35.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

VNA: Kompania që eksportoi mbetjet toksike është Sokolaj shpk

Prokuroria e Durrësit po heton për shpërdorim detyre zyrtarët e Portit të Durrësit që dyshohet se kanë lejiar eksportin e mbetjeve toksike nga Shqipëria drejt Tajlandës.

Burime konfidenciale pohuan për VNA se bazuar në nenin 202 të kodit penal për “transportin e mbetjeve toksike” po hetohet dhe kompania “Kompania Sokolaj shpk. Sipas organzit të akuzës “Sokolaj shpk” i ka blerë mbetjet pranë KURUM dhe i ka transportuar ato drejt Tajlandës pa marrë miratimin e vendit pritës.

Ligjet shqiptare dhe ato ndërkombëtare parashikojnë që përgjegjësia për asgjesimin e lëndëve toksike nis që nga prodhuesi që duhet të sigurohet për shkatërrimi e tyre dhe në vijim tek organet përkatëse që monitorojnë transportin dhe asgjesimin e tyre. Ministria e Mjedisit reagoi dje duke larguar nga vetja përgjegjësinë pasi nuk ka dhënë autorizim për transportin e mbetjeve toksike nga Durrësi drejt Tajlandës.

Më herët VNA ka raportuar se ka qenë kjo ministri që dy vite më parë ka pajisur me licencë për transport të lëndëve toksike kompaninë “Sokolaj shpk”. Që nga një vëzhgim i përciptë duket se nuk ka as ekspertizë dhe as eksperiencë për këtë lloj transporti.

Megjithatë ky duket vetëm maja e ajsbergut të një skandali që me gjasë ka përmasa më të mëdha se ngarkesa e dy anijeve të Maersk. Në një komunikim me organizatën ndërkombëtare Groundëork (që dha alarmin për anijet me mbetjet toksike) drejtues të saj konfirmuan për VNA se dhe gjatë muajit prill ka ndodhur e njëjta procedurë transporti ilegal me mbetje të paligjshme nga Porti i Durrësit drejt atij të Guanzho. Të paktën 100 kontenierë ndodhen në këtë port në pritje të kthimit drejt Shqipërisë. I njëjti fat pret dhe dy anijet e tjera që ndodhen rrugës së kthimit drejt Portit të Durrësit.

Sokolaj shpk
Sokolaj shpk është një kompani e themeluar në vitin 2006, fillimisht në Lushnje, ndërsa më vonë e ka zhvendosur selinë e saj qëndrore në Durrës. Aksionet e saj zotërohen në masën 100 për qind nga Gjovana Sokolaj, një shtetase e lindur në Iballë të Pukës dhe banuese në Durrës.

Kompania ka si objekt të aktivitetit grumbullim, përpunim dhe shitje të mbetjeve metalike industriale dhe joindustriale. Eksport – import i mbetjeve jo të rrezikshme, si zinku, bakri, etj. Bar- kafe. Grumbullim, transportimin e mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme.

Vitin e kaluar kjo kompania faturoi 820 mijë euro të ardhura dhe realizoi një fitim prej rreth 40 mijë eurosh./ VNA.al

Metodologjia e Eurostat, inflacioni ne korrik 2.5%, shërbimet arsimore dhe ushqimet me rri

Niveli inflacionit në muajin korrik i matur sipas metodologjisë së Eurostat në vendin rezultoi 2.5 për qind, një nivel 0.4% pikë % me i lartë se matjet kombëtare të INSTAT.

Sipas të dhënave që burojnë nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin korrik 2024 është 2,5 %. Rritja më e madhe e çmimeve prej 4,1% vërehet në grupin “Shërbimi arsimor”, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,6%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,0%, “Veshje dhe këpucë” me 2,7%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 2,4%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 2,3%, “Shëndeti” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,1% secili, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,8%, “Argëtim dhe kulturë” me 1,3%, “Transporti” dhe “Komunikimi” me 0,3% secili.

Në muajin Korrik 2024, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i çmimeve të Konsumit është -0,2%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupeve “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 0,7% secili. Nga ana tjetër, çmimet e grupeve “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” u rritën me 0,4% secili, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë”, “Shërbimi arsimor” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,3% secili, “Komunikimi” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,1%.

Rumania, Belgjika dhe Islanda kishin inflacionin më të lartë përgjatë korrikut në krahasim me vendet e tjera të Europës mbi 5%, teksa Finlanda dhe Letonia dhe Danimarka kishin nivelin më të ulët ne më pak se 1%. Inflacioni mesatar në Europë gjatë muajit korrik ishte 2.8%.

Për të ndihmuar hartimin e politikave dhe për të realizuar një krahasueshmëri sa më të mirë me vendet e tjera, në bashkërendim me Eurostat, INSTAT ndërmori hapa në drejtim të krijimit të një baze të përbashkët metodologjike të shteteve anëtare për ndërtimin dhe përdorimin e IHÇK-së.

Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së. Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.

Ndryshimet e kontributit nga një tregues në tjetrin lidhen me faktin se kompozimi i peshave të mallrave brenda grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” është i ndryshëm nga një tregues në tjetrin.

Kështu, brenda këtij grupi, nëngrupi “Fruta – Perime”, ka një peshë më të madhe te shporta e IHÇK-së (12.84% e shportës totale) sesa tek ajo e IÇK-së (8.44% e totalit).

Për shkak të këtij ndryshimi, kontributi i këtij grupi mallrash te totali është i barabartë me 2.5 pikë përqindje në rastin e treguesit IHÇK dhe me 1.2 pikë përqindje në rastin e IÇK-së. Ndryshime të vogla në kontribute vihen re edhe në disa grupe të tjera, por jo në madhësinë e ndryshimit të rastit të mësipërm.

Zërat e shportave përkatëse në rastin e Shqipërisë IÇK-ja përmban 332 zëra; IHÇK-ja përmban 331 zëra (qiraja e imputuar nuk është element i shportës).

