37.5 C
Tirana
E mërkurë, 13 Gusht, 2025

Mjekët e laboratorit, me rekord shumëpunësimi? Ping pongu mes Ministrisë dhe Inspektoriateve për kontrollin

Operatorë të tregut të laboratorëve mjekësorë privatë shprehen se ka mjekë që janë drejtues teknikë në më shumë se 20 subjekte njëherësh. Sipas tyre, kjo praktikë është e papranueshme dhe e rrezikshme për shëndetin e pacientëve, pasi kontrolli dhe menaxhimi i kaq shumë laboratorëve njëkohësisht është i pamundur fizikisht, madje as me mjete elektronike. Nga ana e tyre, institucionet shëndetësore shprehen se ligji nuk vendos kufizime për disapunësimin e mjekëve.

Nga Ersuin Shehu

Dypunësimi i mjekëve në Shqipëri është një çështje e bërë shpesh objekt debatesh. Janë të shumtë mjekët që punojnë në spitalet shtetërore dhe paralelisht në klinikat e tyre, ose në subjekte të tjera private.

Kjo çështje u kthye sërish në qendër të vëmendjes muajt e fundit, kur disa përgjime të prokurorisë treguan se një mjek i Spitalit Onkologjik në QSUT shpërdoronte detyrën e tyre, duke i orientuar pacientët në klinikën e tij private.

Nga përvoja personale apo të personave të afërt, dimë se referimi i pacientëve nga mjekët e spitaleve publike në klinika private është një praktikë mjaft e përhapur.

Disapunësimi i mjekëve, jo vetëm që shtron probleme të natyrës etike dhe të konfliktit të interesit, por në raste të caktuara vendos në dyshim edhe mundësinë e mjekëve për të kryer detyrën me përgjegjësinë e duhur.

Subjekte, që veprojnë në tregun e laboratorëve mjekësorë privatë, kanë ndarë me “Monitor” shqetësimin për disapunësimin masiv të mjekëve laborantë.

Sipas këtyre subjekteve, ka mjekë të punësuar në aq shumë laboratorë njëherësh, sa është fizikisht e pamundur që ata t’i kryejnë realisht funksionet e tyre në secilin prej laboratorëve ku rezultojnë të punësuar.

Kjo nënkupton se shumë drejtues e kryejnë funksionin e tyre vetëm në mënyrë fiktive, pa përmbushur detyrat që kërkon legjislacioni në realizimin dhe interpretimin e analizave mjekësore.

Disapunësimi i mjekëve, problem për tregun e laboratorëve

Burime nga tregu thonë për “Monitor” se, nga studimi që i është bërë tregut të laboratorëve mjekësorë në Shqipëri, ekziston problemi madhor i punësimit të mjekëve të laboratorit klinik biokimik, të cilët kanë dhënë licencën si drejtues teknikë në shumë laboratorë në të njëjtën kohë, qofshin këta laboratorë mjekësorë më vete apo laboratorë të atashuar pranë qendrave të tjera shëndetësore private dhe shtetërore njëkohësisht.

Sipas këtyre burimeve, në Shqipëri ka disa mjekë laboratori që janë drejtues teknikë në 10-15 laboratorë në të njëjtën kohë, madje disa syresh edhe më shumë se 20 laboratorë dhe klinika të ndryshme, nga Veriu ne Jug. Ndërsa, shumica e tyre janë drejtues teknikë në 4-5 laboratorë dhe klinika të ndryshme.

Sipas këtyre burimeve, kjo praktikë është e papranueshme dhe e rrezikshme për shëndetin e pacientëve. Kontrolli dhe menaxhimi i kaq shumë laboratorëve njëherësh është i pamundur fizikisht, madje as me mjete elektronike.

Urdhri Nr.49, datë 11.02.2011 i Ministrit të Shëndetësisë për miratimin e rregullores “Për Organizimin dhe Funksionimin e Laboratorëve Mjekësorë”, në nenin 10, pika 1, përcakton se “Laboratori mjekësor ka drejtues teknikë.

Realizimi dhe interpretimi i testeve të mjekësisë laboratorike përbën një akt mjekësor dhe për pasojë, drejtimi teknik i laboratorit është thelbësor për performancën qё ofron një laborator i tillë”.

Sipas burimeve nga tregu, në Shqipëri janë gjithsej 94 mjekë laboratori klinik biokimik të licencuar nga Urdhri Mjekut. Nëse në Shqipëri do të aplikohej, për shembull, ligji gjerman, numri total i laboratorëve mjekësorë klinikë biokimikë do të ishte 94.

Nisur nga ky paragraf i Urdhrit të mësipërm, si dhe referuar punës që kryen drejtuesi teknik, në një laborator klinik-biokimik në kryerjen, kontrollin, validimin dhe interpretimin e të gjitha analizave që kryhen në laborator, burimet shprehen se është e pamundur të realizohet misioni i mjekut për mbrojtjen e shëndetit të pacientit.

“Kjo duke pasur parasysh veprimtarinë specifike të kryerjes së analizave; kontrollit të mënyrës së kryerjes së analizave; validimin e tyre; interpretimin e tyre te pacienti; kapacitetin njerëzor e profesional për kryerjen e kësaj veprimtarie; kohën fizike që duhet për kryerjen e veprimtarisë në një laborator me kapacitet mesatar; nga ushtrimi i veprimtarisë në shumë vende të ndryshme veçmas apo në të njëjtën kohë; për mbrojtjen dhe garantimin e standardeve të personave të kualifikuar; për mbrojtjen e publikut nga kequshtrimi i profesionit; për mbrojtjen e pacientit si konsumator; për konkurrencën në fushën e veprimtarisë tregtare të laboratorëve mjekësorë; etj.” shprehen këto burime.

Duke pasur parasysh problemet mësipërme, subjektet sugjerojnë që të vendosen disa kufizime për dypunësimin e mjekëve laborantë, duke përcaktuar minimalisht që për Drejtuesin Teknik, dypunësimi do të lejohet vetëm brenda qytetit.

Ky parashikim do të garantonte mbrojtjen më të mirë të interesave publike, nëpërmjet ushtrimit korrekt të profesionit të mjekut dhe sigurimin e cilësisë së shërbimeve profesionale dhe respektimin e së drejtës së pacientit për marrjen e shërbimit.

Nga ana tjetër, punësimi i drejtuesve teknikë në shumë vende pune (në shumë laboratorë), përveçse shkel në mënyrë të dukshme cilësinë e shërbimit të ofruar, rëndon e cenon edhe pozitën e laboratorëve që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në bazë të ligjit, në respektim të cilësisë së shërbimit dhe konkurrencës së ndershme.

Ministria: Laboratorët i kontrollon inspektorati

Lidhur me shqetësimin e shprehur nga subjektet e këtij tregu, “Monitor” iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Shëndetësisë.

Pyetjet që i drejtuam Ministrisë së Shëndetësisë ishin:

“A konstatoni ekzistencën e një problematike të tillë, ku ka mjekë që janë të punësuar në aq shumë laboratorë njëkohësisht, aq sa do të ishte fizikisht e pamundur që ata ta kryejnë në mënyrë korrekte funksionet e tyre (përveç implikimeve të lidhura me konfliktin e mundshëm të interesit)?

Nëse po, si mund të adresohet një problem i tillë?” dhe “Më në përgjithësi, nga informacionet dhe inspektimet tuaja, a ju rezulton se aktiviteti i laboratorëve mjekësorë zhvillohet sipas standardeve dhe kërkesave ligjore dhe a garantohen sot rezultate të besueshme për analizat dhe testimet që kryejnë këta laboratorë?”.

Përgjigjja e Ministrisë së Shëndetësisë ishte një referencë e ligjit Nr.10081, datë 23.03.2009 “Për licencat, Autorizimet dhe Lejet në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar, ku listohen aktivitetet në fushën e shëndetësisë ku vendimmarrëse është Ministria e Shëndetësisë. Mes këtyre veprimtarive, janë edhe shërbimet laboratorike.

