26.5 C
Tirana
E hënë, 18 Gusht, 2025

DOSJA E SPAK/ Paratë i fitoi përmes trafikut të drogës nga vendet e Amerikës Latine në Evropë, si Erzen Breçani fshehu të ardhurat e të birit nën petkun e “investimit” në pasuri të paluajtshme dhe biznese

Detaje të reja dalin nga dosja e SPAK, e cila ka përfunduar hetimet për 11 anëtarët e dyshuar të grupit të strukturuar kriminal ku ishte i përfshirë ish-zyrtari i lartë i policisë së shtetit, Erzen Breçani dhe djali i tij, Eralbi Breçani.

 

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Erzen Breçani ka investuar në pasuri të paluajtshme dhe biznese paratë që i biri fitonte përmes trafikut të drogës nga vendet e Amerikës Latine në Evropë.

Qëllimi i tyre, sipas SPAK, ishte mbulimi i vërtetë të origjinës së tyre dhe vijimit të nxjerrjes së mëtejshme të të ardhurave nga aktivitetet tregtare ku janë injektuar këto të ardhura.

“I pandehuri Erzen Breçani me veprime aktive të kundraligjshme ka administruar dhe futur në qarkullim të ardhurat  e përftuara nga i pandehuri Eralbi Breçani si rezultat i aktivitetit kriminal të trafikimit të narkotikëve nga vendet e Amerikës Latine në Evropë, me qëllim mbulimin e vërtetë të origjinës së tyre dhe vijimit të nxjerrjes së mëtejshme të të ardhurave nga aktivitetet tregtare ku janë injektuar këto të ardhura.

Nga aktet e administruara rezulton se veprimet e të pandehurve Erzen Breçani dhe Eralbi Breçani, kishin një synim të përbashkët, pengimin e identifikimit të origjinës së të ardhurave, produkte të veprimtarisë kriminale dhe integrimin e  tyre në qarkullimin civil, veprime të cilat janë në shkelje të nenit 287 i Kodit Penal.

Në këtë mënyrë ata  kanë fshehur dhe mbuluar natyrën e vërtetë, burimin e të ardhurave që kanë qenë produkt i një vepre penale, nën petkun e “investimit” në pasuri të paluajtshme apo në aktivitete tregtare në dukje të ligjshme”, thuhet në njoftim.

Ndaj Erzen Breçanit, SPAK ka ngritur akuzat për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim me të pandehurin Erlabi Breçani dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.

Ndërsa ndaj djalit të tij, Eralbi Breçani akuzohet se ka kryer veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”, dhe veprën penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim me të pandehurin Erzen Breçani.

Ndërkohë SPAK ka sekuestuar edhe  “HEC DRITA ENERGY”, me pronar “R.O.S.P Breçani” shpk, ku Eralbi Breçani është emëruar administrator për një periudhë kohore nga 23 shtatori 2019 deri në 23 shtatir 2024, me  objekt veprimtarie “Ndërtimin, shfrytëzimin dhe administrimi i hidrocentralit DRITA, ku përfshihet financimi, projektimi, ndërtimi, vënien në punë, prodhimi, furnizimi, transmetimi, shpërndarja, eksportimi dhe shitja e energjisë elektrike sipas kontratës për “ndërtimin, shfrytëzimin dhe administrimin e hidrocentralit DRITA, me kapacitet prodhues 1.980 MË, në lumin e Gashit, degë e lumit Valbonë, Bashkia Tropojë, Qarku Kukës. Shitja e elektricitetit të prodhuar në Shqipëri dhe jashtë saj, blerje dhe shitje të pajisjeve për ndërtim HEC-i (tubacione çeliku, turbina, shtylla betoni, aksesorë të tjera,  etj., brenda dhe jashtë vendit)”, me adresë në Kukës-Tropojë, rruga Dragobi, lumi i Gashit, dega e lumit Valbonë”;

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka përfunduar hetimet paraprake të procedimit penal nr.78, të vitit 2023, dhe çuar kërkesën për dërgimin e çështjes në gjyq të këtij grupi të strukturuar kriminal në ngarkim të të pandehurve:

1. Ismail Zeneli, akuzuar se ka kryer veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të “Grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/1 dhe 334 (dy herë) dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, vepra të parashikuara nga nenet 80, 28/4, 333/a/1 dhe 334/2 të Kodit Penal.

2. Bujar Ajeti, akuzuar se ka kryer veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”, vepra të parashikuara nga nenet 80, 28/4, 333/a/1 e 334 të Kodit Penal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar  nga neni 278/1 i Kodit Penal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/3 i Kodit Penal, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe armëve sportive”, parashikuar nga neni 280 i Kodit Penal dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.

3. Adrian Cenaj (Dedja), akuzuar se ka kryer veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe  mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”, vepra të parashikuara nga nenet 80, 28/4, 333/a/2 e 334/1 të Kodit Penal si dhe “Përkrahja e autorit të krimit”,  parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.

4. Dedan Gjoni, me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale Shef i Krimeve, akuzuar se ka kryer veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave nga penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”, vepra të parashikuara nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 80, 28/4, 333/a/2 e 334/1 të Kodit Penal si dhe “Shpërdorimi i detyrës”,  parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

5. Eralbi Breçani, akuzuar se ka kryer veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”, vepra të parashikuara nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal si dhe veprën penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim me të pandehurin Erzen Breçani, parashikuar nga neni 287/1/b/2 i Kodit Penal.

6. Besmir Murtati, akuzuar se ka kryer veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të “Grupit të  strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”, vepra të parashikuara nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.

7. Artan Sulejmani, akuzuar se ka kryer veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”, vepra të parashikuara nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.

8. Albert Prenga, akuzuar se ka kryer veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”, vepra të parashikuara nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/1 dhe 334/1  të Kodit Penal.

9. Bajram Grabova, akuzuar se ka kryer veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të “Grupit të  strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”, vepra të parashikuara nga nenet 283/a, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.

10. Jonida Babameto, me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, Oficere në Interpol Tirana, e cila akuzohet se ka kryer veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, parashikuar nga neni 295/a/1 i Kodit Penal.

11. Erzen Breçani, akuzuar se ka kryer veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim me të pandehurin Erlabi Breçani, parashikuar nga neni 287/1/b/2 i Kodit Penal dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar(SPAK), në bashkëpunim me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese franceze, holandeze, belge, gjermane, braziliane, kolumbiane, ka zhvilluar hetime ndaj disa shtetasve shqiptarë të përfshirë në aktivitetin kriminal të trafikimit ndërkombëtar të narkotikëve (kryesisht kokainë) nga vendet e origjinës për në vendet e Bashkimit Evropian.

Gjatë hetimit u bë e mundur dokumentimi i një grupi të strukturuar kriminal mjaft të rrezikshëm me të paktën 11 (njëmbëdhjetë) të akuzuar në këtë fazë të hetimit.

