37.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

“Pa pronë nuk ka demokraci”, Basha shpërndan videon: Programi i Demokratëve Euroatlantikë parashikon kthim të menjëhershëm të pronës aty ku është e lirë, kompensim me vlerë tregu ku është zënë

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka shpërndarë një video nga podcasti i djeshëm me Pronarët, ku vë theksin tek rëndësia që ka zgjidhja e problemit të pronave në Shqipëria. Basha shkruan se programi i Demokratëve Euroatlantikë parashikon kthim të menjëhershëm të pronës aty ku është e lirë, kompensim me vlerë tregu ku është zënë.

Postimi i plotë i Bashës:

Pa pronë nuk ka demokraci, prandaj programi i Demokratëve Euroatlantikë ka në qendër reformën e pronës, pa burokraci. Parashikon kthim të menjëhershëm të pronës aty ku është e lirë, kompensim me vlerë tregu ku është zënë. Lëshimin e obligacioneve nga shteti, që paguhen çdo vit me 1/20 e vlerës. Regjistrim i pronave me parimin “Uti Possidetis”. Përfundimi i kësaj reforme është dita e parë e Shqipërisë në Europë!

 

Dudaev rishkruan historinë, për Shqipërinë vjen një tjetër medalje e bronztë në Lojërat Olimpike

Islam Dudaev ka arritur t’i sjellë Shqipërisë një tjetër medalje në Lojërat Olimpike, duke fituar sot të bronztën në stilin e lirë të mundjes deri në peshën 65 kilogram.

 

Pas tërheqjes së kundërshtarit amerikan në garën e ripeshkimit, Dudaev vihej përballë hungarezit Iszmail Muszukajev, i cili ka dalë i pesti në këtë peshë në Tokio 2020, ndërsa ishte kampion bote në vitin 2023.

Dudaev e nisi mirë me dy kapje dhe hedhje, duke e çuar rezultatin menjëherë në 6-0. Më pas, rezultati kaloi në 8-4 pas një aksioni ku u desh përsëritja. Hungarezi ngushtoi diferencën me 2 pikë të tjera dhe raundi i parë u mbyll me shifrat 8-6 për mundësin e Shqipërisë.

dudaev

Muszukajev u hodh në sulm por Dudaev u përgjigj shpejt me 4 pikë radhazi duke siguruar avantazh të rëndësishëm për minutat e fundit. Kundërshtari i tij u mundua të kthente fatin e ndeshjes, teksa barazoi 12-12, por një pikë e fundit e siguruar nga Dudaev i dha atij medaljen e bronztë, të dytën për Shqipërinë në këto Lojëra Olimpike.

Hyri për t’u larë, 16-vjeçari mbytet në ujë-mbledhësin e centralit në Dibër

Një 16-vjeçar është mbytur duke u larë ujërat e ujë-mbledhësit të centralit të fshatit Çidhen të Dibrës.

 

Ngjarja ndodhi rreth orës 11.00 dhe grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Njoftimi i policisë:

Dibër/informacion paraprak

Me datë 11.08.2024, rreth orës 11.00, në ujërat e ujë-mbledhësit të centralit të fshatit Çidhen, dyshohet se duke u larë është vetëmbytur shtetasi Xh.H., rreth 16 vjeç.

Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

“5D” BLEU SHTËPINË E GRAMOZ RUÇIT/ Mariglen Qato e Redi Molla 454 mijë euro në llogarinë e ish-numrit 2 të PS, Apeli I GJKKO: SPAK të hetojë se si është blerë nga kompania prona

Në dosjen e SPAK rezulton që kompania “5D” të ketë blerë edhe një pronë të Gramoz Ruçit. Në dokumente thuhet se vlera ka qenë 454 mijë euro dhe apeli kërkon që SPAK të thellojë hetimet për fondet e subjektit që prokuroria akuzon se ishte dy drejtorëve Mariglen Qato e Redi Molla tashmë në arrest me burg.

