30.5 C
Tirana
E hënë, 18 Gusht, 2025

Kryeministri që i mungon Shqipërisë!

Nga Spartak Ngjela

Sot koha shqiptare po ecën në një drejtim të ri. Por një kryeministër të iluminuar, Shqipëria ende nuk e ka.

Kohën historike të një shteti të pavarur e bëjnë kryeministrat e mëdhenj, presidentët shtetarë, por edhe mbretërit e ngritur dhe të ndritur.

Po në Shqipërinë e sotme, çfarë po ndodh?

I.

Sot në Shqipëri nuk ka zhvillim kombëtar. Në Shqipëri sot, nuk ka fare prodhim industrial. Shqiptarët po i mban në jetën materiale vetëm prodhimi bujqësor.

Mirë ose keq, pas Mehmet Shehut që drejtoi investimin në mbi 450 uzina e fabrika, askush tjetër nga kryeministrat që erdhën pas tij, nuk bëri dot gjë, sepse, dita ditës po kuptohet se nuk kanë qenë me Shqipërinë.

E ç’rëndësi ka fakti historik se këto investime në industri në Shqipëri i ka bërë një shtet diktatorial, kur këta që po na lëvdohen në 30 vite se janë demokratë, kanë abuzuar me korrupsion mbi shtetin dhe shqiptarët!

Përkundrazi, Sali Berisha me orientim antishqiptar, shkatërroi në Shqipëri 500 uzina e fabrika. Dhe ka gojë e po na flet edhe nga burgu. (!)

Dhe, ishte deputeti në parlamentin e Serbisë që na i tha këtë fakt botërisht kur u mburr teksa tha: “Ne, me 40 milionë dollarë kemi shkatërruar 500 uzina e fabrika në Shqipëri në vitet 1992-,1996” .

Sigurisht, kjo ka qenë një histori e vijueshme e antishqiptarizmit. Dhe është një turp e një krim antikombëtar…

Por…

II.

Sot koha shqiptare po ecën në një drejtim të ri. Por një kryeministër të iluminuar, Shqipëria ende nuk e ka.

Kryeministri është profesion, nuk është post.

Dhe sot, gjendja e zhvillimit shqiptar në Shqipëri është e ngrirë.

Jemi në një aleancë të fuqishme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por…

Askush nuk po di të bëjë gjë.

Shqipërinë po e mban sot puna e paorganizuar e shqiptarëve dhe remitancat e emigracionit të shumtë shqiptar në Perëndim.

Dhe këto po i drejton një qeveri e mpirë në mendje dhe me asnjë ide për zhvillim.

Por, përse po i duhet të rrijë në postin e kryeministër një piktor që nuk kupton dot asgjë nga zhvillimi kombëtar!

Dhe Rama… e ka një mendje-lehtësinë e tij kur na thotë se ai ka sjellë një ngritje tërësore të zhvillimit kombëtar, apo këtë ende e ka si një ndjenjë antishqiptare?

E vërteta është se pushtetin e kryeministrit, Rama, nuk e ka ndërtuar me aftësinë e tij drejtuese, por e mbështet tek ekzistenca e Sali Berishës në opozitën shqiptare.

Bezdia shqiptare kundër Berishës, po e mban Ramën në pushtet, dhe tani kuptohet qartë që Rama, për interesin e tij, i ndihmon këtij momenti antizhvillim në Shqipëri, se me Berishën përballë, Rama e di mirë që nuk ka opozitë.

III.

Kurse Shqiptaria sot ka nevojë për një lëvizje ekonomike pankombëtare, sepse janë dy shtete shqiptarësh në Ballkan.

Por asgjë. Duket thjesht se nuk janë dy shtete shqiptarësh, por sikur janë dy fise armiqësore, pavarësisht se të dy këta fise janë fise shqiptarësh.

E keni parë konfliktin banal Rama – Kurti?

Një turp antikombëtar është ky. Por, pse ndodh: është mendjelehtësi e kryeministrave shqiptarë kjo, apo është kërkesë e qarqeve ndërkombëtare antishqiptare?

E pra, pse po ndodh?

E çfarë rëndësie ka pseja e këtij fakti?… e rëndësishme është të theksojmë që, ky fakt, është një akt historik i antishqiptarisë.

E kuptoni ku jemi?

Ku po shkojmë?

Deri më tani: askund!

