35.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Edi Rama, “non grata” elegante në SHBA!

Nga Azgan Haklaj

Demokratët në SHBA u mblodhën të hënën në Çikago për të nominuar zyrtarisht kandidaten e tyre për president Camala Harris.
Kjo konventë po ndiqet me shumë interes nga opinioni amerikan dhe ai botëror pasi qysh pas tërheqjes nga gara e Presidentit
Biden ia dorëzoi stafetën të rinjëve (liberal demokratë).
Pas Tim Walz i cili u nominua nga znj.Harris për postin e zv/Presidentit të SHBA-ve të tjera figura politike që udhëheqin në shtetet kyçe i janë bashkuar asaj në këtë fushatë, e cila po merr progres spektakolar nënfavor të demokrateve.
-Peter Buttigieg, 42 vjeç, ish kryetar bashkie në South Bend të Indianës është një yll demokrat në ngjitje.
-Wes Moore, 45 vjeç, guvernatori i parë me ngjyrë në Maryland.
-Gavin Newsom, 56 vjeç, Guvernatori i Kalofornisë.
-Alexandria Ocosio-Cortez, 34 vjeçe, kongresmenja që mundi në New York në primaret e demokratëve një kongresmen me 10 mandate.
-Josh Shapiro, 56 vjeç, Guvernator i Pensilvanisë.
Gretchen Witmei, 52 vjeçe, Guvernatore e Miçiganit.
Këto përsonalitete me reputacion të deshmuar e shumë të tjerë që përfaqësojnë shtresa e kombësi të ndyshme në SHBA sikundër dhe pushtetmbajtës të denjë do të jenë perkrah Camala Harris në sfidën presidenciale.
Mesazhi që dha në konventë Presidenti Biden, Zonja e parë, apo ish Sekretarja Amerikane e Shtetit Hillari Klinton, apo ditën e marte Presidenti Obama tregojnë se mbeshtetja për Camala Harris është e madhe dhe entuziaste.
Ky ansambël të rinjësh sikundër sondazhet në rritje të Harris kanë alarmuar kampin e Trump.
Sipas analistëve ai po shton këshilltarët në stafin e tij por duket se nuk është fjala për ndryshim këshilltarësh por për ndryshim diresksioni e diskursi përballë furtunës demokrate me emrin “Camala Harris”.
Sfidë për demokratët ngelet situata në Lindjen e Mesme.
Nëse palët do të nënshkruajnë marreveshjen e propozuar nga Sekretari Blinken në Doha ky do të ishte një impuls i ri për fushatën e demokratëve.
Shtuar kësaj dhe përparimin në Rusi të forcave ukrainase ka domethënie pozitive në përceptimin amerikan dhe botëror për rolin e SHBA-ve në arenën ndërkombëtare.
Këto zgjedhje kombi shqiptar kudo ku është i pret me interes të madh përkundër drejtimeve e kahjeve politike.
Demokratët kryesisht në Presidencen Klinton, Obama e Biden kane qënë konsistent për Kosovën e pavarur dhe çështjen shqiptare në Ballkan, ashtu siç ishte republikani Bush i cili tha në Tiranë:
Pavarësi sot për Kosovën, nesër është vonë.
E kundërta ka ndodhur në Presidencen Trump kur problemi shqiptar thjesht jo vetëm u komercializua por u avancua për keq për shkak të mbrapshtisë së Riçard Grenell deri në ndarje të Kosovës.
Po ky Grenell që në rast fitorje të
Trump pritet të udhëheqë Departamentin e Shtetit, i shquar për serbofilinë e tij së bashku me Jared Kushner, dhëndërrin e kandidatit republikan për president po skedojnë allishverishe komerciale në Serbi e Shqipëri.
Ky fakt sikundër afera McGonigal e të tjera pazare lobimesh të paligjeshme kanë bërë që Edi Rama të mos kishte ftesë për konventën e demokratëve Çikago.
Përkundër gjithshkaje ky është një lajm i keq për faktin se ai është kryeminister i vendit tonë.
Rama nuk u ftua as në konventën e republikanëve ndonëse e trumbetoj me të madhe biznesin me dhënderin e Trumpit!
Kjo është një “non gratë” elegante për Edi Ramën e cila do të materializohet shpejt jo vetëm simbolikisht si për atë edhe për Ilir Metën.
E kam theksuar dhe i qëndroj bindjes sime se për ne shqiptarët duke mos u radhitur tek faktorët influencues në kontinent është e rëndësishme të vlerësojmë me objektivitet kontributin që kandidatët presidencialë në SHBA premtojnë për çështjen tonë nacionale.
Sido qoftë e ç’farëdo zgjedhje që amerikanët do të bëjnë në nëntor ajo që mbetet konstante dhe e patjetërsueshme është fakti se SHBA-të të paktën që nga koha e presidentit Willson ngelen aleati ynë strategjik, gardian i përhershëm i lirisë tonë kombëtare.

