29.5 C
Tirana
E shtunë, 16 Gusht, 2025

Konfirmohet debati mes Trump dhe Harris, dy kandidatët presidencialë bien dakord për datën 10 shtator

Rrjeti televiziv amerikan ABC ka konfirmuar se si Donald Trump ashtu edhe Kamala Harris kanë rënë dakord për një debat presidencial më 10 shtator, duke krijuar një përballje midis kandidatëve republikanë dhe demokratë.

Njoftimi të enjten erdhi menjëherë pasi Trump tha në një konferencë shtypi se ai kishte propozuar tre debate presidenciale me tre rrjete televizive, duke thënë se ai ra dakord për 3 data të caktuara në shtator.

Trump po i bashkohet debatit të ABC disa ditë pasi postoi në rrjetin e tij social se nuk do të shfaqej në rrjet, duke përmendur një padi që ai ka ngritur. Vendimi i tij krijon një moment shumë të pritur në zgjedhjet ku debati i parë çoi në një ndryshim masiv në garë – me presidentin demokrat Joe Biden që i dha fund ofertës së tij për rizgjedhje dhe miratoi Harris.

“Unë mendoj se është shumë e rëndësishme të kemi debate”, tha Trump të enjten. “Pres me padurim debatet sepse mendoj se duhet të rregullojmë rekordin”.

Trump kishte thënë se do të preferonte që Fox News të sponsorizonte debatin, por të mërkurën po tregoi gatishmëri për të rishqyrtuar ABC.

VIDEO/ Lider te Granada, Myrto Uzuni gjen rrugën e rrjetës në miqësore

Me numrin 10 mbi shpinë, sulmuesi shqiptar Myrto Uzuni, është lideri i skuadrës spanjolle të Granadës, që këtë edicion do të militojë në La Liga 2.

Talenti beratas, gjeti rrugën e rrjetës në testin miqësor të ditës së sotme, teksa në minutën e 6-të, arriti të kalonte në avantazh Granadën në duelin përballë Al Uehda.

Kjo përballje zhvillohet ne stadiumin e Granadës, ndërkohë që skuadra nga Arabia Sauidite, iu kundërpërgjigj golit të Uzunit, me Ighalon. Ish-sulmuesi i Junajtid, gjeti baraspeshën në minutën e 21-të.

GOLI I UZUNIT: VIDEO

A helmohesh duke ngrënë peshk me djathë? Ja si qëndron e vërteta sipas pikëpamjes shkencore

Nëse ha peshk me qumësht, djathë apo me kos helmohesh keq. Këtë këshillë, shqiptarët e kanë dëgjuar shpesh.

Ajo është rrënjosur aq thellë në ndërgjegjen tonë sa asnjë prej nesh me siguri nuk ka guxuar ta provojë me të vërtetë, nga frika e një helmimi të rrezikshëm.

Sa të vërteta janë paralajmërimet e nënave dhe gjysheve tona? A është me të vërtetë ky kombinim kaq i rrezikshëm sa mund të përfundojmë në spital?

Lexoni më poshtë në këtë artikull që të mësoni të vërtetat dhe legjenda mbi këtë kombinim të ‘kobshëm’.

Nga të dhënat kjo ide besohet të ketë nisur në Jeruzalem.

Vite më parë, njerëzit përballeshin me paralajmërime të forta se peshku me qumështin dhe nën produktet e tij ishin një kombinim i tmerrshëm për shëndetin.

Nga aty ideja u përhap në të gjithë globin.

Megjithatë nga pikëpamja shkencore, nuk ka asnjë arsye përse peshku dhe produktet e bylmetit të mos konsumohen së bashku apo në të njëjtën kohë.

Shkencëtarët hedhin poshtë pretendimet se kombinimi i këtyre produkteve mund të jetë kaq i dëmshëm apo mund të çojë në pigmentim të lëkurës.

Ndërkohë, recetat që na serviren në restorante përfshijnë edhe gatime me peshk me salca të ndryshme bulmeti.

Problemet me tretjen

Njerëzit që janë alergjikë ndaj peshkut apo kosit e qumështit duhet të tregojnë kujdes.

Proteinat dhe bulmeti

Ekspertët thonë se produktet e bulmetit nuk përshtaten me ushqimet e pasura me proteina.

Një prej arsyeve është se qumështi dhe kosi kanë efekt qetësues në organizëm.

Peshku ka efekt ngrohës sepse është i pasur me proteina dhe shpërbërja e tyre gjatë tretjes çliron nxehtësi.

Regjimi Mesdhetar i ushqyerjes, një nga më të shëndetshmit në botë përfshin kombinimin e tyre bashkë me drithërat, yndyrnat e shëndetshme dhe arrorët.

Një kombinim i këtyre ushqimeve është mirëbërës kundër sëmundjeve të zemrës, diabetit apo problemeve mendore.

Pavarësisht këtyre të dhënave, shkenca nuk ka arritur akoma të provojë dëme të mëdha në organizëm prej këtij kombinimi tabu.

Ky kombinim nuk besohet të shkaktojë helmim, por alergji tek njerëzit që kanë tolerancë të pakët ndaj laktozës, pra jo për shkak të kombinimit.

Një reagim tjetër ndaj këtij kombinimi është ndonjë problem kalimtar me tretjen dhe ndoshta pigmentim të lëkurës./AgroWeb.org

“Eshtrat e tij, askush nuk i mbante mend se ku mbetën! Nuk e tregoi njeri krimin”- Refleksionet e publicistit të njohur për poetin: E tërhoqën zvarrë dhe… Më pas u dëgjuan krismat fatale

Më 23 tetor 1992, tri motrat Mehqemeja, më erdhën në shtëpi. Kishin një amanet të mbështjellë me rrobë të mëndafshtë. “E dimë dhimbjen tuaj, – thanë me një zë, mbështetur pas njëra-tjetrës në divan. – Dhimbja shkon te dhimbja. Janë krijimet e vëllait tonë, Namikut. Me shkrim dore. Pjesë nga revistat, gazetat. T’i besojmë ty bashkë me dhimbjen, që edhe pas kaq vitesh na mbajti gjallë…”! Dhe qeshën pak, vetëm sa vizatuan një vijë të hollë të projektuar bukur…!

