28.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Gusht, 2025

“Ndarja në politikë nga e shkuara, meritë e Lulzim Bashës”/ Karabina: PD Euroatlantike, alternativë e besueshme për shqiptarët

Zëdhënësja e PD – Demokratët Euroatlantikë, Mirela Karabina, ishte ftuar në Top News në “Breaking” me gazetarin Xhoi Malsinë.

Gjatë intervistës së saj Karabina u shpreh se “askush nuk guxoi të bënte ndarjen nga e shkuara, ndarjen nga kjo klasë e korruptuar dhe e inkriminuar, dhe ky terren politik sot është vetëm në sajë të Lulzim Bashës që bëri hapin e madh, por me kosto politike, pasi është politikani që sulmohet dhe pengohet kaq shumë, ndaj i takon atij ta çojë deri në fund misionin e tij për PD Demokratët Euroatlantikë si alternativën e besueshme për shqiptarët”.

Më tej ajo u ndal edhe në programin, duke u shprehur se është një program ambicioz dhe që i jep përgjigje shumë shqetësimeve të shqiptarëve sot.

“Programi i Demokratëve Euroatlantikë është ambicioz që adreson problemet e pronës, shëndetësisë, arsimit, sigurisë e drejtësisë në shërbim të qytetarëve do të fusë vendin në shina të normalitetit.” – tha Karabina.

Zëdhënësja e Demokratëve Euroatlantikë ka folur edhe për çështjen e gjyqit të PD në Gjykatën e Lartë, duke u shprehur se çështja ka një rëndësi të madhe, ndaj edhe kjo gjykatë duket se është vënë në lëvizje shumë shpejt.

“Vendimi i 11 qershorit i Gjykatës së Apelit, ishte një vendim skandaloz, i padrejtë dhe dëshmoi qartë se si mazhoranca dhe rithemelimi duan të ruajnë status quonë për t’i bërë barrikadë SPAK. Rekursi dëshmoi qasjen institucionale të Demokratëve Euroatlantikë dhe Z. Basha për të vënë drejtësinë në vend dhe për t’i kthyer legjitimitetit forcës së parë opozitare properëndimore të dalë me 1990-ës. Ecuria me shpejtësi të procesit të legjitimitetit në Gjykatën e Lartë tregon rëndësinë që ka kjo forcë politike për të ardhmen europiane të vendit.” – përfundoi Karabina.

“I pajetueshëm”: A ka arritur Greqia pikën kulmore të turizmit?

Nga Eleni Stamatoukou dhe Seth Marvin Andersen

Marianna Kalpatsoglou jetonte në hijen e Akropolit, derisa turistët e detyruan të largohej që aty.

“Për shkak të autobusëve turistikë dhe bizneseve të makinave me qira, nuk mund të parkonim në zonën e Akropolit”, tha për BIRN mësuesja 44-vjeçare e Athinës. Tetëmbëdhjetë muaj më parë, ajo u zhvendos në lagjen Koukaki të kryeqytetit grek, por edhe kjo nuk mund të konsiderohej një arratisje.

Turizmi i madh “është gjithashtu një problem i madh në Koukaki,” tha ajo, “jo aq tragjik sa në zonën e Akropolit, ku nuk mund të ecësh më dot as si këmbësorë”.

Me më shumë se 30 milionë vizitorë të huaj vitin e kaluar, Greqia mbështetet në turizëm për rreth 11.5 për qind të prodhimit të saj kombëtar.

Nga një popullsi greke prej rreth 10 milionë banorësh, deri në një e pesta e siguron jetesën e tyre nga turizmi. Për shumë prej atyre që nuk mbahen nga turizmi, megjithatë, ai është kthyer në një mallkim, duke prishur jetën e tyre të përditshme në një shkallë që disa thonë se tani është e papranueshme.

Infrastruktura nuk po e përballon dot më fluksin vjetor të vizitorëve, duke filluar nga rrugët te grumbullimi i plehrave dhe burimet ujore, duke bërë që disa grekë t’u bashkohen banorëve të pakënaqur të Venecias, Barcelonës, St. Tropezit, Dubrovnikut dhe gjetkë, duke vënë në dyshim qëndrueshmërinë e turizmit masiv në shekullin e 21-të.

“Ka bllokim trafiku dhe mungesë infrastrukture si parkingje, rrjete të papërshtatshme uji dhe kanalizimesh… shterim të burimeve natyrore, menaxhimi i mbetjeve dhe ndotje të madhe mjedisore”, tha profesoresha Katerina Kikilia, drejtuese e Departamentit të Menaxhimit të Turizmit në Universitetin e Atikës Perëndimore. “E gjithë kjo ka pasoja të pa tolerueshme për popullatën vendase.”

Athina: Bllokim trafiku dhe kosha mbeturinash të tejmbushur

Autobus turistik, Athinë, Greqi, korrik 2024. Foto: BIRN

Kalpatsoglou shkonte me makinë për në punë, derisa e gjeti veten duke i rënë rrotull gjatë për të gjetur një vend parkimi gjatë kthimit të saj në shtëpi pasdite. Ajo filloi të përdorte biçikletën.

Arsyeja është e qartë. Në njërin skaj të rrugës së këmbësorëve Dionysiou Areopagitou, ngjitur me shpatin jugor të Akropolit, autobusët turistikë parkojnë për të zbritur pasagjerët e transportuar nga anijet turistike të ankoruara në Pire.

“Autobusët fillimisht kalojnë qytetin e Pireut në orën e pikut… dhe përpiqen të ndalojnë sa më afër vendeve arkeologjike”, tha Nikos Belavilas, profesor i planifikimit urban në Universitetin Teknik Kombëtar të Athinës, duke krijuar atë që ai e quajti në mënyrë eufemitike një “barrierë teknike”.

Verën e kaluar, 1.5 milionë turistë mbërritën në Athinë me anije turistike, mbi 7.1 milionë me avion. Kryeqyteti dhe zona përreth tij kanë një popullsi prej pak më shumë se tre milionë banorësh, nga të cilët rreth 700,000 jetojnë në vetë Bashkinë e Athinës.

