23.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Diskriminim apo edukim? A duhet ta bëjë publike policia kombësinë e personave të dyshuar? Çfarë pritet në të ardhmen në Gjermani

Diskriminim apo edukim? A duhet ta bëjë publike policia kombësinë e personave të dyshuar? Çfarë pritet në të ardhmen në Gjermani?

Në Gjermani është shtuar numri i krimeve të dhunshme, përdhunimeve, vjedhjeve dhe hyrjeve për të vjedhur nëpër shtëpi. Numri i krimeve të regjistruara arriti vitin e kaluar një rekord. Shkalla e krimeve shënoi një rritje të ndjeshme veçanërisht në mesin e njerëzve pa pasaportë gjermane – me 13,5 për qind.

Kjo alarmoi shumë politikanë dhe shkaktoi debate politike së fundmi. Ndër të tjera, nëse policia duhet të përmendë gjithmonë kombësinë e të dyshuarve. Absolutisht, thotë sekretari i përgjithshëm i FDP-së liberale, pjesë e koalicionit qeveritar. Bijan Djir-Sarai i tha gazetës Bild am Sonntag: “Autoritetet duhet të përmendin gjithmonë kombësinë e të dyshuarve kur japin informacione për krimet në mënyrë që të krijohet transparenca e nevojshme. (…) Nuk duhet të krijohet përshtypja se problemet po fshihen”.

Përgjigje e përbashkët nga politika

Për iniciativën e tij, Djir-Sarai mori mbështetje nga FDP e tij dhe gjithashtu opozita konservatore CDU/CSU. Fakti që autoritetet e zbatimit të ligjit në mbarë vendin duhet të emërojnë kombësinë e autorëve të dyshuar siguron “transparencë dhe besueshmëri”, thanë konservatorët. Propozimi nuk shkon aq larg sa duhet për populistin e djathtë, AfD. Gjithashtu, në raportet e policisë duhet të jetë e qartë, nëse të dyshuarit janë emigrantë – pra persona me pasaportë gjermane, por me origjinë të huaj. SPD dhe të Gjelbërit janë të vendosur kundër qëndrimit të Djir-Sarai. Ata duan t’u përmbahen rregulloreve aktuale.

Fakti që debati në Gjermani është ndezur nuk e habit avokatin dhe kriminologun në Universitetin e Münsterit, Christian Walburg. Ai tha në një intervistë për DW: “Aktorët e krahut të djathtë e kanë kuptuar prej kohësh se mund ta përdorin këtë temë për të krijuar një atmosferë veçanërisht favorizuese për ta. Krimi me më shumë gjasa se çdo temë tjetër të ngjall pakënaqësi, frikë, shqetësime, ankthe dhe pakënaqësi.”

Autoritetet policore dhe gjyqësore në 16 landet federale janë përgjegjëse. Ato vendosin, se në cilat raste do të emërtojnë kombësinë e të dyshuarve dhe do t’i përcjellin ato në shtyp. Kriminologu Walburg: “Edhe tani, kombësia përmendet shpesh në incidentet dhe krimet më të rënda. Dhe nëse ka një lidhje refugjatësh, e gjithë Gjermania e diskuton atë.”

Kështu ndodhi në fund të vitit 2015, për shembull, kur veçanërisht gratë u bënë viktima të ngacmimeve seksuale pranë stacionit qendror të Këlnit. Pas hezitimit fillestar, shtypi raportoi edhe për kombësinë e të dyshuarve. Shumë erdhën nga Afrika e Veriut dhe nuk ishin shtetas gjermanë.

Publikimi i të dhënave

Shumica e zyrave të shtypit të autoriteteve gjyqësore dhe policore e bazojnë punën e tyre për marrëdhëniet me publikun në kodin e Këshillit Gjerman të Shtypit. Ai thekson se kombësia në përgjithësi nuk duhet të luajë një rol në raportim. Ndryshe është vetëm nëse ka “një interes të justifikuar publik” në origjinën e të dyshuarve. Përmendja e kombësisë nuk duhet të çojë në “një përgjithësim të sjelljes së keqe individuale”.

Nismat e refugjatëve, Amnesty International dhe shoqatat e gazetarëve kanë frikë se përmendja e kombësisë në të gjitha rastet përforcon paragjykimet, ngjall frikën dhe promovon racizmin.

Policia “duhet të jetë autoriteti që vendos se çfarë mund të përmendet apo jo”, thotë Henrik Zörner nga Shoqata Gjermane e Gazetarëve për DW. “Ne nuk besojmë në këtë iniciativë. Ekziston rreziku që emërtimi i kombit ose i origjinës etnike të kriminelëve të bëhet më i përhapur dhe se mbrojtja e pakicave të ankoruara në Kodin gjerman të shtypit do të dëmtohet.”

Edhe NRW dëshiron të publikojë të dhënat

Disa lande kanë publikuar prej kohësh kombësinë e të dyshuarve për krime; për shembull Brandenburg, Mecklenburg-Pomerania dhe Saksonia. Landi me numrin më të madh të banorëve, Renania Veriore-Vestfalia (NRW), gjithashtu dëshiron ta praktikojë këtë në të ardhmen. Ministria e Brendshme sqaroi se duan të krijojnë transparencë.

Kriminologu Christian Walburg i frikësohet “efekteve anësore diskriminuese”, por përmend edhe një avantazh: “Kjo do të thotë një lehtësim i caktuar për autoritetet policore nëse ata thjesht përmendin kombësinë në çdo deklaratë për shtyp”.

Në disa lande, praktika e mëparshme mjaft e rezervuar në lidhje me përmendjen e kombësisë është duke u rishikuar. Mbetet për t’u parë nëse rregulloret e reja nga NRW dhe propozimi i politikanit të FDP-së Djir-Sarai do të krijojnë një precedent. Çdo land vendos vetë nëse do ta bëjë këtë apo jo./DW

DOSJA “5D”/ SPAK: Tenderat në favor të kompanisë së drejtorëve të Tiranës me firmë edhe të Veliajt dhe Maznikut

Në dosjen e korrupsionit që njihet edhe si dosja “5 D”, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka zbuluar tendera që kanë favorizuar kompaninë, jo vetëm në institucionet që drejtoheshin nga Redi Molla dhe Mariglen Qato.

Në dokument thuhet se ka dhe disa procedura ku autoriteti që ka nënshkruar janë kryetari i Bashkisë së Tiranës, por dhe zëvendëskryetari.

Kështu, në dokument thuhet se hetimi është shtrirë edhe mbi procedurat e prokurimit të zhvilluara nga autoriteti kontraktor Bashkia Tiranë dhe institucionet e tjera në varësi të saj, në të cilat është shpallur fitues shoqëria “5D konstruksion shpk”, si pjesë e bashkimit të operatorëve konkurrues.

Ndërsa argumentohet se nga dokumentacioni i sekuestruar, ka rezultuar se shoqëria “5 D konstruksion” është shpallur fituese në disa procedura prokurimi të zhvilluara nga autoriteti kontraktor Bashkia Tiranë dhe nga institucione të tjera në varësi.

Nga verifikimi, prokurorët shprehen se në këto prokurime rezultojnë të dhëna mbi favorizimin e operatorit ekonomik “5D konstruksion” në raport me operatorët e tjerë ekonomikë pjesëmarrës në garë dhe në raport plotësimin e kushteve dhe kritereve të kualifikimit.

Më tej, në material thuhet se në disa prej këtyre, ushtruesi i funksioneve administrative të titullarit të autoritetit kontraktor është kryetari i Bashkisë, z.Erion Veliaj dhe në disa të tjera është Zëvendëskryetari i Bashkisë z.Arbian Mazniku.

Gjithashtu, në dosje SPAK ka zbardhur kriteret që nuk janë plotësuar nga “5 D”-ja, duke renditur të paktën 5 tendera, siç është tenderi i rreth-rrotullimit Mullet deri në fshatin Qeha, apo ndërtimi i pedonales dhe korsi biçikletash në Liqenin e Thatë.

 

Aktivizohet një vatër zjarri në Parkun e Tomorit, terreni vështirëson punën për shuarjen e flakëve

Një vatër zjarri është aktivizuar në Parkun Kombëtar të Tomorit.