U bë vonë dhe meqë nuk më merrte gjumi fillova të merresha me Namikun, njëzetvjeçar. Fotografia rrëzëllente në ambikun më ekstrem. Nga çdo pozicion të vendoseshe, ty të shihte, të ndiqte. Nuk di si ta përshkruaj sot rrëshqitjen poshtë të buzëqeshjes së tij, atë rënie të paralajmëruar, që e bëri tamam siç i ka hije burrit, me një shkëlqim të përsosur. M’u duk sikur buronte diku nga fundi i dheut dhe donte patjetër të shihte dritën verbuese të diellit. Edhe pse të merr sytë ajo dritë lakmohet. Ndryshe vdekja s’do ishte aq e bukur!

Ai vërtet shkëlqente, duke shpërthyer në stërkala hareje, po për pak mbytej në një pikë ujë, duke u rropatur mes miqsh, duke u përpëlitur nën vete. Nuk ndihej i aksidentuar, as i lodhur, por i fyer brenda fatit dhe zezonës së shpirtit njerëzor. Ndoshta një shtysë e pabesueshme, e dobët, flegmatike, përbuzëse, që të poshtëronte gjer në fund të shpirtit, një gjendje ferri brenda lirisë vetjake. A ia kishte shpjeguar ndonjërit, këtë gjendje? E kishin kapur të armatosur dhe me trakte mes territ. Përgjegjës i rinisë së “Ballit Kombëtar”. Namik Mehqemeja dhe Resul Dollani. Dy shokë, dy bashkëqytetarë. Por Namiku kishte diçka më tepër dhe s’dinte ku t’i fshihte: poezitë e tij!

E digjnin, ashtu të pashkruara, si një zjarr, i cili në vend që ta ngrohte, e përcëllonte. A mund të djegë poezia? Kurrë s’mund të besohet. Veçse Namikun ato minuta, e përvëlonin, mbështjellë me dashuri të epërme. Afronte liria, duke shpërthyer në qiellin e bruztë. Një endje e gjatë nga të qenit inekzistent, pa mundësinë e plotësimit të nevojave, pa identitet (ai s’mbante asnjëherë mjete identifikuese!), pa kryelartësinë boshe që e rrethonin ngado, pa u afruar me ata që brohorisnin dhe mbillnin ngado vdekje, i tretur nga malli i një njeriu të mallkuar, që pret ta vrasin, që pret ta akullojnë në mënyrë që të fitonte lirinë e përjetshme.

Vrasës të një moshe, të një fati. Se fati vjen për të gjithë por pak e shohin. Kjo ngjan me shikimin e ngjyrave të dritës: më gjeni një që i sheh, po në atë çast që feks fati (drita!) të shtatë ngjyrat e ylberit…! Të gjithë do thoshin për të: ky është Namik Mehqemeja. E kapën natën në terr, partizanët. Ndal! Ai ndaloi. Kush je ti? Heshtje. Afrohu! Duart lart! Kush? Aha, s’po flet. Kontroll! Ç’janë këto? Trakte! Trakte balliste?! Të dashur qytetarë…”! Drita e elektrikut binte mbi letrën e stamposur! “Ngrihuni kundër bishës së kuqe…! Ditë të zeza po afrohen…! Mos besoni…”! “Ou, ou, ou! Ky na qenka Trimi! Ky na qenka ai që kërkojmë?! Erdhi si cjapi te kasapi! Lidhja duart! Prangat! Mos lëviz se t’i hapëm trutë”!

Dhe e prangosën të riun e talentuar. Poezia atij i vezullonte në shpirt. Gjetje befasuese dhe të mprehta, të holla, me një spërkatje të lehtë humori e ironie, që po ta shihje me vëmendje, tingëllonte dhe merrte ngjyrim pataksës, në peshën e rëndë të groteskut me një gjerësi shtypëse. Nuk e la kush të studionte (fati apo lufta?). Vazhdimisht kërkonte diçka të humbur, të lënë padore dhe hidhej befas te fletorja e trashë, për të derdhur vargjet. Ai ishte njëzet vjeç.

Dhe dy djem partizanë e prangosën. S’mund të rezistonte, i pëlqente në çdo kohë të meditonte, ta shihte mbarë e prapë atë frazë që mendonte. Për një tjetër, ky mund të ishte hutim. Por Namiku nuk e njihte këtë tipar, as në periudhën e një krize të thellë, atë sapo e kishin arrestuar. Jetonte çastin me mendimet e tij të bukura, të thadruara pranë prushit që linte pas zjarri poetik. Atë çast i erdhi ndërmend shtëpia, dhoma e tij, motrat e vogla. Diku në një cep të dhomës, një tryezë e sajuar mirë, me syzë, një makinë shkrimi e huajtur, një vazo ku kishte ngulur një trëndafil të bardhë plot erë, që i sillte ndërmend Bokaçion…!

I lexoja me një tis mjegulle poezitë dhe më thaheshin buzët. Doja të pija patjetër diçka. Ai donte një vajzë. Sytë, flokët, qielli i rimtë, buzët, gjoksi i fshehur, duke luftuar me të vërtetën magjike. E donte shumë. Një ezmerkë, që ia pëlqente vjershat, vargjet, poezitë. Po edhe prozën që sillej me ritmin e poezisë. Pa ngërç. Pa sfrat. Buzë humnerës…! Vetë Namiku ishte fytyrëmprehtë, kishte diçka delikate në atë fytyrë, diçka që të mbetej thellë në mendje: vështrimi i tij magjik, i përsosur, që të detyronte të lije mendjen pas tij, me një zgjuarsi të spikatur që s’mund të fshihej dot. Në portretin e tij binin në sy menjëherë shenjat e vullnetit të pamposhtur! Dhe për këtë dha prova.