Opozita e Berishës ka frikë nga lapsi dhe letra, ndaj në marrëveshje me Ramën mbyllën listat dhe sot ankohen për Himarën

Nga Endri Tafani

Jam nisur disa herë të shkruaj për gjendjen e opozitës në Shqipëri, por tashmë të vjen dhe vështirë ta bësh. Të duket sikur po merresh me diçka aq monotone, të thëna me qindra herë dhe të mërzitshme, sa mezi ta bën dora.
Megjithatë mund të shtoj një fakt interesant.
Kanë “frikë” nga lapsi. Asnjëherë nuk ulen me laps e letër, por gjithmonë të shmangen në bisedë me sllogane.
Kapim rastin e fundit, zgjedhjet në Himarë.
Në 2023 në zgjedhje morën pjesë rreth rreth 7700 votues dhe Fredi Beleri I opozitës fitoi me vetëm 19 vota diferencë. Bukur.
Në zgjedhjet e 2024 u mor vesh që ishin regjistruar 300 votues të rinj, të transferuar nga rrethet e tjera në Himarë. Vetëm me këtë shifër kuptohej që zgjedhjet ishin të humbura, sepse kur njerëzit nuk e kishin problem të votonin Jorgo Goron e korruptuar, ta pret mendja që Vangjel Tavon, një figurë e pa përfolur për korrupsion, do e votonin përsëri. Votat e Goros në 2023 plus 300 të regjistruarit e rinj nxirrnin PS fituese me goxha diferencë.
Në këtë situatë para opozitës ishin dy detyra nëse donin të fitonin zgjedhjet.
Të mobilizonin votues të tjerë dhe të ruanin numrin e votave që mori Beleri në 2023.
E para, votuesit e tjerë mund të mobilizoheshin pasi në Himarë në 2023 kishe marrë pjesë vetëm 34% dhe plot himarjotë jetojnë jashtë Shqipërisë. Duhet të identifikoheshin ata që votues të opozitës nëpër fshatra dhe jashtë vendit që nuk kishin ardhur për të votuar në 2023 dhe të silleshin të votonin.
E dyta duhet të ruanin votat e marra nga Beleri duke identifikuar dhe rikontaktuar të gjithë.
Po kjo bëhet me laps e letër duke llogaritur stëllogaritur, kontaktuar, stërkontaktuar, konfirmuar, stërkonfirmuar, cdo person dhe votë të mundshme. Me laps e letër. Duke futur dhe një 10% shmangie, sepse për shumë arsye ka plot individë nuk janë të sinqertë në fjalën që të japin.
Shifrat tregojnë që as nuk erdhën persona të rinj të votonin opozitën dhe as nuk u ruajtën votat e 2023.
Kështu thotë matematika dhe matematika nuk është opinion.
Opozita ka frikë nga lapsi dhe letra. Ka frikë se lapsi dhe letra nuk gënjejnë, por të tregojnë saktë ku je dhe si e ke patur performancen. Ke fituar apo ke dështuar. Nëse ke fituar merr meritat, nëse ke dështuar jep dorëheqje dhe largohu. Mbaj përgjegjësi.
Por nga opozita askush nuk mban përgjegjësi. Prandaj shmangen si djalli nga temjani nga lapsi dhe letra dhe fillojnë avazin e justifikimeve.
Justifikimi i kartave të identitetit të skaduara është një mbrojtje e dobët Partive iu jepet një muaj para lista e zgjedhësve dhe aty verifikohet lehtësisht problematika e kartave e cila është gjithmonë e pranishme dhe i drejtohet kërkesa Ministrisë së Brendshme, për tua zgjatur afatin. Opozita nuk bëri asgjë për ta zgjidhur problematikën deri datën e fundit, kur “u zbulua” që kishte njerëz të tillë. E dyta punës edhe sikur të dilte moment të fundit problemi opozita duhet të mante shënim gjithë personat që ishin paraqitur me kartë identiteti të skaduar dhe nëse numri i tyre ishte më i madh se diferenca e kandidatëve të kërkonte anulimin e zgjedhjeve. Kaq e thjeshtë ishte edhe në rastin më të keq. Por nuk e bëri.
Se ka frikë nga letra dhe lapsi. Ka frikë nga mbajtja e përgjegjësisë. Ka frikë se duhet të largohen nga kolltuku pastaj. Prandaj mbyllen dhe listat paciperisht.
Nuk janë thjesht të paaftë. Janë dhe të papërgjegjshëm dhe të pamoralshëm .

Ngërçi Kosovë – Serbi, ekspertët amerikanë për VOA: Kurti e ka të qartë që krijimi i asociacionit do minojë sovranitetin e vendit! Vuçiç vazhdon lidhjen me Rusinë dhe Kinën

Muajt e fundit, Serbia është angazhuar me dy shtetet kryesore të Bashkimit Evropian për arritje të marrëveshjeve strategjike. Disa ekspertë e kanë interpretuar gatishmërinë e vendeve të Perëndimit për të bashkëpunuar me Serbinë, si shembull të përpjekjeve për ta joshur atë larg orbitës së Rusisë.

Por dy profesorë amerikanë, njohës të zhvillimeve mes Kosovës dhe Serbisë, Charles Kupchan dhe David Kanin, i thanë Zërit të Amerikës se marrëveshjet e fundit të Serbisë me Perëndimin, ndonëse e përmirësojnë pozitën e Serbisë përballë Kosovës, nuk duhet të interpretohen si vendosje e saj në krah të Perëndimit.