Më tej, Ministria e Shëndetësisë shton vetëm se Inspektorati Shtetëror Shëndetësor është përgjegjës për të gjitha funksionet e inspektimit të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, me përjashtim të inspektimit të veprimtarive në fushën farmaceutike, i cili kryhet nga struktura përgjegjëse sipas legjislacionit në fuqi.

Inspektorati: Ligji nuk e kufizon disapunësimin e mjekëve

Mbështetur në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë, të njëjtat pyetje iu përcollën Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor.

Në përgjigjen zyrtare, ky institucion shprehet se bazuar në Ligjin Nr. 10 433, datë 16.06.2011 “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, ISHSH, kryen inspektime të programuara të bazuara në programin vjetor dhe planet mujore të inspektimeve, si dhe inspektime jashtë programit.

Në rastet e inspektimeve të programuara, subjekti që do të inspektohet, njoftohet shtatë ditë para inspektimit nëpërmjet autorizimit të inspektimit për datat kur do të kryhet inspektimi dhe objektin e inspektimit.

Trupa inspektuese komunikon me drejtuesin teknik të laboratorit, i cili është dhe përgjegjës për personelin dhe produktin e këtij shërbimi (fletë analiza).

ISHSH nuk ka kompetencë ligjore të kryejë verifikimin e kryerjes dhe procedurës së këtij procesi, pasi analiza laboratorike mjekësore përbën një akt mjekësor, i cili verifikohet nga institucione të specializuara dhe audituesit klinikë. Inspektimi shëndetësor i ISHSH ka karakter administrativ dhe higjieno-sanitar, ku vlerësimi kryhet përmes inspektimit të dokumentacionit higjieno-sanitar dhe atij shëndetësor.

Licencimi i subjekteve shëndetësore kryhet nga Qendra Kombëtare e Biznesit, QKB, ku subjekti i interesuar vetë deklaron sipas kritereve të përcaktuara.

Në bazë të Ligjit Nr. 10 107, datë 30.03.2009 “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, ISHSH inspekton subjektet, të cilat ofrojnë shërbime shëndetësore sipas përcaktimeve të këtij ligji.

Laboratorët mjekësorë inspektohen nga ISHSH si institucione shëndetësore, të cilat ofrojnë një lloj shërbimi shëndetësor, konkretisht shërbimin laboratorik mjekësor.

Ky inspektim konsiston në inspektimin e zbatueshmërisë ligjore në fushën e shëndetit publik, përjashtuar atë farmaceutik dhe të pajisjeve mjekësore të cilat inspektohen nga institucione të tjera.

Sipas ISHSH, inspektimet kanë konstatuar mangësi në dokumentacionin higjieno-sanitar dhe atë shëndetësor dhe mangësi në kushtet fizike të subjekteve.

Lidhur me funksionet e mjekëve, ISHSH shprehet se personeli mjekësor i cili kryen funksionet e tij në këtë institucion shëndetësor, laborator mjekësor, ka detyrimin dhe përgjegjësinë e njëjtë si personeli mjekësor i një institucioni shëndetësor që ofron një shërbim tjetër mjekësor.

Sipas ISHSH, legjislacioni nuk e ndalon personelin mjekësor të disa punësohet.

Kush na siguron se analizat laboratorike janë të besueshme?

Jo rrallë, raportimet mediatike dhe emisionet investigative kanë treguar shkelje të hapur të standardeve dhe kryerjen e analizave fiktive të kampionëve të dorëzuar pranë këtyre laboratorëve.

Një nga pyetjet që i drejtuam Ministrisë së Shëndetësisë ishte nëse në Shqipëri garantohen sot rezultate të besueshme për analizat dhe testimet që kryejnë laboratorët privatë. Për këtë pyetje, Ministria e Shëndetësisë na adresoi në Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor.

Nga ana e vet, ISHSH përgjigjet se “nuk ka kompetencë ligjore të kryejë verifikimin e kryerjes dhe procedurës së këtij procesi, pasi analiza laboratorike mjekësore përbën një akt mjekësor, i cili verifikohet nga institucione të specializuara dhe audituesit klinikë.

Inspektimi shëndetësor i ISHSH ka karakter administrativ dhe higjieno-sanitar, ku vlerësimi kryhet përmes inspektimit të dokumentacionit higjieno-sanitar dhe atij shëndetësor.”

Nga komunikimi me Ministrinë dhe ISHSH, nuk është e qartë se cili institucion ka përgjegjësi të kontrollojë apo certifikojë nëse rezultatet e analizave që kryejmë në laboratorët shqiptarë janë të besueshme. /Monitor/

Arroganca e politikanëve shqiptarë përballë një shembulli modestie

Nga Fitim Zekthi

Ne vitin 1860, ne Decatur te Iilinois-it u mbajt konventa e republikaneve. Lincol-i, qe do te zgjidhej kandidat per president u prit me aq entuziazem sa njerezit hodhen kapelet dhe bastunet ne ajer duke shkaterruar tendat, duke demtuar keq tavanin e salles dhe duke brohoritur fuqishem. Ai ishte 51 vjec, ne kulmin e vet politik, po niste rrugen si presidenti i ardhshem i Shba-se. Lincoln rrinte i menduar dhe i heshtur. Kongresmeni Johnson thote se “nuk kishte pare njeri jo vetem me modest por edhe me te deshperuar.” Te nesermen kur konventa kishte mbaruar ne salle gjendeshin kudo bishta cigareje, shishe bosh uiski, xhaketa te harruara. Guvernatori i Ilinois William Bross hyri ne salle dhe pa ne fund te saj ulur me koken zene me duar Lincoln-in. Teksa guvernatori u afrua Lincoln tha “nuk jam mire.”

Lincoln kishte nje modesti, ndjenje pergjegjesie dhe shpirt sakrifice perballe detyres dhe njerezve qe veshtire te gjendet kund ne bote. Megjithate kudo veti te tilla si pergjegjedia para njerezve, modestia dhe sakrifica per te miren e njerezve jane te pranishme sadopak. Tek ne per fat te keq jeta politike dominohet nga politikane qe nuk kane asnje grime modesti dhe ndjenje pergjegjesie, qe nuk sakrifikojne asgje dhe udhehiqen nga ndjenjat me te forta narcisiste te ushqyera kryesisht nga epshi, inati. Ketu politikanet jo vetem nuk zene koken me duar nga pergjegjesia dhe perunjesia por jane arrogante, fyes, perbuzes. Ketu edhe vishen, flasin, dalin ne tv, mbajne mjekrra per tu mburrur, per tu dukur dhe kenaqur egot lere me pastaj per shtysat e luftes politike.

Oligopoli i frikshëm/ Dy kompani morën 94 për qind të tenderave të AKSHIT

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka finalizuar procedurat për 8 tendera të mëdhenj nga fillimi i këtij viti. Por 6 prej tyre janë fituar nga vetëm dy kompani. E megjithatë në vlera parash, bilanci është edhe më i përqëndruar.

Sipas të dhënave zyrtare nga thesari i shtetit, vlera e tenderave të prokuruar nga AKSHI nga 1 janari e deri më sot është 28.3 milionë euro. Nga këto, 26.7 milionë euro u fituan nga dy kompanitë e mësipërme. Kjo do të thotë se në çdo 100 lekë që shpenzohen nga AKSHI, 94 lekë shkojnë vetëm në dy kompani. Dhe dy kompanitë janë Soft & Solution dhe Fastech.

Ky është një nga oligopolet më të rënda në historinë e tenderave publikë të Shqipërisë, i cili konfirmohet nga të gjithë treguesit e tjerë.

