Ekonomia e “plehrave” nuk mund të jetë dega kryesore e ekonomisë shqiptare, për më tepër që qeveria shqiptare që e nxit këtë model nuk ka treguar ndonjë aftësi menaxhimi.

Ndërtuesit kërkojnë shfuqizimin e çmimeve të referencës në Kushtetuese

Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë ka dorëzuar një kërkesë padi në Gjykatën kushtetuese ku kërkon shfuqizimin e pjesshëm të vendimit të miratuar një vit më parë i cili përcaktonte çmimet e reja të referencës për shitblerjen e njësive të banimit në Tiranë.

Konkretisht, kërkesë padia ka si objekt shfuqizimin e vendimit nr. 457 datë 26.07.2023, “ Për metodologjinë për përcaktimin e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme “ndërtesa”, e bazës së taksës për kategori specifike, natyrën dhe prioritetin e informacionit dhe të dhënave për përcaktimin e bazës së taksës, si dhe të kritereve dhe rregullave për vlerësimin alternativ të detyrimit të taksës”, të ndryshuar””.

Në këtë vendim kërkohet shfuqizimi i pikës dhe të ankesit 2 ku thuhet se “Çmimi për metër katror sipërfaqe ndërtimore për ndërtimet e reja regjistruar sipas lejes së përdorimit në ASHK, pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, do të indeksohet me koeficientin 0.2 herë më i lartë se çmimi i sipërfaqes së apartamentit të banimit sipas listës së përcaktuar aneksin 1, për 5 vitet e para pas regjistrimit të lejes së përdorimit në ASHK”.

Si dhe në pjesën që ka emërtuar të përcaktojë në Aneksin 1, pika a.2) “ se çmimet mesatare referuese të shitblerjes së ndërtesave që përdoren për qëllime banimi për Bashkinë Tiranë, do të zbatohen për lejet e ndërtimit të dhëna pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi” si të papajtueshëm me Kushtetutën.

Në këtë pikë ndërtuesit kërkojnë që çmimet e reja të referencës të miratuara një vit më parë, të mos prekin ato leje ndërtimi që janë dhënë para hyrjes në fuqi të vendimit. Po ashtu kërkohet pezullimi i këtyre dy pikave deri në momentin e marrjes dhe hyrjes në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të zhvillojë seancën për këtë kërkesë padi më datën 13 shtator.

Sipas ndërtuesve, miratimi i çmimeve të reja të referencës në kryeqytet solli dhe një rritje direkte të çmimit të shitjes së pronave nga 200-300 euro për metër katror për shkak të kostove më të larta që duhej të paguanin ndërtuesit, siç është taksa e ndikimit në infrastrukturë.

Scan TV

Shefi i CIA-s amerikane në Kosovë e Bosnjë, Andoni: Vizita shqetësuese, ka mesazh të fortë. Ngjarje të mëdha mund të na presin

Analisti Ben Andoni ka komentuar vizitën e shefit të CIA-s në Kosovë dhe në Bosnjë Herzegovinë.

Andoni shprehet se vizita është shqetësuese dhe ka mesazh të fortë. Sipas tij, pas kësaj vizite, ngjarje të mëdha mund të na presin.

“Shefi i CIA-s ka takuar në Bosnjë zyrtarë, që janë non grata nga SHBA. Kjo vizitë është shqetësuese. Kjo tregon se CIA ka informacione se mund të ketë zhvillime që mund ta kërcënojnë Ballkanin. Dodik menjëherë u shmang nga deklarata që ka thënë se Republika Sërpska do të duhet të jetë e pavarur. Shefi i CIA-s iu ka treguar vijat e kuqe zyrtarëve në Ballkan. Më e kërcënuar është Bosnja. Mesazhet e zyrtarit amerikan ishin të drejtpërdrejtë.

