29.5 C
Tirana
E hënë, 18 Gusht, 2025

Bashkëshorti m*sakroi gruan me sëpatë, djali i mori jetën duke e hedhur nga shkallët! Zbardhen identitetet e viktimave dhe 40-vjeçarit në Konispol (EMRAT)

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mëngjesin e sotëm në fshatin Shalës të Konispolit. Një 69-vjeçar i identifikuar si Huso Islami ka vrarë me sëpatë bashkëshorten e tij 66-vjeçaren, Shano Islami.

Pas krimit të rëndë, djali, 40-vjeçari Klement Islami ka hedhur nga shkallët të atin dhe ky i fundit ka ndërruar jetë në vend.

Policia ka arrestuar 40-vjeçarin dhe ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 07:00, në fshatin Shalës, Konispol, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, në banesë, shtetasi H. I., 69 vjeç, ka vrarë me mjet prerës (dyshohet sëpatë) bashkëshorten e tij, shtetasen Sh. I., 66 vjeçe.

Më pas, shtetasi H. I. dyshohet se është konfliktuar me djalin e tij, shtetasin K. I., rreth 40 vjeç, i cili e ka shtyrë shtetasin H. I. nga shkallët e banesës. Si pasojë e dëmtimeve, shtetasi H. I. ka humbur jetën në vendngjarje.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Konispol, pas njoftimit të marrë, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në ambientet e Policisë të autorit të dyshuar, shtetasit K. I.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Pas qepës dhe grurit, fermerët e Korçës po shesin nën kosto edhe pataten; konkurrohen nga importet

Pas qepës dhe grurit, fermerëve të Korçës rrezikohet t’u mbetet stok edhe prodhimi i ri i patates. Shkak është çmimi i shitjes nën koston e prodhimit nga mungesa e tregut.

Aktualisht, patatja në tregun e shumicës po kërkohet të blihet te fermeri me çmim 20-30 deri në 33 lekë për kg apo rreth 20 lekë më lirë se vjet. Krahasuar me vitin e kaluarm çmimi i shitjes është 40% më pak.

Mikel Plasa, një nga kultivuesit më të mëdhenj të patates në zonën e Korçës, tha për “Monitor” se këtë vit ka mbjellë 20 ha tokë me patate, në sasi të njëjtë me vjet. Ai pret të vjelë deri në mbylljen e sezonit më 15 shtator rreth 9 mijë tonë papate, për të cilat nuk ka treg shitjeje.

“Kemi filluar të vjelat e para të patates, prodhimi është i mirë, pavarësisht klimës së thatë, por problem mbetet mungesa e tregut të shitjes.

Patatja po kërkohet me çmim shitje nga 25 lekë për kg nga tregtarët vendas, maksimumi deri 33 lekë për kg. Çmimi i kërkuar është nën koston e prodhimit, është sikur ta japësh falas.

Nëse e shes me këtë çmim prodhimin, automatikisht jam me humbje prej 80 mijë eurosh. Që të dalësh me fitim duhet ta shesësh pataten të paktën me çmim 50 lekë për kg”, pohon ai.

Fermeri nga zona e Korçës, Mikel Plasa, nënvizon se rënia e çmimit është ndikuar nga “loja” që bëjnë tregtarët e shumicës me çmimin për mallrat që blejnë direkt nga fermerët, pasi në tregun e pakicës çmimi i shitjes së patates ka arritur deri 90 lekë për kg.

“Nga ana tjetër importi i patates, veçanërisht nga Kosova ka ndikuar te rritja e ofertës në treg. Patatja e importit që vjen nga Kosova po tregtohet në vend me çmim 20 cent euro për kg, për shkak të subvencioneve të larta që iu jepen fermerëve”, shton ai.

E vetmja zgjidhje mbetet magazinimi i prodhimit deri në rritje të çmimit, por edhe në këtë rast fermerët pohojnë se humbjet nga kalbja e patates janë të konsiderueshme.

Sipas të dhënave të INSTAT, vitin e kaluar në vend u prodhuan rreth 274,1 mijë tonë patate. Krahasuar me 2022, prodhimi u rrit 4,3%.

