14.5 C
Tirana
E enjte, 8 Maj, 2025

“Teatër opozita bashkoi votat me Ramën për të liruar të korruptuarit”/ Basha: Pazari i vulës për të goditur SPAK dhe mbyllur listat i dorëzon kryeministrit pushtetin në tavolinë

Në konferencën për mediat, kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka denoncuar marrëveshjen mes Ramës dhe Berishës për amnistinë e të dënuarve nga GJKKO, sikurse u provua nga raportimi i kreut të SPAK, Altin Dumani.

Sipas Bashës marrëveshja për amnistinë u ndoq nga ajo për sabotimin e komisionit të Reformës Zgjedhore dhe pazari për vulën, përmes të cilit Rama siguron një mandat tjetër, ndërsa Berisha monopolin e teatrit opozitar.

Fjala e Bashës:

Akti i amnistisë, i provuar katërcipërisht edhe nga raportimi zyrtar i kreut të SPAK, provon paktin midis qeverisë dhe teatër opozitës. Teatër opozita në këtë pakt ka liruar të korruptuarit, ka liruar vjedhësit e votave, ka liruar vjedhësit e fondeve të shqiptarëve, ndërkohë që ka pranuar të vazhdojë ndjekja penale për protestuesit që u ngritën kundër korrupsionit, të Partisë Demokratike, të opozitës, dhe në tërësi protestuesit kundër padrejtësive dhe korrupsionit të qeverisë të Edi Ramës. Pakti vazhdoi me prishjen e komisionit për Reformën Zgjedhore, dhe krijimin e një celule okulte të cilës i është dhënë detyra nga kryeministri dhe ish-kryeministri të mbyllin listat, që janë hapur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që edhe zgjedhjet e ardhshme dy dinosaurët e tranzicionit të mund të kontrollojnë votën e shqiptarëve.
Pakti vazhdon me lëvizjet e përgatitura për të goditur SPAK, për të eliminuar shpërdorimin e detyrës si vepër penale nga kodi penal, për t’i mohuar SPAK mbështetjen financiare, burimet njerëzore dhe ndryshimet legjislative, me qëllim që ky kërcënim jetik ndaj të korruptuarve, siç është SPAK, dalëngadalë të zvogëlohet, të mpaket e të mos kryej misionin nga i cili i kanë sytë gjithë shqiptarët, që është vënia para drejtësisë e të korruptuarve pa dallime politike dhe dhënia fund e tranzicionit.

Tjetër plan kanë Edi Rama dhe Sali Berisha, Katovica 2, do të ribashkojë ato pjesë të ndara të PPSH-së që u nisën me misionin jo për të sjellë demokraci, liri tregu, barazi para ligjit, por për të rivendosur klika të reja të pushtetit e për t’i përjetësuar ato në formën e klaneve apo pushtetit familjar. Ky është mirëkputimi që vjen me një kosto të lartë për shqiptarët në tërësi dhe demokratët në veçanti, sepse pjesë e këtij pakti është që t’i hapet rruga Edi Ramës që të qeverisë edhe 4 vite të tjera Shqipërinë, në këmbim të vulës së opozitë dhe të përpjekjeve për t’i dhënë fund çdo akti të vendosjes para drejtësisë të të korruptuarve të kësaj qeverie dhe të korruptuarve në tërësi.

Hetimet për inceneratorin e Tiranës, SPAK: Grupi kriminal ka pastruar 20 milionë euro pasuri! 8 persona në kërkim

SPAK ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me hetimet për inceneratorin e Tiranës. Me anë të një njoftimi Prokuroria e Posaçme sqaron se grupi kriminal, ka pastruar 20 milionë euro pasuri.

 

“Nga aktet e administruara ka rezultuar se janë pastruar si produkte të veprës penale në vlerën prej afërsisht 20.000.000 (njëzetë milion) Euro, të ndara konkretisht në shumat prej: 1.214.867.060 (një miliard e dyqind e katërmbëdhjetë milion, e tetëqind e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëdhjetë) Lekë ; 9.456.093 (nëntë milion e katërqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e nëntëdhjetë e tre) Euro”, thuhet ne njoftimin e SPAK.

Aktiviteti kriminal i pastrimit të produkteve të veprës penale,- thote SPAK- rezulton se është kryer në vazhdimësi duke filluar që nga momenti i lidhjes së kontratës koncesionare.

Po ashtu SPAK thote se “janë përdorur mekanizma dhe forma të ndryshme të ngritura nga organizatorët e këtij aktiviteti kriminal, me pjesëmarrës shtetas shqiptar dhe të huaj, të cilët kanë vepruar në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal”.

