23.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Gusht, 2025

Nga burgu në Francë, 34-vjeçari shqiptar u merrte fotot në TikTok e Instagram vajzave dhe i postonte në profile false me përshkrime denigruese! Si i shantazhonte në këmbim të videove intime, çfarë iu gjet në qeli

I riu me iniciale F. D., akuzohet se ka ndërhyrë në profilet e rrjeteve sociale (kryesisht Tik Tok dhe Instagram) të shtetaseve të ndryshme dhe pasi merrte fotografi nga profilet e tyre, i publikonte ato në profile false të krijuara prej tij, duke vendosur përshkrime denigruese.

Më pas 34-vjeçari i shantazhonte duke i kërkuar fotografi dhe video intime në këmbim të fshirjes së materialeve të publikuara prej tij.

Gjatë kontrollit në qelinë e tij është gjetur dhe sekuestruar aparati celular që ai përdorte për veprimtarinë kriminale.

I riu aktualisht vuan dënimin në një burg në Francë për veprat penale “Vjedhje me pasoja të rënda” dhe “Komplot kriminal”.

Ndërsa akuzohet se ka konsumuar veprat penale “Falsifikimi kompjuterik”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Perndjekja”, dhe “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”.

 

Njoftimi i policisë:

Vijon puna nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë, për goditjen dhe dokumentimin e rasteve të përndjekjeve online dhe të çdo krimi kibernetik.

Zbardhen dhe dokumentohen 62 raste të përndjekjeve online, kryer nga një 34-vjeçar, i cili vuan dënimin në një burg të Francës.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e krimeve kibernetike, pas kallëzimeve të depozituara nga disa shtetase, për raste të përndjekjeve online në rrjete sociale, kanë organizuar punën për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Gjatë hetimeve të kryera, janë siguruar prova të mjaftueshme që krijojnë dyshimin se shtetasi F. D., 34 vjeç, i cili aktualisht vuan dënimin në një burg në Francë për veprat penale “Vjedhje me pasoja të rënda” dhe “Komplot kriminal”, parashikuar nga Kodi Penal Francez, ka konsumuar veprat penale “Falsifikimi kompjuterik”,
“Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Perndjekja”, dhe “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, parashikuar nga nenet 86/a, 121, 121/a, 293/b të Kodit Penal.

Pas identifikimit të interceptimeve kompjuterike që pulsonin nga burgu “Lyon Cobras”, në Francë, është bashkëpunuar me Interpol Tirana dhe autoritetet Franceze dhe është ushtruar kontroll në qelinë ku ndodhet shtetasi F. D., dhe gjatë kontrollit është gjetur dhe sekuestruar aparati celular që ky shtetas përdorte për veprimtarinë kriminale.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se, 34-vjeçari ndërhynte në profilet e rrjeteve sociale (kryesisht Tik Tok dhe Instagram) të shtetaseve të ndryshme dhe pasi merrte fotografi nga profilet e tyre, i publikonte ato në profile false të krijuara prej tij, duke vendosur përshkrime denigruese. Autori më pas i shantazhonte këto shtetase, duke i kërkuar fotografi dhe video intime në këmbim të fshirjes së materialeve të publikuara prej tij.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Incidenti me Osmanin në Shkup/ Agjencia e Aviacionit Civil tha se punonjësit e aeroportit vepruan profesionalisht, presidenca: Nuk na ka ndodhur në asnjë vend të botës

Agjencia e Aviacionit Civil në Maqedoninë e Veriut, tha të premten se punonjësit e aeroportit të Shkupit “kanë vepruar në mënyrë profesionale” dhe kanë zbatuar rregullat gjatë kalimit të presidentes së Kosovës nëpër këtë aeroport, në fillim të këtij muaji.

 

Me 1 gusht zyra e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, akuzoi autoritetet e aeroportit të Maqedonisë së Veriut për shkelje të praktikave ndërkombëtare, duke penguar presidenten gjatë kalimit nëpër aeroportin e Shkupit. Presidenca e Kosovës tha se e konsideron çdo sulm dhe trajtim të parregullt e në kundërshtim me konventat ndërkombëtare të zyrtarëve të lartë shtetëror, si sulm ndaj vet shtetit të Kosovës.

Agjencia e Aviacionit Civil në Shkup tha të premten se ekipi i inspektorëve i udhëhequr nga drejtori Dragi Stojanoski, ka rishikuar provat dhe ka kryer kontrolle në kompaninë që menaxhon Aeroportin e Shkupit, lidhur me ngjarjen në të cilën ishte përfshirë presidentja Osmani.

“Gjatë inspektimit fillestar, u konstatua se shërbimet e aeroportit përgjegjës për kontrollin e sigurisë, në kuadër të përgjegjësive të tyre të punës, kanë vepruar në mënyrë profesionale dhe duke ndjekur rregullat e vendosura nga rregullorja ndërkombëtare, duke mos lejuar shmangien e standardeve dhe procedurave edhe nën trysninë e personave që shoqëronin udhëtarin”, thuhet në një njoftim gtë kësaj agjencie, në të cilin theksohet se “refuzimi i kryerjes së kontrollit standard të sigurisë me të njëjtët udhëtarë ka ndodhur edhe në vitin 2022 dhe me 2023 kur kontrollet e sigurisë u pranuan vetëm pasi piloti komandues refuzoi të pranonte udhëtarë në avion pa kontroll të paracaktuar të sigurisë”.

Agjencia tha se këto janë standarde ndërkombëtare të pranuara përgjithësisht, dhe nëse dikush dyshon në besueshmërinë e tyre, “ne rekomandojmë që të zbatojë të njëjtën procedurë në një nga aeroportet ndërkombëtare evropiane në mënyrë që të bindet në zbatimin e tyre”.