Disa javë më parë, fermerët e kësaj zone u përballën edhe me mungesën e tregut për prodhimin e qepës dhe grurit. Kjo detyroi disa fermerë në zonën e Korçës të dalin në protestë.

Të nxitur nga rritja e kërkesës në tregun e brendshëm për shkak edhe të fluksit të lartë të turistëve vitin e kaluar, fermerët në zonën e Korçës shtuan të mbjellat për qepë të thatë dhe patate rreth 30% më shumë se vjet. Por çmimi i kërkuar me shumicë arriti 25 lekë për kg, apo 50% më pak se vjet.

Sipas të dhënave të INSTAT në rang vendi, në vitin 2023 u prodhuan 117,1 mijë tonë qepë të thatë. Në raport me 2022 prodhimi u rrit rreth 8%.

Ndërsa shitja e grurit ka hyrë në vitin e dytë të krizës. Sivjet çmimi i kërkuar i shitjes varion nga 21 deri 23 lekë për kg nga 28 lekë për kg që u kërkua vitin e kaluar nga 21 deri 33% më pak se vjet. Edhe për grurin sipas fermerëve çmimi i kërkuar është komplet nën kosto./D.Azo

Turizëm mes plehrave në Golem

Në mbrëmje, shëtitorja e plazhit të Golemit, nga Shkëmbi i Kavajës e deri te Mali i Robit është e mbushur me pushues.

Dëgjon të flitet nga të gjitha gjuhet, teksa mbizotëron ajo sllave.

Durrësi dhe Kavaja u kthyen vitet e fundit në një nga modelet më të mira të turizmit në vend, pas investimeve të mëdha të bizneseve në hoteleri, çka tërhoqi agjencitë e huaja që sjellin turistë të organizuar nga gjithë Europa.

Kjo zonë ishte nga të parat që futi konceptin e “të gjitha të përfshira”, ndërsa çmimet mbeten ekonomike, në kontrast me Jugun, duke i bërë hotelet që të “vuajnë” më pak braktisjen e pushuesve.

Kontrasti i turizmit  që “shkëlqen” në bregdet është i madh me zonën e brendshme, nga hotelet drejt rrugës dytësore.

Pothuajse kudo shikon qese me plehra të hedhura grumbull në trotuar, apo në cep atë rrugëve.

Një pamje kjo që nuk është aspak e hijshme për një vend që po mirëpret miliona turistë në vit dhe po përpiqet me çdo kusht të ruajë këtë burim të ardhurash për ekonominë lokale.

 

Turistë në shëtitoren e Golemit

 

Plehra të hedhura në çdo cep

Kush po i hedh plehrat

Në fillim të këtij sezoni, Bashkia e Durrësit u kërkoi hoteleve që t’i menaxhonin vetë plehrat, nëpërmjet kompanive private.

Burime zyrtare nga Bashkia thanë se ashtu si të gjitha bashkitë e tjera, edhe ajo e Durrësit është përgjegjëse për mbledhjen vetëm të plehrave të qytetarëve.

Operatorët turistikë pohojnë se me detyrën e menaxhimit të mbetjeve, bashkia ka hequr edhe koshat e plehrave në zonën nga Shkëmbi i Kavajës deri te Mali i Robit, ndërsa ata po detyrohen që të largojnë plehrat me koston e tyre.

“Muajt e fundit, Bashkia e Durrësit na ka kërkuar ne si struktura akomoduese të menaxhojmë mbetjet. Pavarësisht se ne paguajmë taksa, detyra për menaxhimin e mbetjeve na ka ngelur ne.

Për menaxhimin e tyre ne kemi kontaktuar kompani private që të merren me këtë shërbim, duke shtuar më shumë kostot për ne gjatë këtij sezoni turistik”, pohon David Hyka, administratori i Diamma Resort.

Fatos Çerenishti nga “Fafa”, struktura më e madhe akomoduese në zonën e Golemit me rreth 2 mijë shtretër, pohon se që pas urdhrit të bashkisë, ata i heqin vetë plehrat që gjeneron hoteli, nëpërmjet kompanive private të kontraktuara.

Ai shton se problemi është se nuk ka kosha për qytetarët dhe pallatet.

