30.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Fejsbuk te Guri i Gomares

Nga Edison Ypi

Dy të parët i kapa në Çermë duke ikur mbi biçikleta drejt Divjakës.
-A jeni në Fejsbuk ?
-Po.
-Nga sa miq keni ?
-Unë kam pak, nja 400. Ky ka më tepër, mbi 700.
-A ka të tjerë që janë në Fejsbuk ?
-Të gjithë jemi në Fejsbuk.
Në Dushk shitësi i sharqinjve, një karrocier, një djalosh me BMV, një tjetër që po ikën me vrap, edhe ata mburren që janë në Fejsbuk ku kanë me qindra mikesha njëra më e bukur se tjetra.
Në një restorant në të dalë të Lushnjes shtatë a tetë myzeqarë hanë e pinë duke treguar hollësira nga fejsbuqet e tyre.
Në një tavoline po shajnë qeverinë. Pranë pjatave male me 10 mijë lekësha lidhur me llastik.
-Ju hani pini si derrat, keni pare, toka, prona, makina, udhëtoni, të gjithë jeni në Fejsbuk, dhe shani qeverinë ?!
-Të shan ai që të do. Qeverinë e shajmë se e duam. Ka ca kohë nuk po na ngrihet. Prandaj e shajmë, dhe do ta shajmë, dhe kusur s’do i lëmë, thotë me gojën plot me mish një barkderr, dhe qesh me të madhe barkderri duke përhapur gjithandej cikra mishi dhe pështyme.
Krutje, Zhym, Mërtish, Ngurrëz, Bubullimë, Goriçaj, Këmishtaj, të gjithë shetisin në Fejsbuk.
Ndanë një are një bujk me të birin nja 20 vjeç.
-A je në Fejsbuk ? i them të birit.
-Po, jam. Kam 594 miq, 375 dashnore, mbi 800 fotografi, 440 selfie, marr pjesë në 23 forume, 54 interesime, 37 aktivitete…
-Hë mo, i drejtohem të jatit, ç’ke që rri turivarur ? Shtëpi të re po, arë për të punuar po, djali në Fejsbuk me gjithato dashnore po, ç’kërkon më nga jeta ti ?
Diku më tutje, në një kioskë pranë një restoranti, një mesoburrë me kafe dhe raki përpara.
-Ç’më rri ashtu sikur të janë mbytur vaporrët o Lal Myzeqeje që s’kishe bukë të haje ?!
-Më ka zënë një taksirat. Nuk po fle më tepër se 3 orë në 24 orë.
– Pse ?
– Sepse kam ngut të madh derisa të bëj milionin e parë të Euros. Po e bëra, shpëtova.
Në një tjetër lokal një tip rreth të tridhjetave që s’duket si myzeqar, as si shqiptar, por si parizien, me kafe ujë të gazuar përpara, thotë se ka mbaruar dy fakultete, bujqësorin dhe juridikun, dhe natyrisht është në Fejsbuk, në Myzeqe po s’qe në Fejsbuk je i vdekur.
Parizieni myzeqar llafoset shtruar për Tiranën, Lushnjen, ekonominë, politikën, Fejsbukun, etj.
I them metropolitanit fusharak se mund ta kuptoj prezencën në Fejsbuk të ndonjë hallexhiu të ngeshëm në emigracion apo të një studenteje të vetmuar shqiptare në një vend skandinav. Mirkuptoj dhe mëshiroj edhe një emigrant që i shtyn netët me laptop dhe fejsbuk në ndonjë bodrum, por s’mund ta kuptoj Fejsbukun e kaq shumë myzeqarëve. Përgjigjet me një psherëtimë si kuptimplote, por në fakt sterile.
Pak më tutje më ndal pronari i një restoranti ku veç mishit të derrit aq i preferuar në këto anë, ka dhe mish pate, rose, bibe, dhe mish zhabe. Me sa duket më pat’ parë në distancë tek bëja muhabet me parizienin myzeqar, dhe më thotë;
Ai me të cilin sapo u ndave ra në dashuri në Fejsbuk me një shalgjatë pejane. Familja e saj nuk deshi. Ai lojti. Tani pi kafe dhe bën muhabet. I kanë ngritur këngë;
Ç’ësht ajo që rri te porta
E vështron e tërë bota
Po vajton të vetmin djalë
Që Fejsbuku ja ka marrë
Gjuajtës zhabash anës kanaleve.
Zhabaxhinjtë Ndoni, Loni, Uani, Mondi, Sergei, Kristi, Sokoli, që zhabat ua shesin restoranteve, edhe ata janë në Fejsbuk. Më tregojnë me rradhë numurin e miqve, fotografive, dashnoreve, ndërlikimeve.
Ku ta gjej një myzeqar pa Fejsbuk ? pyeta një dhëmbërënë me kasketë anës rrugës.
Myzeqar pa Fejsbuk ke vetëm në fund të detit, tha, zhytu gjeji.
Drejt Divjakës, nja dhjetë a pesëmbëdhjetë që takova deri prapa kodrave ku nis e duket Karavastaja, të gjithë ata bashkë me familjarët dhe të njohurit e tyre, janë të gjithë në Fejsbuk.
Një prift që për pak desh mu zhduk në një kthesë kishte qënë 17 vite kuzhinier në diktaturë.
-Në atë kohë, që mos ardhtë kurrë, me urdhër të Perëndisë u dhashë për të ngrënë të internuarve të uriturve, tha prifti me një ton prej mirbërësi të përunjur.
Pak përtej kodrave rruga kalon përmes një fshati.
-Si quhet ky fshat ?
-Guri i Gomares.
-A ka te Guri i Gomares që janë në Fejsbuk ?
-Te Guri i Gomares të gjithë janë në Fejsbuk.
Në kafenenë e fshatit dy polica në një qoshe dhe ca djem pranë banakut me birra dhe kafe përpara. Të gjithë ulur. Më këmbë vetëm unë dhe një i moshuar me qylaf myzeqar me antenë në kokë.
Djemtë, pasi rradhitën numrin e miqve, të dashnoreve, të fotografive, thanë edhe me se merren.
Njëri me çizme tha se merrej me drogë.
Tjetri me xhaketë me lara nga ato të NATO-s, tha me mburrje se merrej me trafik.
Një kuqo pohoi me krenari se merrej me kurva, me hashash, me kanabis.
Dy teptilë që rrinin si mënjanë treguan gjith qef raste kur djemtë venë foto vajzash në Fejsbuk dhe e kundërta, kur vajzat venë foto djemsh, si dhe ngatërresa të tjera me sfond erotik.
Një çapkën që sapo hyri dhe dëgjoi për çfarë po flitej, tha;
-A jam unë në Fejsbuk ? Unë nuk e di se ku jam tjetër veçse në Fejsbuk.
Fejsbuku e kishte përdhunuar keqas Gurin e Gomares. Pash’-ç’pash u mbajta një fjalim moralistik;
-Të dashur gurgomaras,
Fshati juaj është i pafundëm. Mos e zvogëloni sa Fejsbuku.
Jeni të shëndetshëm, mos u sëmurni.
Jeni të pasur, mos u varfëroni.
Duke shtuar numurin e miqve dhe mikeshave virtuale humbni miqtë dhe mikeshat reale.
Myzeqeja është më e bukur se Toskana. Mos e shëmtoni.
Ju jeni shkaba. Mos u bëni buburreca.
Dilni nga internet kafenetë.
Mos e zëvendësoni perëndimin e përgjakur të diellit të Karavastasë me ngjyrat e rrejshme të kompjuterit.
Duke u kthyer, në Maminas rashë me gjithë makinë në një kanal plot me ferra dhe baltë.
Erdhi më nxori një polic trupmadh.
Që edhe ai ishte në Fejsbuk.