IÇK-ja mbulon vetëm shpenzimet familjare private shqiptare të kryera, brenda territorit të vendit. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) është Anketa e Buxhetit të Familjeve (ABF); IHÇK-ja mbulon të gjitha shpenzimet e kryera brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jo-rezidentë.

Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) janë Llogaritë Kombëtare “Shpenzimet Monetare të Konsumit Final të Familjeve (HFMCE)”.

Vizita e drejtorit të CIA-s në Bosnje, Dodik: Shkëputja s’ka qenë kurrë politikë e Republikës Sërpska

Republika Sërpska (RS) “nuk e ka kundërshtuar kurrë” sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit, ndërsa shkëputja “nuk ka qenë kurrë politikë e jona”, tha të mërkurën Millorad Dodik, president i entitetit serb, njërit prej dy entiteteve që e përbëjnë Bosnjën.

 

Dodik, i cili është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara, i bëri këto deklarata pas një vizite të drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane (CIA), William Burns, në Sarajevë më 20 gusht.

Burns e vizitoi Sarajevën të martën ku, ndër të tjera, diskutoi edhe për retorikën secesioniste dhe veprimet e Dodiku, tha një zyrtar i Qeverisë amerikane për Radion Evropa e Lirë, i cili kërkoi të mbetej anonim.

Burns u takua me drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Bosnje e Hercegovinës, Almir Xhuvo, dhe me anëtarët e Presidencës së Bosnjës, Denis Beqiroviq, Zhelko Komshiq dhe Zhelka Cvijanoviqit, anëtaren serbe të sanksionuar nga SHBA-ja.

Një ditë pas vizitës së Burns, Dodik shkroi në rrjetin social X tha se “lufta kundër terrorizmit është detyrim i gjithë botës së lirë dhe në këtë kuadër vizita e drejtorit të CIA-s, zotit William Burns, në Bosnje e Hercegovinë, është domethënëse”.

“Republika Sërpska është e përkushtuar ndaj kësaj lufte dhe mirëpret çdo bashkëpunim në këtë fushë”, tha Dodik.

Dodik pretendoi se entiteti serb nuk ka synime për t’u shkëputur nga Bosnja, por se “ka të drejtën e një lufte politike për statusin e saj, në përputhje me shkronjën e Marrëveshjes së Dejtonit”.

Me Marrëveshjen e Dejtonit të vitit 1995, që i ka dhënë fund luftës në Bosnje e Hercegovinë, ky vend është ndarë në dy entitete autonome – Federata e Bosnje e Hercegovinës dhe Republika Sërpska – plus Qarku i Bërçkos, që është njësi administrative vetëqeverisëse.

Të gjithë bashkë janë nën ombrellën e qeverisë federale dhe presidencës me rotacion.

“BeH është një bashkim i dy entiteteve të barabarta dhe tre popujve konstituiv, prandaj qëndrimi i zotit Burns se përgjegjësia për funksionimin e vendit bie mbi të gjitha komunitetet etnike është inkurajues,” tha Dodik.

Në mars të këtij viti, komuniteti i inteligjencës në SHBA në raportin e tij vjetor për kërcënimet në mbarë botën, në pjesën që ka të bëjë me BeH, përmendi emrin e Millorad Dodik.

“Dodik po ndërmerr hapa provokues për të neutralizuar monitorimin ndërkombëtar në Bosnje dhe Hercegovinë dhe për të siguruar shkëputjen de facto për Republikën Sërpska,” thuhej në dokument.

Pas Sarajevës, Burns pritet ta vizitojë edhe Beogradin.

Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se vizita në rajon e shefit të CIA-as tregon se Shtetet e Bashkuara kanë informacione të mjaftueshme për përpjekjet e Rusisë – përmes aleatit të saj, Serbisë – që Ballkani Perëndimor të jetë në rrezik për një konflikt të mundshëm.

Një ish-diplomat dhe ish-ambasador në Rusi, Burns është një figurë qendrore në administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, pasi ai është gjithashtu anëtar i kabinetit presidencial të Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti Biden e emëroi atë në pozicionin e drejtorit të CIA-s në janar 2021.

Burns u betua si drejtor i CIA-s në mars 2021, duke u bërë diplomati i parë në karrierë që shërbeu si drejtor. Presidenti Biden e promovoi atë në kabinet në qershor 2023./rel

“U vra sepse nuk mori pas Enver Hoxhën”- Misteri i ekzekutimit të komandantit të “Çetës Plakë” të Vlorës: Për ‘Vangjon’, thonë se…

Është shkruar një libër, “Pse e vranë Odisenë”, nga Anastas Kondo. Duke e lexuar gjeta disa paralele mes vrasjes së Odiseas dhe të Neki Ymerit. Kush e vrau Odisenë, e pyesin nënë Katerën (Katërina), plakën vunoqote, vjershëtore e historiane e madhe. “Të vetët- ishte përgjigjja- Spiromilajt, të lidhur me greko-madhin. Ç’piet kush e vrau? Kush urdhëroi, thoi, jo kush e vrau”?! Edhe Neki Ymerin të vetët e vranë, të lidhur me serbomëdhenjtë, ata që e ideuan. Ku e vranë Odisenë? “Në përrua të Bishës, në pritë, fshehur, prapa krahëve, në të pabesë, në një diell përvëlues”. Edhe Nekinë në pritë, në Përroin e Ujkut (“Urë e Zonjës”), në 27 gusht 1943, në një situatë të nxehtë, sinoptike e politike.

Sa vjeç ishte Odisea? “Ç’piet? Njëzetë, i kish a s’i kish, a pak më tej”. Edhe Neki Ymeri, 24, për 25 vjeç ishte. Ç’kishte bërë Odisea? “Kishte prurë vivëlla (libra), në gji”. Edhe Nekiu luftonte të binte lirinë, që e kishte në gji, në zemër. Ndërsa më tej paralelja prishet.

Autori thotë: “E pashë fotografinë e Odisesë në muzeun e fshatit, me shokët rresht, të gjithë të bukur”. Ndërsa unë, nuk e pashë ndonjëherë Neki Ymerin, në muzeun e fshatit tim, as të shokëve e tij, njëri më i bukur se tjetri!