Presidenca e Kosovës reagoi duke theksuar se “në asnjë vend të botës, kreut të shtetit nuk i kërkohet ta dorëzojë telefonin për skanim”.

“Si Presidencë, kemi përvojë të mjaftueshme edhe me udhëtime të tjera, nuk kemi nevojë ta provojmë, ngase askund, asnjëherë as çanta personale, as valixhja (bagazhi personal) e as telefoni i kreut të shtetit nuk i janë nënshtruar kontrollit”, thuhet në një deklaratë të zotit Bekim Kupina, zëdhënës i presidentes së Kosovës Vjosa Osmani.

Në deklaratë thuhet se Maqedonia e Veriut “është i vetmi shtet në botë që refuzon të aplikojë të drejtën ndërkombëtare zakonore dhe konventat ndërkombëtare që kanë të bëjnë me kreun e shtetit. Siç kemi deklaruar disa herë, presidentja e ka vendosur në kontroll çantën e saj dhe ajo e ka kaluar skanerin. Çdo deklaratë tjetër është propagandë për qëllime politike. Nuk ka asgjë profesionale në sjelljen e sigurimit që i del përpara kreut të një shteti dhe ia bllokon lëvizjen pasi ta ketë vendosur edhe çantën në skaner. RMV ka shkelur rregullat ndërkombëtare që aplikohen çdo kund në botë duke kërkuar skanimin e telefonit të Presidentes së një shteti tjetër, gjë që do të paraqiste potencial për cenim të sigurisë kombëtare”.

Ngjarja ngjalli reagime të shumta në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut. Ajo nxori në pah edhe mospajtimet ndërmjet presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, i cili me 5 gusht u takua në Shkup me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Hristian Mickoski.

Presidenca e Kosovës shprehu të martën keqardhjen për mënyrën se si u trajtua incidenti gjatë konferencës së shtypit të dy kryeministrave.

Kryeministri Kurti tha se institucionet e Kosovës nuk e konsiderojnë këtë rast si provokim nga ana e Maqedonisë së Veriut ndërsa kryeministri maqedonas, Mickoski shprehu keqardhjen për incidentin.

Në reagimin e së martës të presidencës së Kosovës thuhej se “mënyra se si u trajtua incidenti” është për keqardhje, “sepse i ka kontribuar edhe më shumë propagandës kundër Republikës së Kosovës”.

Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë marrëdhënie diplomatike që nga viti 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë e saj me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore perëndimore, ndërsa kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj, Rusia./VOA

Mos i neglizhoni, ja disa mënyra për të ulur rrezikun e kancerit në zorrën e trashë sipas dietologëve

Ekspertët e shëndetit kanë alarmuar se kohët e fundit numri i pacientëve që diagnostifikohen me simptomat e kancerit kolorektal ose siç njihet ndryshe kancerit në zorrën e trashë është shtuar.

Ata apelojnë se numri i pacientëve me këtë sëmundje nga mosha 20 vjeç në atë 30 vjeç është vërtet alarmuese. 

Dietologia për pacientët me kancer, Nichole Andrews tregon mënyrat për të ulur rrezikun nga kjo sëmundje.

“Si një dietologe për kancerin, unë dua që t’iu edukoj për gjëra të cilat rrisin rrezikun e kancerit në zorrën e  trashë dhe më pas gjërat që mund të bëni për të ulur ose për të mbajtur në kontroll këtë rrezik,” shprehet ajo.

 

 

Disa këshilla që duhen ndjekur janë:

Hiqni dorë nga alkooli

“Gjëja e parë që duhet të bëni është që të hiqni dorë sa më shpejt të jetë e mundur nga alkooli. Pasi pijet alkoolike rrisin rrezikun e kancerit në zorrën e trashë.”

Alkooli konsiderohet i dëmshëm pasi në vend që të trupi ta tresë atë, ai e zbërthen në një kimikat të quajtur acetaldehid. Një kimikat ky i cili demonton ADN-në dhe parandalon trupin që të rigjenerohet.

Mos konsumoni mish të përpunuar

Sipas dietologes se konsumimi i mishit të përpunuar është rrezik për kancerin kolorektal, veçanërisht konsumimi i mishit të kuq, si mishi i derrit, viçit ose qengjit. Ajo këshilloi gjithashtu që të mos konsumohen specat djegës apo mishrat e tjerë të përdorur në sanduiçe, pica apo ushqime të tjera.

Hiqni dorë nga pirja e duhanit

“Nëse po pini duhan, patjetër që jeni duke rritur rrezikun e shumë llojeve të ndryshme të kancerit. Ju rrisni rrezikun e kancerit më keq nëse kombinoni duhanin me alkoolin,” tha dietologia.

Mbani një dietë të pasur me fibra

Konsumimi i 30 gramë fibra gramë në ditë ndihmon në uljen e rrezikut të kancerit në zorrën e trashë. Dietologia Nichole Andrews rekomandon që të konsumohen më shumë produktet që vijën nga prodhimet bimore si frutat, perimet, drithërat, fasulet, bishtajoret, arrat dhe farat.

Shëtitjet e gjata

Për ta shmangur rrezikun në zorrën e trashë dietologia sugjeron që të jeni aktivë gjatë gjithë ditës. Shmangni qëndrimet e gjatë në një vend dhe të vend të kësaj mendoni të bëni shëtitje të gjata, të luani me fëmijët në park apo edhe të bëni aktivitete të ndryshme që iu mbajnë të angazhuar.

Bëni kontrolle të vazhdueshme

Sipas Nichole Andrews kontrollet për kancerin nisin kryesisht nga mosha 45 vjeç, por përjashtohen rastet kur simptomat shfaqen më herët ose sëmundja ka një “histori familjare”.