Zoti Kupchan dhe zotin Kanin u deklaruan për ngërçin në procesin e dialogut, qëndrimet e Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe ndikimin që mund të kenë zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara për rajonin.

Gjatë një vizite në Beograd muajin e kaluar, Kancelari gjerman Olaf Scholtz nënshkroi një marrëveshje për mineralin e rrallë të litiumit, me rëndësi jetike për prodhimin e makinave elektrike. Në prill, gjatë një vizite në Francë Presidenti serb Vuçiç, kërkoi të blejë nga Franca 12 aeroplanëve luftarakë.

Disa ekspertë dhe media botërore i kanë interpretuar këto angazhime të shtuara të Perëndimit ndaj Serbisë si shembull të përpjekjeve për ta joshur Serbinë larg orbitës së Rusisë.

Për njohësit e zhvillimeve në Serbi dhe Kosovë, profesorët Charles Kupchan nga Universiteti Georgetown dhe David Kanin nga Universiteti, Johns Hopkins këto marrëveshje nuk sinjalizojnë rreshtimin e Serbisë me Perëndimin.

“Serbia ka qenë e suksesshme, por kjo nuk duhet të interpretohet si shenjë që Serbia ka zgjedhur Perëndimin. Nuk e ka zgjedhur Perëndimin. Vuçiç barashpeshon Rusinë, Bashkimin Evropian, amerikanët, kinezët dhe turqit dhe të gjithë të tjerët me të cilët i duhet apo dëshiron të përballet dhe e bën këtë me shumë shkathtësi… Ai luan me rusët, me amerikanët. Rusët e kuptojnë këtë gjë, por amerikanët jo. Ne sillemi sikur ai e ka zgjedhur Perëndimin, ndërkohë që Rusia nuk del me deklarata të thotë se Serbia e ka zgjedhur Perëndimin”, thotë profesori Kanin.

Për profesorin e Universitetit Georgetown, Kupchan marrvëshjet e fundit janë vazhdim i politikës që zoti Vuçiç po ndjek me të gjitha shtetet përkundër ndasive të tanishme gjeopolitike, që kanë vendosur Perëndimin dhe Lindjen në bosht diametralisht të kundërt.

“Nuk e shoh këtë si pikë kthese dhe as shenjë se zoti Vuçiç po i kthen shpinën lidhjeve të tij me Rusinë dhe Kinën dhe se po i ngul këmbët në Perëndim. Zoti Vuçiç është i aftë të angazhohet me dyja palët. Ai ka arritur marrëveshje me Berlinin dhe Parisin së fundmi. Por besoj se do të bëjë të njëjtën me Moskën dhe Pekinin në të ardhmen e afërt”, thotë ai.

Krahas këtyre marrëveshjeve me evropianët, Jared Kushner, dhëndëri i ish presidentit dhe kandidatit të tanishëm republikan për president Donald Trump, ka shprehur interes për një investim qindra miliona dollarësh në Beograd, për të kthyer në hotel ndërtesën e ministrisë së dikurshme të mbrojtjes, të bombarduar në vitin 1999 nga NATO.

Serbia, e cila gjatë viteve të fundit nën udhëheqjen e Presidentit Vuçiç ka rrëshqitur drejt autokracisë sipas organizatave të të drejtave të njeriut, ka ndjekur një politikë të marrëdhënieve më të afërta me Perëndimin ndërkohë që ka vazhduar lidhje të afërta me Rusinë dhe Kinën. Serbia është i vetmi shtet kandidat i BE-së që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për agresionin ndaj Ukrainës. Por Beogradi i shet armatime ushtrisë ukrainase përmes palëve të treta.

Por dy ekspertët dallojnë në vlerësimet e tyre se çfarë ndikimi do të ketë ky qëndrim i Perëndimit ndaj Serbisë në dialogun me Kosovën.

“Serbia sërish është shndërruar në shtetin më të rëndësishëm në rajon, që ka marrëdhënie të mira me të gjithë. Kosova, në anën tjetër, udhëhiqet nga një kryeministër me të cilin duket se askush nuk dëshiron të punojë. Dhe kjo i jep avantazh Serbisë…. Para 25 vitesh, kur NATO-ja zhvillonte fushatën bombarduese, Serbia dukej si humbëse, e izoluar. Tani Serbia është gjithçka tjetër v eçs humbëse, nuk është aspak e izoluar dhe ka shënuar suksese të shumta në diplomacinë që po ndjek”, thotë zoti Kanin.

Zoti Kanin, ish analist i agjencisë amerikane të zbulimit CIA për Ballkanin, thotë se këto suksese do t’i mundësojnë zotit Vuçiç që të vazhdojë të këmbëngulë në krijimin e Asociacionit, i cili sipas tij është bërë një “obsesion” për diplomatët perëndimorë.