Thellohet skandali i mbetjeve toksike të nisura nga Durrësi, porti kinez konfirmon: 100 kontenierë me mbetje toksike janë transportuar në prill nga Shqipëria

Thellohet dhe më tej skandali i mbetjeve toksike të nisura nga Porti i Durrësit. Pas korrenspodencës që VNA pati me Groundwork.com rezulton se transporti i lëndëve të rrezikshme është një praktikë që ka ndodhur dhe herë të tjera. Organizatat Ban dhe Earth kanë sinjalizuar dhe për një ngarkesë të mbërritur nga Porti i Durrësit në Portin e Nansha në Kinë.

115 kontejnerë me mbetje toksike që kanë ardhur nga Shqipëria dhe që janë vendosur në Portin e Nansha, Guangzhou, Kinë që prej datës 2 prill 2024, janë bllokuar nga dogana e Fengcheng.
Organizatat BAN dhe EARTH i kanë bërë thirrje MAERSK dhe/ose MSC të cilët janë përgjegjës për transportimin e këtyre mbetjeve që t’i rikthejnë ato në portin e Durrësit prej ku edhe kanë ardhur.

Ngarkesa mësohet se ka nivele të larta të plumbit dhe ndotësve të tjerë, duke dëshmuar se ato janë mbetje toksike.

Autoritet portuale në Guangzhou kanë kryer analiza të kampionëve që janë marrë nga kontenierët dhe bazuar në rezultatin e tyre ka vendosur bllokimin e kontenjerëre dhe nuk ka lejuar falje në tyre nga porti.
Pritet që presioni i madh ndërkombëtar ndaj kompanisë që ka kryer transportin t’a detyrojë këtë të fundit që ngarkesën ta kthejë në Portin e Durrësit.

E gjitha kjo ka ndodhur nën hundën e autoriteteve shqiptare. Në asnjë rast nuk konstatohet që organizatat partnere të transportit detar të jenë njoftuar nga autoritetet shqiptare për transportin e mbetjeve toksike. Procedurë zyrtare që duhet ndjekur për çdo transport të lëndëve të rrezikshme.

Organizatat e mbrojtjes së mjedisit që kanë vënë alarmin për këtë skandal. Groundwork në komunikimin me VNA ka nisur dhe listën e kontenierëve që ndodhen në Portin e Guangzhout, dokumentet doganore në mandarin dhe përkthimin në anglisht të analizave të kampionëve që janë marrë nga kontenjerët që kanë ardhur nga Shqipëria në prill të këtij viti./VNA.al

Konfirmohet rënia e turizmit në korrik, numri i të huajve ra për herë të parë nga pandemia

Ecuria pozitive e turizmit e këtij viti duket se është ndalur në korrik, kur numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në vend ka shënuar rënie në raport me një vit më parë.

Deri në qershor ritmet e rritjes ishin të kënaqshme, duke regjistruar një total prej 4.5 milionë të huaj, me një rritje prej 23% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, që premtonte për një tjetër vit të mbarë turistik.

Të dhënat e fundit të publikuara në rrjetin social Facebook nga Kryeministri Edi Rama tregojnë se totali u vizitorëve të huaj në 7-muaj arriti 6.3 milionë. Pra në muajin e 7-të të vitit në vendin tonë hynë 1.75 milionë shtetas të huaj me një rënie të lehtë prej 1 për qind në raport me korrikun e një viti më parë, kur u regjistruan 1.77 milionë shtetas. Kjo është hera e parë që nga pandemia e COVID-19 në vitin 2020 që korriku nuk regjistron rritje.

