21.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

A ka shpërthim të virusit “Ethet e Nilit” në Shqipëri? Epidemiologët: Janë rreth 3 mijë persona të infektuar, ja sa është përqindja e humbjeve të jetëve

Prej disa javësh, përveç vendeve të Europës dhe rajonit, edhe në Shqipëri po qarkullon virusi i “Etheve të Nilit Perëndimor”.

 

Sipas mjekëve virusi transmetohet te njeriu nëpërmjet pickimit të mushkonjave të infektuara. Mushkonjat e marrin virusin nga gjaku i zogjve të infektuar me këtë virus. Zogjtë janë dhe mbartës të virusit. Teksa nuk ndodh transmetimi i infeksionit mes njerëzve.

Në Shqipëri, sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Shëndetit Publik, u raportua se në 5 Gusht janë shënuar 3 raste me humbje dhe janë 17 të infektuar. Ndërsa dyshohet për 12 raste të tjera.

Sipas mjekut epidemiolog Ilir Alimehmeti, në vend mund të jenë të infektuar rreth 3 mijë persona. Sipas tij virusi shfaq sëmundjet e rënda të meningjit dhe encefalit vetëm në 1% të rasteve të prekur, ndërsa shkalla e fatalitetit është 0,1% për 1 mijë raste.

Epidemiologu i njohur Alimehmeti shton se situata nuk është shqetësuese, përderisa nuk ndodh transmetimi i virusit nga njeriu te njeriu dhe në 80% të rasteve nuk shfaqin simptoma.

“Në 80% të rasteve prekja është pa simptoma. Në 20% të rasteve shkakton temperaturë, dhimbje koke, të vjella apo dobësi muskulore. Nuk ka terapi specifike për këtë virusi. Në rast të shfaqjes të këtyre simptomave, pacientëve iu rekomandohet të qëndrojnë në shtëpi dhe të përdorin medikamentet për uljen e temperaturës.

Vetëm në 1% të rasteve mundet të manifestohet me prekje të sistemit nervor qendror, si encefaliti dhe meningjit. Për këto raste bëhet shtrimi në spital. Për pacientin menjëherë është i nevojshëm hospitalizimi.

Ndërsa fatalitetit janë shumë të rralla sa 0,1% në 1,000 raste të prekura nga infeksioni. Pra çka do të thotë 1 humbje jetë për 1,000 të prekur. Në vend deri tani janë raportuar 3 raste me humbje jete çka do të thotë që numri i të prekurve nga virusi arrin deri në 3 mijë raste”, pohon ai.

Rasti i parë në botë më infeksion u izolua për herë të parë në zonën e Nilit Perëndimor në Uganda në vitin 1937, nga ku mori edhe emrin.

Mjeku Alimehmeti thotë se rastet e prekura nga infeksioni si në vendet e Europës edhe në Shqipëri kanë qenë prezentë në dekadën e fundit mbështetur edhe te të dhënat e raportuara nga ESDC (European Centre for Disease Prevention and Control).

“Shpërthimet epidemike te njerëzit nga infeksioni i “Etheve të Nilit” kanë qenë prezentë në dekadën e fundit në Europë, përfshirë edhe Shqipërinë. Sivjet ka rritje të infektimeve rreth 35% më shumë në Europë dhe rajon krahasuar me vjet. Pse sivjet ka shtim të rasteve? Një ndër arsyet mund të jetë se po bëhen më shumë testime”, pohon ai.

Më 30 qershori 2023, ESDC raportoi se në vendet e Bashkimit Europian u shënuan 1,133 raste njerëzore të prekura nga virusi i Nilit Perëndimor, duke përfshirë edhe 92 raste me vdekje.

Më pas më 6 dhjetor 2023, u raportuan 707 raste të infeksionit Ethet e Nilit Perëndimor në vendet e BE-së, si: në Itali (336), Greqi (162, nga të cilat 1 rast me vend të panjohur infeksioni), Rumani (103 ), Franca (43), Hungaria (29), Spanja (17), Gjermania (6), Kroacia (6) dhe Qiproja (5).

Në këtë periudhë janë raportuar 67 vdekje në Itali (29), Greqi (23), Rumani (12) dhe Spanjë (3). Vendet fqinje me BE-në kanë raportuar 93 raste me prekje të infeksionit ku 91 raste u shënuan në Serbi dhe 2 në Maqedoninë e Veriut. Në Serbi pati edhe 2 vdekje.

Në 10 shkurt 2022 në vendet e BE-së u raportuan 164 raste me virusin e Nilit Perëndimor (West Nil Virus) nga 159 raste që u shfaqën në të njëjtën periudhë në 2021. Për 2021 pati 10 vdekje.

A duhen të kryhen testet laboratorike për virusin Ethet e Nilit? Çfarë thonë mjekët

Duke qenë se nuk terapi specifike për kurimin e virusit, as vaksinë për njerëzit dhe për rastet e rënda nevojitet hospitalizimi për mjekun epidemiolog Ilir Alimehmeti nuk është e nevojshme që njerëzit të kryejnë testime.

