Kamala Harris, kandidatja demokrate për presidente e SHBA-së, ka emëruar Tim Walz, guvernatorin e Minesotës, si kandidat të saj për zëvendëspresident përpara zgjedhjeve të nëntorit.
Vendimi i jep fund spekulimeve intensive se cilin kandidat do të zgjidhte Harris për të dalë kundër Donald Trump, kandidatit republikan dhe ish-presidentit, dhe zgjedhjes së tij për zëvendëspresident, senatorit të Ohajos, JD Vance .
Disa komentues politikë kishin sugjeruar se, si gruaja e parë me ngjyrë e emëruar nga një parti e madhe, Harris kishte më shumë gjasa të zgjidhte një burrë të bardhë për të balancuar garën e saj.
Lista e kandidatëve për nënpresident u ngushtua mes Guvernatorit të Pensilvanisë, Josh Shapiro dhe Guvernatorit të Minesotës, Tim Walz.
Ky vendim vjen një ditë pasi Harris siguroi zyrtarisht emërimin si kandidate e partisë së saj për presidente, pas një raundi pesë-ditor votimi në internet nga delegatët e Kuvendit Kombëtar Demokratik që përfundoi të hënën në mbrëmje.
Në një deklaratë pak para mesnatës, Komiteti Kombëtar Demokrat tha se 99% e delegatëve kishin votuar në favor të Harris. Votimi do të certifikohet zyrtarisht në Kuvendin e partisë në Çikago.
Harris, gruaja e parë dhe politikania e parë me prejardhje afrikano-amerikane dhe indiane që shërben si nënpresidente, bëhet kështu gruaja e parë jo e bardhë si kandidate zyrtare e njërës prej partive kryesore.
Fitim Sula, pensionist 78-vjeçar nga Rrogozhina, me profesion skulptor, shpreh pakënaqësi rreth pensionit të tij të ulët. Me 43 vite kontribut si mësimdhënës dhe si artist, ai thotë se pensioni nuk do t’i mjaftonte për të mbuluar nevojat po të mos ishte për ndihmën e fëmijëve.
“Është premtuar vazhdimisht rritje e pensionit, por ka rreth 11 vjet që nuk ka asnjë rritje të tillë. Përkundrazi, me rritjen e inflacionit, pensioni im dhe i pensionistëve të tjerë në Shqipëri faktikisht është zvogëluar.”
Sula aktualisht përfiton një pension prej 25 mijë lekësh në muaj, i cili ndonëse paraqitet më i lartë se i shumë të tjerëve, sërish është i pamjaftueshëm. Por ky nuk është meraku i tij i vërtetë.
“Duke parë situatën aktuale dhe mënyrën se si po shkojnë punët, jam shumë pesimist për të ardhmen e pensioneve për brezat e rinj, përfshirë edhe djalin tim, sepse vajza jeton në Milano”, thotë ai.
Sula vëren se strukturat aktuale dhe mënyrat e menaxhimit të fondit të pensioneve nuk japin shumë shpresë për stabilitet ose siguri afatgjatë. “Nëse nuk bëhen reforma serioze dhe të qëndrueshme në sistem dhe në ekonominë e vendit, frika ime është se pensionet mund të jenë edhe më të paqëndrueshme në të ardhmen, prandaj vazhdimisht e këshilloj djalin të largohet nga vendi.”
Ndërkaq janë mbi 700 mijë pensionistë në Shqipëri, shumë prej të cilëve pasi kanë punuar rreth katër dekada, të ardhurat nuk u mjaftojnë as për nevojat e përditshme elementare. Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore (ISSH), pensioni mesatar në vend përllogaritet në 15,600 lekë. Ky nivel është sa 39% e pagës minimale dhe 20% e pagës mesatare.
Në vitin 2022, Banka Botërore e rishikoi minimumin e varfërisë sipas rajoneve, duke e indeksuar këtë normë në rastin e Shqipërisë në 6.85 dollarë në ditë, çka në muaj rezulton në 205 dollarë. Kjo do të thotë që mesatarja e pensioneve në Shqipëri tashmë është zyrtarisht poshtë nivelit ndërkombëtar të varfërisë.
Por një pjesë e pensionistëve marrin shumë më pak se kaq. Bëhet fjalë për të moshuarit e zonave rurale. Sipas ISSH-së, pensioni në fshat është vetëm 10,888 lekë dhe ai në qytet 18,615 lekë.
Niveli i ulët i pensioneve është pasojë e drejtpërdrejtë e situatës së vështirë në të cilën ndodhet skema e pensioneve në Shqipëri. Një skemë deficitare, e cila gjithmonë e më shumë po kërkon mbështetje financiare nga buxheti i shtetit, duke qenë një barrë e drejtpërdrejtë mbi taksapaguesit shqiptarë.
Emigrimi masiv dhe i pandalshëm gjatë dekadave të fundit, ulja e numrit të lindjeve dhe rritja e jetëgjatësisë së të moshuarve, janë faktorët kryesorë që ndikojnë te gremisja graduale dhe e ‘qëndrueshme’ e skemës së pensioneve në Shqipëri.
Kjo për shkak të emigrimit masiv dhe të pandërprerë vitet e fundit, që ka ulur ndjeshëm numrat e fuqisë punëtore dhe rrjedhimisht, edhe të kontribuuesve në skemë. Paralelisht është rritur mosha mesatare, çka do të thotë plakje e popullsisë.
Sipas Censit 2023, popullsia llogaritet në 2.4 milionë banorë, ose 420 mijë më pak se rreth një dekadë më parë. Kjo do të thotë se gjatë periudhës me realizimit të dy censeve, vendi ka humbur mesatarisht 35 mijë banorë në vit. Ndërkohë, mosha mesatare, në fund të 2023-it llogaritet në 42.5 vite, nga 35.3 vite që ishte në Censin 2011, duke rezultuar në një plakje të Shqipërisë prej 7.2 vitesh gjatë periudhës në fjalë.
Të dy këta tregues kanë efekt të drejtpërdrejtë në skemën e pensioneve, duke ulur numrin e kontribuuesve dhe rritur atë të përfituesve, thënë ndryshe, të pensionistëve.
Sipas ISSH-së, numri i kontribuuesve në skemën e pensioneve në fund të vitit 2023 arriti në 826,928 mijë persona. Vitin e kaluar u shënua një rritje e vogël e kontribuuesve me rreth 25,000 persona dhe kjo si rrjedhojë e nismës së qeverisë për të rritur pagën minimale, çka u shoqërua me një reduktim të lehtë të informalitetit në tregun e punës. Por edhe kjo rritje e numrit të kontribuuesve rezulton e pandjeshme përballë shtimit të pensionistëve.
Të dhënat zyrtare të ISSH-së tregojnë se në fund të vitit 2023, numri i përfituesve në skemën e pensioneve rezultoi rreth 705 mijë pensionistë. Në vitet e fundit, numri i pensionistëve të përfshirë në skemë ka ardhur duke u rritur në mënyrë të vazhdueshme, duke konfirmuar plakjen e popullsisë dhe nevojën për të gjetur burime financimi.
Rrjedhimisht, raporti kontribuues/përfitues në skemën e pensioneve, një tregues i rëndësishëm që tregon për shëndetin financiar të saj, ka arritur në 1.17. Kjo do të thotë se për çdo përfitues nga skema e pensioneve ka 1.7 kontribuues. Kjo normë tregon që ky ekuilibër i brishtë po ulet me shpejtësi drejt raportit 1 me 1, ku numri i kontribuuesve barazohet me atë të përfituesve.
Të dhënat e fundit të Censit 2023 dëshmojnë se Shqipëria nuk ndodhet shumë larg këtij realiteti, diçka që do të përbënte një skenar të zymtë për ekonominë dhe jetën shoqërore, dhe për të ardhmen e vendit.
Kjo pasi raporti i varësisë së të moshuarve është rritur në 30.4% në vitin 2023 nga 16.7% që ishte në Censin 2011.
Ndërkohë që raporti i varësisë së të rinjve ka zbritur aktualisht në 24% nga 30.4% që ishte dhjetë vite më parë. Numri i të rinjve po gremiset me shpejtësi, ndërsa ai i të moshuarve po rritet ditë pas dite. Kjo është formula që e bën vendin të përballet me plakje progresive të popullsisë, të cilës nuk i duket fundi.