“Janë siguruar ilegalisht nga burimet e huaja armiqësore ndaj SHBA-ve”- Donald Trump akuza për hakërim të fushatës, fajëson Iranin

Fushata presidenciale e Donald Trumpit, kandidatit republikan për president, ka thënë të shtunën se disa komunikime të brendshme i janë hakuar dhe ka fajësuar Qeverinë iraniane për këtë incident.

 

Fushata e Trumpit ka përmendur armiqësitë e kaluara në mes të Trumpit dhe Iranit, kur e ka fajësuar Teheranin, mirëpo nuk ka ofruar ndonjë dëshmi konkrete se iranianët janë mbrapa.

Ekipi i fushatës së Trumpit e ka lëshuar një deklaratë, pak pasi e përditshmja Politico ka raportuar se ka nisur të pranojë emaila në korrik prej një burimi anonim, që i ka ofruar dokumente autentike prej operacioneve të fushatës së Trumpit, përfshirë një raport për kandidatin e republikanëve për nënpresident, J.D.Vance dhe “dobësitë e tij të mundshme”.

“Këto dokumente janë siguruar ilegalisht prej burimeve të huaja armiqësore ndaj Shteteve të Bashkuara, që kanë qëllim ndërhyrjen në zgjedhjet e vitit 2024 dhe krijimin e kaosit brenda procesit tonë demokratik”, ka thënë zëdhënësi i fushatës së Trumpit, Steven Cheung, përmes një deklarate.