“Kryerja e testimit nuk tregon asgjë për mua si mjek, pasi nuk ka një kurë specifike për virusin. Në 20% të rasteve që ky infeksion shfaq simptoma, si: dhimbje koke, të vjella apo dobësi muskulore, pacientëve iu rekomandohen të njëjtat këshilla dhe medikamente si në rastet e viruseve të tjera dhe të qëndrojnë të qetësohen në shtëpi. Mbi të gjitha virusi nuk transmetohet te njeriu kështu që nuk ka vend për shqetësim”.

Sakaq në klinikat private në vend ka nisur të ofrohet kryerja e testimeve për analizën e antikorpeve. Mjeku Vasil Llajo njëkohësisht dhe administratori i rrjetit të laboratorëve “Intermedica” tha se testet Laboratorike qe kryhen në këteë rast janë antikorpet IgM dhe IgG.

“Antikorpet IgM shfaqen 8 ditët e para pas prekjes nga virusi. Bëhen në gjak dhe në likidin cerebrospinal ( për të sëmurët që kanë prekje te sistemit nervor qendror).

Analiza e antikorpeve IgM është analiza e parë e cila kryhet të pacientët që kanë shfaqur simptoma. Vlen të theksohet se nëse pacienti nuk ka simptoma, nuk rekomandohet kryerja e këtyre testeve.

Prezenca pozitive e IgM ( IgM pozitiv) tregon se pacienti është i prekur nga virusi. Nëse prezenca e antikorpeve IgM del negative, kjo analizë përsëritet pas disa ditëve.

Gjithashtu bëhet dhe IgG , njëkohësisht me IgM . Kur të dyja janë pozitive tregon prekje të tanishme të organizmit nga ky virus. Prezenca vetëm e IgG ( IgG pozitiv) tregon një prekje më të hershme nga virusi, muaj ose vite me parë”, pohon ai.

Sipas tij periudha me e zakonshme e shfaqjes së kësaj patologjie lidhet me periudhën e shumëzimit dhe shfaqjes së mushkonjave dhe rekomandohet marrja e masave për luftën kundër tyre./Monitor

Nga Free Berisha tek Free Noizy!

Nga Ermal Peçi

Staniacioni i pafundëm shqiptar ka prodhuar efekte apo transformime të shumta sociale, kalimi nga komunizmi në një formë të demokracisë hibride ka prodhuar një sërë pasojash tek shoqëria shqiptare.
Mos ngritja e institucioneve, mungesa e besimit, mungesa e drejtësisë, parcelizimi i pushtetit ka krijuar një çoroditje sociale dhe një mos kuptim i asaj se çfarë është demokracia dhe ligji për pjesën më të madhe të shoqerisë.
Në dy dimesione të ndryshme, nga dy fusha të ndryshme, sot janë dy personazhe, të cilët kërkojnë liri, një është Sali Berisha dhe i dyti është këngëtari Rigels Rajku me emrin e artit Noizy.
Në fakt të dy kanë histori të ndryshme, por fabula është e njëjtë, para se të flasë drejtësia, të dy kërkojnë liri.
Berisha e kërkoi vetë arrestin në shtëpi duke thyer 3 herë masën për detyrim paraqitje nga GJKKO.
Janari e në vazhdim poshtë ballkonit të tij mblidhen nostalgjikët mbi 60 vjeç e sipër dhe borxhllinjtë që e kanë karrierrën politike ose pasurinë e krijuar vetëm falë tij. Mblidhen çdo ditë për të vazhduar teatrin që i nevojitet duke sulmuar Sorosin, duke sulmuar SHBA, duke folur për çdo gjë tjetër vetëm për marrëveshjet që ai bën me Ramën nuk flet.

Një sherr i zhvilluar në Pejë në një diskotekë ku ka ngelur i dhunuar Med Iseni ai ka drejtuar gishtin nga Noizy edhe grupi i tij. Një kallzim penal, i cili i ka ndaluar Noizyt veprimtarinë e tij muzikore, ka sjellë dhe një reagim të fansave, por dhe të këngëtarëve që ai ka bashkëpunuar.
Nuk ka ngelur bashkëpunëtor muzike I cili në koncertin e tij apo në rrjetet sociale nuk ka publikuar free Noizy apo ta ketë thërritur me zërin e vet.

Vajza u vdiq një muaj më parë në gomonen e mbipopulluar, familja e 21-vjeçares: Do të tentojmë sërish të kalojmë Kanalin Anglez, nuk kemi zgjidhje tjetër

Një nënë nga një pakicë arabe pa shtetësi thotë se ajo dhe familja e saj nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të përpiqen të kalojnë përsëri Kanalin, pavarësisht vdekjes muajin e kaluar të vajzës së saj të madhe në një përpjekje të mëparshme.

 

Dina Al Shammari, 21 vjeç, po udhëtonte me prindërit dhe tre vëllezërit e motrat adoleshentë kur u shtyp për vdekje në një gomone të mbipopulluar në brigjet e Calais më 28 korrik.

Nëna e saj, Amira Al Shammari, 52 vjeç, tha se familja mbërriti në Francë në fillim të muajit të kaluar dhe kishte tentuar të kalonte pesë herë para natës që vajza e saj vdiq.