Sipas regjistrit të prokurimeve publike, në çdo tender të AKSHI-t paraqiten mesatarisht 2.5 oferta, kur në rang kombëtar kjo shifër është 8.6 oferta për tender. Por kjo është një shifër që raporton edhe ofertat fiktive. Tregues tjetër, ai i ofertave të kualifikuara është edhe më dramatik. Sipas të dhënave, në çdo tender të AKSHI-t, kualifikohet mesatarisht vetëm 1.25 oferta, kur në rang kombëtar mesatarja është 5.6 oferta për çdo tender.

Praktikisht në tenderat që bën Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit nuk ka garë, por ndarje parash publike.

Tenderët
Kontrata më e madhe publike e akorduar në fushën dixhitale këtë vit është ajo bërjes nga e para të platformës e-albania. Fondi limit për këtë kontratë u paracaktua 14.6 milionë euro. Edhe pse kjo ishte një llokmë shumë e madhe, që do të tundonte çdo kompani në fushën e IT-së, çuditërisht në tender u paraqitën vetëm dy oferta, njëra prej të cilave ishte totalisht fiktive.

Infosoft Systems hyri në garë pa paraqitur fare ofertë financiare dhe pa depozituar asnjë dokument, pra thjesht në pjesmarrje fiktive. Rrjedhimisht tenderi iu dha ofertës tjetër, asaj të bashkimit të katër kompanive. Ato ishin Fastech, Soft & Solution, Image and Communications si dhe Helius. Këto kompani u shpallën fituese të tenderit, ku garuan të vetme me ofertë 13.7 milionë euro.

Kontrata e dytë më e madhe ishte ajo e implementimit të sistemit të qendërzuar për dokumentat me nënshkrim elektronik. Fondi limit i këti tenderi u paracaktua 5.7 milionë euro pa TVSH. Në garë morën pjesë 4 oferta. Por dy ofertat më të ulëta u skualifikuan dhe fituese u shpall oferta e tretë, që ishte ajo e kompanisë Soft & Solution me vlerë 5.1 milionë euro.

Përmirësimi i Sistemit e- Leje ishte tenderi i tretë më i madh që AKSHI ka përmbyllur gjatë këtij viti me fond limit 3.1 milionë euro. Në garë u paraqitën vetëm dy oferta dhe fituese u shpall sërish Soft & Solution me 2.8 milionë euro.

Lista vazhdon me tenderin për përmirësimin e regjistrit të noterëve, i fituar nga Fastech për 2.5 milionë euro. Më pas përmirësimi i sistemit të informacionit për arsimin i lartë, i fituar nga Soft & Solution për 1.8 milionë euro.

Dy tenderat e vetme që kanë dalë nga darët e këtyre dy kompanive ishin përmirësimi i sistemit të tatimeve dhe ai i regjistrit të arkivës me vlerë respektivisht 1.5 milionë dhe 330 mijë euro.

Mbyllje e tregut
Nga 1 janari i këtij viti e deri më sot, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka shpallur në total 55 milionë euro tendera. Kjo është një nga njësitë shpenzuese më të mëdha të shtetit shqiptar, ku miliardat derdhen lum. Deri tani kanë dalë fituesit dhe janë mbyllur vetëm gjysma e tyre, ndërkohë që duhet të mbyllen edhe gati 27 milionë euro të tjera.

Por edhe këto do të jenë një farsë ashtu si ato që u mbyllën. Sepse në tenderat e IT-së nuk ka më garë, por ajo që ndodh është gjakderdhje buxhetore në sytë e të gjithëve. Fillimisht nën hundën e Agjencisë së Prokurimeve Publike dhe auditeve të brendshme të shtetit, të cilave duhet t’u ishte ndezur me kohë sinjali i riskut, teksa në tenderat e AKSHI-t mesatarja e ofertave të vlefshme është vetëm 1.25.

Më pas nën hundën e Autoritetit të Konkurrencës, i cili ka indicie të forta për koluzion në këto tendera. Për shembull Soft & Solution dhe Fastech, në disa gara hyjnë me oferta të përbashkëta, në të tjera shfaqen si konkurrente.

Hezitimi i këtyre institucioneve për të vepruar nuk mund të shpjegohet kurrsesi me asnjë faktorë racional, përveçse me një fuqi madhore që i detyron të bëjnë syleshin dhe hundzënët. Por nëse institucionet nën varësinë e qeverisë, kanë frikën ekzekutive, më e pashpjegueshme mbetet dhe hezitimi i organeve të drejtësisë.

Publikisht është thënë se prokuroria ka dhe përgjime për tenderat e AKSHI-t. Por ndërsa vërtetësia e këtyre thënieve mbetet e paprovuar, Prokurorisë nuk i nevojitet hiç të ketë përgjime. Indiciet e tenderave të IT-së janë publike. Gjakderdhje financiare.

Propozim i legatës gjermane në Tiranë

Nga Kastriot Dervishi

Kur ndodhën masakrat në Çamëri, në Shqipëri ishte qeveria e Rexhep Mitrovicës. Në korrik-gusht 1944 erdhi qeveria e Fiqri Dines. Më 24.8.1944 legata gjermane në Tiranë, njoftonte Ministrinë e Punëve të Jashtme se në Filat “ishin grumbulluar rreth 20 mijë emigrantë shqiptarë nga Çamëria (krahina Paramithi-Pargë)”, të cilëve po u jepte ndihmë Kryqi i Kuq ndërkombëtar. Ishte projektuar që këta të vendoseshin në hapësirën Konispol-Gjirokastër, ndërsa minoritarët grekë të Shqipërisë të transferoheshin në Çamëri. Për këtë veprim, legata gjermane kërkonte miratimin nga Këshilli i Ministrave të Shqipërisë. Kjo notë ka mbërritur kur qeveria e F.Dines kish dhënë dorëheqjen, por ishte në detyrë deri në ardhjen e qeverisë së re.

Vendi rrezikon të mbetet pa fuqi punëtore për shkak të largimit të të rinjve! Zgjidhja për bizneset, rritja e pagës mesatare në 1 mijë euro

The refugees migrate to Europe union . Silhouette of illegal immigrants . Europe union migration policy

Përveç pakësimit, struktura e popullsisë është plakur dhe moshat e vjetra dominojnë. Të dhënat e Censit 2023 tregojnë se mosha mesatare e popullsisë arriti në 42.5 vite, duke u rritur me 7 vjet nga viti 2011, kur ky tregues ishte 35.5 vjet.

The refugees migrate to Europe union . Silhouette of illegal immigrants . Europe union migration policy

Faktorët ndikues të lindjeve, vdekjeve dhe migracionit ndërkombëtar dhe të brendshëm sollën ndryshimin e strukturës së popullsisë, në Censin e 2023.

Piramida e popullsisë bazuar në Censin e 2023 vjen e ngushtuar shumë poshtë për shkak të rënies së lindjeve dhe po zgjerohet në mes dhe lart nga rritja e popullsisë në moshë të vjetër.

Të dhënat e Censit 2023 tregojnë se një në pesë individë (19,7%) janë 65 vjeç e lart, krahasuar me një në nëntë individë (11,3%) në Censin e vitit 2011 dhe 7,5% në Censin e 2001.

Tranzicioni drejt një popullsie më të vjetër vihet re edhe në raportet e varësisë. Raporti i varësisë së të rinjve pësoi rënie në 24,0% nga 30,4% vlerësuar në Censin e 2011, dhe raporti i varësisë së të moshuarve shënoi rritje në 30,4% nga 16,7% në 2011.

Analizuar në nivel qarku, Kukësi dhe Gjirokastra mbajnë pozicione të kundërta në termat e raporteve të varësisë: Kukësi ka raportin e varësisë së të rinjve më të lartë (31,8%) dhe raportin më të ulët të varësisë së të moshuarve (19,9%).

Për bizneset, zvogëlimi i popullsisë dhe mplakja e saj ndër vite e ka bërë edhe më të mprehtë problemin e gjetjes së punëtorëve.

