Paloka apel PBDNJ: Krimi nuk do njohë kufi nëse kapet drejtësia

????????????????????????????????????

Nënkryetari i PD, Paloka i ka bërë dje thirrje PBDNJ që të bashkohet në aksionin e opozitës për të mos lejuar kapjen e drejtësisë nga duart e Ramës, pasi kjo do të sillte legjitimimin e krimit dhe të korrupsionit në pushtet.
“Unë e përgëzoj qëndrimin që ka mbajtur PBDNJ në këtë situatë, në Parlament përmes z. Dule dhe në qëndrimet publike. Kritikë parimore dhe me argumente. Por të dashur miq, rreziku që mund të sjellë qeveria, Edi Rama, është edhe më i madh. Ai kërkon të kapë totalisht edhe drejtësinë, çka do të thotë se dhuna, arbitrariteti, korrupsioni e lidhja me krimin pas kësaj nuk do të njihnin më asnjë kufi. Ky është një moment sprove për vendin, për popullin, për çdo qytetar të angazhuar, për çdo intelektual në vend dhe sidomos për çdo parti politike”, u shpreh Paloka.
Për nënkryetarin e PD, vendi duhet shpëtuar nga rrëshqitja në ditët më të errëta të historisë së saj dhe duhet garantuar vota e lirë.
“Mijëra qytetarë dhunohen çdo ditë nga korrupsioni qeveritar, nga sundimi i banditëve e të fortëve të lidhur me qeverinë.
Çdo qytetar sot është nën dhunë sistematike për shkak se taksat e tyre merren me forcë deri në qindarkën e fundit dhe pikërisht këto para, të mundit e të gjakut, nuk kthehen asnjë ditë në shërbime apo të mira për ta, por vidhen nga Edi Rama, ministrat e oligarkët e tij.
Ta mbrojmë vendin nga rrëshqitja në ditët më të errëta, të kapjes totale nga Rama të drejtësisë dhe të sigurojmë me çdo kusht votën e lirë e të ndershme për zgjedhjet që po vijnë, këto janë dy shinat që do të sjellin shpëtimin, daljen nga kriza e shumëfishtë. Ky është terreni i madh i vlerave e parimeve ku besojnë demokratët, qytetarët e lirë të vendit, PBDNJ e çdo forcë politike që do drejtësi të pavarur, zgjedhje të lira e të ndershme, sundimin e ligjit e respektimin e të drejtave të njeriut, kanë mundësinë, shansin, por dhe detyrimin të qëndrojnë së bashku për hir të vendit, të fëmijëve tanë dhe të ardhmes europiane”, tha ai.
Kryetari i Grupit parlamentar të PD bëri këto komente në punimet e Kongresit të PBDNJ ku dërgoi edhe përshëndetjet e kryetarit të PD, Basha.
“Në rrugën politike të këtyre viteve të demokracisë, PD dhe PBDNJ, kanë ndarë shpesh vlera të përbashkëta, më themeloret, si respekt i përkushtimit për të drejtat e njeriut, për pronën, për standardet e demokracisë.
Po ashtu, kemi ndarë shpesh shqetësimet e përbashkëta kur këto parime janë cenuar nga qeveritë.
Po sot duhet ta themi, se vendi dhe qytetarët janë si asnjëherë tjetër të rrezikuar e të kanosur në dinjitetin e tyre, në themelet e ekzistencës, në parimet dhe vlerat themelore të demokracisë, nga një agresion i pashembullt i qeverisë, me paligjshmërinë, arbitraritetin e arrogancën e saj.
Mijëra qytetarë kanë humbur pronat pa paralajmërim dhe në kundërshtim me procedurën e rregullt ligjore.
Mijëra bashkëqytetarë janë rrasur në qeli e burgje për fajin e vetëm, varfërinë e tyre, pamundësinë për të paguar dritat apo nevojat bazike të një familjeje”, u shpreh Paloka.

