37.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Mburrjet e qeverisë me turizmin, Enriketa Papa: Ju ftoj të ‘shijoni’ një udhëtim në autobuzin e linjës Durrës-Plepa-Golem-Kavajë!

Kryetarja e Grupit të Këshilltarëve të PD – Demokratët Euroatlantikë në Bashkinë Tiranë, Enriketa Papa, nëpërmjet një postimi në rrjetin social facebook, shprehet se gjendja e shërbimit të transportit urban në Bashkinë e Durrësit dhe të Kavajës lë shumë për të dëshiruar.

Papa shprehet se fton kryebashkiakët e Durrësit, Kavajës, të Njësisë Administrative Golem, njëkohësisht Ministren e Turizmit, atë të Financave, Drejtorin e Urgjencave Civile dhe vetë kryeministrin e vendit të ndajnë me udhëtarët vendas dhe të huaj udhëtimin me autobuz në linjën Durrës-Plepa-Golem-Kavajë.

Më poshtë reagimi i plotë:

Ftoj kryebashkiaket e Durresit dhe te Kavajes, bashke me kryetarin e njesise administrative Golem, Ministren e Turizmit, Ministrin e ri te Financave, Drejtorin e Urgjences si dhe Kryeministrin, te ndajne me udhetaret vendas dhe te huaj, kenaqesine e nje udhetimi me autobuzin e linjes Durres-Plepa-Golem-Kavaje.
Pervec djerseve çurg nga zhegu gushtor prej 40 gradesh jashte, do te kene mundesine te perjetojne dhe ngulçimet dhe “bekimet” e udhetareve dhe te turisteve te huaj brenda autobuzit. Pavaresisht temperatures +42 grade te autobuzit pa kondicioner dhe udhetimit me dyer te mbyllura, siç e kerkojne rregullat e qarkullimit rrugor, fatorinoja poliglot shqip-anglisht-polonisht, do i argetoje ofiqaret e zgjedhur nga qytetaret, duke ju lutur te shijojne kete udhetim fantastik ne ambjente te ngjashme me sauna private, por qe Bashkite Durres-Kavaje, nen bekimin e Ministrise se Financave ua ofrojne shqiptareve dhe 10 milione turisteve, per vetem 100 leke!

Keqkuptimi mbi lirinë

Nga Fitim Zekthi

Nje nga shkaqet baze te krizes se rende, shkaterrimtare, sot eshte keqkuptimi mbi lirine. Kjo gje behet e paperballueshne kur edhe ata qe flasin, pretendojne se jane te djathte e kuptojne lirine ne nje menyre qe ne thelb nuk ka te beje fare me lirine. E mira do ishte qe te gjithe, por sidomos ata qe pretendojne se mbrojne vlera konservatore ( te se djathtes) te fusin ne mend qe tradita kudo (edhe tek ne sigurisht) ka bartur nga brezi ne brez nje kuptim te ngulitur ne vizionin e besimit ne nje Zot te vetem (ne vizionin e feve abrahamike) mbi natyren e njeriut dhe destinin e tij. Nga kjo natyre e njeriut lind ne menyre imediate detyra, pergjegjesia e tij per virtut, per sjellje te virtutshne dhe e drejta e tij e patjetersueshme per liri. As liria dhe as virtuti vecmas nuk kane kuptim dhe nuk cojne asgjekundi. Kombinimi i te dyjave, prania njeherazi e te dyjave mund te prodhoje individ dhe shoqeri qe e do dhe ecen kah e mira. Kete ka deshmuar edhe tradita, kete gje e shpreh padyshim fuqinisht vizioni i mesimeve te Zotit mbi natyren e njeriut. Sot, shumekush kerkin ti ndaje, kerkon ta shohe lirine vecmas dhe me e renda e sheh lirine duke e perjashtuar vizionin per te qe vjen nga mesimet e Zotit. Ky eshte vec nje pervertim, kjo nuk ka te beje me lirine, kjo ne thelb eshte nje forme radikale antilirie. Eshte nje fatjeqesi qe edhe e djathta ne nje mase derrmuese ka degraduar aq keq sa ka brendesuar kete kuptim pervers per lirine.

Kriza e fertilitetit në Evropë, cilat vende kanë rritjen më të ulët të popullsisë?

Në vitin 2022, numri i lindjeve në Bashkimin Evropian arriti nivelin më të ulët që nga viti 1960, sipas të dhënave më të fundit.

Atë vit, vetëm 3.88 milionë foshnja lindën në BE, duke shënuar herën e parë që shifra ra nën 4 milionë.

Shkalla e fertilitetit ra gjithashtu, duke iu afruar niveleve të parë dy dekada më parë. BE-ja kishte një nga normat më të ulëta të lindshmërisë në botë, e përcaktuar si numri i lindjeve për grua.

Por si krahasohen normat e lindshmërisë në pjesë të ndryshme të Evropës dhe si ka ndryshuar shkalla e lindshmërisë në Evropë në krahasim me pjesën tjetër të botës?

Ka pasur një tendencë në rënie që nga viti 1960 në numrin e fëmijëve të lindur në BE. Numri më i ulët u regjistrua në vitin 2022 me 3.88 milionë.

Në vitin 1990, 5.1 milionë foshnja lindën në BE, duke shënuar vitin e fundit që lindjet kaluan 5 milionë.

Në vitin 2022, shkalla e lindshmërisë, e cila pasqyron numrin e lindjeve të gjalla për grua, ndryshoi ndjeshëm në BE, duke filluar nga 1.79 në Francë në 1.08 në Maltë sipas Eurostat, zyrës statistikore të BE-së.

Mesatarja për BE-në në tërësi ishte 1.46. Përfshirë Shoqatën Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA), Britaninë e Madhe dhe vendet kandidate në BE, Gjeorgjia (1.83) dhe Moldavia (1.81) raportuan norma më të larta se Franca.

Ndërsa shkalla më e lartë e lindshmërisë vërehet në Francë, një vend mesdhetar, vende të tjera mesdhetare si Malta (1.08), Spanja (1.16), Italia (1.24), Greqia (1.32) dhe Qiproja (1.37) kanë norma dukshëm më të ulëta.

Norma pak më të larta të lindshmërisë u regjistruan në vende si Rumania (1.71), Turqia (1.63), MB (1.56), Gjermania (1.46) dhe Finlanda (1.32).

A po rritet apo po bie shkalla e lindshmërisë në Evropë?

Ekzaminimi i ndryshimeve afatgjata në shkallën e lindshmërisë së BE-së zbulon një prirje të qartë rënëse.

Ishte 2.35 në vitin 1970, niveli më i lartë i regjistruar i regjistruar përpara se të binte në nivelin më të ulët në fund të viteve 1990, duke arritur në 1.4 në 1998, sipas të dhënave të Bankës Botërore.

Më pas filloi të rritet gradualisht, duke arritur një kulm të fundit prej 1.57 në 2016.

Në vitin 2022, shkalla totale e lindshmërisë në BE ishte 1.46 lindje të gjalla për grua, duke iu afruar niveleve të parë në fillim të viteve 2000, të cilat ishin rreth 1.4.