Sipas Prokurorisë personat pjesëmarrës të këtij grupi të strukturuar kriminal kanë përfituar vlera monetare të mësipërme, në sajë të mashtrimit nëpërmjet krijimit të faturave fiktive, në sajë të shoqërive fiktive të krijuara brenda dhe jashtë vendit, si dhe nëpërmjet tërheqjes së vlerave monetare në cash.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg” ndaj tetë shtetasve, por ne njoftimine  SPAK thuhet se “Policia e Shtetit ka vënë në dijeni Prokurorinë e Posaçme, për pamundësinë e ekzekutimit të masave të sigurimit personal ndaj shtetasve të mësipërm”.

Masat e sigurise:

Dashamir Ymeraj
Denisa Tollkuçi
Renardo Nallbani
Ilir Dedja
Giusepe Ciaffaglione
Michael Druijts
Marc Lapat

Në krye të grupit të strukturuar kriminal – thote SPAK qëndrojnë shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mertiri, ndaj të cilëve është proceduar më parë me caktim mase sigurimi “arrest në burg”.

Njoftimi: 

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, po vijon hetimet në lidhje me procedimin penal nr. 255, të vitit 2020, me objekt hetimi kontratën koncesionare nr. 6597 prot, datë 31.08.2017, “Ndërtim Landfilli, Inceneratori dhe Rehabilitimi i Vend Depozitimeve Ekzistuese, Tiranë”, lidhur ndëmjet Autoritetit Kontraktor Ministria e Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Energy B.V. SPV” sh.p.k., me kosto të investimit të parashikuar nga shoqëria koncesionare në vlerën 128.248.330 (njëqind e njëzet e tetë milion e dyqind e dyzetë e tetë mijë, e treqind e tridhjetë) Euro, pa TVSH.

Në vijim të njoftimeve të mëparshme, deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, kanë rezultuar fakte penale të tjera të evidentuara gjatë periudhës së zbatimit të kontratës koncesionare, për të cilat është bërë regjistrimi i njoftimit të veprave penale në regjistrin penal, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunimin e veçantë në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 287 gërma “a” dhe “b”, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Nga aktet e administruara ka rezultuar se janë pastruar si produkte të veprës penale në vlerën prej afërsisht 20.000.000 (njëzetë milion) Euro, të ndara konkretisht në shumat prej:

  • 1.214.867.060 (një miliard e dyqind e katërmbëdhjetë milion, e tetëqind e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëdhjetë) Lekë ;
  • 9.456.093 (nëntë milion e katërqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e nëntëdhjetë e tre) Euro.

Aktiviteti kriminal i pastrimit të produkteve të veprës penale, rezulton se është kryer në vazhdimësi duke filluar që nga momenti i lidhjes së kontratës koncesionare duke përdorur mekanizma dhe forma të ndryshme të ngritura nga organizatorët e këtij aktiviteti kriminal, me pjesëmarrës shtetas shqiptar dhe të huaj, të cilët kanë vepruar në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal.

Personat pjesëmarrës të këtij grupi të strukturuar kriminal kanë përfituar vlera monetare të mësipërme, si produkte të veprës penale, duke marrë vlerat monetare nga llogaria bankare e shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V. SPV” sh.p.k, në sajë të mashtrimit nëpërmjet krijimit të faturave fiktive, në sajë të shoqërive fiktive të krijuara brenda dhe jashtë vendit, si dhe nëpërmjet tërheqjes së vlerave monetare në cash.

Pas kryerjes së hetimeve dhe analizimit të provave, në datën 29.06.2024, Prokuroria e Posaçme i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me kërkesën për caktimin e masës së sigurimit ndaj 8 shtetasve (shqiptarë dhe të huaj), të cilët dyshohen për kryerjen e veprave penale  “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose  veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunimin e veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuara nga nenet 143/3, 287 gërma “a” dhe “b”, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 69, datë 12.07.2024, ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg” ndaj tetë shtetasve me inicialet D.Y., G. C., D. T., M. L., M. D., I. D., E. H. dhe R. N.

Në krye të grupit të strukturuar kriminal qëndrojnë shtetasit K.Z. dhe M.M., ndaj të cilëve është proceduar më parë me caktim mase sigurimi “arrest në burg”.

Në datën 12.07.2024, Prokuroria e Posaçme ka urdhëruar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit të ekzekutojë masat e sigurimit të caktuara me vendimin nr. 69, datë 12.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Nënvizojmë se, Policia e Shtetit më datë 15.07.2024, ka vënë në dijeni Prokurorinë e Posaçme, për pamundësinë e ekzekutimit të masave të sigurimit personal ndaj shtetasve të mësipërm.