“Të gjithë duhet të kontrollohen dhe të këshillohen me një mjek specialist. Kjo është mënyra më e mirë për të evidentuar sëmundjen dhe më pas ta kontrolloni atë,” sugjeron dietologia për pacientët me kancer.

Vladimir Putin, 25 vite në pushtet! Fillimisht mik e tani armik! E nisi si reformator, por përfundoi kryekomandat! Zhvillimi i marrëdhënieve të BE-së e NATO-s me Rusinë

Filloi si reformator dhe përfundoi si kryekomandant. Si janë zhvilluar marrëdhëniet e BE-së dhe NATO-s me Rusinë e Putinit?

Në gusht 1999, Vladimir Putin u emërua kryeministër i Federatës Ruse. Në fund të vitit 1999/2000 ai trashëgoi presidentin e sëmurë Boris Jelcin në këtë post. Sapo mori detyrën, Putin deklaroi se Rusia ishte dhe do të mbetet një fuqi e madhe. Në Evropë ai shihej më shumë si një reformator, për të cilin supozohej se do të riorganizote Rusinë kaotike të viteve 1990.

Putini dhe Jelcini në vitin 1999
Putini dhe Jelcini në vitin 1999

Në qershor 2001, presidenti i SHBA-së Xhorxh W. Bush e quajti Putinin “të besueshëm dhe të drejtpërdrejtë” pas takimit të tyre të nivelit të lartë. Bush, kreu i shtetit që është edhe fuqia udhëheqëse e NATO-s, tha se kështu e kishte vlerësuar shpirtin e tij.

Në shtator 2001, Vladimir Putin i ofroi Evropës një partneritet sigurie me Rusinë gjatë një fjalimi në Bundestag. Ai vuri në pikëpyetje rolin e fuqisë udhëheqëse perëndimore, SHBA. Por shefi i Kremlinit nuk e përjashtoi anëtarësimin e ardhshëm të Rusisë në NATO dhe BE.

BE dhe Rusia bien dakord për programe dhe bashkëpunime të ndryshme financimi. Kërkohej një “partneritet strategjik”. NATO hapi një zyrë në Moskë. Rusia ngriti një përfaqësi në NATO në Bruksel. Një Këshill i posaçëm NATO-Rusi diskutoi çështje strategjike por edhe pranimin e ardhshëm vullnetar të shteteve të Evropës Qendrore dhe Lindore në aleancë.

Vladimir Putini në vitin 1999
Vladimir Putini në vitin 1999

Si një nga furnizuesit kryesorë të BE-së me naftë dhe gaz, Rusia bëri biznes të mirë me Evropën. Kancelari gjerman, Gerhard Schröder e quante Putinin një “demokrat pa të meta”, pavarësisht shtypjes tashmë të njohur të opozitës dhe mungesës së lirisë së shtypit në Rusi. Pas mandatit të tij në detyrë, Schröder mori pozicione fitimprurëse në kompanitë ruse të energjisë shtetërore.

Kthimi i Putinit

Në vitin 2006 në konferencën e sigurisë në Mynih, Vladimir Putin inicioi një ndryshim. Ai u ankua se Perëndimi nuk po e pranon Rusinë si një fuqi të madhe. Ai e përshkruajti zgjerimin e NATO-s si një shkelje të fjalës së tij. Premtimet e shteteve të NATO-s për të mos lëvizur drejt kufirit të Rusisë po shpërfillen, tha ai. Në vitin 1997, megjithatë, Rusia ra dakord për zgjerim në një marrëveshje me NATO-n.

Marrëveshjet e çarmatimit u vunë në pikëpyetje. Rusia kritikoi ashpër mbrojtjen raketore të planifikuar të SHBA-së. Vladimir Putin u zemërua kur Ukrainës dhe Gjeorgjisë iu premtua se do t’i bashkohen aleancës perëndimore në samitin e NATO-s në prill 2008.

Putini vizitoi Ayingun në vitin 2006 gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih
Putini vizitoi Ayingun në vitin 2006 gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih

Në gusht 2008, Putini demonstroi fuqinë e tij ushtarake para evropianëve. Ai ndërhyri në një konflikt në Gjeorgji dhe vuri pjesët e Osetisë Jugore dhe Abkhazisë nën kontrollin rus pas një lufte të shkurtër.

Në vitin 2013, Komisioni i BE-së fliste ende për krijimin e një “hapësire ekonomike dhe njerëzore” të përbashkët nga Lisbona në Vladivostok me Rusinë e Putinit – si një vizion afatgjatë.

Luftërat e Putinit

Por pas dëbimit të presidentit mik të Rusisë nga Ukraina në pranverën e vitit 2014 dhe revolucionit demokratik të Maidanit, presidenti rus Putin sulmoi për herë të parë hapur Ukrainën. Ai aneksoi Gadishullin e Krimesë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe solli pjesë të Ukrainës lindore nën kontrollin e tij me separatistët pro-rusë. Perëndimi reagoi me sanksionet e para dhe u përpoq të ndërmjetësojë. Kancelarja Angela Merkel dhe presidenti francez Francois Hollande ndërmjetësuan marrëveshjen e Minskut, e cila synonte të çojë në paqe. Kjo nuk ndodhi kurrë, por “shërbeu për t’i dhënë kohë Ukrainës për t’u bërë më e fortë”, siç tha më vonë kancelarja Merkel.

Marrëdhëniet u përkeqësuan me shpejtësi, por importet e energjisë ruse në Gjermani dhe vende të tjera vazhduan. Në perceptimin evropian, Putini po shndërrohej gjithnjë e më shumë në një sundimtar autokratik. Në vitin 2021, BE foli për një “spirale negative” në marrëdhëniet e ndërsjella.