Familja që është Bidoon, një pakicë arabe pa shtetësi, u largua më parë nga Kuvajti në vitin 2018. E pyetur nëse familja do të përpiqej përsëri të shkonte në Mbretërinë e Bashkuar, Al Shammari tha: “Nuk kemi mundësi këtu, ku duhet të shkojmë? Kush do të na japë mbrojtjen? Duhet ta provojmë përsëri.”

Ajo tha se familjes i ishte thënë se do të ishin 60 persona në bordin e gomones, por në ditën e kalimit ata zbuluan se ishin dyfish më shumë.

Duke folur për agjencinë e lajmeve PA nga Calais përmes një përkthyesi, Al Shammari tha: “Gomonia ishte aq e mbushur me njerëz. Dina ishte e para, ajo vrapoi në gomone sepse donte të shkonte në Mbretërinë e Bashkuar sa më shpejt të ishte e mundur. Më pas ata e ndoqën, e kapën dhe e shtrënguan. Ajo nuk mund të merrte frymë dhe filloi të bërtiste.”

Capture

Al Shammari tha se gomonia ishte në det për rreth një orë para se rojet bregdetare franceze t’i arrinin ata. Ajo tha se disa në varkë kishin kërcënuar familjen dhe shoferin me thikë që të vazhdonin në vend që të thërrisnin ndihmë. Kur roja bregdetare arriti në gomone, vajza e saj nuk po merrte më frymë, tha Al Shammari.

Sipas prefekturës detare franceze, 34 persona u shpëtuan nga anija “e ngarkuar rëndë” rreth orës 5:30 të mëngjesit, ndërsa të tjerët në varkë refuzuan ndihmën dhe vazhduan udhëtimin për në Mbretërinë e Bashkuar.

Një hetim për vdekjen po vazhdon në Francë. Në Mbretërinë e Bashkuar, Agjencia Kombëtare e Krimit arrestoi dhe liroi një 29-vjeçar egjiptian me dyshimin për lehtësimin e imigracionit të paligjshëm, në lidhje me kalimin.

Familja e Al Shammari është duke pritur që trupi i Dima të lirohet nga autoritetet ndërsa po mblidhen fonde për të ndihmuar në pagesën e varrimit të saj nga organizata franceze Groupe Deces.

Deri më tani këtë vit, 17 persona kanë vdekur në Kanal, sipas raporteve të konfirmuara nga roja bregdetare franceze nga operacionet e shpëtimit.

Varfëria në vend! 60% e familjeve në Shqipëri s’kanë para të përballojnë shpenzime të papritura

60% e familjeve në Shqipëri mund të kenë likuiditet të mjaftueshëm për të kaluar muajin, apo për të bërë aktivitetet e tyre të pritshme.

Por, nëse ato do të përballen me shpenzime të papritura si p.sh. një sëmundje apo problem tjetër, ata nuk do të ishin në gjendje ta përballonin.

Materiali “A janë familjet shqiptare financiarisht të brishta”, nga Elona Dushku, Departamenti i Kërkimeve, në Bankën e Shqipërisë ka analizuar brishtësinë financiare të familjeve shqiptare bazuar në aftësinë e familjeve për të përballuar një shpenzim të papritur, si dhe analizon krahas treguesve socio-ekonomikë (si: mosha, gjinia, borxhi), rolin e kompozimit të portofolit të aktiveve të familjeve.

Familjet financiarisht të brishta janë ato familje që mund të përballojnë shpenzimet e pritshme, por nuk kanë likuiditet të mjaftueshëm për të përballuar shpenzimet e papritura.

Duke përdorur të dhënat e marra nga raundi i parë i Vrojtimit të Pasurisë së Familjeve në Shqipëri, është vlerësuar se 60% e familjeve në Shqipëri konsiderohen financiarisht të brishta, pra janë familje që nuk kanë likuiditet të mjaftueshëm për të përballuar një shpenzim të papritur, në masën e medianës së të ardhurave totale të familjeve.

Vlerësimet e marra nga regresionet multinomiale tregojnë se probabiliteti i familjeve për të qenë financiarisht të brishta lidhet negativisht me nivelin e arsimimit të personit referues, vlerësohet në studim.

Gjithashtu rezultatet tregojnë se aksesi financiar dhe lidhjet familjare zvogëlojnë gjasat që familjet të jenë financiarisht të brishta, sipas BSH.

Të dhëna të tjera të INSTAT tregojnë që një familje shqiptare çon mesatarisht 40% të shpenzimeve totale vetëm për t’u ushqyer. të dhëna të tjera të Eurostat tregojnë se buxheti që shpenzojmë për t’u ushqyer është më i larti në Europë.

Ky është një tregues indirekt i varfërisë, teksa shpenzimet për ushqime janë një nevojë ekzistenciale e domosdoshme. Teksa ushqimi merr pjesën kryesore të buxhetit, mbetet pak likuiditet për të përballuar nevoja të tjera, sidomos ato të paparashikuara.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se një familje europiane shpenzon mesatarisht për ushqime 13.6% të totalit, ose tre herë më pak sesa në Shqipëri.

