27.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Gusht, 2025

Shalsi e Nikolla manipuluan vendimin për emërimin e Merita Gurabardhit në AMF, si u mashtruan deputetët për ‘luledelen’ e mikrokredive!

‘Shqarthi’ i interesave korruptive në Kuvend, Eduart Shalsi dhe ish kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, dyshohet se janë përfshirë në manipulimin e vendimit dhe mashtrimin e deputetëve për emërimin e Merita Gurabardhit si anëtare e bordit të AMF.

Shalsi e Nikolla manipuluan vendimin për emërimin e Merita Gurabardhit

Merita Gurabardhi, prestanome Tek kompania e mikrokredisë AFI (Albanian Financial Institucion shpk) dhe biznes panelesh diellore (EB Energy), duhet të zëvendësonte në AMF, ‘kunadhen’ Ervin Mete, ish drejtor AMF.

Metes i mbaronte mandati në 2025, por Rama e emëroi ministër Financash në shtator të vitit 2023, lëvizje që solli edhe ndërprerjen e mandatit.

Gurabardhi ishte shefe kabineti e “kunadhes” së financave Ervin Mete. Njihet si “luledelja” e tij, që në kohën kur Mete u bë Drejtor i Përgjithshëm i AMF, duke ngjitur shkallët e pozicionimit të saj brenda këtij institucioni.

Në këto rrethana, Mete, pasi ishte sinjalizuar për shkarkimin nga Rama, nxitoi duke propozuar “luledelen” për anëtare e bordit të AMF, në koordinim me ‘shqarthin’ Eduart Shalsi.

Vendimi i përgatitur për emërimin e Merita Gurabardhit parashikonte emërimin e saj vetëm për pjesën e mandatit të mbetur që kishte lënë Ervin Mete.

Shalsi e Nikolla manipuluan vendimin për emërimin e Merita Gurabardhit

Deputetëve u është paraqitur për miratim një vendim tjetër, me një ndryshim të rëndësushëm, ku parashikohej që Merita Gurabardhi të emërohej anëtare e bordit të AMF me mandat të plotë 5-vjeçar dhe mandje duke përfshirë edhe pozicionin e nëndrejtorit të AMF.

Shalsi e Nikolla manipuluan vendimin për emërimin e Merita Gurabardhit

Manipulimi dyshohet se është bërë nga Eduart Shalsi, i dyshuar si ‘skifter’ në Greqi dhe Lindita Nikolla. Shalsi ka paraqitur një raport në Kuvend si kryetar i Komisionit të Ekonomisë.

Shalsi e Nikolla manipuluan vendimin për emërimin e Merita Gurabardhit

Partia Demokratike duket se nuk e konstatoi këtë marifet. PD-ja kërkoi vetëm që AMF të ndahej me të, pra pazar për të propozuar ajo anëtarin e bordit.

Gazment Bardhi i PD tha se “Ka një problem në këtë votim, me emrat, përse kjo mungesë balance për këtë organ të pavarur? Ka qënë gjithmonë me ekuilibër zgjedhja e anëtarëve të bordit të drejtorit dhe nëndrejtorit ekzekutiv të AMF, midis pozitës dhe opozitës”.

“Shqarthi” Shalsi, nxitoi të sqarojë Bardhin duke justifikuar “Zgjedhja e të dyve është bërë konform kërkesave të ligjit për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare. Anëtari i Bordit, që zgjidhet edhe nëndrejtori ekzekutiv, emërohet nga Kuvendi me propozimin e Ministrit të Financave, ndërsa tjetri me propozim të Bankës së Shqipërisë.”

Gurabardhi, lidhje me mikrokreditë

Me një karrierë modeste në sistemin bankar bashkë me motrën Arta Gurabardhi, u vendosën si prestanome tek kompania e mikrokredisë AFI (Albanian Financial Institucion shpk) që ka marrë licensën nga Guvernatori Sejko në Maj 2016.

AFI është një tjetër piramidë mashtrimi në fushën e mikrokredisë. Me transanksione e fije mafioze të shtrira deri në Angli e Portugali, kompania e mikrokredisë AFI është përzierë në pastrim parash në fonde investimesh duke blerë e shitur kredi shumëmilionëshe nëpër banka.

Motrat Gurabardhi kanë ndihmuar në këto operacione të AFI, derisa largohen para disa vitesh duke shitur kuotat e tyre.

Shalsi e Nikolla manipuluan vendimin për emërimin e Merita Gurabardhit

Në tetor të vitit 2023, Merita Gurabardhi ia kaloi aksionet e kompanisë bashkëshortit të saj Ervin Xhomo, i cili punon te Abi Bank i Andi Balltas, lavatriçja më e madhe e pastrimit të parave në Shqipëri./Prapaskena

38-vjeçari gjendet i pajetë mes shkëmbinjëve

Një 38-vjeçar është gjetur sot pa shenja jete mes shkëmbinjtë tek “Gjiri i Barxhos”,  në Ksamil.

Viktimë ka mbetur shtetasi me iniciale F. K., banues në Tiranë dhe dyshohet se është mbytur aksidentalisht si pasojë e një arresti kardiak.

”Sot, më datë 04.08.2024, tek shkëmbinjtë tek “Gjiri i Barxhos”,  në Ksamil, në një masiv shkëmbor në det, është gjetur i pajetë shtetasi F. K., rreth 38 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se është mbytur aksidentalisht si pasojë e një arresti kardiak.

Nga informacionet paraprake dyshohet se ai kishte dalë për lundrim me një mjet kanoe dhe ka qenë duke bërë zhytje në këtë zonë.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njoftoi policia.

Profecia e Chekhov, për shoqëritë e dështuara!

Nga Aranit Muraçi

Anton Pavlovich Chekhov duket se e parashikoi në kohë atë që do të ndodhte pas vdekjes së tij të parakohshme dhe para se të instaloheshin regjimet totalitare në Europë dhe në mbarë botën, çka do të shkaktonin dy luftra të përgjakshme botërore, miliona të vdekur dhe vuajtje të shumta për mbarë njerëzimin.

Chekhov duket se me profeci parashikoi se politikanët autoritarë dhe diktatorët e etur për pushtet personal, do të siguronin terren të mjaftueshëm në shoqëritë e paarsimuara dhe të prapambetura dhe do ta shfrytëzonin pikërisht këtë për të realizuar ambicjet dhe qëllimet e tyre kudo, në çdo kohë, për sa kohë një vend apo shoqëri e caktuar do të kapet e papërgatitur dhe nuk do të investohet në arsim.

Kur e pyetën shkrimtarin e madh rus Anton Chekhov për natyrën e shoqërive të dështuara, ai u përgjigj:

Në shoqëritë e dështuara, ka një mijë budallenj për çdo mendje të ndritur dhe një mijë fjalë të papërgjegjshme për çdo fjalë të ndërgjegjshme.”

“Shumica ecën gjithmonë pas budallallëkut dhe vazhdimisht një shoqëri e tillë dominon racionalen.”

Nëse shihni tema të parëndësishme në qendër të diskutimeve, në një shoqëri të caktuar, dhe njerëzit e parëndësishëm zënë vend të rëndësishëm dhe vihen në qendër të vëmendjes, atëherë jemi duke folur pikërisht për këtë; për një shoqëri shumë të dështuar.”

“Për shembull, miliona njerëz kërcejnë dhe përsërisin këngë dhe fjalë të pakuptimta, kurse personi që ka shkruar këngën pa kuptim bëhet i famshëm, i njohur dhe i dashur.”
“Sigurisht, njerëzit ndajnë mendimet e tyre për çështjet e shoqërisë apo edhe të jetës.”
“Por (në të tilla shoqëri) shumë autorë dhe mendimtarë të dobishëm askush nuk i njeh dhe askush nuk u jep vlerë apo peshë”.

“Shumica e njerëzve në shoqëritë e dështuara pëlqejnë kotësinë. Duket sikur dikush na drogon për të na bërë të humbasim mendjen dhe dikush tjetër na bën të qeshim me marrëzitë e shumta, dhe sikur secili prej tyre (në shoqëritë e dështuara) del se është më i suksesshëm se dikush që na zgjon realitetin dhe na lëndon duke na thënë të vërtetën.”

Kësisoj, Anton Chekhov si me profeci parashikoi se demokracia nuk është e përshtatshme për shoqëritë injorante, sepse sipas tij, shumica injorante do të vendosë për fatin e të tjerëve. Ai parashikoi se demokracia në një vend që kërkon të zhvillohet pa arsim cilësor dhe pa kulturë nuk do të jetë kurrë ashtu siç duhet të jetë; ‘pushtet i popullit’.