Putini si komandant lufte
Putini si komandant lufte

Në mars të vitit 2022, menjëherë pas sulmit në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës nga trupat ruse, presidenti i SHBA Joe Biden e cilësoi Putinin si një “diktator, një kriminel lufte, një vrasës” të pamëshirshëm. Që atëherë e tutje, NATO e shikon Rusinë e Putinit si “kërcënimin më të madh për paqen në Evropë”, armikun e ri të vjetër në Lindje. BE-ja po vendos sanksione gjithëpërfshirëse ndaj Rusisë dhe po përpiqet të shkëputet nga furnizimet me naftë dhe gaz sa më shpejt të jetë e mundur. Edhe dy vjet pas fillimit të luftës, kjo ende nuk është arritur plotësisht. Gazi i lëngshëm rus vazhdon të vijë në Evropë. Tregtia me Rusinë po tkurret, por shumë kompani evropiane ende bëjnë biznes në Rusi. Industria ushqimore, farmaceutike dhe kimike nuk preken nga sanksionet.

25 vjet pasi Putini mori detyrën, NATO po përgatitet për një garë të re armësh. Mbrojtja nga një agresion  i mundshëm rus është tani detyra kryesore e aleancës./DW

Zgjerohet “Lista e Zezë” e SHBA për Shqipërinë dhe Ballkanin, gati emrat e rinj!

Administrata Amerikane siç dihet ka vazhduar emergjencën kombëtare të shpallur me urdhër ekzekutiv më 26 qershor të vitit 2001 lidhur me Ballkanin Perëndimor, pas kërcënimeve të vazhdueshme të sigurisë, paqes, por edhe korrupsionit alarmant.

Siç mëson INA, kjo emergjencë së fundi është në shkallën e lartë të vlerësimit dhe se me këtë pritet të zgjerohet e ashtuquajtura “Lista e Zezë” me emra të tjerë politikanësh të rajonit, përfshirë Serbinë, Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, por edhe Shqipërinë.

Në një nga pikat kyçe të saj thuhet se “veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet ndërkombëtare për stabilizim në Ballkanin Perëndimor” dhe situata aktuale në këtë rajon “paraqesin një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”, përcjell INA.

Edhe Shtëpia e Bardhë ka ngritur alarmin për arsyet e vazhdimit të emergjencës kombëtare, të shpallur në vitin 2021 nga presidenti Joe Biden i cili e shpall korrupsionin dhe minimin e demokracisë si rrezik kombëtarë për SHBA. Në listën e re, raportohet se do të futen edhe politikanë shqiptarë nga të gjitha krahët dhe madje edhe biznese të cilat mbështesin “Të korruptuarit dhe minuesit e demokracisë”. Deri më tani në “Listën e Zezë” të SHBA nëpërmjet nongratës, për Shqipërinë janë futur Sali Berisha me familjen, Tom Doshi, Vangjush Dako dhe Aqif Rakipi.

“Për këtë arsye kam përcaktuar se është e nevojshme të vazhdohet emergjenca kombëtare e shpallur me urdhër ekzekutiv lidhur me Ballkanin Perëndimor. Përmes këtij urdhëri zgjeroj fushën e emergjencës kombëtare të deklaruar në Urdhrin Ekzekutiv 13219 të 26 Qershorit 2001 (Bllokimi i Pronës së Personave që Kërcënojnë Përpjekjet Ndërkombëtare tëStabilizimit në Ballkanin Perëndimor) , ndryshuar me Urdhrin Ekzekutiv 13304 të 28 majit 2003 (Përfundimi i Emergjencave në lidhje me Jugosllavinë dhe Modifikimi i Urdhrit Ekzekutiv 13219 të 26 Qershorit 2001), duke gjetur se situata në territorin e ish-Republikës Socialiste Federale të Jugosllavisë dhe Republika e Shqipërisë (Ballkani Perëndimor), gjatë dy dekadave të fundit, duke përfshirë minimin e marrëveshjeve dhe institucioneve të pasluftës pas prishjes së ish-Republikës Federale Socialiste të Jugosllavisë, si dhe korrupsionit të përhapur brenda qeverive dhe institucioneve të ndryshme në Perëndimin Ballkani, pengon progresin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe integrimin e plotë në institucionet transatlantike, dhe në këtë mënyrë përbën një kërcënim i pazakontë dhe i jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”, thuhej në dokumentin e firmosur nga presidenti Joe Biden.

Më 8 qershor të vitit 2021, SHBA-ja kishte zgjeruar fushëveprimit e kësaj emergjence kombëtare, pasi që u tha se vendet e ish-Jugosllavisë dhe Shqipëria janë përballur, gjatë dy dekadave të fundit, me korrupsion dhe veprime që pengojnë marrëveshjet e arritura pas luftës. Ambasadorët amerikanë në rajonin e Ballkanit vazhdimisht kanë paralajmëruar për zgjerimin e listës së zezë për të gjithë ata që kërcënojnë dhe pengojnë përpjekjet ndërkombëtare për stabilizimin e Ballkanit Perëndimor.

Për më shumë, klikoni LINKUN

Akuzohen për pastrim parash, Prokuroria dërgon për gjykim dy persona: Nuk justifikojnë pasurinë

Prokuroria e Fierit ka dërguar për gjykim shtetasit me iniciale E.H. dhe A.H., të cilët akuzohen për penale të pastrimit të parave.

 

“Të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë fshehur ose kryer mbulimin e natyrës së vërtetë dhe burimit të pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, njoftoi Prokuroria.

Pasuria gjendje e tyre dhe e familjareve rezulton të jetë 6 automjete dhe shuma e parave cash në vlerën totale prej 8.778.866 lekësh, të cilatt nuk justifikohen nga burime të ligjshme të ardhurash.