Kur u zhvillua censi 2011, në të gjithë vendin u numëruan mbi 268 mijë të rinj të grupmoshës 15-19 vjeç, por në censin 2023, numri i tyre gati u përgjysmua. Kjo grupmoshë ka pasur edhe rënien më të madhe në periudhën ndërmjet censeve, si në numër dhe në përqindje. Kjo tregon qartazi se numri i të rinjve në Shqipëri po bie me shpejtësi dhe shpjegohet me emigracionin e lartë të të rinjve dhe familjeve me fëmijë pas vitit 2016.
Në krahun tjetër, rritjen më të fortë në popullsinë e përgjithshme e kishin të moshuarit mbi 85 vjeç. Grupi i popullsisë 85-89 vjeç arriti në mbi 26 mijë persona në censin 2023, nga rreth 14 mijë të tillë më vitin 2011, me rritje 79%. Një tregues i qartë i plakjes së popullsisë me ritme shumë të shpejta dhe që goditjen e parë e jep tek skema e pensioneve.
Mosha e pensionit është 65 vjeç për burrat dhe 60 vjeç e 10 muaj për gratë. Sipas reformës së vitit 2014, mosha e pensionit për gratë po rritet gradualisht me dy muaj çdo vit, për të arritur në 67 vjeç deri në vitin 2056 dhe për burrat do të mbetet 65 vjeç deri në vitin 2032 dhe do të rritet me një muaj çdo vit për të arritur në 67 vjeç deri në vitin 2056.
Dështimi i skemës nuk do të thotë falimentim
Arnen Sula, 34 vjeç, i biri i Fitimit, nuk duket se ka ndër mend që të largohet nga Shqipëria. Të paktën, jo në të ardhmen e afërt. Aktivist, me profesion arkitekt, dhe në mënyrën e vet, besnik ndaj trashëgimisë së të atit, ai drejton një organizatë jofitimprurëse të fokusuar te kontributi në art dhe kulturë.
“Është e pamundur të imagjinoj jetesën time me një pension mesatar prej 25,000 lekësh në muaj, i cili është larg nga të ofruarit e një jetesë të dinjitetshme dhe të qëndrueshme për pensionistët”, thotë Sula. “Pra, nuk i druhem faktit nëse do të kem apo jo pension në të ardhmen; shqetësimi im është për nivelin e pensionit dhe rishikimin e moshës së daljes në pension.”
Nga një pikëpamje e aktivizmit qytetar, ai shprehet thellësisht i shqetësuar për largimin e rinisë, që përbën një pjesë të madhe të fuqisë punëtore, dhe thotë se gjendja në Shqipëri nuk duhet lejuar të qëndrojë e njëjtë për një periudhë të gjatë. “Është e qartë që ndryshimet duhet të kishin ndodhur më herët”, thotë ai, dhe shton se pa u marrë masat e duhura, urgjente, mund të rrezikohet që situata të shkojë drejt katastrofës.
Shqetësimet e Sulës, si të atit ashtu edhe të birit, përligjen nga shifrat zyrtare.
Skema publike e pensioneve në Shqipëri është deficitare prej shumë vitesh tashmë. Sipas të dhënave të ISSH-së, në vitin 2023 deficiti arriti në 14.6 miliardë lekë. Dhe aktualisht, ky mekanizëm po mbahet në jetë falë serumeve financiare nga buxheti i shtetit.
Thënë ndryshe, nevojiten para të mbledhura nga kontribute të tjera, kryesisht tatime dhe taksa, të cilat përdoren krahas kontributeve për pensione, në mënyrë që pensionistët të marrin mbështetjen e tyre financiare.
Skema publike e pensioneve në Shqipëri është e bazuar mbi përfitimet e përcaktuara në funksion të moshës dhe bazuar mbi kontributet sipas të ardhurave mujore nga puna. Punëdhënësit dhe punëmarrësit në sektorin privat dhe publik, si dhe të vetëpunësuarit, përfshi ata në sektorin bujqësor, kontribuojnë në këtë skemë.
Vlen të theksohet se ky ka qenë viti më i mirë në 10-vjeçarin e fundit dhe është ndihmuar nga rritja e të ardhurave me ritme dy shifrore. Të ardhurat u nxitën nga shtimi i punësimit, rritja e pagës minimale dhe rritja e pagave në të gjitha nivelet vitin e kaluar. Në anën tjetër, gjithnjë e më shumë pensionistë nuk po plotësojnë kriteret për pension të plotë.
Por pavarësisht këtij përmirësimi, sërish skema ka nevojë për ndihmën e vazhdueshme të qeverisë për të shmangur kolapsin. Nga buxheti i shtetit akordohen çdo vit miliarda lekë që skema të vazhdojë të funksionojë dhe pensionistët të marrin pension. Në vitin 2023, u dhanë nga financat publike 16.1 miliardë lekë për pensionistët. Shifër që edhe pse ka ardhur në rënie për arsyet e përmendura, sërish mbetet e konsiderueshme.
“Skema publike e pensioneve është duke përjetuar deficit prej dy dekadash. Në këtë drejtim ajo mund të konsiderohet se po shkon drejt konsumimit, nëse nuk ka mekanizma të tjerë përmirësimi dhe ndarje të risqeve që paraqet për të ardhmen”, thotë Eduart Gjokutaj, ekspert për ekonominë.
Ai shpjegon se nga njëra anë, është presioni që vjen nga rritja e numrit të pensioneve të pleqërisë me përshpejtim në vitet e fundit deri në vitin 2023, por, nga ana tjetër, është rritur edhe numri i pensionistëve përfitues për arsye edhe të jetëgjatësisë më të madhe. Gjokutaj vëren se të dy këto faktorë janë presion i shtuar mbi skemën, duke ndikuar në amortizimin e shpejtë të saj.
“Megjithëse përpjekja për të zgjeruar vlerën e kontributeve në buxhet ka ardhur me përmirësim, si dhe duke u ndikuar nga rritja e pagës minimale dhe pagave në tërësi, në sektorin publik dhe atë privat, shihet se efekti i tyre vetëm sa mund të ngushtojë deficitin e skemës, por nuk arrin dot ta mbajë atë për një periudhë afatgjatë”, thotë Gjokutaj.
Ndërsa eksperti Selami Xhepa niset nga premisa që në thelbin e saj, skema bazohet në parimin e solidaritetit, duke realizuar rishpërndarjen e të ardhurave midis brezave. “Problemet fillojnë të shfaqen në momentin kur kontributet që mblidhen nga të punësuarit nuk përballojnë dot detyrimet e akumuluara”, thotë ai.
Xhepa vë në dukje se rënia e kontributeve vjen për shkak të ndryshimeve demografike, informalitetit të lartë në tregun e punës dhe pagave të ulëta. “Të gjithë këta faktorë kanë qenë shumë prezentë në skemën e pensioneve në vendin tonë, duke krijuar probleme të qëndrueshmërisë financiare të saj.”
Ekspertët shpjegojnë se zyrtarisht skema e pensioneve nuk dështon, pasi ajo është skemë shtetërore dhe si e tillë, do të financohet gjithmonë nga buxheti i shtetit. Por është pikërisht kjo varësi, përballë faktit që skema nuk mbulon dot nevojat e saj, e cila ndonëse nuk lejon që të materializohet falimenti i skemës, në parim nuk përjashton që modeli i funksionimit është faktikisht i dështuar.
“Nuk ka asnjë rrezik që të mos paguhen pensionet në të ardhmen, pavarësisht deficitit të saj [skemës]”, thekson Xhepa. Ai beson që transfertat nga buxheti do të përballojnë gjithsesi përmbushjen e detyrimeve, por këmbëngul mbi nevojën e reformave afatgjata për të rinjtë që do t’i bashkohen kësaj skeme.
Sipas Xhepës, ndryshimet sistemike që mund të ndodhin nënkuptojnë një ndryshim të sistemit aktual për të kaluar drejt një fondi pensionesh, në formën e një fondi investimi, kontributit në fonde private, apo në forma të tjera të kombinuara.
