Nga Agron Tufa
Kur bie fjala për Pjetër Arbnorin shpesh mendoj, se ky njeri i paqtë, këmbëngulës, i pathyeshëm e durimtar u largua nga kjo jetë me një farë pengu: të qenët e tij Shkrimtar, pikërisht Shkrimtar me germë të madhe. Askush nuk u mor kurrë seriozisht me këtë anë të personalitetit të tij. As ai vetë (në kuptimin e përhapjes së veprës së tij). Nuk e morën seriozisht ata që duhet dhe mund ta merrnin, për një shkak banal e të pafalshëm: nuk e lexuan fare! Përveç disa parathënieve të zbehta, ndonjë recensioni sipërfaqësor, apo shënimi gazete, vepra që botoi Arbnori, e tëra në të gjallë të tij, nuk u lexua si duhet, nuk u shpërnda, nuk u studiua profesionalisht, me një përjashtim të vetëm – libërthin e profesorit të “La Sapienza”, Giuseppe Gradilone me titullin “Pjetër Arbnori – shkrimtar”.
Por ëndrra e tij e shkrimtarisë ka qenë e hershme, siç pohon Arbnori në dhjetra intervista. Të bëhej shkrimtar, ishte superideja e tij, që në vitet e fëmijërisë, e cila nxjerr krye e drojtur në fletët e romanit më të bukur e më autobiografik të shkrimtarit – “Shtëpia e mbetur përgjysëm”. Shkrimtaria për Pjetër Arbnorin ishte e mbeti një dëshirë e flaktë, një mit, që nuk reshti kurrë, as në rethanat më ekstreme të ekzistencës së tij, në qelitë dhe burgjet e komunizmit. Profesor Gradilone bën një përqasje mes itinerarit motivues në jetë midis shkrimtarit Ismail Kadare me pikënisjen nga letërsia te liria … (ka qenë letërsia që më udhëhoqi drejt lirisë, e jo liria drejt letërsisë), – atëherë, Pjetër Arbnori, sipas Gradilones, ka ndjekur rrugën e kundërt: ka qenë lufta për liri, ajo që e çoi tek letërsia, ajo që e frymëzoi dhe i dha kuptim: një koherencë shembullore njerëzore dhe artistike…”
Secila vepër letrare e Pjetër Arbnorit ka një histori të saj, është në mënyrë figurative një “kornizë” që e shoqëron shkrimtarin, atje ku letërsia është më e pamundur se kurrë të shkruhet dhe ku shndërrohet në sfidë të shumëfishtë.
Kur u bë i mundur botimi i veprave të shkrimtarit në liri, kishte ngjarë paradoksi i legjendës së personalitetit të tij. Veprën e tij nuk e pengon më diktatura, por vetë legjenda e personalitetit të tij, personalitet që gjithmonë e ka eklipsuar veprën. Pjetër Arbnori perceptohej me të drejtë si “Mandela i burgjeve të komunizmit”, politikani dhe kryeparlamentari, një ikonë origjinale e triumfit të qëndresës, ndërkaq që novelat e romanet e tij u kundruan si një “desert” ekzotik, që përplotësonin dhe theksonin anën publike e politike të personalitetin e tij.
Prandaj lexuesit dhe studiuesit e letërsisë, shijuesit, në përgjithësi, të prozës artistike të Pjetër Arbnorit, i duhet të kapërcejë një sërë barrierash të imazhit publik të autorit, me të cilat, falë asociacioneve përtace është mjegulluar autori si Saturni me unazat. Për fat të keq, në kakofoninë dhe peisazhin e rrëmujshëm të letërsisë shqipe pas rënies së diktaturës, pasoi një “bum” sensacionesh e zbulimesh, zhurmnaja artificiale e patetike, që e shpërqendruan vëmendjen nga ai repertor letrar që sapo kishte dalë prej burgut. Vetëm pasi lexuesi t’u jetë shmangur barrierave me stereotipe të gatshme mbi shkrimtarin, ai do të jetë në gjendje të shijojë prozën e mirëfilltë artistike të një mjeshtri të rrëfimit, të një mjeshtri që ka gjuhë, stil e ide, e mbi të gjithë një forcë ëndërruese dhe ethe kërkimi, deri sa heroi prek fundin e labirintit, apo kap majën e triumfit.