U bënë edhe përvjetorë për “Çetën Plakë” të Gjormit, por Neki Ymerin, komandantin legjendar dhe shokët e tij, të gjithë të bukur, nuk i pamë asnjëherë! Kur u bë një përvjetor i Luftës së Gjormit, më 1983, shkova edhe unë në fshatin tim e, dëgjova nja dy orë të mira sekretarin e Parë të Partisë, një jurist, që i ra situatës për qark e, shpesh edhe kodra pas bregut, e një fjalë për Neki Ymerin s’e tha që s’e tha, por edhe për popullin e Gjormit, pak ose aspak tha.

Më parë në Tiranë ishte bërë një sesion shkencor historik, në Shtëpinë e Ushtarakëve, e referuan ata që kishin ngelur pa vrarë nga Lufta Nacional-Çlirimtare e, nga ekzekutimi i 1975-ës, ku u tha: “… terren për t’u formuar ‘Çeta Plakë’ kishte në gjithë Lumin e Vlorës, por u formua në Gjorm, fare rastësisht.

E unë si i ri i arsimuar, por i papjekur, u ngrita e ia këputa: “Edhe për formimin e Partisë sonë, terren kishte gjithandej, por u formua në Tiranë, sepse atje ishte elementi subjektiv”! (njerëzit, kuadrot).

Por pa u thelluar që paralelja do të thoshte se në Tiranë vepronte Enver Hoxha me shokë, e në Gjorm Neki Ymeri me shokë. Një ish-gjeneral nga Lumi i Vlorës, që kishte shpëtuar nga ekzekutimi i 1975-ës, më pyeti: “Nga je ti djalë”? “Nga Gjormi i Vlorës”, – i thashë mbytur. E ai: “Ke të drejtë”!!! Prita dhe ndonjë shufër a kopaçe, por çuditërisht, e gjykuan naivitet rinor timin e, papjekuri e që falej, a mbase se me gjeneralin i kishim fshatrat gjitonë.

Është shkruar për vrasjen e Neki Ymerit “Vangjos”, komandantit të “Çetës Plakë” të Vlorës”, por “kutia e zezë” e tij, ende nuk është gjendur?! Sipas skeptikëve tradicionalë, është vrarë sepse; “nuk mori pas Enver Hoxhën”! Po Nekiu ideal kishte lirinë, atdheun, për atë luftonte, për atë edhe mund të vritej e dëshmor i tij, do të ishte me patjetër. Sipas neoskeptikëve; “u vra sepse u takua me Hysni Lepenicën”.

Po me Hysni Lepenicën u takua edhe Enver Hoxha në Dushkarak dhe i bëri ftesë të bëhej anëtar i Partisë Komuniste. Neki Ymeri, “Vangjo”, ishte komandanti i “Çetës Plakë” të Gjormit (Vlorës) që në formimin e saj, në shtator 1942 e, deri në vrasjen e tij, më 27 gusht të vitit 1943.

Ajo u emërtua “Çeta Plakë” e Gjormit, nga që u formua në Gjorm të Vlorës, me luftëtarë të atij fshati dhe të krahinës për rreth, Mesaplikut, Tragjasit, Vlorës, Mallakastrës. Spektri i veprimtarisë së saj, ishte Qarku Vlorë-Fier-Mallakastër. Por edhe më tej, deri në Pezën e Babë Myslymit.

U vra në orën dhjetë, të 27 gushtit të vitit 1943, në një situatë të nxehtë sinoptike dhe politike, në vendin e quajtur “Ura e Zonjës”, mes Gjormit e Lepenicës, në pritë e befasisht. Ai u vra bashkë me Xhafer Dalanin, nga Gjormi edhe ai, luftëtar i lirisë me pseudonimin “Shpuza”!

Të dy luftëtarë të mëdhenj, njëri komandant e tjetri luftëtar. E për këtë vrasje, Babë Myslymi, që e kishte njohur Nekiun në Pezë, kur kishte shkuar për të koordinuar veprimet për nxjerrjen nga burgu i Fierit, të Sekretarit Politik të Qarkut të Vlorës, Sinan Gjoni, kur do të transferohej për në Tiranë, kishte thënë: “… trim nuk është ai që të vret në pritë, pa të thirr”.

E kjo thënie nuk ishte deshifruar, edhe pse e thënë që në ato ditë kur u vra Nekiu. Baba e pat përsëritur, edhe më vonë, në kujtimet e tij, sikurse e kishte thënë më parë.

Në Gjorm thonë se kur u vra Nekiu, i ati i tij, Ymeri, i mbajti deri sa vdiq duart grusht, si për të përballuar dhimbjen për humbjen e djalit, apo edhe për të thënë në heshtje, sikundër Migjeni: “Oh si nuk kam një grusht të fuqishëm, t’i bie mu në zemër, malit që s’bzan”!

E vrasja e tij u shoqërua me dhimbje dhe heshtje për 57 vjet, 1943-1990. Në një vështrim indiferent, të shpejtë, kalimtar të gjitha vdekjet janë të tilla e shkaktojnë dhimbje. Por parë më vëmendshëm, brenda tyre paska ca shkallëzime.

Ka vdekje nga natyra, të bardha, ka vdekje që jetën ta marrin, madje dhunshëm. Ekspertët ligjorë shkruajnë se; pas vdekjeve të dhunshme, janë tri hallka; Ideatori, urdhëruesi dhe zbatuesi. Me kanun dikur, edhe në veri edhe në jug të Shqipërisë, kur vepronte zakoni i hakmarrjes, puna mbetej me atë që tha se “duhet vrarë”, ideatorin.

Por kur janë vrasje në pabesi, në errësirën e natës, të pa pafajshme, vdekjet janë shumë herë të dhimbshme! Vrasja e Neki Ymerit, ishte vrasje e shekullit, se u ekzekutua një prijës legjendar, komandanti i një çete krahine, në një moshë të re, 25 vjeç.

