37.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Emigrantët e mitur! Raporti i fundit zbulon shifrat: Shumica e shqiptarëve të ndaluar në kufi nën 18 vjeç, udhëtojnë drejt…

Nga shqiptarët të ndaluar në kufi që nuk janë lejuar të udhëtojnë, më së shumti janë nën moshën 18 vjeç, zbulon raporti më i fundit i migracionit për 4 vite 2019-2022.

Piku është shënuar në vitin 2019 me rreth 13 mijë të mitur të ndaluar, shifër e cila ka pësuar rënie të ndjeshme deri në 2022 me 55%. Por që krahasuar me 2021,  në vitin 2022 është parë një rritje e ndjeshme, nga 4000 fëmijë në rreth 6500 të mitur të ndaluar.

Ndërkaq, të dhënat e Drejtorisë së përgjithshme të kufirit dhe migracionit nënvizojnë si një ndër kanalet kryesore të emigracionit të parregullt braktisjen e fëmijëve, lënia e tyre në vendet pritëse dhe kthimi i prindërve në Shqipëri, dukuri e cila ka rritur numrin e emigrantëve fëmijë të pashoqëruar.

Në lidhje me shtetet nga të cilat janë kthyer të miturit e pashoqëruar në 4 vite, gati gjysma  46% janë kthyer nga Gjermania; 23% nga Franca dhe 7.5%; nga Britania e Madhe, Italia dhe Greqia respektivisht.

Megjithatë duke iu referuar të dhënave të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, vihet re një rënie e numrit të regjistrimeve në arsimin parauniversitar të fëmijëve të kthyer, nga viti në vit.

Në vitin shkollor 2019–2020, në shkolla janë regjistruar mbi 1 013 fëmijë të kthyer nga emigracioni, një vit më vonë  janë regjistruar 24% me pak , 796 nxënës; ndërsa për vitin shkollor 2022–2023 janë regjistruar vetëm  661 nxënës, që do të thotë 42% më pak se sa në 2019.

Profili kombëtar i migracionit i miratuar parashikon që të kthyerit në moshë shkollore trajtohen me përparësi dhe u krijohen lehtësi për përfshirjen në sistemin arsimor.

Në çdo fazë të vitit shkollor, zyrat vendore të arsimit parauniversitar  bëjnë njësimin e dokumenteve shkollore që ata sjellin me vete dhe i regjistrojnë në shkollë.

Kur është e nevojshme, ata mbështeten edhe me program individual për gjuhën shqipe dhe për lëndë të veçanta. Në VKM rekomandohet parandalimi i fenomenit të migrimit të parregullt nga Shqipëria, duke dhënë informacione mbi rreziqet që lidhen me migrimin e parregullt dhe kërkohet përfshirja e pushtetit vendor në strukturat koordinuese dhe monitoruese për çështje migratore.

Edhe Rama në djall do të shkojë, nëse vijon të veprojë si bllokues i bashkimit të shqiptarëve në Ballkan

Nga Spartak Ngjela

Shqiptaria sot, me të dy shtetet e saj në Ballkan, është në progres historik.

Kur një popull i copëtuar, i masakruar dhe që territore të gjera ia kanë pushtuar masakruesit e tij, dhe vjen një kohë kur ky, në histori, fiton të drejtën historike, kuptohet se historia e tij ka hyrë në një kahje të re.
Prandaj na duhet të theksojmë se, procesi historik ku shqiptaria ka hyrë, nuk mund të ndalet dot nga askush, sepse ky proces tani po vijon të ecë në një kahje të re historike. Dhe ky është një progres historik me forcë shumë të madhe.
Në këtë proces ka hyrë shqiptaria që nga viti 2008 e deri më sot.
Por…
E keni dëgjuar psikologjinë që në një mënyrë krejt fjalësh e në abstraksion, prej vitesh e vitesh, po artikulon shprehjen: “Shqipëria nuk bëhet.”
Injorancë. Ligësi prej injorantësh antishqiptarë është kjo.
Nëse Shqipëria është e bërë, për çfarë duhet të bëhet? Zhvillimin i saj nuk është bërje e Shqipërisë, por është niveli i saj ekonomik, i cili tani po duket qartë se ka hyrë në një progres integral.
Armiqtë e shqiptarisë janë në Abstraksion. Asgjë konkrete nuk kanë në dorë më kundër shqiptarëve e shqiptarisë.
Shqipëria e bërë është, dhe kështu ka qenë që nga viti 1912.
Shqipëria sot është në progres të vijueshëm, dhe kjo është thelbësore për kohën tonë.
Por, ata që paguhen nga Athina dhe Beogradi flasin gjatë gjithë kohës kundër Shqipërisë dhe Kosovës…
Por po lodhen kot së koti e fare kot.

Sot janë dy Shqipëri në Ballkanin Perëndimor.
Shqipërinë tjetër, Kosovën, shqiptarët ia moren në vitin 2008 armikut me barbar të antishqiptarizmimit: Serbisë. Një pushtues ky që ka gjakosur shqiptarët, por tani nuk ka më forcë që të bëjë diçka kundër tyre.
Po, ku ka pasur Serbi! Serbët kanë qenë pushtues të tokave shqiptare dhe që janë inkriminuar kundër shqiptarëve me ndihmën e Rusisë. Por, tani, kapitulli i antishiptarisë është i mbyllur.

Janë dy Shqipëri sot në Gadishullin Ilirik, që duhet ta mendojnë mire një sistem bashkues të përparuar për të ardhmen e tyre. .
Reaksioni serb antishqiptar vijon të jetë ende sot në një psikologji kriminale antishqiptare, por nuk ka më forcë të bëjë diçka kundër shqiptarëve.