“Kjo nuk cenon pagimin e pensioneve të përfituesve, që janë tashmë në skemë dhe që do të jenë dhe në të ardhmen”, vëren Xhepa.
Pamundësia e falimentit nuk shmang skamjen
Megjithatë, teksa ekspertët bien në një mendje se mundësitë që skema të kolapsojë financiarisht në të ardhmen – me fjalë të tjera, që të moshuarit të mbeten pa pensione – askush nuk është në gjendje që të parashikojë sesi do të duket mbështetja për të moshuarit në dekadat që do të vijnë.
Nëse dinamikat demografike vijojnë përkeqësimin, rreziku i shndërrimit të një pensioni sakaq modest, në një pagesë lëmoshe të papërfillshme për brezat e pensionistëve të së ardhmes, mund të paraqitet si një skenar që nuk mund të përjashtohet.
Në fakt, ekspertja Teuta Nunaj thekson se sfidat për skemën e pensioneve do të vijnë duke u rritur në të ardhmen, për shkak të gjasave të përkeqësimit të raportit kontribuues/përfitues. Këto janë sfida që përballë një realitetit të një skeme që tashmë paraqitet financiarisht e uritur, do të duhet të përballohen përherë e më shumë nga buxheti i shtetit.
“Nuk gjykoj se ka rrezik që kontribuuesit e sotëm të mos marrin pension nesër. Arsyeja bazë për këtë është se skema aktuale e pensioneve në Shqipëri është një skemë shtetërore”, thotë Nunaj. Ajo shpjegon se të gjitha kontributet që derdhen në skemën e pensioneve klasifikohen si kontribute publike dhe janë pjesë e buxhetit të shtetit, i cili mbulon në mënyrë të përvitshme diferencën mes kontributeve direkte dhe shpenzimeve për të gjitha kategoritë e pensioneve.
Sipas Nunaj, çdo dështim i skemës së pensioneve dhe mosdhënia e pensioneve për kontribuuesit do të ishte një dështim për shtetin dhe do të krijonte probleme të mëdha ekonomike e sociale për shoqërinë në tërësi. Por, ajo vë në dukje se nëse të ardhmen vazhdon të rritet numri i pensionistëve dhe të ulet numri i kontribuuesve, sfidat për skemën e pensioneve do të rriten edhe më shumë.
“E gjithë kjo panoramë e skemës aktuale publike dhe një ecurie ende të ulët të skemës private të pensioneve përçon në mbajtjen e një skeme që nuk garanton qëndrueshmëri, rritje për të sfiduar varfërinë dhe shtimin e kostove, si dhe një mbulim të brezave të ardhëm të pensionistëve”, thotë Nunaj.
Se kur mund të ndodhë, nëse vërtet ka gjasa të ndodhë, që mbulimi me mbështetje financiare për “brezat e ardhshëm të pensionistëve” të mos garantohet dot është një skenar i zymtë dhe praktikisht i paparashikueshëm.
Ekspertët e intervistuar pajtohen se rreziqet kryesore për të ardhmen janë deficiti buxhetor i skemës, rritja e jetëgjatësisë së popullatës, rënia e ritmeve të lindjeve dhe emigrimi kryesisht i moshave të reja dhe familjeve me një moshë aktive për punësim. Të gjitha këto po ndodhin që tani, me ritme të shtuara dhe pa ndonjë sinjal se diçka mund të ndryshojë për mirë në secilin nga treguesit në fjalë.
Eduart Gjokutaj beson se kontribuuesit e sotëm garantohen nga legjislacioni dhe, mbi të gjitha, nga buxheti i shteti, ndaj edhe do të përfitojnë pensionet e tyre sipas të gjithë parametrave që përmbushin.
“Risku i madh në përfitueshmnërinë është për një pjesë të madhe të pensionistëve të ardhshëm, të cilët nuk kanë çfarë pretendojnë më shumë se një pension social apo një pension të ulët, pasi do të vuajnë efektet e informalitetit të punës së tyre”, thekson ai.
Babë e bir shohin me trazim nga e ardhmja
Fitim Sula, ndonëse pensionist, i mban sytë nga brezat e rinj që masivisht po e lënë vendin. Ai vëren se faktorët kryesorë që i shtyjnë këta të emigrojnë përfshijnë kërkimin për mundësi më të mira ekonomike dhe profesionale. “Shumë të rinj të shkolluar në Europë marrin një arsimim të përparuar dhe zhvillojnë një kapacitet intelektual të lartë, por shpesh ndeshen me mungesën e mundësive për ta vënë këtë kapacitet në zbatim në vendlindje”, thotë ai. Ai shton se të rinjtë ndiejnë se vendet e punës që ekzistojnë në Shqipëri nuk u ofrojnë sfida dhe as mundësi për rritje profesionale dhe personale.
Sula përmend gjithashtu, mungesën e stabilitetit politik dhe korrupsionin si faktorë me peshë madhore, të cilët e bëjnë të vështirë për individët të ndjejnë se mund të kenë një të ardhme të sigurt në Shqipëri.
“Si pensionist, kam parë shumë ndryshime në vendin tim, dhe ndonjëherë është e trishtueshme të shoh se sa pak ka ndryshuar në disa aspekte, duke shtyrë brezin e ri të mendojë për një jetë diku tjetër.
Në qershor të këtij viti, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Alastair King-Smith, bëri të ditur rezultatet e një studimi nga Këshilli Britanik (British Council), sipas të cilit, më shumë se dy të tretat e të rinjve shqiptarë dëshirojnë të largohen nga vendi. Anketa të tjera e vlerësojnë këtë prirje mbi nivelin 70%.
Emigrimi i të rinjve përfaqëson një problem real, duke qenë se ata përbëjnë kapacitete prodhuese, konsumatore dhe kontribuuese në buxhetin dhe skemat shtetërore, përfshi atë të pensioneve. Gjithashtu, të rinjtë përfaqësojnë edhe kapacitetin riprodhues të një vendi – me fjalë të tjera përtëritjen e popullsisë së tij në kohë.
I biri i Fitimit, Arneni, arsyet e këtij eksodi nuk i sheh të kufizuara te situata ekonomike e Shqipërisë. Për të, kjo është thjesht pasojë e problemeve më të thella. Sipas tij, një ndër arsyet kryesore që ndikon në emigrimin masiv i të rinjve është edukimi në familje dhe në shoqëri.
“Shoqëria shqiptare, që nga diktatura komuniste ka qenë e karakterizuar nga mungesa e rezistencës ndaj abuzimeve politike, ku dhuna dhe pushteti kanë qenë elemente të pandashme për dekada, të ngulitura në çdo qelizë të shoqërisë, nga fëmijët deri te moshat e treta. Pas rënies së diktaturës, nuk kemi ditur të prodhojmë politikë apo politikanë cilësorë, por vetëm biznesmenë”, vëren ai.
Sula i riu, thotë se frika e trashëguar ndër breza, dhe mungesa e besimit reciprok dhe komunitar, vazhdon të ndikojnë edhe sot. “Në shoqërinë tonë ende përdoret shprehja, ‘Me ujin, zjarrin dhe qeverinë mos u merr’, diçka që reflekton drojën dhe mospërfshirjen qytetare në politikëbërje”.
Ai përmend raste personash publikë që kanë pranuar publikisht se i kanë lënë amanet fëmijëve që të mos jetojë në Shqipëri. “Këto amanete të prindërve përjashtojnë mundësinë që të rinjtë të angazhohen dhe të kontribuojnë në përmirësimin e gjendjes socio-politike në vend, duke e lënë vendin në një cikël vicioz të ngulfatjes dhe mungesës së zhvillimit”, thotë ai.
Arnen Sula e ka të vështirë të identifikojë çfarëdo nisme funksionale që qeveria aktuale ka ndërmarrë për t’i mbajtur njerëzit që të mos largohen. “Por është shumë e lehtë të them që këto 32 vite janë bërë mjaftueshëm nga qeveritë për t’i larguar njerëzit nga Shqipëria”, shton ai.
“Duket sikur kanë ndjekur një manual të pashkruar që përmban hapat e detajuar se si të krijosh një ambient ku të rinjtë jo vetëm që mendojnë të ikin, por vrapojnë drejt kufirit me çanta në dorë.”