Panorama e shifrave qartëson deri diku edhe shqetësimin që shprehën në fund të qershorit dhe në fillim të korrikut turoperatorët dhe strukturat akomoduese në vend të cilat raportonin se  ecuria ishte më pesimiste se një vit më parë dhe sesa lakohej nga qeveria.

Për këtë sipas tyre kishte tre arsye.

E para rritja ekstreme e çmimeve në disa rajone apo subjekte të izoluara që ndikoi negativisht perceptimin e përgjithshëm për gjithë bregdetin. Në disa raste çmimet e shezloneve ishin të barabarta me çmimin e një dhome hoteli teksa të huajt që një vit më parë kishin pushuar në Shqipëri, këtë vit janë përballur me rritje çmimesh që në syrin e tyre nuk e bënte më Shqipërinë ekonomike çka ka sjellë anulime (kryesisht italianët).

Së dyti tipologjia e turistëve këtë vit ndryshoi dhe turoperatorët raportuan për një dyndje e turistëve të rinj dhe në buxhet (turistë të rinj që shpenzojnë në minimum). Këta të fundit shpenzojnë kryesisht vetëm në akomodim (edhe ky sa më ekonomik) dhe limitohen në maksimum nga konsumimi i produkteve dhe shërbimeve të tjera turistike. Janë turistë që nuk frekuentojnë baret dhe restorantet por supermaerketet dhe fast food.

Së treti largimi i një pjese të shqiptarëve të Kosovës në destiacione të reja si efekt i liberalizimit të vizave. Kjo ishte diçka e pritshme pavarësisht se sipas të dhënave zyrtare sërish shtetasit nga Kosova kanë qenë më rritje në janar-korrik 2024.

Qeveria pranon se ka një rritje mbi 22 për qind por që kjo nuk përputhet me deklarata e turoperatorëve që nënvizojnë se ka një rënie në strukturat akomoduese në rajonet që janë frekuentuar tradicionalisht prej tyre si Golem, Shëngjin apo Velipojë.

Pavarësisht shifrave të korrikut turoperatorët janë të mendimit se viti 2024 do të jetë një vit turistik më i mirë se viti 2023 me numër vizitorësh në rritje gjatë vjeshtës por sezoni veror në vetvete pritet të jetë më i dobët se 2023-i./N.Maho/ Monitor.al

Burimi: INSTAT
Burimi: INSTAT
Burimi: INSTAT
Burimi: INSTAT

Antony Blinken në Katar me mision për arritjen e marrëveshjes për armëpushim në Gazë dhe për lirimin e pengjeve

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, mbërriti të martën në Doha për t’i vazhduar përpjekjet diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim në Rripin e Gazës dhe për lirimin e pengjeve.

Megjithatë, dallimet mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – vazhdojnë të mbesin të mëdha.

Më herët gjatës ditës, Blinkeni u takua në Kajro me presidentin e Egjiptit, Abdel-Fattah El-Sisi, vendi i të cilit së bashku me SHBA-në dhe Katarin janë ndërmjetës në bisedimet disa mujore, të ndërprera kohë pas kohe, mes palëve.

Sisi tha pas takimit se ka ardhur koha t’i jepet fund luftës 10-mujore në Gazë dhe paralajmëroi se konflikti mund të përhapet në luftë të gjerë rajonale.

Gjatë vizitës në rajon, Blinkeni mbajti takime edhe në Izrael të hënën. Ai tha se kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka pranuar propozimin e SHBA-së për përafrimin e qëndrimeve mes palëve, pasi bisedimet në Katar javën e kaluar përfunduan pa ndonjë përparim.

Ai i bëri thirrje Hamasit ta pranojë propozimin. Një zyrtar i lartë e administratës së presidentit Joe Biden tha për gazetarë se SHBA-ja pret që bisedimet për armëpushim të vazhdojnë këtë javë.

Hamasi nuk e ka kundërshtuar në mënyrë të prerë propozimin amerikan, por ka thënë se ai përmbys ato për të cilat janë pajtuar palët deri tani, pa shpjeguar si, dhe i akuzoi Izraelin dhe SHBA-në se po i zgjasin bisedimet.

