28.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Parcelat e drogës në Pukë, përjashtohet katër efektivë! Mes tyre ish-shefi i komisariatit dhe…

Drejtoria e Standardeve Profesionale ka përjashtuar nga detyra katër efektivë, pasi zbulimit të parcelave të drogës në Pukë.

 

Mësohet se mes të përjashtuarve është dhe ish-shefi i komisariatit të Pukës, Fiqiri Dani.

Po ashtu masë ndëshkimore është marrë dhe ndaj shefit të Stacionit Policor Fushë Arrëz, shtetasit me inicialet B.I., ndaj oficerit të Policisë, shtetasit me inicialet K.Th dhe inspektorit me inicialet N.M.

Durrësi ndien mungesën e pushuesve nga Kosova

Sezoni veror në Durrës po rezulton më i dobët se sa ishte pritur nga operatorët turistikë, si pasojë e një kombinimi faktorësh.

“Pritshmëria e hoteleve të Durrësit ka qenë më e madhe sesa është aktualisht, sepse pas mbylljes së sezonit vitin e kaluar, ne prisnim një numër të konsiderueshëm vizitorësh të cilët nuk po i shohim. Nuk është një rënie drastike, por është e prekshme diku te 5-10% më pak dhe kjo ndikon te ne,” shprehet Presidenti i Fafa Hotels dhe Resorts, Fatos Çerenishti.

Sipas operatorëve turistikë, një nga faktorët kryesorë për këtë rënie ka qenë ulja e numrit të turistëve nga Kosova, të cilët këtë vit kanë zgjedhur të vizitojnë destinacione të tjera europiane.

Blerim Norja, administrator i hoteleve Royal G, tregon se numri i vizitorëve nga Kosova në hotelet që ai administron ka rënë deri në 80%.

Ai shprehet se liberalizimi i vizave dhe dëshira e qytetarëve të Kosovës për të vizituar destinacione të reja në Europë është një nga faktorët kryesorë të kësaj rënie.

“Ka një boshllëk që duket edhe me syrin e lirë; shohim që rrugët nuk kanë atë trafik të zakonshëm që kanë në verë. Ndryshe nga çdo sezon tjetër, për herë të parë mungojnë turistët nga Kosova, pasi Durrësi për ta ka qenë një nga destinacionet e tyre të preferuara, ku ata e kanë vizituar edhe gjatë periudhave të vështira si tërmeti apo pandemia,” shprehet Norja.

“Liberalizimi i vizave ka dhënë efekt që në muajt e parë të vitit, pasi rënia e numrit të vizitorëve nga Kosova ka qenë graduale këtë vit dhe i ka dhënë shenjat e para që në fillim të sezonit, në prill-qershor,” tregon Fatos Çerenishti.

Megjithatë, shpresa mbetet për muajt e gushtit dhe shtatorit, të cilët pritet të ndihmojnë në kompensimin e boshllëkut të krijuar gjatë dy muajve të parë të sezonit.

Operatorët turistikë janë optimistë se këto muaj do të sjellin një rritje të numrit të vizitorëve dhe do të kontribuojnë në rimëkëmbjen e sektorit përfundimisht.

Sipas Fatos Çerenishtit, numri i rezervimeve për muajin gusht dhe shtator jep shenja rikuperimi të situatës.

“Rezervimet tona na tregojnë që ky boshllëk i krijuar në muajt e parë të sezonit do të rikuperohet, pasi do të kemi një fluks të shtuar të turistëve të diasporës dhe emigrantëve shqiptarë. Nëse shtatori do të ketë të njëjtin ritëm si një vit më parë, ne do të rikuperojmë goxha nga humbjet e krijuara këtë vit,” shprehet ai.

Operatorët turistikë shpresojnë që sezonin e ardhshëm të mund të rikthejnë vizitorët nga Kosova, që kanë qenë një segment i rëndësishëm i turizmit në Durrës.

Ata besojnë se rritja e cilësisë së shërbimeve dhe ofrimi i ofertave tërheqëse mund të rinovojnë interesin e turistëve kosovarë dhe të kontribuojnë në një rikuperim të mundshëm të sektorit.

David Hyka, administrator i Diamma Resort, shprehet se është optimist në lidhje me rikthimin e turistëve nga Kosova. “Shqiptarët e Kosovës kanë qenë gjithmonë besnikë në hotelet tona; mund të kemi një rënie të vogël këtë sezon, por jemi optimistë që vitin tjetër ata do të rikthehen, pasi çdo vit e më shumë Durrësi është përpjekur t’i përshtatet kërkesave të tyre në mënyrë perfekte”- tha ai.

Blerim Norja nga Royal G shprehet se kjo periudhë për shqiptarët e Kosovës është kalimtare dhe se ata do të rikthehen, pasi më mirë se në Shqipëri ata nuk kanë ku të gjejnë.