Në kohën e studimeve të mia kur kishte dalë në dritë i pari libër i Arbnorit, novela “Kur dynden vikingët”, shumë shokë të mi i habiti fakti, se pse një i burgosur, kampion qëndrese, një Mandelë e vërtetë, nuk flet aspak në librin e tij mbi vuajtjet, torturat, mbijetesën, kalvarin. Ç’i duhej z. Arbnori një narrativë, sado dramatike dhe akulluese, e revanshit të dhunshëm naziskin në Gjermaninë e Hitlerit, kur të gjithë shkrimet e të sapodalëve nga burgjet e kampet e internimit shpalosin menjëherë plagët (me gjithë alegoritë e nënkuptuara per diktaturën)? Unë mendoj se në të gjitha situatat Pjetër Arbnori ka bërë letërsi, pavarësisht se lënda e përjetimeve janë po ato burgje, me lloze e mure, po ata njerëz të privuar nga çdo mirëkuptim njerëzor i hetuesve, drejtorëve e policëve të shërbimit. Veçse zhanri i shkrimtarit Arbnori, mjetet e tij, arsenali i instrumentave gjuhësorë, janë mjete më të larta se konfesionet e memuaristikës, me tonin e pashmangshëm ekzibicionist të dëshmisë.
Vetëm pasi lexuesi ta ketë çliruar veten nga barrierat e imazhit stereotip: “Pjetër Arbnori, – legjenda e burgjeve të komunizmit, “Mandela shqiptar”, plaku i urtë i parlamentit etj, – vetëm atëherë shijuesi i letërsisë zbulon një botë të magjepsur, të gjallë, mistike, të vrullshme, të brishtë e të dhunshme, mizore e delikate, nostalgjike e ngashëryese, një botë pa kufij kohorë e hapësinore. Vetëm atëherë lexuesi mësohet ta shohë këtë botë letrare ndjenjash, idesh e utopish, vegimesh e ëndërrimesh, me sytë e pastruar nga çdo urrejtje.
Librat janë tejqyra shpirtërore më besnike e Arbnorit si shkrimtar dhe personalitet. Më këto tejqyra ne mund ta kundrojmë botën, përmes shpirtit të tij të ngarkuar me barrët e brengave shqiptare; lente të një shpirti fluid e infantil, që nuk rresht së ëndërruari në kërkim të së bukurës dhe sublimes edhe në zgavrën më të errët të Hadit.
Gjatë gjithë viteve të gjata të burgut shkrimtari e ka vetëprojektuar ëndrrën e lirisë falë gjymtyrës së stërlashtë kreative – imagjinatës: muret e qelisë shëmben dhe nisin aventurat, vegimet, idilet, hapësirat e pamata gjeografike e kulturore, nga plazhet, tek popujt e ndryshëm në kohë e histori. Jehona e brendshme e shkrimtarit kërkon të zgjerojë zotërimet rrathët interferentë të mendimit, të zgjeroj mundësitë e lirisë. “Ka dhe një mënyrë tjetër për të hyrë në botën e lirë, që është mjaft e mundimshme, por më efikase. Zgjerimi i lirisë në veten tënde, në mendjen dhe në shpirtin tënd. Kjo bëhet me anën e punës serioze intelektuale, me anë të mendimit, të diskutimit dhe të shkrimit” – thotë shkrimtari në memuaret e tij.
Shkrimtari Arbnori ia doli të arratiset me “krahët e lirisë”. Imagjinata artistike, qoftë nën maskën e përkthimit, qoftë te strehimi në epoka të largëta historike u bë një mundësi e përhershme e diskurseve alegorike paralele, duke nënkuptuar përqasjet etike, morale e politike me të tashmen e shkrimtarit. Arratitë e shkrimtarit janë të jashtme si konvencione (“Kur dynden vikingët”; “E bardha dhe e zeza”; “Brajtoni – një vetëtimë e largët”), romane aluduese me natyrën e rëgjimit stalinist shqiptar, ku realët gjermanë, afrikanë apo irlandezë mund t’i shpërngulësh në përditshmërinë asfiksuese socialiste të Shqipërisë së izoluar. Arratitë e brendshme krijojnë një narrativë tjetër mbi idilet e fëmijërisë (“Shtëpia e mbetur përgjysëm”), idile midis horrorit dhe survejimit në kamp (“Vdekja e Gëbelsit”), arratia në kërkim të idealeve në historinë e hershme mesjetare (“Mugujt e mesjetës”), apo në historinë e agut të ndërgjegjes kombëtare (“Vorbulla”). Llojet e arrative ndërlikohen me vegime ëndërronjëse (“Bukuroshja me hijen”) dhe në një sagë të vogël rezistence e dinjiteti të një vajze të re, në mbrojtje të vlerave njerëzore sipas një kodi moral të pashkruar (“E panjohura”).