Ky grup i strukturuar kriminal karakterizohet nga një organizim i mirë koordinuar dhe një bashkëpunim i ngushtë ndërmjet anëtarëve të tij. Grupi është i përfshirë në trafikimin ndërkombëtar të narkotikëve, ku çdo anëtar ka role dhe detyra specifike, nga financimi dhe porositja, deri te transporti dhe shpërndarja e lëndëve narkotike. Anëtarët shfrytëzojnë lidhjet e tyre ndërkombëtare, veçanërisht në vendet e Amerikës Latine dhe Evropës, për të siguruar furnizimin dhe transportimin e narkotikëve. Gjithashtu, ata janë të angazhuar në pastrimin e parave të përftuara nga aktiviteti kriminal përmes investimeve të dukshme legjitime, për të fshehur burimin e vërtetë të të ardhurave.

Përveç trafikut të narkotikëve, ky grup i strukturuar kriminal shfrytëzoi pozitat zyrtare të disa funksionarëve të agjencive ligjzbatuese shqiptare për të mbledhur dhe shpërndarë informacion të klasifikuar, të cilët i ndihmonte anëtarët e tij që t’i shmangeshin drejtësisë dhe të vijonin aktivitetin kriminal. Ky grup i strukturuar kriminal është i përfshirë në sigurimin e kushteve për kryerjen e vrasjeve dhe në përkrahjen e autorëve të krimit, duke strehuar dhe ndihmuar individët e kërkuar nga ligji. Anëtarët shfrytëzonin aksesin në sistemet e të dhënave zyrtare për të mbledhur të dhëna dhe për të mbështetur veprimtarinë e grupit, duke përdorur teknologjinë dhe informacionin për të planifikuar, ekzekutuar dhe fshehur veprimet e tyre kriminale. Ky grup i strukturuar kriminal ka arritur të integrojë dhe investojë produktet e veprimtarisë kriminale në investime të rëndësishme si një shoqëri hidrocentrali, por dhe në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme si dhe në mjete financiare.

Nga analiza e provave dhe akteve të grumbulluara gjatë hetimit paraprak të këtij procedimi penal, është bërë e mundur dokumentimi i aktivitetit kriminal të personave të dyshuar, si dhe identifikimi i disa prej autorëve të ngjarjeve kriminale dhe të kryerjes së veprave penale, të kryera në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, si më poshtë:

A.    Sekuestrimi i sasisë prej 446 kg kokainë në Holandë në datën 05.01.2021;

Ky fakt penal i atribuohet të pandehurve të dërguar për gjykim Ismail Zeneli, Besmir Murtati dhe Eralbi Breçani të cilët në bashkëpunim me shtetasin Ergys Dashi dhe persona të tjerë për të cilët vazhdojnë hetimet, kanë bashkëpunuar me njeri-tjetrin në formën e grupit të strukturuar kriminal, për trafikimin e kësaj sasie kokaine nga Amerika e Jugut për në Holandë, ku në datën 05.01.2021 u bë e mundur sekuestrimi i kësaj ngarkese si dhe arrestimi i një shtetasi holandez.

B.     Sekuestrimi i sasisë prej 69 kg kokainë në Brazil në datën 18.02.2021;

Sekuestrimi i kësaj ngarkese me lëndë narkotike të llojit kokainë i është atribuar të pandehurve Ismail Zeneli (në rolin e porositësit dhe financuesit), Artan Sulejmani (financues), Eralbi Breçani (porositës dhe financues), Besmir Murtati (porositës dhe financues) dhe shtetasi Ergys Dashi i cili siguronte furnizimin me kokainë në vendet e origjinës si dhe më tej edhe ngarkimin e saj në port me destinacion portet e Evropës.

C.    Sekuestrimi i 166 kg marijuanë në Erwitte, e nisur nga Spanja për në Gjermani;

Lidhur me këtë fakt penal duhet theksuar se i pandehuri Albert Prenga, ka pasur rolin e porositësit dhe financuesit për blerjen e lëndës narkotike. Në  aktivitetin kriminal të trafikimit të narkotikëve, i pandehuri Albert Prenga ka bashkëpunuar me shtetas të tjerë shqiptarë të paidentifikuar, si dhe me të pandehurin Dedan Gjoni, i cili del në pah si bashkëpunëtor dhe porositës dhe financues në sasinë e lëndës narkotike të sekuestruar, kurse i pandehuri Bajram Grabova ka pasur rolin e transportuesit të lëndës narkotike.

D.    Identifikimi  i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve për vrasjen e dy shtetasve në Republikën e Shqipërisë;

I pandehuri Ismail Zeneli në bashkëpunim me të pandehurit Bujar Ajeti, Adrian Cenaj dhe të pandehurin Dedan Gjoni kanë ndërmarrë veprime konkrete në drejtim të sigurimit të kushteve, duke gjurmuar, identifikuar banesat dhe mbikëqyrur lëvizjet e E. N., A. N. dhe S. N., për të kryer një vrasje ndaj tyre.

I pandehuri Bujar Ajeti, në marrëveshje me të pandehurin Ismail Zeneli kanë organizuar duke u investuar personalisht në gjetjen e banesave të shtetasve objektiv vrasje, kanë kryer veprime në drejtim të sigurimit të kushteve për kryerjen e një vrasje, qëllim ky i të pandehurit Ismail Zeneli.

Bujar Ajeti dhe Ismail Zeneli kanë kërkuar dhe gjetur persona të tjerë për të mbledhur të dhëna të dobishme për qëllimin e tyre kriminal.  Nga ana tjetër, Adrian Cenaj, lidhje familjare e Bujar Ajetit, ka bashkëpunuar dhe mbështetur planin e Bujar Ajetit.

I pandehuri Dedan Gjoni, punonjës policie, duke përdorur sistemet e Policisë së Shtetit, në të cilat ka patur akses për shkak të detyrës që ushtronte, ka mbledhur të dhëna dhe është vënë në shërbim të qëllimeve të shtetasit Ismail Zeneli dhe jo për nevoja të diktuara nga detyra zyrtare e tij, e cila ishte të ruante rendin dhe qetësinë publike si dhe jetën e personit. Hetimi ka provuar se i pandehuri Ismail Zeneli kishte si motiv hakmarrjen ndaj personave të cilët ishin planifikuar si objektiv për tu eliminuar.

E.    Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale në Republikën e Shqipërisë;

I pandehuri Erzen Breçani me veprime aktive të kundraligjshme ka administruar dhe futur në qarkullim të ardhurat  e përftuara nga i pandehuri Eralbi Breçani si rezultat i aktivitetit kriminal të trafikimit të narkotikëve nga vendet e Amerikës Latine në Evropë, me qëllim mbulimin e vërtetë të origjinës së tyre dhe vijimit të nxjerrjes së mëtejshme të të ardhurave nga aktivitetet tregtare ku janë injektuar këto të ardhura.