Në të njëjtën mënyrë, as ndryshimet e nevojshme për t’i mbajtur njerëzit në Shqipëri, për të nuk janë vetëm financiare dhe burokratike. Ai e sheh zhvillimin e mundësive për të nxitur që të rinjtë të qëndrojnë në vend, përmes mbështetjes dhe ushqimit të artit dhe kulturës, si motorë të emancipimit të shoqërisë dhe nxitjes së mendimit kritik.
Sipas tij këto të fundit, harmonizuar me një sërë përmirësimesh rrënjësore në arsim, punësim dhe përfshirje të vërtetë qytetare, mund të kishin pasur mundësi për të fashitur frikën dhe për të ringjallur besimin dhe kontributin e përbashkët.
“Korrupsioni i politikës, që ka depërtuar në shoqëri si edhe brenda shoqërisë civile, ka një ndikim madhor në këtë situatë, pasi minon besimin në institucionet që duhet të promovojnë ndryshimin pozitiv… dhe kjo krijon një cikël vicioz ku mungon transparenca dhe llogaridhënia, duke ulur ndjeshëm efektshmërinë e çdo përpjekjeje për reforma dhe për t’i mbajtur të rinjtë brenda vendit”, thotë Arnen Sula.
Kamerdare shpëtimi për skemën e pensioneve
Kur diskutohet për pensionet, fjala kyç është demografia – me fjalë të tjera studimi statistikor i popullsive. Sipas INSTAT, në vitin 2023 në Shqipëri pati një rënie vjetore prej 10% të foshnjave të lindura, duke numëruar 22,210 syresh.
Këtu një nga treguesit që pasqyron edhe më mirë situatën është Indeksi Sintetik i Fekonditetit (ISF) – ndryshe, norma e lindshmërisë, që tregon se sa fëmijë pritet të lindë një femër gjatë jetës së saj.
Globalisht pranohet që 2,1 fëmijë për grua është niveli i zëvendësimit të nevojshëm për popullsinë e një vendi. Në vitin 2022, kjo normë në Shqipëri rezultoi në nivelin 1.21. Ky nivel paraqitet jashtëzakonisht i ulët, duke e bërë të paqëndrueshme të ardhmen e popullsisë së vendit.
Në anën tjetër, të gjitha vendet e BE-së janë qartazi poshtë normës ideale të lindshmërisë prej 2.1 fëmijësh për grua. Aktualisht, në Bashkimin Europian, ky tregues paraqitet në një mesatare prej rreth 1.4 lindjesh për grua, diçka që sipas Eurostat përbën një rënie historike. Ndër vendet që shënojnë normat më të ulëta të zëvendësimit të popullsisë, sipas të njëjtit tregues, janë Spanja (1.16) dhe Italia (1.24).
Sa për referencë, Gjermania, destinacion i parapëlqyer për emigrantët shqiptarë aktualisht, ka një normë lindshmërie prej vetëm diçka më shumë se 1.3 fëmijë për grua.
Teksa popullsia e Bashkimit Europian vijon të tkurret, kjo do të thotë që për arsye të zëvendësimit praktik të burimeve njerëzore që mungojnë, vendet anëtare janë të shtrënguara që ta importojnë kapitalin njerëzor nga jashtë. Ballkani Perëndimor rezulton në vijën e parë të vendeve eksportuese të kapitalit njerëzor, Shqipëria ndër to.
Ndaj, nëse merret parasysh mesatarja prej 35 mijë njerëzish në vit që Shqipëria ka humbur gjatë 12 viteve të fundit, vendosur edhe në kontekstin e gremisjes së përshkallëzuar të lindjeve, situata mund të paraqitet shumë më dramatike nga sa mund të mendohet për të ardhmen e parashikueshme. Në fakt, norma aktuale e lindshmërisë në vend, tejkalon edhe parashikimet më zymta të INSTAT-it, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi popullsinë e vendit, dhe rrjedhimisht për qëndrueshmërinë e pensioneve në të ardhmen.
Gjatë muajve të fundit të vitit 2023, si edhe në pranverën e këtij viti, Ministri i Financave, Ervin Mete ka përmendur se skema e pensioneve do të ndryshojë, por pa specifikuar se cilat do të jenë ndërhyrjet.
Qeveria shqiptare, Banka Botërore dhe grupet e interesit janë duke diskutuar këtë reformë të pensioneve, e cila, sipas deklaratave, pritet të jetë gati deri në fund të 2024-rës. Ndryshimet që po diskutohen përfshijnë uljen e viteve me kontribute për pension të plotë dhe pension minimal, uljen e masës së kontributit, ndryshimin e indeksimit duke favorizuar pensionet e ulëta, krijimin e skemave private për profesionistët etj.
Por cilat janë masat që sugjerojnë ekspertët?
Ndërsa frika ngrihet për mbështetjen e të moshuarve në të ardhmen dhe rreth cilësisë së kësaj mbështetjeje, Teuta Nunaj vë theksin te një prioritet që mund të tingëllojë kundërintuitiv: sigurim më së pari, i dinjitetit për pensionistët aktualë.
“Rritja e nivelit të pensioneve, qoftë edhe përmes një pensioni të 13-të… Pensionet aktuale janë të ulëta dhe duhet të rriten për të përmbushur nevojat bazë të pensionistëve dhe për t’u mundësuar një jetesë me dinjitet”, thekson Nunaj.
Ndërsa masat e tjera, ajo përmend rritjen e numrit të kontribuuesve përmes zvogëlimit të informalitetit në punësim, përmes deklarimit të punonjësve të paregjistruar, deklarimit të pagave të plota dhe pagesës së kontributeve përkatëse.
Gjithashtu, Nunaj vë në dukje nevojën për rregullimin e skemës së pensioneve në zonat rurale, në zërin e kontributeve dhe të pensioneve, ku kontributet dhe përfitimet paraqiten tepër të ulëta. Ajo përmend edhe integrimin e skemave të pensioneve private të detyrueshme, krahas asaj ekzistuese vullnetare.
Ndërsa për ekspertin Selami Xhepa, fokusi duhet të jetë tek lufta kundër informalitetit, me qëllim që të gjithë të deklarojnë pagën reale dhe të paguajnë sigurime në bazë të këtij niveli page.
“Me rëndësi të veçantë është nënraportimi i të ardhurave për llogaritjen e kontributeve… dhe më tej, rritja permanente e të ardhurave në sektorin publik dhe privat, ndikon në rritjen e të ardhurave të fondit të pensioneve.”
Xhepa mendon se ka hapësira për uljen e normës së kontributeve, në mënyrë që të nxitet formalizimi dhe pjesëmarrja në fondin e pensioneve. “Mundet, gjithashtu, të shikohen skema alternative për t’iu dhënë qytetarëve më shumë mundësi të marrin përsipër përgjegjësi individuale, kur të arrijnë në moshën e tretë… skema kursimi individuale, të garantuara, të patatuara… etj.”, thotë ai.
Eduart Gjokutaj, nga ana tjetër, vë theksin te rishikimi i sistemit të pensioneve në sektorin bujqësor, duke synuar rritjen e bazës së atyre që janë rezidentë dhe punojnë si të vetëpunësuar në bujqësi. Ai sjell në vëmendje faktin që reformat e ndërmarra në këtë drejtim kanë pasur efekte kundërproduktive.
“Përfundimi i bashkimit të skemës urbane dhe rurale në vitin 2018, shënoi barazimin e kontributeve që duhet të paguajnë të vetëpunësuarit bujqësorë dhe kontributet që paguajnë të vetëpunësuarit në sektorin jobujqësor. Si rezultat, numri i fermerëve që kontribuojnë në sistemin e pensioneve ra dhe pritshmëria është që ai të zvogëlohet edhe më tej në të ardhmen”, thotë Gjokutaj.
Si rrjedhojë, shpjegon ai, një numër i madh fermerësh pritet të mos kenë të drejtë për pension pleqërie dhe në këtë mënyrë të përfitojnë vetëm nga pensioni social, i cili është më i ulët se pensioni bazë.