Mbushën 75 vite nga rënia e tij e dhimbshme, si për çdo vdekje, për një djalë të ri, për një luftëtar, për një atdhetar. Në një letër që ka lënë, autokritike, Nekiu shkruante: “Unë bëja luftën e, ndiqja vijën e Nacional Çlirimtares”. Kaq do të mjaftonte të quhej edhe një analizë.

Ai ishte djali i urtë në sjellje e, i artë në dije, i zjarrtë në fushën e betejave. Ishte njeriu i arsimuar për kohën, luftëtari i radhëve të para, një tip gjenerali ushtar, që komandonte e luftonte, që mbartte strategjinë e komandantit e, automatikun e luftëtarit.

Në një fotografi, që duhet më shumë të jetë një retushim, sesa një origjinal, që është montuar edhe në disa libra e botime gazetash më parë, Nekiu duket një burrë madhor në moshë, ndërsa në një fotografi që është gjetur më vonë, Nekiu për-shfaqet me tërë bukurinë e rininë e vet, me tërë sqimën e veshjes evropiane, me trup të drejt, ulur në mënyrë protokollare, veshur po në atë mënyrë, me kollare, me ballë të gjerë e me sy përthithës, qethur bukur, (vrojtojeni!), kokën e mban lart, flokë të zeza, mjekër pak të gjerë e simpatike, që sikurse thotë poeti Fatos Arapi, që e kishte njohur: “Neki Ymeri më ka lënë mbresa të mëdha, me pamjen e tij fizike, i pashëm, tip mitik i labit”.

Me fitoren e Betejës së Stalingradit, Hitleri ishte rrokullisur, madje kishte shkarkuar edhe gjeneralin e madh Romel, e Lindja e kishte garantuar fitoren dhe prijësit e luftës, kishin filluar të mendonin për të ardhmen, për pushtetin e tyre, e kishin nisur gjuetinë e shtrigave. Ishte pikërisht ky moment, që u vra edhe Neki Ymeri.

Stalini kishte thënë: “Marksi na ka mësuar, se Partia rron, vetëm nëpërmjet spastrimit”! Nekiu kishte mbaruar Shkollën e Mesme Teknike të Harri Fultz-it në Tiranë për gjeometër me numër amze 906, kishte marrë leksione në Korçë edhe për inxhinieri botore, gjeometër, kishte punuar në Sarandë, në Vlorë e ishte përfshirë në lëvizjen guerile.

Madje ishte shpallur në kërkim emri i tij, si njeri që po i sillte humbje pushtetit të kohës e, duhej arrestuar si i rrezikshëm. Në fillimet e vitit 1942, ishte anëtar i bërthamës ose celulës komuniste formuar në Gjorm, me Hysni Kapon, për Mesaplikun, ishte në formatimin e bërthamës së pushtetit në krahinë, ishte prijës e më vonë komandant i “Çetës Plakë”, ishte sekretar i zgjedhur në rininë e Qarkorit Vlorë-Mallakastër-Fier, për fshatin, e këtë e thotë edhe Qemal Stafa: “Në Vlorë zgjodhën sekretar të qarkorit të rinisë, Kastriot Muçon, Neki Ymerin, Zyra Radhimën, Ymer Veshin”.

Të gjitha këto funksione, i kishte mbi shpatullat e veta të njoma, dhe i përballoi falë mençurisë së tij, arsimimit, trimërisë e mbi të gjitha, falë mirësisë së tij, i kreu me sukses, ishte djali që e donin të gjithë, dhe të gjithë e merrnin pas, kishin besim dhe e shikonin të ardhmen e luftës në sytë e tij.

Kush u ndodh pranë “Vangjo”-s e nuk ia dëgjoi zërin në Lumin e Vlorës e, në Labëri, atë zë drithërues në kushtrim e magjepsës në ligjërim, që marshoi me të e, nuk ia pa hapin e kaprollit e fluturimin e shqiponjës, mbi armikun, që s’ia njohu bukurinë e fytyrës engjëllore të tij e, të zemrës së madhe, që nuk ia dëgjoi krismën gjëmëmadhe të automatikut mbi armikun, në Urën e Gjormit, në Gjorm mbi mercenarët e Halil Alisë, në Selenicë, në Qafën e Pëllumbit, në Ujin e Ftohtë, në Sirokëmba, në Kallafet, në Radhimë, në Tragjas, në Mal të Bardhë, Mallakastër, Mavrovë?

Gjithsej mbi 21 aksione. Babë Myslymi e kishte vlerësuar shumë trimërinë e atij djali (Nekiut), e kishte thënë: “E gjeta Kajo Karafilin e Vlonës”! “Por situata në Vlorë, – do të shkruante gjenerali Vehbi Hoxha që e akuzuan një jetë për fraksionist, – është kredhur në një katrahurë e, s’e merr vesh i pari të dytin”.

Në Vlorë papritur ishte shfaqur edhe Mehmet Shehu, me tërë ambicien e vetë për karrierë, e aty ishte edhe Hysni Kapo, që ishte shtylla e lëvizjes për liri, e aty ishte edhe Neki Ymeri, një ndër prijësit e padiskutueshëm, të shtetit të të ardhmes.

Po ç’kujtojnë për Neki Ymerin, komandantin e “Çetës Plakë” të Vlorës, më parë nënë zë e, më vonë duke e artikuluar, madje fort? Fatos Arapi jep portretin e tij: “Neki Ymeri na ka lënë përshtypje të madhe, për pamjen fizike të tij, leshraverdhë, fytyrë-bardhë, tip mitik i labit” (Ditari). Kristo Themelko: “U gëzova shumë për vrasjen në pritën e Gjormit…por, s’ishte ashtu.

Ata nga Vlora, që i kemi këtu, më thanë se s’është e vërtetë, qenka vrarë “Vangjua’” (“Shule”, A.Q.SH., Viti 1943, fondi 14). Kjo, “Vangjua” (!) seç e rrëqeth,… atë por edhe ne, madje edhe sot që e citojmë. Dhe kjo përcjell aq sa dhimbjen, edhe konsideratën e lartë për të. Mehmet Shehu, Berat: “Vrasja nuk pati përfundime të mira”! (Plenumi Beratit, 1944).