Edhe në vendet e rajonit ky tregues është më i ulët, ku nivelin më të ulët e ka Serbia (24.1%), Mali i ZI (27.2%), Maqedonia e Veriut (30.6% për vitin 2019), Bosnjë-Hercegovina (32.2%). Të dhënat për Kosovën mungojnë, por treguesit e mëparshëm ishin më të ulët sesa të Shqipërisë.

Shpenzimi i një pjese të konsiderueshme të buxhetit lë më pak hapësirë për aktivitete të tjera. P.sh., për argëtim dhe kulturë, një familje europiane shpenzon 8.4% të buxhetit, ndërsa një familje shqiptare vetëm 2.7%.

Për restorante Europa shpenzon 8.5% ndërsa Shqipëria 7.3%.

Më i lartë është buxheti për komunikim, me 3.9% në Shqipëri kundrejt 2.3% mesatarja eurpiane për shkak të çmimeve më të shtrenjta.

Europa shpenzon më shumë për banesën, ujë, energji elektrike, qira të paguar, me 24.1% të totalit, përkundrejt 9.8% të familjeve shqiptare./Monitor

Pamjet/ U dhunua brutalisht nga 29-vjeçari, publikohen momentet e fundit të jetës së Egli Progës që u la pa ndjenja në rrugë

Këto janë momentet e fundit të jetës së 42-vjeçarit Egli Proga, i cili u dhunua brutalisht pasditen e së shtunës (10 Gusht) dhe u la pa ndjenja në mes të rrugës në lagjen nr.1 të qytetit të Pogradecit.

Autori i dyshuar i ngjarjes është 29-vjeçari Denis Meçe, i cili akuzohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta është konfliktuar fizikisht me viktimën jashtë ambienteve të një lokali.

Gjatë sherrit 42-vjeçari është rrëzuar në tokë pa ndjenja dhe për pasojë ka ndërruar jetë.

Pas konfliktit i riu është larguar nga vendi i ngjarjes, por është vendosur në prangat e policisë për veprën penale “Vrasja me dashje”.

Ndërkohë janë arrestuar edhe tre shtetas të tjerë Voltan Shulku, Arian Manellari, Leonidha Guçe për moskallëzim krimi.

Njoftimi i policisë:

Pogradec/ Konfliktohet për motive të dobëta me një shtetas dhe gjatë konfliktit i shkaktoi dëmtime me pasojë vdekjen, kapet dhe vihet në pranga nga Policia autori i dyshuar.

Në pranga edhe tre shtetas të tjerë për moskallzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Në lagjen nr. 1 Pogradec, gjatë një konflikti për motive të dobëta shtetasi D. M., 29 vjeç, dyshohet se jashtë ambienteve të një lokali është konfliktuar fizikisht me shtetasin E. P., 42 vjeç, i cili gjatë konfliktit fizik është rrëzuar në tokë pa ndjenja dhe për pasojë ka ndërruar jetë.

Shtetasi D. M., 29 vjeç, pas konflikt është larguar nga vendi I ngjarjes por falë reagimit në kohë të Policisë u bë e mundur kapja dhe arrestimi i tij për veprën penale “Vrasja me dashje”.

Në vijim të veprimeve për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje, shërbimet e Seksioni për Krimet Kundër Personit në DVP Korçë në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasit:

V. S., 40 vjeç, A. M., 55 vjeç, dhe L. G., 47 vjeç, për veprat penale “Moskallzim krimi”, dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Këta shtetas kanë qenë të pranishëm kur ka nodhur ngjarja dhe nuk kanë kallzuar krimin duke penguar zbardhjen e së vërtetës.

Materialet proceduriale i kaluan Prokuroris pranë Gjykatës së shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.

Reagim i PD-Demokratët Euroatlantikë: Shpërthimet e zjarreve në të gjithë territorin e Shqipërisë, pasqyrë e trishtë e dështimit të Qeverisë për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve

PD-Demokratët Euroatlantikë kanë reaguar në lidhje me situatën e rënduar të zjarreve. Anëtari i Kryesisë, Myzafer Elezi, përmes një postimi në facebook shprehet se kjo është pasqyrë e trishtë e dështimit të Qeverisë për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve.

Elezi shprehet se 19 vatra zjarri mbeten ende aktive, ndërsa përpjekjet për t’i shuar ato janë të pamjaftueshme dhe shpesh të penguara nga mungesa e burimeve dhe planifikimit të duhur.

Ai më tej i bën thirrje Qeverisë të marrë masa të menjëhershme për të mbështetur forcat zjarrëfikëse me mjetet dhe burimet e nevojshme, si dhe të zhvillojë plane afatgjata për parandalimin dhe menaxhimin e krizave të tilla në të ardhmen.

 

Reagim i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë:

Ngjarjet e fundit të shpërthimeve të zjarreve në të gjithë territorin e Shqipërisë janë një pasqyrë e trishtë e dështimit të Qeverisë për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve. Identifikimi i 28 vatrave zjarri brenda një dite është një tregues alarmues i paaftësisë së institucioneve për të kontrolluar dhe menaxhuar situatën në mënyrë efektive.