“Jemi të shpërqendruar nga mungesa e fuqisë punëtore. E kam të pamundur të zëvendësoj stafin që pritet të dalë në pension me punonjës së tjerë. Nuk ka të rinj, janë larguar në emigrim.

Jemi të detyruar të punësojmë të huaj, edhe pse rrezikojmë të përfshihemi sërish në rrethin vicioz që largohet një palë dhe vjen një palë tjetër”, nënvizon Nikolla Tona.

Për sipërmarrësin Kristo Naçi, vetëm rritja e pagës mesatare në ekonomi në 1 mijë euro do të arrinte të frenonte emigracionin.

“Për shkak të mungesës së fuqisë punëtore nga emigracioni, ne i kemi rritur vazhdimisht pagat. Aktualisht, paga mesatare për punonjësit tanë është 1 mijë euro.

Politika për rritjen e pagave ka rezultuar efikase në frenimin e largimit të punonjësve. Por gjithashtu rritja e pagave të punonjësve duhet të jetë në përputhje me produktivitetin e punës.

Mendoj se rritja e pagës mesatare në ekonomi në nivelin e 1 mijë eurove do të frenonte largimin e të rinjve dhe familjarëve në emigracion”, thotë z. Naçi.

Edhe drejtuesi i fabrikës së përpunimit të mishit EHW, z. Luan Leka, thotë “se problemi i punonjësve do të zgjidhet kur t’i paguajmë aq sa të mos kenë interes të ikin”.

Për vitin 2023, sipas të dhënave të INSTAT, paga mesatare në ekonomi arriti në 70,5 mijë lekë në muaj, me rritje prej 14% në raport me vitin e mëparshëm. E indeksuar me inflacionin, paga mesatare reale në ekonomi u rrit me 8.8%, që është përmirësimi më i madh që nga viti 2015, kur raportohen të dhënat.

Ndër profesionet më të paguara në Shqipëri vijojnë të mbeten të punësuarit në nivel menaxherial dhe drejtuesish, si dhe profesionet e inxhinierisë IT.

Për vitin 2023, sipas të dhënave të INSTAT, “drejtues administrativë dhe komercialë” ishte grup profesioni që kishte dhe pagën më të lartë në vend, me 194 mijë lekë në muaj për 2023. Në krahasim me vitin e mëparshëm, paga e tyre është rritur me 15 mijë lekë, ose 8.6%.

Për herë të parë, profesioni i dytë më i paguar në vend ishte “Specialistë të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit”, me pagë mesatare 144 mijë lekë në muaj.

Profesionistët e IT kanë marrë mesatarisht 16 mijë lekë, ose 12.6% më shumë në 2023. Në rritjen e pagave ka ndikuar orientimi i bizneseve drejt teknologjisë së bashku me mungesën e specialistëve të këtij sektori, për shkak se është një nga profesionet që po emigron më shumë.

Ndërsa në profesionin e tretë më të paguar janë grupi i punonjësve “drejtues prodhimi dhe shërbimesh të specializuara”, me pagë mesatare prej gati 144 mijë lekësh në muaj, me rritje 9.2% (+12 mijë lekë).

Tensionet në Veri, a do të ketë masa të reja të Bashkimit Europian? Qeveria e Kosovës: Padrejtësi, nuk janë zgjidhje! Pse s’kanë vendosur ndaj Serbisë?!

Shtimi eventual i masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian (BE) ndaj Kosovës, do ta thellonte padrejtësinë.

Kështu thotë Qeveria e Kosovës për Radion Evropa e Lirë, duke komentuar deklaratat e zyrtarëve të Bashkimit Evropian, të cilët kanë përsëritur më 8 gusht qëndrimin se masat mund të reduktohen, mund të hiqen, por mund edhe të shtohen varësisht nga hapat që ndërmarrin autoritetet e Kosovës në përpjekje për të shtensionuar situatën në veri të vendit.

Masat ndaj Kosovës ishin vendosur në qershor të vitit të kaluar, si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët shqiptarë – të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët lokalë – nisën detyrën e tyre në komunat në veri.

Masat e tilla janë ende në fuqi. Qeveria e Kosovës ka theksuar se masat e tilla “nuk janë zgjidhje” dhe se, sipas saj, “koha ka dëshmuar se kanë qenë të padrejta”.

“Ato vazhdojnë të jenë të tilla për aq kohë sa janë në fuqi. Shtimi i tyre vetëm sa do ta thellonte padrejtësinë”, thuhet në komentin e Qeverisë për Radion Evropa e Lirë.

Qeveria e Kosovës është shprehur e indinjuar pse BE-ja, sipas saj, “nuk ka ndërmarrë masa ndaj Serbisë”, e cila pas sulmit të grupeve të armatosura serbë në Banjskë të Zveçanit, shtatorin e vitit të kaluar, “po e strehon dhe financon Millan Radoiçiçin”.

Radoiçiç kishte marrë mbi vete përgjegjësinë për sulmin në Banjskë në veri të Kosovës në shtator të vitit 2023, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku. Në përleshjet që pasuan me policinë, u vranë edhe tre serbë të armatosur, pjesë e grupit të udhëhequr nga Radoiçiç. Ndaj Radoiçiçit ende nuk ka aktakuzë në Serbi, por as në Kosovë.

“BE-ja vetëm ka ripërsëritur qëndrimin e vitit të kaluar”

Burimet diplomatike të Bashkimit Evropian (BE) i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se nuk ka ndonjë ndryshim në qasjen e Bashkimit Evropian (BE) lidhur me masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

Sipas tyre, “BE-ja vetëm ka përsëritur qëndrimin e shprehur para më shumë se një viti”, kur ishin vendosur masat, për të cilat kishin deklaruar se janë të përkohshme.

Asokohe ishte thënë se masat mund të reduktohen, mund të hiqen, por mund edhe të shtohen varësisht nga hapat që ndërmarrin autoritetet e Kosovës në përpjekje për të shtensionuar situatën në veri të vendit.

Në këtë kontekst, sipas burimeve diplomatike të BE-së është edhe deklarata e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, e 8 gushtit, sipas së cilës, në vend të hapave që do të çonin në uljen e tensioneve, “janë ndërmarrë shumë e më shumë hapa dhe vendime të njëanshme që çojnë drejt përshkallëzimit”.

“Pra, kemi masa në fuqi dhe këto masa mund të ashpërsohen nëse për një gjë të tillë pajtohen të gjithë aktorët e BE-së”, tha Stano.

Stano u është referuar veprimeve të autoriteteve të Kosovës, të cilat më 5 gusht mbyllën nëntë degë të Postës së Serbisë, pasi thanë se ato vepronin në veri të Kosovës pa licencë. Përveç BE-së, edhe Shtetet e Bashkuara e kritikuan këtë vendim.

Po ashtu, komuniteti ndërkombëtar po kundërshton edhe hapjen e urës mbi lumin Ibër, që Qeveria e Kosovës synon ta hapë për qarkullimin e automjeteve.

Shtetet e QUINT-it – SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – ditëve të fundit deklaruan se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment.

Qeveria e Kosovës, megjithatë ka theksuar për Radion Evropa e Lirë se mbyllja e degëve të Postës së Serbisë në veri “është çështje e sundimit të ligjit”, ndërkaq hapja e urës së Mitrovicës mbi lumin Ibër “është çështje e lirisë së plotë të lëvizjes, sundimit të ligjit dhe respektimit të marrëveshjeve të dala nga Brukseli që në vitin 2015”, si dhe “kontribut i drejtpërdrejtë i integrimit të mëtejmë të qytetarëve tanë”.

Mospajtime në BE për masa të reja ndaj Kosovë

Burimet diplomatike në BE thonë se veprimet e fundit të autoriteteve të Kosovës, të cilat nga BE-ja janë cilësuar të njëanshme dhe të pakoordinuara “nuk shkojnë në drejtim të shtensionimit të situatës, por mund të kenë efekt të kundërt”.