Zoti Kanin thotë se “vlerësimi që asociacioni do të integrojë serbët e Kosovës në institucionet e Kosovës është i gabuar” dhe se Serbia është në pozitë shumë të mirë që “me durim, por me këmbëngulje të bëjë trysni për të”.

“Kosova është para një situate shumë të vështirë, me një kryeministër që është jopopullor jashtë Kosovës, por që e ka të qartë që krijimi i asociacionit do të minojë sovranitetin e Kosovës”, shton ai.

Profesori Kupchan, analist i lartë pranë Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë, beson që Bashkimi Evropian do të vazhdojë të përqëndrohet në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por nuk mendon që Serbia do të përfitojë nga vëmendja e shtuar e Perëndimit.

“Vëmendja e Perëndimit, nuk besoj se forcon peshën diplomatike të Serbisë. Mendoj që Bashkimi Evropian do të vazhdojë të nxisë dialogun midis Kosovës dhe Serbisë siç e sheh të domosdoshme. Përpjekjet e tyre janë të përqendruara në përmbylljen e këtij procesi. A do mund të kenë marrëdhëniet më të fuqishme ekonomike ndërmjet Francës, Gjermanisë dhe Serbisë ndikim pozitiv në marrëdhënien e përgjithshme? Po, sepse kontaktet më të shpeshta dhe lidhjet më të mëdha ekonomike janë më mirë se sa më pak, por gjithsesi nuk do t’i konsideroja këto marrëveshje si diçka që ndryshojnë rrjedhën,” thotë zoti Kupchan.

Ai thotë se ndan shqetësimet se “procesi i dialogut ka hyrë në rrugë pa krye” dhe se për këtë dyja palët mbajnë përgjegjësi.

“Masat e zoti Kurti, ndonëse mund të qëndrojnë në aspektin politik dhe ligjor, ishin të panevojshme në aspektin strategjik, sepse ishin provokuese pa nevojë. Për shembull, vendosja e kryetarëve të komunave në veri që u zgjodhën me një përqindje të papërfillshme votash; kjo u pasua me targat e makinave dhe më vonë me çështjen e dinarit,” thotë zoti Kupchan.

“Të gjitha këto veprime justifikohen, sepse Kosova po përpiqet ta shtrijë sovranitetin e plotë të saj, por që nuk ishin të dobishme sa i përket marrëdhënieve me Serbinë. Beogradi nga ana e tij mobilizoi forcat përgjatë kufirit me Kosovën. Patëm një episod të dhunshëm në Banjskë dhe ai që pranoi fajësinë për këtë akt terrorizmi ende shëtit i lirë në Serbi. Patëm pastaj një letër të kryeministres serbe e cila shprehu rezerva për marrëveshjen, në të cilën thoshte se kurrë nuk do ta njohim Kosovën. Këto janë hapa prapa dhe për pasojë mund të themi se procesi i normalizimit ka ngecur,” shton ai.

Muajin e kaluar, qeveria amerikane njoftoi se emëroi diplomatin Alexander Kasanof si të dërguar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, pas përfundimit të mandatit të diplomatit Gabriel Escobar. Në fillim të vitit të ardhshëm, Bashkimi Evropian pritet ta emërojë një ndërmjetës të ri për të zëvendësuar diplomatin sllovak, Miroslav Lajçak.

Zoti Kupchan, i cili ka punuar në dy administrata amerikane atë Presidentit Clinton dhe të Presidentit Obama, si drejtor për Evropën në Këshillin për Sigurinë Kombëtare, pret që trysnia mbi Prishtinën dhe Beogradin të rikthehet pas një pauze për shkak të zgjedhjeve në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara dhe mbetet optimist për një epilog të këtij procesi.

“Mendoj se të luash me kartën e Rusisë, të Kinës, nuk është opsion në afat të gjatë për shkak të vendndodhjes gjeografike. Ballkani është pjesë e një hapësire më të madhe evropiane. Popujt e rajonit duhet të ndihen të bekuar, me fat. Ata që jetojnë në Azinë Qendrore, në Armeni, në Azerbajxhan, pra afër Rusisë, afër Kinës, jetojnë në një zonë të pasigurt në një të ardhme pa afat. Ballkani nuk është një zonë e tillë, është në Evropë dhe për pasojë mendoj se këtij procesi do t’i vijë një fund pozitiv,” thotë ai.

Por zoti Kanin konsideron se dialogu është një proces që ka dështuar të japë rezultate dhe gjatë 30 viteve të fundit është peng i rotacionit të diplomatëve perëndimorë, që nuk kanë arritur ta çojnë procesin përpara. Sipas tij, nuk ka vullnet për të lëvizur dhe si i tillë dialogu që në fillim ishte i dështuar si proces.

“Serbët e dinë këtë gjë. Kosovarët e dinë gjithashtu. Vuçiçit ble kohë përmes avantazheve që ka siguruar përmes diplomacisë rajonale dhe kontakteve me udhëheqësit ndërkombëtarë, ndërkohë që Kurti ngul këmbë dhe provon të fitojë zgjedhjet e radhës dhe t’i mbajë larg serbët”, thotë ai.