Makropulos: Asnjë përfaqësues i minoritetit në qeveri

Përfaqësuesi i qeverisë greke shprehu keqardhjen që në qeverinë shqiptare nuk kishte asnjë ministër.
Duke mbajtur një fjalë në Kongresin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, ai tha se minoriteti ka 6 deputetë në Parlamentin e Shqipërisë, por të gjithë janë të përçarë. Për këtë arsye, në emër të qeverisë greke, ai bëri thirrje për unitet, duke theksuar se vetëm kështu mund të arrihen qëllimet.
“Ne konsiderojmë se grekët jashtë Greqisë janë më shumë grekë se ata që jetojnë brenda Greqisë. Ne kërkojmë që ju të jeni të gjithë së bashku të bashkuar. Qeveria aktuale greke në ndryshim me periudhat e mëparshme, dëshiron të ketë një minoritet kompakt. Në vitin 1998 ju kishit dy ministra dhe dy zv/ministra.
Por tani keni 6 deputetë dhe asnjë fuqi në qeveri. Ky është problem dhe kjo ka ardhur si pasojë e ndërhyrjes nga Greqia, përçarjen e minoritetit. Duhet të jeni të bashkuar sepse të bashkuar mund të keni sukses në çdo gjë. Më kujtohet një miku i imi që thoshte: ne jemi dy popujt në Ballkan që veshim fustanella dhe kemi probleme të përbashkëta”, tha Makropulos.

Rama ia “lyp” Dules votën

Nuk kanë kaluar aq shumë muaj sa për t’u harruar kollaj, kur Edi Rama, pa pikë problemi, madje me cinizëm të hapur, e flaku nga koalicioni qeverisës, Vangjel Dulen dhe partinë e tij PBDNJ. Atëherë, kreu i PBDNJ, duke deklaruar si të padurueshme bashkëjetesën me Ramën dhe pasi paralajmëroi degradimin e qeverisjes së tij, dha dorëheqjen nga nënkryetar i Kuvendit, kurse njerëzit e tij në administratë, u zëvendësuan, pa u tharë ende boja e këtij divorci.
Rama brenda 24 orëve e zëvendësoi me Shpëtim Idrizin e çamëve dhe pas kësaj, janë të njohura tundjet e kokës plot sarkazmë të Kryeministrit, sa herë që Dule dilte në podiumin e Kuvendit dhe kritikonte ashpër qeverisjen e tij. Por tani kur të gjithë po flasin për zgjedhje të parakohshme, veçanërisht ai vetë, nëpërmjet artikulimeve të Majkos e Peleshit, papritur shfaqet i shndërruar, i përunjur në podiumin e kongresit të PBDNJ-së dhe e quan Vangjel Dulen “mik”. Sipas filozofisë darviniane, të përshtatjes dhe shndërrimit, në rast rreziku nga asgjësimi, të cilën Rama e aplikon pa problem me miq e armiq, tani në ditët e fundit të mbretërimit, ujku nuk është më ujk fodull, por një dele e butë që blegërin pa ju skuqur hunda: “PBDNJ është një ombrellë për gjithë minoritarët në Shqipëri.
Ne kemi qenë pranë, pasi për PS minoriteti ka qenë i afërt. PS ka të drejtën të krenohet për gjithë solidaritetin që ka treguar në 25 vite me popullin e minoritetit. Ka gjëra që duhen bërë mirë, sfida që duhen përballuar, ka problem, por e vërteta është që një fill i gjatë dhe i pandërprerë miqësie e vëllazërie e lidh PS me minoritetin.
Me Dulen jemi miq, prandaj nuk shkojmë gjithmonë mirë”. Me pak fjalë, u shpjegoi gjithë atyre burrave e grave të PBDNJ-së në kongres, të cilëve akoma nuk ju ka dalë e keqja që i hoqën “si Zhukovi”, nga punët e mira në administratë, konceptin e tij për miqësinë: Miku duhet vetëm për ditë të vështira, se në të mirat, mik kam vetëm veten time.

Exit mobile version