Një pushtues barbar i tokave shqiptare ka qenë Serbia . Por tani gjithçka po flet për shqiptarët.
Dhe, a e dini ku e ka sot frikën reaksioni kriminal i Serbisë?
Frikën e ka tek bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.
Po, a ka ndonjë pengesë ky bashkim?
Sipas të dhënave që flasin tregon që Shqipëria nuk po bën hapa drejt një koncepti bashkues me Kosovën, dhe pengesa është Edi Rama. Një mendje – ngushtë ky që nuk e di çfarë don të thotë komb, që nuk e ndien veten shqiptar nga origjina, por që vetëm pengon raportin zhvillues për bashkimin e shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor.
Kot lodhet…
Nuk i bën dot gjë Rama as Shqipërisë dhe as Kosovës. Por, ai frenon ndërmarrjen e zhvillimit të përbashkët ekonomik midis Shqipërisë dhe Kosovës. Vetëm pengon.

Por marrëdhëniet e ngushta të Shqipërisë me Kosovën nuk i pengojnë dot më sllavët armiqësorë të Shqiptarëve.
Sot asgjë nuk i bën dot askush botës shqiprare në Ballkanin Perëndimor. Dhe, bashkë me përkrahësit e shitur shqiptarë edhe Serbia, edhe Rusia, asgjë nuk i bëjnë dot më shqiptarisë, që sot është në progres maksimal.
Asgjë.
Edhe Rama në djall do të shkojë, po të vijojë të veprojë si bllokues i bashkimit të botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor.
Keni për ta parë…

Shtrenjtohen kostot e industrisë së reçelrave dhe kompostove

Food and drink, harvest summer autumn concept. Assortment of seasonal berries and fruits jams in jars on a wooden table. Copy space rustic background
Pavarësisht mbiprodhimit të qershisë, përpunuesit po e blejnë, si lëndë të parë frutën për prodhim reçeli dhe komposto 60% më shumë se vjet. Shkak është shtimi i pagesave ditore për vjelësit. Shtrenjtimi i lëndës së parë ka rritur kostot e industrisë përpunuese. Pritet që çmimet e reçelit dhe të kompostos të shtrenjtohen dhe konsumi të ulet. Ndërsa fermerët ngrenë shqetësimin se qershinë po e shesin nën kosto.

 

Dorina Azo

Mirosh Çela, prej 10 vitesh, ka mbjellë 1,800 drurë qershi në një sipërfaqe toke prej 10 hektarësh, në fshatin Slabinjë të Mokrës, e njohur për prodhimtarinë e lartë të drurëve frutorë, që në periudhën komuniste.

Për shkak të mbiprodhimit të sivjetshëm në treg, çmimi i qershisë me shumicë varion nga 40-60 deri në 80 lekë. Mirosh Çela thotë se çmimi i kërkuar nga tregtarët është nën kosto.

“Këtë vit, situata është katastrofë. Ka mbiprodhim, por qershinë ose po e shesim nën kosto, ose po e lëmë të kalbet në pemë. Që një fermer të nxjerrë fitim nga prodhimi, duhet ta shesë të paktën me 100 lekë për kg qershinë.

Nga tregtarët e zonës, çmimi i kërkuar i qershisë është 60 lekë. Për shkak të çmimit të paleverdishëm, u kalbën pa shitur në pemë 2 tonë prodhim. Kam nisur vjeljen për 10 tonë prodhim me shpresën për ta shitur me 80 lekë për kg”.

Sipas të dhënave të INSTAT, për vitin 2022, në zonat rurale të Bashkisë së Pogradecit të mbjellat me drurin e qershisë zunë një sipërfaqe toke prej 130 ha, apo 5% të totalit të tokës në rang vendi.

 

Burimi: INSTAT

 

Për fermerët e kësaj zone, përveç mungesës së tregut të shitjes, problematika kryesore e rritjes së kostos është mungesa e fuqisë punëtore. Vështirësitë për gjetjen e vjelësve i kanë detyruar fermerët të rrisin pagesat ditore. Ai thotë se pagesat për ta janë të papërballueshme.

“Nga shitjet e deritanishme po punojmë vetëm për pagesat e punëtorëve të vjeljes. Kam punësuar 7 punëtorë që i paguajmë 2,000 deri në 2,500 lekë/dita.

Deri tani, për pagesat e tyre kam shpenzuar 200 mijë lekë. Shpenzime mbi 200 mijë lekë kemi pasur edhe për spërkatjen e pemëve. Kostot janë të papërballueshme në kushtet kur mungon tregu i shitjes”.

Situata është e ngjashme edhe për një tjetër fermer të ri, si Andon Balliu, i cili prej 4 vitesh ka mbjellë 600 drurë pemë qershie. “Sivjet prodhimi ishte i mirë, por qershitë po mbeten pa vjelë në pemë.

Nuk më leverdis ta shes prodhimin me çmimin e kërkuar prej 40 apo 60 lekësh. Qershia duhet të shitet të paktën 100 lekë për kg që të arrijmë të kemi fitim”, pohon ai.

Në zonën e Korçës, sipas agronomit Nevion Telha, qershia u shit pothuajse në masën 70-80%, por me çmim nën kosto.

“Fillimisht qershia u shit me 150 lekë për kg, por më pas çmimi u ul në 70 lekë për kg. Krahasuar me vjet, çmimi është i njëjtë. Vjet qershia u kalb, nga kushtet e motit, dhe nuk pati shumë prodhim.

Sivjet ka prodhim, por mbetet problem shtimi i kostos te fermerët nga rritja e pagesave për vjelësit. Vjet pagesat ishin 1,500 lekë në ditë kurse sivjet kanë arritur 2,000 deri në 2,500 lekë në ditë. Ndryshe nuk vjen njeri të punojë”, pohoi z. Telha.

Prodhimi i qershisë sipas të dhënave të INSTAT për 2022 u rrit me 11% krahasuar me 2021. Vitin e kaluar, sipas fermerëve, prodhimi i qershisë ishte i ulët në raport me vitin paraardhës, për shkak të kushteve jo të favorshme klimatike.

Në vitin 2022, në rang vendi, të mbjellat me drurin frutor të qershisë arrinin në një sipërfaqe toke prej 2,525 ha. Krahasuar me 2021, sipërfaqja e të mbjellave u rrit me rreth 1%.

Bashkia me sipërfaqen më të lartë të tokës së mbjellë me qershi është ajo e Dibrës, që zë 15% të totalit.