Nga aktet e administruara rezulton se veprimet e të pandehurve Erzen Breçani dhe Eralbi Breçani, kishin një synim të përbashkët, pengimin e identifikimit të origjinës së të ardhurave, produkte të veprimtarisë kriminale dhe integrimin e  tyre në qarkullimin civil, veprime të cilat janë në shkelje të nenit 287 i Kodit Penal. Në këtë mënyrë ata  kanë fshehur dhe mbuluar natyrën e vërtetë, burimin e të ardhurave që kanë qenë produkt i një vepre penale, nën petkun e “investimit” në pasuri të paluajtshme apo në aktivitete tregtare në dukje të ligjshme.

F.     Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete;

E pandehura Jonida Babameto, me detyrë specialiste e ZQK Interpol Tiranë, i ka vënë në dispozicion informacione të klasifikuara punonjësit të policisë Dedan Gjoni, i cili këto informacione i’a ka transmetuar personave të ndryshëm në konflikt me ligjin në vende evropiane duke i dhënë mundësi këtyre personave që pasi të jenë vënë në dijeni për informacionet që disponon Interpol rreth tyre, të marrin masa për t’iu shmangur ligjit. Po ashtu të dhënat e shpërndara janë të dhëna sekrete, duke konsumuar kështu edhe veprën penale të “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, parashikuar nga neni 295/a/1 i Kodit Penal.

G.    Përkrahja e autorit të krimit;

Të pandehurit Bujar Ajeti, Adrian Cenaj dhe Erzen Breçani kanë përkrahur shtetasin Nuredin Dumani i cili ishte në kërkim për kryerjen nga ana e tij të disa veprave penale shumë të rënda, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Të pandehurit Cenaj dhe Ajeti kanë strehuar dhe ndihmuar shtetasin Nuredin Dumani me qëllim që t’i shmanget drejtësisë në një moment kur për këtë person ishte caktuar një masë sigurimi nga gjykata. I pandehuri Erzen Breçani ka konsumuar veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1 i Kodit Penal, duke i dhënë informacione Bujar Ajetit si dhe Nuredin Dumanit në mënyrë që t’i shmangen arrestimit nga policia gjyqësore.

Në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal janë sekuestruar si produkt i veprës penale, ndër të tjera, disa pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, të cilat i janë bashkëngjitur akteve të dërguara për gjykim si më poshtë:

1-Shoqëria “HEC DRITA ENERGY”, me NIPT L99524601K, me pronar “R.O.S.P Breçani” shpk, i emëruar administrator për një periudhë kohore nga data 23.09.2019 deri në 23.09.2024 shtetasi Eralbi Breçani, me  objekt veprimtarie “Ndërtimin, shfrytëzimin dhe administrimi i hidrocentralit DRITA, ku përfshihet financimi, projektimi, ndërtimi, vënien në punë, prodhimi, furnizimi, transmetimi, shpërndarja, eksportimi dhe shitja e energjisë elektrike sipas kontratës për “ndërtimin, shfrytëzimin dhe administrimin e hidrocentralit DRITA, me kapacitet prodhues 1.980 MË, në lumin e Gashit, degë e lumit Valbonë, Bashkia Tropojë, Qarku Kukës. Shitja e elektricitetit të prodhuar në Shqipëri dhe jashtë saj, blerje dhe shitje të pajisjeve për ndërtim HEC-i (tubacione çeliku, turbina, shtylla betoni, aksesorë të tjera,  etj., brenda dhe jashtë vendit)”, me adresë  në Kukës-Tropojë, rruga Dragobi, lumi i Gashit, dega e lumit Valbonë”;

2- Automjeti markës “Audi”, modeli “RS Q8”, vit prodhimi 2020;

3- Automjeti i markës “Mercedez Benz”, modeli “G350d”, vit prodhimi 2017;

4- Llogari bankare në shumën prej 75.000 (shtatëdhjetë e pesëmijë) euro.

Ndërkohë, për personat e tjerë nën hetim, bashkëpunëtorë në kryerjen e veprave penale të mësipërme, për të cilët nuk janë ekzekutuar akoma masat e sigurimit të miratuara nga Gjykata e Posaçme e Shkallës Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për fakte të tjera kriminale, si dhe për persona të tjerë të përfshirë në aktivitete kriminale që kanë rezultuar gjatë veprimeve hetimore të kryera në këtë procedim penal, është vendosur ndarja e çështjes penale dhe vazhdojnë të jenë ende në fazën e hetimeve paraprake.

I siguronte informacione të klasifikuara Dedan Gjonit dhe ish-shefi i Krimeve ua dërgonte personave me probleme me ligjin, roli i punonjëses së Interpol Tirana në grupin e strukturuar kriminal

Nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme për dosjen e ish-zyrtarit të lartë të Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, të ish-shefi të Krimeve të Rënda Dedan Gjoni dhe 9 të pandehurve të tjerë, është zbuluar dhe roli i Jonida Babametos, me detyrë specialiste e ZQK Interpol Tiranë.

 

Sipas SPAK, Babameto, i ka vënë në dispozicion informacione të klasifikuara punonjësit të policisë Dedan Gjoni, i cili këto informacione i’a ka transmetuar personave të ndryshëm në konflikt me ligjin në vende evropiane.

Kështu, personat që kanë patur probleme me ligjin në vendet e BE-së janë vënë në dijeni për informacionet që disponon Interpol rreth tyre, duke bërë që  të marrin masa për t’iu shmangur ligjit.

“E pandehura Jonida Babameto, me detyrë specialiste e ZQK Interpol Tiranë, i ka vënë në dispozicion informacione të klasifikuara punonjësit të policisë Dedan Gjoni, i cili këto informacione i’a ka transmetuar personave të ndryshëm në konflikt me ligjin në vende evropiane duke i dhënë mundësi këtyre personave që pasi të jenë vënë në dijeni për informacionet që disponon Interpol rreth tyre, të marrin masa për t’iu shmangur ligjit. Po ashtu të dhënat e shpërndara janë të dhëna sekrete, duke konsumuar kështu edhe veprën penale të “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, parashikuar nga neni 295/a/1 i Kodit Penal”, thotë SPAK.

Kujtojmë se Babameto është lënë me masën detyrim paraqitje nga GJKKO me një vendim të marrë 24 nëntor 2023.

Sulmoi kryeministren daneze në mes të Kopenhagës, ja me sa muaj dënohet autori! Gjykata urdhëron dëbimin e tij nga vendi

Një gjykatë daneze ka dënuar një 39-vjeçar polak me katër muaj burg dhe ka urdhëruar dëbimin e tij nga vendi për sulmin ndaj kryeministres daneze Mette Frederiksen në Kopenhagë në qershor.

 

Autori, identitetin e të cilit autoritetet daneze kanë vendosur të mos e publikojnë në media, u arrestua pasi sulmoi Mette Frederiksen më 7 qershor teksa ajo po ecte në kryeqytetin danez.

“Ne ju gjetëm fajtor për goditjen me grusht në shpatullën e djathtë të kryeministres”, tha gjyqtari Jakob Scherfig në fund të seancës dyditore.