Një faktor tjetër që ka ndikuar në uljen e numrit të turistëve është rritja e çmimeve, që ka arritur deri në 10%.

Rritja e çmimeve është pasojë e zhvlerësimit të euros, pagave më të larta dhe rritjes së kostove të lëndëve të para.

Këto faktorë kanë detyruar operatorët turistikë të rrisin çmimet për të mbuluar shpenzimet e shtuara.

Operatorët shprehen se një ndryshim i vogël i çmimeve me 10% nga viti i kaluar mund të jetë një faktor që ka ndikuar në rënie; sipas tyre kjo është normale, pasi bizneset e tyre janë duke u ndikuar nga zhvlerësimi i euros, kostot e larta të lëndëve të para, energjia dhe paga e fuqisë punëtore kanë shtuar minimalisht 25-30% shpenzimet për ta.

David Hyka nga Diamma Resort tregon që këto problematika ata janë përpjekur t’i zgjidhin dhe të mbajnë dëmin vetë, por zhvlerësimi i euros është duke sjellë çdo ditë e më shumë dëme për ta.

“Faktorët janë të shumtë, dhe shtrenjtimi i çmimeve në Durrës duhet të jetë më i lartë; ne jemi përpjekur që ta mbajmë në 5-10%, ndërkohë që kostot për ne janë rritur deri në 30%,” -tregon Norja.

“Është një përqindje e pranueshme nga të gjithë, pasi nuk është një shtrenjtim i ekzagjeruar në krahasim me zonat e tjera bregdetare”, shprehet presidenti i Fafa Resorts.

Në anën tjetër, rritja e pagave duket se ka kontribuar në zgjidhjen e një problemi të rëndësishëm të sektorit: mungesën e fuqisë punëtore.

Ky përmirësim ka ndihmuar në stabilizimin e shërbimeve dhe ka ofruar një eksperiencë më të mirë për turistët.

Nuk është zgjidhur 100%, por jemi shumë më mirë se sezonet e mëparshme, kjo sigurisht nga rritja e pagave në turizëm; pra, sot po të marrësh disa nga punët më të vështira si sanitare në hotele, pagat janë më të larta se punonjësit e bankave, duke arritur deri në 1000 euro në muaj, tregon për Monitor Blerim Norja.

Ndërsa sezoni veror ka filluar me disa sfida, shpresat janë të mëdha që muajt e mbetur të vitit do të sjellin përmirësime dhe do të ndihmojnë në rikuperimin e sektorit turistik në Durrës./ Monitor

Analiza e DW: Si e djathta ekstreme në Britani përfitoi nga zemërimi?! Trazirat u shndërruan në konflikt etnik e racor! U dogjën vendstrehimet e azilkërkuesve

Cila është e djathta ekstreme në Mbretërinë e Bashkuar (MB) dhe si i ka nxitur ajo trazirat e fundit në vend? Çfarë e çoi gjendjen deri tek trazirat?

Disa pjesë të Mbretërisë së Bashkuar (MB) janë përfshirë në trazira që kur tre vajza u vranë dhe disa të tjera u plagosën në një sulm me thikë në një klasë vallëzimi në qytetin veriperëndimor anglez të Southport. Autori i dyshuar më vonë u zbulua se ishte Axel Rudakubana, një 17-vjeçar i lindur në Cardiff, Uells, nga prindër ruandezë. Por protestat si kundërpërgjigje ndaj sulmit, morën një dimension krejtësisht tjetër, duke u shndërruar në një konflikt etnik apo dhe racor e sektar.

Në njërën anë qëndronin mbështetësit e së djathtës ekstreme dhe komunitetit lokal, kryesisht të bardhë; nga ana tjetër, kishte persona për të cilët mendohej se janë të lidhur me emigrantët, veçanërisht në komunitetin mysliman.

Vendstrehimet e azilkërkuesive u dogjën, ndërtesat publike u dëmtuan dhe stacionet e policisë u sulmuan nga turma agjitatorësh në pjesë të ndryshme të vendit. Të maskuar, kryesisht burra aziatikë u panë edhe në videoklipe në rrjetet sociale duke ecur nëpër rrugë.

Shumë pyesnin nëse dhuna ishte planifikuar apo ishte spontane dhe aksidentale. Dhe si u kthye një sulm me thikë në një klasë vallëzimi, i kryer nga një 17-vjeçar nga Cardiff, prindërit ruandazë të të cilit janë të krishterë, në trazira të drejtuara kryesisht kundër myslimanëve?

Ligjet britanike për mbrojtjen e të dhënave fillimisht e penguan policinë që të publikonte emrin e të dyshuarit për sulmin me thikë, një të mitur, të cilin e djathta ekstreme e shfrytëzoi.

