Rama, në 7 muaj shpenzoi 40 milionë euro vetëm për WC, fasada e kolltuqe

Qeveria ka shpenzuar 40 milionë euro, ose 5 miliardë lekë vetëm për shtatë muajt e parë të këtij viti për pajisjen e zyrave.
Kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili shkruan në një postim në Facebook, se Rama me 40 hajdutë griu 40 milionë euro vetëm për WC e kolltuqe. Vasili e cilëson kreun e qeverisë Edi Rama me ministrat e tij, si bandën e Ali Babait me 40 hajdutë. Ironia më e madhe është se këto shifra publikohen në kulmin e betejës që po bëhet me qeverinë për të shpëtuar Teatrin Kombëtar nga shembja me argumentin se “qeveria nuk ka para”.
“Vetëm për 7 muaj, Kryeministri hajdut, alias Ali Baba me të gjithë 40 hajdutët në qeveri kanë badërdisur 40 milionë euro për luks e zyra.
Të gjithe qanin e lanin si legena, qeveri e bashki në TV e nëpër dëgjesa, në konferenca shtypi e nëpër çdo rrëzë përpara kamerave e lehnin pa u lodhur, që s’kemi fare para, ndaj do t’ia japim gjithë zemrën e Tiranës, privatit, që të na bëjë sevap një Teatër.
Para për Teatrin nuk ka, as për një spital të ri në Fier nuk ka, por ka plot para për t’i vjedhur e grabitur në luks idiotësh. Nuk ka para as për rrugët, as për By Pass-et, as për ngrohjen e shkollave, as për ilaçe, por ka miliona euro për WC-zyrash, fasada, kolltuqe, tapete, mokete. Ja keshtu i vjedhin ditën per diell paratë e shqiptarëve, plot 40 milionë euro, Ali Baba në krye të qeverisë me të gjithë 40 hajdutët e tjerë”, shkruan Vasili.

Exit mobile version