Autori, i cili ka jetuar në Danimarkë për pesë vjet, nuk mund të kthehet për gjashtë vjet pas dëbimit.

Në gjyqin e tij ai mohoi çdo përgjegjësi, duke pranuar se kujton se ishte ballë për ballë me kryeministren, të cilën tha se e njihte, por nuk e preku.

Sulmuesi tha se besonte se humbja e kujtesës ishte rezultat i alkoolit që kishte konsumuar më parë dhe ishte  befasuar kur e gjeti veten kaq afër kryeministres daneze,

Pasi u lexua vendimi, ai përmes avokatit të tij njoftoi se e pranon vendimin.

As prokuroria dhe as mbrojtja nuk e thirrën Mette Frederiksen për të dëshmuar si dëshmitare gjatë gjykimit, pasi prokuroria siguroi se çështja ishte ndërtuar pa dëshminë e saj.

Mette Frederiksen u zgjodh kryeministre në vitin 2019 në moshën 41-vjeçare dhe rinovoi mandatin e saj në vitin 2022.

Letër Brutit (Personazh i “Jul Çezarit”- Shekspir)

Nga Agim Baçi

Dridhem! Frikem! Ulem të të shkruaj por një tmerr më kaplon të tërin. Prej kohësh ëndërroj të di përgjigjen tuaj. Por ndihem i pafuqishëm të ndërtoj një pyetje që më është kthyer në makth. Jam përpara letrës dhe e di – zemra ime nuk do të ndihet mirë. Letra nuk më bindet, boja nuk dëshiron të bëhet pjesë e shkronjave për fjalët drejt teje – por, megjithatë, mendja ime vijon të këmbëngulë që ta mësojë veç prej teje atë që ka ndodhur në jetën tuaj. Edhe pse nuk ka qenë aspak e lehtë ta shtroj brenda vetes dëshirën për të biseduar me ju drejtëpërdrejtë, sërish ka fituar kërshëria e fortë për të mos e humbur një përgjigje nga ju, nëse do keni durimin për të ma treguar: si munde vallë ta tradhëtosh Çezarin? Si munde ta bëje ti, të cilit ai i besonte aq shumë? Ku e gjetë vallë atë forcë që t’i ngulësh kamën? Cila forcë të shtyu atë dorë drejt tij? Si munde?
E di, ndoshta përgjigja juaj nuk është ajo që kam më për zemër të di, por e di që asnjë përgjigje tjetër nuk mundet të japë ndonjë sqarim më afër asaj që ka ndodhur në të vërtetë. Ndoshta edhe jo, por unë do e pres përgjigjen tuaj si ura e vetme që mund të më lejojë të kaloj nga ky lumë i tmerrshëm dilemash…
Agimi…

Përgjigje lexonjësit Agim…

Ndoshta emri që kam s’ma lejon që të të drejtohem si mik. Letra juaj mbart pyetjet e botës. Megjithatë, lejomë të të drejtohem si mik, edhe pse ndoshta kurrë s’ke për të pranuar pre meje një të tillë fjalë. Kushdo që mund të kem qenë në jetë nuk besoj se do t’ju interesojë, pasi më shumë se gjithçka unë jam tradhëtori i Çezarit. Asgjë tjetër s’ka rëndësi për ju. Ndoshta që prej atij çasti asgjë tjetër nuk vlen as për mua.
Nuk kemi pse t’i biem rrotull e të të lodh për gjëra që s’ke ndërmend të më pyesësh, megjithëse zemra ime do të donte t’ju fliste edhe për shumë gjëra të tjera. Por edhe sot jam i bindur për diçka: unë nuk kisha asnjë mundësi tjetër në jetë, duhet të vendosja se cili duhej të isha – dhe në vend të anonimatit zgjodha tradhëtinë.
E rëndë për një burrë të mbetet anonim- heroi ish ai, mua më mbeti të isha tradhëtori!
Bëra atë që që e bëjmë të gjithë nga pak. E kemi brenda vetes. E bëni edhe ju çdo ditë, edhe pse nuk mundeni ta pranoni- ndryshe nuk kish pse unë të mbetesha kaq shumë i përfolur mes jush. Ndryshe nuk kish pse mbi dy mijë vjet të vijonit të merreshit me mua.
Por ju jeni të gjithë nga pak tradhëtarë- tradhëtoni dashuritë tuaja, ëndrrat tuaja, miqtë tuaj, pasionet tuaja, fëmijërinë tuaj. Tradhëtoni por s’e pranoni, nuk e thoni, sepse nuk iu mbeti e dukshme asnjë shenjë aq e drejtëpërdrejtë sa ajo kamë e imja drejt Çezarit.
Por ju të gjithë tradhëtoni- kush më shumë e kush më pak- por s’guxoni ta pranoni, ta quani si të tillë. Nuk mundeni ta pranoni, sepse edhe tradhëtia do guximin e vet.
Ty vetë të kanë tradhëtuar miku im? Po ti vetë ke tradhëtuar ndokënd? Po veten tënde e ke tradhëtuar? Të lutem as mos më shkruaj e as më thuaj. Do të mundohesh të justifikossh, të fshehësh atë që ke pësuar apo edhe ke menduar edhe vetë. Nuk je i pari. As i fundit s’mundesh. I fundit do të tradhëtojë patjetër veten, sepse nuk ka më asesi të bëjë ndryshe.
Nuk dua të më shfajësojnë. Çdo gjë tjetër e imja ka humbur. Do të humbë edhe nga ju gjithçka që nuk lë shenjë, që s’ka emër, që ju s’e thatë apo s’e bëtë kurrë. Nuk mund të jemi miq. Ndoshta kjo më heq çdo vel nga ajo ç’ka dua t’ju them.
Ju jam mirënjohës që m’u drejtuat mua edhe pse s’jam i bindur se kam mundur t’ju them atë ç’ka keni menduar.

Eurostat: Shqipëria dha 10 herë më pak fonde për kërkim shkencor se Serbia dhe 100 here më pak se BE

Në vitin 2022, qeveritë e vendeve të Bashkimit Europian shpenzuan mesatarisht 257.6 euro për banorë nga fondet e tyre publike për kërkimin shkencor. Në vendet më të varfra, shifra është më e ulët.

Për shembull, qeveria e Serbisë shpenzoi në vitin 2022, rreth 34.4 euro për frymë për kërkimin shkencor, ndërsa ajo turke 36.5 euro për frymë. Por ka një vend në Europë ku situata është dramatike. Kjo është Shqipëria e Edi Ramës.

Sipas Eurostat, shpenzimet buxhetore të qeverisë shqiptare për kërkimin shkencor në vitin 2022 ishin vetëm 3.6 euro për frymë. Plot 72 herë më pak se mesatarja e qeverive të BE dhe 10 herë më pak se vendet e ngjashme si Serbia apo Turqia.

