30.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

“Të gjithë kanë të drejtë të flasin, vetëm ti që tradhëtove demokratët jo”/ Komentuesit ‘masakrojnë’ me komente Sali Berishën: Ke bllokuar rotacionin e pushtetit

Demokratët duket se e kanë kuptuar lojën e Sali Berishës.

Mjafton të shohësh komentet në postimet e tij në rrjetin social facebook dhe të shohësh se si e masakrojnë me komente, duke ia thënë të gjithë.

Mijëra komentues real dhe jo nga ato të inteligjencës artificiale që përdorte dikur Berisha kundër Bashës dhe sot përdor Rama për t’i thurur lavde pushtetit të tij.

Janë demokratë të evidentuar me fytyrë, të cilët i kërkojnë Berishës të largohet një orë e më parë, sepse është ai që mban Edi Ramën në pushtet dhe ka bllokuar rotacionin politik.

“Të gjithë kanë të drejtë të flasin, vetëm ti që tradhëtove demokratët e ndershëm jo. Je shumë i pandershëm!”

“Problemi më i madh i yti është Non Grata që të kanë dhënë shqiptarët, largohu sa më parë se ke bllokuar rotacionin e pushtetit.”

Për më tepër, mjafton të shihni më poshtë vetëm një pjesë të komenteve:

Kodi i heshtjes dhe si fshihet një krim

Nga Anila Hoxha

Që në fillim e rëndësishme është të mos ketë parë askush dhe që kush ishte dëshmitarë okular të ketë frikë, e mos te flasë.

Që motivi të jetë i dobët duhet shpikur një femër si “mollë sherri”, ose autori dhe viktima duhet të jenë të dehur, ose vrasësi dhe viktima gërvishin makinat.
Në Pogradec, me autor vrasjeje Denis Meçen dhe të vrarë Eglantin Progën, dosja është aq “e pafajshme” sa i bind të gjithë njerëzit e drejtësisë- fajet i ka alkooli dhe një “shpullë”.

Por përpara kësaj duhej- edhe njëherë në një skenë krimi, kamerat e sigurisë të ishin jo funksionale. Madje aq jo funksionale, sa “dvr në momentin e kqyrjes vizuale nuk bën kthimin e pamjeve filmike dhe është i qëndruar në vitin 1972”.

Edhe njëherë, dëshmitarët nuk panë gjë. Edhe njëherë autoambulanca mbërriti me vonesë. Policia u njoftua në orën 19:00. Dëshmitari e pa të ndjerin përtokë, në orën 18.45.

Duhet edhe njëherë, si në dhjetëra krime të tjera ku pamjet fshihen, dëshmitarët të kenë frikë e vendngjarja prishet, të përsëritet një copy paste lokale, edhe për vrasjen e Eglantin Progës,42 vjeç.
Një deja vu krimi.

Ndërkohë, në Pogradec një klient që po pinte birra vuri re konfliktin, por kur kushëriri i viktimës iu lut për ndihmë, ai nuk lëvizi vendit. Shprehimisht në dosje thuhet: “Nuk pranoi ta ndihmojë”.
Mbase po i shijonte më shumë birra, nga kush duhet të kishte frikë ndryshe?!

Apo zgjodhi të shohë punët e tij që mos të trazohet? Apo kodi i heshtjes na ka depërtuar gjithandej dhe masivisht si shoqëri kemi kopjuar thelbin e saj: “Nuk dëgjova gjë. Nuk pashë gjë. Nuk isha aty. Por dhe nëse isha, kam qenë në gjumë”.

Pra, në Pogradecin e vogël, ku qytetarët e njohin njëri – tjetrin, befasisht klientë e shokë e të njohur që frekuentohen në të njëjtën lagje, nuk e njohin dhe nuk e dinë se kush ishte ai që sulmoi viktimën. Sepse e njihnin si fytyrë dhe jo si emër. Një oficer shkruan përgjigjjet e tyre, në formën më naive të mundshme.
S’ka asnjë dyshim. Kryqëzimi i të dhënave dhe dëshmive nuk është askund.

Por teksa në fashikull shtjellohet se sa birra u pinë e sa shaka u bënë, askush nuk e pa se si, pse u godit 42 vjeçari.

Përfshi edhe kushëririn e të ndjerit që ishte vetëm 30 metra larg. Nga ana tjetër policia tregon se si e kërkoi autorin, pastaj e telefonoi, por abonenenti dilte i padisponueshëm.

Mendoni një qytet të vogël si Pogradeci, apo kudo tjetër ku pretendohet se një kriminel gjendet jo duke e telefonuar, por me informacione të bazuara në burime të mbyllura e të hapura, teknika e bashkëpunëtorë, apo kërkim zbulim me agjentë civilë e krimesh.

Telefoni i autorit ishte i fikur dhe sakaq gjatë orëve të mëpasshme teksa jepet version i parë, ai i një vdekjeje aksidentale, autori shfaqet në dyert e komisariatit.

Në një skenë të mëparshme krimi, të zbuluar në “SKY Ecc”, një shef policie mëson lidhjet e vrasësit se si ai duhet të dëshmonte në gjykatë, se “kishte qëlluar mbas një sherri banal”. Aq më tepër që edhe djali i të vrarit nuk do fliste– shkruan më tej eksperti për kriminelët.

Dhe kështu disa orë më vonë, Denis Meçe shfaqet në polici. Ai flet, një polic, kokëulur shkruan. Ai ia vë fajin alkoolit , tregon se ai kishte fjetur mbas ngjarjes dhe ndaj nuk e kishin gjetur dot.

