Shqiptarët e Kosovës, gjithnjë e më shumë janë duke braktisur plazhet e Shqipërisë për të zgjedhur destinacione të tjera në rajon. Prej vitesh, turistët kosovarë ankohen për diferencim të madh dhe mashtrim me çmimet e dhomave dhe produkteve në plazhet shqiptare. Krahasuar me muajn korrik të një viti më parë, në 2017-ën kanë hyrë në Shqipëri 33.2% më pak shtetas kosovarë, kjo sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT.
Sa i përket gjashtë mujorit të parë të 2017-ës, numri i kosovarëve që kanë hyrë në vendin tonë ka zbritur me 17.3%. Ky trend përbën rrezik për turizmin shqiptar, pasi shtetasit e Kosovës përbëjnë numrin më të madh të turistëve në Shqipëri dhe janë burimi kryesor i të ardhurave për qytetet e Durrësit, Shëngjinit, Velipojës etj.
Deri më tani, kjo rënie e numrit të turistëve kosovarë nuk është ndjerë në ekonomi, pasi është kompensuar nga rritja e numrit të turistëve që vijnë nga shtetet e Europës Lindore. Në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, numri i të huajve në Shqipëri është rritur me 6.4% krahasuar me një vit më parë. Rritja më e madhe i përket turistëve polakë, me 71%, të ndjekur nga italianët me 56.5% dhe gjermanët 56.1%.
Rritje ka patur edhe nga shtetasit e vendeve fqinje. Numri i malazezëve që kanë hyrë në Shqipëri në periudhën janar-korrik 2017-të është rritur me 4.4%, i grekëve me 5.6% dhe maqedonasve me 9.6%.
Gjithsesi, turistët nga Kosova vazhdojnë të jenë të parët sa i përket shtetasve të huaj që preferojnë vendin tonë për të udhëtuar. 865 mijë është numri i kosovarëve që kanë hyrë në Shqipëri në gjashtë mujorin e parë të 2017-ës, ndryshe nga 2016-ta, kur shifra arriti në 1 milion e 47 mijë. Të dytët me një diferencë të thellë janë maqedonasit, që arrijnë në 341 mijë.
Nëse ulja e numrit të turistëve nga Kosova do të vijojë me këto ritme edhe në gjashtë mujorin e dytë të 2017-ës, atëherë viti 2018 nuk do të jetë aspak pozitiv për turizmin shqiptar.