Propaganda me pallatet e ndërtuara nga turqit në Laç, denoncimi i PD: Rama mashtroi! Asnjë banor nuk ka hyrë në shtëpitë e reja

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, përmes një postimi në facebook ka denoncuar qeverinë se ka bërë propagandë me pallatet e ndërtuara nga turqit në qytetin e Laçit.

Zhupa shprehet se Rama dhe Erdogan u dhanë çelësat 4 familjeve, por në të vërtetë, ato ishin vetëm sa për propagandë, pasi në kompleksin e pallateve të reja nuk ka hyrë asnjë familje.

“Gati 3 javë më parë, Edi Rama përdori presidentin e Turqisë për të mashtruar me apartamentet e ndërtuar nga turqit në Laç. Rama dhe Erdogan u dhanë çelësat 4 familjeve, por, në të vërtetë, ato ishin vetëm sa për propagandë.  Në kompleksin e pallateve të reja, nuk ka hyrë asnjë familje.

Gjithçka ishte një show, i vënë në skenë nga Edi Rama. Banorëve nuk u jep askush përgjigje pse nuk po futen akoma në shtëpitë e tyre. Sa më gjatë rrinë ata në shtëpi me qira, aq më i madh është dëmi që i shkaktohet buxhetit, duke paguar bonusin e qirave, ndërsa shtëpitë e reja kanë përfunduar së ndërtuari rreth 3 muaj më parë” – shkruan Zhupa.

Më tej, deputetja e PD-së shprehet se Qeveria dhe bashkia heshtin, duke sjellë vërdallë mbi 500 familje të Laçit që po pengohen të hyjnë në shtëpitë e tyre të inauguruara 2 herë deri tani.

“Qeveria dhe bashkia heshtin, duke sjellë vërdallë mbi 500 familje të Laçit, që po pengohen të hyjnë në shtëpitë e tyre, të inauguruara 2 herë deri tani. Një herë nga Rama para Vitit të Ri, një herë nga Rama dhe Erdogan 3 javë më parë” – përfundon Ina Zhupa denoncimin e saj.

Exit mobile version