Por le të jemi naivë edhe ne dhe të mos mendojmë se njëri prej dy palëve, nuk thotë të vërtetën.
Normalisht mbas leximit të dosjes, dyshimi i parë që vjen është ky; Ose policia lokale ka nxjerrë shëtitje dy copë postblloqe dhe ka pritur derisa autori të dorëzohet dhe alibitë të jenë gjetur, dëshmitarët të kenë ngritur supet, pulsi të jetë matur, që motivi të quhet “i dobët”.

Ose Denis Meçe gënjen. Por në letra është fiksuar dëshmia e tij, që na e shfaq të alkoolizuar, që u trondit, që iku nga vendngjarja, fiku telefonin dhe fjeti në makinë. “Unë kam dashur ti fus një shpullë – thotë ai. Por sa i jam afruar kam ngritur dorën, ai është rrëzuar në tokë dhe nuk u ngrit më. Mua nuk më është besuar hiç. Rrugës për në fshatin Bucimas, kam ndaluar makinën dhe kam fjetur pasi isha i dehur“.

Duke ndjekur këtë rrëfim, kur autori u zgjua kujton mirë se telefonoi avokatin, “pasi kisha merak”, thekson. Avokati i tregoi se i riu kishte ndërruar jetë. Dhe ai i lutet mbrojtësit, ta marrë e ta çojë në komisariat!

Fakt

Ora 19.00 policia njoftohet, se përballë barit “ Stropcka” është një shtetas i shtrirë pa ndjenja. Viktima raportohet me identitetin Eglantin Proga.
Policia nuk gjen asgjë të dyshimtë. Pak më tej në një lokal të kontrolluar, përshkruhet si provë gjetja e duhanit të dredhur.

Përse? Sepse më vonë një dëshmitar do thotë se si vrasësi i kërkoi viktimës ti dredhë një duhan.
Policia referon dëshmitarin numër 1 që deklaron se “viktima porositi një birrë “. E çuditshme se si dikush, pra Eglantin Proga që administronte 50 metra më larg lokalin e tij, porosit për të pirë në lokalin e dikujt tjetër.

Dëshmitari nuk ëshë i sigurtë se çfarë ndodhi më pas. Por mban mend se pak më vonë dëgjoi disa persona, që kanë folur me zë të lartë dhe kërkonin ujë.
“Unë jam hutuar në atë moment dhe kur kam dalë jashtë nuk kam nxjerë as ujë por një nga rruga ka sjellë një bidon”.

Dëshmitari nuk mban mend, se çfarë bëri mbasi porositi birrat i ndjeri. Mban mend që e pa atë të shtrirë në trotuar.

Dëshmitari numër 2 thotë se “Eglantini u qëllua rreth orës 18.45 nga një person tjetër”. Sipas kësaj dëshmie, rezulton se policia është njoftuar 15 minuta me vonesë. Çfarë ndodhi gjatë atyre minutave? Dëshmitarët tregojnë se si autori i tronditur u ul nga njëra tavolinë në tjetrën dhe më pas u largua, se duhet të vinte në vendngjarje policia.

Dëshmitari 2 është njëherazi lidhje familjare e të ndjerit. Ai thotë: “Kam kërkuar ndihmë rreth e rrotull për ndonjë person që mund ta merte në makinë kushuririn tim dhe ta çonim në spital për ndihmë mjekësore por pas 10 minutash ka ardhur ambulanca dhe e transportoi në spitalin Pogradec, ku ambulancë kam hipur dhe unë. Përsëri dhe ne ambulancë kusheriri im shtetasi Eglantin Proga nuk po reagonte fare”.

Ndonëse e kishte parë personin që i goditi kushëririn, ai nuk mundi ta identifikojë agresorin. Sepse thotë; “nuk isha i interesuar për këtë konflikt se isha shumë larg dhe nuk e dija për kë bëhej fjalë, se po ta dija do kisha shkuar menjëherë që në fillim dhe nuk kam degjuar, as të bërtitura dhe as të shara”.
Ai nuk mund të thotë se në cfarë drejtimi u largua autori.

Dëshmitari 3, tregon se Denisi, ( lautori), i kërkoi viktimës ti dridhte një cigare. Deri në këtë moment nuk kishte probleme. I ndjeri pranoi pa problem. Por në vazhdim edhe dëshmitari i radhës nuk pa gjë. “Unë nuk e kam parë se kush e ka goditur Eglin pasi nuk kam qënë i vëmendshëm në atë moment, kam qënë dhe në gjendje të dehur, kam parë vetëm atë momentin kur bërtiste ajo grua për të sjellë ujë dhe për të njoftuar ambulancën si dhe kur jam çuar nga tavolina kam parë që pronari i lokalit po i hidhte ujë Eglit i cili ishte i shtrirë mbas makinës time e cila ishte e parkuar në rrugë para tavolinës ku isha ulur duke pirë.”

Edhe një tjetër ndonëse mban mend se si u kërkua, sesi dridhej cigarja, se si u qesh, u pohua “o kushëri o kushëri”, pastaj as humor as biseda të fortësh, ngaqë edhe ai kishte konsumuar tre-katër birra dhe s’mbante mend.

“Në një moment kam parë që erdhi policia atje ne ishim ulur, unë të paktën nuk u ngrita fare të shikoja se çfarë u bë. Më pas erdhi ambulanca dhe pashë që mori një person. Më pas unë kam ikur në shtëpi dhe vonë më ka ardhur një punonjës policie në shtëpi dhe më ka marrë”, thotë i pyeturi.

Edhe ai e njihte autorin Denis Mecen si fytyrë l, por jo si emër!

DASH: SHBA nuk është përfshirë në asnjë aspekt të operacionit ukrainas brenda Rusisë

Shtetet e Bashkuara nuk janë angazhuar në asnjë aspekt të planifikimit apo përgatitjes së sulmit të papritur të Ukrainës në Rusi, tha zëvendes zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Vedant Patel për gazetarët të martën.