“Po vrisni vëllain tuaj! Mos e bëni këtë, se do vijë një ditë që do pendoheni thellë! Edhe pas një shekulli, po të jetë! Mos dëgjoni sirenat e kuqe, mos bëni sikur ndiqni pas bushtrën e zezë naziste, duke terrorizuar vëllezërit tuaj. Mallkuar qofshin ata, të tjerët e largët, por jo ju, vëllezërit e mi…”! Në nofullat e shtrënguara, sytë e zinj të kthjellët, fraquar nga një thëllim i ftohtë, njiheshin së largu. Ata ishin sytë krejt të veçantë, të Namik Mehqemesë. E kush mund t’ia shante trupin e lidhur, i tëri vesk dhe që rrezatonte fuqi. E bindja veten se ai mund të ishte bërë një atlet i madh! Çdo pjesëz e trupit të tij, ishte e mahnitshme. Nuk reshtte së shkruari. Edhe kur mendonte ai shkruante, sepse mbante mend në mënyrë të përsosur.

Çdo ditë i ngjante tjetrës, asaj që vinte, ose asaj që ikte, me të njëjtin intensitet, por jo me të njëjtën karakteristikë. Ditët vërtet ngjajnë, po kurrsesi nuk janë njësoj. Edhe dy ditë me diell, nuk janë kurrë të njëllojta. Në dramën që luhet në shpinë të tyre, ka tragjizëm jo të njëjtë, as komicitet të ngjashëm, as vërtetësi të krahasueshme. Të thoshe me bindje se një si ai, do të bëhej shpejt një shkrimtar i madh, sepse energjia e tij rikrijuese, përmblidhej në buzët e holla e të shtrënguara, duke shpalosur e shkruar mbi ballë, mendimet që përtypte me forcë të habitshme. E tillë mund të ishte forca krijuese? Edhe te një djalë 20 vjeç, mund ta dalloje menjëherë hapësirën e mendimit.

Nuk thoshte kurrë dy fjalë të njëjta, s’kishte asnjë fjalë pasive, nuk tronditej nga belbëzimet apo ndërprerjet e befasishme të mendimit. Fjalët dhe fjalitë, mendimet dhe shprehjet e tij, ishin një gurrë e pashtershme. Dhe uji i kulluar rridhte, duke lëngëzuar magjishëm…! Po hynin në shtab. “E kemi kapur një nga trimat e Ballit”! “Merreni në pyetje”, thanë rojat e patrullës së natës. Ai me siguri do t’i duronte të gjitha: torturat (po edhe torturat një poet i bashkëshoqëron me poezi!

Madje ata, atje tej, me dhëmbët çataj, ta kërkojnë këtë me një ndyrësi të jashtëzakonshme!), prerjen e majës së gjuhës, dëshirën e madhe, për t’ia hapur kafkën dhe për t’i nxjerrë mendimet, madje e goditura e parë me daltë në tëmth, ishte një nga provat e sigurta, për të arritur shkëputjen e mendimeve gjatë përgjigjeve, shoqëruar me goditje të mprehta, tentativa e thjeshtë, për t’ia nxjerrë syrin e djathtë (mendo: syrin e djathtë!), duke ia lënë varur, rrënimin e kockave kyç, duke i goditur me tokmak, mbushjen e trupit me ujë, deri në sfokje – pothuajse në mbytje delirante, përmes një gajasjeje të shformuar e të pafytyrë.

Ato çaste ai shihte të dashurën e tij, së brendshmi, me një kthjelltësi të habitshme: kaçurrelat e gjata e të zeza, syri i madh (i madh sa s’ka tjetër!), me qerpikë të gjatë të vetvetishëm, buzët e kuqe all e të mbushura, trupi lastar dhe i brishtë, vetullat e holla e të harkuara me një përthyerje të pabesueshme, që i jepnin një dhuratë të paçmuar: vështrimin plot habi të pashoqe…! Mundën ta linin pa bukë. Edhe pa ujë. E sollën shpesh në gjendje të skajshme, kur mund ta kërkoje vdekjen si një margaritar, ose e godisnin me grushte në mes të barkut, pasi kishte ngrënë, dhe ai villte pa fund vrer. Vetëm vrer.

Nuk i zgjaste më fjalët, s’kishte fuqi, as që mund t’u zinte më besë edhe mendimeve të tij. Dukej i lodhur, tmerrësisht i lodhur, por çuditërisht, me hijen e rëndë të energjisë së pashuar në regëtimën e syve dhe të frymëmarrjes. Errësira nuk i hynte dot brenda. Aty në thellësinë e tij, kishte dritë boll, qartësi të lebetitur, ardhmëri të pasosur, kureshtje të tmerrshme, ardhangie të përsosur. Nuk kishte mjegull aty, jo, as erë nuk frynte. Përbrenda poetit, ishte paqe e amshuar. As kërkonte e, as ankohej, por vetëm mendohej. Po ndërkaq ndërronte stina: sa shpejt që vraponin mendimet, sa egërsi kishin shpesh stuhitë dhe shpërthimet, gati t’i pëlciste koka. Sepse po vinte ora dhe ato donin të shpreheshin, të nxitonin duke dalë jashtë.

Kujtesa e tij po bënte një punë të llahtarshme. Si ndodhi kjo? Si mundi të ndodhte kjo? Dhe ata qeshnin, si zogori qensh të tërbuar. “Shikojeni budallain,- thoshin. – Shikojeni si e tret veten. Si ato fletushkat e tij që donte t’i shpërndante”! Atë çast, torturuesit e tij ngrinë. Erdhi një nga krerët e partizanëve. Luan Qafëzezi. “Po ti xhan i vëllait? Po ti pse këtu? Pse je kështu? T’u bëftë vëllai! Më thanë se bën traktet më të bukura! Edhe unë trakte kam bërë! Tani nuk bëj më! Tani jemi në fund. Gjermanët e thyen arrëzën, ikën atje matanë. Ky është agimi i lirisë. Dhe kjo është e drejta jonë! Edhe unë jam poet. Edhe unë thur vargje. Po kundër kujt thua ti? Kundër pushtuesit! Kundër jush, tradhtisë…”!