Që s’u vranë të gjithë apo, që u vranë ata që s’duhej. Rrahman Parllaku: “Unë ‘Xhepin’ s’e njihja. Por doja me shpirt Vebiun, ‘Vangjon’” (Libri ‘Mirënjohje’, Tiranë 2007’ fq.81). Vehbi Hoxha: “Ata që ishin ngarkuar t’i ruanin (në Kutë) shtinë mbi ta dhe…i vranë”! (Libri ‘Kujtime’, cituar). Shamet Gjika: “Vangjua dhe Xhemili (Çakërri), ngritën krye, Idrizi me shokë i qëlloi” (“Ditar i kohëve me gjëmime”, viti 2005 fq. 83). Idriz Seiti thotë në gjyqin e tij, më 1983: “Bëra detyrën e partisë”. Por ai më vonë, ka lëshuar edhe një dëshmi tjetër, se nuk kishte plan t’i vriste. Prof. Xhemil Çela: “Nekiu i kapi krahun Idrizit dhe shpëtoi i plagosur në dorë” (“Kujtime”, Tiranë 1998, fq. 134).

Natyrisht e vërtetë, kjo thuhet edhe në Gjorm, se Nekiu shpëtoi falë shkathtësisë së vet. Sadik Sinani: “Duke ardhur nga Krivova, gjeta në rrugë njërin që qante e thërriste: Ah, ‘Vangjo’, ‘Vangjo”! Madje ndonjëri shkruan se babai i Nekiut, ditën e varrimit, paska thënë: “Bëre si të kisha porositur. Dhe jetën dhe mikun nuk e tradhtove”!!!

Këtë nuk dëshiroj ta besoj dhe nuk besoj të jetë thënë. Të shkruash për njeriun legjendë, për komandantin e lavdishëm, për birin e Gjormit, të Lumit të Vlorës, të Labërisë, për atdhetarin, që për lirinë pushkën nuk e uli asnjëherë, për Neki Ymerin, është sa detyrim aq dhe e vështirë.

E vështirë, sepse nuk u muar vesh se pse u vra, “kutia e zezë” e vrasjes së tij, është ende e pazbardhur. Detyrim sepse u la në harresë, për pesëdhjetë vite. Por asnjëherë dhe në asnjë rast, nuk u fol kundër tij. Ai nuk ka qenë asnjë grimcë i larguar nga lufta për liri, nga Nacional-Çlirimtarja, vija e të cilit ishte.

Nëse ka pasur një front, për Neki Ymerin, ai ka qenë vetëm Fronti i Luftës kundër zaptuesit. Ai është një figurë e madhe e Luftës e, vështirë ta rrokësh tërë madhështinë e përmbajtjen e tij të shkurtër si kohë, por të madhe, të madhe sa një epokë e tërë. Neki Ymeri, ishte më i riu ndër të mëdhenjtë e, më i madhi ndër të rinjtë. Memorie.alNga Ilirian Ballaj

Ambasadori i SHBA në Kosovë: Sfidat me Qeverinë Kurti kanë ndikuar në cilësinë e marrëdhënieve tona

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë përsëri se për shkak të “sfidave” lidhur me disa vendime të Qeverisë Kurti, “kanë ndikuar në kualitetin e marrëdhënieve Kosovë – SHBA”.

 

“Shumë prej jush keni parë raportin në media për dallimet e ShBA-së dhe anëtarëve të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare me Qeverinë e Kosovës për disa veprime që janë ndërmarrë nga qeveria aktuale e kryeministrit Kurti. Po përballemi me disa sfida me qeverinë e tanishme të Kosovës të cilat kanë ndikuar në cilësinë e partneritetit tonë. Ashtu siç zëdhënësi i Departamentit të Shtetit më herët, Qeveria amerikane shpreson se Qeveria e Kosovës do t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me SHBA-në, BE-në, NATO-n dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë të Kosovës”, ka thënë Hovenier, raporton Koha.

Ai ka thënë se ndonëse bashkëpunimi në disa fusha me Qeverinë aktuale të Kosovës mbetet më pak pozitive se që kishin shpresuar, përkushtimi i SHBA-së ndaj popullit të Kosovës mbetet po aq i fortë dhe i hekurt siç ka qenë gjithmonë.

Ai ka thënë se dëshmi për këtë është edhe marrëveshja e nënshkruar sot.

Hovenier dhe ambasadorë tjerë të shteteve të QUINT-it kanë reguar së fundi lidhur me planet e Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës mbi lumin Ibër për qarkullim të veturave.

Hovenie tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë javën e kaluar se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.

“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, tha ambasadori amerikan.

Poleni i bletës i pasur me minerale të dobishme, zbuloni vlerat e mrekullueshme për organizmin

Poleni i bletës është një produkt natyral që nxirret nga shumica e bimëve me lule. Vlerat e tij janë të mrekullueshme për organizmin tonë për faktin se poleni është shumë i pasur me vitamina, enzima, proteina, amino acide, antioksidantë dhe minerale të dobishme.

Ekspertët thonë se konsumi i polenit luan një rol të rëndësishëm tek shëndeti i trurit por edhe tek imuniteti.

Polenin mund ta gjeni në Shqipëri në çdo zonë të vendit tonë që është popullore për prodhimin e mjaltit siç janë Tropoja, Korça, Himara, Puka, Gjirokstra etj.

Poleni i bletës nuk mund të sintetizohet në kushte laboratorike.

Nëse bletët bien në kontakt me një produkt laboratorik, ato nuk mbijetojnë dot, që nxjerr në pah shumë anë misterioze të këtij produkti që nuk janë zbërthyer nga shkenca.

Poleni për një organizëm të shëndetshëm

Studimet thonë se poleni është efikas për të rimëkëmbë organizmin e një njeriu të ushqyer keq dhe për të përmirësuar masën muskulare.