Zjarri, që mendohet të ketë qënë i qëllimshëm, është përhapur me shpejtësi drejt pyllit me pisha të Parkut Kombëtar, i favorizuar nga era dhe temperaturat e larta.

Drejt zonës së zjarrit kanë shkuar forcat zjarrëfikëse të Skraparit dhe punonjësit e Agjensisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura.

Terreni tejet i vështirë dhe i pamundur për futjen e mjeteve zjarrëfikëse në zonën e zjarrit ka bërë që të punohet për fikjen e flakëve me mjete rrethanore dhe pompa uji shpine.

Drejt Parkut të Tomorrit,në ndihmë të zjarrëfikësve të Skrapariit,janë nisur zjarrëfikës nga Berati dhe Poliçani, ndërkohë që zjarrëfikësve ju janë bashkuar edhe banorë të zonës.

Veç zjarrfikëseve të Skraparit, në ndihmë u kanë shkuar dhe ato të Beratit.

Vendet që humbin më shumë njerëz nga emigracioni, si renditen Shqipëria dhe Kosova

Lëvizja e njerëzve në kërkim të mundësive më të mira ekonomike, sigurisë nga konfliktet dhe kushteve të përmirësuara të jetesës nuk është një fenomen i ri.

Por duke gjurmuar se cilat vende po humbasin më shumë njerëz nga emigracioni neto (d.m.th., duke pasur më shumë njerëz që ikin se sa njerëz që vijnë në vend), shpesh ndihmon në nënvizimin e pasojave të zhvillimeve ekonomike dhe politike në të kaluarën e afërt.

Platforma Visual Capitalist ka renditur 14 vendet kryesore që kishin emigracion neto më të lartë në 2023. Të gjitha shifrat janë të rrumbullakosura dhe janë marrë nga Perspektivat e Popullsisë Botërore të OKB-së 2024.

Shqipëria renditet në vendin e 35 në botë me një numër neto negative të emigracionit prej 25 mijë, ndërsa Kosova në vendin e 31, me një shifër prej 29 mijë.

Vendet kryesore sipas emigracionit neto negativ

Pakistani kishte një numër neto negativ të emigracionit prej 1.6 milion njerëz, më i larti nga të gjitha vendet në vitin 2023. Kombe të tjera aziatike si India (-980,000), Kina (-570,000) dhe Bangladeshi (-550,000) janë gjithashtu shumë lart në renditje.

Visual Capitalist renditen të gjitha vendet (55 shtetet) që kanë parë një emigracion negativ neto prej të paktën 10,000 njerëzve, ku nga rajoni përfshihet vetëm Shqipëria dhe Kosova.

Sudani, i vendosur në Afrikën Verilindore, gjithashtu ka pasur një numër neto emigracioni në negativ shumë të lartë (-1,000,000), për shkak të një lufte të vazhdueshme midis Forcave të Armatosura Sudaneze (SAF) dhe Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF). Një zëdhënës i organizatës Mjekëve pa Kufij kohët e fundit pohoi se civilët në Sudan po vuanin “nivele të tmerrshme të dhunës”.

Në përgjithësi, ky grup të dhënash mund të ndahet midis vendeve ku emigrantët lëvizin për arsye ekonomike ose politike (India, Kina, Pakistani) dhe atyre që janë një zonë konflikti aktive (Sudan, Ukrainë, Palestinë). Sigurisht që shumë vende kanë një përzierje të të dyjave, me faktorë që ushqehen me njëri-tjetrin.

Një vështrim në top 20 zbulon se në rajon, Europa (kryesisht vende të qëndrueshme me të ardhura të larta) është e nënpërfaqësuar. / Visual Capitalist

OSSH shndërrohet në çetë kusarësh/ Të gjithë tenderat vetëm me një ofertë, tret 20 milionë euro në muaj pa garë

Në 11 qershor, Drejtoria e Tensionit të Lartë në kompaninë publike OSSH shpalli tenderin për ndërtimin e nënstacionit të ri 100 kv dhe zhvillimin e linjës 35 kv Akërni-Aeroporti i Vlorës. Tenderi me fond limit të paracaktuar prej 4.27 milionë euro u zhvillua në 4 korrik. Në të u paraqit vetëm një ofertë, ajo e kompanisë 4-AM me vlerë 4.1 milionë euro, e cila u shpall fituese.

Në datat 1 dhe 3 korrik OSSH shpalli dhe tre tendera të tjerë të mëdhenj. I pari ishte ai për zhvillimin e linjës me dy qarqe 35 kV nga nënstacioni i Kafarajt deri në Hoxharë. Fondi limit i kësaj procedure ishte vendosur 4.72 milionë euro.

Në garë u paraqitën dy oferta. Kompania Encoal ofroi çmimin 4.68 milionë euro, ndërsa komania Senka e dorëzoi ofertën bosh, pa asnjë vlerë financiar. Si rezultat tenderin e fitoi oferta e vetme, ajo e kompanisë Encoal me vlerë sa 99.1 për qind e fondit limit.

Një skemë kriminale
Në të dy tenderat e tjerë është përsëritur e njëjta skemë. Kompania Senka që hyn në garë si mbushës topi duke mos paraqitur fare ofertë financiare dhe një kompani tjetër që hyn me ofertë dhe fiton tenderin.

Në tenderin 6 milionë euro për rikonstruksionin dhe fuqizimin e N/Stacionit Kafaraj, oferta e vetme që u shpall fituese ishte ajo e kompanisë LA-OR, e cila e mori kontratën me çmimin 5.87 milionë euro ose sa 98 për qind e fondit limit. Senka bëri sërish të njëjtën skemë duke hyrë në garë me ofertë zero, ndërkohë që një tjetër bashkim kompanish ofroi një vlerë gati në kokë të fondit limit.

Po kështu edhe në procedurën tjetër të prokurimit, atë për ndërtimin e nënstacionit të ri 110 kv të Piqerasit me fond limit 4 milionë euro. Edhe këtë herë në garë u paraqitën vetëm 2 oferta. Ajo e kompanisë Envi Power me vlerë 3.87 milionë euro dhe Senka që sërish ofertoi bosh.

Sipas skemës që përsëritet identik në çdo tender të OSSH-së, fitues u shpall kompania Enbi Power me vlerë sa 97 për qind e fondit limit.

Miliarda pa garë
Vetëm në 4 tenderat e zhvilluar gjatë muajit të fundit, OSSH treti plot 20 milionë euro pa garë, me çmime në kokë të fondit limit. Por babëzia është aq e madhe sa që loja e kontrollit të tenderave është shumë e trashë. Gjithmonë vetëm një ofertë reale dhe Senka që shërben si mbushës topi, duke hyrë në çdo garë me ofertë boshe.

Tashmë që çmimet e materialeve kanë rënë ndjeshëm pas pandemisë, shumë nga tenderat në institucionet e ndryshme publike po prokurohen me çmime 20 për qind e madje edhe deri në gjysmë të fondit limit. Vetëm OSSH nuk çedon. Babëzi deri në qindarkën e fundit. Njësoj si çetë kusarësh që avullon miliarda lekë pa garë. Dhe faktet janë tek dokumentat zyrtarë./Kapitali.al

I vihet kazma shëtitores 1.8 milionë euro të Rilindjes Urbane në Peshkopi, bashkia kërkon rifinancim

Tetë vite pasi iu nënshtrua Rilindjes Urbane, bulevardi i qytetit të Peshkopisë do të prishet, për t’u rindërtuar nga e para. Bashkia ka kërkuar 182 milionë lekë për rifinancim të projektit, pasi ai i marsit 2016, me vlerë 105 milionë lekë, u shkatërrua brenda një viti nga përfundimi i punimeve.

Dali Ndoka zgjedh me kujdes, ku ta hedhë këmbën mes pllakave të thyera të bulevardit të ri të qytetit të Peshkopisë. Dikur i shtruar me asfalt, pllakat, që veshën shëtitoren kryesore, “Elez Isufi”, në vitin 2016, u kthyen në një shqetësim për banorët e kësaj zone. Sidomos gjatë stinës së dimrit, si pasojë e ngricave, pllakat e gurit përbënin rrezik për ata që ishin në moshë.