Shkalla e lindshmërisë ka ndryshuar ndjeshëm në vendet e BE-së gjatë 20 viteve të fundit, duke u ulur në 13 nga 27 Shtetet Anëtare të BE-së midis 2002 dhe 2022.

Irlanda dhe Finlanda raportuan uljet më të rëndësishme në normat e lindshmërisë, secila duke rënë me mbi 0.4 pikë, që korrespondon me rënie prej më shumë se 20 përqind.

Anasjelltas, Çekia, Rumania dhe Bullgaria përjetuan rritjet më të larta, secila duke u rritur me më shumë se 35 për qind.

Kjo normë mbeti e qëndrueshme në BE, me vetëm një rritje prej 2 për qind.

BE-ja ka një nga normat më të ulëta të lindshmërisë në botë

Në vitin 2021, BE raportoi një normë lindshmërie prej 1.52, më e ulëta pas rajonit të Azisë Lindore dhe Paqësorit, që kishte një normë prej 1.49, sipas të dhënave të Bankës Botërore.

Afrika Perëndimore dhe Qendrore kishin shkallën më të lartë të lindshmërisë me 4.98, e ndjekur nga Afrika Lindore dhe Jugore me 4.35 dhe bota Arabe me 3.14.

Norma mesatare globale e lindshmërisë ishte 2.27, me Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme që raportuan një normë më të lartë prej 2.63. Norma e Amerikës së Veriut prej 1.64 ishte pak mbi mesataren e OECD prej 1.59.

Që nga viti 1970, ka pasur një prirje të dukshme rënëse në normat e lindshmërisë në pothuajse të gjitha rajonet, megjithëse kjo rënie ka qenë dukshëm më e ngadaltë në Afrikë.

Normat e fertilitetit në të 41 vendet evropiane, duke përfshirë BE-në, EFTA dhe vendet kandidate, janë nën mesataren globale.

Protestat në Thumanë-Kashar, përse Berisha nuk ia përmend fare emrin ndërtuesit?

Sali Berisha, i njohur të përgojojë, të tallë e të kërcënojë çdo biznes që nuk paguan tarafin tek ai, familjarët e tij, apo mediat dhe gazetarët e tij, për biznesmenin dhe njëkohësisht botuesin e A2CNN, që ka ndërtuar rrugën me pagesë Thumanë-Kashar me kompaninë ”Gener 2” e ka kyçur gojën. Ai nuk e përmend fare Bashkim Ulajn që është jo vetëm ndërtuesi i rrugës me pagesë Kashar-Thumanë, por edhe përfituesi i gjithë të ardhurave ditore që merr nga kjo rrugë për dhjetëra vite më pas. Nuk pipëtin as edhe një fjalë që t’i numërojë këtij ndërtuesi të gjitha koncesionet, përfitimet, ndërtimet, apo ta sulmojë si botues atë dhe gjithë familjen e tij siç jemi mësuar ta dëgjojmë të bëjë në 30 vite.

Këtë gjë ja kërkojnë dhe shumë mbështetës të Partisë Demokratike, banorë të zonës (dhe ndjekës të tij në rrjetet sociale) të cilët po protestojnë sepse Ulaj u ka mbyllur aksesin në rrugën e tij “të florinjtë”. Po përse Sali Berisha e ka mbyllur gojën për Bashkim Ulajn dhe Gener 2 dhe nuk e hap si çorape siç e bën me këdo tjetër?

Kjo histori është fare e thjeshtë: Përveç koncensioneve të shumta dhe ekskluzive edhe apartamenet ku banojnë ai me Lirinë, Argita me dhëndrin dhe Shkëlzeni në rrugën “Mustafa Matohiti” në Tiranë, janë ndërtuar nga Bashkim Ulaj dhe janë marrë nga familja Berisha në rrethana shumë të dyshimta dhe kompromentuese. Këto apartamente dhe garazhe po aty janë sekuestruar nga SPAK pas hetimeve për klubin “Partizani”.

Edhe zyra (me qira??) e Sali Berishës ndodhet në shumëkatëshin luksoz të ndërtuar nga botuesi dhe ndërtuesi Ulaj përballë Radio Televizionit Shqiptar. Si dhe sa ka marrë Sali Berisha nga këto të mira imobiliare? Është e njohur nga të gjithë se Bashkim Ulaj gjatë kohës kur Sali Berisha ishte në pushtet ka marrë shumë koncesione dhe favore publike miliardere nga qeveria, mes të tjerash një koncesion minerar në Fushë Krujë, një koncesion për të hapur gropa në gjithë rrugët e vendit për të shtrirë fibra optike duke u bërë kështu monopolist në këtë fushë, dhe koncesionin për hidrocentrale në perlën natyrore të Valbonës…

Me të njëjtën skemë si ajo e Vilës në Gjirin e Llëzit Sali Berisha dhe familja e tij ka vepruar edhe me apartamentet, garazhet në pallatin luksoz te rruga “Mustafa Matohiti” ku thërret mbështetësit e tij të protestojnë? SPAK po heton dhe për këtë dhe shpresojmë që shpejt të ketë një përgjigje zyrtare për shqiptarët, për protestuesit e rrugës Kashar-Thumanë!/ Shqiptarja.com

Denoncimi i qytetarit: OST po zhvendos shtyllën e tensionit pranë shtëpive tona, duke na rrezikuar jetën

Një qytetar që jeton pranë Shkozës, në rrugën “Agush Gjergjevica” ka denoncuar faktin se OST po zhvendos shtyllën e tensionit të lartë pranë shtëpive të tyre.

Qytetari deklaron se shtylla e tensionit rreth 20 metra e lartë po vendoset shumë pranë banesës së tyre, duke iu rrezikuar kësisoj jeta.

“Përshëndetje! OST po zhvendos shtyllën e tensionit rreth 20 metra të lartë, pranë shtëpive tona, duke na rrezikuar jetën”, shprehet qytetari.

Shtylla2
Shtylla3
Shtylla4

Refleksione mbi turizmin idiot dhe mafien e shezlonit

Nga Ergys Mërtiri

Ndonëse Kryeministri e mohon me force, rënien e turizmit gjatë këtij viti e pohojnë masivisht shumica e operatorëve turistikë. Pyetja që do të duhej shtruar është: A ka lidhje kjo me qeverinë?

Ndonëse në pamje të parë nuk ka, pasi çmimet, të cilat duket se jane arsyeja kryesore e rënies, janë një e drejtë e bizneseve, në një mënyrë më të tërthortë qeveria ka patjetër pjesën e saj të fajit, e cila lidhet me atë aspekt që ka të bëjë me klimen e biznesit si dhe kulturën e shërbimit, që ka të bëjë shumë me zbatueshmërinë e ligjit.

Shërbimet, mikpritja dhe çmimet, lidhen ndjeshëm me llojin e njerëzve që shërbejnë: A jane ata shërbyes të mirë?

Në një vend ku prona dhe mjediset ku ofrohet shërbimi grabiten me forcë, pervetësohen nëpërmjet korrupsionit, apo rrëmbehen nëpërmjet abuzimesh nga pazarxhinj e matrapazë të lloj-llojshëm, sigurisht që cilësia dhe kultura e shërbimit do të lenë për të dëshiruar.