“Sfida më e madhe për trajtim është edhe politikat e reja për ndalimin e largimit të familjeve të reja dhe të rinjve duke ndërtuar një politikë ndërsektoriale që ndërlidh ambiciet për edukim, punësim të denjë dhe bazuar mbi kërkesat e tregut të BE-së, si dhe një ambient më të mirë për të jetuar dhe banuar që lidhet me subvencionet që duhet të ndërtohen në formë paketash për familjet e reja”, thekson Gjokutaj.
Teksa ekspertët pajtohen gjerësisht rreth ndryshimeve themelore të nevojshme për skemën aktuale të pensioneve, situata aktuale përligj me siguri nevojën urgjente për ndryshim rrënjësor.
Sot, skema e pensioneve nuk kënaq askënd; as pensionistët që marrin një pension që më së shumti varion nga i pamjaftueshëm në të papërfillshëm; as qeverinë që duhet të përllogarisë miliarda lekë në buxhet për kompensimin e deficitit dhe as kontribuuesit aktualë, që nesër do të jenë përfituesit e radhës që përherë e më shumë po përballen me pasiguri për mirëqenien e së nesërmes.
Dhe ndër të gjithë këta skenarë, as që janë marrë parasysh brezat më të rinj, ata që ende nuk kanë filluar të punojnë, dhe të cilët nuk dihet se çfarë pensioni do të marrin, apo nëse të përfitojnë një pension sipas kuptimit që ai ka sot.
Arnen Sula, i cili vijon t’u rezistojë këshillave të prindërve për t’u larguar nga Shqipëria, ashtu siç tashmë kanë vepruar shumë bashkëmoshatarë të tij, këmbëngul se asnjë recetë reformash ekonomike nuk mjafton për t’i shpëtuar pensionet shqiptare nga sëmundja kronike që i ka kapluar.
Nëse nuk ngrihemi me vullnet, besim dhe përpjekje për të bashkuar forcat dhe për ta ndryshuar këtë vend, asgjë nuk do t’i shpëtojë dot brezat e shqiptarëve nga tatëpjeta; sigurisht as pensionistët e së ardhmes, njëri prej të cilëve mund të jem edhe unë”, thotë ai.
Ky artikull u mundësua me mbështetjen nga skema e granteve “BAT Civil Society”, e zbatuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim në partneritet me Faktoje dhe Center for Research and Policy Making (CRPM), mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian./faktoje.al
Agjencia Evropiane e Policisë (EUROPOL) tha se personi që u arrestua më 4 gusht në Kosovë për prodhimin e qindra mijërave monedhave false në vlerë prej dy eurove “është identifikuar si punonjës i Ministrisë së Brendshme në Maqedoninë e Veriut”.
Një ditë më parë, autoritetet në Kosovë thanë se ndaj të arrestuarit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.
“Arrestimi i tij është kulmimi i operacionit disamujor mes autoriteteve kosovare dhe maqedonase me mbështetjen e EUROPOL-it dhe Eurojust [Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale]”, u tha në njoftimin e EUROPOL-it më 6 gusht.
Agjencia e BE-së tha se 34-vjeçari i arrestuar në Prishtinë, dyshohet se ka falsifikuar qindra mijëra monedha prej 2 eurosh në dy vjetët e fundit.
Ndërkaq, në Maqedoninë e Veriut është thënë se janë kryer kontrolle në tri lokacione dhe janë sekuestruar makineri për prodhim të parave të falsifikuara me prerje metalike 2 euro, shabllone parash dhe materiale të tjera për prodhimin e monedhave të falsifikuara, duke përfshirë gjithë lëndën e parë të prodhimit të tyre.
Vitin e kaluar, Policia e Kosovës kishte iniciuar qindra raste për veprën penale “falsifikim i parasë” ndërsa vlerësohej që në treg qarkullonin qindra mijëra euro false.
Paratë false në vlerë të 2 dhe 50 eurove kanë qarkulluar më së shumti.
Në disa raste, tregtarët e kanë ndaluar kryerjen e pagesave me këto valuta, nga frika e mashtrimit.
Shefes së Onkologjikut, Silvana Çeliku, i është hequr titulli “Profesor I Asociuar”.
Ky titull mundësonte mbajtjen e saj në punë tek sektori i Onkologjikut, pasi në fakt në vitin 2021 duhej të dilte në pension.
Lajmin e heqjes së këtij titulli e raporton gazetari i Balkan web, Osman Stafa, përmes një postimi në Facebook, teksa sqaron se qëndrimi i saj në krye të sektorit të Onkologjikut është kundër ligjit.
Stafa shkruan se ka qenë një mjek I Onkologjikut, Helidon Nini ka bërë padi në gjykatë, me argumentimin se titulli ndaj Çelikut është dhënë në kundërshtim me ligjin.
Gjykata, përmes hetimeve të kryera, ka konstatuar se në fakt Dekani i Fakultetit të Mjekësisë nuk i ka përcjellë Departamentit të Kirurgjisë dosjen e kandidates Silvana Çeliku për titullin akademik “Profesor i Asociuar”, në shkelje të ligjit për arsimin e lartë dhe Rregullores së UMT-së. Duke qenë se Departamenti i Kirurgjisë, nuk është njohur me dosjen e aplikantes, nuk është mbledhur asnjëherë për ta shqyrtuar aplikimin dhe nuk ka asnjë vendimmarrje lidhur me të.
Gazetari shprehet se ka qenë bashkëshorti i Çelikut ai që e ka ndihmuar këtë të fundit të përfitojë atë titull duke qenë se është drejtuesi i Kirurgjisë, i cili nuk ka thirrur anëtarët e departamentit për aplikimin, apo të ketë kryer ndonjë mbledhje për të kërkuar marrjen e një vendimi të tillë.
Si përfundim, Gjykata e bën të pavlefshme në mënyrë absolute vendimin për dhënien e titullit akademik “Profesor i Asociuar” dhe heqjen e këtij titulli Çelikut.
Stafa, në rolin e gazetarit, ngre pyetjen se nëse të gjitha këto qëndrojnë si arsye përse shefja e Onkologjikut nuk raporton mbi mungesat e barnave kimio, duke marrë parasysh deklaratën e saj në Komisionin e Shëndetësisë, që ngriti shumë reagime tek njerëzit.
POSTIMI
SHEFJA E ONKOLOGJIKUT, SILVANA ÇELIKU, NË DETYRË NË KUNDËRSHTIM ME LIGJIN
Znj. Çeliku në 2021, duhet të dilte në pension. Por kjo nuk ndodhi, pasi shumë afër ditës së pensionimit të saj, ajo merr një titull: “Profesor i Asociuar”. Ky titull i dha mundësinë asaj, të qëndronte ende në punë dhe të emërohej Shefe e Onkologjikut.
Një mjek tjetër i Onkologjikut, Helidon Nini bën padi në Gjykatë, me argumentin se ky titull, i është dhënë në kundërshtim me ligjin.
Gjykata ka arritur në konkluzionet:
1. Dekani i Fakultetit të Mjekësisë nuk i ka përcjellë Departamentit të Kirurgjisë dosjen e kandidates Silvana Çeliku për titullin akademik “Profesor i Asociuar”, në shkelje të ligjit për arsimin e lartë dhe Rregullores së UMT-së.
2. Departamenti i Kirurgjisë nuk është njohur me dosjen e aplikantes, nuk është mbledhur asnjëherë për ta shqyrtuar aplikimin dhe nuk ka asnjë vendimmarrje lidhur me të.
3. Drejtuesi i Departamentit të Kirurgjisë, bashkëshorti i Silvana Çeliku, në konflikt të pastër interesi, ka marrë pjesë në procedurën për dhënien e titullit “Profesor i Asociuar” bashkëshortes së tij.
4. Drejtuesi i Departamentit nuk ka njoftuar anëtarët e Departamentit për aplikimin, nuk ka thirrur asnjë mbledhje apo të ketë kërkuar marrjen e një vendimi, por në shkelje të detyrimeve ligjore, ka caktuar një komision të posaçëm për të vlerësuar dosjen e bashkëshortes së tij.
5. Nisur nga shkeljet e rënda proceduriale, Gjykata ka vendosur konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit për dhënien e titullit akademik “Profesor i Asociuar” dhe heqjen e këtij titulli zonjës Silvana Çeliku.