Hetimet vijojnë me qëllim evidentimin e përgjegjësisë së personave të tjerë të përfshirë në kryerjen e veprave penale.

“Pakti Rama-Berisha vazhdon dhe sot”/ Basha thirrje Gjykatës së Apelit: Zbardhni vendimin skandalos të 11 qershorit për të na mundësuar rekursin, pasi kanë kaluar afatet

Në konferencën për mediat, kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, është shprehur se pakti Berisha-Rama vazhdon dhe sot e kësaj dite, siç ishte edhe në aktin e paligjshëm për vulën e PD.

Ai i bëri thirrje Gjykatës së Apelit të zbatojë ligjin, pasi kanë kaluar 30 ditë nga afati ligjor për të zbardhur vendimin skandaloz të 11 qershorit, pasi përveçse dhanë një vendim të paligjshëm, tani zvarrisin edhe zbardhjen e këtij vendimi.

Basha gjithashtu tha se vendimi nuk zbardhet deri në fund të kësaj jave, për të vazhduan më pas me rekursin në Gjykatën e Lartë, Demokratët Euroatlantikë do t’i drejtohen KLGJ-së, ILD-së dhe SPAK-ut dhe partnerëve ndërkombëtar për këtë skandal të rradhës të kësaj gjykate.

Pjesë nga fjala e Bashës:

Pakti midis Sali Berishës dhe Edi Ramës vazhdon dhe sot e kësaj e dite. Vazhdon me aktin skandaloz të paligjshëm të 11 qershorit, me të cilin rast dua t’i bëj thirrje Gjykatës së Apelit të zbatojë pa vonesë ligjin. Sot është data 16 korrik, 30 ditë kanë kaluar nga afati ligjor për të zbardhur vendimin skandaloz të 11 qershorit, jo vetëm kanë dhënë një vendim të paligjshëm, por tani zvarrisin edhe zbardhjen e këtij vendimi. Ky është një akt i papranueshëm, ndaj nëse deri në fund të kësaj jave nuk do të ketë një zbardhje të plotë të vendimit për të mundësuar pastaj hapin tjetër të rekursit në Gjykatë të Lartë nga Partia Demokratike e Shqipërisë – Demokratët Euroatlantikë, ne do t’i drejtohemi të gjitha instancave përkatëse KLGJ-së, ILD-së dhe SPAK-ut, sikundër do të informojmë në detaje të gjithë partnerët strategjikë për këtë skandal të rradhës të Gjykatës së Apelit në moszbatimin e ligjit dhe parashikimeve ligjore për zbardhjen e vendimit ecjen përpara me rekursin në Gjykatë të Lartë.

“Demokratët Euroatlantikë mbështesin SPAK”, Basha: Altin Dumani dje u përballë në parlament me kastën e vjetër politike

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, në një konferencë për mediat është shprehur se kreu i SPAK, Altin Dumani, gjatë raportimit ditën e djeshme në Parlament, u përballë me kastën e vjetër politike.

Basha tha se marrëveshja ka si synim zhbërjen e të vetmes shpresë të shqiptarëve për ndryshim dhe për fundin të pandëshkueshmërisë që është SPAK, BKH dhe GJKKO.

Ai më tej përsëriti mbështetjen e pakushtëzuar të Partisë Demokratike e Shqipërisë -Demokratët Euroatlantikë ndaj SPAK duke e cilësuar si të vetmen strukturë që luftion korrupsionin dhe që mbështetet nga shumica dërrmuese e shqiptarëve.

Pjesë nga fjala e Bashës:

Ditën e djeshme u përballën me njëri-tjetrin SPAK-u dhe kasta e vjetër politike. Raportimi i kryeprokurorit të SPAK-ut Altin Dumani nxorri zbluluar petët e lakrorit dhe marrëveshjen mes qeverisë dhe teattrit opozitarë. Marrëveshje e cila ka për synim zhbërjen e të vetmes shpresë të shqiptarëve për ndryshim dhe për fundin të pandëshkueshmërisë, që është Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion dhe elementet e tjerë përbërës si BKH dhe GJKKO. Dua ta nis duke shprehur dhe njëherë në mënyrë të plotë pakushtëzuar mbështetjen e Partisë Demokratike të Shqipërisë të Demokratëve Euroatlantikë për Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion në luftën e drejtë kundër korrupsionit qeveritar, kundër krimit të organizuar dhe vënien fund të pandëshkueshmërisë. Pritshmëritë e shumicë dërrmuese të shqiptarëve janë për një prmbyllje me sukses të kësaj beteje pa të dytë në 34 vite tranzicion, një betejë që do të vendos që Shqipëria do të ecë përpara si të gjitha vendet e tjera drejt destinit të vet Europian, me barazi para ligjit, me të drejta të garantuara nga Kushtetuta dhe Ligji, apo do të kthehet mbrapsht në gjirin e autokracive të rilindura nga hiri i diktaturave komuniste ku përsëri ka dy klasa, ku ka të barabartë mbi të barabartë që janë të plotëfuqishmit e politikës të krimit dhe ekonomisë për të cilët nuk ka ligj. Të cilët pavarësisht se kryejnë krimet më monstruoze ndaj popullit të tyre, vjedhjet më masive, shpërdorimet më mafioze, aleancat më të tmerrshme me krimin e organizuar, i shpëtojnë ligjit madje e përdorin ligjin për të ndëshkuar të pafajshmit dhe për të goditur interesat, jetën, shëndetin dhe pronën e qytetarëve të thjesht.