Kur ti shikon që në plazhe nuk ka hapësira të lira publike për të vënë një çadër, kur edhe në hapësirat e “privatizuara”, “mafia e shezlonit” ka ndaluar termusin, apo kur shikon që pronarët përzenë turistë pse lahen pa lekë në detin e “privatizuar” prej tyre, këtu kupton se plazhi është uzurpuar nga banditë injorantë që nuk dinë të sillen si njerëz dhe që hapësirën publike ku presupozohet se duhet të shërbejnë e konceptojnë si feud personal në të cilin ata ushtrojnë pushtetin e pronarit, të vetëledhatuar në sedren e pabuksit që fillon të ndjehet pronar.

Më qëlloi këtë verë, të përballesha me një skenë të tillë në një prej gjireve të vegjël më të bukur të jugut.

Një lokal që kish pushtuar të gjithë gjirin duke ngulur në çdo pëllëmbë çadra me shezlone nuk linte asnjë hapësirë për pushues jashtë biznesit të tij. Në një rast, punonjësi i çadrave iu afrua dy vajzave të huaja që po qendronin në breg pa shezlon dhe iu kërkoi të largohen pasi ky ishte plazh privat dhe askush nuk lejohet të qendrojë pa marrë çadër. Nuk ndenja dot pa u përfshirë, duke i thënë djalit se plazhi është publik, se deti nuk mund të privatizohet, se në çdo plazh duhet të ketë hapesirë të lirë për ata që nuk duan shezlone dhe se ai nuk kishte asnjë të drejtë të pëzerë njeri nga bregu. Pasi nuk ma doli dot me llafe, e pasi më pohoi se ai ishte vetëm një punetor, u largua për tu rikthyer me përforcime, por ndërkohë vajzat ishin larguar, sigurisht për të shmangur çdo të papritur të pakëndshme nga kafshët e panjohura që sundojnë plazhet e privatizuar të një vendi të çuditshëm si ky.

Po mendoja pas kësaj që, thelbi i problemit ka të bëjë me kulturën e të bërit biznes, më saktë, me mentalitetin e kategorisë së njerëzve që kanë fituar mundësinë të shërbejnë në këtë fushë. “Pronari i gjirit” kishte vendosur aty mbi 200 çadra, të cilat ishin thuajse plot. Kjo do të thotë se vetëm prej tyre, me një çmim prej 20 euro, ai mund të nxirrte rreth 4 mijë euro gjatë asaj të djele, dhe llogarit këtu edhe restorantin, barin (me çmime, sigurisht tepër të larta), jam i bindur që ai nuk do dilte pa 15-20 mijë euro. Por jo, atë e shqetësonte njëzetmijëlekshi i dy vajza spanjolle që qëndronin në breg falas! Kjo vjen sepse ai ka nevojë të sundojë e jo të shërbejë në “pronën e tij”. Në një qasje tjetër, vajzat sigurisht që mund ti sillnin përfitime biznesit, pasi ato mund të hanin një dreke aty apo të konsumonin një pije në barin e tij, por kjo nuk e ngushëllon aspak psikikën e sëmurë të pronarit, i cili ndjehet i cënuar në pushtetin e tij mbi territorin nga “rebelimi” i dy vajzave që e shijonin qyl detin e tij.

Ajo që mund ta zgjidhte fare mirë enigmën e këtij mjedisi turistik idiot është pyetja sesi ky biznes ka mundur ta fitojë atë copë bregu. Këtu natyrisht do futeshim tek lejet e ushtrimit të aktivitetit, marrja e truallit në përdorim, kontrollet, eleminimi i konkurencës etj. të cilat janë stade të seleksionimit natyror që lejojnë të mbijetojnë vetëm speciet me nivel të lartë agresiviteti korruptiv, në mos kriminal. Nëse, qoftë edhe një hallkë e këtij shteti në të gjithë procesin e rrëmbimit të bregdetit apo ushtrimit të aktivitetit do të mund të funksiononte, ky feudal turistik nuk do të mund të sillej dot kështu.

Gjithsesi, turizmi ka nevojë që shteti të ndërhyjë urgjentisht, pikë së pari për të humanizuar hapësirën turistike. Ai duhet të tregojë dhëmbet, së pari ndaj shezlonit, duke u sjellë ashpër me këdo që përzë turistët, që ndalon termusin apo që pushton hapësirat për plazh publik. Shteti duhet të vihet në krah të turistit, nëse dëshiron që ta ruajë apo zhvillojë turizmin. Por ai nuk e bën këtë sepse është në ortakëri me kafshët grabitqare që shërbejnë në këtë sketor. Kjo është e kuptueshme pasi është pikërisht ky shtet që ua ka ofruar atyre mundësitë për të sunduar. Në këto kushte, sigurisht që turizmi do të dojë edhe ca të zhvillohet plotësisht, të pakten aq sa shteti të bëhet shtet e këta të bëhen njerëz.

Reagimi i PD – Demokratët Euroatlantikë, Elezi: 7 vetëvrasje brenda dy ditësh në Shqipëri. Kambanë alarmi!

Lidhur me situatën e fundit, ku brenda dy ditësh, janë vetëvrarë qytetarë shqiptarë, ka reaguar nëpërmjet një statusi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social facebook, anëtari i kryesisë së PD – Demokratët Euroatlantikë, Myzafer Elezi.

Elezi shpehet se këto ngjarje janë një kambanë alarmi për shoqërinë dhe janë pasqyrë e trishtueshme e krizës së thellë sociale dhe ekonomike.

“Është koha që Qeveria të ndërmarrë hapa të vendosur për të adresuar këto çështje, duke rritur fondet dhe shërbimet për mbështetjen e shëndetit mendor, për të përmirësuar kushtet e jetesës së atyre që janë më të cenueshëm, dhe për të siguruar që asnjë qytetar të mos ndihet i braktisur apo i lënë në mëshirën e fatit. Duhet vepruar tani, sepse çdo vonesë e mëtejshme do të na çojë drejt një katastrofe të pashmangshme.” – vijon më tej ai.

Më poshtë reagimi i plotë:

7 vetëvrasje brenda dy ditësh në Shqipëri.

Të nderuar qytetarë,

Ngjarjet e fundit janë një kambanë alarmi për shoqërinë tonë. Vetëvrasjet e raportuara në këto ditë të fundit janë një pasqyrë e trishtueshme e krizës së thellë sociale dhe ekonomike që po përjeton vendi ynë. Kur shohim që njerëz të rinj e të moshuar i japin fund jetës së tyre, duhet të ndalemi dhe të reflektojmë mbi arsyet që i shtyjnë ata në këto akte dëshpërimi.

Në këto raste të dhimbshme, është e pamundur të mos pyesim:
– Ku është shteti?
– Ku janë politikat sociale që duhet të mbështesin qytetarët në nevojë?
– Për sa kohë do të qëndrojmë indiferentë ndaj vuajtjeve të qytetarëve tanë?

Është e qartë se mungesa e mbështetjes së duhur për ata që përballen me probleme të rënda sociale dhe ekonomike është duke na kushtuar jetët e qytetarëve tanë.