Qeveria shqiptare dhe dija duket se janë dy gjëra të papajtueshme me njëra tjetrën. Rezultatet e kësaj marrëdhënie problematike kanë filluar të shfaqen fort tashmë edhe në testet ndërkobëtare. Pak javë më parë, testi Pisa e renditi Shqipërinë të fundit në botë, për të menduarit krijues. Ndërkohë që klasifikimi i vendit përkeqësohet vit pas viti edhe në renditjen e tjera më të plota të sistemit arsimor.

Por teksa Shqipëria garon më veten për rekordet negative, qeverinë duket se nuk e shqetëson fare rrënimi i sistemit arsimor. Buxheti publik për arsimin dhe shkencën janë dëshmia më e qartë.

Financat alokojnë vetëm 19.6% të planit vjetor të investimeve kapitale në 6-mujor, niveli më i ulët në 8 vjet

Në përfundim të gjysmës së parë të këtij viti, Ministria e Financave ka çelur vetëm 19,6% të fondit të investimeve kapitale nga buxheti të programuara dhe të miratuara në Parlament për këtë vit.

Nga 135 miliardë lekë, që është fondi buxhetor në dispozicion të investimeve këtë vit, gjatë janar-qershor 2024 janë çelur nga thesari vetëm 26,5 miliardë lekë ose 19.6% e shumës në dispozicion këtë vit.

Investimet kapitale në gjysmën e parë të këtij viti ishin 14% më të ulëta se në të njëjtën periudhë të vitit 2023 dhe gjithashtu ishin më të ulëtat në 8 vitet e fundit (që nga 2016).

Në 6-mujorin e dytë të vitit, qeveria ka në dispozicion të alokojë është 110 miliardë lekë, ose më shumë se 1 miliard euro vetëm në zërin e investimeve publike.

Burimet në Agjencinë e Prokurimeve Publike pohuan se, ky sektor po përballet me një krizë të burimeve njerëzore dhe me një frikë të skajshme për të evaduar punën në kohë. Punonjësit hezitojnë të firmosin tenderat, të cilat më vonë mund të bëhen objekt të hetimeve duke i ngarkuar ata me përgjegjësi.

Por në këtë gjithë këtë situatë po penalizohet zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik i vendit.

Qeveria është një operator i madh në ekonomi pasi injekton  nga buxheti rreth 744 miliardë lekë (7,2 miliardë euro buxheti 2024), ndërsa shpenzimet kapitale janë zëri më i madh në buxhet pas pagesave të pensionistëve.

Duke mos alokuar në mënyrë të harmonizuar zërin e investimeve, qeveria ka ndikuar negativisht në kursin e këmbimit. Duke hedhur më pak para sa ishte planifikuar në qarkullimin nëpërmjet investimeve është ndikuar edhe më shumë në forcimin e monedhës kombëtare përkrah farktorëve të tjerë.

Në kontrast me mosrealizimin e shpenzimeve, buxheti po “noton” në suficit. Ministria e Financave priste që suficiti buxhetor të arrinte në 21,3 miliardë lekë në muajin qershor të këtij viti, por të dhënat e fundit tregojnë se balanca pozitive ka arritur një vlerë prej 51,4 miliardë lekësh (500 mln euro) ose 141% më shumë se plani buxhetor.

Akumulimi i suficitit më shumë se nga rritja e të ardhurave është ndihmuar nga mosrealizimi i investimeve publike sipas planit buxhetor. E gjithë kjo situatë ka ndihmuar qeverinë që të mbajë në llogari likuide prej 500 milionë eurosh./Monitor.al

Burimi: Ministria e Financave

Grupet e ekstremit të djathtë kanë paralajmëruar se do të shënjestrojnë qendrat e azilkërkuesve, Policia britanike në gatishmëri për protesta të reja anti-myslimane

Policia britanike po përgatitet për trazira të reja antimyslimane më 7 gusht, pasi grupet e ekstremit të djathtë u zotuan se do të shënjestrojnë qendrat e azilkërkuesve në mbarë vendin, duke nxitur protestuesit antifashistë të paralajmërojnë kundërprotesta.

 

Britania po përballet me një valë të dhunës që shpërtheu javën e kaluar, pasi tri vajza të vogla u vranë gjatë një sulmi me thikë në veriperëndim të Britanisë, duke nxitur një valë të dezinformatave online lidhur me identitetin e sulmuesit të dyshuar. Në internet, sulmuesi i dyshuar u portretizua si emigrant mysliman.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka paralajmëruar protestuesit se do të përballen me dënime të gjata, teksa ai po tenton të ndalë valën më të keqe të dhunës që Britania ka përjetuar në 13 vjetët e fundit.

“Detyra jonë e parë është që të sigurohemi që komunitetet tona të jenë të sigurta”, tha ai gjatë një deklarate televizive.

“Ata do të jenë të sigurt. Ne do të bëjmë gjithçka që të sigurohemi që policia të ketë përgjigjen e duhur”, shtoi ai.

Në qyteza dhe qytete, grupe prej qindra protestuesish janë përleshur me policinë dhe kanë thyer dritare të hoteleve që strehojnë azilkërkuesit nga Afrika dhe Lindja e Mesme, duke brohoritur “largohuni” dhe “ndalni anijet” – referencë për arritjen në Britani të emigrantëve përmes anijeve të vogla.

Ata po ashtu kanë sulmuar me gurë xhamitë, duke terrorizuar komunitetet lokale, përfshirë minoritetet etnike.

Grupet antifashiste dhe kundër racizmit kanë paralajmëruar se do të organizojnë kundërprotesta në mbarë vendin.

Qeveria ka mobilizuar 6.000 zyrtarë policorë, të specializuar për menaxhimin e trazirave, për t’u përballur me shpërthimin e luftës.

Kryeministri Stramer është zotuar se të gjithë ata që po shkaktojnë trazira, po plaçkitin dyqane e po djegin makina do të përballen me drejtësinë.

Ai ka thënë se më shumë se 400 persona janë arrestuar, ndaj 100 protestuesve janë ngritur aktakuza dhe shumë shpejt do të nisin proceset gjyqësore ndaj tyre./rel

Plani për vrasjen e vëllezërve Nela, detaje nga dosja e SPAK: Ismail Zeneli kishte motiv hakmarrjen, u përfshi personalisht me Bujar Ajetin për t’i gjetur! Shefi i Krimeve përdori sistemet e Policisë për t’u dërguar të dhëna

SPAK ka dërguar për gjykim 11 anëtarë të dyshuar të një grupit të rrezikshëm të strukturuar kriminal i përfshirë në trafik droge, tentative vrasjeje dhe pastrim parash.

 

Në dosjen e dërguar në GJKKO, Prokuroria e Posaçme ka zbardhur planin për vrasjen e vëllezërve Albert dhe Edmond Nela.