 

Dikush po hedh plehrat në cep të rrugës, aty ku është shënimi ndalohet hedhja e plehrave

 

Burime zyrtare nga Bashkia thanë vendet e hedhjes së mbeturinave kanë mbetur të pandryshuara dhe koshat jo vetëm që nuk janë reduktuar, përkundrazi janë shtuar.

Koshat ndodhen në rrugë dhe plehrat mblidhen 4-6 herë në ditë.

Bashkia po heq dhe plehrat kudo që i sheh në cepa trotuaresh dhe rrugësh.

Pak më tutje në vëzhgimin tonë, hasim një individ që afrohet anash rrugës dhe hedh dy qese në një vend pranë stacionit të autobusit, ku ka dhe mbetje të tjera dhe largohet i pa shqetësuar nga turistët që kalojnë aty pranë.

Pikërisht në vendin ku ai hedh mbeturinat ndodhet njoftimi i bashkisë “Ndalohet hedhja e mbeturinave, në të kundërt do të gjobiteni nga Policia bashkiake”!

Një ndërgjegjësim i qytetarëve mbetet i domosdoshëm për të mos krijuar vende mbeturinash në rrugë e trotuare, por për t’i hedhur ato në vendet e caktuara për depozitim.

 

 Ujëra të zeza, trotuare të papërfunduar, mungesë ndriçimi

Dy rrugët dytësore të Golemit, përveçse deshën disa vjet për t’u ndërtuar, nuk kanë përfunduar ende tërësisht.

Ato pak trotuare që ka, për shkak të mungesës së hapësirës, janë lënë me zhavorr. Ndriçim nuk ka, duke detyruar pushuesit të përdorin telefonat për të parë rrugën.

 

Ujërat e zeza që derdhen në rrugë

 

Në rrugën që të çon në kompleksin Diamma, që vitet e fundit e fundit ka investuar duke ndërtuar hotel me standarde të larta, duhet të zësh hundët.

Ujërat e zeza derdhen në rrugën jashtë hotelit, që është lënë në një gjendje të mjeruar.

Turistët detyrohen të tërheqin valixhen përmes ujit të zi, në mungesë të ndriçimit që të shkojnë te autobusi për t’u larguar. Dhe kjo është lamtumira më e keqe që mund ti jepet një turisti!

Mbyllja e 9 degëve të postës së Serbisë në veri të Kosovës, reagon Ambasada e SHBA në Prishtinë: Veprime që nxisin përshkallëzim të tensioneve

Ambasada amerikane në Prishtinë, ka reguar lidhur me vendimin e qeverisë së Kosovës për mbylljen e 9 degëve të postës së Serbisë në veri të vendit.

Në një reagim, ambasada e SHBA është shprehur se është thellësisht e zhgënjyer nga ato që i ka cilësuar veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës, kundër degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës.

“Veprimet e pakoordinuara të Kosovës përballin shtetasit e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it me rrezik të madh, nxisin përshkallëzim të panevojshëm të tensioneve rajonale, dhe minojnë reputacionin e Kosovës si partnere e besueshme ndërkombëtare”, është thënë në reagimin e Ambasadës amerikane në Prishtinë.

Në deklaratë, Ambasada e SHBA i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’iu japë fund veprimeve të njëanshme dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, për t’i zgjidhur çështjet e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë.

Deklarata e plotë

Qeveria e SHBA është thellësisht e zhgënjyer nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës kundër degëve të postave serbe në veri të Kosovës.

Veprimet e pakoordinuara të Kosovës i vënë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik më të madh, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar.

Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të ndërpresë çdo veprim të mëtejshëm të njëanshëm dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

ZYRTARE/ Rikardo Rodriguez surprizon me të ardhmen, ish-futbollisti i Milanit transferohet te klubi i La Ligës

Rikardo Rodriguez është lojtar i ri i Betisit në La Liga. Mbrojtësi zviceran, i liruar më 1 korrikun e kaluar nga Torino, ka nënshkruar me bardheblutë deri më 30 qershor 2026. Në të kaluarën Rodriguez ka qenë edhe pjesë e Milanit.