Namiku mezi përvijoi një dhimbje, që i ngjante buzëqeshjes. Dhe belbëzoi: “Të njoh aq sa më njeh! Të dua aq sa më do. Por lëre mënjanë poezinë. Ajo do të rrojë përtej nesh, larg teje e meje! Erdhe të më torturosh? Ja tek më ke. Bëni atë që kini për të bërë! Tani…”! Nuk mund të them me saktësi ç’ndodhi asaj nate. Nuk di të them as edhe çfarë mendonte Namik Mehqemeja, atë natë të sterrosur, pa yje, pa hënë dhe me plot re. Veç di të them se atë natë, nuk fjeti kush gjumë, as torturuesit partizanë, as ai që torturohej. Ai po jetonte në një jerm absurd, vetëm, me një mendim të ngulur fort në tru, që e dëbonte tek e shihte tek afrohej, me një zjarr që digjej flakadan, pa nxjerrë jashtë ndjelljen e mëshirës.

Ky ishte i vetmi zjarr pa tym, një gjendje e brejtur nga gjallesa fantazmagorike. E shoh edhe tani aty ku është: i ulur mbi një gur, këmishë shqyer, i gjakosur, i etur, i kredhur në mendimet e tij të stuhishme. Askujt nuk mund t’i kërkonte fjalën e nderit, mëshirën, vrasjen, plagët, ose t’i lidhnin dhe kuronin dhimbjen…! Namik Mehqemeja, shkruante me vrull, siç i vinin mendimet e buhishme, në fletoren e trashë, që e mbaj tani para duarsh. Ai gjithashtu lexonte stuhishëm me dritën e syve, duke i peshuar fjalët në bebëz. Pas shkrimit, letrat qetësoheshin, rrinin butë-butë si nën dritën e hënës.

Veprat e Dostojevskit, nuk janë më në shtëpinë e tyre (vonë unë do t’ua bëja dhuratë tri motrave, në shqip!). I dogji lugati i kuq, të cilin e përshkruante në traktet e tij të malulta. I dukej sikur mblidhte tërë mirësitë (po edhe prapësitë) e botës, për të ndezur zjarrin poetik. Lexonte “Atë Sergin” e Tolstojit dhe e rrëmbente gjendja e tmerrit shpirtëror. Ngjethej i tëri prej kumtit të madh të Gogolit, tek “Frymë të vdekura”…! Nuk dinte ku ta mbante mendjen më parë. Lexonte vetëm në italisht. “E kuqja dhe e zeza”, “Budenbrokët”, “Saga e Forsajtve”, “Lufta dhe Paqja”, “Don Kishoti i Mançës”… Nuk donte formim të gjymtuar. Dhe kujtonte fjalët e ethshme të Atit, Mit’hat Frashëri. I madhi profet, i bukuri Njeri. I madhi parashikues.

Ishin takuar disa herë. Por atij i seritej para syve hija në gjysmë fytyrën nën prizmin e hije-dritës. Një hije e errët, me kontrast të fortë…! Donte të qeshte dhe hidhërimi i feksi, duke mahitur plagët. “Maskarenjtë”! I bubulliu pezmi i allasojtë. Ç’mendonte kështu? Luan Qafëzezi qeshte i tëri. Shikonte përpëlitjen e mendimeve të Namikut dhe sikur bëhej pasha, kur i shihte fundin. “Tani e tutje ky poet, do të ishte armik i shpallur, i shkarë, i rrëshqitur, i dërrmuar, i trembur”, po thoshte me vete Luani, i uritur dhe në një lloj paniku, nga e përditshmja e mallkuar, që endej mbi kokën e tij të vogël e, të çelur nga sythet poetike, që mund të qaseshin pranë atyre sythave kriminale.

Mendimi i vrulloi dhe e shkundi fort. A mund ta harronte ai këtë natë? Kurrë! Po i bëhej e qartë, si drita e diellit në mes të territ e të blasfemive. Ati, Mit’hat Frashëri, po bënte orë të tëra që e priste. Donte ta takonte patjetër. Namiku hyri me vrull, si mendimet që i vinin befas. “Shqipëria e mori vulën, djalë! Mendo vetëm të mos përballesh me armë me këta. Më e mira do të ishte, të iknim sa më parë. E di çdo të thotë të biesh në gojën e hijenave? Jo? Mësoje: copë e çikë”! “Unë kam motrat At! S’mund t’i lë dot”! “Je i dënuar bir. Vetmia na pret të gjithëve si një gojë e çapëlyer. Po të përgjërohem, është rasti për të ikur bashkë: ti dhe motrat! Ky shpirt poetik nuk u bën dot ballë atyre”!

“Me mua s’kanë punë At”! Zot i madh! Ç’po më ndodh kështu! Me urdhër: eja”! “Jo, At! Jo! Këtu është vendi im…”! Jehona i kapërceu muret dhe Mit’hat Frashëri iku. Jashtë e priste makina me fenerë të shuar. Kurse mendimet gjëmonin në kokën e poetit. Paskëtaj do të zbriste në fushëbetejë rastësia. Ajo e kapi bashkë me traktet balliste. Natyra e egër dhe e panënshtrueshme, ngriheshin mbi vetëdijen e njeriut dhe bëheshin motiv. Kthehej në një shtysë të pamposhtur, që do ta nxiste për të shkuar drejt therorisë. A mund të turpërohej? Pse jo. Ky turp i përbindshëm, binte mbi supet e brishtë të së Mirës, duke qenë gjithnjë nën rehatinë rraskapitëse të së Keqes. Prandaj donte të ndodhte gjithçka dhe shpejt, sepse më pas, tutej se do të mbetej pa forcë, trembej se mos vinte çasti dhe nuk e fshihte dot rrënimin agresiv.

I dukej gjë e tmerrshme të gjunjëzohej. “Se tek e fundit njerëz jemi dhe mund të ndodhë. Brrrr. E tmerrshme…”! I trembej së keqes morale, asaj që trumbetohej të nesërmen e fitores, që duke e mbajtur në jetë, të zotëronin mundësinë për ta turpëruar, duke e zvarritur rrugëve. Poshtërim. Ashtu kishin bërë musaqazimistët në Berat, me Babë Dud Karbunarën. Tek e fundit, kështu, pse të mos e qëllonte populli me gurë? Pse të mos e pështynin? Skaji i një fatkeqësie të madhe. Historia përsëritej. Që nuk e donte, jo më ky djalosh i “Ballit të Kombit”, por askush tjetër…!