“Duke marrë në konsideratë rezultatet e hetimit, subjekti zotëron në emër të tij (në mënyrë të drejtpërdrejtë) dhe të familjarve të tij, pasuri që nuk justifikohen në raport me nivelin e të ardhurave apo fitimeve nga veprimtaritë e ligjshme të deklaruara dhe që nuk përligjen prej tyre”, informon organi i akuzës.

 

Njoftimi i Prokurorisë:

Prokuroria e Fierit dërgon për gjykim shtetasit E.H. dhe A.H. për veprën penale të pastrimit të parave

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshsëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit E.H dhe A.H., për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”,  parashikuar në nenin 287 të Kodit Penal.

Nga hetimet në kuadër të procedimit penal nr. 776 të vitit 2023, i regjistruar mbi bazën e të dhënave dhe provave të administruara në funksion të një procedim tjetër penal ndaj shtetasve E.H dhe A.H., për vepra penale në fushën e narkotikëve, rezultoi se të pandehurit nuk kanë pasur burime të ligjshme për të krijuar pasurinë në vlerën 40.800 Euro dhe 3.000 USD, që iu sekuestruan në banesë në të njëjtën datë që iu sekuestrua edhe sasia prej disa kilogram lënde narkotike dhe u gjetën bimë narkotike të kultivuara.

Të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë fshehur ose kryer mbulimin e natyrës së vërtetë dhe burimit të pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale.

Në funksion të procedimit penal, organi i akuzës ka kryer një verifikim të plotë të veprimeve ekonomike dhe juridike të tyre dhe/ose peronave të lidhur me të, me qëllim evidentimin e pasurive që këto persona zotërojnë/posedojnë, si dhe nëse këta persona kanë pasur burime të ligjshme për krijimin e pasurive. Pas kryerjes së verifikimeve dhe ekspertimit kontabël të tyre, ka rezultuar se ato nuk kanë burime të ligjshme për krijimin e pasurisë në zotërim apo posedim të tyre.

Pasuria gjendje e tyre dhe e familjareve rezulton të jetë 6 automjete dhe shuma e parave cash në vlerën totale prej 8.778.866 lekësh, të cilatt nuk justifikohen nga burime të ligjshme të ardhurash. Duke marrë në konsideratë rezultatet e hetimit, subjekti zotëron në emër të tij (në mënyrë të drejtpërdrejtë) dhe të familjarve të tij, pasuri që nuk justifikohen në raport me nivelin e të ardhurave apo fitimeve nga veprimtaritë e ligjshme të deklaruara dhe që nuk përligjen prej tyre.

Dokumenti ekskluziv/ SPAK po heton Erion Veliajn, edhe për prishjen e Teatrit Kombëtarë

Pak ditë më parë Erion Veliaj u shfaq me një grusht të vogël aktorësh në kantierin e Teatrit Kombëtar, i cili u shemb dhunshëm në 17 maj 2020, pas një proteste të gjatë të qytetarëve, aktorëve dhe shoqërisë civile.

Para shembjes së Teatrit, një grup qytetarësh ju drejtua SPAK, me një padi kundër kryebashkiakut Erion Veliaj.

SPAK i është përgjigjur interesimit të një prej kallëzuesve mbi ecurinë e hetimeve. Sipas përgjigjes zyrtare të Prokurorisë së Posaçme të firmosur nga Adnand Zholi me delegim të drejtuesi Altin Dumani, të cilën Alfapress.al e ka siguruar, hetimet ndaj Veliajt për Teatrin Kombëtarë vijojnë.

Dokumenti ekskluziv/ SPAK po heton Erion Veliajn, edhe për prishjen e

Ky është hetimi i radhës që ka në qendër kryebashkiakun e Tiranës, i cili ndodhet nën lupën e SPAK për Inceneratorin dhe dosjen 5D. Gjithashtu një hetim i gjerë pasuror ndaj kryebashkiakut dhe familjarëve të tij është në kulmin e tij./Alfapress.al

Portali diskriminues partiak “Mësues për Shqipërinë” që “zhvlerëson” universitetin dhe licensën e mësuesit

Nga Mirela Karabina

Portali i punësimit “Mësues për Shqipërinë (Partinë)” është një portal partiak që po diskriminon prej vitesh mësuesit. Të emërohesh mësues sot duhet të jeshë votues i Rilindjes socialiste, dhe nuk ka rëndësi nëse je listuar i pari apo i dyti në testimin e këtij portali.

Paradoksi qëndron te “forca” e këtij portali për të zhvlerësuar jo vetëm diplomën univeristare, por edhe licensën e lëshuar nga vetë Ministria e Arsimit.

Pra, pasi diplomohesh si mësues, faza e dytë është licensimi në QSHA (proces ky me probleme më vete) dhe faza e tretë punësimi, duhet të kalosh në portalin e partisë -shtet.

Mbivendoje kompetencash të institucioneve shtetërore, dhe
këtë e bëri dhe e bën Edi Rama me Rilindjen!

Sapo erdhi në pushtet përdori këtë mekanizëm politik, edhe pse për disa vite portali nuk ekzistonte fare në Ligjin e Arsimit Parauniversitar, pikërisht për ta nënshtruar duke e diskriminuar mësuesin për qëllimet e veta, sigurimi i armatës elektorale.

Rilindja propagandistike dhe kopjace e shëmtuar huazoi nga Italia togfjalëshin “Mësues për Italinë” dhe jo procesin, i cili ishte i vërtetë dhe kumptimlotë, pasi ishte një thirrje për mësuesit që të shkonin ku kishte nevojë vendi, Italia.

Ndërsa këtu është një portal partiak denigrues dhe aspak motivues për mësuesit, pasi vë në dilemë profesionale mësuesit duke i sorollatur në vite.