Ndërkohë që 19 vatra zjarri mbeten ende aktive, përpjekjet për t’i shuar ato janë të pamjaftueshme dhe shpesh të penguara nga mungesa e burimeve dhe planifikimit të duhur.
Në fshatrat e Finiqit, Selenicës, Pustecit, Tropojës, Matit, Dibrës, Bulqizës dhe shumë të tjerë, flakët po kërcënojnë jo vetëm mjedisin dhe pasurinë tonë natyrore, por edhe jetën dhe pronën e qytetarëve. Ndërkohë, forcat operacionale dhe zjarrfikësit po përballen me sfida të mëdha në terrene të vështira, duke luftuar me të gjitha forcat e tyre për të mbajtur situatën nën kontroll.

Situata kritike e zjarreve në Shqipëri dëshmojnë për neglizhencën e Qeverisë dhe mungesën e koordinimit të duhur për të mbrojtur pasuritë natyrore të vendit tonë.
Qeveria ka treguar një mungesë të theksuar të vizionit dhe përkushtimit për të parandaluar dhe menaxhuar këto katastrofa natyrore. Mungesa e mjeteve adekuate, trajnimet e pamjaftueshme dhe mbështetja e papërshtatshme për forcat zjarrfikëse janë tregues të një sistemi që nuk i jep përparësi sigurisë publike.

Megjithatë, në mes të këtij dështimi institucional, forcat zjarrfikëse po tregojnë përkushtim. Pavarësisht rreziqeve dhe sfidave, ata po luftojnë për të ndaluar një shkatërrim të mëtejshëm. Ne inkurajojmë çdo zjarrëfikës, çdo vullnetar dhe çdo punonjës që është në vijën e parë të kësaj beteje të ashpër.

Partia Demokratike – Demokratët Euroatlantikë i bën thirrje Qeverisë të marrë masa të menjëhershme për të mbështetur forcat zjarrëfikëse me mjetet dhe burimet e nevojshme, si dhe të zhvillojë plane afatgjata për parandalimin dhe menaxhimin e krizave të tilla në të ardhmen.

Siguria e qytetarëve dhe mbrojtja e pasurive tona natyrore duhet të jenë prioriteti numër një i çdo qeverie të përgjegjshme. Qytetarët meritojnë mbështetje dhe zgjidhje.
Shqipëria meriton më shumë.

Inkursioni i Ukrainës, Rusia detyrohet të kryejë evakuime edhe në Belgorod

Pjesë të një rajoni të dytë rus po evakuohen mëngjesin e sotëm pas raportimeve për “aktivitet” në zonë nga forcat ukrainase, tha guvernatori lokal. 

Vyacheslav Gladkov, i cili drejton rajonin e Belgorodit, tha se autoritetet kishin dhënë miratimin për të larguar njerëzit – por nuk dha asnjë detaj të mëtejshëm.

Nuk është e qartë se sa i përhapur është evakuimi.

lcimg-677157ae-dd1b-434f-b28f-1ea3608126a9

Kjo vjen pasi trupat ukrainase pushtuan rajonin fqinj Kursk të martën – duke çuar në evakuime në rajonin kufitar rus.

Për më tepër, mediat ukrainase raportuan dje se forcat e Kievit dukej se kishin hyrë në rajonin e Belgorodit – duke shpërndarë video të pesë trupave ukrainase me uniformë që qëndronin jashtë një ndërtese, ndërsa njëri tha: “Ju uroj shëndet, batalioni 252 është në fshatin Poroz, Belgorod. Lavdi Ukrainës!”

Disa shpjegime për keqpërdorimin e cilësimit “qëndrestar”!

Nga Ardi Stefa

Meqënëse abuzohet shumë kohët e fundit me këtë fjalë se cilët janë qëndrestarët e vërtetë dhe cilët jo.

1- Dallon qëndrestari në diktaturë, nga ai në demokraci. Në demokraci flet e vepron pa pasur frikën se dënohesh apo të ikën koka.

2- Dallon qëndrestari ideologjik nga “qëndrestari” i llogjeve dhe i jo ideologjive, apo ideologjive të dyshimta. D.m.th. i pazareve.

3- Dallon qëndrestari idealist nga “qëndrestari”, ushtar i interesave të ngushta të tij, apo edhe të kryetarit.

4- Qëndrestari i vërtetë dallon se është i varfër, “qëndrestari” i llojit tjetër dallon nga pasuria që ka vënë dhe luksi që jeton pa punuar.

5- Qëndrestari i vërtetë vë mbi të gjitha Shqipërinë, ai tjetri veten dhe partinë.

6- Qëndrestari i vërtetë di të reflektojë e të kundërshtojë”, qëndrestari” tjetër edhe pse mund të kuptojë, nuk kundërshton fjalën dhe interesat e kryetarit, rrjedhimisht edhe të tijat.

7- Qëndrestari i vërtetë vepron, reagon, “qëndrestarët” e tjerë flasin e shpifin prapa krahëve duke u rrotulluar në atë gjuhën dhe fjalorin e tyre të varfër me dhjetë citate e pesë fjali, pasi janë të palëçitur.

8- Namin ka qëndrestari që kafshon, se dëmin e bën ai që lëpin

Ka edhe dallime të tjera, por më mirë të mos zgjatem.