31-vjeçari ka marrë pjesë në 3 Kupa Botërore, 3 Kampionate Evropiane dhe një Olimpiadë.

https://www.instagram.com/p/C-TQUT6q4OW/?utm_source=ig_embed&ig_rid=7d0a3c37-dda7-45ca-a30d-148762dab985&ig_mid=03F9343A-2109-409E-BF75-D921171B4BBC

Lëng rrushi me piper të zi, kura kundër gurëve në veshka

Rrushi është një frut i jashtëzakonshëm sa i përket përmbajtjes së antioksidantëve. Në tërësinë e tij, rrushi përmban ushqyes të panumërt që e mbrojnë organizmin nga dëmet që shkakton stresi oksidues.

Për më tepër, rrushi ndihmon në çaktivizimin e radikaleve të lira që shkatërrojnë qelizat.

Sipas të dhënave, përbërësit aktivë tek farat dhe lëkura e rrushit kanë aftësinë të rimëkëmbin veshkat dhe t’i pastrojnë ato nga toksinat.

Në këtë pastrim përfshihen edhe mbetjet e ndryshme si acidi urik apo kimikate të tjera. Konsumi i rrushit në mënyrë të rregullt është një hap i mençur për të eliminuar gurët e veshkave.

Në këtë artikull do të mësoni se si të përgatisni një lëng shumë të thjeshtë kundër këtij problemi shëndetësor.

Lëngu i rrushit me piper të zi

Përbërësit

1 gotë me kokrra rrushi

2 lugë çaji me piper të zi kokërr.

Përgatitja:

Për këtë recetë mund të përdorni rrush të zinj me fara bashkë me piperin kokërr. Puna nis me pastrimin dhe larjen e rrushit dhe hedhjen e kokrrave në një mikser.

Më pas, mund të shtoni kokrrat e piperit të zi dhe t’i përzieni së bashku për disa minuta për të përfituar një lëng të trashë.

Hidheni lëngun në një gotë dhe pijeni një herë në ditë.

Kura natyrale kundër gurëve në veshka duhet vazhduar për tre ditë nga një gotë. Lëngu i kombinuar i rrushit me piperin e zi ndihmon në shpërbërjen e gurëve në veshka dhe eliminimin e tyre.

Piperi i zi, mbreti i erëzave

Piperi i zi njihet ndryshe si ‘Mbreti i Erëzave’ dhe këtë titull e ka marrë falë vlerave shëndetësore që përcjell.

Piperi i zi është një burim i pasur mineralesh si manganic, bakri, magnezi, kalçiumi, fosfori, hekuri dhe kaliumi. Ai përmban vitaminat C, K, B6, riboflavinë, fibër dietike, proteinë dhe karbohidrate./AgroWeb.org

Basha ironizon Berishën: Nesë me Ramën nuk ka zgjedhje, pse bëre pazar për amnistinë dhe mbylljen e listave?!

Kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar për deklaratën e Sali Berishës kur u shpreh se me “Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira”. Me anë të një postimi në facebook, Basha ironizon duke thënë se nëse me Ramën nuk paska zgjedhje, pse “revolucioni” u kthye në pazar për amnistinë dhe mbylljen e listave?!

Ai më tej pyet Berishën, nëse me Ramën nuk paska zgjedhje të lira, pse bashkove votat për amnistinë duke liruar hajdutët e votave të PD dhe shkatërrove komisionin e Reformës Zgjedhore?!

Postimi i plotë i Bashës:

Nëse me Ramën nuk ka zgjedhje, pse “revolucioni” u kthye në pazar për amnistinë dhe mbylljen e listave?!
Kur me Ramën nuk ka zgjedhje, pse bashkove votat për amnistinë duke liruar hajdutët e votave të PD?!
Nëse me Ramën nuk ka zgjedhje, pse e shkatërrove komisionin e Reformës Zgjedhore dhe hodhët në koshin e plehrave rakomandimet e OSBE/ODHIR?!