Më pas është Bashkia e Mallakastrës me 10% të totalit të sipërfaqes së tokës, Bashkia e Korçës me 9,5%, ajo e Elbasanit zë 8,3%, të mbjellat në Berat zënë 8% dhe në Pogradec, 5%.

 

Burimi: INSTAT

 

Industria e reçelrave dhe kompostove

Për vitin 2023 në total janë prodhuar 343 ton reçel. Prodhimi i reçelit vjet, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, u rrit 14% krahasuar me vitin 2022.

Shtim të prodhimit ka pasur edhe për marmelatën. Për vitin 2023 sasia e prodhuar arriti në 54 ton.

Kjo është sasia më e lartë e prodhimit të marmelatës në 10 vitet e fundit, përkatësisht për periudhën nga 2013 deri në 2023. Krahasuar me 2022 prodhimi i vjetshëm është rritur 74%.

Ndërsa prodhimi i kompostos për 2023 ka renë. Vjet u prodhuan 1,223 ton komposto sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë. Sasia e prodhuar është 7% më pak se në 2022.

Sivjet qershia ka mbiprodhim, madje edhe me cilësi të mirë, sipas agronomit Vevion Telha, por fermerët po e shesin prodhimin nën kosto.

Fermerët thanë se cilësia e parë shitet për konsum të freskët me çmim të mirë nga 150 deri në 200 lekë për kg. Ndërsa cilësia e dytë që përkon me sasi të madhe shkon për përpunim me çmim nën kosto nga 60, 70, 80 apo 90 lekë.

Për përpunuesit e frutave që kanë nisur prej fillimit të muajit qershor prodhimin e reçelrave dhe kompostove, çmimi i qershisë së blerë si lëndë e parë, mesatarisht sivjet është deri në 60% më e shtrenjtë se vjet, nga rritja e pagesave për vjelësit.

“Prodhim qershie sivjet ka plot, në të gjitha zonat, si në Korçë, Dibër, Elbasan etj. Por çmimi i shitjes së qershisë është rritur, sepse mungon fuqia punëtore për vjeljen e qershisë dhe frutave të tjera.

Çmimi mesatar i shitjes vjet ka qenë 50 deri në 60 lekë, që nuk pati prodhim të lartë.

Sivjet çmimi mesatar i shitjes është 80 lekë për kg. Është i shtrenjtë për industrinë përpunuese, kur çmimi i sheqerit dhe materialeve ambalazhuese është i lartë”, pohoi përfaqësuesi i një prej fabrikave përpunuese në Berat.

Dy fabrikat kryesore të përpunimit të frutave për reçel dhe komposto “Sidnej” në Berat dhe “Zdrava” në Lushnjë, secila përpunojnë në ditë 10 deri në 15 tonë qershi.

Lënda e parë për reçelin e qershisë nga kompania “Zdrava” po sigurohet me çmim 85 deri në 95 lekë për kg. Kompania përpunon për reçel dhe komposto vetëm qershinë e Klasa A të varietetit Napoleon.

Sajmir Sinanaj, teknologu i fabrikës së përpunimit, tha për “Monitor” se sezoni i prodhimit të reçelit, kompostos apo marmelatës së qershive parashikohet të zgjasë deri në 25 ditë.

Z. Sinanaj pohon se sivjet, prodhimi është i mbarë, por çmimi i lëndës së parë që sigurohet kryesisht nga fermerët e Dibrës, Korçës dhe Beratit është më i lartë se vitin e kaluar. Pavarësisht çmimit të rritjes së lëndës së parë, thotë ai, kostoja nuk do të ndryshojë. Kjo pasi çmimi i shitjes së sheqerit është ulur.

Edhe Kryetari i Këshillit të Agrobiznesit z. Agim Rrapaj, thotë se çmimi i qershisë është më i lartë nga viti i kaluar nga rritja e pagave për fuqinë punëtore.

“Mungesa e fuqisë punëtore ka bërë që prodhimi të mos vilet në kohën e duhur, duke humbur ndjeshëm cilësinë e lëndëve të para, duke rritur skarcitetin, si dhe duke shtuar humbjet”, nënvizon z. Rrapaj.

Vjet për drejtuesit e fabrikave të prodhimit të reçelrave dhe kompostove, situata e prodhimit të pemëve rezultoi alarmante, e ndikuar nga kushtet e papërshtatshme klimatike.

Mungesa e prodhimit te drurët frutorë solli për disa përpunues reduktim të prodhimit të reçelrave, kompostove dhe marmelatës deri në 50% krahasuar me 2022.

Arsyeja kryesore e përgjysmimit të prodhimit ishte mungesa e frutave. Mosgjetja e lëndës së parë e penalizoi industrinë edhe për kontratat e eksportit, pasi sipërmarrësit e huaj kërkojnë sasi të lartë produktesh që nuk arrin të garantohet.

 

Burimi: Ministria e Bujqësisë

 

Pse nuk gjenden vjelës për frutat

Alban Çakalli, fermer nga Mamurrasi, me njohuri të gjera në fushën e bujqësisë analizon se arsyeja kryesore e mungesës së gjetjes së punonjësve për vjeljen e frutave është sezoni i shkurtër në vend që nuk sjell shumë të ardhura.

Ndryshe ndodh në vendet e rajonit dhe Europës, që u garantojnë vjelësve 6 muaj punë dhe me pagesa të larta.

“Në fshatrat ku janë të fokusuar në kultivimin e frutave nuk ka diversitet kultivarësh që prodhimi të shtrihet në kohë. Shpesh kanë të gjithë të njëjtin kultivar që piqet në të njëjtën kohë dhe nuk arrijnë ta bëjnë të gjithë vjeljen.

P.sh., qershia piqet për dy javë. Në vendet e tjera ka shtrirje kohore dy muaj. Kështu dhe punëtorët e shikojnë me interes të shkojnë në fshatrat ku sigurohet dy muaj punë”.

Në anën tjetër, sipas tij, vendet e tjera i paguajnë punëtorët me kg që vjelin. Këtu me ditë pune. “Punëtorët nxiten për të fituar më shumë me kg. Ju ofrohet fjetja dhe ushqimi në vende të tjera.