Qartësisht në këtë ndarje, Partisë Demokratike të Shqipërisë të Demokratëve Euroatlantikë janë në krahun e shumicës dërrmuese të shqiptarëve që duan të ecin përpara dhe në këto 34 vite i vetmi instrument për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë që ka nisur të korr rezultatet e para, është Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion. Kj strukturë ka thyer tabunë se në Shqipëri nuk bëhet drejtësi, se të plotëfuqishmit e politikës, ekonomisë dhe krimit janë mbi ligjin dhe përtej ligjit. Në këtë mënyrë Altin Dumani dhe SPAK janë vënë në syrin e ciklonit të interesave të përbashkëta të kastës së vjetër politike. Kjo u duk edhe dje me sulmet e orkestruara kundër SPAK-ut, me qesëndisjet e një mazhorance të kapur në flagrancë dhe që vazhdon të kapet në flagrancë duke zhytur duart në pasuritë e shqiptarëve, që bën sikur është në mbështetje të aytre që i lufton ditë për ditë dhe në funksion të kësaj lufte, po krijon edhe aleanca fluide me teatrin opozitar.

Një grek dhe dy shqiptarë: atentati i dështuar kundër Abdylhamidit II në vitin 1879

Nga dr. Hasan Bello

Në libërthin “Kundërspiunazhi në burimet osmane: rastet (1876-1909)” të historianit Emre Gor flitet për një ngjarje interesante. Më 18 shtator 1879, e cila përkonte me ditën e parë të Bajramit, kur sulltan Abdylhamidi II po nisej drejt xhamisë së Beshiktashit, rojet pikasën një person që bënte lëvizje të dyshimta. Në momentin që iu afruan, ai nxorri një kamë dhe filloi t’i sulmonte. Në përleshje e sipër, ai plagosi tre truproje, një prej të cilëve ishte edhe Osmani nga Shkodra.

Pas arrestimit agresori u dërgua në polici ku iu nënshtrua hetimit. Fillimisht, ai nuk pranoi të jepte shpjegime. Ndërsa në trup iu gjet një pasaportë rumune dhe një letër ku linte si amanet që po t’i ndodhte diçka trupi i tij të varrosej në një fshat të Greqisë. Nga hetimit rezultoi se ai ishte Kostantin Karajanopulo, një “tregtar” gruri që hynte dhe dilte shpesh në Stamboll nga Greqia. Ai kishte lidhje miqësore me Sokratin, magazinierin e Muratit V, të vëllanë e Abdylhamidit i cili kishte qëndruar në fron vetëm tre muaj pas implikimit në një komplot brenda pallatit, ndërsa tani mbahej i izoluar. Gjithashtu, atentatori kishte lidhje edhe me lozhën masone të Stambollit pjestarë të së cilës ishin personat e lartpërmendur.

Pasi kishin kaluar 36 orë nga atentati i dështuar, greku Kostantin Karajanopulo kërkoi nga autoritetet policore që ta dërgonin në spital për ta mjekuar. Kjo sepse gjatë arrestimit ai kishte marrë disa plagë.

Por gjatë kthimit për në stacionin policor ndodhi një ngjarje e rëndë. Në momentin kur ai ndodhej në barrelë, një lulishtar i pallatit sulltanor, Ramazani nga Shkodra i cili ishte djali i xhaxhait të truprojes së plagosur me emrin Osman, në shenjë hakmarrje afrohet dhe ekzekuton atentatorin.

A ishte ky një sulm i organizuar i vetë strukturave shtetërore? Apo një hakmarrje alla shqiptarçe? Kjo nuk ka për tu zbuluar dot kurrë!

Sipas dokumentacionit, Ramazani nuk bëri asnjë ditë burg. Kjo për shkak se mjekuligjor lëshoi një raport i cili e konsideronte atë si të paaftë nga ana mendore.