Trump ka thënë më vonë në platformën e vet sociale, Social Truth se, gjiganti teknologjik, Microsoft e ka informuar fushatën e tij se Irani ia ka hakuar njërën prej faqeve.

Ai e ka fajësuar Iranin duke thënë se ai “mund të sigurojë vetëm informacion publik”, dhe nuk ka dhënë më shumë hollësi për hakimin.

Misioni i përhershëm i Iranit në Kombet e Bashkuara, në Nju Jork, ka thënë përmes një emaili se “Qeveria iraniane, as nuk ka, dhe as nuk synon të ketë ndonjë motiv për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane”.

Trump, ish-president amerikan, ka pasur marrëdhënie të tensionuara me Iranin, sa ka qenë në pushtet.

Nën udhëheqësinë e Trumpit, Shtetet e Bashkuara e kanë vrarë komandantin ushtarak iranian, Qassem Soleimani, më 2020, dhe janë tërhequr prej marrëveshjes bërthamore, që kanë nënshkruar fuqitë botërore me Iranin.

“Iranianët e vërejnë që presidenti Trump nuk do të ndalë tmerrin ndaj tyre, sikurse ka bërë në katër vjetët e parë në Shtëpinë e Bardhë”, ka thënë Cheung.

Trump i ka mbijetuar një atentati në korrik.

Ndonëse nuk ka pasur sugjerime që i dyshuari ka qenë i lidhur me Iranin, rrjeti televiziv amerikan, CNN, ka raportuar muajin e kaluar që inteligjenca amerikane ka informacione për një komplot iranian kundër Trumpit.

Teherani, në anën tjetër, i ka hedhur poshtë këto akuza./REL

Vendbazimi i Porto-Palermos “RIP”!

Nga Dorjan Ziflaj

Si çdo pronë në këtë shtet edhe vendbazimi i Forcave Detare i Porto-Palermos, po nxirret nga Plani i Përhapjes i Forcave të Armatodura (FA) duke e kthyer në një resort për të kënaqur grykësinë e oligarkut të radhës.

Kjo Bazë ushtarake e ndërtuar në Gjirin e Palermos, shërben si vendbazim i Forcave Detare (FD), ku anijet e Rojës Bregdetare kryejnë shërbim në këtë Bazë me funksion operacional në mbrojtje të hapësirës detare, si dhe për zbatimin e ligjshmërisë në det. Nga kjo Bazë janë kryer dhe shumë operacione kërkimi – shpëtimi. Pra, është një Bazë funksionale dhe jo një gërmadhë e kohës së komunizmit që s’ka asnjë funksion.

Në këtë Bazë, edhe pse një zonë ushtarake e mbrojtur me trupa ushtarakë nga njera anë, dhe në anën tjetër të gjirit ndodhen radarët e QNOD-së, (Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare), shpesh herë tentohej që nëpërmjet bankinës ‘T’ në afërsi të kalasë, të kryheshin trafikime të lëndëve narkotike me mjete lundruese. Këto tentativa shpesh herë janë ndaluar nga FD dhe motovedetat ose anijet e Bazës së Palermos.

Mos vallë duke i hequr statusin e bazës ushtarake, oligarkët kanë ndërmend dhe kryerjen qetësisht të trafiqeve të paligjshme ndërmjet kësaj Baze, shumë afër me Korfuzin?

Përveç humbjes së një aseti të FA në momentin kur bota dhe NATO ka një vëmendje të shtuar ndaj bazave ushtarake për shkak të konflikteve të shumta që po sjellin luftërat në vende të ndryshme të botës, qeveria Rama dhe ato pak baza ushtarake strategjike po i kthen në fole të krimit duke u fshehur pas investitorëve strategjikë.

Ndjej një keqardhje të madhe pasi kam shërbyer në këtë Bazë si efektiv i Forcave Detare. Në këtë Bazë fillova dhe përfundova karrierën time ushtarake në FD, ku vitet e jetës të kaluara aty janë dhe lulja më e bukur në buqeten e kujtimeve të mia.

Në këtë Bazë njoha njerëz të mirë, të ndershëm, ushtarakë të zotë, dhe për kohën që kam punuar me ta, më kanë lënë gjurmë dhe mbresa në jetën time.