Janë dhe grupe pune që japin rendiment në vjelje. Mirë do ishte që të kultivohen dhe kultura të tjera, që puna në vjeljen e frutave të zgjasë mbi tre muaj.

Në Spanjë kombinohet vjelja e qershisë, me pjeshkën, rrushin dhe fikun. Sigurohet mbi 6 muaj punë. Pastaj me 6 muaj pune del në asistencë për 6 muaj të tjerë.

Dhe kështu punëtorët nuk largohen nga fshati. Kjo quhet bujqësi e qëndrueshme, që ndikon shumë në ekonominë bujqësore. Jemi shumë larg këtyre politikave”, pohon z. Çakalli.

 

Burimi: Ministria e Bujqësisë

 

Sa parashikohet të prodhohet reçel dhe komposto sivjet dhe me çfarë kosto?

Të paktën reçelin apo komposton e qershisë, që ka nisur të prodhohet e para me fillimin e sezonit të përpunimit të frutave, fabrikat kryesore parashikojnë ta shtojnë krahasuar me vjet.

Por disa prej tyre për shkak të kostos së lartë të prodhimit, pritet të dalin me çmim më të shtrenjtë shitjeje.

Një nga përfaqësuesit e fabrikës së përpunimit në Berat tha se krahasuar me vjet parashikon të prodhojë 20% më shumë reçel dhe komposto qershie.

Ai thotë se çmimet e shitjes priten të jenë më të larta, për shkak të lëndës së parë që është blerë më shtrenjtë, por edhe kostove shtesë që vetë përpunuesit kanë nga pagat e punonjësve në fabrikë.

Agim Rrapaj, nga Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar, thotë se kostot e prodhimit janë më të larta, pasi përveç ndikimit të fuqisë punëtore, është edhe çmimi i lartë i ambalazhit, i energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse.

Procesi i prodhimit të reçelit kalon në disa etapa, që nisin me larjen e frutave, heqjen e farave dhe bishtave në rastin e prodhimit të reçelit të qershisë dhe deri te zierja dhe ambalazhimi.

Në kompaninë “Zdrava” i gjithë procesi i prodhimit është i automatizuar, falë një investimi të bërë në vitin 2019 në vlerën e 2,5 milionë eurove nëpërmjet granteve të dhëna nga programi IPARD, që ka ndihmuar në shkurtimin e kostos për punëtorinë.

“Automatizimi i linjës së prodhimit ka reduktuar shumë koston për mbajtjen e fuqisë së lartë punëtore”, pohon Sajmir Sinanaj, teknologu i fabrikës së përpunimit të frutave dhe perimeve “Zdrava”.

“Sivjet, kostot e përpunimit pritet të jenë më të lira se vitin e kaluar, pasi çmimet e disa lëndëve të para siç është sheqeri, janë ulur nga 100 lekë për kg që u ble vjet, në 70 lekë për kg në 2024.

Rënie të çmimeve ka pasur edhe për lëndët ambalazhuese.

Për rrjedhojë, edhe çmimet e shitjes nuk parashikon të jenë me rritje”.

 

Burimi: Ministria e Bujqësisë

 

Konsumi i reçelrave dhe kompostove

Për disa nga përpunuesit, shtimi i fluksit të turistëve të huaj pritet të nxisë konsumin e reçelrave sivjet në zinxhirin kryesor të tregtimit në sektorin HoReCa (Hotele-Restorante dhe Katering).

Vitin e kaluar, kompania “Zdrava” tregtoi 350 tonë reçel dhe koncentrat qershie sipas z. Sinanaj. Këtë vit parashikohet që shitjet të arrijnë 500 deri në 550 tonë, apo rreth 57% më shumë.

Rreth 25% e prodhimit të të gjitha llojeve të reçelit të kompanisë eksportohet në disa shtete, si: Kosovë, Serbi, Maqedoni e Veriut, Bosnjë-Hercegovinë, Suedi, Finlandë, Gjermani dhe Belgjikë.

Pjesa tjetër tregtohet në zinxhirin e hotelerisë, për rreth 450 hotele në vend. Me shtimin e numrit të turistëve parashikohet të rritet kërkesa për të gjitha llojet e reçelrave nga strukturat akomoduese.

Agim Rrapaj nga KASH thotë se shitjet e reçelrave sivjet parashikohen me një tendencë rritje krahasuar me vitin e kaluar, si rezultat i fluksit më të madh të turistëve.

Ndërsa të tjerë prodhues pohojnë se shtrenjtimi i çmimeve të shitjes do të ulë fuqinë blerëse.

“Shtrenjtimi i çmimeve pritet të pakësojë konsumin. Nga ana tjetër, edhe blerjet nga pastiçeritë dhe konsumatori kanë rënë për shkak të emigracionit”, pohon një nga përfaqësuesit e fabrikave përpunuese.

Ata rekomandojnë se që të përmirësohen këto produkte është shumë e rëndësishme që në institucionet shtetërore, siç janë burgjet, kopshtet apo spitalet, prioritet të mbetet përdorimi i produkteve shqiptare dhe jo atyre të importit.

Përpunuesit ngrenë shqetësimin se çmimet e referencës së blerjes së këtyre produkteve në tenderim janë shumë të ulëta, krahasuar me koston e prodhimit.

Në shumë raste, si në institucionet e vuajtjes së dënimit, për shkak të leverdishmërisë së kostove, tenderohet më tepër çokokrem sesa reçel i prodhuar në vend.

 

 

Çmime të shtrenjta për frutat e tjera

Në vitin 2023, rënia e ofertës së lëndës së parë vendase rriti ndjeshëm çmimin e frutave që përdoren nga industritë përpunuese. Rritja e çmimeve shtrenjtoi edhe kostot.

Shtrenjtim të çmimit pati më shumë për varietetin e kumbullës “tropojane”, më e përdorura nga agroindustria përpunuese për prodhimin e reçelit.

Nga 30 deri në 50 lekë për kg që ishte në 2022, u tregtua nga 80 deri në 100 lekë për kg në vitin 2023. Rritja varionte nga 100% deri në 1,6 herë më tepër. Rritje çmimi në shitje pati edhe për pjeshkën rreth 50%. Vjet çmimi i pjeshkës për përpunim ishte 60 deri në 70 lekë për kg.