________
Pra znj. Çeliku është në atë detyrë vetëm si pasojë e atij titulli, që Gjykata e Shkallës së Parë, ia ka hequr, pasi vlerëson se është marrë në kundërshtim me ligjin dhe në konflikt interesi.
A është kjo arsyeja se pse znj. Çeliku, nuk flet për mungesën e ilaçeve kimio, të cilat nëse nuk jepen sipas protokollit nuk kanë asnjë vlerë për pacientin?
A është kjo arsyeja, marrja e një titulli në mënyrë të padrejtë, që shefja e onkos, të relativizojë skandalet e atij pavioni?
p.s Unë nuk kam asnjë lloj njohje personale me Silvana Çelikun as me Helidon Ninin. As kam pasur të bëj dhe uroj që asnjëherë të mos të kem të bëj me të dy. Me emrin e znj. Çeliku jam njohur për herë të parë në Dosjen “Onkologjiku” dhe për herë të dytë në Komisionin e Shëndetësisë, ku ajo raportoi për skandalin.
Gjithë këto kohë ende nuk kam arritur të jap një përgjigje pyetjes: Si ka mundësi të bëj ato deklarata, ku ndër më skandalozet ishte; “mungesa ka pasur edhe do ketë”?
Si mund të flasë një shefe kështu? Në vend që ajo të ngrejë kujën se ilaçet kimio mungojnë, ajo relativizion çdo gjë.
Më bëri shumë përshtypje, sesi mbronte një sistem (Onkologjikun), i cili në momentin që ajo po fliste mungonin 4 medikamente shumë të rëndësishme. (Gemcitabina, irinotekani, erlotinib, paxlitacel).
Pastaj, jo njerëzore, ishte deklarata e saj per të ndjerën, zysh Ina Kasimatin. Si mund të flasësh duke hedhur baltë mbi deklaratat e së ndjerës, teksa ajo s’mund të të kthej përgjigje? Dhe Silva Çeliku gënjen kur thotë se nuk e njihte, pasi siç thonë kolegët e saj, e njihte shumë mirë.
Më besoni, unë kurrë nuk do të shkruaj për një mjek, veçse kur ka vendime gjykate, apo kur bëjnë deklarata skandaloze, duke mbrojtur të pavërtetën, në dëm të pacientit.
Jam me të gjithë ata mjekë të cilët punojnë ndershmërisht, e duan këtë vend dhe duan të bëjnë më mirë për shëndetësinë shqiptare.
Problemet me tiroiden nuk vërehen vetëm tek njerëzit në moshë madhore por edhe tek të rinjtë.
Në rastin e tyre, simptomat e problemeve me tiroiden, shpesh nënvlerësohen, neglizhohen, madje i atribuohen edhe stresit ose ushqyerjes.
Ekspertët thonë se problemet me tiroiden mund të shfaqen në çdo moshë, por njerëzit ndërgjegjësohen për to në moshën e mesme ose më vonë gjatë jetës.
Prandaj, sipas tyre, është shumë e rëndësishme që njeriu të mësojë simptomat paralajmëruese të problemeve me tiroiden që të jetë i përgatitur.
Rënia e flokut
Rënia e flokut është një nga simptomat e lidhura fort me problemet në funksionin e tiroides.
Në varësi të problemit, njeriu edhe në moshë të re mund të përballet me rënien e flokut dhe hollimin e tij.
Konstipacioni
Konstipacioni dhe fryrjet mund të jenë rezultat i një problemi të fshehur me tiroiden, veçanërisht hipotiroidizmin.
Ky problem mund të ngadalësojë disa procese në trup, përfshirë këtu jashtëqitjen.
Luhatjet e humorit
Luhatjet e humorit, ankthi dhe depresioni mund të shkaktohen nga një sërë problemesh përfshirë këtu ato me tiroiden.
Ndryshimet hormonale shkaktojnë shumë drobitje të sistemit mendor dhe nxisin luhatjet e humorit.
Shtimi i papritur në peshë
Ekspertët thonë se shtimi i pashpjeguar dhe i beftë në peshë është një nga simptomat më të përhapura në mesin e njerëzve që vuajnë nga tiroidja, të rinj apo në moshë madhore.
Tharja e lëkurës
Përtharja e lëkurës është gjithashtu një simptomë e hipotiroidizmit dhe ka tendencën të përkeqësohet nga moti i ftohtë.
Sipas të dhënave, 77% e njerëzve që vuajnë nga hipotiroidizmi kanë lëkurë të thatë.
Problemet me kujtesën
Nëse vëreni që keni probleme me kujtesën, atëherë mund ta ketë fajin tiroidja.
Mungesa e përqendrimit dhe harresa janë efekte anësore të mjegullimit të trurit që shkaktohet gjithashtu nga hipotiroidizmi.
I ftohti
problem të mundshëm me tiroiden. Kjo për arsyen se tiroidja njihet edhe si termostati i trupit dhe rregullon temperaturën e tij.
Etrit Berisha vazhdon të jetë në kërkim të një aventure të re në kampionatin italian, pasi i ka dhënë lamtumirën Empolit. Për momentin, ai vazhdon të jetë pa ekip, pasi nuk ka gjetur akordin me klube të ndryshme që e kanë kontaktuar, ndërsa së fundmi ka marrë një propozim paksa të veçantë.
Klubi i Kaljarit ka vuajtur këto ditë dëmtimin e portierit të tretë Çioçi dhe në këtë mënyrë është në kërkim të një alternative cilësore për katërkëndorin, duke menduar edhe për një largim të mundshëm të titullarit Skufet i cili kërkohet nga klube të tjera.
Sipas “Unione Sarda”, kjo është arsyeja pse është kontaktuar Berisha për të bërë “të tretin” momentalisht. I dyti në hierarkinë e skuadrës është pikërisht Alen Sherri, i transferuar pak ditë më parë nga radhët e Egnatias te klubi i Sardenjës. Në rast largimi të Skufet, Berisha do të duhej të rivalizonte pikërisht me Sherrin për vendin e titullarit në radhët e Kaljarit në vijimin e sezonit.
Eluned Morgan është zgjedhur si ministrja e parë e Uellsit, gruaja e parë që mban këtë post.
Morgan u konfirmua si ministre e parë në një votim të anëtarëve të Senedd sot.
Parlamenti i Uellsit u tërhoq nga pushimet verore për një takim të posaçëm për të votuar për një ministër të ri të parë pas dorëheqjes së Vaughan Gething si lider i Laburistëve të Uellsit .
Eluned Morgan mori 28 vota, lideri konservator i Uellsit Andrew RT Davies siguroi 15 dhe udhëheqësi i Plaid Cymru Rhun ap Iorwerth mori 12 nominime.
Pasi siguroi mbështetjen e Seneddit të martën në mëngjes, Morgan tha se ishte një “ditë historike”.
Ajo tha se ishte “nderi më i madh i jetës saj” të bëhej ministrja e parë grua e Uellsit, gjë që u prit me duartrokitje nga galeria publike.
Nje parti nuk mund te fitoje kurre, aq me pak kur mendon se perballe ka nje sistem te organizuar politik qofte ky autoritarist apo autokratik, duke bere veprime te karakterit strategjik.
Nje parti nuk fiton kurre duke bere aleanca joparimore apo duke dashur te perdore konfigurimin politik, duke bere llogari me kapje apo leshim kandidatesh apo ceshtjesh, duke bere intriga politike apo marreveshje dhe mosmarreveshje politike brenda konfigurimit politik dhe sipas nevojes se ketij konfigurimi.
Keto jane te gjitha budallalleqe.
Nje parti fiton duke bere “statement” duke treguar cfare idesh ka, pse i ka keto ide, pse keto ide jane me te mira se sa te kundershtarit dhe duke treguar qe keto ide ajo i bart vertet, i ka te brendesuara ne qenien e vet dhe nuk i perdor kot per te kaluar radhen. Gjithashtu ajo duhet te tregoje qe njerezit jane ne gjendje qe keto ide te realizojne, kane kapacitetin ti realizojne.