Bisedimet disa mujore dhe të ndërprera kohë pas kohe janë zhvilluar rreth çështjeve të njëjta. Izraeli thotë se lufta mund të përfundojë vetëm pasi të jetë shkatërruar Hamasi si forcë politike dhe ushtarake, ndërsa Hamasi thotë se do të pranojë vetëm armëpushim të përhershëm, jo të përkohshëm.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor të vitit të kaluar, kur militantët e Hamasit u futën vrullshëm në jug të Izraelit dhe i vranë rreth 1.200 njerëz dhe i rrëmbyen mbi 250 të tjerë, sipas zyrtarëve izraelitë.

Si pasojë e luftës izraelite, pjesë të Rripit të Gazës janë bërë rrafsh me tokën dhe së paku 40.000 njerëz janë vrarë, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë.

Hë hënën, Blinken tha se përpjekja më e fundit për marrëveshje është mbase mundësia më e mirë dhe e fundit, prandaj u bëri thirrje të dyja palëve ta pranojnë propozimin amerikan për përafrimin e qëndrimeve.

Zyrtarët nga SHBA-ja, Hamasi, Izraeli, Egjipti dhe Katari, nuk kanë shpjeguar se çfarë përmban propozimi, apo cili është dallimi i tij me propozimet e kaluara./REL

Rrëfimi special i Silvinjos para Ligës së Kombeve: Ja si shkohet në Botëror

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, ka folur përpara rrugëtimit të ri që Kombëtarja shqiptare do të nisë në UEFA Nations League.

Tekniku kuqezi tregoi ndër të tjera për eksperiencën në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024”, si dhe komentoi zgjatjen e marrëveshjes me FSHF për të vazhduar projektin e nisur në drejtimin e Shqipërisë.

Gjithashtu, trajneri Silvinjo foli edhe për ndeshjet e UEFA Nations League, ndërsa shtoi se objektivi i së ardhmes është kualifikimi në Botëror.

Më poshtë intervista e plotë e realizuar nga Silvinjo për TV Klan: 

Europiani i Gjermanisë, i keni analizuar edhe njëherë ndeshjet, tashmë me mendje të ftohtë, çfarë do të kishit bërë ndryshe?

Ka ardhur momenti të flasim për gjithçka ka ndodhur në këtë një vit e gjysmë punë. Një cikël i parë i rrugëtimit që kemi bërë bashkë. Një rrugëtim shumë i bukur, të shkosh të luash për herë të dytë në finalet e një Europianit, është diçka historike. E dimë të gjithë, edhe njerëzit, që nuk është e lehtë të arrish deri atje.

Por kur arritëm gjetëm një grup të fortë dhe të vështirë. Por unë isha i kanaqur për këtë. Të përballesh më Italinë dhe Spanjën që fitoi Europianin si dhe Kroacinë një skuadër e jashtëzakonshme. Në fakt pas ndeshjeve është e lehtë të bësh analizën. Sigurisht ka gjëra që duhet të ishin bërë ndryshe, por unë shkova me mendimin që të përfaqësonim sa më mirë një komb. Edhe lojtarëve ju kisha thënë, me çdo kusht duhet të ishim në lojë në çdo ndeshje.

Me Italinë bëmë mirë, ndeshja me Kroacinë edhe mund të ishte fituar. Ky është një kampionat i vështirë dhe me shumë rreziqe. Çdo gabim është një gol i pësuar. Jam shumë i kënaqur me futbollistët por sigurisht, gjithmonë ka diçka për të përmirësuar. Ndryshuam modulin për ndeshjen e dytë duke shtuar një lojtar në mesfushë, por në përgjithësi kemi bërë shumë mirë.

Në aspektin personal por edhe si trajner i Kombëtares, çfarë keni përfituar, cilat janë mësimet që morët nga finalet e Europianit?

– Kemi mësuar shumë, eksperiencë e shkëlqyer. Si bashkëpunëtor kam qënë në Kombëtaren e brazilit në Botërorin e Rusisë. Edhe Europiani ka një nivel të njëjtë. Ne kemi një skuadër të re dhe kjo është e bukura. Kemi luajtur kundër lojtarëve dhe skuadrave shumë të forta.

Të shkosh atje është një luks, për ne ishte çmenduri. Në aspektin personal mësova shumë. Çdo gabim të kushton shumë sepse niveli i garës është shumë i lartë. Lojtarët e dinin mirë këtë, që nuk lejohet të gabosh sepse pëson dhe del menjëherë jashtë loje. Është një eksperiencë e madhe edhe për lojtarët. Niveli i përqendrimit ishte shumë i lartë.