Është koha që Qeveria të ndërmarrë hapa të vendosur për të adresuar këto çështje, duke rritur fondet dhe shërbimet për mbështetjen e shëndetit mendor, për të përmirësuar kushtet e jetesës së atyre që janë më të cenueshëm, dhe për të siguruar që asnjë qytetar të mos ndihet i braktisur apo i lënë në mëshirën e fatit. Duhet vepruar tani, sepse çdo vonesë e mëtejshme do të na çojë drejt një katastrofe të pashmangshme.

Partia Demokratike – Demokratët Euroatlantikë shpreh ngushëllimet më të thella për familjet e viktimave që kanë humbur jetën në këto ngjarje tragjike.

Këto ngjarje janë një pasqyrë e trishtueshme e krizës së thellë sociale dhe ekonomike që po përjeton vendi ynë. Humbja e jetëve njerëzore në këto rrethana është e papranueshme dhe kërkon një reagim të menjëhershëm nga ana e Qeverisë dhe institucioneve përkatëse.

Partia Demokratike – Demokratët Euroatlantikë i bën thirrje urgjente Qeverisë të veprojë pa vonesë për të adresuar këtë krizë dhe të marrë masa emergjente për të siguruar:

1. Financim të menjëhershëm për shëndetin mendor, duke krijuar qendra të reja këshillimi dhe trajtimi në çdo qendër urbane dhe rurale.

2. Paketë të zgjeruar të ndihmës ekonomike për familjet që janë më të prekura nga kriza, përfshirë subvencionet për ushqim, energji dhe strehim.

3. Zhvillimin e programeve për parandalimin e vetëvrasjeve, që të përfshijnë trajnime për profesionistët e shërbimeve publike dhe krijimin e linjave të ndihmës telefonike 24/7.

4. Inicimin e një dialogu kombëtar për të kuptuar dhe adresuar nevojat e qytetarëve tanë në çdo komunitet të vendit.

Këto masa nuk mund të presin. Çdo ditë që kalon pa veprim është një ditë e humbur për ata që kanë nevojë për mbështetje.

Është detyrë e Qeverisë të mbrojë jetën dhe mirëqenien e qytetarëve të saj.

Ne kërkojmë veprim të menjëhershme për të ndalur këtë krizë që po përkeqësohet dhe për të shpëtuar jetë.

Gjithashtu, i bëjmë thirrje Policisë së Shtetit të hetojë me përparësi dhe të zbardhë rrethanat që kanë çuar në këto akte dëshpërimi, në mënyrë që të identifikohen faktorët që kanë kontribuar dhe të ndërmerren masat e nevojshme për parandalimin e ngjarjeve të ngjashme në të ardhmen.

Qytetarët meritojnë siguri dhe më shumë përkujdesje.

Shqipëria meriton më shumë.

Ju faleminderit.

Pas pandemisë Covid-19, qiraja ditore shtrenjton mesatarisht 15 deri në 20% çdo vit koston e strehimit

Prej vitit 2021, rritja e numrit të apartamenteve për qira ditore, po pakëson stokun e apartamenteve që lëshon me qira afatgjatë.

“Shtimi i stokut të apartamenteve/vilave në platformat, si: Airbnb dhe Booking ka ndikim të menjëhershëm negativ mbi stokun i cili përdoret për qëllime afatgjatë.

Kjo do të thotë se ai stok i mbetur në mënyrë të menjëhershme shtrenjtohet. Vende si Spanja, në qytete me turizëm masiv, madje këtë vit kanë vendosur një moratorium mbi përdorimin e platformës Airbnb dhe ndalim të përdorimit të saj brenda 2029.

Airbnb dhe platforma të ngjashme janë parë si platforma kundërshtuese përkundrejt sektorit të hotelerisë që punëson një pjesë të konsiderueshme të sektorit të turizmit dhe është një ndër tatimpaguesit më të mëdhenj të vendit”, thotë Stela Dhami.

Por për drejtuesin e agjencisë imobiliare “CPM”, z. Dritan Leka, zgjerimi i kësaj industrie ende nuk sjell ndikim te strehimi i popullatës. Për të, rritja e kërkesës për të investuar në apartamente me qira afatshkurtër është një ndër faktorët që ka shtrenjtuar çmimet e pronave.

“Kjo pasi investitori shqiptar është skeptik. Nuk e bazon të gjithë portofolin e tij në këtë sektor. Por edhe në atë të qirasë afatgjatë. Kjo pasi rreziku dhe angazhimi është shumë më i ulët.

Ndikimi që ka ky zhvillim në industrinë e pasurive të paluajtshme është te rritja e kërkesës për investim në prona, si pasojë edhe i shitjes”.

Rënia e stokut të ndërtesave, sipas znj. Dhami, ka ndikuar te rritja e çmimeve të qirave për afat të gjatë në Tiranë.

“Çmimet e qirave janë rritur. Tendenca ka filluar të vërehet që pas periudhës së pandemisë. Aktualisht, vit pas viti, qiratë janë rritur në zonat qendrore mbi 15% në bazë vjetore. Zonat qendrore të Tiranës kanë vërejtur rritje deri në 20%”.

Ndërsa Dritan Leka pohon se shtimi i kostos për strehim ka ndjekur trendin e rritjes së të ardhurave mesatare.

“Kostoja e strehimit ndjek një rrjedhë logjike, ku vlera e pronës është e barabartë me vlerën mesatare të të ardhurave të njërit prej familjarëve për 20 vite.

Ndërsa qiraja vjetore është e barabartë me 3 deri në 6% të vlerës së pronës. Për rrjedhojë, nëse paga mesatare dhe të ardhurat individuale, do të vijnë duke u rritur, ashtu sikurse ka ndodhur 5 vitet e fundit, edhe kostot për strehim do të rriten”.

Agjentët imobiliarë më herët vlerësuan se në muajin shtator 2023, periudhë që përkon me shtimin e kërkesës, çmimet e qirave afatgjatë të apartamenteve u shtrenjtuan me 35% krahasuar vitin paraardhës, për shkak të zgjerimit të tregut të qirasë afatshkurtër.

Çmimet e qirave për apartamentet 1+1 varionin nga 350 euro për zonat periferike deri në 750 euro në muaj për zonën e ish-Bllokut.

Për apartamentet 2+1, çmimet nisnin nga 450 euro dhe njësitë me hapësirë 1+1 ishin me qira 350 euro në muaj në zona e Freskut deri në 1,200 euro për zonën pranë stadiumit “Air Albania”.

Ndërsa çmimet e qirave në zonat afër qendrës së Tiranës janë mbi 300 euro. Brenda Unazës së Vogël të Tiranës, çmimet e qirave për apartamentet 1+1 janë mbi 300 euro, ndërsa për pronat 2+1, çmimet janë mbi 400 euro në muaj.

Më të prekur nga shtrenjtimi i qirave janë ata që kërkojnë të banojnë në zonat afër qendrës së Tiranës.

“Qiraja ditore ka rritur çmimet e qirave në zonat qendrorë të Tiranë. Për zonat e tjera, çmimi i qirasë afatgjatë është i qëndrueshëm”, pohon agjentja imobiliare, Lorena Radi.