Minimumi nje parti fiton vetem kur perpiqet ne kete drejtim. Shkurt kjo ben qe njerezit te kuptojne se kjo parti mund te qaje hallin e tyre, mund te jete vertet e shqetesuar per ta Kjo eshte politika. Tjetra eshte antipolitike ose apolitike.
Rritja e çmimeve në Kosovë mori hov nga viti 2022. Inflacioni filloi të rritej pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës. Nga atëherë, çmimet nuk kanë rënë më, përkundrazi vetëm janë rritur. Paga mesatare në Kosovë është 520 euro, ndërsa ajo minimalja varion nga 130 deri në 170 euro.
Të paktë janë ata që po e bëjnë një jetë të dinjitetshme. Disa po e sigurojnë me vwshtirwsi bukën e gojës.
Jeta për qytetarët e Kosovës çdo ditw më shumë po rwndohet. Çmimet e artikujve ushqimorw nuk janë ulur më, që kur u rritwn në vitin 2022 për shkak të luftës mes Rusisë e Ukrainës.
Aktualisht, shumë qytetarë të Kosovës detyrohen të mbijetojnë me pak para që i marrin, ndërkohë që çmimet e konsumit vetëm po rriten.
Paga minimale vazhdon të jetë 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për ata deri në 65 vjeç, ndërsa mesatarja, rreth 520 euro.
Qeveria ka propozuar rritjen e pagës minimale në 264 euro, por ligji nuk ka hyrë në fuqi ende.
Një studim i fundit i Institutit “Musine Kokalari” në Prishtinë tregon se vetëm 20% e pagave në Kosovë i plotësojnë standardet për një jetë të dinjitetshme – me 1.152 euro neto në muaj, që i nevojiten një familjeje me 4 anëtarë.
59% të qytetarëve e sigurojnë me vwshtirwsi ushqimin
Gjendjen në të cilën po jetojnë qytetarët e Kosovës e ka treguar edhe Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI) që ka publikuar raportin për Kosovën për muajin maj 2024, në të cilin tregohet se problemi më i rëndësishëm të cilin ballafaqohet Kosova, është kostoja e jetesë apo çmimet e larta si dhe papunësia.
Raporti i IRI-t vë në pah se kostoja e jetesës, çmimet e larta e papunësia vazhdojnë të mbesin problemet me të rëndësishme të qytetarëve.
Në pyetjen e IRI-t për anketuesit se “cili është problemi më i rëndësishëm me të cilin përballet vendi ynë sot? Dhe cili është problemi i dytë më i rëndësishëm?” – përgjigjet janë:
33% e tyre kanë thënë se problemi kryesor është kosotja e jetës dhe çmimet e larta, për dallim prej 32% që e kanë renditur si problem të dytë. Në përgjithësi, 65% kanë thënë se këto dy janë problemet kryesore.
Ndërsa, papunësia është problemi i parë më i rëndësishëm për 44%, ndërkaq, 13% e kanë konsideruar si problem të dytë dhe në përgjithësi me 57%.
Të sfida e çmimeve të larta, 59% e të anketuarve janë përgjigjur se çmimi i lartë i ushqimit është problemi kryesor, pasuar me 25% për koston e lartë të jetesës në krahasim me të ardhurat nga puna.
Anketuesit janë pyetur edhe se si do ta përshkruanit gjendjen aktuale të ekonomisë në vend dhe sipas të dhënave, 48% kanë thënë se është disi keq, 20% shumë e keqe, 27% kanë thënë se është disi e mirë dhe 4% shumë e mirë.
Duke e krahasuar me muajin mars të vitit të kaluar, del se gjendja aktuale e ekonomisë së vendit është vlerësuar me 23% që kishin thënë disi e mirë, ndërsa, me 44% disi e keqe dhe me 20% shumë e keqe.
Më të pakënaqurit me gjendjen aktuale të ekomomisë janë shprehur qytetarët e moshave nga 18 deri në 35 vjeç me 50% që janë përgjigjur se ekomomia është disi e keqe.
Pushimet me para borxh dhe huazime
Aleanca Kosovare e Bizneseve ka bërë një hulumtim rreth pushimeve verore. Sipas këtij hulumtimi, rreth 57% e qytetarëve të Kosovës do të shkojnë në pushime verore, ndërsa 24% nuk e kanë planifikuar një pushim të tillë.
“Nga ky studim rezulton se 57% të qytetarëve të Kosovës do shkojnë në pushime verore, 24% as që kanë në plane pushimin veror, 13% ndoshta, kurse 6% nuk kanë dhe ndonjë përgjigjeje”.
Por, përqindje e madhe kanë treguar se paratë për pushime do t’i marrin në kredi dhe huazime.
“Në pyetjen tjetër ku do t’i marrin paratë për pushime, rezulton se 40% nga kursimet, 30% nga kreditë, 25% nga huazimet ,5% nuk janë përgjigjur”. .
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini ka thënë se nga kjo mund të konstatojmë se vetëm 57% e qytetarëve të Kosovës e kanë mundësinë të shkojnë në pushime.
“…kurse 43% nuk e kanë këtë mundësi për pushime edhe pse kanë nevojë, kurse nga 57% që e kane këtë mundësi 55% e tyre shkojnë me paratë nga burimet e borxhit dhe huazimet. Në ditët në vijim do të publikohet pjesa e dytë se ku po shkojnë për pushime kosovarët në Verën 2024 dhe sa para do i shpenzojnë”.
Ekspertët kritikojnë pushtetin, thonë se duhet të rriten pagat
Eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu, mendon se çështja e pagës minimale në Kosovë është neglizhuar nga kriza politike që është duke mbizotëruar në vend, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe sanksionet nga Bashkimi Europian.
“Duhet të kuptohet e vërteta që Kosova po përballet me një krizë politike, dhe kjo si rrjedhojë, e kësaj krize politike, falë dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe sanksionet nga Bashkimi Evropian, shumë procese të rëndësishme ekonomike dhe sociale kanë mbetur të anashkaluara.
Në këtë drejtim, kemi inflacion, kemi importuar inflacion, dhe efektet e inflacionit po e dikton më shumë qytetari i Kosovës, përmes ngritjes së çmimeve, dhe në këtë drejtim këto paga kanë mbetur në nivelin paraprak”.
Gërxhaliu thotë se paga minimale edhe nëse bëhet 250 eurove nuk është e mjaftueshme për jetesë.
“Jo definitivisht, në qoftë se e shohim ngritjen e çmimeve, dhe tregtisë, është shumë e vështirë të jetohet me 250 euro pagë. Ku dihet fare mirë, që fuqia blerëse ka rënë, shporta e qytetarit për prodhime esenciale është shumë e shtrenjtë, dhe me të vërtetë është një pagë e cila nuk garanton një jetë normale”.
Gërxhaliu tregon se paga minimale në Kosovë por edhe ajo mesatare janë të ulëta. Ndërsa për pagë minimale mendon se duhet të jetë të paktën 450 euro.
“Nuk duhet pritur zgjedhjet politike që të rritet paga minimale. Çdo vlerë e pagës aktuale minimale është e vogël, dhe realisht, çdo pagë ndër 450 euro është me të vërtetë denigruese.”.
Kurse, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, thotw se paga minimale e një punëtori në Kosovë duhet të jetë 550 euro, kjo pasi shumica e vendeve në rajon e kanë tanimë këtë pagë minimale.
“Paga minimale ka të bëjë si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik. Por, megjithatë, në sektorin publik, nuk kemi pagë të cilën është duke u folur për tani.
Paga minimale që tani për tani mund të plotësojë kërkesat më elementare, do të ishte 550 euro. Aty ku janë thuajse një pjesë e madhe e vendeve në rajon, dhe gjithçka që të bisedohet për pagën 550 euro është kostoja për shepnzimet për 4 persona nuk mund ti mbulojë as nevojat më elementare.”
Azemi ka treguar se vitin e kaluar kanë propozuar që paga minimale të jetë 450 euro, por sipas tij, kjo tanimë është demode. Thekson se me rritjen e çmimeve dhe ikjen e fuqisë punëtore duhet të jetë 550 euro.