Në përpjekje për të trajtuar problemin e autobusëve turistikë, në qershor bashkia arriti një marrëveshje për të marrë me qira për pesë muaj parkingun e stadiumit Olimpik Tae Këon Do pranë plazhit. Por Belavilas tha se kjo mund të ishte vetëm një zgjidhje afatshkurtër.

“Sot zona e Kalliroisit është e bllokuar”, tha ai, duke iu referuar rrugës që automjetet ndjekin për t’iu afruar Akropolit. “Në të ardhmen, nëse autobusët parkojnë në stadiumin Tae Këon Do, ata do të bllokojnë kryqëzimet e shëtitores Syngrou”, tha ai. Kjo do të krijonte një problem tjetër, “pasi ndotja e ajrit që gjenerohet nga qindra autobusë që qarkullojnë në të njëjtën kohë është e madhe”.

Përveç kaosit të trafikut, edhe menaxhimi i mbetjeve po bëhet i papërballueshëm në fluksin e verës.

Tridhjetë e tre vjeçarja Arianna tha se nuk ka ku t’i hedhë mbeturinat e saj në lagjen Psyri ku ajo jeton. Shërbimet e mbeturinave në zonë nuk kanë arritur ta përballojnë dot fluksin e madh të hoteleve, restoranteve dhe bareve që janë hapur në vitet e fundit.

“Nuk ka mjaftueshëm kosha plehrash në Psyri”, tha Arianna për BIRN. “Unë i mbledh plehrat e mia në thasë të mëdhenj dhe i marr në skuter një herë në disa ditë. Kjo nuk është normale sepse mbeturinat kundërmojnë nga vapa.”

Në një intervistë me BIRN, kryebashkiaku i Athinës, Haris Doukas – një profesor 44-vjeçar i politikës energjetike, i cili fitoi postin e kryebashkiakut në fund të vitit të kaluar me mbështetjen e partisë së majtë opozitare PASOK – premtoi se do të shtonte qindra kosha mbeturinash dhe tha se rrugët tashmë po pastroheshin më rregullisht.

Por ai e pranoi shkallën e problemit.

“Athina ka shërbime dhe burime që korrespondojnë me nevojat e pastërtisë së 700,000 qytetarëve, që është popullsia e saj rezidente”, tha ai. “Megjithatë, në realitet, Athina duhet të përmbushë kërkesat e krijuara nga shtatë milionë vizitorët e saj. Kjo nuk është diçka e thjeshtë.”

Santorini: “I pajetueshëm”

Santorini, Greqi. Foto: iSAW Company/Unsplash

Santorini, zyrtarisht Thira, ishulli më jugor i grupit të ishujve Cyclades, ka një popullsi prej rreth 15,000 banorësh. Në vitin 2023, airegjistroi 3.4 milionë turistë dhe në disa ditë të këtij viti më shumë se 10,000 u sollën në brigjet e tij me anije turistike.

Duke paralajmëruar një “një tjetër ditë të vështirë” për ishullin, në korrik një këshilltar bashkiak i quajtur Panos Kavallaris lëshoi ​​një thirrje përmes Facebook-ut që të gjithë “të reduktonim lëvizjet tona” duke pasur parasysh numrin e turistëve që kishin mbërritur. Ai më vonë e fshiu postimin pasi kryebashkiaku vendas kundërshtoi shifrën e tij prej 17,000 turistësh dhe përdoruesit e Facebook-ut e akuzuan atë për përhapje paniku.

Kryetari i bashkisë, Nikos Zorzos, i tha BIRN se ishulli “përballet me sfidat me të cilat përballet çdo destinacion popullor”.

“Dimensionet e vendit janë fikse dhe nuk mund të ndryshohen”, tha ai. “Me këto shifra vizitorësh, është e natyrshme të përjetosh presione në lidhje me shërbimet dhe menaxhimin.”

Ioannis Spilanis, profesor në Departamentin e Mjedisit të Universitetit të Egjeut dhe drejtor i Observatorit të Turizmit të Qëndrueshëm të Egjeut, e shpreh më troç:

“Situata në Santorini është e vështirë, për të mos thënë e pajetueshme”, tha ai për BIRN, duke thënë se ishulli i ngjante “një qyteti me probleme të rënda trafiku”.

Nga viti i ardhshëm, qeveria greke ka thënë se do të kufizojë numrin e turistëve që mbërrijnë me anije në Santorini në 8,000 në ditë dhe po shqyrton rritjen e taksës që çdo vizitor duhet të paguajë nga dy euro në 10 euro.

Për teleferikun do të nxirren bileta elektronike për të shmangur radhët e gjata dhe turistëve do t’u ofrohen ekskursione direkte në pjesët më pak të frekuentuara të ishullit.

“Këto janë masat e menjëhershme që varen kryesisht nga Autoriteti Bashkiak”, tha për BIRN Zorzos, kryebashkiaku. “Në bashkëpunim me qeverinë qendrore, ne po kërkojmë ndalimin e licencave të reja të shtretërve turistikë dhe avancimin e shpejtë të projekteve në lidhje me marinën e re turistike dhe portin e ri të Santorinit.”

Megjithatë, për Antonis Pagonis, kreun e Shoqatës së Hotelierëve të Santorinit, mbiturizmi është një mit. Çështja është se si menaxhohet turizmi, tha ai.

“Së pari, nuk ka mbiturizëm në Santorini apo ndonjë ishull tjetër grek, sepse turistët e vizitojnë vetëm për gjashtë muaj”, tha Pagonis. “Së dyti, mbiturizmi nuk është problem. Problemi është mungesa e organizimit dhe gabimet e qeverisë: nuk ka porte të duhura, rrugë, sisteme uji, energji elektrike – në shumë ishuj, jo vetëm në Santorini.”

Autoritetet bashkiake kanë kërkuar gjithashtu prej kohësh infrastrukturë më të mirë, megjithëse kryetari i bashkisë, Zorzos, paralajmëroi kundër mbingarkesës së ishullit “me beton dhe çelik”. Infrastruktura, tha ai për BIRN, “duhet të integrohet në veçantinë e peizazhit, të respektojë mjedisin dhe, natyrisht, duhet të jetë në përpjesëtim me madhësinë e ishullit”.