Vitin e kaluar, agjentët e shitjes konstatuan gjithashtu se apartamentet e marra me qira nga 2021 deri në vitin 2022 nuk liroheshin nga qiramarrësit, pasi ishin marrë me tarifa më të lira sesa tregu.

Stela Dhami rekomandon se në këtë situatë, kur kostoja për strehim është rritur, është e domosdoshme që qeveria të ndërhyjë me politika fiskale për të ndihmuar çiftet e reja për të blerë pasuri të paluajtshme, duke i lehtësuar edhe në formën e kredive të buta afatgjatë.

 

Shtëpitë me qira ditore po dëmtojnë edhe hotelerinë

Gjatë sezonit turistik, të parët që e ndiejnë goditjen e konkurrencës nga shtimi i strukturave me qira ditore janë hotelet.

Si për drejtuesit e hoteleve, edhe ekspertët e tregut të pasurive të paluajtshme, turistët e huaj që vijnë në Shqipëri parapëlqejnë më tepër të qëndrojnë në apartamente me qira sesa në hotele.

Si fillim, këto struktura mbeten më të kërkuara, për shkak të leverdishmërisë së çmimit, por edhe pasi turistët janë më tepër në kërkim të një hapësire që përfshin kuzhinën për të gatuar.

“Prej vitesh ne vuajmë problematikën e shtimit të strukturave akomoduese të qirasë ditore, që listohen në platformat e huaja.

Turisti low cost që vjen në Shqipëri parapëlqen të qëndrojë në një apartament apo vilë me qira, sesa në hotel për shkak të çmimit dhe shmangies së shpenzimeve për restorant.

Në Vlorë janë të shumta apartamentet luksoze me qira ditore me çmime deri në 50 euro/nata. Ka një shtim të këtyre strukturave veçanërisht në pallatet e reja që ofrojnë ashensor apo shërbime të tjera.

Për hotelerinë është tërësisht nën kosto që çmimi i qëndrimit të mbahet në këto nivele. Në këtë situatë, punojmë më tepër me emigrantë shqiptarë që jetojnë jashtë, sesa me të huaj”, pohon për “Monitor”, Rezarta Bojko, menaxhare e hotelit “Lungomare” në Vlorë.

Për 636 apartamentet e listuara në Booking për qira ditore, në korrik në qytetin e Vlorës, çmimi për 1 natë qëndrimi për fundjavë, përkatësisht për datën 26 korrik, varion nga 37 USD për apartamente me largësi 2 km larg qendrës deri në 49 USD për pronat me largësi 100 metra larg nga deti apo deri në 62 USD që arrin çmimi maksimal me detin përballë.

Ndërsa çmimet e hoteleve po në bregdetin e Vlorës nisin nga 65, 85, 100 USD/nata deri në hotele me 4 yje, me çmime 200 deri në 250 USD nata.

Edhe për Stela Dhamin, nga “Colliers International Albania”, çmimi më i lirë dhe më i përballueshëm sesa hotelet mbetet arsyeja kryesore përse të huajt parapëlqejnë shtëpitë me qira.

“Pjesa më e madhe e turistëve, të cilët tërheqim si vend, janë turistë ekonomikë. Për rrjedhojë, apartamentet të cilat mund të kenë një shfrytëzim maksimal, duke ofruar raport të mirë cilësi/çmim, mbeten shumë tërheqëse.

Të mos të harrojmë se hotelet në Tiranë janë kryesisht moderne dhe raporti cilësi-çmim, anon në mënyrë të zhdrejtë drejt çmimit.

Cilësia e ofruar mbetet e lartë, por jo gjithmonë e përballueshme nga niveli i turistëve që vijnë kryesisht në Shqipëri, për arsye të çmimeve më tërheqëse se vendet e tjera të rajonit”.

Pozitive janë edhe përshtypjet e të huajve që kanë qëndruar në apartamente me qira në qytetet Durrës, Vlorë dhe Sarandë të publikuara në Booking dhe Airbnb në muajt qershor-korrik 2024.

“Apartament shumë i pastër, i gjerë. Shërbim shumë i mirë. Vendndodhje e shkëlqyer, shumë afër plazhit, 10 minuta më këmbë në shëtitore. Dhoma ia vlen me çmimin. E rekomandoj”, janë përshtypjet e lëna më 17 korrik të Monikës nga Polonia për qëndrimin e saj në apartamentin me qira ditore.

Xhorxhi nga Austria në komentin e lënë në 9 qershor 2024, gjithashtu tregon mbi përvojën pozitive për qëndrimin në një nga apartamentet në Jug.

“Një pronë e mrekullueshme me mikpritës profesionistë dhe të sjellshëm.

Rezervuam një apartament familjar, i cili ishte i dekoruar mirë dhe ndodhej në një zonë të qetë, afër të gjitha lehtësive që i duhen një familje, si: supermarkete, hoteleri dhe kafene.

Apartamenti ishte i përshtatshëm dhe 3 minuta më këmbë nga qendra e qytetit dhe shëtitoret kryesore.

Stafi ishte shumë profesionist dhe ata gjithashtu na rekomanduan se cilat vende të vizitonim dhe çfarë të bënim në atë qytet të bukur”.

Maria nga Danimarka, në komentin e lënë në 11 korrik 2024, shkruan ndër të tjera, se “shtëpia ishte shumë e pastër dhe e qetë, me vlerë të madhe krahasuar me paratë.

Përvoja më e mirë jo vetëm në Shqipëri, por ndoshta në të gjithë Ballkanin. Pronarët ishin njerëz jashtëzakonisht të mirë dhe të dobishëm. Nuk mund të gjesh njerëz të tillë në vende të tjera”.

Nga Preç Zogaj: 21 janari 2011, para dhe pas plojës

Nga Preç Zogaj

(Shkëputur nga libri “Në kërkim të zgjedhjeve të humbura, botimet UET Press, 2012)

Nga Preç Zogaj: 21 janari 2011, para dhe pas plojës

1-  Djegia e fletëve të vitimit dhe vidioskandali  “Meta-Prifti”

Në dhjetor  të vitit 2010, ndërsa në Tiranë dhe në Bruksel po e tirrnin akoma çfarë të hetojmë e çfarë të mos hetojmë në kutitë e zgjedhjeve të një viti më parë, kryeministri Berisha, me një kthesë të vrullshme që nuk ishte e tillë për ata që ia njihnin mendjen, i përcolli njeriut të tij në krye të KQZ-së, Arben Ristanit, miratimin për djegien e fletëve të votimit dhe arshivimin e materaleve zgjedhore  në arshivën e shtetit.

Në kushte normale këto veprime i parashikonte Kodi Zgjedhor, por kriza dhe përpjekjet  ndërkombëtare për zgjidhjen e saj i kishin ngrirë. Më të marrë sinjalin nga eprori i tij, Arben Ristani firmosi blerjen e pesëqind litrave benzinë për djegien e fletëve.

Gjatë gjithë vitit, ndërsa Rama kishte kërkuar të hetohen materialet dhe fletët, Berisha kishte  deklaruar disa herë se materialet i jepte, por fletët jo. Duke shtuar paskëtaj me krenarinë e një kavalieri se do t’i mbante gjithnjë në ruajtje ato fletë. Nënteksti: provën që kërkoni nuk ua jap, por edhe nuk e zhduk, që të mos mendoni se kam ndonjë merak.