Pas finaleve erdhi edhe rinovimi i kontratës. Besoj se keni dashur të përqendroheni fillimisht tek Europiani e më pas të mendonit për rinovimin që besoj se nuk ishte diçka e vështirë për t’u arritur?

– Jo, absolutisht jo. Në fakt ishte një dëshirë e Federatës dhe e jona, por ishte Europiani. Kemi logjikuar mirë të dyja palët, si Federata ashtu edhe ne si staf. Mendimi jonë ishte të punonim fort për Europianin, për të shmangur edhe gabimin më të vogël, në mënyrë që të mos humbnim përqendrimin.

Gjëja më e rëndësishme në atë moment, ishin futbollistët, ishte një komb i tërë, ishin 3 milionë këtu e 10 milionë jashtë Shqipërisë. Për ne si staf është një avantazh të vazhdojmë punën përpara pas një rezultati të mirë. Sot ne nuk nisemi nga zero me Kombëtaren shqiptare.

Sot ne nisemi nga më shumë se 50% njohje të ekipit dhe lojtarëve. Tashmë duhet të përmirësohemi, të shkojmë pas shumë futbollistëve të tjerë që mund të na shërbejnë. Ne jemi të kënaqur pasi njohim Tiranën, Federatën, njohim shqiptarët, kështu që rinovimi për ne ishte i lehtë.

Tashmë rinis puna, por me ndeshjet e Nations League. A keni një ambicje për këtë garë, apo këto ndeshje do të shërbejnë si përgatitje për kualifikueset e Botërorit, që është një qëllim shumë më i rëndësishëm se Liga e Kombeve?

– Ka një ëndërr, një dëshirë dhe një objektiv për të shkuar në Botëror. Por ndërkohë kemi një kompeticion të rëndësishëm si Liga e Kombeve. Unë nuk e konsideroj si një moment kalimtar për të marrë eksperiencë apo për t’u përgatitur.

Objektivi i parë është të përmirësojmë skuadrën, të gjejmë lojtarë të rinj. Kjo është Kombëtare, dhe si e tillë është e hapur. Nëse ka një lojtar që na shërben, atëherë ai do të vijë. Liga e kombeve është e vështirë, dhe kemi një grup të vështirë me Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Çekinë. Ne do të luftojmë për çdo pikë. Nuk do të jetë e lehtë por ne do të futemi në çdo ndeshje për të fituar.

Pas UEFA Nations League vijnë kualifikueset e Botërorit. A keni një plan për të ndryshuar diçka në skuadër, ndoshta mënyrë tjetër loje, apo mentalitet tjetër? Cili është mendimi juaj tani për tani?

– Unë mendoj se ka gjithnjë vend për përmirësim. Përtej modulit, ne kemi një bazë të mirë, praktikisht 70 apo 75% të grupit e kemi, por kemi lojtarë që vijnë me shumë eksperiencë pas Europianit.

Lojtarët kanë kuptuar një gjë që për mua, për Federatën dhe për Shqipërinë, përtej modulit, eksperiencës, lojtarëve, cilësisë teknike, ajo që nuk negociohet është zemra dhe shpirti i skuadrës. Lojtarët e dinë që këtë duhet ta kenë si në stërvitje ashtu edhe në ndeshje sepse kjo na çoi në Europian. Dëshirën dhe shpirtin e skuadrës e kanë kuptuar edhe njërëzit, që shpirti dhe zemra është aty në fushë.

Çfarë i ndodh organizmit nëse gëlltit çamçakëz, zbuloni të vërtetat

Çamçakëzi nuk është bërë për t’u ngrënë, por ka shumë njerëz që kanë gëlltitur një të tillë, kryesisht pa dashje. Paralajmërimi nga më të rriturit ka qenë gjithnjë i njëjtë: “Po gëlltite çamçakëz të ngjiten zorrët.”

Të jetë e vërtetë vallë?

Mesa duket, çamçakëzi ndjek të njëjtin rrugëtim si çdo ushqim ose pije tjetër. Megjithatë ai është shumë i vështirë për t’u tretur.

Gëlltitja e çamçakëzit sigurisht që e vështirëson punën e stomakut. Por, sistemi tretës i njeriut është shumë i fortë.