Nëse dikush pyet nëse ka ndonjë lidhje profecia e Anton Chekhov me Shqipërinë, gjithsecili mund ta bëjë lidhjen me realitetin që përjeton çdo ditë.

Anton Pavlovich Chekhov (1860–1904) ishte një nga shkrimtarët më të shquar rus, në ndërrimin e shekujve të kaluar, dramaturg i talentuar, veprat e të cilit janë bërë klasike të letërsisë botërore dhe dramat e tij janë vënë në skenë në teatrot në mbarë botën. Ai ka shkruar mbi 900 vepra të ndryshme, disa prej të cilave janë përkthyer në njëqind e më shumë gjuhë.

Së bashku me Henrik Ibsen dhe August Strindberg, Çehovi përmendet shpesh si një nga tre figurat kryesore në lindjen e modernizmit të hershëm të teatrit. Çehovi ishte mjek me profesion. “Mjekësia është gruaja ime e ligjshme,” tha ai, “dhe letërsia është zonja ime.”

Tuberkulozi iu shfaq menjëherë pas diplomimit të mjekësisë dhe i shkaktoi vdekjen në moshën 44 vjeçare. Në thelb një shkrimtar i tregimeve të shkurtra, ai përdori thjeshtësinë dhe impresionizmin për të portretizuar me simpati psikologjinë e njeriut të zakonshëm.

Liberale.al

“Pakt me djallin”- Debati për shkëmbimin e të burgosurve! Analiza e DW: Çmimi i lartë që po paguan shteti ligjor me taktikën që nga koha e Luftës së Ftohtë

Lehtësim në Gjermani për të burgosurit e liruar nga Rusia dhe Bjellorusia. Por edhe debate për çmimin e lartë që po paguan shteti ligjor duke vazhduar një taktikë nga koha e Luftës së Ftohtë.

Kancelari Olaf Sholc ishte mjaft i lehtësuar kur priti dymbëdhjetë nga personat e liruarnë aeroportin e Këln/Bonit. Ndryshe nga SHBA, ku presidenti amerikan Joe Biden dhe nënpresidentja Kamala Harris e përqafuan gazetarin Evan Gershkovic para kamerave, pritja në Gjermani u zhvillua në heshtje dhe me kujdes.

Sholci tha se shkëmbimi i të burgosurve u bë i mundur vetëm “përmes bashkëpunimit intensiv me shumë vende evropiane dhe veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës” duke shtuar se beson se në fund të fundit ky ishte vendimi i duhur.

Në fakt shkëmbimi i të burgosurve ishte spektakolar dhe një arritje e madhe diplomatike mes shteteve perëndimore dhe Rusisë, pavarësisht nga çdo vlerësim moral apo etik.

Rusia liroi 16 të burgosur ndër ta katër me pasaporta gjermane. Në këmbim u liruan tetë rusë, ndër ta edhe Vadim Krasikov, që ishte dënuar me burgim të përjetshëm në Gjermani në fund të vitit 2021, sepse sipas gjykatës së Berlinit kishte vrarë një gjeorgjian me origjinë çeçene në një parkt të kryeqytetit në gusht të vitit 2019.

A ka rënë në gjunjë shteti ligjor?

Debati në Gjermani sillet kryesisht rreth pyetjes nëse një shtet ku sundon ligji mund të lirojë një vrasës të dënuar. Por ndryshe nga shumë debate për çështjet aktuale politike, ky debat karakterizohet nga maturia dhe qëndrimi i moderuar.

Eksperti i CDU-së për politikën e jashtme, Norbert Röttgen, tha për radion Deutschlandfunk se Gjermania ka pranuar një “disvantazh serioz”: “Por kjo justifikohet nga përfitimi njerëzor, nga liria dhe shpëtimi nga tortura i 16 vetëve”.

Eksperti i SPD-së për politikën e jashtme, Michael Roth, e përmblodhi qartë dilemën gjermane. Ai shkroi në Platformën X se ndonjëherë duhet “të bësh marrëveshje me djallin për hir të humanizmit”. Ai e kishte fjalën për presidentin rus Vladimir Putin.

Jo specifikime ligjore

E ndrejta ndërkombëtare civile përmban rregulla për këmbimin e të robërve të luftës, sqaron për DW Christian Mihr, zëvendëssekretar i përgjithshëm i Amnesty International në Gjermani. Personat e shkëmbyer nuk ishin robër lufte dhe për këtë rast nuk ka dispozita ligjore specifike.

As në legjislacionin gjerman nuk ka rregulla për shkëmbimin e të burgosurve. Qeveria gjermane dhe ministri i Drejtësisë, Marco Buschmann, u bazuan në këtë rast në nenin 456a të Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit ekzekutimi i dënimit me burg mund të pezullohet në kushte të caktuara.”

E qartë është se shkëmbimi i të burgosurve u bë sepse Putini donte para së gjithash të lironte vrasësin Krasikov, i cili ishte i burgosur në Berlin. Dhe presidenti i SHBA-së Joe Biden kërkonte me ngulm lirimin e Gershkovicit.

Strategji nga koha e Luftës së Ftohtë

A do të thotë shkëmbimi i suksesshëm i të burgosurve se tani janë vendosur linja të reja diplomatike komunikimi me Kremlin të cilat ndoshta mund të ndihmojnë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë?

Politologu David Sirakov, drejtor i Akademisë Atlantike në Rheinland-Pfalz, nuk është i këtij mendimi. Ai tha për Agjencinë Gjermane të Shtypit se “kjo nuk është as ndonjë masë për ndërtimin e besimit dhe as nuk ngjall shpresa për një marrëdhënie më të mirë me Moskën apo Minskun.”

Përkundrazi kjo tregon se strategjia e njohur nga Lufta e Ftohtë për lirimin shtetasit e tyre, të cilët shpesh punojnë në sektorët e sigurisë dhe shërbimeve sekrete, duke bërë presion me anë të burgosjes së shtetasve të huaj në Rusi dhe Bjellorusi, vazhdon të jetë pjesë e repertorit diplomatik të këtyre shteteve./DW

Kujdesi për zemrën! Apeli i kardiologëve: Duhen kontrolle periodike, probleme edhe moshat e reja

Zemra është një organ muskulor që peshon rreth 300 gramë, punon ditë e natë pa pushim, një fakt që e neglizhojmë dhe paraqitemi tek kardiologu vetëm kur kemi probleme serioze.

Unë do të kryej vizitën e radhës me kardiologun Elton Qeli.

“Në pak minuta dhe e kryem kontrollin e zemrës. Mesazhi im për qytetarët është që vizitat tek kardiologu duhen kryer periodikisht, një herë në 6 muaj deri në 1 vit, dhe jo vetëm kur kanë shqetësime.

Kemi vënë re kohët e fundit që edhe moshat e reja, që do të thotë nga 25, 35 e 40 vjeçare, preken nga sëmundjet kardiovaskulare, preken nga infarkti i miokardit, shfaqin luhatje të tensionit arterial, dhe çrregullime të ritmit të zemrës.

Sëmundjet kardiovaskulare përbëjnë shkakun numër 1 të vdekshmërisë në botë. Faktorët e rrezikut që ndikojnë në sëmundjet kardiovaskulare janë të shumtë, por më I rrezikshmi është stresi psiko-social, që luan rol të rëndësishëm në manifestimin jo vetëm të sëmundjeve kardiovaskulare, por në përgjithësi të sëmundshmërisë në shëndetin e popullatës. Pastaj përveç stresit patjetër që janë edhe faktorët klasikë siç është diabeti mellitus që po shfaqet gjithmonë e më shumë edhe në moshat e reja dhe me një prevalencë më të lartë. Është hipertensioni arterial, konsumimi I duhanit, jeta sedentare, pra pa aktivitet fizik, është mënyra e ushqyerjes që edhe kjo ka rëndësi shumë të madhe në prekshmërinë kardiovaskulare,

Simptomat mund të jenë që nga dhimbja e gjoksit, vështirësi në frymëmarrje, çrregullime të ritmit të zemrës, ndonjëherë gjendje të fikëti, këputje, lodhje, djersitje e shtuar. Unë kam këtë mesazh për qytetarët që kontrolli period i shëndetit të zemrës është një faktor shumë I rëndësishëm që ndikon në diagnostikimin më të hershëm në popullatë dhe rrjedhimisht në trajtimin e duhur, në kohë”, tha Elton Qeli, kardiolog në Poliklinikën Nr. 3, Tiranë.

8 projektet e reja me kulla deri në 65-100 kate në horizontin e Tiranës

City of Tirane, Tirana, Albania. November 5, 2023. Image of Tirana Skyline showing the colorful buildings and the cloudy sky of autumn.