Ukraina e zuri Moskën të papërgatitur duke dërguar mijëra trupa në rajonin perëndimor rus të Kurskut, në një operacion në të cilin Kievi thotë se ka marrë nën kontroll 1000 kilometra katrorë, fitorja më e madhe në terren që nga 2022.

Ukraina tha të martën se nuk ka interes që ta mbajë për një kohë të gjatë territorin që ka arritur të vërë nën kontroll, por se ndërkohë, mund të vështirësojë përpjekjet e Moskës për të çuar më përpara trupat e saj në vijën e frontit, në lindje të Ukrainës.

“Ndryshe nga Rusia, Ukraina nuk ka nevojë për pasurinë e njerëzve të tjerë”, tha zëdhënësi i ministrisë të Jashtme Georgiy Tykhy për gazetarët në Kiev. “Ukraina nuk është e interesuar të marrë territorin në rajonin Kurs, por ne duam të mbrojmë jetët e njerëzve tanë”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se duhet të theksohet se “operacioni në Kursk ndihmon në vijën e frontit sepse e pengon Rusinë që të dërgojë njësi shtesë në rajonin e Donetskut dhe ndërlikon logjitiskën ushtarake”./VOA

VIDEO/ Pas kampionatit, shënon edhe në Kupën e Ligës në Angli! Sulmuesi shqiptar vazhdon startin spektakolar të sezonit

Armando Dobra me sa duket po bëhet gati për një tjetër sezon si protagonist kryesor te skuadra e Çesterfilld në Angli, pasi e ka nisur atë në mënyrën më të mirë të mundshme. Sulmuesi shqiptar shënoi pak ditë më parë në ndeshjen e hapjes në League Tëo në Angli, ndaj Suindon.

Sot, ai ka përsëritur veten në ndeshjen e Kupës së Ligës në Angli, ku shorti e kishte vënë përballë Derbit.

Në minutën e 29 të takimit, ish-sulmuesi i përfaqësueses Shpresa, u shfaq i vetëm në zonë dhe më një goditje të pakapshme për portierin i dha avantazhin ekipit të tij në atë që ishte ndeshja e turit të parë të Kupës, përballë një skuadre me emër si Derbi që merr pjesë në kategorinë e dytë angleze.

SHIH VIDEON

Bajame para se të flini? Më mirë se ilaçet e gjumit, ja efekti që kanë në organizëm

Gjumë jo i qetë, i parehatshëm dhe jo çlodhës. Të gjithë hasim probleme me gjumin ndërkohë që një nga faktorët kryesorë të gjumit jo të qetë lidhet drejtpërdrejtë me mënyrën e të ushqyerit.

Dietologë dhe studime të shumta kanë treguar se disa ushqime të cilat konsumohen para se të flemë ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë së gjumit.

E për rrjedhojë ndihmojnë organizmin dhe trupin që të çlodhet dhe të relaksohet.

Efektet e bajameve në përmirësimin e gjumit

Një nga produktet më të rekomanduara janë bajamet. Midis të gjitha ushqimeve të tjera, bajamet përmbajnë të gjithë përbërësit që ndikojnë direkt në përmirësimin e gjumit.

Konsumimi i bajameve ndihmon trupin të gjejë menjëherë qetësinë e nevojshme për të rënë në gjumë.

Bajamet janë të pasura me proteina dhe izolojnë urinë e tepërt në darkë. Por më shumë se sa frenojnë urinë ato përmbajnë pesë elementë të rëndësishëm ushqyes të cilët përmirësojnë gjumin.

Të pestë këto elemente bashkëveprojnë duke i shndërruar bajamet në një ushqim të fuqishëm që shmangin urinë e tepërt, qetësojnë muskujt dhe nervat dhe ju ndihmojnë për një gjumë më të mirë.

Ndaj dhe nuk ka asnjë çudi se përse bajamet konsiderohen një superushqim.

Pesë elementët që nxisin gjumin e mirë:

Triptofani

Triptofani është një amino acid i cili prodhon dy neurotransmetues kyç, melatoninën dhe serotoninën.

Melatonina ndihmon në mirëmbajtjen e regjimit të trupit, që ju të flini në darkë dhe të zgjoheni në mëngjes.

Serotonina ndihmon në rregullimin e humorit duke larguar stresin e duke ndihmuar në një gjumë të mirë.

Bajamet janë ndër produktet më të pasura me triptofan.

Magnezi

Studimet kanë treguar se mungesa e qoftë një sasie të vogël magnezi ndikon në një gjumë të parehatshëm.

Magnezi ndihmon në funksionimin e mirë të muskujve duke nxitur çlodhjen gjatë gjumit.

Kalçiumi

Rritja e nivelit të kalçiumit rrit hormonin e melatoninës çka nxit përgjumjen. Studimet tregojnë gjatë gjumit të thellë niveli i kalçiumit në trup është shumë i lartë.

Niacina

Stresi çon në ankth dhe depression dhe të dyja këto fenomene ndikojnë negativisht në gjendjen e humorit duke sjellë pagjumësinë.

Niacina luan një rol kyç në rregullimin e stresit duke ndihmuar në çlirimin e ankthit dhe depresionit duke nxitur një gjumë më të mirë.

Proteina

Sa më gjatë të qendroni pa ushqim aq shumë do të ulet niveli i sheqerit në gjak.

Ky fenomen është ndër shkaktarët kryesorë të zgjimit në mes të natës. Duke konsumuar një produkt që në përmbajtjen e tij ka proteina zgjimi papritmas natën do të shmanget./AgroWeb.org

Protesta në autostradën Thumanë-Kashar, Sabah Sheta: U përshkallëzua në hedhjen e gazit lotsjellës dhe goditjen me ujë në drejtim të protestuesve nga ana e policisë

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë dega Krujë, Sabah Sheta, ka reaguar për agresionin e policisë ndaj protestuesve në autostradën Thumanë-Kashar. Në videot e postuar në Facebook, Sheta shkruan me ironi se protesta vijoi duke u përshkallezuar në hedhjen e gazit lotsjëlles dhe goditjen me ujë në drejtim të protestuesve nga ana e policisë

Postimi i plotë i Sabah Sheta:

Protesta vijoi duke u pershkallezuar ne hedhjen e gazit lotsjelles dhe goditjen me uje ne drejtim te protestuesve nga ana e policise:

Turizmi, bekim apo mallkim?!