Hetimet për këtë atentat i cili do të pasohet nga shumë të tjerë vijuan. Personat e implikuar duke nisur nga Murati V dhe magazinieri i tij me emrin Sokrat u morën disa herë në pyetje. Gjithçka rezultoi se ishte e planifikuar, për të risjellë edhe një herë në fron Muratin V, i cili njihej si pjestar i lozhave masone.

Draft-ligji për Policinë e Shtetit minon besimin e qytetarëve në institucionet e sigurisë publike

Nga Myzafer Elezi

Tashmë është bërë publike, iniciativa e qeverisë për të ndryshuar ligjin për Policinë e Shtetit. Ky draft ligj, në vend që të përqendrohet në përmirësimin e funksionimit dhe efikasitetit të Policisë së Shtetit, duket si një tjetër përpjekje e qeverisë për të shfrytëzuar organizatën e policisë për qëllime të ngushta politike dhe propagandistike.

Në themel të këtij projektligji të ri ka vetëm propagandë dhe asgjë me interes të shtuar për organizimin dhe mirëfunksionimin e strukturës shumë të rëndësishme në vend për ruajtjen dhe garantimin e sigurisë publike, siç është Policia e Shtetit.

Ky draft-ligj ngjan më shumë me një Rregullore dhe shpesh herë përfshin nene të veçanta, dispozitat e të cilave i përkasin Procedurave Standarde të Punës. Në këtë kuadër, draft ligji i ri i propozuar asnjë impakt pozitiv nuk sjell për Policinë e Shtetit.

Ndër ndryshimet më problematike, është shkrirja e gradave policore të rolit bazë në një gradë të vetme. Ky ndryshim nuk merr në konsideratë vjetërsinë në karrierë, duke barazuar një student të sapodiplomuar me një punonjës me përvojë disa vjeçare dhe të mirë trajnuar, me të njëjtën gradë. Gradat si, nëninspektor, inspektor dhe kryeinspektor shkrihen në një gradë të vetme, duke dëmtuar rëndë hierarkinë dhe sistemin e gradimeve.

Gjithashtu, drafti është i shkruar keq dhe përmban shumë paqartësi dhe pasaktësi. Konkretisht:

1. Përdorimi i termave të pasakta: Në nenin 9 të draft ligjit, termi “Funksionet e Policisë së Shtetit” është përdorur gabimisht në vend të termit “Përgjegjësitë”. Termi “funksion” lidhet me detyrën funksionale në organigramë, ndërsa veprimet që duhet të ndërmarrë punonjësi i policisë janë përgjegjësi ligjore.

2. Konfuzion në termat procedurialë: Nenet 20 dhe 22 paraqesin konfuzion lidhur me termat “Ndalimin e përkohshëm policor” dhe “Shoqërimi i detyrueshëm”, të cilat duhet të zgjasin deri në sqarimin e çështjes, por jo më shumë se 5 orë. Këto janë veprime procedurale që kryhen me urdhër të gjykatës, të prokurorit apo me iniciativë sipas rastit. Hartuesit e draftit nuk janë konsultuar fare me nenet 164 dhe 253 të Kodit të Procedurës Penale për terminologjinë, kuptimin dhe afatet e shoqërimit apo ndalimit të personit.

3. Përcaktime jo serioze për strukturat operacionale: Neni 47 i draft ligjit parashikon se Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit është strukturë qendrore, administrative, jo-operacionale. Ky përcaktim është jo serioz dhe i papranueshëm, pasi Drejtoria e Përgjithshme është strukturë operacionale që kryen edhe detyra operacionale në shkallë vendi. Është e paqartë nëse ministri është ose jo në dijeni që Policia kryen edhe veprime operacionale.

4. Mandat për drejtorët e Drejtorive Vendore: Në nenin 60 të draft ligjit, parashikohet që drejtori i Drejtorisë Vendore qëndron në detyrë për një periudhë prej 3 vitesh, me të drejtë riemërimi.
Mendojmë se nuk është nevoja për mandat të tillë, pasi kjo mund të çojë në privatizimin e një funksioni dhe pengon ecurinë në karrierë të të tjerëve. Drejtorët duhet të qëndrojnë në detyrë bazuar në performancën dhe meritat e tyre, jo sipas kufizimeve të mandateve të përcaktuara në mënyrë arbitrare.