Sipas SPAK, Ismail Zeneli në bashkëpunim me Bujar Ajetin, Adrian Cenaj dhe ish-shefin e krimeve Dedan Gjoni kanë ndërmarrë veprime konkrete në drejtim të sigurimit të kushteve, duke gjurmuar, identifikuar banesat dhe mbikëqyrur lëvizjet e dy vëllezrëve dhe motrës së tyre, Silvi Nela për të kryer një vrasje ndaj tyre.

Pas planit qëndronte, Ismail Zeneli i cili kishte si motiv hakmarrjen ndaj personave të cilët ishin planifikuar si objektiv për tu eliminuar.

Ndërkohë mësohet se Ismail Zeneli ishte përfshirë personalisht së bashku me Bujar Ajetin, i cili është një ndër emrat më të njohur të botës së krimit, për të gjetur vendndodhjen e tyre.

Ndërsa Dedan Gjoni duke përdorur sistemet e Policisë së Shtetit, në të cilat ka patur akses për shkak të detyrës që ushtronte, ka mbledhur të dhëna dhe është vënë në shërbim të qëllimeve të Ismail Zenelit.

“I pandehuri Ismail Zeneli në bashkëpunim me të pandehurit Bujar Ajeti, Adrian Cenaj dhe të pandehurin Dedan Gjoni kanë ndërmarrë veprime konkrete në drejtim të sigurimit të kushteve, duke gjurmuar, identifikuar banesat dhe mbikëqyrur lëvizjet e E. N., A. N. dhe S. N., për të kryer një vrasje ndaj tyre.

I pandehuri Bujar Ajeti, në marrëveshje me të pandehurin Ismail Zeneli kanë organizuar duke u investuar personalisht në gjetjen e banesave të shtetasve objektiv vrasje, kanë kryer veprime në drejtim të sigurimit të kushteve për kryerjen e një vrasje, qëllim ky i të pandehurit Ismail Zeneli.

Bujar Ajeti dhe Ismail Zeneli kanë kërkuar dhe gjetur persona të tjerë për të mbledhur të dhëna të dobishme për qëllimin e tyre kriminal.  Nga ana tjetër, Adrian Cenaj, lidhje familjare e Bujar Ajetit, ka bashkëpunuar dhe mbështetur planin e Bujar Ajetit.

I pandehuri Dedan Gjoni, punonjës policie, duke përdorur sistemet e Policisë së Shtetit, në të cilat ka patur akses për shkak të detyrës që ushtronte, ka mbledhur të dhëna dhe është vënë në shërbim të qëllimeve të shtetasit Ismail Zeneli dhe jo për nevoja të diktuara nga detyra zyrtare e tij, e cila ishte të ruante rendin dhe qetësinë publike si dhe jetën e personit. Hetimi ka provuar se i pandehuri Ismail Zeneli kishte si motiv hakmarrjen ndaj personave të cilët ishin planifikuar si objektiv për tu eliminuar”, njofton SPAK.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka përfunduar hetimet paraprake të procedimit penal nr.78, të vitit 2023, dhe çuar kërkesën për dërgimin e çështjes në gjyq të këtij grupi të strukturuar kriminal në ngarkim të të pandehurve:

1. Ismail Zeneli, akuzuar se ka kryer veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të “Grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/1 dhe 334 (dy herë) dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, vepra të parashikuara nga nenet 80, 28/4, 333/a/1 dhe 334/2 të Kodit Penal.

2. Bujar Ajeti, akuzuar se ka kryer veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”, vepra të parashikuara nga nenet 80, 28/4, 333/a/1 e 334 të Kodit Penal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar  nga neni 278/1 i Kodit Penal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/3 i Kodit Penal, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe armëve sportive”, parashikuar nga neni 280 i Kodit Penal dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.

3. Adrian Cenaj (Dedja), akuzuar se ka kryer veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe  mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”, vepra të parashikuara nga nenet 80, 28/4, 333/a/2 e 334/1 të Kodit Penal si dhe “Përkrahja e autorit të krimit”,  parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.

4. Dedan Gjoni, me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale Shef i Krimeve, akuzuar se ka kryer veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave nga penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”, vepra të parashikuara nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 80, 28/4, 333/a/2 e 334/1 të Kodit Penal si dhe “Shpërdorimi i detyrës”,  parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

5. Eralbi Breçani, akuzuar se ka kryer veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”, vepra të parashikuara nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal si dhe veprën penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim me të pandehurin Erzen Breçani, parashikuar nga neni 287/1/b/2 i Kodit Penal.

6. Besmir Murtati, akuzuar se ka kryer veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të “Grupit të  strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”, vepra të parashikuara nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.

7. Artan Sulejmani, akuzuar se ka kryer veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”, vepra të parashikuara nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.

8. Albert Prenga, akuzuar se ka kryer veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”, vepra të parashikuara nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/1 dhe 334/1  të Kodit Penal.

9. Bajram Grabova, akuzuar se ka kryer veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të “Grupit të  strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”, vepra të parashikuara nga nenet 283/a, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.

10. Jonida Babameto, me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, Oficere në Interpol Tirana, e cila akuzohet se ka kryer veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, parashikuar nga neni 295/a/1 i Kodit Penal.

11. Erzen Breçani, akuzuar se ka kryer veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim me të pandehurin Erlabi Breçani, parashikuar nga neni 287/1/b/2 i Kodit Penal dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar(SPAK), në bashkëpunim me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese franceze, holandeze, belge, gjermane, braziliane, kolumbiane, ka zhvilluar hetime ndaj disa shtetasve shqiptarë të përfshirë në aktivitetin kriminal të trafikimit ndërkombëtar të narkotikëve (kryesisht kokainë) nga vendet e origjinës për në vendet e Bashkimit Evropian.

Gjatë hetimit u bë e mundur dokumentimi i një grupi të strukturuar kriminal mjaft të rrezikshëm me të paktën 11 (njëmbëdhjetë) të akuzuar në këtë fazë të hetimit.

Ky grup i strukturuar kriminal karakterizohet nga një organizim i mirë koordinuar dhe një bashkëpunim i ngushtë ndërmjet anëtarëve të tij. Grupi është i përfshirë në trafikimin ndërkombëtar të narkotikëve, ku çdo anëtar ka role dhe detyra specifike, nga financimi dhe porositja, deri te transporti dhe shpërndarja e lëndëve narkotike. Anëtarët shfrytëzojnë lidhjet e tyre ndërkombëtare, veçanërisht në vendet e Amerikës Latine dhe Evropës, për të siguruar furnizimin dhe transportimin e narkotikëve. Gjithashtu, ata janë të angazhuar në pastrimin e parave të përftuara nga aktiviteti kriminal përmes investimeve të dukshme legjitime, për të fshehur burimin e vërtetë të të ardhurave.