Gjuha e prozës së Pjetër Arbnorit është e pasur, jo thjesht në rrafshin leksikor e leksiko-gramatikor, gjithë idioma të gjalla nga gojëfoljet shkodrane. Megjithatë, fjala si materie krijuese në penën e Arbnorit nuk sforcohet asnjëherë në manierë. Nuk bëhet obsesion më vete. Ajo ruan harmoninë e natyrshme të intonacionit të rrëfimit, që vjen e shtohet prajshëm përshtat me situatat apo me gjendjet psiko-emocionale të heronjve. Ligjërimi emotiv, ruhet ekskluzivisht në replika dhe dialogje.
Është një gjuhë me të cilën familjarizohesh që në paragrafine parë, sepse tekefundit, mënyra si përdoret ajo në tekstin letrar është stili. E stili i Arbnorit është i kthjellët, jo i thjeshtë (nuk ekziston komplimenti “e thjeshtë” si kategori në krijimin artistik). Sintaksë e kthjellët, e rrjedhshme, e organizuar në periudha adekuate sipas diafragmës, natyrshëm, sa më natyrshëm. Fjalia nis e thjeshtë, bashkërenditëse ose e shkurtër fare, gjithë ankth e tension. Më së shpeshti mbizotëron periudha e gjatë e fjalisë, analitike e përshkrimore, që rrok e shtjellon argumenta apo analogji të holla shpirtërore. Një evoluim stilistik për kah fjalitë e gjata verehet në romanin e fundit dhe më i vëllimshmi në opusin e veprave të Arbnorit, “Brajtoni – një vetëtimë e largët”.
Ajo që të bie në sy në këtë stil e sintaksë të kthjellët të Arbnorit është mungesa e çdo patetizmi. Dialogjet variojnë nga shpalimet e karaktereve, tek veçoritë e situatave me doza ironie, grotesku apo humori të zi.
(- “Kur vënë marrshe në radio, ta dini se këta e kanë punën keq! – thoshte gjithnjë një çam, që bënte be tri herë në ditë se ishte vlonjat. – “Vdekja e Gëbelsit”)
Gjithsesi dominante e stilit të Arbnorit është konciziteti, penelata e shpejtë dhe e saktë, asgjë e mbingarkuar, që nuk i shërben paraqitjes. Mbizotëron përshkrimi i personazheve (veshjeve, tipareve), i shenjave dalluese të pamjes dhe karakterit. Të gjithë këta elementë tregojnë se shkrimtari Pjetër Arbnori ka qenë një nostalgjik i thekur i romanit të madh realist të shekullit XIX. Në fakt në disa vepra e kryesisht tek “Shtëpia e mbetur përgjysmë”, ndeshim përftesat e notave të buta e nostalgjike të stilit dikensian.
Proza romanore e Pjetër Arbnorit, edhe pse ajo nuk arriti të komunikonte në kohën e vet me lexuesin, paraqet në përgjithësi praninë e fortë të shkrimit realist, por të një realizmi të përthyer në përvojat e shek. XX, si neoromantizmi dhe neorealizmi, ndonëse Prof. Gradilone këmbëngul në “verizmin” e Xhovani Vergës (“Familja e Malavolajve”) apo të Manzonit. Korpusi realist i veprës së Arbnorit si faktografi letrare është shumë i rëndësishëm për letërsinë shqipe të pas Luftës së Dytë Botërore, për shkakun e njohur të mungesës katastrofike të këtij formacioni shkrimor. Po, ne kemi pasur “realizëm socialist”, por jo realizëm. Me përjashtim të ndonjë elementi tek-tuk te ndonjë, ne nuk kemi shkrimtarë apo shkrim realist. Vepra romanore e Pjetër Arbnorit mbush një boshllëk të madh letrar të pas vitit ’60 në një model të shkrimit realist. Dhe realizmi është faza e pjekurisë së një letërsie.