Nderime për këtë Bazë strategjike ushtarake, që fatkeqësisht po i hedhin vello turpi. Mbresa të jashtëzakonshme që nga sirena e anijes që kumbonte në momente akustimi, që nga zhurma e këpucëve të ushtarakëve, bukuria që i jepte lidhja e cimave nga anija në bankinë, uniformat e pabëra pis dhe të papërlyera të detarëve tanë. Falë qeverisë kjo Bazë do të kthehet në një fole kriminelësh, ku oligarkët me rroba të bukura por të bëra pis nga krimi, korrupsioni dhe vjedhjet, nga duart e lara me gjakun e shqiptarëve do të bëjnë orgjitë e tyre të ndyra, derisa koha të tregoj se kujt i përket Shqipëria.

Mirënjohje Bazë e bukur!

E di që do të lëngosh ngaqë në gjirin tënd s’do kesh më atë që të lartësonte, Flamurin e kombit dhe anijet e FD, por mos u dorëzo, pasi kam besim të plotë që edhe këtë betejë do ta fitosh, ashtu ballëlartë për të përballuar të tilla luftëra për të cilat je përgatitur.

Vrasja e të moshuarit në azil, historiani Zyhdi Shehu do të shtrohet në spital psikiatrik! Gjykata liron nga qelia dy infermieret e akuzuara për fshehje të krimit!

Gjykata Tiranës ka vendosur shtrimin e detyrueshëm në spital psikiatrik për historianin, Zyhdi Shehu, i cili goditi për vdekje me bastun shokun e dhomës, Virxhil Vesho, në orët e para të mëngjesit të 8 Gushtit.

 

Ndërkohë togat e zeza kanë liruar nga qelia dy infermieret, Nazime Mulla dhe Glesantina Saraçi, duke caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Ato akuzohen se tentuan të fshihnin krimin e ndodhur në azilin e të moshuarve në “Qytetin Studenti”.

Autori i ngjarjes dhe viktima raportohet se të dy vuanin nga skleroza. 78-vjeçari Zyhdi Shehu mësohet se ka ndryshuar disa herë version mbi aktin e tij, ku goditi disa herë me bastunin e hekurit shokun me të cilin ndante dhomën.

Ndërkohë infermieret e turnin Nazime Mulla dhe Glesantina Saraçi u akuzuan se tentuan të fshihnin vrasjen e 82-vjeçarit Virxhil Vesho nga shoku i tij i dhomës, historiani Zyhdi Shehu.

Ato janë shprehur se nuk menduan se kishin të bënin me një vrasje, por që 82-vjeçarit ishte rrëzuar nga mosha e thyer dhe kishte humbur jetën. Dy infermieret e turnit janë shprehur se kanë telefonuar agjencinë funerale dhe kur agjencia ka marrë trupin, e ka rikthyer sërish në azil pasi kanë vënë re se ka pasur dëmtime të shumta në trup.

“Në fillim nuk e menduam se kishim të bënim me vrasje dhe nuk e menduam dhe e dinim që duhet të lajmëronim policinë. Pasi e pamë, menduam që është rrëzuar dhe ka ndërruar jetë. Edhe për shkak të moshës së thyer nga rrëzimi aksidental, menduam që i ka ardhur vdekja. Në fillim kemi marrë në mëngjes agjencinë funerale në telefon dhe i kemi thënë për të marrë trupin. Më pas ata u rikthyen dhe na treguan se viktima kishte dëmtime të shumta. Më pas agjencia funerale ka lajmëruar pronarin e azilit dhe ky i fundit njoftoi policinë. Nuk ishte qëllimi ynë që të fshihnim ngjarjen”, thanë infermieret.

Sipas policisë që iu ka referua autopsisë së viktimës, mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 04.00 të mëngjesit të së enjtes, ku 78-vjeçari ka goditur shokun e dhomës me bastun hekuri duke i marrë jetën. Policia ka ngritur akuzën “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, ndaj dy infermiereve.

“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, më datë 08.08.2024, ndodhur në një azil privat për të moshuarit, ku shtetasi Z. Sh., 78 vjeç, ka goditur me bastun shtetasin V. V., i cili si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën, ju informojmë se: në vijim të veprimeve hetimore të thelluara të kryera u arrestuan shtetaset G. S., 26 vjeçe, dhe N. M., 31 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë, me profesion infermiere në azilin ku akomodoheshin dy të moshuarit. Nga hetimi i kryer u siguruan prova të mjaftueshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se dy të arrestuarat në bashkëpunim me njëratjetrën kanë konsumuar veprën penale ‘Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’, parashikuar nga neni 301/ 25 i Kodit Penal. Këto dy shtetase nuk kanë njoftuar organet kompetente për ngjarjen e ndodhur, si dhe kanë kryer veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, – saktësoi policia dje.

