“Rilindja” së bashku me rritjen e krimit e zhyti Pukën në skamje, varfëri e papunësi dhe i detyroi banorët e këtij rrethi të largohen nga vendi i tyre në shtete të ndryshme të Europës. Janë me dhjetëra e dhjetëra familje në nevojë që nuk kanë mundësi të sigurojnë as bukën e gojës, ndërsa Bashkia nuk merr asnjë masë për t’i ndihmuar këto familje duke i lënë në mëshirë të fatit. Por tani përballemi me një rast edhe më tronditës në Pukë. Një kryefamiljar i sëmurë, baba i katër fëmijëve, Xhevit Lluka bashkë me familjen e tij jeton në qiell të hapur.
Kjo familje me gjashtë anëtarë nuk ka asnjë mundësi të paguajë qiranë e shtëpisë. Xhavit Lluka, bashkëshortja e tij dhe 4 fëmijët e tyre të mitur mbajnë frymën gjallë me një pension invalidi, të cilin i zoti i shtëpisë e merr si ndihmë paaftësie. Situata e dhembshme tashmë shoqërohet veç me lotë trishtimi, nëpër të cilët vjen dhe apeli drithërues për ndihmë.
Kryefamiljari Xhevit Lluka thotë se është në hall të madh duke iu drejtuar Bashkisë për ndihmë, por askush nga pushtetarët nuk e dëgjon zërin e tij. Edhe bashkëshortja e tij, edhe kjo e sëmurë, thotë se ajo është e gatshme të qëndrojë pa ngrënë vetëm të mbarojë ky makth për katër vocërrakët e saj. Derisa dikush të mendojë për strehimin e tyre, familja Lluka do të qëndrojë me qiellin për çati, mes katër rrugësh jetojnë traumën e fatit për të ardhmen e tyre.
Kryebashkiakut të Pukës nuk i bën përshtypje ky tmerr për banorët. Babëzia, arroganca dhe mospërfillja ndaj shtresës në nevojë e bëjnë kryebashkiakun Gjon Gjonaj pse jo edhe nënprefektin Marash Simonin, njerëzit më të urryer në jetën e përditshme në këtë komunitet. Këta pushtetarë nuk mendojnë se edhe këta fëmijë duan të rriten dhe bëjnë një jetë normale ashtu si gjithë fëmijët e tjerë.
Kjo tragjedi për Pukën nuk mbaron këtu, pas lajthitjes së kryebashkiakut, i cili për t’i krijuar hapësirë HTP-së (Hotel Turizëm Pupa) si bashkëpronar i turizmit, ju dërgon njoftimet për shembjen e banesave edhe 8 familjeve të tjera e mbi 15 bizneseve, gjoja për të krijuar hapësira publike e vende të gjelbëruara sikur i mungojnë Pukës…
Nëse këto objekte do të shemben, cilat janë masat e marra nga Bashkia për strehimin e këtyre familjeve, ku është objekti i ri për t’i strehuar? Po vendet e punës për bizneset që hidhen në rrugë? Apo qëllimi kryesor është krijimi i hapësirave dhe shtimi i xhiros së turizmit tuaj? Flitet se vijnë investime për Pukën nga “Rilindja”, po ku shkojnë këto lekë? Në lyerjen e fasadave dhe te stadiumi “Tërbuni”? Po mirë, o kryebashkiaku Gjon, po ekipin ku e katandise?
Ku është projekti për rrugën nga Qelza në breg-Drini te shpella e eksploruar nga HTP-ja? Ku është leja e ndërtimit? Nga kush financohet? Ku është transparenca ndaj votuesve? Për popullin është e qartë se investimet do të shkojnë aty ku është interesi juaj personal se erdhët në drejtim me shumë shpenzime, po unë mendoj se s’duhet t’i paguajë populli e nëse e ka detyrim ta paguajnë se s’bën përpjesëtojani në katër vite e jo të gjitha menjëherë se një fjalë e urtë popullore thotë “mos, se do të të ngelen në fyt”.
Prel Gjoni