“Për moshën e tretë dhe për mua personalisht bulevardi i ri është një katastrofë. Atje nuk mund të ecësh në kohë normale”, – thotë Dali Ndoka, banor i Peshkopisë.

“Ai bulevard është bërë një rrezik për të gjithë qytetarët. Në Peshkopi ka ngrica gjatë gjithë dimrit dhe aty nuk ke më mundësi që të futesh”, – shton Daliu, pa e fshehur zhgënjimin për ndërhyrjen, së cilës iu nënshtrua bulevardi i qytetit të tij.

Dali Ndoka, banor i Peshkopisë

I njohur për pemët e larta të blirit në të dyja anët e rrugës, bulevardi i qytetit të Peshkopisë iu nënshtrua projektit të Rilindjes Urbane në vitin 2016. Me një fond prej 105 milionë lekësh, kantieri vetëm 600 metra u hap në prag të zgjedhjeve të pjesshme, lokale të shtatorit të po atij viti, që përfunduan me fitoren e kandidatit socialist, Muharrem Rama.

“Shkatërruan historinë e Peshkopisë. Bulevardi i dikurshëm i blirëve, i cilësuar si një ndër më të bukurit në vend, u bë një bulevard i shëmtuar, pikërisht nga kjo ndërhyrje”, – thotë Femiu, një tjetër banor që e sheh me shqetësim degradimin e shëtitores së qytetit.

Sheshet supozohet që të kenë një jetëgjatësi mesatare nga 50 deri në 100 vite, por vetëm 8 vite më pas bulevardi është shkatërruar plotësisht dhe pritet që t`i nënshtrohet një tjetër ndërhyrjeje rehabilituese, që përfshin heqjen e pllakave si pasojë e degradimit dhe zëvendësimin e tyre nga e para. Projekti i ri, që përfshin rikualifikimin e sheshit së bashku me fasadat, do të kushtojë 182 milionë lekë të reja dhe do të mbështetet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Punimet pritet që të nisin gjatë muajit gusht dhe do të përfundojnë vitin që vjen, që është sërish një vit elektoral.

Ekspertët sugjerojnë se këto projekte po përdoren si mekanizma për të joshur elektoratin, por edhe për përfitime financiare.

“Qeveria zgjodhi që të zhvillonte qendrat e qyteteve, por, në momentin që këto projekte fillojnë dhe përdoren për përfitime elektorale apo personale, financiare të personave afër pushtetit apo vetë personave me pushtet, këtu kemi problem pastaj”, – thotë Pano Soko, ekspert i ekonomisë.

“Fondet e destinuara për miradministrimin e procesit, pra të ndërtimit të një qendre cilësore qyteti, që do t’i rezistonte kohës, që do t’i jepte një imazh të ri qytetit, u keqpërdorën”, – thotë Soko.

Qeveria shqiptare shpenzoi rreth 600 milionë euro për transformimin e shesheve të qyteteve në të gjithë vendin në kuadër të Rilindjes Urbane. Mes debateve për uniformitet dhe cilësi të dobët të pllakave, që nuk përshtaten me qytetet ku janë vendosur, një sërë qendrash qytetesh, që i janë nënshtruar këtij projekti, kanë shfaqur probleme.

Pedonalja, Peshkopi

Projekti ambicioz i qeverisjes socialiste nisi në vitin 2014 me transformimin e sheshit të qytetit të Beratit, por 2.1 milionë USD të investuar në këtë shesh iu vu kazma 6 vite më vonë, në vitin 2020, por t`u bërë edhe ai nga e para.

“Është e disata herë që janë evidentuar raste të abuzimit me fondet e Rilindjes Urbane dhe këto kanë filluar që me Sheshin Skënderbej në Tiranë e më pas në pothuajse të gjitha projektet e Rilindjes Urbane, qoftë në Durrës, qoftë në Fier, në Lushnjë dhe tashmë edhe në Dibër”, – thotë Pano Soko.

Investime të çuara dëm

E ndërtuar vetëm 8 vite më parë, pedonalja e Rilindjes Urbane është degraduar totalisht.

Pllakat janë thyer, ndërsa shumica u dëmtuan që në ngricat e para. Si pasojë, gjatë muajit gusht pritet që këtij investimi t`i vihet kazma.

Banorët e kanë shprehur pakënaqësinë për ndërhyrjen që në fillimet e saj. Sipas tyre, nuk ishte e vështirë që të dalloje se punimet nuk ishin cilësore, pasi që në ngricat e para shfaqën probleme. Ata e lidhin nxitimin e ndërhyrjes asokohe me fushatën elektorale, që ishte në prag.

“Bulevardi u bë, që të krijohet një përshtypje te votuesit që unë bëj vepra madhore, por u bë keq dhe pa cilësi”, – thotë Hakiu, një tjetër pensionist.

“Kur ishte i asfaltuar, të paktën ecnim lirisht, pa u penguar, ndërsa tani duhet me ec me shumë kujdes, se shkon dhe thyen qafën”, – thotë i moshuari, teksa tregon pllakat e thyera.

Bashkia e Dibrës ka depozituar një kërkesë pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe ka kërkuar financim për ta ribërë bulevardin kryesor të qytetit të Peshkopisë, i cili është edhe arteria kryesore e këtij qyteti, që lidh rrugën “Tercilio Kardinali” me unazën e qytetit.

“Në vijim të kërkesës së bashkisë, një ekip teknik i Fondit Shqiptar të Zhvillimit së bashku me përfaqësues të bashkisë ka zhvilluar disa vizita në terren, me qëllim vëzhgimin e problematikave dhe gjetjen e zgjidhjeve më të mira për përmirësimin e bulevardit, si nga ana funksionale, ashtu dhe nga ana e dizajnit, duke ndjekur procedurat e nevojshme për mbështetjen e bashkisë edhe me projektimin e tij sipas standardeve bashkëkohore”, – pranon Fondi Shqiptar i Zhvillimit mbështetjen e këtij projekti.

Bashkia e Dibrës sqaron për INA Median se arsyet e kësaj ndërhyrjeje të re lidhen me degradimin e investimit.

“Gjendja aktuale e bulevardit të Dibrës është tepër e amortizuar. Gjithashtu, disa fasada dhe një pjesë e trotuareve kanë nevojë për ndërhyrje për rikonstruksionin e tyre”, – tha Bashkia e Dibrës në një përgjigje me shkrim për INA Median.

Projekti do të kushtojë 182 milionë lekë të reja, ndërsa fituese e tenderit është shpallur në fillim të muajit korrik kompania “Sireta 2F”, megjithëse 5 operatorë të tjerë paraqitën ofertë më të ulët. Tenderi është shënuar me flamur të kuq, pasi janë përjashtuar të gjithë operatorët e tjerë, përveç fituesit, për mospërmbushje të kriterit të punimeve të ngjashme. Punimet për këtë projekt pritet të zgjasin 12 muaj.

Për Besin, pronar i një bari buzë pedonales, rifillimi i punimeve nuk është lajm i mirë. Sipas tij, kjo shëtitore është pika më e rëndësishme e qytetit dhe ndërhyrja do të krijojë kosto për ta dhe për qytetarët.

“Bulevardi është zemra e qytetit, i vetmi vend ku kalojnë një pasdite banorët e Peshkopisë, – thotë Besi. – Shkatërrimi nga e para do të na bënte rrëmujë të madhe prapë, por, nëse do të bëhet mirë këtë herë, po sakrifikojmë edhe një vit tjetër”.

Për inxhinierin Munir Hoxha projekti i Rilindjes Urbane në Dibër u zbatua keq, duke zgjedhur pllaka dhe gurë të një cilësie të dobët.

Inxhinier Munir Hoxha

“Ky lloj investimi ishte një projekt shkatërrimi. Projekti nisi mbrapsht me zgjedhjen e materialit. Nuk e di kush ishte ideator, që i mori gurët nga Berati, por, edhe ata gurë, që u sollën, janë zgjedhur të cilësisë së fundit. Të gjithë brenda vitit filluan të thërrmohen dhe, jo vetëm pleqtë, por edhe të rinjtë, po ecën pa vëmendje, mund të thyejnë hundët në bulevard”, – thotë inxhinieri, duke sugjeruar se zona ka plot gurë, që mund t`iu përshtaten karakteristikave të klimës së zonës.