Sipas zotit Kanin, Uashingtoni dhe Brukseli duhet ta rishqyrtojnë tërë qasjen e tyre ndaj rajonit dhe t’ua lënë në dorë palëve që të arrijnë marrëveshje në bazë të preferencave të tyre, qoftë edhe atëherë kur zgjidhjet mund të përfshijnë plane si ai ndërmjet ish Presidentit Thaçi me Presidentin Vuçiç në vitin 2018.

“Ne nuk do të jemi në gjendje të imponojmë një demokraci liberale, shumë-etnike, transparente dhe perëndimore në rajon. Nuk do të jemi në gjendje të imponojmë paqe dhe fund të konflikteve. Kemi dështuar ta bëjmë këtë gjë gjatë tre dekadave të fundit. Mendoj se duhet t’i sfidojmë vendasit që të gjejnë mënyra për të punuar bashkërisht,” thotë zoti Kanin.

Edhe zoti Kupchan është i mendimit që përmbyllja e konfliktit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë në duart e udhëheqësve të dyja vendeve dhe prirjes së tyre për të marrë vendime të vështira.

“Të luash me kartën e nacionalizmit është gjëja më e lehtë për ta bërë. Por, ta bindësh publikun se ka ardhur koha të lihet mënjanë nacionalizmi etnik dhe të shihet drejt të ardhmes është gjëja më e guximshme që mund ta bëjnë. Nuk jemi ende tek ky moment, por mendoj se është çështje kohe. Këto pengesa do kapërcehen kur udhëheqësit të jenë gati të hedhin hapa të guximshëm,” shton ai.

A do të kenë ndikim zgjedhjet amerikane në çështjet e pazgjidhur midis Kosovës dhe Serbisë?

Sipas zotit Kupchan, në këtë cikël zgjedhor, Shtetet e Bashkuara janë shumë të përqendruara në planin e brendshëm dhe politika e jashtme, e dominuar nga Ukraina dhe lufta në Gazë, nuk do të jetë përparësi, por megjithatë pret energji të re në procesin e dialogut pas zgjedhjeve në SHBA dhe konsolidimit të zyrtarëve të lartë në BE.

Për zotin Kanin, ndikimi do të varet nga fituesi i zgjedhjeve. Sipas tij, Presidenti Trump ka treguar që është i paparashikueshëm në qasjen e tij dhe se ndryshon qëndrim, ndërkohë që, sipas mendimit të tij, kandidatja e pritshme demokrate dhe Nënpresidentja aktuale Kamala Harris, për të cilën thotë se nuk di shumë për Ballkanin, ka shumë gjasa të vazhdojë të njëjta politika ndaj rajonit./VOA

VIDEO/ Gol spektakolar në minutën e 91-të! Zhegrova bën heroin, talenti shqiptar i Kosovës i dhuron fitoren Lilës ndaj Fenerbahçes së Murinjos

Talenti shqiptar i Kosovës, Edon Zhegrova, është shndërruar në hero te Lila, në duelin e mbrëmjes së sotme ndaj Fenerbahçes së Zhoze Murinjos, të vlefshëm për raundin e tretë kualifikues të Champions-it, ku skuadra franceze triumfoi me rezultatin 2-1.

Zhegrova u hodh në fushë në minutën e 71-të, teksa në minutën e 91-të realizoi një gola spektakolar duke i dhuruar një fitore të artë Lilës.

Santos në minutën e 12-të dhe Kahveçi në minutën e 80-të, kishin shënuar më herët. Dueli i kthimit që do të vendosë kualifikimin do të luhet pas 1 jave në Turqi.

Tetë ushqimet më të shëndetshme që duhen t’i kombinoni për t’i konsumuar bashkë

Studime të fundit kanë zbuluar se janë disa ushqime të cilat nëse kombinohen bashkë i japin trupit më shumë vlera.

Gjithçka lidhet me mënyrën se si bashkëveprojnë vlerat ushqyese të secilit prej tyre kur konsumohen njëherësh. Më poshtë do të gjeni listën e plotë për një jetë më e shëndetshme.

Mollët dhe mjedrat kundër qelizave tumoriale

Një studim i botuar së fundmi tek Buletini i Shëndetësisë, vërtetoi faktin se antioksidantët elagjik që gjenden tek mjedrat rrisnin efektet positive të kuercetinës që gjendet tek mollët.

Ky kombinim arrin të eliminojë mundësinë e krijimit të qelizave tumoriale në organizëm. Fruta të tjera ku këto antioksidantë gjenden janë: për antioksidantin elagjik; shega, arrat dhe thanat, ndërsa kuercetina gjendet tek rrushi dhe qepa.

Për një zemër më të shëndetshme hikër dhe brokoli

Kur kolesteroli i keq oksidohet, mund të shkaktojë bllokimin e arterieve të zemrës, duke çuar në dëmtimin e saj.