Qëndrimi i Kurtit përballë një autoriteti si zoti Burns thuajse është e papërfillshme. Duhet të shqetësohemi, sepse kur shefi i CIA-s shkon diku, në atë vend mund të ndodhin ngjarje. SHBA e ka thënë se hapja e urës është e tepërt, sepse ngjarje të mëdha të tjera pritet që të ndodhin. Serbët kanë shpallur doktrinën e botës serbe. Ata po përgatiten që të krijojnë shqetësime, por SHBA e ka neutralizuar Serbinë. Një, që mos hapë vatra në Ballkan dhe dy, Rusinë e ka dobësuar, duke mos e lejuar shumë të ndërhyjë fort në Serbi. Vizita e Burns tregon se ai ka mesazh të fortë”, deklaroi Andoni.

Mitropolit Ignati dhe Berati

NGA LEKE TASI

Para një muaji, më 20 kor rik, Kisha Orthodokse humbi Mitropolitin e saj në krye të Dioqezës së Beratit Imzot Ignatin, një jerark i denjë për këtë seli të shenjtë në mijëvjeçarë. Kleriku i ndjerë, i ardhur 24 vjet të shkuara nga Thiva vendlindja e tij Arvanite për t’u fronësuar në 18 korrik 1998 si Mitropolit i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, përfaqësoi përmjet gjuhës qysh ditën e parë një ringjallje të lidhjeve ndërarbnore që koincidonte me rivendosjen e lirisë fetare dhe sistemit demokratik në Shqipëri. Fakti që kjo ndodhte në Berat, një qytet historik e i rëndësishëm për hapësirën e krishtere, mbushte me shpresë popullin e Beratit e më gjerë, si një simbolikë që ndillte kohë të mbara në vazhdën e saj të lashtë. Imzot Ignati e mishëroi këtë ogur paqeje si askush.

Me natyrën e tij prej prindi të dashur, ai e kreu detyrën baritore me një përkushtim të madh, jo vetëm në liturgjitë e shërbesat e tjera në kishë, martesa pagëzime etj., por edhe në komunikim personal me secilin nga pjesëtarët e grigjës së tij, që merrnin mesazhin shpëtimtar nëpërmjet rrëfim-kungimeve në mënyrë të frytshme gjatë 24 viteve. Nuk të çudit pra që humbja e tij të jetë përjetuar me dhimbje dhe në intervistat e këtyre dishepujve të predikimit të tij të shihje fytyra të përlotura.

Janë hollësi që të bëjnë të mendosh se prania e tij në qytet për çerek shekulli nuk do të harrohet lehtë. Vjen pyetja: Çfarë është e rëndësishme në shoqërinë tonë dhe në ditët tona? Sot që nga çdo drejtim qarkullojnë idera e shqetësime të vërteta po shumë më tepër të dyshimta, me nxitje për skepticizëm, mosbesim, për shqerëzim, sot që lufta vazhdon diku larg, por që kërcënon të vijë afër? Sot që vështirë të gjesh mes grupeve politike një bazë për marrëveshje që të mos rrezikohet nesër.

A meriton të quhet i denjë për vëmendje në media një njeri që ia përkushton jetën grigjës së tij në kryeqendrën e fisit të tij prej nga u nisën stërgjyshërit e tij dhe e gjen lidhjen me të te shqipja, gjuhë e pazbehur në shekuj? A nuk vlen ky fakt aq sa të mënjanojë objeksione e harresa shumë më të vonshme? A nuk vlejnë emërtesa të tilla të dioqezave si.. i Beratit Vlorës e Kaninës, e të tjera mesjetare i Amantias, i Bylis, për të na afruar ndjeshmërisht me kohërat, kur Berati dhe jo vetëm, i rezistonte vdirjes, e cila përfshiu pjesë të mëdha të territorit, që ashtu, bashkë me muret me gurë e tulla të rreshtuara në mënyrë dekorative, sot krenari e turizmit tonë, të mbante me rrezik koke edhe pergamena e kodikë, për të demonstruar që ajo kala regjistroi edhe një tjetër trimëri, të heshtur, tërësisht të çarmatosur, në ruajtjen e tyre.