Rosa Freedman, profesoreshë në Universitetin e Reading, tha për DW se e djathta ekstreme, në mungesë të një emri për sulmuesin, kishte mundësinë të fajësonte armikun e saj të preferuar: emigrantët myslimanë. “E djathta ekstreme përhapi thashetheme se ai është një migrant i parregullt, se është mysliman”, tha ajo për DW.

Ajo thotë se megjithëse kjo nuk shkaktoi në vetvete trazirat, ajo ndezi një shkëndijë frike dhe urrejtjeje, “e cila u ndez në Mbretërinë e Bashkuar nga qeveria e mëparshme konservatore, nga disa gazeta, si dhe grupe të ekstremit të djathtë nga epoka para Brexitit.” 

Në kohën kur gjyqtari hoqi anonimitetin e sulmuesit, e djathta ekstreme e re dhe e vjetër e Britanisë kishin marrë një vrull të mjaftueshëm për fushatën e tyre, kryesisht në internet, thotë ajo.

“Hope not Hate”, një organizatë bamirëse kundër racizmit, tha se e djathta ekstreme kishte organizuar një sërë protestash në të gjithë vendin “kundër emigrantëve, myslimanëve dhe multikulturalizmit”. Organizata shtoi se ajo që ndodhi ishte “vala më e keqe e dhunës së ekstremit të djathtë në MB që nga lufta”.

E djathta ekstreme në Britani

E djathta e re ekstreme në MB përbëhet nga grupe më të vogla, shpesh aktorë individualë që janë fenomene të internetit. Ata kanë ndikim të madh për shkak të aftësisë së tyre për të tematizuar disa ankesa legjitime në internet, por kryesisht përdorin mediat sociale për të nxitur fanatizëm kundër emigrantëve dhe myslimanëve.

Një lojtar kyç në spektrin e ekstremit të djathtë britanik është Stephen Christopher Yaxley-Lennon, i cili mori emrin Tommy Robinson. Ai është një ish-anëtar i Partisë Kombëtare Britanike të ekstremit të djathtë dhe fashist (BNP) dhe bashkëthemeloi Ligën e Mbrojtjes angleze (EDL), një grup i ekstremit të djathtë, anti-imigrues.

BNP nuk ka përfaqësues të zgjedhur në parlamentin e MB dhe EDL ka kohë që nuk funksionon. E megjithatë, sipas Policisë, mbështetësit e EDL u përleshën me oficerët jashtë një xhamie në Southport në fillim të javës së kaluar. Mediat britanike kanë raportuar se qeveria po shqyrton nëse do ta ndalojë grupin si një organizatë ekstremiste.

EDL u themelua në Londër në vitin 2009 dhe shumë nga ndjekësit e saj ishin tifozë futbolli që besonin se myslimanët nuk mund të ishin kurrë anglezë të vërtetë. Huliganizmi i futbollit ka qenë prej kohësh i lidhur me aktivitetet e ekstremit të djathtë në Mbretërinë e Bashkuar, megjithëse kjo shoqatë ka rënë që nga lulëzimi i huliganizmit në vitet 1970 dhe 1980.

Yaxley-Lennon mbetet një figurë me ndikim në mesin e mbështetësve të EDL dhe përhap ndjenjat e tij anti-imigruese, anti-myslimane dhe anti-policore te 900,000 ndjekësit e tij në platformën X.

Në një postim në platformën X më 2 gusht, ai u duk se përshëndeti sulmin ndaj komisariatit kur shkroi: “Duhet të kishit dëgjuar @Keir_Starmer”, duke etiketuar llogarinë e kryeministrit britanik.

Andrew Tate, një influencues britaniko-amerikan i mediave sociale, i cili aktualisht është në pritje të gjyqit në Rumani me akuzat për përdhunim dhe trafikim njerëzor, akuzoi gjithashtu policinë e Mbretërisë së Bashkuar se ishte në anën e emigrantëve dhe myslimanëve. Ai vetë është i racës së përzier dhe e deklaroi veten të konvertuar në Islam. Ai ishte ndër të parët që nxiti thashethemet që çuan në dhunën e fundit, duke sugjeruar se sulmuesi i Southport “arriti me varkë një muaj më parë”.

Në një postim në platformën X, ai ndau një foto të një burri me lëkurë të errët në një varkë gome, duke mbajtur një thikë në njërën dorë dhe paund britanik në tjetrën. Në postim shkruhej: “Njeriu tipik i Cardiffit”.

