“Plas bomba” në Itali, Igli Tare: Kampionati i trukuar…!

Rebelimi i Lazios pas ndeshjes së fundit, të barazuar në fushën e Cagliarit, shtë shoqëruar nga polemika e madhe për një penallti jo dhënë në favor të bardhekaltërve. Klubi kryeqytetas e ka shprehur zhgënjimin e tij të madh përmes gojës së drejtorit sportiv, Igli Tare, i intervistuar ekskluzivisht nga “Corriere dello Sport”: “Nuk iu dha penallti Lazios pas ndërhyrjes ndaj Immobiles dhe nuk u kërkua ndihma e VAR-it, ndërsa me 11-metërshin e Cagliarit ndodhi e kundërta. Pse kishte dy interpretime të ndryshme? Pikërisht kjo është pyetja, madje edhe e jona. Nuk kam një përgjigje. Thjesht, mund ta përsëris, pse dy interpretime të ndryshme? Ajo ndaj Immobiles nuk ishte penallti e zakonshme, ishte dyfish penallti dhe nuk ndodh thuajse kurrë një episod i tillë në futboll. E prek fillimisht një futbollist i Cagliarit, pastaj tjetri. E shtrinë në tokë të dy. Nuk mund ta kuptoj si nuk e panë. A kemi biseduar me Guidan? Si na u përgjigj arbitri? Sipas tij, këtë na ka thënë, nuk kishte dyshime. Nuk ishte penallti. Pse? E justifikoi duke folur për simulim. Immobile kishte simuluar rënien. Atëherë, përse nuk e ndëshkoi me karton për simulim?

Guida i nxori karton të verdhë për protesta. Nëse mendonte se kishte simuluar, duhet ta kishte ndëshkuar me të vërdhë, pikërisht për këtë motiv dhe jo për protestë. Janë disa situata që nuk kanë logjikë. Shikoni penalltinë e dhënë për Cagliarin. VAR-i, thotë protokolli, ndërhyn në fund të një aksioni dhe para se të rinisë loja, kur topi është i ndalur për një goditje këndi apo të lirë. Në këtë rast, Guida u ndal nga Gavillucci gjatë lojës dhe u dha 11-metërsh. Topi ishte në lëvizje. Si mund të ecet përpara kështu? Nuk e di. Jemi lodhur duke folur. Nuk e bëmë pas ndeshjes me Juven, që ishte një nga ndeshjet më të bukura të sezonit, pavarësisht se ishte një penallti e qartë. Sepse ndërhyrja e Benatias ndaj Leivas ishte e dukshme. U dëmtuam edhe një javë më parë. Tani e pranojnë edhe ekspertët, që nuk e kanë pëlqyer kurrë Lazion. Jemi dëmtuar para syve të të gjithëve. Janë shumnë episode që rëndojnë në kampionat…”
Nuk ka munguar qëndrimi i Tares edhe për VAR-in, që po funksionon në Seria A: “VAR-i na ka zbritur shumë në klasifikim. Unë them 12 pikë. Të themi vetëm 6? Dakord, janë vetëm 6 pikë, për shkak të interpretimeve të gabuara dhe nga gabimet që janë para edhe në TV, siç ishte goli me dorë i Cutrones gjatë ndeshjes me Milanin.

Pozicioni i Lazios sot do të ishte tjetër, nuk them në zonën “Champions”, por thuasje aty. Kështu po shtremërohet gara, po trukohet kampionati”. Frazat e ashpra të ekzekutivit shqiptar të Lazios nuk kursehen: “Po thosha, dy ose tre muaj më parë, në mes të nëntorit dhe dhjetorit, ne kemi qenë të penalizuar qartë, në katër lojëra, njëra pas tjetrës. Në to Lazio u dëmtua dhe aty kemi humbur distancën tonë nga Napoli dhe Juve. Asokohe, kemi qenë tri pikë larg nga vendi i parë, flisnim edhe për “scudetton”. Më tej e ngadalësuam hapin, tani jemi të katërtit, në vrapim me të tjerët, por ka pasur një handikap. Gara ka qenë e shtrembëruar plotësisht dhe nuk ka besim të mirë”.
E megjithatë, qëllimi “Champions” është ende gjallë te bardhekaltrit: “Ne jemi aktualisht në garë, por nuk guxojmë të japim përqindje. Por, në qoftë se duam të gjithë, nëse vazhdojmë të luftojmë dhe të jemi të përqendruar, unë jam i bindur se Lazio, pavarësisht vështirësive, mund të arrijë një objektiv të merituar. Do të vazhdojmë të ëndërrojmë, sepse cilësia është atje, në skuadër. Në fund, në fund të zemrës sime, mendoj se do të arrijmë ta bëjmë realitet edhe Champions-in”.

Exit mobile version