Megjithatë antioksidantët ndihmojnë në luftën kundër këtij procesi. Studiuesit gjermanë arritën në përfundimin se antioksidanti Rutin dhe vitamina C arrijnë të punojnë bashkë për të parandaluar oksidimin e kolesterolit.

Ky antioksidant gjendet tek hikëra, me të cilën prodhohen makarona, bukë apo dhe produkte të tjera.

Për energji gjatë ditës bashkoni qiqrat dhe qepët

Sipas një studimi të Shoqatës së Agrikulturës dhe Kimisë Ushqimore, u vu re se përmbajtja e sulfurit që gjendet tek qepët dhe preshi mund të ndihmojë organizmin që të përthithë më mirë hekurin dhe zinkun nga produktet bishtajore, përfshi këtu dhe qiqrat.

Prandaj nëse vuani nga anemia, ky kombinim është ai që ju duhet.

Për antioksidant që ndihmojnë zemrën bëni bashkë çajin jeshil dhe limonin

Nuk është një legjendë që personat që pinë një filxhan me çaj jeshil çdo ditë, ulin rrezikun e prekjes nga sëmundjet e zemrës.

Sipas një raporti të Universitetit Purdue, nëse ju shtoni dhe pak lëng limoni tek çaji juaj, do të keni përfituar përveç shijes dhe një paketë antioksidantësh lehtësisht të përthithshme nga organizmi./AgroWeb.org

Ministria e Mjedisit i hap rrugën ndërtimeve në Zonat e Mbrojtura

Pas ndryshimit kontrovers të ligjit, dhjetë projekt-vendime të shpallura nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit për konsultim i japin dritën jeshile ndërtimeve të gjithfarëllojshme në zonat e mbrojtura nga jugu në veri.

Bredhi i Drenovës është një masiv pyjor prej 1,380 hektarësh i shtrirë në Qarkun e Korçës në kufi me Greqinë. Kjo zonë e shpallur park kombëtar në vitin e largët 1966, është një bio-korridor i rëndësishëm midis dy vendeve për rruazorët e mëdhenj, si ariu, ujku dhe kaprolli.

Por një seri projekt-vendimesh të shpallura për konsultim nga nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në qershor e cenojnë këtë status.

“Sot ende Park Kombëtar, Bredhi i Drenovës tenton të kthehet në Zonë të Peizazhit të Mbrojtur, vendim me të cilin kjo zonë humbet sistemin e nënizolimit dhe kalon nga mbrojta e shkallës së parë, në mbrojtje të shkallës së tretë’, tha Taulant Bino, drejtues i Shoqatës së Ornitologëve Shqiptarë (AOS). “Praktikisht, humbet çdo lloj mbrojtje”, shtoi ai.

Projekt-vendimi për Bredhin e Drenovës nuk është një akt i izoluar, pasi janë të paktën nëntë projekt-vendime të ngjashme të nxjerra për konsultim nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, të cilat sipas organizatave mjedisore, nëse miratohen, rrezikojnë një dëm të pariparueshëm ndaj ekosistemit natyror në Shqipëri.

Sipas ekspertëve të AOS, projekt-vendimet prekin nëntë zona të mbrojtura ekzistuese – Bredhi i Drenovës, Rrushkull, Bunë Velipojë, Pishë-Poro-Nartë, Liqeni i Pogradecit, Kuturman-Qafë Bush, Kratsë, Guri i Nikës Valamarë, Bjeshkët e Oroshit – dhe një zonë të re të mbrojtur, Bisht Kamëz.

“Ka kohë që Bredhi i Drenovës përflitet si zonë për ndërtime të ashtuquajtura rekreative”, i tha BIRN Taulant Bino, drejtues i Shoqatës së Ornitologëve Shqiptarë. “Pengesa e fundit – statusi i zonës së mbrojtur – bie me këtë projekt vendim”, shtoi Bino.

Ndryshimet në Ligjin 81/2017 për Zonat e Mbrojtura të miratuara në shkurt kundrejt kundërshtimeve të Bashkimit Evropian, heqin nga këto zona sistemin e zonimit të brendshëm, i cili më parë ofronte nivele të ndryshme mbrojtjeje sipas ligjit të vjetër dhe rregulloreve të Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), dhe u japin atyre vetëm shkallën e tretë të mbrojtjes.

Bino i tha BIRN se miratimi i këtyre dhjetë projekt-vendimeve rrezikon ndër të tjera edhe humbjen e statusit “zonë e mbrojtur” për këto sipërfaqe me vlera natyrore.

Autoriteti kryesor përgjegjës për këto zona është vendosur Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), përgjegjës për sanksionimin e rregulloreve, strukturat e paligjshme, dhe investimet e supozuara strategjike dhe aktivitete të tjera të ndryshme.