Dy drejtorët e bashkisë së Tiranës Mariglen Qato dhe Redi Molla që SPAK thotë së janë pronarë de facto të kompanisë “5D”, nuk kanë përfituar vetëm tendera publike por kanë blerë në mënyrë të dyshimtë dhe ambjente apo sipërfaqe toke në zona të ndryshme të Tiranës.

Në dosjës e SPAK është evidentuar një relacion i oficerëve të policisë ku thuhet se kompania V.A.S konstruksion shpk që tashme e ka ndryshuar emrin ne 5D konstruksion ka blerë një pasuri në qëndër të Trianës. Prona i përksitë ish kryepralamentarit Gramoz Ruci që sipas kontratës për shitjën e kësaj pasuri në zonën kadastrale 8160 është marrë pelqimi dhe i zonjës Erfane Ruci. Sipas dosjes hetimore për kontratën e lidhur mes V.A.S konstruksion dhe Gramoz Rucit është pagur një shumë prej 454,350 eurosh.

Më tej në argumentimin e apelit të Gjykatës së Posacme thuhet se nga ana e prokurorisë nuk rezulton të ketë një hetim apo një analizë nëse kjo pasuri e palujatshme e shoqërisë ka lidhje me produktet e vepres penale të dyshuara si të ardhura nga aktiviteti ekonomik i zhvilluar mes personave nën hetim përmes kompanisë “5D”. Për me teper Apeli sygjeron SPAK-un që të ketë një hetim për menyrën se si është blerë nga kompania prona në fjalë. Pak javë më parë prokuroria e posacme ka vendosur nën sekuestro disa pasuri të Redi Mollës dhe Mariglen Qatons dy ish drejtorëve të bashkisë së Tiranës dhe pronar të kompanisë “5D”. Sipas SPAK ka dyshime se pasuritë e tyre janë krijuar në burime të paligjshme.

Mundësi Dudaev fiton pa u ndeshur, në drekë përballet për medaljen e bronztë

Fati i ka buzëqeshur mundësit që përfaqëson Shqipërinë, Islam Dudaev, i cili në stilin e lirë në peshën 65 kilogramë do të ndeshet sot në drekë për medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike.

 

Dudaev humbi ndeshjen çerekfinale përballë iranianit Amuzad. Por kalimi i këtij ët fundit në finale i dha mundësinë sportisti kuqezi që të garonte përsëri për të pasur shansin e medaljes së bronztë. Megjithatë, sfida e tij ndaj amerikanit Retherford e planifikuar për sot paradite, nuk është zhvilluar.

Kundërshtari i tij është tërhequr nga garimi për shkak se nuk arriti peshën e kështu, Dudaev është kualifikuar direkt për në ndeshjen për medaljen e bronztë. Aty ai do të ketë përballë hungarezin Ismal Musukaev, i cili ka dalë i pesti në këtë peshë në Tokio 2020, ndërsa ishte kampion bote në vitin 2023.

U raportua si vdekje aksidentale, Elgi Proga është dhunuar për vdekje. Identifikohet autori

Ditën e djeshme u raportua se një 37-vjeçar, Egli Proga, ishte rrëzuar në tokë në gjendje të dehur dhe për pasojë humbi jetën në spital. Por sot ngjarja ka marrë rrugë tjetër.

I riu Egli Proga, i cili u gjet i shtrirë në rrugë dhe nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra, raportohet se është dhunuar për vdekje.

Autori i dyshuar, Denis Meçe, është identifikuar nga policia dhe është shpallur në Kërkim.

Mësohet se viktima dhe autori janë konfliktuar në ambjentet e jashtme të një lokali.

37-vjeçari pas sherrit është futur për disa minuta brenda lokalit dhe më pas pasi ka dalë sërish ka rënë në rrugë pa ndjenja.

Pritet njoftim zyrtar nga policia.