Vala e ndërtimeve në Tiranë pritet të marrë sërish vrull në periudhën në vijim, pavarësisht se kërkesa po shfaq tendenca ngadalësimi dhe shumë ekspertë të pasurive të paluajtshme thonë se tregu po arrin mbingopjen.

 

Lexoni edhe: Mbingopja e ndërtimit, a po afrohet flluska?!

 

Së fundmi Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) ka miratuar dhënien e lejeve për disa projekte shumëkatëshe, ndërsa një formë e re partneriteti mes qeverisë dhe privatit pritet ti japë mundësinë këtij të fundit të ndërtojë projekte të mëdha në pronat publike.

Janë të paktën 8 projekte zhvillimore, që parashikojnë ngritjen e kullave që do të kenë deri në 65 kate dhe një tjetër projekt 100 kate, i prezantuar së fundmi, por që nuk e ka marrë akoma lejen e zhvillimit..

Nga lejet e KKT-së, me më kryesorja është ajo në Bulevardin e Ri që lë pas projektin “Mount Tirana” që është deri më tani projekti me lartësinë më të madhe, me 58 kate.

Konkretisht, KKK ka dhënë Leje Zhvillimi për objektin: “Godinë Banimi, Shërbimi dhe Hotelerie 4, 5, 23, 24, 57, 58 dhe 65 mbi tokë me 6 kate nëntokë”, me vendndodhje në Bulevardin e Ri, Bashkia e Tiranës, me subjekt zhvillues shoqërinë “Klar” sh.p.k. Për momentin kjo është kulla më e lartë që ka marrë leje zhvillimi.

Në listën e KKT janë edhe disa projekte në rrugën “Dritan Hoxha” me 35 kate, apo në rrugën “Teodor Keko”, me lartësi 50 kate mbi tokë. Tashmë duket se kullat po kalojnë zonën brenda Unazës, duke u shtirë edhe në pjesën më periferike të kryeqytetit.

Një projekt tjetër parashikon një kompleks shumëfunksional rezidencial me 27 kate në zonën e Kasharrit.

Është dhënë leje ndërtimi dhe për objektin: “Top Seven Tower”, zhvillim kompleks për ndërtimin e ambienteve të reja me funksion rezidencial dhe shërbime prej 33 dhe 35 katesh mbi tokë dhe 4 kate nëntokë, me vendndodhje në Rrugën “Dritan Hoxha”, Bashkia e Tiranës, me subjekt zhvillues shoqërinë “Top Seven Construction” sh.p.k.

Një tjetër projekt përfshin objektin: “Kompleks banimi, hotelerie me shërbime 1, 25, 39, 50 kate mbi tokë dhe 3 kate parkim nëntokë, në rrugën “Teodor Keko”, Bashkia e Tiranës”, me subjekt zhvillues shoqëritë “Xh & M” sh.p.k, “Alfazed” sh.p.k dhe “Smart Construction Invest” sh.p.k

Leja tjetër për projekte shumëkatëshe lidhet me objektin: “Kompleks shumëfunksional, rezidencial dhe shërbime 2, 3, 4, 8, 10 dhe 27 kate mbi tokë”, me vendndodhje në Kashar, Bashkia e Tiranës, me subjekt zhvillues shoqërinë “Tirana West Center” sh.p.k.

Së fundmi është miratuar pas një konkursi një projekt nga arkitekti Alejandro Aravanea dhe studioja e tij Elemental Studio, me një lartësi prej 300 metrash ose 100 kate dhe nëse ndërtohet do të bëhet më e larta në Tiranë.

Kulla do të jetë në qendër në krah të “Malit të Tiranës”, që ka filluar tashmë të ndërtohet. Pas miratimit të projektit pritet që kjo kullë të marrë lejen e zhvillimit.

Krahas projekteve që po ngrihen mbi truall privat, edhe vetë qeveria planifikon të japë për zhvillim disa hapësira që i ka në pronësi.

Në qershor, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit hapi tenderin me objekt “Energjizimi i qyteteve: Zhvillimi Inovativ i Pronës Publike”. Kjo procedurë kërkon të afrojnë pranë vetes projekt-ide që synojnë të zhvillojnë pronën publike në bashkëpunim me sektorin privat, ku në fund përfitimi që do të marrin institucionet janë zyra.

Projektet e reja do të zhvillohen mbi truallin e disa ndërtesave shtetërore. Në to do të përfshihet ngritja e kullave nga 35 deri në 41 kate që do të shërbejnë për akomodimin e 22 institucioneve shtetërore dhe krijimin e zonave bankare, hapësirave tregtare, hapësirave për zyra me qira.

Po ashtu, projekte të reja zhvillimore pritet të nisin në Tiranë përkatësisht në zonën e Komunës së Parisit, pranë Bulevardit “Zhan D’Ark”, pranë shkollës “Harry Fultz” dhe te Fakulteti i Inxhinierisë dhe Arkitekturës.

Disa prej institucioneve apo pronave që do të zhvillohen ndodhen në zona mjaft të lakmuara të kryeqytetit.

Sipas dokumentit, një prej pronave që do të zhvillohet është ajo Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare me truall 9400 m² pranë kryqëzimit të Komunës së Parisit.

Prona e dytë është në afërsi të Bulevardit Zhan D’Ark ku është Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar. Projektimi është për një zhvillim shumëfunksional me 35-41 kate, me njollë ndërtimi 1,200 deri në 1,500 m² dhe me sipërfaqe totale ndërtimi nga 48,000-52,500 m²

Një tjetër projekt është Klasteri i Institucioneve të Pronës (ASHK – Prona e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, afër Shkollës “Harry T. Fultz”) Siti i propozuar për ndërtimin e Klasterit të Kadastrës Shtetërore, me një sipërfaqja trualli 5,000 m², ndodhet në zonën e Zogut të Zi (në afërsi të shkollës “Harry T.Fultz”) në një rrugë dytësore që lidhet me Rr. “Asim Vokshi”.

Një tjetër projekt është Zona e Zhvillimit Multifunksional. Siti i propozuar për zhvillim ndodhet përgjatë rrugës “Muhamet Gjollesha”, pjesë e Unazës së Dytë të Tiranës, duke mbuluar një sipërfaqe prej 3,000 m².

Parashikohet Projektimi i fasadës dhe volumit të një zhvillimi shumëfunksional me 25-40 kate, me njollë ndërtimi 800 deri në 1200 m² dhe me një sipërfaqe totale ndërtimi nga 30,000-40,000 m²./Monitor.al

Pse olimpistët kafshojnë medaljet e arta?

Fotot kult të olimpistëve duke kafshuar medaljet e tyre olimpike janë kthyer në një traditë të vërtetë. Kur një fitues olimpik qëndron në podium dhe merr medaljen e tij, ai pothuajse automatikisht e kafshon atë për një foto. Fotot e notarit Michael Phelps, atletit Usain Bolt dhe gjimnastes Simone Biles, që pretendojnë të kafshojnë medaljet e tyre të arta janë disa nga fotot ikonike nga Lojërat Olimpike.

Jessica Fox e Australisë kafshon medaljen e saj të artë në Lojërat Olimpike Parisi 2024, 28 korrik 2024.

Pse është bërë traditë një gjë e tillë? Nuk ka një përgjigje të vetme se përse atletët olimpikë e nisën këtë traditë, por ja çfarë dihet. Si filloi gjithçka nuk dihet, megjithëse konsiderohet një traditë e gjatë olimpike.

Gjatë Lojërave Olimpike Verore të Londrës 2012, David Wallechinsky, president i Shoqatës Ndërkombëtare të Historianëve Olimpik, i tha CNN-it se ka të ngjarë të ishte një përpjekje për të “kënaqur median”.

“U bë obsesioni i fotografit”, tha Wallechinsky, bashkautor i “Libri i plotë i Olimpiadës”.

“Unë mendoj se ata e shikojnë atë si pamje ikonike, si diçka që ndoshta mund ta shesin. Nuk mendoj se është diçka që atletët do ta bënin vetë”. Kështu që ju mund t’i falënderoni fotografët olimpikë për fotot ikonike të medaljeve që “kafshohen” ndër vite. Fotografët besojnë se poza e kafshimit të një medaljeje është një pozë që mund të përbëjë faqet e para të gazetave dhe portaleve të nesërmen dhe për këtë arsye u kërkojnë atletëve ta bëjnë këtë.

Thomas Ceccon i Italisë pasi fitoi në finalen e 100 metrave në shpinë për meshkuj në Lojërat Olimpike Verore, 29 korrik 2024, në Nanterre, Francë.