“Kafe, cigare dhe limonadë – liberalë e konservatorë 100 vjet më parë!“ – Nga Ilir Ikonomi

Nga Ilir Ikonomi

Në korrikun e vitit 1924, liberali Fan Noli ishte kryeministër në Tiranë. Ai kishte ardhur në pushtet me kryengritjen e qershorit, që kishte rrëzuar konservatorin Ahmet Zog.
Ky i fundit kishte lënë Shqipërinë dhe banonte në Hotel Bristol të Beogradit, ku përgatitej për të rrëzuar qeverinë revolucionare.

Një korrespondenti të huaj që i erdhi për ta intervistuar në Bristol, Ahmet beu i tha:

“Isha unë që themelova muzeun e parë kombëtar, krijova ligje në frymën e reformës agrare dhe ndalova poligaminë, e cila ishte në modë edhe midis fiseve katolike. Përdora ligjet e taksave për të mos lejuar shpenzimet e mëdha të luksit, urdhërova që nëpër dasma dhe vdekje të shërbehej vetëm kafe me sheqer, cigare dhe limonadë, në vend të festimeve që zgjatnin tetë ditë, ku thereshin 50 dele dhe shpenzoheshin mijëra franga. Për shembull, dasma e tim eti, Xhemal pashës, zgjati 41 ditë dhe zija për vdekjen e tij 40 ditë. Isha unë që krijova ligjin për martesat civile, e largova më shumë Kishën Ortodokse nga Kostandinopoja, ndërkohë që shqiptarët u bënë të parët ndër 42 popuj që u shkëputën nga Kalifi dhe krijuan një bashkësi të pavarur myslimane. A mund të quhet kjo një politikë konservatore? Do të isha i lumtur dhe mirënjohës nëse kundërshtarët e mi do të ishin më liberalë se unë!”

Reforma paradoskale, mbi 100 % rritja e pagave për punonjësit e 10 prej bashkive më të falimentuara

Reforma e pagave për punonjësit e pushtetit lokal pritet të hyjë në fuqi më 1 shtator. Kjo reformë i ka të dyja anët e medaljes. Rritja e nevojshme nga njëra edhe pse përfituesit do të jenë të gjithë buxhetorët të cilët do të përfitojnë nga rritja e taksave për kategoritë e tjera. Ana tjetër është pikërisht fakti se fatura do të shkojë për pjesën tjetër të shoqërisë e cila do të paguajë për shërbimet e punonjësve të institucioneve, të dhënat e të cilave tregojnë për shërbim të dobët, keqmanaxhim dhe nivel të lartë korrupsioni.

Ndërsa një element i kësaj reforme përveç rritjes së pagave në të gjitha bashkitë, është edhe unifikimi i mënyrës së llogaritjes së tyre. Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, bëri të ditur se “bashkitë e vogla janë ato që do të përfitojnë më shumë prej rritjes së pagave”. Paradoksalisht disa prej tyre janë edhe bashki të cilat nëse qeveria nuk do të jepte fonde nga buxheti i shtetit ose nga taksat e qytetarëve ato do të kishin shpallur me kohë falimentin.

Reforma e rritjes së pagave për pushtetin vendor do të prekë të gjitha bashkitë, por më së shumti do të përfitojnë bashkitë e vogla e të mesme, ku paga minimale premton të shkojë në 70 mijë lekë.

Reforma për pushtetin vendor, sipas Maznikut, lindi si një nevojë për shkak të mungesës së punonjësve në disa bashki të vendit, duke sjellë mangësi në kryerjen e shërbimeve thelbësore.

Por më tepër sesa unifikimi i pagave braktisja e bashkive të vogla besohet gjerësisht se lidhet me pabarazitë e krijuara, mungesë vizioni, transparence, braktisje të qytetarit nga zyrtari që duhet përgjigjet për të. Dhe këtë e vërteton braktisja e zonave rurale edhe nga fermerët.
Ndërkohë që shumë bashki po përballen aktualisht me falimentin e mundshëm, a ka ndonjë strategji për të dalë nga kjo situatë?

Së paku 10 bashki në vendin tonë ishin të “falimentuara” në vitin 2023, pasi kishin borxhe të prapambetura më të larta se të ardhurat e veta. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, të paktwn 10 bashki kanë një raport mjaft të lartë, mbi 100% të stokut të detyrimeve të vitit 2023 ndaj të ardhurave që sigurojnw.  Stoku i detyrimeve të prapambetura në fund të muajit dhjetor 2023 sipas tw dhwnave nga Ministria e Financave është rreth 4.8 miliard lekë.