Stanjacioni i shkollave

Shkollat në shtetet e pasura po bëjnë përparime të dobëta. Ato duhet t’u rikthehen bazave, argumenton Mark Johnson, shkruan The Economist

 

Edhe përpara se pandemia Covid-19 të nxirrte me miliona fëmijë nga klasat, shkollat në të gjithë Amerikën ndodheshin në vështirësi.

Për 50 vjet, vendi ka gjurmuar ecurinë e nxënësve në lëndët matematikë dhe lexim, nëpërmjet Vlerësimit Kombëtar të Përparimit Arsimor, një sërë provash që nganjëherë quhen “Karta e Raportit të Kombit”.

Për shumicën e këtyre pesë dekadave, rezultatet janë përmirësuar vazhdimisht. Por ato mbetën në vend në fillim të viteve 2010. Deri në vitin 2020, rezultatet e provimeve kishin filluar të binin.

 

 

Rezultatet e provave në shumë shtete të tjera të pasura, tregojnë gjithashtu prirje të zymta. Për dy dekada, analistët në grupin OECD, një klub i formuar nga shtete kryesisht të pasura, u kanë kërkuar 15-vjeçarëve në dhjetëra vende, që të japin disa provime për atë që njihet si Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA).

Në vitin 2018, këto provime zbuluan se një 15-vjeçar i zakonshëm në vendet e OECD-së nuk ishte aq i aftë në matematikë, lexim apo shkencë sa në fillim dhe në mes të viteve 2000 (shih grafikun).

Në shkencë dhe lexim, rezultatet e nxënësve vazhduan të rriteshin përkatësisht deri në vitet 2009 dhe 2012, dhe pastaj nisën të binin. Në matematikë, ranë në një masë më të madhe. Dhe kjo pavarësisht se shpenzimet për nxënës u rritën.

PISA nuk është burimi i vetëm i disponueshëm i të dhënave të testeve ndërkombëtare. Provimet e organizuara çdo disa vjet nga Shoqata Ndërkombëtare për Vlerësimin e Arritjeve Arsimore, me seli në Holandë, ndonjëherë nxjerrin rezultate më pozitive.

Sidoqoftë, ato tregojnë se në një numër shtetesh të pasura, rezultatet e nxënësve, ose nuk kanë ndryshuar fare, ose kanë rënë në vitet para pandemisë.

Një grup të dhënash i publikuar vitin e kaluar nga ekonomistët Nadir Altinok dhe Claude Diebolt, përmbledh rezultatet nga një sërë testesh ndërkombëtare, në një përpjekje për të skicuar rrugën që kanë ndjekur sistemet kombëtare të shkollave me kalimin e kohës.

Shifrat tregojnë se cilësia e shkollimit në 20 shtete të pasura, u rrit shpejt në vitet 1980 dhe 1990, por që atëherë ky përparim ka rënë.

 

Problematika

Problemi nuk është se përmirësimi është dukur i pamundur. Në vitet e fundit, disa nga sistemet më të mira shkollore në botë kanë vazhduar të zhvillohen.

Në Singapor, adoleshentët e të cilit mundën gjithë të tjerët në raundin e fundit të testeve të PISA-s në vitin 2022, rezultatet e nxënësve u rritën edhe gjatë pandemisë.

Por yje të tillë në rritje në Azi bëjnë kontrast me sistemet perëndimore që po bëjnë pak përparim ose, në disa raste, janë në rënie të rrezikshme.

Në dekadën e fundit, një nga shtetet ku është vënë re një rënie shumë e theksuar e rezultateve të nxënësve, është Finlanda, e cila dikur mbahej si një reformatore e madhe në arsim, ndërsa tani duket shumë më e zakonshme.

Shtete të tjera të OECD-së që duket se po bëjnë hapa mbrapa, përfshijnë Francën, Gjermaninë, Holandën dhe Zelandën e Re (shih grafikun).

Përparimi i dobët akademik i nxënësve në këto vende, mund të shpjegohet nga dy faktorë kryesorë.

Së pari, nxënësit po ndryshojnë në disa mënyra që e kanë bërë më të vështirë që shkollat të mundësojnë përmirësime. Shkollave u është dashur të bëjnë më shumë përpjekje vetëm për të ruajtur të njëjtin rezultat akademik.