“Vitin e kaluar kemi thënë se një pagë minimale duhet të jetë 450 euro, por sivjet kjo pagë është demode, dhe nuk merret askush me të. Por mendoj që ata që kanë vendosur të jetojnë këtu, nëse e bëjmë një pagë 550 euro, do t’i futë në mëdyshje punëtorët dhe do të anojë nga ajo që të qëndrojnë edhe për një kohë që ndoshta do të lëvizë edhe kjo.
Përndryshe, edhe nëse sot e bëjmë pagën 550 euro, ata të cilët janë larguar nga vendi, e kanë ndarë mendjen, kanë pritur më shumë se dy dekada që të ketë përmirësime”.
Paga minimale vazhdon të jetë 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për ata deri në 65 vjeç.
Qeveria ka propozuar rritjen e pagës minimale në 264 euro, por ligji nuk ka hyrë në fuqi ende.
Ligji për pagën minimale në Kosovë – që do ta rrisë atë në 264 euro bruto për të gjithë të punësuarit – është miratuar në korrik të vitit të kaluar, por është sfiduar në Gjykatën Kushtetuese nga disa deputetë të opozitës, për shkak të shkeljeve të pretenduara ndaj personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë.
Por, në fund të muajit të kaluar, Gjykata Kushtetuese ka nxjerrë një vendim me të cilin ka konstatuar se në ligj nuk ka shkelje. Gjykata, po ashtu, ka rekomanduar që ligji t’i dërgohet presidentes Vjosa Osmani për shpallje./Monitor.al
Në datën e fundit të çdo muaji, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit derdh një pagesë prej 142 mijë eurosh në llogarinë e kompanisë Advanced Business Solutions. Pagesa është rezultat i një tenderi sekret të zhvilluar në verën e vitit të kaluar me objekt mirëmbajtjen e infrastrukturës së qendërzuar për hostimin e sistemeve qeveritare dhe e infrastrukturave mbështetëse të datacenterit qeveritar.
Kjo është një kontratë mirëmbajtje, e cila nuk ka asnjë shpenzim për blerje pajisjesh apo çfarëdo shpenzimi tjetër, përvec kostos së punonjësve. E megjithatë, të dhënat nga bilanci zyrtar tregojnë se e gjithë kostoja mujore e pagave të kompanisë Advanced Business Solution është 128 mijë euro.
Pra vetëm me kontratën sekrete të mirëmbajtjes së infrastrukturë së qendërzuar kompania, jo vetëm që paguan të gjithë faturën e rrogave, por heq edhe 14 mijë euro mënjanë çdo muaj. Por kjo nuk është pagesa e vetme sekrete që AKSHI i derdh ABS-së çdo muaj. Të dhënat e thesarit tregojnë se kompania përfiton të paktën edhe tre pagesa të tjera mujore për kontratat sekrete nga AKSHI, të cilat variojnë nga 11 deri në 18 mijë euro në muaj.
Në total ABS përfiton mesatarisht 180 mijë euro në muaj pagesa për kontratat sekrete që ka fituar nga AKSHI. Edhe këto janë të gjitha kontrata mirëmbajtje, pa asnjë shpenzim shtesë veç kostos së punës. Dhe mjaftojnë vetëm këto katër pagesa që kompania të shlyejë tërësisht fondin e pagave dhe të fitojë minimalisht 50 mijë euro në muaj.
Rasti i kompanisë ABS është vetëm një nga këneta e madhe e tenderave sekretë të AKSHI-t. Tre kompani të tjera të quajtura Ikubinfo, Infosoft dhe Intech+ marrin çdo muaj 390 mijë euro pagesa për një kontratë sekrete që e kanë fituar në bashkëpunim. Bëhet fjalë për mirëmbajtjen e Infrastrukturës eGov dhe Platformës Qeveritare të Ndërveprimit.
Edhe kjo kontratë me afat 2 vjeçar është e gjitha mirëmbajtje, pra nuk ka asnjë shpenzim për blerje pajisjesh apo kosto të tjera përveç punës. Dhe paratë vazhdojnë të rrjedhin çdo muaj deri sa të plotësohet shuma prej 10 milionë eurosh, që është vlera totale e kontratës.
Biznes gjigand
Të dhënat zyrtare tregojnë se në që nga viti 2019, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka kryer 66 milionë euro pagesa për kontrata sekrete. Shifra vazhdon të rritet nga muaji në muaj, teksa hapësira e shërbimeve dixhitale zgjerohet gjithmonë e më shumë.
Ky është një biznes gjigand, që e bën inceneratorin e Tiranës të duket një lodër e vogël. Për këtë mjafton vetëm një statistikë. Aq sa paguhet në muaj inceneratori i Tiranës, AKSHI i bën vetëm pagesa për kontra sekrekte.
Aktualisht AKSHI paguan mesatarisht 1 milionë e gjysmë euro në muaj për kontratat sekrete. Përfituesit e këtyre parave janë një grusht i vogël kompanish, të cilët rezultojnë dhe bizneset më normat më të mëdha të fitimeve në Shqipëri.
Kapitali analizoi bilancet e disa prej kontraktorëve më të mëdhenj të AKSHI-t. Normat e tyre të fitimeve variojnë nga 20 deri edhe në 70 për qind e xhiros. Dhe kjo pa marrë parasysh nënkontraktimet që këto biznese bëjnë tek biznese të tjera të lidhura me to, të cilat rezultojnë në zhvendosje masive fitimesh.
Normat stratosferike të fitimeve dëshmojnë qartë se tenderat e AKSHI-t prokurohen me çmime disa fish mbi koston reale. Dhe ndërsa qytetarët paguajnë faturën e kripur të kënetës dixhitale të korrupsionit, një grusht i vogël kompanish janë shndërruar sheikët e vërtetë në mesin e sipërmarrjes shqiptare.
Të penduar dhe përgjime
Në maj të vitit të kaluar, hetuesit e BKH dhe prokurorët e SPAK mësynë në zyrat e AKSHI-t duke sekuestruar telefona dhe kompjutera nga punonjësit e institucionit. Por drejtoresha e AKSHI-t u la jashtë këtij aksioni. Megjithatë Mirlinda Karçanaj është thirrur disa herë në zyrat e SPAK në kuadër të hetimeve për tendera.
Kapitali ka mësuar se janë disa tendera, të cilët kanë rënë në rrjetën e Prokurorisë së Posaçme. Mes tyre, njëri më flagranti është tenderi 16 milionë euro për laboratorët smart në 216 shkolla të vendit.
Tenderi i fituar nga kompania Albascan është veshur me dyshime shumë të forta për korrupsion për shkak se fondi limit i tij u rrit me 3 herë krahasuar me një tender identik që AKSHI kishte kryer një vit më parë. Por përtej kësaj, Kapitali ka mësuar se laptopet e përdorur për klasat laboratorike janë zhdoganuar me çmim gati katër herë më të ulët në doganë se sa çmimi që i janë shitur AKSHI-t.
Për të mbuluar diferencat skandaloze në çmime, kompjuterat janë shitur në tre duar brenda vendit, përpara se të shkojnë tek AKSHI. Trekendëshi i shitjeve është realizuar mes kompanive Infosoft Systems, Advances Business Solutions dhe Albascan.
Fill pas këtij tenderi dhe me nisjen e hetimeve, kompania Advanced Business Solutions është zhdukur në mënyrë urgjente nga tenderat e AKSHI-t dhe që nga fillimi i këtij viti nuk hyn më në asnjë procedurë prokurimi të këtij institucioni.
Burime nga prokuroria kanë konfirmuar se në rrethin e kompanive të përdorura për të tretuar miliarda nga AKSHI ka dëshmi të penduarish, ndërkohë që ish kryeministri Sali Berisha dhe më vonë ish zvkryeministri Arben Ahmetaj kanë deklaruar se ka dhe një përgjim ambiental, në qendër të të cilit qëndron pikërisht kompania Advanced Business Solutions.
Por pastrimi i kënetës dixhitale do të kërkojë shumë më tepër se sa largimi i një kompanie. Sepse tani ajo ka rënë në duart e krimit të organizuar./Kapitali.al
Doriana Musai, urbaniste tha se festivali i arkitekturës se ishte një akt i mirëfilltë teatral dhe se fjalimi i Ramës ishte folklor dhe poezi.
Sipas...