Mosbesimi ndaj policisë, të cilin e mbjell e djathta ekstreme, nxit dhunën dhe urrejtjen

Mbjellja e mosbesimit ndaj policisë dhe vënia në pikëpyetje e besueshmërisë së saj është një tjetër taktikë, e përqafuar gjerësisht nga të gjithë aktorët e ekstremit të djathtë në Mbretërinë e Bashkuar. Ekspertët thonë se kjo i kthen njerëzit kundër zbatimit të ligjit dhe i inkurajon ata të përdorin dhunën.

Matthew Hankinson, një anëtar i dënuar i grupit neo-nazist National Action, i cili u ndalua nga qeveria britanike në vitin 2016, mori pjesë në trazirat në Southport dhe akuzoi policinë se po shtyp njerëzit që po protestojnë vetëm kundër vrasjes së “fëmijëve të bardhë”, siç tha BBC.

Nigel Farage, kreu i Partisë Reformuese, gjithashtu duket se ka krijuar qëllimisht dyshime për informacionin e shpërndarë dhe ka vënë në dyshim ndershmërinë e policisë. Ai tha se pyetet “nëse po na fshihet e vërteta”.

Paul Golding, bashkudhëheqës i një partie tjetër politike fashiste të ekstremit të djathtë të quajtur Britain First, postoi një seri postimesh në Twitter duke vënë në dyshim drejtësinë e policisë. Ekspertët thonë se akuza të tilla kundër policisë shpesh lidhen me përmbajtje anti-myslimane, për të krijuar qëllimisht një lidhje të rreme.

E djathta ekstreme i është mirënjohëse Elon Musk

Elon Musk, pronari i X, është shfaqur si mbështetësi më i madh i së djathtës ekstreme britanike. Vitin e kaluar, Yaxley-Lennon falënderoi Musk për riaktivizimin e llogarisë së tij X pasi ai u ndalua për postimin e përmbajtjeve me urrejtje. Në një lëvizje të diskutueshme, Musk njoftoi se “lufta civile është e afërt” në Britani.

Kur Starmer iu drejtua X për të qetësuar shqetësimet e qytetarëve, duke thënë: “Ne nuk do të tolerojmë sulmet ndaj xhamive apo komuniteteve myslimane”, Musk filloi një luftë fjalësh duke nënkuptuar se kryeministri nuk ishte i interesuar për sigurinë e të gjitha komuniteteve.

Golding of Britain First mbështeti Musk në luftën e fjalëve me Starmer dhe postoi se Musk po “e ekspozonte Keir Starmer” me një emoticon duartrokitës.

Në një memo të titulluar “Trazirat e dhunshme të nxitura nga dezinformatat dhe thashethemet e mediave sociale”, BJ Harrington, kreu i Këshillit Kombëtar të Shefave të Policisë për Rendin Publik, tha: “Dezinformimi është një shtytës i madh i kësaj dhune të tmerrshme dhe ne dimë shumë. nga ata që marrin pjesë në këto të ashtuquajtura protesta, të cilët e bëjnë këtë në përgjigje të drejtpërdrejtë të asaj që lexojnë në internet.”

“Shpesh postimet shpërndahen dhe zgjerohen në llogari dhe profile që kanë shumë ndjekës. Ne punojmë shumë për ta parandaluar këtë,” tha ai. Ai u kërkoi njerëzve t’i kushtojnë vëmendje të veçantë burimeve të internetit dhe asaj që ata lexojnë, ndajnë dhe besojnë atje./DW

Dy ngjarje që tregojnë brishtësinë, ose dobësinë e Policisë së Shtetit

Nga Ilir Yzeiri

Policia e Shtetit shqiptar, në këta 30 vjet tranzicion, është struktura që ka qenë më e eskpozuara ndaj opinionit publik. Krimi i madh shtetëror që bëri qeveria demokratike duke e shkatërruar institucionin e Ministrisë së Brendshme, ashtu sikundër edhe atë të Ministrisë së Mbrojtjes, i ktheu këto dy shtylla të shtetit shqiptar në një model banal hxhiqamilist dhe i hoqi palcën dinjitetit të shtetit. Asnjë vend në Ballkan dhe as në Europën Lindore nuk bëri atë krim që bënë demokratët dhe arkitekti i zi, Sali Berisha. Është histori më vete dhe një aventurë që kërkon shumë kohë për të analizuar këtë krim, por edhe krimet e tjera që u bënë mbi ekonominë ish-socialiste.

Në emër të luftës kundër komunizmit u vodh, u shkatërrua dhe u nxor në rrugë pasuria e shqiptarëve, por jo komunizmi si ideologji, sepse komunisti më i egër shqiptar i tranzicionit, Sali Berisha, është ende aktiv. Kjo bëri që, për 30 e ca vjet, ne nuk po arrijmë të ndërtojmë një polici shtetërore të besueshme. Për fat të keq, duke shkatërruar këto institucione, ne hodhëm në erë besimin dhe idealin.