Ato ishin pikërisht basshkitë që pritet të kenë rritjen më të lartë të pagave: Klosi (339%), Memaliaj (270%), Dibra (156%), Malësia e Madhe (139%); Puka, Peqini, Dimali, Cërriku (120%); Kavaja dhe Tropoja (110%).

Stokun më të lartë të detyrimeve e ka bashkia Kavajë në vlerën rreth 794 milion lekë, e cila përbën 16.7% të totalit të detyrimeve. Më pas, bashkia Tiranë në vlerën rreth 788 milion lekë, e cila përbën 16.6% të totalit të detyrimeve.

Në vitin 2023 është rritur pesha e stokut e lidhur me investimet e pashlyera, si dhe aktivitete të tjera, që janë të lidhura drejtpërdrejt me disiplinën fiskale në nivel vendor. Ndërsa sa u përket qarqeve, stoku i detyrimit të tyre përbëhet kryesisht nga vendime gjyqësore, të cilat zënë 95.9% të totalit të detyrimit të qarqeve.

Ministria e Financave vlerëson se detyrimet e prapambetura vazhdojnë të jenë problem edhe për vitin 2023. Vitin e kaluar Ministria e Financave ka përgatitur dhe publikuar raportin e gjendjes financiare për të 61 bashkitë për vitin 2022, ku ka rezultuar se 49 bashki dhe 9 qarqe janë pa probleme financiare, 8 bashki dhe 1 qark kanë probleme financiare dhe 4 bashki 2 qarqe janë me vështirësi financiare.

 

SHIFRA E DITËS: Reforma paradoskale, mbi 100 % rritja e pagave për

 

Mao Ce Duni: si u shkaktoi vdekjen 36 milion kinezëve pasi u shpalli luftë harabelave

Nga Roald A. Hysa

Prishja e ekuilibrave natyrorë gjithmonë ka sjellë fatkeqësi të ndryshme për njerëzimin. Kjo ndodh kur njeriu i prish me qëllim disa ekuilibra pa ditur se cili do të jetë përfundimi i punëve që bën. Vrasja dhe zhdukja e dy miliardë harabelave shkaktoi prishjen e zinxhirit ushqimor në natyrë dhe për pasojë kjo solli zhdukjen e 36 milionë kinezëve nga uria për një periudhë 2-vjeçare

“Fushata e Madhe e Harabelave” gjithashtu e mirënjohur edhe si “Fushata Vrit Harabelin” e njohur zyrtarisht si “Fushata e Katër Dëmtuesve” është një nga të katër veprimet e para të ndërmarra në kuadër të “Hapit të Madh Përpara” nga Kina Komuniste e frymëzuar nga udhëheqësi i saj Mao Ce Dun, nga viti 1958 deri më 1962. Katër dëmtuesit që duheshin zhdukur ishin minjtë, grenzat, mushkonjat dhe harabelat. Zhdukja sistematike e harabelave çoi në një prishje të ekuilibrave ekologjikë, duke ju lënë fushë të lirë për t’u shtuar insekteve drithë-ngrënëse.
Fushata kundër “Katër Dëmtuesve” nisi më 1958 si një fushatë higjienizuese nga Mao Ce Duni, që identifikoi nevojat e zhdukjes së mushkonjave, grenzave, minjve e harabelave. Harabelat u përfshinë në këtë listë, sepse ata hanin farën e grurit, duke ia vjedhur kështu “popullit frytin e punës së tyre”. Masat popullore u mobilizuan në të gjithë Kinën për t’i eliminuar zogjtë dhe qytetarët morën tenxhere e kusia, apo edhe daulle për t’i frikësuar zogjtë e për të mos i lënë të ulen për t’i detyruar të fluturojnë deri sa të lodhen e të bien përtokë. Foletë e harabelave u shkatërruan sistematikisht dhe vezët e tyre thyheshin dhe zogjtë e vegjël të sapolindur vriteshin. Harabelat dhe zogj të tjerë vriteshin në qiell e kudo i gjenin, duke sjellë kështu në gati zhdukjen e këtij zogu në Kinë. Çmime simbolike dhe mirënjohjeje iu dhanë shkollave të ndryshme në vend, qendrave të punës apo agjencive sipas sasisë së dëmtuesve që kishin zhdukur. Disa harabela gjetën strehim në vendet ekstraterritoriale të misioneve diplomatike në Kinë. Personeli i ambasadës polake në Beijing i refuzoi kërkesat kineze për të hyrë në ambientet e ambasadës për t’i trembur harabelat që ishin fshehur aty dhe në fund ambasada u rrethua nga njerëz me daulle. Daullet duhej që të mos i linin rehat harabelat, të cilët do të trembeshin dhe të largoheshin nga ambasada. Pas dy ditësh zhurmë me daulle të vazhdueshme Polakëve iu desh të përdornin lopatat për të pastruar ambasadën nga harabelat e ngordhur. Më shumë se dy miliardë harabela gjetën vdekjen nga kjo fushatë absurde.
Në prill 1960 udhëheqësit kinezë e kuptuan se harabelat hanin sasira të mëdha insektesh dëmtuese të drithërave, po ashtu si edhe grurë. Në vend që të rriten të korrat e orizit pas kësaj fushate ato ranë ndjeshëm. Mao Ce Duni urdhëroi mbarimin e fushatës kundër harabelave, duke i zëvendësuar ato me insekte të dëmshme në fushatën që po vazhdonte të Katër Dëmtuesve. Por tashmë ishte vonë.