Sezoni i përpunimit të reçelit dhe kompostos së kumbullës nis në muajin korrik, për të vijuar më tej me pjeshkën dhe fikun.

Përpunuesit presin çmime të shtrenjta krahasuar me vjet edhe për këto fruta që ata përdorin më së shumti për prodhimin e reçelit dhe kompostos.

Alban Çakalli thotë se rritja e kërkesës, e ndikuar nga turizmi, do të shtrenjtojë çmimet e shitjes së frutave të freskëta.

“Importojmë shpesh kumbulla. Kemi importuar edhe fik për konsum të freskët. Mollë ka sasi të mëdha, por nuk punohet për të rritur cilësinë vizuale.

Vjet, fiku u shit me 200 lekë për kg me shumicë. Në tregje pati dhe fiq të importuar nga Greqia. Nëse do të kemi të njëjtin trend të turizmit si vjet, besoj se çmimet e frutave do të rriten.

Zgjidhje e mirë është që në varësi të konsumit të programohen mbjelljet”.

 

Rriten importet e grupit të sheqernave në muajt janar-prill

Rikuperimi i industrisë përpunuese, krahasuar me rënien e lartë që pati vjet prodhimi i reçelrave dhe kompostove ka shtuar importin e sheqernave.

Sipas të dhënave të INSTAT, importet e grupit “Sheqernat dhe ëmbëlsirat prej tij”, në muajt janar-prill 2024 u rritën me 46% krahasuar me vitin paraardhës.

Vitin e kaluar, në periudhën janar-gusht 2023, importet e sheqerit shënuan sasinë më të ulët në 7 vitet e fundit. Sipas të dhënave të Doganave, në atë periudhë importet ranë 33% në raport me të njëjtën periudhë 2022.

Grosistët pohuan më herët se shkaqet e rënies së importit ishin tkurrja e konsumit nga emigracioni dhe e kërkesës për sheqer nga industria e prodhimit të reçelrave.

Agroindustria e prodhimit të reçelrave, kompostove dhe marmelatës në 2023 vuajti mungesën e gjetjes së lëndës së parë së frutave. Për këtë arsye, drejtuesit e fabrikave thanë se prodhuan 50% më pak se vjet.

Për agronomët, Shkak i rënies së prodhimit të pemëve në vend ishte lagështira e lartë në pranverë./Monitor.al

 

Burimi: Ministria e Bujqësisë

 

 

Vilë në Shqipëri? Corriere: Meloni e tronditur nga lajmi i rremë

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka përgënjeshtruar lajmin se po planifikon të blejë vilë në Palasë. Lajmin e ka bërë të ditur gazeta e njohur italiane, Corriere della Sera.

Sipas gazetës, Meloni është shprehur e trondit nga lajmi i rremë dhe lehtësia me të cilin u përhap ai. “Nuk është absolutisht e vërtetë. Si mund të jepen si lajm gjërat që nuk i kam menduar asnjëherë,” citon gazeta kryeministren italiane.

Pak ditë më parë gazeta Il Foglio publikoi një artikull sipas të cilit kryeministrja italiane po blinte një vilë me pishinë në bregdetin e Palasës. Sipas gazetës, e cila i referohej burimeve politike dhe diplomatike nga Tirana, investimi i Melonit do të çimentonte edhe më tej marrëdhenien e saj me Edi Ramën.

Lajmi u përcoll edhe nga shumë media të tjera duke u lidhur edhe me ndërtimin e Qendrave të Emigrantëve në Shqipëri.

A e dini që Berisha i rikthyer ka humbur 5 herë në dy vite përballë Edi Ramës, çfarë po pret tani Doktori? Humbjen e gjashtë!?

Nga Alfapress.al

Që prej 2021 Sali Berisha pothuajse është rikthyer me kohë të plotë në politikë.

Pas shpalljes Non-Grata nga departamenti i shtetit Amerikan, ai u aktivizua për të rimarrë pushtetin në PD, për të ju treguar atyre se kishin të bënin me kreun e opozitës.

Dhe pse SHBA asnjëherë nuk i tërhoqi akuzat për të si minues i demokracisë.

Nga ana tjetër demokratët menduan se premtimet e tij se do ta mundë Edi Ramën shumë shpejt shtuan entuziasmin e kampit pro-berishist, por ky ishte një mashtrim i madh. Ai nuk kishte synim fitoren me Edi Ramën.

Lëvizjet radikale të Sali Berishës çuan dhe në atë skenar që pothuajse shkoi në përplasje fizike mes demokratëve në 8 janar, ku militantët e Berishës shkuan në selinë e PD me varre, leva e gurë.
Pamjet e 8 janarit ishin një tregues sesa të rëndësishme e kishte Berisha drejtimin e partisë.

Madje ai shigjetonte personalisht ata që mbështesnin Lulzim Bashën. Por sapo ata ndërronin qëndrim bëheshin demokratë të vërtetë rast ky tipik i Gaz Bardhit me shokë.

Zgjedhjet e 6 marsit 2022 ishin prova e parë ku në zgjedhjet ai hyri nën siglën e partisë së Ilir Metës.

Nga 6 bashki si Durrësi, Dibra, Lushnja, Rrogozhina, Shkodra dhe Vora ai arriti të marrë vetëm Shkodrën, duke rregjistruar humbjen e parë përballë Ramës 5 me 1.

Edhe Shkodrën e fituar do ta humbiste pas një vite me një diferencë që vetëm në Shkodër nuk pritej.

Zgjedhjet vendore maj 2023

Koalicioni i Berisha-Meta kandidoi në 61 bashki, ku fitoi vetëm 7.

Rezultati më i dobët që PD kishte marrë ndonjëherë në zgjedhje vendore.

U humbën bastionet e PD si Shkodra, Kukësi, Devolli, Kamza por dhe Tropoja.

Kjo humbje ishte ndër më të mëdhatë e PD ndonjeherë, por Berisha tha se kishte patur manipulime.