NGA ALBI XHUNGA

Një proverbë kineze thotë se duhet të bësh kujdes për çfarë uron të ndodhë, pasi urimi nesër mund të bëhet realitet.

Tema kryesore në këto ditë të nxehta vere në Shqipëri është turizmi. Debati fokusohet mbi numrin e turistëve. Ka rënie në krahasim me vitin e kaluar, apo trendi vazhdon të jetë në rritje. Natyrisht që rritja e fluksit konsiderohet apriori si lajm i mirë. Rritja e çmimeve në plazhet e jugut nuk kishte si të mungonte në këtë debat, pjesë e të cilit është bërë dhe kryeministri i vendit, i cili shprehet i zhgënjyer me vlonjatët që rrisin çmimet.

Të gjithë duket se duan më shumë turistë. Zërat skeptikë mbi këtë fenomen të ri në realitetin shqiptar ose mungojnë, ose janë të sfumuar përballë etjes për fitim nga operatorët turistikë dhe nga propaganda qeveritare, e cila këtë bum të turizmit shqiptar përpiqet ta shesë si sukses të sajin. Kur kjo skemë nesër të dështojë, natyrisht që do të jetë faji i grykësisë së operatorëve vendas dhe jo i qeverisë që nuk ka asnjë plan për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm, brenda normave dhe që respekton natyrën, kapacitetet e plazheve dhe qendrave turistike shqiptare.

Rritja e çmimeve, përveç se është pjesë e një tregu që funksionon si bursë kërkesë-ofertë, na mbron dhe nga dyndjet masive të ushtrive turistike që lënë pas vetes male me plehra dhe ndotje ambienti. Këtu nuk i hyn në punë askujt mendimi i kryeministrit. Dorën e padukshme të Adam Smith që rregullon tregjet, nuk mund ta zëvendësojmë me dorën e ngrohtë të Edi Ramës.

Etja për fitim ka betonizuar një pjesë të mirë të bregut shqiptar dhe po vijon frikshëm në pjesën e mbetur. Ndërtimet kaotike po pushtojnë çdo zonë turistike, duke krijuar një ambient të shëmtuar, me dyndje njerëzish në hapësira të ngushta, si Durrësi, Ksamili etj. Kapacitet turistik nuk do të thotë vetëm numër shtretërish nëpër hotele, tryezash nëpër ristorante apo shezlongësh në plazh. Numri i turistëve duhet të jetë i drejtë dhe në raport me hapësirat e zonës. Përndryshe do të kemi hapësira turistike të mbipopulluara dhe të mbi ndotura. Në zona të caktuara ky fenomen i shëmtuar është tashmë realitet.

Ferri i turizmit masiv

Duhet bërë një ndarje e qartë mes turizmit të qëndrueshëm, i cili zhvillohet në flukse normalë turistësh në raport me kapacitetet e një vendi të vogël si Shqipëria dhe shkatërrimit që vjen nga turizmi masiv. Vitet e fundit na tregojnë se Shqipëria po përballet me turizmin masiv, i cili në fakt rrezikon ta vrasë turizmin. Një turizëm me flukse të tilla nuk mund të ketë veçse impakt shkatërrues në terma afatmesëm e afatgjatë.

Për të arritur në një përfundim të tillë nuk na duhet të shpikim rrotën. Mjafton të shohim fqinjët tanë ballkanas. Ishujt e bukur grekë si Mikonos e Santorini. Dyndja në përmasa apokaliptike po krijon situata alarmante për mjedisin, për cilësinë e vizitës së ishujve dhe mbi të gjitha për nivelin e frikshëm të ndotjes. E njëjta histori në Kroaci, ku dyndjet e turistëve kanë ngritur alarmin e nivelit të ndotjes. Rritja e trafikut detar si pasojë e turizmit masiv ka rritur ndjeshëm nivelin e ndotjes në Adriatik.

Sipas raportimeve të ojq-së me prestigj botëror WWF, i gjithë Mesdheu po shndërrohet në një kosh të madh plehrash. Për arsye lokale niveli i ndotjes në ujërat shqiptare ishte goxha më i lartë në Shqipëri, se sa në vendet fqinje. Askush nuk flet për një çështje kaq alarmante. Studiot shqiptare kanë kocka plot me debate politike për t’i hedhur publikut.

Kush fiton nga turizmi

Të jetosh në një qytet të përmbytur nga turizmi është një ferr i vërtetë. Për këtë mjafton të pyesësh banorët lokalë të qyteteve si Barcelona, Venecia, apo Dubrovniku. Venecia ka arritur shifrën e frikshme të 100 mijë vizitorëve në ditë, çka bën të pamundur edhe ecjen në rrugë. Në vitin 2017 në Dubrovnik kryetar bashkie u zgjodh dikush që propozonte si politikë uljen radikale të numrit të turistëve, për ta bërë qytetin sërish të jetueshëm dhe turizmin një biznes të qëndrueshëm që zgjat në kohë.