Ndaj më mirë mos të abuzojmë me këtë fjalë. Qëndrestarët e vërtetë gjithmonë kanë qenë në hije, naivë e besnikë të idealit, mendjehapur, tolerantë.
Qëndrestarët nuk janë ushtarët e kryetarit apo interesave të tyre, anipse këta të fundit flasin me fjalë të mëdha e përgjërohen për lirinë e demokracinë!

Vetingu në Policinë e Shtetit ende me “ritëm breshke”

Procesi i veting-ut brenda Policisë së Shtetit po vijon të ecë me një ritëm të ngadaltë, duke treguar se “pastrimi” i forcës do të zgjasë më shumë se vetingu paralel në drejtësi. Pas më shumë se 4 vitësh, procesi ka ndryshuar formë, objektiv dhe administrim, por ritmet mbeten po të njëjta. Kritikët argumentojnë se mungesa e një afati përfundimtar sinjalizon një dështim të mundshëm, ndërsa të tjerë theksojnë rëndësinë e ruajtjes së një procesi të paanshëm politikisht.

Ku ishim

“Ritmet e ngadalta, me të cilat po ecën vetting-u në polici, tregojnë se “pastrimi” i uniformave blu do të marrë më shumë kohë se vetting-u paralel në drejtësi. Ndërsa kritikët e konsiderojnë dështim mungesën e një afati për përmbylljen e procesit, të tjerë sugjerojnë se më e rëndësishme është që ky “skaner” delikat të mos ketë prapavijë politike.” Këto rreshta perifrazojnë shumë qartë shkrimin e publikuar në INA Media në 24 Maj të 2021, për veting-un në Policine e Shtetit.

Në gjetjet e investigimit të INA Media, ishte fakti që një vit punë e hetuesve të komisionit të përkohshëm i kushtonte buxhetit të shteti 54 milionë lekë, ku për po të njëjtën periudhë, sipas të dhënave të siguruara në 2021, trupa e vetingut për uniformat blu kishte kaluar në sitë gjithësej 40 subjete, nga të cilat 31 i kishte konfirmuar në detyrë, 4 ishin perjashtuar dhe 5 kishin paraqitur dorëheqjen. Në proces në 2021 ishin gjithësej 112 subjekte te tjera.

Një rezultat i tillë, nëse llogaritet nën të njëjta ritme, do të thotë se për vetingun në nivele të larta për gradat drejtuese dhe zyrtarët e SHÇBA-së do të duhen 120 muaj për 300 zyrtarët e policisë që mbajnë funksione drejtuese, çka do të thotë se duhen rreth 10 vite për përmbylljen e procesit të vetingut në radhët e policisë”, thuhet në shkrimin e publikuar në INA Media, i cili ndër të tjera vë në dukje edhe se vlera monetare që ishte e nevojshme nga buxheti i shtetit ishte mbi 300 milionë lekë.

Në një qëndrim zyrtar të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit, më datë 1 mars 2021, thuhet se “KJV ka qenë në pritje për daljet në seanca edhe për subjekte të tjera, për të cilat, bazuar në kërkesat, ka patur zgjatje afati për prapësimet në rastet e kalimit të barrës së provës apo për problemet shëndetësore.”

Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga Investigative Netëork Albania, me anë të kërkesave për informim, në 2021,  numri total i punonjësve të Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit (KJV), ishte 30, ndërsa varianti i parë i ligjit parashikonte 135 punonjës. Nga të dhënat zyrtare, rezulton se qeveria, me anë të VKM-së Nr.14/2019, përcaktoi pagën për 15 anëtarë të KJV-së dhe 15 anëtarëve të Sekretariatit Teknik.

Konkretisht, anëtari i Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit paguhej 190 mijë lekë, ndërsa anëtari i Sekretariatit Teknik, 110 mijë lekë në muaj. Ndërkohë, shpenzimet e tjera teknike mbulohen nga buxheti i Ministrisë së Brendshme. INA media, ju drejtua zyrtarisht Ministrisë së Brendshme në lidhje me koston e KJV deri në shpërbërjen e tij, por nuk mori nje përgjigje nga Ministria.

Çfarë ka ndryshuar tre vite më pas?

Në 2022 u bënë edhe disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punojësve të Policisë së shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme.”

Ligji për vlerësimin kalimtar e periodik, gjatë zbatimit dhe implementimit të tij ka pësuar ndryshime të vazhdueshme, përkatësisht në vitin 2019, 2020, 2021 dhe më pas në vitin 2022. Ndër ndryshimet kryesore janë heqja nga filtrat e vetingut të punonjesve të thjeshtë të Policisë së Shtetit, ku këtij procesi tashmë do ti nënshtrohen vetëm drejtuesit e lartë.

Ligji fillestar nr. 12/2018, parashikonte Komisionin e Jashtëm të Vlerësimit, si organin përgjegjës për vlerësimin kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (ish-SHÇBA), duke kryer një proces të plotë për kontrollin e pasurisë, figurës dhe aftësive profesionale. Ndërkohë me ndryshimet ligjiore të ndodhura, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore është institucioni përgjegjës për zhvillimin e procesit të vlerësimit kalimtar dhe periodic, duke e kthyer këtë të fundit nga një institucion që bie nën sitën e procesit, në institucionin kyç që e zhvillon atë. Objekt i këtij procesi është vlerësimi i pasurisë, kontrollit të figruës dhe vlerësimi i aftësive profesionale.