Neni 5 i projekt-vendimeve të shpallura për konsultim, i cili rendit veprimet e lejuara në këto zona, përfshin ndër të tjera instalimin e projekteve të energjisë së rinovueshme, ngritjen e qendrave të mbarështimit të peshkut, si edhe aktivitete të tjera si ndërtimi, trajtimi i ujit në ferma, ndërtimi i kanaleve, autostradave, zonave urbane dhe aktiviteteve të ngjashme, me kusht që të kenë leje nga KKT.

“KKT tashmë nuk njeh kufij në gamën e investimeve strategjike që mund të autorizojë në këto zona”, tha Besjana Shehu, bashkëthemeluese e AOS.

“Investimi mund të behët në lagunë, në kanione, apo edhe në zona që më parë kanë qenë ‘zona bërthamë’, duke nënkuptuar zbatimin e nivelit më të lartë të mbrojtjes”, shtoi ajo.

Sipas Taulant Binos projekt-vendimet janë në shërbim të planeve për zhvillim urban.

“Ka kohë që Bredhi i Drenovës përflitet si zonë për ndërtime të ashtuquajtura rekreative,” theksoi ai. “Pengesa e fundit – statusi i zonës së mbrojtur – bie me këtë projekt vendim”, përfundoi Bino./BIRN

Kush po i blen dhe i mban çmimet të larta? Në 3 muaj u shitën apartamente me vlerë 350 milionë euro

Në tremujorin e parë të vitit 2024 janë ulur transaksionet e pasurive të paluajtshme por sipas të dhënave të INSTAT vetëm në 3-mujorin e parë të këtij viti transaksionet e përllogaritura në këtë sektor arrijnë në 35.6 miliardë lekë ose rreth 350 milionë euro.

Vlera e transaksioneve është më e larta e regjistruara ndonjëherë në periudhën janar-mars, por është më e ulët se në tremujorin e fundit të vitit 2023, kur shitjet e pronave kapën shifrën mbi 360 milionë euro.

Ndikim në këto vlera të larta shitjesh kanë padyshim çmimet e apartamenteve, ku tashmë një metër katror në periferi të kryeqytetit ka arritur mbi 800 euro, në zonat më pranë qendrës vijojnë nga mbi 1200 euro metri katror deri në 2100 euro metri sipas çmimeve të referencës, dhe në zonat ‘VIP’ ku përfshihet qendra apo ish Blloku një metër katror kushton deri në 5000 euro.

Një tjetër faktor që shton volumin e transaksioneve në këtë industri janë edhe shtetasit e huaj, që blejnë pa negociuar çmimin. Referuar shifrave të Bankës së Shqipërisë, afro 1/3 e pronave në 5-vjeçarin e fundit po blihet nga të huajit.

Ndërkohë në gjashtëmujorin e fundit të vitit të shkuar, 70% e agjentëve imobiliare i janë përgjigjur vrojtimit të Bankës së Shqipërisë duke thënë se apartamentet i kanë shitur me të njëjtin çmim ose deri në 5% më pak.

Interesi i të huajve për pasuri të paluajtshme në Shqipëri, tregohet edhe nga shifrat e investimeve direkte, pasi vetëm në tre muajit e parë të vitit të huajit kanë investuar në këtë sektor afro 81.3 milionë euro duke u rritur me mbi 32 milionë euro, krahasuar me vjet.

Sa i takon pritshmërive, ulje e çmimeve nuk duket në horizont, pasi vetëm 2% e agjentëve thonë se çmimet thonë se do të bien, 64% thonë do jenë të qëndrueshme dhe 34% presin shtrenjtim përgjatë këtij viti.

Parkimi me pagesë në Durrës, PD – Demokratët Euroatlantikë çojnë në Administrative vendimin

Lajmi bëhet i ditur nga Jonuz Myshketa, kreu i PD – Demokratët Euroatlantikë në Durrës, njëkohësisht anëtar i Këshillit Bashkiak të qytetit bregdetar.

Në një postim në facebook, Myshketa shprehet se “ne të bindur në të drejtën tonë, në shërbim të qytetarëve durrsak, kemi ushtruar tagrin ligjor duke depozituar sot pranë Gjykatës Administrative të Apelit në Tiranë, Kërkesë Padinë për anullimin e aktit normativ nënligjor në lidhje me sa më sipër cituar”.

Kujtojmë se çështjen e vendimit të KB Durrës për parkimet në qytet, këshilltarët e PD – Demokratët Euroatlantikë i kundërshtuan në mbledhjen e këshillit, i dërguan një kërkesë Prefektit të Qarkut për të mos i miratuar dhe pas mosmarrjes parasysh të kërkesës së tyre, vjen kjo kërkesë-padi në Gjykatën Administrative.

Më poshtë postimi i plotë:

Të nderuar miq e qytetar durrsak!

Siç paraqitet dhe në foton më poshtë, siç patëm kundërshtuar dhe gjatë mbledhjes së këshillit bashkiak duke parashtruar argumentet tona se përse projekti I parkingjeve me pagesë është I nxituar.