Sifnos: Mungesa e ujit shkakton emergjencë civile

Sifnos, Greqi. Foto: Yannis Mathioudakis/Unsplash

Në një tjetër nga ishujt e grupit të ishujve Cyclades, Sifnos, autoritetet shtetërore shpallën një emergjencë njëmujore mbrojtjeje civile në qershor për shkak të mungesës së ujit.

Sipas Sustainable Cyclades, një projekt mediatik i dedikuar trajtimit të presioneve të mbiturizmit dhe investimeve në ishuj, konsumi i ujit në Sifnos u dyfishua në qershor krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Kritikët fajësojnë rritjen e kërkesave që vijnë nga vilat e sapondërtuara, pishinat dhe kopshtet e mëdha që duhet të ujiten rregullisht. Për shkak të klimës së thatë, furnizimet me ujë të ishujve janë gjithsesi shumë të kufizuara, por shterohen shpejt kur vjen sezoni turistik.

“Konsumimi i ujit për turist në ditë mund të kalojë 250-300 litra”, tha Demetris Zarris, një inxhinier civil dhe konsulent për menaxhimin e burimeve ujore. Kjo krahasohet me 170 litra për banor të përhershëm.

Autoritetet lokale thonë se po bëjnë gjithçka që munden për të ruajtur furnizimin me ujë.

“Si Bashki, ne ndërmarrim çdo veprim të mundshëm në kohë, për të informuar publikun dhe për të garantuar rezervat ujore”, tha për BIRN nënkryetari i bashkisë Ioannis Rafeletos. “Veprimet tona janë në drejtimin e duhur dhe problemet më të rënda janë shmangur.”

Problemet e ujit, megjithatë, janë të thella, paralajmëroi Zarris.

“Presioni mbi burimet ujore, veçanërisht në akuiferët e ujërave nëntokësore, me shpimin dhe pompimin e puseve, ka çuar në degradim serioz dhe të pakthyeshëm (në disa raste), kryesisht nëpërmjet kripëzimit dhe përfundimisht shkatërrimit të puseve”, tha ai në një përgjigje me shkrim në anglisht.

Ekspertët paralajmërojnë se mungesa e ujit do të përkeqësohet vetëm për shkak të ndryshimeve klimatike.

“Mbipompimi i ujit dhe pakësimi i reshjeve i ka rritur jashtëzakonisht problemet”, theksoi Spilanis nga Universiteti i Egjeut.

“Ne duhet të ndryshojmë gjithçka”, tha ai. “Nuk është e lehtë sepse ka forca që e pengojnë këtë. E shohim në nivel global… Ne si qytetarë duhet gjithashtu të përpiqemi dhe të shkojmë drejt diçkaje shumë më të qëndrueshme. Edhe bizneset duhet të detyrohen të përshtaten.”/ BIRN

Sokol Cikalleshi surprizon me të ardhmen, sulmuesi shqiptar firmos me skuadrën e…

34-vjeçari ka firmosur me skuadrën e Traktorit, që militon në elitë dhe ka fituar 2 herë Kupën. Kjo skuadër drejtohet nga trajneri kroat Dragan Skoçiç, ndërkohë që vlera e lojtarëve në Transfermarkt shkon 14.25 milionë euro.

Në të kaluarën me skuadrën e Traktorit është aktivizuar edhe mbrojtësi Ditmar Bicaj. Bëhet fjalë për sezonin 2014-2015.

Kjo do të jetë eksperienca e parë e Cikalleshit në kampionatin iranian teksa më herët është aktivizuar në Shqipëri, Kroaci, Korenë e Jugut dhe Arabinë Saudite.

Zgjedhjet në SHBA, Robert F. Kennedy Jr tërhiqet nga gara presidenciale! Ja cilin kandidat mbështet

Robert F. Kennedy Jr është tërhequr nga gara si kandidat i pavarur për president në SHBA.

Lajmi është bërë me dije përpara takimit elektoral në Arizona, ku zëdhënësit e tij kanë bërë me dije se Robert F. Kennedy Jr është tërhequr dhe se tashmë do të mbështes Donald Trump për president.

Sipas AP, ai ka depozituar një dosje në gjykatë në Pensilvani ku kërkoi që të hiqej nga fleta e votimit atje. Dhe të enjten, zyrtarët e Arizonës thanë se Kennedy dorëzoi dokumentet për të hequr veten nga votimi presidencial në këtë shtet.

Kennedy do të mbajë një fjalim të premten pasdite në Feniks mbi të ardhmen e fushatës së tij, ku pritet edhe të njoftoj edhe një herë tërheqjen e tij.

Disa orë më pas, Trump do të mbajë një tubim zgjedhor, në qytetin Glendale. Ai ka paralajmëruar pjesëmarrjen e një “të ftuari të veçantë” në këtë tubim, që mesa duket do të jetë Robert F. Kennedy Jr.

Kohët e fundit, të dy kandidatët kanë shtuar lëvdatat për njëri tjetrin, ndërsa këshilltarë respektivë kanë zhvilluar biseda private.

Kennedy është nipi i ish-presidentit amerikan John F Kennedy, i cili u vra në Dallas në vitin 1963. Ai është gjithashtu djali i ish-prokurorit të përgjithshëm amerikan Robert F Kennedy, vëllai i JFK-së, i cili më vonë nisi ofertën e tij presidenciale. Ai u vra në vitin 1968. RFK Jr ishte 14 vjeç kur babai i tij u vra.

Pavarësisht historisë së familjes së tij me Partinë Demokratike, RFK Jr kandidon si i pavarur.

“Ekzekutimet bëheshin te lumi”- Kujtimet e përkthyesit të famshëm: Më çuan te një personazh i kobshëm, anëtar i një tresheje vrasësh djallëzorë!