Ai dukej mjaft i shqetësuar, e ndjeu fatkeqësinë, kurthin e egër dhe trishtimi i pafund, po e vinte me shpatulla në tokë. Dhe mund të binte aty, mbi baltë dhe mbi gjakun e tij. Pa ndjenja, sigurisht. Ndoshta i çlodhur përfundimisht? Befas ngriti kokën lart dhe pa qiellin. Ishin jashtë, pa u kuptuar. E tërhiqnin zvarrë. Duket sa kishin zbritur nga makina e tyre. Lart tavani i asgjëje. Kupolë me drita të largëta, të largëta. Një tik nervor, e zgjoi. Çudia vetë. E si mund ta zgjonte ky tik? Djersët në tëmtha dhe të varguara mbi fytyrë, shpëlanin duke e pahitur fort të qeshurën e vuajtjes.

Mund të dëgjonin maskarenjtë ndonjë nga mendimet e tij të mençura, që i thoshte si i vinin, menjëherë, brenda vrullit poetik që e mbërthente dhe nuk e lëshonte kurrë. E kam dashur gjithmonë këtë çast sublim dhe të epërm, të xigluar nga drita e bekuar. Shenjim i fortë. Atij po i bënin gati tokën me nxitim. Atë çast do të dëgjoheshin krismat fatale. Errësirë. Pak fjalë që vinin të largëta. “Nuk kemi më kohë”! – dëgjohej zëri i një që i kishte mbushur poturet, duke shkërmoqur përfundimisht vargjet e mahnitshëm, që do të shkruheshin dikur. Dhe pranë veshit të tij: “A ke një dëshirë të fundit”?

“Jo. Kurrë. Unë kam vetëm dëshira që jetojnë! Mbase dikush do të lindë me këto dëshira që vlojnë…! Nuk dua krehër! Nuk dua fjalë të budallallepsura e të çmendura…”! Krismat e thata e të forta, që e çanë natën tej përtej. Namiku ra, duke belbëzuar; “Liria ime, e mjera ime, e bukura i…”! Ndërsa edhe vrasësit belbëzonin frazën; “Në emër të Lirisë”! “Në emër të popullit”! Këto fraza mbetën në fuqi për gjysmë shekulli dhe vendi ku u vra Namik Mehqemeja, ende nuk dihet. Eshtrat e tij, askush nuk i mbante mend se ku mbetën. Nuk e tregoi askush krimin. Sepse kujtesën ai e kishte marrë të tërën me vete! Ndoshta Luan Qafëzezi, mund t’i ketë marrë një talisman. Ku i dihet?!

Ndërkaq dorëshkrimi i dhënë nga motrat si një peng i madh (ato prandaj kishin rrojtur, vetëm për të shlyer amanetin!), për të parë botimin; “Shpirti është lot”. Pastaj zuri vend në Antologjinë poetike, të periudhës 1920-1944. Ndërkaq unë vetëm meditoj për jetën e prerë aq mizorisht të atij poeti dhe njeriu të madh. Traktet e tij i mori era dhe i mbajti në qiell, deri në tetor 1992…! Endem në varrezën e dëshmorëve dhe kërkoj një varr të ri dëshmori të Lirisë, të cilin as sot e kësaj dite, s’e kam gjetur dot…! Na e vranë dyfish Lirinë, të bukurën e magjishme…! Memorie.al

Protesta në aksin Thumanë-Kashar, reagon Merita Bakiu: Kruja historike është rrethuar sot nga një tjetër pushtues: KORRUPSIONI!

Deputetja e PD-Demokratët Euroatlantikë, Merita Bakiu, ka reaguar pas mbylljes së protestës në aksin Thumanë-Kashar. Sipas saj qyteti i Krujës është sot pa turistë, ndërsa bizneset po shkojnë drejt mbylljes, për shkak të izolimit të shkaktuar nga ndryshimi i projektit fillestar të rrugës së re, që parashikonte hyrje-dalje në rrugën e re.

Merita Bakiu ishte sot në protestë në krah të banorëve, duke theksuar se ata do qëndrojnë në krah të njëri-tjetrit pasi kauza e tyre është e drejtë.

Reagimi i Merita Bakiut:

Arroganca dhe makutëria e kësaj qeverie të korruptuar ka bllokuar mijëra familje dhe biznese, duke i çuar drejt falimentimit.

Kruja historike është rrethuar sot nga një tjetër pushtues: KORRUPSIONI!

Qyteti historik është pa turistë, sipërmarrësit e ndershëm po mbyllin qepenat, kostot e jetesës po bëhen edhe më të papërballueshme për shkak të izolimit të imponua me dhunën e pushtetit.

Me muaj të tërë zëri ynë nuk është dëgjuar, sepse prioritet Rama ka klientelën e tij dhe jo qytetarët.

Zgjidhja e kësaj çështje kërkon një reflektim të menjëhershëm nga institucionet shtetërore, pasi çdo ditë që kalon është një kosto e padrejtë dhe e papërballueshme.

Ne do të qëndrojmë përballë kësaj të keqe. Jemi në krah të njëri-tjetrit sepse kauza jonë është e drejtë dhe nuk mund të lejojmë që Kruja dhe krutanët të nëpërkëmben dhe diskriminohen.
Kruaj meriton më shumë, Shqipëria meriton më shumë!