Në këtë kontekst, dëshirojmë të shprehim disa shqetësime dhe argumente kyç ndaj këtij draft ligji:

• Draft ligji i propozuar cenon profesionalizmin dhe meritokracinë në Policisë e Shtetit. Ndryshimet e propozuara në ecurinë në gradë dhe sistemin e karrierës rrezikojnë të dëmtojnë rëndë parimet e profesionalizmit dhe meritokracisë brenda Policisë së Shtetit. Gradimet dhe promovimet duhet të bazohen në meritat, përvojën dhe aftësitë profesionale të punonjësve, dhe jo në preferencat politike apo ndërhyrjet e jashtme.

• Draft ligji i propozuar demotivon punonjësit e Policisë së Shtetit. Ndryshimet e propozuara do të çojnë në një demotivim të thellë të punonjësve të policisë, të cilët do të ndihen të pavlerësuar ose të vlerësuar keq. Punonjësit e rolit bazë me përvojë që ulen në gradë për shkak të këtij ligji ndihen të fyer moralisht dhe profesionalisht. Një organizatë policore e demotivuar është më pak e efektshme në kryerjen e detyrave të saj dhe në garantimin e sigurisë publike.

• Draft ligji i propozuar mund të përbëjë rrezik për stabilitetin dhe efikasitetin e Policisë së Shtetit. Ndryshimet e propozuara mund të krijojnë një klimë të pasigurisë, të paqendrueshmërisë dhe destabilitetit brenda organizatës së policisë, duke dëmtuar funksionimin e saj efikas. Stabiliteti dhe efikasiteti i Policisë së Shtetit janë të domosdoshme për garantimin e rendit dhe sigurisë publike të qytetërëve.

• Draft ligji i propozuar ligji nuk përmban analiza të thelluara teknike dhe profesionale mbi ndikimin që këto ndryshime do të kenë në strukturën dhe funksionimin e Policisë së Shtetit. Ndryshime të tilla duhet të jenë të bazuara në studime dhe konsultime të gjera me ekspertët dhe vetë punonjësit e policisë.

• Draft ligji i propozuar synon përdorimin e Policisë së Shtetit për propagandë politike. Në vend që të përqendrohet në përmirësimin real të Policisë së Shtetit, draft ligji duket se është një përpjekje për të përdorur organizatën e policisë si mjet për propagandë politike. Kjo është një praktikë e papranueshme që minon besimin e qytetarëve në institucionet e sigurisë publike.

Partia Demokratike – Demokratët Euroatlantikë, kërkon nga qeveria që të rishqyrtojë me kujdes këtë draft ligji dhe të marrë parasysh mendimet dhe shqetësimet e ekspertëve, punonjësve të policisë dhe publikut të gjerë. Një reformë e qëndrueshme dhe efektive e Policisë së Shtetit duhet të bazohet në parimet e profesionalizmit, meritokracisë dhe stabilitetit organizativ, dhe jo në interesa të ngushta politike apo propagandistike.

“Kriminelët janë tërhequr”/ Artan Hoxha krah SPAK: Ka patur rezultate në luftën kundër krimit të organizuar

Gazetari Artan Hoxha thotë se SPAK ka patur rezultate pozitive në luftën kundër krimit të organizuar, përfshirë narkotrafikun, siç tregoi edhe hetimi i fundit “Revanshi” që goditi shtatë grupe kriminale.

I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV,  ndërsa bëri një përmbledhje të ngjarjeve kriminale të këtij viti, Hoxha tha se eksponentët e krimit të organizuar janë tërhequr dhe janë laguar nga vendi, për shkak të goditjeve dhe hetimeve. Hoxha tha se numri i ulët i vrasjeve me përfshirje të organizatave kriminale, vetëm dy që prej janarit të këtij viti, e dëshmojnë këtë fakt.

Kreu i SPAK, ndryshe nga momenti kur mori mandatin dhe deklaroi se do të kishte takim çdo muaj me gazetarët, kaloi një kohë e gjatë gjashtë muaj, derisa bëri daljen e fundit. Dalja e fundit, ndryshe nga daljet e mëparshme të tij, shërbeu si një lloj kronologjie, për disa ngjarje. Iu bënë pyetje dhe dha përgjigje të thatë, duke thënë ia kemi lënë hetimit këto çështje. Ajo që la të kuptohej, është pikërisht fakti që SPAK i mbetet objektivit fillestar për të cilin është ngritur, pra prokuroria speciale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Gjysma e SPAK punon dhe heton korrupsionin, ndërsa gjysma tjetër, që mendoj se është më e mira që ka SPAK dhe që ka më shumë rezultate, që është e dukshme, është pjesa e SPAK që merret me krimin e organizuar dhe narkotrafiqet. Rezultatet e deritanishme, është fakti që në total në Shqipëri viti i kaluar është rekord nga viti 91’, ka një numër më të vogël të vrasjeve, 34 gjithsej. Pjesa dërrmuese e atyre që njihen si eksponentë të krimit të organizuar, janë larguar jashtë vendit, ndodhen kryesisht në Dubai, një pjesë më e vogël janë në Evropë dhe në Amerikën Latine. Kjo ka bërë që në Shqipëri të bjerë intensiteti i ngjarjeve mafioze, që kanë të bëjnë me krimin e organizuar. Prandaj Shqipëria ka patur këtë rezultat.