 

 

Rritja e emigracionit mund të jetë një arsye. Në Gjermani, për shembull, përqindja e adoleshentëve që janë emigrantë të brezit të parë ose të dytë, u dyfishua midis viteve 2012 dhe 2022, nga 13% në 26%.

Rritje të mëdha emigracioni ka pasur edhe në Britani, Austri dhe Zvicër. Të sapoardhurit janë zakonisht më të varfër se bashkëmoshatarët e tyre dhe kanë më shumë gjasa të flasin një gjuhë të huaj në shtëpi.

Gjithashtu, goditjet e mëdha ekonomike të dy dekadave të fundit, po rëndojnë mbi të mësuarit.

Në vitet pas krizës së madhe financiare, përqindja e fëmijëve në varfëri relative (pra, ata që u përkasin familjeve me më pak se gjysmën e të ardhurave mesatare), u rrit në 20 shtete anëtare të OECD-së ku disponoheshin të dhëna të tilla.

Deri në vitin 2018, kishte ende 13 shtete (nga 33 gjithsej) me nivele të varfërisë që ishin më të larta se dhjetë vite më parë.

Fëmijët mësojnë më pak nëse janë të sëmurë ose të uritur, ose për shkak të problemeve familjare, mund të mos marrin dot pjesë në çdo mësim.

Fëmijët që mbeten mbrapa me mësime, si rezultat i vështirësive të tilla, mund të dështojnë në shkollë, edhe nëse financat e prindërve të tyre përmirësohen.

 

Ju lutem hiqni celularët

Një tjetër problem është rritja e ankthit dhe problemeve të tjera të shëndetit mendor te fëmijët.

Në vitin 2022, rreth 18% e adoleshentëve e vlerësuan kënaqësinë e tyre nga jeta, në shkallën katër ose më pak nga dhjetë, sipas të dhënave nga OECD-ja.

Kjo shënon rritje të përqindjes së pakënaqësisë, krahasuar me 11% në vitin 2015.

Shpesh fajësohen mediat sociale, por të dhënat nuk e vërtetojnë ende këtë teori. Një argument më i fortë mund të jetë se ekranet po ndikojnë në studimet e nxënësve.

Më shumë se 60% e nxënësve në vendet e pasura thonë se celulari ose tableti, ndonjëherë i shpërqendron gjatë mësimeve në shkollë.

Nxënësit që raportojnë se shpenzojnë shumë kohë duke u marrë me pajisjet celulare në shkollë, kanë rezultate më të dobëta akademike se nxënësit e tjerë në testet ndërkombëtare.

Shpjegimi i dytë lidhet me politikanët, të cilët janë akuzuar se kanë shpërfillur themelet e arsimit dhe se kanë ndjekur reforma të gabuara.

Rritja e standardeve në shkolla është një detyrë më e ndërlikuar sesa nxitja e përmirësimeve në shumicën e fushave të tjera të politikës publike, thotë Montse Gomendio, ish-ministër arsimi në Spanjë.

Problemet e politikave të shkollimit janë më të theksuara dhe “asimetrike” sesa në sferat e tjera të qeverisjes. Nxënësit dhe familjet e tyre nuk janë të organizuar.

Kjo e bën më të lehtë që sindikatat e mësuesve t’u bëjnë qëndresë ndryshimeve, për shembull, për trajnimin dhe vlerësimin e mësuesve me synimin për të rritur rezultatet shkollore të nxënësve.

Ndërkohë, udhëheqësve politikë u kërkohet të shpenzojnë kapital politik për ndryshime që mund të mos japin fryte për vite me radhë.

Pengesa të tilla janë më pak të frikshme kur shkollimi shihet me prioritet të lartë nga një shtet. Sidoqoftë, në vendet e pasura, kjo nuk është më aq e zakonshme sa dikur.