“Tani është koha që Bangladeshi të mbajë zgjedhje të lira e të ndershme” – Nga Muhammad Yunus

Nga Muhammad Yunus* 

Kreu i qeverisë së përkohshme të Bangladeshit, Muhammad Yunus, argumenton në një shkrim për revistën ‘Economist’ se vendi duhet të mbajë më në fund zgjedhje të lira dhe të ndershme

GJATË 30 viteve të fundit Bangladeshi është bërë i njohur për shumë arritje dhe karakteristika pozitive: rënia e shkallës së varfërisë; duke qenë vendlindja e mikrokredisë dhe ‘Silicon Valley’ e sipërmarrjes sociale dhe biznesit social; zhvillimi i konceptit të mbajtjes së zgjedhjeve nën qeveritë e përkohshme neutrale për të frymëzuar besimin tek partitë konkurruese; zhvillimi i një industrie që punëson miliona gra për të eksportuar veshje me vlerë miliarda dollarë për të veshur botën; dhe duke u bërë vendi i tetë më i populluar në botë. Vetëm katër gjuhë kanë më shumë folës amtarë se gjuha jonë kombëtare, bengali.

Fatkeqësisht, ne jemi bërë të njohur edhe për gërryerjen e demokracisë sonë në autokraci, me zgjedhjet të manipuluara në vitit 2014, 2018 dhe më famëkeqësisht në vitin 2024, duke lënë në hije zgjedhjet e mbajtura në vitet 1991, 1996 dhe 2008. Asnjë bangladeshas më i ri se 30 vjecc nuk ka votuar ndonjëherë në zgjedhjet kombëtare të pamanipuluara. Gjatë 15 viteve të fundit qeveria korruptoi shumë prej institucioneve tona, më tragjikisht gjyqësorin dhe sistemin arsimor, në të gjitha nivelet.

Si rezultat, shumë nga udhëheqësit tanë të talentuar në çdo fushë janë larguar në vende të tjera. Ata që mbetën, u përballën me zgjedhjen midis premtimit për mbështetjen e tyre ndaj kryeministres, Sheikh Hasina, ose të persekutoheshin. Zgjodha opsionin e dytë dhe që nga java e kaluar kisha 190 çështje gjyqësore në pritje kundër meje. Një çështje penale me të cilën përballem, ka dënim maksimal me burgim të përjetshëm. Unë u akuzova për falsifikim, përvetësim dhe pastrim parash.

Kam shpenzuar më shumë kohë në sallat e gjyqit dhe duke përgatitur mbrojtjen time ligjore sesa për gjërat që më pëlqejnë, të tilla si projektimi i bizneseve sociale që përdorin qasje të bazuara te tregu për të zgjidhur problemet urgjente sociale dhe mjedisore. Nuk jam i vetëm në përballjen me këtë përndjekje; thjesht pyesni fotoreporterin fitues të çmimeve Shahidul Alam dhe shumë të tjerë.

Gjatë muajit të kaluar, Bangladeshi fitoi pavarësinë e tij nga kjo autokraci përmes një lëvizjeje të udhëhequr nga studentët. Megjithëse filloi si kundërshtim ndaj kuotave të shërbimit civil, ajo nxiti shpejt kombin të mblidhej rreth një kërkese: dorëheqjen e qeverisë së Sheikh Hasinës. Më 5 gusht kërkesa e protestuesve u plotësua kur kryeministri u largua nga vendi. Ashtu si pothuajse të gjithë bashkëqytetarët e mi, isha shumë i gëzuar, edhe pse mbaja zi për humbjen e më shumë se 300 jetëve nga dhuna e sponsorizuar nga shteti kundër protestuesve paqësorë dhe kalimtarëve. Ne duhet të angazhohemi për të siguruar që ato jetë nuk janë dhënë kot, por përkundrazi të sjellim një epokë të artë demokracie, prosperiteti dhe uniteti për Bangladeshin.

Hapi tjetër do të jetë formimi i një qeverie të përkohshme që duhet të lirojë të gjithë të burgosurit politikë dhe të sigurojë mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme brenda pak muajsh. Unë jam i gatshëm të ndihmoj në mbështetjen e këtij procesi dhe shpresoj se njerëz të tjerë do të më bashkohen. Ne kemi nevojë urgjente për politikanë të rinj dhe liderë të rinj për të ecur përpara. Mbi të gjitha, ne kemi nevojë për të rinj që nuk janë të fiksuar pas pastrimit të hesapeve, siç ishin shumë nga qeveritë tona të mëparshme, por kanë për qëllim të bëhen një brez i ri udhëheqësish të fokusuar në të ardhmen e kombit tonë të madh. Udhëheqësit studentorë që ishin në ballë të çlirimit tonë të dytë – pas luftës së pavarësisë nga Pakistani në 1971 – duhet të vazhdojnë të ofrojnë udhëheqje në të gjitha aspektet.

Për një kohë të gjatë, politika e Bangladeshit ka qenë e prapambetur. Duke filluar nga sot, le të fokusohemi në ndërtimin e një të ardhmeje së bashku që buron nga çlirimi i dytë që ndodhi më 5 gusht. Një brez i ri udhëheqësish të rinj duhet të dalë nga ata që na çuan në këtë fitore të re të rëndësishme. Energjia dhe vizioni i tyre për kombin mund të ndihmojë në shenjtërimin e sakrificave të atyre që dhanë jetën e tyre për këtë mundësi të re – një mundësi që nuk duhet ta shpërdorojmë.

* Muhammad Yunus, fitues i çmimit Nobel, kandidat  për të marrë drejtimin e qeverisë në Bangladesh.

Protesta në Thumanë-Kashar/ Andia Ulliri: Janë fshirë nga harta 85 mijë banorë, janë zhdukur nyjet lidhëse…

Qytetarët e Krujës, Fushë-Krujës, Thumanës, Niklës dhe zonave të tjera, që preken nga aksi Thumanë-Kashar, kanë protestuar sërish pasditen e së enjtes.

Ata janë përballur me qindra forca policore, ndërsa kërkojnë të kenë akses në autostradën e re, pasi janë izoluar tërësisht dhe bizneset e tyre po falimentojnë.

Deputetja demokrate Andia Ulliri, e cila i është bashkuar protestuesve, në një intervistë për gazetarin Osman Stafa në News24, shprehet se janë 85 mijë banorë që nuk kanë si të aksesojnë rrugën e re dhe janë mbi 700 biznese që po përballen me falimentimi.

“Po penalizohet i gjithë veriu, pasi ata që udhëtojnë drejt Krujës, do të përballen me traun.