Policia e Shtetit dhe Ministria e Mbrojtjes, sipas ideologjisë berishiste ishin vende ku mund të bëje lekë e të pasuroheshe. Ideja e ëngjëllit mbrojtës, e atij që ka zgjedhur me idealizëm që të mbrojë jetët tona, ra dhe, në vend të tij, u fut heroi i së keqes, ai që e përdor policinë dhe postin e tij për t’u pasuruar. Përpjekjet e mëdha të qeverisë Rama për ta modernizuar Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Mbrojtjes janë ende të pamjaftueshme. Shoqëria shqiptare ka krijuar një strukturë sociale të ndryshme nga ajo e socializmit. Sot, ndarja në të pasur e në jo të pasur, në shtresa të mesme dhe në shtresa të vobegëta nuk është shumë e qartë. Në Shqipëri, ashtu si edhe në vende të tjera, është krijuar e krijohet vazhdimisht një shtresë me prirje përfitimin e paligjshëm e kriminal.

Nëse do të bësh një pasyqrë sociale të shtresave shoqërore në qytetet shqiptare, do të vëresh, veç të tjerash, se kategoria e pasunarëve të rinj dhe familjarëve të tyre që kontrollojnë dhe diktojnë nganjëherë bizneset e qeverisjeseve vendore, por edhe atyre më lart bashkë me kontigjentet kriminale që kontrollojnë anë të jetës së qyteteve të ndryshme apo trafiqet, jo gjithnjë e ndiejnë frikën e ligjit dhe të shtetit. Dy ngjarjet e fundit: rrahja barbare e një vajze në mes të Tiranës nga dy femra kriminele që vijojnë sot e gjithë ditën që të sfidojnë policinë dhe rrahja barbare deri në vdekje e të riut në Pogradec dhe fshehja e policisë apo bashkëpunimi i saj me kriminelët në fillim, tregojnë se heronjtë e së keqes që qarkullojnë pa frikë në qytetet tona janë një kontigjent që nuk e njohin autoritetin dhe frikën e Ligjit.

Në të dyja rastet më bëri përshtypje kjo gjë: në radhë të parë, qëndrimi i viktimës që u dhunua nga dy femrat kriminele dhe në rastin e dytë motra e të ndjerit. E para, me një dinjitet prekës shfaqej para nesh si femra që ka zgjedhur lirinë dhe dinjitetin në jetë dhe që nuk e tremb dhuna. Fytyra e saj e gjakosur ishte një apel për mbrojtje, dhe nuk u ligshtua nga ajo që i ndodhi. Ishte i vetmi rast kur viktima, ashtu e gjakosur, fitonte mbi dy agresore që tani, në përfytyrimin e përgjithshëm, identifikohen me hijenat dhe me gangsterët e makinave me xhama të zinj që popullojnë ambientet e natës në këtë vend. Ndërsa e motra e viktimës në Pogradec bëri një rrëfim rrëqethës mbi vdekjen e të vëllait dhe aty ne morëm vesh se antropologjia e krimit dhe frika ka përfshirë edhe qytete të tëra si Pogradeci në këtë rast. Pasi u rrah për vdekje, ai u la në rrugë për disa minuta dhe askush nuk i afrohej. Pse? Si ka mundësi që njerëzit përreth nuk e ndihmuan, nuk u futën në mes që të përlesheshin me agresorët? Dhe pasi agresorët ikën, askush nuk afrohet. As ambulanca. E motra tha dhe ne të gjithë e dëgjuam deklaratën e parë të Policisë së Pogradecit se viktima u rrëza e vdiq sepse ishte i pirë.

E kuptoni se sa thellë ka hyrë frika nga kriminelët e rrugës dhe nga ata që kontrollojnë pushtetitn dhe paratë në qytete të vogla si Pogradeci? E kuptoni se në dorë të kujt ndodhet sot ai qytet ? Ajo bandë që vrau të riun në Pogradec dhe ato bandite që masakruan një vajzë të pfajshme në një lokal në Tiranë në mes të kryqytetit janë vetëm maja e ajsbergut e një shtrese që qëndron mes nesh dhe shtetit. Nuk e dimë se deri në cilën pikë na sfidon. Por deri tani, policia e shtetit është e humbur. Bashkë me të edhe ne të gjithë.

Protestat e dhunshme të studentëve për largimin e saj shkaktuan qindra viktima, ish-kryeministrja e Bangladeshit hetohet për vrasje

Ish-kryeministrja e Bangladeshit, Sheikh Hasina është duke u hetuar për vrasje, pas protestave për largimin e saj që shkaktuan qindra viktima.

 

Po ashtu edhe ndaj gjashtë figura të tjera të qeverisë së saj ka nisur një hetim për vrasje. Ishte avokati e një qytetari, i cili ngriti çështjen ndaj ish-kryeministres.