Objekt i kontrollit të figurës është verifikimi i deklarimeve të punonjësit dhe i të dhënave të institucioneve me qëllim verifikimin e vertetësisë dhe besueshmërisë së deklarimeve si dhe identifikimi i atyre që janë të përfshirë apo të dyshuar për përfshirje në krimin e organizuar, kanë kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë ose të dyshuar për përfshirje në krimin e organizuar”, thotë për INA media Ministria e Brendshme.

Procesi i Vettingut në Policinë e Shtetit, pavarësisht se nisi me vrull, u duk sikur pati një frenim gjatë 2022, ku në muajin dhjetor përfundoi veprimtarinë Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit dhe u bë dorëzimi dhe kalimi i kompetencave të tij pranë Agjencisë së Mbikqyrjes Policore. Në një reagim zyrtar për INA Media, Agjencia e Mbykqyrjes Policore thotë se: “Procesi i vetingut (vlerësim kalimtar dhe periodik) nuk ka ndaluar”.

Ndër të tjera, AMP shton se që prej dorëzimit të kompetencave nga KJV, “ka vazhduar me përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga ligji nr 12/2018, i ndryshuar, duke miratuar aktet ligjore dhe nënligjore që normohen me ligj”.

Aktualisht, trupa e vetingut për Policinë e Shtetit, e cila është pjesë e organikës së Agjencisë së Mbykqyrjes Policore, është e përbërë nga 12 anëtarë, të cilët janë të organizuar në 4 trupa vlerësuese me 3 anëtarë. “Anëtarët e trupës vlerësuese kanë kaluar procesin e vlerësimit kalimtar dhe janë të organizuar në formën e organit kolegjial”, thotë AMP.

Agjencia e Mbikqyrjes Policore, po zhvillon procesin e vleresimit kalimtar për 72 subjekte të vlerësimit ku ka marrë deri më tani gjithësjen 35 vendime, nga ku, katër prej tyre janë punonjës së AMP, dy janë punonjës të Gardës së Republikës dhe 29 të tjerë, punonjës të Policisë së Shtetit.

Nga 29 punonjësit e Policisë së Shtetit, 20 vendime janë marrë për konfirmimin në detyrë të punonjësve, 7 vendime për ndërprerje të procesit të vlerësimit kalimtar, 1 vendim për përjashtim nga detyra dhe 1 vendim për largim nga pozicioni.

Gjithashtu ju informojmë se po zhvillohet hetimi administrativnnë kuadër të procesit të vlerësimit kalimtar për 37 subjekte vlerësimi”, thotë Ministria e Brendshme.

INA Media, e pyeti ministrine: “A kane ndryshuar kostot e Vetingut pas ndryshimit te ligjit dhe vendosjen e tij vetingut ne AMP?”, por kjo pyetje nuk mori një përgjigje nga ana e këtij institucioni.

Ajo që vihet re, edhe pas kalimit të procesit pranë AMP, nga e cila pritej një efikasitet edhe më i lartë, vijon me të njëjtat ritme, njëkohësisht duke përjashtuar nga procesi i verifikimit të figurës së oficerit të Policisë së Shtetit edhe pjesën më dërrmuese të kësaj force.

Sindikata: Ndryshimi ligjit pozitiv, ana negative varësia nga Ministria

Për Sadedin Fishtën, kreun e Sindikatës së Policisë, ndryshimi i ligjit ishte i domosdoshëm, edhe pse shpreht që ligji ka anë positive dhe negative.

Pozitiv është fakti që subjekt i këtij ligji praktikisht mbeten vetëm punonjësit me gradë drejtues e lartë”, thotë ai duke shtuar se u përjashtuan punonjësit e nivelit zbatues dhe rolit të parë drejtues. Ndër të tjera zoti Fishta shprehet se ky ndryshim pati reagme pozitive duke shmangur frikën dhe pasigurinë në deklarime të këtyre niveleve.

Këta punonjës gjatë ushtrimit të detyrës janë në kontakt direkt me publikun dhe patjetër që shkeljet dhe veprimet e tyre korruptive janë lehtësishtë të kontrollueshme nga publiku dhe Agjencia e Mbikqyrjes Policiore”, shprehet ai duke shtuar se fakti që shumë punonjës që nuk po i nënshtrohen procesit të vetingut, po përjashtohen nga policia duke u vendosur në hetim nga strukturat e AMP, tregon anën pozitive të këtij ligji.

Ana negative sipas zotit Fishta është fakti që struktura e vetingut “kontrollohet nga Ministri i Brendshëm”.

“Ushtrimi i vetingut nga komisioni sado transparent të behet, autriteti politik i Ministrit patjetër do të ndikojë në vendimarrjen e komisionit për shkak të varësisë së tyre”, thotë ai duke shtuar se ka qenë mendimi edhe i Sindikatës që vetingut të shtrihet vetëm në nivlin e mësëm drejtues. Sipas kreut të Sindikatës procesi i vetingut është: “efektiv e i domosdoshëm, po praktikisht po ecet ngadalë”.