Për shembull, në fillim të viteve 2000, performanca e dobët e Gjermanisë në testet ndërkombëtare çoi në një furi që shkaktoi ndryshime, dhe në vitet që pasuan, rezultatet e testeve u rritën përsëri.

Por në dekadën e fundit, ato kanë rënë përsëri dhe këtë herë publiku ka treguar shumë më pak interes, argumenton Ludger Woessmann, ekonomist në Universitetin Ludwig Maximilian të Mynihut.

 

 

Zhvillimi i trurit është mënyra më e besueshme për të nxitur rritjen ekonomike

Në disa sisteme, “inflacioni” i notave mund të ofrojë siguri të rreme. Në vitin 2019, mesatarja tipike e notave të një nxënësi amerikan në shkollë të mesme ishte 3.11, nga 2.94 dy dekada më parë.

Një studim i fundit, i cili këqyr provimet e pranimit në kolegj, tregon se midis viteve 2010 dhe 2021, performanca në provime ra, edhe pse notat që jepnin mësuesit u rritën.

Shkollat u bënë më bujare gjatë pandemisë. Në klasat amerikane, nxënësit po marrin pothuajse të njëjtat nota si në vitin 2019, edhe pse askush nuk e vë në dyshim se për shkak të ndërprerjeve të pandemisë, nxënësit kanë mbetur mbrapa.

Përparimi i ngadaltë në arsim po shkakton kosto të mëdha. Rreth një e katërta e nxënësve 15-vjeçarë në vendet anëtare të OECD-së nuk kanë aftësitë bazë në matematikë, lexim dhe shkencë, sipas standardeve të vendosura nga PISA.

Kjo do të thotë se 16 milionë adoleshentë kanë vështirësi me detyrat që përfshijnë numërimin ose nxjerrjen e kuptimit nga tekste bazë.

Një sërë kërkimesh tregojnë se zhvillimi i trurit është mënyra më e besueshme dhe më e qëndrueshme për të nxitur rritjen ekonomike të vendeve.

Disa vite më parë, profesori Woessmann dhe ekonomisti Eric Hanushek në Stanford, matën përfitimet që mund të merreshin nga rritja e aftësive matematikore dhe shkencore në fuqinë punëtore, me një sasi të barabartë me rreth 25 pikë në testet e PISA-s (përafërsisht hendeku që ndan adoleshentët amerikanë nga ata britanikë në rezultatet e matematikës).

Ata zbuluan se kjo do të rriste me gjysmë pikë përqindje rritjen vjetore të PBB-së në vendet e pasura.

Dhe analistët parashikojnë se nëse një shtet do të fillonte të nxirrte të rinj më të zgjuar në vitin 2030, ai do ta mbyllte shekullin me një ekonomi rreth 30% më të madhe.

Sistemet shkollore duhet të ndryshojnë. Sa më gjatë të presin, aq më të vështirë do ta kenë për t’u rigjallëruar.

Në Amerikë, lodhja me reformën arsimore i shkurajon fondacionet dhe filantropët që të investojnë në eksperimente premtuese.

Njerëzit priren gjithnjë e më shumë të shpërfillin lajmet e këqija, ose e bindin veten se metodat për të matur përparimin, janë diskriminuese kundër grupeve të veçanta të fëmijëve.

Ide të reja për të cilat ka pak prova fitojnë mbështetje, ndërsa ndreqjet e nevojshme por më të mërzitshme, shpërfillen. Për t’i dhënë fund stanjacionit të shkollave, nevojiten reforma më realiste dhe të volitshme./ Përktheu: Lira Muça

Tendenca
Përparimi i ngadaltë në arsim po shkakton kosto të mëdha. Rreth një e katërta e nxënësve 15-vjeçarë në vendet anëtare të OECD-së nuk kanë aftësitë bazë në matematikë, lexim dhe shkencë, sipas standardeve të vendosura nga PISA. Kjo do të thotë se 16 milionë adoleshentë kanë vështirësi me detyrat që përfshijnë numërimin ose nxjerrjen e kuptimit nga tekste bazë