Bërë pa transparencën e duhur për qytetarët dhe në vazhdën e kërkesës sonë drejtuar Prefektit të Qarkut Durrës për mospranimin e aktit normativ, kërkesë e cila I refezua.

Ne të bindur në të drjetën tonë, në shërbim të qytetarëve durrsak, kemi ushtruar tagrin ligjor duke depozituar sot pranë Gjykatës Administrative të Apelit në Tiranë, Kërkesë Padinë për anullimin e aktit normativ nënligjor në lidhje me sa më sipër cituar.

Retorika jonë politike shkon në koherencë të plotë me aksionet tona pasi besojmë fort që jemi në kahun e duhur dhe në mbrotje të interesave të qytetarëve durrsak.

Kemi parashtruar të gjitha argumentat ligjor përse ky akt është kundër interesave të qytetit pasi është I nxituar, pa gjetjen e alternativave shteruese për qytetarët përpara se të shkohet në një nisëm të tillë.

Duke shpresuar në një gjykim të drejtë nga ana e Gjykatës Ju bëj me dije se jemi, e do mbetemi përherë në shërbim të Durrësit dhe banorëve të tij përballë çdo abuzimi me të drejtat e Tij dhe të tyre.

Vrasja e dy grave nga bashkëshortët, VOA: Dhuna në familje pësoi rritje në Shqipëri

Policia njoftoi të martën se dy gra humbën jetën në Shqipëri si pasojë e dhunës nga bashkëshortët e tyre.

Sipas burimeve zyrtare policore, në Vlorë, 64-vjeçarja Hati Deliaj nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të shumta të shkaktuara nga dhuna e bashkëshortit 70-vjeçar Ëngjëllush Deliaj, ndërsa në Shalës të Sarandës 66 vjeçarja Shano Islamaj u vra me sëpatë nga bashkëshorti i saj Huso Islamaj, 69-vjeç.

Burime vendore në Vlorë thanë se 64-vjeçarja Hati Deliaj u shtrua në spital pasi kishte nofullën e thyer dhe shenja të tjera të dhunës nga bashkëshorti.

Ndërsa vrasja e gruas në Sarandë, sipas policisë, dyshohet se ndodhi gjatë një konflikti për motive të dobëta dhe më pas edhe shtetasi Huso Islamaj humbi jetën pasi u konfliktua me djalin e tij i cili sipas policisë dyshohet se e ka shtyrë duke e hedhur nga shkallët e banesës.

Ndonëse ndëshkimet janë ashpërsuar dhe gjykatat kanë dhënë dënime me burgim të përjetshëm për vrasësit e grave ky krim nuk ka shënuar ulje.

Dënimi më i fundit me burgim të përjetshëm u dha mesin e korrikut të këtij viti nga Gjykata e Elbasanit për Tefik Tashin, i cili vrau me sëpatë motrën e bashkëshortes .

Gjatë vitit të kaluar u regjistruan 12 vrasje të grave dhe qindra denoncime të tjera për dhunë në familje, të cilat sipas analistëve janë vetëm një pjesë e vogël e përmasave të vërteta të kësaj dukurie në shoqërinë shqiptare.

Sipas të dhënave të Ministrisë shqiptare të Shëndetësisë numri i rasteve që janë evidentuar dhe denoncuar për dhunën në familje ka ardhur në rritje vit pas viti.

Sipas të dhënave zyrtare në vitin 2023 ka pasur 5064 raste të denoncuara për dhunën në familje pranë policisë dhe ku me urdhër-mbrojtje janë trajtuar 2730 raste .

Edhe në 3-mujorin e parë të vitit 2024 janë regjistruar 1197 raste të denoncimit të dhunës në familje nga të cilat janë trajtuar me urdhër mbrojtje 627 raste./ VOA

Dhimbjet e shpeshta të kokës, ja tre faktorë që mund t’i shkaktojnë por që ju nuk e dini

Dhimbja e kokës është një simptomë e zakonshme që prek njerëzit e të gjitha moshave dhe në shumicën e rasteve është e padëmshme pasi arsyet mjedisore janë përgjegjëse për  dhimbjet e shpeshta të kokës.

 

Hormonet

Tek femrat, faza e ciklit të tyre mund të ndikojë edhe në shfaqjen e dhimbjeve të kokës. Në shumë raste, dhimbja e kokës shfaqet menjëherë pas ditëve të fillimit të menstruacioneve.

Parfumet

Ajo që ka erë të mrekullueshme për disa mund t’ju shkaktojë dhimbje koke. Në disa pacientë që përjetojnë dhimbje koke të shpeshta, erërat e forta, për shembull një parfum, janë ato që shkaktojnë dhimbjen.

Ushqimi

Vera dhe djathi janë dy të dyshuar të zakonshëm pas dhimbjes së kokës, por ende nuk dihet se cilët përbërës janë përgjegjës për efektin e tyre.