Gurë nga Italia për sheshin e Peshkopisë

Sipas preventivit të punimeve, parashikohet që të prishen mbi 10 mijë metra katrorë shtresë prej pllakash guri, për t`u zëvendësuar me të reja.

Pamjet 3D tregojnë se këtë herë do të ketë tre lloje gurësh, për të shmangur një tjetër dështim të projektit, madje njëri do të merret në Itali, njëri, në Bulqizë dhe tjetri, nga Mali i Thatë në zonën e Pogradecit.

“Duke marrë parasysh kushtet klimaterike dhe reshjet e borës, materialet e përcaktuara nga arkitekti për t’u përdorur në këtë objekt, do të jenë: gurë bazalti, guri i Lusernës, guri i Kovashicës, guri i Malit të Thatë”, – detajon relacioni.

Ndonëse vendi ynë është i pasur me lloje të ndryshme gurësh, sipas relacionit, sheshi do të dominohet nga guri i Lusernës, një gur që gjendet në zonën e Torinos në Itali, për shkak të qëndrueshmërisë që ka nga ngricat.

“Ndërsa shumë gurë mund të thithin ujin, i cili më pas zgjerohet, kur ngrin, duke shkaktuar çarje ose thyerje, guri i Lusernës ka kapacitet minimal për të thithur lëngje. Kjo do të thotë se shiu dhe lagështia, që depërton në gur, kanë më pak gjasa që të zgjerohen brenda, duke parandaluar dëmtimet e ngricave, të tilla si çarje”, – argumentohet në relacion zgjedhja e tij.

Në relacionin teknik “Transformimi urban në hapësira publike, rajoni 2, projekt-zbatimi – bulevardi i Dibrës” – pranohet dhe dokumentohet shkatërrimi i këtij bulevardi.

Projekti i Bulevardit të ri të Peshkopisë

“Gjendja aktuale e bulevardit të Dibrës është tepër e amortizuar. Gjithashtu, disa fasada dhe një pjesë e trotuareve kanë nevojë për ndërhyrje për rikonstruksionin e tyre”, – thuhet në relacion.

Sipas relacionit, projekti konsiston në rikualifikimin urban të bulevardit, si dhe në ndërhyrje pjesore për rikonstruksionin e fasadave përgjatë tij.

Pse u shkatërrua Bulevardi “Elez Isufi”?

Në vitin 2016 projektin për transformimin e bulevardit kryesor të Peshkopisë, kryeministri, Edi Rama, e përdori për të sulmuar kundërshtarët e tij, politikë, duke e cilësuar një sukses të socialistëve. Në postimin e shpërndarë në Facebook asokohe Rama publikoi edhe pamje të projektit, por zbatimi në terren nuk përputhej me projektin fillestar.

Postim i Kryeministrit Edi Rama në rrjetin Social Facebook

“Kur pamë projektin, kishte edhe një shatërvan në të, por nuk e pamë kurrë në realitet, vetëm në foto”, – thotë Femiu, një tjetër banor i Peshkopisë.

Për ekspertët e ekonomisë shkatërrimi i bulevardit në një kohë kaq të shkurtër tregon keqpërdorim dhe abuzim me fondet publike.

“Dëmtimi i bulevardit në një kohë mjaft të shkurtër e dëshmon cilësinë e dobët të punimeve të realizuara, mungesën e mirëmbajtjes së duhur e profesionale dhe krijon shkak se dëmi mund të jetë edhe pasojë nga një abuzim i mundshëm me fondet publike dhe besimin e qytetarëve”, – argumenton Teuta Nunaj, eksperte ekonomie.

Sipas saj, në këtë rast ri-investimi është i domosdoshëm, por paraprakisht duhej të ishte bërë një hetim nga autoritetet përgjegjëse, për të identifikuar shkaqet dhe fajtorët e dështimit të kësaj vepre publike.

“Kërkesa për fonde të tjera do të duhet të argumentohet paraprakisht nga ana e Bashkisë së Peshkopisë, vetëm pasi të jetë bërë një analizë reale nga ekspertë të fushës mbi gjendjen faktike të bulevardit, shkaqet që çuan në dëmtimin e tij, fizik, nëse ka patur masa dhe cilat kanë qenë ato për të shmangur apo për të zvogëluar dëmtimin e bulevardit. Të nxirren përgjegjësitë konkrete të instancave dhe të individëve, që lidhen drejtpërdrejt me mirëmbajtjen e kësaj pasurie publike”, – thotë ajo.

“Duke qenë një vepër e rëndësishme, publike për komunitetin dhe qytetin, nxjerrja e bulevardit jashtë funksionit e bën të nevojshëm ri-investimin e tij, por gjithnjë pasi të jenë identifikuar shkaqet dhe fajtorët”, – thekson ekspertja e ekonomisë.

Të dhënat e Open Procurement tregojnë se projekti i vitit 2016 është financuar nga buxheti i shtetit dhe është zbatuar nga Bashkia e Dibrës. Lidhja e kontratës është bërë më 29 gusht të vitit 2016 dhe, sipas saj, rikonstruksioni i tij duhej bërë brenda 75 ditëve. Kompania fituese e tenderit rezulton ALKO-IMPEX General Construction sh.p.k., me administrator Arbër Abazin.

Ky projekt është financuar nëpërmjet vendimit të Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve, më 10 mars 2016, nëpërmjet programit të financimit të infrastrukturës vendore dhe rajonale.

Në kontratën e sipërmarrjes së vitit 2016 ndër të tjera nënvizohet: “Kontrata lidhet me një vlerë totale 104,789,063 lekë me TVSH. Në situacionin e fundit Autoriteti Kontraktues mban të palikuiduar vlerën 5% të kontratës për efekt sigurie për riparim defektesh, në afat 24 muaj, duke filluar nga data e aktit të kolaudimit e marrjes në dorëzim të punimeve”.

KLSH konstaton shkelje

Në tetor të vitit 2018, Kontrolli i Lartë i Shtetit njoftonte se kishte kallëzuar në Prokurori ish-kryetarin e Bashkisë së Dibrës, Shukri Xhelili, dhe 4 drejtues të tjerë të këtij institucioni për dëm ekonomik dhe efekt negativ në buxhetin e shtetit nga përdorimi i fondeve publike pa ekonomicitet, eficiencë dhe efektivitet.

Sipas njoftimit të KLSH, shkelje ishin gjetur edhe në projektin: “Rinovimi i infrastrukturës së Bulevardit “Elez Isufi”.

“Është shpallur fitues operatori ekonomik, që rezulton me mungesa të theksuara në dokumentacion”, – argumentonte Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Raporti po ashtu konstatoi se, punimet kanë filluar, para se të dilte leja e ndërtimit.

“Në këto kushte, IMTV duhet t’iu kishte vënë gjobë për ndërtim pa leje, si Bashkisë së Dibrës, po ashtu edhe operatorit ekonomik”, – thotë KLSH.

Ekspertët sugjerojnë se, nëse projektet kanë shkuar keq, riparimi është i domosdoshëm, por fillimisht duhen gjetur fajtorët e abuzimit dhe pastaj të bëhet ri-financimi i projektit.

“Nëse nuk gjenden abuzuesit, atëherë do të kthehet nga abuzimi në abuzim dhe për ta shmangur këtë, duhet ta riparosh patjetër dëmin që është bërë, por duhet ta shoqërosh me një faturë, që t’i shkojë dikujt personalisht; atyre që kanë qenë përgjegjës për projektin”, – sqaron eksperti i ekonomisë.

Për banorët e Peshkopisë po aq i rëndësishëm sa bulevardi është edhe orientimi i projekteve drejt zonave të tjera, të harruara.