Origjina e kafshimit të arit

Gjatë nxitimit të arit të viteve 1800 në Kaliforni, filloi praktika e kafshimit të arit për të parë nëse ishte i vërtetë apo i rremë. Ari i vërtetë është një material i butë, kështu që në copën e artë do të shfaqen shenja kafshimi që mund të riparohen lehtësisht. Kur ari është fals, materiali është më i fortë dhe kafshimi është i dhimbshëm.

Që nga viti 1912, Lojërat Olimpike nuk kanë dhënë medalje prej ari të pastër, kështu që nuk ka nevojë të kontrollohet nëse ari është i vërtetë apo jo. Medaljet e arta tani përmbajnë të paktën gjashtë gram ari, kryesisht argjend dhe pak bakër. Medalje të forta ari u dhanë në Lojërat Olimpike nga viti 1904 deri në 1912, që ishte vetëm disa dekada pas Rushit të Arit. Nëse atletët po kafshonin medaljet e tyre në këto lojëra, ka shumë të ngjarë sepse donin të kontrollonin nëse medaljet e tyre ishin ari i vërtetë apo jo.

Olimpistët nuk duhet të shqetësohen për këtë përgjigje tani, shkruan Sporting News. Mund të thuhet se është edhe një rast i thjeshtë i ndjekjes së traditës. Atletët e rinj do të rriten duke parë heronjtë e tyre që luftojnë dhe fitojnë, duke festuar arritjet e tyre me një “kafshim” të arit të tyre të fituar me vështirësi (në fakt kryesisht argjendin). Frymëzuar nga shikimi i idhujve apo paraardhësve të tyre, është një ndjenjë e veçantë të bësh të njëjtën gjë kur është koha për të marrë një medalje. Është një cikël i traditës sportive që kalon nga një brez në tjetrin.

Kur bëhet fjalë për Lojërat Olimpike, nuk ka foto më legjendare sesa kampioni duke pozuar me atë medaljen speciale mes dhëmbëve, shkruan Give Me Sport.

Megjithatë, fenomeni nuk është ekskluziv për Lojërat Olimpike. Superylli i tenisit Rafael Nadal është bërë i famshëm duke u dukur sikur dëshiron të marrë pak nga disa trofe që fiton, veçanërisht në Coupe des Mousquetaires – trofeu i Open French për meshkuj.

Rafael Nadal i Spanjës kafshon trofeun për të festuar fitoren në finalen e meshkujve teke, Australian Open, Melbourne Park, Melburn, Australi – 31 janar 2022.

A është e sigurt?

Kafshimi i medaljeve nuk është një praktikë plotësisht e sigurt. Fituesi i medaljes së argjendtë të Olimpiadës së Vankuverit 2010, gjermani David Moeller, theu dhëmbin e përparmë gjatë një feste. “Fotografët donin një foto duke mbajtur medaljen vetëm me dhëmbët e mi”, tha Moeller për gazetën gjermane Bild. “Më vonë në darkë vura re se më mungonte një pjesë e dhëmbit”.

“Dy të akuzuarit për atentat ndaj Hrushovit kur ai vizitoi Pashalimani, i dënuan me vdekje, por…”- Dëshmia e rrallë e ish-të dënuarit politik: Namiku doli nga burgu i gjymtuar fizikisht

Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.

 hrushovi

Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!

Autori      

                                                                                                        SHKËLQIM ABAZI

                                                                 Vijon nga numri kaluar

                                                                           R E P S I

                                                            (Kampi i punës së detyruar)

Memuaristikë

                                                                          Takimi i parë

                                                                 (Varka e mbytur në stere)

Po e vërteta lakuriqe e kësaj tragj-komedie, cila ishte? Ja, sipas fjalëve të tyre: “Vlora me nahijet e saj, sidomos fshatrat e Lumit të Shushicës, të Kurveleshit e në veçanti, brezi Tragjas-Radhimë-Dukat, banohen nga fshatarë krenarë e trima, sipas konceptit të tyre për këto veti. Popullsia e asaj zone, janë luftarakë por edhe mburravecë, e kanë gjoksin me gropë “nga të rënët e tepërt me grusht”, siç shprehen në këto anë. Prej tyre kam dëgjuar të thonë: “Po të qe Lenini shqiptar, do ishte vlonjat, se e ka gjoksin me gropë dhe mjekrën me majë”!

Në çdo epokë të historisë, këto treva kanë nxjerrë heronj të shquar, siç kanë dalë edhe hajdutë me nam, sa që deviza: “Një djalë që s’është i zoti të vjedh, s’mund të jetë i zoti për familje”, mbizotëronte deri vonë në mbarëvajtjen e krushqive. Sidoqoftë, nëpërmjet këtyre cilësive, është edukuar një popullsi me ndjenja të forta nacionaliste, që janë të lidhur pazgjidhshmërisht me vendin, e duan dhe krenohen me prejardhjen e tyre, saqë në çdo mëhallë ngrenë këngë për shkrepat, kreshtat e përrenjtë e fshatit dhe për heroizmat e levendëve të zonës, madje iu këndohet edhe akteve më ordinere.

Banorët mburravecë të kësaj nahije, mendojnë se çdo ngjarje deçizive, duhet të kaloj nga fshati i tyre, në mos nga pragu i avllisë! Si të tillë edhe bariu në stan, edhe bujku në arë, edhe pleqtë e plakat, ndanë oxhakut, mëtojnë të jenë në korrent të ngjarjeve të fundit, sidomos të atyre që i konsiderojnë madhore, për ecurinë e mëtejshme të fateve të kombit. Vetëm në këto anë bën vaki, që një baba të urdhëroj djalin qimepadirsur: “Ngrehu biro, e varu njëherë tatëpjetë nga qyteti, të dëgjoç ç’bënet asaj kasabaje, se s’marrin zgjidhje këto punëra, pa pushkën dhe fjalën tënë”!

I jepte një dyfek, një torbë me fishekë, pak bukë me gjizë e qepë dhe priste me ankth, haberet. Më shumë shqetësohej si do venin punët e hyqymetit, sesa për mandatën që mund të merrte për të birin. Edhe rasti i vizitës së të madhit të komunizmit botëror, s’mund te kalonte pa tërhequr vëmendjen e këtyre hallçakëve. Kjo vizitë, nga individë të ndryshëm, interpretohej në forma te ndryshme. Njëri e shihte si fundin e imperializmit dhe triumfin e komunizmit botëror dhe mburrej se: “Pa vizituar Vlorën, s’mund të arrihej suksesi”, tjetri thoshte: “Jemi ne, pa jeni ju”! domethënë pa Vlorën, s’ka demokraci popullore në Evropë, dikush e interpretonte si meritë të udhëheqjes largpamëse të Partisë sonë e, në veçanti, atyre me origjine nga këto nahije, duke nënkuptuar të mëdhenjtë e zonës, Hysninë e Kadrinë, etj.

Por kish edhe nga ata që mendonin se; pritja me temenara i këtij birbos nga moskovi, nënkuptonte nënshtrim pa kushte, ndaj të mëdhenjve të botës: “Dre, dre, po këtu në Vlorrë kanë thyer turinjtë, kushedi sa perandori dhe perandorë”! Mandej argumentonin më tej: “Nise që nga Roma e lashtë, Mongolët, Sllavët, Otomanët, Roma e dytë dhe Roma e tretë, Nemcja, Greku dhe tani, një palo burrë nga stepat e Siberisë, na ardhkërka e na mësoka se ç’duhet të mbjellkemi, ne! Hej, bela, na krahasokërka dhe me minjtë, pa le! Or burrat e dheut, vini duart në kokë! Dre, dre, po një plumb thuaj, nga ata që na la Selami, këtë do ky tullaci shkurtabiq”!

Këto mendime qarkullonin vesh më vesh e gojë më gojë, ato ditë. Jo se ky fenomen qe i ri dhe i panjohur për banorët luftarakë të këtyre anëve, pasi burimet e pasura folklorike, na sjellin fakte të shumta për numrin e pafund të këngëve epike, që iu kanë kushtuar udhëheqësve vendas apo botërorë; kur këta të fundit i konsideronin miq të mëdhenj, po edhe të atyre satirike kur, po këta miq për kokë, vinte një ditë dhe shndërroheshin në armiq për kokë.

Mjafton t’iu hedhësh një sy volumeve folklorike të mbledhur nga miku im, Fatos Mero Rrapaj, për t’u bindur, në sa këngë lëvdoheshin dhe, në sa të tjera shaheshin sulltanët e panumërt të Turqisë, kur i quanin “babë” dhe kur “murtajë”? Këngë lavdesh për Italinë “çliruese” dhe fyese, po për atë, “pushtuese”? Këngët për Ismail Qemalin, për Fan Nolin, për Zogun, sërish për Italinë e Gjermaninë, një herë si shpëtim dhe mandej si pushtim? E më prapa për Titon, Baba Stalinin, për “dy luanët” që ka bota, “një Azia, një Evropa”, Maon dhe Enverin, e deri për ca kukuvajka kobndjellëse neokomuniste, nga zgëqet më të humbura të globit, që as në fshatin ku kishin lindur, s’i njihte njeri?