Hasina dha dorëheqjen dhe u largua nga vendi në fillim të këtij muaji, duke ikur në Indinë fqinje, ndërsa thirrjet që ajo të jepte dorëheqjen u rritën.

Më shumë se 400 njerëz u vranë në javë të demonstratave studentore që kulmuan me kërkesat kundër zonjës Hasina. Shumë prej tyre u qëlluan nga policia, me urdhër të saj.

Qeveria e zonjës Hasina, e cila ishte në pushtet për 15 vjet, u akuzua për shkelje të përhapura të të drejtave të njeriut dhe e ndjekur nga akuzat për korrupsion të shfrenuar.

Protestat e studentëve filluan në fillim të korrikut, duke filluar si kërkesa paqësore për heqjen e kuotave në vendet e punës në shërbimin civil, përpara se të transformoheshin në një lëvizje më të gjerë që rrëzoi qeverinë.

Zonja Hasina i kërkoi policisë të shtypë fort protestuesit, duke iu referuar atyre si “jo studentë, por terroristë që synojnë të destabilizojnë kombin”.

Qeveria e re e formuar së fundmi përmban shumë prej protestuesve dhe drejtohet nga laureati i Nobelit për Paqe, Muhamed Yunus.

Protestë për librat shqip/ Si i gënjeu Rama shqiptarët e Preshevës

Premtimeve nga Tirana, se Vuçiçi do të vërë dorën në zemër dhe do të lejojë mësimin me libra shqip në shkollat e Luginës, u ka dalë boja. Prandaj, në Preshevë shqiptarët u bënë bashkë për të ngritur zërin kundër diskriminimit serb, që paralel me ndalimin e librave, ka intensifikuar përpjekjet për pasivizimin e adresave.

Protesta u thirr për identitet dhe dinjitet. Me këto dy qëllime qytetarë të Luginës së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës dolën në tubim me flamujt kuqezi dhe nën tingujt e himnit kombëtar, ndërsa mbajtën një minutë heshtje për dëshmorët e luftës.

Kërkesat modeste, s’kanë ngjashmëri me asnjë vend tjetër të Ballkanit; libra shqip nëpër shkolla dhe ndalim i pasivizimit të adresave të shqiptarëve, si një formë moderne e spastrimit etnik.

Takimi nisi me fjalimin e deputetit shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi, që ishte një nga organizatorët e tubimit.

“Pse po ndodh diskriminimi? Sepse piromanët e djeshëm janë shndërruar në zjarrfikës të sotëm. Kanë veshur petkun e reformatorëve demokratikë, por nuk kanë arritur asnjëherë të bëjnë shkëputjen me të kaluarën. Nuk arritën që të heqin dorë nga politikat e kaluara. Aq më keq, me projekte si “bota serbe” po synojnë realizimin e synimeve të viteve 90 kudo që jetojnë” tha ai.

Kamberi solli shembuj jashtë kufijve të shtetit serb, kur bëri krahasimin mes shqiptarëve të Luginës dhe minoriteteve serbe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Ai vuri në dukje se si serbët ankohen kur shkelen privilegjet e bashkëatdhetarëve të tyre jashtë vendit, ndërkohë që refuzojnë respektimin e të drejtave për pakicat brenda Serbisë.

“Beogradi po luan me standarte të dyfishta. Kërkon për serbët në shtetet e Ballkanit Perëndimor të drejtat e tyre, por refuzon t’i japë pakicave brenda territorit të vet. Kjo politikë e standarteve të dyfishta duhet refuzuar, jo vetëm për hir të shqiptarëve, por për hir të paqes së qëndrueshme” u shpreh deputeti shqiptar.

Mësues dhe studentë treguan se si u mohohen tekstet shqip në shkolla para protestuesve që mbanin në duar pankartat ku shkruhej “Kthema adresën”, “Duam libra shqip”, “Dija nuk nostrifikohet”, “Të shtypur po, të nënshtruar jo”.

Profesori i gjuhës shqipe, Llukman Misini tha se nxënësev shqiptarë po u ndalohen tekstet e historisë dhe të gjeografisë, për të mohuar historinë e Kosovës.

“Ne po vazhdon të na mohohet sigurimi i teksteve shkollore nga Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë dhe po tentohet të na imponohet vetëm përkthimi i teksteve ekzistuese nga gjuha serbe. Po na ndalohet historia si lëndë dhe libri i historisë ku përshkruhet historia shqiptare. Po na mohohet gjeografia si lënë dhe gjeografia si libër për shkak të përshkrimit të Kosovës shtet” tha mësuesi i shkollës së mesme.