Sot kryebashkiaku i Dubrovnikut, Mato Frankoviç, krenohet me faktin se ka arritur ta përgjysmojë numrin e turistëve që vizitojnë qytetin.
Banorët e qyteteve që përballen me mbiturizëm vuajnë pasoja të konsiderueshme. Në qytetin e Tiranës qeratë e apartamenteve janë bërë të papërballueshme për qytetarin shqiptar. Kërkesa në rritje e fluksit turistik ka krijuar një inflacion që përplaset në buxhetet modeste të familjeve shqiptare. Rritja e çmimeve vihet re në çdo sektor të ekonomisë, nga ushqimi, tek shërbimet, e deri nëpër kafene e restorante. Për qytetarët e Tiranës turizmi është një faktor që ua bën jetën të vështirë.

Entuziazmit fillestar për grupet e të huajve që vizitojnë Shqipërinë, po i mbivendosen shqetësimet dhe vështirësitë ekonomike që sjell turizmi për banorët lokalë. Pa llogaritur bezdisjen që sjellin flukset turistike në të gjitha hapësirat e përbashkëta të qytetit.

Natyrisht që nga turizmi ka edhe goxha përfitim. Pronarët e hoteleve dhe resorteve nxjerrin fitime të konsiderueshme. Edhe pronarë apartamentesh, restorantesh e lokalesh kanë rritur fitimet falë këtij bumi turistik. Ka dhe një numër të konsiderueshëm njerëzish që punësohen në këtë sektor.

Qeveria shqiptare ka rritur gjithashtu të ardhurat nga turizmi. Problemi është se qeveria shqiptare ka dështuar në dy aspekte kryesore.

Së pari nga turizmi do të duhej të kishte përfituar i gjithë zinxhiri ushqimor vendas, nga fermeri prodhues e deri te shitja finale e produktit nëpër restorante apo markete. Në fakt raportime të besueshme tregojnë se fermeri shqiptar nuk po përfiton nga ky bum turistik.

Se dyti nga turizmi do të duhej të përfitonin të gjithë qytetarët shqiptarë. Bashkë me dhomën e hotelit apo ushqimin në restorant, ne po iu shesim të huajve dhe natyrën tonë të bukur që është pronë e të gjithëve. Pra nga turizmi do të duhej të përfitonin të gjithë. Jo vetëm që kjo nuk po ndodh, por qeveria shqiptare nuk po gjen as forma rikompesimi për kostot e shtuara që sjell turizmi për qytetarët e zonave ku bumi turistik është më i madh.

Fermerët shqiptarë kanë protestuar disa herë për të vënë në dukje faktin se ata nuk mund të konkurrojnë fermerët kosovarë e maqedonas, për shkak se në Shqipëri skemat e ndihmës shtetërore janë inekzistente dhe inefikase.

Autoritetet shqiptare vjedhin dhe fondet e BE-së, por kjo është një temë tjetër. Rezultati është se Shqipëria i furnizon turistët me produkte importi. Pra pjesa përfituese e ekonomisë shqiptare limitohet në bizneset që ofrojnë hoteleri e shërbime. Këtu mund të futen dhe punëtorët sezonalë. Por kaq.

Mund të nxjerrim si konkluzion se nga turizmi fiton një numër i kufizuar biznesesh dhe qeveria. Shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë paguajnë kosto të larta, pa pasur asnjë përfitim. Një studim i vitit të kaluar i RCC (Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal) tregon se 60 përqind e shqiptarëve të thjeshtë nuk paguajnë dot një javë pushime në vit.

Pra qytetarët e parajsës turistike duhet ta shohin plazhin me dylbi. Nëse ky trend vazhdon, atëherë shqiptarët i kanë të gjitha shanset që të bëhen një komb kamerierësh dhe Shqipëria një kosh i madh plehrash.

Propagandizmi dhe modeli i “suksesit” të lehtë nuk vazhdojnë tej kufijve tanë

Preç Zogaj

Në majë të çdo suksesi ka një mrekulli pune, gërshetuar me një varg rrethanash, ku mbështetja e individëve të talentuar nga shteti dhe konkurrenca e ndershme qëndrojnë në krye.

Në këtë kontekst, nuk ka asnjë surprizë që grupi numerikisht modest i atletëve të vendit (jo të huazuar) largohet pa asnjë medalje, asnjë finale, asnjë gjysmëfinale nga lojërat olimpike “Paris 2024”. Me gjasë, si asnjë vend tjetër pjesëmarrës nga kontinenti ynë.

Asnjë fjalë të keqe për atletët që na përfaqësuan. Përkundrazi. Ata duhen përgëzuar që arritën të merrnin pjesë dhe bënë përpjekjet e tyre maksimale për një paraqitje dinjitoze.

Përtej kësaj, atletët paguajnë haraqet e vendit. Shqipëria nuk ka politika adekuate që mbështesin zhvillimin e sporteve, letërsisë dhe arteve, kërkimit shkencor, duke u fokusuar te talentet. Këto fusha janë birë kavalli.

Kombëtarja e futbollit bën përjashtim për faktin se lojtarët e saj luajnë në klubet e Europës dhe disa prej tyre, nga më të talentuarit, shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, kanë zgjedhur fanellën kuq e zi. Po të mos ishte kështu do të linim nam për keq edhe në futbolli, siç ndodh rëndom me skuadrat tona të kampionatit kombëtar në ndeshjet paraeliminatore për kupat e Europës.

Vit pas viti Kultura dhe Sporti kanë devijuar në keqkuptim, kanë ardhur duke dalë nga radari i qeverisë së Ramës; kanë humbur në substancë, duke “përparuar” aty-këtu në aparencë. Së fundi, Kultura në kuptimin e gjerë të fjalës ka përfunduar si sanduiç midis ekonomisë dhe inovacionit. Ngjan si një paralajmërim për ta hequr fare nga lista. Paradoks i madh për një kryeministër që ka ardhur nga artet dhe sporti, siç është Edi Rama.