SPAK është në fillesat e veta, në përballje me krimin e organizuar. Ata janë tërhequr, për të siguruar paprekshmërinë e tyre dhe familjeve të tyre, për të mos u ekspozuar, sepse kur ke edhe shtetin mbi shpinë, kundërshtari e ka më të lehtë të të godasë.

Qeveria përpiqet ta justifikojë këtë gjë, me veprimet që ka marrë kundër krimit të organizuar, por më rezulton se rënia e vrasjeve ka ardhur prej këtij fenomeni, pra të ekspozimit si asnjëherë tjetër të krimit të organizuar nga organet e hetimit, në media, në hetimet e gjera që janë bërë. Hetimi i fundit i SPAK kishte shtatë grupe brenda dhe 50 urdhër arreste. Ishte hetimi më i zgjeruar që ka ndodhur ndonjëherë.

Ajo që kreu i SPAK komunikoi me gazetarët, ishte ky fakt, që SPAK është në punë e sipër, po merret me krimin e organizuar.

Ajo që është e dukshme, SPAK është marrë kryesisht me pjesën e Shqipërisë së mesme dhe veriun. Ajo që pritet është se çfarë do të ndodhë me hetimet e tjera, edhe në bashkëpunim me autoritete të huaja. Grupe që kanë aktivitet të zgjeruar, në Shqipërinë e mesme, kryesisht në zonën e Elbasanit dhe pastaj do të zbresë poshtë deri në zonën e Vlorës dhe Tepelenës. Nuk janë prekur Lushnja, Fieri, Berati, janë larg hetimeve.

Kjo është një gjë që nuk e besoja, derisa pashë në Dubai se kush gjendej atje”, tha Hoxha.

“Dumanit iu ngrit kurth për ta intimiduar”, Baçi: Opozita duhet ta mbështeste fuqishëm, vetëm 3 nga 41 zyrtarë në hetim janë nga radhët e saj

Gazetari Agim Baçi, i ftuar në studion e emisionit “Open” në News24 ka komentuar raportimin e sotëm të kreut të SPAK, Altin Dumani para Kuvendit.

Baçi u shpreh se kreut të SPAK “iu ngrit një kurth” sot nga të dyja palët me synimin për ta intimiduar.

Ai vuri në dukje se zv/kryeparlamentarja Ermonela Felaj, e cila sipas tij “ndonjëherë është më e ashpër se Nikolla me masat që jep”, e lejoi opozitën të fliste çdo gjë me Dumanin.

Baçi shtoi më tej se nga 41 zyrtarë të lartë në hetim nga SPAK, vetëm 3 janë nga opozita, por “për PD-në nëse Berisha është nga ajo anë e peshores, ana tjetër nuk duket më”.

Sot Dumanit iu bë një kurth nga të dyja palët. Felaj, e cila është ndonjëherë më e ashpër se Nikolla me këto masat, e la opozitën të qetë të fliste çdo gjë me Dumanin pastaj bëri në mënyrë të turpshme sikur e mbronte. Nga 41 zyrtarë të lartë në hetim, vetëm 3 janë nga opozita, por për PD po qe Berisha andej nuk duket më ana tjetër e peshores. Avokati i vetë e çoi në arrest shtëpie Berishën, po ta çonte në SPAK…

Ishte një kurth për ta intimiduar, është paradoks në fakt. Është nga seancat që opozita duhet ta mbështesë fuqishëm sepse fatmirësisht kemi një prokurori që nuk guxonte të shkonte lart. A ka bërë më të mirën? Dëshira e opozitës është që Berisha ta thotë në darkë nga ballkoni i tij dhe nesër të jetë kryer. Shyqyr kemi ardhur në këtë pikë”, u shpreh ai.

“Një pjesë e deputetëve të Berishës do jenë subjekt i SPAK”, analisti zbulon detajet

Kreu i SPAK, Altin Dumani deklaroi në Kuvend gjatë raportimit vjetor të punës së SPAK, se Prokurorët e Posaçëm në punën e tyre nuk ndikohen nga presionet, shpifjet apo thashethemet.

Analisti Plator Nesturi gjatë një interviste, komentoi deklaratat e kreut të SPAK në Kuvend këtë të hënë.