Një qytet e një kala, që megjithëse ka pësuar disfatën më të madhe gjatë luftës me osmanët, ka mbajtur në gji burra (Epitropinë e Shën Mërisë), që i druheshin aktit të gënjeshtrës më shumë se edhe rrezikut dhe i luteshin së bashku Hyjlinëses që t’ua lejonte atë mëkat ndaj nazistëve, për t’i shpëtuar kodikët, që fundja janë pasuri lëndore. Ku e ku pra me ne të sotmit që krenohemi për to thjesht për nam! Duhen vënë në vend gjërat pra edhe në opinionin publik. Nuk mund t’i bësh reklamë një pjese të historisë dhe të heshtësh pjesën tjetër…/Gazeta Panorama

Shoqëria ka nevojë për një pasqyrë ku të shoh vetveten!

Nga Namir Lapardhaja

Nuk është thjesht varfëria, prapambetja, të qenët popull i vogël që e vendos një popull nën sundimin e një tiranie apo oligarkie. Por është mungesa dhe dobësia e vullnetit. Është ajo që thoshte Hegeli se “dikush që është skllav qëndron në vullnetin e tij, ashtu si qëndron në vullnetin e një populli kur ai vihet nën zgjedhë”.
Më tej ai thoshte se “nuk është padrejtësi e atyre që skllavërojnë, por i vetë të skllavëruarit të vënë nën zgjedhë”.
Problemi ynë si shoqëri është ky skllavërim i vullneteve përpara skallavërimit të atyre që kemi mbi krye. Ndërgjegjet tona janë skllavëruar, mbi të gjitha, në mënyrën se si e konceptojmë vetveten thjesht si gjallesa frymore, pa të drejta përtej bukës së gojës. E drejta jonë më e madhe është ajo e të ushqyerit. Nëse në mbrëmje kemi siguruar kafshatën, atëherë jemi në rregull. Këta popuj janë të pavullnetshëm. Që nuk kanë aftësinë e të kërkuarit më shumë nga vetja dhe nga pushtetarët e tyre. Një popull që të kërkojë të drejtën, para së gjithash, duhet të jetë vetë i drejtë. Nëse do të kërkojë ndershmërinë, nuk duhet të jetë i pandershëm. Që të kërkojë punën dhe dinjitetin, duhet të jetë punëtor dhe me dinjitet. Që të kërkojë demokracinë, më së pari, duhet të mendojë në mënyrë demokratike. Që të kërkojë shtetin ligjor, duhet ta respektojë vetë ligjin i pari. Jemi mes paradoksit të asaj që DUHET bërë dhe asaj që një pjesë e njerëzve kanë dëshirë të bëhet.
Ndaj, politika në këto vitet e tranzicionit shqiptar nuk ka bërë gjë tjetër vetëm se ka ditur të përdor në mënyrë të shkëlqyer veset dhe dobësitë e një pjese të zgjedhësve. Ndaj sot ajo që DUHET më shumë është krijimi i një MODELI tek i cili duhet të besojmë dhe të “justifikohemi” përballë shoqërisë. Modeli i të mirit dhe i të ndershmit, modeli i atyre që nuk do vjedhin, por do shërbejnë. Modeli i atyre që dinë të thonë JO kur duhet, ashtu siç dinë të thonë PO kur është e nevojshme. Duhet të fillojmë të mendojmë se PUSHTETI është në funksion të ndërtimit të SHTETIT dhe jo e kundërta. Duhet të heqim dorë nga sakrifica e shtetit për pushtetin. Duhet të edukojmë nëpërmjet modelit të së mirës. Që shoqëria të ketë një PASQYRË për të parë vetveten. Pastaj i ngelet asaj të skuqet ose të nxihet.