Tani që Bruskeli dukej i lodhur me korridën  pambaruar shqiptare,  kishte rënë ora që kryeministri të hipte në shkallë e të fluturonte, siç  thuhej në mbyllje të përrallave popullore.

Fletët do të digjeshin.

Materialet zgjedhore do të kyçeshin në arkiv për dhjetëvjet.

Kështu e kishte ligji. Të kapur dorë për dorë, ligjet shqiptare kishin krijuar një kordon sanitar kundër trasparencës. Duke dashur të evitonte me çdo kusht hetimin parlamentar të zgjedhjeve, Sali Berisha e kishte paditur si hermetik dhe antidemokratik legjislacionin e vendit të tij. Çfarë ky legjislacion nuk ishte në fakt.

Fletët e votimit u dogjën me ceremoni në ditët e para të vitit të ri 2011 pranë një përroi në periferi të Tiranës. Televizionet e thirrur enkas, filmuan flakët dhe tymin që ngrihej përpjetë në përqasje të një autodafeje, ku inkuzicioni dënon me djegie në turrën e druve një propozim për paqe.

Përtej flakëve dridhëruese imazhi flu i fytyrës së kryeministrit kishte kapur pre një nënqeshje, të cilën ia kishte qejfi ta tregonte, megjithëse hiqej sikur donte ta fshihte. Për inerci të një zakoni, i frymëzuar prej flakëve të porositura prej tij, ky zotëri po i pozonte ardhmërisë një pamje Luciferri, pa e vrarë mendjen nëse ajo, ardhmëria, do ta shkrepte apo jo aparatin e saj.

Po ato ditë kur përpjekja e gjatë e opozitës  dhe e Bruskelit për hetimin e zgjedhjeve shqiptare po përfundonte në hi dhe në dry, ish ministri i Ekonomisë dhe Energjtikës, Dritan Prifti,  publikoi në emisionin “Fiks fare” të Televizionit “Top Channel” një vidio shokuse të regjistuar tetë-nëntë muaj më parë në zyrën e tij, kur kishte qenë ende ministër. Në atë vidio Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, shefi partiak  i Priftit,  ishte filmuar me një bllok në dorë në zyrën e  këtij të fundit duke i diktuar porosi e kërkuar favore, përfshirë dhënien e një tenderi  një mikut të tij përkundrejt një ryshfeti prej shtatëqind mijë eurosh.

“Shtatëqind mijë ishin për mua”, saktësoi Prifti në një intervistë shpjeguese në Top Channel, duke shtuar:“Meta nuk mund të ma thoshte mua shumën që do të merrte për vete, por merret me mend se  shuma e tij ishte shumë më e madhe. Dhe nga burimet e mia rrezultonte  se ishte shumë më e madhe”.

Për shkak të rregjistrimit pirat me mjete të maskuara, kolona zanone e vidios nuk ishte krejt e pastër, kishte oshilime, ndërprerje, rënie të volumit dhe kakofoni aty këtu. Por shifra shtatëqind dëgjohej qartë dhe po ashtu shumë qartë, me zë dhe me figurë, shquhej në ekran sekuenca emblematike, kur zoti Meta ia nxirrte në telefon ministrit aty për aty përfituesin e favorit që do të paguante rushfetin:

– Urdhëro, foli ministrit!- zoti Meta shihej duke ia kaluar sakaq telefonin e tij celular ministrit Prifti, i cili, duke e ditur se ora-kamera ishte në punë dhe po depozitonte parreshtur filmimin e  takimit në lap top, rrinte si një nuse namuzqare që bezdisej pak, por s’mund t’ja prishte shefit të tij.

Biznesmeni matanë, edhe pse padron i dy ministrave në atë rast, fliste me edukatë, i vetedijshëm se nuk i kishte në dorë pa u marrë letrat dhe pa u rrasur në xhepa shukët e parave. Prifti i kërkoi t’i shkruante atij personalisht një letër.

– Alo, më shkruaj një letër ti mua, mirë?  Po, po, mua ma dërgo, mirë?

Kur pas pesëqind ditësh e njëmijë peripecish zoti Meta do të merrte nga Gjykata e Lartë pafajësinë,  me argumentin se fakti nuk provohej – domethënë  vidioja nuk dëgjohej mirë -, po ajo Gjykatë, në vendimin e  shpallur, do të konfirmonte se Ministri i Jashtëm kishte folur shtatëmbëdhjetë  herë  në telefon ditën e tenderit me bizensmenin për të cilin ishte bërë gjithë zhurma.

Me paramendimin e përdorimit të videos kur t’ja kërkonte puna dhe nevoja, Prifti i fliste  biznesmenit me fraza të përgjithshme, që edhe Metës t’i krijonte përshtypjen se po ia zbatonte porosinë, edhe në dërrasë të kalbur të mos shkelte. Kishte gjetur këtë rrugë ky ministër për t’u mbajtur, për të mbijetuar e ecur përpara në klubin e të pafeve dhe hileqarëve ku e kishte hedhur fati apo ku kishte zgjedhur të bëntë pjesë: të filmonte të gjithë ata që vinin për t’i kërkuar favore kundrejt  rushfeteve. Në radhë të parë kryetarin e partisë së tij, zotin Meta të cilin, siç do të thoshte vetë pas shpërthimit të skandalit të videopërgjimit, e njihte si kapobandë. Mandej njerëzit e kapos. Në të vërtetë këta ishin, s’para kishte të tjerë. Duke i dhënë leje dhe kohë vetes të montonte në zyrën e  tij apo gjetkë një sistem përgjimi  nëpërmjet  orës së murit, zoti Prifi i kishte ngritur një pusi të madhe korrupsionit, por ndërkohë kishte celebruar aleancën e karrierës  së tij me dobësitë, ligësitë dhe sëmundjet e tjera të natyrave të prishura. Në vartësi të rrethanave, ai do ta përdorte atë video hëm si luftëtar, hem për zhantazh.

Prifti e plasi në media vidion e  famshme  tetë-nëntë muaj pas rregjistrimit dhe pesë-gjashtë muaj pas shkarkimit nga detyra e ministrit të Ekonomisë dhe Energjitikës. Nuk mund ta dimë a e përdori apo jo atë video për t’i zënë kokën me derë Ilir Metës para dhe pas shkarkimit nga detyra. Por Berishës ia çoi. Edhe pse mund ta dinte se po e vinte në vështirësi të madhe kryeministrin dhe zor se do të nxirrte ndonjë gjë prej tij. Mes Priftit si individ dhe Metës si kryetar partie, Berisha do të zgjidhte kryetarin e partisë. LSI-ja ishte forca e vogël që e mbante në pushtet. Për pushtetin jepte gjithçka. S’bëhej fjalë të përfillte një vidio si ajo që  i kishte sjellë Dritan Prifti.