Pra, kështu kishte folur dhe kënduar kjo krahinë për-gjithherë, që nga nga koha e Çezarit dhe Pompeut, sikur fati i Romës së lashtë, të luhej në sinorët e Vlorës? Kështu, po kish folur edhe për Xhingis Khanin, po edhe për perandorët e Bizantit dhe sulltanët e shumtë të Turqisë, po kështu edhe për Musolinin e Hitlerin, po edhe për Roosveltin, Stalinin dhe Çurçilin, sikur Jalta të na ish “Topallti” e Vlorës. Me një llaf, po kështu, me fjalë dhe këngë ja kishin thyer brinjët Tito renegatit, mbasi e kishin larë dhe shpëlarë me vajin e ullishtave të Vlorës, po këtë fund do kishte edhe ky birboja, Hrushovi, mbasi i kishin puthur tabanë me temenara, si askujt tjetër para tij!

Pak a shumë, vlonjatët mendojnë se asnjë politikë e madhe, s’mund të bëhet pa ta. Kështu qenka e thënë: “Në këto nahije, t’u shpaloskan fatet e botës”! Me këtë thashethemnajë kolektive, ishin bashkuar edhe dy djemtë e rinj. Namiku qe shprehur: – “Ah, po të kisha një dyfek e, t’ja këpusja një koqe plumbi, t’ja shpoja atë plëndësin, që ma ka si thes”! – “Dre, dre! Or, po ku e dike ti, që është barkderr ai”? – e kishte pyetur Muçua. – “Drejt muhabeti, unë s’e kam parë ndonjëherë, po kështu mendoj se do jetë, nga ajo fotografia në O.K.B. kur hodhi opingën”. – “E di, nuk e ke keq ti Miku, ama do kënaqesha t’ja çpoja unë thesin”! – kish shprehur dëshirën Muçua.

Gjithë kjo bisedë ish bërë gërxheve, ku kullosnin dhitë. Si dy gjitonë nga fshatra fqinjë, në darkë u ndanë, secili shkoi në sinorin e vet. Të nesërmen kur u takuan sërish në mera, e kishin harruar ç’kishin folur dje dhe po çaprashisnin në ugare të tjerë. Vërtetë ata harruan ç’folën një ditë më parë, po llafin e hapi era dhe mori dhenë. Spiuni veshë-ngrehur e kapi fluturimthi dhe s’harroi t’ia çonte të ngrohtë operativit të zonës. Kaq iu mjaftoi ustallarëve, që shtrinë rrjetën në sterre. Sajuan legjendën: “SIKUR”! Imagjinuan një grup të madh terrorist, “të përbërë nga mbeturinat reaksionare të ‘Ballit’, bashkë me ca kulakë të nahijes, që na paskëshin planifikuar komplotin kundër vëllait të madh nga Rusia, me demek t’i bënin atentat atij dhe ta çonin anijen shqiptare, drejt limaneve Perëndimore”. Kështu u interesonte dollibashëve, me një gur vrisnin tre zogj! Armikut të brendshëm i jepnin dërrmën, krahinës rebele i fusnin datën, Mikut të Madh nga Rusia, i dilnin ballëlartë si shpëtimtarë dhe si i mbrojtës të komunizmit botëror.

E vunë “pllanin” në zbatim: Bënë “SIKUR” i shpëtuan jetën Hrushovit! “SIKUR” shpëtuan kauzën e revolucionit! “SIKUR” zbuluan grupin e mirë-organizuar armiqësor! Në çdo aspekt ta shohësh çështjen, kjo histori nisi me “SIKUR” dhe u besua. Në sofrën e legjendave ku besohet çdo mit, pse të mos besohej edhe çdo “SIKUR”, sado trashë të ish qepur! Me “SIKUR” i arrestuan; me “SIKUR” i dënuan me vdekje; me “SIKUR” i ri-dënuan sërish së dyti me vdekje, “SIKUR” të kishin nga dy jetë dhe po me “SIKUR”, bënë nga njëzet vjet burg. Ky “SIKUR” qe kalvari që do të përshkonin të dy, mbasi herë pas here gjyqi rikthehej nga e para. Farsa vazhdonte edhe në kohën kur mbërrita unë në Reps.

Sidoqoftë, dy “SIKURËT”, më falni “atentatorët” e Hrushovit, mbetën në burg edhe pas vdekjes fizike të subjektit të atentatit tyre. E plotësuan dënimin kokërr më kokërr, siç i ka hije një sistemi të fortë ku krimi s’mund të parashkruhet, edhe kur subjekti i krimit nuk ekziston. Pata shansin t’i njoh të dy “SIKURËT”, më falni “atentatorët” dhe t’i kem miq. Me Namikun dhe Ilian, u ndamë pas dy vitesh. Mua si kafshë pune të garantuar, më çuan në vrimat e Spaçit, ata dhe gjytyrymët e tjerët, si lecka pa vlerë, i nisën në skërkat e Panahorit në Ballsh, të shtonin numrin e varreve pa emër.

S’do takohesha më me ta sepse, na i prenë urat, po shpirtërisht i kam ndjerë mjaftë afër. Këmbenim informacione, ndërmjet të dënuarve që transferohenin nga një kamp në tjetrin. Namiku doli nga burgu rreth dyzetvjeçar, i gjymtuar fizikisht, po i kompletuar intelektualisht. Mirëpo sa para bënte kjo kulturë, komunizmi s’kish nevojë për ekzemplarë të tillë. I nevojiteshin turma trushplarësh, që të shihnin me sytë e Partisë! Individët që gjykonin me trutë e vet, iu duhej prerë koka, ose së paku, t’iu ulej hunda! Kur u kthye në fshatin e lindjes, bashkëfshatarët e pritën me simpati.

E respektonin për dijet e thella që zotëronte, por për ç’përfaqësonte dhe vendin nga ku kthehej, e takonin me frikë. Nëse bashkëfshatarët më guximtarë, i shprehnin hapur adhurimin për horizontin e gjerë, zyrtarët dhe pushtetarët lokalë e shihnin me dyshim e smirë, pikërisht për shkak të diferencës në dije. I gjendur mes simpatisë dhe antipatisë, si mes Shilës dhe Karibdës, ai arriti të përshtatej; falë diturisë dhe inteligjencës së jashtëzakonshme, diti t’i mbijetonte terrorit fizik dhe psikologjik të kohës. Madje ia mbërriti të krijonte edhe familje, paçka se në kushte të pafavorshme dhe me vonesë.

Një zanë guximtare, nga ato që vetëm ajo zonë mund t’i pjellë, flaku tej me neveri paragjykimet politike dhe u martua me njeriun e mirë e të zgjuar. Por s’thonë kot: “Delja e zezë, lind e zezë dhe ngordh e zezë”! Fati i keq e ndoqi prapa. Namiku s’pati pasardhës. Dhe më e keqja, i ndodhi para dy vjetësh! Bashkëshortja besnike, ajo që i ushqente shpresën për jetë, e braktisi. Vdiq, shpirti i fluturoj në parajsë! Kur dëgjova për kobin që e kish gjetur, i telefonova mikut tim, t’i shprehja ngushëllimet e keqardhjen për fatkeqësinë që i kish pllakosur, njëkohësisht ta inkurajoja, të përballonte me dinjitet këtë sprovë.

E dini si m’u përgjigj? “I nderuar miku im, Zoti më dënoi me vetmi, njerëzimi me dashuri të munguar, historia me harresë, por një aleat s’më ka braktisur ende, libri! Tashmë po punoj, të bëj një muze me librat e burgut”! I urova jetë të gjatë, mezi pres të vete në Vajzë, të vizitoj muzeun e librit; “Namik Zenel Hasanaj”!

I N T E R M E X O

(Homazh mikut)

Sot, bën vapë. E martë, 12.07.2011, bën vapë…! Vapë, vapë! Gjithë natën e natës, s’kam patur rehat. Ca nga vapa që s’më la të vë gjumë në sy, ca se ç’më torturon një dhimbje therëse që nis nga majat e thonjve të këmbëve, deri në rrëzë të kofshëve. Më djegin muskujt, kockat më çajnë, duken si shenja ndjellakeqe! Mbase po paguaj haraçin e birucave në vitet e rinisë. Atëkohë s’e mora në konsideratë apelin e më të vjetërve, kur më këshillonin: “Edhe hekri qi asht hekër, ba me i ra pika në nji vend, ka m’u k’putë”!