Përveç trafikut të narkotikëve, ky grup i strukturuar kriminal shfrytëzoi pozitat zyrtare të disa funksionarëve të agjencive ligjzbatuese shqiptare për të mbledhur dhe shpërndarë informacion të klasifikuar, të cilët i ndihmonte anëtarët e tij që t’i shmangeshin drejtësisë dhe të vijonin aktivitetin kriminal. Ky grup i strukturuar kriminal është i përfshirë në sigurimin e kushteve për kryerjen e vrasjeve dhe në përkrahjen e autorëve të krimit, duke strehuar dhe ndihmuar individët e kërkuar nga ligji. Anëtarët shfrytëzonin aksesin në sistemet e të dhënave zyrtare për të mbledhur të dhëna dhe për të mbështetur veprimtarinë e grupit, duke përdorur teknologjinë dhe informacionin për të planifikuar, ekzekutuar dhe fshehur veprimet e tyre kriminale. Ky grup i strukturuar kriminal ka arritur të integrojë dhe investojë produktet e veprimtarisë kriminale në investime të rëndësishme si një shoqëri hidrocentrali, por dhe në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme si dhe në mjete financiare.

Nga analiza e provave dhe akteve të grumbulluara gjatë hetimit paraprak të këtij procedimi penal, është bërë e mundur dokumentimi i aktivitetit kriminal të personave të dyshuar, si dhe identifikimi i disa prej autorëve të ngjarjeve kriminale dhe të kryerjes së veprave penale, të kryera në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, si më poshtë:

A.    Sekuestrimi i sasisë prej 446 kg kokainë në Holandë në datën 05.01.2021;

Ky fakt penal i atribuohet të pandehurve të dërguar për gjykim Ismail Zeneli, Besmir Murtati dhe Eralbi Breçani të cilët në bashkëpunim me shtetasin Ergys Dashi dhe persona të tjerë për të cilët vazhdojnë hetimet, kanë bashkëpunuar me njeri-tjetrin në formën e grupit të strukturuar kriminal, për trafikimin e kësaj sasie kokaine nga Amerika e Jugut për në Holandë, ku në datën 05.01.2021 u bë e mundur sekuestrimi i kësaj ngarkese si dhe arrestimi i një shtetasi holandez.

B.     Sekuestrimi i sasisë prej 69 kg kokainë në Brazil në datën 18.02.2021;

Sekuestrimi i kësaj ngarkese me lëndë narkotike të llojit kokainë i është atribuar të pandehurve Ismail Zeneli (në rolin e porositësit dhe financuesit), Artan Sulejmani (financues), Eralbi Breçani (porositës dhe financues), Besmir Murtati (porositës dhe financues) dhe shtetasi Ergys Dashi i cili siguronte furnizimin me kokainë në vendet e origjinës si dhe më tej edhe ngarkimin e saj në port me destinacion portet e Evropës.

C.    Sekuestrimi i 166 kg marijuanë në Erwitte, e nisur nga Spanja për në Gjermani;

Lidhur me këtë fakt penal duhet theksuar se i pandehuri Albert Prenga, ka pasur rolin e porositësit dhe financuesit për blerjen e lëndës narkotike. Në  aktivitetin kriminal të trafikimit të narkotikëve, i pandehuri Albert Prenga ka bashkëpunuar me shtetas të tjerë shqiptarë të paidentifikuar, si dhe me të pandehurin Dedan Gjoni, i cili del në pah si bashkëpunëtor dhe porositës dhe financues në sasinë e lëndës narkotike të sekuestruar, kurse i pandehuri Bajram Grabova ka pasur rolin e transportuesit të lëndës narkotike.

D.    Identifikimi  i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve për vrasjen e dy shtetasve në Republikën e Shqipërisë;

I pandehuri Ismail Zeneli në bashkëpunim me të pandehurit Bujar Ajeti, Adrian Cenaj dhe të pandehurin Dedan Gjoni kanë ndërmarrë veprime konkrete në drejtim të sigurimit të kushteve, duke gjurmuar, identifikuar banesat dhe mbikëqyrur lëvizjet e E. N., A. N. dhe S. N., për të kryer një vrasje ndaj tyre.

I pandehuri Bujar Ajeti, në marrëveshje me të pandehurin Ismail Zeneli kanë organizuar duke u investuar personalisht në gjetjen e banesave të shtetasve objektiv vrasje, kanë kryer veprime në drejtim të sigurimit të kushteve për kryerjen e një vrasje, qëllim ky i të pandehurit Ismail Zeneli.

Bujar Ajeti dhe Ismail Zeneli kanë kërkuar dhe gjetur persona të tjerë për të mbledhur të dhëna të dobishme për qëllimin e tyre kriminal.  Nga ana tjetër, Adrian Cenaj, lidhje familjare e Bujar Ajetit, ka bashkëpunuar dhe mbështetur planin e Bujar Ajetit.

I pandehuri Dedan Gjoni, punonjës policie, duke përdorur sistemet e Policisë së Shtetit, në të cilat ka patur akses për shkak të detyrës që ushtronte, ka mbledhur të dhëna dhe është vënë në shërbim të qëllimeve të shtetasit Ismail Zeneli dhe jo për nevoja të diktuara nga detyra zyrtare e tij, e cila ishte të ruante rendin dhe qetësinë publike si dhe jetën e personit. Hetimi ka provuar se i pandehuri Ismail Zeneli kishte si motiv hakmarrjen ndaj personave të cilët ishin planifikuar si objektiv për tu eliminuar.

E.    Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale në Republikën e Shqipërisë;

I pandehuri Erzen Breçani me veprime aktive të kundraligjshme ka administruar dhe futur në qarkullim të ardhurat  e përftuara nga i pandehuri Eralbi Breçani si rezultat i aktivitetit kriminal të trafikimit të narkotikëve nga vendet e Amerikës Latine në Evropë, me qëllim mbulimin e vërtetë të origjinës së tyre dhe vijimit të nxjerrjes së mëtejshme të të ardhurave nga aktivitetet tregtare ku janë injektuar këto të ardhura.

Nga aktet e administruara rezulton se veprimet e të pandehurve Erzen Breçani dhe Eralbi Breçani, kishin një synim të përbashkët, pengimin e identifikimit të origjinës së të ardhurave, produkte të veprimtarisë kriminale dhe integrimin e  tyre në qarkullimin civil, veprime të cilat janë në shkelje të nenit 287 i Kodit Penal. Në këtë mënyrë ata  kanë fshehur dhe mbuluar natyrën e vërtetë, burimin e të ardhurave që kanë qenë produkt i një vepre penale, nën petkun e “investimit” në pasuri të paluajtshme apo në aktivitete tregtare në dukje të ligjshme.

F.     Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete;

E pandehura Jonida Babameto, me detyrë specialiste e ZQK Interpol Tiranë, i ka vënë në dispozicion informacione të klasifikuara punonjësit të policisë Dedan Gjoni, i cili këto informacione i’a ka transmetuar personave të ndryshëm në konflikt me ligjin në vende evropiane duke i dhënë mundësi këtyre personave që pasi të jenë vënë në dijeni për informacionet që disponon Interpol rreth tyre, të marrin masa për t’iu shmangur ligjit. Po ashtu të dhënat e shpërndara janë të dhëna sekrete, duke konsumuar kështu edhe veprën penale të “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, parashikuar nga neni 295/a/1 i Kodit Penal.