Bazuar në gjithë situatën e krijuar së fundmi me veprimet e autoriteteve të Kosovës, burimet diplomatike në BE, thonë se “ata që kanë kërkuar heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, tash do ta kenë të vështirë që ta arrijnë këtë qëllim”.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, në qershor u ka rekomanduar shteteve anëtare që të marrin qëndrim për heqjen e masave ndaj Kosovës.

Asokohe, shumica e shteteve të BE-së ishin në favor të heqjes së plotë të masave, por disa vende të BE-së janë shprehur se “përmbushja e kërkesave nga ana e Kosovës nuk ka qenë e plotë” dhe ato shtete nuk u pajtuan që Kosovës t’i hiqen të gjitha masat.

Mospajtimi i shteteve të caktuara për heqjen e masave ndaj Kosovës, kanë theksuar si argument prishjen e besimit në raport me autoritetet e Kosovës, të cilat, siç thuhej atëherë, mund të ndërmarrin veprime të njëanshme në veri të vendit, qoftë edhe nëse gradualisht hiqen disa masa.

Si argument, diplomatët përmendnin paralajmërimet për hapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Duke u bazuar në zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, burimet diplomatike në BE thonë se vendet që kanë kërkuar heqjen e masave ndaj Kosovës, tash do ta kenë të vështirë që ta arrijnë këtë.

Disa diplomatë në Bruksel, thonë se në këtë situatë është e mundur që të mendohet edhe për veprime të reja ndaj Kosovës, që nuk nënkuptojnë doemos masa ndëshkuese. Ata nuk kanë dhënë sqarime se cilat mund të jenë ato veprime.

Sipas këtyre diplomatëve, gatishmëria në BE lidhur me këto veprime, do të varet nga ngjarjet në terren, në ditët në vijim.

Por, sipas burimeve diplomatike në Bruksel, ka shtete që mendojnë se masat vetëm ndaj Kosovës dhe asnjë masë ndaj Serbisë, krijojnë hapësirë për ta konsideruar rolin e BE-së si jo të balancuar.

Prandaj, sipas tyre, konsiderohet e vështirë që në Këshillin e BE-së të arrihet pajtim i të gjitha vendeve anëtare për të shtuar masat ndaj Kosovës e ndërkohë të mos ketë asnjë masë ndaj Serbisë.

Megjithatë, BE-ja vazhdon të presë që autoritetet e Kosovës t’i kthehen bashkëpunimit dhe koordinimit me partnerët dhe para se të ndërmarrin çfarëdo veprimi, të kenë parasysh edhe efektin që ato mund të kenë për komunitetet e ndryshme në Kosovë.

Çfarë ka në dispozicion BE-ja për shtrëngim masazh?

Demush Shasha nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane, shpreh mendimin se masat që ka vendosur BE-ja ndaj Kosovës, janë të buta dhe nuk janë me pasoja të pariparueshme.

Megjithatë, sipas tij, ndonëse BE-ja ka në dispozicion mundësinë që t’i shtrëngojë këto masa, vendimi për një gjë të tillë kërkon konsensusin e të gjitha vendeve anëtare, gjë që është vështirë të arrihet.

Deri më tash, siç thotë ai, BE-ja ka anuluar takimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), gjë që ka efekt margjinal.

Megjithatë, sipas tij, në rast se do të arrihej një konsensus për ashpërsimin e masave, atëherë BE-ja mund të marrë vendime politike dhe ligjore që pezullojnë zbatimin e disa pjesëve të MSA-së.

“Për shembull, BE-ja mund të nxjerrë vendim që komplet pjesa tregtare e MSA-së të pezullohet. Kjo i bie që eksportuesve të Kosovës u mohohen të gjitha privilegjet që i gëzojnë aktualisht gjatë eksportit në BE”, thekson Shasha.

Po ashtu, sipas tij, BE-ja ka mundësi të ashpërsojë masën e deritashme të mosftesës së Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale.

Pavarësisht masës aktuale, sipas tij, krerët më të lartë institucionalë të Kosovës kanë marrë pjesë deri më tash në disa takime të nivelit të lartë, por kjo mund të ndryshojë.

“Për shembull, BE-ja mund të nxjerrë vendimin që nga 1 shtatori, institucioneve të Kosovës t’iu mohohet pjesëmarrja në të gjitha forumet evropiane. Unë po flas për përshkallëzime. Kjo mund të shkojë duke u përshkallëzuar, deri në nivelet ku hyjmë në rangun e sanksioneve”, thekson Shasha.

Ai shton se deri më sot edhe masat e BE-së në fushën financiare kanë qenë të buta dhe nuk kanë prodhuar pasoja të pakthyeshme.

Sipas tij, BE-ja ka pezulluar fondet e caktuara për Kosovën, por nuk i ka anuluar ato.

“Tani BE-ja mund ta përshkallëzojë këtë dhe nga pezullimi i fondeve mund të shkojë në anulim të fondeve. Pastaj, pasojat janë të pakthyeshme”, thekson Shasha.

Në këtë kontekst, sipas tij, humbjet për Kosovën mund të jenë nga mijëra euro në qindra miliona euro, varësisht nga ajo se çfarë mesazhi dëshiron të dërgojë BE-ja tek autoritetet e Kosovës.

Megjithatë, ai nuk beson se BE-ja do të ndërmarrë masa ekstreme, por ato do të jenë proporcionale në raport me sjelljen e autoriteteve të Kosovës.

“Gama e mundësive për t’i përshkallëzuar këto masa, është e pafund”, thotë Shasha.

Megjithatë, sipas tij, shtrëngimi eventual i masave nuk ka gjasë të ndodhë për një kohë të shkurtër dhe lehtësisht, sepse kjo mund të shkaktonte pasoja të pariparueshme në raportet Kosovë-BE.

Ai konsideron se edhe BE-ja do të sillet varësisht nga situata në terren.

“Nëse BE-ja, konkretisht, thotë ‘mos e hapni urën (mbi Ibër) dhe nëse institucionet e Kosovës e hapin atë, por gjatë këtij procesi nuk ka ndonjë pasojë në terren – pra nuk do të ketë trazira – atëherë unë nuk shoh që BE-ja do të marrë masa”, thekson Shasha, duke shtuar se në të kundërtën, BE-ja do të reagojë në proporcion me situatën e krijuar.

Sidoqoftë, Shasha shpreh besimin se BE-ja nuk do të marrë masa serioze ndaj Kosovës.

Ai konsideron se edhe në të kaluarën, kur pati trazira serioze në veri të vendit, të cilat rezultuan me ushtarë të lënduar të KFOR-it, masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës ishin të buta.

Më 29 maj të vitit të kaluar, protestat e serbëve në veri të Kosovës, kundër vendosjes së kryetarëve shqiptarë në katër komunat atje, kulmuan me përleshje me pjesëtarët e KFOR-it.

Gjatë përleshjeve, 93 pjesëtarë të KFOR-it u lënduan, disa prej të cilëve kishin lëndime të rënda./REL

Nuk është në planet e trajnerit Baroni, zbulohet e ardhmja e Hysajt

Mbrojtësi i cili ka një rrogë prej 2 milionë eurosh në sezon, pritet të vijojë karrierën diku tjetër, por problem deri tani është se në klubin bardhekaltër nuk ka mbërritur asnjë ofertë, ndërsa interesim ka pasur vetëm nga Arabia Saudite.

Ndërkohë, siç raportojnë mediat pranë klubit të Lacios, agjenti i mbrojtësit të Kombëtares shqiptare po punon në këtë drejtim, për t’i gjetur Hysajt një sistemim të ri për sezonin që po fillon. Kujtojmë që Elseidi ka 12 vite që luan në Serinë A, ku më parë ka qenë pjesë e Empolit, Napolit dhe tani Lacios.