Nëse ia del të tresë një biftek apo bërxollë derri apo viçi, atëherë me siguri mundet të përballojë edhe një çamçakëz. Por jo pa vështirësi.

A ngjitet çamçakëzi në muret e stomakut?

Stomaku ka lëvizjet e veta, acidet dhe enzimat që shpërbëjnë çdo ushqim që futet brenda. Megjithatë çamçakizi nuk tretet plotësisht për shkak të përbërjes kimike.

Shumë njerëz kanë besuar me të vërtetë se çamçakëzi ngjitet në muret e stomakut në të njëjtën mënyrë si në dërrasën e bankës.

E vërteta është sipas mjekëve, që me trupin e njeriut ajo që futet brenda do të dalë jashtë patjetër. Koha se kur ndodh kjo është diçka tjetër sepse sistemi tretës është i ndryshëm në çdo njeri.

Mjekë që kryejnë ekzaminime shprehen se nuk kanë arritur asnjëherë të gjejnë çamçakëz që ka qëndruar më shumë se një javë në zorrë ose në stomak.

Ata e krahasojnë çamçakëzin me çdo substancë tjetër ngjitëse që gjithësesi del nga trupi e patretur.

Përse nuk duhet të gëlltisim çamçakëz?

Përtypja e çamçakëzit nuk ka asnjë vlerë ushqimore ndaj eskpertët më në zë të mjekësisë janë të mendimit se duhet treguar kujdes.

Nëse gëlltisni një çamçakës, mund edhe të mbyteni, pasi mund t’ju kalojë keq, thonë ekspertët duke rekomanduar hedhjen e tij sapo shija humbet./AgroWeb.org

Kostoja e portit të Porto Romanos fluturon në mbi 1 miliardë euro, qeveria zbulon faturën e bazës detare

Kostot e projektit për ndërtimin e portit të ri nuk ndalen vetëm tek infrastruktura portuale. Qeveria ka përfshirë në listën e projekteve kombëtare edhe ndërtimin e një baze detare në Portin e Porto Romanos. I klasifikuar si projekt me nivel prioriteti A, baza detare planifikohet të kushtojë 366 milionë euro.

Kjo e çon koston totale të kompleksit portual në Porto Romano në 1 miliardë e 20 milionë euro, që përfshin dy fazat e ndërtimit dhe Portit dhe ndërtimin e bazës detare.

Qeveria shqiptare ka deklaruar disa herë publikisht se është në negociata me NATO-n për ndërtimin e kësaj baze. Madje në më shumë se një rast kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku kanë deklaruar se një pjesë e bazës do të financohet nga NATO. Por deri më tani ky version nuk është konfirmuar asnjëherë zyrtarisht nga organizata e Atlantikut të Veriut.

Një burim i tha Kapitalit se NATO është duke studiuar dy vende të tjera për ndërtimin e bazave strategjike detare në jug të Shqipërisë.

Kostot e Portit nuk ndalen
Kur prezantoi projektin për të çmontuar portin e ekzistuesit të Durrësit dhe për të ndërtuar një port të ri në Porto Romano, qeveria u tregua e kujdeshme të zbuste kostot e projektit. Fillimisht ajo deklaroi vetëm koston e ndërtimit të fazës së parë në Porto Romano prej 393 milionë eurosh.

Por tani kostot e projektit po rriten gradualisht teksa qeveria ka zbuluar në listën e projekteve kombëtare edhe kostot për fazën e dytë të ndërtimit të portit dhe atë për bazën detare. Faza e dytë e portit do të kushtojë 261 milionë euro të tjera, ndërsa baza detare 366 milionë euro. Pra në total bëhet fjalë për një faturë, e cila deri më tani ka arritur në 1 miliardë e 20 milionë euro.

Kjo është shuma që do të paguajnë qytetarët shqiptarë nga taksat e tyre për zhvendosjen e portit tregtar nga Durrësi në Porto Romano me qëllim që në territorin e portit ekzistues të Durrësit të ndërtohet porti turistik i kompanisë arabe Eagle Hills.

Por teksa qeveria ngarkon fatura miliardere mbi kurrizin e qytetarëve, privatët marrin tokën e falur dhe fitimet nga shitja e vilave dhe kullave në Durrës.

Përgjegjësia më e madhe është kur PD perëndimore të qeverisë vendin!