Jusuf Vrioni: “Fakti që përktheja Kadarenë, më vinte në një pozitë delikate, sepse ai s’shihej me sy të mirë, nga disa struktura të pushtetit”-

Plot 108 vite më parë, më 16 mars të vitit 1916, lindi një prej personaliteteve më të spikatur të kulturës shqiptare, Jusuf Vrioni. Tradita shqiptare e përkthimit, ruan në kujtesën e vet emrat dhe veprën e shumë zelleve pasionante dhe vetmohuese, që me hirin e tyre të ngadhnjyesit ndërtuan ura komunikimi, duke e bërë të përbotshme shpirtin dhe kumtin estetik shqiptar. Jusuf Vrioni është një prej atyre yjeve që shndriti në qiellin e këtij mrekullimi. Sot në këtë kremte, i detyrohemi përunjësisht një kujtesë njeriut të përkorë, intelektualit të përmasave botërore, përkthyesit që mësoi të flasin frëngjisht, kryeveprën e shkrimtarit të madh, Ismail Kadare.

Ai ishte dhe mbeti një shembull i pashoq i njeriut të mirë, modest dhe zemërbardhë. Megjithëse kjo nuk do ta shpëtonte nga thonjtë e përbindshëm të diktaturës. Gjithqysh ai mbeti i tillë, i tillë edhe kur bisha e horrorit nuk e ndali ferrin dhe nuk i’a kurseu flakët e tmerrit, kësaj krijese të pafaj dhe paqësore.

Në librin “Kujtimet e një evropiani”, përgatitur nga studiuesi francez Eric Fay, ecën hap pas hapi “Golgota” e atij njeriu që u “kryqëzua” dhe u “ringjall”, për të ardhur dhe riardhur pareshtur në kujtesën e gjeneratave, si një dëshmi e frikshme, si një e vërtetë ngjethëse, që ka përshkuar kalvarin e një “Krishti” të hyjshëm. Vetëdija shqiptare ka nevojë të gjej aftësi përtëritëse, në këtë shfletim të faqeve të ferrit komunist dhe të kuptojë më mirë regjimin, por mbi të gjitha njeriun e pafajshëm, që mundi të sfidonte me qëndresën e tij titane. Dhe shembulli i Jusuf Vrionit, është një emblemë e këtij kushtimi.

Rrëfimi ngjethës i Jusuf Vrionit

Më kujtohet ajo ditë si një plagë, bërë me sëpatë moshës sime tridhjetë e dyvjeçare. Ishte e shtunë, 13 shtator 1947, një ditë para një ndeshjeje futbolli midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, për të cilën kisha një biletë. E prisja me padurim këtë takim të Lojërave Ballkanike, por gjithashtu edhe me frikë, sepse para dy vjetësh, në Beograd, para syve të mi, Shqipëria ishte rrahur 11 me 2. Por, në radhë të parë, prisja një vajzë me të cilën do të kaloja mbrëmjen. Sahati i qytetit shënonte pothuajse orën njëzet. Pas një pranvere dhe një vere gjithë arrestime në rritje, Tirana po priste me ankth dhe fatalizëm dimrin.

Pasi kisha mbërritur më herët, po bëja ecejake në vendin e takimit tonë, aty ku 20 vjet më vonë, do të ngrihej statuja me kalë e Heroit Kombëtar shqiptar, Skënderbeut. Po binte nata dhe në gjysmerrësirë shquhej silueta e bardhë e minares së xhamisë. Papritmas, behën mbrapa meje katër veta, të cilët m’u drejtuan me ashpërsi: “Ti je Jusuf Vrioni? Do vish me ne! Kemi ca pyetje për të bërë”. I tronditur nga toni i tyre, si dhe nga formulat që përdorën dhe që tashmë ishin bërë të njohura për shumëkush në Shqipëri, e kuptova menjëherë dhe u zbeha. Ishte koha kur zhvillohej “procesi i deputetëve”, i cili do të përfundonte, ashtu siç do ta mësoja më vonë, me 18 dënime me vdekje.

E kisha ndjekur këtë farsë makabër nga zyra ime (në atë kohë isha përkthyes tek ‘Bashkimi i Grave Shqiptare’), prej nga e dëgjoja ritransmetimin e procesit nëpërmjet altoparlantëve të vendosur në shesh. Mjaft nga miqtë e mi, ndër ta edhe kushëriri im Aziz, ishin futur në burg, me arrestimet masive gjatë muajit maj dhe nuk kishim asnjë lajm prej tyre. Shpejt mendova se mikesha ime, do të më priste gjatë, shumë gjatë, në qoftë se donte të më takonte përsëri, si dhe se gjithçka po përmbysej në jetën time. Eca pas atyre njerëzve, duke menduar për nënën time, të cilën e kisha lënë vetëm në dhomën ku jetonim. Duhej të ishe tepër naiv, që të pandehje se mund të shkoje në ambientet e Sigurimit, për një hetim të thjeshtë, pastaj të liheshe i lirë!

Mbërritëm tek Seksioni i Brendshëm, vend famëkeq i Tiranës për qelitë dhe bodrumet e tij, paradhoma të vdekjes, ku të pyesnin, të provokonin e të torturonin. Të gjithë e dinin se ishte një vend i llahtarshëm. Megjithatë, mua më pritën me një ton, njëkohësisht qesëndisës dhe tinëzisht të përzemërt: “Hë more Jusuf, ç’kemi ndonjë gjë të re? Ç’thonë anglezët? Po amerikanët”? Këto pyetje që mu bënë aty për aty, me një ton gjase gazmor, nënkuptonin marrëdhëniet e mia, ndeshjet e tenisit me punonjësit e misioneve të huaja. Ishin fjalë me rëndësi kapitale: nëpërmjet tyre merrej me mend se në ç’drejtim do të vazhdonin hetimet, në atë të spiunazhit për llogari të një fuqie ideologjikisht armike…!

Më çuan tek një personazh i kobshëm, Skënder Kosova, anëtar i një tresheje djallëzore, që mbillte terror në Tiranë, ku bënte arrestime masive natën. S’kishte njeri në atë kohë, që të mos kishte frikë, po të dëgjonte “Xhip”-in e këtyre ‘djajve të vdekjes’, tek ndalonte para derës së shtëpisë, në mes të natës! Të tre këta vrasës, bënin nga një kontroll të shpejtë dhe kafshëror të banesës dhe, në përfundim të tij, merrnin me vete një apo disa fatkeq. Këta çoheshin në vende të ndryshme të qytetit, nganjëherë drejt e në burg, nganjëherë në një nga ndërtesat e Seksionit të Brendshëm, ku punonte ajo që nuk quhej ende në atë kohë; Sigurimi, por Garda e Popullit.