Por i riu si veriu, vazhdoja në timen dhe tashmë koha po mi shpërblen me këtë virane reumatizëm, a ç’dreqin mund të jetë tjetër! Të dielën bëmë dasëm. Martuam mbesën, vajzën e vëllait. Një javë davet, unë as kërceva (më dhimbnin kofshët), as hëngra (ato pesë kuca dhëmballë që më kanë mbetur nga hunjtë e Llambi Gegenit dhe nga gërryerja e ujit të piritit, janë blumitur të gjitha). Me gjithë ngulmimin e të dashurve të mi, sidomos gruas, për t’iu nënshtruar vizitave mjekësore, as që e mora mundimin të shkoj te mjeku. Po ç’farë do më kontrollojnë më parë, or të kam rixha!?

“Jo, or byrazer, ne s’ka ku na zë as qeni, na janë mbledhur të tëra! Jemi bërë si ajo rrecka e kalbur, kudo ta zësh të mbetet në dorë”! më kumbojnë ende në vesh, fjalët e mikut tim të burgjeve, Novruz Dyrmos, dy muaj para se të ndërronte jetë, ca vite të shkuara. Kështu, meqë e di se jam katandisur “rreckë e kalbur”, jam përpjekur t’i shmang vizitat mjekësore. Sepse thonë: “Po vajte në spital, edhe i shëndosh në qofsh, sëmuresh, jo më ne ish-burgaxhinjtë! Vetëm ngarkesa psikologjike dhe aroma pikante e ilaçeve na deh, si alkooli pijanecin. Ato aroma të depërtojnë në qelizat më të arratisura të trurit dhe të drogojnë si narkozë”!

“Eh-eeh, kjo iu ngjet edhe njerëzve normalë”! më thotë Halim Qejvani, miku i lashtë i burgjeve. Me gjithë dhimbjet therëse, u paraqita në punë, s’e dhashë veten për të sëmurë. Mbarova me andrallat e mëngjesit, pastaj me shkresurinat e tjera. Mbylla punë me shkresat e ditës, iu përgjigja telefonatave për çështje pune; veprime rutinë të çdoditshme. Zakonisht kur më pyesin kolegët; si je? u kthej përgjigje optimiste. Me gjithë dëshirën e mirë që mund të demonstrojnë, ata s’mi largojnë dot dhimbjet, askush s’më rikthen dot shëndetin e humbur në rini, birucave.

Aty nga dreka, kur temperaturat mbërritën pikun e aptitudës, po më qepeshin sytë. Dhimbjet sikur m’u platitën paksa; lodhja dhe pagjumësia, bënë të vetën, u kota. Veshin ma çorri një fishkëllimë e beftë. Bilbili i Preng Rrapit – fiu-friu-fiuu! “Or tëj, a t’ka pëlqye hoteli”?! U tranda, zilja binte e binte… symbyllur, hapa telefonin. Një zë në gegënisht, më ngushëlloi: “Kryet shëndosh! T’rrosh vet, or burr”! Fillimisht e mora për lapsus, “gabime që ndodhin shpesh me numrat e telefonave në grup, siç i kemi ne”. U mata t’i thosha: “keni gabuar adresë” por telefonuesi më nxori nga apatia ku më kish kllaposur sëmundja, pagjumësia dhe vapa e padurueshme:

– “Zoti Shkëlçim”? – “Po”! – “Dom Simoni…, na la”! – “Si, si”? – “Simon Jubani, pra”! – shtoi, si e kuptoi se s’po gjeja dot fjalë te shprehesha. – “Vërtetë”?! – m’u pre goja! S’e prisja kurrë këtë lajm! S’di ç’më ishte krijuar një bindje budallai, gjithkush mund të vdiste, po jo Dom Simoni! S’doja ta besoja s’e mund te ndodhte ndonjëherë! Ai ish burrë i fuqishëm, me pamje solide e përherë të re! Sidoqoftë, njoha zërin e mikut tim Gjekës. U shkunda, e mblodha veten.

Pyeta: – “Ç’ka ndodhur, Gjek”?! – “Ajo pra, që sapo thashë”! – “Ç’është kjo vaki, bre”?! Ai më shpjegoi, aq sa dinte. E falenderova për telefonatën dhe e ndërpremë lidhjen. I tronditur thellë, zbrita në lokalin përballë Drejtorisë Policisë, të shihja në ndonjë ekran, njoftimin. Ajo që deri atë çast më dukej hipotezë, u vërtetua. Po, kish ngjarë! Njoftimin me titra, e dhanë të gjitha stacionet televizive. Dom Simoni, na kishte lenë! Nga aty ku isha ulur, s’i shkëputa sytë nga aparati, ende shpresoja në skupe të gabuar reporterësh, që mandej, i përgënjeshtrojnë pa kërkuar fare ndjesë. Ndërkohë, në lokal hyri një i njohuri im, më përshëndeti e pa pyetur fare, u ul në tavolinë. I hodhi një sy ekranit të madh përballë dhe i ktheu kurrizin: – “Or, qenke bërë dyll i verdhë, ç’të paska gjetur sot? Mos je gjë i pamundur”?! – kur vuri re se s’po i ktheja përgjigja, vijoi: – Ç’mi ke varur ata turinj, sikur të janë mbytur gjemitë?

– “Po vdesim të gjithë, or mik”! – ia ktheva, pa përcaktuar cilët ishin ata që po vdisnin. – “Me këtë vapë, vdiqëm vërtetë! Ke të drejtë, s’po e ngopim synë me gjumë”! – pohoi ai, më tepër për adet. – “Jo, or jo! E kam fjalën për vdekjen e njëmendët, jo figurative! Një nga një, po na lenë të mëdhenjtë e po mbetemi ne, kërthinjtë”! – Pse mo, ç’ka bërë vaki”? – m’u kthye serioz. E gjuajta me sy, si të ish ndonjë marsian. “Vërtetë mos ta dijë, që Dom Simoni, s’është më mes nesh, kaq pa eglendi të jenë katandisur ky milet? Ikën një flamurtar i Krishtit dhe bëjnë të paditurin! Ej dynja, dynja!”

Isha tronditur thellë, kujtoja se të gjithë duhet të shkriheshin me ndjesitë e mia. – “Vërtetë s’e ditke, ka vdekur Dom Simon Jubani”?! – e vëreva drejt për drejt. – “Jo! Kur erdha rrugës, pashë lajmërim-vdekjet, po këtë emër sikur s’ma zuri syri”! – vari kokën në duar, u zhyt në mendime. – “Oh, oh! Mos e ke fjalën për atë priftin nga Shkodra, që hapi kishën? Oh, oh-o-ooh”! – shtoi këto pasthirrma. – “Po, ai shuguroi meshën e parë pas gati njëzet e pesë vjetësh! Kemi qenë bashkë në burg”! – e zgjata më tej. Ai u çua, më zgjati dorën: – “U pastë lenë uratën e të rroni vetë”! Ishte i dyti ngushëllim.

Porosita kafet, ai më ngushëlloi sërish. Rufitëm filxhanët dhe u ndamë. Gjithë ditën e kalova në ethe, sëmundja e nëmur dhe lajmi i hidhur erdh e t’u përzjenë e, më dërrmuan plotësisht. U ktheva në shtëpi, vëllazëria dhe fqinjëria e kishin marrë vesh kobin, kush pati mundësi erdhi, të tjerët më ngushëlluan me telefon. Për tërë natën s’mbylla sy, vdekja dhe vapa në aleancë të ngushtë, m’a mërguan edhe atë çik gjumë. U çova në mëngjes me idenë të nisesha për në Shkodër, por këmbët s’m’u bindën, sikur m’u prenë gjer në rrëzë të kofshëve. U nisa në punë me mendimin: “Të dal jashtë shtëpisë, pastaj shohim e bëjmë”! Hyra te klubi i Sandrit, atje, miku im katolik, Edmond Fishta, më priste.

Para do vitesh më kish shoqëruar në Shkodër, në përcjelljen e fundit të At Zef Pllumin. U përshëndetëm si zakonisht. Mondi në këmbë, më pyeti: – “Në ç’orë do nisemi? Prita të më telefonoje! Makina është gati! Mendova se do niseshim, më herët. Kam këtu, që në pikë të sabahut”! – “E di, më ke pritur! Mbase ke shpresuar të niseshim shpejt, por gjendja ime shëndetësore, s’më mundëson rrugë të gjata” – ia ktheva. Mandej i shpjegove ç’ndjeja. Më kuptoi, ndërkohë i pikëlluar, më shprehu ngushëllimet. S’ishte nevoja të hamendësoja, pikëllimi i kullonte ngado. Mbi çdo pore në fytyrën e tij, lexohej: dhimbje!