 

Tre bimët që qetësojnë zorrët dhe ndihmojnë tretjen

Set of fresh herbs hanging over wooden vintage background

Zbuloni tre bimë aromatike dhe kuruese që përdoren në gatim, por që konsumohen edhe si çajra, duke kontribuar në funksionimin e duhur të tretjes dhe duke luftuar çdo shqetësim.

 

Pse të shkojmë deri në farmaci për të zgjidhur problemin me zorrëve kur mund t’i drejtohemi “farmacisë së natyrës”?

Natyra na ka dhuruar një mori bimësh kuruese që në kohët e lashta rekomandoheshin për një shëndet të mirë dhe mirëqenie, duke zgjidhur një sërë çrregullimesh të sistemit tretës. Këto barëra medicinale, disa prej të cilave përdoren tradicionalisht, kontribuojnë në funksionimin e duhur të zorrëve.

Duke u kthyer në ditët e sotme, jo pak nutricionistë rekomandojnë bimët, veçanërisht lulet e thata, për dispepsi dhe çrregullime të tjera gastrointestinale. Zbuloni tre prej tyre më poshtë.

Kopër

Kopra është një bimë që mund ta gjeni në një cep të kopshtit ose mund ta vendosni në një vazo në ballkonin tuaj. Të gjitha pjesët e bimës kanë një aromë të veçantë, nga rrënjët te farat dhe gjethet, mund të hahen ose përdoren në gatim dhe në sallata si erëz.

“Farat e koprës përmirësojnë tretjen dhe ndihmojnë me çrregullimet e zorrëve”, thekson dietologia Ginger Hultin. Kjo për shkak se finoku ka aftësinë të relaksojë muskujt e aparatit tretës. Gjithashtu, ato janë të pasura me fibra, që do të thotë se ndihmojnë sistemin tretës në përgjithësi. Përveç kësaj, disa kërkime pretendojnë se kjo barishte e veçantë ka veti antimikrobike, anti-inflamatore dhe antivirale.

Prandaj nuk është rastësi që Hipokrati e sugjeroi si qetësues për dhimbjet e stomakut dhe dhimbjet e barkut të foshnjave.

Lulerradhiqet

Luleradhiqe është një bimë jashtëzakonisht ushqyese, plot vitamina, minerale dhe fibra. Përbërësit e tij aktivë kanë ndër të tjera veti diuretike dhe antiinflamatore, ndërsa kontribuojnë edhe në mirëfunksionimin e mëlçisë.

Sipas provave kërkimore, marrja e bimës mund të rrisë dy lloje të vlefshme të probiotikëve që lidhen me shëndetin e zorrëve, Lactobacillus dhe Bifidobacterium. Gjethet e saj mund të konsumohen të gatuara ose të papërpunuara në sallatë. Rrënja zakonisht thahet dhe mund të konsumohet si pije.

Kamomili

Ndoshta një nga ilaçet më të njohura të gjysheve për dhimbjet dhe acarimet e vogla si p.sh. veshët ose sytë. Vetitë shëruese dhe qetësuese të kamomilit janë të padiskutueshme pasi është një nga qetësuesit më të famshëm natyrorë.

Në të njëjtën kohë, është gjithashtu një bimë e shkëlqyer që promovon shëndetin e sistemit tonë të tretjes. Disa studime raportojnë se mund të kontribuojë pozitivisht në çrregullime të ndryshme gastrointestinale si fryrje, dispepsi, diarre, anoreksi dhe të vjella. Përveç pijes me kamomil, ju mund të provoni lulet e tij të thata në një smoothie.

Një verë mes telefonit dhe librit

Vera është periudha ideale për t’u çlodhur me një libër të mirë. Ndërkohë që shumë shqiptarë shijojnë pushimet në bregdet apo në natyrë, leximi mbetet një aktivitet i preferuar për shumicën e tyre. Librat e verës janë të larmishëm, duke përfshirë zhanre të ndryshme si romanca, thriller, biografi dhe letërsi klasike.
 
Nga Deada Hyka

Pavarësisht sfidave ekonomike dhe teknologjike, dashuria për librin dhe leximin nuk njeh kufij. Çdo verë sjell me vete një valë të re librash, që presin të zbulojnë lexuesit e tyre, duke u ofruar atyre mundësinë për të udhëtuar nëpër histori të ndryshme dhe për të zgjeruar horizontet pa lëvizur nga vendi.