Pse nuk është bërë publik projekt-zbatimi? Ka pasur 4 nyje shkëmbimi, janë 4 hyrje dalje, që ekzistojnë nuk janë, ndërkohë që parashikoheshin në projekt”, tha deputetja.

Ajo u shpreh se ndërkohë që aksi Thumanë-Kashar është 21 km, nyja është 23 km më tej.

“Janë fshirë banorët e Krujës, Fushë-Krujës dhe Thumanës nga harta”, tha Ulliri.

Ndërkohë banorët e zonës shprehen se rruga, duke mos pasur nyje lidhëse, i mohon një të drejtë Kushtetuese të gjithë qytetarëve të Krujës, Fushë Krujës, Thumanës, Niklës dhe ccdo fshati tjetër, atë të lëvizjes.

Banorët kërkojnë të kenë akses në rrugën e re, as më shumë e as më pak, po ato 4 hyrje daljet që parashikoheshin në projekt, por në zbatim mungojnë.

Kryeminisitri i Qeverisë së Lajeve

Nga Ermal Mulosmani

Kush e ka njohur Kryeministrin Rama në kohët e rinisë, atëherë kur nuk kishte pushtet ekzekutiv, menjëherë e bën dallimin me transformimin rrënjësor të tij. Dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm te veshja ekstravagante prej bohemi intelektual apo shkrimet trandëse plot stil e tharm të tij, që sillnin në median e shkruar një frymë krejt tjetër nga gjuha e leshtë dhe pa nerv e kalemxhinjve të tredhur të një kohe tredhëse. E kam fjalën edhe këtu, sigurisht, por jo vetëm këtu.

Edi Rama ishte rebeli modern dhe fshikulluesi më sharmant i modeleve të trashëguara nga kiçi komunsit. Ne e pëlqenim Ramën e asaj kohe se na kishin ardhur në majë të hundës modelet e pompuara e pa vese të komunizmit, heronjtë artistikë të krijuar sipas modeleve të parafabrikuara të njeriut të ri. Një lloj fasade e tejdukshme, lëtyre, gëzimi entusiast që fshihte pas vetes malin e vërtetë të vuajtjeve apo vlerave njerëzore.

Krijesat entuziaste, patetike e melodramatike të teatrit komunist kanë qenë pjesa ndoshta më e shpifur e tij. Ti ishe gati, ndoshta, të vuaje në heshtje e mirëkuptim varfërinë e skamjen por jo edhe glorifikimin e heronjve entuziastë të atij sistemi. Po përmend këtu vetëm një krijesë tipike si Laja te filmi “Kur hidheshin themelet”.

Laja është një komuniste vigjilente, me një vështrim “dërrmues” mbi armikun, e veshur partizannçe megjithëse lufta ka mabruar, që flen pak e punon shumë, që flet si aparatçike me nota patetizmi dhe është krenare. Me një fjalë një fyryfyçkë që frymon për Partinë dhe systemin e ri. Këtë tip e ka përshkruar me mjaft vërtetësi edhe Milan Kundera, një nga të preferuarit e Kryeministrit tonë, te Shakaja (Marketa) apo te Lehtësia e Papërballueshme kur thotë:

“Unë mund t’i mbijetoja shumë kollaj vuajtjeve dhe varfërisë në komunizëm. Por e kisha të pamundur t’i mbijetoja kiçit komunist. Në botën e teveqelëve të qeshur, me të cilët nuk do kisha mundur të këmbeja asnjë fjalë, do të kisha vdekur nga tmerri brenda javës”.

Pasi ke lexuar këtë tekst, menjëherë të dalin përpara me dhjetëra “teveqelë” të qeshur që na japin receta mirëqenie dhe entuziasmi.
Dhe ironia më e madhe: Mes tyre spikat bash përkthyesja e Milan Kunderës! Sa herë e shoh më duket si personazh i Kunderës: Plot qeshje të stisur televizive, patetizëm të luajtur keq dhe një entuziasëm kallp e zell servil bredh koshave të plehrave, këndon labçe e kërcen malësorçe si t’ja dojë puna. Laja e dikurshme më duket amatore para saj. Them me vete: Po Kundera ça do të bënte po ti çonin në varr një video të përkthyeses së tij entuziaste? Nuk kam imagjinatë të shkoj aq larg…

E tepërt të zgjatem me Spiropalin, Taulantin, Muzhaqin, Helenën, Ogertën. Është i njëjti laborator krijues ku përzihet optimizmi me entuziasmin, gëzimi me llërëpërveshjen, besimi në sukseset e arritura dhe brumosjen me dashurinë e pakufishme për Liderin. Është e gjitha një amalgmaë e neveritshme hipokrizie, paaftësie e servilizmi patetik që na sundoi pothuaj gjysmën e jetës sonë.

Çfarë tmerri!

Edi Rama ishte fshikulluesi më i pamëshirshëm dhe zëri më interesant kundër këtyre krijesave monstuoze të Njeriut të Ri. Me plot stil letrar, kolor gjuhësor e kurrfarë kujdesi etik deri në arrogancë, Rama krijoi aurën e tij të artistit modern, antdotit të këtij virusi komunist.

Jam shumë kurioz të shihja qeverisjn e sotme të Elizës, Taulantit, Mirelës, Borës, Ogertës me mendjen e Edi Ramës së 96-ës. Si thotë ai vargu i famshëm i Azem Shkrelit:

“Sikur të takoheshim me vetveten sy më sy, do të putheshim apo kishim për t’u pështy?”

Unë e besoja që Edi Rama do të ishte një Kryeministër arrogant, ekzibicionist, ambicioz, vizionar, dinjitoz e , le të thëmi edhe i suksesshëm. Por kurrë nuk do të besoja se do na sillte në Qeveri Lajet, personazhet groteske të një kohe të shkuar; nuk do e besoja kurrë që do e sillte në ligjërimin publik shtetar një nivel servilizmi anadollak, do të vazhdonte poshtërimin intelektual të filluar nga Laja e parë në një pafundësi personazhe lajkatarë e pa karakter.