M’i hoqën gjithçka kisha në xhepa, pastaj më çuan, duarlidhur mbrapa shpine, në krye të një shkalle të errët, e cila zbriste në një bodrum. Mesa dukej, kjo ishte përçapja e parë e presionit. Donin të më tregonin, se çfarë më priste. Dëgjova një pllaquritje që vinte nga poshtë shkallës. Pastaj më qartazi, një zhurmë zinxhirësh, të shoqëruar me rënkime. Dikush po lëngonte në një bodrum, pasi ishte torturuar gjatë e gjatë. Kush ishte? Ndofta ndonjë nga miqtë, që ishin arrestuar muajt e fundit? Më lanë rreth 2-3 orë aty, në krye të shkallëve. Po fillonte një fazë e re e jetës sime, ndërsa bodrumet, ishin preludi i saj…!

Në atë çast mu shfaq në kujtesë, si e copëtuar, e reflektuar nga një kaleidoskop i vetëtimtë, gjithë rinia ime. Sado mundohesha t’ia mbushja mendjen vetes, se në çdo rrethanë ngelet gjithmonë një shpresë, qoftë dhe e dobët, se s’ka asgjë të palëvizshme në histori, prapëseprapë, nuk më shqitej bindja, se regjimi shtypës në fuqi, do të qëndronte gjatë dhe se duhej të rezistoja, të gjeja forca, diku brenda vetvetes, për t’i përballuar sprovat, të cilat ende nuk i përfytyroja dot saktë. Mos vallë ishte fundi i gjithçkaje?! I pikëlluar, po vështroja shkallën e zbritjes sime në ferr. Nuk isha vallë unë, ai që vajtoja tashmë jetën në një qeli të lagësht?

Papritmas, nisën të më shfaqen portretet e njerëzve të mi: nëna, e cila ndofta nuk e dinte ende që më kishin arrestuar; babai, i vdekur prej kohësh; vëllai dhe motra, të cilët kishin mbetur në Perëndim, si dhe miqtë e tanishëm apo të mëparshëm, të lirë apo si mua, të futur në burg. Në kujtesën time pasonin njëra-tjetrën, pamje të vendeve ku kisha jetuar. Parisi, Roma, Londra apo Montrëja, si dhe fëmijëria ime. Pastaj Korfuzi, fëmijëria e fëmijërisë. Sa çaste të çmuara kisha parë të kalonin si yje që këputen, përpara se të arrija këtu?! Isha në pritje dhe stuhia po tërbohej në kokën time. Radha për t’u hetuar më erdhi shumë shpejt. Nisa me guxim të thosha gjithë siguri, se nuk dija asgjë. Më bombarduan me grushte, shuplaka, shkelma në pjesët e ndjeshme të trupit, mes sharjesh të ndyra. Pastaj, duke e rritur shkallën e vuajtjes, ma veshën me goditje të tmerrshme kopaçeje, më bënë goditje elektrike dhe, së fundi më bënë torturën e jelekut.

Pasi të lidhnin duart prapa shpine, të fusnin një shkop të gjatë midis krahëve dhe kurrizit, të shtrinin përtokë, ku ishe i pafuqishëm dhe plotësisht i ekspozuar, me këmbët përmbi dy anët e shkopit, të godisnin me kopaçe të trashë sa krahu, të shtypnin pjesët e ndjeshme, të kërkonin të flisje, duke të bërë pyetje konkrete. Kështu do të vazhdoja të torturohesha 6 ditë në javë, tetë muaj rresht, me një farë ndryshimi, në ashpërsinë e seancave. Edhe kur më kthenin në qeli, duart i kisha të lidhura mbrapa shpine. Duhej të flija kështu siç isha dhe, duke qenë se i kisha shpatullat e gjera dhe gjithë muskuj, kjo ishte një tjetër torturë më vete. Më zgjidhnin, vetëm kur haja bukë. Më e tmerrshmja ishte periudha 15-ditore dhe 15-netëshe, përjashtuar në mënyrë të pashpjegueshme, një të diel në mes, periudhë gjatë së cilës qëndroja varur nga duart, me 30, deri në 35 kile zinxhirë, rreth qafës. Mezi e arrija dyshemenë dhe isha i detyruar të mbështetesha, vetëm me majën e gishtërinjve të këmbëve. Gjithçka ishte llogaritur, sigurisht, që të mos mbështetesha me thembra. Më zgjidhnin vetëm 3-4 orë në ditë, 2-3 herë në ditë, për të shkuar në nevojtore; gjithë kohës tjetër, isha i varur natë e ditë, me atë peshë.

Mu bë një hetim i thelluar, por në fillim nuk m’i përmendën francezët. Pyetjet drejtoheshin rreth anglezëve, amerikanëve, rreth marrëdhënieve të mia me shefat e misioneve ushtarake në Tiranë, si dhe me oficerët e tjerë vartës. Më kërkuan me ngulm se; ç’informata u kisha dhënë atyre. Nganjëherë hetimi merrte një drejtim krejt tjetër. Përpiqeshin të nxirrnin prej meje, shpjegime rreth qëndrimit tim politik, kur u zhvilluan zgjedhjet e para, të ashtuquajtura “demokratike” të dhjetorit 1945, të më detyronin të tregoja kush ishte nxitësi, kush ishin anëtarët e tjerë të grupit tonë, si dhe cilat ishin temat e mbledhjeve tona. Unë mjaftohesha duke mohuar sistematikisht, duke pranuar një fakt të vetëm: qëllimi ynë i vetëm, ishte të krijonim një opozitë të ligjshme, ashti siç e parashikonte ligji zgjedhor.

Këtë e përsërisja pa bërë as më të voglin koment, për të mos implikuar askënd dhe mundohesha. Mirëpo, vallë a ia vlente një gjë e tillë, që të vërtetoja se një opozitë e tillë, nuk kishte asgjë të dënueshme nga na juridike? “Cili ishte rrethi yt shoqëror? Me kë shoqëroheshe? Çfarë thoshit me njëri-tjetrin? Në ç’datë je takuar me filanin”? Pyetjet më bombardonin në të njëjtën kohë me goditjet, mirëpo më habiti fakti, që nuk u përpoqën asnjëherë të nxirrnin prej meje ndonjë pohim, nëpërmjet premtimeve për një trajtim të mirë, praktikë mjaft e përhapur kjo, që mori më qafë shumë nga ata, që ranë në atë kurth.