Por sa lexojnë shqiptarët dhe si është tregu i librit në vendin tonë? Statistikat tregojnë se leximi po rikthehet fuqishëm në modë. Bibliotekat dhe libraritë po mbushen me lexues të etur për dije dhe argëtim, ndërsa autorët vendas po fitojnë gjithnjë e më shumë vëmendje dhe respekt. Tregu i librit në Shqipëri po zhvillohet me hapa të sigurt, duke u pasuruar me botime të reja dhe tituj të përkthyer nga autorët më të mirë ndërkombëtarë.

Gjendja e tregut të librit në Shqipëri po tregon shenja përmirësimi. Botuesit po sjellin gjithnjë e më shumë tituj të rinj dhe përkthime nga autorë të njohur ndërkombëtarë.

Megjithatë, sfidat mbeten, si për shembull konkurrenca me formatet dixhitale, mungesa e politikave mbështetëse për leximin dhe botimin, si dhe mungesa e mbështetjes për librarët, që janë pika e fundit ku autori takohet me lexuesin. Dhe ku, në fund të fundit, ndodh transaksioni.

Edhe këtë vit, botuesit ngrenë shqetësimin se duhet të ketë një politikë më të favorshme fiskale për ta, duke marrë shkas nga ajo europiane, që në prodhim taksa është vetëm 5%, ndërsa në Shqipëri shumë më e lartë. Kërkesa për ulje takse është një refren që shtëpitë botuese e përsërisin çdo vit.

Një problematikë tjetër në treg, të cilën e pohojnë njëzëri botuesit, është mungesa e investimit në librari.

Arlinda Dudaj, nga shtëpia botuese “Dudaj”, pohon se duhet investuar në një rrjet të mirë librarish dhe duhen ndihmuar ata që merren me një biznes të tillë.

Një prej vështirësive kryesore që ka përfshirë tregun e librit në Shqipëri është pirateria dhe përkthimi jo cilësor.

Loreta Berhami, nga shtëpia botuese “Pegi”, pohon se, përkundër përpjekjeve të autoriteteve për të luftuar këtë problem, kopjimi i paligjshëm dhe shpërndarja e librit të palicencuar vazhdojnë të pengojnë të ardhurat e autorëve dhe botuesve.

“Kjo ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e botimeve dhe mundësinë e financimit të projekteve të reja letrare.

Në të njëjtën kohë, normat e përgjegjësisë sociale dhe kulturore nuk janë gjithmonë të përmbushura nga ata që blejnë kopje të paligjshme të librave. Nga ana tjetër, mbeten problem botimet e përkthyera keq që dëmtojnë në tërësi tregun e botimit në Shqipëri”, – thotë znj. Berhami.

Një tjetër sfidë që ndikon në tregun e librit është niveli i ulët i kulturës së leximit. Për shkak të çështjeve socio-ekonomike dhe arsimit të ulët, leximi nuk është një aktivitet i përhapur në masë.

Albert Gjoka, nga platforma “Bukinisti”, thotë më tej se, kjo shkakton rritje të pasigurisë në shitjet e librave, duke i bërë ato një produkt më pak tërheqës për botuesit dhe autorët.

“Pavarësisht sfidave aktuale, tregu i librit në Shqipëri ka ende potencial të madh për të zhvilluar industrinë letrare dhe për të promovuar kulturën e leximit në shoqërinë shqiptare”, shprehet Albert Gjoka.

Një qasje e mundshme, sipas tij, është rritja e përpjekjeve për të edukuar publikun mbi rëndësinë e blerjes së librave të licencuar dhe ndërgjegjësimin rreth dëmeve të piraterisë.

Gjithashtu, botuesja Elda Vela, nga shtëpia botuese “Mediaprint” pohon se, promovimi i autorëve të rinj dhe mbështetja e krijimtarisë letrare vendore mund të ndihmojë në diversifikimin e ofertës së librave dhe rritjen e interesit për lexim.

Më tej, botuesit e kontaktuar nga “Monitor”, shprehen se, teknologjia mund të shërbejë si një mjet për të arritur lexues të rinj dhe për të rritur qasjen në libra dhe jo të jetë detyrimisht “armik”, pasi duhet konsideruar fakti që përdorimi i telefonit smart dhe i rrjeteve sociale është rritur në mënyrë progresive me kalimin e viteve.

Sipas tyre, platformat e librit elektronik dhe audiolibra mund të jenë një mundësi për të rritur përfshirjen e atyre që parapëlqejnë të lexojnë në mënyra alternative. Për më tepër, bashkëpunimi me shkolla dhe institucione të tjera arsimore mund të ndihmojë në rritjen e nivelit të arsimit dhe kulturës së leximit.