Gjithashtu ai pranon se aktualisht ka ankesa që adresohen pranë sindikatës nga punonjësit e policisë për shkelje të të drejtave të tyre. “Ja paraqesim komisionit të vetingut për verifikim e vlerësim për drejtues sipas rastit”, përfundon zoti Fishta.

Ndonëse ky proces ka tashmë vite që ka nisur, ecuria e tij duket e ngadaltë, ku pas përfundimit të procesit të vlerësimit kalimtar dhe periodik, punonjësit e Policisë së Shtetit të përcaktuar sipas ligjit, do të duhet t’i nënshtrohen deklarimit dhe vlerësimit periodik çdo 5 vite, të bën të mendosh, se ky afat nuk do të arrihet./ina.media

Vetëm 30% e emigrantëve të arsimuar shqiptarë punojnë në profesionet e tyre, nga nivelet më të ulëta në botë

Shqipëria është një ndër vendet me nivelet më të larta në botë të emigracionit të trurit, por të dhënat tregojnë se ekspertët dhe personat e arsimuar që kanë ikur nga Shqipëria nuk punojnë në profesionin e tyre, duke i ulur shanset që ata të transferojnë njohuritë e tyre për zhvillimin e vendit tonë.

Sipas kalkulimeve të Bankës Botërore (grafiku i mëposhtëm) vetëm 28% e emigrantëve të arsimuar punojnë në pozicione që kërkojnë aftësi dhe janë afër profesionit të tyre, një nga nivelet më të ulëta në rang global.

Studimet dhe anketat vendase kanë treguar se mbi 60% e stafeve akademike kanë emigruar gjatë tre dekadave të fundit. Ikja e trurit ka varfëruar vendin nga ekspertët dhe ka ulur shanset për t’u integruar në një shkallë më të lartë të zinxhirit të vlerës.

Disa vende kanë shanse që të përfitojnë nga diaspora e arsimuar. Përllogaritjet e BB tregojnë se shumica e vendeve kanë mbi 50% të diasporës së tyre që ushtron profesionin  në vendet pritëse.

Përllogaritjet e ekspertëve të INSTAT kanë treguar se Shqipëria, deri në vitin 2020, kishte përqindjen më të lartë në rajon të emigrimit të njerëzve të arsimuar dhe studentëve që jetojnë jashtë vendit.

Sipas publikimit të INSTAT, “Diaspora e Shqipërisë në Shifra”, numri total i popullatës së larguar nga Shqipëria në vitin 2020 ishte 1.684.135 individë. Gjithashtu, INSTAT dhe Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) kanë kryer një anketë të migracionit në familje.

Në këtë anketë u mblodhën të dhënat për nivelin arsimor dhe statusin e punësimit, në grupin e personave 15 vjeç e sipër, ku rezultoi se mbi 350 mijë persona ishin larguar gjatë viteve 2011-2019. Të dhënat nga anketa kanë treguar se 47% personave me arsim të lartë kanë emigruar.

Shqipëria renditet e para edhe për numrin e studentëve që ndjekin arsimin jashtë vendit, me përkatësisht 18,181 studentë, e ndjekur nga Serbia me 15,749 studentë, pastaj Bosnja me 15,399.

Ekspertët pohojnë se, nga njëra anë, numri i lartë i studentëve shqiptarë që studiojnë jashtë mund të shikohet si dukuri pozitive për pjesën e përvetësimit të njohurive në fushat përkatëse ku ata studiojnë, por nga ana tjetër, mund të shihet dhe si një indikator matës për mungesën e besimit të studenteve për cilësinë e universiteteve shqiptare.

Për të zbutur efektin negativ të këtij fenomeni, kryesisht në vendet në zhvillim, metoda më e rëndësishme është të ndërmerren një sërë politikash që përfshijnë aspekte të rëndësishme të zhvillimit të një vendi, si ai ekonomik, social, arsimor dhe mjedisor.

E para dhe më e rëndësishmja, duhet të pranojmë që emigracioni i vazhdueshëm është zakonisht simptoma, jo shkaku, i një problemi themelor.

Për një periudhë afatgjatë, qeveritë duhet të adresojnë çështje themelore me politikat që synojnë përmirësimin e qeverisjes, forcimin e institucioneve dhe përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike.

Rritja e produktivitetit në profesionet që kërkojnë kualifikim të lartë, shumë prej të cilave janë në sektorin publik, dhe bërë pagat më konkurruese, do të “joshte” punëtorët të qëndronin.

Në të njëjtën kohë, zhvillimi i sektorit privat dhe krijimi i vendeve të punës duhet të plotësohen me reformat e sektorit publik, pa të cilat, profesionistë të kualifikuar do të vazhdojnë të emigrojnë.

Ekzistojnë edhe politika që mund të inkurajojnë me sukses kthimin e diasporës së tyre me aftësi të larta profesionale, duke siguruar stimuj tatimorë për emigrantët e kthyer.

Kthimi i emigrantëve mund të mbështesë zhvillimin ekonomik, veçanërisht kur ata sjellin kapital dhe njohuri, dhe kur vendet e tyre u japin atyre kushtet e duhura për të vënë në zbatim plotësisht aftësitë dhe përvojën e tyre, sugjerojnë ekspertët.