“Kush mban përgjegjësi për këtë? Nuk do t’ia dijë njeri, vetëm hidhen lekë kot, kur ka shumë rrugë në fshatra të Peshkopisë, që janë premtuar se do të shtrohen. Duhet vëmendje edhe atje, të ndihmohen edhe këta njerëz. Jam dakord që bulevardi është qendra, duhet rregulluar me patjetër, por të mos abuzojnë në këtë lloj forme”, – thotë Pervizi, banor i Peshkopisë./ina-media

“Burgun e kalasë së Gjirokastrës, ku Ali Pashë Tepelena, mbante armiqtë e tij, komunistët e rikthyen në origjinë”- Dëshmia e ish-të dënuarit politik: Në 5 metër katror gjallonin bashkë të dënuar dhe të paraburgosur politikë, minj e gjarpërinj

Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetë vjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.

 

Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!

  R E P S I

                                                              (Kampi i punës së detyruar)

  Memuaristikë

Takimi i parë

                                                              (Varka e mbytur në stere)

Në zonat periferike ku kryheshin ekzekutimet, banorë të atyre anëve kish rastisur shpesh, t’i gjenin këta fatzinj pas rënkimeve, ende pa u dalë xhani, gjysmë-gjallë apo të xhallavitur copra-copra nga bishat. Nëse qëllonte ndonjë shpirtmirë i ri groposte për sevap, të tjerët i mbulonin me dhe që të mos përhapeshin sëmundje infektive. Por pati edhe nga ata që kur i njihnin, në fshehtësi ua dorëzuan familjarëve. Për këto makabritete, pëshpëritej qysh atë kohë, po sidomos pas viteve nëntëdhjetë, kur njerëzia e zgjidhën gjuhën dhe flisnin ashiqare. Ka dhjetëra raste të dokumentuara nga zhvarrimet, me filmime dhe ato, kur eshtrat janë gjetur të kryqëzuara me tela me gjemba dhe zinxhirë lopësh. Më keq akoma, janë gjetur gjysma skeletesh, eshtra pa koka e koka pa eshtra!

Në krye të këtij kapitulli, fola shkurt për shkaqet e vdekjeve në burgje. Tani do tregoj disa raste konkrete, ashtu si m’i kanë rrëfyer miqtë që kanë asistuar dhe ato që kam parë më sytë e mi. Për rastin e vdekjes natyrale, fola disi, rasti tjetër i përket një vdekjeje për shkaqe banale, për kurim të munguar. Ditën që u njoha me Hashim Toplicën, kur mori vesh se isha nga Berati, pyetja e parë që më drejtoi lidhej me një emër të përmendur njëmijë herë ë bisedat familjare. – “A e ke njoh avokat Estref Myftiun”? – më pyeti Hashimi. – “Jo! – iu përgjigja prerë. – Kam dëgjuar të përflitet shumë, po vet s’kisha nga t’a njihja, kur e dënuan atë unë s’kisha lindur”.

– “Më fal! E drejtë, s’ke pas kah me e njoh, ka kenë nga të arrestuarit e parë të mbas lufte”! – heshti pak, frymë-mori thellë, pastaj vazhdoi: – “E kam pas shoq në burgun e Burrelit, ka kenë nga burrat ma të zgjuet dhe ma të urtë që kam njoft në këtë jetë. Po më ka mbet enigmë, mënyra si asht shue ai rob. E kan eleminue për tri ditë! Ka dek nga apendesiti apo, nji ngatërrim zorrësh, askush s’e mori vesh tamam! – A e din si ka ndodh”? – heshti sërish, kur unë s’iu përgjigja, vazhdoi:

– “Na, atje në burg, kena pas doktorin, ma me nam në Shqypni, Isuf Hysenbegasin, mjek i njoftun ene n’Evropë. Ai ishte specialist i pakonkurrueshëm, po n’mungesë t’mjeteve për ndërhymje kirurgjikale, ishin lidh durt. Në rastin e avokatit, kur duhej me e operue patjetër, ai mbeti i pafuqishëm. Doktori e konstatoi menjëherë dhe ka insistua me dëshpërim, pranë komandës së burgut, për m’e nis sa ma parë në një sallë kirurgjie. Mirëpo komanda, me paramendim apo jo, ç’rëndësi ka kjo, e vonuen dhe kur mbas tri ditësh e çuan në spital, pacienti ishte në grahmat e fundit dhe ndërhymja s’pati sukses, ai vdiq”.

– “Vdiq i helmuem”? – “Jo! Vdiq i vramë, or bir! Ani pse s’e vranë me plumb pushkët, e vranë me mos mjekim në kohë! Ndoshta ia kishin paracaktue me dek brenda në burg, mbase po t’i delte i gjallë, me imazhin e tij prej Krishti të përvujtun, iu prishte punë! Kur doktori mësoi vdekjen e mikut të vet më të afërt, i dëshpëruen në kulm ka klith: – ‘Edhe me thikën e kuzhinës ta kisha operuar, Estrefin do ta kisha shpëtuar! Jam fajtor për vdekjen e tij’! Natyrisht, s’ishte fajtor doktori, ai bëri gjithë ç’mundi, me iu gjind avokatit, siç kishte ba për qindra të tjerë që nëse vazhdojnë me frymue ende, duhet me ju falë nderës atij, doktor Isufit”! – e mbylli ai rrëfimin.

 * * *

Për një rast tjetër, të ngjashëm me të parin, më tregonte miku im Osmar Kazazi: “Në fillim vitet pesëdhjetë, burgjet politikë ishin mbipopulluar së tepërmi, mijra e mijra të pafajshëm dergjeshin në kaushe. Intelektualët të pamësuar me punë krahu, parapëlqenin më mirë ambientet e mbyllura të burgut, se kampet e lemerishme të punës, ku iu duhej të përballonin ngarkesa të lodhshme fizike, për të cilat s’kishin as takat dhe as moshë.

Kështu, pjesa dërrmuese e tyre, me vetëdashje preferonin izolimin në burgje, me gjithë të këqijat e panumërta që iu duhej të përballonin atje, vetëm t’i shpëtonin baltës dhe shushunjave gjakpirëse, në këneta dhe kanalet kulluese e vaditëse. Në kaushe, të paktën ndiheshin më të lehtësuar sepse, kishin mundësi të merreshin me libra dhe studime. Një nga këta intelektualë, që kish vet zgjedhur izolimin si mënyrë mbijetese, ishte edhe ish-ministri i Arsimit i kohës më të ndritshme të Mbretërisë, profesori i shquar, Mirash Ivanaj.

Profesor Ivanajn e dënuan, nën ndikimin direkt të Enver Hoxhës, mbas një takimi aspak miqësor me të. Shkaku ishte fare i qartë; në vitet tridhjetë, kur ishte ministër Arsimi, i kishte prerë bursën studentit dështak, Enver Hoxha, për mungesë rezultatesh. Ngaqë diktatori i mëvonshëm, s’do t’a kapërdinte dot fyerjen e dikurshme, s’do t’ia falte kurrë profesorit këtë fakt. Me të marrë pushtetin, zgjodhi hakmarrjen primitive, pasojat e së cilës do ishin të paimagjinueshme.

Tashmë që ndërruan rolet dhe ish studenti hipokrit, ish bërë kryetar shteti, natyrisht me levat që zotëronte do ta çonte në zgrip jetën e ish-ministrit të suksesshëm. Do t’i qepte si hije njerëzit e tij, që gëlonin ngado, po ta kllaposnin në burg dhe pak muaj para lirimit, inskenuan apo stimuluan një komplikacion zorrësh, shkaktuar nga helmimi (gojët e liga pëshpëritnin se kishin përdorur çianur), ose ushqim të kontaminuar, apo aplikuan qëllimisht mjekimin e pakujdesshëm, gjë që gjithsesi e çoi eruditin në fundin e pashmangshëm, vdekjen e parakohshme.

Kështu e pësoi secili që rrezikonte famën e udhëheqësit të madh, përjashto puthadorët që i bënin hosana dhe i krihnin bishtin me lajka. Kësaj metode, ngaqë e praktikuan në shumë bashkëqytetar, bashkënxënës dhe bashkëluftëtarë të diktatorit që përfunduan, o të ekzekutuar në litar e plumb, o të zhdukur pa adresë, o i eliminuan spitaleve, pa diagnoza të qarta; për të vetmin faj se kishin patur fatin e keq, të kryqëzoheshin udhëve të jetës me të apo, thjeshtë se kishin dijeni për veset e viteve të rinisë së tij, i doli boja shpejt. Për këto hynere, në burgje ishte zgjidhur gjuha, flitej hapur.