Porse gjuha vete ku dhëmb dhëmbi, ndërkaq edhe biseda kaloi nga dhimbja për vdekjen, te njohja e vjetër. Pyetja si pyetja, sa e lehtë aq edhe e thjeshtë! Por jo përgjigja! Ajo i përngjet një vargoi me gjyle varur, që i lidhej pas këmbëve të dënuarit me vdekje, i gjakos nyjet dhe i shton torturën, sa herë përplasen. – “Në çrrethana e ke njohur Dom Simonin”? – më pyeti Mondi. – “Fare, fare thjeshtë! Por…”, – u tërhuza unë. Mjaftoi kaq, që gjylet rrapëllitëse të vargonjve të ndryshkur të më përplasnin në muret e kujtesës, shkërmoqën erozionin e së shkuarës, më rikthyen dyzetedy vjet pas, në lebetitë e kohës së qepës.

M’u fanit një fëmijë i lidhur me pranga: ky isha unë! Me një auto- arkëz-burg pa dritë, pa ajër, me pesëmbëdhjetë të tjerë bashkë, mbas një udhëtimi troshitës, që na i pruri zorrët në gojë, drejtë e në derë të Burrelit. Kisha dëgjuar të përflitej për një parullë me gërma të mëdha që duhej të gjendej atje, te ajo derë. Në të, sipas Dantes shkruhej: “Lasciate ogni speranza, o voi chi entrate qui”! Që në shqipen komuniste, e kishin përshtatur: “KËTU I THONË BURREL, KU HYN E NUK DEL”! Nuk jam i sigurt, mbase këto mund të kenë qenë halucinacione të shkaktuara nga troshitja e arkë-burgut; ngaqë kurrë s’arrita të vërtetoja, nëse kish qenë ndonjëherë e shkruar kjo sentencë, apo jo?

Por, pak rëndësi kish ky fakt, atje vërtetë ishte FERR e kaluar FERRIT! Këtë do ta mësoja që ditën e parë. Fatkeqësisht kur na nisën nga kampi, më hipën të parin në makinë, kështu në FERRIN e Burrelit, më erdhi radha të zbrisja i fundit. Ca na verboi drita e beftë, ca nga mpirja e këmbëve prej rrugës së gjatë, unë s’u tregova i shkathët sa duhej dhe polici që na priste, ngathtësinë e mori si tangërllëk timin dhe tallje për personin e tij. Kështu, në vend të më fusnin në dhomat e burgut me të tjerët, përfundova që qelitë e burgut me minjtë.

Pra, tersi nisi që në krye! Dhe ky ters më njohu me dom Simonin. Në fakt s’pata rast të njihesha unë personalisht, po shtrojat e mia që i sistemuan ngjitur me jatakun e tij. Pas tri ditësh izolim, më nxorën; direkt nga biruca, vajta ku më shpunë. Te dera e dhomës, një burrë kokorroç, më priti buzë gaz. Më uroi mirëseardhjen dhe më tregoi shtratin: – “Mirseardhe, or burrë, e të prift e mbara! Ene pse s’e ke nis fort mbarë”! E përshëndeta dhe u ula mbi jatak. M’u qasën edhe të tjerët të panjohur, më uruan dhe u larguan, kurse kokorroçi mbeti aty. Vetëm dy të njohur gjeta në atë dhomë, Luan Kokën nga Vlora dhe Shuaip Seitin nga Shkodra, me ata kisha ardhur nga Repsi, të tjerët i shihja për herë të parë.

Aty takova edhe dy patriotë të mi beratas, Ilia Thereskën dhe Luftar Çalën. Me atë katërshe, u kufizua njohja e asaj dite. Gjithsesi, shok krahu, s’do kisha asnjë nga të njohurit, po Simonin, më pas do mësoja se ish prift dhe duhej thirrur me titull. Kur më pohoj se ishte prift, s’u binda lehtë, sepse ai s’i shëmbëllente asnjë prifti tjetër nga ata që kisha njohur deri atëkohë. Të gjithë të tjerët kishin pamje të përvuajturish, ishin të zbehtë deri në venitje; përkundrazi, ky kuqali, kish trup atleti, si sportistët. I kisha rënë pikës, vërtetë s’isha gabuar! Nga bisedat me të mësova se para se të shugurohej prift, në të ri, kishte qenë sportist, madje mjaft cilësor; këtë ma pohuan edhe bashkëqytetarët e tij. Memorie.al

Nuk keni oreks nga vapa? Këto janë ushqimet dhe pijet më të mira për t’u konsumuar në verë, do t’ju mbajnë të hidratuar për shumë gjatë

Uji është zgjedhja e parë, por ushqimi mund të sigurojë gjithashtu sasinë e ujit të nevojshëm në ditët e nxehta.

 

Këtu janë disa këshilla për t’ju ndihmuar të shmangni dehidratimin:

1. Pini shumë ujë

Djersitja bën që trupi të humbasë shumë ujë, ndaj duhet të pini të paktën 8-10 gota ujë në ditë. Shtoni feta limoni ose kastravec në ujë për një shije freskuese.

2. Frutat dhe perimet

Frutat dhe perimet me përmbajtje të lartë uji janë ideale për ditët e nxehta. Ato jo vetëm që ofrojnë ujë, por edhe vitamina dhe antioksidantë.

3. Ushqime të lehta

Zgjidhni alternativa të lehta dhe të ftohta. Sallatat me perime të freskëta, mish pule ose ton dhe pak vaj ulliri janë ideale. Supat e ftohta me bazë jogurti ose kastraveci janë gjithashtu freskuese dhe ushqyese.

 4. Reduktoni kafenë dhe alkoolin

Kafeina dhe alkooli mund të shkaktojnë dehidrim. Në vend të kafesë dhe pijeve alkoolike, përdorni lëngje natyrale, çajra bimorë dhe ujë të thjeshtë.

5. Snacks të vogla

Zgjidhni arra, kos dhe fruta me mjaltë dhe drithëra të bëra vetë. Këto ushqime sigurojnë energji pa rënduar në stomak.

6. Reduktoni kripën

Kripa është thelbësore për ekuilibrin e elektroliteve, por marrja e tepërt mund të shkaktojë mbajtjen e lëngjeve. Zgjidhni ushqime me pak kripë dhe zgjidhni erëza natyrale.

Zhdukja e pronës private në Shqipëri, 1943-1961

 

Formacioni i parë partizan, serioz (brigadë), u formua me mbështetjen logjistike të misioneve britanike në Shqipëri (15 gusht 1943). Më 9 shtator 1943, Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar (një nga emrat pas të cilëve fshihej PKSH-ja) e miratoi një rregullore për sigurimin e burimeve mbështetëse për forcat partizane. Me këtë rregullore filloi lufta e komunistëve kundër pronës.

Nga Çelo Hoxha

Komunistët shqiptarë e dinin që populli nuk e donte dhe përse nuk e donte komunizmin, prandaj u kujdesën ta theksonin se kur të vinin në pushtet, prona private dhe iniciativa private nuk do të prekeshin, se organizimi i punës do të mbetej i njëjtë dhe se nuk do të kishte ndryshime radikale në jetën sociale. Mirëpo, kur e morën pushtetin (28 nëntor 1944), ata nuk u shqetësuan për t’u qëndruar besnikë premtimeve, të cilat i kishin bërë publikisht disa herë, me vullnetin e tyre të lirë. Ligjet e para që i bënë, synuan përmbysjen e sistemit ekonomik, ashtu që brenda një dekade e gjysmë prona private u asgjësua krejt, iniciativa e lirë në biznes u zhduk, marrëdhëniet e punës u transformuan rrënjësisht dhe jeta sociale pësoi ndryshime radikale. Ndryshim rrënjësor pësoi dhe hipokrizia e komunistëve, e cila, pas marrjes së pushtetit prej tyre, u kthye në arrogancë. Ata e shkelën kushtetutën e tyre po aq brutalisht, sa dhunuan pronën private e iniciativën private, si dhe gjithçka tjetër.

Faza e parë e luftës kundër pronës (9 shtator 1943-28 nëntor 1944)

Më 30 gusht 1941, Moska i orientoi, përmes Kominternit, partitë komuniste të botës të ndërmerrnin hapa konkretë në ndihmë të Bashkimit Sovjetik, i cili ishte sulmuar ushtarakisht nga Gjermania (22 qershor 1941). Synimi ishte çorganizimi i prapavijave të armikut dhe demoralizimi i forcave të tij. Në telegrame individuale për drejtuesit e partive komuniste, direktivat ishin specifike dhe me ton ushtarak. Atyre u kërkohej të organizonin, pa vonesë, njësi partizane dhe të nisnin, urgjentisht, sulme partizane në prapavijat e armikut.