Zgjedhjet në Kukës

Pas skandalit seksual të ish kreut të bashkisë Kukës Safet Gjici, zgjedhjet u përsëritën duke e thelluar më shumë humbjen në një bastion ku PD fitonte gjithmonë.

Ripërsëritja e zgjedhjeve në Rrogozhinë

Sërish kandidati i PS arriti të thellojë diferencën nga ai i PD pasi në zgjedhjet e mëparshme diferenca ishte e ngushtë.

Megiithatë Sali Berisha vazhdonte të njëjtën retorikë boshe të pakuptimtë me iluzionet se do ti tregonte vendin Edi Ramës në betejën e ardhshme.

Himara

Pothuajse një çëshjte me jehonë të madhe publike, pasi Fredi Bejleri u arrestua për motivin e blerjes së votave në zgjedhjet e majit 2023. Kështu zgjedhjet u bënë këtë korrik.

PD e Berishës dhe pse mbështeste një person më shumë pro-grek sesa shqiptar, hyri në zgjedhje me kandidat të ri.

PS arriti ta mundë sërish Berishën dhe Metën dhe aty ku ata kishin fituar 1 vit më parë. Madje rezultati ishte mjaft i thellë për ta kundërshtuar.

Ne sapo i rënditëm disa beteja të Berishës së rilindur me Ramën, ku veç humbjeve katastrofike asgjë tjetër të re nuk ka.

Atëherë si mund të presin demokratët që pas pak muajsh Sali Berisha ta thyejë Edi Ramën, kur në fakt ai sot ka një PD më të vogël se ajo që i la Lulzim Basha.

“Sigurimi i PPSH ka investuar që të harrohet persekutimi komunist”, Basha: Programi ynë parashikon krijimin e fondit të Kujtesës, hapjen e dosjeve, statusin e të përndjekurit politik, ngritjen e një muzeu kombëtar të kujtesë

Kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka ndarë një video në facebook nga podcasti i djeshëm me ish të përndjekurit politik.

Basha shkruan se bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit janë investuar që gjithçka të harrohet nga persekutimi komunist.

Për këtë ai thotë se programi i PD parashikon krijimin e fondit të Kujtesës, transparencën e plotë të dosjeve të Sigurimit të Shtetit, statusin e të përndjekurit politik, ngritjen e një muzeu kombëtar të kujtesës së totalitarizmit.

Potimi i plotë i Bashës:

Për 34 vjet, bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit dhe ish funksionarët e Partisë së Punës kanë investuar gjithçka që të harrohet persekutimi komunist. “Bashkëvujtës dhe bashkëfajtor” amnistoi persekutorët dhe dënoi edhe njëherë të persekutuarit. Kjo duhet të marrë fund! Për këtë, në programin tonë parashikojmë: Krijimin e fondit të Kujtesës, transparencën e plotë të dosjeve të Sigurimit të Shtetit, statusin e të përndjekurit politik, ngritjen e një muzeu kombëtar të kujtesës së totalitarizmit. Historia meriton të njihet, fëmijët tanë nuk mund të rriten më në errësirë, harresa nuk është rruga e duhur për Shqipërinë. #ShqipëriaMeritonMëShumë

Suksesi i sezonit turistik varet nga kë pyet në Durrës

Nga Gëzim Kabashi 

Të dhënat aktuale për sezonin turistik veror në Durrës janë konfuze.

Bizneset dhe familjet që jetojnë me të ardhurat nga turizmi kanë mendime të ndryshme, lidhur me numrin e turistëve, prejardhjen e tyre dhe mbi të gjitha për fitimin e mundshëm të këtij viti.

Në një  nga baret e pakta në shëtitoren e plazhit të cilët shërbejnë që nga ora 6.00 e mëngjesit, Fred Spiro, i cili menaxhon një hotel me 150 shtretër pak më tej, tregon për BIRN vështirësitë që paraqet ky sezon.

“Shumica e turistëve nga Bosnja, Italia e Serbia, mbërrijnë me automjetet e tyre, por mundësia e parkimit bëhet gjithnjë e më e vogël,” shpjegoi Fredi.

“Kështu që i mbyllin makinat dhe nuk lëvizin fare drejt monumenteve apo qyteteve të tjera të vendit”, shtoi ai.

Mesoburri sjell përsëri shqetësimin e të huajve për shezlonet dhe çadrat e plazheve private, që vendosen ngjitur me njëra-tjetrën.

“Ata duan të shfrytëzojnë rërën, por rëra e plazhit nuk duket gjëkundi,” tha Fredi, duke u ngutur që ta pijë kafen sa më shpejt.

I duhet të largohet të merret me pompën e ujit të hotelit, pasi ka dy javë që e gjithë zona furnizohet vetëm një herë në ditë, në orën 4 të mëngjesit.

“Tani që na vjen gjysma e sasisë, shfrytëzojmë ujin e puseve; i përziejmë kur nuk ia dalim dot,” shpjegoi Fredi, ndërsa shtoi se këtë fakt nuk e ndajnë më mysafirët e huaj.

Një kilometër më tej, në anën tjetër të rrugës “Pavarësia”, furnizimin problematik me ujë të këtyre ditëve e konfirmon edhe Hysen Hyseni, i cili ofron dhoma me qera prej më shumë se 20 vjetësh.

“Shkojmë mirë me njeri tjetrin dhe ujin e depozitave gjatë ditës ia kalojmë edhe ndonjë familjeje tjetër që ka më pak ujë,” tha për BIRN, Ceni nga plazhi, familja e të cilit jeton me të ardhurat e sezonit turistik.

“Këtë verë ka më pak turistë, e për pasojë më pak fitime,” u shpreh ai, ndërsa pa u menduar shumë, vlerësoi se kur të mbarojë sezoni, krahasuar me vitin që shkoi do të ketë “rreth 3 mijë euro më pak në xhep”.

Vizitorë tek amfiteatri në Durrës | Foto: G.Kabashi

Çmimet e dhomave për verim në plazhin e Durrësit kanë mbetur të njëllojta prej shumë vitesh, por numri i pushuesve kosovarë në këtë sezon ka qenë më i vogël.