Kolla e natës, si ta kuptoni nëse është ftohje apo alergji? Ja trajtimet që ju ndihmojnë ta hiqni qafe

Kolla e natës është një shqetësim i cili ndikon në cilësinë e gjumit tuaj duke u kthyer në një bezdisje për secilin.

Çdo vit miliona njerëz vuajnë nga simptoma të ndryshme të ftohjes, gripit, sëmundjeve të frymëmarrjes apo alergjive.

Kollitje pa pushim natën, dhimbje fyti apo teshtima, por nuk jeni të sigurt nëse po përjetoni simptomat e një ftohje të vjetër apo të një alergjie që sapo ka filluar?

Mjekët japin disa mënyra se si mund t’i dalloni ato fare lehtë megjithëse janë shumë të ngjashme.

Është shumë e rëndësishme të kuptoni saktë simptomat të cilat po vuani që të mund të merrni trajtimin e duhur.

Ne ju tregojmë një listë me këshilla të cilat duhet të merrni parasysh për të bërë këtë ndarje.

Alergjitë

Kolla e natës që shkaktohet nga alergjitë shfaqet në periudhat kur në ajër ka shumë polene lulesh, kryesisht në pranverë.

Ajo shfaqet papritur dhe zgjat me javë të tëra derisa alergjia të kalojë.

Mund të shkaktohen nga pluhuri , një element i ri në dhomë, një parfum apo detergjent i ri rrobash.

Në rastin e alergjisë përveç kollës ju nuk do të përjetoni simptoma të tjera siç janë dhimbjet trupit apo temperatura.

Kontrolloni nëse ndjeni rëndesë në zonën e syve, zonën e hundës dhe sinuseve.

Kur trupi ndjen rreziqe të jashtme si alergjitë lëshon istaminën e cila shkakton alergjitë.

Nëse ndjeni zonën poshtë syve të rënduar atëherë me shumë mundësi ju po vuani nga ndonjë alergji.

Nëse keni shqetësime të fytit, por jo dhimbje dhe ndjesia është ajo e gërvishtjes dhe deshirës për ta kruajtur njësoj siç ndodh me lëkurën atëherë po vuani nga ndonjë alergji.

Ftohja

Kolla me natyrë inflamatore shkaktohet nga gripi apo ftohje të ndryshme të cilat bllokojnë rrugët e frymëmarrjes.

Kjo lloj kolle shfaqet edhe gjatë ditës, por përkeqësohet natën duke penguar gjumin e qetë.

Kolla e ftohjes ndryshe nga alergjitë është e avashtë dhe zgjat 3-14 ditë.

Në rastet e ftohjeve do të keni edhe sekrecione të shumta të hundës apo dhimbje të fytit të cila vazhdojnë gjatë gjithë ditës duke ju penguar të konsumoni lehtësisht ushqim.

Kur vuani nga gripi apo ftohja në shumë raste do të keni edhe temperaturë apo dhimbje të trupit.

Për të qetësuar kollën nga i ftohti përdorni çajin e dafinës duke zierë tre gjethe dafine në një filxhan çaji dhe nëse dëshironi mund t’i shtoni dhe pak mjaltë. Pijeni para gjumit.

Për të qetësuar alergjinë përdorni çaj mente. Çaji i mentes është një balancues natyral i cili ul nivelin e istaminës, që shkakton alergjitë në trup.

Përgatitja

1 lugë mente e thatë (10gr)
1 lugë mjalt (25gr)
1 flixhan ujë (250ml)
Kollën që shkaktohet nga gripi apo ftohja mund ta qetësoni duke përdorur çaj bliri.
Çaji i blirit ul temperaturën e turpit dhe lufton të ftohtin. Ka veti qetësuese ndaj dhimbjeve të trupit apo fytit duke i dhënë fuqi sistemit imunitar.
1 çaj bliri (10gr)
Pak sheqer ose mjaltë
1 filxhan ujë (250ml)/AgroWeb.org

Heshtja ndaj pasojave të rënies së popullsisë

Nga Monitor.al

Censi, ose ndryshe numërimi i popullsisë, një nga ngjarjet më të mëdha për një vend, që zhvillohet një herë në dhjetë vjet, po kalon pothuajse në heshtje.

Të dhënat ishin alarmante, duke filluar nga pakësimi i popullsisë me 420 mijë persona në një dekadë, plakja graduale e popullsisë deri te ndryshimi tërësor i strukturës sipas grupmoshave, që pa një përgjysmim të të rinjve dhe rritje të të moshuarve.

Nuk pamë asnjë anëtar të qeverisë të merrej seriozisht me këtë çështje, të analizonte tendencat dhe pasojat e saj në të ardhmen.

Përkundrazi, qeveria është shumë e zënë duke numëruar turistët që hyjnë në vend, apo duke kërkuar grupet armiqësore që po na sabotojnë!

Edhe vetë INSTAT, pjesën më të madhe të statistikave nuk i publikoi të krahasueshme me Censin e 2011, duke e vështirësuar interpretimin e shifrave. Imagjinoni, që ende nuk dihet se sa është popullsia në qytet dhe sa ajo në zonat rurale!

Ndërsa qeveria po hesht, apo bën sikur nuk ka ndodhur gjë, ka një grup tjetër që është shumë më i ndjeshëm për tendencën e popullsisë: sipërmarrjet.

Në fakt, ato prej vitesh po i vuanin pasojat dhe ishin të parat që sinjalizuan se përmasat e emigracionit, – për të cilin qeveria justifikohet se është diçka normale, që ndodh kudo – në fakt nuk ishin aspak të tilla. Ka të paktën që para pandemisë, që biznesi po ankohej se nuk po gjente forcë punëtore të kualifikuar.

Dy vitet e fundit, jo vetëm që po mungonin punonjësit, por po “fironin” edhe konsumatorët. Rënia e fuqisë blerëse u kthye në një problem madhor, që për fat të mirë u amortizua deri diku (jo plotësisht) nga turizmi, me hyrjet e të huajve që arritën rekord dhe shënuan rritje dyshifrore pas pandemisë.

Tashmë që realiteti u konfirmua nga të dhënat zyrtare, bizneset po stepen edhe më tej.

Shifra e popullsisë, përbërja sipas grupmoshave dhe tendenca e tyre në të ardhmen janë elementet kryesore që shikon çdo sipërmarrje e cila vepron në tregun vendas në planet e biznesit afatshkurtra, afatmesme e sidomos ato afatgjatë.

Të anketuar nga “Monitor”, përfaqësuesit e sipërmarrjeve më të mëdha në vend, që janë të përqendruar në tregun e shumicës e pakicës, pohuan se ata për momentin do të ngrijnë planet për investime.

Fuqia punëtore, që do të jetë gjithnjë e më pak e disponueshme për shkak të ndryshimit të strukturës së popullsisë dhe konsumi i dobët, kanë shtuar pasiguritë për të ardhmen.

Frenimi i investimeve do të thotë më pak vende pune të hapura, më pak inovacion e produktivitet, më pak fitime, më pak rritje pagash dhe mbi të gjitha, më pak taksa në buxhet, me një efekt zinxhir në të gjithë ekonominë, duke çuar në ngadalësimin e saj.

Një zgjidhje normale, për një treg të vogël, do të ishin eksportet. Për sipërmarrjet vendase, kjo është thuajse e pamundur. Vitet e fundit, për shkak të uljes së konkurrueshmërisë së bizneseve shqiptare, ekonomia po bëhet gjithnjë e më shumë e varur nga importet.

Pas një përmirësimi deri në 2020-n, bilanci tregtar që mat diferencën mes eksporteve dhe importeve, është përkeqësuar sërish vitet e fundit, përfshirë pjesën e parë të këtij viti.