NGA ALBAN DACI

Grupimin e Bashës, atë vizibilin, e kanë sulmuar vazhdimisht dhe koha dëshmoi se pak prej tyre ishin përgatitur për sfida të mëdha. Ndoshta ishte një grupim i themeluar, krijuar në kohën kur Basha kishte pasur gjithmonë pushtet në Qeverisje, por edhe pushtet si kreu i Opozitës.

Mund të themi se këtë grupim me metoda makiaveliste e shpesh edhe për shkak të karaktereve të tyre të lëkundura, arritën ta eliminojnë.

Në fakt, përtej të trajtimit si një tragjedi, eliminimi i tij e ka bërë më të fortë figurën e Bashës, duke e nxjerrë atë si një lider që luftën e tij e ka për kauza, parime dhe vizione dhe jo për lidhje të ngushtë me privilegjet e pushtetit, qeverisës apo ato opozitare.

Rruga që zgjodhi Basha nuk garanton pushtet apo privilegje, por kërkon sakrifica dhe koherencë.

Prandaj, të gjithë ata që ishin mësuar të qëndronin me Bashën, sepse ai si person e lider i bënte deputet, i mbante në Bashki, nëpër ministritë që kishte drejtuar, sigurisht që nuk do të qëndronin me të në kushtet e reja dhe në realitetin shqiptar, ku gjithçka varet nga pushteti (edhe opozitarë) dhe rrotullohet nga privilegjet që ai prodhon.

Grupimi aktual i Bashës është shumë më i madh se sa mendohet, e kjo nuk lidhet me figura klasike publike që janë mësuar me sallonet e pushtetit në Shqipëri. Në fakt, sallonet e pushtetit në Shqipëri kanë pasur vazhdimisht të njëjtat figura e kjo është arsyeja që ndoshta Basha, pas një reflektimi të gjatë dhe një realiteti të ri, duhet të kishte pranë njerëz që nuk kanë pasur privilegje, pushtet, por që besojnë tek lidershipi dhe tek vizioni i tij.

Ky grupim edhe pse aktualisht po sulmohet padrejtësisht dhe pa mëshirë, sipas të gjithë llogarive është i vetmi ai që në një të ardhme të afërt e jo të largët, do të ketë pushtetin dhe mundësinë për të qeverisur vendin.

Të gjitha analizat reale, në të gjitha këndvështrimet, të vetmin pretendent real, pas fundit të lidershipit të tranzicionit që projektojnë si lider të Shqipërisë është Lulzim Basha.

Ka plotë syresh që nga padituria ose nga halli qeshin me këtë ide, por realisht kundërshtarët klasik të Bashës, që e kuptojnë mirë realitetin, jam i sigurt që nuk flenë gjumë për faktin se vendin do e qeveris Basha në një të afërt jo shumë të largët.

Zgjedhjet e Bashës, nuk do të garantonin pushtet të menjëhershëm apo privilegje të menjëhershëm. Ringritja e Bashës, nëse shikojmë edhe ringritje të tjera me situata të ngjashme në Euopë para fillimit të Luftë II, kanë qenë të vështira, me plotë beteja, por të sigurta.
Unë, nuk kam pasur kurrë dilemën se do kemi mundësinë ta qeverisim vendin, por dilema më e madhe e imja është se kur të vij momenti të mos dështojmë si të tjerët para nesh dhe të mos i zhgënjejmë qytetarët, të cilët kanë gjatë gjithë kohës së tranzicionit që zhgënjehen e keqpërdoren.

Ringritja e Bashës dhe kthimi i tij në alternativë qeverisëse është një projeksion i sigurt, por realiteti do të jetë ndryshe, sepse nuk do të kemi rival serioz dhe kjo do e bëj edhe më të fortë përgjegjësinë tonë ndaj qeverisjes dhe për tu sjellë si baluard të demokracisë.

Rikthimet e vështira ose thuajse të pamundura ndodhin gjithmonë në politikë dhe ato sjellin një estabilshment të ri, status quo të re që është e destinuar për të qëndruar për shumë kohë, thuajse statike, sepse mbështetet tek kauza dhe tek parime.

Sërish protestë në aksin Thumanë-Kashar, protestuesit përplasen me policinë, gjakoset një qytetar

Dhjetëra qytetarë të Thumanës e rrethit të Krujës kanë dalë sërish në protestë, kundër bllokimit që u është bërë me autostradën e re Thumanë-Kashar.