Nga shtatori deri në nëntor, qëndrova në të njëjtën qeli bashkë me 4-5 të burgosur të tjerë. Pastaj u transferova në një tjetër, në ‘Burgun e Vjetër’, ku kisha vetëm një shok. Në qelinë fqinje, ndodhej shkrimtari i madh shqiptar, Mitrush Kuteli- me emrin e vërtetë Dhimitër Pasko, i cili më recitonte, duke pëshpëritur poshtë derës, poemën e tij të gjatë; “Kosova”…! Në shkurt të 1948-ës, nisi për mua periudha e izolimit të plotë, e cila do të zgjaste 27 muaj. Më çuan në ‘Burgun e Ri’ të Tiranës, në një birucë disi më të madhe, por aq e zymtë, saqë dukej si varr. Asgjë prej gjëje, asnjë shpirt njeriu, asnjë send; kishte vetëm një baxhë 15 me 15 cm., nëpërmjet së cilës kalonte një dritë e zbehtë, si dhe një tavan shumë i lartë, më shumë se katër metra nga dyshemeja.

Disa muaj me radhë e pata të pamundur, të merrja dhe njoftimin më të vogël nga jashtë. Më e keqja ishte se qelia ime, ndodhej pranë lumit dhe unë e dija që të gjitha ekzekutimet, bëheshin në brigjet e tij. Për më tepër, kisha kuptuar që në këto qeli, fusnin kryesisht të dënuarit që do të pushkatoheshin, një apo dy herë në javë, dëgjoja të përsëritej e njëjta skenë: gardianët ndaleshin para ndonjë dere, e hapnin, talleshin me të burgosurin, pastaj i thoshin: “Dhe tani hajde me ne! Do të të çojmë në dasmë”. Pas një gjysmë ore buçisnin, pa një pa dy, automatikët. Pastaj gardianët ktheheshin e shkëmbenin fjalë, si: “E pe si përpëlitej, para se të binte përtokë”?! Dasma kishte marrë fund, deri sa të vinte tjetra. Vdekja në këto mjedise të ‘Burgut të Ri’, ishte gjithmonë e pranishme. I burgosuri kishte vetëm një pyetje në mendje: “A do të shpëtonte apo jo kokën”?

…Pas 8 muajve të parë në hetuesi, më lanë disa javë të qetë. Pastaj filluan përsëri të më pyesnin, isha gjithmonë në ‘Burgun e Ri’, rreth një teme që më habiti shumë në fillim, sepse deri atëherë, nuk më kishin ngacmuar në këtë drejtim: marrëdhëniet e mija, me oficerët e misionit ushtarak francez në Tiranë. U befasova shumë, ngaqë regjimi nuk i kishte sulmuar asnjëherë qeverinë dhe shërbimet franceze; një Zot e di se Parisi kishte aq halle, saqë s’kishte nge të merrej me spiunazh në Shqipëri!

… Fjala spiunazh mbulonte në mendjen e tyre një fushë jashtëzakonisht të gjerë dhe… të pamat. Fakti i thjeshtë që unë kisha thënë më 1945-ën, se; Partia Komuniste drejtonte gjithçka, ndonëse ajo nuk ishte përmendur asnjëherë publikisht, çka ishte një sekret që e dinin të gjithë, u quajt krim i rëndë politik! Më vonë, gjatë procesit tim, dikush do të akuzohej se; “u kishte treguar” francezëve, çmimin e gjalpit në Shqipëri. Hetuesit gjykuan se në këtë rast, bëhej fjalë për një informatë ekonomike me rëndësi shumë të madhe. Pasi një nga të akuzuarit reagoi, duke thënë se çmimi i këtij lloji prodhimi ushqimor, dihej nga të gjithë, u kundërshtua me arsyetimin se ai e parashtronte gabim problemin dhe se kërkonte ta dëmtonte pushtetin, duke nxjerrë në pah, dobësinë e mekanizmave ekonomike…!

Një ditë papritmas, më nxorën nga qelia e madhe e katit përdhes, ku po kalbesha qysh prej tetë muajsh dhe më ngjitën në katin e parë, ku më rrasën në një si birucë, disi të ndriçuar mirë. Pata një ndjenjë absurde çlirimi. Aty ndenja afërsisht 6 javë. Duart nuk i kisha më të lidhura, me ato prangat e tmerrshme “italiane” (ishim mësuar t’i dallonim 2-3 llojet e këtyre veglave), por me zinxhirë nga përpara, çka m’i lehtësonte shumë lëvizjet. Nëpërmjet një kanali, që do ta përshkruaj më tej, mësova se kishin filluar të sulmonin Koçi Xoxen. Në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë, po niste një periudhë paqëndrueshmërie. Ishte koha e prishjes me Titon dhe gjithçka që mund të pranohej se kishte qenë gabim, i vishej atij. Me rënien e ministrit të Brendshëm, u krijua një atmosferë e zbutur, si për të treguar që Xoxe, shërbëtor i jugosllavëve, ishte i vetmi përgjegjës i gjithë mizorive të bëra deri në atë kohë. U zbut disi trajtimi i të burgosurve, mirëpo kjo klimë përmirësimi, ishte e përkohshme.