Sipas drejtuesve të librarisë “Bookland”, teknologjia gjithashtu ka rritur ndjeshëm mundësitë e shpërndarjes dhe promovimit të librave nëpërmjet mediave sociale dhe platformave të tjera dixhitale, duke krijuar një portofol të gjerë te mjetet e marketingut.

Loreta Berhami, nga shtëpia Botuese Pegi, thotë se platformat dixhitale, përveç dyqaneve fizikë, do të jenë thelbësore për të arritur një audiencë më të gjerë dhe për të përmirësuar eksperiencën e blerjes së librave.

“Një faqe interneti e përdorshme, e rregulluar mirë dhe e orientuar drejt përdoruesit do të ofronte një gamë të gjerë të librave, me vlerësime të klientëve të mëparshëm, për të ndihmuar blerësit të zgjedhin titujt e duhur.

Pra shtëpitë botuese të mos presin që çdo gjë të zgjidhet nga libraria apo nga rrjetet sociale”, – thotë ajo./Monitor.al

 

Botuesit: Zhanret më të shitura
Sipas botuesve, shqiptarët kanë një gamë të gjerë preferencash për sa i përket leximit të librave dhe zhanret e preferuara reflektojnë interesin e larmishëm në letërsi. Disa nga zhanret më të parapëlqyera dhe të shitura përfshijnë: libra historikë, biografi, libra motivues, letërsinë për fëmijë, romane dhe thriller dhe më pak poezi.

Shpërthimi i autobotit në pikën e karburantit, humb jetën në spital një nga punonjësit! 35-vjeçari ishte martuar vetëm pak muaj më parë

Një nga punonjësit që mbeti i plagosur pas shpërthimit të autobotit në pikën e karburantit në autostradën Tiranë-Durrës ka ndërruar jetë.

 

35-vjeçari me iniciale E. P., mbeti i lënduar nga flakët dhe nuk arriti të mbijetonte duke ndërruar jetën mëngjesin e sotëm në spital.

I riu mësohet se kishte vetëm pak muaj që ishte martuar. Ndërkohë nga shpërthimi i ditës së premte (9 Gusht) mbeti i plagosur mbeti edhe punonjësi tjetër i karburantit, 20-vjeçari me inicialet Xh. K.

Dyshohet se shkaku i shpërthimit mund të kenë qenë temperaturat e larta ose nga një shkëndijë elektrike e një automjeti që ndodhej aty pranë.

“Rreth orës 14:00, në autostradën Durrës-Tiranë, në një pikë karburanti, është përfshirë nga flakët një automjet që transporton karburant.

Për pasojë janë lënduar shtetasit Xh.K., 20 vjeç, banues në Kamëz dhe shtetasi E.P., rreth 35-vjeç, (të dy punonjës të karburantit), të cilët janë trasportuar në spital për ndihmë mjekësore.

Ndërhyrja në kohë e shërbimeve zjarrfikëse dhe Policisë ka izoluar flakët duke shmangur përfshirjen nga zjarri të çisternave me karburant.

Shërbimet e Policisë evakuan në kohë, personat e tjerë që ndodheshin rreth zonës në rrezik.

Zjarri është shuar tërësisht dhe lëvizja e mjeteve në të dy krahët e autostradës po vijon normalisht.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, njoftoi policia ditën e ngjarjes.

Tragjike/ I ra sipër dera e garazhit, ndërron jetë 3-vjeçari shqiptar! Arrestohen prindërit e vogëlushit, ja arsyeja

Një 3-vjeçar shqiptar ka humbur jetën pasi i ra sipër dera e garazhit. Tragjedia ndodhi rreth orës 22:30 të së shtunës (10 Gusht) në Nea Zoi Aspropyrgos.

 

I mituri u dërgua nga prindërit e tij në spitalin Thriasio, por ishte tepër vonë pasi i mitur kishte ndërruar jetë.

Sipas të dhënave të para, prindërit e 3-vjeçarit kishin lidhur me litar derën e garazhit të shtëpisë së tyre, pasi po bënin rinovime.

Në një moment, fëmija është afruar te dera e garazhit, e cila në rrethana ende të paqarta, i ka rënë sipër duke i shkaktuar dëmtime të rënda.

Çifti shqiptar, të moshës 39-vjeçe dhe 42-vjeç, e dërguan menjëherë në spitalin Thriasio, por i mituri nuk mundi të mbijetonte.

Prindërit janë vendosur në prangat e policisë greke pas vdekjes së të miturit.