Edhe këtë të martë, protestuesit kanë bllokuar aksin rrugor, ku janë përplasur edhe me Policinë.

Të shumtë janë edhe forcat policore, të cilat të pajisura me skafandra dhe mbrojtëse përpiqen të zhvendosin protestuesit nga autostrada.

Ndërkohë gjatë protestës, një qytetar pretendon se është gjakosur nga Policia, por gjithsesi kjo nuk e ka penguar atë që ta vijojë protestën.

‘Do të vazhdoj të protestoj, gjakosja nuk më ndal’., tha qytetari.

Turizmi prioritet kombëtar në programin e Demokratëve Euroatlantikë, Basha shpjegon 5 prioritet kryesore për këtë sektor

Kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka publikuar prioritet kombëtare të programit për Turizmin. Në një video të shpërndarë në facebook, Basha thekson se duke ndjekur modelet rajonale do të subvencionohen një pjesë e mirë e fuqisë punëtore në sektorin e turizmit, si dhe do të happen 4 shkolla profesionale me focus këtë sektor.

Një prioritet tjetër sipas tij do të jetë edhe përmirësimi i rrjetit të brendshëm rrugor të infrastrukturës kombëtare duke bërë të mundur edhe vënien në funksion të korridorit Adriatiko-Jonian pa pagesë. Dy zotimet e tjeta që përmend Basha, është edhe heqja e pagesës në rrugën e Kombit, si dhe mundur rehabilitimin e aksit rrugor Shkodër-Tropojë-Kukës-Dibër-Librazhd-Përrenjas-Pogradec-Korçë-Ersekë-Leskovik-Përmet-Gjirokastër që njihet si unaza lindore kombëtare.

Më poshtë postimi i plotë i Bashës:

Turizmi është prioritet kombëtar në programin tonë:

1. Sipas modeleve më të përparuara rajonale, do të subvencionojmë një pjesë të mirë të fuqisë punëtore në sektorin e turizmit, për periudhën jashtë sezonit, për t’i mundësuar atyre të ardhura gjatë gjithë vitit dhe familjeve të tyre të qëndrojnë në Shqipëri;

2. Do të hapim 4 shkolla profesionale me fokus turizmin;

3. Përmirësojmë rrjetet e brendshme të infrastrukturës kombëtare duke bërë të mundur ndërtimin dhe vënien në funksion të korridorit Adriatiko-Jonian pa pagesë në fund të mandatit të parë qeverisës;

4. Heqim pagesën për çdo makinë në Rrugën e Kombit;

5. Bëjmë të mundur rehabilitimin e aksit rrugor Shkodër-Tropojë-Kukës-Dibër-Librazhd-Përrenjas-Pogradec-Korçë-Ersekë-Leskovik-Përmet-Gjirokastër që njihet si unaza lindore kombëtare.

Zhvillimi i infrastrukturës dhe platforma jonë e taksave të ulëta do të mundësojë që operatorët turistikë, të çliruar nga kosto e lartë e infrastrukturës së dobët dhe nga taksat e larta të qeverisjes qëndrore dhe lokale, të kenë një ofertë turistike konkurruese për rajonin dhe për turistët anembanë botës.

Zbardhja e videos:

“Turizmi nuk është propagandë, por prioritet kombëtar në programin tonë qeverisës. Sipas modeleve më të përparuara rajonale, ne do të subvencionojmë një pjesë të mirë të fuqisë punëtore në sektorin e turizmit, për pjesën jashtë sezonit, për t’i mundësuar atyre dhe familjeve të tyre të qëndrojnë në Shqipëri, të aftësohen përmes arsimit profesional në fushën e turizmit dhe të shërbejnë me standartet më të larta. Po kështu, zhvillimi i infrastrukturës dhe platforma jonë e taksave të ulëta do të mundësojë që operatorët turistik, të çliruar nga kosto e lartë e infrastrukturës së dobët dhe nga taksat e larta të qeverisjes qëndrore dhe lokale, të kenë një ofertë turistike konkurruese për rajonin dhe për turistët anembanë botës. Në këtë mënyrë, turizmi me të vërtetë do të kthehet në një prioritet kombëtar dhe një zhvillues të ekonomisë kombëtare për të gjithë shqiptarët.”