Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u dekorua nga Forumi Crans Montana në një ceremoni të veçantë me Çmimin e Fondacionit për vitin 2016. Ky çmim i lartë i këtij forumi i është akorduar liderëve të ndryshëm evropianë dhe botërorë, në shenjë mirënjohje dhe vlerësimi për angazhimin publik në promovimi e vlerave demokratike dhe një botë më të mirë.
Presidenti i Nderit i Forumit të Crans Montanas dhe themelues i forumit, ambasadori Jean-Paul Carteron i dorëzoi çmimin Presidentit Nishani duke vlerësuar progresin e madh të kryer nga Shqipëria për kalimin nga diktatura në demokraci, anëtarësimin në NATO, si dhe afrimin gjithnjë e më shumë me Bashkimin Evropian. Gjithashtu, ambasadori Carteron vlerësoi kontributin personal të Presidentit Nishani në këtë drejtim.
Presidenti Nishani në fjalën e tij të falënderimit u shpreh ndër të tjera se, ky çmim është një vlerësim i madh e shumë domethënës për vendin dhe bashkatdhetarët e tij, kudo që ndodhen dhe se vjen në një moment kyç për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, të cilët aktualisht po përjetojnë ankthin e humbjes së vëmendjes nga Bashkimi Evropian. “Jam i sigurt që falë edhe kontributit të Forumit të Crans Montanas, kjo gjë nuk do të ndodhë dhe Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor do të kenë vëmendjen e nevojshme të Bashkimit Evropian për vijimin në rrugën e reformave dhe të përmbushjes së standardeve më të mira evropiane”, u shpreh kreu i shtetit shqiptar.
Gjatë pjesëmarrjes në sesionin e 27-të vjetor të Forumit të Crans Montanas, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani zhvilloi takime të shkurtra edhe me shtetarë, politikanë e përfaqësues të botës së biznesit që merrnin pjesë në këtë forum.