Mungesa e ekonomisë së shkallës, barrierat e padukshme tregtare, subvencionet më të larta që qeveritë u japin vendeve fqinje, formulat e paqarta dhe të rënduara të taksimit ndaj industrisë përpunuese, si dhe mosinvestimet nga vetë vendasit për rritjen e produktivitetit i kanë bërë bizneset jokonkurruese.

Këtu përfshihen edhe subjektet e agroindustrisë, të cilat kanë potencial për shkak të peshës së lartë të bujqësisë në vend, që është më e larta në Europë dhe kërkesës së fortë nga turizmi.

Turistët, një pjesë të valutës siç e sjellin, e marrin sërish mbrapsht nëpërmjet blerjes së ushqimeve të importuara. Goditjen e fundit eksporteve ua ka dhënë zhvlerësimi i euros, që u mbylli dhe shtegun e fundit të mbijetesës eksportuesve.

“Parashikojmë furtunë, ditë të errëta, sepse një popullsi e pakësuar me 420 mijë banorë, dhe më e mplakur janë tregues se është larguar mosha më vitale e popullsisë, e cila ka lidhje të drejtpërdrejtë si me tregun e punës, edhe me konsumin”, është citimi i një prej sipërmarrësve të intervistuar nga “Monitor”.

Ata e kanë të qartë realitetin, sepse e ndiejnë direkt në aktivitetin e tyre. Është qeveria ajo që duhet të tregohet vizionare dhe të ulet me këmbë në tokë, duke parë përtej sukseseve të momentit, që mund të vijnë prej turizmit, apo flukseve të parave të përqendruara në ndërtim.

E ardhmja nuk pritet të jetë e lehtë, nëse nuk reflektohet tani!

JUSUF VRIONI, NJË FIGURË TRAGJIKE

Vuajtje, punë e detyruar, poshtërime e fyerje. Takime me të burgosur, njerëz të njohur, intelektualë të shquar. Me Fiqri Llagamin, Arshi Pipën, Suad Asllanin e dhjetëra e dhjetëra të tjerë, të cilët lëngonin në ferr. Në verën e vitit 1952 e transferojnë në Burrel.