Kështu, Udhëzimi i strukturë s së vitit shkollor 2024-2025 ka dalë më korrik 2024 dhe përcakton datën 9 shtator për fillimin e vitit të ri. Bazuar në rregulloren e fuksionimit të shkollës, mësuesit paraqiten dy javë para për të nisur përgatitjet. Por, në të njëjtën kohë do të zhvillohet dhe portali ku shumë mësues në pritje dhe pa emërim apo dhe me kontrata një vjeçare do të jenë në proces testimi pa e ditur ende ku do të përfundojnë në cilën shkollë apo klasë, edhe pse viti shkollor do të ketë filluar.

Ҫ’administrim dhe menaxhimi është ky, nuk zhvillohej dot në kohë portali?!

Lietratura e përzgjedhur për testin është një tjetër aspekt denigrues, pse jo dhe tallës për mësuesin, shumë ligje dhe udhëzime të përfshira edhe pse ndryshojnë përgjatë vitit, ndërsa mësuesi duhet t’i dijë përmendësh.

Po pse, kur ligjet lexohen me kujdes dhe pastaj zbatohen?

E rëndësishme për një mësues është diploma e mësuesisë, stazhi nëse është mësues i ri dhe kompetencat e fituara, eksperienca për mësuesit me përvojë, objektivat që ai ka dhe pritshmëritë, refenca të lëshuara nga institucionet e punësuara, vlerësimi dhe rezultatet e arritura përmes cilësisë së nxënësve, kualifikimet dhe aspekte të etikës profesionale.

Por siç dhe duket, këto kritere nuk i hyjnë në punë Rilindjes socialiste pasi qëllimi nuk është as shkolla, as mësuesi e nxënësi, por sigurimi i armatës elektorale.

Dhe këtë e realizon lehtësish përmes zhvlerësimit të institucioneve shtetërore në kurriz të mësuesve dhe shoqërisë.

Por, mësuesit nuk e meritojë këtë trajtim diskriminues.

Shqiptarët nuk e meritojnë këtë pushtet të korruptuar të Edi Ramës që ka vendosur partinë mbi Shqipërinë.

Shqipëria meriton më shumë!”

​Problemet me kapsulën Starliner, astronautët do të mbeten në hapësirë deri 2025

Dy astronautë të mbetur në hapësirë mund të mos jenë në gjendje të kthehen në Tokë deri në vitin 2025 për shkak të problemeve me kapsulën e re Starliner të Boeing, ka njoftuar agjencia amerikane e hapësirës NASA.

 

Anëtarët e ekuipazhit të Starliner, Barry Wilmore dhe Sunita Williams, kanë qenë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS) qe nga qershori, megjithëse ata duhej të qëndronin vetëm për një javë.

Pas nisjes nga Qendra Hapësinore Cape Canaveral në Florida, anija kozmike arriti të ankorohej me stacionin vetëm në përpjekjen e dytë për shkak të problemeve me motorin. Përveç kësaj, anija kozmike pësoi një rrjedhje helium. Dy opsione janë duke u diskutuar për kthimin e astronautëve në Tokë, njoftoi NASA.

Opsioni i parë përfshin kthimin nga Starliner. Megjithatë, anija kozmike do të duhej të riparohej fillimisht. Një tjetër opsion është zvogëlimi i numrit të anëtarëve të ekuipazhit në misionin SpaceX Crew 9 nga katër në dy, i cili është planifikuar të nisë në shtator. Wilmore dhe Williams më pas mund të kthehen në Tokë me një ekuipazh në shkurt.

Një vendim përfundimtar se kur dhe si do të kthehen çifti do të merret pasi NASA të përfundojë kontrollet e nivelit më të lartë të gatishmërisë për fluturim, tha agjencia.

“Babanë e eliminuan në spitalin e Tiranës”- Dëshmia tragjike e shkrimtares së persekutuar: Tre xhaxhallarët u arratisën në SHBA, ndërsa i vogli i që qëndroi me familjen, e copëtuan dhe trupin ia hodhën në Lanë…

Mimoza Lesko, me origjinë nga fshati Tatzat i Delvinës, pinjolle e një prej familjeve nacionaliste më të njohura të asaj krahine, të cilën regjimi komunist i diktatorit Enver Hoxha dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, e kishte shpallur “armike të popullit” dhe e kishte internuar në fshatrat më të humbura të Shqipërisë, në një rrëfim për familjen e saj, tregon krimet që ai regjim ndërmori ndaj asaj familje si dhe fisit Shaska nga nëna e saj, dy prej fiseve nacionaliste, shumë të njohur dhe me histori të madhe në Jugun e Shqipërisë. Për më shumë rreth kësaj etj, na njeh intervista që znj. Mimoza Lesko, i ka dhënë gazetares së njohur, Këze Kozeta Zylo, të cilën po e publikojmë në këtë shkrim.

 

Znj, Mimoza, le ta nisim këtë intervistë me ju, në periudhën e viteve të fëmijërisë suaj, si ka qenë ajo dhe si e keni përjetuar ju si fëmijë?

Ishin vite të vështira! Familja ime përfaqësohet nga të dy mbiemrat; Lesko nga babai dhe Shaska, nga mamaja, pra vetë mbiemrat flasin shumë! Mbas shumë dëbimeve nga vende të ndryshme, ku edhe mbiemrin nga Lesko, ja shkruaja në Leskaj, babai më në fund vendoset në një kasolle të vjetër, në periferi të një qyteti të vogël, që quhet Shijak!

Mbas shumë mundimesh arrin të ngrejë një shtëpi. Aty linda unë, dhe ndërsa rritesha, fillova të kuptoja peripecitë e mëdha të familjes. Një fëmijëri e heshtur e imja, si e shumë të tjerëve që rridhnin nga familje me “biografi të keqe”, kjo lloj “damke” të ndiqte kudo, dhe në çdo lloj moshe. Kam jetuar çdo ditë të jetës sime, me frikën se nga momenti në moment, mund të humbja tim atë, dhe kjo ka qenë tortura më e madhe e jetës sime.