G.    Përkrahja e autorit të krimit;

Të pandehurit Bujar Ajeti, Adrian Cenaj dhe Erzen Breçani kanë përkrahur shtetasin Nuredin Dumani i cili ishte në kërkim për kryerjen nga ana e tij të disa veprave penale shumë të rënda, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Të pandehurit Cenaj dhe Ajeti kanë strehuar dhe ndihmuar shtetasin Nuredin Dumani me qëllim që t’i shmanget drejtësisë në një moment kur për këtë person ishte caktuar një masë sigurimi nga gjykata. I pandehuri Erzen Breçani ka konsumuar veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1 i Kodit Penal, duke i dhënë informacione Bujar Ajetit si dhe Nuredin Dumanit në mënyrë që t’i shmangen arrestimit nga policia gjyqësore.

Në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal janë sekuestruar si produkt i veprës penale, ndër të tjera, disa pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, të cilat i janë bashkëngjitur akteve të dërguara për gjykim si më poshtë:

1-Shoqëria “HEC DRITA ENERGY”, me NIPT L99524601K, me pronar “R.O.S.P Breçani” shpk, i emëruar administrator për një periudhë kohore nga data 23.09.2019 deri në 23.09.2024 shtetasi Eralbi Breçani, me  objekt veprimtarie “Ndërtimin, shfrytëzimin dhe administrimi i hidrocentralit DRITA, ku përfshihet financimi, projektimi, ndërtimi, vënien në punë, prodhimi, furnizimi, transmetimi, shpërndarja, eksportimi dhe shitja e energjisë elektrike sipas kontratës për “ndërtimin, shfrytëzimin dhe administrimin e hidrocentralit DRITA, me kapacitet prodhues 1.980 MË, në lumin e Gashit, degë e lumit Valbonë, Bashkia Tropojë, Qarku Kukës. Shitja e elektricitetit të prodhuar në Shqipëri dhe jashtë saj, blerje dhe shitje të pajisjeve për ndërtim HEC-i (tubacione çeliku, turbina, shtylla betoni, aksesorë të tjera,  etj., brenda dhe jashtë vendit)”, me adresë  në Kukës-Tropojë, rruga Dragobi, lumi i Gashit, dega e lumit Valbonë”;

2- Automjeti markës “Audi”, modeli “RS Q8”, vit prodhimi 2020;

3- Automjeti i markës “Mercedez Benz”, modeli “G350d”, vit prodhimi 2017;

4- Llogari bankare në shumën prej 75.000 (shtatëdhjetë e pesëmijë) euro.

Ndërkohë, për personat e tjerë nën hetim, bashkëpunëtorë në kryerjen e veprave penale të mësipërme, për të cilët nuk janë ekzekutuar akoma masat e sigurimit të miratuara nga Gjykata e Posaçme e Shkallës Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për fakte të tjera kriminale, si dhe për persona të tjerë të përfshirë në aktivitete kriminale që kanë rezultuar gjatë veprimeve hetimore të kryera në këtë procedim penal, është vendosur ndarja e çështjes penale dhe vazhdojnë të jenë ende në fazën e hetimeve paraprake.

Regjistrohen disa raste me ‘Ethet e Nilit’ në Fier, nis dezinsektimi i zonave me mushkonja

Disa raste të evidentuara me “ Ethet e Nilit” janë regjistruar në bashkinë Fier që nga fundi i korrikut. 

 

Sipas mjekes epidemiologe, Anila Moci ata janë paraqitur pranë Spitalit Rajonal Fier dhe pasi kanë rezultuar pozitiv  janë dërguar për mjekim të specializuar në QSUT ku ndodhen në gjendje të mire shëndetësore.

Po sipas mjekes Moci, dy raste të tjera janë në pritje të përgjigjes nëse janë infektuar ose jo, duke theksuar se nuk ka raste të rënda me rrezik për jetën.

Përballë kësaj situate ka shtuar Moci është bërë dezinsektimi i vatrave “ hot spot” dhe i vijës bregdetare në bashkëpunim me pushtetin vendor duke theksuar se situata është nën kontroll.

Moci ka pohuar gjithashtu se “ Ethet e Nilit” është një sëmundje që transmetohet tek njerëzit nga pickimi i mushkonjave dhe prek sistemin nervor ndaj ka apeluar që edhe në ambientet shtëpiake të merren masat e duhura duke theksuar se nuk ka vend për panik pasi rastet janë sporadike dhe virusi aktualisht në bashkinë Fier nuk është kthyer në epidemi.

Prej dy javësh ISHP po vijon me testimet në terren duke i kërkuar pushtetit vendor të bëjë dezinsektimin e zonave ku rriten mushkonjat.

“Berisha me Himarën ngriti topin Ramës të ekspozohet si patriot i madh, gati të shiste vendin për hallin e tij”

Nga Ergys Mërtiri

“Shes menderen për një vizë greke”, – ka qenë pak a shumë diçitura e një instalacioni fyes ndaj shqiptarëve të Edi Ramës në rininë e vet. Në këtë gjendje ka arritur sot Berisha.

Në Himarë ai humbi shumë më tepër se zgjedhjet. I detyruar t’ua shesë Himarën qarqeve shoviniste radikale, me shpresën e dëshpëruar se kështu do të mund të çelë një kanal komunikimi diplomatik që do të mund të thyeje sadopak izolimin ndërkombëtar, ai iu tregoi shqiptareve se, për hallin e vet është gati të shesë vendin, partinë, fytyrën, shpirtin, gjithçka.

Në këto kushte ai është në gjendje të bëjë pakt me djallin vetë, Ramën po se po.

Saga Beleri përfundoi të dielën në mënyrë të turpshme me dështimin spektakolar të Gjikurisë dhe qurravitjet foltorike mbi vjedhjen e votës.

Por ajo çfarë rezultoi mbi gjithçka në këto zgjedhje është fakti që, përballë një qeverie që po grabit troje e po betonizon bregdetin duke kafshuar gjithë jugun, Berisha ofron si alternativë eksponentë të një politike antishqiptare që pozon me flamuj të vorioepirit duke ushqyer aspirata idiote ndarjesh territoriale, ku trojet kafshohen nga shtete të tjerë, në këtë rast Greqia.

Mes të tjerash, Berisha i ngriti topin Ramës që të ekspozohet si patriot i madh dhe luftëtar i paepur në mbrojtje të vendit nga politika shoviniste greke.

Berisha ndihmoi kështu edhe qarqet shoviniste greke të faktorizojnë politikat e tyre të mbrapshta edhe Ramën për të trukuar imazhin e tij të sakatuar nga skandalet dhe pakënaqesia e thellë popullore.

Duke vrarë çdo alternativë Berisha vazhdon të bëhet burim mbijetese për një qeveri që do kishte rënë me kohë, hundë e buzë, nga pesha e zullumeve të veta