Titulli i 5-të radhazi në Francë tashmë mund të konsiderohet thjesht një mision i pamundur për Paris Saint Germain-in. Monaco mund të nisë festën sepse me humbjen në transfertën e “Alianz Riviera” përballë Nice, është vetëm çështje javësh që skuadra e Unai Emery të zbresë nga froni. Falë edhe një goli të Mario Balotellit ekipi i Lucien Favre mposhti me rezultatin 3-1 kampionët në fuqi të Francës, duke i rrezikuar edhe vendin e dytë tashmë formacionit kryeqytetas. Në të 26-tën Balotelli me një gol shumë të bukur i hapi rrugën suksesit të Nice.
Misioni për të marrë pikë në këtë ndeshje u bë më i vështirë për miqtë në fillimin e pjesës së dytë kur portugezi Ricardo realizoi një supergol për t’i çuar shifrat në 2-0. Marquinhos në të 64-tën u duk sikur rihapi ndeshjen, por vetëm kaq për Parisin në këtë sfidë sepse greku Donis pak përpara fundit shënoi edhe të tretin për skuadrën vendase. Skuadra parisiene e mbylli ndeshjen me 9 lojtarë pas daljeve me karton të kuq të Thiago Mottës dhe Di Marias. Shenjë dorëzimi kjo e Parisit sepse Monaco tashmë ka 3 pikë më shumë dhe një ndeshje më tepër për të luajtur tre javë përpara fundit të sezonit, titulli kampion është më pranë se kurrë për skuadrën nga Principata.