Sipas statistikave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Ministrisë së Drejtësisë, të publikuara mbas viteve nëntëdhjetë, rezultojnë 987 persona të vdekur në burgje, pa llogaritur 5.548 të pushkatuarit, shto edhe 308 të shtruarit në spitalet psikiatrike, rrjedhimisht edhe këta të vdekur në mënyrën më mizore, me zhvirgjërim mendor. Numër tepër i konsiderueshëm, për një popull njëmilionësh! Natyrisht format e përdorura nga sigurimi i shtetit për zhdukjen e elementëve të konsideruar armiq të pushtetit të tyre kriminal, qysh nga dita e krijimit të kësaj organizate gjakatare, më 20 mars 1943 dhe deri më 2 korrik 1991, kur u shkri me ligj nga parlamenti i dalë prej zgjedhjeve të ?ara pluraliste, kishin ardhur në përsosje e sipër.

Shumëllojshmëria e torturave që përdorën njerëzit e Sigurimit ndaj kundërshtarëve të regjimit, e kapërcyen ku e ku inkuizicionin. Mbështetur në hulumtimet e historianit Uran Butka, ato e kalojnë numrin njëzet e pesë; po s’jam i sigurt sa i saktë është ky pohim. Gjithsesi, sipas asaj që më kanë rrëfyer miqtë e mi të burgjeve, po dhe me ç’kam parë vetë, ky numër më duket mjaftë i reduktuar. Për këdo që ka kaluar kalvarin e hetuesisë komuniste, e ka fare të lehtë të nxjerrë konkluzione, ngaqë çdo hetues dhe polic, mund të shpikte dhe të aplikonte lloje torturash, krejt origjinale, të panjohura dhe të palançuara më parë, në ndonjë doracak udhëzues. Askush s’mbante shënime dhe s’kërkonin hesap për humbjen e jetës së një të burgosuri politik, ndaj gjithkush mund të sajonte një mundim të ri, të papërdorur asnjëherë.

Për të dalë me një konkluzion të saktë, për numrin e torturave, duhen pyetur një nga një gjithë punonjësit e zinxhirit kriminal të Ministrisë Brendshme, që nga drejtuesit, deri te policët e thjeshtë të burgjeve, po njëkohësisht duhet të ringjallen gjithë të vdekurit, që i hoqën mbi shpinë këto mysybete. Edhe pse në këtë kapitull, nuk synoj të flas për torturat, po për shkaqet që shpinin në vdekje, dashje pa dashje, si pjesë integrale e makinerisë së dhunshme, që çoi drejt gropës, dhjetëra fatkeq, po i përmend shkarazi.

Jo domosdoshmëritë vdekja e dhunshme, mund të shkaktohej nga vet dhunuesit, sepse shpesh i dhunuari zgjidhte si shpëtim, largimin me vetëdashje nga kjo dynja, si mjetin e vetëm që zotëronte, për t’iu shpëtuar turpit dhe dhunës së mëtejshme. Ngjarjen e mëposhtme, ma ka treguar miku im i vjetër i burgjeve dhe pas burgut, Bajram Danushi. Në vitet 1949-1951, Bajrami gjendej i arrestuar në burgun e Gjirokastrës. Vrimat e vdekjes në kështjellë, qysh nga koha e Ali Pashait, nuk funksiononin më si burg, po për njëqindepesëdhjetë vjet, qenë shndërrua në muzeum, ku iu deklamonin brezave barbarizmat e pashembullta që, pashai gjakatar i Janinës, kish ushtruar ndaj kundërshtarët e vet.

Në mes-vitet dyzetë, komunistët xhahilë e rikthyen sërish në origjinë, domethënë e shndërruan në burg. Ndrynë aty kundërshtarët e tyre politikë, të zonave rreth e qark, si nga Delvina, Vlora, Tepelena dhe veçanërisht nga fshatrat rebele të Picarit, Lazaratit, Libohovës dhe gjithë krahinës së Kurveleshit e të minoritetit. Kështu, kapaciteti mbajtës i birucave nga një apo dy persona, që ish projektuar së pari nga konstruktori, tashmë ishte tejkaluar me pesë a gjashtë, deri në dhjetë vetë. Merret me mend, ç’mjerim zotëronte nën at kube të akullta në dimër dhe mbytëse në behar; në pesë metër katror, gjallonin bashkë, të dënuar dhe të paraburgosur politikë, minj, lakuriqë nate, gjarpërinj…, sepse ordinerët i trajtonin më njerëzisht.

Aty nga pesëdhjetenjëshi, në qelinë ku gjendej Bajrami, sollën një vlonjat rreth të tridhjetave, që me tradhti, ende pa i zënë këmbët tokë, kish rënë në duart e komunistëve. Ishte koha kur Sigurimi i Shtetit triumfonte mbi desantët nacionalistë, në saj të lojës së ndyrë të Kim Filbit, agjentit të K.G.B.-së, i infiltruar në radhët e shërbimeve inteligjente angleze dhe amerikane. Vlonjati, një trim i çartur, s’pranonte asnjë lloj bashkëpunimi me organet e Sigurimit. Hetuesit sadist, s’lanë torturë pa provuar mbi të, e merrnin me batanije në kokë ditën dhe natën, e mbanin me orë të tëra nën zihunë, por ai kryeneç siç ishte, refuzonte të tregonte bazat dhe njerëzit që e prisnin.

Një ditë si çdoherë, e sollën nga hetuesia dhe e plasën si thes byku në birucë, por ai heshti dhe hiqte thellë. Shokët e vuajtjeve, shpejtuan t’i vinin lë ndihmë, për t’i lehtësuar sadopak dhimbjet, kush i fërkonte damarët e qafës, kush kyçet e duarve, dikush tjetër i ofronte paguren e ujit të lagte buzët e përzhitura. Edhe Bajrami, si më i riu në qeli, që atë çast ishte më pranë, i flet për t’i dhënë kurajë: – “O Lutfi, po mbahu bre burr i dheut! Je edhe lab me taban”!

Çuditërisht si asnjëherë tjetër, ai s’foli, por vazhdonte të memecëronte. Kur u qetësua disi, dikush e thirri në emër dhe i zgjati kutinë e duhanit. Vlonjati nuk e mori, po ajo që i habiti të gjithë, ishte mënyra si u përgjigj: – “Mos më thirrni më në emër! Pa dalë prej këtu, isha Lutfiu, tashti s’jam më”! – dhe ngashërente në heshtje. Të gjithë u platitëm. Na erdhi shumë ligsht, për atë deli djalë, dukej torturat e kishin luajtur fiqirin”! – tregonte Bajrami.

– “Mbahu a derëzi, në këtë drizë po e lemë leshtë të gjithë! Ama, burrit që është burrë, s’i trembet syri kurrë”! – theu heshtjen një golemas, që pa kaluar muajin, do pushkatohej. – “Ruaje veten a derman, se gruaja qan, po burri mban”! – ndërhyri një hokatar lazo, që bashkë me të parin, pas një muaji do pushkatohej edhe ai. – “Më mirë një plumb në kaplloqe, se sa një shqelm në koqe”! – u tall një salariot, që i mbante duart të bashkuara nën ushkurin e potureve, sepse para ca ditësh i kishin shkulur me pinca gjithë thonjtë. Të tre bashkë, ja muarën këngës: “Mora rrugën për Janinë, isha vetëm, eee…! Bashkë me arabaxhinë, epo natën,eee…”, jehona e isos labe, ushtoi kubeve të gurta.

Të tjerët në qelitë pranë e vijuan dhe kënga u përhap tej e tej kështjellës. Po edhe kjo nuk pati efekt, vlonjati vazhdonte sërish ngashërimet dhe s’bëzante. Aty nga mesnata, dëgjova prapë ngashërimat e tij, s’e shpjegoj dot si u ndjeva, kur ai burrë shfrente gjithë vrerin që i ishte mbledhur në gjoks. – “Bajram po fle”?! Ne flinim brinjë më brinjë dhe pëshpërima e mekur e tij më fshiku veshin. – “Jo, nuk më zëka gjumi sot”! – ia ktheva. – “Po ti pse s’fle?! Fli a derëzi, të qetohesh”?