Ndërsa nuk ka politika që fokusohen te talentet dhe vlerat, qeveria ka fanfarat propagandistike të mburrjeve, të reklamimit të arritjeve, të veprave publike të ndërtuara me dorë të rëndë nga taksat e shqiptarëve, ku pjesa e korrupsionit për zyrtarët e lartë plus norma e fitimit për kompanitë ndërtuese janë shpeshherë më shumë se çfarë merr vepra e ndërtuar.

Të dëgjosh fanfarat e kryeministrit dhe pipizanëve të tij, po të mos kesh haber nga bota, do të mendosh se vetëm këtu ndërtohet, vetëm këtu shkruhen epope. Në këtë pikë Shqipëria i lë në bisht vendet e kontinentit. Por Shqipëria propagandistike nuk vazhdon përtej kufijve të saj. Dhe kur vjen momenti i ballafaqimit me pjesën tjetër të botës ne dalim përgjithësisht të fundit pothuajse në çdo fushë, edhe në ato që maten me metra apo kronometra, edhe në ato që maten me shifra dhe metoda të tjera vlerësimi.

Propagandizmi dhe populizmi kanë si parim masivizimin e tipit sovjetik apo maocedunian, duke injoruar faktin se politika kulturore dhe ajo për sportin, në fund të fundit përkthehen në një fjalë: cilësi. Masivizimi, sipas Tolstojt, është mënyra djallëzore për të diskretituar letërsinë e mirë. E njëjta sentencë vlen edhe për sportet.

Masivizimi në kuptimin që sa më shumë njerëz të ushtojnë sportin për shëndetin dhe formën e tyre është pozitiv. Kur vjen puna te sporti, profesionit, apo artet mbështetja duhet të fokusohet te talentet.

Për interesa korruptive klienteliste qeveritë e njëpasnjëshme në Tiranë e kanë vrarë konkurrencën pikësëpari në fushën e investimeve publike dhe liçensimeve, duke e shtrirë vetiu ketë shembull shkatërrues për zhvillimin edhe në sektorë në pamje të parë me status të pavarur, siç janë sportet, letërsia dhe artet, kërkimi shkencor.

Me shumë pak përjashtime, fituesit, kudo, i përcakton një garë e rreme, e paravendosur, shmotivuese, indinjuese. Kjo është norma. Vendi ynë është mbërthyer prej kohësh në sindromën e suksesit të lehtë përmes narkotrafikimit dhe krimit, përmes korrupsionit kapilar në degët e ekzekutivit, përmes politikave klienteliste antimeritokratike të qeverisë, përmes një tregu mediatik që promovon banalitetin, konsideruar si ushqim i shumicës, që merr më shumë shikime dhe pëlqime.

Por edhe Shqipëria e mungesës së garës dhe suksesit pa punë dhe përpjekje të ndershme nuk vazhdon përtej kufijve të saj. Ku ka garë me të tjerët propaganda dhe modelet vendore të suksesit na lënë në baltë dhe si rregull renditemi nga fundi.

Merita Bakiu: Kruja meriton vëmendje e jo nëpërkëmbje

Deputetja Merita Bakiu ka vijuar sërish të mbështesë banorët e Krujës dhe të Fushë-Krujës në protestën e tyre për të pasur dalje në rrugën Thumanë-Kashar në mënyrë që të mos falimentohen bizneset dhe të mos shtohet varfëria për shkak të izolimit nga rruga.

Në një postim në rrjetin social facebook, deputetja Bakiu shprehet se “me muaj të tërë zëri ynë nuk është dëgjuar, sepse prioritet kjo qeveri ka korrupsionin dhe jo qytetarët”.

Kruja meriton vëmendje e jo nëpërkëmbje, vijon më tej ajo.

Më poshtë postimi i plotë i deputetes Bakiu:

NË PROTESTË

Në mbështetje të shqetësimit të banorëve dhe për tē fituar të drejtën e mohuar.
Me muaj të tërë zëri ynë nuk është dëgjuar, sepse prioritet kjo qeveri ka korrupsionin dhe jo qytetarët.
I jam drejtuar të gjitha institucioneve përkatëse për
zgjidhjen e kësaj çështje .
Asnjë reagim nga institucionet.
Kostot e jetesës po bëhen më të shtrenjta , biznese tē falimentuara, familje më të varfra për shkak të izolimit nga rruga Thumanë- Kashar

Kruja meriton vëmëndje e jo nëpërkëmbje.

“Po më vrasin”- BIRN: Pacientët me kancer vuajnë nga mungesa kronike e barnave në QSUNT

Nga Osman Stafa

Në 8 muajt e fundit, Alma nuk e mban mend sa herë ka trokitur në dyert e Spitalit Onkologjik, por megjithatë përgjigja që ka marrë nga stafi për jodin radioaktiv ka qenë gjithmonë e njëjta.

“Nuk ka, do të të marrim në telefon kur të vijë”, kujton 50-vjeçarja, e cila vuan nga kanceri i tiroides. Gjatë vizitës së fundit në fillim të gushtit, takimi i saj nuk zgjati më shumë se 15 minuta, teksa doli përsëri me kokën ulur nga pavijoni.

“Po më vrasin! Kanë që në janar që më mbajnë me gënjeshtra,” tha ajo, me trishtimin që i dallohej në fytyrë, ndërsa shtoi se i kanë thënë se jodi do të vijë në shtator. “Po pret kanceri im shtatorin dhe jodin kur ta sjellin këta?” pyet ajo.

Alma nuk është e vetmja paciente që kërkon përgjigje. Në QSUNT kurohen edhe 42 pacientë të tjerë nga kanceri i tiroides, të cilët prej janarit nuk kanë marrë mjekimin e tyre me jod radioaktiv.

“Nëse pacienti nuk merr dozën e jodit radioaktiv, është njëlloj sikur një pacient të mos marrë kimioterapi në rastin e një kanceri x në trupin e tij,” tha një mjeke endokrinologe, e cila foli në kushtet e anonimatit për shkak se i druhet hakmarrjeve të mundshme nga Ministria e Shëndetësisë.