Studenti Enis Fejzullahu preku çështjen e mosnjohjes së diplomave. “Studentin e Luginës së Preshevës gjatë kohës së studimeve e pas diplomimit e përcjell barra e mosnjohjes së diplomës, brenga se pas përfundimit të studimeve e frika që nuk do të mund të ushtrojë profesionin e tij, në vendin e tij” u shpreh ai.

Një nga organizatorët, Nevzad Lutfiu, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, tha se shqiptarët janë etnia më e urryer nga shteti serb, megjithëse në këtë vend jetojnë 24 pakica të ndryshme kombëtare.

Librat shqip për shqiptarët e Preshevës janë një shqetësim i vjetër, me të cilin dikur po merrej Kosova. Por që kur kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u afrua me presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ai mori përsipër ta zgjidhë këtë çështje duke provokuar edhe xhelozi mes shqiptarëve të Kosovës për anashkalimin që po u bëhej.

Në kohën kur Rama nisi të premtonte librat shqip për shkollat në Preshevë, 100 mijë libra prisnin në kufi të dërguar nga qeveria e Kosovës.

Por asokohe Rama e rrëmbeu kauzën e librave shqip dhe nën pozitat e liderit mbarëkombëtar u premtoi shqiptarëve të Luginës se furnizimit me libra do t’u hapej rruga shumë shpejt. Fjalën ia kishte dhënë Vuçiçi në takimin e Nishit.

Statusi që shihni më poshtë është shkruar rreth 8 vite më parë nga Rama, i cili sapo kishte nisur projektin e Nishit, të njohur ndryshe si “Minishengeni ballkanik” apo “Ballkani i Hapur”.

“Sot kryeministri Vuçiç, në takimin e përbashkët të zhvilluar në Nish me të njëjtën përfaqësi, u angazhua se do ta mundësojë kalimin e teksteve tona shkollore në Luginën e Preshevës” ka shkruar Rama.

Bashkë me 4 mijë pëlqime për premtimin në rrjetet sociale, Rama mori edhe vlerësimin “Personaliteti i vitit”, nga agjencia e lajmeve “Presheva Jonë”.

“Edi Rama është i vetmi Kryeministër i Shqipërisë, i cili vizitoi shqiptarët të diskriminuar në Luginën e Preshevës për të përmirësuar gjendjen e tyre” shkruhej në vlerësimin që i bëhej Ramës.

Kuptohej se preshevarët, të lodhur nga diskriminimi i gjatë, panë dritë në fund të marrëdhënies së re që Rama nisi të ketë me Vuçiçin. Kryeministri i Shqipërisë ia ushqeu më tej shpresën me deklaratat e tij.

Çështja e librave shqip në shkollat e Luginës ka qenë një temë për të cilën ai ka premtuar zgjidhje vazhdimisht.

“Për të kuptuar se sa e rëndësishme është ajo që ne bëjmë me Serbinë si Shqipëri, shkoni pyesni shqiptarët e Preshevës” shprehej ai në një intervistë në Klan Kosova.

Pastaj, për ta bërë më të qartë se sa e mirë ishte marrëdhënia e re me Serbinë, vazhdonte: “Më kanë kërkuar që unë të flas me kryeministrin e Serbisë, për librat. Kjo nuk kishte lidhje me librat e historisë. Por janë libra tanë të rinj, të sistemit të reformuar arsimor” shprehej Rama.

Marrëveshja që Rama arriti me Vuçiçin, sipas mediave të Kosovës ishte problematike. Sepse i lejonte Tiranës të furnizojë nxënësit shqiptarë në komunat Preshevë, Bujanoc e Medevgjë me tekste mësimore në gjuhën shqipe, kryesisht të shkencave ekzakte, por jo të shkencave shoqërore.

Problemi mbetej, sepse konteksti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë qëndronte tek historia, gjeografia dhe gjuha e letërsia shqipe.

Në vitin 2019, kur zv.ministër i jashtëm ishte Gent Cakaj, qeveria shqiptare njoftoi se kishte bërë gati buxhetin për librat shqip të shkollave të Preshevës. Në vitin 2020, kur ministre e arsimit ishte Besa Shahini, tema ngacmohej sërish, kësaj radhe me një video-montazh shoqëruar me titrat përkatëse. Shiko më poshtë:

“LIBRA SHKOLLORË SHQIP për shqiptarët në Serbi për arsimin parauniversitar. Shumë më pranë shqiptarëve të Luginës me qëllim ofrimin e arsimit sa më cilësor në gjuhën shqipe❤️”, shkruante Rama në 2020.