Mirëpo toni që i shpreha këto fjalë, e shtyu më tepër të fliste: – “Për ç’qetësi zeza dhe gjumë-ziun më flet, që fjetsha të madhin”! – shfreu i pizgosur. – “Mbahu Luti”! – i dhashë zemër unë. – “E ç’Lut mavria më thua, o Baro! Gjer dje isha Luti, nashti jam muti! E more vesh apo jo? Jam muti, ore”! – më shfryu gjithë mllef në surrat, si të më hidhte sipër gjithë të pëgërat e globit, sikur të isha unë shkaktari, i gjithë fatkeqësive të tij.

Heshti. Pas pak ia nisi sërish, më butë: – “Më fal, Baro vëllai, se po më pëlcet xhani, s’durokam dot më”! – frymonte me zor, pastaj vazhdoi: – “Dje më morën në hetuesi, si çdo ditë, po s’më torturuan me hu, si gjithmonë! Jo or burr, përkundrazi, s’më dhanë dajak fare! Dy policë trupmëdhenj më zunë, një për këmbësh e një për koke dhe më shtrinë mbi një bankë druri, më kryqëzuan si Krishtin me litarë, duar e këmbë dhe më zhveshën lakuriq, si më kish bërë nëna. Kokën e kisha të lirë, mund ta çoja dhe ta ulja si të doja. Në fund të bankës, kishin fiksuar një shufër çeliku të trashë, afër sa një kalem dhe të gjatë deri pranë tavanit.

Në majë të saj kishin lidhur një tel të hollë, si ato fijet që përdoren për leqe, që zënë dhelpra dhe kunadhe. Hetuesi, një mall me mbiemër Mezini, u qas mbi mua, kapi shufrën dhe e përkuli dhe e ngeci diku në një kllapë në cepin e bankës, fijen e hollë ma lidhën lak, mender, kokën e penisit tim. Kur pashë skenën u tmerrova, por mendoja se e bënë të më frikësonin; s’mund ta besoja se mendja njerëzore mund të pillte nga këto marifete! Hetuesi e lëshoi majën e shufrës nga kllapa, ajo me forcën e një shigjete, del nga foleja e harkut të ndehur deri në zgrip, u ngjit lartë edhe trupi i, i tërhequr me vrrull nga laku i fiksuar në organin tim, u çua peshë si e sustë. O Zot i madh, ç’farë dhimbje! E llahtarshme, therëse, djegëse, përcëlluese! Gjithë pesha e trupin tim të harkuar si gjimnastët, varej në ë fije teli, të lidhur në kokën e penisit.

U ndjeva i përdhunuar! S’e imagjinon dot sa kam ulëritur nga dhimbja e padurueshme, gjaku gurgullonte mbi nën-bark dhe shallët m’u ngjyrosën me të kuqe. Mushkrit sikur m’i kishin mbushur me acid shkatërrues, s’frymoja dot, zemra fërgëllonte si zog i plagosur, dhimbja sikur më gërreu kafkën e, më paralizoi çdo qelizë të trupit. Hetuesi më la pezull disa çaste, pastaj e përkuli shufrën dhe e fiksoi sërish në kllapë. M’u afrua dhe m’u hakërrua mbi hundë: “Eh, po tani, do tregosh kush të priste dhe ku i kishe bazat”? S’më la kohë të përgjigjesha, po e lëshoi. Sakaq, shufra më tërhoqi dhe njëherë lart me vrullin e mëparshëm. Tashmë dhimbja kaloi çdo kufi, u zalisa. Sytë m’u lëbyrën, shihja vetëm kuq. S’di në më kish zënë gjaku apo, m’u err shikimi. Truri u vu në alarm, në një çakërrdi totale dhe ‘u errësua arsyeja.

– “Pushoni pak, se u lodhët”! – dëgjova hetuesin të urdhëronte vartësit, pastaj e përkuli edhe njëherë shufrën dhe e fiksoi në kllapë. – “Ta shohim këtë karafilin e Amerikës, a do kujtohet më për ato kurvicat e zeza të Bruklinit! Me kë donte të tallej, ky biçim”! Më tmerroi mendimi se ai mund ta lëshonte shufrën dhe mandej… dhe pse në gjendje të rënduar, shpejtova të flas: – “Aman, se vdiqa, bëni ç’të doni vetëm liromëni”! – iu luta dhe me vërtetë do bëja ç’të donte ai, mjafton t’i shpëtoja asaj torture të padurueshme. – “Mirë, çlirojani duart”! – iu kthye rojeve. – “Firmos këtu”! – më zgjati një e letër. Zgjata shpejt duart drejt letrës dhe e rrëmbeva, sikur te ajo letër të varej fati im. Dhe vërtetë, atje varej jeta ime. E firmosa pa e lexuar ç’shkruhej. Frika se mos atij i ndërronte mendja dhe e lëshonte edhe njëherë shufrën e çeliktë, më nxiti të shkarravisja ashtu siç isha, në kurriz. Ndërkaq ai urdhëroi policët të më zgjidhnin dhe të më ulnin në një koritë me ujë.

Më shtinë në govatë si çiliminjtë e vegjël. Në fillim, kontakti me ujin më shkaktoi djegie dhe përcëllima të forta, më pas sikur u qetësova. Edhe pse uji ishte skuqur me gjak, s’më bëhej të ngrihesha. Qetësia e atij çasti, sikur më koti për gjumë, u plogështova, m’u kapitën sytë dhe koka m’u var mbi gjoks. Por hetuesi, s’më la të zhytesha në harresë, më kapi nën mjekër, më çoi kokën e m’u ngrefos: – “S’para i ndyj duart me xhinsin tuaj unë, kur kam mashën pse të djeg dorën”! – tundi shufrën në majë të së cilës lëkundej kërcënueshëm, fija e hollë e lakut të torturës.

E mora mesazhin që donte të më përcillte, m’u ngjeth sharra e kurrizit. Kur e pa që s’reagova, ai vazhdoi pa u ngutur: – “S’i thua, ke qejf të nisim që sot apo nesër me nge”? – “Nesër, jam i rraskapitur! – ia preva shkurt, sepse po kthjellohesha, mendoja firmën që hodha dhe gjithë ankth, diku mbi kokën e tij, këqyrja lakun që përdridhej në majën e shufrës. – “S’më prish asnjë punë, atë që desha e mora”! – bëri ai dhe më tundi para syve fijen e kartës që kisha firmosur pak më parë.

Ajo copëz letre që fërgëllonte si krah i këputur future, në duart e hetuesit mizor, m’i futi më thellë dridhmat. S’e dija ç’kisha katranosur me firmën time. Nën efektin e tronditjes psikike, kisha nënshkruar kuturu. Bashkëpunimin apo ndoshta edhe vdekjen time? S’e di! Po fundja, ç’vlerë ka jeta ime, kur mendoj se sa të tjerë do merren më qafë, nga ajo firmë e pavullnetshme! Ndaj të thashë: – Para përdhunimit isha Luti, tani pas nënshkrimit, jam muti”! – ai heshti.

Në gjysmë terr ndjeja frymëmarrjen e tij, fillimisht si gulçim, pastaj më të lehtë dhe në fund sikur u qetësua. E kaploi gjumi, duket shpirtit të tij i nevojitej kjo shfreje dufi, që të lehtësohej. Atë natë e kalova pothuaj pa gjumë, duke sjellë e pështjellë ndër mend, atë që dëgjova nga goja e atij burri të ashpër. Në mëngjes rreth orës shtatë, na nxorën në pajtozin e mëngjesit, siç hej koha e ajrimit dhe për nevojat personale.

Lutfiu flinte, ndoshta torturat e ditës së shkuar e kishin kapitur, kish ojë për qetësi. Iu bëra shenjë shokëve, të mos e zgjonim, se mbase ish më mirë. Kështu bëmë, dolëm pa zhurmë, njëri pas tjetrit. Kur mbarova tualetin personal dhe shpiva këmbët, duke rendur rreth e qark sheshit të kufizuar; mbusha pagurët me ujë dhe i çova në qeli. I lashë në prag të derës dhe renda sërish jashtë, të merrja qypat e shurrës që i kisha larë dhe i kisha ndehur në shullë, t’iu dilte era e qelbur e amoniakut.