Ja, kjo është gjëja më zhgënjyese nga Edi Rama. Siç thotë Kundera, për ta mbyllur:

“Në botën e teveqelëve të qeshur, me të cilët nuk do kisha mundur të këmbeja asnjë fjalë, do të kisha vdekur nga tmerri brenda javës”.

SPAK zbulon vilën e prindërve të Redi Mollës: U ble 300 mijë euro dhe u rikonstruktua nga “5D”

Një nga asetet e verifikuara nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) në lidhje me hetimet për dosjen “5D” është një pronë (vilë) e cila ndodhet në zonën e “Pazarit të Ri”.

Sipas hetimeve, kjo pronë rezulton të jetë në emër të prindërve të Redi Mollës, ish- drejtori i Ujësjellësit të Tiranës i arrestuar në lidhje me skandalin e korrupsionit dhe vjedhjeve përmes tenderave në Bashkinë e kryeqytetit. “Ora News” mëson se për rikonstruksionin e vilës është angazhuar pikërisht kompania 5D.

Sipas dosjes, rezulton se për pasurinë e mësipërme është lidhur kontrata e qirasë me datën 21 mars 2023 kundrejt një pagese prej 6 mijë eurosh në muaj për t’u përdorur për qëllime biznesi.

Mësohet se SPAK ka marrë në pyetje palën qiramarrëse, e cila ka deklaruar se vilën e ka marrë në gjendjë të rikonstruktuar dhe për pagesat kishte folur me Redi Mollën.

Shtetasja I. Sh, e cila ka marrë me qira objektin ka deklaruar se qiradhënësit janë: Selim dhe Ollga Molla, por që asnjëherë nuk i ka takuar.

Në pyetje është marrë dhe Klodjan Qypi, i cili ka treguar se vlera e vërtetë e vilës ka qenë 500 mijë euro, por për shkak se atij i duheshin paratë, ka pranuar ta shesë për vlerën 300 mijë euro.

Ai deklaron se e ka takuar vetëm një herë Selim Mollën, kur kanë parë vilën dhe janë dakordësuar për shitjen e saj, dhe se vila ka qenë thuajse e rrënuar.

Nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme kanë rezultuar të dhëna që mbështesin dyshimin e arsyeshëm se pasuritë e paluajtshme, të regjistruara në pronësi të Z. Selim Molla dhe Znj. Olga Molla janë përfituar pjesërisht me burime financimi nga shoqëria “5D Konstruksion sh.p.k.”, burime financimi që rrjedhin nga produkte të veprës penale.

Po kështu, ka të dhëna se investimi që është kryer në lidhje me rikonstruksionin e objektit është financuar nga shoqëria “5D Konstruksion sh.p.k.”, ku pas kryerjes së këtij investimi, shifra e pasurisë është rivlerësuar në një çmim prej më tepër se dyfishi i atij të blerjes.

Sipas SPAK, Redi Molla dhe Mariglen Qato janë pronarë “de facto” të kompanisë “5D Konstruksion sh.p.k.”, me të cilën fitonin tenderat e Bashkisë së Tiranës. Ata kishin lënë administrator Nestor Muhametllarin me qëllim menaxhimin e firmës.

Nga të dhënat e grumbulluara nga SPAK, ka rezultuar se Nestor Muhametllari kujdesej edhe për të rezervuar biletat e ndeshjeve të futbollit për shefin e tij Redi Molla.

Kështu gjate hetimeve te këtij procedimi penal ka rezultuar fakti se nga këqyrja e telefonit të Nestor Muhametllari rezulton një email i datës 07.06.2023 dërguar nga adresa: [email protected] drejtuar adresës [email protected] me subjekt: “UEFA mobile tickets suçessfully transferred”.

Përmbajtja e këtij emaili është: “Hello, your ticket for Man City vs Inter Istambul has been transferred to Redi Molla ([email protected]). Please bite that this ticket is no longer on your phone”

Pra, biletën e Redi Mollës për të shkuar në Stamboll për të ndjekur finalen e UEFA Champions Legaue, Manchester City-Inter, është rezervuar nga Nestor Muhametllari.

Aktualisht SPAK po kryen hetim pasuror për drejtorët e Erion Veliajt, teksa edhe për kryebashkiakun e Tiranës ka nisur një hetim pasuror, edhe pse deri më tani është toleruar nga SPAK duke mos u marrë i pandehur, si për inceneratorin, po ashtu edhe për dosjen “5D”./Oranews

Aksi Thumanë-Kashar, qytetarët sërish në protestë/ Vetëm deputetet Bakiu dhe Ulliri në mbështetje

Disa qindra banorë të Krujës, Fushë-Krujës dhe Thumanës kanë nisur sërish një protestë, duke bllokuar aksin Thumanë-Kashar.

Kjo është protesta e 4-t që banorët e zonës zhvillojnë në këtë aks, duke kërkuar nga autoritetet që të respektojnë projektin fillestar, që parashikonte hyrje-dalje në rrugën e re, duke i dhënë akses banorëve që të ndërlidhin dy rrugët, atë ekzistuesen dhe autostradën e re.

Banorët pretendojnë se jeta e tyre është izoluar krejtësisht dhe bizneset po u falimentojnë, për shkak të mungesës së hyrje-daljeve në aksin e ri.

Deri më tani nga ARRSH apo nga ministria e Infrastrukturës që drejtohet nga Belinda Balluku nuk ka pasur asnjë reagim, ndërsa përgjigjia e vetme që i është ofruar banorëve janë disa qindra policë, që zhbllokojnë forcërisht rrugën dhe më pas ndalojnë protestues.

Kujtojmë se në mbështetje të banorëve nga deputetët e opozitës, kanë marrë pjesë vazhdimisht vetëm Merita Bakiu dhe Andia Ulliri, njëkohësisht një rol të veçantë ka luajtur edhe kryetari i PD – Demokratët Euroatlantikë, dega Krujë, Sabah Sheta.

Sali Berisha ka zgjedhur të kyçi gojën për oligarkun Ulaj, për shkak të lidhjeve të ditura botërisht.