Gra kineze duke mbledhur harabelat e vrarë

Me harabelat që mungonin dhe që nuk përbënin më rrezik për karkalecat numri i këtyre të fundit u rrit pa ndalim me mizëri në të gjithë vendin dhe duke hapur probleme ekologjike, tashmë të hapura nga Hapi i Madh Përpara, duke përfshirë shpyllëzimet pafund dhe keqpërdorimin e helmeve dhe të pesticideve. Prishja e ekuilibrave ekologjikë e përkeqësoi gjendjen dhe Uria e Madhe Kineze në ato vite solli si pasojë më e pakta 20 milionë të vdekur nga mungesa e ushqimit. Harabelat u hoqën nga lista për t’u zëvendësuar me buburrecat, fushatë e cila u rihap herë pas here edhe pas vdekjes së Maos, dhe njëkohësisht pas kësaj fushate të parë Kinës iu desh të importojë harabela nga Bashkimi Sovjetik.
Historiani holandez Frank Dikëter i specializuar në historinë moderne të Kinës dhe autor i librit “Uria e Madhe e Maos” dhe që ka pasur akses të posaçëm në materialet arkivore kineze vlerëson se ka pasur më së paku 45 milionë vdekje të parakohshme nga viti 1958 deri më 1962. Gazetari kinez Jang Zhisheng konkludon se ka pasur 36 milionë të vdekur me shkak urinë, ndërsa 40 milionë të tjerë nuk mundën të lindnin, kështu që “humbjet në total në Kinë gjatë Urisë së Madhe atëherë shkojnë në 76 milionë”. Fjalia “Tre vite të Hidhura” përdoret shpesh nga fshatarët kinezë për t’iu referuar kësaj periudhe.
Këto dhe disa nisma të ngjashme sollën në jetë një term të ri në fjalorin filozofiko-politik “kinezërira”. Jo më kot janë të vendosura kafshët sipas një zinxhiri ushqimor, ku në majë të tij qëndron njeriu. Mjafton t’i hiqet një hallkë këtij zinxhiri dhe ai do të këputet dhe hallka këputet duke sjellë fatkeqësi të tilla si kjo që përmendëm më sipër.
Dhe pas kësaj, është e nevojshme të kujtojmë atë që thotë Zoti në Kuran:
Ai e ka ngritur qiellin lart dhe ka vënë Balancën (për çdo gjë), që ju të mos e shkelni atë.”
“Kur u thuhet: “Mos bëni çrregullime në tokë!” – ata thonë: “Ne bëjmë vetëm përmirësime në tokë!”