Ai konsiderohet një aleat i organizmit dhe e pasuron atë me ushqyesit më të shëndetshëm që e mbajnë në formë.

Kundër inflamacionit

Inflamacioni përbën zanafillën e shumë sëmundjeve. Konsumi i produkteve dhe ushqimeve të pasura me antioksidantë jo vetëm që pakëson inflamacionin por zhbën disa prej dëmeve të shkaktuara prej tij.

Kjo është arsyeja përse poleni i bletës është i këshillueshëm për njerëzit që vuajnë nga sëmundjet e zemrës, diabetit dhe kancerit.

Nëse poleni përzihet me mjaltë, ai ka një ndikim anti-inflamator shumë më të fuqishëm kundër toksinave në mëlçi.

Kundër mikrobeve

Mjalti dhe nënprodukte të tjera të bletës luftojnë mikrobet dhe bakteret. Kjo është arsyeja përse mjalti përdoret për trajtimin e plagëve dhe lëndimeve të lëkurës sepse shmang infeksionin.

Poleni i bletës është shumë i fuqishëm kundër mikrobeve dhe pengon ndryshimet genetike që pësojnë ato kur futen në organizëm.

Kundër alergjive

Përveç mjaltit, edhe poleni i bletës rekomandohet kundër alergjive. Përbërësit e tij, kanë aftësinë të pengojnë aktivizimin e qelizave që nxisin disa prej reagimeve më të ashpra alergjike që ndodhin në organizëm.

Ushqyesit që përmban poleni e bëjnë atë një produkt ideal për fëmijët, sepse u jep atyre energji, gjallëri dhe përmirëson rritjen e tyre.

Poleni është i rekomandueshëm edhe për njerëzit që vuajnë nga dobësia, siç janë të moshuarit, femrat shtatzënë dhe pacientët që po rimëkëmben nga ndonjë sëmundje.

Poleni i bletës është gjithashtu i dobishëm për mëlçinë, ndihmon femrat që kanë probleme me menstruacionet, lufton problemet e zorrëve, minimizon astmën bronkiale, ul hipertensionin dhe alergjitë, parandalon formimin e ekzemës, lufton çrregullimet me shikimin dhe parandalon rënien e flokëve.

Së fundmi, duhet përmendur që poleni i bletëve mund të jetë ideal si kurë kundër depresionit dhe problemeve me ankthin./

Anijet me 800 tonë mbetje toksike, Kurum: Ngarkesa nuk është nisur nga ne, respektojmë rregullat për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme

Kompania Kurum International ka reaguar pas lajmit të konfirmuar nga Ministria e Mjedisit për Report Tv se rreth 800 ton mbetje që janë nisur nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës janë të kësaj kompanie. Në një deklaratë për mediat, Kurum thotë se në asnjë rast nuk ka transportuar mbetje të rrezikshme dhe se as kjo ngarkesë nuk është nisur nga kompania Kurum.
Kompania thotë se “respekton të gjitha rregullat dhe ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë dhe Konventën e Bazelit, për trajtimin e mbetjeve industriale të rrezikshme dhe të parrezikshme që gjenerohen gjatë procesit të prodhimit”.

Reagimi i plotë i Kurum International

Kurum International, ne lidhje me lajmet e publikuara ne mediat shqiptare mbi sasinë e mbetjeve të rrezikshme të eksportuara me destinacion Tajlandën, dhe aludimet mbi deklaratat e palëve të treta për shoqërinë tonë si eksportues të këtyre sasive të mbetjeve deklaron si me poshtë:

Kurum International asnjëherë nuk ka eksportuar mbetje të rrezikshme, ndaj edhe në këtë rast kjo ngarkese për të cilën bëhet fjalë nuk është eksportuar nga Kurum International. Ky fakt është lehtësisht i verifikueshëm pranë institucioneve përkatëse, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe porteve shqiptare.

Kurum International, bazuar në lejen mjedisore që zotëron, respekton të gjitha rregullat dhe ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë dhe Konventën e Bazelit, për trajtimin e mbetjeve industriale të rrezikshme dhe të parrezikshme që gjenerohen gjate procesit të prodhimit, objekt i punës së kompanisë.

Shoqëria, raporton dhe plotëson të gjitha kërkesat ligjore, për raportim periodik, 3-mujor, 6-mujor dhe vjetor, për menaxhimin e mbetjeve industriale që gjenerohen nga procesi teknologjik, dhe sipas rastit ka lidhur kontrata e marrëveshje me shoqëri shqiptare apo të huaja, të licencuara sipas ligjeve në fuqi, për menaxhimin e këtyre mbetjeve.

Të gjitha raportet janë dorëzuar brenda afateve ligjore në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit dhe Agjencinë Rajonale të Mjedisit.

Nga ana e organeve përkatëse, jemi kontrolluar dhe vijojmë të kontrollohemi e monitorohemi vazhdimisht dhe periodikisht sipas kërkesave ligjore.

Në çdo rast, aplikohet për leje eksporti në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit sipas legjislacionit ne fuqi dhe Konventën e Bazelit, proces lehtësisht i verifikueshëm në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.

Shqiptarja.com

“Bomba demografike me sahat troket prej dekadash në Evropë”/ DW: Qeveritë duan të rrisin moshën, kontribuesit kërkojnë fleksibilitet! Si mund të dilet nga kriza e pensioneve

Bomba demografike me sahat troket prej dekadash në Evropë. Vendet e Bashkimit Europian po plaken, njerëzit jetojnë më gjatë. Më shumë se një e pesta e popullsisë në BE është mbi 65 vjeç ose më të moshuar. Në vitin 2050 do të jenë një e treta. Vitin e kaluar Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se në vitin 2024 për herë të parë 65 vjeçarët do t`i kapërcenin në numër 15 vjeçarët.