 

Shifrat rekord/ Malli i importit ‘mbyt’ prodhimin ‘Made in Albania’! Janar-Qershor u importuan 597 mijë tonë ushqime

Importi po e mbyt prodhimin vendas, pasi dominon ndjeshëm në tregun shqiptar. Situatë që konfirmohet edhe nga të dhënat e Institutit të Statistikave, mbi tregtinë e mallrave. Vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti është importuar nga jashtë 579 mijë tonë produkte ushqimore, pije e duhan, rreth 100 mijë tonë më shumë se në vitin e kaluar, e përkthyer në vlerë, 74.8 miliardë lekë importe ushqimesh nga janari në qershor të këtij viti, nga 69.2 miliardë lekë që ishte vlera vitin e kaluar.

Kurse eksportet për të njëjtat mallra arritën në 242 mijë tonë këtë vit, nga 211 mijë tonë në vitin e kaluar. Eksportet e ushqimeve, pijeve e duhanit në këtë gjashtëmujor ishin në vlerën 27.6 miliardë lekë, duke rënë krahasuar me vjet kur u eksportuan 30.6 miliardë lekë ushqime. Pra kemi eksportuar më lirë, dhe kemi shitur trefish më pak sesa kemi blerë.

Një tjetër e dhënë që tregon dominimin e importit në vend, është edhe ajo e drithërave. Ndërkohë që fermerët ankoheshin që gruri u kishte mbetur stok, importet rriteshin.

Sipas të dhënave të INSTAT, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë importuar 143 mijë tonë drithëra, me vlerë 4.7 miliardë lekë. Ndërsa vjet u importua në këtë periudhë 109 mijë tonë, me vlerë 4.5 miliardë lekë.

Ndërsa vlera e eksporteve është minimale. Vjet janë eksportuar 151 tonë drithëra, ndërsa këtë vit vetëm 88 tonë, kurse vlera e tyre nga 7.1 milionë lekë vjet, është rritur në 17.6 milionë lekë këtë vit.

Pra siç tregohet nga shifrat e vetë institucioneve, importi po konkurron fort prodhimin vendas, dhe po dominon nëpër markete dhe magazina në Shqipëri.

IMPORTI I USHQIMEVE
Janar-Qershor 2023            497,543 tonë/69,2 mld lekë
Janar-Qershor 2024            597,701 tonë/74,8 mld lekë
Rritja 2023/2024                +100,158 tonë/5,6 mld lekë
EKSPORTET I USHQIMEVE
Janar-Qershor 2023            211,388 tonë/30,6 mld lekë
Janar-Qershor 2023            242,655 tonë/27,5 mld lekë
Rritja 2023/2024     454,043 tonë/3,1 mld lekë
IMPORTI I DRITHËRAVE   
Janar-Qershor 2023        109.5 mijë tonë/4,5 mld lekë
Janar-Qershor 2024        143.3 mijë tonë/4,7 mld lekë
EKSPORTI I DRITHËRAVE
Janar-Qershor 2023             151.1 tonë/7,1 mln lekë
Janar-Qershor 2024              88.1 tonë/17,6 mln lekë

Çështja e energjisë bërthamore në Serbi kthehet në pikë të nxehtë gjeopolitike për Kinën, Rusinë dhe Perëndimin

E shtyrë nga nevoja për të diversifikuar sektorin e saj energjetik dhe për t’u shkëputur nga gazi i lirë rus, Serbia po merr hapa për t’i dhënë fund politikës prej disa dekadash të vendit, që ndalon ndërtimin e termocentraleve bërthamore në territorin e vendit.

Disa ministri serbe njoftuan se vendi po mendon t’i japë fund epokës 35-vjeçare jugosllave të ndalimit të centraleve bërthamore dhe është hapur një debat publik mbi ndryshimin e politikës energjetike afatgjatë të Beogradit.