Me enët në duar u riktheva në qeli. Brenda heshtje dhe terr. Pulita sytë që s’po më ambientoheshin dot me mugëtirën e mureve të gurta të birucës. Qorrazi iu drejtova vendit ku duhej të flinte Luti, ta zgjoja të vinte në banjo, sepse dita ishte e gjatë dhe pas dymbëdhjetë orësh, vinte radha të dilnim në pajtoz e në nevojtore. Me duar shtrirë, kërkova me tahmin por s’prekja asgjë. Shtrati ishte bosh; “do jetë ngritur dhe ka dalë”, mendova. Atë çast, as më shkonte mendja te e liga.

Pas pak, sytë nisën të mësoheshin me terrin, kur ç’të shoh? Para hundës time, dy këmbë përpëliteshin të tendosura. Mbi kokë më kuluvarej, ish shpërfytyruar, me gjuhën jashtë dhe sytë të zgurdulluar, Luti…! O Zot! E zura poshtë gjunjëve dhe e ngrita hopthi, siç ngremë një ftujë. Laku u ç’tendos, po gjuha ngeli e zgjatur, varur në cep të gojës dhe aq, një gulç gjaku i shpërtheu nga fyti, tashmë i çliruar, me presion. I lebetitur lëshova një klithmë të fortë që kubetë e gurta në barkun e shtjellës, e shumëfishuan dhjetëfish. Jehonën e dëgjuan shokët jashtë që u sulën turravrap. Memorie.al

Beteja me zjarret masive në Athinë, zjarrfikësi i rraskapitur kërkon të marrë frymë për disa minuta. Fotoja bëhet virale

Një betejë titanike dhe e pabarabartë po zhvillojnë qindra zjarrfikës që prej ditës së djeshme në orën 15:00 me zjarrin në verilindje të Atikës që fillimisht u shfaq në zonën e Varnavasit dhe tashmë ka arritur në Penteli duke kërcënuar edhe Nea Makrin, pranë Athinës.

 

Siç tha  përfaqësuesi i shtypit i departamentit të zjarrit në përditësimin e tij të parë të hënën në mëngjes, “të gjitha forcat e Mbrojtjes Civile luftuan fort gjatë gjithë natës dhe pavarësisht përpjekjeve mbinjerëzore, zjarri u zhvillua me shpejtësi”.

Një shprehje më tipike e kësaj fraze është imazhi i kapur nga kamera jashtë spitalit të fëmijëve Penteli, nga i cili është dashur të largohen gjithsej 29 fëmijë.

zjarrr

3444

Kujtohet se 510 zjarrfikës me 16 grupe komando pyjore dhe 152 automjete, si dhe një numër i madh vullnetarësh po punojnë në frontin e madh të zjarrit në verilindje të Atikës, me ndihmën e të gjitha agjencive përkatëse.

“Duhet të mposhtim Trump”- Biden shpjegon arsyen pse u largua nga gara për Shtëpinë e Bardhë: Beteja brendapartiake për kandidaturën time do të shpërqendronte demokratët

Presidenti i SHBA Joe Biden ka deklaruar se hoqi dorë nga gara për t’u rizgjedhur sepse kishte frikë se beteja brendapartiake për kandidaturën e tij do të ishte një “shpërqendrim i vërtetë” për demokratët dhe se prioriteti i tij më i lartë ishte të mposhtte Donald Trump në nëntor.

Në intervistën e tij të parë që nga largimi nga gara, Biden deklaroi se nuk kishte asnjë problem serioz me shëndetin e tij.

Presidenti amerikan u zotua se do të bëjë fushatë për Kamala Harris. “Ne duhet, ne duhet, ne duhet të mposhtim Trump”, tha ai për CBS News.

“Dhe unë isha i shqetësuar nëse do të qëndroja në garë. Ju do të më intervistonit, pse tha Nancy Pelosi, pse e bëri këtë – dhe mendova se do të ishte një shpërqendrim i vërtetë.”

Ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, u raportua gjerësisht se ka udhëhequr përpjekjet për të rrëzuar Biden, një pretendim që ajo nuk e ka mohuar, pas  performancës së tij në debat kundër Trump më 27 qershor.

Gjatë intervistës së regjistruar paraprakisht dhe të transmetuar të dielën, Biden foli gabim disa herë, por në përgjithësi dukej më koherent se gjatë debatit të drejtpërdrejtë televiziv.

Dhunimi për vdekje i 42-vjeçarit në Pogradec, gazetari Çelmeta zbardh detaje mbi ngjarjen e rëndë: Ja dyshimi mbi veprimet e policisë

Gazetari Igli Çelmeta ka zbardhur detaje të reja në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur dy ditë me parë në qytetin e Pogradecit, ku u dhunua për vdekje 42-vjeçar Eglantin  Proga, nga i riu Denis Meçe.

 

Proga humbi jetën si pasojë e dhunës, ndërsa Policia dha njoftimin e parë zyrtar lidhur me ngjarjen e rëndë, mëngjesin e së dielës, ku bëhej e ditur arrestimi i autorit të dyshuar dhe 3 personave të tjerë për “moskallëzim krimi”.

Çelmeta i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, tha se kemi pasur raste kur policia jep njoftime zyrtare për ngjarje nga më banalet, ndërkohë që nuk dha njoftim zyrtar lidhur me një krim të tillë.

Personi i dyshuar si autor i krimit ka lidhje me një personazh që ka lidhje politike, që ka pushtet në Pogradec, dhe kjo mund të jetë arsyeja sepse nuk patëm një njoftim zyrtar”, tha gazetari, duke ngritur dyshime për atë se çfarë ndodhi në raport me policinë.

Çelmeta tha se ajo që e bën akoma më të rëndë ngjarjen është fakti se viktima ka qëndruar rreth 30 minuta i shtrirë në rrugë dhe nuk i është dhënë ndihma e parë.

Në vitin 2024, në një qytet si Pogradeci të mos shkojë një ambulancë kur ka një person të shtrirë në rrugë, kjo është e pafalshme.

 Sot Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar nisjen e një inspektimi lidhur me veprimet e policisë, si u veprua në orët e para pas ngjarjes, çfarë ndodhi, pse nuk u raportua ngjarja”, tha Çelmeta.

Ai tha se nga ekspertiza paraprake mjeko-ligjore është vërtetuar se i ndjeri është dhunuar, nga pamjet filmike duken veprimet e dhunshme të 29-vjeçarit Meçe ndaj 42-vjeçarit.

“Policia ende nuk na ka dhënë arsyen e krimit, çfarë ka ndodhur, a është kërcënuar më parë viktima nga autori?

Autori i arrestuar i dyshuar për krimin njihet si personazh problematik, por për shkak se një i afërm i tij ka pushtet politik, ka dyshime se ka pasur një tentativë për të fshehur ngjarjen.

Rreth 5 orë e 30 minuta pasi ka ndodhur ngjarja, Policia ka shoqëruar autorin e dyshuar, më pas janë shoqëruar edhe 3 persona të tjerë, ku njëri prej tyre është thyer para grupit hetimor dhe ka treguar”, tha Çelmeta.

Ai tha se dyshimet lidhur me policinë nisën pasi pse duhen kaq shumë kohë për të zbardhur ngjarjen, kur kamerat kanë fiksuar atë që ka ndodhur. Referuar një dëshmie të dhënë nga motra e viktimës, Çelmeta tha se asaj iu tha se vëllai ndërroi jetë pasi ishte rrëzuar, gjë që nuk ishte e vërtetë.

Gazetari tha se nuk arrinte të kuptonte sepse policia nuk e transportoi vetë në spital 42-vjeçarin por u la për 30 minuta në rrugë, në gjendje të rëndë.

Ajo që dyshoj është se mund të ketë pasur konflikte të mëparshme, por kjo duhet të zbardhet nga grupi hetimor”, tha ai.