Gjatë kësaj periudhe zbutjeje, njëri nga gardianët më tha se ishte një miku i familjes së një gruaje, që unë e njihja, bashkëshortja e një shkrimtari të njohur në atë kohë, i cili ishte gjithashtu i arrestuar. Ai më dha fshehurazi një copë letër dhe një laps, që t’i shkruaja asaj, nëse kisha dëshirë. Me duart e lidhura nga përpara me zinxhirta, që më lejonin t’i lëvizja disi, arrita të shkarravis. Kështu shkrova për Safon një poemë, me pseudonimin “I marri”, e cila fillonte kështu: “Siluetë e brishtë me hijeshi fisnike…”! …Minjtë përziheshin me frikën, frika ime po merrte pamjen e minjve. Frikë nga vdekja, frikë nga e ardhmja. Në këtë qeli, pak kohë pasi ndodhesha aty, provova të vrisja veten, duke prerë venat. Por i vetmi mjet që kisha, unazat e nallaneve, të bëra me një metal “të butë”, doli i padobishëm. Shenjën e kam sot e kësaj dite në kyç. Gardianët që e vunë re në kohë tentativën time, më vunë fashë, ndërsa mjeku që më vizitoi, më tha se ndodhesha jashtë rrezikut për jetën. Natyrisht, ai porositi të më shtohej mbikëqyrja…! /Memorie.al

“Il Messaggero”: Kalabria i dha leksion Shqipërisë këtë sezon turistik

“Ujëra të kristaltë, çmime të ulëta dhe mbi të gjitha pa atë që ka marrë emrin “overturizëm” dhe që po mundon shumë vende të tjera të njohura. Nëse vitin e kaluar të gjithë u tërhoqën nga “fenomeni Shqipëria” si destinacionin perfekt veror me kosto të ulët, këtë vit italianët iu kthyen vendit të tyre duke rizbuluar… Kalabrinë”.

Kështu nis një shkrim i gjatë i gazetës italiane “Il Messaggero” me titull “Pushime me kosto të ulët: pas Shqipërisë, viti 2024 është viti i Kalabrisë. Pa turma, det ëndrrash dhe shezlong për 10 euro”. Gazeta nënvizon se të dhënat e kësaj vere dëshmojnë se muaji gusht shënoi një sukses të rëndësishëm për jugun e vendit fqinj. Kalabria në majën e çizmes nuk është një prej destinacioneve masive në Itali, por këtë verë bëri të kundërtën e asaj që bëri jugu i Shqipërisë.

Uli çmimet.

Observatori “Viaggi Astoi Confindustria” e vendosi Kalabrinë ndër destinacionet më të dëshiruara nga italianët së bashku me Pulian, Sardenjen dhe Siçilinë. Vitin e kaluar revista “Time” e renditi si një nga vendet më të “nënvlerësuara” për t’u vizituar të paktën një herë në jetë.

Kalabria ofron mbi 700 km vijë bregdetare midis detit Tirren dhe Jon me një det të pastër kristal, fshatra si kartolina dhe tre parqe kombëtare. Ka një përzierje mes detit, kulturës dhe natyrës që e bën atë shumë tërheqëse, së bashku me çmimet konkurruese.

Një shembull i çmimeve me kosto të ulët? Në bregdetin Tirren në Campora San Giovanni, një fshat i Amanteas, një çadër dhe dy shezlongë kushtojnë 10 euro për gjithë ditën, çdo ditë të javës, pa asnjë ndryshim gjatë gjithën gushtit. Parkimi (i ruajtur) është vetëm 2 euro. Situata është e ngjashme edhe në plazhin e afërt të Coreca-s me çadra dhe shezlong për 15 euro.

Çmime padyshim të ulëta në krahasim me mesataren italiane, për një det që nuk ka asgjë për të pasur zili nga ai i destinacioneve të tjera më të njohura. Në të njëjtin vend, një drekë në breg të detit me një pjatë Tagliatelle me karavidhe, një fetë ton, dy gota verë dhe pjatë anësore kushton rreth 50 euro për dy persona (25 euro secili).

Për më tepër, në shumë destinacione është e lejuar të marrësh drekën nga shtëpia pa qenë i “detyruar” të përdorësh restorantin lokal. Ndryshe është situata në bregdetin e Jonit, ku çmimet janë më të larta, duke arritur deri në 35 euro për një çadër dhe dy shezlongë.

Maria Cristina Gazzaruso, presidente e seksionit të turizmit të Unindustria Calabria thotë se “evropianët po rizbulojnë këtë rajon, edhe falë fushatave të ndryshme të cilat kanë rizgjuar markën “Calabria”.

Pse është e rrezikshme të pish ujë nga shishet plastike?

Një studim i ri ka gjetur prova se kimikatet kryesore në shishet plastike lidhen me një rrezik më të lartë të diabetit të tipit 2.

Studimi, i botuar në revistën Diabetes zbuloi se kimikati BPA (bisphenol A), i përdorur për të bërë paketimin e ushqimeve dhe pijeve, duke përfshirë shishet plastike të ujit, mund të zvogëlojë ndjeshmërinë ndaj insulinës, e cila rregullon metabolizmin e sheqerit në trup.

Studimet e mëparshme nuk kanë vlerësuar drejtpërdrejt nëse përbërësit e përdorur në prodhimin e plastikës ose rrëshirave të ndryshme kanë rritur rrezikun e diabetit.

Gjetjet, të cilat do të prezantohen në një sesion shkencor të Shoqatës Amerikane të Diabetit, kërkojnë që Agjencia Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) të vendosë kufij të sigurt për ekspozimin ndaj BPA në shishet dhe kontejnerët e ushqimit.

Studime të tjera kanë treguar tashmë se kimikati BPA mund të prishë hormonet njerëzore dhe të dëmtojë mëlçinë dhe sistemin riprodhues.

Mbështetën ushtrinë ruse në luftën ndaj Ukrainës, SHBA vendos sanksione ndaj 400 firmave dhe individëve

Shtetet e Bashkuara vendosën të premten sanksione ndaj më shumë se 400 firmave dhe individëve për shkak të mbështetjes së tyre për luftën e Rusisë në Ukrainë, tha Departamenti i Shtetit.

Në mesin e të sanksionuarve ka edhe firma kineze, të cilat SHBA-ja beson se po e ndihmojnë Moskën t’i shmangë sanksionet e Perëndimit dhe ta përforcojë ushtrinë.

Sanksionet përfshijnë masa kundër kompanive në Kinë, të cilat janë të përfshira në dërgimin e mjeteve të makinerisë dhe të mikroelektronikës në Rusi, sipas DASH-it.

Departamenti amerikan i Thesarit tha se ka vendosur sanksioneve edhe ndaj rrjeteve transnacionale, të përfshira në shitjen e municionit dhe materialeve të tjera për Rusinë, dhe në mbështetjen e oligarkëve rusë dhe të tjerëve në shmangien e sanksioneve.