Në Shqipëri kishte simpatizantë të komunizmit, por jo një parti komuniste. Kështu Partia Komuniste Shqiptare (PKSH) u krijua me direktivë të Kominternit dhe me mbështetjen e komunistëve jugosllavë (8 nëntor 1941), ndërsa njësitë partizane u formuan një vit më vonë.

Me idelogjinë të importuar nga Moska dhe drejtuesit nga Partia Komuniste Jugosllave (PKJ), PKSH-ja ishte e huaj për shqiptarët. Për këto arsye, çetat partizane ishin të rralla, të vogla, të ilzoluara në zona rurale dhe pa burime. Ato mbijetonin me grabitje dhe rekrutim kriminelësh, që bëhej me orientimin e udhëheqjes më të lartë të PKSH-së.

Formacioni i parë partizan, serioz (brigadë), u formua me mbështetjen logjistike të misioneve britanike në Shqipëri (15 gusht 1943). Më 9 shtator 1943, Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar (një nga emrat pas të cilëve fshihej PKSH-ja) e miratoi një rregullore për sigurimin e burimeve mbështetëse për forcat partizane. Me këtë rregullore filloi lufta e komunistëve kundër pronës. Në parim, rregullorja parashikonte tri mënyra për sigurimin e furnizimeve për ushtrinë partizane: ndihmat, rekuizimet dhe sekuestrimet, por në realitet u përdor vetëm një – forca. Rregullorja parashikonte që këshillat nacionalçlirimtare, në bashkëpunim të ngushtë me komandat e ushtrisë partizane, ta përgatisnin popullin për sakrifica në ndihmë të luftës partizane. Thënë ndryshe, populli kërcënohej t’i bindej ushtrisë partizane. Rregullorja parashikonte që këshillat nacionalçlirimtare, me kërkesën e komandave partizane, mund të bënin rekuizime nga qytetarët e pasur. Rekuizimi ishte marrja e mallit, me premtimin për t’u paguar pas lufte, ndonëse nuk ka gjurmë që rekuzimet u paguan ndonjëherë. Sekuestrimet ishin të orientuara kundër “aqmiqve të popullit”. Përcaktimin se kush ishte armik i popullit e kush jo, e bënin këshillat nacionalçlirimtarë. Koncepti i armikut të popullit u përdor kundër gjithë kundërshtarëve të komunizmit, realë e potencialë.

Rregullorja nuk kishte asnjë lloj autoriteti juridik, edhe sikur të respektohej, por për të kuptuar marrëdhënien e komunistëve me pronën e të tjerëve dhe rregulloren (ligjin) po sjellim një shembull. Më 8 nëntor 1943, Enver Hoxha, sekretar politik i PKSH-së dhe komisar politik i ushtrisë partizane, i shkruante një komunisti tjetër se njerëzit e tij i kishin kërkuar bereqet Ibrahim Biçakut, një nga njerëzit më të pasur në Shqipëri, por ai nuk kishte pranuar t’u jepte dhe ata ia kishin marrë me forcë. Për të kuptuar sa lart në hierarkinë e PKSH shkonte abuzimi, duhet pasur parasysh që Hoxha ishte shqiptari me më shumë pushtet në PKSH. Më të pushtetshëm se ai në PKSH ishin dy përfaqësuesit e PKJ-së pranë PKSH dhe Tito, drejtuesi i PKJ-së.

Rekuizimi dhe sekuestrimi kanë qenë historikisht dhe vazhdojnë të jenë koncepte juridike që përkufizojnë veprime të posaçme në lidhje me pronën, të cilat i kryejnë entitete të ngarkuara me autoritet ligjor. Në mungesë të autoritetit ligjor, rekuizimi dhe sekuestrimi partizan ishin përvetësim i paligjshëm i pasurisë së qytetarëve.

Faza e dytë e luftës kundër pronës private (28 nëntor 1944-20 prill 1946)

Me zaptimin e institucioneve nga komunistët, grabitja e pronës u bë në emër të shtetit, por, pavarësisht mantelit institucional, regjimi i ri nuk mundi ta fshihte krejtësisht karakterin e banditesk të veprimeve të tij. Me ligjet e para u shënjestruan thuajse ato sende që lakmon hajduti në një supermarket: paratë e thata, metalet e çmuara, mallrat e konsumit. Kështu brenda një muaji, regjimi komunist nxori ligje për grumbullimin e monedhës në qarkullim nga tregtarët, ligje për vendosjen nën kontroll “të shtetit” të industrive, të shoqërive tregtare, të tregtisë e jashtme, metaleve të çmuara, si dhe ligje për konfiskimin e pasurive private të të arratisurve politikë, shtetasve italianë e gjermanë etj..

Komunistët nuk tatonin. Ata merrnin gjithçka. Me ligjin për tatimin e jashtëzakonshëm të fitimeve të luftës (13 janar 1945) regjimi mblodhi afërsisht 92% të shumës totale të fitimeve që llogaritej se tregtarët e kishin realizuar gjatë periudhës 7 prill 1939 – 28 nëntor 1944.

Ligjet e regjimit komunist në fushën ekonomike synonin dobësimin në maksimum të pozitave ekonomike të tregtarëve, të industrialistëve, pronarëve të tokës dhe, në përgjithësi, pronarëve të çdo lloji. Lënia e kapitaleve në duart e tyre shihej si burim i mundshëm financimi për veprimtari kundër pushtetit politik.

Me marrjen e instuticioneve nën kontroll, veprimtaria e komunistëve e çoi të keqen një hap më tej se krimi. Hajdutët kanë synuar historikisht përmirësimin e nivelit ekonomik të tyre, por jo shkatërrimin e sistemit ekonomik ekzistues. Për dallim nga kolegët e tyre në botën e krimit, komunistët e kaluan atë kufi.

Faza e tretë e luftës kundër pronës private (20 prill 1946 – 13 shkurt 1961)

Zhdukja e pronës private në industri dhe tregti ishte proces linear, i rrufeshëm: dilte ligji, e merrnin në dorë specialistët “e shtetit”, ndërsa fundi i pronës private ishte çështje ditësh.

Në bujqësi, i njëjti proces u krye me dy faza dhe zgjati 15 vjet: në fazën e parë u shpronësuan pronarët e mëdhenj dhe të mesëm, kurse në fazën e dytë secili që zotëronte tokë. Shpronësimi i tokës në fazën e parë u quajt reformë agrare, ndërsa në të dytën kolektivizim. Kolektivizimi nisi më 20 prill 1946. Tre vjet më vonë, regjimi ishte i pakënaqur me ritmin e krijimit të kooperativave, andaj për t’i dhënë hov, e sajoi çështjen e kulakëve. Kulakët ishin pronarë toke të ligjshëm, të cilët e zotëronin tokën në përputhje me ligjin e reformës agrare (1945), por regjimit i duhej një justifikim për t’i nxitur fshatarët të hynin në kooperativë, me anë të mekanizimit të frikës. Propaganda e regjimit i identifikoi kulakët si entitet armiqësor ndaj regjimit komunist dhe organet e dhunës i goditën pa mëshirë, me të gjitha format: ekzekutim, burgim, internim dhe, për çdo rast, shpronësim. Kulaku, referuar propagandës zyrtare, ishte kundërshtar i rreptë i kolektivizimit, i modernizimit të bujqësisë, i mirëqenies së fshatarit… i gjithçkaje. Në fakt, lufta kundër kulakëve u bë për t’i përcjellë një mesazh masës së gjerë të fshatarëve dhe ata nuk zhgënjyen – brenda një dekade të gjithë fshatarët ia dorëzuan tokën regjimit. Në shkurt 1961, PKSH-ja shpalli përfundimin me sukses të kolektivizimit në bujqësi.

Realizimi i plotë i kolektivizimit do të thoshte që gjithë fshatarësia u shpronësua dhe kaloi në varësi totale të shtetit. Thënë ndryshe, kolektivizimi ishte kapitullim kolektiv përballë regjimit.

Në Kongresin IV të PPSH (shkurt 1961), drejtuesit më të lartë të regjimit komunist deklaruan se tashmë në Shqipëri ekzistonin veç dy lloje të pronës: prona shtetërore dhe prona kooperativiste. Prona private u zhduk si praktikë ekonomike dhe, madje, si instrument gjuhësor në ligjërim.

Ndonëse kushtetuta shqiptare vazhdoi të sanksiononte, deri më 1976, se prona private dhe iniciativa private ishin të garantuara, por pas shpronësimit total të popullsisë, nuk kishte kush kurajë ta artikulonte me zë të lartë ironinë.