Nëse do ta realizojë këtë me sukses, qeveria serbe mund të gjendet gjithashtu në një pozitë të vështirë gjeopolitike për sa i përket përdorimit të energjisë bërthamore në Europën Lindore, ndërkohë që vendet e lindjes po kërkojnë të largohen nga varësia ruse dhe të krijojnë bashkëpunime alternative me shtete të tjera si Kina, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, po kërkon të krijojë mundësi të reja për Serbinë, pasi në Europë u krijua një realitet i ri me pushtimin e Ukrainës dhe në këto kushte të reja, Beogradi ka qenë i detyruar të rishikojë politikat e tij të ftohta ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.

“Edhe pse Serbia nuk ka qenë e ashpër me Rusinë siç ka bërë Bashkimi Europian, ajo është përpjekur të ruajë një akt baraspeshues me Perëndimin”, tha për Radion Europa e Lirë, Stefan Vladisavljev, drejtori i Fondacionit BFPE, një institut me seli në Beograd. “Kjo nënkupton një mënjanim nga Rusia për sa u përket projekteve të mëdha strategjike, por nuk janë ndërmarrë ende hapa konkretë”.

Përpara se të niste lufta ruse në shkurt 2022, Serbia mbështetej në fuqinë e lirë punëtore vendase dhe gazin e lirë rus, për ta bërë industritë e saj minerare dhe prodhuese tepër konkurruese dhe tërheqëse për investitorët.

Por sanksionet perëndimore dhe turbullirat e tregut kanë rritur çmimin e gazit rus dhe Brukseli dhe Uashingtoni kanë vendosur ndëshkime ndaj atyre vendeve që lidhin marrëveshje të reja me kompanitë ruse.

Kjo e lë Vuçiçin në një pozicion të vështirë, duke u përpjekur të baraspeshojë nevojën për të përmirësuar sigurinë energjetike të Serbisë, me kushtet e reja gjeopolitike në kontinent.

Zyrtarët serbë kanë peshuar mundësitë e tyre, pasi në muajin prill mbajtën takime me përfaqësuesit e kompanisë britanike Rolls-Royce dhe kompanisë shtetërore franceze Electricite de France (EDF). Me këtë të fundit, Serbia nënshkroi një memorandum për të “peshuar potencialin serb për zhvillimin e programit të energjisë bërthamore”.

Në qershor, Ministria e Energjisë e Serbisë tha se po “hedh themelet” për të lidhur marrëveshje me kompaninë franceze EDF.

EDF-ja nuk ju përgjigj kërkesave të Radios Europa e Lirë për të dhënë hollësi në lidhje me ato që do të përfshinte bashkëpunimi me Serbinë, por, ndërkohë, në këtë çështje është përfshirë edhe Kina.

Korporata Kombëtare Bërthamore e Kinës (CNNC) në pronësi shtetërore mund të furnizojë Serbinë me reaktorë të vegjël modularë (SMR), të cilët janë më pak të vështirë për t’u ndërtuar dhe mund t’i përshtaten më mirë një vendi të vogël si Serbia, me nevoja më modeste për energji bërthamore.

Një tjetër mundësi është blerja e aksioneve në termocentralin bërthamor Paks 2, që është ende në ndërtim. Ky është një projekt i përbashkët hungarez-rus, i nisur në vitin 2014, që ndodhet 100 kilometra në jugperëndim të Budapestit dhe mund të furnizojë me energji jugun e Serbisë.

Ministria e Energjisë tha për Radion Europa e Lirë se tani për tani, është ende duke shqyrtuar gjithë bashkëpunimet e mundshme.

“Pas ndryshimit të kornizës legjislative, Serbia do të analizojë mundësitë për bashkëpunim në nivel rajonal dhe ndërkombëtar, me shtete të fuqishme që kanë tashmë një program bërthamor shumë të zhvilluar, si Kina, Franca, Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Japonia”, thuhet në deklaratën e ministrisë serbe.