 

Megjithë shtimin e madh të emigracionit në dy dekadat e fundit, kontinentit evropian i nevojiten ende punëtorë, me taksat e të cilëve do të paguhen shpenzimet e larta të pensioneve publike. Ekonomistët llogarisin se në vitin 2050 për një pensionist do të ketë më pak se dy punëtorë, sot raporti është një me tre. Ndërkohë në 17 nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian shpenzimet vjetore për pensionet publike marrin 10% të produktit të brendshëm bruto (PBB). Të gjitha vendet, me përjashtim të një vendi, ndodhen në Evropën Perëndimore. Në Itali dhe Greqi pensionet u kushtojnë financave publike më shumë se 16% të BPP.

Rritja e moshës së pensionit irriton punonjësit

Për të përballuar rritjen e madhe të shpenzimeve, disa shtete të BE i kanë modifikuar sistemet e pensioneve publike, edhe duke rritur moshën e daljes në pension. Franca për shembull, vitin e kaluar u ballafaqua me protesta disamujore kundër planeve, për të detyruar punonjësit që të dalin në pension në moshën 64-vjeçare dhe jo në moshën 62-vjeçare, siç është aktualisht.

Vende të tjera europiane kanë shkuar më tej. Në Britaninë e Madhe ka plane që njerëzit të lihen të punojnë deri në moshën 68 vjeçare që nga mesi i viteve 2040-të. Gratë në Britani dilnin në pension 5 deri 7 vjet më herët se burrat, por përpjekja për të barazuar moshën e pensionit me burrat bëri që gratë e prekura të kërkojnë kompensime.

“Hollandezët reformuan së fundmi sistemin e pensioneve, por nuk po arrijnë synimet e caktuara”, thotë për DW Hans van Meerten, profesor i së drejtës evropiane për pensionet në Universitetin e Utrecht-it. “Edhe në Gjermani, Belgjikë dhe shumë vende të tjera evropiane nuk shoh reformat e nevojshme. Ata po i bëjnë varrin vetes.”

Megjithë situatën e vështirë me financat publike në Evropë, miliona njerëz ende nuk investojnë sa duhet në pensionet private ose në pensionin që ofron vendi i punës, për të plotësuar pensionin e shtetit. Të dhënat e barometrit të BE për vitin e kaluar tregojnë, se vetëm 23% e qytetarëve të BE kanë pension nga vendi i punës dhe 19% një sigurim privat. Shifrat në vendet e BE janë të ndryshme.

Interesa të ulëta, inflacioni dëmton depozituesit

“Në dekadën e fundit kriza e pensioneve në Europë u përkeqësua dukshëm për shkak të normave vazhdimisht të ulëta të interesit, të cilat nuk qenë në gjendje ta balanconin inflacionin,” i tha DW-së Arnaud Houdmont, drejtor i komunikimit në entin e investitorëve Better Finance me qendër në Bruksel. Sipas Houdmont: “kjo ka çuar në humbje të madhe të fuqisë blerëse të depozituesve.”

Analiza e Qendrës Finlandeze për Pensionet zbuloi se interesat e pensioneve në mbarë botën vitin e kaluar arritën mesatarisht 8%. Por duke pasur parasysh inflacionin e lartë, që pasoi pandeminë COVID-19, interesat që mbetën, ishin vetëm 2%. Inflacioni në Eurozonë arriti kulmin me 10.6% në tetor 2022.

Houdmont është i mendimit, se shkaktarë për interesat e ulëta janë edhe tarifat e larta, shpërndarja e dobët e aseteve dhe mungesa e transparencës në produktet e pensioneve.

Ecje e ngadaltë e pensionit të BE

Për të ndihmuar në zgjidhjen e mungesës së kursimeve, BE prezantoi në mars 2022 produktin pan-evropian të pensioneve private (PEPP). Skema u lejon punonjësve të depozitojnë në një pension shtesë, të cilin e marrin me vete, kur lëvizin në shtete të tjera të BE. Megjithatë vetëm një vend – Sllovakia – e ka zbatuar këtë skemë.

“PEPP është në fuqi prej dy vjetësh e gjysmë”, pohon van Meerten. “por fondet e mëdha të investimeve thonë se nuk e kanë ekspertizën për të punuar me produktet e PEPP dhe kërkojnë partnerë të tjerë.”

Sipas vlerësimit të ekspertëve të pensioneve problemi është se PEPP është shumë e komplikuar dhe restriktive. PEPP shihet si konkurrencë e padëshiruar nga fondet e investimeve si BlackRock apo Fidelity, klientela e gjerë e të cilëve janë fondet holandeze, norvegjeze dhe gjermane të pensioneve, që do të thotë shumë miliona depozitues europianë.

Van Meerten mendon se PEPP duhet të thjeshtësohet dhe të bëhet më fleksibël, pasi disa vende të BE nuk i japin skemës së re të pensioneve të njëjtat avantazhe tatimore si produkteve të tjera të kursimeve për pensione.

Disa degë të industrisë në shtetet e BE — nga industria kimike dhe sektori metalurgjik gjerman apo operatori i hekurudhave franceze — u ofrojnë pensione punonjësve të tyre. Thuajse 60% e punonjësve gjermanë, që paguajnë kontribute të sigurimit shoqëror, shfrytëzojnë këtë mundësi. Këto skema, krahas përfitimeve të tjera, u ofrojnë sidomos atyre, që bëjnë punë të rëndë fizike, mundësinë e daljes së parakohshme në pension.

Punonjësit kërkojnë më shumë fleksibilitet

Megjithatë konsumatorët kërkojnë më shumë fleksibilitet në investimet e tyre dhe në moshën e daljes në pension. Suksesi i neo-brokerëve si Robinhood, eToro dhe Trade Republic, që u japin përdoruesve mundësinë për të menaxhuar investimet e tyre në aplikacionet e smartfonëve, ka uzurpuar në një farë mënyre shumë sisteme tepër të komplikuara dhe të rënda të pensioneve të Evropës./DW

SPAK kërkon gjykimin e grupit të kultivimit të kanabisit në Shkodër

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të mërkurën më 21 gusht përfundimit e hetimeve dhë dërgimin për gjykim të një çështje penale në ngarkim të 23 personave të akuzuar për kultivim dhe përpunim të bimëve narkotike, mes të cilëve edhe 12 gra që punonin në parcelat me kanabis.