Zjarri në Malin e Thatë, vatra aktive prej 5 ditësh! Rrezikohet Parkun Kombëtar i Prespës

Zjarri në Malin e Thatë vijon të jetë aktiv prej 5 ditësh. Nga flakët raportohet se rrezikohet Parkun Kombëtar i Prespës.

 

Drejtori i përgjithshëm i DPMZSH, Arben Cara, i cili shkoi në terren për të parë nga afër situatën e zjarrit, u shpreh se menaxhimi i flakëve është i pamundur me mjete rrethanore, duke shtuar se është aktiviuar një helikopter për të shuar zjarrin.

Arben Cara: Situata vazhdon me vatrën e zjarrit aktive prej 5 ditësh, edhe pse kemi ndërhyrë nga toka dhe ajri, duke qenë se shtrirja është me një perimetër shumë të gjatë, mbetet aktive por me përmasa jo shumë të mëdha. Ajo çfarë na bën të vazhdojë është se kemi të bëjmë me një sipërfaqe shkurre, ferra, bar të thatë, të cilën është e pamundur ta menaxhosh me mjete rrethanore dhe për këtë arsye, dje kemi aktivizuar helikopterin i cili ka punuar për një kohë të gjatë dhe ka bërë të mundur mbylljen e një vatre zjarri me perimetër goxha të gjerë.

Presim dhe ditën e sotme sipas situatës, pasi forcat operacionale të mbërrijnë në vendin e ngjarjes, ku do na japin dhe një informacion më të detajuar që të vemë në lëvizje përsëri helikopterin, dhe për ta mbajtur nën kontroll situatën. Ditën e sotme që në orët e para të mëngjesit kemi aktivizuar rreth 80 forca operacionale nga MZSH, tre bashkitë Korçe, Maliq, Pogradec, në ndihmë të bashkisë Pustec pranë zjarrfikësve të Pustecit, forca operacionale nga ushtria, agjencia e zonave të mbrojtura, forca të emergjencave civile të cilat aktualisht janë duke shkuar tek vatra e zjarrit e cila kërkon të paktën një kohë minimumi prej tre orësh në këmbë. Pasi forcat operacionale të dislokohen, të shohin situatën në vendin e ngjarjes, do të na japin një informacion të detajuar sa i përket zhvillimit të kësaj vatre dhe më pas do merret një vendim nëse do të kërkohet një ndërhyrje e specializuar nga ajri ashtu si edhe ditën e djeshme e kemi bërë, apo është e mundur të lokalizohet brenda ditës së sotme deri në orët e vona të darkës.

Nëse era do të na favorizojë që të mos jetë aktive gjatë ditës, situata e zjarrit mund të ndërpritet dhe mali i Prespës mos preket nga vatra e zjarrit. Nëse era do ta favorizojë është e mundur që zjarri mund të depërtojë në Prespë e cila është dhe zonë e mbrojtur, por drejtuesit e strukturave operacionale do të bëjnë vlerësimin në mënyrë që të aktivizojnë ndërhyrjen nga ajri që zjarri mos depërtojë në malin e Prespës pasi do të na krijonte probleme më të mëdha sa i përket lokalizimit dhe menaxhimit të saj.

Aksidenti ajror me 61 të vdekur, nxirren nga rrënojat trupat e të gjithë viktimave

Trupat e të gjithë viktimave janë nxjerrë nga vendi i një aksidenti avioni në shtetin brazilian të São Paulo, i cili vrau të gjithë në bord, kanë konfirmuar autoritetet.

Ekipet e kërkim-shpëtimit punuar për të gjetur dhe identifikuar viktimat e tragjedisë pasi aeroplani i linjës ajrore Voepass u rrëzua në qytetin e Vinhedo.

Në aeroplanin ndodheshin 57 pasagjerë dhe 4 anëtarë të ekuipazhit. Operacioni për të hequr trupat e viktimave nga vendi ku ndodhi kaatastrofa përfunoi në orën lokale 18:30 pasditen e së shtunës.

Trupat e 34 meshkujve dhe 28 femrave u dërguan në një morg në qytetin e São Paulo, ku do të identifikohen dhe do t’u jepen familjeve.

Dy nga viktimat, piloti dhe bashkëpiloti tashmë janë identifikuar.

Anëtarët e familjes do të qëndrojnë në një hotel në qytet për të ndihmuar në identifikimin e viktimave.

Për identifikimin e trupave ekipet po mbështeten në një numër faktorësh. Këtu përfshihen dokumentet dhe pozicioni i trupave në lidhje me ndenjësen, si dhe telefonat celularë të gjetur pranë disa prej viktimave.