Persekucionet mbi babanë dhe familjen gjithashtu, ishin të shumëllojshme dhe kjo ndikonte shumë në rritjen dhe formimin tim si fëmijë. Vendi ku jetonim, kishte njerëz bujar dhe të mirë, të cilët na lehtësuan sado pak mënyrën e jetesës në Shijak, kështu që ndërsa kalonim rrugës, nuk na shante dhe ofendonte njeri, me fjalën e ndyrë “balliste e qelbur”, siç bënin shpesh në zonat ku jetonin të afërmit e mi.

E them me shumë respekt se vetë shijakasit, ishin njerëz të mirë, bujarë dhe mikpritës. Babai im, njeri shumë i ndershëm dhe punëtor arriti të fitonte respektin dhe dashurinë e këtyre njerëzve të mirë. Na shihnin me respekt, dhe vlerësonin kulturën e familjes sonë. Pjesa më e dhimbshme e fëmijërisë time, ishte familja e mamasë time, d.m.th., gjyshërit dhe dajot të internuar në një majë mali, i quajtur ‘Skotull’ (nga zona e qytetit të Vlorës), ku kishte vetëm egërsira. I ngjitesha atij mali me orë të tëra, për të parë të afërmit që jetonin atje. Isha vetëm pesë vjeçe dhe imazhi i asaj jete atje, më ka ngelur akoma në sy.

Kam përpara syve dhe sot gjyshin, Filo Shaska, i dalë shumë i sëmurë nga torturat e egra të burgjeve. Njeri i shkolluar, ekonomist i zoti dhe njeri i ndershëm, që njohu torturat dhe varfërinë më makabre të atyre kohërave. Varfëria e panumërt e ditëve që shoqëruan mamanë dhe motrat e vëllezërit e saj mbas arrestimit të gjyshit, është e llahtarshme. Ajo nga mos të ushqyerit, u sëmur aq shumë, sa dhe sot i vuan ato pasoja. Këto ngjarje dhe shumë të tjera, i kam përjetuar shumë keq fëmijë. Kam derdhur lot të panumërt, përballë vuajtjeve të tyre, ku ajo e imja nuk ishte asgjë.

Cila është familja juaj dhe pse u persekutuat nga regjimi komunist diktatorial i Enver Hoxhës?

Familja ime, ishte kundërshtare e regjimit komunist. Ajo asnjëherë nuk u përputh me idetë e gabuara të atij sistemi. Im atë, ishte djali i një nacionalisti shumë të njohur, në gjithë zonën e Jugut, njeri me influencë të madhe, i quajtur Ahmet Lesko, nga Tatzati i Delvinës! Me plagosjen e tij dhe eliminimin fizik në spitalin e Tiranës, ngjarjet ndryshuan. Menjëherë mbas fitores së komunizmit, vëllezërit e tjerë; Qaniu, Karafili dhe Ismet Lesko, u arratisën dhe jetuan jashtë Shqipërisë, derisa vdiqën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku prehen eshtrat e tyre edhe sot. Nëpërmjet arratisjes, i shpëtuan barbarizmit të egër komunist.

Ndërsa vëllai vogël, Namik Lesko, duke menduar për fëmijët e mitur, të lënë me nënat në moshë shumë shumë të re, vendos të qëndrojë dhe të kujdeset për ta. Nuk kalon shumë kohë dhe e kapin, duke e eliminuar fizikisht në mënyrë barbare, në copëtimin e trupit të tij, për ta hedhur në lumin e Lanës, ku kuptohet ngelet dhe pa varr! Pra duket qartë persekutimi në vazhdim i fëmijëve që filluan të rriteshin, ku më i madhi ishte babai im, Enver Lesko!

Çfarë do të kujtoni nga jeta juaj e peresekucionit, si e keni përjetuar diferencimin në shoqërinë e atëhershme, a mund të na sillni ndonjë episod që mund t’ju kujtohet?

Kam shumë për të kujtuar. Vuajtjet janë të mëdha dhe të pafundme, por do ju sjell vetëm tri episode…!

Episodi i parë, kur isha në moshën tetë vjeçe, qëllohem në buzë me sustën e një çante shkolle, dhe gjaku më rridhte pa pushim. Ashtu e gjakosur futem në shtëpi dhe prindit të shqetësuar filluan të ulërinin. Kjo bëhesh që babai im, të reagonte dhe duke u irrituar, të fliste apo të shante dhe kështu të gjenin shkak, për ta burgosur. Ngjarjet pasuan me një denoncim, ku u përgatit një fletë-rrufe e hidhur, siç përdoreshin atëherë për të demaskuar kundërshtarët e regjimit!

Episodi i dytë ka qenë kur isha në moshën 14 vjeçe dhe nuk më jepej e drejta për të vazhduar shkollën e mesme dhe pse isha shumë mirë me mësime! U bënë përpjekje të jashtëzakonshme nga njerëz që na donin dhe respektonin, të cilët e quanin të pavend faktin, se nuk duhej të shkollohesha.

Episodi i tretë, ka qenë në vitin 1987, kur unë marr guximin dhe fshehurazi prindërve, i shkruaj një letër xhaxhait në SHBA-ës. Ishte thjeshtë një letër përshëndetje, e shkruar me shumë kujdes, por që doja t’u tregoja, se ne ishim gjallë e mirë, dhe i mendonim e kujtonim ata. Përgjigja e tyre vjen pas një viti dhe nuk na jepet ne, por thërrasin babain në Degën e Punëve të Brendshme, ku e kërcënojnë, duke i thënë që; duhet të më ”mblidhte”, për guximin që mora, pasi në një rast të dytë, do mendonin ata vetë për mua!