Jusuf Vrioni lindi në Korfuz më 1916. I ati, Iliaz Vrioni, pat qenë dy herë kryeministër i Shqipërisë: në qeverinë e dalë nga Kongresi i Lushnjës më 1921 e më pas, pak muaj para revolucionit demokratik të Fan S. Nolit, më 1924. Mbas triumfit të Legalitetit, A. Zogu e emëroi Vrionin ministër të plotfuqishëm të Shqipërisë në Paris, kështu që krejt familja u instalua në 11 bis, avenue Victor Hugo. Në qytetin Lumière, jeta e Jusufit të vogël 9-vjeçar, mori dimensione e hapësira të reja magjike.
Regjistrimi, së bashku me vëllanë në liceun Janson-de-Sailly, integrimi në shkollë e në jetën e Parisit, zbavitjet, lodrat me patinazh, garat sportive, leximet, pushimet në Saint-Tropez, Bretagne e Loire, – të gjitha këto e bënë të zbulojë e të përjetojë bukurinë e një bote të re, gjer atëherë krejt të panjohur.
Vitet kalojnë pa u kuptuar. E ja, mes argëtimeve e pasioneve rinore, papritmas, një dramë familjare. Në moshë 16 vjeç ai provon një humbje mjaft të rëndë. Më 17 mars 1932, vdes i ati. Duke qenë Grand Officier du Légion d’ honneur, Vrioni përcillet me nderime të veçanta. Trupi i tij varroset në Shqipëri, ndërkohë që familja vendos të qëndrojë në Paris. Plaga mbyllet shpejt e djaloshi u përkushtohet pasioneve të moshës, veçanërisht muzikës, letërsisë e argëtimeve.
Autorët e tij të preferuar? Proust, Mauriac, Montherlant, Gide. Dëfrimet? Në shoqëri të zgjedhur. Në Villa d’Este mes orkestrave të xhazit. Në Hotel de Caux, ku njihet me të famshmen Coco Chanel, stilisten dhe krijuesen e parfumit të njohur Chanel 5, etj.
“Fundi i viteve ’30, qe për mua diçka e mrekullueshme. Më ndodhte shpesh të zgjohesha në mes të natës e të thosha me Vete: O Perëndi! Ç’mrekulli është të jetosh këtu! Ato ishin edhe vitet më të bukura të jetës sime…”
Në vjeshtën e vitit 1938, ai regjistrohet në fakultetin e drejtësisë e shkencave politike. Ndërkohë, atmosfera e një lufte të re në Evropë ndihet përditë e më e pranishme. Mars 1939, Gjermania pushton Çekosllovakinë. Gazetat shkruajnë se pushtimi i Shqipërisë nga Musolini pritet me ditë.
E, vërtet, në 7 prill trupat italianë zbarkojnë në plazhin e Durrësit. Të nesërmen, Jusufi me vëllanë vendosin të kthehen në atdhe… Si pjesëtarë të një familje me emër e mjaft influencë, ai e rrethi i tij shihen nga italianët me sy të mirë e ofertat për t’i shërbyer pushtetit të ri s’mungojnë. Vëllai emërohet me punë në ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë Italiane, e bashkë me të në Romë shkon dhe Jusufi, i cili dëshiron të vazhdojë studimet e lëna përgjysmë në Francë.
Jeta në kryeqytetin italian, duket se është vazhdimi i asaj të Parisit. Vizita, gosti e miqësi të reja mes rinisë së artë romane. Me Edda Cianon, vajzën e Mussolinit, gjatë pushimeve në Sestriere. Me Susanna Agnellin, në mjediset e Albergo dei Duchi. Me Gioia Marconin, vajzën e të famshmit Gugleielmo Marconi, fitues i çmimit Nobel në fizikë. Me Anna Magnanin, aktoren e madhe të kinemasë italiane.
“…Ndieja adhurim të veçantë për njerëzit që kisha njohur. Por jeta prej paraziti në mjedise të tilla mondane, natyrisht, shpeshherë më provokonte një ndjenjë poshtërimi, sepse dëfrimet, në thelb, NUK më sillnin veç kënaqësi të përciptë. Ndjeja se duhej të merresha me diçka më të rëndësishme, por si, ku e qysh, nuk dija. Ajo gjendje shpirtërore, ato mendime e vrarje ndërgjegje, nuk vazhduan gjatë. Një ditë, një mik i ngushtë, më tha: Jusuf! Më fal që po të pyes, po ti ç’bën këtu? Nuk mendon se vendi yt është të ndodhesh në Shqipëri? Dhe ish pikërisht gjatë verës së vitit 1943 që më së fundi vendosa të kthehem në atdhe. Ndofta ATJE mund të merresha me diçka. Bie fjala, të botoja një gazetë…”
Vrioni kthehet në Tiranë duke bërë një jetë, siç shprehet ai, relativisht të sigurt, por në një gjendje pasiviteti pothuajse fajtore. “Shoqërohesha me ca miq, të cilët, ashtu si unë, kishin studiuar jashtë e nuk ishin të angazhuar.
Takoheshim së bashku pothuajse çdo ditë dhe e kalonim kohën duke diskutuar në Tennis Club apo te Kafé Sahati, pranë xhamisë ( … ) Ndërkohë, në 29 nëntor 1944, qeveria partizane e formuar në Berat, mbërriti në Tiranë. Viti në vazhdim, shënoi një periudhë pritje për Shqipërinë. Komunistët nisën të zbatonin politikën e “dorashkave të kadifenjta “. Ngado dukej fryma e njëfarë “tolerance”.
Megjithatë, në prill 1945 u zhvillua një proces i madh kundër “kolaboracionistëve”, i cili përfundoi me rreth 20 ekzekutime. Shumë të tjerë u pushkatuan në vend, nën akuzat se kishin denoncuar tek pushtuesit, baza apo gueriles të rezistencës. Ndërkohë, doli fjala se, në fshehtësi, Garda e Mbrojtjes së Popullit me në krye sekretarin organizativ të Partisë, Koçi Xoxe, kish nisur nga spastrimet …”
– Ti je Jusuf Vrioni? Hajde me ne! Kemi ca pyetje për të bërë!
Paradhoma e vdekjes. Kështu e quan J.Vrioni qelinë e tij. Aty ku e mbajnë të lidhur ditë e natë me zinxhirë dhe e torturojnë mizorisht.
”Kur erdhi radha e seancës së pyetjeve, fillimisht këmbëngula se nuk dija gjë. Atëherë filluan sharjet me fjalët më të ndyra, shoqëruar me shuplaka, grushte e shqelma në pjesët më delikate të trupit. Pastaj metodat e torturës u ndryshuan. Nisën të më godasin me çomange, vazhduan me elektroshok e përfunduan duke më shtrirë mbi një bankë të quajtur “jeleku”. Ajo lloj torture niste me lidhjen e duarve e këmbëve e kalimin mes tyre të një trari. Pastaj, në atë pozicion të kryqëzuar, pa pasur mundësi për mbrojtjen më të vogël, fillonin goditjet me shkopinj para e mbrapa, duke kërkuar që të rrëfeja. Atë metodë torture ma bënin gjashtë herë në javë. ( … ) Por më çnjerëzoret ishin ato 15 ditë e 15 net, kur më varën nga duart në tavanin e qelisë, duke më hedhur rreth qafës 30 a 35 kg zinxhirë. Nuk kisha ku të mbahesha. Dyshemenë arrija ta prekja vetëm me gishtat e këmbëve. Çdo gjë qe llogaritur që të mos mbështetesha diku. Pyetjet që më bënin ishin më tepër në drejtim të misioneve ushtarake angleze e amerikane si edhe rreth marrëdhënieve që kisha pasur me personelin e tyre. Donin të dinin se çfarë informacionesh u kisha dhënë. Pastaj mundoheshin të provonin e të faktonin veprimtarinë time politike gjatë të ashtuquajturave zgjedhje “demokratike”. Me kë isha takuar? Kush qenë anëtarët e grupit tonë ” armiqësor”? Cili qe qëllimi i mbledhjeve tona? …Unë mohoja, duke pranuar vetëm një gjë: qëllimi ynë ish të formonim një opozitë legale sipas neneve të parashikuara nga Ligji Elektoral. (… ) Hetimet vazhduan nga shtatori gjer në nëntor e pastaj më transferuan në një qeli tjetër. Aty pranë, ngjitur me mua, lëngonte shkrimtari Mitrush Kuteli, i cili herë pas here më recitonte me zë të ulët vargje nga poema e tij ‘Kosova’…”
Me sentencën e 29 qershorit 1950, Vrioni u dënua me 15 vjet burg, i akuzuar si agjent i shërbimeve të huaja sekrete. ”…Vizita e parë në burg, 34 muaj mbas arrestimit, qe ajo e nenës. E gjora nenë! …Që përtej hekurave mundohej ta mbante veten. Por sytë i kish mbushur plot lot. Ashtu si dhe unë nga ana tjetër. Më pyeti për shëndetin e pastaj më foli për veten, për gjithë ç’kish hequr mbas arrestimit tim.
Fillimisht e kishin dëbuar nga Tirana dhe kish mundur të strehohej te ca kushërinj në Durrës. Por edhe aty s’e kishin lënë të qetë. E kishin çuar në fshatrat e Fierit, ku jetonte në një kasolle. Pa tavan e dysheme. Direkt e mbi argjil…“.
E pastaj vijojnë vitet e tmerrshme nëpër burgjet shqiptare. Vuajtje, punë e detyruar, poshtërime e fyerje. Takime me të burgosur, njerëz të njohur, intelektualë të shquar. Me Fiqri Llagamin, Arshi Pipën, Suad Asllanin e dhjetëra e dhjetëra të tjerë, të cilët lëngonin në ferr. Në verën e vitit 1952 e transferojnë në Burrel.
Aty, në kampin skëterrë e mbajnë tri vjet. Udha e Golgotës vazhdon pastaj nëpër gulagë të tjerë. Në Berat, Rinas, Shtyllas e Radostine, aty ku mijëra e mijëra të burgosur punonin në kushte çnjerëzore. E, së fundi, më 3 dhjetor 1959, mbas 12 vjetësh burg, vjen dita e lirimit…
Pse u lirua Vrioni?
Shtetit komunist nuk i leverdiste që ta mbante të kyçur nëpër burgje një mendje si të Vrionit.
Më 1960, për nevojat e propagandës ndërkombëtare të regjimit diktatorial, emërohet në Tiranë si përkthyes.
Ndër përkthimet e tij të para numërohet Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur i Ismail Kadaresë, i cili më vonë u botua në Paris. Ndërkaq, emri i tij si përkthyes do të fillonte të figuronte nëpër botimet në Francë vetëm në vitet 1980. Edhe pse pjesën më të madhe të kohës e shpenzonte duke përthyer dhe redaktuar tekstet propagandistike të Enver Hoxhës, Jusuf Vrioni gjente kohë për të përkthyer romanet e tjera të Ismail Kadaresë.
Falë elegancës së frëngjishtes së tij, romanet e Ismail Kadaresë nisën të tërheqin vëmendje të jashtëzakonshme në publikun frankofon. Rreth fundit të viteve ’80, Jusuf Vrioni nisi të gëzojë famë si përkthyes i pashoq në qarqet intelektuale dhe artistike të kryeqytetit.
Në vitet e para të Shqipërisë post-diktatoriale, Jusuf Vrioni, falë posturës së tij multidimensionale si intelektual, angazhohet në qarqet e shoqërisë civile dhe për një kohë shërben si kryetari i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut. Kriza famëkeqe e vitit 1997 do ta detyronte tashmë burrin e moshuar që ai ish të largohej sërish nga atdheu i tij dhe të rikthehej në Parisin e tij të dashur.
Më 1998 emërohet Ambasador i Republikës së Shqipërisë në UNESCO dhe më 22 maj të këtij viti, për kontributin e tij të pasur në gjuhën frënge, dekorohet nga Republika Franceze me urdhrin Chevalier de la Légion d’Honneur, ashtu si dikur i ati, Ilijaz Bej Vrioni, ish dekoruar në fund të viteve 1920 me urdhrin Grand Officier de la Légion d’Honneur nga Republika Franceze.
Jusuf Vrioni ndërroi jetë në Paris në maj 2001, ndërsa shërbente si Ambasador i Republikës së Shqipërisë në UNESCO.
Berati, vendlindja e Vrionasve, nëpërmjet bashkisë së qytetit, do ta nderonte Jusuf Vrionin pas vdekjes së tij, më 18 qershor 2001, me titullin Qytetar Nderi.
Për mirënjohjen dhe vlerësimin e përkthyesve me kontribut të çmuar në njohjen dhe promovimin e letërsisë shqipe në gjuhë dhe kultura të huaja, Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Shqipërisë më 2006 krijoi çmimin Jusuf Vrioni.
Eric Faye, nën përkujdesjen e të cilit doli dhe libri “Kujtimet e një evropiani”, do të shprehej:
“… A mund të ndodhin vallë në Evropën e sotme, në historinë tonë bashkëkohore, përvoja e fate aq verbuese, aq të pasura, dramatike e plot të papritura si jeta e atij njeriu? …Me një fëmijëri alla Nabukov e “rini të artë”, shoqëruar me shumë vite studimesh, të cilat, më pas kultivuan tek ai një shpirt e karakter të fortë, të aftë për t’u bërë ballë situatave nga më të komplikuara, përfshirë edhe kampet staliniste të punës alla Solzhenicin…”