Por ende sot librat shqip në shkollat e Preshevës mungojnë. Historia dhe gjeografia thonë mësuesit merren ende me shënime, ndërsa vendet fqinj kanë kaluar në mësimdhënien e kompjuterizuar. Premtimet e Ramës janë harruar, ndërsa kamionët me 100 mijë libra që qeveria e Kosovës kishte parkuar në kufi me Serbinë u kthyen mbrapsht.Lapsi.al

Prekëse/ “O kafshë”- Vrasësi i të vëllait mbërrin në gjykatë, motra e Egli Progës me lot në sy ngjitet te kangjellat: Hapuni, dua t’i shikoj

Dalin pamjet prekëse nga momenti kur mbërriti në Gjykatë autori i dyshuar i vrasjes së Egli Progës, krim i ndodhur më 10 Gusht në qytetin e Pogradecit.

Teksa 29-vjeçari Denis Meçe po zbriste nga furgoni i policisë, së bashku me 3 të arrestuarit e tjerë për moskallëzim krimi, për t’u futur në sallën e gjyqit, e motra e viktimës, Jonida Proga ka shpërthyer në lot.

Ajo është ngjitur në kangjellat e murit rrethues dhe bërtiste: “Dua t’i shikoj, o kafshë, o kafshë”.

Gjithashtu jashtë ambienteve të gjykatës ndodheshin edhe familjarë të tjerë të viktimës, që kërkojnë drejtësi për vrasjen e 42-vjeçarit, i cili u dhunua brutalisht, ndërsa ende nuk dihet arsyeja.

 

Kërkohet ndihma e ushtrisë/ Vijon zjarri në Parkun Kombëtar në Malin e Tomorrit, flakët favorizohen nga temperaturat e larta dhe era

Vijon që prej ditës së djeshme zjarri në Parkun Kombëtar në Malin e Tomorrit në Skrapar. Zjarri, që mendohet të ketë qenë i qëllimshëm, ka vijuar përgjatë gjithë natës dhe po vazhdon ende.

 

Zjarri, i favorizuar nga era dhe temperaturat e larta, është përhapur me shpejtësi nga pylli me pisha në Parkun Kombëtar drejt zonës lindore të Çukës, shumë pranë vendit ku zhvillohet peligrinazhi i përvitshëm i bektashinjve.

Drejt zonës së zjarrit vijojnë të punojnë prej ditës së djeshme forcat zjarrfikëse të Skraparit, punonjësit e Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura dhe zjarrfikës nga Berati dhe Poliçani.

Terreni tejet i vështirë dhe i pamundur për futjen e mjeteve zjarrfikëse në zonën e zjarrit ka bërë që të vijohet të punohet për fikjen e flakëve me mjete rrethanore dhe pompa uji shpine. Për fikjen e zjarrit është kërkuar ndihma e 30 forcave të ushtrisë, ndërkohë që në ndihmë të zjarrfikësve të Skraparit janë bashkuar edhe banorë të zonës. Zjarri ka përshkruar në sipërfaqe rreth 15 ha, ndërkohë që raportohet e djegur një sipërfaqe prej 8 hektarësh, pjesa më e madhe me dru të thatë e të rrëzuar.

Përfshihet nga zjarri një biznes në afërsi të Aeroportit të Prishtinës, shkrumbohen 20 automjete! Lëndohen dy persona në tentativë për të shuar flakët

Mbrëmë rreth orës 01:30 pas mesnatës zjarri ka përfshirë një biznes afër aeroportit në Sllatinë.

“Go Carting” është përfshirë nga zjarri në rrethana misterioze.

Një objekt biznesi dhe 20 vetura janë djegur nga zjarri, ndërsa dy  persona janë lënduar, duke tentuar të shuajnë flakët që përfshiu biznesin ka thënë Shefi i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, Malë Gashi.

“Pjesa e maketit nuk është djegur përveç dritareve që janë thyer nga temperatura. Dy persona gjatë tentimit për ta shuar zjarrin kanë pësuar djegie në fytyrë dhe duar dhe janë dërguar në spital për trajtim”, ka thënë Gashi për Telegraf.

Vlera e dëmit të shkaktuar llogaritet mbi gjysmë milioni euro.

E rëndë/ Ra nga tarraca e katit të 5-të, humb jetën në spital 50-vjeçari! Ja çfarë dyshohet

Një 50-vjeçar ka humbur jetën pasi ka rënë aksidentalisht nga tarraca e katit të 5-të.

 

Raportohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:50 të mbrëmjes së djeshme në rrugën “Jordan Misja”.

50-vjeçari u dërgua në spital, por humbi jetën si pasojë e plagëve të marra.

“Më datë 12.08.2024, rreth orës 22:50, në rrugën “Jordan Misja”, aksidentalisht ka rënë nga tarraca e katit të 5-të, shtetasi K. Th., 50 vjeç, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra ka ndërruar jetë më pas në spital.

Materialet i kaluan Prokurorisë”, njoftoi policia.