“Gazetat shkruajnë se tani që nuk u duhen vizat, kosovarët shkojnë për pushime edhe në vende të tjera,” tha Ferzilet Dema, e cila administron shtëpinë e të jatit.

Sipas saj, ata që erdhën për pushime këtë vit nga Kosova në Durrës mbërritën në gusht, “atëherë kur shtrëngoi vapa”.

“Na kishin thënë se 2024 do të ketë pushues plot, por po shohim edhe më pak se sa vjet”.

Zonja shton se këtë vit biznesi i dhomave me qira gjatë verës thuajse nuk ka asnjë farë leverdie.

“Është e lodhshme dhe fitohet shumë pak”, shprehet Ferzileti, që duket e pakënaqur nga puna që bën prej vitesh.

Por në hotelet dhe apartamentet e prenotuara nëpërmjet platformës Booking.com, të paktën në Durrës shifrat kanë mbetur të njëllojta.

“Hotelet e zonës Shkëmbi i Kavajës – Mali i Robit me 300-800 shtretër secili kanë patur gjatë këtij sezoni thuajse të njëjtin numër pushuesish,” tha për BIRN eksperti i turizmit Edmond Basho.

“Prenotimet e thjeshta në apartamentet booking dëmtuan sektorin e hotelerisë në bregdetin shqiptar, por jo në Durrës”, u shpreh Basho, sipas të cilit  plazhet e shumta, hoteleria masive dhe afërsia me aeroportin e bëjnë zonën e plazhit Durrës-Kavajë mjaft të sigurt për grupet e mëdha të turistëve nga vende të ndryshme, jo vetëm të Evropës.

“Agjencitë ndërkombëtare sjellin çdo javë 100-150 avionë çarter me turistë për qëndrime një apo dy-javore, dhe destinacioni I tyre kryesor mbetet zona turistike në jug të qytetit antik”, u  shpreh Basho.

Eksperti Basho komentoi se “dhomat e dhëna për turistët  nga familjarët për periudha të shkurtra 2 – 5 ditore, mund të amortizojnë më shpejt banesat, duke kërkuar restaurime të shpeshta”.

Ndërkaq agjencitë e huaja turistike janë mjaft të pranishme në hotelet e zonës Shkëmbi i Kavajës – Mali i Robit, dhe cilësia e shërbimit në to është përmirësuar ndjeshëm.

Është e vështirë të përcaktosh numrin e turistëve të huaj në Durrës, veçanërisht këtë verë, kur pritshmëritë fillestare ishin mjaft të larta.

Në portin e Durrësit kanë mbërritur me tragete në shtatë muaj rreth 191 mijë udhëtarë, vendas dhe të huaj, ose 6 për qind më pak se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Tragete duke u ankoruar në portin e Durrësit | Foto: G.Kabashi

Megjithëse nuk është një tregues i saktë për turizmin, shifrat dëshmojnë për

ndryshimet nga njeri vit në tjetrin.

Një e dhënë tjetër zyrtare vjen nga Qendra Muzeore, sipas të cilës që nga fillimi i vitit Amfiteatri antik është vizituar nga 13.527 turistë, vetëm 350 më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

“Megjithëse që prej dy vitesh Muzeu mjaft i vizituar arkeologjik i qytetit vazhdon të restaurohet, shifrat e vizitave kulturore në qytet kanë mbetur të njejta,”  përfundoi eksperti i turizmit, Edmond Basho./ Birn

Shënim/ Pse gjatë qeverisjes së Edi Ramës, klima politike dhe ekonomike është përkeqësuar në Shqipëri?

Qeveria e Edi Ramës ka dështuar në përmbushjen e premtimeve që vetë ka bërë, duke vepruar në kundërshtim me to në shumicën e rasteve. Një analizë e thjeshtë e bilancit të saj tregon se, në rreth 90% të rasteve, veprimet e qeverisë kanë qenë të kundërta me deklaratat dhe angazhimet e paraqitura në fillim. Ky fakt është i mjaftueshëm për të nxjerrë përfundime mbi aftësinë dhe seriozitetin e saj. Për shembull, premtimet për rritjen e punësimit dhe uljen e kostove të jetesës janë thyer plotësisht. Realiteti është se Shqipëria renditet në vendet me shpopullim më të madh, një tregues kyç i dështimit të politikave të brendshme për të ofruar siguri dhe mundësi ekonomike për popullsinë.

Një tjetër aspekt shqetësues është përkeqësimi i klimës politike dhe shoqërore. Gjuha konfliktuale dhe përçarëse, mungesa e hapësirave për dialog dhe lirive të garantuara janë bërë më të dukshme. Gjendja e mediave është gjithashtu alarmante, me presione të vazhdueshme mbi lirinë e tyre, duke i dobësuar rolin e tyre kritik si mbikëqyrëse të pushtetit. Kjo është një simptomë e një qeverisje që synon të kontrollojë narrativën dhe të kufizojë mundësitë e kriticizmit.

Këto probleme kanë ardhur si rezultat i një degradimi të sistemit demokratik dhe nga mungesa e një qasjeje të qeverisjes që synon stabilitetin afatgjatë të vendit. Për më tepër, lidershipi aktual i udhëhequr nga Edi Rama ka treguar një tendencë për të mbizotëruar nëpërmjet shtypjes dhe pazarit, siç e tregoi në rastin e Amnistisë Penale, Reformës Zgjedhore apo dhënies së Vulës së PD një personi të shpallur “Non Grata” nga SHBA, si Sali Berisha, duke siguruar praktikisht pushtetin edhe për katër vitet e ardhshme.