Cilat kanë qenë ëndrrat tuaja të parealizuara në Shqipëri dhe si ndiheni sot, kur i kujtoni pengesat e peripecitë e shumta që ju sollën gjatë regjimit komunist?

E vetmja ëndërr primare që kisha, ishte Liria! Doja të isha e lirë dhe jo ashtu në kafaz, siç jetoja! Nuk reshta asnjëherë në çdo moment të jetës, pa e ëndërruar, sepse nga kjo varesh gjithçka. Shkruaja dhe lexoja me etje çdo libër, ëndërroja të bëhesha shkrimtare me emër, ku të mund të shkruaja vetëm të vërteta! Dhe me këto dy ëndrra u rrita, ndërsa vitet kalonin. Që të dyja nuk i realizova dot në Shqipëri, dhe është kjo arsyeja që unë shkruaj dhe botoj në gjuhën shqipe.

Ju ka rastisur gjatë periudhës postkomuniste, të takoni persekutorët e familjes suaj?

Kam shkruar një tregim për këtë. Kam qenë dëshmitare kur im atë takoi persekutorin e tij! Nuk mund ta harroj kurrsesi. Përsa i përket spiunëve ordinerë, që ishin persekutorët në vazhdim, pothuajse jetonim me ta. Ishte njëlloj “kompromisi” e quaj unë….! Pra unë hesht, dhe ti s’më bën dot gjë. Absurditeti i asaj jete të jetuar ndryshe dhe të qenurit ndryshe, do thosha.

Kur ikët nga atdheu dhe cila ishte arsyeja kryesore e largimit për në Itali?

Nga atdheu u largova në vitin 1995, por kjo për arsye sepse u martova dhe krijova familje në Itali, pra një zgjedhje personale e jetës!

Cili është ndryshimi midis atdheut tënd Shqipërisë dhe Italisë që të priti? Në bisedat me miqtë italianë, në se ju ke treguar historinë tuaj të dhimbshme familjare, cili ka qenë qëndrimi i tyre?

Ndryshimet janë të mëdha, sepse filloi një jetë familjare nga e para. Vendi, kultura dhe mënyra e jetesës, ishin e kundërta e asaj që lashë dhe jetova unë. Shpesh me shaka them, që kam jetuar dy botë, por kjo është e vërtetë. Në biseda me miqtë kam treguar shumë ngjarje, shpesh dhe nuk më kanë besuar, kjo për faktin se ka ngjarje vërtetë të paimagjinueshme, dhe kam arritur në konkluzionin, që është e pamundur të na kuptojnë, duhet jetuar!

Sot mjerisht ka politikanë, pseudo gazetarë, ku më duhet të them se ka dhe nga klasa juaj e persekutuar, që në vend që të sjellin emrat e persekutorëve, dëshmitarëve, akuzuesve të tyre që i futën në burg apo internuan, merren me kundërshtarët e tyre nëpër komente, që fshihen nëpër adresa anonime apo në shkrime të ndryshme, duke i akuzuar si kriminelë, tradhtar, vrasës pa fakte, pa dokumenta, pa i njohur kurrë, me një fjalë bëjnë të njëjtën gjë, siç i dënoi diktatura, me shpifje, inate, diskriminime…!

Cili është opinioni juaj për këtë rrëmujë që po ndodh në Shqipëri dhe midis shqiptarëve kudo ne botë?

Karakteri është personal! Ndërsa jeta rrjedh me shpejtësi edhe njeriu kërkon të rikuperojë me shpejtësi kohën e humbur, dhe këtu del në pah karakteri personal i çdokujt. Përsa i përket rrëmujës që ndodh në Shqipëri, ndiej dhimbje. I kthej shpesh mendjen dhe sytë aty me keqardhje të madhe. Ai popull i vuajtur meriton shumë, ai vend është vërtet shumë i bukur, por siç duket tek ne shqiptarët, ka një lloj egoizmi, që e përdorim në të keqen tonë.

Ju keni botuar libra me poezi, ku shumë prej poezive tuaja janë mirëpritur nga lexuesit, cilat janë motivet më kryesore që ju kanë dhënë frymëzim, për t’i hedhur në letër?

Gjithçka më frymëzon! Përpiqem të realizoj ëndrrën time të fëmijërisë, nuk është kurrë vonë për këtë. Mbas mungesës së fortë që ndjeva pas humbjes së tim eti, i cili u bë shkas në realizimin e kësaj ëndrre, frymëzimin e gjej kudo. Nga mëngjesi dhe gjer në mbrëmje, jeta të dhuron nga më të ndryshmet emocione. I marr ato nga e kaluara, risjell tek lexuesit e rinj atë pjesë të cilët ata nuk e njohin. Praktikisht shkruaj çdo emocion të vërtetë, dhe kjo ka bërë që lexuesit të kthejnë sytë në ato çka unë shkruaj.

Cilat janë ëndrrat tuaja që parashikoni se do t’i realizoni në të ardhmen?

Të ëndërrosh është bukur, sepse jeta kudo ka vështirësitë e veta, dhe unë mendoj se do vazhdoj akoma të shkruaj. Përfundova librin e tretë poetik, “Pyeta Retë” i cili hyn për botim këto ditë, mbas atyre dy të para si: “Flas me heshtjen“ dhe “Dashuri me ngjyra vjeshte”. Po përfundoj një libër me tregime që marrin spunto nga ngjarje të vërteta dhe disa dorëshkrime, si dhe po punoj për romanin e parë, i cili titullohet “Rikthim në të kaluarën”! Shpresoj në realizimin dhe mbarësinë e tyre! Memorie.al