“Rusia e ka shndërruar ekonominë e vet në mjet shërbyes për industrinë ushtarake të Kremlinit”, tha sekretari i Thesarit amerikan, Wally Adeyemo.

“Kompanitë, institucionet financiare dhe qeveritë në gjithë botën duhet të sigurohen se nuk janë duke i mbështetur zinxhirët e furnizimit të industrisë së ushtrisë ruse”, tha ai.

Ndërkohë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e falënderoi SHBA-në për “sanksionet e fuqishme shtesë”.

Ai shkroi në rrjetin social X se sanksionet do ta dobësojnë edhe më shumë aftësinë e Rusisë “për të kryer luftë agresive kundër Ukrainës”

Pasi e okupoi Krimenë nga Ukraina në vitin 2014, Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022.

Prej atëherë, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të vazhdueshme ekonomike ndaj Moskës./Rel

VIDEO/ Gol spektakolar nga jashtë zonës, Granit Xhaka dhuron “show” në duelin e parë të kampionatit

Granit Xhaka e ka nisur sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme me kampionët e Bajern Leverkusen. Mesfushori me origjinë shqiptar, ka shënuar golin e parë të këtij edicioni në kampionat për “aspirinat”.

Xhaka tundi rrjetën në minutën e 12-të, në duelin ndaj Borusia Mynshengladbah, duke iu dhuruar avantazhin kampionëve në fuqi të Bundesligës.

Një gol me të vërtetë spektakolar, nga ana e mesfushorit, që me të majtën nga një distancë e konsiderueshme nga jashtë zonës, e dërgoi topin në trekëndësh. Shqiptari ka zgjedhur të mos festojë, për shkak se në të kaluarën ka qenë pjesë e Mynshengladbah.

https://twitter.com/tekkersfoot?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1827054182274040220%7Ctwgr%5E63e8abc590b2680711734ae8b3af5879f2c48582%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.panorama.com.al%2Fsport%2Fvideo-gol-spek6takolar-nga-jashte-zones-granit-xhaka-dhuron-show-ne-duelin-e-pare-te-kampionatit%2F

Pse aroma e trupit ndryshon me moshën dhe si ta mbani nën kontroll

Aroma e lëkurës ka të bëjë me ndërveprimet midis sekrecioneve të gjëndrave të lëkurës (si djersa) dhe baktereve në lëkurë.

Ndërsa plakemi, si sekrecionet e lëkurës, ashtu edhe bakteret kanë tendencë të ndryshojnë, duke krijuar ndryshime në aromën e trupit. Ky ndryshim i lehtë është normal, i natyrshëm për procesin e plakjes. Por ka edhe disa gjëra të tjera që mund të ndikojnë.

Ndryshimet hormonale që ndodhin gjatë menopauzës, mund të shkaktojnë një rritje të djersitjes, gjë që mund ta theksojë aromën e trupit. Gjithashtu edhe disa probleme apo sëmundje shëndetësore që janë të zakonshme me kalimin e moshës si diabeti, sëmundja e mëlçisë ose sëmundja e veshkave, mund të shkaktojnë këto ndryshime.

A mund ta mbani nën kontroll?

Nuk ka shumë gjëra që mund të bëni për të ndryshuar aromën tuaj natyrale. Dhe shumica e njerëzve ndoshta as nuk e vënë re këtë ndryshim. Megjithatë higjiena e dobët dhe disa zakone të jetesës mund ta bëjnë erën e trupit të një personi më të fortë ose të pakëndshme.

Bëni dushe të rregullta

Aroma e padëshiruar e trupit mund të shkaktohet kur djersa, e cila është pa erë, përzihet me bakteret në sipërfaqen e lëkurës. Larja e rregullt me sapun mund të parandalojë grumbullimin e baktereve të lëkurës, kështu që kur djersiteni aroma nuk do të jetë shumë e fortë. Megjithatë, ju mund të mos keni nevojë të laheni çdo ditë. Të moshuarit janë të prirur të kenë lëkurë të thatë, dhe larja me sapun të ashpër ose ujë të nxehtë mund ta përkeqësojë gjendjen. Përpiquni të laheni disa herë në javë, dhe mbajeni temperaturën e ujit të ngrohtë (jo të nxehtë). Bëni një dush të shkurtër dhe më pas përdorni kremra për lëkurën në mënyrë që të bllokoni lagështinë.

Përdorni një antidjersë

Antidjersa bllokon përkohësisht gjëndrat e djersës së trupit për të ndaluar djersitjen, kështu që djersa nuk përzihet me bakteret dhe nuk prodhon erë. Ky produkt është i ndryshëm nga një deodorant, i cili maskon aromat, por nuk ndalon djersitjen.

Kushtojini vëmendje ushqimit që konsumoni

Ushqimet si qepa, hudhra, lakra, brokoli, lulelakra, mishi i kuq, alkooli dhe ato me erëza, mund të përkeqësojnë erën e djersës. Nga ana tjetër, një regjim i pasur me fruta, perime dhe me pak yndyra të ngopura mund të ndihmojë duke ruajtur nivele më të shëndetshme të baktereve. Gjë që mund të ndihmojë në kontrollimin e erës.

Ushtrohuni rregullisht

Aktiviteti i rregullt fizik është një mënyrë që mund të mbështesë bakteret e shëndetshme të lëkurës.

Mbani nën kontroll stresin

Sigurohuni që të gjeni mënyra për të lehtësuar stresin. Stresi mund të aktivizojë gjëndrat tuaja të djersës dhe të intensifikojë erën e trupit.

Kur duhet të shkoni tek mjeku

Ndryshimet e lehta në erën e trupit janë një pjesë normale e plakjes. Por ndonjëherë mund të jenë edhe një shenjë e një problemi të mundshëm shëndetësor, si problemet e mëlçisë, të veshkave, ose të problemeve metabolike si një çrregullim i tiroides ose diabeti. Nëse aroma e trupit bëhet shqetësuese këshilloheni t’i drejtoheni mjekut për ndihmë të specializuar. E njëjta gjë vlen edhe për ndryshimet e aromës së urinës ose frymëmarrjes. /AgroWeb.org