Në këtë drejtim gjendja në Shqipëri, nuk është aspak premtuese dhe situata politike dhe ekonomike pritet të përkeqësohet edhe më shumë./ Namir Lapardhaja

“Pinoku” i Carlo Kolodit është një himn i zgjidhjes së gjithçkaje përmes dashurisë

Nga Agim Baçi

Hunda e rritur e Pinokut, e shkrimtarit dhe filozofit italian Karlo Kolodi, është prej vitesh e vitesh pjesa e dukshme për botën dhe për mbarë ata që e komentojnë shpesh e me nxitim.
Por, a është ky art i madh i Kolodit te gjetja e hundës që rritet nga gënjeshtrat, apo është më domethënës rrugëtimi që i duhet Xhepetos për të rritur dhe edukuar Pinokun me dashurinë e madhe dhe guximin për t’ia dalë mbanë?
Pinoku vjen si një dëshirë e thellë e Xhepetos, ashtu siç vijnë përgjithësisht fëmijët në këtë botë, si një dëshirë dhe ëndërr e prindërve.
Xhepetos i mjafton druri i gdhendur gjithë dashuri, ashtu siç në fakt duhet të gdhenden gjithë dashuritë. Ai është i mahnitur teksa sheh Pinokun të flasë. Ai e ndjek kudo, jep gjithçka për të dhe e fal, siç bëjnë apo duhet të bëjnë në të vërtetë prindërit.
Por shumë nga ata që vijojnë t’ua lexojnë fëmijëve, vijojnë të vënë theksin te hunda e rritur e Pinokut pas gënjeshtrave, duke harruar se ç’duhet t’u thonë fëmijëve për kurthet e pafundme që u dalin përpara lidhur me marrëdhëniet me të tjerët, me lojën e përhershme të jetës dhe me kurthin e fortë kohës së sotme të dëshirës për t’u bërë i pasur apo i famshëm me çdo kusht.
Shumica e prindërve habiten se si fëmija i tyre nuk arrin t’i përballojë këto kurthe joshjeje, që sot çdo fëmije i vijnë përpara syve në formë spektakli, fame apo dëshire për t’u bërë i pasur apo i famshëm, në një kohë sa më të shpejtë dhe me çdo kusht. Madje, edhe më keq janë ato raste kur mjaft prindër shihen duke i mbështetur në këtë dëshirë spektaklesh dhe fame fëmijët e tyre, pa u kujdesur aspak se në këtë udhëtim është e rëndësishme të kalosh mes disa vlerave njerëzore, e sidomos për të kuptuar veten dhe tjetrin përballë teje…
“Pinoku” i Carlo Kolodit është një himn i zgjidhjes së gjithçkaje përmes dashurisë. Sepse nëse nuk u mësojmë fëmijëve të falin dashuri, nuk ka pse të presim prej tyre dhembshuri dhe empati.

E vërteta është më e mirë se çdo tym plehrash që djeg Rama dhe Berisha bashkë

Nga Desada Metaj

Prej disa ditësh disa media në Shqipëri dhe më shumë jashtë Shqipërisë kanë publikuar lajmin e dy anijeve të ngarkuara me mbetje të rrezikshme që janë nisur nga porti i Durrësit.

Fakt- Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet lidhur me një ngarkesë mbetjesh të rrezikshme që u nis në drejtim të Tajlandës. Referimi është bërë nga Drejtoria e Doganave dhe paraprakisht akuza është për “kontrabandë me mallra të rrezikshme.

“Bloomberg” pasqyroi i pari për këtë rast pas denoncimeve të bëra nga organizata ndërkombëtare të mbrojtjes së mjedisit ndërsa kompania Maersk ka vendosur të kthejë dy anijet që mendohet se janë të ngarkuara me rreth 800 tonë mbetje industriale nga Shqipëria.

Asnjë autoritet përgjegjës në Shqipëri nuk ka asnjë reagim zyrtar për këtë çështje delikate. Mbetet e paqartë origjina e 800 ton ngarkesë. Nëse janë mbetje të Shqipërisë apo të marra nga vende të tjera. Nëse janë nga Shqipëria të tilla sai prodhojnë vetëm furrat e KURUM apo ato të minierave.

Kompania që është marrë me transportin e mbeturinave të rrezikshme është e regjistruar me emrin “Sokolaj shpk”. Kompania ka leje për transportin e mbeturinave të rrezikshme të marrë në vitin 2022. Ndërsa dy vite më pas, në 2024, ajo angazhohet me transportin e 800 ton mbetjeve toksike. Një sasi e madhe kjo për një kompani me thuajse aspak eksperiencë në këtë fushë. Kompania nuk jep detaje se si i ka mbledhur dhe paketuar këto mbetje pasi ajo është autorizuar vetëm për transportin e tyre.

Opozita hesht. I vetmi që flet ështe Sali Berisha. Që spekulon me të vërtetën duke folur për “groposje në tunelet e vendit të helmeve”. Kjo tymnajë e rrezikshme largon vëmendjen nga e vërteta që ështe e qartë. Mjafton që mbështetësit e kryetarit të PD apo dhe deputetët e tij të lexojnë ato që shkruhen në median ndërkombëtare për këtë çështje.

Konkluzion- qeveria hesht, opozita hesht, kryetari i PD spekulon dhe e vërteta mbulohet me tymin e plehrave që e kanë origjinë nga bizneset shqiptare. Se cilat janë këto biznese, se kush fshihet pas tyre që të gjithë heshtin dhe Berisha e përdor si mashë për të trazuar zjarrin e opinionit publik, kjo mbetet për t’u parë.

Në respekt të qytetarëve kjo aferë ka nevoje së pari për transparencë. Së dyti për marrjen urgjente të masave për të mos rrezikuar jetën e qytetarëve. Ne nuk mund të na konsiderojnë pa fund si njerëz të dorës së tretë, që për interesa klienteliste, pakujdesi apo banalitetet e politikës të na përplasin në fytyrë njëra palë heshtjen dhe tjetra spekulimin.

Më poshtë, disa nga shkrimet e mediave ndërkombëtare për transportin e lëndëve të rrezikshme.

https://www.intellinews.com/ships-allegedly-carrying-hazardous-waste-from-albania-barred-from-thai-ports-338759/

https://www.scmp.com/news/asia/southeast-asia/article/3274354/thailand-races-stop-100-cargo-ships-toxic-waste-reaching-its-shores

https://www.intellinews.com/ships-allegedly-carrying-hazardous-waste-from-albania-barred-from-thai-ports-338759/

https://safety4sea.com/thailand-tries-to-divert-containers-carrying-hazardous-waste/

https://www.maritime-executive.com/article/environmentalists-successful-in-getting-toxic-cargo-returned-to-europe