Në qershor të vitit 2022, policia lokale e Shkodrës zbuloi në fshatin Vallas të njësisë administrative Oblikë në Shkodër parcela të mbjella me rreth 32 mijë bimë narkotike të llojit Cannabis Sativa, si dhe ushtroi kontrolle në ambjente të tjera ku u gjetën 246 kilogramë kanabis në proces tharje.

Sipas prokurorisë, si organizator i kultivimit të bimëve narkotike akuzohet Arian Popa. Të pandehurit Arben Uruçi, Ardjan Tahiri, Samet Dahati, Besar Lejthiza, Izmir Dahati, Ermis Sela dhe Afrim Dahati provohen të kenë qenë pjesëmarrës në grupin e strukturuar kriminal.

Ndërsa Liljana Çopani dhe Vajdije Allamani akuzohen se kanë kryer procesin e përpunimit të bimëve narkotike, deri në përftimin e produktit përfundimtar dhe ato akuzohen vetëm për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Ndërkohë, në tetor po të vitit 2022 janë ushtruar kontrolle në dy banesat e vëllezërve Pjetër dhe Roland Gjoni, si edhe të babait të tyre në fshatin Bleran-Bardhaj, Njësia Administrative Rrethina, në Bashkinë Shkodër. Në banesat e tyre gjetur një serë e improvizuar me plastmas, brenda së cilës kanë qenë disa gra duke punuar. Po ashtu, janë gjetur dhe sekuestruar 86 kg lëndë narkotike e tharë dhe në proces tharje. Si organizator i kësaj veprimtarie akuzohet Pjetër Gjoni. Ndërsa të pandehurit Roland dhe Fabion Gjoni akuzohen se kanë qenë pjesëmarrës në veprimtarinë e kundërligjshme. Si pjesëmarrëse në këtë grup kriminal akuzohet dhe e pandehura Danjela Hasani, mbi të cilën rëndon dhe akuza “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Kurse të pandehurat Valbona Haka, Mimoza Hoti, Elida Doku, Hurme Bafti, Franga Gjini, Fatime Baftaj, Drita Çuni, Dorentina Hoxha, Blerina Meta, janë akuzuar vetëm për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim./reporter.al

Vendet e varfra po i ndalojnë importet e plehrave, ndërsa Shqipëria po bën të kundërtën

Nga Gjergj Erebara

Të ndara: pirgje me materjale të riciklueshme gjenden gati për t’u ngarkuar në zonën e klasifikimit pranë landfillit të Gjilanit. Foto Nga Arben Llapashtica.

Deri në vitin 2017, Kina ishte, mes shumë gjërash të tjera, gjigandi ndërkombëtar në përdorimin e materialeve të riciklueshme, të tilla si plastika, letra apo metalet. Nga e gjithë bota, anijet e ngarkuara me mbetje mbërrinin në Kinë ku, teorikisht, proceset e përpunimit të tyre kushtojnë më lirë për shkak të krahut të lirë të punës se sa, në vende të pasura, fjala vjen, Shtetet e Bashkuara.

Në këtë vit, Kina vendosi se kishte importuar plehra mjaftueshëm shumë sa të bezdisej. Ajo nisi Operacionin “Shpata Kombëtare” dhe ndaloi importin e plehrave. Arsyeja, pjesa më e madhe e plehrave të importuara me qëllim riciklimin ishin të ndotura apo të pavlefshme për riciklim, kështu që ato përfundonin menjëherë në landfill pas importimit. [link]

Vendimi i Kinës shkaktoi telashe për shumë vende të pasura, të cilat prodhojnë plehra me tepri, për shkak se janë të pasura dhe për shkak se nuk duan kokëçarje gjatë jetesës së vet të përditshme. Vietnami pasoi Kinën duke njoftuar ndalime në importin e mbetjeve në vitin 2018. [Link] Edhe këtu, problemi ishte i njëjtë. Ajo që importohej si lëndë e parë, ishte në fakt mbeturinë për groposje.

Pak vite më vonë, problemi u shfaq në Rumani. Kini parasysh se Rumania është një vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe zbaton legjislacionin e Bashkimit Evropian, legjislacion që mes të tjerash, lejon kalimin tranzit apo importimin e lëndëve të para të nxjerra nga procesi i ndarjes në burim apo në impiante të mbeturinave. Problemi ishte se edhe këtu, njësoj si në Kinë, përmes dokumentacioneve që sugjeronin se mbeturinat ishin për qëllime tranziti në territorin e Rumanisë apo se po importoheshin si lëndë e parë, në fakt përfundonin të groposura. Në mungesë të Kinës, Rumania dhe disa vende të tjera të botës u kthyen papritur në fushat e plehrave të botës së pasur. [Link]

Në linkun më sipër mund të gjeni një lajm nga Radio Evropa e Lirë, e cila, në vitin 2021 citon ministrin e mjedisit të Rumanisë: “Ajo që në teori sillet me këto kontenierë është lëndë e parë për riciklim,” tha Tanczos Barna. “Po them ‘teorikisht’ për shkak se shumë shpesh në këto kontenierë ka diçka tjetër nga çfarë deklarohet.”

Duke hasur të njëjtin telash, vitin e kaluar, Tailanda njoftoi ndalimin e importit të plehrave. Tani është Indonezia vendi që po bëhet gropë plehrash të botës dhe po mendon të bllokojë importet, të cilat, teorikisht vijojnë të mos kenë asgjë të keqe.

Qeveria shqiptare ka propozuar së fundmi edhe një herë, për herë të katërt në 20 vjet, lejimin e importit të plehrave, propozim ky brenda kuadrit të përfitimeve teorike të pak fabrikave që Shqipëria ka dhe që kanë kërkesa për materiale të tilla. Sipas propozimit, kërkesat për importe do t’i bëhen Këshillit të Ministrave, i cili, do të miratojë, rast pas rasti, kërkesat për import.

Shqipëria e ka dëgjuar këtë histori edhe më parë./reporter.al