“Sa më tepër vonohesh, aq më tepër shtohen shanset për metastaza,” shtoi ajo.

Jodi radioaktiv nuk është e vetmja lëndë radioaktive që mungon në Qendrën Spitalore Universitare. Të dhënat e mbledhura nga BIRN tregojnë se mungesa ka dhe ‘technetium-99′, që përdoret për ekzaminimet e shintigrafisë, por edhe në barnat që përdoren për kimioterapinë si ‘gemcitabina’, e cila mungon prej muajit maj.

Në një përgjigje me shkrim, QSUNT pranoi se jodi radioaktiv mungonte që prej muaj shkurt, ndërsa për shintigrafinë ekzaminimi i fundit është bërë tetë muaj më parë, në janar 2024.

Spitali kryesor universitar në vend fajësoi për mungesën Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) me seli në Vjenë, me të cilën Ministria e Shëndetësisë ka një marrëveshje për sigurimin e lëndëve radioaktive, ndërsa shtoi se ka hapur një tender për sigurimin e jodit radioaktiv.

“Nga IAEA na është komunikuar se nuk mund të bëjë më marrëveshje me shtetin shqiptar, në lidhje me furnizimin e QSUNT me lëndë radioaktive,” tha Qendra Spitalore Universitare.

“Aktualisht pacientët trajtohen me terapi hormonale frenuese deri në furnizimin me lëndë radioaktive, e cila mban në kontroll nivelin hormonal për një periudhë tre mujore pas kryerjes së ndërhyrjes kirurgjikale, periudhë e cila kryhet para se të trajtohet me jod radioaktiv 131,” shtoi QSUNT.

Spitali Universitar i tha BIRN se aktualisht në Onkologjik trajtohen 150 pacientë të tjerë që kanë nevojë për gemcitabinë, po edhe pse ka një kontratë të nënshkruar, aktualisht nuk ka furnizime nga importuesi.

Nëpërmjet një përgjigje me shkrim IAEA i tha BIRN se nuk i bënte publike marrëveshjet ose kontratat, por nënvizoi që nuk përfshihet në furnizimin e rregullt të materialeve si Iodine-131.

Marrëveshja e fundit teknike e publikuar midis Shqipërisë dhe IAEA ka filluar në vitin 2018 dhe ka përfunduar në vitin 2023. Një nga fushat kryesore të kësaj marrëveshje ishte mjekësia bërthamore, radioterapia, imazheria mjekësore dhe ushqimi.

Qytetarë duke protestuar para Ministrisë së Shendetësisë dhe Mirëqenies Sociale, pas skandalit tek spitali i Onkologjikut, ku mjekët kishin krijuar një skeme abuzive të transfermit të pacientëve me kancer drejt klinikave private. | Foto: LSA

Çdo vit në Spitalin Onkologjik, pjesë e Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ në Tiranë, trajohen rreth 20 mijë pacientë me kancer. Sipas një auditi performance të ndërmarrë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë viteve 2020-2022 u trajtuan 58,295 pacientë me kancer, për një buxhet vjetor që luhatet nga 398 milionë lekë deri në 513 milionë lekë, me një kosto mesatare vjetore për pacient prej 23,817 lekësh.

Sipas KLSH-së, mbi 90% e buxhetit të Spitalit Onkologjik shpenzohet për blerje barnash dhe pajisjesh mjekësore. Megjithatë, të dhënat e mbledhura nga BIRN nga intervistat me pacientë, familjarët e tyre dhe mjekë tregojnë që mungesat e barnave dhe preparateve për terapitë kundër kancerit janë kronike në QSUNT.

“Ishte e tmerrshme të shikoja nënën pa mjekim,” i tha BIRN djali i një pacienteje 65-vjeçare të operuar nga kanceri në tiroide, i cili pas shumë muajsh pritje, vendosi ta kalojë nënën në një spital privat, pasi sipas asaj që i kishin thënë mjekët, sëmundja nuk mund të priste më.

“Thuajse çdo muaj pyesja për jodin radioaktiv, por asgjë,” kujton ai, ndërsa shtoi se ‘na përcillnin për në shtëpi.’

Ndryshe nga spitali publik, në privat ky preparat ekziston me një kosto shumë të lartë. Familjari tregoi se ka paguar rreth 1200 euro për trajtimin e nënës me jodin radioaktiv në një spital privat.

“I kemi bërë lekët me familjarë, motra e vëllezër”, shpjegoi ai, ndërsa shtroi pyetjet: “Si ka mundësi privati ka dhe shëndetësia publike jo?”

Mjekja endokrinologe e Spitalit Onkologjik që foli për BIRN theksoi se jodi radioaktiv është një terapi mjaft e rëndësishme për të sëmurët me kancer të tiroides. Njësoj si kimioterapia, edhe jodi radioaktiv po nuk u bë sipas protokollit, shkakton përparimin e sëmundjes.

“Ne, bluzat e bardha, përpiqemi dhe lutemi që kur del kjo diagnozë të mos ketë ind mbetës në tiroide, sepse në këto raste është më e kollajshme pjesa e ndjekjes,” tha mjekja me një eksperiencë 10-vjeçare në Onkologjik.

“Në ato raste që ka ind mbetës… duke qene se nuk bëhen fare në QSUNT si analiza, u afrojmë si alternativë që ekzaminimet dhe trajtimet t’i kryejnë në privat,” tha ajo, ndërsa shtoi, “s’kemi rrugë tjetër”.

Ashtu si jodi radioaktiv, edhe mungesa e technetium-99 është kthyer në shqetësim për mjekët e repartit të Radiologjisë në QSUNT, duke u pamundësuar atyre të bëjnë ekzaminimin e shintigrafisë.