Berisha s’begenisi as ta shikonte videon në fjalë. Ndoshta e mendonte edhe më të shëmtuar se sa ishte në të vërtetë. Dikur në opozitë e kishte vuajtur seriozisht zhvatjen e Shqipërisë prej duarve  grabitqare e të pangopura të zyrtarëve të korruptuar. E kisha besuar vuajtjen e tij dhe kisha vuajtur edhe unë me të kur e kisha dëgjuar të thoshte nën zë në zyrën e tij: “E kanë vënë nën këmbë këtë vend dhe s’mendojnë gjë tjetër vetëm si t’i  shqyejnë ndonjë copë”.  Një përbetim i madh  vibronte brenda asaj vuajtje. Shqyesit e Shqipërisë do ta paguanin shtrenjtë kur populli ta sillte përsëri në pushtet atë njeri. Por mjerisht, me kalimin e kohës, sidomos në mandatin e tij të dytë si kryeministër, Berisha ishte pajtuar me këta shqyes. Dukej paradoksale, por pikërisht vesi i shqyerjes, ishte koaaguluesi dhe garanti i besnikërisë dhe kohezionit në kualicionin e tij. Berisha u kishte dhënë Metës me shokë tri ministri, si tri lopë qumështore dhe i kishte lënë të lirë të bënin ç’të donin me to. Duke u dalë kësisoj nga gjykimet steriotipe si dorë e hekurt, por duke i futur ndërkaq  në ngasje ata të LSI-së. “Jooo, s’na ndërhyn dhe s’na nget për asgjë”, thoshte Meta për  Berishën lart e poshtë. Thoshte të vërtetën. Ndoshta mendonte se në këtë mënyrë i bënte reklamë zotit Berisha. Më fakt, pa dashje, bënte të kundërtën: akuzonte një kryeministër që nuk e kishte qeverinë nën kontroll; akuzonte një qeveri që kishte humbur kuptimin e drejtimit unik, siç është rregulli elementar në çdo qeveri të botës; akuzonte një qeveri që funksiononte me parimin “çdo parti çifliçet e veta”. Kjo ishte formula e unitetit që zbatonte Berisha në koalicionin e tij. Të bëjnë barrë të gjithë. Ai pra nuk do të skandalizohej po të shihte skena të ulta në  vidion qëPrifit ia kishte lënë në dorë si patate përvëluese. Kishte neveri t’i shihte. Dhe kryesorja: Shikimi e bënte dëshmitar, e kompromentonte, e kapte në rrjetën e dijenisë, ndërkohë që mosshikimi e shpëtonte njëfarësoj nga këto telashe të ndërgjegjes.

E la Dritanin të bëntë ç’të donte me videon e tij. Ky ishte çasti i ndarjes së palumtur, për të mos thënë edhe të dhimbshme të  Sali Berishës me deputetin që kishte mundësuar rilindjen e tij në karrigën e kryeministrit të nesërmen e zgjedhjeve të 29 qershorit. Kush nuk e mbante mend! Berisha  kishte mbetur në kufirin e fitores, si Tantali mitologjik, pa e prekur dot. I duhej dhe një deputet. Një deputet baraz me pushtet. S’kishte ku ta merrte më. Ç’kishte qenë për të shtrydhur e kishte shtrydhur nga Jugu në Veri.  Fitorja nuk ishte  bërë që nuk ishte bërë. Por fati e kishte parë në orën me të keqe me dorën e ngritur të Dritan Priftit. Sapo ishte siguruar se ishte zgjedhur deputet, Dritani i kishte thënë jam me ty. Ky kishte qenë mandati i çlirimit të Berishës nga mundimet. Një mandat me shijen e trefishtë: të fitores një, të rimorkimit të LSI-së në koalicionin qeveritar dy dhe të tjetërsimit pa teklif të një mandati që ishte  marrë me sloganin e largimit të tij nga pushteti  dhe po përdorej për mbajtjen e tij në pushtet, gjë që përkëdhelte besimin e tij se respektohej dhe adhurohej edhe nga e majta.

Po, po! Ishte një gjë për të mos u harruar  ajo që kishte bërë Dritani! Mirëpo politika nuk jeton në  kujtime. Mirënjohja në politikë duhet të jetë një ndjenjë e vdekur, kur nuk përputhet me interesat dhe llogaritë e momentit. Dritan Prifti u end andej- këndej një verë dhe një vjeshtë me minën e tij me sahat, që nuk po trembte njeri. Ndërkohë lajmi se ai kishte jo një por disa vidio “shkatërruese” kishte marrë dhenë. Ishin të pakët njerëzit në opozitë dhe në media që nuk kishin dëgjuar për të. Kurioziteti, pritja, njëlloj dëshire e krerëve të opozitës për të mësuar më shumë, përzier me shpresën se mos me “minat” e Dritanit mund të arrinin çfarë nuk e kishim arritur dot me valën e protestave madhështore – të gjitha këto kishin  bërë që figura e zotit Prifti të rrethohej me një kërshëri të veçantë. Ky me gjasë kishte filluar t’i lejonte disa nga  miqtë e tij në opozitë të shihnin ndonjë gjë të vogël, si nga vrima e çelësit, në “dhomën” e tij të sekreteve. Këta i kishin përkedhelur zotit Prifti  sedrën e heroit, gjithnjë nëse ai dëshironte të  bëhëj i tillë në perspektivën e fitores së ardhshme të opozitës.

Prifti ia dorëzoi vidiopërgjimin e bisedës së tij me Ilir Metën drejtorit të emisionit “Fiks Fare”, Filip Çakulli. Ky e trasmetoi siç e mori mbrëmjen e 13  janarit, duke shkurtuar në trasmetim disa fragmente parazitare që nuk kishin lidhje me pjesën ku shpalosej skandali.

Ajo ka qenë një mbrëmje shokuese për shumicën e shqiptarëve. Pasi u dha në “Fiks fare” , vidioja u muar dhe u ritrasmetua në kor nga shumë televizione të tjera, sidomos pjesët pikante ku flitej për paratë.  Shqipëria të nesërmen gdhiu në pupla. Por kryeministri i habiti të gjithë, deri edhe mbështetësit e tij, kur iu vu punës me mish  e me shpirt të ndërtonte një fabul  tëmanipulimit të vidios, duke u kapur pas shkurtimeve për efekt trasmetimi që kishte bërë “Fiks fare”. Të gjithë e njihnin pasionin e këtij njeriu për karrigen, por pakush e kishte menduar se ai do të ndërmerrte  një kryqëzatë kaq irracionale kundër “Fiks fare”  dhe një fushatë kaq autodemaskuese në mbrojtje të Ilir Metës. Teoritë e tij të komplotit opozitar në një studio montazhi jo vetëm nuk ngjiten, por lanë pas ilaritetin e mungesës së logjikës elementare. Në fakt, duke reklamuar me forcë manipulimin e  vidios nepërmjet shkurtimit, kryeministrit e pohoi atë integralisht edhe për pjesën e shkurtuar, të cilën publiku i gjerë pati rastin ta shihte pa ndonjë interes vetëm pasi “Fiks fare” dhe emisioni “Top story” i Sokol Ballës, për tu mbyllur gojën spekulantëve, e trasmetuan të plotë.