Nesturi u shpreh se një pjesë e deputetëve të Sali Berishës do të jenë subjekt i SPAK, ndërsa shtoi se diçka po ndryshon brenda PD-së, ku analizoi deklaratat e Berishës gjatë protestës së të enjtes.

Një pjesë e deputetëve të Berishës padyshim do jenë subjekt i SPAK. Është paralajmëruar. Ka pasur dhe ka hetim të emrave të caktuar edhe brenda opozitës. Kemi një listë të madhe të zyrtarëve të lartë, deri në vz.kryeministër që janë bërë subjekt i SPAK. Zoti Dumani nuk është politikan, por jurist. Një pjesë e madhe e opozitës e konsideron SPAK- si grup kriminal, ndërkohë që këtë nuk e bën mazhoranca që është duke u goditur nga SPAK. E shoh PD-në që duket se politikanët e nivelit të dytë të saj, nuk iu imponuan dot Bashës dhe jo Berishës. Brenda PD-së diçka po ndryshon. Berisha nuk ishte në vetën e parë që ai është Berisha, ky ishte mesazh që kjo ishte një protestë postum dhe do ketë zhvillime të tjera.”, u shpreh ai.

BIRN: Vendimi për Xhaçkën rrezikon të përfundojë në “kalendat greke” të Kuvendit

Afatet e parashikuara për përfundimin e punimeve parlamentare për këtë sesion dhe afati i zbardhjes së këtij vendimi nga vetë gjykata po krijojnë mundësinë që mazhoranca të fitojë akoma kohë për zbatimin e këtij vendimi.

Për të mbrojtur deputeten Xhaçka, bashkëshorti i së cilës u shpall investitor strategjik nga qeveria, mazhoranca socialiste votoi dy herë kundër dërgimit të këtij mocioni në gjykatë dhe vendimet e saj u gjetën në të dyja rastet në shkelje të Kushtetutës.

Në vendimmarrjen e datës 10 korrik kjo gjykatë konstatoi se Kuvendi kishte shkelur Kushtetutën duke mos zbatuar një vendim të janarit 2023 të kësaj gjykate, vendimet e së cilës janë të detyrueshme.

“Kuvendi mbart detyrimin për ekzekutimin pa vonesë të këtij vendimi”, thuhet në vendim, por mesa duket terminologjia e përdorur nga Gjykata Kushtetuese nuk do të ndikojë në hapat procedurialë të Kuvendit.

“Vendimi për znj.Xhaçka nuk ka ardhur akoma i zbardhur. Ndërkohë duhet të botohet që të marrë formë të prerë si vendim, që më pas Kuvendi te bëj proceset e veta”, iu përgjigj BIRN-it të hënën kabineti i kryetares së Kuvendit i pyetur se kur do të zbatohej vendimi i Kushtetueses.

Duke pasur parasysh afati ligjor për zbardhjen e vendimit është 30 ditë dhe Kuvendi ka caktuar në kalendar si seancë të fundit datën 25 korrik, duket se edhe një herë çështja “Xhaçka” do të kalojë në kalendat greke, pasi u zvarrit për më shumë se 2 vite me procedurë në Kuvend.

Gjatë votimit në prill ku rrëzua vendimi i parë i Kushtetueses, socialistët pretenduan se gjykata nuk mund të detyronte deputetët si të votonin sepse ata ishin të pavarur në vendimmarrjen e tyre.

Por sipas vendimit të fundit të Kushtetueses ata janë të detyruar të zbatojnë vendimin e saj pasi ky vendim ka forcën e ligjit dhe “asnjë organ nuk ka të drejtë t’i vërë ato në diskutim dhe aq më tepër të mos pranojë t’i zbatojë”.

Që nga qershori i vitit 2022 mazhoranca ka përdorur afate dhe procedura parlamentare për të zvarritur në kohë shqyrtimin e saj në organet parlamentare dhe me vendim politik ka mbrojtur deputeten e saj.

Gjatë seancën plenare për mocionin ndaj saj vetë Xhaçka foli për sulm politik nga opozita dhe sulmoi mediat e gazetarët si; “inkuizitorë”, “gjobaxhinj” dhe “snajperistë”.

Çështja e mandatit të Xhaçkës ka krijuar një precedent në marrëdhëniet mes Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese, duke shmangur praktikën e mëparshme parlamentare, kur Kuvendi ka vendosur që të dërgojë për interpretim në gjykatë mandatet e deputetëve në rastet kur ndaj tyre ka pasur akuza apo indicie se kanë shkelur nenin 70 të Kushtetutës që i ndalon ata të përfitojnë nga të mirat publike./BIRN