“Në shërbimin tonë nuk kryhet asnjë lloj ekzaminimi që ka lidhje me shintigrafinë,” tha një mjek radiolog, i cili zgjodhi të mbetej anonim. “Lënda e technecium ka vlerë diagnostikuese kur përdoret për të bërë shintigrafinë e tiroides, pra shërben për të vënë vënë diagnozën për hipertirozën, nodusin e ftohtë apo nodusin e ngrohtë,” shpjegoi ai.

Mjeku radiolog, i cili ka disa vite në këtë shërbim, thotë se ndjehet shumë keq në këtë situatë, pasi “roli i mjekut është të ndihmojë pacientin për të zgjidhur problemin dhe për të siguruar fitoren, që në fund të fundit është jeta e të sëmurit”.

“Në këto raste ndihem si një njeri që nuk i ka mjetet në dorë për të bërë një luftë të barabartë”, shtoi ai.

QSUNT tha nëpërmjet një përgjigje zyrtare se që prej muajit janar e deri në muajin maj, janë 554 pacientë të cilët nuk janë ekzaminuar sipas protokollit që kanë kërkuar mjekët, përfshirë sëmundjet kockore, tiroidet dhe ato renale.

‘Po më vrasin nënën’

Qytetarë hapin një banderolë me shkrimin “Ministria e Vekjes” para Ministrisë se Shendetësise dhe Mirëqenies Sociale, pas skandalit tek spitali i Onkologjikut, ku mjekët kishin krijuar një skeme abuzive | Foto: LSA

Nuk janë vetëm elementët radioaktivë që mungojnë prej janarit në QSUNT. Spitali Onkologjik, është kthyer gjithashtu në një makth për pacientët të cilët vuajnë nga sëmundjet kancerogjene, për shkak të mungesës së vazhdueshme të medikamenteve për kimioterapi.

Kjo dramë e tyre tregohet nëpërmjet dëshmive të pacientëve, të cilët aktualisht janë të sëmurë më kancer.

Gjatë këtij viti, në periudha në ndryshme kohore, BIRN ka mësuar se kanë munguar katër medikamente të rëndësishme në luftën kundër kancerit – gembcitabinë, irinotekani, erlotinib, paxlitacel, të cilat sigurohen vetëm nga Ministria e Shëndetësisë, pasi janë medikamente spitalore dhe nuk mund të gjenden në farmaci.

Mungesa e këtyre e barnave ka sjellë pasoja negative në shëndetin e pacientëve dhe ka alarmuar familjarët e tyre.

Havaja, 65-vjeçe, është diagnostikuar me kancer gjiri dhe po kurohet në Spitalin Onkologjik. Në muajin maj e kanë lajmëruar se medikamenti për kimioterapi “gemcitabinë” mungon dhe se terapia duhet të ndërpritej dhe ka rifilluar në muajin gusht.

“Po më vrasin nënën”, tha i biri, ndërsa shtoi se ndjehej ‘i shkatërruar.’

Burri 40-vjeçar kujtoi se analizat e nënës përpara mungesës së gemcitabinës ishin në rregull dhe pa probleme, por me mungesën e këtij ilaçi nëna pati metastaza.

“Kanceri në trupin e nënës sime u përhap,” tha ai, ndërsa uli kokën dhe qau. “Më ka rritur me shumë mundime nëna ime dhe sot unë nuk mundem t’i siguroj mjekimin që të luftojë kancerin,” shtoi ai mes lotëve.

40-vjeçari rrëfeu së është munduar ta sigurojë ilaçin kontrabandë, por nuk ka mundur ta gjejë në farmaci.

“Isha i gatshëm të shisja çdo gjë, por nuk gjeta,” tha ai, ndërsa shtoi se mungesa e këtij bari përbënte krim.

“Të hetojë SPAKU siç duhet dhe do e shikoni sesi i vrasin njerëzit duke mos u siguruar ilaçet e nevojshme,” tha ai, ndërsa theksoi se askush nuk mban përgjegjësi për avancimin e sëmundjes tek nëna e tij.

Një mjeke onkologe, e cila punon prej vitesh në këtë shërbim, i tha BIRN në kushtet e anonimatit se situata ishte e rëndë pasi shumë pacientë me kancer kanë mbetur pa mjekim.

“Në kancerin e pankreasit, të fshikëzës së urinës, në kancerin e mushkërive dhe atë të gjirit, gemcitabina përdoret si linjë e parë mjekimi,” shpjegoi ajo.

“Pra, nëse një pacient diagnostikohet me këto sëmundje dhe ti nuk ke këtë medikament, i ke mohuar të sëmurit trajtimin që në fillim”, shtoi mjekja.

Mjekja onkologe shpjegoi se ky medikament nuk ka zëvendësues dhe për pasojë pacientët nuk mund të marrin asnjë medikament tjetër, nëse ai është në mungesë.

“Si pasojë e mungesës së gemcitabinës, kemi pasur pacientë të cilët janë përkeqësuar apo kanë bërë metastaza”, tha ajo.

Fakti që gemcitabina nuk ka një ilaç tjetër zëvendësues, pranohet edhe nga QSUNT, në përgjigjen zyrtare. Por sipas Spitalit Universitar “pacientët nuk janë lënë pa trajtim, pasi janë përdorur skema të tjera trajtimi sipas rastit, bazuar në protokollet mjekësore dhe stafeve përkatëse”.

Djali i Havasë, i cili tha se nuk fliste dot me emër pasi kishte frikë se Spitali do hakmerrej duke i mohuar kimioterapinë nënës së tij, tha se përballjen si pacient në QSUNT nuk do t’ia uronte as armikut.

“Kjo është me ta përvëluar shpirtin për së gjalli,” theksoi ai. “Ta shikosh njeriun tënd të vdesë sepse s’ka ilaç.”/reporter.al