Figurën, zërin dhe fjalët e asaj vidioje i  konfirmoi edhe Ilir Meta në reagimin e tij të parë të nesërmen e  trasmetimit, por duke reklamuar një domethënie tjetër të fjalëve të përdorura. Shifra shtatëqind, tha ai, ishte përdorur në një kontekst tjetër, jo në atë të rushfetit. Ai u mundua t’i vishte një fabul të tijën  gjithë takimit në zyrën e ish ministrit Prifti.  Në fillim i ra gjoksit se do t’i qëndronte deri në fund  sulmit  “të orkestruar nga Rama”. Pak orë më vonë  e pa vetën në rrethimin e frymës së revoltës që po ngrihej në gjithë vendin dhe u shtrëngua të jepte dorëheqjen. Ky gjest  i tij nuk e uli megjithatë adrenalinën e një publiku që ishte bombarduar nëpër vite me bëmat e kuçedrës së korrupsionit në sferat e larta dhe ëndërronte prej kohësh t’i qepej një koke të madhe.

Indinjata e provokuar nga vidioskandali dhe  ajo e poshtërimit të opozitës për kutitë ishin përzier si dy degët e një lumi të madh që endet andej këndej pa drejtim. Ky ishte janari shqiptar i vitit 2011. Edi Rama ishte prej javësh nën presionin e publikut opozitar dhe aleatëve të tij për të thirrur një protestë të madhe si atë të 26 nëntorit 2009 apo 30 prillit 2010.  Tani që kishte dalë edhe vidioja dhe  kryeministri kishte zbritur personalisht në fushën e betejës për të zhurmuar efektet e saj, presioni ndaj tij ishte akoma më i madh.

Rama dukej në dilemë. Pak ditë më vonë, kur situata ishte bërë mjaftueshëm inkandeshente, Rama shpalli 21 janarin si ditë të zemërimit të shqiptarëve me qeverinë e tyre. E quajti demostratë. Sqaroi se nuk do të kishte tribunë dhe fjalime si herë të tjera, se opozita do të ishte pjesëmarrëse aktive, por jo drejtuese e demostratës. Teza e demostratës pa  drejtim, megjithëse e thirrur nga PS dhe Opozita, ishte absurd dhe plot nënkuptime: Demostruesit mund të bënin çfarë të donin.

Shqipëria opozitare po nxehej si në një rit dërvishësh. Duke parë çfarë bastesh të rënda po viheshin, Rama filloi t’i mëshonte kumtit se demostrata do të ishte paqësore. Por nuk linte pa shtuar se populli mund ta kalonte opozitën dhe opozita nuk mund ta pengonte popullin.

Retorika radikaliste ndërkaq kishte marrë flamurin. Krerët e disa partive të vogla, aleate me PS-në, flisnin për skenarë të dhunshëm tunizianë. Në takimet e kokave të nxehta ishte e vështirë të shtroje çështjen e përceptimeve të ndryshme që kishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Europa për vendet arabe në krahasim me Shqipërinë. Kishte mungesë realizmi dhe teprim në retorikën e njësimit të zhvillimeve në Tunizi, Egjipt dhe Libi me situatën në Shqipëri, ku megjithë problemet e shumta të funksionimit të demokracisë, pushteti kishte ndërruar duar me zgjedhje katër herë në njëzet vjetër e fundit dhe vendi kishte arritur të bëhej anëtar i NATO-s. Teprimet në luftën politike kompromentojnë qëllimet dhe favorizojnë palën kundërshtare, thoshte Gandi. Por edhe njëherë , meqënese Berisha e kishte poshtëruar opozitën për kutitë e votimit dhe Meta ishte kapur në flagrancë me zë dhe figurë, psikoza e së drejtës morale të opozitës për revansh dhe ndëshkim e kishte shtyrë në cep arsyen.

Kishte megjithatë një ngushëllim në shtjellën e profecive të këqija. Njerëzit në tërësi do të vinin në demostratë të organizuar nga deputetët socialistë dhe këta socialistë nuk e kishin në kulturën e tyre dhunën. Nga ana tjetër për faktin se ishte qeveri e një vendi të NATO-s, qeveria  “Berisha” nuk mund të qëllonte me armë zjarri mbi demostruesit, siç kishte ndodhur në Tunizi e po ndodhte në Egjipt.

Atdheu…

Nga Fatos Baxhaku

– Atdheu është vatra familjare, gardhi, era e mirë e shtëpisë, vendi ku e ndien veten të barabartë dhe të respektuar, bash atje ku të zë gjumi rehat. Do hash ndonjë të sharë, por të jesh i sigurt që e ke pasur hallall.

– Atdheu është gjuha, rrugicat, dialekti, ëndrrat, përrallat, hartimet, dashuritë e para dhe ato të munguara, librat e shkoqur erëmirë.

– Atdheu është dhimbja jote. Është pafuqia dhe fuqia jote. Është pikërisht ajo që ti do të doje të ishte më mirë.

– Atdheu është gjeni yt, mëkatet e tua, mëritë e tua, dashuritë e tua, tradhtitë e tua.

– Atdheu është edhe me ngjyra: Flamuri, Kuqezia, Pavarësia, heronjtë, bëmat… Por mos harro, kanë ardhur kohë të tjera, që kanë nevojë për punë dhe jo për legjenda.

– Atdheu është edhe stinë. Nganjëherë na lodh me zymtësinë, apo me shiun, dhe herë të tjera na ngazëllon me beharin e parakohshëm që vjen befas. Atdheu është ai, vetmitar, i paparashikueshëm.

– Atdheu nuk do brohoritës. Më të famshmit brohoritës nuk kanë pasur fat të mirë.

– Atdheu nuk i do ata që shkojnë nga salla e bilardos drejt e në stadiumin ku mëtojmë të jemi edhe ne. Atdheu na kërkon në radhë të parë punë dhe mend. Si i bëhet?

– Atdheu është ai vend i mrekullueshëm ku na kanë mësuar se më e mbara udhë është të shtojmë miqtë dhe jo armiqtë.

– Nga Atdheu dhe historia e tij e gjatë kemi mësuar se ai nuk do që të fshihemi pas tij. Kjo duhet të jetë e pandershme.

– Atdheu është zemërgjerë, ai na i fal edhe mëkatet tona, dhe të të tjerëve, vetëm e vetëm që njerëzia të jenë mirë.

– Atdheu hera-herës na kujton: Kujdes të korrat!

– Atdheu është ajo gjë që të mungon sa herë që thua me krenari “I am Albanian”.

– Atdheu hap punë, shpresë dhe jo sherre.

Sigurisht që edhe Atdheu ka një cak, ka një limit deri në të cilin mund të na falë mëkatet. Mjaft na ka duruar! Më e para nga të gjitha është se ne duhet të jemi më kokunjur në krenarinë tonë të pabazuar në themel.

Është bazike, nisur nga historia e kulturave njerëzore, që popujt që arrijnë të njohin veten e tyre, njësoj si njerëzit, e kanë jetën më të mbarë, përkundrazi, popujt, që merren me lapidarë, himne, simbole lloj-lloj dhe aspak me thelbin e gjësë, ahere atyre do t’u duhet një rrugë e gjatë drejt përparimit.

Sido që të jetë: Rroftë Atdheu ynë! Kjo për ne. Por rrofshin të gjithë për atdhetarët e tjerë!