Një epokë e re e energjisë bërthamore

Edhe pse Rusia e ka humbur pozitën mbizotëruese në eksportet e naftës dhe gazit që nga fillimi i luftës në Ukrainë në vitin 2022, ajo vazhdon të jetë lojtari më i madh global në sigurimin e karburantit bërthamor, duke zënë më shumë se 40% të tregut global. Rusia ka gjithashtu një monopol të plotë në prodhimin e karburantit të avancuar bërthamor, që do të nevojitet për të fuqizuar gjeneratën e ardhshme të reaktorëve bërthamorë.

Për shtetet që kanë centrale bërthamore të ndërtuara nga Rusia, kjo varësi është edhe më e thellë. Rosatom, gjiganti shtetëror rus i energjisë bërthamore, që operon 18 centrale bërthamore në të gjithë BE-në, e ka ndërtuar pjesën më të madhe të tyre në Europën Qendrore dhe Lindore.

Deri tani, materialet bërthamore ruse nuk janë përfshirë në paketën e sanksioneve të vendosura në Bruksel, por Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca dhe shtete të tjera të rëndësishme që prodhojnë karburant bërthamor, kanë njoftuar planet për të zgjeruar kapacitetin e tyre bërthamor dhe për të ndërtuar centrale bërthamore në të gjithë Europën.

Në këtë sfond gjeopolitik, Beogradi duhet të marrë një vendim dhe të bëjë plane afatgjata.

Tani, Serbia e merr pothuajse 70% të energjisë elektrike nga qymyri, por është zotuar që ta heqë atë qafe plotësisht, deri në vitin 2050. Për të përmbushur këtë qëllim, është e nevojshme përfshirja e energjisë bërthamore dhe energjisë së gjelbër.

“Është shumë e rëndësishme se prej nga e merr një shtet centralin bërthamor”, tha për Radion Europa e Lirë, Jennifer Gordon, drejtore e Nismës për Politikën e Energjisë Bërthamore të Këshillit Atlantik.

“Marrëdhënia blerës-shitës mund të jetë një marrëdhënie 100-vjeçare kur merret parasysh ndërtimi i centralit, jetëgjatësia e tij dhe më pas nevoja për ta çmontuar”.

Shtete si Republika Çeke, Sllovakia, Finlanda dhe Bullgaria, janë mbështetur në importet ruse të karburantit bërthamor për të kompensuar për mungesën e gazit dhe naftës ruse si rrjedhojë e luftës, por ato gjithashtu kanë filluar të largohen nga kompania ruse Rosatom, duke e përjashtuar atë nga planet për të ardhmen e largët. / Monitor

Ndizet merkato/ Galeno dhe Gonzalez, “Zonja” nis ofensivën në dy pista

Juventus vazhdon të punojë për të siguruar dy anësorë sulmues për t’ia dhënë Tiago Motës. Sipas “Tuttosport”, emrat në krye të listës mbeten dy: Niko Gonzalez dhe Venderson Galeno.

I pari vlerësohet në 35 milionë euro. Bardhezinjtë mendojnë se mund të zvogëlojnë një pjesë të shpenzimeve ekonomike duke luajtur kartën e homologëve teknikë, mbi të gjitha ato të Ueston Mekeni dhe Artur, edhe pse Juvja do të duhej të kontribuonte, nëse negociatat konkretizohen, me një pjesë të pagave të tyre të cilat janë jashtë parametrave të Fiores. Sa i përket Galenos, “Zonja” do të kishte hyrë në perspektivën për të bërë një ofertë të rëndësishme në lidhje me anësorin e Portos.

Luzitanët tashmë kanë refuzuar një ofertë 40 milionëshe nga Notingem Forest, me lojtarin që ka shprehur pëlqimin e tij për destinacionin torinez, duke arritur tashmë një marrëveshje në parim me drejtorin Xhuntoli. Në këtë pikë do të jetë e nevojshme të gjendet një zgjidhje me portugezët sa më shpejt të jetë e mundur. Për më tepër, shpenzimet ekonomike mund të reduktohen ndjeshëm nga përfshirja e Tiago Djalos në këmbim.